Vjen vëllimi i katërt i Elena Ferrantes, “Historia e vajzës së humbur”

Botimi i parë i sagës së Elena Ferrantes u shoqërua me enigmën e anonimatit. Kush ishte kjo grua që i përfshiu lexuesit shqiptarë në një botë kaq të ngjashme me atë që po jetonim.

Faqe pas faqe, të gjithë harruan të zbulonin kush fshihej pas këtij pseudonimi dhe gjithnjë e më shumë u përfshinë në historinë e dy heroinave të sagës. Kështu nisi lexuesi të priste me ankth edhe vëllimin tjetër.

Po çfarë e bën këtë sagë kaq të vlerësuar nga kritikët. Cili shtet do të duhet të kandidojë Ferranten për çmimet në letërsi, kur ajo nuk pranon të jetë as më pak e as më shumë se Elena.

Ishte lajmëruar që vëllimi i katërt, “Historia e vajzës së humbur”, të vinte në nëntor, por lexuesit nuk prisnin aq.

Ndaj botuesja zgjodhi ta prezantojë në panairin e Prishtinës, duke përmbyllur kështu një sagë, çka është një zgjedhje klasike e vështirë që zgjedhin shkrimtarët të bëjnë sot./ KultPlus.com

Rita Ora ndriçon skenën në New York (FOTO)

Këngëtarja e njohura, Rita Ora mbrëmë ka shkëlqyer në New York atje ku është prezantuar në kuadër të projektit Trevor, ndërsa ka ndezur skenën me performancen e saj, shkruan KultPlus.

Rita Ora gjatë ditës së sotme ka ndarë emocionet e saj për pjesëmarrjen dhe performancën në këtë event.
“Jam shumë e emocionuar që kam performuar në një organizim kaq të mahnitshëm dhe në festimin e 20 vjetorit të projektit Trevor”, ka shkruar Rita në profilin e saj në Instagram, duke thënë se kjo organizatë po krijon një vend më të sigurt për komunitetin LGBTQ.

KultPlus ju përcjellë disa fotografi nga dukja e saj glamuroze mbrëmë.

Busti i poetit martir Havzi Nela vendoset në gjimnazin e Kukësit

Busti i poetit martir Havzi Nela, vepër e skulptorit kuksian Ilmi Hoxha u vendos sot në gjimnazin që mban emrin e tij në qytetin e Kukësit.

Në ceremoninë e përurimit të bustit të organizuar nga bashkia e Kukësit ishin të pranishëm deputetë, prefekti i qarkut Zenel Kuçana, familjarë, qytetarë, etj.

Kryetari i bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, theksoi se “falë sakrificës së tij sublime, falë guximit e krenarisë së tij, Kukësi është në hartën e botës si qytet i poetit të varur.
Përditë e më shumë Havzi Nela do të bëhet krenari për njerëzit që jetojnë në këtë qytet, për gjimnazistët që do të dalin nga gjimnazi i Kukësit që mban emrin e tij”, nënvizoi Shehu.

Sipas tij, Kukësi tashmë përveçse qytet i qëndresës së madhe të 1912, qytet i mikpritjes së madhe dhe kandidat për Nobel në 1999, është edhe qytet i poetit të varur në litar në emër të lirisë, të fjalës së lirë.

Havzi Nela lindi më 24 shkurt 1934 në fshatin Kollovoz të rrethit Kukës. Mbaroi shkollën fillore dhe të mesme në rrethin e lindjes, në një varfëri të tejskajshme për të vazhduar më vonë Institutin në Shkodër ku përjashtohet, pasi ai kundërshtonte politikat e kohës.

Pas viteve të tëra burgime, internime e madje edhe disa dënime me vdekje, më 10 gusht 1988 poeti dhe mësuesi disident Havzi Nela u var në sheshin kryesor të Kukësit.
Havzi Nelës i është akorduar titulli “Martir i Demokracise” dhe “Nderi i Kombit”./ata

Komuna e Prishtinës hapë tenderin për konservimin e Shkollës së Parë Shqipe në Prishtinë

Drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës-Yll Rugova, sot përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se komuna ka hapë tenderin për stabilizimin dhe konservimin e ndërtesës që ishte shkolla e parë shqipe e hapur në vitin 1908 në Prishtinë, e njohur (lagjja te plepat), shkruan KultPlus.

“Në Prishtinë shkolla e parë shqipe është hapur në vitin 1908 dhe kishte 250 nxënës. Kjo ndërtesë, që po shihet edhe në fotografi (dhe që ndodhet krejt afër Komunës së Prishtinës), sot është e privatizuar. Për këtë arsye institucionet e kanë pasur të vështirë ndërhyrjen për rehabilitim deri më tani.

Deri para ca javësh aty jetonin disa familje pa strehë, në rrezikshmëri të lartë nga shembja. Komuna e ka siguruar strehimin adekuat për këto familje, kurse dje e kemi shpallur edhe tenderin për stabilizim dhe më pas konservim të ndërtesës. Nëse çdo gjë shkon në rregull me prokurim muajin tjetër fillojnë punimet.

Paralelisht me të do të nisë konservimi edhe i një ndërtese tjetër në Qendrën Historike, dhe kështu të nisim mbarë dhe konkretisht projektin për rehabilitim të trashëgimisë kulturore në Prishtinë në bashkëpunim me CHwB, QRTK dhe IKMM”, ka shkruar Yll Rugova./ KultPlus.com

Prishtina International Film Festival (PriFest)

Prishtina International Film Festival (PriFest) është një institucion i pavarur i kulturës në Kosovë i cili organizon ngjarjen më të rëndësishme kinematografike dhe kulturore në Kosovë. Përgjatë një jave të PriFest, dashamirës të artit, profesionist te filmit, studentë dhe publiku nga mbarë Kosova kanë mundësi të ndjekin filmat më të vlerësuar të viteve të fundit nga festivalet më të mëdha botërore, të njihen me artistë, distributor dhe producentë, dhe të shkëmbejnë eksperiencën e tyre me qëllimin e vetëm: të shtojnë mundësitë e bashkëpunimit dhe të zhvillojnë kinematografinë në vend dhe rajon përmes realizimit apo prezantimit të projekteve të veta filmike.

PriFest është një event unik në Kosovë, duke qenë se ruan statusin e të vetmit festival ndërkombëtar në vend ku garojnë filma të metrazhit të gjatë dhe të mesëm nga Europa, Ballkani dhe bota. Segmentet e tij të shumta e kanë kthyer në një aktivitet multidimensional, i cili arrin të ngacmojë të gjitha aspektet e mendimit dhe qytetërimit.

PriFest që prej fillimit i ka kushtuar vëmendje të veçantë elementëve të të drejtave të njeriut, duke shfaqur gjithmonë filma të cilët hedhin dritë mbi të gjitha grupet e margjinalizuara të shoqërisë, përfshirë këtu femrat, të rinjtë, komunitetin LGBT, minoritetet etnike e kështu me rradhë duke prezentuar programet e veta si PriDocs apo Let it be, program që realizohet në bashkëpunim me festivalin Outfest në LA dhe trajton filmat me tematikën LGBT. Aktiviteti tjetër të cilin PriFest e konsideron si shumë të rëndësishëm, është trajtimi i çeshtjeve që lidhen me mjedisin, mbrojtjen dhe përmirësimin e tij, por gjithashtu promovimin e një zhvillimi të qëndrueshëm për vitet në vijim. Projekt që ndërlidhet me mjedisin është Green film project që ka për focus realizimin e filmave të shkurtër me tematikën e mjedisit nga të rinjët kosovar.

PriFest përfshin në programin e tij të zhvillimit një përbërës thelbësor për rritjen e aftësive dhe cilësisë së filmbërjes të quajtur PriFORUM: një seri eventesh rajonale kushtuar bashkëprodhimit që i dedikohet profesionistëve të filmit. Aktivitetet e shumta, workshopet dhe seancat e PriFORUM sjellin në Prishtinë personat më të rëndësishëm të industrisë së filmit nga e gjithë bota. Ndër vite tani PriFORUM bashkëpunon ngushtë me institucione, festivale dhe fonde filmi sic janë EAVE, Medienboard, fondet rajonale te filmit, etj. Përmes PriFORUM, zhvillohen takime dhe debate ku të gjithë të pranishmit kanë mundësi të shkëmbejnë eksperiencat dhe informacionet e njohuritë më të fundit nga fusha e bashkëprodhimit.
Best Pitch Competition është një aktivitet që zhvillohet tani e 4 vite dhe këtë vit trajnerët në këtë garë që përfshin pitching workshop, audience workshop dhe script development workshop, vijnë nga Torino Film Lab dhe Script Circle Berlin. Ndërkohë dy aktivitete të reja janë Prishtina Kino Kabaret një laborator që do të mbledh shumë profesionist filmi nga mbarë bota që së bashku me filmbërës nga Kosova në një javë të realizojnë filmat e tyre të shkurtër, dhe Prishtina Rendezvous një ndër aktivitetet më të rëndësishme që do të sjell shumë kompani distribuimi dhe shitjes së filmave që të kenë takime me talentët nga rajoni dhe të dëgjojnë për projektet e tyre filmike.Gara Best Pitch zhvillohet para një jurie ndërkombëtare, ku projektet filmike garojnë për çmimin Best Pitch që mban emrin e Vanessa Redgrave.

Përgjatë viteve të fundit, PriFest ka sjellë në Prishtinë shumë fitues të çmimeve Oscar, Bafta, Berlinale dhe shumë festivaleve të tjera prestigjoze. Në vitin 2014, midis shumë të ftuarve të tjerë, PriFest u vizitua nga regjisori britanik Stephen Frears, ndërkohë Presidentja e Bordit të Nderit të festivalit është aktorja e njohur britanike , fituese e çmimit Oscar dhe shumë çmimeve Golden Globe, Vanessa Redgrave. Me të në bord janë edhe Omer Kalesh, Gedeon Burkhard, Cedomir Kolar, David Gothard, Shkumbin Istrefi, Isa Qosja, Ema Ndoja, etj.

Bekim Lumi sjellë në jetë “Arturo Ui”, në 20 vjetorin e krijimtarisë së tij dhe 120 vjetorin e lindjes së autorit Bertoltt Brecht

Me rastin e premierës së shfaqjes “Arturo Ui”, të regjisorit Bekim Lumi, Teatri Kombëtar i Kosovës nesër organizon konferencën për media. Kjo konferencë mbahet të mërkurën, me 13qershor, në orën 12:00, në skenën e teatrit.

“Arturo Ui” është një shfaqje e krijuar mbi tekstin e dramaturgut të shquar gjerman dhe botëror, Bertoltt Brecht (1898 – 1956), nga regjisori Bekim Lumi dhe, si e tillë, është prodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në shfaqje luajnë aktorët: Bujar Ahmeti, Afrim Kasapolli, Afrim Muçaj, Labinot Raci, Faris Berisha, Ylber Bardhi, Ismet Azemi, Edon Shileku, Valmir Krasniqi, Shpëtim Kastrati, Kushtrim Qerimi, Muhamed Arifi dhe Alban Rexhaj. Muzika e shfaqjes është kompozuar nga Dren Suldashi, i cili gjithashtu luan në kitarë. Asistent regjisor është Bashkim Ramadani. Koreografinë e shfaqjes e ka bërë Majlajdo Gala, ndërkaq skenografinë Mentor Berisha, përderisa kostumografinë Alma Krasniqi.

Me formën, me përmbajtjen, me frymën dhe me vetat e saj, kjo dramë, në mënyrë simbolike, përshkruan, tematizon dhe pasqyron historinë e dhunshme të rrëmbimit të pushtetit ekonomik dhe politik nga gangsteri Arturo Ui (alias Adolf Hitler) dhe pasuesit e tij në vitet ‘30 të shekullit 20. Dhuna fizike, plaçkitjet, djegiet, grabitjet, trysnitë, tagri dhe kërcënimet ndaj tregtarëve, politikanëve e gazetarëve, deri edhe vrasjet e tyre, alibitë dhe gjyqet farsë, detyrimet e dhunshme dhe shantazhet ndaj dëshmitarëve të krimit, janë vetëm disa nga tablotë e kësaj drame. Për shkak të temës që e trajton dhe për shkak të aktualitetit të saj të vazhdueshëm, kjo dramë ndërlidhet me shumë nga trendet dhe zhvillimet e përçudshme nëpër botë. Si e tillë, ajo vlerësohet si një nga satirat ma të mira politike dhe historike të shekullit ‘20. “Arturo Ui” nuk është inskenuar asnjëherë deri tani në Kosovë.

Sivjet, për t’u inskenuar, përveç qëllimeve artistike e estetike, janë edhe të paktën dy arsye më shumë: 120 vjetori i lindjes së Bertolt Brecht-it dhe 20 vjetori i artit dhe krijimtarisë së regjisorit Bekim Lumi.

Premiera e shfaqjes “Arturo Ui” është të enjten, me 14 qershor, në orën 21:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com

Turistët francezë kalojnë fundjavën në Divjakë (FOTO)

Fundjavat e kanë kthyer Parkun Kombëtar të Divjakës në një vend shlodhjeje dhe vëzhgimi për vizitorët vendas dhe të huaj.

Këtë fundjavë, ky park u vizitua nga një grup turistësh që vinin nga Norvegjia dhe Franca. Administratorët e parkut konfirmojnë se janë të shumtë ata që vijnë këtu në fundjavë nga vendet europiane dhe vëzhgojnë natyrën e egër.

Tashmë, jemi në fillim-verën e këtij viti dhe flora që mbulon këtë park është harlisur në bukurinë e saj të gjelbër. Peizazhi bëhet shumë piktoresk dhe tërheqës.

Shpendët ujorë janë gjallëruar dhe tërheqin vizitorët kuriozë. Flamingot japin shfaqjet e tyre mëngjesore dhe në mbrëmje trazojnë lagunën.

Turistë të shumtë vijnë në këtë park dhe vëzhgojnë nga afër lëvizjen e tyre dhe të shpendëve të tjer ujorë. Këtë fundjavë ata mbërritën nga Norvegjia e largët dhe Franca për të vëzhguar nga afër gjallesat e lagunës së Karavastasë.

Stafi drejtues i parkut i priti dhe i shoqëroi me njohës të natyrës, historisë së zonës si dhe me biologë kompetentë që u folën për faunën dhe florën që gjendet në këtë park, duke e komentuar atë në disa gjuhë për turistët e shumtë që erdhën këtë fundjavë. Në park janë hapur shtigje te reja për lëvizjen turistike si dhe janë ngritur qendra vëzhgimi të shpendëve. Një tjetër investim është dhe stacioni i varkave që shëtisin turistët në lagunën ujore.

Një prej këtyre investimeve që pritet të ofrojë argëtim, krahas plazhit të bukur dhe natyrës përrallorë të Divjakës, është edhe kulla e vrojtimit e ndërtuar në park, e cila të lejon të shikosh mbi pishat e larta të parkut.

Divjaka është e bukur në të kater stinët./ KultPlus.com

Kur dashuria është grackë

Poezi e shkruar nga Xhelaledin Rumi.

Kur në grackë është kapur dashuria,
Atë që syri vështron, nuk është mëkat.
Tashmë ai nuk sheh, më rrezet e tija,
Nga brenda flet, shpirti i ngratë.
Ai tashmë është dehur, me verë,
Që e piu nga dashuria e vërtetë.
Kur ishe e imja, nuk shkoje me të tjerë,
Më premtove, se kështu do të jesh përjetë.
Dashuria ime, nuk ka për t’u zbehur
Dhe kur të jem larg në syrgjyn
Shkëlqimi tradhton, thëngjillin e fshehur
Dashuria tradhton shpirtin tim.
Vezullimi i syrit, kap dashurinë në grackë,
Toka ku shkel bëhet si fron mbreti.
Sa herë që ti do, do të jemi bashkë
Jam skllavi yt, do kthehem nga gurbeti.

Artistët i vendosin afat qeverisë: Do ngujohemi në Teatër

Reagimi i Aleancës për Teatrin, kundër projektligjit që parashikon prishjen e godinës, do të përshkallëzohet. E premtja e ardhshme, është afati i fundit që aktorët dhe Shoqëria Civile i japin qeverisë që të tërhiqet nga ky projektligj.

“Nëse deri të premten e ardhshme në orën 7, qeveria nuk e tërheq këtë projektligj, ne do te futemi në teatër dhe nuk do të dalim që aty”, u shpreh Robert Budina.

Ne takimin e përjavshëm të së hënës, artistët shprehën shqetësimin se shembja e teatrit mund të bëhet gjatë periudhës së verës, kur vëmendja mund të jetë më e vogël dhe për me tepër për faktin që përfundon sezoni artistik.

“Në takimin me kryeparlamentarin ai theksoi qe nuk do të ketë vendimmarrje pa dakordësinë tuaj. Disa dite pas takimit, veprimet e qeverisë janë totalisht të kundërta. Duan të shfrytëzojnë përfundimin e sezonit artistik kur aty të mos ketë njeri”, u shpreh Alert Celoaliaj.

Artistët dhe Shoqëria civile, pjesë të Aleancës për Teatrin, thonë se çështja e godinës se teatrit është një kauze e fortë për të protestuar edhe në vijim.

“Robert De Niro i tha F*** Y** Trumpit edhe ne i themi F*** Y**”, shprehet i revoltuar Alfred Trebicka. “Kjo godine është tashmë në një kauzë dhe kauzat mbeten, nuk ka me kthim mbrapa”, theksoi Reshat Ibrahimi, kryetar i sindikatës së pavarur të artistëve./ KultPlus.com

Ndahen çmimet për skulpturë dhe pikturë në Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut

Sot janë ndarë çmimet sipas konkursit mbarëkombëtar për fushën e skulpturës dhe pikturës në kuadër të 550-vjetorit të Vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, shkruan KultPlus.

Juria profesionale për vlerësimin e punimeve artistike në skulpturë, sipas konkursit mbarëkombëtar për fushën e skulpturës i shpallur nga komisioni ndërministror për shënimin e 5550-vjetorit të Vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe sipas kritereve për vlerësimin ka bërë zgjedhjen e tre krijuesve më të mirë me vlerësim unanim nga anëtarët e jurisë në përbërje të : Skënder Boshtrakaj – kryetar dhe anëtarët si Arjeta Miftari, Parim Kosova, Ibo Abdio dhe Ehat Oreshka.

Çmimi i parë shkoi për skulptorët Gëzim Muriçin dhe Agron Belaçori, çmimi i dytë ishte për Idriz Balanin dhe çmimi i tretë Luan Mulliqi.

Ndërsa çmimet për pikturë të ndara nga juria në përbërje të: Hajrush Fazliu, Refki Gollopeni, Pranvera Sylejmani, Drenusha Kryeziu dhe Gani Sunduri.

Çmimi i parë shkoi për Idriz Berishën, çmimi i dytë Gëzim Muriçi dhe i treti Fatos Kabashi./ KultPlus.com

Në nderim të Fadil Vokrrit – FC Llapi do të krijoj Muzeun e Legjendës së Futbollit Fadil Vokrri dhe tërheq numrin 9 nga përdorimi

Klubi i futbollit Llapi nga Podujeva ka marrë vendim emocional për Legjendën e futbollit, të ndjerin Fadil Vokrri, presidentin e FFK-së. Vokrri hapat e parë i kishte nisur në klubin e Llapit.

“FC Llapi merr vendim emocional por të përjetshëm dhe krenar në shenjë kontributi për Futbollin Shqiptar dhe për FC Llapi-n si klubi i parë i Fadilit. Kemi vendosur për realizimin e Muzeut kushtuar Legjendës së Futbollit Shqiptar të të gjitha kohërave, Fadil Vokrri.Po ashtu FC Llapi tërheq fanellën me numër 9 numri i CIRES tonë kështu e thërrisnin e gjithë Podujeva, numër ky që sezonin e fundit e barti Gentrit Begolli”, bëhet e ditur nga FC Llapi.

Zbulohet memoriali i ushtarëve të KFOR-it (FOTO)

Sot është bërë zbulimi i pllakës memoriale të ushtarëve të KFOR-it, të rënë gjatë shërbimit në Kosovë, shkruan KultPlus.

Ky memorial u ndërtuar në shenjë respekti për ushtarët e KFOR-it që kanë vdekur që nga viti 1999 kur NATO hyri në Kosovë.

Rreth 160 ushtarë të vendeve anëtare dhe jo anëtare të NATO-s kanë vdekur në 19 vitet e fundit kryesisht në aksidente.

Në vitin 1999 kur lufta përfundoi, NATO kishte mbi 50 mijë paqeruajtës, ndërsa sot janë rreth 4.500./ KultPlus.com

Veliaj për teatrin e ri: Duam të bëjmë një teatër klasi

Teatri i ri Kombëtar do të realizohet sipas shembullit të stadiumit kombëtar.

Në intervistën e tij në “Tonight”, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, diskutoi edhe për ndërtimin e teatrit të ri, i cili sipas tij do të jetë modern dhe jo një furrik me tallash të presuar shkrepësesh, siç është godina aktuale.

“Nuk mund të thuash që holli i famës janë copat e tallashit. Më bie për hise të jem edhe kryetari i zjarrfikëseve të qytetit dhe kemi në mënyrë konsekutive, ende pa lindur ky debat, raportet nga Instituti i Ndërtimit, nga zjarrfikëset, që thonë e vetmja mënyrë që mund të garantojmë që aty nuk shuhet çdo gjë dhe nuk na ndodhin katastrofa, është të rrimë me zorrën gati në skenë. Me zorrën gati në skenë nuk rrihet në asnjë vend të botës”, – shpjegoi Veliaj.

Për ndërtimin e teatrit të ri do të ndiqet shembulli që u zgjodh për ndërtimin e stadiumit kombëtar.

“Po të shikojmë rastin e stadiumit që sot konsiderohet një histori suksesi, qeveria në atë pronë hyri si çdo privat në Tiranë. Pra qeveria tha, kam një pronë, do ta zhvilloj, sa ma jep përqindjen? Të gjithë që kanë shtëpi qerpiçi në Tiranë flasin me këtë gjuhë. Sot është 30, 35, 40%. Ti që je zhvillues për këtë shtëpinë time, sa do ma japësh përqindjen? Tani, kur kjo funksionon rëndom në tregun privat dhe qeveria shqiptare tha këtë: unë kam këtë tokë, po të lë ty që të bësh një hotel me 5 yje. Sot ajo kullë në fakt është marrë nga një hotel me 5 yje, një nga brand-et më të mira, që Tirana ka nevojë për këto hotele”, – tha Veliaj.

Duke u ndalur te teatri aktual dhe te gjendja e tij, Veliaj bëri me dije se asnjë autoritet italian nuk ka thënë që kjo godinë ka vlerë, duke shtuar se pala italiane ka bërë studime të cilat tregojnë se kjo godinë ishte ndërtuar për 5-6 vite me qëllim argëtimin e oficerëve dhe ushtarëve të vendosur në Tiranë.

“Ende nuk ka dalë një autoritet italian të thotë që ajo godinë (teatri) ka vlerë. Të gjithë thonë s’ka asnjë vlerë. Madje, ata kanë bërë studimet që thonë kjo ishte një godinë që u bë për 5-6 vjet, t’i rezistonte luftës që të argëtoheshin oficerët dhe ushtarët e vendosur në Tiranë. Pra ishte një dopo-lavoro argëtim për ta. Tani, a ka ardhur koha ta modernizojmë? Propozimi që na ka ardhur, jo nga një arkitekt i mirë, na ka ardhur nga ai që quhet sot arkitekti më i mirë i gjallë në botë, sot.

Kryetarë bashkie të cilët kur dëgjojnë që Bjarke Ingels ka bërë një propozim për Tiranën thonë, si e bindët, sepse i fundit që e bindi ishte Blumberg që sapo bëri një super ndërtesë në Nju-Jork dhe fillon tani kullën e dytë binjake. Pra kullën e dytë binjake po e bën Bjarke Ingels.

Sepse ne nuk i kemi këto para dhe si mijëra familje tiranase i kanë thënë zhvilluesit, më jep përqindjen në këmbim të tokës, ne po bëjmë të njëjtën gjë, po i themi, në këmbim të tokës përqindjen e duam në formën e këtij teatri që kushton 30 milionë euro. Nëse bën këtë, atëherë jemi gati ta konsiderojmë dhe sot qeveria shqiptare është gati ta konsiderojë. /Ata

Aksione, gola dhe trofe: Televizioni i Partizanit sjell filmin dokumentar rreth Fadil Vokrrit

Legjenda e futbollit kosovar dhe kryetari FFK-së, Fadil Vokrri, ndërroi jetë të shtunën pas një sulmi në zemër, kurse të dielën u varros me nderime shtetërore, me pjesëmarrjen e madhe të qytetarëve në ceremoninë mortore

Fadili, iku nga kjo botë, por pas vetes la një karrierë të pasur prej futbollisti dhe kontributin e paçmueshëm si kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, në anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA.

Ai u cilësua si ikona e futbollit të Jugosllavisë, ku bëri karrierë të bujshme në Prishtinë dhe Partizan të Beogradit.

Pikërisht, kjo e fundit ka bërë edhe një dokumentar të shkurtër që e ka shfaqur në televizionin e klubit.

Disa prej momenteve më të rëndësishme si dhe golat që nuk janë parë ndonjëherë, janë shfaqur në këtë film.

https://www.youtube.com/watch?v=Xpz8dhhOA4Y

Kujtojmë se 57-vjeçari ishte shpallur kampion me klubin serb, duke i sjell titullin pas më shumë tre dekadave, shkruan Telegrafi.

Ndryshe, shumë personalitete ndërkombëtare e kanë kujtuar ish-kreun e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Romani i pandehmave

Bardhyl Londo “Nata e verbër”

Shkruan Besarta Beqiri.

Pas librit “Jeta që na dhanë” Bardhyl Londo vjen me një roman të ri “Nata e verbër”, po aq drithërues sa i pari, konsiderohet si përmbushje e trilogjisë, pasi libri i tretë që do të përfshijë periudhën komuniste do të shfaqet së shpejti në dritë. Titulli i veprës është i lidhur me anën e errët të kësaj periudhe, ajo simbolizon natën si kohë dhe verbërinë si gjendje! Të dyja të përshkruara nga errësira dhe vështirësitë për të ikur nga ajo gjendje e mjerueshme, nëse analizojmë edhe kopërtinat e librit edhe ato janë me pamje të errët, kjo shihet si një errësirë e tretë.

Londo me romanin e tij na kthen në shekullin e kaluar, tridhjetë vite pas duke na sjellë atmosferën e periudhës së fundit të regjimit komunist, i ndërtuar tërësisht nëpërmjet realitetit, ngjarjet që ndodhnin para sysh, vrajset e krimet e tjera s`kishin guxim t`i kundërshtonin, dora e pushtetit kishte gisht në to, ato shpejt zëvendësoheshin me ngjarje të tjera, por duke mos harruar as të shkuarat, të cilat do shërbenin si mësim për të tjerët.

Struktura e romanit është e thjeshtë, ai s`është i ndarë as në kapituj as në pjesë, ka një rrjedhë spontane të ngjarjeve, ndërsa narratori rrëfen ngjarjet në dy linja: në gjetjen e pandehmave dhe Monumentin e Udhëheqësit. E para që ishte si rezultat i jetës boshe të qytetit, kishte bërë që banorët e tij, në vend të një letërsie të vërtetë, të shkruanin pandehma. Preokupimi më i madh i tyre ishte zgjedhja e “kryepandehmës”, ndërsa prindërit uronin që për vajzat e tyre të gjenin burra që ishin të parët në gjetjen e pandehmave ose edhe autorë të tyre.

Pandehmat lindin si rrjedhojë e ngjarjeve në qytet, ngjarjet që bënin bujë të madhe merrnin epitetin e pandehmave dhe ai që gjente kryepandehmën sigurisht ishte më i zgjuari. Gjetja e pandehmave domosdoshmërish të asocion në veprën e Ismail Kadaresë “Pallati i ëndrrave”, po edhe më shumë autori na ndërlidh me këtë vepër atëherë kur Kici i Oshfeve bën përpjekje për gjetjen e kryeëndrrës, kjo ndoshta edhe për vetë faktin që të dy veprat flasin për periudhën komuniste dhe përpjekjet e tyre që nëpërmjet ëndrrave e pandehmave të tregonin një realitet të hidhur.

Pandehmat klasifikoheshin sipas rëndësisë dhe rolit që luanin në jetën e qytetit. Narratori na rrëfen për shumë pandehma, ndonëse tri pandehma i cilëson si kryesore: pandehma e parë dhe më kryesorja ishin zërat që do të rrëzohet Monumeti i Udhëheqësit nëpër të gjitha qytetet. Kjo qe pandehma që kishte trazuar qytetin dhe askush s`ishte inferior ndaj saj. Pandehma e dytë kishte të bënte me tapitë dhe pronat. Ilo Laminori ishte i pari që pandehmën e tij për rrëzimin e Monumentit e lidhi me rikthimin e tapive të zotëve të vërtetë, pra kjo na aludon që prona private gjatë kësaj kohe nuk ekzistonte, e gjitha ishte pronë shteti. Pandehma e tretë kishte të bënte me djaloshin nga qyteti që vinte çdo ditë me makinë në qytetin e tyre. Gjithsesi, kjo pandehmë nuk e kishte intensitetin e dy të parave. Nuk dihej sigurt se çfarë në të vërtetë ishte puna e tij, disa thonin se djaloshi vinte dhe mblidhte njerëz t`i dërgonte në Tiranë me rastin e rrëzimit të Monumentit, kurse të tjerët mendonin se ai dërgonte njërëzit më të holla në vaporët e Durrësit që shkonin jashtë vendit. Megjithëse asnjëri informacion nuk ishte i sigurt.

Ajo që është e lidhur ngushtë me pandehmat padyshim është shtatorja e diktatorit. Shtatorja gjigante ia kishte ngushtuar frymëmarrjen dhe shikimin këtij qytetit. Për të ishin krijuar kulte, ai ishte i veçantë dhe duhej respekuar. Shtatorja gjigante, nuk kishte të bënte vetëm me hapësirën që mbulonte dhe nuk i linte njerëzit të shihnin më tej, por me jetën apo vdekjen e tyre. Të rrëzohej Monumenti i Udhëheqësit ishte si të shihje ëndërr me sy hapur, ishin mësuar të jetonin në atë gjendje, thënë më saktë ishin të detyruar të jetonin me atë pushtet. Pika kulminante në roman është momenti i rrëzimit të Monumentit të Udhëheqësit, autori e përshkruan në mënyrë të detajuar këtë moment madhështor, atë e tërhiqnin zvarrë nëpër gjithë qytetin dhe gjithë banorët ishin mbledhur ta shikonin këtë akt të lartë. Nga gëzimi që ndjenin përqafoheshin me njërin tjetrin pa marrë parasysh a njiheshin apo jo. Rrëzimi i monumentit njëherësh shënon edhe përfundimin e periudhës komuniste dhe lindjen e epokës demokratike.

Karakteristikë e romanit janë edhe bashkëdyzimet që sjell autori, ato janë të shumta si: nofka me emrin, inidvidi e pushteti, personaliteti njerëzor, verbëria me katarsisin, na ofrojnë një pamje groteske mbresëlënëse.

Të veçantë janë edhe personazhet që autori i emërton me nga një mbiemër, që nuk është i vërteti, por që bazohet me anë të pamjes së jashtme, kështu duke i vënë epitete secilit prej tyre. Personazhet si : Hysen Zorra, Hysen Kokëlecka, Kici i Oshafeve, Zenel Mustaqe Stalini, Kike Nevriku e të tjerë, na sjellin jetën e varfër të qytetit dhe humbjen e identitetit të individit, fisit, madje dhe të vetë qytetit. Personazhet janë të shtresave të ndryshme, të pushtetit, intelektual, të varfër, të punësuar e të papunë. Po aq karakteristike janë edhe emërtimet e shesheve e vendeve ku frekuentoheshin nga qytetarët, si: Sheshi i Shurkalecit, Sheshi “Tek Derri”, “Tek Sheshi i Bufit” e të tjerë.

Romani i Londos është i ngritur mbi histori të shumta njerëzish, ku ngjarjet zhvilloheshin më së shumti rreth një sheshi, ku ishin të vendosura të gjitha institucionet e rëndësishme, që nga Komuniteti Ekzekutiv, Pallati i Kulturës që shërbente si sallë gjyqi e gjerë të kafenetë që frekuentoheshin nga intelektual e të varfër.

Pjesa më e madhe e personazheve kishin rënë në grackën e Monumentit të Udhëheqësit dhe ishin dënuar me burgim si: Ilo Lamninori, studentja e vitit të katër të anglishtës, Naze Mëllenja, fsesaxhiu i qytetit, Teki Rengalla e të tjerë.

Dy nga personazhet që i qëndrojnë besnik pushtetit Zydo Longori dhe Ndreci Bumbrecka. I pari, spiuni Zydo Longori i qëndronte besnik pushtetit dhe me raportimin e tij shumë njerëz përfundonin në shtëpinë me qëra, që simbolikisht autori e quan burgun. Ai është në çdo vend dhe përherë për t`i shërbyer pushtetit, por vetëm deri atëherë kur rrëzohet monumenti sepse pastaj qëndrimi i tij ndryshon duke menduar për të ardhmen e tij pa pushtetin.

Gjykatësi Ndreci Bumbrecka është i dyti që i qëndron përkah pushtetit, i gatshëm përherë të mbrojë Monumentin dhe të shqiptojë dënime që ishin kundër pushtetit. Vdekja e tij përkon pikërisht me ditën kur rrëzohet Monumenti i Udhëheqësit, ngase zemra e tij nuk i kishte duruar më dhe i kishte plasur.

Një figurë e realizuar në mënyrë të përkyer në roman është dhe kronikani ulok, Kiçi i Oshafeve. Ai është i paralizuar, puna e tij kryesore ishte të vrojtonte lëvizjet e njerëzve që i shikon nga dritarja e shtëpisë ku banon, por Monumenti i Udhëheqësit e pengon për t`i parë disa pjesë të qytetit, të cilat mbeten të panjohura për të. Është i detyruar që disa pamje t`i shoh nën harkun që krijohet nga këmbët e gjata të statujës. Vdekja e tij është e pashpjegueshme nuk dihej se a ishte vrasje e pastër apo vetëvrasje, ajo ndodh pikërisht në vendin, ku ishte hedhur nga dritarja vajza studente vite më parë. Ngjarja ishte përsëritur pikë për pikë, por që ishte vrasje apo vetëvrasje do të mbetej një mister i pazbërthyer në qytetin e pandehmave.

Të ndërtuar për të qenë të pandashëm është treshja fantastike që përbëhej nga Zenel Mustaqe Stalini, i cili e hiqte veten të pagabueshëm. Grupi i tij plotësohej nga Pilo Bajamka, cili u vetëshpall Knaç, sepse kishte lindur më 16 shtator, ditën e themelimit të Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar. Tjetri ishte Kile Nevriku, të cilit i vunë pseudonimin Trocki. Të gjendur në kohën e fundit të sundimit të periudhës komuniste, ata ende kërkonin që dukuritë e ndodhura në qytet t`i shpjegonin sipas teorisë komuniste. Veprimet e tyre janë përtej realitetit. Ata marrin rrugën për t`u takuar me Kryetarin e tyre shpirtëror, vdekur vite më parë. Verbëria e natës bën që ata të bëjnë homazhe mbi varrin e një dervishi, duke kujtuar se bënin homazhe mbi varrin e një dëshmori. Por, absurditeti arrin në kufinjtë e vet, kur mendojnë se ndodheshin në një fshat që kishte qenë bazë e Luftës.

Verbëria si nocion përdoret në kontekste të ndryshme si: natë e verbër, motel verbëri, kthesa e të verbërit, shtëpitë e verbëra, i verbëri, të gjitha këto na dërgojnë në përfundim se ky nocion s`është gjë tjetër veçse një përshkrim i kësaj periudhe të errët, që aludon me të zezën, si simbol i zisë dhe zymtësisë.

Romani “Nata e verbër” i kushtohet periudhës totalitare të komunizmit, kohën e sundimit të diktatorit, periudhës më të errët të shekullit të kaluar. Të veshur me petk fanatastik janë pandehmat që krijohen për ngjarjet e qytetit, ato qëndrojnë të pandashme me Monumentin e Udhëheqësit, rrëzimin e tij dhe me akterët kryesorë të këtij romani. Me rrëzmin e komunizmit, lind epoka demokaratike dhe njëkohësisht kjo shënon edhe fundin e pandehmave.

Me këtë roman Bardhyl Londo na shfaqë një pjesë të realitetit, pjesë e të cilit ishte edhe vetë, të shprehur me një humor të lehtë dhe thumbues, me personazhe që hyjnë e dalin dhe me freskinë që sjellin ngjarjet e njëpasnjëshme e bëjnë këtë roman të lexohet me një frymë./ KultPlus.com

“Rugova” kremtoi në New York

Shqiptarët nuk e kanë humbur identitetin kudo janë shpërndarë nëpër botë.

Pos përkatësisë etnike, është ruajtur edhe prejardhja regjionale. Shqiptaro-amerikanët, kryesisht ata me prejardhje nga rajoni i Rugovës janë mbledhur dhe kanë festuar në Nju Jork.

Pikniku tradicional i shoqatës “Rugova” kësaj here u organizua për nder të përvjetorit të dhjetë të themelimit./ KultPlus.com

De Niro fyen Trumpin

Aktori, fitues i çmimit Oscar, Robert de Niro, ka sharë presidentin e SHBA-së, Donald Trump, gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë televiziv të ceremonisë së çmimeve ‘Tony Awards’ të dielën.

De Niro u shfaq në skenën e “Radio City Music Hall” të Nju Jorkut për të prezantuar në skenë Bruce Springsteen për të performuar.

Me audiencën e aktorëve, regjisorëve dhe producentëve më të mëdhenj të kinematografisë botërore, të gjithë u ngritën në këmbë me duartrokitje për guximin që pati aktori kundrejt politikave të Trumpit.

Ai nuk e vazhdoi komentin e tij dhe menjëherë vazhdoi me prezantimin e performancës së Springsteeinit.

De Niro është një nga aktorët më të respektuar në Shtetet e Bashkuara me dy Oscarë të fituar, për “Raging Bull” dhe “The Godfather: Part II”.

Shtëpia e Bardhë nuk ka reaguar për deklaratën e aktorit, e as CBS gjithashtu, nuk ka shkruar ndonjë kërkesë për koment të mëtejshëm.

De Niro ka qenë gjithmonë kritik ndaj Trumpit./ KultPlus.com

“Të bësh dashuri me një grua dhe flesh me një grua janë dy pasione të ndara”

“Të bësh dashuri me një grua dhe flesh me një grua janë dy pasione të ndara, jo vetëm të ndryshme, por edhe të kundërta.

Dashuria nuk e ka nevojën për ta ndjerë dëshirën për çiftim ( një dëshirë kjo e cila zgjerohet në një numër të pakufizueshëm të grave), por e ka dëshirën për gjumin e përbashkët (një dëshirë kjo e cila limitohet vetëm tek një grua.)”

“Dashuria është përgjërimi për gjysmën e vetes tonë të cilën e kemi humbur.”

“Dashuria mund të lind nga një metafor e vetme.”

“Dashuria fizike është e paimagjinueshme pa dhunën.”

“Emocioni i dashurisë na jep të gjithë neve një iluzion mashtrues të njohjes së tjetrit.”

– Milan Kundera/ filozfia.al

Qyteti kosovar me xhamitë më të vjetra në rajon

Janë të lashta sa edhe vetë qyteti i Pejës. Xhamitë, objektet e fesë Islame, ruajnë traditën, kulturën dhe edukimin fetar të shumë brezave për shekuj me radhë.

Ato janë të veçanta, jo vetëm në vendin ku ndodhen, por edhe për rajonin.

Kryetari i Bashkësisë Islame në Pejë, Musli Arifi, për emisionin ‘Pasdite’ në RTV Dukagjini, foli për xhamitë më të vjetra të qytetit dhe rolin e tyre përgjatë historisë.

“Kur flasim për xhamitë e vjetra ne Pejë menjëherë na shkon mendja te Xhamia e Çarshisë, Xhamia e Hamamit, Xhamia Kurshumli etj., ku disa nga to janë të shekullit XV, e të tjerat nga shekulli XVI. E, sipas të dhënave që kemi më e vjetra llogaritet të jetë Xhamia e Çarshisë”, thotë mulla Musliu, përcjell Telegrafi.

I pari i komunitetit mysliman të Pejës, tregon një ngjarje shumë interesante se si e mori emrin Xhamia Kurshumli.

“Në një periudhë kohore, ushtria turke këtë xhami e ka përdorë si depo të armatimit. Kur erdhën malësorët me pisha të ndezura për të marrë armatimin, njërit prej tyre i kishte rënë pisha nga dora. Në bazë të tregimeve, xhamia ka eksploduar dhe kubës, meqë ishte e ndërtuar prej plumbit, copat i kanë mbërri në një perimetër shumë të gjerë, deri te stacioni i trenit”, rrëfen mulla Musli Arifi.

Përkujtesë: Presidenti Rugova në 125-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit

Muhamet Hamiti

(Fjala e plotë e Presidentit Ibrahim Rugova më poshtë, pas një shënimi hyrës për kontekstin politik të shënimit të këtij përvjetori në Kosovë në qershorin e vitit 2003)
Manifestimet kryesore për shënim të 125-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit u mbajtën më 9 qershor 2003, sepse në mëngjesin e 10 qershorit Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, bashkë me shefin e UNMIK-ut Mihael Shtajner (Michael Steiner), do të udhëtonte për Bruksel për të folur para Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian për situatën aktuale në Kosovë. Kjo ndodhte në kohën kur mantra (maksima) e politikës ndërkombëtare, që s’ishte ende e gatshme të merrej me statusin e Kosovës, ishte ‘standards before status’ (standardet para statusit), një taktikë për shtyrje të procesit për përcaktim të statusit përfundimtar të Kosovës, që parashtrohej me Rezolutën e OKB-së 1244 të miratuar më 10 qershor 1999, duke marrë parasysh Marrëveshjen e Rambujesë të shkurt/marsit 1999, që e kishin nënshkruar përfaqësuesit e Kosovës, por jo të Serbisë. Kjo Marrëveshje parashtronte “vullnetin e popullit të Kosovës”, por jo referendumin, si një nga parimet udhëheqëse për përcaktim të statusit të Kosovës.
Nën presionin ndërkombëtar për ‘standarde për statusit’, politikanët kryesorë të Kosovës, me përjashtim të Rugovës, e kanë pasë shmangur fjalën ‘pavarësi’ nga diskursi politik i asaj kohe. Këtë kërkesë kishte edhe Përfaqësuesi Special i OKB-së për Kosovën, autoriteti suprem pushtetor në Kosovë, shefi i UNMIK-ut Mihael Shtajner.
Fija themelore tematike e diskursit politik të Ibrahim Rugovës në ato vite ishte pavarësia e Kosovës. Kjo u pa edhe në takimet në Bruksel gjatë vizitës së tij të përbashkët me Shtajnerin. Deputetët e Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, por edhe zyrtarë të tjerë evropianë, ishin më shumë të interesuar për qëndrimet e Presidentit Rugova për zgjidhjen përfundimtare për Kosovën pesë vjet pas lufte sesa për zëdhënësin e mantrës ndërkombëtare ‘standarde para statusit’, Mihael Shtajnerit. Kjo nuk i ka pasë pëlqyer fare Shtajnerit, siç e dimë ne që ishim bashkë me Presidentin Rugova në ato takime.
Me rastin e 125-vjetorit të Lidhjes Shqiptare Prizrenit, Presidenti Rugova dekoroi me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit 37 personalitete të njohura nga Kosova e Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës, ndërsa të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me dekoratën “Hero i Kosovës”.
Në fjalën e vet në manifestimin qendror, më 9 qershor 2003, Ibrahim Rugova e quante Lidhjen e Prizrenit “lëvizja më e kompletuar për shtetin shqiptar pas rezistencës së shkëlqyeshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i cili për 25 vjet rresht e mbrojti vendin e vet dhe botën perëndimore”.
Përpjekjet për pavarësi nuk reshtën, thoshte ai, duke përkujtuar se më 1912 u shpall “pavarësia shqiptare”, e cila u “cungua me mbetjen e gjysmës së territoreve shqiptare jashtë shtetit që u njoh nga fuqitë e mëdha”, që “u sanksionua edhe pas Luftës së Parë botërore, si dhe pas Luftës së Dytë botërore”. Më tej Presidenti Rugova përkujtonte: “Në vitet ’90 me fillimin e përfundimit të Luftës së ftohtë dhe me shkatërrimin e një shteti ku u vendos me dhunë Kosova dhe territoret tjera shqiptare, në Kosovë filloi organizimi i Lëvizjes demokratike për liri, pavarësi e demokraci dhe ndërtoi shtetin e vet”.
Presidenti Rugova nuk mbërrit ta shihte të realizuar projektin për pavarësinë e Kosovës që e kishte udhëhequr vet nga viti 1989. Presidenti Historik, ati themeltar i Republikës, ndërroi jetë më 21 janar 2006. Pavarësia e Republikës së Kosovës u shpall në Kuvend më 17 shkurt 2008.
————–

Fjala Presidentit Rugova në akademinë solemne për shënimin e 125-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit:
Prishtinë, 9 qershor 2003
Jemi tubuar sot në këtë Akademi solemne për një ditë solemne të historisë sonë, në 125-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Kjo ditë solemne bëhet edhe më e madhe, sepse për herë të parë po e kremtojmë në Kosovën e lirë, çfarë ishte ëndërr dhe projekt i burrave të mëdhenj të Lidhjes së Prizrenit.

Lidhja e Prizrenit ishte lëvizje për themelimin e shtetit modern shqiptar. Ishte lëvizje për mbrojtjen e territoreve shqiptare dhe për çlirimin nga Mbretëria Otomane.
Sot mund të themi se ishte lëvizja më e kompletuar për shtetin shqiptar pas rezistencës së shkëlqyeshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i cili për 25 vjet rresht e mbrojti vendin e vet dhe botën perëndimore.
Lidhja e Prizrenit ishte përcaktuar për t’u inkuadruar me shtetin e vet shqiptar në botën perëndimore.

Më 10 qershor të vitit 1878, u mblodhën në Prizren delegatë nga të gjitha viset shqiptare, themeluan institucionet: Kuvendin kombëtar, Qeverinë, sektorin diplomatik dhe forcat mbrojtëse – ushtrinë e vet.
Këto institucione funksionuan plot tri vjet rresht. Kuvendi i Prizrenit i kundërshtoi vendimet e Kongresit të Berlinit për shkëputjen e territoreve shqiptare dhe vazhdoi ndërtimin dhe mbrojtjen e shtetit të vet në tërësinë territoriale. Për tri vjet Lidhja e Prizrenit vendosi administratën shqiptare, në Kosovë kryesisht dhe në viset e tjera.
Më 1881 Mbretëria otomane nuk mundi ta tolerojë më ngritjen e shpejt të shtetit shqiptar dhe vendosi ta shkatërrojë atë me forca të armatosura. Pas rezistencës së ashpër të forcave të Lidhjes së Prizrenit nën komandën e Sylejman Vokshit, të luftimeve që u zhvilluan sidomos në Kosovë, u shua kjo lëvizje e shkëlqyeshme.
Në këtë kohë njëri nga krerët e Lidhjes së Prizrenit Abdyl Frashëri bashkë me Ymer Prizrenin dhe Sylejman Vokshin thoshte me optimizëm dhe vizion të madh “Ne po mbjellim e të tjerët do të korrin.
Ky ishte vizioni i burrave të mëdhenj të Lidhjes së Prizrenit, të bindur se shpirti i saj do të vazhdojë të jetojë. Kështu sot mund të themi se Lidhja e Prizrenit ishte një lëvizje e kompletuar shtetërore që i aktivizoi të gjitha fuqitë e një kombi për liri, pavarësi dhe demokraci.
Pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit shqiptarët u forcuan dhe u konsoliduan në planin e brendshëm kulturor, diplomatik e të miqësisë. Kështu më 1899 nën drejtimin e Haxhi Zekës në Pejë u themelua “Lidhja e Pejës” si ringjallje e Lidhjes së Prizrenit që u pranua në të gjitha territoret.
Po atë vit Sami Frashëri botoi traktatin e vet një lloj kushtetute për drejtimin e shtetit shqiptar “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”. Por edhe kjo Lidhje e Pejës u shua nga Porta e lartë.
Kështu përpjekjet për liri e pavarësi nuk pushuan as pas shuarjes së Lidhjes së Pejës. Në fillim të viteve 1900 burrat e Lidhjes së Prizrenit dhe brezi tjetër i burrave të kësaj kohe për 34 vjet rresht vazhduan përpjekjet për liri e pavarësi. Kështu më 1912 u shpall pavarësia shqiptare.
Por kjo pavarësi u cungua me mbetjen e gjysmës së territoreve shqiptare jashtë shtetit që u njoh nga fuqitë e mëdha. Kjo u sanksionua edhe pas Luftës së parë botërore, si dhe pas Luftës së dytë botërore.
Në vitet ’90 me fillimin e përfundimit të Luftës së ftohtë dhe me shkatërrimin e një shteti ku u vendos me dhunë Kosova dhe territoret tjera shqiptare, në Kosovë filloi organizimi i Lëvizjes demokratike për liri, pavarësi e demokraci dhe ndërtoi shtetin e vet.
Objektiv i të gjitha partive politike të viseve shqiptare u vendos: Kosova e pavarur, shqiptarët në Maqedoni të jenë në strukturën shtetërore, shqiptarët në Mal të Zi të kenë administratë lokale dhe në Preshevë.
Lëvizja demokratike për liri e pavarësi e Kosovës ishte për integrime evropiane e veriatlantike.
Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 qershor të vitit ’99 Kosova u lirua.
Qe katër vjet pas luftës Kosova ka pasur një progres të mirë në të gjitha fushat e jetës. Kemi bashkëpunim të mirë më UNMIK-un dhe KFOR-in e OSBE-në. Institucionet e Kosovës bashkë me UNMIK-un po përgatiten për zhvillim ekonomik të vendit.
Pra do të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike e paqësore me garanca për minoritetet dhe të gjithë qytetarët e saj të integruar në BE, në NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA. Njohja formale e pavarësisë do të qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës dhe do të shpejtonte zhvillimin ekonomik e demokratik.
Në 125-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit do thënë se objektivat e saj ishin legjitime për mbrojtjen e territoreve të veta, ishin objektiva humane si të çdo populli dhe nuk ishte për marrjen e territoreve e të tjerëve.
Jemi krenar me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mirë.
Nga kjo Akademi solemne përshëndesim Presidentin Bush, Kryeministrin Bler, Presdientin Shirak, Kancelarin Shrëder dhe Kryeministrin Berluskoni. Si gjithmonë përshëndesim Papa Gjon Pali II, që gjithnjë lutet për Kosovën.
Zoti e bekoftë Lidhjen e Prizrenit!
Zoti i bekoftë shqiptarët!
Zoti e bekoftë Kosovën!

Vokrri mbante numrin 9 – vdiq më 9 qershor, në orën 9 (FOTO)

Në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, sonte u diskutua për legjendën e futbollit kosovar, Fadil Vokrri, i cili ndërroi jetë të shtunën, pas një sulmi në zemër.Ish-futbollisti Muharrem Sahiti, tani trajner, ka folur për lidhjen e Vokrrit. të cilin e kishte mik të afërt, me numrin 9.

“Është interesante… Fadili ka mbajtur dresin me numrin 9. Pas pranimit (të Kosovës në FIFA), filloi të shpërndante dresa me numrin 9. Vdes me 9 qershor, në orën 9”, është shprehur ai në T7.“Sikur ka qenë i lidhur për atë numër”, ka thënë Sahiti.

Bleona Qerreti në film me Nicolas Cage, publikohet një pjesë nga ky film (VIDEO)

Tash e sa vite po jeton në SHBA, ku po ndërton karrierën e saj në atë vend. Bleona ka punuar disa projekte në gjuhën angleze dhe vazhdimisht është e angazhuar në këtë drejtim, shkruan lajmi.net.
Por, së fundi ajo i ka hyrë edhe kinematografisë, duke aktruar në filmin me titull “211”, i cili tashmë është publikuar në të gjitha platformat.

Këtë gjë e ka bërë të ditur vetë këngëtarja përmes rrjeteve sociale, meqë rast falënderoi bashkëpunëtorët. Bleona shfrytëzoi rastin ta shkëpus një skenë nga ky film, ku shihet edhe ajo, e në këtë film aktron edhe Nicolas Cage.

Era Istrefi drejt Xhamajkës për klipin e ri, merr me vete edhe këtë artist kosovar (VIDEO)

Këngëtarja Era Istrefi gjendet në mesin e një periudhe tejet intensive. Krahas këngës ‘Live it Up’, himni zyrtar i ‘Rusi 2018’, ajo sapo publikoi edhe hitin e ri, ‘Prisoner’.

Por, angazhimet e Erës nuk mbarojnë me kaq. Ajo me datë 18 do marrë rrugë nga Londra drejt Xhamajkës, atje ku do ta realizojë videoklipin e këngës më të re.

Me vete, Era do e marrë edhe artistin Astrit Ismaili me të cilin duket se ka rilidhur bashkëpunimin e nisur qysh prej projektit të parë ‘E dehur’. Kënga “E dehur”, është një ndër këngët më të mira të Era Istrefit, këngë kjo që pat bërë të reagojnë edhe mediet serbe, për shkak se kënga u pat xhiruar brenda objektit të papërfunduar të kishës ortodokse në Prishtinë, shkruan lapsi.al./KultPlus.com

Si përfunduan armët e Skënderbeut në Vjenë

Shqipëria ka famën se është vendi i “Atletit të Krishtërimit”, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, por në arkivat e saj nuk ka asnjë relike origjinale të tij. Përkrenarja dhe armët ndodhen në Vjenë, një vulë që mendohet se është e tij, gjendet në Danimarkë, ndërsa në Krujë dhe në Tiranë pak gjëra, më shumë imitime. Por cila është historia e relikeve të Heroit Kombëtar, si përfunduan ato në Vjenë gati 300 vjet më parë. Një histori që zgjatet prej pesë shekujsh dhe që debatet për të nuk mungojnë edhe sot. Historinë e rrugëtimit të relikeve e ka zbuluar 72 vjet më parë, Leo Alexander Freundilich, një austriak i apasionuar pas historisë së Shqipërisë. Por më shumë se relike tashmë ato janë pjesë e identitetit kombëtar. Përkrenarja me kokën e dhisë që mbante Skënderbeu është një simbol i huazuar nga legjendat e Pirros së Epirit dhe Aleksandërit të Madh. Ajo është me metal të bardhë dhe me një rrip (ruban) të larë me ar. Ndërsa sipas historianëve Skënderbeu ka përdorur dy shpata. E para i është dhuruar nga Papa në Krishtlindjet e vitit 1466 dhe është me trup të drejtë, e gjatë 85.5 centimetra dhe e gjerë 5.7, peshon 1.3 kg. E dyta është model turk, është 121 cm dhe peshon 3.2 kg. Kjo e fundit gjendet së bashku me përkrenaren në muzeun e Historisë në Vjenë.

Historia e armëve sipas Leo Alexander Freundlich

Historinë se si armët përfunduan në Vjenë e jep konsulli i Shqipërisë në Austri gjatë Mbretërisë së Zogut, Leo Alexander Rfeundlich. Në Arkivin e Shtetit në dosjen e Skënderbeut gjendet një shkrim ku tregohet historia e udhëtimit të tij. Artikulli i Freundlish, një njeri i pasionuar pas historisë së Shqipërisë, përdor rrëfimin e drejtorit të mbledhjeve të Muzeut Historik të Vjenës për të treguar të vërtetën e armëve të Skënderbeut. Sipas tij, për herë të parë këto objekte janë përmendur në vitin 1578. Më 15 tetor të këtij viti, Mario Sforza, duka i Urbinos, i shkruan një letër arqidukës Ferdinand, ku i thotë se do t’i dërgojë atij armët e Skënderbeut, dhe të vëllait të tij. Ky është një fakt që dëshmon se mes arqidukës dhe Mario Sforzas janë këmbyer shumë letra. Më 15 maj 1579 arqiduka i Tirolit i shkruante dukës së Urbinos, Maroi Sforza, dhe e falënderon për armët e Skënderbeut dhe për të tjerat që do t’i binin në dorë. Ndërsa për herë të dytë këto armë përmenden në një letër të dukës Von Arescot, e shkruar me 25 korrik 1588, ku flitet për armët e tjera të Skënderbeut. Në inventarin e vitit 1585 këto objekte nuk ishin të shënuara ende. Ndërsa në inventarin e vitit 1593 shënohet: “Në fletën 69, dy shpata dhe elmi i Gjergj Skënderbeut”. Prej këtyre shkresave dhe inventarit mund të konstatohet lehtë se elmi dhe dy shpatat e Skënderbeut kanë rënë në dorë të arqidukës Ferdinand midis vitit 1588-1593 nëpërmjet dukës Mario Sforza të Urbinos dhe të dukës Arescot. Ekzaktësisht në inventarin e vitit 1596, faqe 321, janë përmendur dhe shënuar elmi nr. 71 (127) dhe dy shpatat nr.92 (145) dhe 345 (550). Aty shënohet: “George Skanderbeg: një elm i bardhë me rrafshe të arta sipër një kokë dhie e artë me dy brirë, dhe dy shpata, njëra me një dorezë prej lëkure, e cila nga pesha e rëndë dhe prej shenjave të gjakut që duken ende, ngjan më e madhërishme, ndërsa tjetra është me një dorezë kadife ku është shënuar emri i Skënderbeut. Në inventarin e pikturave të sekretarit privat Schrewnchk të titulluar “Armamentarium heroicum” të vitit 1601, ne shohim në tablonë 16, Skënderbeun me elmin nr.71 (127) dhe me shpatën nr.345 (550), ku shkruhet: Në një kornizë me ornamente të shumta rrinë në këmbë Skënderbeu i veshur me një pallto të gjatë me astar lëkure e mbërthyer në gjoks me shirita, me kokën dhe mjekrën e gjatë kthyer nga krahu i majtë, ku i duket profili.

Në krahun e djathtë ai mban lart shpatën e zhveshur nr. 345 (550) dhe poshtë në tokë afër këmbës së majtë qëndron elmi nr. 71 (127). Në kokë mban një beretë. Objektet që janë pikturuar në fotografi i ngjajnë shumë atyre në origjinal që ndodhen në muzeun e Artit Historik të Vjenës. Shihet qartë që këto dy objekte njiheshin që në vitin 1601 si sendet e Skënderbeut. Ja një përshkrim i imët mbi dy shpatat e mbi përkrenaren: Në sallën XXV Nr.71/127 ndodhet një përkrenare e shtrirë në një piedestal të ulët, e cila duhet të jetë prerë si mbas stilit italian. Në majë të përkrenares janë vendosur kryet dhisë, por asht fiksue mirë. Përkrenarja përbëhet prej dy pjesëve, një pjesë prej bakri dhe pjesa tjetër sipër me një copë metali buzët e secilës janë zbukuruar me ar. Syve të dhisë u mungojnë gurët. Akoma duket vendi bosh, i cili të jep të kuptosh se brenda kanë qenë vendosur gurë. Në mesin e përkrenares është vendosur një rreth prej bakri. Në këtë rreth janë shkruar këto shkronja: I.N.P.E.RA.TO.RE.BT. Ky shkrim është shumë i vështirë për t’u kuptuar çfarë thotë. Deri më tani e kanë deshifruar si: “Jesus Nazarenus Principi Emathiae Regi Albaniae Terrori Osmanoru Regi Eperi Benedicat”. Pesha e përkrenares është 3000gr.

Kjo përkrenare është një “unikum”, i vetmi e i veçantë që gjendet në muzeun dhe i përket artit të punimit të metalit në stilin gotik të vonshëm. Përpara së gjithave kjo përkrenare në pikëpamjen estetike është një vepër e mrekullueshme dhe i ka hije vetëm një burri të fuqishëm të fortë e me vullnet të hekurt.

Shpata që ndodhet në sallën XXVII, rafti V.Nr.345(550) është e gjatë 88.5 cm e gjerë 57 cm, me dy tehe dhe me një formë të drejtë dhe në një vend të kthyer përmban disa shkronja latine. Prej këtyre shkronjave lexohen këto fjalë: “Heroi i perëndisë, Iskander Beg”. Doreza është e përbërë prej druri të mbështjellë me lëkurë, pesha e kësaj shpate asht 1300 gr. Shpata me dorezë është e veshur me lëkurë shagreni, ka nga anët e jashtme 4 arabeska të thella, tre rripa për hijeshim. Anët e jashtme përshkohen prej fildishi dhe në anët e brendshme shohim disa germa të kuqe, të cilat janë shkruar më shekullin e XVI e që përmbajnë emrin “Scënderbeg”. Pesha është 600gr dhe pesha e përgjithshme 1900 gr. Kjo shpatë është e shënuar dhe pikturuar në librin e sekretarit privat të arqidukës së Tirolit, Jakob Schrenckh, “Armametarium heroicum”, në faqet XVI.

Përveç këtyre në sallën e armëve historike të muzeut të Vjenës gjendet dhe një tjetër, e cila quhet si një nga shpatat e Gjergj Kastriotit dhe është shënuar në inventarin mbajtur në vitin 1593. Kjo shpatë të jep të besosh nga pesha e rëndë dhe nga gjatësia se Kastrioti me një të goditur i ndante në dy pjesë trupat e armiqve. Kjo shpatë gjendet në sallonin XXV, rafti II Nr.92(143), gjatësia e saj 121 cm dhe doreza është e zbukuruar me ar dhe me lëkurë. Pesha e saj është 3.2 kg.

Armët e Skënderbeut më 20 nëntor në Shqipëri
Shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut do të mbërrijnë në Shqipëri më 20 nëntor. Këtë e bën me dije për tv ‘abc news’ drejtori i muzeut historik Luan Malltezi. Kështu është rënë dakord sipas Malltezit pas konsultimeve të bëra një ditë më parë mes specialistëve të muzeut mesjetar të Austrisë dhe specialistëve të palës shqiptare. Reliket e çmuara do të ekspozohen më 27 nëntor në një ekspozitë unike dhe më të rëndësishmet thotë Malltezi. Armët e Skënderbeut do të ekspozohen në pavionin e mesjetës për një muaj e gjysëm ato do të ekspozohen në kushte të plota të sigurisë, pasi Muzeu është i pajisur me sistem të plotë sigurie. Kostoja e sjelljes së tyre për herë të parë në Shqipëri është 100 mijë dollarë, ndërsa ardhja e tyre në vendin tonë u mundësua nga qeveria shqiptare në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë.

Topalli falënderon Parlamentin e Austrisë për sjelljen në Shqipëri të përkrenares dhe shpatës të Skënderbeut

Kryetarja e Kuvendit ishte e ftuar e posaçme në ceremoninë zyrtare të çeljes së Ditëve “Shqipëria 100 vite Pavarësi; Marrëdhëniet shqiptaro- austriake.” Në këtë ceremoni ishte i pranishëm zoti Erhard Busek, ish zëvendëskryeministër i Austrisë si dhe deputetë, ambasadorë dhe personalitete nga fusha të ndryshme. Duke shprehur kënaqësinë e veçantë që ky aktivitet zhvillohet në përvjetorin e 100 të Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e pazëvendësueshëm që Austria ka dhënë në shpalljen e pavarësisë dhe ngritjen e shtetit shqiptar. Në këtë ceremoni Kryetarja e Kuvendit solli në vëmendje figurat e ndritura të Albanologjisë, personalitetet austriake si Norbert Nohel, Johan George, etj, të cilët ndërtuan një imazh krenarie për shqiptarët, vlerat dhe traditat e tyre historike, aspak të njohura në atë kohë për Evropën. Kryetarja e Kuvendit falenderoi Parlamenti Austriak dhe Kryetaren e tij Barbara Prammer për miratimin që ata dhanë për sjelljen në Shqipëri të përkrenares dhe shpatës së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skëndërbeu, të cilat ndodhen në Muzeumin e Vienës. “Dua të falënderoj qeverinë, Parlamentin, popullin austriak për mbështetjen e vazhdueshme historike që i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë gjithë kësaj periudhe dhe ta festojmë këtë sukses të madh, këtë miqësi të madhe që ne kemi në këtë 100 Vjetor të Pavarësisë sonë, që është ditëlindja jonë më e shenjtë, më e dashur dhe më e bukur”, tha Kryetarja e Kuvendit.

Historia e vulës së Heroit Kombëtar në Danimarkë

Në vitin 2003 studiuesi danez Peter Pentz pretendoi se zbuloi vulën origjinale të Skënderbeut. Me një histori si ajo e armëve, vula kishte përfunduar në muzeun historik danez. Por pas mbërritjes së saj në Shqipëri, specialistët dhe historianë të ndryshëm deklaruan se vula nuk është e Skënderbeut. Analiza e specialistëve arriti në përfundimin se ajo është një vulë fiktive. Megjithatë jo të gjithë mendojnë se vula mund të mos i përkas heroit tonë kombëtar. Vula mendohet se u është blerë pasardhësve të Skënderbeut në vitin 1614. Vula është arkivuar në vitin 1838 dhe mban numrin 44. Ajo klasifikohej si objekt i perandorisë osmane. Në qendër të vulës është shqiponja me dy kokë dhe rreth saj mund të dallohen disa germa cirilike ku shkruhet: Alb-Servil.Boulgary. Aleksandro.Eleso”. Poshtë shqiponjës është vizatuar një kafshë duke vrapuar. Vula është prej material bronxi, në të cilën janë gdhendur shenjat heraldike së bashku me emrat. Mendohet se ka përfunduar në oborrin mbretëror të Danimarkës rreth shekullit të 16-të nëpërmjet shkëmbimeve me oborrin austriak. Muzeu Kombëtar i Danimarkës e ka blere vulën në vitin 1839, në një. Përpara se të sillej në këtë muze vula i përkiste dhomës së artit mbretëror danez.

tiranaobserver.al