Vdes bateristi i Little Barrie

Virgil Howe, bateristi i Little Barrie dhe djali i kitaristit të YES, Steve Howe, ka vdekur në moshën 42 vjeçare.

Në një komunikatë të publikuar në emër të Howe, vdekja e tij u përshkrua si “tragjike” dhe e “papritur”, shkruan NME, transmeton Klan Kosova.

YES ende nuk janë prononcuar për lajmin tragjik, por kanë njoftuar për anulimin e datave të mbetura të turneut të tyre Yestival që erdhi pas albumit të tyre të fundit “Death Express Tour”. / KultPlus.com

Rinovohet Parku i Qytetit në Prishtinë

Njëra nga katër parqet e qytetit e cila është në shërbim të qytetarëve dhe e cila vazhdimisht vizitohet nga qytetarët do të rinovohet nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA). Në kuadër të punimeve të renovimit në hapësirën e lojërave filluan punët për rregullimin e ambientit dhe këndit të lodrave.

“Në takimet e realizuara gjatë këtij viti në mes të Komunës së Prishtinës dhe TIKA-s janë shqyrtuar kërkesat primare në përmirësimin e infrastrukturës sociale, shëndetësi, arsim dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të cilat mund të realizohen bashkërisht. Në kuadër të kërkesave, duke i theksuar hapësirat e gjelbra në Prishtinë, ju është dhënë përparësi punëve të cilat mund të realizohen nëpër parqe të qytetit dhe kanë filluar punimet në parkun e qytetit të Prishtinës me qëllim të përmirësimit të kushteve për fëmijë”, thuhet në komunikatën për media të TIKA-s.

Parku në qendër të Prishtinës me lodra të papërdorshme qe një kohë të gjatë dhe me pamje jo të mirë do të rinovohet me mbështetje të TIKA-s. Me anë të punimeve të cilat do të realizohen me rinovimin e lodrave dhe rregullimin e ambientit, sipas kësaj Agjencie, parku do ta fitojë një pamje të re gjithashtu në këndin e lodrave do të ekzistojnë edhe hapësira për fëmijë me nevoja të veçanta.

“Parku, i cili do t’i mundësojë fëmijëve me nevoja të veçanta të kalojnë kohë edhe me fëmijët e tjerë, do të jetë i pari i këtij lloji në Prishtinë”, ka theksuar TIKA në këtë njoftim.

Punimet e filluara nga TIKA planifikohen të përfundojnë brenda dy muajve dhe menjëherë pas përfundimit, do të bëhet edhe hapja e tij./ KultPlus.com

Hardh Fest përfundon suksesshëm, mbi 50 mijë pjesëmarrës në këtë vit

Me orën poetike, hapjen e ekspozitës së artistëve, pjesëmarrës në Kononinë e Artit dhe me përzgjedhjen e mbretëreshës së Rrushit, të dielën është përmbyllur edicioni i 16-të i Festës së Vjeljes së Rrushit HardhFest.

Këtë vit, numri i pjesëmarrësve në HardhFest arriti mbi 50 mijë, gjë që tregon se interesimi për këtë festë është duke u rritur.

E veçanta e këtij edicioni ishte performanca e legjendës së rokut, Joe Lynn Turner, ish vokalist i grupeve ndër më të njohura të rokut klasik, Deep Purple dhe Rainboë, si dhe George Giakis dhe grupin Troublemakers.

Gjithashtu HardhFest këtë vit riktheu në skenë grupin 403, të cilët për një kohë të gjatë nuk u panë në skena të mëdha.
Gjatë katër ditëve festive, n’Konak dhe në qendër të Rahovecit, u mbajtën aktivitete të ndryshme tradicionale e artistike.
Hapja e festivalit filloi të enjten, me 7 shtator. Parakalimi i mekanizmit bujqësor, nga qendra e qytetit, deri tek Konaku, ishte aktiviteti i parë që i dha frymën e festivalit dhe qytetit të Rahovecit.

Ndërsa, me prerjen e Kalaveshit të rrushit, filloi ceremonia zyrtare, ku të pranishëm ishin akterë politikë, e që fjalën e mori i pari i Rahovecit, Idriz Vehapi, si dhe nikoqirja e festës, Djellza Jaha. Gjatë kësaj ceremonie u bë edhe shpallja e vreshtarëve dhe vertarëve më të mirë.
Interesim të madh kishin secila nga aktivitetet e mbajtura, si vizita në vreshta HardhTour, garat në shpejtësinë e vjeljes dhe shtrydhjes së rrushit, Karnavali në Qytetin e Rahovecit, Demonstrimi i pjekjes së rakisë, etj. Ndërsa në panairin e verës dhe rakisë, për të cilin organizohet i gjithë festivali, u pa një interesim i jashtëzakonshëm i vizitorëve vendorë e turistë të huaj, të cilët degustonin verërat në secilën verari, e cila ishte e hapur për gjatë 4 ditëve të festës.
Dita e parë u përmbyll me Sofra tradicionale, e përcjellë me instrumentistë dhe këngëtarë të muzikës tradicionale shqiptare si dhe me performimin unplugged të bandit Magnituta n’Konak rreth “kazanit” dhe vazhdoi në HardhCamp.

E të nesërmen me 8 shtator, festa nisi me performimin e dj në Promo Skenat n`Konak të cilët po argëtonin publikun. Demonstrimi i pjekjes së rakisë po vazhdonte, si dhe artistë nga vende të ndryshme të botës, vazhdonin të pikturonin në Kolonia e Artit.
Në anën tjetër, HardhTour vazhdoi vizitën në monumente të ndryshme të trashëgimisë kulturore si dhe vizitë bodurmeve të Rahovecit.

E n ‘Konak po mblidheshin publiku nga anë e mbanë Kosova dhe turistë nga vende të ndryshme të botës, për t`u argëtuar me koncertin e parë të kësaj feste, ku të parët që hipën në skenën e madhe ishin familja Shtavica, rok grup ky i përbërë nga tri gjeneratat e kësaj familje, e pas tyre atmosferën e ndezën Offchestra, për të pritur në skenë rikthimin e grupit 403. Mbas performimit të 403 për më shumë se një orë, dj Maarvel, dj Mickey dhe dj NËE, mbajtën publikun të ndezur deri mbas mesnate.
HardhCamp ishte një ndër atraksionet më të mëdha të festës, ku ishin kampistët të parët që fillonin festën n`Konak, e që përcillnin gjitha aktivitetet e festës.
Më datë 9 shtator, aktivitetet vazhdonin të kishin interesim nga turistët, të cilët prisnin me padurim koncertin e dytë të kësaj feste.

Koncerti madhështor filloi me muzikën cover të muzikantit nga Rahoveci Naser Dula, e më pas rok grupi nga Ssuedia Memory Ëritës. Një roker mjaftë i dashur për publikun BB Poqi vazhdoi të performonte si dhe mbas tij, paragrup i kësaj mbrëmje ishte George Giakis si dhe Troublemaker nga Greqia.
Rreth orës 23, me të hyrë në skenë ikona e muzikës rock Joe Lynn Turner, së bashku me pjesëtarë të grupit, atmosfera arriti kulmin, ku pothuajse për gjithë publikun, ishte hera e parë që po i dëgjonin live në një koncert këngët e grupit Deep Purple dhe Rainboë.

Gamblemania & BAND, nga Prishtina, dj Oda dhe dj Gruda, mbanë të zgjuar publikun deri në mëngjesin e së dielës.
Edhe në ditën e tretë – të dielën (10 shtator) atmosfera si n’Konak ashtu edhe në qytetin e Rahovecit, nuk kishte të ndalur deri në orët e vona, kur edhe u përmbyll me hapjen e ekspozitës së artistëve të Kolonia e Artit si dhe orën poetike, me poezitë e poetit nga Rahoveci, Xhevdet Bajraj.
Për këtë edicion që vulosi një sukses mjaft të madh, duke sjell në Rahovec mbi 50 mijë vizitorë, HardhFest falënderon të gjithë ata që mundësuan një organizim të tillë. Falënderon qytetarët e Rahovecit, për bujarinë dhe mikpritjen e treguar për të gjithë vizitorët dhe turistët, për të cilët bënë konakë gjatë katër ditëve, Vreshtarët dhe Vertarët e Rahovecit, pa të cilët një organizim i tillë s`do të kishte vlerë dhe gjithë artistët që morën pjesë në festival.

Sponsorët e “Hardhfestit” të cilët mundësuan që kjo festë të kishte nivelin e duhur e gjithashtu edhe partnerin e festivalit “Stone Castle”. Një përkrahje të madhe dhanë edhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural si dhe Komuna e Rahovecit, nën patronatin e të cilëve organizohet edhe Festa e Vjeljes së Rrushit.
Të palodhshëm u treguan edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës, për të cilët HardhFest u është shumë mirënjohës dhe falënderues për kontributin e tyre.

Festa e vjeljes së rrushit Hardhfest ka tri vite që është ri brenduar me format të ri dhe që po mbahet në Rahovec, duke arritur nivelin e organizimeve më të rëndësishme në Kosovë, e që është duke sjell emra të njohur botërorë. Këtë vit festa e madhe e rrushit u mbajt me sloganin “Mbas Verës vjen Vera”./ KultPlus.com

“Europa Enterprise: On Commoning” sjellë folës të shumtë në Prizren

Në bashkëpunim me Kadist, Fondacioni Lumbardhi do të organizoj një seminar dy ditorë të quajtur “Europa Enterprise: On Commoning” pjesë e « Not Fully Human, Not Human At All », një bashkëpunim mes Kadist dhe Fondacionit Lumbardhi i bashkë-kuruar nga Nataša Petrešin-Bachelez dhe Ares Shporta që do të mbahet me 16 dhe 17 Shtator në Kino Lumbardhi në Prizren, shkruan KultPlus.

“Europa Enterprise: On Commoning” është një seminar dy-ditor rreth reagimeve kulturore dhe qytetare ndaj commoning / përbashkësimit në Evropën juglindore. Seminari do të fillojë me një fjalim nga Jelena
Petrović (Vjenë) mbi mitin e lashtë të Araknesë si metaforë politike e rezistencës dhe performancës titulluar “The Eumenides” (2014) nga Lala Raščić (Sarajevë, New Orleans).

Dita e dytë përbëhet nga dy sesione, në të cilat pjesëmarrësit do të prezantojnë raste të ‘commoning’ / përbashkësimit nga qytete të ndryshme në Evropën juglindore. Përmes rasteve të iniciativave përreth
tokave bujqësore, kinemave historike, kujtesës apo të mirave publike të cilat kanë nxitur formimin e komuniteteve aktive për t’i ruajtur, rimenduar dhe shfrytëzuar këto burime të përbashkëta, sesionet do të sjellin përpara një përkufizim të gjerë të së përbashkëtavedhe pyetjeve rreth së ardhmes së këtyre strukturave. Pas secilit sesion do të ketë diskutim të hapur me publikun.

Sesioni i parë për “Përbashkësimet Urbane dhe Qytetare” do të fillojë në orën 11:20 në të cilen do të marrin pjesë pesë pjesëmarrës: Armina Pilav (Rotterdam / Sarajevë), Aslıhan Demirtaş (Stamboll), Gigi
Argyropoulou (Athinë), Ivana Dragshiq (Shkup) dhe Teodor Celakoski (Zagreb), dhe do të moderohet nga Eliza Hoxha (Prishtinë). Ndërsa sesioni i dytë me titull “Përbashkesimet Artistike dhe Kulturore” do të fillojë në orën 15:00 dhe do të ketë katër pjesëmarrës: Erëmirë Krasniqi (Prishtinë), Iliana Fokianaki (Athinë), Marko Miletiq (Beograd), Romeo Kodra dhe do te moderohet nga Nataša
Petrešin-Bachelez.

Ky seminar është hapi i parë i projektit trevjeçar të titulluar “Not fully human, not human at all”, kuruar nga Natasha Petrešin-Bachelez dhe iniciuar nga Kadist, përfshirë komisionet artistike nga Lala
Rašçiq dhe Daniela Ortiz. Projekti do të zhvillohet në të gjithë Evropën në partneritet me Hangar (Lisbonë, Portugali), Kunsthalle Lissabon (Lisbonë, Portugali), Fondacioni Lumbardhi (Prizren, Kosovë) dhe Netwerk (Aalst, Belgjikë)./KultPlus.com

‘Nusja jonë’ kosovare u prezantua në Gjermani (FOTO)

Në Documenta 14, që është duke u mbajt tash e sa muaj në mes të Greqisë dhe Gjermanisë, tashmë është prezantuar edhe një ndër projektet më të rëndësishme shqiptare, shkruan KultPlus.

“Nusja Jonë” apo “Our Bride”, i realizuar në vitin 2011 nga Yll Citaku dhe Nita Deda u prezantua para audiencës në Kassel të Gjermanisë, në kategorinë Parliament of Bodies.

Për këtë gjë nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka njoftuar Nita Deda, e cila është shprehur shumë e nderuar për këtë prezantim të projektit ‘Nusja Jonë’, bashkë me drejtorin artistik të Documenta 14 Adam Szymczyk./ KultPlus.com

‘Koko Fest’ sjellë shtatë shfaqje nga trojet shqiptare

Më 17 shtator në Korçë nisë festivali mbarëkombëtar i komedisë ‘Koko Fest’, shkruan KultPlus.

Ky festival sjellë një maratonë artistike në skenën e teatrit ‘Andon Zako Çajupi’, me performancat më të mira nga trupat e teatrove të njohura nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Ky festival nis më 17 shtator me shfaqjen ‘8 femrat’, shfaqje kjo e teatrit ‘A.Z. Çajpupi’ në Korçë. Ndërsa ‘Koko Fest’, vazhdon menjëherë më 18 shtator me shfaqjen “Shtëpia pa dritare” e teatrit ‘Petro Marko’ në Vlorë, 19 shtatori sjellë shfaqjen “39 hapat” nga Teatri i Metropolit-Tiranë, më 20 shtator jepet shfaqja ‘Shfaqja që shkon mbrapsht’ nga Teatri Kombëtar-Shkup, më 21 shtator do të shfaqet ‘Tartufi’ nga Teatri ‘Migjeni’ në Shkodër.

E 22 shtatori është rezervuar për Teatrin Eksperimental të Tiranës duke sjellë shfaqjen ‘Ferma e kafshëve’ ndërsa festivali do të përmbyllet me shfaqjen nga Teatri Kombëtar i Kosovës ‘I ligu për mend’./ KultPlus.com

“Peer Gynti nga Kosova” do të shfaqet edhe në Shkup

Shfaqja „Peer Gynti nga Kosova“, nga Jeton Neziraj, në regji të Agon Myftarit, do të shfaqet në Shkup, në Qendrën Teatrore për Fëmijë (CTC), me datë 15 shtator, nga ora 20:00, shkruan KultPlus.

Në këtë shfaqje të Qendrës Multimedia nga Prishtina, luajnë aktorët: Tristan Halilaj, Donikë Ahmeti, Shpetim Selmani dhe Ernest Malazogu. Skenografia: Nicola Minssen, kompozitor: Gabriele Marangoni, kostimet: Yllka Brada, dramaturg: Stefan Schletter. Shfaqja do të jepet në gjuhën shqipe me titra anglisht.

“Peer Gynti nga Kosova” është rrëfim për një ëndërr të dështuar. I udhëhequr nga një shpresë e thjeshtë për jetë më të mirë dhe për të gjetur lumturinë, Peeri i ri, para luftës në Kosovë, niset për të kërkuar të ardhmen në ‘parajsën’ e quajtur Evropë./KultPlus.com

Ilire Vinca nominohet në “LPTW” në New York

KultPlus ka pasë eksluzivitetin e këtij nominimi qysh në dhjetor të vitit të kaluar, kurse ceremonia e kësaj ngjarje do të jetë më 23 tetor të këtij viti. Këtu mund të lexoni detajet për këtë nominim, që KultPlus pat botuar më herët.

Vlerësohet të jetë një ndër ngjarjet më të mëdha të teatrove në botë, dhe pikërisht në League of Profesional Thetare Women “LPTW”, në New York, ngjarje kjo që organizohet për çdo të tretin vit, në mesin e 20 femrave më të suksesshme anembanë rruzullit tokësor, është nominuar edhe aktorja kosovare Ilire Vinca.

E emocionuar për këtë nominim, që nënkupton që në të njëjtën kohë të jetë edhe finaliste e kësaj ngjarje kulturore, Ilire Vinca ka shpjeguar për KultPlus, për rëndësinë e këtij nominimi, pikërisht në 25-vjetorin e karrierës së saj prej aktoreje.

“Nuk e kisha menduar që puna ime do të mund të vlerësohej në këtë nivel, duke më radhitur në mesin e njëzet grave profesioniste të teatrit nga e gjithë bota”, ka thënë fillimisht Vinca, e cila planifikon që të jetë e pranishme në këtë ceremoni që do të mbahet më 23 tetor të këtij viti e ku janë nominuar femra të teatrove nga shtetet si Egjipti, Jordania, Tunizia, Anglia, Gjermania, Meksika, Australia, Rumania, Rusia… femra të cilat janë përzgjedhur në bazë të pesë kritereve nga organizatorët.

Dhe pikërisht duke kujtuar sfidat nëpër të cilat ka kaluar aktorja Vinca, ajo ndjehet e privilegjuar për këtë nominim, që e vlerëson si ogur të mirë për këtë fillimit.
“Në vende të vogla siç është Kosova të ushtrosh profesionin e artistit duhet të jesh i pajisur me kurajë dhe vizion, dhe të jesh gatuar me pasion. Gjatë punës sime dhe rrethanave të vështira nëpër të cilat kemi kaluar të gjithë, nuk kanë munguar asnjëra nga këto tipare. Kështu e quaj veten me fat që ëndrra dhe pasioni për të krijuar role e edukuar gjenerata të reja vazhdon, e madje rritet çdo ditë”, ka thënë Vinca.

Ajo ka shtuar se përtej kënaqësisë personale për këtë mirënjohje, është fakti që Kosova ka artistë të nivelit botërorë dhe çdo depërtim e mirënjohje përtej kufijve politikë e social, sipas saj, i mbajnë të mbërthyer, është sukses i shumëfishtë. Vinca ka shpjeguar se ky nominim përfshinë edhe panelin e diskutimeve me 19 gratë tjera të nominuara, ku për pesë ditë të qëndrimit do të ketë edhe plane pune, diskutime, sikurse edhe ide për bashkëpunim në të ardhmen./KultPlus.com

Dua Lipa lë prapa këngëtaret e njohura në Spotify (FOTO)

Këngëtarja me prejardhje shqiptare Dua Lipa, po vazhdon të qëndrojë në Top Listat botërore me këngën e saj të publikuar së fundmi ‘New Rules’.

Lipa, pasi që, la prapa Taylor Swift në chart-e, tashmë në listën e Spotify ka lënë prapa edhe Rihannan, Selena Gomezin dhe Nicki Minajn, shkruan KultPlus.

Kënga e shqiptares Dua Lipa, po vazhdon të dëgjohet mjaft shumë nga adhuruesit e saj e pikërisht këtë gjë e tregojnë edhe pëlqimet dhe klikimet që ajo merr nëpër faqe të ndryshme të muzikës./ KultPlus.com

Edhe dy ditë “Dita zë fill” me Gentian Koçin

Filmi artistik i metrazhit të gjatë “Dita zë fill”, me regji të Gentian Koçit do të prezantohet në kinemanë Cineplexx në Tiranë, pas premierës botërore në Festivalin e Sarajevës, ku prej atje solli edhe “Zemrën e Sarajevës”, për rolin më të mirë të aktores Ornela Kapetani, shkruan KultPlus.

Filmi do të shfaqet nga 14 shtatori në Tiranë, dhe kjo paraqitje mund të nënkuptojë që ky film mund edhe të propozohet nga Shqipëria për çmimin prestigjioz Oscar, në kategorinë e filmit të huaj.

Një nënë bashkë me foshnjën e saj vendosin të jetojnë me një grua të vjetër dhe të sëmurë. Kompromiset morale që njerëzit duhet ti bëjnë kur ballafaqohen me sfida ekonomike dhe ato të mbijetesës, sipas Koçit, janë të pranishme dhe trajtohen në filmin shqiptar që nuk ka shumë kohë lansimi në treg./KultPlus.com

‘Let’s Dance’ rikthehet në ndihmë të nënave dhe fëmijëve

Tashmë e shndërruar në një ngjarje tradicionale të përvitshme në skenën e filantropisë në Kosovë, ngjarja “Të vallëzojmë për nënat dhe fëmijët – Let’s Dance” rikthehet më 21 shtator 2017, në Duplex Premium në Prishtinë, duke filluar nga ora 20:00, përcjell KultPlus.

Ngjarja organizohet nga Fondacioni Aksioni për Nëna dhe Fëmijë dhe Crimson Capital falë mbështetjes së sponsorëve dhe publikut që beson në misionin e kësaj ngjarjeje bamirësie.

Disa nga aktivitetet që u mundësuan këtë vit me fondet e mbledhura nga Let’s Dance në shtatorin e vitit të kaluar janë: klinika e neonatologjisë pranë QKUK është furnizuar me 200 shishe të medikamentit Surfaktant, për herë të parë në Kosovë u soll medikamenti minastrin, janë blerë 5 monitorë kardiopulmonarë për fëmijë dhe janë hapur qendra informuese për shëndetin e gruas dhe klasat për nëna në Kaçanik dhe Prizren.

Gjithashtu, falë këtyre fondeve, Fondacioni ka arritur të avokojë që institucionet shëndetësore të zhvillojnë udhërrëfyesin nacional për transportin standard të foshnjeve nga spitalet rajonale për në Prishtinë. Një tjetër arritje është zgjerimi i ndërmarrjes sociale Teshavesha.

“Është emocionuese kur shohim që tashmë, Let’s Dance ka depërtuar në vetëdijen e publikut si një nga ngjarjet më të rëndësishme të bamirësisë në vend. Kur filluam me përgatitjet për këtë nismë tre vjet më parë, ekipi organizativ nuk e pati menduar se kjo ngjarje do të shndërrohej në një traditë të rëndësishme që prek jetët e qindra nënave dhe fëmijëve”, thotë Mrika Aliu, drejtoreshë ekzekutive e Fondacionit.

Ajo shpreh falënderime për përkrahësit e ngjarjes Let’s Dance, si sponsorët, ashtu dhe pjesëmarrësit dhe vullnetarët. “Për dy vite kemi siguruar shumën €56,065. Është shumë e konsiderueshme, shprehje e vullnetit të mirë dhe bujarisë së miqve tanë të shumtë”, vazhdon Aliu.

“Tashmë, ngjarja Let’s Dance nuk është thjesht një festë për të mbledhur fonde, por është shndërruar në një lëvizje të solidaritetit, bujarisë dhe bamirësisë për fëmijët dhe nënat në nevojë. Kjo ngjarje jep shpresë dhe promovon jetën”, përfundon ajo.

Mbrëmja Let’s Dance këtë vit mbahet me 21 shtator, në Duplex Premium, duke filluar nga ora 20:00. Çmimi i hyrjes është €30 për person dhe përfshin pije, ushqim dhe muzikë. Paratë e mbledhura nga biletat shkojnë të gjitha për financim të programeve. Biletat mund të blihen në këto pika: Crimson Capital, Teshavesha, Bon Vivant, Matisse, Green & Protein, Soma Book Station, Creme de la Creme, Hallakate, Bonzai dhe Babel./ KultPlus.com

Dua Lipa mposhtë Taylor Swift

“Look What You Made Me Do”, e cila u publikua në natën e VMAs, u kthye menjëherë në këngën më të komentuar e më të dëgjuar të momentit, duke kaluar edhe “Despacito”-n.

Kënga dhe videoklipi thyen edhe rekordet e mëparshme të vendosura nga Adele me “Hello” për klikueshmërinë dhe renditjen në chart-e.

“LWYMMD” u rendit në vend të parë në Britaninë e Madhe duke u kthyer në këngën e parë të Taylor Swift që arrin diçka të tillë. E duke qenë se para Taylor ishte Dua Lipa ajo që mbante vendin e parë, këngëtarja shqiptare kaloi një pozicion më poshtë.

Por Dua Lipa nuk fal, transmeton vizionplus. Ditën e sotme “New Rules” është kthyer sërish në vend të parë duke mposhtur Taylor Swift e duke e kaluar në vend të dytë./ KultPlus.com

“Tartufi” bën bashkë shqiptarët nga të gjitha trojet në skenën e teatrit “Migjeni” në Shkodër

Me 15 shtator në skenën e Teatrit “Migjeni” do të shfaqet komedia “Tartufi” nga Molieri në regji të regjisorit shqiptar nga Maqedonia, Kushtrim Bekteshi.

Një tekst i cili në thelb të kritikës së tij ka luftën ndaj hipokrizisë e fshehur në shumë shtresa shoqërore, si ato fetare, politike, akademike.

Regjisori i shfaqjes, Kushtrim Bekteshi shprehet se shfaqja ndodh sot dhe sa herë që të jepet ajo ndodh pikërisht atë ditë. Për drejtoreshën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, bashkëpunimi me regjisorin Bekteshi ka qenë shumë i mirë dhe sipas saj, shfaqja premton shume. Kostumografia e shfaqjes erdhi nga kostumografja e njohur e teatrit Samka Ferri, e cila ka mbi 40 vite karrierë në fushën e kostumografisë në teatër dhe në film kryesisht në ish-jugosllavi. Teksti ka pësuar adoptime të lehta, e ndërsa hipokrizia është një dukuri e rëndomtë në shoqërinë njerëzore. Besfort Berberi nga Kosova do luajë rolin e Tartufit, Elmira i është besuar aktores Kristi Lleshi, që janë edhe dy aktorët jashtë trupës permanente të teatrit “Migjeni”.

Ndërsa në këtë komedi janë pothuajse pjesa më e madhe e aktorëve të teatrit si Rita Gjeka, Merita Smaja, Pjerin Vlashi, Enver Hyseni, Jozef Shiroka, Simon Shkreli, Nikolin Ferketa, Sara Smaja, Kristjana Dodaj, si dhe figurantet Astrit Fani, Divni Gushta dhe Fritz Selmani. Komedia “Tartufi” sjell për herë të parë në Shkodër një bashkëpunim të gjerë kombëtar duke bashkuar gjithë trojet shqiptare, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi dhe do shfaqet premierë me 15 shtator në Teatrin “Migjeni” të Shkodër.

Molieri me “Tartufin”

Tartufi është personifikimi i hipokrizisë. Shpesh në jetën e përditshme, kur kemi të bëjmë me njerëz gënjeshtarë e hipokritë themi; “Ai është një Tartuf”. Hipokrizia është edhe problemi kryesor që trajtohet në këtë vepër. Te “Tartufi” historia është e thjeshtë. Orgoni, një aristokrat me emër dhe me reputacion të lartë në shoqëri, gënjehet nga Tartufi, një hipokrit e sharlatan, i cili shtiret si i shenjt e njeri fetar. Ai kërkoi t’i marrë pasurinë, shtëpinë e madje edhe gruan e tij të dytë. Orgonit i janë zënë sytë aq shumë, sa nuk e shikon dot se ç’njeri është Tartufi.
Por më në fund, Tartufi e zbulon fytyrën e vet mizore dhe është gati t’i marrë shtëpinë, por është “shpirtmadhësia” dhe “mençuria” e mbretit që shpëton Orgonin dhe familjarët e tij nga makinacionet dhe dredhitë që ishin përgatitur kundër tij. Fundi është një “Deux Ex Machina”, ku zgjidhja vjen nga mbreti. Me lajka të pabesueshme e pa lidhje me historinë e temat e veprës. Por, për Molierin, ka qenë e vetmja mënyrë që t’i shpëtonte censurës nga ana e kishës. Por, një fund i tillë nga ana e autorit, është një armë e mirë për të thënë disa të vërteta të realitetit, të aktualitetit tonë. A është problem “Hipokrizia” në këtë vend? Ka njerëz të tillë këtu? Vepra na bën thirrje të jemi të përmbajtur dhe të hapur. Të dëgjojmë e të shohim të tjerët, por edhe thellë brenda vetes sonë.(Shkruan SotNews)./ KultPlus.com

T’u rrojnë Kallakët e Mamaqët, se Hajria iku!

Nga Ilir Levonja

Nuk e di pse shqiptarëve u dhimbset kaq shumë ikja e Hajrie Rondos? Kemi kaq kollozër tani, sa, mjafton një Kallak a një Fevzi, a Mamaq…, ku di unë tjetër. Ia kemi kaluar edhe Hollivudit. Koha e kinemasë së Hajries ishte një kovaçanë.

Shkollë e këmbëzbathurve. E atyre që nuk dinin se si të lidhnin një papion. Hajria vetë, një e dënuar nga ai soj me një apartament një dhomë e kuzhinë. E dënuar t’i rishikohen rolet, përmbajtja.

Të transmetohen apo jo, filmat ku ka luajtuar? Ne kemi plot tashmë. Plot që shtrëmbërojnë surratin. Si e si të marrin me zor një të qeshur. Ku dinte Hajria ta bënte këtë.

Këta po, e kanë gojën plot me batuta bythësh, gjoksi, leshrash. Tu rrojnë fushatat, dhe ca kaseta të shtrydhura. Nuk kanë ngelur hapësirë të lirisë sonë pa e pushtuar. Hajria se kishte haberin e kasetave. Dilte në skenë ashtu zë jete. Fshatarkë origjinale. Kuadër origjinalë. Zyshë origjinale. Sekretare partie, origjinale. Harixhofkë origjinale.

Vjerrë e ligësht a nëpërkë, ashtu si ua ka qejfi të rejave moderne sot të quajnë mamatë e burrave, origjinale.

Ku e kishte Hajria haberin e veshjeve në modë. E koktejleve publike. A dasmave me porosi, të premten tek xhamllëku me farefisin. Të shtunën me shoqërinë tek Rogneri.

Hë e dini dasmën e Hajries? As mos e çoni nëpër mend. Kush është ajo, Bes Kallaku.? Hajria ishte aq, rrogën e pesëmbëdhjetëditshit. Pensionin sa për hape. Nuk e dini se çfarë janë hapet.

Aspirina, paracetamol. Kurse ju filluat nga çjerrjet në fejsbuk. Humbën këtë e humbëm atë. Humbje e madhe e artit. Filluat nga pëllitjet kolektive. Në një garë kolektive.

E kthyet me qejf Teatrin Kombëtar në teatër të shoqërisë, të pika eksperimenteve tuaja, tani e qani Hajrien. Lëreni Hajrien në prehjen e saj, se, ia shpifët së shkretës.

Nuk mbeti këmbë ministri, qeveritari, partiaku pa postuar këtë e atë. Këtë e atë gjoja dhimbje…, megjithëse nga ata tjetër nuk kanë asnjë politikë referuese a vepruese për kurimin a kujdesin e rasteve të tilla. Se shkollës së artit të Hajries ia bënë në kokë me karkalecat e skenës eksperimentale. Dhe ato pak thërrime që hedhin gjoja për investim, ua japin shokëve, dhëndurrëve, kunetërve. Ose i tregtojnë me përqindje interesi etj. Hajria një cope provinciale ishte.

(Shkruar në trysninë e Hurrican-it Irma)

Dje e kam vuajtur dhimbjen

Poezi e shkruar nga Alda Merini.
Përktheu: Skënder Buçpapaj

Dje e kam vuajtur dhimbjen,
nuk dija se kisha një faqe të përgjakur,
buzët prej metali të ashpër,
një mungesë të plotë horizontesh.
Dhimbja është pa të nesërme,
është një turi kali që bllokon
thembrat e fuqishme,
por dje kam rënë poshtë,
buzët e mia janë mbyllur
dhe tmerri ka hyrë në gjoksin tim
si një fishkëllimë e thellë
dhe burimet kanë pushuar së lulëzuari,
uji i tyre i rëndë
ishte veç një det dhimbjeje
ku fundosesha duke fjetur,
por edhe atëherë kisha frikë
nga engjëjt e përjetshëm.
Po nëse janë kaq të ëmbël dhe të përhershëm
pse palëvizshmëria më ngjall tmerrin?

Ulpiana Lama dekorohet me medaljen ‘Kalorëse e Urdhrit të Meritës’

Ulpiana Lama është dekoruar sot me medaljen ‘Kalorëse e Urdhrit të Meritës’, marrë nga Presidenca Franceze.

Lama është e para qytetare e Kosovës që e pranon këtë urdhër, këtë e ka shkruar vetë në rrjetin social Facebook ku edhe është falënderuar për këtë njohje të angazhimit e punës së saj.

“E kam të gjallë momentin kur mora kumtin për miratimin e medaljes “Kalorese e Urdhrit te Merites” prej presidencës franceze. Ishte pasdite, ne korrik, 10 muaj pas fillimit të procedurës.
Nuk lidhet gëzimi im vetëm me elementin e rrallësise: po, bëhet fjale për një nderim të lartë. Po, jam e para qytetare e Kosovës që e pranon këtë urdhër. Por sic e permendi edhe Ambasadori, lidhet me reconnaissance/ pranimin, njohjen e kontributit” ka shkruar Lama derisa ka postuar disa fotografi nga ngjarja e cila ka ndodhur sot.

Lama ka komentuar se si në formimin e saj personal kanë luajtur rol sidomos kultura dhe autorët e ndryshmëm francezë të cilët ajo i ka lexuar kohë pas kohe.

“Mesimi i gjuheve te huaja vjen ne menyra te ndryshme.
Per mua kane qene dy momente: nje në moshën 6 ose 7 vjecare kur mamaja ime me detyronte te bëja siesta dhe une bjerrja kohën duke shfletuar nje libër me ilustrime mahnitëse, në një gjuhë që nuk e njihja. Isha e intriguar te kuptoja c’shkruhej. Ime më më tregoi që ishte frëngjisht.
Momenti I dytë lidhet me kohën kur kryeja shkollën tetëvjecare dhe m’u desh te zgjidhja : mes rusishtes dhe frëngjishtes. Nuk e mendova asnjë cast… Dhe kurrë nuk jam penduar për zgjedhjen e bërë.Vizitova sot shkollen franceze te Prishtines. Femije- vajza e djem – qe mesojne prej klases se pare ne gjuhen frenge. Frengjishtja do t’u mundesoje atyre qe te hyjne ne komunikim me nje komunitet te gjere, shume te gjere, potencialisht prej 260 milione njerezish anembane botes. Frengjishtja do t’u mundesoje te shoqerohen, te dialogojne, te bejne humor, shkembejne ide, projekte, vlera.
Te ndertojne miqesi dhe aleanca qe do t’I sherbejne vetes dhe vendit. Kjo eshte historia e marredhenieve Kosove – Francë prej viteve 90 vecanerisht; politika e jashtme franceze eshte bërë gjithnje e me mbeshtetese ndaj Kosoves, fale zhvillimeve globale gjeopolitike po aq edhe lobimit nga kosovare frengjishtfoles, humaniste ne thelb- politikane e diaspore – qe percollen imazhin intelektualist dhe paqedashës.
Për fund, dua të kujtoj kuptimin tjetër të fjalës “reconnaissance” që lidhet me “gratitude”, mirënjohje: Ju jam mirënjohës që keni pritur prej meje më shumë sesa unë kam guxuar te imagjinoj.
Falemnderit!” ka vazhduar postimin Ulpiana Lama. / KultPlus.com

Edi Rama reagon ashpër rreth mbulimit të Shtatores së Skënderbeut në Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar pas 10 ditësh për ngjarjen e mbulimit të Skënderbeut gjatë faljes së namazit të Bajramit në sheshin kryesor të Tiranës. Rama ka reaguar ashpër por në një mënyrë më fine për t’u shprehur duke thënë se “njerëz që nuk maten as me zgjatimin e funbarkut të kalit të Gjergjit mbinë nga dheu për t’i bërë karshillëk historisë së tij, historisë sonë të fëmijëve tanë”

Rama qëndrimin e tij e ka shpalosur nga foltorja e Kuvendit ku ka dhënë “një paralajmërim të fortë, lidhur me atë që e ka quajtur kërcënim i shqipes dhe harmonisë fetare dhe përkatësisë evropiane të shqiptarëve”.

Duke iu referuar ngjarjes së fundit për mbulimin e Skënderbeut në shesh, gjatë festës së Kurban Bajramit, Rama tha se për këtë duhet një analizë e fortë dhe reflektuese.

“Në emër të shumicës qeverisëse ju shpreh sot të gjithëve, opozitës tradicionale apo sezonale, gatishmërinë tonë të ndërmarrim një nismë të përbashkët, tryezë të hapur që duhet të na bashkojnë. Shqipëria e bashkuar me Evropën, apo bashkimi kombëtar i shqiptarëve janë apo nuk janë paketë e bashkëpunimit tonë? Nuk po flas për Shqipëri të madhe por për një popull të vetëm shqiptar, që ka dy shtete, por është ende larg së qeni i lidhur në të drejta dhe detyrime, kompakt në qëllimet e mëdha. Edhe gjuha jonë sot, shqipe, gjuha e unifikuar shqipe është e kërcënuar, ca nga inercia e boshllëkut të arsimit në tranzicion, ca nga çodoria e pjellë prej tranzicionit që na shfaqet në forma shqetësuese marrëzie, si ishte ajo që përfshiu edhe heroin tonë kombëtar Skënderbeun. Njerëz që nuk maten as me zgjatimin e funbarkut të kalit të Gjergjit mbinë nga dheu për t’i bërë karshillëk historisë së tij, historisë sonë të fëmijëve tanë. Aq qesharak, ai episod kërkon analizë, reflektim, jo për perden që nuk e mbuloi monumentin, por me çfarë u shfaq duke e përdorur atë perde të montuar si embrioni i një krimbi kërcënues, për harmoninë fetare dhe përkatësinë evropiane të shqiptarëve”, tha kryeministri shqiptar. / KultPlus.com

Alban Muja prezanton veprën e re artistike në Bullgari

Është hapur kësisoj ekspozita “Migrations of Fear”, në Plovdiv të Bullgarisë.

Artisti kosovar Alban Muja është një ndër pjesëmarrësit e kësaj ekspozite, e cila u hap të enjten.

Në ekspozitën “Migrimet e frikës”, Muja ka zgjedhur të fotografojë ndërtesat e braktisura të kufirit, në shtetet anëtare të BE –së dhe të nxisë pyetje rreth vërtetësisë së ekzistencës ose mos ekzistimit të kufijve midis këtyre shteteve – shumica e të cilave ndajnë një të kaluar, shpesh një konflikt, por gëzojnë sot lirinë e lëvizjes me njëri-tjetrin, shkruan KultPlus.

Nga njëra anë, një ndërtesë kufitare është ende funksionale kur hynë nga një shtet jo-Shengen në një shtet Shengen. Nga ana tjetër, brenda vetë zonës së Shengenit, ndërtesa të tilla kufitare janë konfiskuar për t’i shërbyer ndonjë qëllimi tjetër. Për ata njerëz që janë të kufizuar nga liria e lëvizjes, ndërtesa të tilla përfaqësojnë shumë më tepër sesa vetëm një prani fizike – ato mund të sjellin kujtimet e refuzimit, vështirësive dhe dhimbjes dhe shumë njerëz sot zgjedhin të marrin rrugë të paligjshme për të kaluar ndarjet kufitare.

Azra Aksamija, Nika Autor, Lana Cmajcanin, Petya Dimitrova, Fanni Futterknecht, Emil Mirazchiev, Oliver Ressler, Kamen Stoyanov, Ute Richter, Borjana Ventzislavova, Mladen Penev dhe Clara Wildberger janë artistët tjerë që vijnë në këtë ekspozitë.

“Migrations of Fear” vjen si reagim ndaj situatës aktuale politike por edhe realitetit social në Europë. Vala e refugjatëve, sulmet terroriste, siguri minimale, krizë e skajshme humanitare, lëvizje djathtiste që po e dëmtojnë mirëqenien e qytetarit, po e bëjnë Evropën një vend të tmerrshëm për jetë. / KultPlus.com

Kroacia konfirmon pjesëmarrjen në Eurovizionin e vitit 2018-të (VIDEO)

Kroacia e ka konfirmuar sot pjesëmarrjen në Eurovizionin e vitit 2018-të.

Shteti fqinj ka marrë pjesë për herë të parë në Festivalin Evropian të Këngës – Eurovizion, në vitin 1993, ndërsa pozita më e mirë është vendi i katërt në finalen e vitit 1996 dhe 1999, shkruan KultPlus.

HRT, televizioni publik kroat sot e ka konfirmuar se do të jetë pjesëmarrës në garë, dhe kësisoj pas disa muajsh do të dihet përfaqësuesi nga ky shtet. Këtë vit, Kroacinë në Eurovizion e përfaqësoi këngëtari Jacques Houdek me këngën “My Friend”.

Në anën tjetër, Sllovakia sot ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në Eurovizionin e vitit 2018-të.

Sllovakia për herë të fundit ka marrë pjesë në Eurovizion në vitin 2012-të, dhe është një nga ato shtete që gjithmonë renditet dobët në toplistën finale. / KultPlus.com

Uta Ibrahimi arrinë në kampin 2 drejt majës Manaslu (FOTO)

Uta Ibrahimi e cila ka më shumë se dhjetë ditë që është nisë të pushtojë edhe Majën e Manaslu, ka arritë tashmë në bazën 2, shkruan KultPlus.

Vetë Uta Ibrahimi ka njoftuar për KultPlus se ajo tashmë ka arritë në kampin 2, në lartësi prej 6200 metrave lartësi, duke përshkuar kështu rrugëtimin e saj fillimisht në kampin bazë, pastaj në atë të parin, e tash është vendosur në kampin 2.

Maja në Manaslu është 8163 metra e lartë dhe është në dhjetëshen e majave më të larta të botës. kjo ngjitje në një ndër majat më të larta të botës është duke u mundësuar nga Shoqata Dajti, ajo e Pashtrikut, Frutomania, Komuna e Gjilanit, Birra Puka dhe Butterfly Outdoor Adventure./KultPlus.com

Dhjetë misteret dhe konspiracionet mbi sulmet e 11 shtatorit 2001

Dita e sotme shënon 15-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, që vranë 2977 njerëz në Nju Jork, Pentagon, dhe në një fushë të Pensilvanisë.

Sulmet dhe reagimi ndaj tyre i kanë dhënë formë politikës së Amerikës për 15 vitet e fundit, duke lënë pas një komb që është shumë më vigjilent dhe i shqetësuar për terrorizmin.

Megjithatë, pavarësisht gjithë atyre që fliten për 11 shtatorin, shumë elementë të sulmeve dhe veprimet çuan drejt kryerjes së tyre janë larguar prej kujtesës së publikut. Ja 10 gjëra që mund t’i keni harruar për 11 shtatorin:

1. Ne nuk e dimë se si rrëmbyesit hynë në kabinat e pilotëve të disa prej avionëve
Raporti i plotë i komisionit të krijuar për të hetuar sulmet, që u botua në vitin 2004, thoshte se askush nuk mund të përcaktojë se si rrëmbyesit qenë në gjendje të hynin në kabinat e katër linjave ajrore që rrëmbyen. Një stjuardesë që ndodhej në American Flight 11 “spekuloi se ata kishin” hyrë me forcë, duke shtyrë thuhej në raport. “Ndoshta terroristët kërcënuan me thika stjuardesat për të marrë një çelës të kabinës, duke detyruar një prej tyre që të hapte derën e kabinës, apo duke joshur kapitenin ose oficerin e parë që të dilnin nga kabina”. Pasi rrëmbyesit morën kontrollin e American Flight 11, ata e drejtuan për nga kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, ku goditën kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në orën 8:46 am. Të 81 pasagjerët, duke përfshirë pesë rrëmbyesit, dhe nëntë anëtarët e ekuipazhit, gjetën vdekjen, bashkë me një numër të panjohur njerëzish në kullë.

2. Pasagjerët dhe ekuipazhi në bordin e avionëve dhanë informata kritike
Ata që ndodheshin në avionët e rrëmbyer – American 11, United 175, American 77 dhe United 93 – u telefonuan familjarëve dhe miqve nga telefonat celularë, ose përdoren komunikimet me radio të avionit për të raportuar rrëmbimet. Kjo gjë alarmoi autoritetet për rrëmbimet dhe u mundësoi që të kuptojnë pse nuk mund të gjurmonin avionët, pasi sistemet e tyre të navigimit ishin fikur. American 77, i cili u nis aeroporti Dulles të Uashingtonit, u rrëmbye pranë Indianapolis dhe pastaj u kthye në drejtim të Uashingtonit. Destinacioni i tij: Pentagoni. Pasagjerja Barbara Olson, bashkëshortja e avokatit Ted Olson, telefonoi burrin e saj për të raportuar “se avioni ishte rrëmbyer, dhe rrëmbyesit kishin thika dhe hapëse kutish”. American 77 u rrëzua në Pentagon në orën 9:37 të paradites, duke vrarë 64 persona në bord, përfshirë pesë rrëmbyesit. Informatat e grumbulluara nga telefonatat nga stjuardesave dhe pasagjerëve u bënë të mundur hetuesve, që të kuptonin ngjarjet në bordet e secilit aeroplan dhe si kishin ndodhur rrëmbimet.

3. Ngarkesat e lehta të pasagjerëve ua bënë më të kollajtë manovrimin rrëmbyesve

American 11, i nisur nga Bostoni për në Los Angeles, kishte 81 pasagjerë në bord nga 158 të mundshëm, në bazë të raportit të 9/11 si dhe të dhënave të avionëve. United 175, i cili gjithashtu ishte nisur nga Bostoni për Los Angeles, kishte 56 pasagjerë nga 168 të mundshëm. Ky ishte një “faktor ngarkese” prej 33%, pra shumë më i ulët se mesatarja 49% për atë fluturim, sipas konkluzionit të një hetimi federal. American 77, ishte nisur për në Los Angeles nga Uashingtoni, kishte 58 pasagjerë, nga një kapacitet prej 176, sipas raportit të 9/11. United 93, i nisur nga Neuark, N.J., në San Francisco, kishte vetëm 37 pasagjerë, pra një faktor ngarkese prej vetëm 20%, që ishte shumë më poshtë se normalja, prej 52%.

4. Rrëmbyesi i munguar ua bëri më të lehtë pasagjerëve të United 93 që të hyjnë me forcë në kabinë
Ky ishte njëri prej katër avionëve të rrëmbyer, që nuk goditën objektivin e paramenduar, Kongresin e SHBA. Një pjesë e arsyes ishte se në avion ndodheshin vetëm katër, nga pesë rrëmbyes. “Terroristit që kishte si detyrë të mblidhte ekuipazhin e fluturimit, Mohamed al Kahtani, i ishte refuzuar hyrja në SHBA në aeroportin ndërkombëtar të Floridas, në Orlando, në muajin gusht”, thuhet në raportin e 9/11. Kur pasagjerët ishin vetëm disa sekonda larg marrjes së kabinës, rrëmbyesi që kishte kontrollin e rrëzoi avionin në një fushë të zbrazur në Shanksville, Pensilvani, vetëm 20 minuta fluturim larg Uashingtonit.

5. Qendra Botërore e Tregtisë kish qenë edhe më parë shënjestër
Qendra Botërore e Tregtisë në Nju Jork kish një status “ikonë” për terroristët edhe para 11 shtatorit. Në 26 shkurt 1993, një bombë e vendosur në një kamion të parkuar në parkingun nëntokësor të saj shpërtheu, duke vrarë gjashtë vetë dhe plagosur më shumë se 1000, thuhet në raportin e 9/11. “Vënia e bombës sinjalizoi një sfidë të re prej terroristëve, një të tillë, ku zemërimi dhe ligësia e tyre nuk kishin kufi”, thuhet në raport. “Ramzi Yousef, ekstremisti sunit që vendosi bombën, tha më vonë se kishte shpresuar të vriste 250 mijë njerëz.

6. Zv.Presidenti Dick Chenney urdhëroi që United 93 të rrëzohej
Para se pasagjerët të shkaktonin rrëzimin e United 93, zëvendës presidenti i asaj kohe, Dick Cheney, dha miratimin për planin e rrëzimit të avionit, para se të mund të mbërrinte në Uashington, thotë raporti 9/11. “Zëvendëspresidenti i autorizoi avionët luftarakë të godisnin”, thotë raporti. Megjithatë, raporti shton se avionët luftarakë të Forcave Ajrore ndoshta nuk do të kishin arritur United 93-shin në kohë. Ushtarake “Zyrtarët e ushtrisë kanë thënë vazhdimisht se, nëse pasagjerët nuk do të kishin shkaktuar rrëzimin e United 93, ushtria do ta kishte penguar që të arrinte në Uashington” thoshte raporti i 9/11. “Ky konkluzion është i bazuar në një version të ngjarjeve, që ne tani e dimë se është i pasaktë”.

7. Edhe plane të mëhershëm kanë shënjestruar avionë civilë
Ramzi Yousef, i cili vuri bombën në Qendrën Botërore të Tregtisë në 1993, kishte planifikuar një sulm masiv në 12 avionë civilë amerikanë mbi Paqësor, në vitin 1995, thuhet në raportin e 9/11. Yousef punoi me xhaxhanë, Khalid Sheikh Mohammed, për të planifikuar sulmet. Më pas, Mohammed do të bëhej truri i sulmeve të 11 shtatorit. Yousef u arrestua në Islamabad, Pakistan në 7 shkurt 1995, pasi një bashkëpunëtor e spiunoi.

8. SHBA bëri disa përpjekje për të vrarë Osama bin Ladenin, përpara 11 shtatorit
CIA dhe agjencitë e tjera zhvilluan një plan për të kapur Bin Ladenin në fillim të vitit 1998, thuhet në raport. Ky plan u vonua dhe më pas u rimor, por ai u pengua ga shqetësimet e disa zyrtarëve ushtarakë, në lidhje me mbështetjen tek udhëheqësit fisnorë afganë. Këshilltari i sigurisë kombëtare i asaj kohe, Sandy Berger ishte i shqetësuar në lidhje me atë që do të ndodhte me Bin Ladenin, nëse ai kapej dhe nëse provat kundër tij mund të çonin në një dënim penal, në një gjykatë të SHBA. Pasi ambasadat e SHBA në Kenia dhe Tanzani u bombarduan në 8 tetor 1998, Presidenti Bill Clinton autorizoi sulme me raketa kundër kompleksit të bin Ladenit në Afganistan. Ai mbijetoi, por u vra më vonë nga një ekip i Navy SEALs, në maj 2011.

9. CIA e paralajmëroi Presidentin Clinton, për sulmet e 11 shtatorit
Në 4 dhjetor 1998, raporti i përditshëm i CIA-s për presidentin, i thoshte Clintonit se “Bin Ladeni po përgatitej për rrëmbimin e avionëve në SHBA dhe sulme të tjera”. Plani, thoshte agjencia, ishte që të rrëmbeheshin avionët për të fituar lirimin e Yousef dhe terroristëve të tjerë, thotë raporti i 9/11. Por agjencia nuk kishte asnjë informacion të fortë, dhe rrëmbime nuk ndodhën. Gjatë dhjetorit të vitit 1998, zyrtarët amerikanë gjurmuan vendndodhjen e Bin Ladenit dhe u përpoqën për të zhvilluar një plan, që ta sulmonin me raketa të telekomanduara.

10. Arabia Saudite kishte lidhje të forta me rrëmbyesit
Kur doli raporti i 11 shtatorit në vitin 2004, 28 faqe material mbetën të klasifikuara dhe objekt spekulimesh të shumta. Ato faqe, të cilat u botuan në këorrik të këtij viti, tregonin lidhje të shumta të njerëzve pranë princit saudit Bandar, ish ambasador në SHBA. Dokumentat tregojnë “transferime parash nga familja mbretërore saudite, në drejtim të sauditëve që jetonin në SHBA dhe dy prej rrëmbyesve në San Diego. Dokumenti tregon edhe mbështetje të madhe për xhami në Kaliforni, të cilat kanë prirje të forta drejt radikalizmit islamik”. DOkumentat nuk u publikuan, për shkak se detajet që përmbanin nuk ishin konfirmuar, ose nuk tregonin të kishin lidhje me sulmet. 15 nga 19 rrëmbyesit ishin nga Arabia Saudite. /Bota.al / KultPlus.com

Mos më le

Tekst nga Jacques Brel
Përktheu Rozafa Kelmendi

Mos më le
duhet harruar
çdo gjë që mund të harrohet
tashmë e shkuar
të harrojmë kohën e keqkuptimeve
dhe kohën e humbur
duhet ditur si
të harrojmë orët
që ndonjëherë vrasin
me goditjet e pse-së
zemrën e lumturisë
Mos më le
Mos më le
Mos më le
Mos më le

Unë do të dhurojë
perla të shiut
të ardhura nga vendet
ku as shi nuk ka
do ta gërmoj tokën
deri pas vdekjes sime
për t’a mbuluar trupin
me ari dhe dritë
do të bëj një mbretëri
ku dashuria do të jetë mbret
ku dashuria do të jetë ligj
mbretëreshë do të jeshë ti
Mos më le
Mos më le
Mos më le
Mos më le
Mos më le

unë do të shpikë për ty
fjalë të pakuptimta
që do t’i kuptosh ti
ty do të flas
për të dashuruarit- atje
që u panë dy herë
me zemrat e tyre në flakë
unë do të rrëfej
historinë e këtij mbreti
që vdiq se nuk mundi
të të takoj ty
Mos më le
Mos më le
Mos më le
Mos më le
Shpesh kemi parë
zjarre që rindezen
nga vullkan i lashtë
që mendohej i shuar
Duket se ka
toka të djegura
që japin më shumë drithë
se më i miri prill
Dhe kur mbrëmja të vijë
dhe qiellin të përflakë
e kuqja dhe e zeza
a s’martohen dot
Mos më le
Mos më le
Mos më le
Mos më le

Mos më le
më nuk do të qaj
më nuk do të flas
do të fshehem unë
veç për të parë ty
duke vallëzuar e buzëqeshur
dhe për të dëgjuar
tek këndon dhe qesh
më ler të jem për ty
hija e hijes tënde
hija e dorës tënde
hija e qenit tënd
Mos më le
Mos më le
Mos më le
Mos më le

“Ne me quitte pas” (“Mos më le”) është këngë e vitit 1959 nga kantautori belg Jacques Brel.
https://www.youtube.com/watch?v=Vz6r0TP4FBI

Inva Mula, pas 27 vitesh rikthehet në operën “Peshkatarët e Perlave”

Opera “Peshkatarët e Perlave” e kompozitorit Georges Bizet, me regjisore dhe protagoniste soparanon me famë botërore Inva Mula, do të shfaqet premierë në 22 shtator në skenën e Pallatit të Kongreseve.

Në këtë premierë , që do të çelë sezonin e ri artistik të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, interpretojnë emra të njohur të skenës operistike shqiptare, por dhe të huaj. Me libret të Michel Carre dhe Eugene Cormon, dirigjent Zherar Akokanë, në këtë opera interpretojnë artistë të njohur të skenës shqiptare si baritoni Armando Likaj, sopranoja Ramona Tullumani, etj, ndërsa sopranoja Mula përveç regjisë do të luaj rolin e Lejlës.

Opera “Peshkatarët e Perlave” në vitin 1990 u vu në skenë nga regjisori Nikolin Gurakuqi, rolin e Lejlës e interpretoi Inva Mula. Më pas ky produksion u vu dhe disa herë të tjera në opera. Për herë të parë kjo opera u ngjit në skenën e TKOBAP në mars të vitit 1964. Me regji të Luigj Gurakuqit dhe nën dirigjimin nga Mustafa Krantja, kjo shfaqje u realizua me dekor dhe kostumografi nga Shaban Toptani. Mjeshtrat e skenës operistike shqiptare, që interpretuan në këtë vepër ishin Nina Mula, Ksanthipi Mullisi në rolin e Lejlës, Zihni Berati, Gaqo Çako, Maliq Herri në rolin e Nadir, Avni Mula, Ramiz Kovaçi, Hysen Kurti në rolin e Zurga, Lukë Kaçaj, Koço Timko në rolin e Nurabadi.

Kjo vepër është një nga më përfaqësueset e repertorit operistik botëror, i cili ruhet sot në fondin e jashtëzakonshëm të historisë së vënieve në skenën e TKOBAP. Opera ” “Peshkatarët e Perlave” do të shfaqet edhe në datat 24 dhe 25 shtator po në skenën e Pallatit të Kongreseve në Tiranë.

Vepra operistike “Peshkatarët e Perlave” është me tre akte. Ajo u dha për publikun francez më 30 shtator 1863. / KultPlus.com