80-vjetori i Teatrit kombëtar, mes sfidave, kritikave e premtimeve për statusin e artistit

80-vjetori i themelimit të Teatrit Kombëtar në Shqipëri, është kujtuar në Arturbina, duke rivënë në skenë shfaqjen e parë që shënoi themelimin, “Topazin” e duke ekspozuar pjesë nga arkivat e mbetura për të. Imazhet e dokumentet përbëjnë sot dëshmitë e vetme, ndërsa dëshmitarët nuk jetojnë më dhe me ta, nis edhe bjerrja e kujtesës. Artistët e përkufizuan teatrin në forma të ndryshme.

Ndërsa themelimi i trupës në Tiranën e pasluftës sillte sfida, disa prej të cilave do të kuptoheshin më vonë me konsolidimin e sistemit politik që pasoi luftën, në kontekstet e reja sociale e politike, edhe teatri i sotëm ka sfidat e vetat, që shkojnë përtej buxheteve e politikave. Liria mundet të jetë krejt fluide, e kushtëzuar nga rrethanat e ndërvarësitë. Një plejadë artistësh në zë, të pranishëm në festën e 80-vjetorit, e përdorën skenën për të artikuluar, shqetësimet e tyre. Përtej një godine që nuk është më, duket se mungon edhe vëmendja.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, pati mesazhe për të ndarë sa i takon problematikave të artit. Duke përdorur postin e tij si titullar, siç rrallë bën në laminë e kulturës, ai adresoi në fjalim disa prej shqetësimeve.
“Nuk rri dot pa bërë një ndjesë, në teatër sepse kam qenë pak prezent. PO mundohemi shumë që në strategjinë e re të artit e kulturës 2026-2030 të kemi në qendër Statutin e artistit, që e di që shumë prej jush e kanë në mendje dhe e përtypin. Në rëndësinë që ka liria e tij dhe të kemi një respekt edhe ndaj meritokracisë dhe mundësive sa më të mëdha”, tha Gonxhja.

Tetë dekada më pas, teatri përballet, së pari me mungesa hapësirash, së dyti me pamjaftueshmëri buxhetesh e së treti me rrjedhojat e mungesës së politikave afatgjata, vizioneve e zaptimeve që ndërsa tkurrin skenën edhe e zhbëjnë atë./ balkanweb/ KultPlus.com

‘Zullulandia’ në Teatrin Eksperimental, katër netë shfaqje mbi motivet e veprës së Konicës

“Zullulandia” është produksioni i Teatrit Kombëtar Eksperimental që do të shfaqet për publikun në datat 22, 23, 24 dhe 25 maj, në ArTurbina.

Shfaqja bazohet mbi motivet e veprës së Faik Konicës dhe vjen me regji dhe dramatizim të Endri Çelës, interpretuar nga aktorët: Sokol Angjeli, Neritan Liçaj, Adriana Tolka, Brendi Bega, Katerina Fili, Anxhelo Dauti.

“Zullulandia” është një festë e madhe me nota satirike dhe një zgjim mbi realitetin ku po jetojmë. E punuar mbi motivet e veprës së Faik Konicës, “Zullulandia” është plotësuar me ngjarje të realitetit të sotëm shqiptar.

Zullulandia, një vend në Afrikën e Lindjes, me popullin e saj të prapambetur e të nënshtruar, kërkon më shumë të drejta nga Evropa. Prandaj dërgon në Paris dhe në Londër ambasadorin e saj, Denizullu-Serpen. Ky fodull dhe injorant vihet në lojë prej kancelarëve të huaj, ndërsa, kur kthehet në Zulluland, mirëpritet prej zulluve me festa e nderime për “lavdatat” e marra. I vetmi që e ka kuptuar talljen është Plugu. Tani atij i duhet që t’u hapë sytë një populli të tërë zullush për talljet e Evropës ndaj Zullulandisë./atsh/ KultPlus.com

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Romëve, Teatri ‘Nexhip Menekshe’ prezanton premierën ‘Ano Rodipe’

Teatri Rom “Nexhip Menekshe” në Prizren do të prezantojë premierën e dramës “Ano Rodipe “, të autorit Bertolt Brecht, e cila është adaptuar nën regjinë e Mahir Musliut, shkruan KultPlus.

Premiera do të jepet më 7 prill, në kuadër të Manifestimit të 8 Prillit – Ditës Ndërkombëtare të Romëve, në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren.

Shfaqja “Ano Rodipe” jepet më 7 prill, në ora 20:00./ KultPlus.com

Teatri Kombëtar publikon orarin e shfaqjeve për muajin prill

Teatri Kombëtar i Kosovës ka publikuar orarin e shfaqjeve për muajin prill 2025, shkruan KultPlus.

Shfaqja “Martesa” e regjisorit Norbert Rakowski do të jepet më: 3, 4, 8 dhe 9 prill, ndërsa shfaqja mysafire “Streha e Nemun” nga regjisori Ilir Bokshi jepet më datën 10 prill.

Kurse, shfaqja mysafire “Të turpëruarit” e regjisorit Altin Basha jepet më 11 prill. Orari për shfaqjet tjera është si në vijim:

‘Të gjashtët kundër Turqisë’ jepet sonte në teatrin Oda

Shfaqja “Të gjashtët kundër Turqisë” nga Jeton Neziraj dhe me regji të Blerta Neziraj, shfaqet sonte në teatrin Oda.

Kjo shfaqje paraqet vitin 2018, ku gjashtë mësues turq u arrestuan në Kosovë dhe u deportuan në Turqi. Lejeqëndrimet e tyre të lëshuara nga shteti i Kosovës u revokuan mbi argumentin e supozuar se përbënin rrezik për sigurinë kombëtare. Gjashtë burrat kërkoheshin në Turqi për shkak të gjoja lidhjeve të tyre me klerikun në ekzil Fetullah Gulen, lëvizja e të cilit fajësohej nga shteti turk për grusht shtetin e dështuar të vitit 2016. Dhjetra e mijëra mbështetës të dyshuar të Gulenit janë arrestuar apo kanë humbur vendet e tyre të punës në Turqi që nga grusht shteti i dështuar. Shumica janë deklaruar të pafajshëm. Guleni e ka mohuar se ai dhe mbështetësit e tij janë prapa përpjekjes për rrëzimin e qeverisë së Erdoganit.

Kur televizionet në Kosovë dhanë pamjet e shtetasve turq të arrestuar, njerëzit pyesnin me të drejtë; si ishte e mundur që në një shtet demokratik, siç proklamonte se ishte Kosova, të ndodhte një rrëmbim i këtillë, mafioz, që sigurisht po kryhej me dijeninë dhe autorizimin e krerëve të shtetit. Rrëmbimi dëshmoi brishtësinë e institucioneve të shtetit në Kosovë, të cilat janë rob i hegjemonive politike e ekonomike të shteteve të fuqishme. Por incidenti është edhe një mësim për të gjithë ne: që autoritarizmi nuk është një ‘ishull i izoluar’, ai ka tendencë të kopjohet e importohet, mu siç ndodhte dikur me fashizmin.

E frymëzuar nga “Të shtatët kundër Tebës”, shfaqja përmban një shikim të nuancuar në Turqinë e Erdoganit dhe shtron pyetje se pse shoqëritë e themeluara mbi parimin e pluralizmit dështojnë të mbajnë premtimet e veta? Pse shumë politikanë sot po shkojnë gjithnjë e më shumë kah ideologjitë shtypëse?

Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Adrian Morina, Ernest Malazogu, Shpëtim Selmani, Verona Koxha, Albina Krasniqi, Don Shala.

Shfaqja “Të gjashtët kundër turqisë” jepet sonte, në ora 20:00, në Teatrin ODA./ KultPlus.com

Gjimnazistët gjallërojnë teatrin e Gjirokastrës, shfaqje në gjuhën frënge

Në Javën e Frankofonisë, nxënësit e gjimnazit “Asim Zeneli” në qytetin e Gjirokastrës kanë sjellë në skenë një shfaqje teatri në gjuhën frënge.

Aktorët e rinj, plot dëshirë dhe talent, interpretojnë pjesën teatrale në gjuhën e huaj.

“Është një shfaqje teatrale që vihet në skenë për herë të parë me nxënësit e gjimnazit “Asim Zeneli”, e cila do të prezantohet në një konkurs që zhvillohet nga Ambasada Franceze nën titullin “Perdja e teatrit francez”, thotë mësuese Valbona.

“Kam mësuar shumë, po ashtu është edhe një eksperiencë shumë e mirë për mua, pasi mund ta shikoj në të ardhmen si një mundësi”, thotë një nxënës.

“Kemi emocione, patjetër, sepse është një gjuhë sado e vështirë, por edhe aq e bukur. Shpresoj që publiku ta pëlqejë sa më shumë. Ne kemi punuar shumë fort, si me mësuesen Valbonën, ashtu edhe me profesor Klementin, për ta realizuar këtë shfaqje në pak kohën që kishim. Kemi shumë kujtime të bukura nga kjo shfaqje që do të ngelen gjithmonë në memorien tonë”, thotë një nxënëse.

Krahas prezantimit të përgatitjes së nxënësve, pjesa teatrale është një mundësi e shkëlqyer për gjallërimin e jetës kulturore dhe rikthimin e të rinjve në skenën e teatrit.

“Ky teatër, siç po vazhdon, dhe siç kanë ardhur prurjet e reja nga këta të rinj që janë pas nesh, është e duhura. Ata duhet të shkojnë në shkollë dhe të vijë edhe më shumë rinia”, thotë aktori Klement Konomi.

Tashmë, në Gjirokastër ka një interes në rritje nga të rinjtë për vendosjen në skenë të shfaqjeve teatrore, duke ripërtërirë traditën e pasur kulturore të qytetit të gurtë./euronews/ KultPlus.com

`Poezi dhe performancë` në Teatrin e Gjilanit

Teatri i Qytetit të Gjilanit ka njoftuar organizimin e një ngjarje speciale “Poezi dhe Performancë”, e cila do të mbahet në kuadër të Ditës Botërore të Teatrit. Ky event ofron mundësinë që qytetarët e Gjilanit të shprehin kreativitetin e tyre përmes fjalës dhe performancës, duke interpretuar poezi në skenë.

Ngjarja do të organizohet më 27 mars nga ora 20:00 në Teatrin e Qytetit.

Të gjithë ata që dëshirojnë të marrin pjesë mund të regjistrohen duke dërguar një mesazh interesimi në faqen e teatrit (Facebook dhe Instagram)

Afati i regjistrimit deri në datën: 21.03.2025. Pjesëmarrësit duhet të dërgojnë poezi të shkruara vetë ose mund të interpretojnë poezi nga autorë të njohur. Gjatë eventit, çdo pjesëmarrës do të ketë mundësinë të interpretojë poezinë e tij ose të saj në skenë, duke shprehur emocionet dhe kreativitetin e tij.

‘Të turpëruarit’ sonte premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Sonte, në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës do të jepet premierë shfaqja mysafire “Të turpëruarit” me regji të Altin Bashës, e cila vjen si bashkëpunim i artistëve teatror nga Prishtina dhe Tirana, shkruan KultPlus.

Shfaqja “Të turpërurit” trajton identitetin, kulturën dhe konfliktet ndërkulturore në shoqërinë moderne. Përmes dilemave të personazheve, shfaqja sfidon stereotipet, diskriminimin dhe paragjykimet, duke nxjerrë në pah sfidat e një shoqërie të diversifikuar dhe nevojën për dialog e reflektim mbi marrëdhëniet ndërkulturore.

Në shfaqje luajnë: Adrian Morina, Blerta Syla Surroi, Kushtrim Sheremeti, Aurita Agushi dhe Endrit Ahmetaj.

Shfaqja jepet më 17 dhe 18 mars, në ora 20:00, në Amfiteatrin e TKK-së./ KultPlus.com

Në përvjetorin e Pavarësisë, shfaqja ‘13’ në Teatrin ‘Adriana’ në Ferizaj

Të enjten me datë 13 shkurt në teatrin Adriana jepet shfaqja”13”, shfaqja fituese e 3 çmimeve kryesore në festivalin “Talia e flakës” me regji të Sulejman Rushitit dhe me motive nga Kadare, Fishta, Kuteli e Kristo Floqi

“13” është një reflektim i thellë mbi ciklin historik të shqiptarëve, ndërtuar mbi fabulat e shkrimtarëve dhe poetëve që kanë ndikuar në formësimin e identitetit tonë kulturor. Frymëzuar nga Viti i Mbrapshtë i Ismail Kadaresë, Qerthulli Politik i Kristo Floqit, ABC-ja e Kreshnikëve e Mitrush Kutelit dhe poezi të Gjergj Fishtës, shfaqja zhytet në pasigurinë dhe tragjedinë që ka shoqëruar shqiptarët ndër shekuj.

Luajnë: Kushtrim Qerimi, Arben Marevci, Donika Zeqiri, Blin Mani, Sherif Bega, Edona Berisha, Dora Xhemajli, Dashnim Rexhepi, Nexhat Xhokli, Milot Salihu, Ali Krasniqi, Jajush Ramadani dhe Elton Tahiri

Shfaqja jepet për nder të 17 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Shfaqjet në Teatrin Kombëtar javën e parë të shkurtit

Kjo javë e muajit shkurt do të sjellë në skenën e Teatrit Kombëtar (Tiranë) disa aktivitete. Përveç shfaqjeve teatrale, “ArTurbina” gjatë kësaj jave do të vihet në dispozicion edhe të një shfaqjeje të artistëve të Cirkut Kombëtar.

Komedia “Fundjava”, me regji nga Elma Dorezi është shkruar nga Norm Foster, do të rikthehet në Teatrin Kombëtar.

Gjatë një vizite në fundjavë mes dy çifteve, natyra e vërtetë e marrëdhënieve të tyre del në sipërfaqe ndërsa katër të ashtuquajturit “miqtë më të mirë” zbulojnë ngadalë se si ndihen vërtetë dhe çfarë mendojnë për njëri-tjetrin.

“Fundjava” është një ndërthurje e të qeshurës dhe të vërtetës, mashtrimit dhe surprizave, që e lë audiencën të hamendësojë dhe të qeshë deri në fjalën e fundit. Tek “Fundjava” interpretojnë: Helidon Fino, Monika Lubonja, Arjola Demiri, Klodian Hoxha. Komedia do të shfaqet nga data 6 deri më 9 shkurt.

Më 8 dhe 9 shkurt, orari i paradites në “ArTurbina” i është rezervuar publikut të Cirkut Kombëtar.

Ndërkohë që ka edhe një rikthim tjetër në skenën e TK të shfaqjes “Fausti”, me regji të Davide Iodice.

“Fausti” u shfaq edhe gjatë vitit 2024 dhe mori vlerësime. Regjisori italian Iodice veç regjisë së “Faustit”, ka marrë përsipër edhe përshtatjen, skenografinë e kostumet./atsh/ KultPlus.com

Mbyllet festivali i dramës `Talia e Flakës 2025`

Në Gjilan është mbyllur festivali i dramës “Talia e Flakës 2025”, i cili ka zgjatur shtatë ditë rresht, nga 22 deri më 28 janar 2025. Në mbrëmjen e fundit është dhënë shfaqja “Jam unë ajo” nga produksioni “Bon”, që mban firmën autoriale të dy dramaturgeve, Vamira Thaqi e Dituri Neziraj.

Ndonëse e paraparë për një numër të caktuar të publikut për shkak të hapësirës së kufizuar në skenën e vogël, interesimi ka qenë mjaft i madh. Kjo mbase ka ardhur si rrjedhojë nga vet paralajmërimi se shfaqja është e predestinuar për audiencën +18, ndaj pikërisht kjo duket të ketë “ngacmuar’ kërshërinë e artdashësve gjilanas e më gjërë. Fabula e shfaqjes nga teksti i bashkë autoreve, fillon me brengën e dy grave lehona të cilat janë të merakosura për dukjen e jashtme pas lindjeve të foshnjeve, ndaj qëndrojnë para pasqyrës sikur për të mbajtur “nën vëzhgim strikt” procesin e zgjërimit të përmasave trupore, pas lindjes. 

Ndonëse fillimisht nuk duket e tillë, brenga e dy grave mikesha kuptohet gjatë rrjedhës së shfaqjes. Sipas përshkrimit të shkurtër narrativ të përmbajtjes së shfaqjes, Dija dhe Vesa janë të ndara nga realitete të ndryshme por të lidhura nga e njëjta barrë depresioni pas lindjeve. Përmes tyre zbërthehet një histori që nuk është thjeshtë personale, por një klithmë kolektive. Në errësirën e brendshme ku përzihen ndjenja faji dhe paaftësie, ato ballafaqohen me një botë që u refuzon të drejtën për të qenë të thyeshme. 

“Tendenca për të mbajtur publikun sa më pranë me shfaqjes, arrihet përmes dialogjeve të personazheve herë-herë të tensionuara e herë të tjera të relaksuara. Pikërisht afërsia e raportit të këtyre të fundit, që krijojnë me publikun e ulur në një hapësirë të ngushtë skenike, vjen si gjetje adekuate për të mbajtur kurreshtar atë, krahas formave të reja teatrale të domosdoshme, të cilat tashmë kudo janë pjesë të skenës në teatrin bashkëkohorë për ta bërë publikun pjesë të pashmangshme të lojës, dramës, shfaqjes, krahas aktorëve në skenë, e në kètë mënyrë për ta mbajtur gjallë vëmendjen e ndërvarur nga relacioni i ndërsjellë, e për t’u lidhur sa më emocionalisht. Afërsia dhe relacioni me publikun që arrijnë ta krijojnë dy aktoret, Tringa Hasani e Semira Latifi,  duke i shërbyer fillimisht me çaj tradicional, e në raste të më pastajme me ndërvarje komunikimi simbolik përmes grimasave e mimikës, vë në pah pikërisht një gjë të tillë, pra domosdonë e relacionit mes aktorëve dhe publikut. Loja e aktoreve është mjaft e sigurtë, për t’u konstatuar si e përligjur përvoja që tashmë ato kanë krijuar dhe përballjen me “barrën” intepretuese që fillimisht vjen si rrjedhojë nga vet magjia e skenës, e më pas edhe nga vështrimet “shpotitëse” e “kurioze”, deri në “kërshëri” të pafund të publikut, i cili di shpesh të gjejë “qime në ve”, duke pa deri edhe “shkarje” eventuale që fshihen në detaje të padukshme, apo fare pak të dukshme!”, thuhet në komunikatën e Komunës së Gjilanit.

Shfaqja eksploron një plagë sociale që fshihet pas buzëqeshjeve të rreme dhe pritshmërive të pashpirta, në një sistem ku “nënat janë heroina të heshtura”, duke mëtuar të sfidojnë tema që në mendësinë patriarkale janë tabu edhe te ne, sikurse kudo në botë, ku më shumë e ku më pak! 

Shfaqja “Jam unë ajo”, me tekst nga Valmira Thaqi e Dituri Neziraj, me regji nga Erson Zymberaj, si dhe me pjesëmarrje të aktoreve Tringa Hasani e Semira Latifi, me skenografi të Bekim Korçës, kostumografi nga Njomëza Luci, korreografi të Gjergj Prevazit, muzikë të kompozitorit Tomor Kuçi dhe dizajnues të ndriçimit nga Burim Baftiu ka përmbyllur edicionin e këtij viti të festivalit të dramës shqipe “Talia e Flakës 2025”. Ndërsa, për shtatë ditë me radhë festivali është përcjellur nga një numër mbase më i vogël shikuesish se herave të mëparshme, por ky fakt assesi nuk e ka zbehur imazhin e mirë dhe namin që mbartë “Flaka e Janarit”, gjegjësisht “Talia e Flakës”, pasi është dëshmuar një përkushtim i madh i trupave teatrale pjesëmarrëse, të cilat kanë kanë sjellur në festival shfaqje cilësore dhe mjaft të kushtueshme! E pikërisht konkurrenca e fortë që e ka përcjellur rrjedhën e festivalit do të jetë s’provë për jurinë profesionale vlerësuese që përbëhet nga dy regjisorë e një aktore.

“Vendimi është parapa të publikohet në Gala Mbrëmje, më 31 janar, kur pritet të shpallen edhe rezultatet e të gjitha shtyllave përkatëse, të cilat e përbëjnë tërësinë e manifestimit, si: “Peneli i Flakës”; “Talia e Flakës”; “Pena e Flakës” dhe “Fest Flaka” etj” thuhet në njoftim.

‘Teatri Ilegal’ – dokumentari i rezistencës në Kosovën e viteve ‘90

Të premten me 31 janar në Galerinë e Arteve në Ferizaj, shfaqet dokumentari “Teatri Ilegal” nga regjisori, Sovran Nrecaj.

Vitet e ‘90-ta janë qartazi një periudhë kritike për Kosovën. Autonomia e saj ishte suprimuar në vitin 1989, si rrjedhojë shqiptarët e Kosovës e gjetën veten të përjashtuar nga hapësira dhe jeta publike e vendit të tyre. Në një përpjekje për të rezistuar, duke imituar normalitetin në një kohë tejet jo normale, arsimi, shëndetësia dhe kultura tanimë u akomoduan nëpër hapësira private duke krijuar kështu një sistem të jetesës publike tërësisht paralele. Ashtu si shumë institucione të tjera edhe dyert e teatrit të Ferizajt, të cilat ishin hapur disa dekada më herët, u mbyllën për artistët, punëtorët dhe publikun shqiptar të Kosovës. Por teatri vazhdoi të bëhej.

Mbyllja e dyerve të ndërtesës së teatrit u përcoll me hapjen e zemrave e dyerve të njerëzve të Ferizajt.

Ky rrëfim i aktorëve Nexhat Xhokli, Dashuri Rexhepi e Arben Marevci është rrëfim i rezistencës, besimit, shpresës dhe reflektimit mbi rolin e të bërit art me çdo kusht.

Sot, 72 vjet nga hapja e Teatrit ‘Aleksandër Moisiu’ në Durrës

Sot bëhen 72 vite nga hapja zyrtare e Teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako në një postim në rrjetet sociale ka rikthyer në vëmendje këtë datë të veçantë për artdashësit e qytetit bregdetar.

“Në 11 janar 1953, Durrësi, ky qytet me një histori gati tremijëvjeçare, do të themelonte Teatrin profesionist me emrin e aktorit të madh me famë botërore Aleksandër Moisiu.”

Ishin 14 aktorë, një pjesë e mirë tepër të angazhuar në lëvizjen amatore, të cilët themeluan këtë teatër duke nisur historinë e një tradite të mirëfilltë teatrore në shtëpinë e parë të teatrit durrsak, ish-kinemanë “14 Nëntori” e më pas, veprimtaria kryesore e teatrit “Aleksandër Moisiu” u lidh kryesisht me godinën aktuale të saj, e cila u përurua më 4 shkurt të vitit 1965”, shkruan Sako.

Sako shton më tej se ky rrugëtim 72-vjeçar numëron mjaft tituj, çmime e arritje në rang kombëtar e më tej nga aktorët, regjisorët si dhe artistet e profileve të tjerë të këtij teatri.

“Me mbi 250 premiera e me një trupë tashmë të konsoliduar aktorësh, shfaqjet po ridimensionojnë profile të rinj aktorësh me ambicie, përkushtim e shumë dëshirë, duke na dhënë besim për t’a vijuar më tej traditën e Teatrit “Aleksandër Moisiu” në vitet që do të vijnë. Jetë të gjatë Teatrit”, shkruan Sako.

Në videon e ndarë në rrjetet sociale disa nga aktorët të cilët kanë performuar ndër vite në skenën e këtij Teatri, kanë shprehur urimet e tyre.

“Uroj që teatrit t’i kthehet identiteti i tij dhe emri i madh “Aleksandër Moisiu”, pastë jetë të gjatë si jeta e gjithë popullit se Teatri është i popullit dhe populli e do Teatrin se është pasqyra e jetës së tij”, tha Ali Bega.

“Jetoftë në jetë të jetëve, suksese pastë gjithmonë!”, u shpreh Hysen Bashhysa.

“Funksioni i teatrit është argëtimi dhe edukimi dhe me këtë rast unë i uroj Teatrit Aleksandër Moisiu sa më shumë shfaqje të bukura që ta kryejnë sa më mirë dhe sa më bukur misionin për të cili ekziston”, tha Sanie Hoti.

“Dua të falenderoj të gjithë artistët për kënaqësitë e mëdha që i kanë dhënë dhe i japin spektorit tonë durrsak dhe të gjithë Shqipërisë”, u shpreh Aishe Stari.

Shfaqja e parë e vënë në skenë në teatrin “Aleksandër Moisiu” ka qenë komedia “Vajza nga fshati”, e shkrimtarit Fatmir Gjata, me regji të Pandi Stillu./atsh/ KultPlus.com

Teatri te Parku i Madh i Liqenit të Tiranës do të mbajë emrin e Mirush Kabashit

Bashkia e Tiranës ka vendosur të nderojë legjendën e artit shqiptar, Mirush Kabashi, duke i dhënë emrin e tij Teatrit te Parku i Madh i Liqenit Artificial.

Ky vendim vjen si një mënyrë për të përjetësuar kujtimin dhe kontributin e një prej figurave më të shquara të skenës shqiptare.

Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha se “duke i dhënë emrin “Mirush Kabashi” një hapësire që i dedikohet artit, ne jo vetëm që nderojmë të kaluarën, por gjithashtu investojmë në një të ardhme ku vlerat artistike dhe kulturore do të lulëzojnë në zemër të kryeqytetit”.

“Propozimi për emërtimin e Teatrit në Parkun e Madh të Liqenit Artificial me emrin “Mirush Kabashi” është një iniciativë që nderon një nga figurat më të shquara të artit shqiptar. Përtej vlerës simbolike, ky vendim përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore. Mirush Kabashi, një aktor me një karrierë të jashtëzakonshme brenda dhe jashtë Shqipërisë, ka përfaqësuar kombin tonë në skenat më prestigjioze ndërkombëtare, duke transmetuar mesazhe universale përmes artit të tij. Vendimi për të emërtuar teatrin me emrin e tij përfaqëson një njohje të këtij kontributi monumental dhe një frymëzim për brezat e rinj të artistëve dhe qytetarëve. Duke i dhënë emrin “Mirush Kabashi” një hapësire që i dedikohet ekskluzivisht artit, ne jo vetëm që nderojmë të kaluarën, por gjithashtu investojmë në një të ardhme ku vlerat artistike dhe kulturore do të lulëzojnë në zemër të qytetit, një nga pikat më të frekuentuara për të parë për të bërë dhe për të konsumuar art”, tha Veliaj.

Mirush Kabashi, u nda nga jeta një vit më parë në moshën 75-vjeçare, është ndër artistët më të vlerësuar të historisë së teatrit dhe kinemasë shqiptare.

Ai interpretoi mbi 100 role në teatër dhe 30 personazhe në kinematografi, ndërsa shfaqja e tij “Apologjia e vërtetë e Sokratit” mbetet një moment historik për kulturën tonë.

Në karrierën e tij është nderuar me mbi 90 çmime dhe është aktori më i vlerësuar jashtë trevave të Shqipërisë. Ai ka interpretuar mbi 100 role në teatër dhe mbi 30 personazhe në kinematografi.

Kabashi është nderuar edhe me titujt “Artist i Merituar”, “Mjeshtër i madh i skenës”, “Nderi i Kombit”, të akorduara nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe shumë tituj të tjerë të akorduar nga institucione të ndryshme qendrore, lokale apo ndërkombëtare./atsh/ KultPlus.com

Rihapet për publikun teatri “Muharrem Qena” në Mitrovicë

Sonte është rihapur përsëri për publikun teatri “Muharrem Qena” në Mitrovicë.

Ministri Hajrulla Çeku ka njoftuar se është përuruar teatri i rinovuar tërësisht Muharrem Qena në Mitrovicë, ndërsa janë rikthyer edhe shfaqjet me fillimin e Festivalit Tradicional të Komedisë “MatrixxFest”.

“Artistët dhe publiku artdashës në Mitrovicë tash kanë një hapësirë me kushte të dinjitetshme dhe moderne për të krijuar dhe shijuar art e kulturë.

Modernizimi i infrastrukturës teatrore në Kosovë është zotim yni që po jetësohet dita ditës”, ka shkruar Ministri Çeku në Facebook./ KultPlus.com

Investim shtatë milionësh për TKK, Ministri Çeku: Teatri Kombëtar po transformohet në një hapësirë me kushte të dinjitetshme

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka njoftuar se punimet e restaurimit të tërësishëm të Teatrit Kombëtar po vazhdojnë me dinamikë të lartë.

Ministri Çeku ka thënë se përmes një investimi mbi shtatë milionë eurosh ndërtesa e TKK po transformohet në një hapësirë me kushte të dinjitetshme për artistin, stafin dhe publikun artdashës.

“Puna profesionale që është bërë në hartimin e projektit po vazhdon edhe në zbatimin e punimeve restauruese nga operatorë të licencuar për konservim. Profesorë nga gjashtë fakultete të Universitetit të Prishtinës janë angazhuar me përkushtim nga fillimi i këtij procesi delikat.

Po investojmë mbi shtatë milionë euro për modernizimin e hapësirës së Teatrit Kombëtar, duke u siguruar që vlerat e asetit do të mbrohen me përpikëri”, thuhet në njoftimin e Ministrit Çeku./ KultPlus.com

‘Kosovo – Albania Theatre Showcase- 2024’ me shfaqje dhe diskutime për teatrin dhe dramaturgjinë

Qendra Multimedia nga Prishtina në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahviogli” dhe Qendrën M.A.M, do të sjellin për herë të parë në Tiranë ngjarjen më të madhe teatrore në rajon, ‘Kosovo – Albania Theatre Showcase – 2024’.

Nga data 29 tetor deri më 2 nëntor, mbi 80 mysafirë ndërkombëtarë, ndër të cilët selektorë festivalesh, kritikë e gazetarë teatri si dhe profesionistë të ndryshëm të teatrit nga Amerika, Gjermania, Franca, Italia, Polonia, Suedia, Norvegjia, Hong Kongu, Tajlanda, Anglia, Greqia, Rumania, Moldavia, Bullgaria, Serbia, Portugalia, Holanda, Mali i Zi, Çekia, Ukraina, Estonia, e shumë vende të tjera, do të mblidhen në Tiranë për një program të larmishëm me shfaqje teatrore, panele diskutimi, ngjarje të natyrës promovuese për dramaturgë e artistë të rinj të teatrit si dhe ngjarje edukative. Në total, do të prezentohen 10 shfaqje teatri nga Shqipëria, Kosova, Greqia e Serbia, si dhe do të ketë dhjetra ngjarje përcjellëse, për teatrin, dramaturgjinë e kritikën teatrore.

Programi do të hapet me shfaqjen “Lule Sajza”, prodhim i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, ndërsa do të pasohet me një performancë unike të grupit polifonik “Bashkimi” në ora 19:00 në ceremoninë zyrtare të hapjes së festivalit. Dita e parë do të vazhdojë me premierën e shfaqjes “Fausti” prodhuar nga Teatri Kombëtar i Shqipërisë.

Më tutje, më 30 tetor programi do të hapet me diskutimin “Peisazhi teatror në Shqipërinë post-komuniste”, i cili mbahet nga ora 15:00 në hollin e ArTurbinës, për t’u pasuar me performancën “Bottecchia” nga aktorët e mirënjohur Ema Andrea e Rafael Hoxhaj në oborrin e ArTurbinës, të cilët do të shoqërohen nga regjisori italian Riccardo Ventrella e muzicientja shqiptare Sevasti Ndini. Në ora 20:00 në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” do të jEpet shfaqja “Të gjashtët kundër Turqisë” e prodhuar nga Qendra Multimedia ngaa Prishtina.

Programi do të vazhdojë më 31 tetor tek Piramida, me ngjarjen “Konsultimet Poetike” ku publiku i gjerë do të ketë mundësinë e rrallë të ndërveprojë për së afërmi me aktorët e mirënjohur nga Shqipëria Ema Andrea, Rafael Hoxhaj, të cilëve do t’u bashkohen aktorët e njohur nga Kosova Adrian Morina e Albulena Kryeziu Bokshi si dhe aktorja nga Franca Gaelle Goillou. Paneli “Teatri në Hapësirë Publike” do të vazhdojë nga ora 11:30 në hollin e ArTurbinës ndërsa më vonë nga ora 14:30 në Qendrën Kulturore “Tulla” publiku do të ketë mundësinë të shohë shfaqjen “Ndërkombëtarët” nga Greqia. Në ora 17:00 programi vazhdon me shfaqjen “Të bardhët” prodhim i Qendrës Multimedia, në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, për  t’u përmbyllur me shfaqjen “Kamarja e Turpit” të prodhuar nga Teatri Kombëtar i Kosovës në ora 20:30 në sallën e Teatrit Kombëtar. Programi vazhdon të premten nga ora 15:00 me shfaqjen “Si mësova të vozis” nga Serbia, që do të jipet në Qendrën Kulturore “Tulla”, ndërsa nga ora 17:00 publiku do të ketë mundësi të shohë shfaqjen “Koncerti” në Teatrin Kombëtar Eksperimental, për ta përmbyllur ditën me shfaqjen “Vassa Zheleznova”, mysafire nga Teatri A.Z. Çajupi – Korçë.

Të shtunën nga ora 13:30 në Qendrën Kulturore “Tulla”, fragmente nga dramat e dramaturgëve të rinj Tobias Xhaxhiu e Ina Baqoshi nga Shqipëria, Ulpianë Maloku nga Kosova dhe Eva Kamcevska e Ana Trpenoska do të lexohen nga aktorët Eva Gjikaj, Ronaldo Kolgjokaj e Shandi Ismailaj, nën regjinë e Artemis Belulit.

Punëtoria “Post, Post Communist Baby” me dramaturgun e mirënjohur nga Anglia Mark Ravenhill do t’u ofrojë dramaturgëve nga rajoni mundësinë e rrallë për të mësuar shkrimin teatror, ndërsa punëtoria për analizë kritike me kritikët Natasha Tripney nga Anglia e Tom Mustroph nga Gjermania do të ofrojë mundësinë e cmuar për të kultivuar brezat e rinj të kritikëve të teatrit në rajon. Në total, rreth 30 pjesmarrës nga Shqipëria, Greqia, Kosova, Mali i zi, Serbia e Maqedonia e Veriut janë përzgjedhur për t’i përcjell këto punëtori.

Për gjashtë vite me radhë, kjo ngjarje e përmasave ndërkombëtare është mbajtur në Prishtinë dhe ka qenë një platformë promovuese e rrjetëzuese për skenën vendore teatrore. Këtë vit, Qendra Multimedia e ka zgjeruar këtë platformë edhe në Shqipëri, me qëllim të promovimit të skenës teatrore të Shqipërisë.

Ndër emrat që do të marrin pjesë në këtë edicion të Kosovo Albania Theatre Showcase në Tiranë janë: Marco Giorgetti, drejtor i Teatri Kombëtar të Italisë “Teatro della Pergola” nga Firenze; Julia Wissert, drejtore e Teatrit të Dortmundit; Steven Morris, autor dhe kritik i njohur amerikan, ka qenë kryesues i çmimit amerikan për letërsi, Pulitzer; Miguel Loureiro, drejtor i Teatrit të Qytetit të Lisbonës; Daniel Přibyl, drejtor i Teatrit të Qytetit të Pragës;  Petra Brylander, drejtore e Teatrit të Malmos; Susanne Burkhardt, redaktore në radion publike gjermane; Jørgen Knudsen, drejtor i teatrit ‘Black Box Teater’ në Oslo; Mark Ravenhill, dramaturg anglez, njëri nga më të njohurit në Evropë;  A.Karim Jawad, kritik teatri, anëtar i Këshillit Shtetëror në Oman; Roy Horovitz, regjisor izraelit, drejtor i Israeli Theatre Showcase./atsh/ KultPlus.com

‘Anija nuk kthehet më’, drama që trajton temën e emigracionit të detyruar si pasojë e luftës emocionon publikun në teatrin Dodona

Drama e regjisores Eli Nura, “Anija nuk kthehet më”, i ka dhuruar emocione publikut në sallën e Teatrit “Dodona”. Nën interpretimin e aktorëve Hazir Haziri dhe Anisa Ismajli, shfaqja e ka përcjellë mesazhin e saj të fortë për pasojat që sjell lufta dhe si rrjedhojë, emigracioni i detyruar.

Në qendër të tekstit dramatik, është historia e dhimbshme e një familjeje, që detyrohet të braktisë atdheun, për të shpëtuar nga flakët e luftës. Dy prindër rrezikojnë gjithçka për t’u bashkuar me fëmijët e mbetur në atdheun e përfshirë nga lufta. Sakrificat e babait dhe nënës janë të paimagjinueshme. Fati i tyre, është i rëndë, si dallgët që trazojnë anijen me emigrantë.

E sjellë në formën e një leximi skenik, drama arriti të tërhiqte vëmendjen e publikut, me dialogjet dinamike dhe rrëfimin emocionues të personazheve. Emigrimi për shkak të luftës, një histori e përjetuar nga shqiptarët e Kosovës, që ende mbetet e freskët, pasqyrohet me thellësi në dramën “Anija nuk kthehet më”.

Dy personazhet, Amali dhe Noa, përjetojnë një krizë të rëndë në jetën e tyre, të shkaktuar nga një udhëtim me anije, ku nuk arrijnë dot të marrin edhe fëmijët. Shfaqja sjell tension të fortë me dinamikën e ngjarjeve, që nxjerrin në pah karakteristikat e personazheve, brengat e tyre dhe rrugëdaljet që ndjekin për t’u bashkuar me fëmijët e tyre.

Gazetarja dhe kritikja teatore Abana Beqiri e quan këtë dramë një teks universal. “Ata janë dy emigrantë të zakonshëm, nga ata që ka gjithandej botës së madhe, të tillë që i ikin krizave politike, luftrave, varfërisë… Noa dhe Amali mund të jenë nga secili vend, ata janë pjesë e kësaj bote të trazuar dhe të çmendur. Ata janë emigrantë! Të huaj! Ata kanë atdhe, kanë emra, kanë histori e etni të tyret, por historia e jetës së tyre është universale. Pikërisht ky theks universaliteti e bën tekstin dramatik më interesant e më intrigues.”, është shprehur ajo në vlerësimin e saj për dramën.

Autorja dhe regjisorja Eli Nura, vlerësoi lart përkushtimin e aktorëve, që edhe pse për një kohë të shkurtër, arritën të depërtonin te publiku. “Është një dramë e dhimbjes dhe sakrificës, familjes dhe braktisjes së vendit, luftës dhe pasojave tragjike që shkakton”, është shprehur Nura.

“Anija nuk kthehet më”, e mbështetur nga komuna e Prishtinës, u dha premierë në kuadër të Festivalit “Summer Cult”, që mbahet çdo vit në Prishtinë.

Kjo vepër dramatike, u përzgjodh në mesin e shumë dramave të tjera nga vende të ndryshme të botës, për t’u vënë në skenë në Festivalin Ndërkombëtar të Athinës në vitin 2022, ku u prit me vlerësime të larta nga kritika teatrore./ KultPlus.com

Teatri i Gjilanit me marrëveshje unike në Kosovë, zhvendos shfaqjet teatrale në lokal të shërbimit gastronomik


Teatri  i Qytetit të Gjilanit dhe  “Tabu Lounge Bar” për herë të parë në Kosovë kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e  shfaqjeve teatrale në lokal të shërbimit gastronomik.

Menaxhmenti i “Tabu Lounge Bar’’ janë shprehur jashtëzakonisht të kënaqur me këtë marrëveshje, pasi sipas tyre e ka shëndrruar Gjilanin në një qytet unik.

“Sigurisht që kjo ka qenë kërkesë e jona që përvec performancave muzikore të kemi dicka më ndryshe nga ajo se cfarë ofrohet në lokalet të shërbimit gastronomik, dhe patjetër që jemi shumë të lumtur që Teatri i Qytetit të Gjilanit, menaxhmenti dhe trupa artistike janë bashkëpunues të nivelit të tillë, duke bërë që jeta kulturore të mos mbetet vetëm në ambientet e dedikuara për to, por të shpërfaqet edhe në lokalet e gastronomisë, duke bërë Gjilanin ndryshe nga qytetet tjera”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se kjo marrëveshje ka për qëllim të krijojë një bashkëpunim të ri dhe inovativ në qytetin e Gjilanit, duke sjellë për herë të parë shfaqje teatrore dhe artistike në ambientet e Tabu Lounge Bar.

“Bashkëpunimi do të fokusohet në organizimin e shfaqjeve të ndryshme teatrale, përfshirë stand-up komedi dhe ngjarje të tjera kulturore në këtë ambient unik të cilat do të shfaqen gjate gjithë vitit. Kjo dorë bashkëpunimi e ofruar nga Teatri i Qytetit në Gjilan është lehtësim i madh jo vetëm për Tabu Lounge Bar, por besojmë dhe shpresojmë që aktivitete të tilla të shtrihen edhe tek të tjerët”, thuhet në shkrim.

Stafi i “Tabu Lounge Bar” ka falënderuar  Teatrin e Qytetit të Gjilanit, drejtorin Erson Zymberi, dhe gjithë trupën e teatrit./ KultPlus.com

Nis sezoni i ri i teatrove në Shqipëri, TKOB nis me mbrëmje gala

Me ardhjen e Shtatorit, nis edhe sezoni i ri për teatrot në vend. Ndonëse duhet edhe pak që këto institucione të prezantojnë kalendarin e plotë për këtë sezon, sërish kanë bërë me dije se cilat do të jenë shfaqjet e para që do t’i rikthejnë tek publiku.

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, bën me dije se më 14 Shtator do të nisë sezonin e ri artistik, me një mbrëmje gala, që do t’i hapi rrugën një sezoni të gjallë ku nuk do të mungojë shfaqjet operistike, baleti dhe shfaqjet nga Ansambli Popullor.

Ndërsa në skenën e Tetarit Kombëtar, në 15 Shtator do të luhet shfajqa “Karnavalet e Korçës”, një produksion i Andon Zako Çajupi, ndërsa vetë kasti i Teatrit Kombëtar ka nisur punën për premierën “Fausti”, një bashkëproduksion mes Teatrit Kombëtar dhe Sardega Tetaro, me regji të regjisorit dhe dramaturgut Italian Davide Iodice.

Teatri Kombëtar Eksperimental, në bashkëpunim me Teatrin Metropol, më 4 Shtator e nis me shfaqjen “Marmelladov” me regji të Xhino Musollari, pjesë e festivalit “Hapat” që i dedikohet regjisorëve dhe aktorëve të rinj.

Shtatori i rikthen trupat artistike në kryeqytet pas një turi shfaqjesh që patën në zonat me të frekuentuara turistike./tvklan/ KultPlus.com

‘Rruga pa emër’, premiera e komedisë së zezë në skenën e teatrit ‘Aleksandër Moisiu’

Teatri profesionist “Aleksandër Moisiu” i Durrësit shfaqi premierë komedinë e zezë “Rruga pa emër”, e shkruar posaçërisht për trupën  durrsake nga autori Cosmin Pana me regji të rumunit Vlad Trifas.

Trupa prej 7 aktorësh u ngjit në skenë duke sjellë copëza jete të ditëve të sotme, ku rendja drejt parasë, pasurimit të shpejtë, nxjerr në pah shumë raporte të cenuara njerëzore dhe humbjen e vlerave. Regjisori e ka konceptuar shfaqjen si një film brenda teatrit.

“Është një copëz jete e dy personazheve me gjithë peripecitë që ka dhe sillet në formën e një filmi në teatër, që po ndiqet shumë në Rumani dhe regjisori ynë Vladi ka bërë një punë të jashtëzakonshme me ne”, tha aktori Xhejni Fama.

“Një eksperiencë shumë e bukur, një vënie ndryshe. Nuk dua të zbuloj shumë, por është një shfaqje që nuk e kanë parë herë tjetër. E bukura është se kjo shfaqje është shkruar për trupën tonë. Edhe autori i shfaqjes që erdhi dje ishte shumë i emocionuar dhe u shpreh se kishim kaluar pritshmëritë e tij”, tha aktorja Mimoza Marjanaku.

Jo vetëm nga ana regjisoriale, por dhe skenografia e shfaqjes “Rruga pa emër” sjell risi për publikun duke e zhveshur skenën e teatrit nga format klasike dhe sjellë një shfaqje që të përfshin me thjeshtësinë dhe njëkohësisht dramat e forta që mbart. Në një botë ku personazhet shpesh jetojnë një jetë të diktuar nga rrethanat, duhet të prekësh fundin që të mundesh të kthehesh pas nëse të ofrohet një shans i dytë.

“Bota është e fokusuar te pasuria, të mirat e shpejta materiale që kanë dhe pasojat e veta dhe kemi harruar që njeriu kënaqësinë mund ta gjejë dhe tek gjërat e vogla.”, tha Xhejni Fama. 

“Unë kam rolin e nënës. Nuk jam munduar të ndjek asnjë model tjetër. Kam bërë veten”, tha Mimoza Marjanaku.

Publiku e duartrokiti gjatë shfaqjen e cila do të ngjitet në skenë dhe tri netët në vazhdim./tch/ KultPlus.com

‘Megalomani’ në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Shfaqja “Megalomani” do të luhet në Teatrin Kombëtar të Kosovës, me datë 29 qershor nga ora 20:00.

Shfaqja Dance Teater- Komedi “Megalomani” nëpërmjet artit të kërcimit, kompleksitetit teatral, qasjes bashkëkohore dhe gërshetimit të gjuhës së trupit, fjalës, dhe pantomimës shpërfaqë situata në formë komike, në të cilat trajtohet fenomeni i “madhështisë”, pushteti absolut, dhe absurditeti dhe pasojat e këtij fenomeni.

Shfaqja ngre disa pyetje për individin dhe për shoqërinë mbi fenomenin e Megalomanisë.

Performues: Edlir Gashi, Altina Binaku, Lavdije Idrizi, Qendrim Makolli, Albiona Sahiti, Patriot Osmani, Lirilinda Krasniqi, Enis Mulaku.

Gonxhja: Në gjurmët e teatrit antik të Orikumit, aty ku koha duket se ka ndalur

Teatri antik, pjesë e Parkut Arkeologjik të Orikumit, Vlorë, është një nga destinacionet kulturore që po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nga vendi dhe bota.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja shprehet se Teatri antik, pjesë e Parkut Arkeologjik të Orikumit, është një destinacion që po tërheq çdo vit vizitorë nga vendi dhe e gjithë bota, “si një dëshmi e gjallë e lashtësisë, aty ku janë vendosur veprat madhështore të parardhësve tanë”.

“Teatri Antik i Orikumit nuk është vetëm një udhëtim në histori, por një përvojë frymëzuese, midis kulturës, natyrës dhe pasurisë shpirtërore”, shprehet Gonxhja.

Ky teatër përfaqëson një nga ndërtesat me monumentale të zbuluara në Orikum. Monumenti daton në fillimin e shekullit III para Krishtit dhe paraqet disa karakteristika të rralla për teatrot e botës antike.

Shkallarja e teatrit pjesërisht mbështetej në pjerrësinë e kodrës shkëmbore dhe pjesërisht ka qenë e ndërtuar me mure radiale. Prej saj na ruhet vetëm radha e parë e ndenjëseve, e vendosur mbi një podium, e cila i rezervohej elitës së qytetit.

Orkestra ka qenë e shtruar me pllaka të mëdha prej guri, ndërsa skena ka qenë e dekoruar me kolonada dhe gjysmëkolona.

Ky është një nga teatrot më të vegjël të njohur deri më sot në Shqipëri, me një kapacitet rreth 500-600 spektatorë.

Duke marrë në konsideratë veçoritë e këtij teatri mendohet se ai mund të ketë luajtur dhe një rol të rëndësishëm në ceremonitë dhe procesionet fetare të qytetit./atsh/ KultPlus.com

Shfaqja ‘Audienca’ nga Teatri i Prizrenit vjen në TKK

“Audienca” shfaqje mysafire nga Teatri i Qytetit “Bekim Fehmiu”, shfaqet nesër nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Në “Audienca e Vaclav Havelit”, shteti autoritar ka ngritur një system të çuditshëm byrokratik, një kullë Babiloni me letra e rregullore, ligje e amendamente, vendime, nene,  aneks-vendime e aneks-nene…  bash si një rrjetë e hekurt merimange,  që përdoret për të bërë shantazh, për të ngre kurthe, akuzuar e zhveshë prej pozite e dinjiteti njerëzor gjithë secilin që shteti të dojë, veçanërisht ata të padëgjueshmit dhe ata që refuzojnë t’i bashkëngjiten këtij sistemi.

Është e parëndësishme që ti nuk ke bërë ndonjë gabim, prapë se prapë do të gjendesh fajtor, sepse diku aty ekziston një nen, në njërin prej ligjeve a rregulloreve të pafundme, që dëshmon se ti ke qenë në ‘konflikt interesi’ me… se iu ke shmangur nenit b apo f të ligjit për… Ti dëshiron të mbrohesh, prandaj thirresh në një ligj tjetër, siç thirret në ligjin që e ‘garanton larine krijuese’, personazhi i “Audiencës së Vaclav Havelit”, por ncuk, krejt e kotë, sepse gjithmonë është edhe një ligj tjetër, dhe pastaj edhe një rregullore e madje edhe një nen kushtetute që dëshmon të kundërtën. Dhe prandaj edhe drejtori i “Audiencës së Vaclav Havelit” gjendet fajtor.

Autor: Václav Havel
Regjisor: Bashkim Ramadani
Luajnë: Ernest Malazogu dhe Alban Krasniqi
Producent: Burim Mustafa
Udhëheqës Artistik: Fatos Berisha
Inspicient Mahir Musliu
Skenograf: Burim Arifi
Kostumografe: Agnesa Malushaj
Dizajni i dritave: Yann Perregaux
Tonist: Flamur Krasniqi
Grimi: Canan Cibo
Ndriques: Fikrim Menekshe
Financier: Krenar Gaxholli
Rekuiziter Arben Rashkaj
Garderobiere: Vjollca Hoxhaj
Dekorater: Murat Javori
Realizator i sken skenografisë: Onur Cibo
Teknik i skenës: Shqipe Gollopeni
Dizajni i posterit: Dardan Luta