Buxhovi: Politikanët e papërgjegjshëm në Tiranë dhe Prishtinë rrezikojnë idealet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit!

Historiani Jusuf Buxhovi vlerëson se shënimi i 14o vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Prishtinë dhe Prizren nxori në pah gjendjen e rëndë në të cilën ndodhen shqiptarët në të dy shtetet e tyre nga politikat kriminale dhe nga inferioriteti i elitës politike, vasale ndaj asaj politike.

KultPlus:140 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u përcoll me shumë probleme: nga ato organizative, politike dhe të tjera, me çka fitohet përshtypja se në shumë aspekte ajo edhe u nëpërkëmb?
J. Buxhovi:
Shënimi i 14o vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, do të duhej të ishte ndryshe nga të gjitha aspektet, por ajo që ndodhi në Prizren pardje në të ashtuquajturin manifestim qendror, nxjerr në pah gjendjen e vërtetë në të cilën ndodhen shqiptarët sot në Shqipëri, Kosovë, po edhe në Maqedoni, që nuk mund të quhet ndryshe pos politikë që bie në kundërshtim me idealet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe të Rilindjes Kombëtare në përgjithësi. Në Prizren, u demonstrua një anarki e paparë dhe një primitivizëm ofendues për një manifestim të tillë. Nëse, para dyzet vitesh, më 1978, në Prizren u demonstrua nacionalizmi shqiptar i një niveli institucional në kërkim të shtetit, në vitin 2018, u demonstrua kultura më e ultë kundër shtetit dhe shqiptarizmit, po edhe kundër vlerave të qytetërimit perëndimor!

KultPlus: Zini ngojë politikën që bie ndesh me idealet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe ato të Rilindjes Kombëtare. Si mund ta arsyetoni këtë?
J. Buxhovi:
Krahas bashkimit të etnisë shqiptare, nga katër vilajete sa përfshinte ajo në Perandorinë Osmane, në një vilajet autonom ose siç quhej edhe “Shqipëri osmane”, që do të kthehej në shtet të pavarur (Shqipëri evropiane), sapo të krijoheshin rrethanat, Rilindja Kombëtare kishte shpallur edhe disa kërkesa të tjera,që duhej ta përcillnin këtë projekt. Ndër të cilat më të rëndësishme ishin: përkatësia e qytetërimit evropian dhe kultura kombëtare (shqiptarizmi) si bosht që duhej t’i përkitnin asaj.

Nëse mund të thuhet se me Shqipërinë dhe Kosovën – shtete të pavarura dhe, faktorin shqiptar në Maqedoni, afër pozitës së faktorit shtetformues (po qe se barazinë do ta fokusojë te kjo çështje dhe jo te multietniciteti), në njëfarë mënyre, përmbushet kërkesa e njohur për përfshirjen e katër vilajeteve shqiptare në një tërësi shtetërore, megjithatë konfigurimi i përshtatshëm politik, që erdhi me shtetin e Kosovës si një projekt i Perëndimit si dhe tranzicioni demokratik në Shqipëri, nuk po përcillen me faktorët tjerë, në radhë të parë me ata politikë, që kanë të bëjë me rrumbullakimin e idealeve të Rilindjes Kombëtare.

Kur thuhet kështu, kihet parasysh se klasa politike në Tiranë, Prishtinë dhe ajo në Shkup përgjegjësinë e bërjes së shtetit në përputhje me këto ideale, ku përkushtimi për liri, demokraci, shoqëri të lirë dhe të emancipuar në përputhje me vlerat e një qytetërimi perëndimor, që do ta integronin në familjen e bashkuar evropiane dhe atë veriatlantike, e ka zëvendësuar me atë të interesave të ngushta personale për përfitime materiale me anën e metodave kriminale. Të etiketuara me të drejtë si “poligone rajonale të krimit të organizuar”, Shqipërisë i është vështirësuar anëtarësimi në Bashkimin Europian, ndërsa Kosovës thuajse i janë mbyllur që të gjitha dyert për andej. Në këtë aspekt, shpresëdhënës shfaqet anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, por kjo nuk mjafton, ngaqë pa aspektin e integrimit politik, Shqipërinë do ta kthente në një bazë ushtarake dhe asgjë më shumë, ndërsa hapësirën tjetër në një poligon eksperimentues për interesa të ndryshme, “tretman” ky që do t’u shkonte për shtati strukturave kriminale të të gjitha ngjyrave si dhe qendrave të jashtme.

Pra, shikuar nga kjo pikëpamje, oligarkët nga radhët e politikës shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë, shoqërinë shqiptare po e largojnë nga qytetërimi evropian dhe integrimet në të. Rilindasit tanë, sidomos ata që morën pjesë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, jo vetëm që derdhën dhe shkrinë mendjen për qëllimet e saj, por edhe pasurinë dhe gjakun madje. Drejtuesit kryesor të Lidhjes, Abdyli, Haxhi Prizreni, Sulejman Vokshi, Mehmet Korenica e shumë e shumë të tjerë si dhe ata që u përfshinë në kryengritjet e viteve 1908-1912 (Hasan Prishtina dhe të tjerët) mund të shërbejnë vazhdimisht si shembull i sjelljes patriotike në shërbim të lirisë dhe të pavarësisë si dhe shtetit dhe jo të shfrytëzimit të tij për qëllime personale, siç ngjet me pjesën më të madhe të politikanëve tanë, të cilët “luftën” e kthyen në një mjet përfitues. Rilindasit tanë, ndonëse patën vështirësi me kapërcimin e mentaliteteve nga ai oriental në atë evropianë si dhe me përballimin e ndasive fetare, duke i kthyer ato në faktorë integrues të shqiptarizmit, siç ndodhi me sloganin “feja e shqiptarit është shqiptarizmi”, ia dolën që Shqipëria të përballojë sfidat e jashtëzakonshme si dhe vështirësitë e shumta që i vinin nga kundërshtarët e saj të shumtë, që bënin çmos që të jenë mentalitet e tejkaluara historikisht (logjika fisnore, mungesa e kulturës për shtetin) dhe diveristeti fetare ato që ta dështojnë shtetin shqiptar që të shkëputet nga trashëgimia osmane.

Ndërsa sot, kur po shënohet 140 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një shekull i shtetit shqiptar si dhe dhjetë vjet të shtetit të Kosovës, në saje të politikave të papërgjegjshme në Tiranë dhe Prishtinë, karakteri laik i shtetit, që fetishohej nga rilindësit, nëpërkëmbet duke ia hapur dyert religjionit, jo si e drejtë e patjetërsueshme e individit për besim të lirë, por si përcaktim politik. Kështu që shqiptarët, në këtë gjendje, ndodhen në një udhëkryq antihistorik, që mund t’ua rrezikojë jo vetëm shtetet, por edhe qenien, ngaqë hipoteka e “mbetjeve të rrezikshme radikale islamike në Europë”, i kthen te programet e Çubrilloviqi dhe ngjashmet me të cilat janë ushtruar gjenocidet e njohura mbi ta.

Është për t’u habtur se si diskursi i rikthimit të religjionit mbi atë kombëtar,i ndihmuar nga elitat politike shqiptare në pushtet, që prek edhe identitetin kulturor dhe atë qytetërues duke e zëvendësuar atë nga dita në ditë, shikohet me inferioritet nga qarqet intelektuale, shkencore dhe akademike, ndonëse ajo prek shtyllat kryesore të identitetit historik për të cilin është derdhur aq shumë dije, mund dhe gjak?!

KultPlus: Nga punimet e dy sesioneve shkencore, ai nga Akademia e Shkencave në Prishtinë si dhe në Prizren dy ditë më vonë i organizuar nga Institutet e Historisë të Prishtinës, Tiranës dhe Shkupit fitohet përshtypja se bota shqiptare thuajse i ka përballuar sfidat, që ju po i quani në kundërshtim me idealet kombëtare, ngaqë aty u tha se shqiptarët gjenden në një rrugë kur po i realizojnë ato në përputhje me linjat globale të natyrës gjeostrategjike dhe gjeopolitike?
J. Buxhovi:
Ato që i quani “sesione shkencore” në Prishtinë dhe Prizren, përkundër firmave “akademike” dhe të instituteve të historisë, më së paku ishin shkencore. Në Prishtinë dhe Prizren u mblodhën “akademikë” dhe historianë për t’u shërbyer dekorit të politikës së papërgjegjshme në Prishtinë dhe Tiranë, me ç’rast, u bë përpjekje që gjendja e rëndë në të cilën gjendet dy shtetet shqiptare, ku grupet mafioze dhe ato kriminale diktojnë politikën antishqiptare, ta paraqesin “të arritur historike në frymën e Lidhjes Shqiptare”! Nëse kalohet kalimthi nëpër ato që u thanë dhe u lexuan në këto “simpoziume shkencore”, bie në sy se aty kishte vetëm mbllaçitje të stereotipeve të njohura ideologjike dhe folklorike nga e kaluara, pa asnjë përpjekje që ato të tejkalohen. Madje, në ato kumtesa, serish, për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit flitet me “argumentet” e historianëve të Beogradit rreth Kongresit të Berlinit, që dihet se çfarë janë.

Kështu, edhe në këto “simpoziume” folësit treguan se janë pjesë e kësaj politike si dhe në shërbim të tyre dhe jo të shkencës, gjë që as që mund të ishte ndryshe kur shumica prej tyre është akomoduar si aktivistë të partive politike, me diploma të kurdisura dhe tituj “shkencor” nga kruzhoqet politike!
Të tillët jo vetëm që nuk janë në gjendje të flasin për sfidat e ardhshme me të cilat ballafaqohet shoqëria shqiptare, por as të jenë kritik ndaj faktorëve që bien ndesh me idealet e Rilindjes Kombëtare dhe të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe me rrezikimin e shteteve shqiptare (koketimi me islamin politik) dhe fenomenet tjera.

Të tillët, madje, nuk janë në gjendje, që së paku të thonë ndonjë fjalë se si Prizreni, kryeqendra e nacionalizmit politik prej ku nisën fillet e rikthimit të shtetit shqiptar në histori, në katalogjet që ka përgatitur Komuna e Prizrenit, të aprovuara nga Ministria e Kulturës e Qeverisë së Kosovës para katër vitesh, paraqitet si “qendër e kulturës mesjetare sere” dhe “e shtetit mesjetar serb” dhe “qendër e kulturës turke dhe islame”!/KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare e Izraelit publikon Kur’anin e rrallë

Një Kur’an i shekullit të 10-të, i veçantë në përmasë e stil, është shfaqur për herë të parë si pjesë e një koleksioni të teksteve islame në Bibliotekën Kombëtare të Izraelit në kuadër të muajit të Ramazanit.

Të 16 tekstet, të gjitha nga shekulli i 10-të deri në shekullin e 18-të, shfaqen në një dhomë të vogël, me një hyrje të zbukuruar me lule që u ngjajnë dorëshkrimeve në vitrinë. “Ne kemi hapur një ekspozitë të vogël, por madhështore, me dorëshkrime të bukura e të rralla islame që tregojnë historinë e kulturës islame për mbi një mijë vjet”, tha kuratorja Raquel Ukeles.

“Këtu në Izrael, ku kultura hebreje me kulturën e shumicës e kulturat e minoriteteve, shpesh nuk marrin kohë të mjaftueshme apo hapësirë prezantimi, e detyron Bibliotekën Kombëtare që të marrë një rol në mbledhjen e trashëgimisë islame, me mision tërheqjen e vëmendjes dhe ngacmimin e ndërgjegjes sociale dhe kulturore të Izraelit mbi kulturën e Islamit”, theksoi ajo.

Dhe në ekspozitën e quajtur “Zgjidh perla nga Islami”, veçon një Kur’an jashtëzakonisht i vogël dhe i brishtë i shekullit të 10-të, 68 me 37 milimetra, i cili i është shfaqur publikut për herë të parë. “Kjo është një relike e brishtë, por e mirëmbajtur”, tha Ukeles. Biblioteka ka një koleksion prej 1,800 dorëshkrimesh islame dhe kjo është ekspozita e parë e tillë për të gjithë Ramazanin, sqaroi Ukeles. Koleksioni përfshin kuranë të tjerë shekullorë, fletushka dhe ilustrime. /tesheshi.com/

“S’kam sharë kurrë asnjë grua”

Krijimtaria e letrare e poetit të shquar Dritëro Agolli është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj.

Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet’ 60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Agolli i bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore.

Shkrimtar i madh i një “gjuhe të vogël”, ai është po aq i dashur prej lexuesve bashkëkombas, sa dhe në metropolet e kulturës botërore.

Dritëro Agolli dhe brezi i tij letrar (vitet ’60) nuk u paraqitën me ndonjë poetikë të re, sido që u diskutua mjaft edhe për rimën dhe ritmin, për vargun e lirë dhe vargun e rregullt, për “rreptësinë” e poezisë.

Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, gërshetoi natyrshëm vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike.

Larmia e vargjeve të tij është e pafundme, por kemi përzgjedhur sot 5 poezi të Dritëro Agollit, që i kushtohen gruas.

1. GRATË PËR MUA
Kam dashur çdo grua pa masë,

Në rrugë, në dhomë e kuzhinë,

Madje dhe lart në tarracë,

Ku ndejnë rroba e fshijnë.

Në zënka s’kam sharë asnjë grua,

S’kam shkruar keq në asnjë fletë.

Do vdes.

Do flasin gratë për mua:

“Ky ishte poet i vërtetë”.

2. MJELMA
Yt shoq me një çifte një mjelmë vrau në liqen,

Kur dihet se mjelma nuk vritet.

E tmerrshme vërtet, më tutje ç’të them,

Nga bota e çmendur e çfarë nuk pret!

Po mbase e vrau i krekosur, që ti

Si mjelma të dridhesh nga frika.

E dashur, largohu me vrap nga ai

Dhe rrugës mos thuaj as “ika”…

3. I PËRNDJEKURI I DASHURISË

Unë jam i burgosuri yt,

Rroj me prangat që ti m’i ke vënë,

Po çudi, as qelia s’më mbyt

Dhe s’më mbyt as dritarja e zënë.

Kur ti prangat m’i hodhe në mish,

Unë i putha duart e tua,

Është rast i pashëmbullt ta dish,

Që xhelatin ta puth e ta dua!

I përndjekuri yt erotik,

I përndjekur të mbetet gjithmonë!

Erotik i mirë a i lig,

Hidhmi duart në fyt, torturomë!

Ky burgim sa do zgjasë s’e di:

I përjetshëm do kisha dëshirë,

Veç ti eja më shpesh në qeli,

Të përndjekurit tënd i vjen mirë…

4. NGAHERË NË PRITJE
Sërish të pres të vish:

Na qënka jeta pritje

Në shpirt, në gjak, në mish,

Në gaz e në mërzitje.

Dhe unë e them ta dish:

Sa dukesh ti në derë

Pranvera hyn në shpirt

Dhe shpirti në pranverë.

5. DASHURI E VËSHTIRË

Ti në kanape tani dremit

Ndofta gjumi ende s’të ka zënë,

Abazhuri mbi qerpikë ndrit

Libri nga gishtërinjtë të ka rënë.

Para teje ndal mendimi im:

Jemi dashuruar edhe sharë

Jemi ndarë shpesh në udhëtim,

Por drejt njeri-tjetrit kemi ngarë.

Dhoma hesht e rruga larg gjëmon

Ti sheh ëndrra kaltëroshe shumë

Unë, ndonëse pi dhe mogadon,

Mezi fle, se jam njeri pa gjumë.

Të kam pasur ëndërr çast e orë,

Ëndërr të trishtuar dhe të mirë

Po të jem vërtetë një Pitagorë

Ti je teorema më e vështirë…

“Farazimus”, rok grupi i parë shqiptar

Më 1964, në Kosovë formohet rok grupi i parë “Farazimus” nga Gjakova.

Grupi me emrin Farazimus u paraqit para publikut pak vite pas jehonës së paraqitjes së Rok grupeve të para angleze, The Shadows, The Beatles, Roling Stones, etj.

Formacionin e grupit e përbënin katër veta. Kryesisht nxënës të shkollave të mesme të asaj kohe që ishin: Fadil Grezda – ritëm kitarë, Regip Ballata – solo kitarë, Zija Bejtullahu – bass kitarë dhe Musli Pozhegu – bateri./ KultPlus.com

Për herë të parë jam ndjërë mirë që një mik po ikën nga Shqipëria!

Shkruan: Ilirjan Blloshmi

Vendimi për të ikur nga Shqipëria, ka qenë një nga vendimet më të vështira. E dua atë vend ashtu si është. E dua tymin, dua rrëmujën, dashurinë, urrejtjen, vuajtjen, gëzimin që përcjell. Vendosa të largohem për dy arsye. E para kisha 8 vite që jetoja larg prindërve. E dyta çfarë mund të bënte në një vend një i ri i sapo diplomuar. Realiteti këtu ishte komplet ndryshe, por ngushëllohesha me faktin se isha afër prindërve. Gjithmonë kur dëgjoja se miqtë apo të afërmit e mij do iknin ndjehesha keq. Sepse e dija që do ishte komplet ndryshe nga ajo që ata mendonin. Gjithmonë miqve që kishin një diplomë, apo një punë nuk jua sugjeroja largimin nga Shqipëria.

Ndalova sugjerimet për moslargimin nga Shqipëria diku nga fillimi i Qershorit të 2015-es. Ka qenë një mëngjes ndryshe. Atë ditë me merr në tel Nardi. Ishte koha fushate. Lsi kishte filluar të mblidhte detyrimet për fushatën. Biseda me Nardin ka qenë kështu:

Unë e kam quajtur telefoni i një mëngjesi!

”U ngrita rrëmbyshëm sepse isha vone për punë, papritur më ra zilja e telefonit. Ne anën tjetër të telefonit një miku im nga Shqipëria.
– Ckemi i them. Mirë, mirë më përgjigjet.
Pasi kujtuam kohët e gjimnazit dhe fakultetit, e pyeta çfarë kish ndodhur, pasi zëri i dridhej.
-Ahh more Ilir me tha, kam një hall, nuk di ku ta përplas kokën.
-Çfarë ka ndodhur, e pyes i habitur.
-Me kane hequr prindërit të dy nga puna më thotë.
-Po pse ?
-Nuk kemi shlyer detyrimet.
-Çfarë detyrimesh?
-Ilir, sot LSI-ja kërkon për çdo punonjës të administratës te paguaj 5 rroga për fushatë. Si e di, unë bëra tim atë operim që më detyroi te shisja shtëpinë për dy kacidhe. E bëra për jetën e tij. Akoma nuk kam shlyer borxhet qe kam marrë. Vete jam i papunë, nuk di nga t’ja mbaj. Na kane dhënë afat deri në 25 të paguajmë tarifën.
-Sa te duhen i thash, me thuaj se ti nis unë.
-Ilir te lutem! Jo, jo, thjeshtë të mora për të dëgjuar një fjalë të mirë. Nuk i dua! Do shes kompjuterin që më ka bërë dhurate vëllai. (I vellai nuk jeton më).
– Pushooo, i bërtita, dhe me thuaj sa te duhen.
– 1 milion, me tha, duhet te paguaj për të dy prindërit.
-Me shokoi fare kur më tha që dy mësues që kanë mbi shpinë mbi 25 vjet eksperiencë, duhet të paguajnë lek për fushatën e LSI-se. Mirë i thash, do t’i nis unë ato që të duhen.
-Ilir të jam superborxhli më tha, do ti kthej sa më shpejt të mundem.
-Jo i thash, dua që të më portretizosh me penelin tënd disa pejsazhe të bukura nga Shqipëria. Filloj te merrte fryme dëmshëm, e ndjeva qe lotët tashme i kishin përshkruar faqet.
-Ajo pune bëhet me tha, kur te duash ti do ikim bashkë, kur te kthehesh në Shqipëri, por më premto dhe ti qe do marrësh kitarën me vete.
-Patjetër i thash. Mbylla telefonin ndërkohe po mendoja, kjo politkë shterpe e ka katandisur Shqiptarin që te qaj për të se i pret bukën e gojës po nuk i dha ryshfet.”

Kjo bisedë është bërë në 2015, sot në mëngjes më ra përsëri telefoni, në ekran mu shfaq emri i Nardit, ju përgjigja .
-Hë more djalë, ckemi ?
-Mirë, mirë, mu përgjigj. Më ka dale llotrarija më tha.
-Vërtetë i thash, ky po qenka lajm. Vetëm ty apo dhe prindërve?
-Si familje më tha.
-Problemi është se më duhet një garanci shtoi.
-Garancia është e bërë shtova,
-Si e bërë, shtoi ai, unë nuk kam njeri atje.
-Më ke mua i thash, mirësetëvish i thash, por po nuk solle raki mos më hajde këtu, more vesh mora thuaj. Qeshëm të dy dhe mbylla telefonin. Për herë të parë u gëzova që një miku im, me dy prindër intelektualë po ikën nga Shqipëria.

Moda beduine e iftareve në rrugë e në çadra

Shkruan:Gani Mehmetaj

1. Shtrimi i iftareve (darkave beduine) në rrugë, trotuare e në çadra është fenomen (i ri), i shëmtuar që e ka pushtuar Dardaninë. Kur i sheh të mjerët e Dardanisë se si e çapëlejnë kofshën e pulës si të mos kishin ngrënë me javë, të mbërthen sikleti. Nuk e di jemi në shkretëtirën arabe të shekullit VII, apo në Dardaninë evropiane të shekullit XXI. Si pa të keq modën beduine të iftareve në rrugë e filluan shoqatat vehabiste-terroriste, e vazhduan shoqatat tjera islamike të burimeve të dyshimta financiare, ndërsa tash në organizimin e iftareve mbizotëron KFOR-i turk e ambasada turke, që i fusin duart kudo. Të përzihet në lukth kur sheh qindra burra e fëmijë, të veshur keq si të ishin në shkretëtirën arabe, që kanë bërë rrugë tërë ditën pas deveve (gamileve). Fatkeqësisht KFOR-i turk, pos varfërisë së shqiptarëve, e shfrytëzon edhe varfërinë e skajshme të komunitetit jevgë që vijnë për bukën e gojës nga Shqipëria.
2. Moda e darkave beduine i ka infektuar zyrtarët “evropianë” të kryeqytetit e të qyteteve provinciale mu sikur infektoheshin kur ishin fëmijë nga zhuga. I ngjitet njërit zhuga, i kalon tjetrit. Organizojnë shtetarët iftare për t’ia bërë qefin Turqisë e shteteve arabe, organizojnë iftare për të përfituar për xhepin e tyre, sepse për vota nuk e bëjnë, përkundrazi humbasin vota.
Hoqën dorë këta shkretanë nga darka tradicionale shqiptare-Darka e Lamës dhe e përqafuan darkën arabe.
3. Zhuga e darkave beduine (iftareve) i ka infektuara edhe disa kategori të intelektualeve të rrejshëm që e imitojnë beduinin e deveve si majmuni njeriun. Nuk agjërojnë, nuk e respektojnë asnjë rit myslimanë, e megjithatë janë dyfytyrësh e konformistë, thërrasin mysafirë për iftar, ose shkojnë mysafirë në iftare, mu si shkonim dikur në darkat evropiane në fundjavë me miq. Çfarë degjenerimi moral e kulturorë, çfarë turpi!

35 mijë turistë nga vendet skandinave zgjedhin Shqipërinë

Nga qyteti i Durrësit, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ndërsa ishte i pranishëm në kompleksin Fafa ku 60% e të punësuarve vijnë nga shkollat e arsimit profesional, deklaroi se krahas punësimit të 300 të rinjve ka ende 100 vende të lira punë për ata që kanë përfunduar këtë arsimim.

Ministri Klosi e konsideroi investimin e kryer në këtë kompleks, një investim që ka kaluar parashikimet, pasi për herë të parë po krijohen brende, që po menaxhohen sipas tij me mjeshtëri.

“Është një investim që ka kaluar parashikimet në investim por edhe një investim që krijon për herë të parë disa brende të cilat në vështirësitë e tyre po arrin që të menaxhohet me mjeshtëri nga iniciativa e brendshme private por edhe nga puna dhe energjia e drejtuesve të tij. Ky hotel që po inaugurojmë sot është pjesë e një kompleksi FAFA grup që ka tre hotele në këtë zonë dhe ka një kapacitet mbi 650 dhoma. Hoteli i sotëm ka 330 dhoma dhe po ashtu në këtë zonë janë disa djem të rinj që kanë arritur të krijojnë disa brende që janë të konkurrueshme në të gjithë zonën në të cilën jetojmë”, tha Klosi.

Turistët norvegjezë dhe suedezë kanë pronotuar në këtë resort, tha ministri, duke shtuar se ky grup turistësh ka 7-fishuar numrin e vizitorëve nga vendet skandinave në Shqipëri.

“Sivjet janë 35 mijë turistë nga këto vende që kanë pronotuar në Shqipëri”, tha Klosi.

Ai i konsideroi të rinjtë e punësuar pranë këtij kompleksi, si një përgjigje ndaj thirrjes së kryeministrit në 2014 për të zgjedhur arsimin profesional.

“Sot jemi këtu me ata të rinj që ju përgjigjën thirrjen se kryeministrit në 2014, që arsimin profesional ta shndërrojmë në një energji të madhe për ekonominë e vendit tonë. Sot jemi këtu me 300 të punësuar në resorin FAFA dhe po ashtu, me shume të tjerë të arsimit profesional për të pasur një punësim të sigurt. Hoteli ka akoma kërkesa për 100 vende të reja pune”.

Ndërkaq, Klosi vuri në dukje kërkesat për punë për ata që kanë përfunduar arsimin profesional, ndaj edhe u bëri thirrje prindërve për të nxitur fëmijët e tyre të zgjedhin punësim dhe të ardhme të sigurt.

“Kërkesa është edhe këtu është ulëritëse. Kërkesa jonë e kahershme që arsimi profesional me shpejtësi të shndërrohet në një nga burimet e mëdha të ekonomisë së vendit tonë. Bashke me kryeministrin mbështesin iniciativën që arsimi profesional të dyfishohet, të trefishohet ç’ka ka ndodhur në Durrës dhe përsëri kërkesat janë shumë më tepër se kaq”, përfundoi ministri./ KultPlus.com

Lidhja Shqiptare e Prizrenit në këndvështrimin e Mid’hat Frashërit

Mid’hat Frashëri e ka trajtuar më se një herë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në disa këndvështrime: herë nën këqyrjen e filozofisë së historisë, herë nën prizmin e kritikës historike e herë si një parashtesë dokumentare, shkruante Dr. Uran Butka.

1. Nën këqyrjen e filozofisë historike

Filozofi Mid’hat Frashëri ngrihet në përgjithësime historike e filozofike, mbi ngjarjet dhe faktet historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Së pari, ai zbulon shkaqet historike të lindjes së Lidhjes Shqiptare:

“Për ta cilësuar këtë lëvizje si ndjenjë kombëtare dhe për ta konkretizuar atë në një koncept të qartë historik,shkruan Mid’hat Frashëri,-u desh tronditja e madhe e luftës ruso – turke e vitit 1877 – 1878 dhe traktatet e Shën Stefanit, që e pasuan atë. Në këto traktate, rajone të tjera të banuara nga shqiptarët ishin caktuar që të zgjeronin Serbinë dhe Malin e Zi ose të krijonin shtetin e ri bullgar. Më vonë ishte i njëjti problem, për t’ia lëshuar Greqisë, së bashku me Thesalinë edhe pjesën jugore të vilajetit të Janinës.

Për Shqipërinë ky ishte fillimi i copëtimit, pranim dhe pasojë e zhbërjes së Perandorisë Osmane, mbasi vetë Shqipëria nuk llogaritej si entitet etnik. Kjo mjaftonte për të reaguar; rreziku ishte tepër i madh dhe tepër i dukshëm: edhe një luftë tjetër fatkeqe për Turqinë dhe Shqipëria do të zhdukej bashkë me perandorinë e krijuar nga pasardhësit e osmanlinjve. Pra, duhej shpëtuar ngarkesa e saj e vogël dhe të mos lihej të tërhiqej nga anija, e cila po fundosej. Goditja u ndje dhe ndodhi reagimi”. (L.Skëndo, Rilindja Shqiptare, Lozanë, 1919) Për pasojë, “përballë rrezikut, që u kanosej, shqiptarët u zgjuan dhe vepruan energjikisht.

Sigurisht, erdhi koha për këtë. Kongresi i Berlinit dhe rreziku i copëtimit. Dhe u organizuan disa mbledhje për të rënë dakord lidhur me masat që duheshin marrë. U mbajtën mbledhje si në veri, edhe në jug dhe qendrat kryesore ishin Preveza, Janina, Shkodra, Prizreni e qendra të tjera të dorës së dytë dhe pak nga pak në të gjithë qytetet. Mbledhjet në veri kishin si synim të drejtpërdrejtë të parandalonin ndarjen nga Shqipëria e Guxisë, Plavës, Nishit, Vranjës dhe Kurshumlijes.

Mbledhjet e jugut duhet të shmangnin rrezikun nga ana e Greqisë”, – argumentonte Mid’hati dhe konkludonte: “Konfliktet që shqiptarët kanë pasur me fqinjët, të cilët kërcënonin bazën e ekzistencës së Shqipërisë, nuk kanë qenë aspak konflikte fetare, as edhe një konflikt i rëndomtë kaçakësh, por rrjedhojë e natyrshme e një lufte midis një populli që dëshiron të jetë i lirë në shtëpinë e vet dhe pushtuesve të panginjur ballkanikë. Shqiptari, para se të jetë katolik, mysliman apo ortodoks, është shqiptar”, thekson ai. (Shqiptarë dhe sllavë, Lozanë, 1919) Midhati zbulon thelbin dhe shfaqjen e përpjekjes së Lidhjes së Prizrenit: “Qëllimi i vërtetë i ndjekur nga Komiteti i Lidhjes ishte ta shpëtonte vendin nga copëtimi, të bënte që të njihej e të pranohej ekzistenca e një Shqipërie dhe e një kombi shqiptar”. Si rrjedhojë, kjo përpjekje nuk ishte lokale apo lëvizje e një prijësi të caktuar, por u kthye në një lëvizje të përgjithshme, në një aspiratë kombëtare dhe këtu qëndron edhe rëndësia e saj kryesore, për në atë kohë dhe për të ardhmen.

“Kushtrimi dhe poterja e zakoneve të vjetra po transformohej në një aksion diplomatik; brenga e thjeshtë dhe instinktive e katundit po merrte formën e një aspirate kombetare dhe patriotike, me një qok më të lartë dhe natyrisht më të largët…

Për shumë njerëz, Lidhja e Prizrenit mund të paraqitet si një prej atyre kryengritjeve që populli ynë e ka pasur kurdoherë në vetijën e tij, sidomos në shekullin e nëntëmbëdhjetë, me Ali Tepelenën dhe Bushatlliun, si edhe më pas tyre. Por ndryshimi qëndron në pikën që në këto lëvizje ishte për shtytkë iniciale aktiviteti i një njeriu të vetëm, duke u mbështetur mbi tendenca lokale të nevojshme prej rrethanave të ditës; këtë radhë iniciativa merrej prej popullit dhe qëllimi ndehej mbi tërë Shqipërinë etnografike, mbi ditën e veprimit, si edhe mbi kohën e ardhme”. (Lidhja e Prizrenit, rev. “Diturija”, 1928) Si filozof i historisë, Mid’hati arsyeton: “Një veprim, një përpjekje, është kurdoherë pjellore, është lindja dhe nisja e një ekzistence së re, edhe në qoftë se nuk rrëfehet sish një rezultat imediat. Në këtë botë, sforcimi për t’arritur një qëllim ka mbase një rëndësi dhe një vleftë më të madhe se nga qëllimi vetë.

Një luftim i sotëm është kapitali i magazinuar për kohën e ardhme, një fuqi e mbetur e gjallë, që ushtrohet në çdo minutë dhe shfaqet me forcë në ditë nevoje. Kështu, Lidhja e Prizrenit, tërë duke pasur si pemë shpëtimin e Shqipërisë, pati edhe fitimin më të madh akoma të përgatiste jetën tonë kombiare, t’u jepte një kuptim të ri aspiratave të popullit. Që nga ajo ditë, vërtet fillon shpresa e një shpëtimi, e një jete më të kuptimtë, në formë të caktuar; që atëherë merr një trajtë të kthjelltë ideja e përfytyruar për fjalën Shqipëri; mbryhen dhe gatuhen aspiratat për një qok të shënuar.

Lokalizma dhe kantonizma i lënë vend patriotizmës; tendencat ndarëse dhe mërgonjëse fillojnë të peshojnë drejt një pike të vetme; krahinat dhe elementet që e kishin kujtuar veten e tyre të ndarë dhe të huaj nga njëri-tjetri, nisën të njësohen e të ndihen solidarë. Me një fjalë, fisi bëhet komb. Shqipëria e kuptoi se më nuk e shpëtonte dot veten e saj pa kërkuar dhe ajo të drejtat në emër të kombësisë, në emër të një mëmëdheu, të një kombi”. (Po aty). Ai çmon si kushtimin e Veriut, ashtu edhe koshiencën e Jugut e mbi të gjitha veprimin e tyre të përbashkët, karakterin e përgjithshëm panshqiptar të Lëvizjes:

“Këtu shfaqet për ne influenca e degës jugore. Në Prizren, populli kompakt dhe me armë në dorë, me ndërgjegje për fuqinë luftarake të tij, i bazonte shpresat mbi forcën e numrit dhe mbi të drejtën e pronës. Jugu, më pak i fortë, po më koshient për të drejtat si racë dhe si komb, vinte në peshë parimet e rinj, që kishin përmbysur sisteme të vjetra. Këtu fillon për ne rëndësia dhe vlera e Lidhjes së Prizrenit dhe këtu nis shërbimi i vërtetë i Abdyl Frashërit. Kjo influencë e delegatit të Jugut u manifestua në një mënyrë më definitive, duke i dhënë lëvizjes një karakter të përbashkët, të përgjithshëm, panshqiptar, duke e nxjerrë nga forma e rivendikimeve lokale për vatanin e vogël, për vilajetin dhe kazanë; tani mendimet dhe kërkesat ishin për Shqipërinë e tërë, për mëmëdhenë, për Jugun, si dhe për Veriun, për myslimanët dhe të krishterët, për çdo çip të truallit dhe për çdo individ, që fliste gjuhën shqipe. Ishte mbase hera e parë që lulja e kuptimit të kombësisë po zinte rrënjë në shkrepat e Arbërisë dhe kuptohet vetiu se bima e re do të zhvillohej me gjithë ngjyrat e saj: nga e sotmja në të ardhmen ishte një i vetëm çap për t’u bërë. Dhe dita e nesërme zuri të preokuponte Lidhjen dhe degët e saj më tepër se gjendja e keqe e ditës: duhej siguruar jeta e kombit dhe e mëmëdheut, duke e bërë këtë komb dhe këtë mëmëdhe t’u njiheshin të drejtat e tyre, të respektoheshin në një mënyrë baras me të drejtat e atyre popujve, në favor të të cilëve kërkohej të shqyhej trualli shqiptar”.

M.Frashëri mendon se çdo përparim i një populli dhe i një vendi vjen nga idetë e përparuara dhe vullneti për t’i vënë në jetë ato. Nuk është e rastit që Lidhja Shqiptare e Prizrenit lindi e kulmoi thuajse në të njëjtën kohë me Rilindjen tonë Kombëtare, me idetë e saj dhe me veprimtarinë e rilindësve, veçanërisht të Abdyl Frashërit, i cili në fund të vitit 1877 u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare (Komiteti i Stambollit), që dha një kontribut të rëndësishëm në përpunimin e platformës politike, që adoptoi edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ku Abdyli u shqua si udhëheqës dhe diplomat i shquar i saj.

Midhat Frashëri konkludon se Lëvizja për autonomi e mandej për shkëputje nga Turqia, “kjo mbryjtje e shpirtit dhe e dëshirave të shqiptarëve, krijimi i këtij karakteri të ri, nuk bëhej dot pa një platformë kombëtare siç ishte Rilindja, pa një edukatë këmbëngulëse dhe të gjatë, bazuar mbi stërvitjen morale dhe intelektuale. Edhe një pemë jo më pak e çmueshme e Lidhjes së Prizrenit qe për ne krijimi i “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip”. E harruar, e përbuzur, si një patois, e shikuar jo si një vegël qytetërimi, po mbase si një ndalesë përparimi, shqipja, me themelimin e Shoqërisë së Stambollit, nis të bëhet e gjallë dhe shpirtdhënëse, të jetë një organ për të dhënë ide dhe aspirata, të zgjojë ndjenja dhe të frymëzojë mendime. Ç’shohim sot, ç’presim nga e ardhmja, ç’ kemi të drejtë të kërkojmë nga pritmi, buron nga Shoqëria e të Shtypurit shkronja shqip, lindur nga Lëvizja e Lidhjes së Prizrenit”.

Dhe Mid’hat Frashëri sintetizon: “Pikërisht për këtë arsye, viti 1878 duhet konsideruar si fillimi i rilindjes intelektuale të shqiptarëve, ashtu sikurse ishte fillimi i rilindjes politike Lidhja e Prizrenit”.

2. Në prizmin e kritikës, por edhe të meditimit të tij origjinal

Mid’hati bën një analizë kritike mbi vepra të autorëve shqiptarë e të huaj për Lidhjen e Prizrenit, por jep edhe mendimet, argumentet dhe vlerësimet e tij ndryshe e krejt origjinale.

“Gjer më sot rëndësia e Ligës ka mbetur e panjohur nga shkaku se askush s’e ka studiuar në tërësi të saj; çdo autor e ka parë vetëm mënjanë.
Kështu, për shembull, publicisti Spiridion Gopçeviq, në librin e tij “Oberalbanien und seine Liga” (Leipzig, 1880) e shikon Lidhjen vetëm në përpjekjen për nga ana e detit dhe pothuaj nuk di çfarë ngjau matanë kufirit të malësive. Kjo injorancë e autorit dhe armiqësia e tij për kombin shqiptar (Gopçeviqi është i njohur si një sllav shoven dhe me urrejtjen e tij kundër shqiptarëve) e bëjnë autorin që të mos thotë gjithë sa duhej mbi Lidhjen Patriotike”.( Liga e Prizrenit).

Mid’hati merr në shqyrtim edhe librin “Histori e Shqipërisë” prej K.A. Çekrezit, që ngërthen edhe kapitullin “Formimi i Ligës së Prizrendit”. “Për fat të keq,-shkruan M.Frashëri,-nuk gjejmë dot një lëndë kënaqëse, sado që autori e quan ‘këtë lidhje të besës shqiptare, nisje e lëvizjes së kthjellët kombëtare’, por, pa na thënë ç’janë veprat, ç’kanë qenë aspiratat, ç’rezultate arriti dhe ç’dëshirë e shtynte për të pritmin”. Ai bën një analizë kritike edhe mbi librin e Kristo Dakos mbi Lidhjen e Prizrenit, po ashtu edhe të disa autorëve të tjerë, duke polemizuar me argumente politike, historike dhe filozofike. Ndryshe nga ata studiues që kritikojnë kërkesën për autonomi të Lidhjes apo të atyre që thonë se Lidhja ishte një lëvizje për pavarësi, Mid’hat Frashëri e shikon këtë Lëvizje në kushtet dhe mundësitë e asaj kohe kur ndodhi.

Ai shprehet se së pari Lidhja kishte si qëllim kundërqëndrimin ndaj pretendimeve të fqinjëve, kundërshtimin e vendimeve të Kongresit të Berlinit për copëtimin e tokës shqiptare dhe qenies shqiptare, si rrjedhim i zgjimit të ndjenjës kombëtare.

“Mbi këtë pikë,-thotë Mid’hati,-nis shërbimi i dytë i Lidhjes. Veprimtaria politike e Lidhjes se Prizrenit ndoqi një program për autonominë, që duhej të fillonte me bashkimin administrativ të katër vilajeteve të Turqisë europiane të vjetër (Janina, Manastiri, Shkupi, Shkodra), në një vilajet të vetëm me kryeqendër Manastirin dhe shqipen si gjuhë zyrtare. Bëhet fjalë për krijimin e një atdheu brenda kufijve të vetë etnikë”. Bëjmë të ditur,-thotë Frashëri,-se shqiptarët nuk kanë formuluar kurrë pretendime mbi krahinat e banuara nga grekë dhe sllavë të këtyre vilajeteve. Rivendikimet shqiptare kanë synuar vetëm rrethet e banuara tërësisht prej shqiptarësh). (L.Skendo, Rivendukimet shqiptare, Lozanë 1919).

Me këtë reformë do të bashkohej kombi shqiptar nën një administratë dhe do t’i vihej një kufi Shqipërisë, një kufi i njohur zyrtarisht, i cili në një copëtim tjetër të Turqisë, të mund të shpëtonte të drejtat e kombit të vogël dhe të mëvehtësohej. “Një përpjekje për kombësi, larg zënkave dhe ambicieve personale, një luftë thjesht patriotike për Shqipërinë, për Shqipërinë e bashkuar dhe jo për regjionalizëm, ishte një gjë e pashembullt në historinë e popullit shqiptar”,-thekson M.Frashëri.

Sipas tij: “Autonomia, pa dyshim, me kohë do të përfundonte me independencë”, nënvizon ai. Pra, autonomia si hap të parë i Pavarësisë. Kjo kërkesë dhe kjo frymë e shtoi edhe njëherë akoma mosbesimin dhe shqetësimin e Turqisë, mandej edhe armiqësimin e saj ndaj Lidhjes.

“Sulltan Hamiti dhe njerëzit e tij,-shkruan Mid’hati,-e kishin toleruar e mbrojtur Ligën aq sa të kufizohej në mbrojtjen e kufijve të Turqisë, por kur ky bashkim u zgjat nga Kosova në Prevezë dhe nga Shkodra në Manastir, kur shqiptarët e fuqizuar kërkonin edhe autonominë, atëherë kundërshtimi i Portës së Lartë u zgjua. Mbase dhe këshillat e Rusisë, përpjekjet e Patrikanës Ortodokse s’qenë të huaja në masat që do të merrte Turqia. Sulltan Hamiti donte shkatërrimin e Ligës së Prizrenit. Mentaliteti turk në atë kohë nuk pranonte një ide nacionaliste, një aspiratë të përbashkët dhe një bashkim të shqiptarëve; politika e sulltanit qe bazuar mbi ndarje dhe përçarje.

Shpresa e sundimit ishte ngrehur mbi antagonizmin ndërmjet toskëve dhe gegëve, të krishterëve dhe myslimanëve. Pranonte që malësorët tanë të luftonin për shtëpitë dhe kullotat e tyre, po jo për një entitet moral, që i thonë mëmëdhe” .

Kështu që, “një njeri i zoti, dinak, energjik dhe fare pa skrupull, Dervish Pasha, biri i një prifti bullgar prej Lofshe dhe i blerë, thonë, prej sllavëve, do të shërbente dëshirën e të zotit. Duhej dobësuar më parë Liga së brendshmi dhe kjo nuk do të qe gjë e rëndë”, mandej edhe me forcën e armëve.

“Lidhja pushoi së ekzistuari, veprimtaria e Lidhjes nuk ishte e vetëmjaftueshme, nxjerr mësimet M.Frashëri, – por ajo kishte funksionuar për dy vjet, duke dhënë fizionominë e një administrate autonome, duke krijuar një milici të vogël dhe një buxhet – gjë që është edhe më e rëndësishme – duke krijuar shkakun për të forcuar ndjenjën dhe ndërgjegjen për një nacionalizëm të kristalizuar, duke e kthyer një gjë të vogël e të pandërgjegjshme, në diçka të qartë e të ndërgjegjshme”.

3. Trajtimi i Lidhjes mbi bazën e dokumenteve
M. Frashëri kërkon në arkivat e shteteve të huaja, mbledh dokumente dhe hulumton për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Ai u rekomandon edhe studiuesve të tjerë se ku gjenden dhe ku mund të gjenden dokumentet, si te studimi “Lidhja e Prizrenit-Mbledhja e dokumenteve” , “Burime te historisë shqiptare”, 25 vjet më parë” etj. … Për mungesë kohe, nuk po i përmend këto arkiva, por po citoj vetëm dy burime arkivore, që i ka hulumtuar ai vetë: “Autori i këtyre radhëve mundi vetëm të shoshitë koleksionin e gazetës turqisht Terxhuman-i-Shark, që e ka botuar Sami bej Frashëri, vëllai më i vogël i Abdylit në Stamboll, që nga data 10 (22 qershor) 1878 gjer më 24 tetor (5 nëntor 1878); censura turke e ndaloi 20 ditë ditaren. Kjo gazetë, pa dyshim, ka një rëndësi të madhe.

Fakti tjetër që vetë Mid’hati zbuloi në Arkivin e Vjenës Memorandumin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1879, drejtuar Fuqive të Mëdha nga Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni. Madje, e përktheu atë nga frëngjishtja dhe e botoi te “Kalendari Kombiar” i vitit 1903, nën titullin “25 vjet më parë”, ku edhe nxjerr përfundimet: “Pemët e këtyre lëvizjeve, q’u bënë njëzet e pesë vjet më parë në Shqipëri, janë disa llojesh:

1. E para dhe më e dobishmja ishte që u dëgjua në tërë Shqipërinë që po bëhej një lëvizje kombëtare për shpëtimin e mëmëdheut; veç kësaj, meqenëqë mbledhjet bëheshin në tërë Shqipërinë, një afrim u bë ndërmjet toskëve, gegëve, myslimanëve e të krishterëve; me një fjalë u hapën pak mendjet dhe veprimet e përbashkëta.

2. Do nga telegrafët q’u hoqën, do nga vajtja e të dy të dërguarve n’Evropë, do nga Liga e Prizrenit, u ndalua dhënia e Janinës te Greqia; u ndalua dhe dhënia e Gucisë dhe e Plavës te Mali i Zi, po në vend të këtyre dy krahinave, u dha Ulqini. 3. U dëgjua pak edhe në botën e qytetëruar që paska një Shqipëri, e cila kërkonte të rronte. Këtu hapim një kllapë: kur u poqën të dërguarit e Shqipërisë në Paris me Vadingtonin, ky i pyeti pse nuk duan që të bashkohet Janina me Greqinë, apo u pëlqen të rrojë nën turkun.

“Jo,- u përgjigjën Abdyli me Mehmet Aliun, – nuk na pëlqen turku, po kemi shpresë që dhe ne një ditë të bëhemi më vete dhe të rrojmë si njerëz”. Për këtë, ministri i Francës u shtrëngoi dorën të dy shqiptarëve, duke thënë: “paskëtaj do jem dhe unë më tepër shqiptar se ju!”. Me këtë s’duam të themi se Vadingtoni vdiq shqiptar, po që fjala me mend dhe e drejtë mbetet”.( Lumo Skendo, “Kalendari Kombiar”, 1903)./ KultPlus.com

Kënga e Rita Orës me Bebe Rexhën merr 10 milionë klikime (VIDEO)

Javën e kaluar është publikuar videoklipi më i ri i Rita Orës “Girls”, të cilën e ka realizuar në bashkëpunim me Bebe Rexhen, Cardi B dhe Charli XCX, shkruan KultPlus.

Ky videoklip i cili lëviz në skena të ndryshme dhe me një numër të madh vajzash në videoklip, ka arritur të mbledh plot 10 milionë klikime në kanalin ‘You Tube’. Këtë e ka bërë të ditur këngëtarja nga Kosova, Rita Ora e cila ka falënderuar 10 milionë persona që e kanë klikuar videoklipin e këngës së saj më të re.

Rita Ora ka realizuar një turne të suksesshëm me titullin “Girls”./ KultPlus.com

Gremina

Poezi e shkruar nga Lasgush Poradeci.

Ti sot as qesh, as qan,
Rri larg e qetë.
Në shpirtin tënd ti mban,
Një faj për jetë.

Një dashuri me gaz,
Siç fryu era.
E zure shpejt në çast,
E le përhera.

U ngrohe ashtu sa mund,
As shumë e as pakë.
S’të ndriu përdrejt në fund,
E bardha flakë.

Më ndriu, e griu e shkriu,
Ah mua zjarri!
U m’varrësh unë i ziu,
M’u buzë varri!

E nuk më dhemb aspak,
Një vdekje e gjallë.
Ndaj qava lot me gjak,
Si në përrallë.

Ndaj hoqa rëndë ashtu,
Gjer në greminë.
Llaftarën që më zu,
Për dashurinë.

Për dashurinë o Zot,
Që shemb një burrë.
Që s’e pat ndjerë dot,
Gruaja kurrë.

Që lind e ndritur krejt,
Bukuri plotë!
Me dritën drejtpërdrejt,
Nga drita jote!

Që qesh e qan, e zjen,
E s’jep të qetë.
E zjen e bren e shfren.
E s’vdes perjetë.

Andrew Garfield nderohet me çmimin “Tony Awards”

Janë ndarë shpërblimet “Tony” të cilat i nderojnë projektet më të mira teatrale, dhe yjet sollën shumë ‘glamur’ mbi qilimin e kuq të shtruar me këtë rast.

Në mesin e të shpërblyerve të mbrëmjes ishin edhe, Andrew Garfield, i cili u shpall “Aktori më i mirë protagonist në shfaqje”, dhe Glenda Jackson, e cila u nderua si “Aktorja më e mirë në shfaqje” për rolin e saj në “Three Tall Women”, bën të ditur “Express” i KTV-së.

Ndërsa ndër shfaqjet më të shpërblyera të mbrëmjes ishin, “Harry Potter and the Cursed Child” që i fitoi 6 çmime përfshirë çmimin kryesorë “Shfaqja më e mirë e vitit, dhe mjuziklli “The Band’s Visit” që i fitoi 10 shpërblime, përfshirë çmimin “Mjuziklli më i mirë”.

Ceremonia e ndarjes së shpërblimeve “Tony”, u prezantua nga aktorët dhe këngëtarët Josh Groban dhe Sara Bareilles./ KultPlus.com

Violinistja Ervis Gega Dodi nderohet me çmim në Gjermani

Universiteti-Johannes Gutenberg Mainz në Gjermani ka nderuar violinisten dhe docenten Ervis Gega Dodi me çmimin më të lartë për mësimdhënësit e muzikës.

Ambasada e Shqipërisë në Gjermani, bën të ditur se çmimi iu dha Gega Dodit me motivazionin “rezultate të shquara” në veprimtarinë mësimdhënëse të docentes së muzikës me origjinë shqiptare.

I gjithë bordi i rektoratit votoi njëzëri për prof. Gega-Dodi. Një numër i madh studentësh universitarë të saj fitojnë prej vitesh çmime të njohura kombëtare në Gjermani dhe në botë.

Me veprimtarinë 18 vjeçare si mësimdhënëse ndër të tjera në Universitetin-Johannes Gutenberg, në Konservatorin e Muzikës Peter Cornelius, në Akademinë më të madhe të Muzikës së Dhomës Villa Musica, në kurse të suksesshme masteri në Gjermani dhe në Itali prof. Ervis Gega-Dodi ka bërë një emër të shquar dhe të vlerësuar në komunitetin e docentëve të muzikës në Evropë.

Televizione kombëtare gjermane si ZDF, SëF kanë theksuar në disa emisione të veçanta për Ervis Gega-Dodin edhe punën e saj shumë të suksesshme si mësimdhënëse.

Veprimtarinë si docente Ervis Gega-Dodi e zhvillon krahas veprimtarisë koncertale në sallat më të shquara koncertale të Gjermanisë dhe jashtë saj.

Loja e saj virtuoze në violinë është vlerësuar gjithashtu me çmime të larta.

“Siparantum” përfundojnë suksesshëm koncertin në Zagreb

Mbrëmë në Muzeun Mimara, Zagreb është mbajtur koncerti i tretë i turneut të korit “Siparantum” në Kroaci.

“Emocione të pa përshkruara pranë një audience të mrekullueshme. Duartrokitjet e gjata vërtetojnë punën dhe suksesin tonë, e njëjta ndodhi edhe në Hrvatski Glazbeni Zavod. Ky është motivacion që ne duhet të vazhdojmë tutje”, u shpreh Memli Kelmendi, dirigjent i korit.

Mimara njihet për akustikën e përkryer sidomos për veprat e muzikës korale. Muzika e performuar u vlerësua shumë lartë dhe publiku u befasua me paraqitjen dhe veprat kreative që tashmë janë identifikim i korit Siparantum.

Në program u interpretuan vepra të kompozitorëve të njohur botëror dhe shqiptar. Publiku mirëpriti veprat e kompozitorëve: Mengjiqi, Zeqiri, Aliçkaj dhe Kelmendi.

Ky koncert përmbyll një edicion të suksesshëm të korit Siparantum, për t’u rikthyer në shtator për projektet e sezonit 2019 në projektet e radhës ndërkombëtare:

Ky koncert u organizua nga Universiteti i Zagrebit dhe kori “Emil Cossetto”-Zagreb./ KultPlus.com

Promovohet libri i dramave shqipe të përkthyera në Turqi, theksohet interesimi i lexuesve atje (FOTO)

Gili Hoxhaj

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, Qendra Multimedia nga Prishtina, në bashkëpunim me shtëpinë botuese nga Turqia Mitos Boyut, organizuan promovimin e librit “Antologji e dramës bashkëkohore nga Kosova” [Çagdas Kosova Oyunlari Seçkisi], i botuar sivjet në Turqi, shkruan KultPlus.

Në përmbledhjen “Antologji e dramës bashkëkohore nga Kosova” [Çagdas Kosova Oyunlari Seçkisi] janë përfshi dramat e autorëve: Xhevdet Bajraj, Ilir Gjocaj, Visar Krusha dhe Jeton Neziraj.

Dramaturgu dhe udhëheqësi i Qendrës “Multimedia”, Jeton Neziraj u shpreh se ky promovim aksidentalisht ka qëlluar në dhjetëvjetorin e Himnit të Kosovës ndërsa tha se aksidentalisht mund ta quaj edhe faktin që ky libër botohet me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, pasi që ky është botimi i parë jashtë Kosovës që financohet nga MKRS.

“Nëse nuk gaboj është hera e parë që Ministria e Kulturës ka financuar një botim jashtë Kosovës dhe e cilësoj si një hap shumë të mirë dhe shpresoj që do të vazhdoj edhe me botime të tjera të kësaj natyre”, theksoi Neziraj.

Sot para publikut në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës, erdhi Drejtori i shtëpisë botuese Mitos Boyut, Turhan Yılmaz Öğüt. Mitos Boyut është shtëpia botuese më e madhe në Turqi e cila veprimtarinë e saj kryesore e ka botimin e dramave dhe librave të fushës së Teatrit.

Neziraj e cilësoi botuesin Turhan Yılmaz Öğüt, si një botues legjendar.

“Turhan Yılmaz Öğüt është botues legjendar dhe botuesi më i madhi dramave në Evropë pasi që boton një numër të madh të dramave të autorëve turq dhe jo turqtha ai.

Më herët kjo shtëpi botuese ka botuar edhe librat e Stefan Çapalikut, Doruntina Bashës e Jeton Nezirajt. Botuesi i njohur turk, Turhan Yılmaz Öğüt tregoi se për 25 vite shtëpia e tij botuese ka botuar ekskluzivisht vetëm drama, duke nxjerrë kështu rreth 800 botime, prej tyre 600 janë libra të dramave kurse pjesa tjetër përben tekste teorike që kanë të bëjnë me dramaturgjinë.

“Shtëpitë botuese në Turqi zakonisht hezitojnë që të botojnë vepra të dramës pasi numri i tirazhit është i ulët. Ne në botimet tona bëjnë përpjekje që ta mbajmë gjallë traditën e dramaturgjisë në Turqi. Edhe pse vëllimi i punës tonë duket të jetë i lartë me 800 botime, numri i stafit tonë është i ulët pasi që jemi vetëm tre veta dhe me këtë staf e kemi bërë gjithë këtë punë”, u shpreh botuesi Öğüt.

Botuesi Öğüt theksoi se përpiqen që në shtëpinë e tyre botuese të përfshijnë edhe teatrot e letërsive që nuk i përkasin letërsisë perëndimore por që janë pjesë e letërsisë botërore.

“Për 20 vite me radhë kemi kontribuar që të krijojmë teatro që prodhojnë vepra teatrale. Mund të them se krijuesit modern të kohëve të fundit janë të gjithë ata që ne kohëve të fundit u kemi kontribuar atyre”, tha tutje Öğüt.

Ai tutje u shpreh se një rëndësi të jashtëzakonshme në botimet e tyre kanë autorët e Ballkanit pasi që stili i jetës së tyre është shumë i afërt me stilin e jetës së turqve. Tutje ai theksoi se kjo ndodhë edhe për faktin se ai vet dhe përkthyesja janë me prejardhje nga Ballkanit. Lidhur me interesimin për veprat e autorëve shqiptar, tashmë të përkthyera, botuesi Öğüt u shpreh se interesimi është relativisht i mirë pasi që kanë kapur lexues të rinj që duan ta njohin Ballkanin.

“Krijuesit nga Ballkani pasi që i përkasin stilit të jetës që është e afërt me neve, janë shumë simpatik edhe për neve edhe për lexuesit tanë. Po ashtu kemi përkthyer edhe autorë nga Irani, Japonia, Kina, por numri i përkthimeve nga këto vende është më i ulët. Në të ardhmen do të vazhdojmë të përkthejmë krijuesit nga Ballkanit pasi që unë dhe përkthyesja jemi me prejardhje nga Ballkani dhe ne do të vazhdojmë edhe më tutje me këtë interesim”, tha botuesi Öğüt.

Përkthyesja e librit, Senem Cevher thotë se ka punuar një kohë të gjatë mbi veprat e Jeton Neziraj, ndërsa shpreson se edhe tre autorë të rinj të cilët i ka njohur përmes tij, të gëzojnë famën që ka Neziraj në Turqi.

“Jetoni është një autor mbi të cilin punoj një kohë të gjatë. Për herë të parë e kam përkthyer veprën “Urat” kurse me përkrahjen e tij tani jam njoftuar edhe me tre autorë të rinj, me Xhevdet Bajraj, Visar Krusha dhe Ilir Gjocajn. Unë shpresoj që edhe këta tre autorë do të fitojnë një famë të njëjtë në Turqi. Do të dëshiroja që të dija gjuhën shqipe në mënyrë që të përktheja në gjuhën origjinale”, u shpreh përkthyesja Cevher.

Po ashtu në këtë promovim është folur edhe për interesimin e teatrove turke për inskenimin e dramave shqipe atje.

““Pallati i ëndrrave” nuk do të inskenohet në teatrin shtetëror, pas dy javësh kemi zgjedhje në Turqi dhe nwse diçka do të ndryshoj, ajo mund të inskenohet. Por ajo po ashtu wshtw vwnw nw skenw dy herw nw teatro tw tjera nw Turqi. “Liza fle” është shfaqur po ashtu. Visar Krusha kemi bindjen se brenda dy tri vitesh do të shfaqet në teatrot shtetërore pasi që në Turqi kohëve të fundit kërkohet më shumë komedia. Për dramën e Xhevdetit do të kenë interesim teatrot private pasi që është një monodramë”, u shpreh përkthyesja Cevher.

Ajo tutje tregoi se përkthimin e këtyre veprave shqipe i ka përkthyer në vende të ndryshme të botës. Ajo tutje tregoi se përkthimi i librit të Visa Krushes i zgjatur gjashtë muaj dhe e ka përkthyer në Amerikën Jugore. Veprën e Jeton Neziraj e kam përkthyer në Argjentinë kurs veprën e Ilir Gjocajt e kam përfunduar në Buenos Aires dhe veprën e Xhevdet Bajres në Ugait.

Puna e përkthyeses Senem Cevher është ngushtë e lidhur me teatrin, ku ajo punon si aktore e regjisore dhe fakti që përkthimi nuk është punë primare , ajo u shpreh se përkthen vetëm ato vepra të cilat e entuziazmojnë.

“Profesioni im primar nuk është përkthimi, unë nuk jam arsimuar për këtë. Unë mendoj qe e zotëroj një fluiditet gjuhësor pasi që vij nga teatri pasi qe këtë e vërej në vlerësimet që u bëhet veprave të mija ku gjithkush thotë se përkthimi rrjedh si ujë dhe shumëkush thotë se kjo vjen nga fakti se unë vij nga teatri. Unë pasi ta përfundoj përkthimin, distancohem nga vepra dhe pastaj e lexoj me zë të lart pasi qe edhe dëgjuesi mund ta dëgjoj më mirë. Unë i përkthej vetëm autorët që me entuziazmojnë, unë nuk bëj përkthim me porosi, këtë lë ta bëjnë atë që e kanë punë të parë”, përfundoi Cevher.

Po ashtu kjo vepër do të promovohet edhe në qytetin e Prizrenit. / KultPlus.com

Punimi i studentes shqiptare bëhet pjesë e detyrueshme e planprogrameve në Universitetin e Pensilvanisë

Një studente shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm.

Njëri nga punimet e Modesta Imerit, studente 23-vjeçare në Universitetin e Pensilvanisë, tani është bërë pjesë e detyrueshme e planprogramit të këtij institucioni amerikan.

Punimi “Modelet Globale të Pjesëmarrjes për Vendet në Zhvillim”, i hartuar nga Imeri, do të lexohet nga studentët e Universitetit të Pensilvanisë, nga shtetori i këtij viti.

Lajmin për suksesin e Imerit e ka dhënë ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku.

Nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, Çitaku është shprehur shumë krenare me suksesin e Imerit, shkruan Telegrafi.

“Sa herë që ndjejë zhgënjim apo thyerje, ndodhë diçka fantastike e më kthehet vullneti e shpresa për vendin tim. Modesta Imeri është vetëm 23 vjeçare. Me mbështetjen e prindërve ka mbaruar studimet katërvjeçare në University of Pennsylvania, një nga 8 Universitetet e Ivy League. Përveç që ka mbaruar studimet me sukses të shkëlqyeshëm, një nga punimet e saj tani është material i detyrueshëm në plan programin e këtij universiteti prestigjioz amerikan, ku shkollohen liderët e së ardhmes. Tej mase krenare me Modesten! #ÇikateKosovës”, ka shkruar Çitaku.

Plazhi në Sarandë në vitin 1989 (FOTO)

Saranda në cepin jugor të Shqipërisë, ka qenë gjithnjë një destinacion i kërkuar dhe i frekuentuar nga shqiptarët.

Kjo foto e vitit 1989 nga arkivi i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, dëshmon më së miri se Saranda ka qenë gjithnjë qyteti i pushimeve.

Perla e jugut edhe pse në atë kohë nuk ishte e shumë e aksesueshme për shkak të distancës së largët, ishte e lakmuar sidomos nga çiftet e reja në ditët e tyre të pushimit pas martese.

Nga kjo foto shihet se ka jo vetëm popullim nga pushuesit e shumtë në brigjet e saj, por duket qartë edhe arkitektura tipike të kohës./ ata

Haradinaj për incidentin në Prizren: Me qenë burrë, e kisha kryer ndryshe me të

“Me qenë burrë e kisha kry ndryshe me të”, ka qenë përgjigja e kryeministrit të Kosovës kur është pyetur për incidentin e djeshëm me gruan në Prizren, transmeton KTV.

Kryeministri është treguar i ashpër duke matur forcën e shtetit në largimin e asaj gruaje nga foltorja, ku po shënohej përvjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

“Është e papranueshme një i paftuar me u paraqit në foltore, atëherë dikush duhet me largu, ja policia ja unë. Në prezencë timen nuk mundet me nëpërkëmbë askush shtetin. Ata që është dashur të reagojnë, nuk kanë qenë në nivel të detyrës”, ka thënë Haradinaj në një konferencë për media./ KultPlus.com

Sot mbush një dekadë Himni Shtetëror i Republikës së Kosovës (VIDEO)

Himni Shtetëror i Republikës së Kosovës sot mbush një dekadë nga miratimi në Kuvendin e shtetit të ri, që kishte shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008.

Himni i Kosovës, i quajtur “Evropa” është kompozuar nga kompozitori Mendi Mengjiqi më 11 qershor të vitit 2008.

Përveç melodisë Himni i Kosovës, “Evropa” kishte edhe tekst por një gjë e tillë nuk u lejua.

Teksti flet për atdhe-dashurinë si vend i të parëve.

Teksti i Himnit:
O mëmëdhe i dashur,
vend i trimërisë
Çerdhe e dashurisë
N’ty shqipet fluturojnë
Dhe yjet ndriçojnë
Vendi i të parëve tonë
Ti qofsh bekue për jetë e mot
O nënë e jonë
Ne të dalim zot
O mëmëdhe i dashur,
vend i trimërisë
Çerdhe e dashurisë.

“The Flowering”, prezantohet nesër në Muzeun e Kosovës

“Cities of Peace” në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës, Universitetin e Prishtinës dhe CHwB Kosova, do të bëjnë prezantimin e pikturës “The Flowering”, shkruan KultPlus.

Kjo pikturë është realizuar gjatë rezidencës dy mujore në Muzeun e Kosovës nga drejtoresha artistike e programit Dr. Ellen Frank.

Prezantimi bëhet më 12 qershor me fillim nga ora 21:00 në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës./ KultPlus.com

Festivali i Panit rizgjon mitet në trevën e Nivicës

Fundjava nisi me një aktivitet të veçantë edhe për kanionet e bukura të Nivicës. Trevat e lashta ilire u ballafaquan edhe një herë si në kohët e vjetra me “festën e Panit”, perëndisë së kullotave, gjësë së gjallë dhe mbrojtësin e barinjve që mendohej si një krijesë gjysëm-cjap e gjysëm-njeri. Miti që me sa duket duhet t’i ketë rrënjët në këto rrëpira të thella, e rizgjoi këtë trevë të hershme me gëzimin dhe harenë e një festivali baritor.

Festa e Panit mblodhi banorë të shumtë nga krahina e Kurveleshit si dhe fshatrat e bregut te detit në sheshin e restauruar të fshatit Nivicë, Kurvelesh.

E menduar në dy pjesë si një mënyrë për të promovuar jetën pastorale si dhe tufat e mëdha të dhive si një prej pjesëve më te spikatura të traditës labe, kjo festë gjallëroi një prej zonave më të veçuara të jugut.

Si një mundësi për të sjellë bashkë banorët e zonave bregdetare dhe atyre malore, kjo ishte hera e parë që në mënyrë të organizuar banorët të kishin mundësi të reklamonin prodhimet e tyre duke pasur synim që në të ardhmen të krijojnë bashkëpunim në shkëmbimin e produkteve bujqësore e blegtorale.

Në mbrëmjen e festës, barinjtë e zonës me krenari prezantuan përpara një jurie cjepët që prijnë kopetë e tyre.

Cjapi, një simbol i rëndësishëm i pjellorisë, rezistencës dhe bukurisë së tufave baritore, është personifikimi i kësaj treve e cila që nga lashtësia e ka ruajtur këtë kafshë fisnike si një prej vlerave më të rëndësishme të saj.

Për këtë arsye, Pani i mitologjisë, mbrojtësi i barinjve, kullotave dhe jetës pastorale u përzgjodh si një simbol i rimëkëmbjes së jetës në këtë zonë të veçuar që me zhvillimin e turizmit rural mund të marrë jetë./ ata

Poezia që buron nga shpirti

(Dritëro Agolli: “Prit edhe pak”, botoi “Dritero”, Tiranë 2016)

Shkruan Liridona Selmani.

Përmbledhjen poetike “Prit edhe pak” shkrimtari i njohur i letërsisë shqipe, Dritëro Agolli e botoi në 85 vjetorin e lindjes së tij, njëherësh vit jubilar i cili ishte mjaft i suksesshëm për të. Këtë vëllim poetik Agolli ia kushtoi gruas se tij Sadijes.

“Mendova që këtë përmbledhje vjershash t’ia kushtoja gruas sime, Sadijes, e cila ka mbi gjysmë shekulli, që ecën krahë meje. Për vargjet e mia ajo vuan pothuajse si unë.”- Shkruan në hyrje të librit Dritëro Agolli.

Karshi poezive tjera të botuara më parë nga Dritëro Agollit, përmbledhja poetike “Prit edhe pak” në brendësi ka poezi të cilat i takojnë një niveli pak më ndryshe. Pleqërinë, Dritëroi e sheh shumë normale dhe vdekjen e pret shumë i qetë ,ai në hyrje na e definon këtë çështje: “Aspak s’e kisha menduar se do të botoja tani edhe një libër tjetër me vjersha në një kohë, kur i kam kaluar të 80-të vitet dhe kur, siç thotë Noli Milto Sotir Gurrës “Ata andej nga varrezat po na e bëjnë me sy”

Kjo përmbledhje poetike përveç se është e pasur me poezi brilante, ajo sjell edhe përjetime të bashkëshortes Sadije. Parathënia e librit është e shkruar nga ajo. Duhet vlerësuar lart përkushtimi i Sadijes që për 53 vite i qëndroi pranë Dritëroit, duke e ndihmuar në çdo aspekt. Ajo qysh në fillim e zbulon metaforën e titullit të përmbledhjes “Prit edhe pak”:

Megjithatë, duke lexuar gjithë poezitë e këtij vëllimi, të shkruara gjatë viteve të fundit, ju do të gjeni poetin Dritëro duke i thënë vdekjes:

“Prit edhe pak, se kam përsëri për t’i folur shoqërisë; dua t’i këndoj tokës, njeriut me hallet dhe gëzimet e tij, natyrës, fëmijëve, shpresës, që më jep optimizëm, për të jetuar herë-herë me dhimbje e vuajtje, jo vetëm nga pleqëria, por më shumë nga gjendja shoqërore, kudo që ndodhemi në Shqipëri apo në vende të tjera të botës, ku janë shpërndarë bashkëkombësit tanë.

Konkretisht të emërtimi i përmbledhjes mund të shohim një titull i cili është i huazuar nga poezia e Gëtes “Prit edhe pak” Shikuar në kuptimin figurativ autori lutet që dikush ta presë edhe për një kohë. E në këtë moshë kujt tjetër do ju kishte lutur përveç vdekjes. Pra krahas poezive përkushtuese të Dritëroi shohim edhe poezi të cilat me tepër na ndërlidhen më filozofinë jetësore. Autori shprehet së është i gatshëm të ikë nga kjo botë, por në realitet pena e tij nuk do të ndalet deri në frymën e fundit:

“Të gjithë i themi Tokës nënë,
Së toka na mëkon:
Dhe kurë çdo gjë ja kemi ngrënë,
E heshtur na mbulon.”

Këtë fenomen jetësor Agolli na e shfaqë në poezinë “Shpërblimi i Tokës” e cila shpalosë një ide mbi ecurinë e jetës dhe jep forcë për të kaluar në amshim.

“Prit edhe pak” përmbledhë krijime me poezi të viteve të ndryshme, ku si gjithmonë spikatë talenti dhe gjenialiteti i poetit të madh. Mes tyre ka edhe epitafe dhe testamente poetike që marrin vlera universale. Poezia e Agollit paraqet një emocion të veçantë, e mbështjellur me sarkazmë therëse dhe lirizëm muzikor ajo deperton shumë lehtë në intelektin e lexuesit:

“Këtu po prehet Dritëroi në gjumë.
Nën dhe si mëkatar dhe si poet.
Mëkate ndofta nuk do bënte shumë.
Sikur mos kishte qënë deputet.”

Epitafet janë mbishkrime mbi varr, por autori në kuptimin figurativ dhe në kontekst të letërsisë i shkruan ato për të përcjellur para lexuesve një sarkazmë e cila do të godasë si duhet në personalitetin e njeriut të sotëm.

Poezitë e vëllimit poetik “Prit edhe pak” përveç elementeve personale, kanë edhe mesazhe të forta për aktualitetin tonë shqiptar. Në të trajtohen problemet sociale, politike dhe shqetësimet e njeriut të sotëm.

Paralajmërimin se këtë vëllim Dritëroi do ja kushtonte gruas e bënë që në fillim:

E dashur Sadije,

“Të dua si jetën time, madje edhe më shumë; dëshiroj sinqerisht që unë të vdes dhe ti të jetosh. Unë edhe i vdekur, do të ndjek për të të parë buzëqeshjen tënde, megjithëse kjo buzëqeshje, brenda errësirës së varrit nuk duket, por unë do të bëj të pamundurën, qoftë edhe me anën e një fluture, që do të dalë nga kockat e mia.” Dritëro Agolli, 13 Maj 2014

Dashuria si koncept personal, por edhe universal zë një vend të rëndësishëm në këtë përmbledhje, ajo arrin ta përmbushë atë boshllëk në shpirtin e poetit. Dritëroi këtë lloj të shkrimit e vendos në sfondin e poezisë përkushtuese, e cila lidhet drejtpërdrejt me figurën e Sadijes dhe përmes sajë bartet kah universalja.

“Dashuria fillimisht është e turbullt.
Dashuron, po cilin aspak s’është e qartë,
Dhe agimi kur vjen, është i mugët,
Sendet s’kanë as formë e as trajtë.”

Motivi lirik i dashurisë zë një vend të rëndësishëm në përmbledhjen poetike “Prit edhe pak”. Autori bashkëvepron me gruan .Krahas kësaj Agolli shpalosë edhe horizonte tjera. Ai nuk mund t’i ikë tematikës krijuese të mëhershme, e cila ishte e ndërlidhur me tokën e cila i mbanë të gjallë njerëzit.

“E tillë ka lindur kjo tokë”- është një poezi e cila konstaton një fenomen natyror, i cili është real dhe nuk mund të ndryshohet. Faktori njeri është ai që e përsos dhe e ndryshon në një përqindje të vogël, këtë autori e shpalos mjaft bukur:

“Siç thotë i pari,
Je në tokë a në det
Ti je i rrethuar keq nga përmbytjet dhe zjarri:
Këtej një vullkan, andej një termet.”

“Prit edhe pak” është përmbledhje poetike që në vete ka poezi të cilat personifikojnë shumë ide e kohëra të ndryshme, për dallim nga përmbledhjet tjera të Dritëro Agollit kjo përmbledhje ka një thjeshtësi në aspektin e ndërtimit. Poezitë kanë një freski dhe mund të jenë të kuptueshme nga të gjithë.

Arti krijues poetik i Dritëro Agollit ka një vlerë të madhe, prandaj, mund të konstatojmë se poezia shqipe kishte një përfaqësues të denjët që dha shumë nga vetja e tij. Mendojmë se përmbledhja poetike “Prit edhe pak”do të lexohet dhe studiohet me një interesim të madh.

(Autorja është studente e nivelit Master në Fakultetin e Filologjisë, në Degën e Letërsisë shqipe. Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale shqipe” dhe botohet për herë të parë)./ KultPlus.com

19 vjet nga hyrja e KFOR-it në Kosovë

Sot bëhen 19 vjet nga hyrja e forcave të KFOR-it në Kosovë dhe fillimi i tërheqjes së forcave kriminale ushtarake e paramilitare serbe.

Kjo u bë në ditën kur hyri në fuqi marrëveshja e nënshkruar më 9 qershor 1999 në Kumanovë në mes forcave të NATO-së dhe ushtrisë së atëhershme jugosllave.


Atë e nënshkruan Michael Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjenerali Nebojsha Pavkoviq, i akuzuari i Hagës për krime lufte dhe gjenocid.

Ndër të tjera në marrëveshje parashihej:

c) që nga Kosova të largohen të gjithë personat dhe organizatat me aftësi militare duke përfshirë armatën e rregullt dhe forcat e marinës, civilë të armatosur, paramilitarë, forcat ajrore, garda kombëtare, policia kufitare, rezervistët, policia ushtarake, shërbimet informative, MUP-it, policia lokale, speciale, antirebeliste, antiterroriste dhe çdo grup i përcaktuar kështu nga KFOR-i.

d) u caktua një zonë sigurie ajrore 25 kilometra përtej kufirit të Kosovës, e ndërsa në pikën

e) u caktua një zonë 5 kilometrash përtej kufirit me RFJ-në që nuk guxonte të vendosen armatimet e rënda dhe ushtria, përveç ushtarët kufitarë.

Sulmet, që vazhduan për 78 ditë, u anuluan më 10 qershor, pasi Komandanti Suprem i NATO-së, gjenerali Wesley Clark i raportoi Këshillit të Atlantikut Verior se sulmet ajrore kishin detyruar diktatorin Sllobodan Millosheviq të fillonte tërheqjen e plotë të forcave nga Kosova.

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë nisi edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara-UNMIK, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.

SiViaggia: Shqipëria destinacioni turistik i këtij viti

Shqipëria është një vend në zhvillim, i rinovuar tashmë në infrastrukturë dhe hotele dhe përshtatur me standardet europiane në të gjitha nivelet. Është konsideruar destinacioni turistik i vitit 2018”, shkruan SiViaggia.it.

Nuk ka asnjë dyshim për Ombretta Fresco, pronare e adv Dreams Beach – La Playa del Sol – “Agjencia e udhëtimit intelektual”, anëtare e Geo Travel, e cila e njeh shumë mirë vendin duke parë që pikat e saj të shitjes për disa vite po e propozojnë si një operator turistik Shqipërinë.

Prej disa vitesh Shqipëria është një vend me në rritje në aspektin turistik dhe shumë i popullarizuar me turistë europianë.

Sa për plazhet që kanë patur shumë flukse, destinacioni është i frekuentuar nga tursitë gjermanë, australianë dhe amerikanë. Tregu italian? “Po i afrohet kohët e fundit vendit, që vuan ende nga paragjykimet e vjetra”.

Siç tregon Ombretta Fresco, është një destinacion “i përshtatshëm për udhëtarët kureshtarë, të apasionuar pas historisë dhe me mendje të hapur, të cilët tashmë kanë vizituar shumë vende të largëta, por nuk dinë asgjë për Shqipërinë dhe janë të intriguar prej saj”.

Shqipëria është më e përshtatshme për turizmin në grup, por edhe atë individual. Përveç turizmit klasik arkeologjik, ajo gjithashtu mund të ofrojë ekoturizëm, në zonat malore të përshtatshme për të dashuruar natyrën dhe për hiking.

“Oferta është përmirësuar ndjeshëm – shpjegon ajo për Guida Viaggi – me disa hotele me 3 yje dhe hotele tradicionale në disa vende të lashta si Gjirokastra dhe Berati, por shumica ndërtime të reja janë me 4 ose 5 yje. Lidhjet? Janë nëpërmjet ajrit në Tiranë, “”aeroporti i vetëm, nga shumë qytete italiane. Gjithashtu lidhja detare nga Ancona, Bari, Brindisi dhe Trieste është gjithashtu e mundur. Në vitet e fundit ata kanë ndërtuar edhe dy autostrada shumë të mira “./ata

Arti mural, atraksioni më i ri turistik në Tiranë

Artistët e huaj kanë zgjedhur të lënë gjurmët e tyre në kryeqytetin shqiptar në një mënyrë krejt të veçantë, këtë herë duke dhënë mesazhet e tyre në muret e pallateve të Tiranës.

Ndërsa dikur ish-kryetari i bashkisë së Tiranës, sot Kryeministër i vendit vendosi t’i jepte një tjetër dimension Tiranës përmes ngjyrosjes së pallateve dhe mesazheve të rëndësishme për komunitetin, tanimë janë artistët e huaj që duan të risjellin në vëmendje këtë element të rëndësishëm, tipar i kryeqyteteve moderne europiane.

Tirane ,- 05.06.2018.- Muralet (Pikture ne fasadat e ndertesave ne Tirane). ATSH foto Florian Abazi

Janë 13 murale gjigante të cilat po kthehen në atraksionin më të ri turistik në kryeqytet, ku syri kureshtar i qytetarëve mahnitet nga ngjyrat, ndërthurja e elementëve dhe sidomos nga mesazhet që transmeton ky art.
Tirane ,- 05.06.2018.- Muralet (Pikture ne fasadat e ndertesave ne Tirane). ATSH foto Florian Abazi

Një prej artistëve të huaj, Ania Kitlas, të cilët gjallëruan Tiranën tonë me art dhe ngjyra, në një prononcim për ATSH-në u shpreh se, “… kam ardhur së bashku me nëntë artistë të huaj, ku shumica prej tyre janë italianë, për projektin ‘Mural Fest’. Jemi nisur për në Tiranë të premten që shkoi dhe kemi nisur punën të shtunën dhe ditën e djeshme artisti i fundit përfundoi artin e tij mural. Gjithashtu po presim një artist shqiptar dhe një francez, të cilët duhet të vazhdojnë pikturat e tyre dhe me këtë kemi kompletuar 13 punime murale në Tiranë. Është një projekt unik, pasi në Tiranë nuk kishin nisur akoma këto punime mbi mure”.
Tirane ,- 08.06.2018.- Muralet (Pikture ne fasadat e ndertesave ne Tirane). ATSH foto Florian Abazi

“Ne kemi një laborator në Leçe i cili merret me artin urban dhe në 2015 kemi njohur një artist shqiptar, Franko Dinen, me të cilin përveç miqësisë patëm një bashkëpunim me njëri-tjetrin, kemi pikturuar sëbashku, ai ka ardhur në Leçe dhe gjithashtu në Francë dhe tani erdhëm ne për ta takuar, jemi një grup shumë i mirë. Artistët janë shumica italianë, por është gjithashtu dhe një artist serb, që quhet Artec dhe gjithashtu një artist uruguajan, i cili po zhvillon një tur në Europë duke pikturuar muret e kryeqyteteve europiane, midis të cilëve dhe muret e Tiranës”, – u shpreh artistja Kitlas./ KultPlus.com