“Larg dhe afër”, ekspozita e 13 artistëve shqiptarë nga Lugina e Preshevës në Tiranë

Tashmë është hapur ekspozita e 13 artistëve nga Presheva, Bujanoci e Medvegja, të cilët nëpërmjet veprave të tyre të rrumbullakuara në ekspozitën “Larg dhe afër”po prezantohen para audiencës së Tiranës, shkruan KultPlus.

Sabedin Etemi, Avni Behluli, Vjollca Aliu, Eshref Qahili, Ismet Jonuzi, Avni Zairi, Rafet Jonuzi, Lindita Kurtishi- Beqiri, Adrian Limani, Shqipe Jonuzi, Shqipërim Fejzullahu, Irzeme Zeqiri-Mulliqi e Leoneta Abdyli janë pjesë e ekësaj ekspozite që për kurator ka Ilirt Kaso. Ekspozita është hapur në Galerinë “Fab”, dhe do të rri e hapur deri më 26 shkurt./KultPlus.com


Vera Ora pas koncertit të mbrëmshëm: Ndihem një nënë krenare

Përveç atmosferës tejet të veçantë që Rita u dhuroi mijëra qytetarve që erdhën në koncert, ajo një ndjenjë të veçantë krenarie u ka falur edhe prindërve të saj, shkruan KultPlus.

Këto emocione i ka shfaqur përmes postimeve në Instagram, nëna e Rita Orës, Vera Ora. Ajo mbrëmë ka postuar fotografinë ku shihet numri i madh i publikut ndërsa ka shkruar. “Dashuria nuk ka kufij, Kosova e do Ritën dhe Rita po ashtu i do njerëzi e saj. Kjo u dëshmua sonte. Ndihem një nënë krenare”, ka shkuar mbrëmë Vera Ora në profilin e saj në Instagram.

Ajo po ashtu gjatë ditës së sotme ka postuar edhe një fotografi në të cilën ka shkruar se kthimi në shtëpi pas një eventi madhështor, bën që gjithçka të duket e zbrazët./ KultPlus.com

Rita Ora dhe një shqiponjë e flaktë (FOTO)

Fotografia në ballinë nga: Armend Nimani

Rita Ora e cila arriti të mbledhë 300 mijë qytetarë për ta përcjellë koncertin e saj për shënimin e dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, është në fokusin e shumë medieve shqiptare por edhe ato të huaja, shkruan KultPlus.

Fotografi të ndryshme nga performanca e saj po qarkullojnë në të katër anët, kurse KultPlus ka realizuar këtë fotografi, ku shihet në audiencë një qytetar duke bërë shqipnojnën, përderisa Rita Ora është duke kënduar në skenën e Prishtinës./KultPlus.com

Pas Jakup Krasniqit, edhe Rexhep Qosja refuzon dekoratën e Thaçit

Shkrimi i plotë i Qosjes:

PSE NUK E PRANOJ DEKORATËN E KËTIJ REGJIMI
Prej medieve mësova se qenkam i dekoruar me Medaljen Presidenciale në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës: i dekoruar për pjesëmarrje në Konferencën e Rambujesë e të Parisit për Kosovën në vitin 1999.
Është kjo Dekoratë e çmuar sepse është dekoratë për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Ajo u sjell nderim dhe mburrje atyre që u jepet.
Do të doja, prandaj, që prej ndërgjegjes sime të mos isha i detyruar ta refuzoja këtë çmim!
Pse e refuzoj?
E refuzoj sepse është çmimi i dhënë prej një regjimi, i cili me politikën e brendshme dhe me politikën e jashtme i ka sjellë dhe po i sjell shumë dëme dhe komprometime shtetit të Kosovës sot.
Kam shkruar qindra e qindra faqe të botuara në librat e mi dhe kam dhënë shumë e shumë biseda e deklarata disa prej të cilave janë botuar dhe emetuar në një varg mediesh të shtypura dhe elektronike në Evropë e në SHBA, në të cilat kam shquar domosdonë dhe rëndësinë kombëtare, historike dhe etike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të luftës së saj çlirimtare.
E kam mbrojtur UÇK-në prej atyre të huajve që e quanin terroriste!
E kam mbrojtur UÇK-në prej atyre tanëve që e quanin kur grup terrorist, kur grup individësh të frustruar, kur dorë të zgjatur të Serbisë.
E kam mbrojtur UÇK-në dhe luftën e saj çlirimtare dhe prej atyre që edhe në ditët kur masakroheshin familje shqiptare e digjeshin shtëpitë e tyre organizonin zgjedhje që i quanin “të lira dhe demokratike”, duke e bërë ashtu të ligjshëm regjimin e dhunës e të terrorit të Millosheviqit në Kosovë!
E kam mbrojtur UÇK-në prej atyre tanëve që në asnjë mënyrë dhe nën kurrfarë kushtesh nuk dëshironin që në delegacionin shqiptar për bisedime me përfaqësues të pushtuesit apo me përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare të merrnin pjesë edhe përfaqësues të UÇK-së!
E kam mbrojtur UÇK-në prej atyre tanëve që nën kurrfarë kushtesh nuk ishin të gatshëm të pranonin qeverinë e përkohshme për të cilën tri organizimet tona ishim marrë vesh në Rambuje!
E kam mbrojtur UÇK-në dhe luftën e saj çlirimtare prej atyre që me kryetarin e Serbisë do të nënshkruajnë Marrëveshje për krijimin e Qeverisë kuislinge në prill të vitit 1999!
Dhe, duke mbrojtur UÇK-në dhe luftën e saj çlirimtare prej kundërshtarëve dhe prej armiqve të jashtëm e të brendshëm unë natyrshëm kam mbrojtur edhe të parët e sotëm të Kryesisë, të Kuvendit e të Qeverisë së Kosovës, që me bashkëpunëtorët e tyre e sundojnë Kosovën edhe kur janë, por edhe kur s’janë në krye të institucioneve të saj!
Them kështu sepse sundimi i tyre shtrihet në mënyra të ndryshme, të dukshme e të padukshme, me mjete të lejueshme e të palejueshme!
Por, ja, pas luftës, ata nuk janë ata që ishin dhe nuk janë as me dëshirat e as me idealet e tyre.
Gatishmërinë e sakrificës e kanë zëvendësuar me përkushtimin ndaj përfitimeve!
Idealin e lirisë e kanë zëvendësuar me idealin e pasurisë!
Idealin e bashkimit kombëtar, të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, e kanë zëvendësuar me idealin feudal të kombit kosovar!
Domethënë: lartësinë e treguar në luftë e kanë zëvendësuar me mjerim material dhe karrierist të treguar në paqe!
Por, sjelljet politike, të pashmangshme, të natyrshme, që bënë ata në paqe e do të bënin edhe të tjerë në vendin e tyre, u mbuluan prej shumë e shumë të këqijave, dëmeve që i sollën e po i sjellin Kosovës në paqe!
Ata sot shikohen dhe gjykohen mosdurueshëm prej numrit më të madh të bashkëkombësve, që e kanë kokën për të menduar të pavarur me të.
Pse jo.
Duke qenë në pozita të larta politike ata u pasuruan, u bënë milionerë kushedi të safishtë shumë shpejt!
Ata shumë shpejt i pasuruan vëllezërit, motrat, në përgjithësi familjarët!
Ata shumë shpejt, duke qenë në pozita, i pasuruan, i bënë milionerë shumë nga bashkëpunëtorët e tyre!
Nga pozitat e tyre ata nuk e panë popullin, nuk i panë punëtorët, nuk i panë të varfrit, nuk i panë të braktisurit, të nënçmuarit!
Nga pozita e tyre ata nuk e panë rininë!
Nga pozitat e tyre ata i panë të heshtur duke u shpërngulur zemërthyer në botën e huaj të rinjtë e skamnorët.
Nga pozitat e tyre ata harruan Kosovën e varfër.
Korrupsionin e përshtrirë e të përthelluar ata e bënë dukuri tragjike që, siç e thonë edhe juristët, që u kanë dalë duarsh, mbrohet edhe me ligj!
Nepotizmin, këtë dukuri primitive në shekullin 21, ata e bënë politikë të punësimit dhe jo vetëm!
Për të sendërtuar më lehtë e më shpejt qëllimet e tyre ata rikthyen censurën në disa media, në disa televizione, më së pari në televizionin publik të Kosovës RTK, i cili cënsurën staliniste të kohës së autonomisë e ktheu në censurë neofashiste të kohës sonë – të kohës së pavarësisë!
Me punësimin e familjarëve, të afërmve, miqve, partiakëve; me lartësinë e rrogave të të parëve, të nënkryetarëve, të ministrave, të zëvendësministrave, të zëvendëskryeministrave, të këshilltarëve, të truprojave të tyre, më të larta se të tjerëve në Ballkanin Perëndimor; me nga disa rroga të njerëzve të tyre të shpërndarë në institucione e në borde të ndryshme ku duhet ta bëjnë ligj fjalën e tyre ata; me pensionet e veçanta për të gjithë zyrtarët; me privilegje të veçanta të realizuara qoftë edhe përmes udhëtimeve për turizëm e qejfe në botën e jashtme; përmes përdorimit privat të automjeteve zyrtare, të drekave e darkave të paguara me paratë e taksapaguesve; me celularët e tyre shtetërorë, me censurën, me të gjitha këto e shumëçka tjetër ata e bënë shtetin e Kosovës shtet privat të tyre!
Kosovën e të gjithëve, Kosovën e lirë e të pavarur, që menduam se është shtet i të gjithë neve, ata e bënë shtet privat edhe me ato marrëveshjet që nënshkruan si i nënshkruan, pa këshilluar Kuvend, studiues, juristë, historianë: Marrëveshjen për Bashkësinë e Komunave Serbe, Marrëveshjen për Vijën Kufitare me Malin e Zi dhe Gjykatën Speciale. Kur u dolën si u dolën punët marrëveshjesore ata e filluan lojën tragjikomike me arsyetime, mohime, pohime e mashtrime, që e tregojnë nivelin e tyre të ulët dhe etikën e tyre politike të paqenë edhe prej një ane prej së cilës nuk e tregojnë të këqijat e tjera që ia solli Kosovës regjimi i tyre!
Me të gjitha këto dhe me një varg të tjerash me të cilat nuk mund të merrem në këtë shkrim, ata sot janë bërë shkaktarë të çoroditjes politike e të degradimit të shumanshëm të Kosovës, që ia ka shëmtuar e rrënuar pamjen në Evropë e në botë përgjithësisht, duke sjellë edhe një izolim të saj, që mund të ketë çmim të shtrenjtë! Dhe, ky izolim i saj u pa edhe prej shpërfilljes nga shtetet evropiane dhe BE-ja në kremtimin e 10-vjetorit të Pavarësisë.
Krijimtaria ime historiko-letrare, historike, letrare artistike e publicistike dhe veprimtaria ime politike më obligojnë që të them:
NUK E PRANOJ DEKORATËN E PARË DHE TË FUNDIT QË MË JEPET PREJ REGJIMIT TË TYRE!
Dhe, nuk e pranoj sepse pajtimi me një dekoratë të dhënë prej një regjimi të tillë është në kundërshtim me mendësinë time,me konceptin tim për demokracinë, me domethënien, me humanizmin dhe me etikën sociale të krijimtarisë sime shkencore, publicistike e letrare artistike.
Rexhep QOSJA
Prishtinë, 18 shkurt 2019

Haki Misini, figura e rokut kosovar që u vra pak orë para se të nënshkruhej marrëveshja për bombardimet e NATO-s

Zëri i Haki Misinit konsiderohet si një vulë e muzikës rok në vitet e 70’ta në Kosovë. Sot ky zë na vjen vetëm përmes këngëve që kanë mbetur të arkivuara e që ai i realizoi si pjesë e grupit MAK, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Në dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, KultPlus i kujton disa nga figurat e njohura të artit kosovar, rrugëtimi artistik i të cilëve u ndërpre gjatë luftës së fundit në Kosovë, pasi që u vranë nga forcat serbe. Dy anëtarë të grupit MAK, Haki Misini dhe Mehmet Tupella janë vrarë gjatë luftës së fundit 1998-1999, për të lënë një zbrazëti të madhe në artin kosovar.
Ky rok grup, u formua nën ndikimin e rok grupeve të mëdha botërore si Deep Purple, The Beatles, dhe artistit të mirënjohur Jimy Hendrix. Si rezultat i kësaj, lindi fryma e re muzikore “hard rok” edhe në Kosovë.

Djali i Haki Misinit, Urim Misini, në atë kohë 11 vjeçar, përmes një dokumentari të realizuar nga RTK, thotë se figurën e fundit të babait e kujton tri orë para se të nënshkruhej marrëveshja për ardhjen e forcave të NATO-së në Kosovë. Ai thotë se ende i kujton trokitjet e fuqishme të derës dhe zhurmën në korridorin e banesës. Përmes dritares, imazhi i fundit i tij ishte kombi që para ndërtesës së tij, ia mori babain dhe fqinjët e tjerë.

Dy policë që nuk dukeshin të tillë, pasi që ishin të maskuar dhe me rroba të zeza, kishin pamjen e krimineleve dhe si të tillë vijnë në derën e banesës së Haki Misinit. Kontaktin e parë me ta e pati bashkëshortja e tij, Bukurie Misini të cilës i kërkojnë ta thërras të zotin e shtëpisë. Gjëja e fundit që Haki Misini do të marr nga shtëpia e tij, janë cigaret me të cilat do të largohet për të mos u kthyer më i gjallë pranë familjes.

“Hakiut ia kërkuan letërnjoftimin dhe kartelën e gjelbër të cilat na i patën dhënë gjatë luftës dhe thanë “Dilni jashtë”, Kur unë fillova të flas, me thanë “Zonjë, mbylle derën derisa nuk bëhet vonë”. Hakiu i tha “A mundem vetëm cigaret me i marr?”, unë ia dhashë cigaret dhe ma shtrëngoi dorën, më tha “Hyn brenda”, për shkak të frikës së fëmijëve”, rrëfehet bashkëshortja e tij, Bukurie Misini.
Një makinë që kishte ardhur pranë ndërtesës së tyre, për gjysmë ore arrin të mbushet me katërmbëdhjetë persona. Bukurie Misini, përmes këtij dokumentari e kujton si një njeri të qetë dhe si një njeri i hareshëm, ajo thotë se pas çdo programi kthehej përsëri në shtëpi, e në programe shumë të rëndësishme e ftonte edhe atë. Familja e Haki Misinit, edhe pas pesë viteve edhe pas shumë përpjekjeve nuk e arritën të marrin asnjë informacion për të. Trupi i tij e i disa personave të tjerë u gjetën në vitin 2005 në Suhodoll të Mitrovicës, dhe pas kësaj eshtrat e tij prehen në varrezat e tokës së Kosovës.
Zëri i Haki Misinit, sot është përjetësuar në këngën “Moj e mira te pojata”, që këndohet e interpretohet edhe nga shumë artistë të tjerë. Zëri i tij i veçantë depërton edhe sot përmes këngëve “Tri gota”, “Në syrin tënd pash një lot” , “Idila verore”, “Qenke rritë moj s’të zen këmisha”, e këngë të tjera.

Rok grupi MAK u formua në vitin 1973 dhe si grup ka funksionuar deri në vitin 1978. Gjashtë anëtarët e këtij grupi ishin: Haki Misini, Mehmet Tupella, Rexhep Ismajli-Bulli, Halil Bajraktari, Sedat Isufi dhe Xhevdet Gashi. Grupi “MAK”, konsiderohet pionier i rok muzikës kosovare dhe ka merita të mëdha për popullarizimin e rok muzikës në vend. /KultPlus.com

Edi Rama: Shqipëria dhe Kosova ta kenë një President

Kryeminsitri Edi Rama,ka thënë se Kosova dhe Shqipëria pas dhjetë vitesh mund ta kenë një President.

Shefi i Qeverisë shqiptare, Edi Rama, ka propozuar një President gjithëkombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë.

Këto dy propozime, Rama i ka bërë gjatë fjalimit në Kuvendin e Kosovës, për nder të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta po pse jo një president simbol të unitetit kombëtarë dhe një politikë kombëtare të sigurisë”, ka thënë Rama, në fjalimin e tij.

E ka pranuar se një ide e tillë nuk është e realizueshme tash po ka thënë se edhe dicka që ëndërrohet mund të realizohet.

“Mbase ky parafytyrim sot mund të mos jetë i qëllueshëm në rrafshin e racionales, por historia na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet nuk është e pamundur të realizohet”, ka shtuar ai.

Ai ka këshilluar Kosovën dhe Serbinë të vazhdojnë dialogun për fqinjësi të mirë dhe të bëhen pjesë e BE’së si dy Shtete të pavarura./KultPlus.com

Gratë e Kosovës që lanë gjurmë nëpër botë

Në dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, kur po specifikohen figura të ndryshme që e kanë bërë krenarë Kosovën, nuk është vetëm fusha e muzikës që po lë shenja ndërkombëtare, shkruan KultPlus.

Edhe në fushën e sportit, kemi shumë figura të rëndësisshme shqiptare, por KultPlus ka përzgjedhë ato gra, që tashmë kanë shënuar historinë për Kosovën.

Uta Ibrahimi është alpinistja shqiptare, që është edhe gruaja e parë shqiptare që është ngjitur në majën e Everestit, e cila, për këtë vit poashtu ka paralajmëruar ngjitje të reja.

Pastaj është Getta Beqa, e cila poashtu u bë kampione botërore për vitin 2017, në fitness, sikurse është edhe Nora Gjakova, e cila është poashtu një xhudiste mjaftë e suksesshme, ku shpesh herë ka marrë medalje të ndryshmë në gara botërore./KultPlus.com

Pas Kosovës, Rita Ora do të “pushtojë” këtë skenë botërore (FOTO)

Foto: Reuters, AFP
Ylli kosovar i pop-it botëror Rita Ora elektrizoi publikun kosovar natën e mbrëmshme në 10 vjetorin e Pavarësisë. Por pas kësaj, do të vazhdojnë aktivitetes e Orës në skena të mëdha botërore.

Këngëtarja e mirënjohur do të jetë pjesë e Brit Awards 2018 që do të mbahen në Londër më 21 shkurt. Pjesë e këtij organizimi vjetor do të jetë edhe ylli tjetër nga Kosova Dua Lipa, e cila është e nominuar në pesë kategori./KultPlus.com

Kosovo-born British singer and actress Rita Ora performs in Pristina on February 17, 2018 on the occasion of the 10th anniversary of Kosovo Independence. Kosovo celebrates 10 years since it declared independence, a moment of pride for its ethnic Albanian majority, although sovereignty remains fiercely contested by Serbia. / AFP PHOTO / Armend NIMANIARMEND NIMANI/AFP/Getty Images

Ibrahim Rugova në vitin 1999 në Gjermani : Kosova është e zbrazur, kërkojmë praninë e forcave ndërkombëtare

Presidenti historik Ibrahim Rugova, në vitin 1999 kishte realizuar një takim me ministrin Joshka Fisher në Gjermani, i cili tregonte për situatën e rëndë në Kosovë, përcjellë KultPlus.

Ai, nëpërmjet një konference për shtyp, i shoqëruar edhe nga ministri Fischer, kërkon nga shtetet e mëdha praninë e forcave ndërkombëtare në Kosovë, pasi që, sipas tij, Kosova është e zbrazur, si pasojë e terrorit serb të ushtruar për popullin shqiptar./KultPlus.com


Ministri i Kulturës vizitoi shtandin e QKK-së në Berlinale

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Kujtim Gashi ishte në vizitë në shtandin e QKK-së, në edicionin e 68-të të Berlinales, së bashku me kabinetin e tij, ku pati rastin të shoh tregun e filmit kosovar dhe të takojë filmbërës të ndryshëm nga Kosova dhe Shqipëria.

Ministri Gashi u shpreh i lumtur në prezencën e kinematografisë kosovare në Berlinale dhe shprehi gatishmërinë për mbështetje edhe më të madhe për filmin kosovar. Gjithashtu do të ndjek edhe shfaqjen e filmit ‘Kiem Holijanda’ nga regjisorja holandeze Sarah Veltmeyer, ku luajnë aktorët kosovarë, të cilët edhe janë të pranishëm në premierë si Florist Bajgora, Andi Bajgora dhe Arbresha Grabovci Nixha.

Poashtu sot në tregun e filmit EFM do të shfaqen dy filmat e mbështetur nga QKK, filmi ‘Martesa’ nga Blerta Zeqiri dhe filmi ‘Kthimi’ nga Kastriot Abdyli. Ministri Gashi do të ketë edhe takime tjera gjatë qëndrimit të tij në Berlin./KultPlus.com

Arta Dobroshi: Dikur jetonim në frikë, sot fëmijët jetojnë në paqe

Festa e dhjetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës ka bërë që edhe aktorë, këngëtarë e artistë të të gjitha profileve të urojnë qytetarët e Kosovës.

Arta Dobroshi, aktorja e njohur për të cilën jemi krenarë duke llogaritur sukseset e saj të vazhdueshme në kinematografi, ka uruar shqiptarët në Twitter.

Dobroshi, e cila u ngjit para disa vitesh në Festivalin e Kanës, ka thënë se është ndjenja e jashtëzakonshme të ecës në rrugët e Kosovës, në liri.

“Çfarë ndjenje e mirë të ecësh lirë në rrugët e Kosovës dhe të shohësh fëmijët në paqe, diçka që ne nuk e kemi pasur, sepse kemi jetuar në ndjenjë të vazhdueshme të frikës. Po e festojmë Pavarësinë. Jemi njerëz të mahnitshëm. Dëshiroj që ky planet të jetë vend i lirë për jetë, për të gjithë” ka shkruar Dobroshi në Twitter.

17 shkurti është shënuar dje me disa ngjarje, e një pjesë e ngjarjeve për të festuar pavarësinë vazhdojnë edhe ditëve tjera të shkurtit. / KultPlus.com

Guri i kândit

Poezi nga Erenestina Gjergji Halili

E hodhné matânë nji gur,
i thané,
se s’bân me kénë me gura tjerë,
se kulla don gur’ t’latùem, t’bardh’ e t’bukur,
e lané hjedhun,
jetim,
n’kόdër t’flligshtisë.
Kur prrόni,
tërbuem prej lodit t’dimnit,
idhtë zhugumiti tána nafakat, dâlun para,
kullës bardhoke
pélin i duel shtatit,
e nji vrrâgë, ia nisi me i dhânë dhimbtë.

Njat’herë guri,
qi e patné hjedhun tej,
njáj gur,
prej dashnijet,
u bâ gur i kândit.

Tash sá prrόna, luejt s’kâ.

Rita Ora: Kënaqësi të takohesha me kryeministrin Ramush Haradinaj

Këngëtarja Rita Ora, e cila mbrëmë bëri një performancë të jashtëzakonshme në Prishtinë, me rastin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, pati një takim edhe me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj në zyrën e tij.

“Ishte kënaqësi të takojë kryeministrin Ramush Haradinaj dhe të diskutojmë për të ardhmen emocionuese të vendit tonë”, ka shkruar Rita Ora në një postim të saj në Instragram.

Kujtojmë se mbrëmë, pas përfundimit të koncertit të saj, Ora u dekorua me dekoratën presidenciale nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Associated Press me fotografitë e dhimbshme të luftës në Kosovë

Foto që ndoshta nuk i keni parë më parë, ose i keni harruar nga lufta në Kosovë janë publikuar në 10 vjetorin e Pavarësisë së saj.

Fotot e publikuara asokohe në Associated Press, janë shkrepur nga fotografi i njohur Hektor Pustina, të cilat i ka sjellë edhe një herë ndërmend në profilin e tij.

Mediet ndërkombëtare: Rita Ora, e zjarrtë në Prishtinë

Veshja me të cilën u prezantua këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, në koncertin e mbrëmshëm në Prishtinë për nder të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, nuk la pa u komentuar nga mediat ndërkombëtare.

Koncertin e Rita Orës e quajtën një koncert madhështor dhe veshjen e saj e përshkruan një veshje të zjarrtë.

Rita Ora bëri një paraqitje të figurës së saj të mahnitshme me një kostum të zjarrtë në shënimin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, në një koncert të hapur, shkruan “Daily Mail”.

Ajo ishte prezente në vendin e saj të origjinës për të shënuar 10 vjetorin e pavarësisë nga Serbia vazhdon tutje shkrimin, “Daily Mail”, raporton Insajderi.

Rita Ora nuk i zhgënjeu fansat e saj kosovarë kur ajo doli në një koncert madhështor në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë të shtunën.

Ndërsa ajo kërcente me meloditë e këngës së zemrës së saj, këmbët e Rita Orës shfaqeshin në ekran të plotë me trikon e saj të thjeshtë dhe me një pjesë të zezë në mes të kostumit mjaftë të guximshme që nxjerrë në pah trupin e saj të hollë, ndërsa të mbathura kishe çizme të zeza mjaftë elegante.

Rita u emërua ambasador nderi në Kosovë në vitin 2015 dhe u takua me kryeministrin Ramush Haradinaj para se të dilte në koncertin e saj të hapur në mbrëmje.

Kosova feston 10 vjet pavarësie nga Serbia në festimet dy-ditore që filluan sot në të gjithë vendin.

Ceremonia kryesore zhvillohet nesër, kur Presidenti Hashim Thaçi dhe Ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli do të kthehen nga Konferenca e Sigurisë në Munih.

Kosova njihet nga 117 vende, duke përfshirë SHBA dhe shumicën e pushteteve perëndimore, dhe ku është anëtarësuar në rreth 200 organizata ndërkombëtare, përfundon shkrimin, “Daily Mail”. / KultPlus.com

Gabimi i Daily Mail, ‘Rita Ora mban koncert në Ukrainë’

DailyMail në Britani të Madhe ka menduar se Rita Ora vjen nga Ukraina.

Në një video postuar nga tabloidi më i lexuar në Britani shkruhet se Rita po e feston në Ukrainë dhjetë vjetorin e Pavarësisë së Ukrainës.

Teksti më vonë është përmirësuar, ndërsa në video ende figuron emri i Ukrainës – “shtetit që shpalli Pavarësinë në shkurt të 2008-tës, me festimet që zgjatën dy ditë”.

Komentuesit kanë ironizuar me këtë gabim të DailyMail, pasi tabloidi ka raportuar mbi koncertin e mbrëmshëm në Prishtinë me fotografi dhe me momentet më kulmore.

Xhelozia

OSIP MANDELSHTAM / Përktheu Agron Tufa

Me dinjitarë të tjerë
Të shërbej përulët,
Nga xhelozia vrer
Mezi lëvrij buzët.
Fjala dot s’e shuan
Gojën time eshkë,
Pa ty e humb toruan –
I zbrazët ajri krejt.

Nuk ndjej më xhelozi,
Por ty të dashuroj,
Vetveten time fli
Xhelatit po ia çoj.
Të quaj, nuk ma mban,
As gaz, as dashuri,
Një tjetër, egërshan,
Në gjak më kanë shti.

Një grimë koh’ më shumë
Dhe do ta them në sy,
Jo gaz, por torturë
Unë vij të gjej tek ti.
Dhe krejt sikur një krim
Më ndjell tek ti aq brishtë
Gjithë joshje, rebelim,
E njoma gojë vishnjë.

Pra, kthehu shpejt tek unë,
Pa ty jam i tmerruar,
Më fort se kaq kurrë
S’të kam adhuruar;
Dhe krejt çfarë po kërkoj,
E shoh e përmallohem,
Xheloz më s’do të jem –
Por ty të përgjërohem.

1920

Komentuesit nga Serbia nxisin urrejtje duke përmendur Rita Orën

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, e cila mbajti mbrëmë një koncert madhështor në Prishtinë, për nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, mblodhi një numër të madh njerëzish.

Në një performancë prej 30 minutash, Ora këndoi tri këngë të si dhe vallëzoi me këngën e “Shotës”. Ky vallëzim që ndezi të gjithë shqiptarët nuk iu pëlqeu fqinjëve serbë.

Përmes rrjetit social Twitter, ata kanë komentuar duke i thënë Rita Orës se Kosova është Serbi dhe duke i uruar mirëseardhje në Serbi.

Rita Ora gjatë ditës së djeshme ka qëndruar në Kosovë, ku ka mbajtur një konferencë për media dhe është nderuar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. / KultPlus.com

Thaçi dekoron Rita Orën me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar këngëtaren Rita Ora me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë.

Ai e ka quajtur imazh të Kosovës kudo në botë, ndërsa e ka vlerësuar si rikthim të gëzimit të 17 shkurtit të 2008-s performimin e saj në koncertin e mbrëmshëm në Prishtinë para 300 mijë qytetarëve.

“Në këto dhjetë vjet pavarësi, Rita Ora ka qenë imazh i Kosovës kudo në botë. Ajo karrierën e zhvilloi bashkë me emrin dhe flamurin e Kosovës. Performimi i saj para mbi 300 mijë qytetarëve mbrëmë ishte një rikthim i gëzimit dhe emocioneve të 17 shkurtit 2008. Për kontributin e saj të pazëvendësueshëm në promovimin e Kosovës nëpër botë, unë mbrëmë e kam dekoruar Rita Orën me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë. Faleminderit Ritë. Jemi krenar me ty”, ka shkruar Thaçi.

300 mijë qytetarë morën pjesë në koncertin e Rita Orës

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka deklaruar se i është thënë që rreth 300 mijë qytetarë morën pjesë në koncertin e saj në Prishtinë për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në një postim në Instagram ajo ka falënderuar të gjithë që morën pjesë në koncert, ndërsa ka shtuar se është tejet e lumtur dhe krenare që është shqiptare.

“Sapo më kanë thënë që rreth 300 mijë njerëz ishin për të më parë sonte. Urime Dita e Pavarësisë. Nuk do të doja të isha askund tjetër në botë. E nisëm bashkë këtë, pa ju nuk do të isha këtu”, ka shkruar ajo në Instagram.

Prishtina ndriçohet me fishekzjarrë (FOTO)

Këngëtarja Rita Ora, është ajo që ka mbyllur koncertin e madh për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Derisa ajo ka numëruar nga numri dhjetë deri tek njëshi, me zërin e saj Prishtina u ndriçua me fishekzjarrë që simbolizonin frymën festive të një dekade shtetësi, shkruan KultPlus.

Mijëra qytetarë derisa u shpërndan, kthyen kokën drejt qiellit për të shijuar këtë atmosferë festive që mbretëroi sonte në kryeqytetin e Kosovës.

KultPlus ju sjellë disa pamje nga ndriçimi i qiellit të Prishtinës, sonte në dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës./KultPlus.com


Momentet më të mira nga koncerti i Rita Orës në Prishtinë (VIDEO)

Sarandë Selimi

KultPlus, ju sjellë momentet më të mira të cilat do tashmë janë skalitur në memorien e qytetarëve të Kosovës, nga koncerti i shqiptares me famë botërore Rita Ora.

Rita, në këtë koncert, iu tha mijëra qytetarëve që ishin mbledhur të mos qajnë, por ajo vetë në fund nuk mundi t’i ndalë lotët.

“Më falni që shqip nuk mundem të flas mirë, mirëpo do e bëjë më të mirën time. Jam shumë e lumtur që jam këtu nuk do të dëshiroja të isha askund tjetër”, ka thënë fillimisht Rita Ora.

Ora, ambasadorja më e mirë e Kosovës në botë, numëroi nga dhjetëshi tek njëshi duke i përshëndetur të gjithë me fishekzjarrët që zgjatën mbi 15 minuta.

https://www.youtube.com/watch?v=p6C4y2ZG55g&feature=youtu.be

Shijoni momentet më të mira nga koncerti madhështor i 10-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës./ KultPlus.com