Rama publikon pamje nga Bjeshkët e Dobërdolit, destinacion i veçantë në Tropojë

Tropoja dhe Alpet e saj kanë njohur rritje të vazhdueshme të vizitorëve dhe turistëve duke e zgjedhur si një destinacion të veçantë të turizmit malor.

Një prej destinacioneve është edhe Bjeshka e Dobërdolit e vendosur në lartësitë e maleve të Tropojës 2200 m mbi nivelin e detit, në pjesën e sipërme të luginës se Gashit.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga lugina e bjeshkëve të Dobërdolit, e rrethuar nga gjelbërimi dhe me kuajt që enden të lirë mes kësaj bukurie natyrore alpine.

Në pjesën e sipërme të luginës gjenden disa liqene akullnajore, më i madhi prej të cilëve është liqeni i Dashit në një lartësi prej 2175 m. Ky është edhe një ndër liqenet akullnajore më të mëdhenj të Alpeve tona.

Këto bjeshkë janë të rrethuara me shumë male me mbi 2000 m lartësi me shkëmbinj me moshë gjeologjike nga më të vjetrit në Shqipëri.

Prej muajsh ka nisur puna për rehabilitimin e rrugës nga Tropoja e Vjetër deri në Bjeshkën e Dobërdolit.

Kjo rrugë ka një rëndësi të madhe për banorët e zonës, por edhe për turistët e shumtë që eksplorojnë bjeshkët madhështore dhe natyrën e paprekur të kësaj treve./atsh/KultPlus.com

Gonxhja: Mbi 773 mijë vizitorë në sitet kulturore

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se, Shqipëria është gjithnjë e më shumë në hartën e turizmit kulturor botëror.

Ministri publikoi statistikat sa i përket vizitave në sitet kulturore të vendit, ku shifrat tregojnë se për periudhën janar-korrik 2025, ka pasur 69% më shumë vizitorë se në vitin 2023, përkatësisht 773,542 vizitorë.

Vetëm në korrik 2025, vizitorët e thesareve tona kulturore arritën në 204,453 persona, vendas dhe të huaj. Krahasuar me vitin 2023 shifrat tregojnë një rritje me 56%.

5 institucionet e trashëgimisë kulturore më të vizituara janë:

Parku Kombëtar Butrint – 150,178 vizitorë

Kalaja e Gjirokastrës – 142,838 vizitorë

Parku Arkeologjik Shkodër – 100,443 vizitorë

Muzeu Gjergj Kastrioti, Krujë – 95,386 vizitorë

Parku Arkeologjik Apoloni – 71,300 vizitorë

Parqet arkeologjike janë vizituar nga 334, 911 persona, rreth 93% më shumë se në vitin 2023. Vizitorët e muzeve arritën në mbi 240 mijë vizitorë, rreth 38% më shumë se dy vjet më parë dhe në kala e monumente vizitorët ishin më shumë se 198 mijë, ose 78% më shumë se në 2023-shin./atsh/KultPlus.com

Rekord vizitash në Butrint – mbi 150 mijë turistë në shtatë muaj

Parku Kombëtar i Butrintit ka shënuar një rekord historik vizitueshmërie për vitin 2025, duke tërhequr mbi 150,000 vizitorë vetëm në shtatë muajt e parë të vitit. Vetëm gjatë muajit korrik, parku u vizitua nga 44,555 persona, shifër që përfaqëson një rritje prej 82% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Drejtoresha e parkut, Jorida Muho, konfirmon se përveç numrit të vizitorëve, është rritur ndjeshëm edhe të ardhurat. “Në korrik të këtij viti kemi arkëtuar 165% më shumë të ardhura sesa në korrik të vitit 2024, për një total prej 1.5 milionë eurosh.” Sipas saj, fundjavat janë periudha më e ngarkuar për parkun, ku krijohen radhë të gjata në hyrje, transmeton KultPlus.

Gjatë këtij sezoni, përveç turistëve vendas, një numër i madh vizitorësh ka ardhur nga Polonia. Klaudia Broda, udhërrëfyese me origjinë polake, prej 8 vitesh sjell grupe turistësh në Butrint. “Butrinti mbetet një magji jo vetëm për mua, por për të gjithë bashkëkombasit e mi, që kërkojnë të mësojnë diçka më shumë përtej guidës klasike. Por do t’ju them se ishte vërtet një surprizë për mua sot, pasi më kërkuan të paguaj biletën 10 euro, ndryshe nga çfarë ndodh kudo në Europë, ku udhëheqësi i guidës është falas.”

Mes vizitorëve të huaj këtë korrik ishte edhe 

Mattia Esposito, përfaqësues i një grupi rotarianësh italianë që kanë themeluar së fundmi klubin e tyre në Sarandë. “Ka qenë një fundjavë shumë e rëndësishme për ne të Rotary. U pasuruam edhe shumë me vizitën në këtë Park Arkeologjik, pasuri botërore. Tani po mendoj se ‘Butrinti’ është emri i duhur që i vendosëm edhe Rotary-t të Sarandës, pasi Butrinti është një pasaportë ndërkombëtare.”

Një nga atraksionet kryesore të korrikut ishte hapja për publikun e dy mozaikëve të rrallë: ai i Termës Romake dhe mozaiku i Gjimnazit, të cilët do të qëndrojnë të ekspozuar deri më 15 gusht.

Butrinti, pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që prej vitit 1992, përfshin një zonë të pasur me monumente historike si Teatri, Bazilika paleokristiane, Tempulli i Asklepit dhe Porta e Liqenit, një thesar i gjallë i kulturës dhe historisë shqiptare./KultPlus.com

Revista Britanike ‘Mirror’: Shqipëria, parajsa e fshehur e Evropës

Sipas revistës britanike “Mirror”, Shqipëria po fiton zemrat e udhëtarëve britanikë si një alternativë e shkëlqyer për Maldive, po aq e bukur, por tepër më e përballueshme.

Artikulli nënvizon ujërat kristal të Ksamilit, rezorte të mrekullueshme dhe natyrë të paprekur, dhe kjo me kosto shumë më të ulët se në destinacione të njohura.

Ky lloj ekspozimi në mediat britanike, ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e interesit turistik ndaj Shqipërisë. Artikuj të ngjashëm në “Mirror”, “Metro” dhe “Daily Mail” e përmendin Ksamilin dhe Vlorën si destinacione kryesore për pushime verore me buxhet të ulët.

Artikulli i “Mirror” e vendos Shqipërinë hartën e destinacioneve më të kërkuara për pushime të përballueshme, por të paharrueshme. Duke e cilësuar Shqipërinë si “Maldive të Evropës”, media britanike jo vetëm që i hap derën një audience të re vizitorësh, por edhe ndihmon në krijimin e një imazhi modern e tërheqës për vendin tonë. Ky lloj promovimi ndërkombëtar, i mbështetur nga bukuria natyrore dhe mikpritja shqiptare, mund të shndërrohet në një motor të qëndrueshëm zhvillimi ekonomik dhe kulturor për vitet që vijnë./KultPlus.com

34% më shumë vizitorë në Kalanë e Gjirokastrës, gjatë korrikut

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër bëri të ditur se, gjatë muajit që lamë pas, në Kalanë e Gjirokastrës, u regjistrua një numër i lartë vizitorësh për periudhën 1 korrik -31 korrik 2025.

Vizitat turistike në Kalanë e Gjirokastrës kanë ardhë duke u rritur krahasuar me atë të një viti më parë.

48,273 vizitorë u regjistruan gjatë korrikut ose 34% vizitorë më shumë krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Kalaja e Gjirokastrës është e vendosur mbi një kodër pak të shkëputur nga Mali i Gjerë, e ngritur në një pikë vrojtuese rreth 370 metra mbi nivelin e detit. Krahasuar me kalatë mjesjetare të tjera të vendit, kjo kala është më e vogël nga sipërfaqja dhe ruhet në gjendje më të mirë. Gjerësia e saj është 75 metra dhe gjatësia 500 metra. Për t’u shtuar rezistencën mureve të kalasë janë ngritur pesë kulla të fuqishme.

Për gjatë viteve ajo ka pësuar ndryshime dhe zgjerime. Rreth vitit 1490 u bënë përmirësime të gjera nga sulltan Bajaziti II. Pastaj në vitin 1811, Ali Pashë Tepelena shtoi shumë elemente, duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore. Po ashtu përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin e Sopotit, që sillte ujin në kala rreth 12 kilometra larg.

Me gjithë vlerat që posedon, ajo është tejet atraktive për turistë nga mbarë bota./atsh/KultPlus.com

‘Perla e fshehur e Ballkanit’, Le Figaro rendit Shqipërinë në top 5 destinacionet kulturore botërore

Shqipëria po shfaqet me ritëm të shpejtë si një nga destinacionet më premtuese të turizmit ndërkombëtar, duke tërhequr vëmendjen për autenticitetin kulturor, natyrën e paprekur dhe përvojat unike që ofron. Sipas një artikulli të fundit të Le Figaro-s, Shqipëria konsiderohet një “perlë e fshehur” në Ballkan, që kombinon trashëgiminë historike, diversitetin natyror dhe një identitet autentik që mungon në shumë destinacione të mbingarkuara turistike.

“Një udhëtim në Shqipëri është si një kalim nëpër kohë përmes gjurmëve ilire, greke dhe osmane,” shkruhet në këtë artikull, i cili rekomandon vizita në qytete si Tiranë, Gjirokastër, Berat dhe Butrint, zona të pasura me trashëgimi kulturore dhe të njohura nga UNESCO-ja, transmeton KultPlus.

Por ajo që e veçon vërtet Shqipërinë, sipas Le Figaro-s, nuk janë vetëm monumentet, por edhe mikpritja e popullit, traditat kulturore të gjalla dhe kuzhina e pasur me shije autentike. Artikulli sugjeron që udhëtarët të shijojnë byrekë krokantë, të dëgjojnë polifoninë shqiptare të njohur nga UNESCO dhe të eksplorojnë tregjet e gjalla ku përzihen aroma mesdhetare dhe ndikimet orientale.

Ky vlerësim i Le Figaro-s vjen në një kohë kur Shqipëria e ka forcuar pozicionin në vëmendjen ndërkombëtare për turizëm kulturor. Vlerësimi mbështetet në një prani gjithnjë e më të madhe të Shqipërisë në mediat ndërkombëtare: nga historitë për plazhe me ujë kristal, peizazhe dhe kostot e përballueshme, deri te qytetet historike si Berat dhe Gjirokastër dhe atraksione natyrore si Alpet shqiptare, lumi Vjosa dhe kanionet. Mikpritja dhe kultura lokale lulëzojnë në çdo cep, duke e pozicionuar Shqipërinë si një zgjedhje ideale për udhëtarët që kërkojnë autenticitet dhe liri për t’u zhytur në një eksperiencë kulturore të vërtetë./KultPlus.com

Turistët në Himarë: Kalaja të ofron panoramë mahnitëse

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë publikoi në rrjetet sociale intervista të turistëve të shumtë të cilët kanë zgjedhur të vizitojnë këtë zonë të Shqipërisë. Ata shprehen të mahnitur nga panorama që ofron Kalaja e Himarës.

Një vajzë e lindur në Nju Jork por me origjinë shqiptare, tha se kishte ardhur me bashkëshortin dhe miqtë e saj për të parë Kalanë e Himarës.

“Sapo vizituam Kalanë e Himarës. Është absolutisht e bukur. Dhe pamja panoramike e Himarës, mahnitëse. Na pëlqeu shumë. Pothuaj humbëm atje, duke parë kishat dhe shtigjet e lezetshme me lule. Na pëlqeu shumë”.

Një tjetër çift vizitorësh të huaj u shpreh se kalaja është e bukur dhe pamjet gjithashtu shumë të bukura dhe se ua rekomandonin dhe të tjerëve ta vizitonin.

“Ky vend është shumë interesant, i bukur dhe i lashtë”, thotë një tjetër turiste ndërsa shëtit në Himarën e vjetër.

Kalaja e Himarës është një thesar i trashëgimisë kulturore. Në majën e kodrës, mbi të cilën ajo ngrihet, takohet deti me historinë dhe shpirtin e banorëve të kësaj zone.

“Kur ec përreth kalasë, kur ec mes ledheve mund të admirosh peizazhin”, thotë një turiste nga Franca.

Panorama është mahnitëse dhe vizitorët që mbërrijnë deri aty, për ta shijuar, janë të shumtë. Kalaja e Himarës i pret çdo ditë me dyert hapur dhe shpirtin e saj të lashtë. Vizitorët, vendas e të huaj, enden rrugicave me gurë, duke zbuluar kisha e shtëpi të vjetra të cilat dikur gjallonin. Kalaja e Himarës është ndërtuar nga kaonët e lashtë. Ajo ishte një fortesë e fuqishme nëpër shekuj, që ka parë pushtime romake, bizantine dhe osmane, por gjithmonë ka qëndruar kryelartë./atsh/KultPlus.com

TURIZËM – FAS: Të gjithë të çmendur pas Shqipërisë, mes blusë së detit dhe gjelbërimit të maleve

Shqipëria ka hyrë fort në radarin e udhëtarëve evropianë duke u bërë një nga destinacionet më të dëshiruara për verën, shkruan faqja e njohur italiane forumagricolturasociale.it (FAS).

Falë një deti çuditërisht të pastër, plazheve ende pak të frekuentuara nga turizmi masiv dhe çmimeve padyshim të përballueshme, kjo perlë e Ballkanit po fiton një vend të privilegjuar në zemrat dhe ushqimet e atyre që kërkojnë autenticitet pa hequr dorë nga bukuria e saj.

Por, midis shumë vendeve bregdetare, cilat janë vërtet qytetet me detin më të bukur? Janë tre që dominojnë skenën, të afta të ofrojnë pamje marramendëse dhe një përvojë intensive dhe të rafinuar bregdetare.

Dhërmiu: uji bruz që sfidon Karaibet

I vendosur midis gjelbërimit të maleve dhe blusë së pafundme të detit Jon, Dhërmiu është thelbi i Rivierës Shqiptare.

Fama e tij nuk është e rastësishme: vetëm një vështrim në ngjyrën e ujit, transparente dhe e gjallë, mjafton për të kuptuar pse ky vend e çmend këdo që shkel atje.

Por, Dhërmiu nuk është vetëm estetikë: është një ekuilibër i përsosur midis atmosferës së egër dhe atmosferës së verës, midis perëndimeve të qeta të diellit dhe mbrëmjeve të ndriçuara nga muzika dhe koktejet në plazh.

Pika kulmore është padyshim Plazhi i Gjipesë, një shtrirje bregdetare e vendosur midis shkëmbinjve të lartë që duket sikur ka dalë nga një kartolinë ekzotike.

Mund të shkoni atje në këmbë, përgjatë një shtegu midis ullinjve, ose nga deti: në të dyja rastet, emocioni është i garantuar.

Aty pranë gjendet e fshehur edhe Shpella e Piratëve, një gji sugjestionues, i arritshëm me kajak, i cili i shton një prekje misteri qëndrimit.

Ajo që e bën Dhërmiun edhe më të veçantë është ”shpirti i tij paqësor”: Manastiri me pamje nga deti ofron një pamje të pakrahasueshme dhe një ndjesi paqeje që është e vështirë të harrohet. Një vend ku koha duket se ndalet, ndërsa deti vazhdon të tregojë histori të lashta.

Himara, atje ku bregdeti vishet me autenticitet

Më në jug, përgjatë të njëjtit bregdet të Jonit, Himara magjeps me thjeshtësinë e saj autentike dhe detin e saj të qelqtë.

Është një qytet i qetë, ku çdo plazh ka identitetin e vet, nga rëra e artë te gjiret e fshehura me guralecë. Por, ajo që pushton vërtet është atmosfera: e vërtetë, e gjallë, kurrë artificiale. Këtu turizmi ende përzihet me jetën lokale dhe kjo e bën përvojën më intensive.

Midis një noti dhe një shëtitjeje, nuk mund ta injoroni Kalanë e Himarës, të vendosur në një kodër dhe roje e një historie mijëvjeçare që shikon nga deti.

Pamja nga atje lart është një nga ato që mbeten të gdhendura përgjithmonë. Dhe pastaj është Porto Palermo, me gjirin e tij të qetë të dominuar nga kalaja e Ali Pashës: një vend që duket i pikturuar, perfekt për ata që e duan zhytjen me maskë, por edhe për ata që kërkojnë një vështrim poetik për të soditur.

Jala, gjiri sekret që magjeps udhëtarët

Midis Dhërmiut dhe Himarës, si një sekret i pëshpëritur midis shkëmbinjve, Jala zbulon veten në të gjithë mrekullinë e tij. Është një gji i vogël, i mbrojtur dhe diskret, ku uji merr nuanca joreale dhe rëra duket si kadife.

Është vendi ideal për ata që kërkojnë pushime më intime, të bëra nga ngadalësia dhe detajet, me nota të qeta dhe mëngjese pranë detit. Pavarësisht madhësisë së saj, Jala surprizon me shumëllojshmërinë e ofertave të saj.

Gjatë ditës është relaks i pastër: kajak, zhytje me maskë, shëtitje përgjatë bregdetit ndërsa në perëndim të diellit, plazhi gjallërohet me drita dhe tinguj të butë që përzihen me flladin e detit.

Klubet e plazhit këtu janë elegante dhe kurrë të tepërta, të dizajnuara për ata që duan të përjetojnë natën pa hequr dorë nga sharmi i vendit.

Por, pasuria e vërtetë e Jalës qëndron në gjiret e saj të fshehura, të arritshme vetëm me varkë ose me not.

Shpella detare me ”aromë” kripe dhe misteri, restorante të vogla që shërbejnë peshk të sapo kapur dhe një ndjenjë harmonie me natyrën që është e vështirë të gjendet diku tjetër./ atsh/ KultPlus.com

Kosova sivjet u përballë me rënie të numrit të turistëve, OHT numëron disa shkaqe

Kryetari i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës (OHT), Hysen Sogojeva, ka theksuar se sektori privat ka luajtur rolin kryesor në zhvillimin e turizmit në Kosovë, duke e vendosur vendin në hartën e destinacioneve të kërkuara, raporton Ekonomia Online. 

Megjithatë, ai paralajmëron se ngjarjet e fundit politike dhe pasiguria institucionale po ndikojnë negativisht në numrin e turistëve.

Në një intervistë për Ekonomia Online, ai ka theksuar se këtë vit ka pasur rënie të numrit të turistëve në vend. 

“Duke marr parasysh që me këtë zhvillim ekonomik që e kemi dhe në anën tjetër Kosova si destinacion mund të themi ka evoluar në aspektin zhvillimit të kapaciteteve hoteliere edhe turistike të cilat e bëjnë të mundshëm që si destinacion të jetë atraktiv për një numër të madh të turistëve si vendor po ashtu edhe të jashtëm. Megjithatë krejt kjo është fal sektorit privat. Dhe nëse kalojmë në periudha ose krahasimin mesë viteve na del që ky vite është pak më i zbehtë për arsye se kemi pasur shumë ngjarje, për arsye që çdo ndikim, çdo gjë që ndodh pavarësisht çfarë grupimi apo çfarë lajmesh ndikon dukshëm në zvogëlimin e turistëve. Sepse turisti donë qetësi, dëshiron rehati”, ka thënë ai. 

Një nga faktorët kryesorë që, sipas tij, ka ndikuar në rënien e numrit të vizitorëve është retorika e tensionuar politike dhe përmendja e fjalës “luftë” nga zyrtarë të ndryshëm, çka krijon pasiguri për ata që planifikojnë të vizitojnë Kosovën.

“Sa ma shumë që të kemi lajme të cilat nuk ka stabilitet në Kosovë, pavarësisht a është në veri apo në pjesë të tjera të Kosovës, ajo ndikon dukshëm. E sidomos lajmet të cilat përmendet lufta edhe nga kush përmendet lufta, prej qeveritareve, prej njerëzve ku duhet me zbutur atë term sepse në momentin kur përmendet lufta për turistët nuk është e mirë. Kemi një zvogëlim diku ka 5-6 për qind ka rënie në këtë, po ndoshta ka ndikuar edhe koha e zgjedhjeve edhe vetë fakti që jemi në një fare forme në formim të institucioneve pas zgjedhjeve dhe kjo e bënë të luhatshme që të kemi numër më të vogël të turistëve”, ka deklaruar ai. 

Sogojeva apeloi për formimin sa më të shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve, duke argumentuar se vonesat në ndarjen e buxhetit dhe politikat për mbështetjen e bizneseve po e dëmtojnë sektorin e turizmit.

“Ne si Odë apelojmë që sa më parë të formohen institucionet të dala nga këto zgjedhje, neve nuk na intereson kush edhe si. Rezultati i këtyre zgjedhjeve të mundëson formimin e qeverisë. Sa më shumë që të vonohen për biznese është me keq, për shembull kur të bëhet shpërndarja e buxhetit nëpër komuna, këto mbesin, sa më shumë që të zvarritet kjo është më dëm të bizneseve, edhe ashtu që nuk kemi ndihmë prej tyre, le më të zvarritet për shembull për ato që pritet diçka nga to”, ka thënë ai për Ekonomia Online. 

Ai gjithashtu ka thënë që presin nga qeveria e re që të marrë masa për të rritur konkurrueshmërinë e turizmit në Kosovë, duke përmendur disa kërkesa konkrete si ulja e TVSH-së për akomodimin dhe rregullimi i sistemit të kuponëve fiskalë.

“Mendoj që Kosova është futur në rangun e destinacioneve të kërkuara për arsye se sektori privat e ka bërë të mundshme. E kemi këtë bukuri, kemi këtë potencial turistik, duke përmendur edhe Bjeshkët e Nëmura edhe Malet e Sharrit, në kuadër të kësaj mund të ndërtohen qendra të tjera turistike që do të kishin me qenë edhe më joshës për vizitorët. Kërkesat për qeverinë e re janë që TVSH patjetër të zbritet, nuk ka kuptim TVSH në akomodim me qenë 18 për qind kurse krejt rajoni i ka 5-6 për qind. Rregullimi i kuponëve fiskal, duhet të rregullohet kjo çështje, ka mundësi që të zgjidhet ai problem. Jo të kemi problem çdo herë, dënime subjektet hoteliere për një kupon fiskal që ndoshta edhe nuk është fajtor”, është shprehur ai./ KultPlus.com

Ekonomia e Përmetit e lidhur me turizmin, pothuajse çdo fshat shëndrrohet në shtëpi pritëse për vizitorët

“Qyteti i trëndafilave” gjithmonë e më tepër po merr profilin e një destinacioni turistik tërheqës për vizitorët vendas dhe të huaj

Kryetarja e bashkisë së Përmetit, Alma Hoxha tha për ATSH-në se “investimet e kryera vitet e fundit në qytetin tonë kanë sjellë një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve si nga qytete të ndryshme të vendit, por edhe nga Evropa dhe vendet e tjera të botës. Vitin 2024 e mbyllëm me një shifër të lartë të turistëve që vizituan Përmetin dhe rrethinat e tij, duke shënuar 155 mijë”.

Sipas saj, 70% e turistëve janë të huaj dhe 30% turistë vendas.

Në Përmet vitet e fundit është rritur numri i hoteleve dhe bujtinave, për të pritur turistët.

“Në qytet, por edhe në fshatra po i rikthejnë shtëpitë e tyre në bujtina, pasi ekonomia e Përmetit është gjithmonë e lidhur me turizmin. Pothuajse në çdo fshat ka nga një shtëpi pritëse”, tha Hoxha.

Kryebashkiakja Hoxha bëri të ditur se këtë vit synohet një numër më i lartë vizitorësh dhe më shumë të ardhura nga turizmi.

“Falë investimeve që janë bërë dhe atyre që janë duke përfunduar presim që numri i turistëve të shënojë më shumë rritje  këtë verë, në territorin e Përmetit, si në Shtëpinë Muze të vëllezërve Frashëri, Muzeu i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, apo edhe në atraksionet turistike që ndodhen në Përmet, do të ketë shtim të numrit të turistëve”, tha Hoxha.

Atraksionet më të vizituara të sezonit turistik që lamë pas ishin: Lugina e Lumit Vjosa, Ujërat Termale Banjat e Bënjës. Cirkuiti i Malit të Nemërçkës, Ujëvara e Sopotit, Lagjja Historike e Qytetit, Kisha e Shën Marisë në fshatin Leusë, fshati Frashër etj.

Për promovimin e qytetit, bashkia e Përmetit vijon organizimin e një sërë aktivitetesh.

Kryebashkiakja Hoxha tha se “Dita e Verës, Vjosa në Fest, Festa e Gjysheve janë disa prej aktiviteteve të zhvilluara në Përmet, të cilat kanë tërhequr një numër të lartë vizitorësh”.

Zona e Përmetit përfshin resurse të veçanta natyrore, historike dhe të trashëgimisë kulturore në shërbim të zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm.

Në Përmet ashtu siç vendasit thonë “Përveç detit mund të gjesh çdo gjë tjetër”, nga ujërat termale të Bënjës, lugina e Vjosës dhe objektet e kultit që në këtë qytet janë të shumta e të veçantë.

Një vend të veçantë zënë kishat si ajo Shën Kollit, Kisha e Shën Premtes, Kisha e Shën Mërisë në Bënjë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Kosinë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Leusë. Në Përmet ndodhet edhe Teqeja e Alipostivanit, e ngritur mbi një kodër të bukur mbi fshatin Alipostivan.

Një tjetër monument kulti dhe historik shumë i famshëm në Shqipëri është edhe Teqeja e Frashërit, e ndërtuar më 1781 nga Sulejman Beu i Frashërit.

Në pjesën lindore të tij ndodhen Ujërat Termale të Bënjës, të njohura për vlerat kurative si dhe për kanionet shkëmbore të Langaricës me Shpellën e Pëllumbave./atsh/ KultPlus.com

Pse turizmi hapësinor mund të mos jetë aq i largët sa mendohet

Në inaugurimin e tij, Presidenti i SHBA, Donald Trump, u shpreh për planet ambicioze për të vendosur një flamur amerikan në Mars. “Ne do të ndjekim fatin tonë të dukshëm në yje,” tha ai të hënën, duke shtuar: “Duke nisur astronautët amerikanë për të mbjellë yje dhe vija në planetin Mars.” Ky koment shkaktoi një reagim të fuqishëm nga Elon Musk, CEO i Tesla dhe SpaceX, i cili ka pasur gjithmonë një vizion për të realizuar kolonizimin e Marsit. Në një fjalim pas inaugurimit, Musk, duke e përshëndetur këtë deklaratë, tha: “A mund ta imagjinoni se sa e mrekullueshme do të jetë që astronautët amerikanë të vendosin flamurin në një planet tjetër për herë të parë?”

Por sa afër jemi në të vërtetë për të dërguar njerëz në Mars? Dhe cilat janë shpresat për njeriun në rrugën e një udhëtimi në hapësirë? Këto pyetje janë bërë gjithnjë e më të pranishme ndërsa turizmi hapësinor po bëhet një realitet dhe mundësitë për të udhëtuar jashtë Tokes po rriten.

Turizmi Hapësinor – Një Realitet i Re

Turizmi hapësinor ka qenë një temë e diskutuar për shumë vite, por tani është më afër se kurrë. Turisti i parë hapësinor, Dennis Tito, bëri udhëtimin e tij në hapësirë më shumë se një çerek shekulli më parë, kur ai iu bashkua misionit Soyuz TM-32 në prill 2001. Që atëherë, rreth 60 turistë kanë udhëtuar në hapësirë, shumica e tyre në harqe suborbitale, duke lëvizur për pak kohë jashtë atmosferës përpara se të kthehen në Tokë.

Virgin Galactic, kompania e pasur të miliarderit Richard Branson, ka qenë një lider në këtë fushë, duke lansuar fluturimet e saj komerciale në vitin 2004. Megjithëse ka hasur disa pengesa gjatë viteve, kompania ka realizuar me sukses shtatë fluturime komerciale gjatë dy viteve të fundit me aeroplanin e saj hapësinor VSS Unity. Këto fluturime janë shumë larg udhëtimeve që çojnë në Hënë, por arritjet janë një hap i rëndësishëm për turizmin hapësinor. VSS Unity udhëton në rreth 90 km mbi sipërfaqen e Tokës, e cila është përkufizimi i NASA-s për hapësirën, e cila përcaktohet si 80 km mbi nivelin e detit. Megjithatë, sipas Fédération Aéronautique Internationale (FAI), hapësira fillon në 100 km.

Një tjetër nismë ka ardhur nga miliarderi i Amazon, Jeff Bezos, me kompaninë e tij Blue Origin. Raketa e pasagjerëve e ripërdorshme New Shepard ka realizuar tetë fluturime hapësinore me ekuipazh që nga viti 2021, duke bërë që udhëtimi në hapësirë të jetë më afër për pasagjerët e pasur.

Në anën tjetër, SpaceX e Elon Musk ka zhvilluar një program ambicioz për eksplorimin ndërplanetar. Me raketat e saj Falcon 9 dhe anijen kozmike Crew Dragon, SpaceX ka realizuar fluturime me ekuipazh në hapësirë dhe ka bërë lidhje me Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS). Anija Crew Dragon është projektuar për të qenë e automatizuar dhe e lehtë për përdorim nga civilët pa pasur nevojë për trajnime të thella.

Por sfidat më të mëdha që përballen këto kompani janë ato që lidhen me udhëtimet ndërplanetare, sidomos në Mars. Mars është objektivi kryesor për Musk dhe SpaceX, i cili ka theksuar shpesh se qëllimi i tij është të bëjë jetën njerëzore shumëplanetare, duke e kolonizuar Marsin. “Historia do të dyfishohet në dy drejtime. Një rrugë është që ne të qëndrojmë në Tokë përgjithmonë dhe më pas do të ketë një ngjarje eventuale zhdukjeje. Alternativa është të bëhemi një qytetërim hapësinor dhe një specie me shumë planetë,” ka thënë Musk.

Turizmi Hapësinor në Të Ardhmen: Teknologji dhe Etikë

Kur bëhet fjalë për të bërë turizmin hapësinor më të aksesueshëm për masat, teknologjia është thelbësore. Dhe falë të dy presidentit Trump dhe ndihmësi të tij Elon Musk që po përpiqen të përshpejtojnë zhvillimin e kësaj industrie, mund të shohim përparime të shpejta në vitet që vijnë. Sipas Dr. Annette Toivonen, një ekspert i turizmit hapësinor nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara Haaga-Helia, “Ka një qëndrim të ri mbështetës për zhvillimet që vijnë nga Amerika. Kjo do të sjellë me vete gjëra të mira dhe të këqija.” Teknologjia, thotë ajo, do të evoluojë me shpejtësi, por ka edhe pyetje të mëdha që duhet të adresohen, si etika dhe ndikimi mjedisor i këtyre udhëtimeve.

Nëse turizmi hapësinor do të bëhet më i përhapur dhe më i arritshëm për një numër më të madh njerëzish, do të varet nga përparimet teknologjike dhe zhvillimi i sistemeve që mund të bëjnë udhëtimet më të lira dhe më të qëndrueshme. Megjithatë, Dr. Toivonen thekson se një eksperiencë e tillë mund të ketë ndikime pozitive në perceptimin e mjedisit nga pasagjerët e pasur që udhëtojnë në hapësirë. Ata mund të shohin për së afërmi fragjilitetin e planetit tonë dhe ndikimet e ndotjes, duke ndryshuar përfundimisht mënyrën se si ata mendojnë për mjedisin.

Fluturimi në Mars: Akoma Një Mision i Largët?

Pavarësisht entuziazmit, shumë ekspertë janë të mendimit se fluturimi me njerëz në Mars është ende një mision i largët. Dr. Toivonen e cilëson këtë si një “mision të pamundur” për momentin, duke shtuar se teknologjia e nevojshme nuk është ende në dispozicion dhe kostoja e një misioni të tillë është shumë e lartë. Për krahasim, misioni i parë amerikan në Hënë, në vitin 1969, kushtoi 25.8 miliardë dollarë (të barabartë me rreth 320 miliardë dollarë sot). Ky është një tregues i madh se përpjekjet për të dërguar njerëz në Mars do të përballen me pengesa të shumta.

Për më tepër, sfidat teknologjike si rrezatimi kozmik dhe mungesa e infrastrukturës për mbështetje të udhëtimeve afatgjata mbeten shqetësime të mëdha. Sidoqoftë, disa kompani si Lockheed Martin kanë zhvilluar projekte për të dërguar njerëz në Mars. Një projekt i tillë është Mars Base Camp, një vizion për një stacion hapsinor në orbitën e Marsit që mund të përdoret për eksperimentime shkencore dhe eksplorimin e planetit deri në vitin 2030.

Turizmi Hapësinor në Mars: Realitet Apo Një Iluzion?

Aktualisht, turizmi hapësinor është i rezervuar për individët më të pasur, por përparimet në teknologji mund të bëjnë që ky sektor të bëhet më i arritshëm për shumë më tepër njerëz. Virgin Galactic aktualisht ofron fluturime për 250,000 deri në 500,000 dollarë për person, ndërsa SpaceX mbajti të fshehura çmimet për fluturimet e saj më të avancuara.

Megjithatë, një sfidë tjetër që mund të bëjë të vështirë turizmin hapësinor në Mars është koha e gjatë që duhet të kalojnë udhëtarët në Mars. Hulumtimet sugjerojnë se një udhëtim i tillë mund të zgjasë më shumë se 2.5 vjet, dhe kush është i gatshëm të kalojë kaq shumë kohë jashtë Tokës?

Për momentin, turizmi hapësinor mund të mbetet një pasuri e individëve me pasuri neto të lartë, por zhvillimet e ardhshme mund të sjellin mundësi më të gjera për të gjithë./alsatm/ KultPlus.com

‘SOS International’: Shqipëria, destinacioni i preferuar evropian për pushime

Shqipëria po kthehet në destinacionin e preferuar evropian për pushime, duke tërhequr turistët falë bregdetit të saj të mahnitshëm, klimës së këndshme dhe çmimeve buxhetore.

Revista globale “SOS International” ndan këshillat e saj më të mira për atë që duhet të keni parasysh përpara udhëtimit tuaj në Shqipëri.

Shqipëria është konsideruar nga ekspertët e udhëtimeve si “Maldivet e Evropës”, një perlë e paprekur.

Gjithnjë e më shumë turistë nordikë kanë vizituar vendin ballkanik, i cili ndodhet midis Greqisë dhe Malit të Zi.

Në “SOS International”, Shqipëria po lëviz në statistika. Vendet e preferuara janë Spanja, Greqia dhe Turqia, por Shqipëria – një destinacion i ri turistik po ofron standarte evropiane të shërbimeve – ku vizitorët nordikë mund të marrin ndihmë kur lëndohen ose sëmuren gjatë udhëtimit të tyre.

“Në vitin 2023, Aeroporti i Tiranës priti 7,26 milionë pasagjerë, një rritje prej 40% nga viti i kaluar, duke e bërë atë një nga aeroportet me rritjen më të shpejtë në rajon.

Rritja e vazhdueshme e turizmit dhe zgjerimi i rrjetit të fluturimeve të aeroportit kontribuan në këtë performancë rekord.

Me Shqipërinë e njohur tashmë si një nga destinacionet e reja turistike të Evropës, një numër në rritje vizitorësh po vërshojnë në vend – për të përjetuar plazhet piktoreske, vargmalet e thyer malore dhe vendet historike.

Tirana, kryeqyteti, po fiton gjithashtu popullaritet – falë jetës së saj të gjallë të natës, festivaleve kulturore dhe atraksioneve historike.

Trashëgimia e pasur kulturore e vendit, peizazhet piktoreske dhe mundësitë në rritje të biznesit ka të ngjarë të tërheqin edhe më shumë vizitorë në vitet në vijim, duke forcuar më tej rolin e Tiranës si një portë kyçe në Evropën Juglindore”, sipas “Travel and Tour World”. /atsh/ KultPlus.com

Kumbaro me operatorë të turizmit natyror: Vjosa, hartë unike me shumë propozime

 Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ka zhvilluar një takim me operatorë të turizmit natyror, bujtinave dhe agroturizmeve pranë Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa.

Gjatë muajve janar-gusht të vitit 2024, zonat e mbrojtura janë vizituar nga 3.8 milionë vizitorë, me një rritje prej 18% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

“Vjosa është lumë, por është edhe ekonomi. Dhe na kërkon të jemi shumë të kujdesshëm, sepse në momentin e parë që mund ta prekim ose dëmtojmë pa dashje ose nga dëshira për të vrapuar pak më shpejt, mund të dëmtojmë biznesin e së ardhmes. Prandaj i gjithë ky koncept i turizmit që e quajmë turizëm i qëndrueshëm, si dhe ekoturizmi kanë krijuar të tjera aktivitete sektoriale në turizëm”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Ministrja Kumbaro theksoi edhe lehtësitë fiskale si TVSH-ja e ulur në 6% për hotelet dhe bujtinat, për agroturizmin do të jetë 5% dhe 0% për biznesin e vogël.

“Këto masa të cilat mund të duket se s’kanë influencë, sot kanë bërë që të shtohet zinxhiri i ekonomisë dhe ju kanë nxitur që të shpikni forma të reja të ofertës turistike. Vjosa është kthyer në një kartvizitë shumë të mirë të Shqipërisë, e cila nuk ka kuptim pa ju. Dërguam në UNESCO dosjen e plotë për të cilën kemi një vit që punojmë me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, për ta regjistruar si një kategori e veçantë në listën Botërore të Trashëgimisë Natyrore”, u shpreh Kumbaro.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit u shpreh gjithashtu se vizitorët që vijnë në Gjirokastër, vizitojnë edhe Përmetin, edhe bashkitë e tjera të qarkut dhe sipas saj, organizata e menaxhimit të destinacioneve “Visit Gjirokastra” si dhe të shtatë bashkitë e këtij qarku kanë meritën e të krijuarit të një modeli të destinacionit të organizuar turistik.

“Në një zonë kaq të vogël, ne mund t’i mbajmë turistët deri në një javë. Dhe kjo nuk bëhet duke folur vetëm për Përmetin, apo për Këlcyrën, apo për Gjriokastrën. Vjosa na bashkon të gjithëve si një hartë unike me shumë propozime brenda”, vazhdoi ministrja.

Në fund të fjalës së saj ministrja Kumbaro foli për të ardhurat nga turizmi në ekonominë shqiptare. Ajo kujtoi se në vitin 2022, në ekonominë shqiptare sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, hynë 2.8 miliardë euro, kurse për vitin 2023 kjo shifër u rrit në 4.2 miliardë euro. Ndërsa për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, ka pasur 500 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar, duke theksuar se do të punohet për formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë që gjenerohet nga turizmi./atsh/ KultPlus.com

Media britanike ‘Rest Less’: Shqipëria kryeson mes vendeve evropiane më të larmishme për t’u zbuluar

Udhëtimi mund të jetë i shtrenjtë, por nëse zgjidhni destinacionin tuaj me kujdes, mund të jetë më i përballueshëm nga sa mund të mendoni, shkruan Selene Nelson në një artikull të botuar në të përditshmen britanike ‘Restless”.

Ka shumë vende të mrekullueshme me kosto efektive për t’u eksploruar – shumë prej të cilave janë pikërisht në Evropë.

Si një nga kontinentet më të larmishme – nga gjuha te gjeografia te kultura – kënaqësitë dhe hijeshitë e Evropës janë të famshme në mbarë botën.

Nuk është çudi që Evropa përbën më shumë se gjysmën e të gjithë turizmit ndërkombëtar!

Ndërsa vende si Franca, Spanja dhe Italia janë disa nga destinacionet më të njohura për t’u vizituar, ato nuk janë aspak më të lirat.

Por, ju mund të shijoni pushime po aq magjike në vende të tjera evropiane, me kosto më efektive.

Nga plazhet e pacenuara me rërë të Shqiperisë te malet e thyer dhe liqenet e shndritshme të Sllovenisë – për të mos përmendur qytetet dhe qytezat e shumta të bukura në të gjithë Evropën Lindore – ky kontinent është i mbushur me vende të bukura që presin të eksplorohen me një buxhet të përballueshëm.

“Restless” e ka renditur Shqiperinë mes 12 vendeve më të lira për t’u vizituar në Evropë.

Shqipëria

E izoluar nga pjesa tjetër e kontinentit përgjatë shekullit XX, Shqipëria ka qenë prej kohësh një nga sekretet e ruajtura më së miri të Evropës.

Sot dyert e saj janë të hapura dhe shumë shpejt vendi do të mbipopullohet nga turistët dhe bukuritë e Shqipërisë do të bëhen më të njohura. Përpara se Shqipëria të preket nga turmat masive,  zbuloni këtë vend jashtëzakonisht të larmishëm dhe një nga enigmat më të mëdha të kontinentit.

Vija bregdetare gjarpëruese, e quajtur Riviera Shqiptare është e mbushur me plazhe ëndërrimtare me ujëra në ngjyrë blu të thellë dhe vendpushime magjepsëse, si Dhërmiu dhe Ksamili.

Akomodimi, ushqimi dhe udhëtimi janë mjaft të lira.

Në brendësi të vendit, do të gjeni male të larta, qytete kala, kështjella të rrënuara dhe rrënoja të panumërta të lashta greke dhe romake.

Nëse jeni një adhurues i historisë, aventurave apo i apasionuar pas plazhit, Shqipëria ofron gjithçka për të gjithë.

Kryeqyteti i gjallë, Tirana, është një vend i shkëlqyer për të eksploruar pjesën tjetër të Shqipërisë dhe është një nga qytetet më të përballueshme në Evropë. //a.i/

Për t’ju frymëzuar, ne ju rekomandojmë 12 vendet më të lira për t’u vizituar në Evropë:

1. Shqipëria
2. Rumania
3. Republika Çeke
4. Mali i Zi
5. Hungaria
6. Portugalia
7. Polonia
8. Sllovakia
9. Bosnjë-Hercegovinë
10. Slloveni
11. Estonia

‘The Travel’: Shtatë arsye pse duhet të vizitoni Shqipërinë në vend të Italisë

Italia është një vend i bukur me plazhe të mrekullueshme, vargmale të mëdha malore, qytete mahnitëse mesjetare dhe kuzhinë të jashtëzakonshme, sipas një artikulli të botuar në revistën “The Travel”.

Megjithatë, të gjitha këto mund të jenë të pavlefshme – në krahasim me vendet e tjera më të qeta evropiane që janë gjithashtu alternativa më të lira si Shqipëria, e cila ndodhet më në jug të kontinentit.

Shqipëria është një vend ballkanik që krenohet me natyrën e pacenuar, plazhet mahnitëse, qytetet e mrekullueshme, historinë interesante, përballueshmërinë dhe vendasit miqësorë.

Mikpritja në Shqipëri nuk mund të krahasohet me një vend si Italia, pasi familjariteti dhe personaliteti që ndajnë shqiptarët vendas është i jashtëzakonshëm.

Në vend që të zgjidhja vendet tipike për pushime si Italia, vendosa të shkoj në zonat turistike dhe të pacënuara të Shqipërisë për të parë se çfarë ofronte vendi i bukur.

Riviera Shqiptare është një alternativë më e përballueshme krahasuar me Bregun e Amalfit dhe vargmalet malore të Italisë.

Vendi i vogël ballkanik është një version i pazbuluar, më i lirë por po aq mahnitës sa Italia.

Shtatë arsye pse duhet të vizitoni Shqipërinë në vend të Italisë:

1-Plazhet në Shqipëri janë shumë më të qeta se ato të Italisë

Në Shqipëri do të keni mundësinë të gjeni plazhe tepër të qeta – që janë po aq mahnitëse sa ato në Itali.

Bregdeti jugor i Shqipërisë është një nga zonat e mia të preferuara për t’u vizituar gjatë verës.

Gjatë muajve të ngrohtë, zgjidhni gjithmonë plazhet e Ksamilit dhe Sarandës në vend të bregdetit të Amalfit në Itali.

Ndërsa Shqipëria po pret një numër në rritje turistësh, plazhet e njohura janë ende të qeta nëse i vizitoni në kohën e duhur të ditës.

Ksamili dhe Saranda janë plazhe të ngjashme me Karaibet, me rërë të artë dhe ujëra të kristalta.

Plazhi Itan Kryeziu është plazhi më i qetë që mund të vizitoni në bregdetin jugor.

Plazhi i Dhërmiut është gjithashtu një tjetër plazh i qetë – krahasuar me plazhet në Evropë.

Mund të jetë pak më i ngarkuar me vendasit, por këtu mund të bëni zhytje fantastike.

Hiqni dore nga bregu i Amalfit dhe drejtohuni në Rivierën Shqiptare për pushime më të qeta dhe më shumë jetë ujore në plazh.

2-Malet e Shqipërisë janë më piktoreske se alpet e Italisë

Alpet shqiptare janë epike dhe nuk krahasohen me asnjë tjetër në Evropë, përfshirë Italinë.

Italia ofron ecje dhe pamje mahnitëse malore, duke përfshirë malin Etna dhe Monte Baldo.

Megjithatë, ato nuk krahasohen me natyrën e pacënuar të maleve veriore shqiptare.

Alpet Shqiptare mund të ofrojnë më shumë për turistët që kërkojnë ecje të qeta dhe peizazhe të pacënuara.

Bjeshkët e Nemuna janë pjesë e Evropës Juglindore dhe një tipar domethënës i Shqipërisë veriore.

Vizita ime e parë në qarkun e Kukësit, ku ndodhen Alpet Shqiptare, ishte gjatë vjeshtës kur temperatura ishte e rehatshme 24 gradë Celcius.

Ju mund të shihni malet përreth bujtinave në Valbonë dhe të bëni ecje në mëngjes kur moti është ende i thatë dhe i butë.

Peizazhi alpin që kalon rrugës për në fshatin e vogël, Kukaj ngjan me atë të Zvicrës apo Alpet Italiane.

3-Shqipëria ka vendasit më miqësorë

Shqipëria ofron mikpritjen më të mirë në Evropë dhe vendasit e buzëqeshur janë në çdo cep.

Nëse do të më duhej të thoja një karakteristikë për Shqipërinë, do të ishte se vendi ka disa nga vendasit më miqësorë që kam takuar ndonjëherë.

Fillimisht, mendova se vendasit në kryeqytetin e Tiranës do të ishin më pak miqësorë dhe do të kishin më pak kohë për të biseduar.

Megjithatë, stafi në kafene dhe dyqane ofroi të njëjtën mikpritje si njerëzit në qytetet dhe fshatrat e vogla të Shqipërisë.

4-Shqipëria është dukshëm më e përballueshme se Italia

Një ndryshim i madh midis Italisë dhe Shqipërisë është përballueshmëria.

Ndërsa çmimet e turizmit rriten gjithmonë për shkak të kërkesës dhe inflacionit, Shqipëria është dukshëm më e lirë se Italia.

Gjithçka, duke filluar nga akomodimi dhe restorantet tek dyqanet dhe kafenetë – ofrohen çmime të ulëta që do t’ju inkurajojnë të ktheheni në Shqipëri për pushimet tuaja të ardhshme.

5-Mënyra e jetesës në Shqipëri është më e qete se ajo në Itali

Jetesa shqiptare është e pakrahasueshme, ju mund të përjetoni më pak stres dhe një përvojë relaksuese udhëtimi kudo që të shkoni.

Mënyra e jetesës së Shqipërisë është ndryshe nga kudo tjetër në Evropë. Është më e qetë se Italia dhe ka një ndjenjë kulturore unike.

Sigurisht, plazhet në Itali ofrojnë një atmosferë pak më të qetë, por qytetet janë krejt e kundërta.

Qytetet e Romës dhe Firences janë të bukura, por stili i jetesës ishte kaotik. Ndërsa, në Shqipëri kudo që shkoni do të ndiheni të freskët dhe të relaksuar.

E gjithë eksperienca e udhëtimit në Shqipëri është më e qetë dhe pa stres. Është e jashtëzakonshme se sa relaksuese dhe qetësuese është kultura shqiptare.

6-Shtigjet e ecjes në Shqipëri janë të pakrahasueshme

Mos u habisni nëse jeni i vetmi person në vende të paarritshme në Shqipëri.

Ndërkohë që Italia dhe Shqipëria ofrojnë mundësi të pabesueshme, unë preferoj xhevahiret e fshehura të Shqipërisë.

Mungesa e zhurmës dhe turizmit në këto vende të pazbuluara do të ofrojnë një përvojë që nuk do ta gjeni askund në Itali.

Vizitoni Kanionin e Osumit në Berat, i cili është një nga shumë pikat interesante në Shqipëri.

Mos u çuditni nëse vizitoni vende të tjera në Shqipëri dhe jeni i vetmi person atje; është një ndjenjë magjike.

Perlat e tjera të fshehura që duhet të vizitoni në Shqipëri – përfshijnë Parkun Kombëtar të Valbonës, Parkun Kombëtar të Thethit dhe Syrin e Kaltër.

7-Peizazhet e Shqipërisë janë më të larmishme se ato të Italisë

Shqipëria ofron peizazhe të larmishme – nga plazhet mahnitëse deri te malet e larta.

Shqipëria është kryesisht e pacënuar dhe ofron peizazhe unike.

Vendi ballkanik është një perlë e fshehur për adhuruesit e natyrës, dhe peizazhet janë më të larmishme se ato të Italisë.

Peizazhet e Italisë janë të mrekullueshme, por të mbuluara me ndërtesa turistike, ndërsa, në Shqipëri, shumica e peizazheve janë mahnitëse, të qeta dhe tërheqëse.

Drejtohuni në bregdetin jugor për te eksploruar plazhet përgjatë Rivierës Shqiptare.

Ata që kërkojnë xhevahire unike përgjatë bregdetit duhet të shkojnë në plazhin e Gjipesë për limanet e tij të fshehura mes shkëmbinjve të lartë gëlqerorë.

Koha ideale për të vizituar këtë plazh është gjatë perëndimit të diellit.

Në veri mund të gjeni edhe majat e thyera të maleve me shumë pak turistë. Vendasit mund t’ju udhëheqin, ose ju mund të eksploroni zonën vetëm./atsh/ KultPlus.com

Turizmi në Shqipëri u rrit me 86%! Raporti i Komisionit Europian analizon shifrat: Ndikoi klima dhe çmimet

Shqipëria renditet e para në rritjen e turizmit duke lënë pas vende të tjera si Greqia.

Përqindja e rritjes së turizmit në Shqipëri është 86 për qind, ndërsa Greqia e ka rritjen 25 për qind në krahasim me vitin 2019. Sigurisht numri i turistëve në Greqi është shumë herë më i madh. Të dhënat e raportit të Komisionit Europian tregojnë se vende të vogla si Shqipëria dhe Mali i Zi kanë parë rritjen më të fortë të tregut në 6 muajt e parë të vitit 2024. Komisioni Europian për udhëtimet thotë se Shqipëria është tërheqëse për turistët e huaj, teksa kohët e fundit është shfaqur një tendencë rritëse e vizitorëve aziatikë.

Sipas raportit, aktiviteti turistik në Evropë ka ndjekur kryesisht një prirje të ngjashme gjatë dy tremujorëve të parë të vitit 2024. Udhëtimet ndërkombëtare kanë ardhur në rritje në të gjithë kontinentin krahasuar me vitin e kaluar. Krahasuar me nivelet para pandemisë, rritjet janë përkatësisht 6% dhe 7%. Destinacionet e Evropës Jugore, përfshi edhe Shqipërinë kanë nxitur rritjen e turizmit evropian dhe mbeten vazhdimisht e preferuar për kushtet e favorshme klimatike në prag të sezonit të verës, si dhe për kostot e përballueshme.

Në vitin 2024, kostot operacionale për bizneset turistike dhe, rrjedhimisht, kostot e udhëtimit për konsumatorët mbeten një nga temat më të spikatura për industrinë globale. Përveç kësaj, tërheqja e vlerës për paranë në destinacionet jotradicionale, së bashku me kthimin e udhëtarëve nga Azia-Paqësori, dhe disponueshmëria në rritje e udhëtimeve hekurudhore po formësojnë gjithnjë e më shumë peizazhin turistik të Evropës. Raporti i Komisionit Europian që rendit në krye Shqipërinë në fakt konfirmon trendin rritës që vendi ynë ka marrë prej disa vitesh në turizëm. Viti 2023 u mbyll me 10 milionë vizitorë ndërsa parashikimet flasin për një rritje domethënëse edhe gjatë vitit 2024./tch / KultPlus.com

Në këto destinacione nuk lejohen turistet gra

Destinacionet e mëposhtme janë të gjitha të famshme, por jo vetëm për peizazhet e tyre spektakolare, por edhe sepse ndalojnë turistet femra. Nga besimet e lashta fetare deri te kufizimet morale, këto janë pesë vende ku gratë ndalohen.

Mali Athos, Greqi

Për më shumë se 1000 vjet, pelegrinët dhe murgjit ortodoksë janë vendosur në manastiret e malit Athos, të njohura për pamjet spektakolare dhe koleksionet e rralla të artit. “Mali i Shenjtë” është i mbrojtur si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga vitet 1990 për “rëndësinë e tij të jashtëzakonshme universale”. Mirëpo edhe pse Mali Athos mund të ketë “rëndësi universale”, nuk është universalisht i hapur. Që nga viti 1046 pas Krishtit, gratë dhe çdo gjallesë tjetër femër, nuk duhet të hyjë në Gadishullin Athos, duke përjashtuar vetëm macet femra.

Manastiret i ndalojnë gratë me arsyetimin se prania e tyre do ta bënte të vështirë për murgjit t’i qëndronin të palëkundur betimeve për të qëndruar larg grave, por edhe sepse tradita ortodokse thotë se Mali Athos i përket Virgjëreshës Mari dhe se asnjë grua tjetër nuk mund ta vizitojë tokën e saj të shenjtëruar. Kjo nuk i ka penguar gratë të provojnë: Disa janë përpjekur të futen fshehurazi në gadishull duke u veshur si burra dhe në vitin 2019 një grup kockash femrash u zbuluan nën një kishëz bizantine në vend. Por Mali Athos mbetet vetëm për meshkuj dhe mbrohet nga statusi ligjor i veçantë brenda Greqisë, që e konsideron atë një rajon autonom.

Mali Wmine, Japoni

I caktuar gjithashtu një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, mali është i rëndësishëm për rolin e tij shpirtëror. Tempujt dhe faltoret shinto dhe budiste të zonës kanë tërhequr prej kohësh asketët, udhëtarët dhe madje edhe anëtarët e familjes perandorake. Por gratë janë të ndaluara nga maja e ëmine për më shumë se 1000 vjet për shkak të “shpërqëndrimit” që supozohet se do t’u paraqisnin pelegrinëve meshkuj. Ndalimi mund të jetë i vjetër, por është ende i kundërshtuar, pasi mbi 10 000 gra japoneze kërkuan që ky ligj të hiqej kur mali u caktua një vend i trashëgimisë së UNESCO-s në 2004.

Ishulli Okinoshima, Japoni

Një tjetër vend i shenjtë i trashëgimisë në Japoni ndalon gjithashtu gratë, Ishulli Okinoshima, një ishull i vogël në Fukuoka. Ishulli, i drejtuar nga një kast i priftërinjve të vetmuar Shinto, njihet nga UNESCO si një “shembull i jashtëzakonshëm i traditës së adhurimit të një ishulli të shenjtë”.

Ishulli është kryesisht i ndaluar për të dyja gjinitë sot, por çdo vit qindra burra e vizitojnë ishullin gjatë një festivali. Edhe atëherë, ata lejohen të shkelin në brigjet e tij vetëm pasi të lahen në ujin e detit. Në vitin 2017, një zyrtar shpjegoi se udhëtimi në ishull konsiderohet shumë i rrezikshëm për gratë.

Herbertstrasse, Hamburg – Gjermani

Edhe në Evropën liberale ekziston një enklavë e tillë që nuk lejohen turistet femra: Herbertstrasse famëkeq në Hamburg, një rrugë e hapur ku dikur ushtrohej prostitucioni. Kjo ndryshoi në vitin 1933, kur nazistët e sapozgjedhur mbyllën rrugën me barriera, si pjesë e një përpjekjeje për të kontrolluar punën seksuale. Nazistët arrestuan më pas më shumë se 3000 gra në Hamburg. Shumë vdiqën së bashku me punonjësit e seksit nga qytete të tjera gjermane në kampet e përqendrimit si Ravensbruck dhe Neuengamme.

Por ndalimi ndaj vizitorëve femra mbeti shumë kohë pasi nazistët u larguan. Në vitet 1970, Hamburgu fortifikoi portat, duke ngritur barriera edhe më të larta çeliku për të bllokuar zonën publike nga pamja. Aktualisht, rrugët mbajnë përkujtimoret me emrat e disa prej punonjëseve të seksit të persekutuara.

Parku Kombëtar Band-e-Amir, Afganistan

Band-e-Amir në provincën Bamiyan është një park i njohur për më shumë se 200 liqene spektakolare, shkëmbinj të lartë dhe diga natyrore. Parku kombëtar, i nominuar për njohje nga UNESCO, dikur u vlerësua si një simbol i përparimit të Afganistanit të pasluftës dhe madje punësoi rojet e para femra. Në vitin 2023, megjithatë, qeveria afgane e udhëhequr nga Talibanët njoftoi se parku kombëtar ishte i ndaluar për vizitoret femra. Luftëtarët talebanë janë vendosur gjithashtu në hyrjet e parkut për të ndaluar hyrjen e tyre. Ky veprim është vetëm një nga shumë të projektuara për të mbajtur gratë larg nga jeta publike në Afganistan./ KultPlus.com

Turizmi malor në modë! Gjithnjë në rritje numri i atyre që preferojnë malin dhe jo detin gjatë verës

Turizmi malor nga viti në vit po bëhet më shumë popullor.

Sidomos në këtë periudhë vere, që temperaturat kanë filluar të ngrihen dhe freskinë, turistët nuk e kërkojnë më vetëm në bregdet, por preferojnë dhe zonat malore.

 “Shumë turistë të huaj vijnë vetëm për turizmin malor në Shqipëri. Pikat kryesore të turizmit malor momentalisht janë Thethi dhe Valbona dhe lumi Shalës dhe mund të kalojnë rreth 7-8 ditë aty”, tha Xhimi Lama”, kryetar i operatorëve turistik.

Ndërsa Tirana po kthehet në një destinacion për turet ditore, ku të huajt preferojnë  të vizitojnë rrethinat e kryeqytetit.

 “Më e spikatur është Bovilla dhe mali i Dajtit dhe ujvara e Shëngjergjit. Kemi dhe shpellën e Pëllumbasit dhe kalaja e Petrelës që janë turet ditore më të frekuentuara në rrethinat e Tiranës”, tha Xhimi Lama.

Sa i përket shifrave të turistëve, ky vit po ecën me ritme të mira ndërsa lind nevoja  për një mirëorganizim të strukturave turistike.

 “Nuk ka më gjerman ose italian ose anglez tani janë nga e gjithë europa dhe e gjithë bota. Shqipëria është hapur dhe turistët po e bëjnë Shqipërinë gjithnjë e më tepër një destinacion turistik. Bumi është mbi 30% më shumë se sa viti i kaluar. Por tani me flukset duhet të jemi më të përgatitur, duhen më shume guida, më shumë transport turistik dhe duhet sa më shumë përkushtim dhe pastërti”, u shpreh kryetari i operatorëve turistik.

Dëshira për të parë një vend të ri, tashmë mjaft të reklamuar edhe në mediat e huaja, është ajo çka i sjell turistët në vendin tonë, kombinuar kjo edhe me çmimet që janë më të lira se sa në destinacionet e tjera europiane./ Top Channel/ KultPlus.com

Turizmi, Kumbaro: Negociata me Filipinet dhe Indonezinë për të marrë fuqi punëtore

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro deklaroi sot se Shqipëria është në negociata me Filipinet dhe me Indonezinë për të marrë fuqi punëtore, kryesisht për sektorin e turizmit.

Gjatë një interviste televizive, Kumbaro theksoi se sektori ka nevojë për fuqi punëtore. Ministrja bëri të ditur se janë lehtësuar edhe vizita e punës, me qëllim që t’u jepet mundësi atyre që vijnë nga vendet aziatike për të punuar në vendin tonë.

“Kemi bërë marrëveshje me disa vende dhe po vazhdojmë të bëjmë si me Filipinet, dhe Indonezinë për fuqi punëtore, për të mundësuar dhe lehtësuar hyrjen e fuqisë punëtore. Kemi lehtësuar vizat e punës, i japim mundësi atyre që vijnë nga vende aziatike që të punojnë në Shqipëri. Jemi duke punuar edhe me diasporën, ka të rinj që kanë punuar në vende të tjera në këta sektorë dhe po kthehen në vendin e tyre”, tha Kumbaro.

Kumbaro foli dhe për sezonin turistik, ku pritet një fluks i lartë, sidomos gjatë sezonit veror.

“Nëse bizneset thonë se kanë më shumë se 40 % rezervime të paguara se viti i kaluar, do të thotë se mund të kemi 14 milionë turistë. Pastaj, për 14 milionë vizitorë, sa forca pune na duhet? Pra ne po bëjmë përgatitjet që duhen për të përballuar këtë vit. Tashmë kemi sezon 365 ditë në vit”, tha Kumbaro.

Për t’iu përgjigjur kërkesës për turizëm gjithëvjetor, Kumbaro informoi se po punohet për të bërë një paketë të dedikuar, e cila do të mundësojë zhvillimin e turizmit në zonat malore.

“Po bëjmë një paketë të dedikuar për zhvillimin e turizmin në veri të vendit, lidhur me letrat e pronësisë, paketat fiskale për të zhvilluar turizmin malor”, tha ajo./atsh/KultPlus.com

Rijetësohet ish-muzeu i Beratit, i shërben turizmit familjar

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat ndau në rrjet pamjet e një prej banesave karakteristike të qytetit, pjesë e kompleksit ndërtimor të banimit të familjes Vrioni, në proces rijetësimi.

Bëhet fjalë për ish banesën e Izedin Galip Pashë Vrionit, sot e Nevin Godo (Vrioni), ku gjatë periudhës tetor-nëntor 1944, u vendos selia e Qeverisë Provizore Demokratike të Shqipërisë. Më pas kjo ndërtesë u kthye në muzeun e qytetit, ndërsa nga viti 1991-2011 aty zhvilloi veprimtarinë e saj medreseja “Vexhi Buharaja”.

Ajo përbëhet nga ndërtesa kryesore dykatëshe dhe ndërtesa e pasme njëkatëshe e shërbimit. Te ndërtesa dykatëshe, kati përdhe ka shërbyer për ambiente shërbimi, ndërsa kati i parë përbëhej nga ambientet e banimit të familjes, ato të pritjes së miqve dhe hamami. Ambienti më i dekoruar është dhoma e miqve, e cila është rikonstruktuar gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX.

Pjesa tjetër e katit të parë ka pësuar ritrajtim në pamjen e jashtme të tij. Balli i saj është rindërtuar me teknikën e skeletit të drurit, në të cilën janë realizuar dritare të mëdha me korniza të suvatuara. Kati përdhe i pjesës qendrore të banesës është transformuar duke mbyllur hapësirat me qemer guri dhe duke realizuar dritare në muraturë guri. Këto ndryshime mund të jenë realizuar gjatë viteve 1912-1918.

Me restaurimin e viteve 2022-2024, kjo ndërtesë do të rijetësohet për kthimin e saj në njësi hotelerie për t’i shërbyer turizmit familjar./atsh/ KultPlus.com

Banka Botërore mbështet turizmin e Shqipërisë me 80 milionë dollarë

80 milionë dollarë është  shuma që do të financojë Banka Botërore në Shqipëri për të mbështetur sektorin e turizmit. Marrëveshja e financimit të projektit “Mjedis i pastër dhe i qëndrueshëm për Detin Blu” është nënshkruar nga ministri i Financave Ervin Mete dhe zv.presidentja e Bankës Botërore Antonella Basani.

Në fokus  të këtij investimi do të jetë mbrojtja e mjedisit dhe reduktimi i ndotjes në mjedisin ujor detra e lumenj në zonën jug perëndimore, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit. Një pjesë e rëndësishme e fondit do të përdoret për  mbrojtjen e lumit Vjosa nga ndotja.

Pjesa e dytë e projektit synon uljen e ndotjes në  Lumin Vjosa, kjo edhe në kuadër të mbështetjes dhe mbrojtjes së mëtejshme të tij, pas akordimit të statusit “Park Kombëtar”, si lumi i fundit i egër në Europë. Projekti do të synojë zgjerimin e infrastrukturës së pastrimit, përmirësimin e mëtejshëm të saj, si edhe parandalimin e ndotjes.

Projekti është i ndarë në tre komponentë,  dhe në tërësi ka të bëjë me promovimin e një qasjeje për mbrojtjen e mjedisit dhe burimeve ujore ndërsa zbatimi  parashikohet të zgjasë deri në mars të vitit 2029./abcnews.al/KultPlus.com

“Lonely Planet”: Berati mes kështjellave, kanioneve dhe maleve të shenjta

Shumica e turistëve që udhëtojnë në Berat, në jug të Shqipërisë, mahniten me qendrën historike dhe Kalanë e tij, një vendbanim i lashtë i banuar ende sot. Sigurisht, qyteti ia vlen të vizitohet, shkruan Francesca Massotti në botimin italisht të “Lonely Planet”.

Planifikoni një udhëtim në Shqipëri dhe përjetoni aventura të paharrueshme në rrethinat e asaj që konsiderohet unanimisht një nga skenat më të bukura në Ballkan.

Xhamitë, manastiret dhe aventurat në kanione

Ju mund të shijoni ushqimin tradicional dhe origjinal në fermat e zonës, të bëni ekskursione në malin e Tomorrit, malin e shenjtë të vendit.

Legjendat dhe malet e shenjta

Një vend është magjik kur origjina e tij lidhet me legjendat. Ky është rasti i Beratit, një qytet në jug të Shqipërisë.

Thuhet se dy vëllezër, Shpiragu dhe Tomorri, duke u grindur për një vajzë me të cilën ishin të dy të dashuruar, luftuan për vdekje për të konkurruar për të.

Tomorri përdori shpatën për të luftuar, ndërsa Shpiragu u përgjigj me flakë.

Nga historia e tyre lindën malet mes të cilëve ndodhet ky qytet i trashëgimisë së UNESCO-s: Mali i Shpiragut që duket i prerë në feta dhe Tomorri me gropat e tij të mëdha.

Vajza e pikëlluar për fatin e dy vëllezërve derdhi lotë të shumtë të cilët sipas legjendës i dhanë jetë Osumit, lumit që sot ndan në dysh qendrën historike.

Veçanërisht mali i Tomorrit dominon zonën dhe shoqëron udhëtarët gjatë udhëtimeve të tyre në këtë zonë të Shqipërisë.

Është një mal i shenjtë, jo vetëm për shkak të legjendës, por edhe sepse është vendi ku çdo vit, në fund të gushtit, besimtarët bektashinj mblidhen për pelegrinazh, një vëllazëri islame me origjinë sufiste e themeluar në shekullin e XIII – ende e përhapur në të gjithë gadishullin ballkanik dhe në Turqi – e cila e ka selinë e saj në Tiranë (Qendra Botërore Bektashiane, e inauguruar në 2015).

Shije tradicionale

Në rrëzë të malit, në fshatin Roshnik, Alpeta Agroturizëm është një bujtinë e zemrës.

E krijuar fillimisht si bodrum vere në vitin 1994, ndër të parat në Shqipëri, që nga viti 2018 ka qenë një fermë dhe restorant dhe në tavolina shërbehen gatimet më të mira të gastronomisë vendase.

Është gjithashtu një bazë e shkëlqyer për të eksploruar mjedisin ose bërë kajak në pellgun afër pronës. Por arsyeja kryesore pse njerëzit vijnë këtu është dhe mbetet një. Në fakt, dy, ushqimi dhe vera.

Perime nga kopshti, byrekë të shijshëm të mbushur me djathë dhe mish dhie që rritet në shpatet e malit Tomorr, makarona të përgatitura vetë dhe shumë të tjera.

Gjithçka këtu është lokale, sezonale dhe e freskët, sipas traditës më të mirë shqiptare.

Ndër të gjitha verërat spikat Pulëz, një verë e bardhë e bërë nga rrushi me erë, e cila të kujton “Chardonnay”.

Mes vreshtave dhe kanioneve

Në rrethinat e Beratit nuk mungojnë bodrumet e verës.

Qyteti, në fakt, është në një pozicion ideal për rritjen e rrushit: toka është gëlqerore dhe klima është e butë. Dielli dhe sasia e duhur e shiut alternohen në mënyrë të përkryer.

Nuk është çudi që bodrumet më të rëndësishme të verës në Shqipëri – mes tyre, Veraria Çobo, Kantina Nurellari dhe Kantina Pupa – ndodhen pikërisht këtu.

Ata që e duan adrenalinën duhet të vizitojnë Kanionet e Osumit, të gdhendur pranë lumit me të njëjtin emër, 53 kilometra në juglindje të Beratit.

Formacionet shkëmbore, kalimet, ujëvarat dhe shpellat ngjajnë me një miniaturë të grykave të thella amerikane, vetëm se këtu natyra është padyshim më e harlisur.

Kanionet e Osumit janë një parajsë për adhuruesit e aktiviteteve në natyrë: ecjet në shtigjet përgjatë kanioneve.  Një panoramë që është e vështirë të harrohet!

Berati, muze në natyrë

Duke u ngjitur përgjatë brigjeve të lumit, më në fund do të mbërrini në Berat – qyteti i dritareve të mbivendosura.

Fjala kyçe këtu është të humbasësh. Minaret, drunjtë, kryqet dhe manastiret fshihen mes rrugëve labirintike të këtij muzeu të hapur, i cili sipas UNESCO-s është shembulli më i mirë i bashkëjetesës fetare shekullore në Tokën e Shqiponjave.

Dy lagjet që përbëjnë shpirtin historik të Beratit, Gorica dhe Mangalemi, ndahen nga Osumi dhe janë shtëpia e shtëpive të lashta tradicionale, kopshteve me lule, kishave dhe xhamive të heshtura, si dhe muzeume interesante.

Ashtu si Muzeu Solomon, kushtuar historisë së hebrenjve të shpëtuar nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore – Shqipëria ishte i vetmi vend në botë që nuk i dorëzoi as edhe një hebre nazistëve.

Muzeu tjetër i rëndësishëm në Berat, Onufri kushtuar ikonografisë së piktorit shqiptar me të njëjtin emër, është i mbyllur brenda mureve të Kalasë së Beratit.

Për ta arritur atë, ngjitesh në majë të kalasë duke ecur përgjatë rrugëve të heshtura me kalldrëm. Gjithçka duket një magji.

Mjafton të vizitoni Kishën e Trinisë së Shenjtë, e vendosur në kodrën pas mbetjeve të kështjellës, për ta kuptuar këtë. Nga këtu mund të shijoni një pamje të gjerë të luginës. / atsh / KultPlus.com

https://www.lonelyplanetitalia.it/articoli/itinerari-di-viaggio/tra-castelli-canyon-e-monti-sacri-a-berat-in-albania

“Corriere Della Sera”: Lukova dhe Ksamili – dy destinacionet me detin e kristaltë në Shqipëri

Në Shqipëri nuk mungojnë plazhet e bukura dhe shpesh italianët zgjedhin t’i kalojnë pushimet këtu – edhe për të kursyer para. Vendi mesdhetar ofron akomodime me kosto të ulët. Lukova dhe Ksamili, dy pikat turistike në Rivierën Shqiptare, ndërthurin vlerat e bukurisë – të konsideruara si “Maldivet e Evropës”- me atë të komoditetit të jashtëzakonshëm, shkruan Elmar Burchia në të përditshmen italiane “Corriere Della Sera” botuar në rubrikën “Dove Viaggi”.

Të gjithë në Shqipëri. Edhe këtë verë? Vitin e kaluar, vendi i Gadishullit Ballkanik regjistroi shifra rekord në sektorin e turizmit: sipas zyrës vendase të statistikave, në Shqipëri kanë hyrë 9,5 milionë shtetas të huaj, një rritje prej 33,2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Shqipëria ka vetëm 2,8 milionë banorë. Piku i sezonit turistik, padyshim, u arrit në gusht ku u regjistruan 2 milionë pushues. Dhe shumë prej tyre ishin italianë, 10% e totalit.

Ka shumë arsye pse njerëzit zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë vitet e fundit: kurioziteti për të vizituar një vend më pak të njohur; afërsia me Italinë dhe fakti që është një destinacion mjaft i lirë në krahasim me çmimet- shumë të larta në destinacionet e mbipopulluara me njerëz.

Shqipëria ofron plazhe të bukura dhe të pastra; pamje që të lëne pa frymë; peizazhe pothuajse të pacënuara; një det të mrekullueshëm; kuzhinë të shijshme; jetën e gjallë të natës dhe mikpritje vërtetë të ngrohtë.

Vija bregdetare shqiptare shtrihet në 363 kilometra. Pothuajse të gjitha plazhet janë magjepsëse. Por cilat janë më të bukurat?

Sipas ekspertëve të udhëtimeve, dy plazhet më të vlerësuara janë Lukova dhe Ksamili, dy vendpushime në Rivierën Shqiptare të konsideruara si “Maldivet e Evropës”. /atsh / KultPlus.com

“Radio France”: Shqipëria, destinacion turistik në trend dhe i lirë

Shqipëria është kthyer në destinacionin e ri turistik në trend. Objektivi i vendit mesdhetar është të mirëpresë 14 milionë turistë në vit dhe ndoshta një ditë të bëhet anëtare e Bashkimit Europian, shkruan Philippe Lefebvre në të përditshmen franceze “Radio France”.

Shqipëria vlerësohet si një destinacion i ri turistik dhe mbi të gjitha një vend i përballueshëm në brigjet e Adriatikut krahasuar me Italinë dhe Greqinë.

Sot vendi, i cili për 50 vjet ishte një nga më të izoluarit në botë, ka hapur dyert e tij me një objektiv të qartë të qeverisë në Tiranë: të mirëpresë të paktën 14 milionë turistë të huaj në vit.

Niseni turin tuaj duke vizituar kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën, dhe zbuluar disa gjurmë të diktaturës së Enver Hoxhës.

Ato fillojnë me bunkerët e instaluar në qendër të kryeqytetit, të shndërruara së fundmi në galeri arti.

Më pas, vizitoni Muzeun Kombëtar të Përgjimeve e njohur si “Shtëpia me Gjethe” e hapur më 23 Maj 2017.

“Shtëpia me Gjethe” ishte, në të njëjtën kohë shtabi i përgjimeve telefonike të kryeqytetit ku agjentët e Sigurimit, policia sekrete, mund të ndiqnin veprimet e përditshme të 40 mijë familjeve.

Për më tepër, kjo ndërtesë kishte edhe reputacionin e një qendre torture nga e cila mund të arratiseshe vetëm… i vdekur.

Sot, aty ekspozohen të gjitha pajisjet e spiunazhit të përdorura më parë nga policia.

Ju mund të eksploroni sistemet e mikrofonave të fshehura në apartamente dhe në fund në hyrje, nuk mund të humbisni listën e të gjitha viktimave që jetuan ditët e fundit në “Shtëpinë me Gjethe”.

Por, nëse njohja e kësaj të shkuare tragjike është thelbësore për të kuptuar më mirë Shqipërinë sot, mos ngurroni të udhëtoni në vendin mesdhetar dhe ta zbuloni atë.

Të zbulosh Shqipërinë është shumë e thjeshtë, pasi vendi nuk është shumë i madh. Ju mund të arrini shpejt nga plazhet e Adriatikut në malin e Korabit, që arrin lartësinë 2753 metra.

Mos u largoni nga Tirana pa vizituar Selinë e Shenjtë të Bektashinjve, një degë disidente liberale e Islamit ku fjalët kyçe janë toleranca dhe respekti absolut për gratë, nuk është për t’u habitur në një vend ku të gjitha fetë duket se jetojnë në harmoni të përsosur.

Më pas, ju mund të merrni rrugën për në Berat dhe të zbuloni këtë qytet të klasifikuar si një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s i quajtur ndryshe “qyteti i një mijë dritareve”.

Së fundi, përpara se të arrini në portin e Durrësit dhe plazhet e qytetit, mos humbisni të zbuloni vendndodhjen antike të Apolonisë të themeluar në vitin 588 para Krishtit, aseti numër një i vendit.

Të kalosh një javë në Shqipëri nuk kushton shumë. Ju mund të gjeni akomodime me 60 euro për person. Përsa i përket hotelit me pamje nga deti, çmimi më i lartë arrin në 90 euro nata.

Gjithashtu, ju mund të provoni dhe shijoni specialitetet vendase si, byrekët, djathërat dhe verërat. /atsh / KultPlus.com

Tiranë
Muzeu Kombëtar i Përgjimeve i njohur si “Shtëpia me Gjethe”
Berat

https://www.radiofrance.fr/franceinter/podcasts/la-chronique-tourisme/la-chronique-tourisme-du-dimanche-03-mars-2024-8524038