Shqiptarja Annella lanson “Kisse Misse” (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare Annella e cila jeton tash e shumë vite në Danimarkë, pas lansimit të disa këngëve të saja që po synojnë tregun botëror, ka lansuar edhe këngën më të re “Kisse Misse”, shkruan KultPlus.

Kjo këngëtare, pjesë e labelit Wooden Hat Records në USA më herët pati lansuar këngët “Red Stilettos”, “Married Man”, “Parfume”, e këngë të tjera.

https://www.youtube.com/watch?v=L0yfb_i8Lbw

Ajo është një vajzë me prejardhje nga Peja, por e lindur në Zvicër, e që tani jeton në Danimarkë, vendin në të cilin edhe filloi karrierën si këngëtare.

Annella karakterizohet për stilin e muzikës që bën dhe paraqitjen e saj. / KultPlus.com

“Zambaku i Prizrenit”, përmes zërit të këngëtares Liliana Çavolli (VIDEO)

Sot mbushen plotë 3 vite që kur u shua këngëtarja e mirënjohur Liliana Çavolli, shkruan KultPlus.
Ajo ishte në skenë për më shumë se 5 dekada, me këngën e saj të lehtë qytetare.

Lili, siç e njihnin miqtë kishte punuar edhe në redaksinë e muzikës në Radio Prishtinë, ndërsa pa luftës ajo ka qenë autore dhe moderatore e emisionin “Evergreen” në Radio Kosova.

KultPlus sot e përkujton me interpretimin e mahnitshëm të këngës së njohur “Zambaku i Prizrenit”. Përmes kësaj kënge të njohur, e kujtojmë zërin e saj të rrallë që përjetësoi shumë këngë në muzikën shqiptare./ KultPlus.com

Hoti në takim me Ministrinë e Jashtme të Britanisë

Në vazhdën e takimeve në kuadër të vizitës që po realizon në Britaninë e Madhe, Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, i shoqëruar nga Heroina Telaku, këshilltare në Ambasadën e Kosovës në Londër, pati një takim në Ministrinë e Punëve të Jashtme Britanike. Hoti u takua me Catherine Barnes, Shefe e Deskut për Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni dhe Fiona Henry, Zyrtare në Deskun për Kosovë.

Në këtë takim u bisedua për bashkëpunimin e deritashëm mes Kosovës e Britanisë së Madhe në fushën e diplomacisë, dialogut dhe diversitetit kulturor dhe thellimin e këtij bashkëpunimi përmes realizimit të projekteve konkrete dhe shkëmbimit kulturor siç ishte rasti edhe me turneun e Korit të Filarmonisë së Kosovës në Britaninë e Madhe. U vlerësua se tashmë pas referendumit për dalje nga BE-ja të Britanisë së Madhe është e nevojshme edhe më shumë që të fuqizohet bashkëpunimi bilateral.

Po ashtu, ndër të tjera u diskutua për përkrahjen dhe lobimin për anëtarësimin e Kosovës në organizatë e UNESCO-s, ku Britania e Madhe të luaj një rol kyç në këtë drejtim. Me theks, u fol për bashkëpunim rajonal mes të rinjve siç është shembulli i RYCO-s dhe pjesëmarrjes së Kosovës në Samitin e Londrës i cili do të mbahet gjatë korrikut ku do të diskutohet për të rinjtë.

Hoti kërkoi nga përfaqësueset e MPJ të Britanisë që të bëjnë lehtësim edhe më të madh për viza për artistët e Kosovës dhe për financim të përbashkët të projekteve artistike që realizojnë artistët nga Kosova duke performuar para qytetarëve britanikë.

“Rrita e bashkëpunimit mes të rinjve, të profesionistëve dhe atyre që merren me kulturë dhe trashëgimi, për shkëmbim të përvojave dhe ekspertëve në këtë fusha, është më se e nevojshme”, tha ndër të tjera zëvendësministri./ KultPlus.com

Fansat në Azi i thonë Duas “I Dua You”

Këngëtarja me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa javën e fundit ka mbajtur turneun e saj nëpër shtetet aziatike dhe fansat kanë shfrytëzuar mundësinë që të mësojnë kuptimin e emrit të saj.

Në njërin prej koncerteve të Duas, ata kanë mbajtur në duar pankarta “I Dua you”, kthyer në shqip: “Unë të dua ty”.

“Kur dashuria ka kuptim në çdo gjuhë. Shenjat “I DUA YOU” të krijuara nga fansat”, ka shkruar babai i Dua Lipës, Dukagjini, derisa ka publikuar foton e fansave në Instagram./ KultPlus.com

“Emerging Europe”: 48 orë në perlën e bregdetit shqiptar

Media britanike “Emerging Europe” promovon vlerat turistike dhe kulturore të Durrësit, në një artikull mjaft interesant.

Guida e Qytetit të Durrësit: 48 orë në perlën e bregdetit shqiptar
Qyteti i dytë më i madh i Shqipërisë, Durrësi, ka qenë një portë ballkanike për të gjithë botën. Grekët, romakët dhe bizantinët shfrytëzuan të gjithë portin e tij të mrekullueshëm natyror dhe ende vazhdon të mbetet një nga portet më të frekuentuara të Adriatikut.

Përse duhet vizituar tani?
Me amfitetatrin më të madh romak në Ballkan, muret bizantine, frutat e mrekullueshme të detit dhe një jetë argëtuese nate, Durrësi ka një bregdet plot stil dhe elegancë të cilin në pak vende mund ta gjesh. Çmimet gjithashtu mbesin një fraksion i asaj që do t’ju duhej të paguanit në ndonjë vend tjetër.

Si mund të vini në Durrës?
Durrësi ka një distancë të shkurtër nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, vetëm një gjysmë ore larg, (kur trafiku nuk është i rënduar). Taksia mund t’ju sjellë nga aeroporti i Tiranës vetëm për 30-40 euro. Nga qendra e Tiranës ka autobusë dhe mini autobusë të cilët nisen çdo 30 minuta dhe kushtojnë pothuajse asgjë. Durrësi është përqendruar në portin e tij: qyteti i vjetër zë gadishullin e vogël në perëndim të portit, plazhi i gjatë ranor është në lindje.

Gjumi
Nëse dëshironi të qëndroni në qytetin e vjetër atëherë zgjedhja jonë është Hotel Nais, mjaft i thjeshtë, por shumë i këndshëm, ku do të gjeni nje shtrat dhe mëngjes të shijshëm dhe një kafene të mrekullueshme buzë rrugës. Nëse dëshironi pak më shumë luks dhe një hotel ku të bëni dhe plazh, Hotel Palace është ai që ju kërkoni.

Dita 1

Grekët dhe romakët
Fillo ditën me Muzeun Arkeologjik (Rruga Taulantia 32), ndoshta muzeu më i mirë në qytet dhe një abetare e vërtetë në historinë shqiptare. Më pas kthehu pranë Amfiteatrit Romak. Në shikim të parë ju mund të mendoni se është lënë pak pas dore; e vërteta është që është ndërtuar gjatë sundimit të Adrianit rreth vitit 100 pas Krishtit, u dëmtua nga tërmeti dy herë dhe më vonë u shkatërrua nga osmanët në shekullin e 16-të. U gërmua në vitin 1966, dhe e rrethuar nga ndërtimet moderne, ajo që ka mbetur është më se e mjaftueshme për të përcjellë një shkallë dikur epike. Një kishë e krishterë, e shtuar në shekullin e 13-të, është e ruajtur mjaft mirë me pamjet e saj të brendshme mahnitëse.

Gjenden dhe disa mbetje arkeologjike të tjera, Forumi Bizantin dhe banjot Romake, të cilat gjenden në veri të sheshit “Liria“, një hapësirë mjaft e këndshme e rrethuar nga ndërtesat moderne, ku pasditeve gjallërohet nga qytetarët që ulen e bisedojnë e fëmijë që luajnë. Nëse do të bëni një shëtitje në kodrën e Durrësit do të shihni një vilë mbretërore të braktisur e njohur si vila e mbretit Zog, i vetmi mbret i Shqipërisë i cili mbretëroi nga viti 1928-1939. Ndërtesa u përdor si një shtëpi mysafirësh për personalitete të huaja gjatë sundimit komunist në Shqipëri, e më pas u rrëmbye në 1997 gjatë futjes së Shqipërisë në anarki kur një numër skemash piramidale u shembën.

Mbrëmjet Veneciane
Bulevardi elegant “Epidamn”, rruga kryesore e qytetit të vjetër, e veshur me palma, kafene, restorante, dyqane dhe bare, të çon deri në port. E ashtuquajtura “Torra Veneciane” pranë detit dhe muri rrethues i saj janë mbetjet më të ruajtura të fortifikimeve bizantine të qytetit. Ka disa vende të këndshme për të ngrënë në këtë zonë (duke përfshirë dhe kafenenë tek ‘Torra’), por ia vlen të shëtisni vetëm 10 min përgjatë bregut ku do të gjeni Bar–Restorant “Aragosta“ (Rruga Taulantia 71), restoranti më i mirë në zonë ku ju mund të hani ushqim deti.

Dita 2

Plazhi
Me rërën e tij të artë dhe të butë me një sipërfaqe të gjerë, plazhi i Durrësit është një qytet vibrant në vetvete. Gjatë fundjavës në stinën e verës duhet të shkosh herët për të gjetur një vend: nëse jeni duke kërkuar një plazh të vetmuar duhet të shkosh më në jug. Në momentin që je stabilizuar, nuk ke pse të lëvizësh më gjatë ditës: shitësit ambulantë gjatë gjithë ditës do t’ju ofrojnë kafe, çaj, kokteile, panine dhe çdo gjë tjetër që do t’ju nevojitet. E ndërkohë që të gjitha lokalet konkurojnë me njëra-tjetrën se kush të vendosë muzikën më të bukur në sfond, çdo gjë kthehet në një atmosferë tipike ballkanike, të zhurmshme.

Ditët larg
Nëse nuk mund të shkoni në bregdetin e Durrësit, (në të vërtetë shumë njerëz do t’ju pëshpërisnin në veshin tuaj që më e mira e rivierës shqiptare gjendet në Jug).
Duhet të drejtoheni për në Parkun kombëtar të Divjakë-Karavastasë ose thjesht (Laguna e Karavastasë) rreth 20 minuta në jug të qytetit, një zonë e gjerë me laguna, pyje dhe këneta. Jo larg prej këtej gjendet Manastiri më i vjetër i Shqipërisë, Manastiri i Ardenicës i shekullit të 13-të, kisha e Shën Marisë, e cila përmban disa ikona të holla të pikturuara nga Athanas Zografi, një shqiptar që ishte një nga artistët kishtarë më të kërkuar të shekullit të 18-të.

Darka e fundit
Restoranti në Hotelin Oaz, në Golem në fundin jugor të plazhit të Durrësit, ka tryeza aq afër detit sa ju mund të ndjeni aromën e jodit. Peshk i freskët, ushqim deti i mahnitshëm nën një perëndim të mrekullueshëm e bëjnë një nga vendet më të preferuara në qytet.

Durrësi në një paragraf
Plotësisht ballkanik, me një gusto të pagabueshme italiane. Peshk dhe fruta deti të mrekullueshëm dhe me një çmim që nuk mund ta gjeni në asnjë vend tjetër. Gjenden të gërshetuara mbetjet e një të kaluare shqiptare kristiane me minaret dhe xhamitë e myslimanizmit të sotëm. Merr me qira një makinë dhe bëj një xhiro gjatë gjithë bregdetit deri në Lagunën e Karavastasë./ATA/ KultPlus.com

Kompletohet Ekipi i Vlerësimit Teknik për Sallën Koncertale në Prishtinë, projekti kapë vlerën e 15.4 milionë euro

Sot drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova, ka treguar se tashmë është kompletuar edhe Ekipi i Vlerësimit Teknik për Sallën Koncertale që do të ndërtohet në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Sipas një publikimi në rrjetin social Facebook, Yll Rugova, ka treguar se projekti do të mbështetet në vlerë prej 15.4 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian ndërsa ka theksuar se deri në fund të vitit do të përzgjidhet projekti fitues me konkurs ndërkombëtar.

“Tashmë është kompletuar edhe Technical Assesment Team (TAT) për Sallën Koncertale që do të ndërtohet në Prishtinë. Ky projekt që tashmë do të mbështetet në vlerë prej 15.4 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian.

Sipas planit aktual, pas analizave finale nga ekspertët dhe diskutimeve me komunitete dhe palë të interesit, deri në fund të vitit do të përzgjidhet projekti fitues me konkurs ndërkombëtar. Është lajm shumë i mirë se disa arkitektë me renome botërore veçse kanë shprehur interesimin të marrin pjesë.

Me këtë projekt të përfunduar, Kosova do ta ketë investimin më serioz në kulturë në këto vitet e pasluftës. E ky duhet të jetë veç fillimi, projektet tjera të mira janë në proces”, ka shkruar Yll Rugova./ KultPlus.com

“The Sun” i dedikon shkrim Bushpepës: Rokeri që ka luajtur me legjendën e “Guns N‘ Roses”

Këngëtari shqiptar, Eugent Bushpepa, ka tërhequr jo pak vëmendje në ‘Eurovision 2018’ me këngën e tij ‘Mall’, të cilën e ka kënduar në gjuhën amtare. Bushpepa u ngjit mbrëmjen e kaluar i treti në skenën e festivalit më të rëndësishëm të këngës në Evropë, duke u kualifikuar për në finale.

Prestigjiozja angleze ‘The Sun’ dje i ka kushtuar një shkrim këngëtarit shqiptar, teksa tregon si e nisi karrierën Bushpepa dhe si arriti të ngjitej në skenën e ‘Eurovision’, në Lisbonë të Portugalisë.

Kush është Eugent Bushpepa?

Eugent Bushpepa, i cili shpeshherë njihet dhe si Genti, ka lindur në Rrëshen, Shqipëri, më 2 korrik 1984.

Ai ka nisur të këndojë në moshë të re për të realizuar ëndrrën e tij, në 2006-n ai u bashkua në një talk show në “Top Channel” si këngëtar. Që nga ajo kohë, Eugenti ka marr pjesë në skenat e muzikës shqiptare.

Eugenti ngadalë u bë një nga këngëtarët më të njohur të vendit dhe ka mbështetur bende si “Deep Purple” dhe madje ka luajtur edhe me legjendën e “Guns N ‘Roses”, Ron Thal. Pavarësisht se ka hyrë në tregun e muzikës që në vitin 2006, ai nuk ka realizuar ende një album të plotë. Por ai ka disa këngë të tijat.

Si u zgjodh Eugent Bushpepa për të përfaqësuar Shqipërinë?

Eugent Bushpepa garoi në edicionin e 56 Festivalit të Këngës, një konkurs televiziv që zhvillohet për 3 net rresht. Këngëtari u zgjodh nga një juri profesioniste, duke mposhtur kështu konkurrentë të tjerë të suksesshëm.

Çfarë kënge do të performojë Eugent Bushpepa në “Eurovizion 2018”?

Eugent Bushpepa do të këndojë këngën e shkruar specifikisht për “Eurovizion”, të cilën e këndoi edhe te “Festivali i Këngës”. Kënga titullohet “Mall” dhe është shkruar nga vetë Eugenti dhe do të këndohet në gjuhën amtare./ KultPlus.com

67 projekte filmike kanë aplikuar në konkursin e QKK-së

Në konkursin e Qendrës Kinematografike të Kosovës për vitin 2018 afati i të cilit është mbyllur me datë 4 maj, kanë aplikuar në kategori 67 projekte filmike në kategori të ndryshme.

17 projekte filmike kanë aplikuar për film të metrazhit të gjatë artistik, për atë dokumentar të gjatë kanë aplikuar 9 projekte, kurse për film të metrazhit të gjatë artistik – koproduksion minor kanë aplikuar 6 projekte filmike dhe në atë të gjatë artistik – debutant kanë aplikuar 5 projekte. Kurse për film të metrazhit të shkurtër artistik kanë aplikuar 17 projekte, dhe në atë të shkurtë të animuar 4 projekte.

Në konkursin për zhvillim të skenarit për film të metrazhit të gjatë kanë aplikuar 8 projekte filmike ndërsa në atë për postproduksion për film të metrazhit 1 aplikues.

Komisioni për verifikimin e dokumentacionit do të shqyrtoj të gjitha projektet aplikuese nëse i plotësojnë kriteret e domosdoshme të konkursit. QKK mëpastaj do të emëroj jurinë vlerësuese dhe vendimi i tyre pritet të ipet në fund të muajit Qershor.

Buxheti i QKK-së për këtë vit pritet të jetë rreth 1 milion euro./ KultPlus.com

Dështimet dhe sukseset e shqiptarëve në Eurovision

Edhe pse Shqipëria kishte të drejt të merrte pjesë shumë më herët në festivalin evropian të këngës “Eurovision”, RTSH kishte aplikuar vetëm në vitin 2003 për pjesëmarrje.

Shqipëria deri tani numëron pjesëmarrjen e 15-të në Eurovision dhe që nga debutimi në vitin 2004 nuk është tërhequr asnjëherë nga ky festival.

Magazina.al ju sjell historikun e pjesëmarrjes së Shqipërisë në garën më të madhe të muzikës evropiane “Eurovision” , që sot grumbullon hiq më pak se rreth 200 milion shikues për çdo vit nga e gjithë bota.


2004

Shqipëria debutoi në “Eurovision” në vitin 2004 ku nikoqir ishte Turqia, kënga shqiptare ishte pritur mjaftë mirë, si përfaqësuese e shtetit debutues, Anjeza Shahini dhe kënga e saj “Image of You”, ishte vlerësuar mirë nga publiku evropian duke u radhitur e 7-ta.

2005

Një vit më vonë Shqipëria u përfaqësua nga Ledina Çelo, e cila falë rregullave të atëhershme të festivalit dhe suksesit të Anjezës,ishte direkt në finale, kënga me ritme shqiptare, si duket nuk u përshtat mirë me gjuhën angleze dhe diçka nuk shkoi…

Kënga e Ledinës “Tomorroë i go”, në finale përfundoi e 16-ta, duke marrë vetëm 53 pikë.

2006

Një vit më vonë, Shqipëria nuk e ndryshoi fare zhanrin,një këngë e stilit folk u ngjitë në skenë bashkë me gjuhen shqipe e me kostume shqiptare.

Kënga e Luiz Ejllit “Zjarrë e Ftohtë”, nuk arriti të ndez fare pblikun evropian, duke dështuar të kualifikohet në finale, shkruan Magazina.al

2007

Shqipëria duke vlerësuar suksesin e këngëtarit Frederik Ndoci, kishte besuar shumë kur e dërgoi në vitin 2007 për ta përfaqësuar kombin në festivalin evropian.

Kënga “Hear My Plea” e pati të njejtin fat, kënga nuk u vlerësua edhe aq për t’u dëgjuar edhe njëherë në finale.

2008

Kur situata ishte mjaftë e tensionuar në Beograd pas shpalljës së pavarësisë së Kosovës dhe Serbia ishte nikoqir i festivalit, Shqipëria kishte vendosur të dërgoi një këngë shqipe.

Këngëtarja Olta Boka në mes të Beogradit të tensionuar këndoi “Zemrën e lamë peng”, pas dy viteve dështimi Shqipëria shkoi në finale, por kënga mbeti e 17-ta me 55 pikë.

2009

Një vajzë e re 17-vjeçare ishte në atë kohë Kejsi Tola, e cila në Moskë përfaqësoi Shqipërinë me këngën “Carry me in your dreams”, edhe kjo këngë arriti të shkoi në finale, por koreografia e këngës ishte një nga më të përfolurat, ndërsa shumë media në atë kohë e kishin përqeshur paraqitjen shqiptare.

Edhe pse në finale për të dytin vit radhazi, Shqipëria u radhit përsëri e 17-ta dhe mori 48 pikë.

2010

Vitet po ecninë mbarë për Shqipërinë në Eurovision, për të tretin vit radhazi Shqipëria siguroi finalen me përfaqësimin e Juliana Pashës dhe këngës “It’s all about You”.

Por as ky vit nuk e ngriti Shqipërinë në pozitë,Juliana përfundoi e 16-ta me 62 pikë.

2011

Përfaqësimi i Shqipërisë nga Aurela Gaçe, kishte ngjallur shpresat tek shqiptarët për një sukses në garën evropiane të këngës,por ndodhi ajo që nuk pritej, kënga “Feel the passion” nuk arriti të kaloj as edhe në finale, e nga kritikët atëherë ishte thënë se kënga ishte mjaftë e ngarkuar për një festival si “Eurvosion-i”

2012

Me fitoren në “Festivalin e Këngës” të Rona Nishliut kishin filluar ‘sulmet” e skeptikëvë për një sukses të mundshëm në Evropë, kënga “Suus” nga shumë u cilësua si aspak e denjë për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision.

Këngëtaja kosovare befasoi ë gjithë në paraqitjen e saj në gjysëm-finalen e parë në “Eurovision”.

Kjo ishte hera e parë që një këngëtar nga Kosova po ngjitej në skenën e Eurovision-it, por Rona bëri historinë duke i dhënë Shqipërisë suksesin më të madh, ku u radhit e 5-ta me 146 pikë, sukses ky i cili vazhdon të jetë më i larti për Shqipërinë edhe pas 4 viteve pjesëmarrje, shkruan Magazina.al

2013

Në vitin 2013 një grup Rock-u përfaqësoi Shqipërinë, kënga “Identitet” nga Adrian Lulgjuraj & Bledar Sejko kishte elemente rock-u me elemnte folk, por kjo nuk ishte e mjaftueshme që publiku evropian ta pëlqente, ata dështuan të kalojnë në finale.

2014

Edhe ky vit për Shqipërinë ishte vetëm edhe një dështim në “Eurovision” këngëtarja me supervokal Hersi Matmuja, si duket nuk kishte zgjedhur këngën e duhur për t’i rrëmbyer zemrat e evropianëve, pasi “One Night’s Anger” këndoi vetëm në gjysëm-finalen e parë.

2015

“I’m alive” mbetët një nga këngët përfaqësuese më të pëlqyera nga shqiptarët, por kjo ndodhi vetëm derisa Elhada Dani i zhgënjeu të gjithë me paraqitjen Live pasi askush nuk e kishte pritur një dështm të tillë nga një këngëtare e cila kishte fituar garën e “The Voice” në Itali.

Kënga e punuar nga producentët kosovar Zzap&Chris është një nga më të klikuarat në Youtube nga përfaqesueset shqiptare në “Eurovision”, “I’m Alive” sot numëron mbi 7milion klikime, por për një sukses të ngjashëm nuk mund të flasim edh në paraqitjen e saj në “Eurovision” pasi këngëtarja edhe pse kaloi në finale u radhit e 17-ta me vëtëm 34 pikë.

2016

Kënga e Eneda Tarifës “Fairytale” nuk është pritur aspak mirë në versionin e saj në gjuhën angleze.

Ndonëse u vlerësua nga kritika dhe profesionistët për vokalin e saj, Eneda nuk arriti ta dërgoj në finale Shqipërinë.

2017

Përfaqesimi i Shqipërisë nga Lindita Halimi, ishte pritur me entuziazëm nga shqiptarët, duke marrë parasysh suksesin e saj ne “American Ido” ishim të bindur se Lindita do të kalonte në finalen e festivalit por kjo nuk ndodhi, pasi kënga “Ëorld” nuk mori votat e mjaftushme, duke performuar vetëm në gjysëm-finale.

2018

Shqipëria  u përfaqësua për të 15 herë në këtë festival nga Eugen Bushpepa, i cili  arriti të kaloj në finalen e kësaj gare dhe zuri vendin e 11-të.

https://www.youtube.com/watch?time_continue=80&v=TZDgupnB2DY

Këtë vit, numri më i madh i turistëve në Shëngjin

Këtë vit pritet numri më i madh i turistëve të ardhur ndonjëherë në Shëngjin, ka thënë Edi Rama në Lezhë.

Në kuadër të investimeve për nxitjen e numrit të turistëve, Rama përmendi ndërhyrjen e domosdoshme për ripërtëritjen e plotë të Memorialit të Skënderbeut.

Me këtë ndërhyrje, tha ai, do të plotësohet një boshllëk që është i papranueshëm dhe do t’i japi një tjetër atraksion të rëndësishëm turistik qytetit.

Kryeministri tha se ka një interes në rritje të tursitëve të huaj drejt Shqipërisë dhe sipas tij janë “10 linja direkte nga vende të reja origjine, që vijnë në Shqipëri.

Kjo do të sjellë punësim dhe zhvillim ekonomik, tha Rama./Ata/ KultPlus.com

Ramë Lahaj solli një mbrëmje të paharruar në Prishtinë, publiku mbeti i magjepsur nga interpretimi i tij (FOTO)

Gili Hoxhaj

Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Universitare në Prishtinë po mirëpriste një superyll të operës. Ardhja e tij këtu ishte si një dhuratë për publikun, i cili dukej që mezi kishte pritur ta dëgjoj për së afërmi zërin e tij që ka magjepsur teatrot më të mëdha botërore. Data e djeshme, që është në kuadër të aktiviteteve për Ditën e Evropës, bëri që Kosova të jetë në agjendën e tenorit Lahaj, mes vendeve që zotërojnë sallat më të mira të operas.

Vendi ku performoi mbrëmë ai, është një nga të vetmet hapësira në Kosovë, ku mund të dëgjohen interpretues të huaj, që prezantohen para publikut të Kosovës. Dhe pikërisht në këtë skenë, kthehet një solist opere që është rritur në Kosovë, që prej këtu ka ushqyer ëndrrat e tij për skenën.
Ani pse kjo skenë nuk ishte e denjë për të, në krahasim me skenat ku ka jehuar zëri i tij, ishte publiku ai që e bënte dallimin. Në mesin e disa prej tyre ishte rritur, e një pjesë tjetër është rritur me ndjenjën e krenarisë për të.

Për ardhjen e tij në Kosovë, publiku ishte njoftuar ditë më parë. Me një shpejtësi të jashtëzakonshme ishin shitur biletat për këtë koncert. Para ambientit ku do të mbahej koncerti, kalimtarët e kanë parë të vendosur një poster që tregonte se brenda kësaj ndërtese, do të mund të dëgjojnë më afër se kurrë tenorin, Ramë Lahaj. Po aty ishte vendosur dhe një tapet i kuq, përmes së cilit depërtoje tek salla ku do të fillonte koncerti.

Një moment prapa, një vulë e madhe e suksesit të Ramë Lahaj kthehet para syve të publikut përmes ekranit prej nga ata ishin përqendruar, para se në skenë të vinte Ramë Lahaj. Është momenti kur Placido Domingo i dhuron çmimin prestigjioz “Operalia”, ku aty Lahaj ishte listuar në vendin e tretë. Mes ekranit bardh dhe zi, Ramë Lahaj e solli edhe mjeshtrin Placido Domingo me vete. Domingo thotë se Lahajn e cilëson si një nga fituesit më të mëdhenj të Operalias. Karriera e tij në muzikë filloi në një moshë të madhe, e rrugëtimin e tij në skenat më të mëdha botërore e filloi që nga viti 2012 e tutje, duke e bërë atë një nga emrat më të kërkuar. Kjo ishte dëshmi që Rama kishte punuar fort për t’i jetësuar ëndrrat e tij, ani pse, shkollimin fillor e të mesëm e kishte përfunduar në qytetin e Istogut, atje ku as sot nuk ekziston një shkollë profesionale e muzikës.

“Kur zëri ka kualitet, nuk ka rëndësi prej nga vjen”, thotë Domingo në videon kushtuar Ramë Lahajt. Skena të teatrove më të rëndësishme erdhën përmes ekranit që ndodhej prapa, ato në qendër kishin figurën e Ramë Lahajt. Ishte reflektimi më i mirë i emocionit që e ka lënë Lahaj në skenat e mëdha.
“Evropa në zemrën e tij, krenaria e Kosovës”, u titullua koncerti i mbrëmshëm, që po e kthente pas shumë vitesh Ramë Lahajn me koncert në Kosovë, tash me një bagazh të ngjeshur artistik. Kjo e kishte bërë edhe me kuptimplotë ardhjen e tij këtu, për të shënuar Ditën e Evropës. I gjithë koncerti u organizua nga Zyra së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Dalja e Ramë Lahajt në skenë dhe duartrokitjet e publikut

Fotografitë nga skenat më të mëdha, kur bashkohen me zërin dhe prezencën e Ramë Lahajt në skenë, e fusin këtë mbrëmje në mesin e atyre më të rëndësishmeve për jetën kulturore në Kosovë. Ende pa u dëgjuar zëri i tij, dëgjohen fort duartrokitjet e publikut që kishin mbushur çdo hapësirë të sallës. Mes duartrokitjeve të fuqishme, tenori Ramë Lahaj bën hapat e parë në skenë. Salla ndriçohej anash nga një ndriçim i zbehtë, e në formë të rrumbullakët ndriçimi ishte përqendruar tek Lahaj e pianisti. Pranë pianos zë vend pianisti Alessandro Amoretti i cili do ta shoqëronte gjatë gjithë koncertit Lahajn. Me një precizitet e teknikë të saktë, publiku shijoi lojën e Amorettit i cili ishte i lumtur që mbrëmë e shoqëroi Lahajn, për të cilin pa asnjë ngurrim thotë se është një nga këngëtarë që ka shumë për t’i dhënë botës. Loja e tij që ishte më e theksuar, kur zëri i fuqishëm i Lahajt ndalej, plotësonte mjeshtërisht koncertin.

Kur Ramë Lahaj vjen në skenë, me një buzëqeshje ndeshet me qindra sy që janë drejtuar drejt tij. Kur zëri i tij fillon rrugëtimin muzikor të mbrëmjes, publiku mezi mban frymën deri në fund të veprës, për t’i përplasur fort duart. Ai solli vepra të repertorit të cilat i ka punuar më parë mirëpo edhe disa vepra në të cilat është duke punuar aktualisht. Arie të njohura botërore, përmes zërit të tij bënin që publiku prishtinas ta përjetonte nivelin më të lart artistik të muzikës klasike. Veprat e kompozitorëve më të njohur italian për opera, si Giacmo Puccini, Giuseppe Verdi, Ernesto De Curtis erdhën mbrëmë tek publiku. Dramaticiteti i tyre, e ndjeshmëria e veprave shtriheshin në zërin e lëvizjet e Lahajt, që lëvizte trupin bashkë me zërin e tij brenda skenës. Zëri i tij jo rrallë herë gjatë mbrëmjes dukej se po arrinte kulmin. Me një përjetim më të veçantë u prit vepra “Agimet shqiptare”. Ishte vepra e vetme shqip që mbrëmë erdhi përmes zërit të Lahajt.

“Trualli im shqiptar me gjallëron, me bën krenar, sa jam krenar, sa jam krenar”, që vinte mrekullisht përmes Lahajt, ngjalli fort emocionet e publikut, i cili pas veprës shpejt ngrihet në këmbë, për ta nderuar interpretimin e tij me duartrokitje.

Lahaj vendos dorën në njerën anë të gjoksit, e përkulet pranë tyre, për t’u ndarë për pak minuta nga ta. Nga perdet e zeza, ai kthehet kësaj here pa sako. Momentet e para, i drejton sytë lart, mbështet dorën në njërin skaj të pianos e pastaj lëviz. Shpesh i mbledh duart pranë gjoksit, e ndonjëherë vetëm njërën dorë e lë varur lart e me ngadalësi e ofron pranë vetes. Shpesh herë duart i bashkoheshin pranë fytyrës, e zgjateshin më larg trupit. Është i vetëm një rast kur këmba e tij përplaset fort në skenë. Shikimi i tij, ashtu si zëri shtriheshin në çdo pjesë të sallës. Derisa shikonte publikun, ai tundte kokën në shenjë mirënjohje nga emocioni që i dhuronin.

Para interpretimit të parafundit, drejt tij ngjitet Nexhmije Pagarusha që në duar mban buqetën me lule. Lahaj zbret me shpejtësi pranë saj. Ky takim mes tyre gjatë koncertit, krijoi një nga momentet me emocionuese të mbrëmjes. Publiku po duartrokiste dhe këtë bashkim të dy zërave që janë ngulitur fort në historinë e muzikës shqiptare.

“O sole mio”, e “Di Capua” mbylli mbrëmjen. Pasi që Lahaj e pianisti Amoretti bashkonin muzikalitetin e tyre përmes interpretimit të veprave, ata në fund të tyre bashkonin duart, e përshëndetnin publikun. Lahaj nga skena largohet duke kënduar, duke lënë publikun të magjepsur nga zëri i tij. Mes urimeve, përqafimeve e fotografive me Ramë Lahajn, publiku largohet nga salla.

Besa Luzha dhe Marigona Qerkezi për Ramë Lahajn

Profesoresha Besa Luzha tha se ndihet e kënaqur që Ramë Lahaj po shënon Ditën e Evropës dhe me këtë koncert edhe dëshmohet që Kosova ka vlera evropiane. Ajo tha se Ramën e bën më të jashtëzakonshëm fakti që edhe pse nuk ka pasur shkollimin e gjatë dhe të mirëfilltë muzikor.
“Prej një vendi siç është Istogu nuk i ka marrë mendja dikujt që del një Mario Lanza i Kosovës”, shprehet Luzha.
Luzha tha se Lahaj po e mahnit Evropën me artin e tij, e vazhdimisht duhet të përmendet fakti që vjen nga një vend që s’numëron as edhe një sallë të operës e baletit.
“Ne gjithmonë po trajtohemi si një vend që po kërkon mëshirë prej Evropës por ne duhet që sa më shumë ta promovojnë faktin se ne i sjellim vlera Evropës. Përveç vajzave e djemve të rinj si fuqi punëtore, ne Evropës i sjellim edhe talentë të tillë si Rama që i mbush sallat evropiane të operës e baletit, edhe pse ne nuk e kemi një të tillë”, u shpreh Luzha për KultPlus.

Sopranoja e njohur nga Kosova, Marigona Qerkezi, e cila së fundmi është pranuar në një ndër garat më prestigjioze në konkursin famshëm operistik “Operalia”, pikërisht nga kjo garë prej nga edhe Lahaj ka marrë çmimin e madh, tha se ndihet shumë krenare me sukseset e tij edhe për faktin që e ka mik dhe për faktin që ai prezantohet kudo me prejardhjen e tij, e që ndikon edhe në përmirësimin e imazhit të vendit.

“Ramën e kam shumë mik, jam shumë krenare me të si personalisht ashtu dhe me faktin që po na bën krenar neve si shtet dhe komb. Jemi me fat që Rama kudo që shkon tregon se është nga vendi ynë, kështu që dhe imazhi i vendit përmirësohet. Rama është një këngëtar i shkëlqyeshëm, kur mbyll sytë ke përshtypjen se po dëgjon një superyll të historisë se operas dhe kur hap sytë e sheh që është miku yt, është gëzim i dyfishtë”, u shpreh Qerkezi për KultPlus.
Lahaj, i cili këtyre ditëve po qëndron në Kosovë me ftesë të Ambasadores Nataliya Apostolova, sot do të mbajë një ligjëratë dhe një masterklasë në kuadër të aktiviteteve të Ditës së Evropës 2018. Masterklasa fillon nga ora 15:00, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare në Prishtinë . / KultPlus.com

Qëndrimi

Poema kosovar – kënga e parë e shkruar nga Mitrush Kuteli.

Jam shqiptar
e kosovar:
Zot e krenar,
-Zot e bujar-
mbi këtë Dhe,
që e kam fe
e përmbi fe:
e kam Vatan!
E kam Atdhe!
Që gjysh stërgjysh,
që brez pas brez,
që gjithëmonë!
Ti shkja thërret
ti shkja bërtet,
deri lart në retë:
se jam barbar.
Jo, s’jam!
si bërtet ti,
si buçet ti,
ti, Mal i Zi.

Po Vendin tim e dua,
lirinë e dua,-
e s’dua
zot
mbi mua.
Se jam këtu kur s’kish njeri,
kur s’kish kufi
as fqinjëri,
as shkja të zi.
Se jam këtu kur Mal i Zi
ish Iliri:
kur nga një det në tjatrin det
isha zot vetë!
Unë jam këtu nga moti
kur vetë Zoti
e bëri fushën fushë
e malin mal.
Unë jam këtu e do të jem
-dem baba dem-
sa mali të bëhet hi
e hiri mal përsëri

Bëhen 19 vjet nga rënia e dëshmorëve Ilir Konushevci dhe Hazir Mala

Në 19-vjetorin e rënies, sot në Tiranë mbahet akademi përkujtimore kushtuar dëshmorëve të kombit, gjeneral major Ilir Konushevci dhe doktor Hazir Mala.

Në akademi merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nën përkujdesjen e të cilit mbahet ky aktivitet përkujtimor.

Akademia mbahet në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë./ KultPlus.com

3 vite nga vdekja e këngëtares Liliana Çavolli

Sot mbushen plotë 3 vite që kur u shua këngëtarja e mirënjohur Liliana Çavolli, shkruan KultPlus.

Ajo ishte në skenë për më shumë se 5 dekada, me këngën e saj të lehtë qytetare. Lili, siç e njihnin miqtë kishte punuar edhe në redaksinë e muzikës në Radio Prishtinë, ndërsa pa luftës ajo ka qenë autore dhe moderatore e emisionin “Evergreen” në Radio Kosova.

Lililana Çavolli ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës kosovare.

70 vjetorin e lindjes dhe pesë dekada karrierë në skenë ajo i kishte festuar në një megakoncert që e kishte organizuar Grupi Koha në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në shkurt të vitit 2013./ KultPlus.com

Eugent Bushpepa flet për herë të parë pasi kalon në finale: Këngën ua dedikoj të gjithë shqiptarëve

Pas tre vitesh mungesë në finalen e Eurovizion, Shqipëria me Eugent Bushpepën dhe këngën “Mall” këtë vit arriti të kualifikohej për në natën e madhe.

Pas gjysmë finales së parë ku Eugenti këndoi i treti, u mbajt një konferencë me artistët që performuan. I pyetur nga prezantuesi nëse ndjen të njëjtat emocione kur këndon në këtë event me emocionet që ndjen kur këndon në club, Eugenti u përgjigj: “Për sa kohë që transmeton emocione me anë të muzikës, është e njëjta gjë”.

“Skena ishte fantastike. U ndjeva shumë mirë, publiku ishte gjigant. Të ndash dashurinë me publikun është njësoj”, u shpreh Eugenti.

I pyetur nga një fans gjatë konferencës se kujt ja kushton këngën, ai u përgjigj: “Është një këngë për dashurinë, është një këngë për mallin ndaj personave që do më shumë, kështu që unë ja dedikoj të gjithë shqiptarëve sepse po më mungojnë shqiptarët që kur kam ardhur këtu”./ KultPlus.com

Rita Ora: Jam shumë e lumtur që do të jem në Tiranë

Stina e verës në Tiranë do të jetë e mbushur me koncerte dhe një fakt i tillë është paralajmëruar herët.

Një nga këngëtaret e njohura që pritet të elektrizojë “Sheshin Skënderbej” është edhe këngëtarja nga Kosova Rita Ora.

Ajo do të rikthehet në këtë shesh pas 6 vitesh kur në 2012 performoi për 100-vjetorin e Pavarësisë. Përmes një statusi në Facebook, Ora është shprehur më e lumtur se kurrë për këtë koncert.

“Shumë e lumtur që do të jetë jem në Tiranë, kryeqyteti në Shqipëri, i cili është gjithnjë në ndryshim, për një shfaqje të madhe më 3 qershor në “Sheshin Skënderbej”. Mezi pres të festoj me të gjithë ju,-Tirana Rocks!,”-përfundon Rita.

Veç saj emra të tjerë të njohur priten të performojnë në shesh si Ermal Meta, Daddy Yanke, Dua Lipa, Martin Garrix etj./ KultPlus.com

51 vite nga vdekja e Mitrush Kutelit

Më 9 maj 1967, vdiq Dhimitër Pasko, i njohur me pseudonimin Mitrush Kuteli, një ekonomist, shkrimtar dhe përkthyes i shquar.

Lindur në Pogradec dhe diplomuar në ekonomi në Bukuresht. Gjatë pushtimit të vendit, ai mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, por pas çlirimit ai e përjetoi burgosjen dhe persekutimin.

Dhimitër Pasko alias Mitrush Kuteli ka lënë pas studime ekonomike me vlerë të madhe, por ai kujtohet kryesisht nga krijimet e tij letrare në gjuhën e pastër shqipe./ KultPlus.com
https://www.facebook.com/photo.php?fbid=10156130988600631&set=gm.1697128227029610&type=3&theater&ifg=1

Instalacioni “Edhe muret kanë veshë”, ndërgjegjësim për krimet e diktaturës

Në muret e kalasë së qytetit të Gjirokastrës njëkohësisht e shfaqur edhe në disa qytete kryesore si Tiranë, Shkodër, Berat, Korçë, Tepelenë do të krijohet platforma e komunikimit “Edhe muret kanë veshë”, projekt i cili synon të sjellë në vëmendje disa nga frazat më të përzgjedhura të ish-të përndjekurve të sistemit komunist.

Instalacioni do të qëndrojë i hapur për publikun vendas nga ora 20:00 deri në orët e para të mëngjesit dhe do të shtrihet në qytete të tjera të Shqipërisë.

Muret e kalasë gjatë orëve të natës do të mbushen me thënie të veçanta të personave të cilët kanë përjetuar vuajtje të tmerrshme gjatë regjimit komunist.

Gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), Prefekti i Gjirokastrës Astrit Aliaj bënë të ditura detajet e shfaqjes së këtij instalacioni, duke theksuar se ky aktivitet synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi krimet e së shkuarës.

“Platforma e komunikimit “Edhe muret kanë veshë” synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi krimet e së shkuarës komuniste e të inkurajojë dialog me universitetet, akademikët, komunitetet lokale, të mbijetuarit e krimeve të diktaturës komuniste, mediat dhe publikun e gjerë. Fushata kulmon me një instilacion artistik dhe vijon me përmbledhjen të historive personale të të mbijetuarve të krimeve të diktaturës ose të familjeve të tyre. Po ashtu, pasqyrimi i këtyre dëshmive do të bëhet edhe në një faqe interneti me të njëjtin emër; dëshmitë gojore do të filmohen në dokumentar, në mënyrë që njerëzit ta ndjekin rrugëtimin e këtij produkti artistik, t’i shohin fytyrat dhe t’i dëgjojnë historitë e shqiptarëve që qëndruan me dinjitet. Këto histori krijojnë një data bazë të rrëfimeve gojore që do të pasurohet në vijim dhe i shtohen arkivit të Autoritetit”, – tha prefekti i Gjirokastrës.

I pyetur për shkëputjen e frazave apo thënieve të përdorura në këtë platformë komunikimi si dhe për krijimin e tyre, prefekti Aliaj shprehet se “instalacioni, i realizuar nga artistja Alketa Xhafa-Mripa, është një krijim shumëdimensional i kujtesës kolektive për ata që u dënuan, humbën lirinë apo jetën në burgjet dhe kampet e diktaturës komuniste. Frazat apo thëniet që përshkruajnë tragjedinë njerëzore të shkaktuar nga krimet e komunizmit janë shkëputur nga dorëshkrime, dokumentime, apo arkiva personale të individëve të burgosur apo internuar dhe janë përzgjedhur nga dëshmitë gojore të të mbijetuarve. Me to, Mripa ka krijuar një narrativë të zgjeruar, ku frazat lidhen me njëra-tjetrën, duke shfaqur aspekte të ndryshme të totalitarizmit. Shprehjet, dikur të ndaluara, do të projektohen në formate të mëdha, në të njëjtën datë (8 maj 2018) dhe në të njëjtën kohë (ora 20.00) në fasadat kryesore të qyteteve, deri në agimin e Ditës së Evropës, duke riafirmuar vlerat europiane, që ishin dhe vizioni i rrënimtarëve.

Instalacioni “Edhe muret kane veshë”, është një projekt i financuar nga Zyra e PNUD-it, ambasada italiane si dhe me ndihmën e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Në të njejtën kohë, ky instalacion shfaqet edhe në pesë qytete të tjera, si në Tiranë, Shkodër, Korçë, Berat dhe Tepelenë. Aktiviteti është organizuar në kuadër të ditës së Europës.

Programi ambicioz “Përkujtojmë, për të shëruar dhe parandaluar” përmbledh dy ndërhyrje kryesore: konceptualizimin, historinë dhe praktikat e punës së detyruar gjatë regjimit komunist përmes një qasjeje historiko–juridike ndaj institucionalizimit të punës së detyruar. Kjo do të kontribuojë në konceptimin e vendeve të kujtesës si Kampi i Tepelenës dhe fushatën e komunikimit “Edhe muret kanë veshë”, zbatuar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit me mbështetjen e PNUD Shqipëri dhe Qeverisë së Italisë. Fushata është shtrirë në mbarë vendin, duke mbledhur dëshmi të të mbijetuarve të dënuar gjatë periudhës komuniste dhe dëshmi të solidaritetit që qytetarët e Tepelenës treguan ndaj viktimave./ KultPlus.com

Dita e Evropës në Kosovë shënohet edhe me aktivitete të trashëgimisë kulturore

Në kuadër të aktiviteteve të Ditës së Evropës – 9 Maj dhe Vitit Evropian të Trashëgimisë Kulturore, në Zyrën e BE-së në Kosovë dje u organizua konferenca “Trashëgimia Kulturore në Kosovë – Parku Arkeologjik i Ulpianës”, bashkëpunim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ambasadës së Francës në Kosovë.

Në emër të MKRS-së, në konferencë foli zëvendësministrja e MKRS-së, Burbuqe Bakija-Deva, e cila shprehu edhe kënaqësinë që në kuadër të programit për shënimin e Ditës së Evropës në Kosovë flitet edhe për trashëgiminë kulturore të Kosovës.

Duke folur për shënimin e kësaj dite, zëvendësministrja tha se ashtu si në vendet tjera, edhe Kosova promovon paqen dhe unitetin, kësaj radhe edhe përmes trashëgimisë kulturore duke e vlerësuar lart edhe bashkëpunimin me Zyrën e BE-së dhe Ambasadën e Francës.

Zëvendësministrja Bakija-Deva shprehu gatishmërinë e MKRS-së për të bashkëpunuar edhe për te tjera iniciativa te përbashkëta në mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore si pjesë integrale e trashëgimisë evropiane dhe botërore.

“Sigurisht që na presin edhe shumë punë, si institucion, si shoqëri, si shtet i ri. Sigurisht që kemi edhe shume sfida para nesh”, tha ndër të tjera zëvendësministrja, duke e ofruar edhe një një informacion përmbledhës për punët e planifikuara gjatë këtij viti.

“Ne përputhje me Planin e punës dhe buxhetin, do të punohet në shume lokalitete arkeologjike si në: kalanë e Vuqakut, kalanë e Prizrenit, te Novobërdës, Korishës, Keqekolles, Harilaqit, lokalitetin e Dersnikut dhe Parkun Arkeologjik Ulpiana- një nga lokalitetet ky me te vizituara viteve të fundit. Vitin e kaluar, Parku arkeologjik ka pritur 23.000 vizitorë kurse në periudhën 1 janar – 1 maj 2018 ka pritur 7,000 vizitorë”, njoftoi zëvendësministrja

Zëvendësministrja tha se shumë shpejt MKRS do të promovojë para opinionit publik disa nga gjetjet shumë të rëndësishme të ekspeditave nga viti i kaluar dhe njoftoi gjithashtu për përgatitjen e një dokumentari te ri për Ulpianën dhe shume risi të tjera.

Ajo foli po ashtu edhe për trashëgiminë arkitekturore, ku nënvizoi faktin se Qendra Historike e Prizrenit mbetet prioritet dhe ndërtesat tjera për kah rëndësia të klasifikuara si monumente të rëndësisë se veçantë, si ndërtesa e ish ASHAK-ut në Prishtinë, ndërtesa e IKMM-së, shtëpi tjera tradicionale në Pejë, Mitrovicë, Ferizaj, Gjakovë dhe komuna tjera.

“Kemi iniciuar procedurën për ndërtimin e Muzeut të Historisë së Natyrës si një nga projektet kapitale si dhe se shpejti fillojmë edhe Shenjëzimin e Trashëgimisë Kulturore në nivel vendi. Do të shtohen më tutje angazhimet në plotësimin e mëtutjeshëm te ekspozitës në Muzeun e Kosovës dhe funksionalizimin e plotë të kompleksit etnologjik “Emin Giku “ në Prishtinë”, u shpreh ajo duke siguruar mbështetjen institucionale për promovim dhe për t’i kushtuar kujdes mbrojtjes sidomos në parandalimin e aktivitete të paautorizuara dhe ndërmarrjen e masave ndaj keqpërdoruesve.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, tha se popujt evropianë i bashkon historia, kultura e trashëgimia.

“Përveç që është viti evropian, është në veçanti viti i trashëgimisë kulturore. Për të na kujtuar që ne popujt evropianë kemi gjëra që na ndajnë, por kemi edhe gjëra që na bashkojnë. Gjërat që na bashkojnë janë historia, kultura e trashëgimia”, tha ai ndër të tjera.

Ndërsa përfaqësuesi i Zyrës së BE-së, Riccardo Serri, theksoi se diversiteti kulturor është baza e Bashkimit Evropian duke i dhënë një rol të veçantë trashëgimisë kulturore./ KultPlus.com

Këto janë shtetet që kaluan në natën finale të “Eurovision 2018”

Mbrëmë ka përfunduar nata e parë gjysmëfinale e festivalit të madh evropian, “Eurovision 2018”.

Një natë me plot emocione dhe spektakël nga Lisbona solli gjithsej 19 performa nga nga 19 shtete të ndryshme.

Plot 10 janë shtetet që arritën të shkojnë në finale, të cilat rezultuan si më të votuarat nga juria dhe publiku.

Shqipëria ka arritur të kualifikohet në natën finale me këngën “Mall” të interpretuar nga Eugent Bushpepa, gjersa pjesë e finales do të jetë edhe shqiptarja tjetër Eleni Foureira, e cila ka arritur t’i sigurojë votat e duhura Qipros me këngën e saj “Fuego”.

Më poshtë gjeni emrat e 10 shteteve që kalojnë në natën finale të “Eurovison 2018”, i cili mbahet këtë të shtunë më 12 maj.

Austria
Estonia
Qipro
Lituania
Izraeli
Republika Çeke
Bullgaria
Shqipëria
Finlanda
Irlanda.

Eugent Bushpepa futet në finalen e Eurovizionit

Eugent Bushpepa ia ka arritur të futet në finalen e Eurovizionit.

Sapo janë bërë të ditura dhjetë këngët e gjysmëfinales së parë të cilat shkojnë në finale, pas një mbrëmjeje plot spektakël e muzikë.

Kënga “Mall” do të jetë në finalen e Eurovizionit, pasi Shqipëria ka munguar disa vite në finalen e Eurovizionit.
Finalja e Eurovizionit mbahet me 12 maj.

Shqiperia kalon ne finalen e #Eurovision 2018!

A post shared by Eurovision Albania ©FFICIAL (@eurovisionalbania) on

Në finale do të jenë edhe Austria, Lituania, Estonia, Qipro, Izraeli, Bullgaria, Çekia, Finlanda dhe Irlanda.

Eleni Foureira futet në finalen e Eurovizionit

Këngëtarja shqiptare Eleni Foureira do të jetë pjesë e finales së Eurovizionit këtë vit.

Me këngën “Fuego” Eleni sot ka ndezur zjarrin në skenën e Eurovizionit dhe kësisoj do të këndojë edhe me datë 12 maj, në finalen e Eurovizionit 2018.

Eleni sonte në gjysmëfinalen e parë të festivalit evropian këndoi e funda, e 19-ta me radhë, derisa në fund kualifikohen për në finale vetëm dhjetë nga këto këngë.

Shën Tereza, nëna e madhe shqiptare

Nëna Terezë ka mrekulluar botën me veprat e saj humane, e cila ka shërbyer përgjatë gjithë jetës së saj për fëmijët e varfër, shkruan KultPlus.

Në këtë fotografi shihet Shën Tereza duke parakaluar para fëmijëve, dhe shikimi i tyre reflekton dashuri për Nënën Terezë, e cila jetën e saj e dedikoi për bamirësi.

Dhe pikërisht vepra e saj ka bërë që të shpërblehet edhe me cmimin Nobel për paqe, sikurse që emri i saj është shënuar anë e mbanë botës, duke kujtuar kështu kontributin e saj të madh./KultPlus.com

Shqiptarja Eleni Foureira me performancë të fuqishme në Eurovizion (VIDEO/FOTO)

Këngëtarja shqiptare Eleni Foureira sapo ka performuar në natën e parë të Eurovizion 2018-të, shkruan KultPlus.

Kënga ritmike “Fuego” e kënduar nga Eleni, shqiptarja që përfaqëson Qipron sivjet në Eurovizion u mirëprit nga publiku. Ndërsa Eleni Foureira ishte shqiptarja e dytë që mahniti skenën gjigante të Eurovizionit, i cili sivjet po mbahet në Lisbonë./ KultPlus.com