Shkodra mbledh artizanët në Panair

Dje, në Ditën e Artizanatit dhe Zejtarisë, në qytetin e Shkodrës u hap “Panairi i artizanatit” me pjesëmarrjen e artizanëve të njohur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi.

Tradita e artizanatit po gjallërohet vitet e fundit si pjesë e zhvillimeve në sektorin e turizmit.

Por, artizanët thonë se mungon interesimi dhe mbështetja e duhur nga strukturat shtetërore për artizanatin tradicional.

Mbi një mijë turistë “pushtojnë” parkun arkeologjik të Orikut

Hapja zyrtare e sezonit turistik në fillim të muajit maj, është shoqëruar me një interesim të madh të vizitorëve vendas dhe të huaj, për të parë parkun arkeologjik të Orikut.

Në harkun kohor të rreth dy muajve, këtë park arkeologjik kanë zgjedhur ta vizitojnë rreth një mijë vizitorë, ku përfshihen grupe të organizuara vizitorësh, vizitorë individualë, familjarë, nxënës shkollash dhe grupe studentësh.

Ky park u ofron turistëve jo vetëm vlerat historike dhe arkeologjike, por edhe peizazhin e mrekullueshëm dhe plot kontraste mes lagunës, detit dhe gadishullit të Karaburunit.

Pak historik…

Qyteti antik i Orikut shtrihet pranë qytetit të sotëm të Orikumit, themeluar nga Eubeati në shekullin Vl p.e.r., në trojet e fisit ilir të amantëve, mbi kodrën e njohur me emrin Paleokastër. Përmendet nga autorët antikë të shekullit të V p.e.r., si port i rëndësishëm i Adriatikut. U shfrytëzua nga romakët në luftërat kundër ilirëve dhe maqedonëve, luajti një rol të rëndësishëm në luftën civile midis Cezarit dhe Pompeut.

Në shekullin Vll, pranë tij u ndërtua kisha e Marmiroit dhe disa kisha të tjera që në themel të emrit të tyre kanë emrin Maria. Këtë gjë e shohim tek manastiret e Ardenicës (Lushnje), Apollonisë (Fier), Manastirin rrënojë të Ballshit, Manastirin e Zvërnecit, Manastirin e Dhërmiut, etj.

Sot, qyteti i Orikumit mbetet një destinacion turistik tepër i preferuar, për natyrën detare dhe malore, për historinë dhe kulturën, për detin dhe plazhet ranore./ KultPlus.com

Përfundon Panairi i Librit në Prishtinë, pjesëmarrësit të zhgënjyer me ambientin

Pjesëmarrësit e Panairit të Librit “Prishtina 2018” shprehen të kënaqur me interesimin e lexuesve për librin, teksa shprehen të zhgënjyer me ambientin ku është vendosur panairi.

Kjo pasi që sipas tyre, as ky jubile nuk i përmbushi kushtet e nevojshme për një panair të mirëfilltë të librit.

Përfaqësues të shtëpive botuese dhe dashamirë të librit bëjnë apel për krijimin e një ambienti që ofron kushte më të përshtatshme për prezantimin dhe promovimin e librit.

Drejtori i shtëpisë botuese “PEMA”, Edon Zeneli, tha se këtë vit është vërejtur që Shoqata e Botuesve të Kosovës ka investuar në aspektin estetik, por problem kryesor është se nuk ka një sallë të denjë panairesh dhe ekspozitash.

“Konsideroj se Prishtina është i vetmi kryeqytet evropian që nuk ka një sallë panairesh dhe këtu njerëzit ankohen, qoftë për klimën brenda, qoftë për ambientin që tashmë është shumë i vjetër dhe nuk është investuar fare në të, dhe kjo përbënë një lloj rëndese edhe për botuesit, por domosdo edhe për lexuesit. Do të thotë kritika jonë nuk drejtohet kah SHQK , por drejt institucioneve që ta marrin këtë punë me prioritet, që ta ndërtojnë një vend afër qendrës së Prishtinës, e cila do të shërbente në organizimin e ngjarjeve të tilla”, tha ai.

Gjatë ditëve të panairit, Zeneli tha se ka pasur interesim të madh të qytetarëve për librin, por edhe shitje më e mirë e librit.

“Ka pasur vizitor të shumtë, ka shitje jashtëzakonisht të mirë, ka interesim më të madh se viteve të kaluara dhe ne si botues jemi jo vetëm të kënaqur, por të stërkënaqur dhe viteve tjera do të mundohemi të paraqitemi edhe me më shumë tituj të rinj. Edhe pse shtëpia jonë botuese kishte diku rreth 10 tituj ekskluzivisht të rinj këtë panair, dhe mbi 20 që kanë qenë nga panairi i kaluar”, tha ai.

Ai shtoi se ndjehet mirë pasi që dy librat e shtëpisë botuese “Pema”, “Kthimi” i Albatros Rexhajt dhe “Inteligjenca emocionale” i Daniel Goleman ishin dy librat që i prinë listës së librave më të shitur të panairit të sivjetmë. Ndërsa Albana Velianj, përgjegjëse e botimeve shkencore dhe bibliotekës në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, ka bërë dallimin mes ambientit ku mbahet panairi i librit në Prishtinë dhe atij në Tiranë.

Velianj tha se përkundër asaj se në këtë jubile, pati rritje të të interesuarve për librin, ambienti lë për të dëshiruar. “Sivjet mund të themi se interesi i lexuesve ka qenë më i madh se vitin e kaluar. Sidomos, specifikisht lexuesit e rinj, studentët e interesuar për librat, sepse Akademia e Shkencave sjellë libra të karakterit shkencor të fushave të ndryshme. Besojmë se Panairi i librit në Prishtinë ka qenë dinjitoz në këto 20 vite, edhe pse sivjet ndoshta la pak për të dëshiruar për gjithë hapësirën e cila ishte e përqendruar bota e librit. Panairi i librit në Tiranë mund të themi se krijon hapësira më të mëdha për të përfaqësuar denjësisht të gjithë botuesit shqiptarë. Gjithsesi, panairi i Prishtinës mbetet shumë simbolik për nga prezenca e të gjitha shtëpive botuese që janë pjesëmarrëse dhe ka shumë rëndësi për hapësirën shqipfolëse”, tha ajo.

Për lexuesen Burbuqe Gashi, e cila kishte ardhur nga Klina për të blerë libra, e mira e këtij panairi është se aty gjen literaturën që e kërkon. Ajo tha se falë interesimit për librin, ndër vite ka arritur të organizojë në shtëpinë e saj një bibliotekë të vogël. “Viteve të kaluara ndoshta nuk ka qenë kaq i organizuar, por tash po. Po shoh se ka të interesuar për librin, për lexim. Shkallëve të pallatit kah u ngjita, pash se kishin blerë shumë. Dhe jam e kënaqur se është shumë mirë kur lexon një popull. Do të thotë nuk është mendja e fjetur”, u shpreh ajo.

Shoqata e Botuesve të Kosovës gjatë ditës së sotme ka bërë publik edhe 5 librat më të shitur nga autorë shqiptarë dhe ndërkombëtar. Listës së librave më të shitur nga autorë shqiptarë i prinë “Kthimi” i autorit Albatros Rexhaj, pasuar nga “Lopa e makiatos” e Veton Surroit. Ndërsa “Vepra e plotë në prozën e shkurtër” i Ismail Kadaresë, “Mësimet e Diolës” i Diola Baftiut dhe “Veprat për Sanxhakun e Nishit” i Sabit Ukës, ishin tri librat tjera më të shitura. Nga autorët e përkthyer u veçuan librat: “Inteligjenca emocionale”, “Njëfarë z.Piekielny”, “Fiset shqiptare”, Historia e vajzës së humbur” dhe “Homo Deus”.

Ndryshe, Panairi i librit “Prishtina 2018” u hap më 5 qershor, për të vazhduar deri sot pasdite ku rreth orës 16 ka filluar edhe mbyllja e tendave, e në të cilin u prezantuan mbi 1 mijë e 400 tituj. Panairi i ardhshëm do të mbahet nga data 4 deri 19 qershor 2019, shkruan 21Media./ KultPlus.com

Reshat Nexhipi fitues i Çmimit Kombëtar “Ali Vishko”

Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, sot, më 10 qershor 2018, e organizoi në Tetovë edicionin e V me radhë të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”, veprimtari kulturore që këtë vit përkoi me 140 – vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila meriton të kujtohet sidomos në këtë periudhë të zhvillimeve të mëdha në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Manifestimin e shpalli të hapur kryetari i Shoqatës “Tradita”, Selam Sulejmani, i cili para pjesëmarrësve tha se pas 140 vitesh, ne të gjithë së bashku e risjellim në vëmendjen tonë kontributin e autoriteteve shqiptare të Lidhjes së Prizrenit, të cilët pas vendimeve të padrejta në kurriz të shqiptarëve në Kongresin e Berlinit, u mblodhën të vendosur dhe të bashkuar, për të luftuar në mbrojtje të interesave të kombit.

“Studiues të njohur të historisë, gjuhës, letërsisë dhe kulturës sonë, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit e vlerësojnë si ngjarjen më të veçantë në historinë moderne shqiptare, sepse sipas tyre e krijoi njësinë e tërësisë kombëtare dhe njësinë e shkollës shqipe. Në të njëjtën kohë është lëvizja që krijoi platformën historike, politike dhe kulturore për formimin e kombit dhe të shtetit shqiptar. Historia jonë na rrëfen se kjo ngjarje është ndër të arriturat më të mëdha të kulturës sonë kombëtare, sidomos kur dihen rrethanat historike të popullit shqiptar, robëria shekullore, lakmitë e shteteve fqinje, qëndrimi i qendrave evropiane të vendosjes, por edhe qëndrimi armiqësor i Portës së Lartë”, theksoi Selam Sulejmani. Ai, po ashtu vuri në dukje se manifestimi kulturor “Lidhja na bashkon”, përtej aspektit historik, në esencën e tij dhe konceptin e përgjithshëm ka edhe karakterin letrar, dhe për këtë arsye ai solli në vëmendje të auditorit vargje nga “Lahuta e Malësisë”, kryevepra e At Gjergj Fishtës, i cili në këtë poemë e fton zanën që së bashku me të, të këndojë në “Lahutë” ngjarjen historike të shqiptarëve, siç është Lidhja e Prizrenit.

Në fjalimin e tij, kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita” shtoi se ngjarjet që u zhvilluan pas vitit 1878, treguan edhe një herë se në çdo situatë kritike që ka kaluar populli shqiptar, atë e ka shpëtuar vetëm organizimi dhe përpjekja e forcave kombëtare, ndërgjegjja e njerëzve më të aftë, më të guximshëm dhe më largpamës.

Referatin kryesor për përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit para pjesëmarrësve në manifestim e paraqiti historiani i njohur, Zeqirja Idrizi, ligjërues në Katedrën e Historisë të Universitetit të Tetovës.

Sipas profesor Zeqirja Idrizit, Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë shqiptare e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut. “Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend Mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë. Pas firmosjes së Marrëveshjes të Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale, dhe në pritje të Kongresit të Berlinit, i cili me shumë mundësi do t’i hiqte hartës shqiptare krahina të shumta, atdhetarët shqiptarë ideuan këtë mbledhje, ku do të shpallnin ndarjen përfundimtare nga sundimi osman. Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë e madhe e organizuar politikisht, administrativisht dhe ushtarakisht për të krijuar një rajon të bashkuar shqiptar qysh nga dështimi i forcave të Skënderbeut në Mesjetë. Është etapa paraprake para Pavarësisë së Shqipërisë. Ajo është një nga përpjekjet më serioze për pavarësinë e vendit, jo vetëm për nga numri i përfaqësuesve që mblodhi, por edhe nga platforma ideologjike. Në këtë kohë dramatike për atdheun 1875 – 1878, kur atdheu kishte më tepër nevojë për me qenë, mendimtarë, politikanë, luftëtarë dhe poetë, pa humbur kohë për asnjë çast, vëllezërit Frashëri si ideologë u rreshtuan në Komitetin e Stambollit si organizatorë të mirë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Me përpjekjet e tyre Lidhja e Prizrenit mori një fuqi të re”, deklaroi. Zeqirja Idrizi.

Në referatin e tij, historiani Idrizi i theksoi edhe emrat e delegatëve pjesëmarrës në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit, në mesin e tyre edhe delegatë nga qyteti i Tetovës dhe më gjerë. “Më 10 qershor 1878 në Prizren të Kosovës, Kuvendi hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës. Unë po përmendi vetëm delegatët nga Tetova: Sheh Mustafë Tetova, Haxhi Sadik Tetova, Riza Fuati, Hasan pashë Derralla, Esat pashë Tetova, Mehmet Efendiu, Rexhep beu, ndërsa nga Gostivari: Haxhi Zylbehari”, deklaroi Prof. Dr. Zeqirja Idrizi.

Referatin e tij profesori i UT-së e përmbylli me pyetjen: “A ka sot burra në këto hapësira, sikur dikur moti, që t’i mbrojnë interesat kombëtare dhe të mos i shesin, as mos i falin tokën dhe interesat kombëtare të shqiptarëve, përfshirë edhe ato ekonomike për interesa afatshkurtëra, personale e partiake?”, për të vazhduar më tej: “Në këtë udhëkryq të historisë së shqiptarëve dhe në këta dy përvjetorë të mëdhenj për kombin tonë – 550-Vjetorin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe 140-Vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit — kah do t’ia mbajnë udhëheqësit e sotëm shqiptarë, kah do e drejtojnë timonin? Drejtë një rruge pa krye që çon në greminë, apo drejtë horizonteve të reja, duke ndjekur, sidomos në këto dy përvjetorë kombëtarë shembullin e heroizmave dhe të bashkimit kombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe të burrave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, tha mes tjerash Zeqirja Idrizi.

Në programin e edicionit të V të manifestimit kulturor të këtij viti, për herë të katërt u nda Çmimi kombëtar “Ali Vishko”, i cili është themeluar në vitin 2014. Në përputhje me Statutin e Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, ky çmim u ndahet personaliteteve shqiptarë nga vendi dhe rajoni në çdo përvjetor të Lidhjes së Prizrenit.

Kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, Selam Sulejmani, me këtë rast deklaroi se pas shpalljes së konkursit, dhe shqyrtimit të propozimeve të arritura, Komisioni përkatës, vendosi që Çmimi kombëtar “Ali Vishko” për vitin 2018 t’i ndahet Reshat Nexhipit, me motivacionin për veprimtari jetësore dhe arritje të veçanta në fushën e shkencës, arsimit dhe kulturës shqiptare.

Ndërkaq, Abdulla Memeti, kryetar i Komisionit për ndarjen e çmimit të lartpërmendur e lexoi referatin përkatës për jetën dhe veprimtarinë arsimore, shkencore dhe kulturore të laureatit të këtij viti.

Reshat Nexhipi, pas pranimit të Çmimit kombëtar “Ali Vishko”, nga kryetari i Shoqatës “Tradita”, Selam Sulejmani, u shpreh se ky çmim është i veçantë për të, kurorëzim i punës së tij, brenda të cilit qëndron biografia tetëdhjetëvjeçare.

Edicioni i V i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon” përfundoi me programin artistik, në kuadër të të cilit u interpretuan pika muzikore-artistike, nga Biondina Selami – në piano, Teuta Emini – në flaut dhe Shkelzën Pajaziti – në violinë. Vargjet me motive historike-kombëtare të shkruara nga poetë e shkrimtarë të njohur të letërsisë shqiptare, si Ali Podrimja, Bardhyl Londo dhe Mitrush Kuteli, i lexuan profesoreshat e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, Zejnepe Alili – Rexhepi, Donika Bakiu, Muhabije Fejzuli dhe Valdeta Dulahi.

Manifestimi kulturor “Lidhja na bashkon” u realizua me mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës të Republikës së Maqedonisë dhe mbështetjen e Universitetit të Tetovës, Komunës së Tetovës, sipërmarrjeve të njohura shqiptare “Zgjimi Kompani” dhe “STR Kompjuters”.

Me angazhimin e përbashkët, me kontributin e intelektualëve nga qyteti i Tetovës, Shkupit, Manastirit, Prishtinës, Tiranës dhe jo vetëm, manifestimi i lartpërmendur është shndërruar në njërën prej ngjarjeve kryesore që zhvillohen në qytetin e Tetovës./ KultPlus.com

Berati mrekullon turistët e huaj

Qyteti i Beratit, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, vazhdon të jetë destinacioni i preferuar i shumë vizitorëve nga e gjithë bota, ku vetëm gjatë muajve janar-maj 2018, u vizitua nga 10.031 turistë të huaj.

Qyteti 2400 vjeçar i Beratit i njohur jo vetëm për bukurinë e tij të rrallë, por edhe për mikpritjen, ka zgjuar interesin e turistëve të shumtë që e kanë vizituar. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Berat bën të ditur se “numri i turistëve që vizituan qytetin e Beratit gjatë periudhës Janar-Maj krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është rritur në mënyrë të ndjeshme me rreth 17.956 vizitorë më shumë”.

Sipas DRKK-së, “numri i vizitorëve të huaj nga vende si Gjermania, Polonia, Franca dhe Italia ka ardhur në rritje duke shkuar në 10.031 vetëm në 5 muaj”.

Turizmi është një nga opsionet më premtuese për rritjen ekonomike në Berat, qytet që me monumentet e tij të kulturës është gjithmonë e më shumë në vëmendjen e turistëve. Qendra urbane e Beratit, reflekton influenca të traditës së banesave popullore ballkanike, që datojnë kryesisht në shekujt e 18 dhe 19 e.s.

Kjo traditë është adaptuar për t’iu përshtatur mënyrës së jetesës së qytetit, me shtëpitë e vendosura në shpate me planimetri kryesisht horizontale dhe që përdorin gjerësisht dritën natyrore.

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë. / KultPlus.com

“Si atà krenët e Shqyptarís, në Prizrend na janë bashkue, Për me folë, me bisedue”

Poezi nga Gjergj Fishta, Lahuta e Malcisë- Kanga e IX, Lidhja e Prizrenit.

Shkrepi dielli buzës s’Cukalit,
Eja e t’kndojm, oj Zana e malit,
Eja e ‘kndojm më Lahutë t’Malcís,
Si atà Krenët e Shqyptarís
Në prizrend na janë bashkue
Per me folë, me bisedue,
Shqyptarín se si m’ e pshtue
Prej çapojve t’ Malit t’ Zí,
Qi ka dýndun top e ushtrí,
Me hi n’ Plavë, me hi n’ Gucí,
Me marrë Shkodren me Malcí,
Dér ku dán vendi me Drí;
Pse, po thonë, Mbreti i Stambollës
Dorë i dhanka Knjaz Nikollë
Me ndezë zjarm aj m’ votra t’ ona,
Me ngá qét aj n’ ara t’ ona
Me ba dru n’ zabele t’ ona,
E me grá e me vasha t’ ona
Me luejtë Shkjau harushë nder né,
Thue se s’ ká Shqyptarë mbí dhé.
Por po kisht’, besa, Shqyptarë,
Kisht’ Shqyptarë zemer bujarë…
Burra t’ urtë, trima luftarë,
Qi s’ po u tutshin kta me dekë
M’ erz a m’ tokë me pasë me i prekë.
Persè, qe, qaj Alí Pasha
Fort ká vra ato vetlla t’ trasha,
Ká vra vetllat edh’ a idhnue,
Burri i botës kur ká ndigue,
Se n’ Berlin asht ba pleqnija
Nen kamë t’ Shkjaut me vue Shqypnija;
Edhè n’ Pejë trimi ká dalë,
T’ tanë Shqypnís ká çue nji fjalë,
Qi shk’ a Krye, shk’ a Bajraktár,
Shk’ a Vojvodë e shpí e parë
Fíll me dalun në Prizrend,
Per me ngrafë atý kuvend,
E, si motit, per, per Atdhé
Me lidhë besë, me lidhun fé:
Besë e fé me lidhë Shqyptare,
Se pá dale Shqypnija fare,
Sa qi n’ fushë as në zabel
Mos të lehë ma qen në stel,
Mos t’ këndojë as pulë as gjel,
Vendin t’ huejve mos m’ u a lshue,
Shkjaut per t’ gjallë mos me ju shtrue,
Mos me vu kapicë mbí krye:
Mbretit fjalen me ja thye.
Edhè n’ lajm qi çpon Alija,
Trup në kamë çohet Shqypnija,
Shk’ a Gegní e shk’ a Toskní:
Çohen Krenë e Bajraktarë,
Agallarë e Pashallarë,
Me Vojvodë e me Begllereë
Trima n’ za, burra me nderë,
Larg t’ permendun per urtí,
Larg te lypun per pleqní:
E kush tok e kush pá shok:
Si atà hyjt qi shkrepin n’ qiell:
Në Prizrend na shkuekan fill,
Prizrenjanët ku mirë po i presin,
Buke e zemer ku po u qesin,
Si zanát qi e ká Shqypnija,
Kur t’ u shkojë miku te shpija.
E si tok na janë bashkue,
Trimat m’ kame atëherë janë çue
E kan dalë në log t’ kuvendit,
M’ ato mojet e Prizrendit,
Ku kan ndejun rend mbas rendit,
Me Ali Pashen n’ krye te vendit.
Vall, ç’ piskati n’ hije t’ blinit,
N’ ato mrize t’ Ljubotinit,
Qi ushtoi vigma ashtu zallís?
Ora e bardhë e Shqyptarís
Paska kenë n’ nji gurrë t’ u lá,
Edhè e Mira paska pá,
Se atjè poshtë – o në Prizrend
Kenkan mbledhë Shqyptarët n’ kuvend;
Paska pá ajo e kenka gzue,
M’ maje t’ bjeshkës paska flutrue,
Edhè n’ giuhë t’ ambel t’ Shqyptarit
Thirrë i paska Zanes s’ Sharit,
Sa qi ushtue ká hapesira:
A po ndien, moj t’ raftë e mira!
Moj shtat – rrituna në mjaltë?
Peja i’ herë m’ ket bjeshkë të naltë,
Peja ‘i herë, per n’ daç me pá,
Shka s’ ké pá as n’ Turk as n’ Shkjá.
Zana mirë ate e ká ndie;
Fluturim asht lshue n’ ajrí,
I a ká behë m’bjeshkë t’ Ljubotinit,
Sa rre’ ‘i herë qepalli i synit,
Ku atý para i ka dalë Ora,
Edhë kapun dora — dora,
Tue kuvendë motra me moter,
Na kan zanun vend m’ nji koder.
Vend m’ at koder, si kan zanë,
Ká qitë Ora edhè i ká thanë:
Se un, qi dijtë e kam ma s’ miri,
Se tý p’ reherë t’ a ka dashtë hiri
Me t’ kuvendun fjalë burrnije,
Me t’permendun punë trimnije
E me njoftë burrat e dheut,
Qi per Fé e lirí t’ Atdheut,
Vringllojn shpatat si vetima,
Trandin boten si bumllima,
Bajn anmikun copa e grima:
Deshta t’ thrras, moj vetull – njalë,
Mbí ket bjeshkë nji herë me m’dalë,
Per me t’ thanë se edhè n’ditë t’ sotit
Po kisht’ burra porsi motit,
Mos me u tremë në flakë t’ barotit,
Mos me u tutë n’ vringllim t’ çelikut,
Ballë per ballë m’ i u turrë anmikut.
A i shef, poshtë, atje n’ Prizrend,
Njatà burra mbledhë n’ kuvend?
A thue i shef ea thue po i njef ?>>
Un po i shof por nuk po i njof
Nuk po i njof, jo, se kush janë,
Po i pergjegjë e bardha Zanë,
Veç, mbas giaset, kish’ me thanë,
Se ata Akejt na kenkan njallun
Qi t’ largë Trojen paten kallun:
Pse edh’ aj trimi n’ krye te vendit,
Qi po dán në log t’ kuvendit
Porsi t’ isht’ nji rod drangonit,
Fort m’ i giaka Agamemnonit;
Si p’r at tjetrin, pak pertej,
Me atà dy mustakë te mdhej,
Krah e m’krah qi i paska lshue,
E qi folka si tu ulrue,
Kish’ me thanë se asht Diomedi.
Fort ká qeshë Ora me vedi,
Fort ká qeshë e kshtu i ká thanë:
Se atà Akej, besa, nuk janë,
S’ janë Akej as s’ janë Dardaj,
As vigaj, as katallaj;
Por janë Krenët e Shqyptarís,
Krent e Gegve e t’ Tosknís,
Qi kan dalun ne kët dhá
Me lidhë besë, me lidhun fé,
Edhè m’ armë kta me u shterngue,
Europës fjalen m’i a poshtue,
Qi me Mbret paska pleqnue
Me dhanë dorë Malit të Zí
T’ a coptojë t’ mjeren Shqypní.
Sá p’ r at trimin n’ krye te vendit,
Qi po t’ dán ne log t’ kuvendit
Porsi t’ isht’ nji rod drangonit
E qi i gjaka Agamemnonit,
Aj nuk asht mori lum vasha,
Tjeterkush veç se Alì Pasha,
Qi per t’ drejta t’ Shqyptarís
Vetë i a nep zjarmin shtëpís,
E s’i dhimen nanë djalë:
Per to jeten vetë e falë.
E nji tjetri, ma pertej,
Me ata dy mustakë te mdhej
Me i prekë m’ shoq qi ka bri vedi,
Aj nuk asht, jo, Dijomedi,
Por asht Bajraktari i Shkrelit:
Si njaj pyrgu m’ ballë t’ kështjelit,
Qi s’e trandë as topi as shpata,
E i thonë emnit Marash Vata.
Jo qi ka atý burra tjerë,
Bajraktarë, Krenë e Beglerë,
Qi per fjalë e per urtí,
Per trimní, e bujarí
Nuk i a lshojn vendin kurrkuej
As n’ Shqypní, as nder të huej.
A e she” ‘i herë njat burrë zeshkan,
Me kollçikë e me fistan,
Qi m’ a ka sýnin si zhgjeta,
Qi m’ i bajn t’ gjith t’u ngiatjeta,
E qi folka ashtu pa u zé,
Herë tue matë, mandej tue pré:
Qi prandej njat fjalë qi e flet,
Mbreti as Krajli nuk i a shklet:
Pse edhè e tij bujare
Larg permendë asht n’ tokë Shqyptare
Per kah pupla e per kah dija,
Pá te cillat s’ rron Shqypnija?
Aj asht trimi Frasher Begu,
Qi gjithkund, k e qiti shtegu,
I la naam aj Toskënís
Faqe t’ bardhë i la Shqypnís.
Mandej vjen nji Qafelí,
Prenk Bibë Doda, djale zotní:
Per kah mosha, mjaft i rí,
Por i vjeter per pleqní,
Kur të dojë me folë urtí:
Aj asht, Zanë njaj Kapitani,
Kapitani prej Mirditet,
Per të cillin larg perflitet,
Larg perflitet, larg kallzohet,
Zí edhè bardh per te shartohet.
Atëherë vjen në rend toptani,
Qi edhe ktiji vojt zani,
Per shka mirë e zí qi bani:
Persè i forti, si e din vetë,
Mirë e zí punon n’ ket jetë,
Kur t’i marrë mandja perpjetë.
Per bri tij vjen prap Zogolli,
Gjetë Gegë Shllaku edhe Begolli;
Vjen Çun Mula e vjen Mar Lula,
Njani Hot e tjetri Shalë,
T’ fortë per pushkë e t’ urtë per fjalë;
Si aj Dodë Prëçi prej Kastratit,
Me at Vrijonin e Beratit,
Edhè trimi n’ za Deralla,
Qi po i kishin fjalët e rralla,
Por s’ po çajshin shum kopalla
Ku po, isht’ puna me qindrue,
Me qindrue p’r Atdhé t’ bekue.
Por pertej, m’ at tjetren anë,
Aj asht, Zanë, nji burrë shkodranë:
Asht Shan Deda i Dedë Jakupit,
Qi, si Ltinit, si Halldupit
Rrumullak fjalen u a flet;
Pse asht derë pushka gjet me gjet
E s’ merr vesht per Krajl as Mbret.
Se ti, besa, mirë po thue,
Mori Zana me ligjrue,
Se edhè n’ sý jam tue e dallitun,
Qi kudo puna me e qitun,
Per pá e shkrepë ky s’kisht me u pritun.
Veç un deshta ktu t’ a die,
Se kush asht njaj kime – zi
N’ dý kubure e n’ nji harbí,
Qi e ká vu ksulen m’ nja’n sý
E i ká lshue tirqit nen í.
Sikur lshue s’ i ká kurrnjeni?
Aj asht, Zanë, Abdullah Dreni:
Njaj, pa t’ cillin s’ hecë kuvendi
E i a dro t’ keqen Prizrendi.
Dro Prizrendi e dro Gjakova
Rreth e çark i a dro Kosova;
Pse fjalë peng aj kurr s’ ká lanun;
pse per mik e bese te dhanun
Vetë i a nep zjarmin shtëpís:
Sh1i me Mbret pushken e nisë,
E as s’ len marre Shqypnís.
Dersá m’ bjeshkë te Ljubotinit
Per nen hije t’ mrazitë të blinit
Po ligjrojshin Zana e Ora,
Krye më krye e dora — dora,
Atje poshtë në Prizrënd
Abdull Frasheri, i Toskë me mend,
Kshtu ká nisë të çilë kuvend:
Enè breshtet t’ Kapitolit
Dalë nuk kisht’e murrtë ulkoja,
Per me i dhanun sisë Romólit,
Mbasi shamë kje per dhé Troja:
E atjè larg, po, kah Urali,
Nper atò breshta te larta,
Sillej Shkjau, si shkerbé mali,
Tue kerkue per molla t’ tharta,
Kur m’ kto vise te Ballkanit
Të Parët t’ onë, Pelazgt e motit
Gjan e gjallë kullotshin planit,
Qét i ngitshin m’ fushë të Zotit.
Kishin frone e ligjë të mara,
E giatë shtegut t’gjytetnimit
Ishin shtý atà larg perpara
Q’ me prendverë te rruzullimit.
Prej kah fill zen rriba e Verit
E m’ Vezuv t’ veshun n’gjineshtra:
Prej kaukazit m’ Shkam t’ Doverit,
Ku rri Albjona e pjekë gjenjeshtra,
Fis ma t’ vjeter kund nuk ká
Se asht ky fisi n’ za i Shqyptarit,
Ne mes t’cillit punët e mdhá
Per Europë z^në t’enden s’parit.
Po, m’ kto male e karpa t’ ona
S’ parit Zeusi njerzit i rysi,
E me augure te Dodona
Egersín aj u a permysi;
Ktú edhè s’ parit Orë e Zana
Nisen valle me vallzue,
E nper vrrije e fusha t’ gjana
Zu Pegazi me lodrue.
Këtu, Leka mati hapin
Me i dalë botes n’ fund e n’ krye,
Edhe n’ Hind e çpori vrapin
Rrufén n’ dorë, vetimen n’ sý:
Si edhè Pirri, qi, mbrefë pallen
E dalë detin si duhí,
Shi nen Rromë e shtroi hamballen
Të tanë n’ krena Rromakësh t’ rí.
Kudo rrani turr Shqyptari,
Mirë aj lidhë me besë e fé,
Atje lufta mori zhari,
Atje gjaku rrmej nper dhé;
E as s’u gjet kund mal a rrmore
Qi atij hovin me i a ndalun;
I rá zhyt aj valës mizore,
Me armë n’ dorë nper flkë ká dalun.
Gal, Rromakë, po dikur motit
Kjenë pershkue nper tokë Shqyptare,
Si edhè fiset e Ostrogotit
Me ata slavt,kta dalshin fare!
Por Shqyptari s’ e perkuli
I gjallë qafen nen zgiedhë t’ huej:
E lshoi token, ne mal dueli,
Por të dheta s’ i lau kuej.
Porsi njaj tallazi i detit,
Qi dyndë mal e bardh prej shkume,
Dekë e mnderë tue lanë mbas vetit,
Vjen e thehet m’kep t’ndo i gume:
Njekshtu forca e cilldo anmiku,
‘Qi desht dam t’ na i sjellë lirís,
Erdh e u thye m’ parsme çeliku
T’ bijve t’ maleve t’ Shqypnís.
Pat kujtue Sulltan Murati
Se Shqyptarët i ká lshue zemra,
Se prandej po u rrin aj gati
E rob t’ zanë po i shtron nen themra;
Edhè dyndë nji ushtrí kreshnike,
Të tanë djelm t’regjun nder gjaqe:
Bota marë eshtet prej frike;
Kján Europa, lott per faqe.
Por n’ ket punë u gjet gabue;
Skanderbegu ‘i rrfé prej qiellit
Pallen zier atjè në Krue:
Se ç’ vetun ká n’ rreze t’ diellit!
E si ula tue buluritun,
Shqyptarís i a lshon kushtrimin,
Qi, shk’ a burrë, ne luftë me zbritun,
Turkut m’ armë m’i a shtypë guzimin.
Trup në kamë i a ban shqypnija,
Mirë nder armë edhe shterngohet,
E si breshni e si duhija
Fulikare mbi Turk lshohet.
N’ at turr t’ tyne trendet toka,
Tymi çohet dér mbí re,
Bumbullojn male edhè boka,
Rrëmen gjaku shtoj kurrne.
Shtri m’ fushë t’ Dibers Janiçeri
E, si kau nen thikë të kandarit,
T’ u perpjekë per tokë i mjeri,
Ka’ e ndrydhë m’fyt kama e Shqyptarit,
Aj e shef, sado qi vonë,
Se me dhunë Shqypnija s’ shkilet,
E se rrejn atà qi thonë,
Se p’r Atdhé Shqyptari s’ vritet.
Jo prá, vritet, pasha Zotin!
Nisë Shan Deda, n’ fjalë t’ u zé,
Porsi vrám asht aj gjithmotin,
Kur kje puna per Atdhé.
Edhè Mbreti të Stambollit
Shqyptarët pushken i a kan vu,
Sa herë Turqit e Anadollit
Paten dashë me u shkelë, m’ kanu.
Kú t’ a lypë e mira e Atdheut
E t’ a hjekë lirija e vendit,
Kush a nipash t’ Skanderbeut,
I ç’ do fés e i ç’ do kuvendit,
Per t’ a msý aj ká anmikun,
Si petriti zogjt trumcakë,
E kudo t’ vringllojn çelikun
Nuk len token pa e pergjakë.
Mocë Shqyptarët me stalagtita,
Lirë gjithmonë kta e kan shkue jeten;
E se enden nata e dita.
Se zen vjeta ne rend vjeten,
Kta, posë Zotit t’ naltë t’ Empirit,
Qi ushqen krijen e veshë lulen,
Kryet dér sod perpara nirit
Enè kurr nuk e perkulen.
M’ kamë, atëherë,burra të dheut,
Mbasi t’ zott jemi me dekë
Per lirí e nderë t’ Atdheut,
Prap zen Duli fjalët me i thekë:
Perse sod a kurr Shqyptari
Gjan e vehten do t’ bajë flí
Per Atdhé, qi atí i la i Pari,
E per nderë e per lirí.
Sod t’shtatët Krajlat edhè mbreti,
N’ at Berlin n’ kuvend bashkue,
E kan ba pleqnín n’ mjet veti
Malcín Knjazit me i a lshue;
Me i a lshue Knjazit Malcín,
Me na dá né vllá me vllá,
Me na hupun Shqyptarín,
Me na lanun rob nen Shkjá.
Kush a nipash t’ Kastrijotit,
Qi ká nderë e nuk bán kore:
Burrë, si burrat qi kjenë motit:
Aj sod armët të rrokë mizore
E të dalë në breg të Cemit,
Prej kah Shkjau rri e na kercnohet,
M’ i a diftue botës e polemit,
Se pá gjak Shqypnija s’ shtrohet.
Ktu s’ do t’ shklasë, jo kama e huej;
Kush, posë nesh, s’ zen qé m’ket tokë;
Se na rob s’ i shtrohna kuej,
Dér sa t’ jemi gjallë me kokë,
Me eshtna t’ onë, po, na Shqypnís
Nji murojë kem’per t’ i a vu,
Qi edhe topat e Rusís
S’kan per t’mujtë, jo m’e dermue.
Abdyl Frasheri kshtu foli;
Kur Mar Lula, i pari i Shalës
Nji sý zjarm, nji zog sokoli,
Burrë i zoti i pushkës e i fjalës:
I a pret fjalen n’ log t’ kuvendit:
Se ti, pasha at Sh’ Marrabé!
Sá per t’ dalun zot un vendit,
Me m’ qortue nevojë nuk ké.
Pse, se a zanun kjo Shqypní,
Un kam ndejë me pushkë per faqe,
E per vend e per lirí
Kam rá pré, kam bamun gjaqe.
Kam shkue jeten si bishë malit,
Zdathë e zdeshë edhë pá ngranë;
Por as Mbretit, por as Krajlit
Tungiatjeta s’ i kam thanë.
Un kam ruejtë gjuhen shqyptare;
Un kam mbajtë doke e kanu,
E as per pare e as per timare,
Gjak e t’ Parë s’ i kam mohue.
Prandej, Shkjau me pasë per t’msý
E me dalë kndej kah Shqypnija,
( Si po thonë se ká vu sý )
Ká me u ndeshë, po m’ armë të mija,
M’ armë të Lekve e t’Dukagjinit,
Qi, me ndihmë të Perendís,
Kan m’i a thye pleqnín Berlinit,
Kan m’i a pshtue lirín Shqypnís.
Por pse m’thue me u vrá me Shkjá;
Tue pasë mrendë na Anadollakun,
Qi kurr t’keqen s’m’ a ká dá,
Qi kurr qafet s’ m’ a hoq lakun:
Qi edhè zèmren m” a ká thá
E m’ ká mytë aj tatë e nanë,
E shnjerzue m’ ká grue e moter,
E s’ m’ ká lanë me u rritë djalë n’ voter?
M’ ká korrë aren e punueme
M’ ká marrë token e trashgueme,
E tue m’ ba kanun paçaver,
M’ ká marrë qét po per nen laver,
M’ ká marrë lopet me gjith viça,
M’ ká marrë delet me gji’ ogiça,
M’ ká marrë dhen e m’ ká marrë dhiz,
M’ ká thá vathë e m’ ká thá mriz:
Edhè sod m’ ka vu leçí,
Mos me folë n’giuhe t’ t’ Parve t’ mí;
E m’ a man giunin mbí bark,
E m’ a repë shpirtin me çark
Si mo’ Zot, ma keq per mue,
Nder thoj t’tij qi kam qillue?…
Po a pse Turqit e Anadollit
Duan të tallen këtij trollit,
Na m’i a vu pushken Nikollit?
Jo, per Zotin! – kjoftë levdue!
Se un Manov nuk kam qillue,
Qi me dalë e me luftue,
Perse Krajli a perse Mbreti
Duen të m’majn mue rob nen veti;
Un luftoj veç per lirí,
Per erz t’ em e per Shqypní:
Se un t’huej’n zot s’e due në shpí,
S’ due te njof as Krajl as Mbret:
Mbret Shqyptari asht n’ vend te vet.–
Të lumtë goja, bajraktár,
Ali Pasha, ‘i trim bujár,
Merr e i thotë t’ parit te Shalës,
Se ti lak s’ i bake fjalës.
Se ti folke n’ log t’ kuvendit,
Si po e lypte e mira e vendit.
Per Shqyptarë, si jemi na,
Turk a Shkjá te dy jane nja;
Pse të dy, si Turk si Shkjá,
Né me sý s’ duem me na pá,
Edhè jane per né të huejë:
Gjind, qi as vedit as tjerkujë
Nuk janë të zott nji t’mirë m’a s sjellë,
As per dije e mende të kthellë,
As per punë, as per tregtí,
As per t’ marë në gjytetní.
Por, pse na të vogjel jemi,
Pse kend fis as vllá nuk kemi,
Na sod Shkjaut s’mund t’ i bajm ballë,
Qi po do t’na perpijë gjallë;
Prandej, thom, se e lypë e mara,
Qi edhè sod na si perpara,
Të rrijm njitë me Mbret t’Stambollit,
Per me i bamun ballë Nikollit.
Dikur dita ká me ague,
Qi edhè Turku do t’ marre m’ thue:
E m’ atëherë, shka a Toskë e Gegë,
T’ mlidhen tok, si kokrrat n’ shegë,
E t’ i a napin Turkut t’ shtýmen:
Qi s’ndrron vesin, veç se qýmen:
E t’ a lshojn krye – picingul,
T’ i a thejn zverkun në Mosul.
Prá, ju burra, un kish’ me thanë;
Ktu fjalë tjeter mos me zanë;
Veç me hi me shkrue nji leter,
Me shkrue ‘i leter m’ kanu t’ vjeter
Per t’ shtatët Krajlat mledhë n’Berlin:
Qi, pa u shterrun Dri e Shkumin,
Edhè Buena per pa u thá,
Na per t’ gjallë nuk rrím nen Shkjá.–
Kshtu ká folë pasha i Gucís.
Edhè Krenët e Shqyptarís
Kan marrë letren per m’ e shkrue,
Fjalë per fjalë kshtu tue e peshue:
Ju qi jeni të shtatët Krajlat,
Edhè Mbreti i Stambollës,
Falmeshndet Krenët e Shqypnís.
Per njat gjýgj, qi e kini bamun,
Qi nen Shkjá me vue Shqypnija,
Pa shikjoni, se, per Zotin,
Mund t’na bijë ndo’i punë e keqe;
Pse na rob s’i bahna kuej,
Pagë e t’ dheta s’ lájm kuej.
Njiket tokë të shqyptarís
Zoti vetë Aj na e ká falun
E as Taljanit marrë s’ i a kemi,
As rrëmye s’ i a kem’ Francezit.
As Inglizit, as Teutonit,
Se ma slavit jo se jo,
Qi veç dje ká rá n’ Balkan
E kush di se ku e kputë zverkun:
Si ajo vrula e kacalecit:
Sod këtu, neser s’ diej ku.
Sá per Mbretin e Stambollit,
Qi po thotë, se Knjaz Nikollit
Do t’ i falë Shkodrë e Malcí,
Mund t’ i thoni se Shqypnija
Nji shportë fiqsh nuk ká qillue,
Per m’ u a ná miqve peshqesh;
Por asht toka e t’ Parvet t’ onë,
Asht Atdheu, po, i Skanderbeut,
Asht Atdheu, po i Mojs Golemit
E i atij Lekë Dukagjinit,
Edhè i Kukës edhè i Muzakut
Edhè i Strezës e i Aranitit
Qi e kan lá t’ tanë me gjak t’ Turkut.
Prandaj s’ ká as krajl as Mberet,
Qi ket tokë e falë a e shet,
Dér sá t’ két nji zog Shqyptari,
Qi t’ bajë hije permbi dhé.
Kështu letren e kan shkrue,
Edhe mirë e kan palue,
Mandej shtek ata i kan dhanë
Per Berlin, ku kishin zanë
Mbereti e krajlat, gjýgj me i dá
Shekllit t’ngratë, në gjak krejt lá.

Dëmtohen instrumentet muzikore në Sallën e Kuqe, futen në hapësira të ngushta për shkak të Panairit të Librit

Sot e pesë ditë në kryeqytetin kosovar po mbahet Panairi i Librit, që ka zënë vend në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Ky pallat, përveç të tjerash është edhe një nga vendet kyçe që kumbojnë vepra të mëdha muzikore, pasi që, aty thuajse çdoherë mbajnë koncert Filharmonia e Kosovës dhe koncertet e festivaleve të ndryshme që ndodhin në Prishtinë.

Pasi që, ky pallat është edhe i koncerteve, aty padyshim që ka instrumente muzikore, të cilat me ardhjen e librave janë gjuajtur në qoshe të ndryshme të Pallatit të Rinisë, dhe krejt kjo tregon dëmtimin e tyre.

Një piano, është futur në një pjesë prapa skenës së vogël të sallës së kuqe dhe mbi të përpos mbeturinave, është vënë edhe një karrige. Një gjest të tillë e dënuan qytetarët, duke e fotografuar dhe publikuar në rrjetin social Facebook. Me këtë rast ka reaguar edhe Besa Luzha, drejtoresha e Festivalit Chopin Piano Fest.

“Qe qysh kujdesen për instrumentet muzikore në sallën e kuqe. Prandaj na duhet një sallë vetëm për koncerte e ku nuk mbahen aktivitete të tjera nga njerëz që kështu i trajtojnë instrumentet e ndjeshme muzikore”, ka shkruar Luzha./ KultPlus.com

Kush është Mehmet Deralla që e bëri të reagojë kryeministrin

Një zonjë nga familja e Mehmet Derallës doli pa protokoll të fliste në foltore ku po mbahej 140 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ajo nisi të fliste për Lidhjen dhe për kontributin e paraardhësit të saj, Mehmet Derallës, por zëri nuk i dëgjohej. Mikrofoni i ishte i fikur. Megjithatë, ajo vazhdonte të fliste.

Por, ishte kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili u kujdes që zëri i saj të depërtojë në veshët e të pranishmëve. U zgjua nga karrigia dhe ia ndezi mikrofonin.

Fjalimi i saj e nervozoi kryeministrit, Ramush Haradinaj, i cili po ashtu u zgjua nga karrigia dhe shkoi në foltore për ta larguar me forcë zonjën prej aty. E kapi për dorës për ta larguar. Ajo refuzoi duke u mbajtur për foltores. Kryeministri kërkoi ndihmën e sigurimit të cilën e kryen këtë punë.

Por kush ishte Mehmet Deralla?

Arsimin fillor e mori në Tetovë, kurse atë të mesëm në Shkup. Pas shkollimit në vendlindje, ai ndoqi studimet e larta në Akademinë Ushtarake të Stambollit, të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera.

Pas diplomimit do të shërbente për disa vite në një regjiment këmbësorie në Anadoll dhe njëherazi, atij do t’i jepej e drejta për të ndjekur shkollën e lartë të Shtatmadhorisë në Stamboll, që ishte niveli më i lartë i arsimimit ushtarak në Turqi.

Suksesi në karrierë falë aftësive dhe shkallës së lartë të përkushtimit në të gjitha detyrat e ngarkuara, do ta bënin Mehemtin që në moshën 35-vjeçare të përligjte kualitetet e titullit të “Pashait”, që nënkuptonte atë të gjeneralit. I graduar kështu me gradën më të lartë të kohës do të niste nga detyrat e reja që do t’i besonte komanda e lartë, fillimisht si komandues xhandarmërie në Bagdad të Irakut dhe, më vonë, në Halep të Sirisë për t’u transferuar më tej në Selanik, i cili në atë periudhë përfaqësonte një nga portet më të rëndësishëm të Perandorisë Osmane në Ballkan.

Prej Selanikut Mehmet Pashë Dërralla, do të merrte emërimin në vilajetin e Kosovës për të shërbyer në kryeqendrën e tij, në Shkup për të vijuar më vonë në funksionin e komandantit të qarkut të Prizrenit në të cilin bënte pjesë edhe Tetova, Gjakova dhe Luma.

Pikërisht me këtë detyrë gjeneral Dëralla, do t’i jepte fund karrierës si oficer i ushtrisë osmane. Më tej, për të fillon një karrierë tjetër, me një profil të ri. Ai në shenjë proteste hoqi spaletat dhe yjet e gjeneralit të Ushtrisë turke dhe iu përkushtua çështjes kombëtare. Pas këtij momenti gjenerali u vu në dispozicion të Ushtrisë Vullnetare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Jemi në kohën kur Lëvizja Kombëtare Shqiptare kulmonte një moment historik. Mehmet Pashë Dërralla u caktua këshilltar i Sulejman Vokshit, i cili bënte detyrën e ministrit të Mbrojtjes të kabinetit qeveritar. Në të njëjtën linjë vazhdon aktiviteti atdhetar i Mehmet Dërrallës edhe pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit nga ushtria osmane e dërguar nga Stambolli. Prej këtij momenti trishtues, gjenerali Dërralla do të kontribuonte në Lidhjen e Pejës.

Janë përpjekjet e personaliteteve shqiptare të vitit 1899, të cilët në drejtimin e Haxhi Zekës, ndërmorën aksionin për të realizuar atë që nuk mundi ta bënte Lidhja e Prizrenit. Sidoqoftë përballë taborëve osmane, kjo lëvizje detyrohet të dështojë. Në këtë krizë Mehmet Pashë Dërralla u kap nga forcat okupatore dhe u internua në shkretëtirat e Irakut prej nga u kthye aty nga viti 1908, falë një amnistie të përgjithshme, që u dha pas kryengritjes xhon-turke.

Në situatën e mëvonshme Mehmet Dërrallës, ju ofrua një funksion i lartë në ushtrinë osmane, por ai e refuzoi prerazi, duke vënë në dukje se, tanimë i përkiste tjetër kauze që kishte të bënte me idealin kombëtar.

Roli i Mehmet Pashë Dërrallës në organizimin dhe drejtimin e kryengritjeve të mëdha të Kosovës të viteve 1910, 1911 dhe 1912. Ishin këto beteja që kulmuan me atë të verës së vitit 1912, e cila shënoi marrjen e Shkupit, ish- qendrës së vilajetit të Kosovës.

Kryengritësit shqiptarë, tashmë tronditën tërë mjedisin ballkanik, në të cilin faktori shqiptar filloi të bëhej dominant. Në fokusin e lëvizjes së tyre u vendos në këtë periudhë shpërfillja e hegjemonizmit të shteteve fqinje siç ishte, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia, të cilat prej kohësh investonin për strategjinë e tyre që kishte të bënte me mohimin e ekzistencën e kombit shqiptar, në mënyrë që të zgjeronin territoret e tyre.

Gjenerali Dëralla ishte një nga protagonistët kryesorë të qëndresës shekullore përballë sulmeve serbo-malazeze, të cilat synonin pushtimin e Shqipërisë veriore. Nën komandën e tij, luftëtarët shqiptarë i gozhduan forcat serbe në hapësirën ndërmjet Drinit të Bardhë e Drinit të Zi, shkruan NjëKomb./ KultPlus.com

Emrat shqiptarë që lidhën botën me trojet shqiptare dhe 140-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Sot po shënohet 140-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shkruan KultPlus.

Përgjatë shumë viteve trojet shqiptare i kanë dhënë botës emra të mëdhenj, ku përmes tyre edhe është përçuar tradita dhe kultura shqipe.

140 vite nga Lidhja e Shqiptarëve në Prizren, ndërsa Lidhja e Shqiptarëve me Botën, mund të themi lirshëm që u bë përmes këtyre emrave.

Nënë Tereza, Ismail Kadare, Rita Ora, Dua Lipa, Era Istrefi, Bebe Rexha, Ermonela Jaho, Inva Mula, Saimir Pirgu, Majlinda Kelmendi, Bekim Fehmiu, Fadil Vokrri, e shumë e shumë të tjerë i dhanë botës shumë nga kultura shqiptare.

Me këta emra shqiptarët pushtuan skena të ndryshme të operave, skena muzikore, skena teatrale e sete filmike, stadiume futbolli e ring boksi, biblioteka e panaire botërore e mbi të gjitha bota u pushtua nga dashuria e paqja përmes emrit shqiptar./ KultPlus.com

“Telegraph”: Trojet e Ilirisë, historia me shumë kapituj e Shqipërisë antike nuk duhet humbur

Marrim tatëpjetën, larg ujit, lëmë pas tavolinat e kafeneve në trotuaret përgjatë bulevardit ”Epidam”. Pastaj marrim kthesën nga e majta drejt rrugës së Kalasë dhe një ditë e nxehtë e Shqipërisë së shekullit XXI shkrihet e tëra duke i lënë venin shekullit II dhe Perandorisë Romake në gjithë pomozitetin e saj.

I rrethuar nga shtëpi në stilin modern të ndërtuara aty-këtu, por i dukshëm në madhështinë e tij, Amfiteatri i Durrësit, ende mund të oshëtijë edhe pa bërë ndonjë kapërcim të madh imagjinate, nga ndeshjet me shpata të gladiatorëve dhe vendet lart në shkallaren mbi arenë.

Carolyn Perry qesh vesh më vesh si nëna e një fituesi në garën e shkollës.

“Nuk e prisje, apo jo?, – buzëqesh ajo.

“Jo, nuk e prisja. Asnjë nga ne nuk e kishte parashikuar.” Në vizitën e parë, Durrësi është saktësisht ajo çka pret nga qyteti i dytë më i madh në Shqipëri. Anijet me mallra kanë mbushur portin, që zhurmon e zhurmon përballë zemrës së qytetit, tragetet që presin në radhë të përshkruajnë Adriatikun drejt Barit dhe Ankonës.

Trafiku bllokon rrugët e ngushta të qytetit. Turistët mbushin hotelet shumëkatëshe që rrethojnë zonat e plazhit drejt juglindjes, që janë ngritur me bumin e vrullshëm të ndërtimit, kur vendi u çlirua nga kontrolli i komunizmit, në 1992.

Por, Amfiteatri i Durrësit tregon një histori me shumë kapituj. Jo vetëm periudhën romake (ai u ndërtua gjatë sundimit të perandorit Trajan), por edhe epokën bizantine të mëvonshmë (mozaikët e shekullit VI, nga koha kur teatri përdorej si një kishë, dy dhoma të zbukuruara në katin e parë dhe periudha otomane që pasoi në shekullin XV (arena u mbulua në shekullin XVI nga shtëpitë që mbinë masivisht).

Dhe kjo është vetëm një pjesë nga përralla e një qyteti që u themelua si Epidam prej kolonizatorëve grekë në vitin 627 para Krishtit – ndonëse periudha e largët rikujtohet në statujat dhe copëzat e poçerisë që gjenden të ekspozuara në muzeun e shkëlqyer që ndodhet aty pranë.

Po kaq domethënës ishte qyteti edhe në pushtimin e Romës, i njohur si Dyrrahu, kur edhe filloi rruga ”Egnatia”, që vazhdoi 70 milje (161 kilometra) në lindje drejt Stambollit të sotëm. Çuditërisht, njëra nga portat e vjetra që të çon drejt kësaj rruge të rëndësishme mespërmes Ballkanit ende ekziston, si pjesë e hyrjes së vinotekës ”Portiku”, në rrugën ”Skënderbej”.

Ka kaq shumë detaje për t’u fiksuar, por ne do përpiqemi më vonë në mbrëmje, gjatë darkës në restorant ”Tirona”, larg vinçave dhe portit, në një zone të resortit të Durrësit.

Jemi 13 veta, nga fillimi i të 40-ave deri mbi 70 dhe kemi pak histori udhëtarësh për t’i treguar njëri-tjetrit teksa shijojmë gotat me verë. Nga udhëtime në shtete më pak interesante si Uzbekistani dhe Taxhikistani, në kohë më të qeta, deri në vende të trazuara si Afganistani, Siria dhe Libia. Por, megjithë vulat tona në pasaporta dhe dëshirën e madhe për të udhëtuar, asnjëri prej nesh nuk e kishte pasur një ekperiencë të mëparshme në Shqipëri, një vend të cilin e kuptuam shumë shpejt se ka një të kaluar të komplikuar dhe të lavdishme.

Do të qëndrojmë 48 orë në “Trojet e Ilirisë”, një udhëtim nëntëditor, të shoqëruar nga “Steppes Travel” që në të vërtetë shkon përtej emrit që mbart duke prekur historinë e shumë shqiptarëve gjatë 28 shekujve të fundit të Shqipërisë, përfshirë kryesisht, edhe periudhën komuniste.

Por, fokusi kryesor janë fiset ilire që lulëzuan gjatë këtij udhëkryqi europian midis shekullit V dhe vitit 168 para Krishtit, kur u pushtuan nga Roma.

Ne jemi shumë të interesuar rreth historisë. Pavarësisht miljeve të shumta, pak prej nesh e njohin historinë e fermerëve dhe luftëtarëve që kanë ekzistuar, së bashku me grekët e lashtë, por që janë lënë pas dore në tekstet shkollore.

Në zonat arkeologjike, në kafenetë e vogla, çdo mbrëmje ajo zbulon nga një element të së djeshmes, për të cilat, në fillim të çdo udhëtimi, shumë prej nesh nuk është i vetëdijshëm.

Fatmirësisht, ne kemi Carolyn, një eksperte e historisë antike, e cila ka punuar në Muzeun Britanik dhe ka drejtuar disa grupe në vende të ndryshme si Irani dhe Arabia Saudite dhe është tërhequr nga një ndjenjë e madhe për Shqipërinë, dhe ka vendosur të blejë disa prona pranë qytetit të Durrësit.

Ajo i testoi njohuritë e saj në Lezhë, një qytet në lumin Drin, 45 milje (72 kilometra) në veri të Durrësit, ku i vinte rrotull një muri të vjetër që përbëhej nga mbetjet e “Lissos” (Lezha) një kala ilire e themeluar në vitin 385 para Krishtit.

“Një nga problemet me ilirët”, zbulon ajo, ”është se ata nuk kishin kulturë të shkruari”.

Nuk ka të dhëna të drejtpërdrejta nga historia e fiseve ilire.

Ajo që dihet është shkruar nga grekët dhe romakët.

“Megjithatë, rrënojat flasin me zë të lartë duke mbështetur pikëpamjet e saj – prerjet diagonale të gurit, të projektuara për t’i ndihmuar ata që të përballonin tërmetet, një dëshmi e zgjuarsi ilire; ekzistenca e gjurmëve të duarve romake në një sauna. Gjithashtu, gjenden edhe prova të tjera.

Dikur, një tempull ilir dhe më vonë katedralja e “Shën Nikollës”, tani është një mauzole kushtuar Gjergj Kastriotit, një figurë e fuqishme ushtarake, i njohur ndryshe si “Skënderbeu”, i cili arriti të ndalte përparimin osman në Ballkan në shekullin XV.

Ne admirojmë 25 mburojat metalike të mbështetura në tulla, secila prej tyre përfaqëson fitoret e betejave që i atribuohen këtij ushtaraku midis viteve 1444 dhe 1468.

“Shqipëria është një sagë me shumë shtresa”, shpjegon Carolyn. “Dhe, kjo përben gjithë gëzimin e historisë së saj”.

Ajo u ndihmua nga Dorian Disha, me banim në Tiranë, për të kuptuar më tepër rreth historisë së kombit.

Dhe ndërsa, drejtohemi drejt jugut, ai ngre temën e zymtë të bunkerëve, – një trashëgimi paranojake e viteve komuniste, sidomos të viteve ’ 70, kur diktatori Enver Hoxha ishte i bindur se Shqipëria ishte nën kërcënimin e pushtimit të të huajve .

Doriani gjen gëzim në hijet e betonit, aty pranë ku lopët përtypin barin, madje edhe në kryeqytet.

“Në vitin 1992, kur barrierat mbi lëvizjen u hoqën, të gjithë dëshironim të shkonim në qytet. Tani, të gjithë nuk e durojmë dot. Të gjithë duan të kthehen në fshat”, thotë ai duke qeshur.

Tirana shfaqet shumë drithëruese, me bare të reja që ndriçojnë lagjen më në zë Bllokun. Ajo hedh gjithashtu dritë mbi Ilirinë, në Muzeun Kombëtar, mbushur me armë bronzi që i përkasin shekullit III para Krishtit, helmeta me pllaka të gjata mbrojtëse, një varr i ndërlikuar me tre nivele, me pllaka të shkruara të të njëjtit shekull, ku çdo shtresë përfaqëson një brez të familjes së burrit të vdekur që i uron atij lamtumirën dhe një vazo prej argjile e shekullit V para Krishtit, e zbuluar në Kukës, në verilindje të Shqipërisë.

Të shohësh ekzebicione të tilla në ekran është diçka. Por, të shohësh trashëgiminë ilire në vendin ku lindi është tjetër gjë. Është një rrugë e gjatë, 145 kilometra në jug, në mbetjet e Bylisit, por shpërblimi ynë do të jetë që të shikojmë ilirët dhe romakët sërish të ndërthurur. Një tjetër amfiteatër, një pllakë e shekullit III para Krishtit e kulturës ilire, kulmon këtë kodër të sheshtë. Shumica e ndenjëseve nuk është më, por madhësia e tij, që mund të ketë arritur deri në 40 nivele, është e dallueshme.

Fiksuam kamerat tek një tufë delesh që ushqehen me barishtet e rritura mes gurëve antikë, para se Karolina të na dërgojë në anë të një gremine, ku lumi Vjosa gjarpëron në luginën poshtë dhe emri i Augustit, perandori i parë romak, është i shkruar në një shtyllë porte prej graniti.

Udhëtimi vazhdoi atë mbrëmje, 48 kilometra në veriperëndim në Apolloni, që lindi në Iliri, në vitin 588 para Krishtit dhe njohu një lulëzim gjatë epokës romake në shekullin II pas Krishtit duke u bërë një vend mirqenieje dhe shijeje. Jehona kumbon, në hyrjen me gjashtë kolona në Bouleuterion (Dhoma e Këshillit) ku ende ndihen debatet. Një nuse shqiptare dhe bashkëshoti i saj kalojnë të gëzuar përgjatë kësaj zone, duke bërë fotot e dasmës së tyre me imazhin e hijeve të paraardhësve.

Ne vazhdojmë të jemi të etur për bukuri kur hyjmë në Berat dhe ku zbulojmë se ndalimi ynë për natën po aq i bukur sa çdo gjë që na ka dhuruar antikiteti shqiptar. Në një farë mënyre, ky qytet, është i ndarë mes lagjes Gorica, në bregun jugor të lumit, që është me shumicë të krishterë dhe Mangalemit në pjesën veriore, me shumicë myslimane. Për së bashku, ato takohen dhe buzëqeshin si një pjesë e vogël e kujtesës së epokës së ndritur osmane, ku shtëpitë janë vendosur në anë të shkëmbinjve, ndërkohë që rrezet e diellit ndriçojnë muret e tyre duke nderuar pseudonimin që mban, “qyteti i një mbi një dritareve”. U ulëm për një darkë me qengji të pjekur dhe salsice me mish të grirë në taracën e hotel ”Mangalemi” dhe po shijonim të mrekulluar fotot e bëra gjatë ditës.

Por ka akoma. Në mëngjes ikëm drejt lindjes, në brendësi të tokës, ku rruga gjarpëron, ndërkohë që sipërfaqja nuk dallohet më. Rruga na dërgoi në zonën rurale të Plloçës, ku shfaqen fillimisht mbetjet e qytetit ilir të Amantias që ruhen nga asgjë dhe nga askush. Aty Karolina fillon të na tregojë një amfiteatër në formë patkoi ku shenjat e volejbollit, vizatuara në tokë, tregojnë përdorimin e kohëve të fundit. Në hyrje na pret Luka, roja që mbledh pagesën simbolike të hyrjes.

Ne e ndoqëm atë më këmbë pasi automjeti i tij në dërgoi në një rrugë të prishur, tek një fermë në kodër, ku ne ndiqnim nga pas një gjel dhe zogjtë cicëronin nga mërzia. Më pas u ngjitëm për te guri i lakuar i portës gjashtë, një hyrje e madhe për në Amantia, që prej shekullit IV para Krishtit.

Më tutje, duke ndjekur gjurmët e lëna nga traktori në baltë, ne arritëm buzë një rrëpire, ku toka bie. Poshtë janë blloqet e themelit të tempullit të Afërditës, ngjyrosur bojë mjalti nën dritën e mjegullt të verës. Rruga më pas do të na dërgojë në jug, në Butrint, një tjetër mrekulli iliro-romake. Por këtu, parë nga ky kënd të duket, për një çast, sikur po shikon Maçu Piçu që nga Dera e Diellit.

Presim që edhe këtu të gjejmë diçka po aq emocionuese, por vëzhgimi ynë i heshtur nuk është më pak vlerësues./ KultPlus.com

Coca Cola shtron iftar në platonë e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, lejen e ka dhënë Rektorati i UP-së dhe Komuna e Prishtinës

Sonte në Platonë e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, nga Kompania Coca Cola do të shtrohet një iftar, në shenjë të Muajit të Ramazanit, shhkruan KultPlus.

Pavarësisht prej thirrjeve të shumta që ceremonitë fetare të mbahen larg institucioneve shtetërore, kjo kompani, me leje të Rektoratit por edhe të Komunës së Prishtinës, sonte do të shtrojë një iftar për besimtarët mysliman.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës Fazli Gajraku ka thënë për KultPlus se për këtë çështje vetëm është njoftuar, por askush nuk ka kërkuar leje nga ai. Por lejen për këtë darkë e ka dhënë Rektorati në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.

Në një emal të kompanisë Coca Cola drejtuar redaksisë së KultPlus është konfirmuar se një leje e tillë është dhënë nga Rektorati dhe Komuna e Prishtinës.

“Për 5 vitet e fundit, Coca-Cola ka organizuar darkë në Ramazan me qëllim për të mbledhur familje dhe miq, dhe të gjithë qytetarët tanë për të ndarë një vakt së bashku”, kanë thënë për KultPlus nga Kompania Coca Cola.

Ata më tutje kanë sqaruar se duke pasur parasysh numrin e pritur të njerëzve dhe të gjitha aktivitetet e planifikuara, vendndodhja për këtë darkë të posaçme u zgjodh në bashkëpunim të ngushtë me Komunën e Prishtinës për të qenë hapësira përpara Bibliotekës Kombëtare.

“Ky vendim u miratua zyrtarisht nga sektori i shërbimit publik të Komunës së Prishtinës, si dhe nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës. Ne jemi shumë krenarë që Coca-Cola po e numëron ngjarjen e 21-të të këtij lloji në të gjithë Kosovën, me më shumë se 30,000 njerëz që u mblodhën për të ndarë së bashku dhe shijuar darkën tonë “Coke and meal” në Ramazan. Ne shpresojmë se do të kemi shumë mundësi në vitet që vijnë për të organizuar ngjarje të ngjashme ku mund të sjellim gëzim dhe lumturi për qytetarët e Kosovës”, kanë thënë nga Kompania Coca Cola.

Për këtë vendim të Rektoratit dhe Komunës së Prishtinës, redaksia e KultPlus nuk ka arrit të mësojë nga këto institucione se pse kanë dhënë një leje të tillë mu në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, kurse për këtë veprim historiani Jusuf Buxhovi ka thënë se ka kohë që shteti laik, i përcaktuar me kushtetutën e Republikës së Kosovës, po nëpërkëmbët nga ata që janë të thirrur ta mbrojnë: pushtetarët si dhe gjyqësori.

“Presidenti, kryetari i parlamentit, Kryeministri dhe liderët kryesor të partive politike, duke e thyer parimin e laicitetit, po i vardisën religjionit. Këtë e bëjnë për dy arsye: për përfitime materiale si dhe për sigurimin e klientelës nga xhamitë! Këto veprime, bëhen edhe më shqetësuese, kur prekin institucionet shtetërore, arsimore dhe kulturore”, ka thënë Buxhovi.

Sipas tij, nëse vazhdon kështu, mund të pritet që gjatë ramazanit të mbyllen edhe shkollat, të pushojë veprimtaria ekonomike me çka shteti laik do t’ia lëshonte vendin shtetit të sheriatit, ndërsa identieti kombëtar do të zëvendësohej me identiet fetar.

“Këtë ka kërkuar dikur Çubrilloviqi dhe ata që kanë bërë elaborate kundër shqiptarëve në mënyrë që ata me gjenocide të përjashtohen nga harta politike dhe shtetërore e Ballkanit me anatemën e “mbetjeve islamike”. Si historian mund të përseris maksimën e njohur: ata që nuk marrin mësim nga historia, ajo i denon poamëshirshëm! Ky dënim, do të shaqej si vetëndëshkim”, ka thënë Buxhovi.

Ndërkohë, për këtë darkë që do të shtrohet sonte në platonë e BKK-së, KultPlus ka provuar të merr një përgjigje edhe nga ministri i MKRS-së Kujtim Gashi, por i njëjti nuk ka dhënë ndonjë koment për këtë institucion që është në varësi të MKRS-së./KultPlus.com

Libri i Albatros Rexhajt më i shituri në Panair, Kadare i treti

Sot përfundon edicioni i 20-të i Panairit të Librit në Prishtinë.

Kësisoj, siç e do zakoni pak orë para se të mbyllet ky panair, shpallen emrat e atyre që veprat e tyre u shitën më së shumti në këtë panair.

Në këtë edicion, libri më i shitur doli të jetë libri “Kthimi” me autor Albatros Rexhaj, i cili ndiqet nga shkrimtari Veton Surroi me librin “Lopa e Makiatos”, pas këtij vjen emri i madh i letrave shqipe Ismail Kadare me veprën “Vepra e plotë në prozën e shkurtër”, e katërta me radhë vjen “Mësimet e Diolës” nga Diola Dosti-Baftiu ndërsa në vendin e pestë është “Vepra e Sanxhakut të Nishit” nga Sabit Ukaj, shkruan KultPlus.

Panairi i Librit në Prishtinë, pati shumë vizitorë sivjet dhe duket që shija e tyre shkoi drejt Shtëpisë Botuese Pema, shtëpi kjo e cila botoi librin “Kthimi” të autorit Rexhaj.

Po sjellim kështu edhe veprat e përkthyera të autorëve të huaj që dolën të jenë më të shiturit.

Kësaj liste i prinë Danile Goleman me librin “Inteligjenca emocionale”, i dyti më radhë është Francois-Henri Deserable me librin “Njëfarë z.Piekienly”, pas tij është Robert Elsei më veprën “Fiset shqiptare”, Elena Ferrante me “Historia e vajzës së humbur” dhe Yuri Harari me “Homo Deus”./ KultPlus.com

Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së, sjellë diskutimin “Arsimi është Art dhe Kulturë”

Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian në Prishtinë në kuadër të fushatës arsim cilësor do të sjellë diskutimin “Arsimi është Art dhe Kulturë”, shkruan KultPlus.

Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në Prishtinë ju fton të merrni pjesë në një panel diskutim mbi rëndësinë e artit dhe kulturës në përmirësimin e cilësisë së arsimit në Kosovë.

Diskutimi do të ngritë disa pika të rëndësishme në lidhje me rolin që arti dhe kultura luajnë në zhvillimin e të rinjve duke i bërë ata më mendje hapur. Diskutimi është pjesë e aktiviteteve të fushatës për Edukim Cilësor, të nisur në maj e që menaxhohet nga Zyra e BE-së zbatohet nga EUICC.

Diskutimi do të mbahet më 13 qershor duke filluar nga ora 16:00 në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë./ KultPlus.com

Mentor Zymberaj me “Ëndrra e Hamletit”, u prezantua suksesshëm në Ukrainë

“Ëndrra e Hamletit”, shfaqje që është e bazuar në veprën e Shekspirit “Hamleti, Princi i Danimarkës”, me tekst të Nina Mazur dhe regji e interpretim të Mentor Zymberaj, u dha në Festivalin Ndërkombëtar “Vidlunja” në Klemenitsky, Ukrainë, shkruan KultPlus.

Sipas aktorit dhe njëherësh regjisorit të kësaj shfaqje Mentor Zymberaj, “Ëndrra e Hamletit” u vlerësua lartë nga spektatorët, artistët dhe ekspertët ndërkombëtar në këtë festival. Ai këtë e bëri publike përmes një publikimi në Facebook.

“Ëndrra e Hamletit”, është dhënë në kuadër të edicionit të 20-të jubilar të këtij festivali, ndërsa ka përfaqësuar Kosovën dhe artin skenik shqiptarë në konkurrencën ndërkombëtare.

“Ëndrrat e Hamletit” është realizim i Shtëpisë Teatrore Filmike AKT & ITI-Qendra në Kosovë, në bashkëpunim të teatrit Dodona dhe Komunës së Prishtinës./ KultPlus.com

“Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare 1878”

Historiani i njohur kosovar, Jusuf Buxhovi në vitin 2012-të, pati publikuar studimin monografik dhe protokollet origjinale të Kongresit, në librin e tij “Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare 1878”, shkruan KultPlus.

Ai sot, në 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, publikoi kopertinën e këtij libri dhe shkroi disa fjalë.

“Ndihmesa ime për ndriçimin shkencor të kësaj ngjarje të madhe historike, që e riktheu shtetin shqiptar në histori: protokollet origjinale të Kongresit në tri gjuhë (frengjisht, gjermanisht dhe shqip), letrat kryesore drejtuar Kongresit nga ana e disa drejtuesve të saj, telegramet e shumta nga Kosova, Shkodra dhe Manastiri si dhe studimi monografik”, thotë Buxhovi./ KultPlus.com

Incident në shënimin e 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (VIDEO)

Gjatë fjalimit të saj të paplanifikuar për nder të 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i doli telashe me kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj.

Pasi tha disa fjalë në foltore, kryeministri u nis drejt saj dhe e kapi me forcë për dore duke i kërkuar që të largohet prej aty.

“Urdhno” – i tha zonja teksa kryeministri u nis drejt saj.

“Me gjithë respektin për ju, por vazhdon ceremonia” – i tha kryeministri asaj, teksa e kapi me forcë për dorës dhe u mundua ta largonte. Zonja i reagoi kryeministrit duke i thënë se nuk mund të sillet ashtu me të.

“Mos me kap kështu…, ti nuk mundesh…” – vazhdoi reagimin ajo.

Kryeministri vazhdonte insistimin e tij për ta larguar, përderisa zonja mbahej për foltores dhe duke refuzuar. Kryeministri kërkoi ndihmën e sigurimit, të cilët me forcë e larguan zonjën nga aty.

“Shiqoni, vazhdon ceremonia në bazë të programit…” – tha tutje kryeministri, përcjell Insajderi.

Zonja dëgjohej edhe më tutje tek refuzonte veprimin e kryeministrit dhe të pjesëtarëve të sigurimit.

“Turp i madh…” – tha ajo.

Ceremonia për shënimin e 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit vazhdoi edhe më tutje me fjalimet e tjera që ishin të parapara në protokoll./ KultPlus.com

Ky ishte delegacioni i Shkodrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit

Delegacioni i Shkodrës i dërguar në Lidhjen e Prizrenit në vitin 1878. Kjo fotografi është realizuar nga Pjetër Marubi.

Ndërsa sot, po festohet 140-vjetori i kësaj lidhje, pikërisht në Prizren ku janë bërë bashkë të parët shqiptarë të cilët fillimisht vunë gurthemelin e shtatoreve të udhëheqësve të Lidhjes./ KultPlus.com

15 vite nga themelimi i Korit të Filharmonisë – Operës së Kosovës

Sot më 10 qershor, janë bërë 15 vite që nga paraqitja e parë para publikut e Korit të Filharmonisë së Kosovës-Operës së Kosovës, shkruan KultPlus.

Paraqitja e parë, solli inskenimin e operës “Dasma Arbëreshe” nga Rauf Dhomi që asokohe ishte edhe drejtues i institucionit dhe iniciator i themelimit të Korit.

Data 10 qershor e vitit 2003, ishte sepse kjo datë përkonte me rastin e 125 vjetorit të Lidhje së Prizrenit. Ndërsa sot pas plotë 15 vitesh festohet 140-vjetori i Lidhjes së Prizrenit ndërsa 15-vjetori i themelimit të Korit të Filharmonisë.

Ky është publikimi i plotë në rrjetin social Facebook, nga Dardan Noka-menaxher në Filharmoninë e Kosovës:

“Ketu e 15 vjet me pare Kori i Filharmonise – Operes se Kosoves pati paraqitjen e pare para publikut, kjo pas 2 muaj pune intensive. Paraqitja e pare, inskenimi i operes ‘Dasma Arbereshe’ nga Rauf Dhomi (atekohe edhe drejtues i institucionit dhe iniciator për themelimin e Korit) u be me 10 qershor 2003 me rastin e 125 vjetorit te Lidhjes se Prizrenit. Urime 140 vjetori i Lidhjes se Prizrenit dhe 15 vjetori i Korit te Filharmonise”, ka shkruar Noka./ KultPlus.com

Meta: Aktet e Lidhjes së Prizrenit të gjalla përjetë

Shënimi i 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Kosovë ka nisur me vënien e gurthemelit të kompozicionit të shtatoreve të udhëheqësve të qeverisë së saj, një organizim i Kryeministrisë së Kosovës, që së bashku me qeveritë e Shqipërisë dhe Maqedonisë, në kuadër të shënimit edhe të vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, kanë nderuar edhe veprën e heroit tonë kombëtar.

Atje po qëndron edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili tha se Lidhja e Prizrenit u përball me heshtjen e fuqive të mëdha për çështjen e shqiptarëve.

“Lidhja nuk jetoi gjatë, por aktet e saj janë të gjalla përjetë. Lidhja shkaktoi një jehonë të madhe në rajon e botë, ndaj dhe nuk është një relikë historike, por një vepër frymëzuese. Lidhja është një frymëzim për të rinjtë shqiptarë. E paharruar vepra e themeluesve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, tha Meta./ KultPlus.com

Veseli: Lidhja e Prizrenit humbi betejat ushtarake, por themeloi Vetëdijen Kombëtare Shqiptare

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në përvjetorin e 140 të Lidhjes së Prizrenit, ka thënë se 140 vite më parë, në Prizren u mblodhën përfaqësuesit e të gjithë trevave shqiptare, mbi supet e të cilëve qëndronte një barrë e madhe.

Ai thotë se ishte kohë e vështirë dhe se Ballkani ishte i trazuar si asnjëherë më parë.

“Perandoria Osmane po jepte shenjat e rënies së pashmangshme. Popujt po zgjoheshin. Evropa po jetonte pranverën e kombeve. Secili kërkonte vendin dhe të drejtat e tij në gjeopolitikën e re që po ndërtohej. Ishte koha që edhe shqiptarët të zgjoheshin, sa më parë që ishte e mundur. Çdo vonesë mund të kishte pasoja të pariparueshme historike, sepse rreziqet ishin të mëdha dhe në qendrat politike të Evropës nuk ekzistonte termi ‘Çështje shqiptare’. Termi ‘Shqipëri’ ekzistonte vetëm si shprehje gjeografike, siç kishte thënë kancelari i hekurt i Gjermanisë së asaj kohe, Oto Von Bismark”, tha Veseli.

Në këto rrethana të rënda, sipas kreut të Kuvendit, burrat e mbledhur në Prizren kishin përpara dy sfida të rënda historike: Të dëshmonin para fuqive evropiane dhe Perandorisë Osmane ekzistencën e kombit shqiptar dhe njëkohësisht të mbronin me çdo kusht të drejtat e tij legjitime politike.

“Të udhëhequr nga diplomacia e Abdyl Frashërit, nga urtësia e Ymer Prizrenit dhe guximi luftarak i Sylejman Vokshit, Lidhja e Prizrenit i arriti qëllimet e saj, ndonëse me pasoja shumë të rënda. Lidhja e Prizrenit i humbi betejat ushtarake me vendimet e Kongresit të Berlinit dhe me garnizonet e Dervish Pashës që dogjën Kosovën në pranverën e vitit 1881, por ajo arriti një fitore tjetër, shumë herë më të madhe: themeloi Vetëdijen Kombëtare Shqiptare, krijoi standardet e patriotizmit modern shqiptar dhe platformën e programit për çlirim e pavarësi kombëtare. Pa lidhjen e Prizrenit nuk do ta kishim 28 nëntorin e vitit 1912. Pa lidhjen e Prizrenit nuk do ta kishim lëvizjen kombëtare për çlirimin e Kosovës, e cila arriti kulminacionin historik me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, çlirimin dhe shpalljen e pavarësisë në shkurtin e vitit 2008. Pa Lidhjen e Prizrenit rrjedha e historisë sonë kombëtare do të ishte krejtësisht ndryshe dhe aspak pozitive për kombin tonë”, deklaroi më tej Veseli.
Kryeparlamentari i Kosovës tha se sot jetojmë në një epokë krejtësisht të ndryshme dhe, sipas tij, si asnjëherë më parë në histori, siguria dhe liria e kombit tonë janë të qëndrueshme, të garantuara dhe të pacenueshme.

“Fuqitë, që në qershorin e vitit 1878 ishin kundërshtarët e të drejtave tona kombëtare, sot janë aleatët tanë më të mirë. Ne jemi gjenerata më fatlume, për faktin se po e bëjmë realitet ëndrrën e madhe të rilindasëve tanë për ta parë kombin tonë pjesë të Evropës. Shqipëria është anëtare e NATO-s, ka bërë përparime të mëdha në drejtim të integrimit evropian, ndërsa Kosova, brenda dekadës së parë të pavarësisë, ka shënuar hapa historikë në konsolidimin e shtetit dhe po punon shumë në agjendën e saj euro-atlantike. E ardhmja jonë është në duart tona. Ne jemi krenarë që jemi pasardhës të burrave të Lidhjes së Prizrenit. Jemi krenarë që ecëm shtigjeve të hapura prej tyre. Krenarë që e vazhduam deri në fitore ëndrrën e tyre”, u shpreh kryetari i Kuvendit.

“Lavdi heronjve të Lidhjes së Prizrenit. Lavdi burrave e grave që në harkun kohor të këtyre 140 viteve bënë gjithçka ishte e mundur që kombi ynë të jetë i lirë dhe sovran në bashkësinë e kombeve të lira e të civilizuara”, përfundoi Veseli./ KultPlus.com

Vihet gurthemeli i shtatoreve të udhëheqësve të Lidhjes (FOTO)

Me vënien e gurthemelit të kompozicionit të shtatoreve të udhëheqësve të Qeverisë të Lidhjes së Prizrenit, ka nisur sot në Prizren shënimi i 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në këtë ekspozitë në ambientet e brendshme të Lidhjes së Prizrenit u bë prezantimi i monedhave antike dhe mesjetare, dhe i të gjitha monedhave kombëtare shqiptare që mbajnë portretin e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, duke filluar nga 1926 e deri në ditët e sotme. Një pjesë e këtij koleksioni është përdorur edhe në Kosovë dhe në tokat tjera kombëtare shqiptare gjatë luftës së dytë botërore.

Veçantia e kësaj ekspozite është se përmban edhe monedhat përkujtimore shqiptare të vitit 2013 të cilat përkujtojnë 135 vjetorin e Lidhjes Kombëtare të Prizrenit dhe gjithashtu Përvjetorin e Kongresit të Manastirit. Po në këtë ambient u shfaqën edhe simbolika nga katër vilajetet shqiptare, derisa në ambientin e jashtëm u shfaq ekspozita me dokumente të Arkivit Qendror shtetëror të Shqipërisë dhe Agjencisë Kombëtare të Arkivave të Kosovës nga viti 1878 – 2018.

Kjo ditë po mbahet nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit dhe në kuadër të shënimit të Vitit Mbarëkombëtarë të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, organizim ky që ka bërë bashkë Qeverinë e Kosovës, Shqipërisë dhe atë të Maqedonisë për të nderuar veprën e heroit, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Në vënien e gurthemelit të udhëheqësve të Qeverisë të Lidhjes së Prizrenit, Ymer Prizreni (kryeministër), Abdyl Frashëri (Ministër i Punëve të Jashtme) dhe Sulejman Vokshi (Ministër i Mbrojtjes), përveç kryeministrit Ramush Haradinaj morën pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ministra nga kabineti qeveritar, përfaqësuesi i Familjes Jashari, Rifat Jashari dhe përfaqësues të tjerë institucional.

Haradinaj, i shoqëruar nga Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta dhe Kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka dhe personalitete të tjera më pas mori pjesë në ekspozitën e buqetave të skulptorëve për konkursin mbarëkombëtar të cilët kanë konkurruar për kompozicionin e shtatoreve, si dhe në ekspozitën e Bankës Qendrore të Kosovës, Bankës Qendrore të Shqipërisë dhe muzeut të Prishtinës.

Pjesëmarrës në këto aktivitete janë edhe personalitetet dhe liderët institucionalë nga të gjitha trevat shqiptare.

Shënimi i 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit do të vazhdoj edhe gjatë ditës me ç’rast këtij përvjetori do t’i dedikohet një Seancë Solemne nga Kuvendi i Kosovës, Akademi Solemne, Konferenca shkencore 140 vjetori i Lidhjes, në të cilën do të prezantohen punimet nga Instituti i Historisë nga Tirana, Shkupi dhe Prishtina dhe Ekspozita mbarëkombëtare në pikturë./ KultPlus.com

Gjashtë shëtitoret bregdetare më të mira të Evropës

Evropa ka shumë bregdete të mrekullueshme – dhe nuk ka mënyrë më të mirë për t’i eksploruar ato se sa në këmbë.

Ponta de São Lourenço, Madeira

Por, nga t’ia filloni? Daily Mail ka zgjedhur disa nga shëtitoret bregdetare më të bukura të cilat do t’i shihni më poshtë, transmeton Koha.net./ KultPlus.com

Es Vedra, Ibiza

South West Coast Path, Angli

Hornstrandir Nature Reserve, Islandë

Amalfi, Itali

Samaria Gorge, Greqi

Historia e Lidhjes së Prizrenit

Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë e shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut. Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend Mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë.

Pas firmosjes së Marrëveshjes të Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale, dhe në pritje të kongresit të Berlinit, i cili me shumë mundësi do t’i hiqte hartës shqiptare krahina të shumta, atdhetarët shqiptarë ideuan këtë mbledhje, ku do të shpallnin ndarjen përfundimtare nga sundimi osman.

Më 10 qershor 1878 në Prizren të Kosovës, Kuvendi hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës.

Edhe pse fraksione të ndryshme penguan organizimin e kësaj mbledhjeje dhe një pjesë e mirë e të ftuarve arritën me vonesë Kuvendi i nisi punimet. Dy ishin rrymat kryesore që u debatuan: atdhetarët të cilët mbrojtën idenë e një bashkimi kombëtar dhe territorial, dhe fraksionet osmane të cilët ushtronin presionin që edhe nëse Shqipëria do të funksiononte veç administrativisht, sërish të varej nga Porta e Lartë. Kuvendi, i cili themeloi lidhjen e parë mbarëshqiptare zgjati 5 ditë dhe numri i delegatëve shkoi në 110.

Një nga fjalimet që u mbajt mend aty ishte ai i Abdyl Frashërit: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”. Dy aktet e para që mori Lidhja e Prizrenit ishin një peticion nisur Kongresit të Berlinit dhe një tjetër perandorisë osmane. Aty i bënin të qartë se Shqipëria nuk mund të jepte asnjë pëllëmbë tokë nga viset e saj,të shoqëruara më dhjetëra firma nga atdhetarët pjesëmarrës./ KultPlus.com

Sot mbyllet Panairi i Librit në Prishtinë

Panairi i 20-të i Librit në Prishtinë mbyllet sot me përmbledhjen e ecurisë së panairit dhe shpalljen e pesë titujve më të kërkuar të autorëve shqiptarë, por edhe pesë titujve më të kërkuar të autorëve të huaj.

Aktivitetet:

Në orën 10.00-10.30
Stenda BUZUKU
Nënshkrime nga shkrimtari francez, François-Henri Désérable, romani “Njëfarë Z. Piekielny”, përkthyer nga Urim Nerguti.

Në orën 11.00-12.00
Salla e promovimeve
Nënshkrime nga Albatros Rexhaj, romani “Kthimi”

Në orën 12.00-13.00
Salla e promovimeve
Nënshkrime nga Flutur Mustafa, “Andje”

Në orën 13:00
SHBK
Konferencë për media
Përmbledhje e ecurisë së panairit dhe shpallja e 5 titujve më të kërkuar të autorëve shqiptarë, si dhe 5 titujve më të kërkuar të autorëve të huaj.

Në orën 16:00
Mbyllja e panairit