“Shok” shfaqet të enjten në Akademinë Marubi

Me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Akademia Marubi në bashkëpunimin me Ambasadën e Kosovës në Shqipëri, do të shfaqin filmin “Shok”, shkruan KultPlus.

Me skenar dhe regji nga Jamie Donoughue, filmi ‘Shok’ është filmi i parë shqiptar i nominuar ndonjëherë në çmimet Oscar. Filmi “Shok” flet për një ngjarje të vërtetë gjatë luftës në Kosovë derisa dy shokë vënë në provë shoqërinë e tyre, gjatë luftës për mbijetesë.

“Shok” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, ndërsa në kohën prej njëzet e një minuta, sa zgjatë gjithsejtë ky film, luajnë edhe aktorët: Lum Veseli, Andi Bajgora, Melihate Qena, Luan Kryeziu, Astrit Kabashi, Xhevdet Jashari, Armond Morina, Aurita Agushi, Sunaj Raça, Eni Cani, Kushtrim Sheremeti, Fisnik Ademi, Besnik Krapi dhe Ardit Tahiri.

Publiku nga Tirana mund ta shohin këtë film këtë të enjte duke filluar nga ora 19:00, në Akademinë Marubi./ KultPlus.com

Pas idesë së Ramës për presidentin e përbashkët, Princi Leka sjellë një propozim tjetër

Pas deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama një ditë më parë për president të përbashkët Kosovë-Shqipëri, si simboli më i mirë i një uniteti mes dy vendeve, ka ardhur reagimi i Princit Leka.

Në një shënim në faqen e tij në Facebook, ai shkruan se bashkimi kombëtar është ëndrra e Familjes Mbretërore, por kjo realizohet vetëm me “Kurorën Mbretërore në dy shtete si simbol i këtij uniteti”.

“Bashkimi Kombëtar ka qenë, është dhe do të jetë ëndrra dhe përpjekja e Familjes Mbretërore brez pas brezi, madje edhe kur nuk guxonte askush tjetër ta artikulonte! Realizimi arrihet me Kurorën Mbretërore në dy shtete si simbol i këtij uniteti. Kjo do të ishte logjika e stabilitetit real, traditës dhe prosperitetit të vërtetë, siç e sugjerojnë shembujt e padiskutueshëm të suksesit në vendet më të zhvilluara”, shkruan Princi Leka, përcjell Insajderi./ KultPlus.com

Ekspozita ndërkombëtare “Fokus”, vjen në Galerinë Qahili

Galeria Qahili është nikoqire e Ekspozitës Ndërkombëtare të Fotografisë “FOKUS 2017”, që do të hapet këtë të enjte me fillim nga ora 19:00, shkruan KultPlus.

“FOKUS” konsiderohet si konkursi më i madh i fotografisë në trevat shqiptare që këtë vit po bartet nga Fieri në Prishtinë. Themeluesit e këtij konkursi janë artistët: Arben Alliaj dhe Saimir Ahmeti të cilët me shumë entuziazëm vazhdojnë këtë traditë, që nga themelimi i saj.

Kjo Ekspozitë është përzgjedhur nga kuratorët Burim Myftiu dhe Osman Demiri në bazë të përvojës së tyre artistike shumëvjeçare. Në këtë ekspozitë paraqiten 55 artistë të fotografisë nga 20 shtete.

Artistët pjesëmarrës në këtë ekspozitë janë: Avin Abassi – Iran, Andi Agaraj – Shqipëri, Burhan Ahmeti – Maqedoni, Dali Alili – Maqedoni, Ibrahim Aysil – Turqi, Ernest Baba – Shqipëri, Ergys Baki – Shqipëri, Ahmad Belbasi – Iran, Roland Beqiraj – Shqipëri, Fjolla Besimi – Kosovë, Goran Boricic – Montenegro, Fitim Bushati – Kosovë, Taras Bychko – Ukrainë, Enver Bylykbashi – Kosovë, Igor Coko – Serbi, Haris Calkic – Bosnjë dhe Hercegovinë, Alfredo Olivia Delgado – Spanjë, Mariposa Fa – Zvicër, Ardian Fezollari – Shqipëri, Ando Fuchs – Austri, Nima Ghari – Iran, Bardha Goga – Kosovë, Ahmed Hadrovic – Bosnjë dhe Hercegovinë, Damon Haghgoo – Iran, Afrim Hajrullahu – Kosovë, Besnik Hamiti – Kosovë, Arton Humolli – Kosovë, Rromir Imami – Zvicër, Dashimir Izairi – Gjermani – Maqedoni, Gani Jakupi – Francë – Kosovë, Eduina Jaupi – Shqipëri, Shukri Kaçaniku – Kosovë, Eliano Kalemi – Shqipëri – SHBA, Ognjen Karabegovic – Kroaci, Olga Karlovac – Kroaci, Andrea Kiss – Hungari, Artan Korenica – Kosovë, Halim Luta – Maqedoni, Ivano Mercanzin – Itali, Aleksander Mogilo – Bulgari, Olsi Qazimi – Gjermani, Vasil Qesari – Francë, Hazir Reka – Kosovë, Shkëlzen Rexha – Kosovë, Kaveh Safernejad – Kanadë, Fahredin Spahija – Kosovë, Naim Spahiu – Kosovë, Naim Shala – Kosovë, Burak Senbak – Turkey, Gent Shkullaku – Shqipërim Rozafa Shpuza – Shqipëri, Iden Temali – Shqipëri, Enea Veria – Shqipëri, Qerim Vrioni – Shqipëri, Maja Zlatevska – Maqedoni. / KultPlus.com

Sali Berisha: Rita Ora, mbretëresha e festës së 10-vjetorit të Pavarësisë

Rita Ora në ditën e Pavarësisë së Kosovës, mbushi të gjitha sheshet e Prishtinës, duke krijuar një atmosferë tejet festive për publikun kosovarë, shkruan KultPlus.

Ish- kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka shpërndarë një fotografi nga koncerti i Rita Orës në Prishtinë, ku ajo shihet e veshur me rroba kuq e zi.

“Rita Ora, mbretëresha e festes se 10 vjetorit te Pavarësisë”, ka shkruar ish- kryeministri Sali Berisha.

Po ashtu kujtojmë se Rita Ora, ka kënduar edhe në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 2012./ KultPlus.com

Ekspozita “Komunizmi në epokën e tij” hapet sonte në Tiranë

Në prag të 27 vjetorit të rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës, që shënon simbolikisht rënien e diktaturës në Shqipëri, hapet në Tiranë ekspozita “Komunizmi në epokën e tij”, shkruan KultPlus.

Ekspozita do të hapet sonte duke filluar nga ora 18:00 në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Autori i ekspozitës është historiani gjerman, Gerd Koenen. Kjo ekspozitë është përgatitur nga Fondacioni Federal për Studimin e Diktaturës në Gjermaninë Lindore dhe prezantohet për herë të parë në Shqipëri në bashkëpunim me Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC).

Ekspozita “Komunizmi në epokën e tij” jep mundësinë për të njohur zhvillimin dhe përhapjen e komunizmit në botë, si dhe synon të nxisë reflektimin dhe përballjen e shoqërisë shqiptare me të kaluarën e saj. Ngritja dhe rënia e luminizmit në shekullin XX, vjen si nevojë për t kuptuar se historia që Shqipëria përjetoi për rreth 45 vite nuk ishte dhe aq e ndryshme nga ato që përjetuan vendet e tjera te bllokut komunist.

Ekspozita përfshin 25 postera, me mbi 200 foto historike, dokumente dhe “kode QR” të lidhura me materiale filmike në internet. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 28 shkurt.

Prezantimi i ekspozitës do të jetë në dispozicion nga muaji mars 2018 si një set i posterave në formatin DIN A1 dhe mund të porositet në [email protected].

Më 20 shkurt të viti 1991 u rrëzua dhe u kthye shtatorja e Enver Hoxhës, ky gjest popullor shembi përfundimisht heshtjen përballë përndjekjes shtetërore dhe nxiti përshpejtimin e ndryshimit të sistemit./ KultPlus.com

Nezir Kraki: Kosova s’guxon të kënaqet me ecje, duhet vrapim

Në Universitetin e Gjenevës, sot duke filluar nga ora 18:30 do të mbahet një konferencë kushtuar Kosovës dhe sfidave te saj në 10 vjetorin e pavarësisë. Ligjërues do të jetë profesori shqiptar në Paris, Nezir Kraki.

Nezir Kraki në një prononcim për KultPlus, ka treguar se do të diskutohet dekada e parë e Kosovës si shteti i pavarur dhe demokratik.

“Në dekadën e parë si shtet i pavarur, Kosova ka arritur ta dëshmojë ekzistencën e saj si në rajon ashtu edhe në botë. Megjithatë, për arsye politike kryesisht të brendshme, ekzistenca e Kosovës si shtet serioz nuk ka shkuar deri në pikën e shpresuar. Ngecjet në bisedimet e pamenduara mirë me Serbinë kanë bërë që shumë shtete ta shohin çështjen e Kosovës si të pambyllur. Kjo na ka kushtuar pastaj me vonesa në rrugën e integrimeve sepse sikur u rihapen tema për të cilat ishte rënë dakord më herët”, është shprehur Kraki, për KultPlus.
Tutje ai thotë se ngërçet politike dhe qeveritë pa programe konkrete zhvillimore kanë bërë që shpresa për rimëkëmbje të zbehet, sidomos tek rinia.

“Në njëfarë formë, tranzicioni u tejzgjat nëse e marrim edhe periudhën e UNMIK-ut plus 10 vite pavarësi. Tash e tutje Kosova s’guxon të kënaqet me ecje, duhet vrapim, vrapim sprint madje për t’i zënë hapat e pabëre. Duhet që urgjentisht t’i ofrohet shpresë dhe dritë në fund të tunelit gjeneratës së parë të pasluftës. Nëse edhe ata zhgënjehen, atëherë ndërtimi i shtetit konsiderohet dështim total. Pavarësinë e kemi, duhet ta bëjmë shtetin”, përfundoi ai për KultPlus./ KultPlus.com

Sylvester Stallone përsëri pre e lajmeve të rrejshme

Lajmet e rrejshme se Sylvester Stallone ka vdekur kanë filluar që të shfaqën përsëri 18 muaj pas shfaqjes së tyre për herë të parë, përcjellë KulPlus.

Përdoruesit e Facebook-ut kanë marrë lajmin në vitin 2016, se Sylvester Stallone ka vdekur në shtëpinë e tij në LA. Disa ditë më parë, një lajmë i rrejshëm, në lidhje me vdekjen e tij ka filluar që të qarkullojë përsëri nëpër rrjete sociale. Lajmi i ri, i rrejshëm thotë së aktori i njohur ka vdekur nga kanceri në prostatë.

Me të parë reagimet e publikut, Sylvester Stallone, ka reagua duke e publikuar një fotografi së bashku me boksierin e njohur rus, Sergey Kovalev./ KultPlus.com

Letra e Ali Podrimës drejtuar Dritëro Agollit: Kam një parandjenjë të çuditshme se Kosova do të na bëhet një Çamëri e re

Poeti i madh kosovar Ali Podrimja, ka përdorur penën e tij për t’i shkruar disa letra shkrimtarit dhe deputetit, Dritëro Agollit në vitet e 90-ta, shkruan KultPlus.

E bija e Dritëro Agollit, Elona Agolli dje i ka publikuar këto letra, të cilat thotë se i kanë dhuruar një ndjesi të dhimbshme. Më anë të letrave, Pordimja i kërkon Agollit që të ngrit zërin më tepër për çështje kombëtare.

KultPlus ju sjellë një letër të poetit Ali Podrimës, drejtuar shkrimtarit të madh Dritëro Agollit. Letra është shkruar më 15 maj të vitit 1992:

I dashur Dritëro

Unë nuk i zgjedh miqtë sipas partive , por sipas bindjeve kombëtare. E di kahmoti se brenda mundësive të tua ke bërë çmos për çështjen kombëtare . Kurrkush nga ne nuk jemi fajtorë për një të kaluar të zezë. Fajtorë janë ata që e mashtruan popullin.

Mik i dashur, nuk dua të më keqkuptosh por as në Kosovën e okupuar nuk kam mundur të has në aq emra sllavë sesa në Shqipëri: Ç’u deshën ata emra; ç’u deshtë të heqim dorë shpesh nga një pjesë më e shndritshme e historisë sonë. Ne bre, nuk jemi popull qysh nga dje; neve na vjen era lashtësi. Më bëhet se çdo pjesë e trupit tonë na është një degë apo rrënjë e nënës tokë.

I dashur Dritëro , nuk ka ditë që nuk e dëgjoj Radio Tiranën dhe di çdo gjë që po ndodh atje. Mbasi të konsideroj për mik shtëpie, e kam një lutje vëllazërore. Më duket se ti je më i vjetri në Parlament. Kam dëshirë që fjala jote të dëgjohet më shpesh në të mirë të çështjes kombëtare. Harroni , burra , njëherë e përgjithmonë ndasitë partiake , kthehuni çështjes kombëtare. A shihni , po digjet Ballkani e ne ende merremi si fiset afrikane ? A keni sy në ballë ju atje në Parlament , se qenia kombëtare duhet të rimëkëmbet dhe nacionalizmi ( e kam fjalën për atë pozitiv e jo për shovinizëm ) të bashkojë popullin kryepërkrye. Njëherë është ngritur Shqipëria, por nga ndasitë tona ajo mund ta pësojë. Dhe nuk është koha më e Ismail Qemalëve dhe Isa Boletinave.

I dashur Dritëro, kam një parandjenjë të çuditshme se Kosova do të na bëhet një Çamëri e re. Të lutem, si vëlla e koleg të pendës, ndërtoni një Parlament vërtet demokratik ku i vjen era shqiptari, zgjidhini çështjet kontestuese në mes vetit si vëllezër të një nëne e gjaku, mos lejoni në përçarjet e juaja të përfitojnë fqinjët tanë primitivë.

E kam edhe një lutje: Radiostacionet e Kukësit, e Shkodrës dhe të Korçës t’i forconi në maksimum për hir të fëmijëve në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Te ne asgjë më nuk funksionon. Deri në themel i kanë rrënuar barbarët. Ngrite zërin edhe për këtë se të ka hije. Ty më shumë se të gjithë deputetëve të tjerë; ti je autori më i dashur i atyre fëmijëve, që vdesin çdo ditë para tytave të agresorit, e nëpër bodrumet e ndota, duke kërkuar një kore bukë.

Dhe kur të dëgjoj se Ti e ke marrë flamurin në dorë; se Shqipërinë nuk e sheh brenda kufijve administrativë, më e lehtë do të më duket vdekja!
Përmes Teje, ua bëj apel edhe intelektualëve të tjerë shqiptarë, pa dallim partie e ndasie, të ngritni zërin kudo dhe kudo të jeni të pranishëm.
Nuk ka gjë më të poshtër kur krijuesi nuk është në anën e popullit dhe kur nuk e ngrit zërin për ata që luftojnë për dinjitet kombëtar dhe njerëzor.

I dashur Dritëro, unë kam besim të madh në fjalën tënde. Po Lidhja e Shkrimtarëve ç’bën? Në mjedise evropiane shkrimtarët janë motor i çështjes kombëtare. Pse të mos jetë edhe Lidhja Juaj , më aktive , më e gjallë dhe më e zëshme?

Çdo të mirë Ty dhe familjes , ju kujton

Ali Podrimja

Ruairí O’Connell: Zemërarta, Rita Ora (FOTO)

Gjatë vizitës së saj për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Rita Ora ka ndarë kohë për tu takuar me Feride Rushitin dhe Kadire Tahirajn, aktiviste që mbështesin të mbijetuarit e dhunës seksuale në kohën e luftës, në një aktivitet të pritur nga ambasadori britanik Ruairí O’Connell.

“Stigma vazhdon të dëmtojë të mbijetuarit të cilët shpesh janë të larguar nga shoqëria. Rita tregoi se bota kujdeset për to, dhe dëgjon atë që ato kaluan”, janë fjalët e shkruar nga Ambasada e Britanisë në Kosovë.

Kurse Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell është shprehur se Rita është zemërartë.

“Rita Ora nuk është vetëm një nga njerëzit më të talentuar të gjeneratës së saj. Ajo ka një zemër prej ari, dhe ajo la përshtypje të mira që do kujtohen gjatë nga të mbijetuarit e dhunës seksuale që ajo takoi sot. Jam krenar që i kam ndihmuar t’i takoj”, është shprehu ai./ KultPlus.com

Aktorët kosovarë në premierën e filmit “Kiem Holijanda” në Berlinale

Në Festivalit prestigjioz Berlinale gjendet edhe ekipi kosovarë i filmit “Kiem Holijanda”. Ata kanë ndarë një fotografi me publikun nga premiera e filmit e cila u dha dje.

Arbresha Grabovci Nixha, vëllezërit Andi e Florist Bajgora si dhe regjisorja Sarah Veltmeyer janë duke marrë pjesë në festival pasi që filmi i tyre “Kiem Holijanda” është shfaqur në kuadër të programit Generation 14plus në Berlinale – Festivalin e Filmit në Berlin, shkruan KultPlus.

Andi dhe Floristi jetojnë në një fshat të varfër në Kosovë. Duke shitur qumësht ata mbajnë familjen. Filmi 14-të minutësh vazhdon me historinë e Floristit i cili aspiron të udhëtojë për në Holandë.

Filmi në fjalë ka për regjisore Sarah Veltmeyer nga Holanda dhe është një nga 16-të filmat në këtë kategori, shkruan KultPlus./KultPlus.com

Filmi “Martesa” do të shfaqet në Norvegji

Filmi i metrazhit të gjatë “Martesa”, më regji të Blerta Zeqirit do të shfaqet në “Kosmorama International Trondheim Film Festival” në Norvegji, shkruan KultPlus.

Në këtë film që shtjellohet dashuria nëpërmjet një trekëndëshi, me rolet e tyre luajnë aktorët: Adriana Matoshi, Alban Ukaj e Genc Salihu. E gjithë ngjarja shtjellohet, para dhe gjatë martesës së Bekimit me Anitën, e cila nuk është në dijeni se Bekimi është ende në dashuri me shokun e tij më të mirë Nolin.

Filmi do të shfaqet në fillim të muajit mars më datë 7, 8 dhe 11 mars./ KultPlus.com

116 fidanë për 116 shtete që kanë njohur Kosovën

116 fidanë të cilët simbolizojnë shtetet të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës janë mbjellë dje paradite në Prekaz, përkatësisht në Kompleksin Memorial Adem Jashari.

Teksa pllaka me emrat e pesë shteteve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur ende Kosovën janë vendosur si ftesë që këto të fundit ta njohin sa më parë pavarësinë e vendit.

Ndërkaq, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj përmes këtij aktiviteti shfrytëzoi rastin që në 10 vjetorin e pavarësisë të Kosovës të ftojë vendet që nuk e kanë njohur ende Kosovën, t’i bashkohen 116 shteteve tjera, transmeton ksp.

Sipas saj, Kosova po dëshmon se është për paqe dhe stabilitet, andaj pritet që shumë shpejt edhe pesë vendet e tjera anëtare të BE-së ta njohin shtetin e Kosovës.

“Për nder të 10 vjetorit të pavarësisë të shtetit ne kemi vendosur që të bëjmë mbjelljen e 116 fidanëve, në shenjë simbolike për shtetet që e kanë njohur vendin tonë. Gjithashtu kemi bërë hapësirat gati edhe për të gjitha shtetet tjera që nuk e kanë njohur Kosovën, sidomos 5 shtetet e BE-së. Kosova është pjesë e Evropës, andaj ne nga ky vend i bëjmë thirrje të gjitha shteteve që nuk na kanë njohur që ta njohin sa më parë që është e mundur Kosovën sepse Kosova po e dëshmon se është për stabilitet, për paqe në rajon dhe këtë nuk mund ta mohojë tashmë askush. Presim që shumë shpejt këto shtete ta njohin vendin tonë”, tha ajo.

Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari tha se vet organizimi i këtij aktiviteti në Prekazin heroik, dëshmon rëndësinë e madhe historike që kjo pjesë ka për shtetin e Kosovës.

“Vet simbolika e vizitës së ministres, ministrit të Maqedonisë dhe ambasadorëve, tregon rëndësinë e veçantë që ka ky vend për shtetin tonë të Kosovës që ne dje dhe sot po festojmë në vazhdim 10 vjetorin e shtetit tonë”, theksoi ai.

Të pranishëm në këtë aktivitetet ishin edhe ambasadorë e përfaqësues të shteteve që e kanë njohur Kosovën, si të Finlandës, Italisë, Hungarisë e Maqedonisë.

Ministri i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor të Maqedonisë, Sadulla Duraku, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë, theksoi rëndësinë që ka ky aktivitet simbolik në përkujtimin dhe nderim të dëshmorëve.

“Simbolika e mbjelljes së fidanëve në tokën që u derdh gjaku dhe u ujit kjo tokë. Shpresojmë që këto fidane të rrezatojnë në të mirë të njerëzimit”, u shpreh ai.

E këtij aktiviteti i është bashkangjitur vullnetarisht Let’s do it Kosova, ku vullnetarë të kësaj organizate kanë ndihmuar Hortikulturën në mbjelljen e fidanëve./ KultPlus.com

MPJ me dy libra për deputetët nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë dhe vendimin e GJND-së për Kosovën

Ministria e Punëve e Jashtme është bërë shtëpi e përbashkët e ish-deputetëve nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë dhe përfaqësuesve të vendit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë gjatë një pritje të veçantë, që u organizua në ambientet e kësaj Ministrie dhe me praninë e mysafirëve të shquar ndërkombëtarë që nderuan Kosovën me pjesëmarrjen e tyre në shënimin e dhjetë vjetorit të Pavarësisë së vendit.

Siç njofton komunikata e kësaj ministrie, arsyeja kryesore e kësaj ngjarje ishte botimi i dy librave: I pari mbi deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, respektivisht deputetët nënshkrues të saj, ndërsa i dyti për Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Ndërsa po dorëzonim në Kongresin Amerikan një kopje të Deklaratës sonë të Pavarësisë me Presidentin Thaçi, po mendoja: pse të mos kemi në një botim të mëvetshëm të këtij Akti Solemn, Procesverbalin e asaj Seance dhe biografitë e shkurtra të secilit deputet? Kësisoj lindi ky botim, i cili në dhjetëvjetorin e Pavarësisë sonë, është një lloj shenje nderuese, përkujtuese, për atë vepër të madhe të shumë brezave të kosovarëve, nëpërmjet rezistencës paqësore, luftës së armatosur, e cila kulmoi me Deklaratën për Pavarësi. Nëpër rafte librash, si dhuratë, si referencë ky libër i vogël, por që peshon shumë do të mbetet pavarësisht jetës sonë dinamike shtetërore apo individuale. Disa ngjarje të posaçme historia nuk ka forcë t’i shlyejë. Sepse ato bëjnë historinë. Deklarata e pavarësisë bëri historinë moderne të Kosovës”, ka thënë Pacolli.

Në ndërkohë, sa i përket botimit të librit të në lidhje me vendimin e GJND-së mbi Kosovën kreu i diplomacisë kosovare është shprehur si në vijim:

“Ky botim është konceptuar si dhuratë për miqtë tanë të huaj, me te cilët takohemi në aktivitetin tonë të dendur lobues, dhe jo vetëm. Kësisoj ne tregojmë se vullneti i popullit të Kosovës, ashtu si e kërkonte dhe Vendimi i Përbashkët i vendeve të Grupit te Kontaktit në 2006, është vendim legal. Ne donim me këtë rast t’i bëjmë homazh ekipit Mbrojtës të Kosovës në atë Gjykatë: paraardhësit tim, Skender Hyseni; kryetares së Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit, Vjosa Osmani dhe juristit Qerim Qerimi, ashtu si dhe eksperteve të tjerë të huaj”, ka thënë në fund Pacolli.

Rita Ora thyen rekord me më së shumti pozita në top 10-she si artiste

Rekordi është mbajtur më parë nga dy artistet britanike, Petula Clark dhe Shirley Bassey për 30 vite. Kjo nënkupton që Rita tashmë është pjesë e këtij rekordi duke ju bashkangjitur artistëve të cilat po ashtu kanë qenë 12 herë në top 10-she, shkruan KultPlus.

Këtë javë në top listat e muzikës në Britani, një këngë e re ka hyrë në këtë garë, është pikërisht kënga “For You” e kënduar nga Rita Ora dhe Liam Payne. Meritat për këngën “For You” e cila është kolonë zanorë në “Fifty Shades”, ju takojnë të dy këngëtareve mirëpo kjo radhitje ka një vlerë të veçantë për Rita Orën. Pasi që sipas të dhënave zyrtare ajo është pjesë e grave, këngëtare të cilat kanë arritur më së shumti top 10-she si soliste në Britani.

Ajo tashmë radhitet së bashku me vokalistet: Petula Clark dhe Shirley Bassey. Tri këngëtaret kanë arritur që të fitojnë disa herë vendi në top 10-she. Por Clark dhe Bassey kanë siguruar vendin e tyre në histori, dhe nuk besohet që ato do të rikthen për të kënduar. Kurse në anën tjetër Rita është gati për të lansuar albumin e saj të ri, dhe ajo akoma mbetët ndër artistët e preferuar në Britani. Kështu që ajo ka shumë gjasa që të kaloj Clark dhe Bassey duke hyrë përsëri në top 10-she në vitet ne vazhdim.

Vitin e kaluar këngëtarja ka pasur katër këngë pjesë e kësaj top-listë: Your Song (vendin e shtatë), Lonely Together (më Avicii, vendin e katërt), Anywhere (vendin e dytë) dhe For You (vendin e tetë). / KultPlus.com

The Telegraph: Elbenita Kajtazi kontaktin e parë me operën e pati përmes You Tube

Sopranoja Elbenita Kajtazi ka qenë pjesë e gazetës prestigjioze britanike “The Telegraph”, me anë të një shkrimi është përshkruar në pika të shkurtra rrugëtimi i saj artistik, shkruan KultPlus.

Lidhur me sopranon kosovare, shkruhet se rrugëtimi i saj deri në nivelin e tanishëm, nuk ka qenë aspak i lehtë. Këtu përfshihet fëmijëria e saj gjatë luftës me Serbinë dhe jeta e saj si refugjate.

“Shumë prej tyre janë përpjekur shumë për të arritur deri këtu: 27-vjeçarja kosovare Elbenita Kajtazi, një bukuroshe flokëzezë, u rrit gjatë luftës së tmerrshme me Serbinë dhe kaloi shumë nga jeta e saj e hershme si një refugjate në Shqipëri”, shkruhet në artikullin e gazetës “The Telegraph”.

Tutje gazeta ka treguar për kontaktin e saj me operën.

“Kontakti i saj i parë me operën ishte përmes dëgjimit të Maria Callas në YouTube dhe ajo nuk është kthyer prapa që prej asaj kohe – gjatë katër viteve të fundit ajo ka nënshkruar kontratë me shtëpitë e operës gjermane dhe tani po punon në ansamblin rezident në Operën shtetërore të Hmburgut. Ardhja në Glyndebourne do të jetë udhëtimi i saj i parë në Britani, kurse deri tani ajo e ka pasur të pamundur marrjen e vizës “, shkruhet tutje në këtë shkrim. / KultPlus.com

Propozimi i ri për emrin e Kosovës

Nga Elena Kocaqi

Emri Kosovë është një emër sllav që u vendos krahinës shqiptare Dardane, nga Osmanët me insistimin rus në emër të pansllavizmit, në fillim të shekullit te XIX dhe nuk ka asnjë lidhje me shqiptarët. Ky emër është sllav dhe në botën sllave ka mbi 20 emra vendesh Kosovë, të cilat listohen më poshtë.

Kosova, duhet të quhet Dardani sepse:

1. Dardani është një emër historik shqiptar dhe tepër i vjetër që po ti referohemi mitit Dardani është djali i Pellazgut me princeshën Atlantidase Elektra.

2. Emri Dardan dhe Dardanët dalin që në betejën e Kadeshit në 1272 para erës sonë. Pra është një emër i dokumentuar prej 3290 vjetësh, ndërsa Kosovë është një emër sllav pa asnjë lidhje me shqiptarët, i vendosur në shekullin e XIX, nga rusët për të ngritur pretendimet serbe mbi një territor që me gjasë ishte serb për shkak të emrit. Dardani është emri më i vjetër Ilir i dokumentuar.

3. Dardani është quajtur Troja, nga ku Dardani nga Ballkani ka pas shkuar në Trojë që njihet një nga qytetërimet me të lavdishme të botës.

4. Dardan ishte Ene Dardanidi që themeloi Romën

5. Dardan ishte Briti që themeloi Londrën dhe Anglinë nga linja e Ene Dardanidit

6. Dardan ishte Konstandini i Madh perandori i Romës, Justinian i Madh perandori i Bizantit e shumë të tjerë.

Te kesh një emër kaq te madh dhe kaq te lavdishëm dhe te mbash një emër sllav për emërtim shteti dhe tash me ca disa të çmendur e anti-shqiptare ti quash shqiptarët komb kosovar, është jo vetëm teori serbe dhe pan sllaviste qe synon ngadalë ngadalë të largoi shqiptarët nga etnia e tyre, gjë që Serbi se beri dot as me zjarr e hekur, por një teori qe bie ndesh me te vërtetën historike.

Nëse ky emër do vazhdoj të përdoret, Serbia do te pretendoj gjithmonë qe ai vend edhe nga emri i përket asaj, paçka se ky emër është vendosur artificialisht nga ambasadori rus në Stamboll.

Ta fillojmë nga vetja që të mos përdorim në statuset në facebook emrin Kosovë por Dardani. Unë e kam filluar që para 9 vitesh kur i vura emrin djalit tim Dardan. Pastaj të imponohet ndryshimi politikë.

Edhe nëse do ketë një bashkim të Dardanisë me Shqipërinë, krahina duhet ta ruaj emrin, ashtu si Maqedonia dhe Epiri shqiptar, pasi këto janë tre emrat më të lavdishëm në historinë botërore që ju përkasin vetëm shqiptarëve dhe ua kanë vjedhur të tjerët dhe më e keqja nga të gjitha po ia mohojmë vetes.

Vendbanime sllave me emrin Kosovë si më poshtë:

Belarus: “Kosovo”
Bosnia and Herzegovina: “Kosova”
Bulgaria: “Kosov”, “Kosovo” = 3 vende
Croatia: “Kosovo”
Czech Republic: “Kosov” . “Kosova Hora”
Estonia: “Kosova”
Macedonia: “Dolno Kosovrasti” “Kosovo”
Poland: “Kosóë Lacki”
Russia: ka kater vende “Kosov”, “Kosovka” , “Kosovo”
Slovakia:”KoKošovce”
Slovenia: “Kosovo” (Ljubljana (Kosovo Polje))
Ukraine: “Kosov” “Kosovka” “Kosovscyna”
Shqiptarët ka ardhur koha të mbajnë identitetin e tyre të vërtet.

“The Sun”, artikull të gjatë për koncertin e Rita Orës në Prishtinë

Gazeta britanike “The Sun” nuk ka lënë pa i kushtuar një artikull të gjatë këngëtares shqiptare me famë botërore, e cila të shtunën mbrëma performoi në Prishtinë.

Ardhja e Rita Orës në Kosovë dhe koncerti i mbajtur për nder të 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka bërë që “The Sun” ta japë një historik të shkurtër për jetën e këngëtares.

“Këngëtarja ishte ftuar të performojë në një koncert për ta shënuar 10 vjetorin e pavarësisë së shtetit ku ajo ka lindur. Ajo bashkë me familjen e saj ishin detyruar ta lëshojnë vendin për shkak të luftës, kur këngëtarja kishte më pak se një vjet. Teksa fliste para koncertit, 27 vjeçarja tha se “ka qenë një udhëtim i gjatë për të arritur deri këtu dhe mendoj se vendi im sapo ka nisur një rrugë të mrekullueshme për shtetin e vet”.Ylli që e la vendin në vitin 1991, mblodhi njerëzit në qendër të kryeqytetit, në Prishtinë ku edhe u mbajt koncerti”, shkruhet në artikull.

“The Sun” e përshkruar Ritën si shumë energjike në skenë.

“Në skenë ajo u tregua shumë energjike, duke kënduar hitet e saja, teksa të veshur kishte një kostum kuq e zi. Rita, e cila është në një lidhje me muzicientin Andrew Watt, atë ditë në Prishtinë ka takuar edhe kryeministrin Ramush Haradinaj”, thuhet në artikull.

Periudha e fundit ka qenë shumë e zënë për Ritën, meqë ylli është inkuadruar edhe në filmin Fifty Shades Of Grey, ku e luan rolin e motrës së Christian-it, e cila quhet Mia./ KultPlus.com

Media e huaj vjen në Kosovë me dy flamuj, reagimet e kosovarëve të rrëqethin trupin (VIDEO)

Në ditën e Pavarësisë së Kosovës, të shumtë kanë qenë ata që kanë diskutuar çështjen e flamurit. Për këtë, në Prishtinë ka qenë prezent dhe media e huaj “TRT World”.

Me dy flamuj në duar, atë kuq e zi të Shqipërisë dhe atë të kaltër e të verdhë të Kosovës, gazetari ka pyetur qytetarët se kush është flamuri i tyre.

Mirëpo, përgjigjet e disa prej tyre, sidomos atyre më të rriturve janë me të vërtetë rrëqethëse.

Kjo pasi ata dinë shumë mirë ta lidhin me historinë dhe me një emocion, nuk ngurojnë të tregojnë se flamuri i tyre është ai kuq e zi.

Herë – herë, disa prej tyre e marrin dhe e vendosin në zemër, të tjerë shprehen se pranojnë flamurin e kaltër e të verdhë “prej hallit”, se ashtu identifikohen.

Ndërsa në fund, gazetari thotë:

Duket sikur flamuri kuq e zi e ka historinë dhe kosovarët këtë kanë në zemër, ndërsa flamurin tjetër, e respektojnë”./ KultPlus.com

13 milionë njerëz ndjekin Rita Orën (FOTO)

Këngëtarja Rita Ora gëzon një popullaritet shumë të madh në rrjetet sociale.

13 milionë njerëz ndjekin atë në Instagram, transmeton Koha.net.

Përmes një postimi në këtë rrjet social, Rita Ora ka falënderuar fansat e saj duke postuar dy foto të saj duke reflektuar në pasqyrë, në njërën prej tyre duke e “puthur” veten.

“Nga të dyja ne. Faleminderit 13 milionë ndjekësve të mi, jeni më të mirët”, ka shkruar Ora./ KultPlus.com

Karakteret e grave të forta dominojnë emërimet për Oscar

Të emëruarat e këtij viti për çmimet Oscar në kategorinë e aktores më të mirë dhe aktores në rol dytësor më të mirë janë figura komplekse të Hollywoodit. Vlerësimi dhe suksesi i tyre në kinematografi flet për fuqinë e grave në interpretimin e roleve kryesore dhe si skenariste. Penelope Poulou e “Zërit të Amerikës” na njeh me disa prej tyre:

Mildred Hayes, e interpretuar nga fituesja e çmimit Oscar Frances McDormand, është personifikimi i një nëne të drejtpërdrejtë, të ndjeshme, por të fortë, që kërkon drejtësi. E irrituar nga pasiviteti i policisë në rastin e vrasjes së vajzës së saj, ajo thërret shefin e policisë lokale, i cili interpretohet nga Woody Harrelson.

“Gjatë kohës që t’u desh të vije këtu duke u ankuar si një bushtër, ndoshta një tjetër vajzë e shkretë është duke u masakruar, ndoshta pikërisht tani…”

Frances McDormand është kandidate për çmimin Oscar për interpretimin e personazhit kryesor në film.

“Mildred është protagonistja kryesore. Nuk kam pasur shumë raste të luaj rol kryesor. Gjatë karrierës sime kam pasur plot role dytësore, krah burrave në role kryesore, por pas këtij roli më pëlqen të kem përsëri rol kryesor. Nuk dua të kthehem më mbrapsht…”- thotë aktorja Frances McDormand.

Regjisori i filmit Martin McDonagh është i rrahur me komedinë e zezë, me nuanca të forta emocionale.

“Këtë rol e krijova pikërisht për Frances. Duhej të ishte një person që nuk do ta shndërronte karakterin, duke interpretuar në mënyrë sentimentale”.- thotë regjisori i filmit.

Filmi është propozuar gjithashtu për Oscar në kategorinë e filmit më të mirë. Sam Rockwell e Woody Harrelson janë emëruar për interpretimin e roleve dytësore, të dy policëve.

“Po të kisha treguar për të, një princeshë pa zë, çfarë do të kisha thënë?”

Filmi dramatik me fantazi i Guillermo Del Toros, “The Shape of Water”, që ka marrë 13 emërime për Oscar, ofron një ansambël të fuqishëm grash.

Sally Hawkins luan rolin e Elisa Esposito, një vajzë memece, që punon si pastruese dhe Octavia Spencer luan rolin e shoqes dhe koleges së saj, Zelda Fuller. Të dyja punojnë në turnin e natës në një laborator qeveritar sekret, kur atje sjellin për eksperiment një qenie amfibe të lashtë, mashkull. Elisa tërhiqet prej tij dhe ata bien gradualisht në dashuri.

“Kur më sheh, nuk më sheh si të paplotësuar. Ai më sheh ashtu siç jam.”

Ajo kurdis një plan për ta liruar krijesën nga kthetrat e një roje sigurie, të interpretuar nga Michael Shannon.

“Elisa e dashur, ai po vjen për ty!”

Të dyja aktoret janë emëruar për çmimin Oscar, krahas Richard Jenkins, në kategorinë e aktorit më të mirë për rol dytësor. Ai luan rolin e shokut të Elizës, Giles, një homoseksual të veçuar nga shoqëria.

“Kur e shkruajta dramën, desha që personazhi të realizohej nga tre aktorë: Octavia, Richard dhe Sally janë si një karakter i vetëm.”- thotë producenti i filmit.

“Desha të kisha personazhe anësore, sepse të tre ata janë të padukshëm, ata bashkohen dhe i japin gishtin qenies amfibe.”

Lady Bird, një film që tregon historinë e bukur dhe të dhimbshme të personazheve, ka marrë disa emërime për Oscar, me gra në role kryesore. Filmi përqendrohet tek Lady Bird, një maturante që nuk e duron shkollën katolike dhe që ëndërron për aventura, dashuri dhe pavarësi.

Suksesi i filmit qëndron tek skenari i shkruar me ndjenjë, i producentes dhe skenaristes Greta Gerwig, e emëruar për Oscar, dhe grupit të shkëlqyer të aktorëve. Filmi fokuset tek marrëdhënia e dashur por kontradiktore nënë-bijë, e dy aktoreve të emëruara për Oscar, Saoirce Ronan në rolin e Lady Bird dhe Laurie Metcalf në rolin e nënës.

Kjo marrëdhënie dashurie e njëkohësisht antangoniste është e njohur për shumë nëna dhe vajzat e tyre adoleshente.

Vdes ikona e kinematografisë afrikane, Idrissa Ouedraogo

Regjisori dhe producenti i njohur afrikan nga Burkina Faso, Idrissa Ouedraogo vdiq dje në Ugadugu, në moshën 64-vjeçare, njoftoi Bashkimi Kombëtar i Kineastëve i vendit afrikan.

Figurë emblematike e kinemasë afrikane gjatë viteve 1980-2000, autor i 40 filmave, Idrissa Ouedraogo ka marrë pjesë në festivalet më të mëdhenj të filmave duke u vlerësuar edhe me Çmimin e Madh të Jurisë në Kanë për filmin e vitit 1990 “Tilai”.

“Ai vdiq sot në një klinikë në Ugadugu”, sipas Bashkimit Kombëtar të Kineastëve të Burkina Fasos, transmeton ATSH.

Idrissa Ouedraogo filloi karrierën kinematografike në vitin 1981 me filmin “Poko”.

Më pas ai realizoi filma me tema sociale si “Yam daabo” (”Zgjidhja”) apo “Yaaba” (”Gjyshja”)./ KultPlus.com

Sibel Halimi: Kosovës, çikat po ia zbardhin fytyrën, në listën e dekoratave të presidentit Thaçi, pak gra e vajza

Kosovës, çikat po ia zbardhin fytyrën, porse ekziston njëfarë rezistence në vazhdimësi për pranimin e kontributit të tyre. Kjo ndodhi edhe me të dekoruarit në vitin jubilar të pavarësisë së vendit. Si është e mundshme që në listën e gjatë të dekoratave nga presidenti Hashim Thaçi të jenë pak gra e vajza?! Ato kanë kontribuar në të gjitha etapat e shtet ndërtimit, por fatkeqësia është se burrat e kanë krijuar dhe uzurpuar historinë, ndaj në këtë relacion gratë megjithatë e kanë një vend- në margjina!

Në këtë listë, përpos disa emrave të grave të tjera, do të duhej të ishte edhe ai i znj. Shyhrete Berisha, e cila humbi familjen, u përball me padrejtësinë institucionale që ia mohoi të drejtën e pronësisë ndaj një cope historie (kujtimeve).

Përpara se për bashkëpartiakë, familjar e farefis, dekorata duhet për ata që bën diçka për këtë vend jo për ta regjistru analet historike, por për ta përjetuar brezat./KultPlus.com

New York Times: Ferdonija nga Gjakova i ruan dhomat e katër djemve të zhdukur

Fotografia në ballinë: Artan Korenica

Me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, gazeta prestigjioze “New York Time” ka publikuar një tekst më të gjerësishëm, përgatitur nga gazetari Andrea Testa.

Mes tjerash në këtë artikull ai shkruan edhe për rastin e Nusrete Kumnovës që ka humbur djalin e vetëm dhe Ferdonije Qerkezit nga Gjakova, e cila në luftë humbin tërë familjen.

Kufomat e dy djemve të zonjës Çerkezi tashmë janë gjetur dhe varrosur. Bashkëshorti dhe dy djemtë tjerë ende nuk janë gjetur.

“Në Gjakovë vizitova dy gra, Nusrete Kumnovën dhe Ferdonije Qerkezin. Gjatë luftës, djali i vetëm i zonjës Kumnova është kidnapuar dhe është i zhdukur sot e kësaj dite. Zonja Qerkezi ka humbur bashkëshortin dhe katër djemtë. Dy djemtë e zonjës Qerkezi janë varrosur. Bashkëshorti dhe dy djemtë tjerë ende janë të zhdukur. Për këto dy gra, koha nuk lëviz fare. Zonja Qerkezi e ka kthyer shtëpinë e sajë në muze kushtuar kujtimeve për familjarët e saj.

Lart, dhomat e tyre janë ashtu siç kanë lënë. Lojërat, topat e futbollit dhe pjesë të rrobave me kujdes janë paketuar në najlon. Në dhomën tjetër, si kujtim i tmerrshëm për mënyrën se si janë ndarë nga jeta, mban rrobat e përgjakura dhe nga plumbat të dy djemve trupat e të cilëve i ka gjetur dhe i ka varrosur”, shkruan Neë York Times./KultPlus.com