250 mijë euro për Varret Ilire të Selcës

Varret ilire të Selcës do t’i nënshtrohen rehabilitimit të tyre pas dekadave të tëra të lëna në harresë të plotë, pa asnjë lloj investimi.

Lajmin e mirë për këtë trashëgimi unikale e ka dhënë ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro e cila thotë se tashmë projekti i rehabilitimit është miratuar, me një vlerë prej 250 mijë eurosh.

“Unikale janë varret monumentale ilire në Selcë të Mokrës, shek. IV-III p.K., që gjenden në faqen lindore të kodrës së quajtur Gradishtë, në të cilën ndodhen gjurmët e qytetit ilir të Selcës së Poshtme. i vizituam bashke me Ambasadoren e Delegacionit Europian, Romana Vlahutin, për të prekur konkretisht jo vetëm një vlerë të rrallë të kulturës shqiptare, por edhe dobinë e projektit që kemi hartuar e miratuar tashmë me një vlerë prej 250 mijë eurosh, për rehabilitimin e varreve, mjaft të dëmtuara nga degradimi natyror, nga mungesa prej dekadash e investimit dhe konservimit”, shkruan Kumbaro në Facebook.

Në Javën e Evropës, vëmendje të veçantë iu kushtua Korçës, Pogradecit, Liqenit të Ohrit dhe varreve mbretërore ilire të Selcës së Poshtme.

Varret monumentale të Selcës janë një pjesë e rëndësishme e qytetit ilir të Selcës së Poshtme. Ato janë aspekti më i njohur arkitekturor i këtij qyteti. Periudha e ndërtimit të tyre përkon me periudhën kulmore të zhvillimit të qytetit./ KultPlus.com

“Magjia” e aktores Marie Logoreci, personifikimi në skenë i figurës së nënës shqiptare me personazhin e Lokes

Nga Pjeter Logoreci

Homazh në 30- vjetorin e vdekjes

30 vjet më parë, me 19 qeshor 1988, vdiq në Tiranë, një nga aktoret më të njohura të skenës e të ekranit shqiptar, ARTISTJA E POPULLIT e NDERI I KOMBIT, Marie Logoreci.

Maria lindi në Shkodër me 23 shtator 1920, në një familje me tradita qytetare e patriotike. Që në fëmini ajo u dallua për zërin e saj të bukur në interpretimet e mrekullueshme të këngës qytetare shkodrane të cilat i shoqëronte vetë në mandoline apo kitarrë. Përvec dashurisë për këngën, ajo ishte e apasionuar edhe pas pikturës. Si një grua e emancipuar edhe pse u përballua me mentalitetin e kohës, pas clirimit të vendit në vitin 1945, ajo vendosi ti kushtohej artit duke filluar punën si këngetare në Radio Tirana. Në radio këndonte cdo ditë nga 5-6 kënge nga repertori i saj mbi 100 këngë. Aty pat kontakte dhe këndoj së bashku me këngëtar të mirënjohur si Gjyzepina Kosturi, Maria Kraja, Kristaq Antoniu, Jorgjia Truja, Hysen Pelinku. Dy vjet më vonë punësohet si aktore profesioniste në teatrin popullor në Tiranë ku spikat me talentin e saj. Në karrieren e saj të gjatë ajo krijoj në skenë figura të paharruara të cilat mbetën në kujtesen e artdashesve shqiptare. Përvec figurave nga teatri kombëtar, Maria krijoj po me aq sukses edhe figura nga dramaturgjija e klasikeve botëror si Shileri, Lorka, Molieri, Cehovi, Shekspiri… Asaj i mbetet merita kryesore e krijimit të figurës të grues shqiptare në teatrin tonë kombëtare me interpretimet unikale si nënë, motër, heroinë…. Për cdo shqiptar figura e nënës, (Lokes) te TOKA E JONE, te CUCA E MALEVE apo te PERMBYTJA E MADHE, mbeten të paharruara e të papëseritëshme. Karakteristike e lojes së saj aktoriale ishin shpërthimet e fuqishme emocionale të cilat buronin nga shpirti i saj e që i perjetonte vete në qenien e saj. Zëri i saj i ngrohtë, melodioz e i sinqertë të jepte ndjesinë e një gruaje burrneshë e të fortë në karakter, të sigurtë në jetë e në atë cka krijonte në skenë.

Në rolin e Lokes te filmi “Toka e Jonë” 1964

Shokët, miqtë e kolegët për Logorecin

Pirro Mani ka shkruar: “Marie Logoreci s´pati rast të kryente shkollë teatri, por në sajë të talentit e punës këmbëngulëse, përvojës së madhe jetësore, u bë vetë shkollë për të tjerët, sidomos për artistët dhe regjisorët e rinj që i ndihmonte dhe i mbështeste pa u kursyer. Kryesorja që mësuam prej saj është vërtetësia e madhe e interpretimit, e krijimit të figurës artistike të personazhit. Ajo ishte gjithnjë e vertetë sepse s´pranonte kurrë dicka që nuk e bindte fort, që nuk i “ngjiste” te vetvetja, e prej këndej buronte sinqeriteti dhe natyrshmëria e saj në interpretim”

“Eshtë për tu përmendur që shumica e roleve të interpretuara nga Maria kanë qenë role kryesore – është shprehur artistja e merituar Behije Cela, ….ajo që më bënte përshtypje te Maria ishte thjeshtësia e saj. Një aktore si ajo, me një galeri të larmishme rolesh, përsëri kurrë nuk pretendonte se bënte cdo lloj roli.”

Ndrek Luca, e ka përshkruar Marien me këto fjalë: “Maria ishte një aktore e madhe, me një individualitet të vecantë. Energjia, ekspresiviteti, dinamika, zëri i saj i bukur janë shfaqur me virtuozitet në shumë figura si Lokja, Tringa, Gjela e Alisa, Gertruda nga dramaturgjia botërore. Më kujtohet shpesh finalja e dramës Toka e Jonë, në të cilën Maria zbulonte tërë forcën e shpirtit të saj, të talentit të saj. Pas vrasjes së Murrashit, duke e përmbajtur dhembjen, i thosha nënës për herë të parë “Loke” dhe ajo më përqafonte me lot në sy, duke më thënë: ”Lekë, bir i nënës…” Ishte një përqafim sa prekës, aq dramatik, që më ka shoqëruar për vite të tëra.”

Në filmin “Toka e Jonë”, Lokja e Leka, 1964

Aktorja e madhe Roza Anagnosti për Marien: “Kur e kam parë Marien për herë të parë te Toka e Jonë, ishim fëmijë: mu duk një yll i paarritshëm, një ëndërr. Nuk mund të mendoja se një ditë do të ishim partnere me te. …. Kisha qejf ta ndiqja, ndaj rrija në cep të skenës dhe e admiroja. Maria kishte një portret të bukur e një shikim të vecantë që do të ngelet në kujtesën e njerzve, sic kanë ngelur sytë e Aleksandër Moisiut e të Naim Frashërit. Sytë e saj ishin depërtues, por kur duhet të luante të verbrën te “Cuca e Maleve”, ato sikur shuheshin, në to vezullonte një dritë e turbullt që të trondiste.”

Marie Logoreci e Roza Anagnosti ne filmin “Toka e Jone”, 1964

Aktorja Eva Alikaj për Marien: “… T´i transmetosh shikuesit të gjithë dramën shpirtërore, të tipizosh deri në detaje e në vijat themelore një tip shoqëror, të krijosh figura artistike përfaqësuese të një epoke të caktuar, sic arriti të bëjë aktorja jonë e madhe Marie Logoreci, do të thotë të kesh një pasuri të pafundme mjetesh shprehëse, një këmbëngulje të admirueshme dhe pasion të madh, një dashuri të jashtëzakonëshme për artin skenik, për njerzit.”

Shkrimtari Kolë Jakova për Marien: “…Marie Logoreci krijoi një galeri tipash nga më të ndryshmit. Pasi u luajtën “Prefekti” dhe “Halili dhe Hajrija”, ku Maria luajti role episodike, i erdhi radha dramës “Toka e Jonë”. Pandi Stillu si regjisor, une si drejtor dhe autor i dramës, menduam që rolin e Lokes t´ia jepnim Marie Logorecit. Për këtë nuk u gabuam. Maria e mori rolin me pasion të madh. Ajo vec provave që bënte në sudio, punonte në shtëpi deri natën vonë. Një ditë më tha disi e hutuar: Ti po më cmendë. Unë tashti nuk shikoj tjetër vec Loken. Ajo më del edhe në gjumë. Nuk e di si do t´ia arrij këtij roli që e dua me gjithë shpirt…… Maria pati fatin të luaj me aktorë si Naim Frashëri, Loro Kovaci, Mihal Popo, Sandër Prosi ….Partneri i mirë të frymëzon. Ajo fliste dhe pa folur. Ajo na mahniste edhe me qëndrimin e saj të heshtur. Maria ishte njohëse e shpirtit të popullit. Kur hynte në skenë e veshur me kostumin karakteristik malësor dhe me stap në dorë, qëndronte mbi një sukë të ngritur, dukej sikur vinte nga Iliria e lashtë dhe ngulej në mes të skenës si monument”

Në dramën Përmbytja e Madhe, roli i Gjelës 1977

Aktorja Besa Imami ka treguar për jetën e saj në teatër me Marien: “ Me Marien po thuajse tërë jetën skenike kemi qënë në një kabinë. E njoha atë ashtu sic ish. E bukur, me sy, vetlla e flokë të zes. Tepër e gjallë, tepër e qeshur, me një gaz tingëllues. Me sy ekspresive si të Maries, qi ishin aq të ëmbël në butësi e aq të egër në inat. Ata sy i mbaj mend mirë, sepse shpesh më ka qëlluar të jem ballë për ballë me te në skenë si nënë e bije, si nuse e vjehërr, si motra, si shoqe, si armike….”

Aktorja Margarita Xhepa për Marien: “ Si na ka mbetur në mendje dhe në sy motra Tone e Kolë Idromenos, pejsazhet e Vangjush Mios, ashtu është skalitur Lokja e Marie Logorecit që është sintezë e të gjitha Loke-ve shqiptare. Maria ishte një nga shtyllat e randësishme të zhvillimit të teatrit dhe pati fatin e madh të shkëlqente në kohën e rimëkëmbjes së Teatrit Kombëtar. Vitet “50 – 60- 70” janë padyshim më të ndriturat, ato përbëjnë një epoke në vehte, nga e cila dolën gjigande të vertetë të artit”

Aktorja Drita Pelingu: “….Natyrë gazmore, pak e zhurmëshme, pak serdërlie dhe e rrëmbyer… në prova vinte cdo ditë me disa minuta vonesë (2-3 minuta). Apelit që bëhej perditë në studion kryesore i pergjigjej që tek porta e jashtme e oborrit – “Këtuuuuuu”. Gazi shpërthente në sallë..Hobi i saj: kafshët shtëpijake, lulet dhe gjelbërimi në kopshtin e vilës. Aty kishte dhe një nerënxë. Ajo mi binte me shportë dhe me mësonte ti bëja recel”

Në filmin artistik “Dollia e dasmës sime” 1978

Shkrimtari Loni Papa shkruan: “Kur flasim për aktorë të mëdhenj, gjithmonë në ndiejmë se qënia e tyre shpërfytyrohet përpara shikuesit dhe humbet në botën e thellë të personazhit, ku edhe merr një shtrierje kohore, e me “magjinë” e rolit, hyn në ndjenjën e secilit. Kjo mund të thohet për aktoren Logoreci; jeta e saj u shpërbë dhe duhet kërkuar në jetën e personazhit. ……Do të kalojnë kohëra dhe drama “Toka Jonë” si një vepër madhore e teatrit tonë, do të rivihet e do të rivihet në skenë. Pa qenë skeptik, vështirë që ndonjë aktore e ardhshme të barabitet me Loken – Marie.”

Yllka Mujo – Aktore: “Stili i M. Logorecit ka vulen e natyrës së saj. Karakteri dramatik, temperamenti, aftësia e rrallë komunikuese kanë gjetur shprehjen e tyre të plotë në të gjitha levizjet dhe në shqiptimin origjinal. Ajo di ti imponojë spektatorit figurën artistike të krijuar dhe këtë e arrin me të gjitha mjetet e arsenalit të saj aktoresk, që nga pasuria intonative e zërit e deri tek natyra e vet dinamike. Aktorja ka arritur të njohë mirë, nganjëherë deri në virtuozitet forcën akustike të veprimit mbi spektatorin. Një pausë e zgjedhur në castin e duhur, një fjalë e bashkangjitur me vend, për një aktore si Maria ka qënë një efekt shprehës që përdorej për të arritur një objektiv të caktuar ideoemocional.”

Në rolin e Tringës në dramën e Ndrek Lucës “ Shtatë Shaljanët” 1958

Prof. Gjovalin Shkurtaj në shkrimin e tij – Prurje në lëmin e të folurit skenik. (Diksioni, intonacioni dhe timbri vetiak i papërsëritshëm i Marie Logorecit) në mes të tjerash shkruan:”Marie Logoreci vuri një gurë themeli në interpretim, në diksion, në intonacion, në shqiptimin funksional e plot me ngjyra të këndëshme, përgjithësisht në një gjuhë mjeshtrore dhe me timbre vetiake.”

Optika sipas të cilës aktorët, kolege të Maries përshkruan magjinë e artit të saj, tregon se Marie Logoreci së bashku me plejadën e aktorëve të mëdhej të teatrit kombëtar: Zef Jubani, Mihal Popi, Loro Kovaci, Naim Frashëri, Sandër Prosi, Kadri Roshi, janë ato që vëndosen themelet e traditën e teatrit kombëtar, që zë një vend të rëndësishëm të kulturës sonë.

Për aktivitetin e karieren e saj brilante artistike në fushën e teatrit e të kinematografisë, Marie Logoreci u nderua në vitin 1969 me urdherin “Naim Frashëri” e më vonë në 1975-sën me titullin e lartë “Artiste e Popullit si dhe se fundi me titullin “Nderi i Kombit”.

Shënim:

Referencat janë marrë nga gazeta “Drita” e 26 qeshorit 1988 si dhe nga libri “Marie Logoreci”. Ky shkrim vjen pa ndërhyrje, ashtu si e ka shkruar autori./ KultPlus.com

Fundi i kësaj jave sjellë edicionin e 8-të të POLIP

Të premten më 18 maj nis edicioni i 8-të i Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë – POLIP, shkruan KultPlus.

Ky festival i cili hapjen e ka në Qendrën Multimedia, nis me fillim nga ora 19:30. Pas hapjes, në orën 20:00 vjen aktiviteti i parë që do të ketë Lexim dhe Muzikë me: Dragan Velikić (SRB), Bashkim Shehu (ALB/ES), Evelyn Schalk (AT), Antoine Jaccoud (CH), Edi Matić (CRO), Miruna Vlada (RO), Gonca Özmen (TR), Nikola Madžirov (MK).

“Festivali ‘polip’ është gjarja më e madhe letrare në Kosovë. Në këtë edicion kemi ftuar rreth 30 shkrimtarë, muzikantë e artistë nga vende të ndryshme të botës. Hyrja është e lirë. Të gjitha aktivitetet mbahen në shqip dhe anglisht. Vec leximeve, do të ketë edhe diskutime super interesante, muzikë e raki t’shpisë”, thuhet në njoftim.


POLIP, i cili nisë më 18 maj do të mbahet deri më 21 maj, ku do të sjellë autorë të ndryshëm në disa panele që do të mbahen.

Këtu gjeni të plotë programin e këtij festivali./ KultPlus.com

Gërmenj-Shelegur, një udhëtim turistik që nuk duhet shmangur (FOTO)

Një nga vendet më piktoreske në jugun e Shqipërisë është të udhëtosh në rrugën Ersekë-Leskovik.

Rruga është e vjetër që në kohë të Italisë, por peizazhi është mahnitës. Gjelbërimi i harlisur të shoqëron gjatë gjithë kohës dhe syri të çlodhet nga panoramat e një pas njëshme që të shfaqen gjatë udhëtimit. Shumë të apasionuar pas natyrës e bëjnë këtë rrugë me biçikleta dhe mjete të tjera motorrike.

Janë disa fshatra që të shfaqen njëri pas tjetrit që nga Borova, Barmashshi, Ferma Sotira e ajo që ia vlen të vizitohet është Germenj dhe Sheleguri, një vend i vogël e shumë i bukur e plotë gjelbërim.

Zona quhet rezervati natyror Gërmenj-Shelegur, një destinacion i natyrës shqiptare që ofron bukuri të pafundme, në çdo stinë të vitit. Është një zonë ndërkufitare me Greqinë në jugperëndim të Ersekës ku harmonizohen malet me luginat e thella, ligatinat, përrenjtë e rrëmbyer e sidomos pyje të dendur të përzier bredhi e lisi, por ku dominon pisha e zezë.

Vende ideale për të zbuluar natyrën me shëtitje të gjata, piknikë e ngjitje në mal e sidomos për aventurierët e natyrës.

Siç na bëjnë të ditur specialistët e AdZM Korçë, vizitorët dhe turistët janë të pranishëm çdo fundjavë dhe tani me ngrohjen e motit, vazhdojnë dhe disa ditë me kampera e kampingje.

Kjo administratë ka filluar të çeli shtigje për këmbësorët visitor dhe të ofrojë shërbime në guidat turistike. Zona ofron shumë mundësi për udhëtime në këmbë ose mjete të motorrizuara me një rrugë të përshtatshme që të çon në fshatin e Gërmenjit dhe një rrugë tjetër e vjetër që përdorej dikur si rrugë e karvanëve midis Janinës në Greqi dhe Korçës.

Itinerari për të kapur këtë vend është i thjeshtë. Mund të ndiqni rrugën nacionale Korçë-Ersekë- Leskovik. Tabelat ju orientojnë për destinacionin, ndodhet midis fshatit Radanjë dhe fshatit Gërmenj, 25 km para se të mbërrini në Leskovik.

I gjithë udhëtimi është një zinxhir fshatrash të bukur që fillojnë sapo le pas Korçën. Aty fillon dhe natyra e bukur nëpër Boboshticë, do të shihni në sfond Drenovën, do të kaloni nëpër Selenicë, përmes Ersekës, Borovës, Barmashit, derisa të keni mbërritur në destinacion. Kjo bukuri vazhdon edhe nëse e shtyni itinerarin tuaj drejt Leskovikut, duke kaluar më andej, nëpër Çarshovë e drejt Përmetit.

Një nga bukuritë natyrore më tërheqëse është dhe liqeni i Shelegurit. Ndodhet pak kilometra pasi keni kaluar Sotirën. Është një panoramë e mrekullueshme, ku përtej ujit në sfond dallohen edhe kreshtat e vargmaleve të Nemërçkës.

Rrënojat e kështjellës së Radanjit, në jug të pyllit të Gërmenjit, rreth 1 km udhëtim më këmbë nga rruga kryesore, ofrojnë pamje të rrënojave të vjetra Ilire, të cilat kanë një rëndësi të madhe historike.

Pyje pa fund dhe liqene të kaltër si ai i Gramozit që ndodhet në majë të malit, një rrugë e vështirë por sfiduese për adhuruesit e sporteve ekstreme dhe aventurës.

Është dhe një ujëvarë që quhet Ujëvara e Leskovikut dhe ndodhet buzë rrugës nacionale Ersekë-Leskovik, e fshehur mes kanioneve të thella që të shoqëron përgjatë kësaj rruge.

Ky udhëtim bëhet kryesisht në këtë stinë e gjatë verës dhe vërtet është një udhëtim i bukur. /a.g/

Thaçi dekoron pas vdekjes me Medalje Presidenciale Berit Backerin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se ka dekoruar me Medaljen Presidenciale, norvegjezen Berit Backer, e cila ishte antropologe.

Berit Backer ka lindur më 1947 ndërsa ka vdekur në vitin 1993.

“Antropologen norvegjeze Bertit Backer, pas vdekjes, e dekorova me Medaljen Presidenciale Jubilare. Ajo ishte ndër të parët që kishte ngrehur zërin për Kosovën dhe për të drejtat e mohuara të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Kosova e çmon shumë kontributin e saj”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Antropologia norvegjeze, Berit Backer, më 1974 shkeli për herë të parë në fshatin e Komunës së Deçanit.

Backer, në masë të madhe karrierën e vet ia kishte dedikuar shqiptarëve.

Në emër të familjes Backer, dekoratën e ka pranuar Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad, bashkë me grupin inicues në përbërje të Nufri Lekajt, Ann Christine Ekk dhe Shkëlzen Kuklecit.

Robert Camaj publikon “Shtypi në Mal të Zi për çështjen shqiptare (1990- 2000)”

Tuz – Qendra Kulturore- Informative “Malësia” në Tuz dhe OJQ “Ilyricumi”, kanë bërë përurimin e dy librave: “Rojtarët e nderit” dhe “Shtypi në Mal të Zi për çështjen shqiptare (1990- 2000)”, të autorit Robert Camaj.

Në këtë përurim, siç raporton ‘Koha Javore’, të pranishëm kanë qenë një numër i konsiderueshëm adhuruesve të fjalës së shkruar, në mesin e të cilëve edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, z. Ernal Filo, përfaqësues të subjekteve politike, personalitete të fushave të ndryshme shkencore, kulturore, e të profileve të tjera në vend, ndërsa për librat në fjalë kanë folur shkrimtari, publicisti dhe gazetari, Fran Camaj dhe përkthyesi Nikollë Berishaj, të cilët kanë folur gjerësisht dhe në detaje për këto dy vepra mjaft me vlerë.

Autori i këtyre dy librave i prezantohet lexuesit me prozë, me romanin e tij të parë “Rojtarët e nderit” dhe me studimin me të cilin e ka mbrojtur gradën shkencore master pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike – Instituti i Historisë në Tiranë, “Shtypi në Mal të Zi për çështjen shqiptare (1990- 2000)”.

Shkrimtari, publicisti dhe gazetari Fran Camaj, duke folur për librin, jo një vështrim kritik pasi atë ua la lexuesve, por shpalosi materialet e dokumentuara në libër, duke theksuar se në kapitujt që e përbëjnë romanin “Rojtarët e nderit”, lexuesi has në fakte dhe ngjarje historike që përshkruhen në këtë libër por dhe në imagjinatë, fantazi, etj.

“Në dorë kemi një roman shoqëror me mjaft elemente historike dhe të dhëna historike dhe monografike. Romanin autori e ka ndarë në 37 kapituj, të cilët i ka shënuar me tituj të veçantë, ata përbëjnë një tërësi dhe secili kapitull paralajmëron ngjarjen për të cilën do të bëhet fjalë në vazhdim. Në 15 kapitujt e parë, flitet në mënyrë të përgjithshme për Malësinë tonë të dikurshme, për jetën e njerëzve të saj, për zakonet dhe traditat e bukura të tyre por edhe të dhimbshme si dhe për pushtimet e huaja të njëpasnjëshme të cilat pothuajse asnjë ditë nuk i kanë dhënë liri këtij populli, duke ia imponuar atij ligjet, gjuhët dhe kulturën e vet, gjë të cilën malësorët nuk e pranuan askurrë”, u shpreh Camaj.

Ai më tutje tha se përveç përshkrimeve të natyrës që vijnë në shprehje, veçanërisht në kapitullin “Kohë të mbrapshta”, hasim edhe në shumë lloje të krijimtarisë gojore si: ninulla, këngë humoristike me elemente të satirës- elegji, përralla, që i japin freski veprës dhe e çlodhin lexuesin nga datat e karakterit historik.

Camaj shtoi se autori i librit është përpjekur që të mos lë jashtë librit ndonjë thënie që e ka dëgjuar nga populli, duke i përdoruar ato në mënyrë sa më origjinale, në të folmen e malësorëve, gjë që sipas tij e vështirëson leximin e romanit nga lexuesit jo malësorë, por nga ana i tjetër i kontribuon ruajtjes së kësaj të folme dhe që në të ardhmen mund t’i shërbej studiuesve në aspektet e ndryshme të gjuhësisë në këtë territor.

Camaj në fund të fjalës së tij, duke e përgëzuar autorin për këto dy vepra letrare, tha se çdo libër do të jetojë aq sa do të dojë lexuesi.

Ndërkohë, një vështrim të tij mbi librin “Shtypi në Mal të Zi për çështjen shqiptare (1990- 2000)”, e ka paraqitur përkthyesi Nikollë Berishaj, njëherësh dhe recensent i këtij libri, i cili tha se puna e mirëfilltë që bëri autori, mund të jetë bazë e mirë për vazhdim të studimeve nga fusha të ndryshme lidhur me vendin, kohën dhe subjektet në fjalë.

“Pra, lidhur me vitet e mbrapshta të Ballkanit të viteve 1990- 2000, lidhur me Malin e Zi si shtet me kapërcim të fazave që nga struktura shtetërore e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, përmes Republikës Federale të Jugosllavisë e deri te plasaritjet e para dhe distancimit ndaj politikës hegjemoniste serbomadhe të personifikuar në figurën e Sllobodan Millosheviqit dhe klikës së tij si shkaktar kryesor të tragjedisë ballkanike të fundshekullit të kaluar dhe lidhur me vlerësimin e fqinjëve (malaziasve) për ne shqiptarët”, theksoi Berishaj.

Për Berishajn, pasqyra që fitohet gjatë leximit të tekstit, e veçanërisht për tekstet e publikura deri në vitin 1997, na tregon qëndrimet e politikës malaziase, pra jo më të mediave por të politikës malaziase, e cila sipas tij në atë kohë ishte e zhytur deri në fyt në makinerinë luftarake antidemokratike, antinjerëzore e antishqiptare. Berishaj tha se autori Camaj, me hulumtimin e tij në këtë libër, do të nxjerr dritë mbi të kaluarën sado e deformuar qoftë ajo.

“Armiku rezervë për dështimet e politikës shtetërore gjithmonë gjendej te shqiptarët. Për ta flitet sipas kuzhinës serbomadhe. Shtypi malazias i kohës që lirisht mund të vlerësohet si kryekëput shtyp luftënxitës, as që kërkon shembuj pozitivë ndër shqiptarët. Gjuha e urrejtjes përcjell çdo veprimtari sado paqësore të shqiptarëve, qoftë ajo e nivelit individual e lëre me atë të organizuar”, theksoi ndër të tjera Berishaj, duke ju prezantuar të pranishmëve trajtimin e të gjitha ngjarjeve që janë reflektuar në këtë libër për një periudhë dhjetëvjeçare, lidhur me ngjarjet e shqiptarëve në Mal të Zi, Shqipëri e Kosovë në shtypin e Malit të Zi.

Ndërkaq, autori i këtyre dy librave, Robert Camaj, ka falënderuar të gjithë ata të cilën kanë dhënë kontributin e tyre nëpërmjet formave të ndryshme për të nxjerrë në dritë këto vepra letrare të cilat janë fryt i punës së tij disavjeçare.

Autori në fund ju ka dhuruar të gjithë të pranishmëve libra falas si dhe ka shtruar një koktej të begatë.

Botimin e këtyre dy veprave letrare e financoi Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi./ KultPlus.com

Kjo është pritja që iu bë Elenit pasi u kthye në Greqi (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare Eleni Fouriera, mbrëmë u kthye në Greqi pas përfundimit të garës në Eurovizion 2018-të, shkruan KultPlus.

Ajo nuk arriti të dalë fituese por megjithatë doli e dyta në këtë garë të madhe, duke përfaqësuar kështu Qipron me këngën “Fuego”.

Po sjellim videon nga kthimi i saj në Greqi, ku iu bë një pritje e madhe nga fansat./ KultPlus.com

Italia asnjë pikë Shqipërisë, Ermal Meta: Nuk e kuptova jurinë

Italia nuk i ka dhënë asnjë pikë Shqipërisë në Eurovizion, gjë e cila ka ngjallur polemika dhe kritika në rrjetet sociale. Për këtë reagoi Ermal Meta, shqiptari që përfaqësoi Italianë në festivalin europian të këngës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka shkruar: “Sinqerisht nuk e kuptoj jurinë që nuk jep asnjë pikë për Shqipërinë. Unë do ia kisha dhënë Shqipërisë. Eugenti ka një zë mbresëlënës”, nënvizoi këngëtari me origjinë shqiptare. Juria shqiptare i dha 12 pikë Italisë, që përfaqësohej nga këngëtari shqiptar Meta. Shqipëria ia dha vendin e dyë Qipros.

UEFA sponsoron turneun e Ritës, këngëtarja mbështet fushatën për promovimin e futbollit te femrat

UEFA ka bërë të ditur se do të jetë sponsori zyrtar i turneut ‘The Girls Tour’ të Rita Orës si pjesë e fushatës së tyre “Together #WePlayStrong”.

Në një njoftim të shtëpisë së futbollit evropian thuhet se “UEFA i ka bashkuar forcat me kantautoren, aktoren dhe dizajneren ndërkombëtare, Rita Ora, në një partneritet novator që ka për qëllim transformimin e imazhit të futbollit femëror dhe të inkurajojë pjesëmarrjen e femrave”.

Njoftimin e ka bërë edhe këngëtarja shqiptare përmes një postimin në profilin e saj në Instagram duke bërë të ditur se do ta mbështesë fushatën e UEFA-s, Together #WePlayStrong.

Eleni Foureira falënderon Shqipërinë për pikët në Eurovizion

Këngëtarja shqiptare Eleni Foureira e cila u pozicionua në vendin e dytë në festivalin Europian, ka falënderuar Shqipërinë për 10 pikët që i dhuroi.

E pyetur nga gazetarët pse Shqipëria nuk i dha asaj 12 pikët maksimale, Foureira u shpreh se është shume e kënaqur me 10 pikëshin, falënderon shumë shqiptarët për votën.

“Në festival merrnim pjese tre shqiptarë. Pikët u ndanë në mënyrë patriotike. Jam shume e kënaqur me 10 piket qe më dhuroi Shqipëria. Falënderoj shqiptaret me gjithë zemër. Kur pashë 10 pikët u gëzova shumë” u shpreh ajo në momentin kur arriti ne Aeroportin e Athinës./ KultPlus.com

Ndahen çmimet në Panairin e Fierit 2018-të

Edicioni i pestë e këtij evenimenti të rëndësishëm mbi librin që është hapur prej disa ditësh në qytetin myzeqar, është kurorëzuar sot në mesditë me ndarjen e cmimeve të panairit. Juria e panairit e përbërë nga Klara Kodra, (kryetare) dhe Nasho Jorgaqi e Ymer Çiraku (anëtarë), veçoi ndër të tjerash 5 çmimet e mëdha të këtij edicioni.

Kodra në fjalën e saj u shpreh se në raste të tilla, është vështirë përzgjedhja por veprat që u veçuan këtë vit, ishin, thellësisht të dukshëm dhe cilësorë. “Nga 129 libra të paraqitur nga autorë e botues në këtë edicion, ne mbërritëm të afrohemi tek veprat më të mira, derisa erdhën në fazën e fundit të seleksionimit.

Unanimisht vendosëm që të japim çmim për kritikë letrare, monografi, të japim dy çmime për poezi dhe një për fëmijë. Nuk kemi dhënë cmim për roman, pasi gjykuam që prurjet e paraqitura në konkurs nuk pëmbushnin kriteret artistike që ne kërkonim”, ka thënë kryetarja e jurisë, Klara Kodra.

Çmimi për librin kritik më të mirë shkoi për akademikun Ali Aliu, me motivacion: “Për librin ‘Urtia e fjalës’ në të cilin bashkon mjeshtërisht autorë të periudhave dhe epokave të letërsisë si dhe vepra zhanresh të ndryshme, që krijojnë një botë unike të hapësirës dhe të kohës letrare të shqipes”.

Çmimi për studimin monografik më të mire iu dha akademik Shaban Sinanit, me motivacion: “Për librin ‘Hieronymi në botën arbëreshe’, nëpërmjet të cilit autori sjell me mjeshtëri riintegrimin e De Radës në letrat shqipe, duke e pasuruar me elementë të veçantë dhe këndvështrim të ri”. Sadik Bejko u vlerësua për librin poetik më të mire, me motivacion: “Për librin ‘Këngë të Solomonit’ – simbiozë e veçantë mes paraqitjes së zvetnimit të vlerave shpirtërore dhe vizionit për vazhdim, duke sjell një kozmos të gjerë letraro-filozofik”.

Po një tjetër çmim në poezi shkoi në Kosovë për Ismail Sylën më motivacion: “Për sjelljen e zërit patriotik, të shkarkuar nga ngarkesat e euforisë, duke paraqitur një trend të ri të kësaj fryme”.

Ndërkohë, e reja e talentuar po nga Kosova, Erinë Rrahmani triumfoi me çmimin për librin më të mirë të letërsisë për fëmijë, me motivacion: “Për librin ‘Ëndrra prej letre’ me të cilin del nga kornizat dhe konvencat e njohura, duke plotësuar trinomin imagjinatë – kërshëri – lojë”. Në këtë edicion u ekspozuan 5 mijë tituj librash, nga të cilët 1 mijë e 500 ishin të rinj. Rreth 100 shtëpi botuese sollën për publikun e gjerë autorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, dhe trevat e tjera shqipfolëse./ KultPlus.com

Festa e Midhjes, hapet sezoni turistik në Ksamil (FOTO)

Këtë sezon përgjatë gjithë bregdetit turistik do të ketë festa kulinarie dhe të traditës për t’u demonstruar turistëve mikpritjen shqiptare.

Nga qendra e Ksamilit, ku me Festën e Midhjes është ngritur sipari i sezonit turistik, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi se festat e traditës do të shtrihen përgjatë gjithë sezonit turistik për t’u dhënë mundësi turistëve që krahas natyrës, ata të shijojnë kulinarinë dhe produktet shqiptare.

Kreu i Turizmit dhe Mjedisit shtoi se shumë shpejt do të fillojë edhe projekti “Smile Albania” për t’u ofruar turistëve të huaj, 1 mijë arsye për të buzëqeshur dhe rikthyer në Shqipëri.

Ministri Klosi tha se, ky sezon do të shënojë rritje të numrit të turistëve, çfarë do të thotë më shumë përgjegjësi për institucionet, por edhe bizneset./Ata

Prezantohet në Torino botimi italisht i librit “Kurban”

Libri “Kurban” i Kryeministrit Edi Rama, i botuar tashmë në gjuhën italiane, është prezantuar në Panairin e Librit në Torino.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Kryeministri Rama shkruan “një surprizë e këndshme pjesëmarrja në Sallën Blu të Panairit të Librit në Torino, ku së bashku me të papërsëritshmin Vitorio Sgarbi, prezantuam botimin italisht të “Kurbanit”.

“Faleminderit Arlinda Dudajt për përkushtimin, Ada Prizrenit për përkthimin dhe Daria Bignardi-t, për parathënien, tre gra të veçanta pa të cilat libri nuk do kishte rënë dot në dorën e lexuesve italianë”, – citon Rama.

Libri “Kurban” i Kryeministrit Rama është përkthyer edhe në turqisht./ KultPlus.com

“BACA” sonte në Lumbardh

Sot e hënë me fillim nga ora 20:00 në Lumbardhi në Prizren, do të mbahet koncerti “BACA”, shkruan KultPlus.

Pjesë e këtij koncertit do të jetë Shaqir Hoti, muzicienti që tërë jetën i dedikoi punimit e studimit të instrumenteve burimore, e në veçanti okarinës ilire.

Shaqir Hoti do të jetë i shoqëruar nga muzicientët: Armend Xhaferi, Ilir Bajri dhe Nesim Mexhuni./ KultPlus.com

Ministri Gashi: Kosova së shpejti në Euroimages

Gjatë qëndrimit në Festivalin e Kanës, Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka marrë pjesë në ngjarjen e organizuar nga fondi më i madh evropian i filmit Eurimages.

Në këtë ngjarje, ministri është takuar me drejtorin e Eurimages Roberto Ola, me te cilin bisedoi për procedurat e aplikimit të Kosovës në këtë organizatë, me ç’rast veçoi rëndësinë që ka anëtarësimi i Republikës së Kosovës në këtë organizatë.

Gjithashtu, Ministri u takua edhe me përfaqësues tjerë të shteteve anëtare të Eurimages si atë të, Bullgarisë, Jana Karaivanova dhe atë të Qipros Diomides Nikita.

Kosova pritet se shpejti të aplikojë në këtë organizatë evropiane e cila do të ndikojë shumë në zhvillimin e mëtejmë të kinematografisë në Kosovë dhe bashkëprodhimet ndërkombëtare.

Vizita e Ministrit të Kulturës në Kanë të Francës tregon përkushtimin e madh që ka Ministria e Kulturës në mbështetjen e kinematografisë./ KultPlus.com

“Një histori e vërtetë”, filmi shqiptar triumfon në Festivalin e Genova-s

Një film shqiptar, dorë e disa kineastëve të rinj po korr sukses në disa konkurse ndërkombëtare. I fundit, këtë javë që u mbyll ishte shpallja në festivalin e filmit në Genova si “Best International”.

Filmi “një histori e vërtetë” e regjisorit të ri Viron Roboçi, një kineast delvinjot, është një pikturë tragjike por reale e vuajtjes nën diktaturë.

Filmi me metrazh të shkurtër ka në thelb mesazhin kundër dhunës e harresës kolektive si sëmundje popullore.

Historia e filmit tregon një ngjarje të vitit 1950. Tre anëtarë të një familjeje shpallen fajtorë dhe dënohen për vrasjen e vajzës së tyre pasi ajo u divorcua. Çdo gjë fillon me zhdukjen e vajzës, shkruan Te Sheshi. Katër vjet më vonë, autoritetet iniciuan një hetim që përfundoi me shpalljen e të gjithë anëtarët e familjes si “fajtor për vrasje.”

Është një vepër tejekëput metaforike që luan fuqishëm me gjuhën e vërtetë të kinematografisë dhe që drejtor të fotografisë ka një mjeshtër të madh si Nino Sebastiano Celeste, italiani që ka punuar me Felinin dhe emrat e mëdhenj të neorealizmit.

“Një histori e vërtetë” së shpejti do të paraqitet edhe në festivalin e Nju Jorkut, ku është përzgjedhur si një nga veprat më pikante. Dhe më e bukura është se ky film nuk ka marrë asnjë mbështetje nga projektet e Ministrisë së Kulturës apo Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Është përgatitur totalisht me paratë e kineastit të ri, i cili ka studiuar regjinë në Trieste.

Suksesi i “Një Histori e vërtetë”, ka nxjerr në pah pikërisht deformimin dhe krizën e kulturës në vend ku fondet dhe mbështetja asnjëherë nuk bëhet mbi vlerat.

Duhet përmendur se pjesëtar i jurisë në festivalin e Genova-s, “Video Festival Imperia” ishte i madhi Remo Girone, që për shqiptarët njihet si Tano Caridi tek “Oktapodi”./ KultPlus.com

Kush është reperi shqiptar që për pak prishi finalen e Eurovisionit

Një incident i pashënuar më parë ndodhi mbrëmjen e djeshme gjatë finales së Eurovizion. Kur Surie, këngëtarja që përfaqësonte Britaninë e Madhe ishte duke performuar këngën e saj, një fans hipi në skenë dhe i mori mikrofonin nga dora.

Ai mori mikrofonin në dorë dhe bërtiti: “Për nazistët e medias britanike, kërkojmë liri!”

Ai u shoqërua menjëherë nga rojet e sigurimit. Ndërkohë që në bluzën e tij shkruhej “Punët e mafias shtetërore britanike: Media britanike”, ndërsa poshtë “Porositeni në Amazon”, shkruan mapo.

Me sa duket fansi është në reper që aspiron shumë dhe çuditërisht me origjinë shqiptare.

Ai quhet Kostandin dhe njihet me emrin e artit si Dr. A.C.

https://www.youtube.com/watch?v=W6VWizP9YUQ

Kjo nuk është hera e parë që ai ndërpret një event live e për këtë është shndërruar në një ikonë televizive në mendjen e britanikëve./ KultPlus.com

Në Ulqin po i kushtohet vëmendje e veçantë turizmit kulturor (VIDEO)

Punimet artizanale nga rajoni janë ekspozuar në bregdetin e Ulqinit në mënyrë që turistët të shijojnë më shumë se sa plazhet e bukura të Adriatikut.

Vitet e fundit në Ulqin po i kushtohet një vëmendje e veçantë turizmit kulturor për të krijuar një atmosferë sa më tërheqëse për vizitorët e sezonit.

Të jesh njeri

Poezi nga Mevi Rafuna

Sa e vështirë është të jesh njeri,
në botën që pa mëshirë të zhvesh nga mirësia,
ku një fjalë,
një buzëqeshje
ngjan si e shthurur
se nga e keqja thonë lindi djalli,
në fatin që fytin ta përthekon
është e kot të mund të zgjidhesh,
as zogjët nuk ja dalin
edhe pse kanë krahë të ngjiten atje përtej qiellit,
është e zorshme
të nxjerrësh një britmë
se askush nuk dëgjon
kur lart lart ngjiten shërbëtoret
e mbi njeriun shkelin pa drojë
se njeriu ka vdekur thonë
mbi gjakun vjollcë
ngjizet harrimi për të sotmen
në kohët që vrazhdë gërryejnë lëkurën
sdo këtë më pasardhës të mirësisë
veç sherbëtorëve
dhe ndoshta
dikush do guxoj
ti thyejë pasqyrat e rreme./KultPlus.com

Ka nisë ndërtimi i Pavijonit të Kosovës në Venedik

Komisionerja e Paviljonit të Kosovës Jehona Shyti dhe përfaqësuesja e Pavijonit të Kosovës në Ekspozitën e 16 Ndërkkmbëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venedikut për vitin 2018 Eliza Hoxha po qëndrojnë në Venedik, për të përcjellur nga afër ndërtimin e Pavijonit të Kosovës, shkruan KultPlus.

Siç është publikuar edhe më herët, tema e sivjeme e Pavijonit të Kosovës fokusohet në rrëfimin e viteve të 90-ta, mbijetesën kolektive, mobilizimin shoqëror dhe krijimin e hapsësirave të lira për veten dhe realizimin e ëndrrës për shtetin e Kosovës. Kjo temë shpaloset në Venedik nën ombrellën me titull THE CITY IS EVERYHERE, qyteti është gjithandej.

Edhe pak ditë kanë mbetur deri tek hapja zyrtare e Pavijonit, e cila do të ndodhë më 24 maj 2018, ku do te jenë prezent krerët më të lartë të shtetit, arkitektë, artistë, medie dhe miq të Kosovës./KultPlus.com

Kënga fituese “Toy” në kohë dhe në vend të duhur

SIBEL HALIMI

Në kohën e sotme, vajzat rriten me idenë që qenia e tyre reduktohet në trup. “Trupi ideal” i shpërfaqur në kukulla dhe i promovuar nga media ka arritur të krijoj mitin e së bukurës. Në saje të modelit të tillë, shumë vajza në botë bien në anoreksi dhe sëmundje të ndryshme mendore, sidomos në kohën e adoleshencës, pikërisht për faktin se ky ‘tip ideal’ duhet të ndiqet dhe të realizohet nga shumë vajza, përndryshe ato nuk mund të gëzojnë feminitetin e tyre e rrjedhimisht statusin e privilegjuar.
Duke e analizuar këtë gjendje në të cilën janë shumë vajza në botën moderne, të instrumentalizuar nga sisteme të ndryshme ekonomike, sociale dhe politike, trupi i tyre shfrytëzohet për çështje marketingu, mode për qëllime përfitimi dhe bëjnë thirrje të vazhdueshme për rikthim në rolin e tyre tipik për ato. Prandaj, Naomi Wolf shkruan se “Definimet “e bukur” dhe “seksuale” ndryshojnë vazhdimisht për t’i shërbyer rendit shoqëror dhe lidhja mes tyre është një shpikje e fundit”.

Derisa, Norbert Elias në veprën së tij “The Civilizing Process”, vendos theksin në proceset shoqërore dhe politike që shpalosen nëpërmjet trupit. Duke analizuar gjenezën e formave moderne të rregullimit të pozitave sociale, sjelljeve, qëndrimeve e emocioneve.
Prandaj, kënga “Toy” nga Netta Barzilai, fituese e Evrovizionit 2018 duhet analizuar nga kjo perspektivë. Performanca dhe teksti i këngës është ironizim dhe tallje duke dhënë mesazhin për një lloj tjetër të së bukurës. Mesazh ky i dedikuar publikut që vajzat nuk janë lodra, madje e paraqitur vet në një figurë jo tipike si figurat e katër prezantueset e kësaj ngjarje. Ndërsa, në anën tjetër, ajo qartë thekson që nuk i interesojnë predikuesit e kohës duke ironizuar edhe me simbolikën e barbit si dhe telefonave smart, të cilat janë edhe metaforat e shoqërisë moderne. Madje, thirrja e saj për t`u shpërngulur nga idea e te qenurit kukull është mesazhi më i fuqishëm i këngës, pavarësisht që komentet nuk arritën ta shohim këtë performancë të saj përtej “pulës” dhe religjionit në këtë rast!

I’m not your toy
You stupid boy
I’ll take you down
I’ll make you watch me
Dancing with my dolls
On the MadaBaka Beat
Not your toy!

Do t’flas

Poezi e shkruar nga Besnik Palnikaj.

Do të flas do t´ulërij sa toka të dridhet
Edhe sikur qafën në litar t’ma lidhin.
Do t´flas e do qaj hallet e vëndit tim
Që në mes të Evropës ka mbetur si jetim.
Do flas e të shpërthej se, më nuk duroj dot
Qytetarë t´braktisur pa shtet dhe pa Zot.

Shqiptarët e mi, o vëllezër pash’ at’ besë
Shumë vite vuajtet, çerek shekulli pa shpresë.
Më dhimbseni më vjen keq që shtypjen e pranoni
Dhe vendin tuaj aspak s´po dini ta mbroni.
Flini as s´flini kur u është ngulur thikë
dhe nga gjumi juaj askush nuk ka frikë.

Pse ndotet ajri e bëhet helm i zi?
Pse ikin Shqiptarët si nga jugu si në veri?
Pse përmbyten shtëpitë dhe gjëja e gjallë?
Pse në verë zjarrit nuk i bëjmë dot ballë?
Pse lulëzon droga nën hundën e shtetit?
Pse shkollohen jashtë fëmijët e deputetit?
Pse pyjet po zhduken nga dita në ditë?
Pse po fshihet populli nga kush ka frikë?
Pse krimineli shetit e bredh në liri?
Pse të falet deti o vëllezërit e mi?

Boll u coptuam u rropëm për së gjalli
Nga politikë e ndyrë e nxitur nga djalli.
I drejtoni gishtin kush ju del përballë
Ju kollare lidhurit nën jakën e bardhë.
Eh, ju vraftë vuajtja ç´ka i batë ktij vendi
Do më duhen vite te gjitha ti përmendi,
Krime e vetëvrasje, vllau vllaun vret
Te ndershmit i vihet kamba, hajni deputet.

Diku vidhet ari diku grabitet banka
Diku kapet shteti i lidhur me banda.
Horri bëhet mbret që dje s´kish as brekë
E kur i qan hallin, jasht dere të qet’.
Diku kërkohen lekë për një firmë a vulë
Ne zyrë pa dritare që vjen era shurrë.
Si mund të bëhet shteti veç duke vjedh’,
Kur hajduti vjedh ditën nëpër djell.

Do pare spitali nuk ngopet jo drejtësia
Te vjedh gjyqtari dhe telefonia,
Vetëm vjedhje, vjedhje dhe populli i ngratë
vidhet, poshtërohet per një copë bukë thatë.
Te vidhet prona nga padrejtësia.
E ne sytë i drejtojmë veç te Perëndia.

Vëllezër dhe motra O Shqiptarët e mi
Pash’ besën e Zotit dhe dritën në sy
boll u zutë ndër veti per bindje e parti
Bahuni bashkë ju lutem për Nanën Shqipni,
Të mblidhemi te gjith nëse e gjykojmë me vend
Nga horrat në politikë të mos marrim mend.
Ta bëjmë shtetin SHTET në çdo fushë, gjithkund.
Që kjo politikë e ndyrë BOLL MA të marrin fund.
Ta kthejmë Shqipërinë përsëmbari me plot hijeshi
Tu trashëgojmë fëmijëve një shtet, të drejtë me liri.
Që brezat të thone të paktën u përpoqën
Dhe jo t´na mallkojnë që vendin e ndotëm, e shkatrruam dogjëm.

“Kimia e mendjes është ndryshe nga kimia e dashurisë”

Shams-i-Tabrizi ose Shams al-Din Mohammad ishte një dijetar i madh islam nga Persia (Irani).

Ai njihet si udhëheqësi shpirtëror i dijetarit tjetër gjithashtu shumë të njohur, Rumit. Varri i Tabrizi-t është shpallur si monument kulture, i mbrojtur nga UNESCO.

“Kimia e mendjes është ndryshe nga kimia e dashurisë. Mendja është e kujdesshme, përplot dyshime, avancon pak nga pak. Ajo këshillon “Kini kujdes, ruani veten”. Ndërsa dashuria thotë “Hape veten, shko!”.

Mendja është e fortë, nuk bie asnjëherë, ndërsa dashuria lëndon veten, bie si gërmadhë. Por, a nuk janë gërmadhat vendi ku më shpesh gjejmë thesare? Një zemër e thyer fsheh aq shumë thesare.”

“Kjo botë i ngjan malit. Gjithcka varet nga timbri i zërit tënd. Në rast se i thua gjëra të bukura, bota do t’i përgjigjet zërit tënd. Në rast se bërtet e thua gjëra të pakëndshme, ajo menjëherë do t’i përgjigjet tonit tënd. Edhe në rast se dikush flet keq për ty, ti mos e prish timbrin e zërit tënd të ëmbël, flit mirë. Që bota të ndryshojë, duhet të përgjigjesh me zemrën tënde.”

“Secili prej nesh është një vepër arti e papërfunduar që njëkohësht pret dhe lufton për t’u përfunduar.”

“Nuk është asnjëherë vonë për ta pyetur veten: A jam gati ta ndryshoj jetën, gati të ndryshoj vetveten? Pavarësisht moshës që kemi, sado që kemi gabuar në jetë, është gjithnjë e mundur të rilindim.

Nëse çdo ditë e re është një kopje e ditës së kaluar, është për të ardhur keq. Çdo frymëmarrje është një mundësi për të rilindur. Por për të rilindur në një jetë të re duhet të “vdesësh” përpara se të marrësh fund.”

“Kur të gjithë po mundohen të jenë dikush, ji askushi. Mbushe zbrazëtinë!”

“Nëse të ofendojnë, nëse të përgojojnë, nëse të akuzojnë mos thuaj asnjë fjalë të keqe. Mos ji njeriu i cili sheh turpin, ji ai që e korrigjon atë.”

“I gjithë Universi është i përmbledhur në trupin e njeriut. Djalli nuk është një monstër që po pret të na fusë në kurth, ai është një zë i brendshëm. Kërko për djallin brenda teje, jo tek të tjerët. Mos harro se ai që e njeh “Djallin” e tij, njeh edhe “Zotin” e tij.”

“Siguroju që një ditë ta lëvdosh dhe falenderosh Zotin për lutjet e padëgjuara nga ai, që dikur ke qarë për to.”

“Mund të ketë një defekt tek një njeri që fsheh me mijëra cilësi apo një cilësi të shkëlqyer tek ai që fsheh me mijëra defekte. Gjërat e vogla na shënjojnë.”

“Përmbledhja e të gjitha urtësive të profetëve është kjo: Gjej një pasqyrë!”

“Mund të jesh çdo gjë në jetë por më e rëndësishmja është të jesh një njeri i mirë.”

“Kur helmi dhe e keqja bëhet një zakon, ajo nuk të dëmton më. Njihe shpirtin tënd dalëngadalë me vdekjen…” / Konica.al