Këtë veprim bën Dua Lipa, edhe Julia Roberts do të bëhej krenare (FOTO)

Dua Lipa përpos suksesit në muzikë, ajo po kujdeset edhe për veprimet e saja që mund të ndërlidhin kulturën edhe në periudha të ndryshme, shkruan KultPlus.

Ajo së fundi ka postuar një fotografi ku shihet duke u relaksuar me një qenush, por ajo që bie në sy është fanella e saj, e cila ka të printuar fotografinë e Julia Robertes dhe Richard Gere, pamje kjo nga filmi i famshëm “Pretty Woman”.

Me këtë veprim të Dua Lipës, sigurisht do të ishte krenare edhe Julia Robertes, duke pas parasysh se ky film është realizuar shumë vite më parë, dhe po rikthehet nga një yll tejet i njohur në botë.
Dua Lipa do të kthehet në Kosovë në festivalin Sunny Hill, e cila do të performojë para adhuruesve, duke sjellë me vete edhe shumë yje ndërkombëtare dhe kombëtare./KultPlus.com

Ministri i Kulturës pa telegram ngushëllimi edhe një ditë pas vdekjes së shkrimtarit Ragip Sylaj

Gili Hoxhaj

Dje ka ndërruar jetë shkrimtari nga Suhareka, Ragip Sylaj, duke lënë prapa vetes një krijimtari mjaft të pasur letrare për të cilën edhe u shpërblye me disa çmime, shkruan KultPlus.

Çmimin e fundit Ragip Sylaj e pranoi pikërisht nga Ministra e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Në shkurt të këtij viti, ministri Gashi ka ndarë çmimet vjetore për letërsi, me ç’rast në një ceremoni të mbajtur në Ministrinë e Kulturës, i kishte dorëzuar Sylës çmimin për veprën më të mirë në poezi “Kam drojë për ty”.

Ndërsa edhe pse ka kaluar më shumë se një ditë nga ikja e shkrimtarit nga kjo botë, e disa orë nga varrimi i tij në Shllapuzhan të Suharekës, ministri Gashi nuk ka ndarë as edhe një rresht për të shprehur ngushëllime e për të nderuar krijimtarinë e shkrimtarit Ragip Sylaj.

Vëllau i Ragip Sylajt, Hajrush Sylaj ka konfirmuar për KultPlus se nuk kanë pranuar as një letër ngushëllimi nga ministri Gashi.

Sylaj që nga 3 maji i vitit 2009-të punoi si zyrtar i lartë për publikime në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ndryshe nga ministri Gashi, Ministri i Punëve të Jashtme – Behgjet Pacolli me anë të një postimi në Facebook ka shprehur ngushëllimet e tij ndërkohë e ka vlerësuar punën e Sylajt si zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme, e ka theksuar se puna dhe veprat e tij mbesin si frymëzim për të tjerët.

“Daja siç e quanin kolegët e miqtë e tij të afërt do të përkujtohet gjithmonë si një njeri me virtyte të larta njerēzore. I heshtur, i qetë, me plot energji pozitive dhe gjithmonë me humor të mirë. Puna dhe veprat e tij si gazetarë i dëshmuar, shkrimtarë i veçantë dhe punonjës i dalluar do të mbesin frymëzim dhe shembull për të tjerët. Zoti e shpërbleftë me Parajsë Shpirtin e Tij. Ngushëllimet më të thella Familjes, të të afërmëve dhe kolegëve nga Ministria”, shkruhet në postimin e Pacollit.

Sylaj vdiq dje në moshën 59 vjeçare. Ka punuar mësimdhënës në vendlindje e në SHMT “Skënder Luarasi” në Suharekë, gazetar e redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re”, në të përditshmet “Bota sot” e “Zëri” të Prishtinës.
Ka botuar 15 vepra letrare, ku hyjnë librat e poezisë, të prozës, dramës e të esesë. Për veprimtarinë letrare dhe publicistike disa herë është nderuar me çmime e mirënjohje të ndryshme. Sylaj ishte fitues i edicionit të parë të natës letrare të ‘Kultstrofës’, organizimit letrar të KultPlus dhe ka qenë bashkëpunëtor i rregullt i KultPlus, gjithmonë i dashur dhe i qetë në personalitetin e tij të veçantë. / KultPlus.com

“Këngëtarja leshatuke” shfaqet tri ditë radhazi në kujtim të regjisorit Bekim Lumi

Teatri në themelim i Kaçanikut do të shfaq komedinë absurde “Këngëtarja leshatuke” sipas Eugene Ionesco e nën regjinë e Ben Apollonit, për tri ditë radhazi, shkruan KultPlus.

Në këtë shfaqje janë të angazhuar aktorët nga Kaçaniku: Lulzim Rexha, Qëndresa Loki, Osman Isa, Armend Ballazhi, Lind Berisha dhe aktorja mysafire nga Shqipëria, Arjola Demiri.

“Këngëtarja leshatuke” do të shfaqet në datat 1, 2 dhe 3 gusht.

Shfaqja i dedikohet profesorit, tashmë të ndjerë, Bekim Lumit.

Shfaqja është përkrahur nga Ministria e Kulturës e Kosovës, Fabrika e prodhimit të materialit fleksibil “Kivo” në Kaçanik, Irfan Beqa, Ali Hoxha./KultPlus.com

Manastiri i Deçanit fiton, nuk e lejon ndërtimin e rrugës për në Mal të Zi

Përfundimisht Manastiri i Deçanit triumfon ndaj komunës. Arrin ta ndalojë ndërtimin e rrugës që e lidh këtë komunë me Malin e Zi përmes zonës së mbrojtur rreth manastirit.

Kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, pret që të arrihet mirëkuptim me përfaqësuesit e këtij institucioni fetar, në të kundërtën, do ta ndërtojnë rrugën nëpër një fshat tjetër, raporton KTV.

Pesë kilometrat e rrugës, e cila e lidh Deçanin me kufirin e Malit të Zi përmes zonës së mbrojtur të Manastirit, nuk do të asfaltohen.

Ditë më parë, i gjithë kori diplomatik dhe akterët e përfshirë shkuan në Deçan, për t’u njoftuar nga afër me gjendjen reale në terren dhe u dakorduan që në atë pjesë të ndërpriten punimet.

Ata njëzëri thanë se edhe pa pëlqimin e Komisionit për Monitorim dhe Mbikëqyrje të Zonave të Veçanta, nuk do të mund të ndërtohet asgjë në këtë zonë.

Kështu ministrit Lekaj dhe kryetarit të komunës iu bë e ditur nga ndërkombëtarët se duhet respektuar Ligji për Mbrojtjen e Zonave të Veçanta.

E pikërisht neni 5 i këtij ligji thotë se në zona të veçanta nuk mund të ndërtohen rrugë.

Sipas kryetarit të komunës, këtë gjendje e krijuan dhjetë vjet më parë deputetët e legjislaturës së vitit 2008, kur e miratuan këtë ligj.

Shoqëria Civile në këtë komunë këtë e sheh si lojë të dyfishtë të ndërkombëtarëve.

Ndërkaq, Ministria e Infrastrukturës zotohet se do ta respektojë ujdinë e arritur me ndërkombëtarët, duke besuar se në një të ardhme të afërt do ta asfaltojnë edhe atë pjesë.

“Të gjitha marrëveshjet që janë në frymën e ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës do t’i respektojmë me përpikëri dhe investimet do të bëhen gjithnjë në frymën e mirëkuptimit e të bashkëpunimit me të gjithë faktorët relevantë”.

Punimet për rrugën Deçan- Plavë nisën në muajin maj, derisa në pjesën rreth zonës së mbrojtur të manastirit u lejua të vendoset vetëm pllaka por jo edhe ndërtimi i rrugës.

Kjo për shkak se Manastiri nuk po lejon që të ndërtohet asfalt brenda zonës së mbrojtur.

Fansi artist bën tatuazh Dua Lipën në trupin e tij (FOTO)

Këngëtarja Dua Lipa është një ndër zërat më të veçantë dhe të pëlqyer në mbarë botën.

Së fundmi, ajo qëndroi për disa ditë në New York së bashku me motrën e saj, teksa javën e ardhshme pritet të vijë në Kosovë.

Dua është shumë e pëlqyer nga njerëzit anë e mbanë botës, përfshirë këtu edhe artistë të njohur.

E njëri nga këta fansat më të zjarrtë, ka realizuar së fundmi tatuazh në trupin e tij figurën e këngëtares.

Bëhet fjalë për artistin e quajtur Noah Carniello, teksa tatuazhin e realizuar, e ka shpërndarë edhe vet Dua përmes një fotografie të publikuar në rrjetin social Instagram.

“Ndoshta ju e keni këputur”, ka shkruar këngëtarja Lipa në mbishkrimin e fotografisë.

Maybe you snapped @noahcarniello ❤️

A post shared by DUA LIPA (@dualipa) on


Dua do të performojë më datë 10 gusht në Prishtinë, në kuadër të festivalit ‘Sunny Hill”, i cili mbahet në parkun Gërmia. /KultPlus.com

i love you thiiiiiis much @dualipa

A post shared by Noah Carniello (@noahcarniello) on

you always know how to mend my heart. i love you @dualipa

A post shared by Noah Carniello (@noahcarniello) on

‘Bekimi e do këngën’, 1979

Lajmi për vdekjen e regjisorit Bekim Lumi ka prekur ata që e kanë njohur por edhe ata që e duan artin në Kosovë.

Një prej regjisorëve më të mirë të teatrit ndër shqiptarë sot u varros në praninë e miqve, familjarëve dhe atyre që e çmuan punën e tij.

Po e kujtojmë sot Bekën edhe me një tjetër moment.

Në një gazetë të vitit 1979, shkrimi në fjalë ka titullin “Bekimi e do këngën”. Bekimi ishte nxënës i klasës së pestë, në Suharekë, ndërsa asokohe është shpallur edhe recituesi më i mirë në shkollë.

Shkrimi i Tafil Ramajt e sjellë burrin që do të bëhej më vonë regjisor, në një fotografi ku Bekimi është maestral në shikimin e tij të pafajshëm. / KultPlus.com

Apologjia ime (Jetës)

Petro Marko

..Marrëzi, turp turp dhe
mëkate
për jetën e tërbuar
se kur më ndal, o gjeneratë,
që vuan rrugës ndonjë natë,
më merr për të dënuar
dhe, me një zë që vret,
ngaherë me pyet:
-Ku linde, o i ri?
-O jetë, linda në shkreti!
-Ku rron dhe ku vete,
në ç’dhera e në ç’dete?!
-Çudi! Ç’kërkon prej meje ti

dhe si, o jetë, pyet,
kurse në varfëri
më hodhe kur më gjete
të lindur nga skelete
pa dritë, pa liri?
-Njeri!
Nga vete, as më thua?
-S’e di! Jo, Nuk e di!
Po lermë, o jetë, ç’ke me
mua?
-Dua ta di, po dua!
-Atëherë, jetë e krisur,
për mua mos pyet
se qysh në n’agim kam nisur

të shkel si skllav i shkretë
mbi gjurma shprese drite…

Çou Bekë, hala nuk ka ra perdja!

Shkruan Esat Brajshori

– Bekë , çou!
Çou se hala nuk ka ra perdja,
hala nuk i kemi mbyllë debatet e pafundme studentore,
as të qeshurat e as mërzit për vitet plumb të Kosovës!

Çou të nisemi për në Akademi dhe rrugës, si punē e parë, ta blejmë “Rilindjen” , të ecim bulevardit duke e lexuar për të marrë vesh naj fjalë për Kosovën (sa afër dhe sa larg e kishim Kosovën)!

Të kujtohet Bekë?

Neve studentëve nga Kosova lehtësisht na njihnin në Tiranë, o nga flokët si i mbanim atë kohë , o nga gazetat që i lexonim në ecje, që në mëngjes…

Çou, Bekë se Bujar Luma na pret diku rrugēs për në Akademi e mos të vonohemi!
Bekë,

Çeli sytë, çeli sytë dhe shih sytë e bukur të mëngjeseve të Tiranës…
Bekë,

Dje më shkroi Andeta Radi , shoqja jonë e kursit, ajo që na thërriste për ndeje në shtëpinë e saj kur ne, si studentë nga Kosova, nuk kishim njeri pranë vetes në Tiranë. E goditur nga lajmi i zi , fliste për ty, për lulet e bardha mbi kortezh…
Bekë,

Çou se erdhi koha pēr provat e shfaqjes së provimit tē regjisurës!

Dera e salles – hapur, kolegët po presin në skenë, tani, të fillojmë provat aty ku mbetëm herën e fundit…

– “Ushtri e tërë, o Mbreti ynë,

Mirëseardhje të urojnë me një gjëmë ogurzezë;

– Vaj medet ushtria perse “!

Fragment nga “Persët…..shfaqje për provim regjisure , viti i dytë i studimeve (1993-1994),Tiranë, me regji të Bekës dhe lojë të Esat Brajshorit, Agim Selimit, Aldo Kromidhës, Resul Jusufit, Drini Ajdinlliut….etj.
Çou, Bekë! Mos i mbyll sytë, mos ia mbyll derën teatrit se hala nuk ka ra perdja…

Bekë…

Ministri i Kulturës s’i përcjell ngjarjet kulturore në vend, në ato jashtë shtetit nuk mungon

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, mori pjesë në mbledhjen komemorative për regjisorin e njohur Bekim Lumi, por jo edhe në premierat e tij, raporton KTV . Gazetarët që e përcjellin sektorin e kulturës dhe komuniteti i artistëve thonë se prej kur e ka marrë mandatin nga shtatori i vitit të kaluar, ministri Gashi nuk ka marrë pjesë në premiera të teatrit, baletit apo edhe koncertet e filarmonisë.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka qenë mjaft i kujdesshëm të jetë i pranishëm në festivalet prestigjioze ndërkombëtare, duke marrë pjesë në festivalin e Kanës në Francë, në Berlinale në Gjermani, në bienalen e Venecias apo edhe vende tjera kulturore në SHBA.

Ndërsa njihet si pasionant i futbollit dhe udhëton jashtë shpesh për t’i parë ndeshjet.

Por në vend është shumë pak aktiv për t’i përcjellë aktivitetet kulturore, qoftë premiera në teatër, balet apo koncerte të filarmonisë.

Bekim Lumin e ndoqi për së vdekuri, derisa trupi i tij defiloi në skenë, i bartur nga aktorët e shfaqjes “Arturo UI”. Por premierën e tij të fundit nuk e pa.

Shaban Maxharraj, gazetar i Kohës Ditore që përcjell ngjarjet kulturore, thotë se Gashi është parë në teatër vetëm kur objekti është vërshuar nga uji.

Këtë e ka mbështetur edhe dramaturgu Arian Krasniqi. Thotë se asnjëherë nuk e ka parë ministrin në shfaqje por as liderët tjerë institucionalë.

“Për aq sa i kam përcjellë shfaqjet, prej se Gashi është ministër, nuk e kam parë në ndonjë shfaqje. Mendoj se jo vetëm ministri i Kulturës por edhe politikanët e tjerë, para se të flasin për kulturën, duhet të vijnë e të shohin më shumë shfaqje teatrore”.

Ministri Gashi, në një prononcim për KTV-në, e pranon se rrallëherë merr pjesë në ngjarje kulturore, pasi zakonisht, sipas tij, ato po mbahen në mbrëmje.

Por ministri Gashi e pranon se më shpesh shkon t’i ndjekë artistët kosovarë kur prezantohen jashtë vendit.

Njësoj ka vepruar edhe koordinatori për kulturë, Rexhep Hoti. Ai nuk është parë duke marrë pjesë në koncertet e Filarmonisë në Prishtinë, por kur trupa e këtij institucioni ka performuar në Londër, Hoti ka shkuar atje për ta dëgjuar.

Koordinatori Hoti nuk ka dashur të flasë për këtë çështje sepse është në pushim.

Ndryshe, aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, vitin e kaluar, kërcënuan me grevë, ndërsa ministri Gashi iu premtoi rritje të pagave në janar të 2018-ës, gjë që nuk ka ndodhur ende./KultPlus.com

Flaka Krelani publikon këngën “Vet’me”

Këngëtarja Flaka Krelani ka publikuar këngën e saj të re “Vet’me”.

Kënga është në versionin audio dhe është kombinim i zhanreve pop, afro-beat dhe R&B.

Këngëtarja pritet të publikojë projekte të reja, të cilat pritet të vijnë në shtator të këtij viti, ku do të ketë edhe këngë me klip./KultPlus.com

Çfarë tha Papa me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut?

Një ndër Papët më me ndikim në historinë e krishtërimit ishte edhe Papa Pali VI i cili u bë i njohur për oratorinë dhe retorikën e tij të zhvilluar. Sa herë që flitej për njerëz të mëdhenj, ai jepte mendimin e tij dhe kështu bëri edhe me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Fjalimin e tij mund ta gjejmë duke kërkuar në arkivin online të Vatikanit, arkiv që është i publikuar për lexues nga e gjithë bota në faqen Vatican News. Kjo faqe në të cilën ka nëndarje në gjuhët kryesore të botës është edhe në shqip e pikërisht në këtë seksion, gjejmë fjalimin e tij, përkthyer e më pas përshtatur në gegnisht:

Bij fort të dashun Shqipëtarë!

Po Ju sjellim juve nji mirëseardhje të veçantë, mbasi qenkeni mbledhun për të kujtuem Pesëqindvjetoren e Gjergjit Kastriot Skanderbegut, fatosit të Kombit t’uej e të Krishtenimit, pranë kësajë Selije Apostullike, të cillën mund e njehni si shtëpinë t’uej.

Na po ju shohim me të kënaqun, sepse e diejmë se shpirti me të cillin ju e kujtoni ketë rasë âsht se asht shpirti i hershëm i fisit t’uej, i cilli gjith here përmi çdo interres ka vum vlerat e trashigueme të besës, të nderës e të burrnísë.

Të tilla virtyte i ka bam nji me vehten e vet fatosi Skanderbeg, e juve ju a ka lanun trashigim; bashk me lidhëninë e pandame me miqt e vjetër të Atdheut t’uej, ndër të cillët kjo Seli Apostullike gëzohet tue u radhitun, mbasi njehet ndër ata qi gjalën kurr nuk ju a luejtën.

Këto virtyte Gjergj Kastrioti ju i ka lanun amanet në Atdhe, edhe në kurbet e në mergim.

Mirë se historija ju ka pam të shtypum e të shpërndam, por dora e dashun e Hyjit ka bam qi ju e gjith gjaku i juej i shprishur, me gjallni qi keni me të lem, e me të njoftuna të fitueme, u bât urë miqasish e bashkpunimesh, ku keni dalun parardhësit e ekumenizmit modern.

Urimi i ynë në ketë rase, pra, për ju e për gjith Shqipëtarët, asht qi vujtja të bashkohet në ju përherë me shpirtin t’uej heroik qi keni nga të Parët e të ju japë resë të shërbeni porsi element bashkkuptimi e pagje mes fisesh e gjuhësh të çame ndër veti.

Do t’vërtetohet kështu testamendi i Skandërbeut, e do të shkëlqejë me meritime të reja Atdheu juej të cillin na e kemi kaq shum për zemër dhe e bekojmë me gjith shpirt./KultPlus.com

Gentiana Begolli – Pustina zgjedhet kryetare e re e AGK-së

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës gjatë ditës së sotme ka mbajtur kuvendin e jashtëzakonshëm për zgjedhjen e kryetarit dhe anëtarëve të bordit të AGK-së.

Kandidatja për Kryetare të AGK-së, Gentiana Begolli – Pustina ka marrë gjithsej 97 vota, ndërsa kandidati tjetër Alban Selimi 77 vota si dhe Fitim Gashi 63 vota.

Në bazë të këtij rezultati, Gentiana Begolli – Pustina zgjedhet kryetare e re e AGK-së.

Ndërsa anëtarë të rinjë të bordit të AGK-së janë: Leonora Dalipi me 110 vota, Ardiana Thaçi me 90 vota, Arsim Halili me 75 vota, Elvira Berisha me 58 vota, Dardan Hoti me 57 vota, Mentor Gjergjaj me 48 vota, Besiana Krasniqi me 43 vota si dhe Mentor Buzhala 40 vota. Ndërsa Besarta Maliqi, Beadin Syla dhe Pleurat Salihu nuk kanë mundur t’i marrin votat e nevojshme për të hyrë në bord të AGK-së.

Të regjistruar si pjesëmarrës në kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor të AGK-së ishin 277 anëtarë, ndërsa në votim kanë marrë pjesë 239 anëtarë, ku 237 fletëvotime ishin të vlefshme, ndërsa 2 fletëvotime ishin të pavlefshme.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës falënderon të gjithë kolegët gazetarë të cilët ishin pjesëmarrës në këtë proces zgjedhor./KultPlus.com

‘Super Vullnetarët’ përmirësojnë gjendjen e dy shkollave në Kosovë (FOTO)

Kampistët e organizatës ‘Toka’, kanë përfunduar me sukses projektet e tyre të vullnetarizmit edukativ në dy shkolla fillore në Kosovë.

Ata gjatë kampit të “Super-Vullnetarëve” që është mbajtur në Qendrën Rekreative të Gërmisë (23-29 korrik) kanë ndërtuar dollapë dhe varëse nga druri të cilat i kanë vendosur në shkollën fillore “Liria” të fshatit Stroc, në Vushtrri dhe në shkollën “Sezai Surroi” të fshatit Bellobrad, në Dragash.

Idetë për ndërtimin e dollapëve dhe varëseve u dhanë nga mësimdhënësit Donika Selaci dhe Enes Misini si pjesë e fushatës “Jep ide, ndrysho një shkollë” të organizuar nga OJQ ‘Toka’ gjatë muajit qershor.

Kampi i “Super-Vullnetarëve” u organizua nga Organizata Kosovare për Talent dhe Arsim ‘Toka’ me qëllim që të zhvilloj te pjesëmarrësit kompetencat e parapara me Kornizën e re Kurrikulare të Kosovës, po ashtu me synimin që përmes vullnetarizmit edukativ të nxisë qytetarinë aktive tek të rinjtë.

Ky kamp u financua nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Kampi gjithashtu u përkrah nga organizata mjedisore ËËF Adria dhe Komuna e Prishtinës./KultPlus.com


Haradinaj fillon procedurat për ndërtimin e shtatores së Adem Demaçit

Sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, është vendosur që në nderim të figurës së Adem Demaçit, të formohet Komisioni për vendosjen e shtatores së tij në sheshin “Adem Demaçi” në Prishtinë, gjithashtu me emrin e tij do të emërohet edhe autostrada Prishtinë-Pejë si dhe Parku i Qytetit të Prishtinës.

Formimin e këtij komisioni e ka konfirmuar Kryeministri Ramush Haradinaj, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook.

“Në Mbledhjen e sotme të Qeverisë është vendosur që në nderim të emrit dhe veprës jetësore të simbolit të rezistencës shqiptare, Mandelës së Europës, Adem Demaçit, të formohet Komisioni për vendosjen e shtatores së tij në sheshin “Adem Demaçi” në Prishtinë, për emërtimin me emrin e tij të autostradës Prishtinë-Pejë dhe, poashtu, të Parkut të Qytetit të Prishtinës”, ka shkruar Haradinaj.

Fansat e Dua Lipës me mision të ri, mbledhin para për fondacionin “Sunny Hill”

Pothuajse i ka mbushur 23-vjet Dua Lipa.

Dhe këtë vit disa prej fansave vendosën të fillojnë një fushatë për të mbledhur para për “Sunny Hill Foundation” për nder të ditëlindjes së këngëtares sonë.

Duke filluar nga data e 30 korrikut deri në datën e ditëlindjes së zeshkanes më 22 gusht, do të mbledhen para nga personat vullnet mirë.

Extreme sports

A post shared by DUA LIPA (@dualipa) on


Misioni i “Fondacionit Sunny Hill” është zvogëlimi i varfërisë dhe padrejtësitë, të forcojë vlerat demokratike, të promovojë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe të avancojë arritjet njerëzore për popullin e Kosovës.

Dua ka paralajmëruar se një pjesë të fitimeve nga koncerti në Prishtinë, do të shkojnë në fondacionin e krijuar prej të atit, Dukagjin Lipa.

Theksojmë se Dua do të jetë e pranishme në koncertin e festivalit “Sunny Hill” që do të mbahet në Prishtinë.

Ndryshe, Dua është duke punuar në projekte të ndryshme muzikore që do t’i sjell gjatë këtij viti kalendarik.

Duke klikuar linkun: https://www.gofundme.com/duas-23rd-birthday-fundraiser ju mund të kontribuoni në këtë mision të fansave. /KultPlus.com

Qeveria miraton marrëveshjen për programin “Evropa Kreative”

Sot, në mbledhjen e Qeverisë, është miratuar marrëveshja e arritur mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesmarrje të Kosovës në programin “Evropa Kreative”, pas propozimit të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, për Ratifikimin e Marrëveshjes.

Ministri në ekspozenë e tij para kabinetit qeveritar arsyetoi se është i nevojshëm miratimi i marrëveshjes me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për zhvillimin e kulturës në fushën ndërkombëtare. “Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit mbetet në vazhdimësi e përkushtuar që të krijojë dhe të zhvillojë politika të qëndrueshme në funksion të përmbushjes së objektivave ligjore.

Duke pasur parasysh këtë rëndësi të zhvillimit të kulturës, MKRS-ja ka nënshkruar Marrëveshjen Ndërkombëtare në mes të Kosovës dhe BE-së, lidhur me pjesëmarrjen e Kosovës në programin “Evropa Kreative”, për sektorët kulturorë dhe kreativë”, ka thënë Ministri Gashi. Ministri po ashtu u shpreh se pjesëmarrja në këtë program do t’u mundësojë artistëve dhe profesionistëve të kulturës, si dhe organizatave krijuese, të punojnë së bashku dhe t’i bëjnë veprat e tyre krijuese për konkurrim me vendet e BE-së.

Aprovimi i Projektligjit për pjesëmarrje në kuadër të Programit “ Evropa Kreative” njëherazi do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve të sektorit kulturor dhe krijues, përmes promovimit të platformave kulturore dhe përmirësimit të akcesit ndaj krijimeve evropiane kulturore, dhe fuqizimit të audiencës, si dhe forcimit të inovacionit dhe krijimtarisë në fushën e kulturës. Gjithashtu, ndikim të veçantë do të ketë edhe në bashkëpunimin për rritjen e inovacionit, mobilitetit ndërshtetëror dhe shkëmbimit të praktikave më të mira në fushën e kulturës.

Kostoja vjetore financiare që Kosova duhet t’i paguajë Buxhetit të Përgjithshëm të Bashkimit Evropian për të marrë pjesë në Nën-programin e Kulturës dhe në fushat ndërsektoriale të do të jetë 35,000 euro. Këtë shumë financiare Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka paraparë në buxhetin e saj dhe e njëjta do t’i procedohet BE-së sipas Marrëveshjes./KultPlus.com

Kur Bekim Lumi i këndonte Drenicës

Regjisori Bekim Lumi mbetet një artist i paharruar, në kujtim të tij sjellim këngën “Drenica” kënduar nga vet ai.

Si pelerinat e zeza të një shtrigë
Nata pllakosi mbi Qeqavicë
Topa e blinda, mortaj e tanke
Derdhi si breshër kudo mbi Drenicë

Gjarpër shtatë krerësh me koka çetnike
E mbolli vdekjen mbi tmerr e panik
Foshnjës së bukur në gjirin e nanës
Gjumin i’a preu xhelati me thikë

Ah buzëqeshjen dhe dritën e syrit
I vrau katili me bajonetë
Si zog i trembur me krahë të thyer
Mbi djep vogëlushi u shtri i pajetë

Pranë ti jehomë si një statujë
Mbytur nga lotët e larë me gjak
Bijtë e Drenicës si engjuj liri
Dritë sot Kosovës i bëjnë rreth e qark./ KultPlus.com

Nis mirëmbajtja e monumenteve më të frekuentuara nga vizitorët

Itinerarët e rrugëve të besimit vazhdojnë dhe në këtë sezon veror të mbeten fokusi kryesor i institucioneve për t’i kthyer ato në atraksione turistike të denja për të mirëpritur turistët.

Këtë fundjavë fokusi i punimeve mirëmbajtëse të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë ishte në zonën e Himarës dhe në monumentet më të frekuentuar nga vizitorët si kalaja e Himarës, kisha e Ipapandisë, Shën Stefanit dhe Panaisë në Dhërmi, kishat e Shën Mëhillit, Shën Sotirës dhe Shën Spiridhonit në Vuno si dhe në Manastirin e Zvërnecit, Vlorë.

Gjithashtu në të gjitha kishat u afishuan postera me informacione dhe numra kontakti si ndihmë për këdo që dëshiron të vizitojë objektet e kultit në bregdet në kuadër të nismës “Itinerarët e rrugëve të besimit.

Kompleksit të Lidhjes i shtohet shtatorja e Abdyl Frashërit, Ymer Prizrenit dhe Sylejman Vokshit

Sot u arrit pëlqimi për nënshkrimin e memorandumit, në mes të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komisionit për Vitin Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu si dhe fituesit të Kompozicionit të Shtatores për Tre Liderët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shkruan KultPlus.

Në mesin e propozimeve është zgjedhur kompozicioni i shtatores së realizuar nga Gëzim Muriqi dhe Agron Blakqori. Kështu punimet për ndërtimin e shtatores në oborrin e Kompleksit të Lidhjes do të fillojnë së shpejti në pajtim me nenet përkatëse ligjore.

Në shtore janë paraqitur tre liderët e Lidhjes së Prizrenit Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni dhe Sylejman Vokshi.

Për faktin se ketë vit u shënua 140 Vjetori i Lidhjes së Prizrenit dhe po ashtu 550 Vjetori i vdekjes së Skënderbeut, inaugurimi i shtatores së Tre Liderëve të Lidhjes pritet të bëhet me 28 Nëntor 2018 në një ceremoni shtetërore./KultPlus.com

Duartrokitja më e gjatë i dhurohet Bekim Lumit

Alberina Haxhijaj

Regjisori Bekim Lumi ka marrë me qindra duartrokitje, për punën e tij si regjisor, gazetar apo thjeshtë si një mik i dashur, nga njerëzit që e kanë rrethuar. Mirëpo, duartrokitjet me të gjata, të mbushura me plot dashuri dhe njëkohësisht edhe me mungesë dhe krenari i mori sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Emri Bekim Lumi nuk do të harrohet asnjëherë, ai emër është gdhendur së bashku me historinë e Teatrit Kombëtar të Kosovës por jo vetëm aty. Për këtë njeri aq të fuqishëm asnjëherë nuk do të mungojnë fjalët dhe shfaqjet e tij do mbesin të pavdekshme.

Ai do njihet posaçërisht për shfaqjen e tij “Arturo Ui”, ëndrrën e mistershme, të bukur dhe të gjatë të Bekim Lumit. Edhe sot kur skenës së teatrit do i mungojnë projektet e tij të reja, mjafton kjo shfaqje për të parë gjithë dashurinë e Bekimit për teatrin por edhe një reflektim të Kosovës së tij. Një shfaqje e cila është edhe testamenti i tij i fundit artistik.

Prandaj si mund të kujtohej ai ndryshe sot, gjatë homazhit që i’u bë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, përveç se pikërisht më këtë shfaqje. Ndoshta, ai sot ishte edhe pjesë e saj më shumë se kurrë.

Arkivoli i tij qëndronte në skenë i gërshetuar me skenografinë e shfaqjes së tij gjersa aktorët vazhdonin shfaqjen duke shkëlqyer si çdo herë në lojën e tij, filigran.

Shfaqja “Arturo Ui” është një shfaqje e krijuar mbi tekstin e dramaturgut të shquar gjerman dhe botëror, Bertoltt Brecht. Ajo pasqyron historinë e dhunshme të rrëmbimit të pushtetit ekonomik dhe politik nga gangsteri Arturo Ui (alias Adolf Hitler) dhe pasuesit e tij në vitet 30’ të shekullit XX.

“Kur e shohim gjithë këtë dhembje dhe dashuri për Bekimin e kuptojmë se sa të lumtur ishim ne dhe ju me Bekimin. Disa prej jush patët fatin të jeni aktorë të shfaqjeve skenike të Bekimit kurse shumë të tjerë ishit aktorë të dramës jetësore dhe të momenteve shumë të vështira shëndetësore të Bekimit”, u shpreh në emër të familje, motra e regjisorit, Drita Lumi.

E fjalimi i saj para të pranishmëve mjafton për të kuptuar sadopak rendësin e madhe që ka pasur arti dhe teatri për regjisorin.

“Bekimi përmes shfaqjeve të tij e sidomos kësaj të fundit na e la një lamtumirë artistike por njëkohësisht na e dha edhe një mesazh të fortë politik për gjendjen në Kosovë. Bekimi na sfidoi të gjithëve. Ai punoi aq shumë edhe pse ishte i sëmurë dhe la porosinë që ne të tjerët të zgjohemi dhe të punojmë më shumë , që të mos kemi arsim injorant, shëndetësi të degraduar e të sorollatemi dyerve të Evropës dhe e të mos kemi art hiq”, përfundon ajo, duke i falënderuar të gjithë dhe duke u larguar ngadalë nga skena, aty ku arkivoli i regjisorit tani qëndron në qendër.

“E kur të gjitha ëndrrat të janë zhdukur dhe nuk di se ç’të pret,
mos mendo se vdekja është fundi!
Nuk është fundi, nuk është fundi,
ki parasysh që vdekja nuk është fundi.”
, janë fjalët që kumbojnë në teatër nga Afrim Kasapolli.

Ai i drejtohet regjisorit më vargjet e Bob Dylan-it, këngëtarit i cili fitoi Nobelin në letërsi gjersa shoqërohet në piano nga Luan Durmishi.

Tingujt e fundit të kësaj këngë, shënojnë edhe fundin e homazhit për regjisorin, të cilit i jepet lamtumira më duartrokitje.

Kështu kishte kërkuar edhe regjisori ndoshta si thirrje edhe për ngjalljen e kulturës. Duartrokitje këto të cilat ishin më të gjatat që i mirëpriti Teatri Kombëtar i Kosovës ndriçuan shpirtin e Bekim Lumit.

U prehtë shpirti i tij në paqe!./ KultPlus.com

Pesha e traditës, ose kur zakoni i dasmave bëhet barrë

Gjatë verës në Kosovë shpejt të krijohet përshtypja se të gjithë shqiptarët po martohen… Ja çfarë thonë Genti, Besarta dhe Elisa mbi përvojat e tyre nga dasmat në Kosovë.

Nëse martesa mbetet dëshmia më e përhapur e dashurisë, ky akt vazhdon të jetë një ngjarje e ngarkuar me plot detyrime dhe tradita sociale: në shumicën e rasteve dasma shndërrohet në një shkas për të performuar imazhin e çiftit dhe për të treguar sa lidhje premtuese do të jetë.

Gjatë verës në Kosovë shpejt të krijohet përshtypja se të gjithë shqiptarët po martohen. Ndërkohë që në Evropë numri i akteve martesore të regjistruara në regjistrin civil është vazhdimisht në rënie, në Kosovë duket se ky numër veç sa po rritet dhe që së shpejti do të eksplodojë. “Kur ke përshtypjen se më në fund të gjithë familjarët u martuan, meqë gjithë verën e mëparshme e ke kaluar nëpër dasma, papritur të del nipi i tezës së kushëririt, për të cilin nuk bën kurrsesi të mos shkosh, sepse ke qenë te vajza e tezës të djalit të hallës, etj.”, tregon duke qeshur Genti nga Gjilani. Genti është gjithashtu i martuar dhe do të mbushë të tridhjetat në vjeshtë.

Për secilin çift, një ditë e veçantë, unike në jetë

Edhe pse ceremonitë e dasmave duken të jenë të gjitha të njëjta, për çdo çift kjo ditë është e shenjtë, prandaj ai përpiqet të bëjë çmos për të krijuar një dasmë sa më origjinale dhe sa më të personalizuar? Kështu që edhe për Gentin, dasma e tij ishte komplet ndryshe, të paktën kështu mendon ai.

Pas 10 dasmave për një javë, shumë shpejt kupton se martesa nuk ka më funksionin e saj fillestar, por ka një funksion ekspresiv të çiftit, në një shoqëri gjithnjë me individualiste dhe në të cilën nuk bën pa shkuar. Pasioni i martesës përshkruan pasionin e nuseve për të transformuar martesën e tyre në një ngjarje unike dhe sa më të jashtëzakonshme, kështu që përgatitja e dasmës bëhet një provë e vërtetë reale për rrethin e çiftit, dhe pjesëmarrja e dasmorëve ka një rëndësi thelbësore.

Zarfat e shumtë me para dhe hatërmbetja

Ndërsa secili kërkon të bashkojë format e ndryshme të traditës së detyrueshme dhe ato moderne, përgatitja e “ditës më të bukur” të jetës së një çifti detyron gjithë rrethin të jetë pjesë e kësaj dite të shenjtëruar. Dhe, po nuk shkove në këto dasma, u mbetet “hatri”, thotë Besarta, e cila pothuajse çdo verë e kalon në një fshat afër Deçanit. Ajo tregon sa shumë harxhohet nëpër dasma, në të cilat duhet së paku “të lësh një zarf me 20-30 euro”, dhe kur shkon në afro 15 dasma për një muaj, “atëherë harxhon nga 300 deri në 400 euro nëpër zarfa”, thotë ajo tek thekson se i ka ndodhur të festojë edhe dy dasma në ditë. Përveç punës së shpenzimit, Besarta tregon sa i lodhshëm mund të jetë ky ritëm, “sepse duhet përgatitur edhe veshjen personale, ato të fëmijëve dhe të dukesh gjithnjë e hareshme dhe e gëzuar, pavarësisht se ti tashmë i ke kaluar 10 dasma”. Por, më e rënda për Besartën është fakti se duhet ndjekur të gjitha dasmat, sepse po more pjesë në njërën, atëherë nuk mund të anashkalosh të tjerat.

Një kosto e madhe por që ia vlen?

Elisës nga Peja, me vendbanim në Lucern, i pëlqen shumë ambienti festiv, në të cilin shndërrohet gjithë Kosova: “Kah të sillesh, ka muzikë, gëzime dhe hare. Për mua është kënaqësi. Gjithë vitin punojmë, e pastaj gjithë verën festojmë. Ajo që me pengon mua është detyrimi të jesh në të gjitha dasmat”. Kjo është shumë e rëndë për ne që vijmë nga diaspora. Pastaj, përveç harxhimeve për dhurata, duhet kohë për përgatitje, për të blerë fustane të ndryshëm edhe për mua dhe dasmat shumë shpejt shndërrohen në obligime me kosto shumë të lartë, përshkruan Besarta. Po këtë verë, sa dasma i ka në plan? “Dy, vetëm dy. Vitin e kaluar kam qenë në 12 dasma dhe jam kthyer e rraskapitur. Këtë vit do të jemi në Kosovë vetëm një javë, pastaj do të shkoj në Shqipëri për pushime. Kur je në deti, nuk i mbetet hatri askujt”.

Megjithatë, qoftë për Gentin, Besartën apo Elisën, pavarësisht kërkesave të shumta, angazhimeve të mëdha dhe përgatitjeve të zgjatura, investimeve dhe harxhimeve të paarsyeshme, ritualeve dhe traditave të ndryshme, dasmat shqiptare përmbajnë megjithatë një diçka të veçantë, që “deshe apo nuk deshe”, kur dëgjon vallen e Rugovës apo atë të Tropojës, të kënaqet shpirti, dhe vetëm për këtë ia vlen.

A u martuan të gjithë?

“Kur ke përshtypjen se më në fund të gjithë familjarët u martuan, meqë gjithë verën e mëparshme e ke kaluar nëpër dasma, papritur të del nipi i tezës së kushëririt, për të cilin nuk bën kurrsesi të mos shkosh, sepse ke qenë te vajza e tezës të djalit të hallës, etj”./ albninfo.ch

Botohen dy drama të Shaip Grabovcit

Shtëpia Botuese “Fad” në Prishtinës ka botuar së fundmi librin e ri të Shaip Grabovcit, i cili përmban dy drama, të titulluara “Banketi” dhe “Dardania”, shkruan KultPlus.

“Monodrama si pjesë e dramaturgjisë është më pak prezente, mirëpo, nuk do të thotë se ajo nuk ngërthen probleme me të cilat ballafaqohet qenia e njeriut. Përkundrazi, çështjet që trajtohen në monodramë janë më të detajuara dhe si të tilla më thellë prekin në psiken e njeriut. Monodrama i kushtohet Zef Mirditës, i cili tërë jetën e tij ia kushtoi gjurmimeve e studimeve rreth truallit të Dardanisë”, shkruhet në njoftimin e shtëpisë botuese.

Shaip Grabovci, kësaj radhe prezantohet me monodramën Dardania, e cila krahasuar me monodramat e tij Lajthimi dhe Labiriniti, në të cilat individi lufton për të qenë pjesë e kolektivitetit, në monodramën Dardania individi gjurmon në të kaluarën, për t’i gjetur rrënjët e tij. Në dramën tjetër Shaip Grabovci realizon rrjedha nga shtresa të ndryshme, të nxjerra nga e përditshmja. Një dramë tjetër, mjaft të fortë, mjaft të vijëzuar dhe të skalitur.

Drama “Banketi”, zë vend të veçantë të krijimtarinë e tij. Ajo trajton problem aktuale, të cilat njëherësh janë të vjetra edhe sa vet njerëzimi. Pra tema është sa e përgjithshme aq edhe shumë individuale, pasi ajo është një depërtimin në mendjen e individit, i cili nuk mund të jetë indiferent ndaj rrethit ku veprojmë e që në kuptimin më të gjerë e quajmë Kozmos.

Grabovci në shkrimin e dramave të tij mbështet te principet e Frenci Fërgasonit, i cili në një fare dore, skenën e konsideron si një purgator, ku vetëm atëherë, kur njeriu e ndien vetën se gjendet në një tigan të skuqur, vetëm atëherë e nxjerrë jashtë tërë atë që e ka të mbyllur në shpirtin e tij.
Në këtë drejtim, drama “Banketi” sikur ka diçka më specifike. Në “purgatorin” e saj gjenden ata që dikur kanë qëndruar mbi të gjithë, por që hove-hove sikur kalojnë në kohën e tashme. Pra kemi një ngjarje që zhvillohet në mes reales dhe ireales e kjo mund të merret edhe si një risi.
Personazhet janë shumështresor, kështu në të njëjtin personazh mund të “takojmë” Berien e Neronin, Eridën dhe Maria Antonetën… Mirëpo emrat e tyre nuk zihen në gojë, por të bëmat e tyre po se po! Mos përmendja e emrave konkret dramën e bën më universale ngase numri i atyre që kanë shtypë të tjerët është akoma me i madh!

Në dramë kemi rrëfimet e atyre që të tjerët i shtypin, por që shpesh herë për këtë tentojnë ta fajësojnë dikën tjetër, mandej rrethanat dhe gjërat që vetëm ata mund t’i imagjinojnë! Nga këto trajtime , mund të përfundohet te dilema: vallë, mos lufta është baba i çdo gjëje?/ KultPlus.com

Të pranishmit i dhurojnë duartrokitjet e fundit Bekim Lumit

Salla e Teatrit Kombëtar të Kosovës sot është mbushur plot, ashtu siç shumë herë më parë e kishte mbushur Bekim Lumi me shfaqjet e tij të cilave u kishte dhënë jetë pikërisht në këtë skenë, shkruan KultPlus.

Pranë atyre që janë mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit, me regji të përgatitur nga vet Bekim Lumi, të pranishmit filluan këtë ceremoni me një pjesë të shfaqjes së fundit shënoi 20 vite karrierë të Lumit, duke i kaluar disa nga ditët e fundit në teatër. Pjesë e lojës artistike të shfaqjes, ishte dhe arkivoli i bardhë i Bekim Lumit.

Me vargjet e këngës së Bob Dylanit “Vdekja nuk është fundi”, e me tingujt pianistik, ai mes lotësh e duartrokitjeve të forta u përcoll prapa skenës së teatrit.

Varrimi i Bekim Lumit bëhet në ora 14:00 në varrezat e Prishtinës./ KultPlus.com