Artisti shqiptar Ridvan Maloku, që punon për Microsoft, Spotify…(FOTO/VIDEO)

Ridvan Maloku është artisti shqiptar që jeton vetëm që pesë vite në New York, por që është punësuar në Ataboy Studio, produksion kreativ që punon me brendet më të njohura në botë.
Në një intervistë për KultPlus ai ka treguar për rrugëtimin e tij në këtë profesion, duke nisë në një televizion lokal në Ferizaj, e për të vazhduar tashmë në Amerikë. Ai poashtu ka realizuar edhe filma të animuar, punë për të cilën tashmë është shpërblyer edhe në disa festivale.
Për punën e tij, sfidat dhe ëndrrat e Ridvan Malokut mund të lexoni më detajisht në këtë intervistë.

Alberina Haxhijaj

KultPlus: Emri i juaj ka filluar që të bëhet i njohur në Amerikë, pikërisht për shkak të punës suaj. Na flisni më shumë rreth punën tuaj si artist i grafikave lëvizëse (Motion Graphics Artist)? Si filloi kjo lidhshmëri?
Ridvan Maloku:
Gjithçka ishte shumë spontane por si fëmijë kam qenë i apasionuar pas teknologjisë dhe artit, dhe ky profesion ishte gërshetim i këtyre dy pasioneve. Por rrugëtimi im i vërtetë ka filluar në vitin 2003, atëherë kur edhe jam punësuar si Motion Graphics Artist në një televizion lokal në Ferizaj, në vendin tim të lindjes. Nga ato pak gjëra që ky vend pune ofronte ishte qasja në internet. Sot të kesh internet në shtëpi është domosdoshmëri, por në vitet e pasluftës ishte një luks që jo të gjithë e gëzonim. Kështu në këtë televizion të vogël mu hap një dritare e madhe, dhe çdo ditë pasi përfundoja orarin e punës rrija edhe disa orë më gjatë vetëm që të studioja. Thjesht kam sakrifikuar rininë time në këmbim të informacionit. Këtu punova për 6 vite, pastaj nga dhjetori i vitit 2008 deri më 2013 kam punuar në korporaten Albi Group si Graphic Designer dhe Motion Graphics Artist. Këtu gjërat morën një kthesë të madhe për të mirë, kisha një punë të mirë dhe një stabilitet financiar, por pas 5 viteve kishte ardhur koha për sfidën e radhës, dhe kështu në shtator të vitit 2013 u shpërngua në New York për të vazhduar karrierën këtu.

KultPlus: Cilat janë momente që ndoshta më së shumti jeni bërë krenar më punën tuaj?
Ridvan Maloku:
Asnjëherë nuk ndihem shumë krenar me projektet që bëj. Vetë mundësia e ribërjes e bënë çdo projekt të duket i pa përfunduar. Pra gjithnjë jam në kërkim të persosshmerisë por ja që persosshmeria nuk ekziston, dhe ndoshta kjo është e bukura e këtij profesioni, është një udhëtim dhe jo një destinacion.
Por mund të them se projektet personale kanë një vend të veçantë në zemrën time, sepse janë eksplorim dhe studim i pastër, gjithashtu janë mënyra më e mirë për të treguar një storie apo përçuar një mesazh në krahasim nga puna që bëhet për klientët me pagesë që zakonisht janë mesazhe publicitare.


KultPlus: Keni punuar reklama për agjenci të ndryshme të reklamave. Na flisni më shumë për to dhe rëndësinë që kanë për ju?
Ridvan Maloku:
Kompania ku unë jam i punësuar është produksion kreativ mjaft prestigjioz dhe bashkëpunon me shumë agjensione të mëdha si AKQA, VML, BBDO, Publicis, Ogilvy etj, dhe shumë herë edhe direkt me klient si Microsoft, Google, Spotify, Colgate, Oreo etj, dhe si rezultat i kësaj më bie edhe mua që të jem pjesë e këtyre projekteve, ndonjëherë në një rol më të rëndësishëm e ndonjëherë edhe me ndonjë rol më të vogël, varësisht nga projekti. Fillimisht isha shumë i entuziazmuar kur punoja për brende të tilla, sepse në Kosovë kjo ishte ajo që fantazoja gjithnjë, por sot ndihem shumë më mirë kur punoj ndonjë animacion për organizata bamirësie, sepse sadopak më duket se kontribuoj në jetën e njerëzve në nevojë.

KultPlus: Jeni përzgjedhur që të jeni pjesë edhe e shume festivaleve te filmit të shkurtër, çfarë do të thotë kjo për ju, po çmimet tjera që i keni marrë deri tani?
Ridvan Maloku:
Së fundmi kam bërë një animacion krejt të shkurtë, i cili i është dedikuar një ngjarjeje jo shumë të mirë që na ka ndodhur si familje. Pa hyrë më thellë në detaje… për shkak të burokracive të vizave, për nëntë muaj nuk kam pasur mundësi të jem pranë djalit tim që në atë kohë vetëm sa kishte filluar ti mësonte fjalët e para. Një ditë gruaja ime më dërgoi një video të tij duke numëruar deri në dhjetë në gjuhën angleze. Për ta sfiduar ndarjen vendosa ta shndërroj këtë moment në një animacion. Kështu që mora zërin e tij, dhe derisa ai po numëronte unë i shndërrova këta numra në animacion. Si projekt është pritur shumë mirë dhe deri më tani është publikuar në pesë festivale të filmit të shkurtë, dhe më ka sjellur edhe tre çmime tjera ndërkombëtare.

KultPlus: Gjithashtu ke ligjëruar edhe ne School of Visual Art apo SVA ne New York City. Sa është e rëndësishme kjo për ju?
Ridvan Maloku:
Si shumë të rijnë nga Kosova edhe unë nuk vija nga ndonjë familje e pasur, dhe si rrjedhojë e kësaj asnjëherë nuk kam përfunduar ndonjë shkollë adekuate për këtë profesion. Sapo kisha përfunduar shkollën e mesme fillova të punoja. Por kanë qenë dy shkolla që gjithnjë kam ëndërruar se do e përfundoja njërën, Vancouver Film School në Canada dhe School of Visual Art në SHBA.

Ne këtë te fundit, pra në SVA, kam qenë i ftuar si mysafir special të ligjëroj para studentëve që ishin afër diplomimit, ku kam ligjëruar për afro tri orë, fillimisht duke shpalosur një historik të vogël, pastaj duke shpjeguar për programet që unë përdori në punën time të përditshme dhe se si ndërtohet një karrierë e sigurt qoftë me orar të plotë apo freelancer (artist i pavarur). Kjo për mua ka qenë një eksperiencë shumë e mirë dhe shumë emocionuese në të njëjtën kohë.

KultPlus: Cila është këshilla që ju thoni ndoshta më së shumit te rinjve?
Ridvan Maloku:
Ende nuk e di saktësisht se çfarë bëj, pra nuk i di të gjitha përgjigjet dhe ende jam në kërkim të tyre, por e rëndësishme është që mos të ndalemi duke kërkuar”.

KultPlus: E keni menduar të riktheheni në Kosovë për ndonjë projekt, ndoshta diçka pikërisht për animacionin dhe për të rinjtë?
Ridvan Maloku:
Unë faktikisht këtu jam me vizë pune dhe asnjëherë nuk kam pasur ndonjë tendencë që të ndalem përgjithmonë. Ideja ishte që të futem në një gropë të madhe dhe ta gjeja rrugën për të dalë jashtë saj, pra me fjalë të tjera ta sfidoj vetën në maksimum, sepse vetëm atëherë kur largohesh nga hapësira e sigurt bënë një progres të vërtetë. Këtë vit shpresoj ta vizitoj Kosovën për herë të parë pas pesë viteve, dhe jam shumë i hapur për bashkëpunim, kështu që kushdo që ka ndonjë kërkesë apo ofertë mund të më kontaktojnë. Kam shumë informacion për të ofruar që do të ishte shumë i dobishëm jo vetëm për të rinjtë por gjithashtu edhe për bizneset, po flas jo vetëm për profesionin por dhe nga ajo se si është tregu këtu dhe si ata mund të depërtojnë në tregun global./KultPlus.com

Të premten publikohet himni i Botërorit i kënduar nga Era Istrefi

Will Smith dhe Nicky Jam, së bashku me këngëtaren Era Istrefi, do të këndojnë së bashku këngën e Kampionatit Botëror të FIFA-s në Rusi, raporton “Billboard” duke u thirrur në raportime mediale dhe burime të pavarura.

Kënga do të punohet nga Diplo dhe pritet të lëshohet më 25 maj. Lajmi fillimisht u publikua nga “Vibe” dhe radiostacioni kolumbian “W Radio” dhe u konfirmua veçmas për “Billboard”-in nga burime të afërta me projektin, transmeton Koha.net.

Edhe pse ka disa këngë të ndërlidhura me Kampionatin botëror, himni zyrtar zakonisht është ajo më e madhja dhe performohet në finalen e Botërorit, i cili do të shikohet nga rreth 2 miliardë njerëz. Himne të kaluara janë kënduar nga Shakira, “Waka Waka” dhe Ricky Martin “The Cup of Life.”

Sipas një interviste të menaxherit të Nicky Jam, Juan Diego Medina, që u lëshua në “W Radio”, Nicky Jam dhe Smith ishin në Budapest për t’i kryer punimet finale në këngë e cila do të lansohet këtë të premte.

Para kësaj, “Vibe” raportoi se, sipas producentit të muzikës reggaeton DJ Nelson, Smith dhe Nicky Jam po punonin në këngën. “Vibe” po ashtu raportoi se Istrefi do të jetë pjesëmarrëse në këtë.

Artisti grek: Vlora qytet i mrekullueshëm për turizmin

Stefano Fasias, artist i njohur grek, drejtues i një ansambli shumë të njohur në Selanik është ndier i befasuar me ndryshimet që ka pësuar qyteti bregdetar shqiptar.

Fasias ka vizituar për herë të fundit qytetin e Vlorës 4 vite më parë, ai erdhi për herë të parë në Vlorë për të marrë pjesë në Edicionin e 6-të të Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Aulona Interfolk”. Qyteti në atë kohë, nuk ofronte asnjë përshtypje të veçantë, pavarësisht peizazhit tërheqës natyror.

Por, sot, ajo çka sheh e ka lënë pa fjalë. Ndryshimet në qytet, “Lungomarja”, rrugët, gjithçka. Është një transformim i plotë dhe i pabesueshëm në kaq pak kohë.

Sot, Vlora për artistin grek është një qytet i mrekullueshëm, i denjë për t’u vizituar nga turistët e huaj. Madje, ai thotë se, me pamjen aktuale, Vlora i kujton qytetin e vet të lindjes, me një profil turistik mjaft të spikatur.

Ka mbetur i befasuar dhe këtë përjetim e përcjell në çdo fjalë që thotë, të cilat i shoqëron me një buzëqeshje të ngrohtë, teksa kthehet herë-herë edhe nga bashkëshortja, duke kërkuar prej saj me gjeste dhe shprehjet e fytyrës edhe një lloj miratimi.

“Kam një përshtypje të mrekullueshme sot për Vlorën. Kam ardhur edhe në vitin 2014, për të qenë në këtë festival të shkëlqyer të folklorit, që organizohet këtu në qytetin tuaj. Por, sapo mbërrita, menjëherë më bëri përshtypje transformimi dhe ndryshimi total i Vlorës”, – shprehet për ATSH-në Fasias. Ai u habit me ndryshim, modernizimin e qytetit, i cili aktualisht i kujton Selanikun, qytetin ku ka lindur dhe jeton me familjen. “Unë u habita me ndryshimin e madh që ka bërë Vlora e cila, kështu, kaq e bukur, më kujton Selanikun, qytetin tim”, – thotë artisti nga Greqia. Sipas tij, Vlora sot është një qytet i denjë për zhvillimin e turizmit, ku turistët e huaj mund të vijnë e të shijojnë, jo vetëm detin dhe bukuritë e natyrës, por edhe bukurinë e qytetit, shërbimet që ofrohen këtu, këtë pamje të mrekullueshme.

Ai shton se, përtej vizitës si artist, do të vinte me kënaqësi në Vlorë për të kaluar pushimet gjithashtu do t’ua sugjeronte edhe miqve të e tij. Por, këtë nuk mund ta thoshte 4 vjet më parë, atëhere kur përshtypjet e tij për qytetin, ishin krejtësisht të ndryshme. “Unë, nëse do të më krijohen mundësitë, do të vij vetë këtu për pushimet dhe do të sjell edhe miqtë e mi, për të pushuar e për të bërë plazh. Dhe, padyshim që edhe ata do të kënaqen. Por, këto fjalë, nuk mund t’i thosha në vitin 2014, kur unë isha këtu për herë të parë, sepse qyteti në atë kohë ishte shumë më ndryshe.

Tani jam i sigurtë, ndihem ndryshe dhe Vlora më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë”, -përcjell përmes ATSH-së, përjetimet e tij për qytetin e Vlorës, artisti nga Greqia, Stefano Fasias, i cili vetëm një ditë pas këtij bashkëbisedimi do të përjetonte edhe një moment tjetër të mrekullueshëm.

Grupi që ai drejton, Ansambli “Epirus” i Selanikut, u kurorëzua me Kupën e Edicionit të 10-të të Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Aulona Interfolk”.

Në Muzeun e Kosovës hapet ekspozita për Presidentin Historik Ibrahim Rugova

Sot më 24 maj në Muzeun e Kosovës-Sektori i Historisë, hapet ekspozita me titull “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës”, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë vjen me bashkautor Sadik Krasniqi dhe Besnik Rraci.

Ekspozita hapet sot me fillim nga ora 13:00 ndërsa ky eveniment bëhet me rastin e ditës së Presidentit të Republikës së Kosovës./ KultPlus.com

Jahti luksoz i Titos shndërrohet në muze

Jahti i Josip Broz Titos, i njohur si “Galeb”, në të cilin dikur qëndronin yjet e Hollywoodit dhe liderët botërorë, do të shndërrohet në muze në ujë, transmeton AP.

Autoritetet lokale do të riparojnë jahtin në kuadër të projektit në vlerë prej 5.4 milionë eurosh.

Jahti do të marrë një pamje të re dhe ajo pritet të rregullohet gjatë vitit të ardhshëm./ KultPlus.com

Shqipëria Komuniste vjen me filmin “Bunker”, në këtë film edhe aktori kosovar Gramos Gashi (VIDEO)

Është film i metrazhit të gjatë dhe sapo ka prezantuar edhe trailerin, shkruan KultPlus, film i cili është vendosur në vitet e 80-ta, pikërisht në Shqipërinë Komuniste.

Filmi “Bunker”është punuar me regji të Kast Hasa, kurse me role në këtë film janë përfshirë aktorët: Klod Hoxha, Enxhi Cuku, Kristi Baçi, Kristaq Pilo, Arjeton Toni Osmani, Gramos Gashi, Kast Hasa, Ioana Sinani dhe Anila Mucaj.

Filmi flet për Fridën, një vajzë 18 vjeçe e cila është dashuruar me Arturin, një djalë u bukur i qytetit, familja e të cilit është politikisht në kundërshtim me qeverinë totalitare. Dhe pikërisht kjo lidhje është edhe boshti i këtij filmi.

Filmi është i zhanrit dramë kurse për premierën e këtij filmi ende nuk është bërë e ditur se kur dhe ku do të prezantohet./KultPlus.com

150 mijë euro nga MKRS për “Qendrën e edukimit jo-formal për rini”

Pas vizitës, në fillim të këtij muaji, e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në SHBA, ku ka qëndruar në degën e Amerikës së organizatës botërore për rini YMCA, sot në MKRS është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit për financimin e projektit “Qendra e edukimit jo-formal për rini”.

Memorandumi u nënshkrua mes MKRS-së dhe OJQ “George Williams Youth Association in Kosovo” (GWY), respektivisht ministrit Kujtim Gashi dhe drejtoreshës së GWY-së, Dorina Davies. Ky dokument parasheh investimin e MKRS-së në vlerë financiare prej 150 mijë euro për projektin “Qendra e edukimit jo-formal për rini” me lokacion në fshatin Pjetërshan në Komunën e Gjakovës, i cili do të realizohet në vitin 2018.

Investimi në këtë projekt ofron një platformë dhe infrastrukturë fizike me kushte shumë të mira për zhvillim të aktiviteteve për të rinjtë dhe rejat e Republikës së Kosovës përfshirë komunitetet pakicë, personat me aftësi të kufizuara, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet shtetërore.

Ministri Kujtim Gashi u shpreh se me nënshkrimin e memorandumit mundësohet krijimi i një hapësire të re për të rinjtë e Kosovës.

“Ndjehem shumë i lumtur që përmes nënshkrimit të sotëm, të rinjve të Kosovës do t’ua mundësojmë që të kenë një qendër të mrekullueshme që të trajnohen dhe edukohen në fusha të ndryshme. Bashkëpunimi me GWY-në e cila është përfaqësuese e YMCA-së në Kosovë është një rast i mirë, sepse do të realizojë aftësimin e mëtejmë të të rinjve, sidomos me përvojën amerikane për organizimin e rinisë”, ka thënë ndër të tjera ministri Gashi.

“Si ministër dhe MKRS-ja mbetemi të angazhuar maksimalisht që ta mbështesim grupin shoqëror më të rëndësishëm dhe më të ndjeshëm të vendit tonë, rinisë. Vit pas viti, kemi rritur buxhetin për rininë, kemi përkrahur drejtpërdrejt të rinjtë përmes subvencionimit të projekteve të ndryshme në ndërmarrësi, në sigurinë njerëzore, në edukimin shëndetësor, në edukimin jo-formal. Kemi investuar dhe janë në plan të investohen edhe më tej, projekte kapitale duke ndërtuar qendra të rinisë nëpër lokacione të ndryshme anekënd Kosovës, siç është edhe memorandumi që nënshkruam sot”, tha ministri.

Ndërsa, udhëheqësja e OJQ “GWY”, Dorina Davies, e falënderoi ministrin për gatishmërinë e treguar për realizimin e projektit. “Qendra multifunksionale që do të ndërtohet është e para e këtij lloji në rajonin e Ballkanit dhe Kosova është me fat për këtë. Sot është një ditë historike për të rinjtë. Kjo qendër do t’i ketë 90 shtretër, salla për trajnime të ndryshme”, tha Davies, duke shtuar se edhe shkollat e Kosovës mund t’i dërgojnë fëmijët në këtë qendër, e cila përpos edukimit jo-formal ka për qëllim edhe nxjerrjen e talenteve të ndryshme në art dhe sport./ KultPlus.com

Tradita shqiptare prezantohet në Karnavalin e Kulturave në Berlin (FOTO)

Karnavali i Kulturave në Berlin zhvillohet çdo vit gjatë fundjavës së Ditës së Pesëdhjetë ndërsa edhe këtë vit ka vazhduar organizimi i këtij karnavali që mbledh kultura të ndryshme në kryeqytetin e Gjermanisë, shkruan KultPlus.

Njerëz të kulturave të ndryshme mblidhen në rrugët e kryeqytetin e festojnë me veshjet e tyre tradicionale. Po ashtu në këtë karnaval nuk munguan as shqiptarët, të cilat me veshje tradicionale, vallëzim e këngë u prezantuan para mijëra pjesëmarrësve në Berlin./ KultPlus.com

Bebe Rexha për Billboard: Jam e lumtur dhe nervoze për albumin e ri

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka folur për albumin e saj të ri dhe pse Jennifer Lopez është artistja që e inspiron.

Rexha, që po dominon akoma në Amerikë me hitin “Meant to Be”, thotë se do të dëshironte të bashkëpunonte sërish me grupin Florida Georgia Lines.

“Kam disa gjëra që jam duke i punuar. Nuk kam përjetuar kurrë dashurinë e tillë para se të merresha me zhanrin ‘country’ andaj jam shumë falënderuese dhe mendoj se është shumë e papritshme, e bukur dhe e mrekullueshme”, ka thënë ajo për “Billboard”.

Më 22 qershor, Rexha lanson albumin e ri “Expectations”. Ajo thotë se është e lumtur dhe nervoze në të njëjtën kohë për lansimin e këtij albumi.

“Jeta ka shumë të papritura, isha shumë e lumtur, isha e mërzitur, isha duke u rritur dhe duke mësuar gjëra të caktuara në jetë, dhe nuk e di se çfarë do të ndodhë dhe për këtë është albumi. Ka momente të lumtura e të mërzitshme. Andaj mendoj se është një perceptim i jetës”, ka thënë ajo.

Sa i përket yllit të saj të preferuar Jennifer Lopez, këngëtarja shqiptare ka thënë se ajo është e mahnitshme.

“Më pëlqen si performuese, qëndrimin që ka. Mendoj se është e jashtëzakonshme”, është shprehur ajo./ KultPlus.com

Vdes krijuesi i posterëve të paharrueshëm të filmave hollivudianë

Është ndarë nga jeta në moshën 97 vjeçare, Bill Gold, krijuesi i disa prej posterëve më të paharrueshëm në botën e filmit.

Përpos jetëgjatë ai pati edhe karrierë të tillë që numëron më shumë se dy mijë posterë, përfshirë ata të filmave ikonikë si Casablanca, Dial M for Murder, Dirty Harry, East of Eden.

Ai e kishte filluar punën me kompaninë Warner Brothers që në të 40-tat, dhe posteri i filmit “Casablanca” është ndër të parët nga Gold.

Ndonëse i pensionuar nga viti 2003, ai kishte vazhduar që të dizajnojë posterë nga shtëpia e tij në Connecticut, dhe i fundit ishte ai i filmit biografik “J. Edgard” me regji të Clint Eastwood./ KultPlus.com

Holanda vlerëson Tiranën: Qyteti që ka bërë më shumë ndryshime mjedisore vitin e fundit

Mbjellja e mbi 122 mijë pemëve, kthimi i qendrës së qytetit në pedonale, shtimi i lulishteve dhe këndeve të lojrave, e kanë renditur Tiranën si qyteti që ka bërë më shumë ndryshime mjedisore në vitin e fundit. Vlerësimi për kryeqytetin shqiptar vjen në prag të hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, nga Utrechti i Hollandës, ku kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte i ftuar në takimin e kryetarëve të bashkive, i cili u mbajt në Javën e Gjelbër të BE-së.

Të pranishëm në këtë event të rëndësishëm për qytetet në ndryshim ishin edhe Komisioneri i BE-së për Mjedisin, Karmenu Vella, Drejtori Ekzekutiv i UNEP-it, Erik Solheim, kryetari i Bashkisë së Utrecht-it, Jan van Zanen, si dhe përfaqësues të qeverisë dhe parlamentit holandez.

Kryebashkiaku Veliaj dhe homologu i tij në Utrecht, diskutuan në panelin kryesor të takimit të kryebashkiakëve me temë: “Të gjelbërojmë qytetet së bashku”. Veliaj prezantoi politikat mjedisore që po ndjek Tirana dhe se si qyteti është bërë më miqësor me fëmijët, të rinjtë dhe të gjithë ata që duan natyrën. “Është kënaqësi e veçantë që jemi në Utrecht, ku Tirana u përzgjodh si një nga qytetet që po bën revolucion në gjelbërim dhe ekonominë e qëndrueshme. E them këtë sepse sapo filloi java evropiane e qyteteve të gjelbërta dhe fakti që Utrechti prezantoi Tiranën si dy nga qytetet që kanë bërë një revolucion në botë, Utrechti në vitet ‘60, ‘70, ‘80 dhe Tirana në vitet e fundit, na bën të ndjehemi vërtet krenarë”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Ai theksoi se ky vlerësim më së shumti shkon për qytetarët e Tiranës, të cilët kanë përqafuar politikat mjedisore të Tiranës, siç ishte edhe aksioni për mbjelljen e pemëve. “Shpreh mirënjohjen time për të gjithë qytetarët e Tiranës që e prodhuan këtë histori suksesi. Në fund të ditës bashkia ka vetëm një thelë të kontributit për gjelbërimin apo ndryshimin e mentalitetit. Pjesën më të madhe, si ajo për mbjelljen e mbi 120 mijë pemëve, e kanë qytetarët e Tiranës. Ndihem i bekuar që administrata jonë punon në një qytet ku njerëzit e përqafojnë ndryshimin, ku duke filluar nga fëmijët e deri tek të moshuarit, kujdesen për qytetin, e ndjejnë si të tyrin, dhe besoj që fushata e madhe e pemëve mori jo vetëm një vlerësim këtu në Javën Evropiane të Qyteteve të Gjelbërta, por besoj merr çdo ditë uratën dhe vlerësimin e qytetarëve tanë që sot jetojnë në një qytet më të jetueshëm. Por, unë besoj se më e mira është përpara”, tha Veliaj.

Gjatë takimeve që pati me përfaqësuesit e qeverisë dhe parlamentit holandez, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u kërkoi autoriteteve holandeze të shohin me dashamirësi hapjen e negociatave me Shqipërinë. Sipas tij, kjo do të sillte një avancim të reformave të nisura nga qeveria shqiptare.

“Unë besoj se qeveria shqiptare ka prezantuar një argument shumë të mirë të mënyrës se si kemi reformuar vendin, shtetin, por edhe ne si kryetarë bashkie se si kemi reformuar qytetet. Për shumë nga përfaqësuesit e qeverisë holandeze apo edhe të Komisionit Europian që ishin këtu sot, teksa shikojnë se si po reformohet shteti ynë nga qeveria shqiptare dhe qytetet tona nga bashkitë, besoj që kanë parë filizat e çfarë do të thotë krijimi i një qyteti dhe një shteti realisht evropian. Nëse do të vazhdojmë të tregojmë historinë e transformimit të shtetit dhe qyteteve tona besoj që do e kemi më të thjeshtë teksa negociojmë anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimit Europian”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës shtoi se vlerësimi që mori kryeqyteti në Utrecht na jep motivim që aksioni i mbjelljes së pemëve të vazhdojë edhe më tej, për t’u kthyer në një nismë të përhershme deri në krijimin e Pyllit Orbital.

“E nisëm me 120 mijë pemë, por gjersa të mbyllim gjithë projektin tonë të Pyllit Orbital duhen rreth 2 milionë pemë. Do të thotë se mbjelljen e pemëve do ta kthejmë në një nismë vjetore, nga fillimi i tetorit deri në fund të marsit. Nëse vazhdojmë me ritmin këtë vit me 120 mijë pemë, nuk do të jemi larg nga dita që do të jemi një qytet si Utrechti apo si shumë qytete të tjera që e filluan këtë proces para 40-50 vitesh”, deklaroi Veliaj./tvklan

Promovohet në Stockholm romani “1803” i autorit Besim Xhelili

Nën organizimin e Lidhjes së Shoqatave Shqiptare në Suedi “Iliria” dhe në bashkëpunim me krijuesit dhe intelektualët shqiptarë të Stockholmit me rrethinë, u mbajt një orë letrare për nder të 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeu. Me këtë rast u promovua romani në suedisht “1803” i autorit shqiptar që jeton në Vjenë, Besim Xhelili.

I pranishëm në këtë manifestim letrar dhe kulturor ishte edhe përkthyesi i romanit, suedezi dhe miku i madh i shqiptarëve, Ullmar Qvick.

Për organizimin e këtij aktiviteti u përkujdesën Shuquri Sejdijaj, një aktivist i dalluar në këtë shtet, gazetar me vite të tëra i programit të gjuhës shqipe pranë radios shtetërore suedeze, Teuta Haziri, shkrimtare dhe Murat Koci, mësues, publicist dhe anëtar i kryesisë sëLidhjes së Shoqatave Shqiptare në Suedi “Iliria”.

Në pjesën e parë të programit, me vargjet e tyre u paraqitën krijuesit: Shqiptar Oseku, Afërdita Xani, Ullmar Qvick, Fahredin Berisha, Teuta Haziri, Entela Tabaku Sörman, Grentina Krasniqi, Elhame Zhitia Krasniqi, Muhamed Krasniqi, Ana Tabaku (poezi nga I. Kadare), Shuquri Sejdijaj, Besim Xhelili dhe Sefer Shyti.

Në pjesën e dytë u bë promovimi i romanit në suedisht të shkrimtarit shqiptar me banim në Vjenë, me titull “1803”. Të pranishëm ishin vetë autori dhe përkthyesi Ullmar Qvick, i cili u paraqit me një vështrim të shkurtër mbi romanin. Ai u shpreh me fjalë të zgjedhura për romanin dhe ua rekomandoi lexuesve ta shijojnë.

Në pjesën e tretë të programit u shfaq filmi “Me shqiptarët e Suedisë”, me idenë dhe skenarin e Murat Kocit dhe regjinë e Arjan Melonashit.

Me disa pika muzikore këtë aktivitet të ngjeshur kulturor e larmoi me një dozë të theksuar shplodhjeje maturantja Doruntina Asani, e cila me shumë emocion këndoi këngën “Moj e bukura, More”, shoqëruar me duartroktije të mëdha nga të pranishmit. Vlen të theksohet së me praninë e tyre e nderuan këtë aktivitet Ambasadori i Shqipërisë në Suedi z. Ilir Abdi, z. Genti Bendo, ministër këshilltar, dhe znj. Rozeta Fejzulla, sekretare në Ambasadën Shqiptare në Stockholm.

Gjirokastra, qyteti i gurtë gati në pritje të turistëve

Në Gjirokastër ka përfunduar faza e parë e Rilindjes së Qafës së Pazarit që përfshiu restaurimin e thellë të 10 blloqeve, për të qenë gatë këtë sezon veror në pritje të më shumë turistëve të huaj dhe vendas.

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur sot, pikërisht këtë qytet, ku prej dy ditësh ka zhvendosur të gjithë kabinetin qeveritar, për rubrikën e tij të përditshme ‘mirë mëngjes”.

Në statusin e tij, përmes një videoje kreu i qeverisë bën të ditur se Gjirokastra qyteti i gurtë ka pritur një numër të konsiderueshëm në rritje të turistëve.

“Dhe nga Gjirokastra e rritjes së konsiderueshme të numrit të turistëve, ku ka përfunduar faza e parë e Rilindjes së Qafës së Pazarit, me restaurimin e thellë të 10 blloqeve, ku janë zëvendësuar tërësisht edhe çatitë, dritaret, vetratat e dyqaneve, e ku po marrin jetë hotele e bujtina të reja në vend të rrënojave, ju uroj një ditë të bukur”, shkruan kryeministri Rama.

19th-century traditional Ottoman houses, mosque, from Castle hill in Gjirokastra (Gjirokaster), UNESCO World Heritage Site, Albania

Mos e humbni këtë fjalim të Charlie Chaplinit, është më emocionuesi!

Njohuritë tona na kanë bërë cinikë. Zgjuarsia jonë na ka bërë të ashpër dhe të pasjellshëm. Ne mendojmë shumë dhe ndiejmë pak. Më shumë se për makineri, ne kemi nevojë për humanizëm. Më shumë se për zgjuarsi, ne kemi nevojë për mirësi dhe xhentilesë. Pa këto cilësi, jeta do të jetë e dhunshme dhe ne të gjithë do të jemi të humbur…

Në fjalimin e tij të fundit në filmin “Diktatori i madh”, Charlie Chaplin tha një sërë fjalish, të cilat mbeten aktuale edhe në ditët e sotme. Më poshtë do të keni mundësi të lexoni një pjesë të fjalimit të tij që do t’ju përlotë.

“Më falni, por unë nuk dua të jem një perandor. Kjo gjë nuk i përket interesave të mia. Unë nuk dua të urdhëroj dhe as të mposht të tjerët. Unë dua t’i ndihmoj të tjerët – të gjithë nëse është e mundur – hebrenjtë, xhentilët, personat e bardhë, personat me ngjyrë. Ne të gjithë duam ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Kështu funksionojnë qeniet njerëzore. Ne duam të jetojmë me lumturinë e njëri-tjetrit, dhe jo me mjerimin e njëri-tjetrit. Rruga e duhur e jetës mund të jetë e lirë dhe e bukur, por ne kemi humbur rrugën.

Lakmia ka pushtuar shpirtrat e njerëzve, ka rrethuar botën me urrejtje dhe na ka shtyrë ne në mjerim dhe gjakderdhje. Ne kemi ecur drejt zhvillimit, por duke kyçur veten tonë brenda. Makinat që na japin bollëk, na kanë lënë në mjerim. Njohuritë tona na kanë bërë cinikë. Zgjuarsia jonë na ka bërë të ashpër dhe të pasjellshëm. Ne mendojmë shumë dhe ndiejmë pak. Më shumë se për makineri, ne kemi nevojë për humanizëm. Më shumë se për zgjuarsi, ne kemi nevojë për mirësi dhe xhentilesë. Pa këto cilësi, jeta do të jetë e dhunshme dhe ne të gjithë do të jemi të humbur…

Aeroplani dhe radioja na kanë afruar me njëri-tjetrin. Natyra e vërtetë e këtyre shpikjeve thërret për mirësinë tek ne – thërret për vëllazëri – thërret për bashkim. Edhe tani zëri im po arrin në veshët e miliona njerëzve të dëshpëruar dhe atyrë që mund të më dëgjojnë, u thëm – Mos u dëshpëroni. Mjerimi që gjendet mes nesh, është pasojë e lakmisë, e zemërimit të njerëzve që i tremben progresit të humanizmit. Urrejtja e njerëzve do të kalojë, diktatorët do të vdesin dhe fuqia që ata morën prej njerëzve, do t’u kthehet njerëzve.

Ju keni fuqinë të krijoni lumturinë. Ju, njerëz, keni fuqinë ta bëni këtë jetë të lirë dhe të bukur, ta bëni këtë jetë një aventurë të mrekullueshme”. / Bota.al

Gratë

Poezi nga Mario Vargas Llosa, përkthyer nga Orjela Apolloni

Të gjitha gratë e bukura janë ato që unë i kam parë
ato që shkojnë rrugës me pardësy të gjata dhe me minifunde
ato që erëmojnë këndshëm dhe buzëqeshin kur i shikojnë.

Pa përmasa perfekte, pa taka të larta.
gratë më të bukura presin autobusin e lagjes sime
ose blejnë çanta në tezgat e rrugës.
I lyejnë sytë si t’ua dojë qejfi
dhe buzët me karmin kinez.

Lule të shkretëtirës janë gratë
që kanë buzëqeshje në sy
që t’i ledhatojnë duart kur je i trishtuar
që i humbin çelësat në fund të palltos
ato që hanë pica në grup me miqtë
dhe qajnë vetëm me pak prej tyre
ato që i lajnë flokët dhe i lënë që t’i thajë era.

Bukuroshet e vërteta janë ato që pinë birrë
dhe nuk e masin sa patatina kanë ngrënë,
ato që ulen në stolat e parkut me qese me fara,
ato që ledhatojnë me ëmbëlsi qentë që afrohen për t’i nuhatur.
Damat e mrekullueshme me veshjet sportive të së dielës.
Ato që erëmojnë manaferrë dhe karamele.

Gratë e bukura nuk dalin në revista, ato i shikojmë te mjeku
dhe presin të dashurin të ngazëllyera me fustane me dredhëza.
dhe qeshin të shkujdesura me shakatë e televizionit,
dhe e durojnë futbollin në këmbim të një puthjeje.

Gratë normale shpenzojnë bukuri, jo glamur,
konsumojnë buzëqeshjet duke parë në sy,
dhe kryqëzojnë këmbët e harkojnë shpatullat.
Dalin në fotografi të paretushuara, të rrethuara nga njerëz,
duke qeshur me zë të lartë, dhe duke përqafuar
me lumturinë e grupeve të mëdha.

Gratë normale janë bukuritë autentike,
pa gomë dhe pa laps. Lulet e shkretëtirës janë ato që të rrinë në krah.
Ato që na duan dhe që i duam.
Vetëm se duhet të shohim përtej linjave, përtej syve të mëdhenj,
përtej këmbëve përmbi këmbë, përtej gjoksit marramendës.

Ornamente efemere, gjurmë të kohës, armike e formës dhe
armike e shpirtit. Marramendje divash dhe e qarë princeshash.
Bukuria e vërtetë gjendet në rrudhat e lumturisë./KultPlus.com

Skënderbeu me Donikën parakalojnë edhe në Itali, shkruajnë mediet italiane (FOTO/VIDEO)

Arbëreshët e Italisë janë paraqitur me një parkalim në Cosenzë të Italisë, të cilët, me valle, këngë dhe performanca të ndryshme kanë prezantuar edhe njëherë kulturën e tyre shumë shekullore, shkruan KultPlus.

Dhe duke kujtuar Gjergj Kastriotin Skënderbeun, ata kanë parakaluar të shoqëruar edhe me Skënderbeun dhe Donikën, të cilët, të njëjtën paraqitje, duke ribërë dasmën e heroit kombëtare, janë paraqitur edhe në Kaninë të Vlorës.

Dhe kjo paraqitje e tyre nuk ka mbetur pa u mbuluar edhe nga mediet italiane, ku Televizioni italian news. 24 ka realizuar një kronikë mbi këtë paraqitje./KultPlus.com


Këta janë poetët që do të lexojnë në Takimet Ndërkombëtare Letrare “Azem Shkreli”

Edicioni i 16-të me radhë, Kosova përfaqësohet në një nga ngjarjet më të mëdha në rajon ku do zhvillohet eventi Takimet Ndërkombetare Letrare “Azem Shkreli” 2018, ku do jenë të pranishëm mysafirë special nga vende të ndryshme të botës, shkruan KultPlus.

Për këtë ngjarje kulturore që do të mbahet prej 23 deri më 24 maj, tashmë është publikuar edhe lista perfundimtare e poeteve pjesëmarrës në këtë konkurrim si edhe kronologjia e përcaktuar e leximeve:
Sipas organizatorëve, më 23 maj, në ceremoninë e ndarjes së cmimit “Bulëzat”, janë përzgjedhur poetët: Naxhije Kastrati “Spontanija”, Neki Lulaj “Beteje e fituar”, Ali Lajqi “Ne permendoren e vjeter”, Rasim Thaqi “Sikur edhe nje here” dhe Sabahete Kaliqani “Fanar lirie”.

Kurse po më datën 23, pas Tribunës Tematike të mbajtur nga studiuesi Ndue Ukaj, do të prezantohen poetët: Nikolle Lokaj “E kam pyetur veten”, Fatmire Duraku “Vasha me kike”, Qazim Muska “Mpakje”, Zhaneta Barzhaj “Bota ne tenxhere”, Erina Coku “ Kodi I Heshtjes”, Labinot Berisha “Keshillat e vetes”, Marigone Kelmendi “Ne Himalajet e perkrenares sime”, Esat Loshaj (Jashte Konkurrimit), Rustem Gerguri (Jashte Konkurrimit) dhe Shaqir Foniqi (Jashte Konkurrimit)

Kurse manifestimi qendror do të mbahet më 24 maj, ku poetët që do të lexojnë janë: Mira Tuci “Kanga e vjetit 7102”, Adriatike Lami “Liri ne levizje”, Alfons Zeneli “Portret ne drite”, Vjollca Dibra “Vetevritemi”, Irena Gjoni “Rrefimi I rrenojave te zeshme”, Dhimiter Pojanaku “Frika vyshk lulet e veres”, Shefqete Glosaci “Shtegetime”, Poet i huaj, Poet I huaj, Poet I huaj, Islam Cenga “Ne Peje nuk kam qene kurre”, Jeton Kelmendi (Jashte Konkurrimit), Ajete Pavata (Jashte Konkurrimit), Sare Gjergji (Jashte Konkurrimit) dhe Adem Shkreli (Jashte Konkurrimit)

Po më 24 maj do të mbahet edhe takimi poetik me poezi dedikuar Skënderbeut, ku poezitë e tyre do ti lexojnë: Fran Ukcama “Bese e zemer ne asht’ te kombit”, Nebi Bunjaku “Dielli i Arberise”, Agim Desku “Ma fal vdekjen, Gjergji im”, Elisabeta Gockaj “Liria”, Rame Oranca “Liria buron nga zemra”, Zymer Melhani “Dua”, Sami Velqani “Elegji per Dede Gjo Lulin”, Vera Bytyqi (Jashte Konkurrimit), Vladimir Muca “Ikje” dhe Farida Ramadani “Lavdi shekujsh”.

Tri poezitë fituese do të lexohen në ceremonialin e ndarjes se cmimeve në shesh./KultPlus.com

Thënie nga veprat e Ernest Heminguej që kurrë nuk keni për t’i harruar, sidomos të gjashtën

“Jeta e çdo njeriu përfundon në të njëjtën mënyrë. Janë detajet se si ai njeri jetoi dhe se si vdiq që dallojnë njërin person nga tjetri”.

“Mënyra më e mirë për të kuptuar, nëse e beson dikë, është duke i besuar atij/asaj”.

“Përpara se të flasësh për jetën, së pari duhet ta jetosh atë”.

“Gjëja më e dhimbshme është të humbasësh veten në procesin e të dashurit shumë të dikujt dhe të harrosh se edhe ti vetë je special/e”.

“Asnjë mik nuk është aq besnik sa një libër”

“Lumturia tek njerëzit inteligjentë është gjëja më e rrallë që njoh”.

“Përpara se të flasësh, dëgjo. Përpara se të reagosh, mendo. Përpara se të shpenzosh, kurse. Përpara se të lutesh, fal. Përpara se të heqesh dorë, përpiqu”.

“Mjaft ndoqe nga pas personin e gabuar. Personi i duhur nuk ka për ikur kurrë nga ty”.

“Është me rëndësi që të arrish në fund të një udhëtimi, por gjëja më me rëndësi, është vetë udhëtimi”.

“Vetëm ata që janë të përgatitur për të shkuar shumë larg, mund ta kuptojnë më mirë se sa larg mund të shkojnë”. / Bota.al

Këto janë fotografitë zyrtare të familjes mbretërore, pas martesës së Princ Harry dhe Meghan (FOTO)

Meghan Markle është antarja më e re e familjes mbretërore në Angli, dhe tashmë kjo rritje e familjes është shënuar edhe më një fotografi të familjes mbretërore, që është realizuar nga fotograf profesionist.

Mediet botërore tashmë kanë plasuar fotografitë zyrtare të familjes mbretërore, që janë realizuar pas kurorëzimit të dashurisë mes Princi Harry dhe Meghan. /KultPlus.com

Familja Obama i hyjnë botës së filmit, marrëveshje me Netflix

Familja Obama janë një nga familjet më të pëlqyera në Shtetet e Bashkuara Qysh prej kohës kur ishin familja që udhëhiqnin vendin, ata kanë fituar zemrat e shumë amerikanëve, e edhe tani që nuk janë në krye të vendit, nuk janë harruar nga fansat e tyre, shkruan rtv21.tv.

Pas një relaksimi pas 8 viteve intenzive me punë, Barack e Michelle kanë hyrë në biznesin e prodhimit të filmave, duke arritur një marrëveshje disavjeçare me kompaninë shumë të famshme Netflix. Netflix e ka lajmëruar këtë sot me anë të një postimi në Twitter, duke bërë të ditur se “President Obama dhe Michelle Obama kanë hyrë në një marrëveshje disavjeçare për prodhimin e filmave dhe serive për Netflix”./21Media

Dua Lipa me performancë të jashtëzakonshme në Billboard Music Awards (VIDEO)

Dua Lipa mbrëmë ka qenë e pranishme në Billboard Music Awards 2018 që u mbajt në Las Vegas, shkruan KultPlus.

Ylli botëror që po pushton skenat më të njohura të vendeve të ndryshme të botës, mbrëmë ka sjellë një performancë të jashtëzakonshme në skenen e Billboard Music Awards.

Lipa atje ka interpretuar superhitin e saj “New Rules”, me të cilin ka mbledhur mbi 1 miliard klikime nga njerëz në mbarë botën. Mbrëmë ajo është paraqitur me një skuadër grash te cilat e shoqërojnë gjatë gjithë performances së saj. KultPlus ju sjellë videon e publikuar nga këngëtarja shqiptare. / KultPlus.com


“Ti perëndo pa lindur o diell”

Teuta Kurti është një emër i njohur në muzikën shqiptare. Zëri i saj ka jetësuar mjaft këngë të vjetra qytetare, e ka sjellë këngë të reja me zë e tekst të fuqishëm.

Këngëtarja Teuta Kurti për më shumë se një dekadë ka dëshmuar potencialin e saj vokal në skenën shqiptare. Rrugëtimi i saj ka nisur në talent shoun “Ethet e së premtes mbrëma”, e prej atëherë ka ndjekur një rrugë të gjatë muzikore.

Sot po e sjellim një këngë mjaft të njohur e cila nxjerrë në pah fuqinë vokale të këngëtares Teuta Kurti. Me këtë këngë ajo u paraqit në Top Fest 8 në vitin 2011.

Hyre n’jetën tonë hoëëëë..
si legjendë e rendë
kur ti del dhe shkon hoëëë…
derën e fërfëllon…

Po me rrah zemra si një kemban
e plagosur ne shpirt rri në këmb
ti po largohesh dhe unë të shiqoj
mbi supe ma more jetën oooooo…

REF 3x:
Ti perëndo pa lindur o diell
kam mbet e vetme
e mposhtur kështjellë
e dashurisë, e tradhëtis
ma ke dhenë besën
fjalën e burrërisë

“Hana dhe Dielli” do të shfaqet për fëmijët e SOS Fshatit

Besnike Arifi dhe Burim Koprani janë aktorët kryesor të shfaqjes “Hana dhe Dielli” që është punuar me regji të Kaltërim Balaj, dhe po kjo shfaqje do të prezantohet falas për fëmijët e SOS Fshatit.

Besnike Arifi ka thënë për KultPlus se kjo shfaqje në SOS Fshat do të prezantohet të martën në ora 10:00, dhe sipas saj, kjo shfaqje është me karakter edukativ.

Argjira Hoxha ka përgatitur kostumet dhe muzikën e kësaj shfaqje, kurse kjo shfaqje flet për dy fëmijë vëlla dhe motër (7 dhe 9 vjeç) të cilët një ditë zgjohen me vonesë nga gjumi dhe nuk arrijnë për të shkuar në shkollë, kryejnë gjërat e mëngjesit (larja e fytyrës, pastrimi i dhëmbëve dhe ushtrimet fizike). Për ta zëvendësuar ditën e humbur të shkollës, fillojnë të luajnë mësuesja dhe nxënësi. /KultPlus.com

Arabia Saudite për herë të parë në Bienalen e Venecias

Arabia Saudite do të marrë pjesë, për herë të parë me pavijonin e saj në Bienalen e Venecias, sipas agjencisë s lajmeve, Arab News.

Pavijoni arab do të organizohet nga instituti ”Misk Art” dhe është kuruar nga Sumaya Al Solaiman dhe Jawaber Al Sudairy dhe parashikon të paraqesë vepra të arkitektëve Abdulrahman dhe Turki Gazzaz.

Prezantimi i këtij pavijoni iu paraqit edhe ambasadorit italian në Riad, Luca Ferrari.