Adem Demaçi: E kam zemrën plot me plagë

Është shqiptari të cilin më së shumti e ka mbajtur në burg Serbia. Por, Adem Demaçi ka mbetur i pathyeshëm, i papërkulur dhe i pa dorëzuar përballë hegjemonizmit serb. Burgun e konsideron si një përvojë të madhe, përfshirë edhe pesë vitet e kaluara në vetmi. Ndonëse i ka kaluar më shumë se 28 vjet në burgje, ai gjen forcë ta “falënderojë” Serbinë “… që e futi nëpër këto kanale të luftës për liri dhe pavarësi”. Ndërkaq, edukatën dhe trimërinë e tij ia dedikon, siç thotë ai, nënës burrneshë.

Intervistoi: Gazmend Kajtazi

Adem Demaçi, apo siç njihet ndryshe, “Mandela i Kosovës”, nuk e përjashton mundësinë e kandidimit për president të shtetit, me kusht që të ndryshohet Kushtetuta dhe që presidentit t’i jepen kompetenca më të mëdha të pushtetit. Ditën e 28 Nëntorit, Demaçi do ta kalojë në Prishtinë. Arsyeja e tij, për këtë vendim është ky: “Më kanë ftuar në Vlorë. Është kallaballëk i madh, mua nuk më pëlqen..”

Në intervistën ekskluzive për portalin tonë, ai shpalos për herë të parë idenë e tij 1 euro në ditë për fond kulturor, humanitar të pavarur. Me këtë fond do të ndërtoheshin fabrika, do të shtoheshin vendet e punës, do të zhvillohej vendi.
Baca Adem, në fillim urime 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë?

Faleminderit edhe juve, gjithashtu.

Në këtë rrugëtim 100 vjeçar të pavarësisë shqiptare, gati 30 vjet i keni kaluar në burg. A konsideroni se jeni më krenar apo me i “varfër” për këtë sakrificë tuajën jetësore për popullin shqiptar?

Unë, edhe sikur të jetoja për së dyti, këtë rrugë do ta zgjidhja, sepse edukata e nënës, mësuesve, arsimtarëve të mi, ka qenë në frymën që atdheu dhe kombi janë mbi të gjitha. Kam pasur fat që i kam dëgjuar ata, por edhe fat që Serbia bëri gabimin që më futi nëpër këto kanale të luftës për liri dhe pavarësi. Kështu, kam investuar jetën time mu aty ku duhet. Investimi për kombin është investimi më i mirë, i cili nuk zbehet kurrë, dhe s’ka mundësi të harrohet dhe asgjësohet. Të gjitha të tjerat vijnë e shkojnë.

A mund të na riktheni edhe njëherë në atë kohë? Si është ndjenja e guximit që t’i dalësh përballë një regjimi të egër serb pa patur frikë nga pasojat personale?

Njeriu nuk lind trim, por as pa trim. Rrethanat e krijojnë. Unë e kam pasë një nënë shumë burrneshë, shumë atdhetare, e cila ka kaluar nëpër shumë katrahura të ndryshme. Ajo, mbante në mend kur ka ra Serbia e parë, e dytë, Serbia e tretë; mbante në mend kur ia kanë vra katër axhallarë në oborrin e shtëpisë; kur kanë hyrë forcat e Serbisë më 1912. Pastaj e kam pasë mësuesin atdhetar dhe arsimtarët e paktë që atëkohë kanë qenë me normale të Elbasanit. Në fund, jam shoqëruar me Esad Mekulin, i cili më futi në rrugën e letërsisë dhe më ka frymëzuar. Si njeri i cili fliste pak, punonte shumë, nuk kërkonte për vete asgjë, flijohej për kombin. Kështu, kam pasë një varg ndikimesh, trajtimesh nga rrethi im ku kam jetuar dhe gjithashtu – politika barbare, e padrejtë e shfarosjes që ka ushtruar Serbia.
E mbaj mend si fëmijë, kur afër shtëpisë sonë, jo më shumë se një kilometër pushkatoheshin njerëzit herët në mëngjes. Të gjitha këto së bashku më kanë bërë mua ta kuptoj se dikush duhet të flijohet për kombin dhe ta falënderoj edhe Serbinë që më zgjodhi pikërisht mua. Ata më zgjodhën për të frikësuar të tjerët. Menduan se jam pikë e dobët; më vlerësuan gabimisht. Unë, atëherë hyra në atë luftën politike, pa dashjen time, por kur hyra nuk desha të dalë në gjysmë të rrugës. Nëse do ta lexoni romanin tim “Dashuria kuantike e filanit”, do ta shihni se kam vendosur të vdes. Formalisht veten time e kam kallë dhe çdo herë kam thënë se unë jam i vdekur. Çka mund të jetë diçka më keq se vdekja. I vdekuri nuk mërzitet për asgjë, as për kërcënime, as për burgosje, as për kurrgjë.

A keni pasur ndjenjën ndonjëherë se po e shtyni “bjeshkën me gjoks”, se po i bëni ballë një shteti me mekanizmat e egër policor e ushtarak duke e luftuar atë duarthatë?

Unë e kam pasë edhe një fat tjetër që shkollimin, gjimnazin, e kam bërë me themel. Ne gjërat i kemi mësuar me pjekuri të madhe. Qysh atëherë kam pasë mundësi që të mendoj dhe t’i shikoj gjërat në zhvillim, në ndryshim, e jo të shtanguara.
Më kujtohet dita kur shkoi Jugosllavia e vjetër, kur hyri e shkoi Italia, erdhi Gjermania…Punët i shikoja në lëvizje, ecje, dhe atë shtet që ishte në të vërtetët një burg i popujve, e kam përjetuar si diçka që dalëngadalë po vdes, sepse gjithnjë e më tepër po zgjat jetën dhe praninë e vet në hapësirën tonë me dhunë. Ky ishte treguesi më i mirë për mua se ky shtet do të mbarojë.
Edhe historinë e kam mësuar me shumë prirje, me shumë lezet. Si i vogël kam qenë i pjekur, i kam shikuar punët drejt, ashtu siç duhet.

A ju ka burrnuar jeta në burg?

Burgu është një provë e madhe. Nëse vendosni të vdisni para se me ra në burg, atëherë është pak më lehtë. Por, kam pa të tjerët si janë plakur, si janë mërzitë, si brengoseshin, humbnin nervat etj., sepse aty njeriu vdes një herë, dy herë, tre-katër herë… Të paktën, ai sistem i burgjeve ka qenë i tillë. Ata janë munduar me mjeshtëritë e tyre të përsosura që të na e hanë shpirtin, të na shkatërrojnë fizikisht edhe shpirtërisht. Ka qenë një makineri shumë dërmuese, shkatërruese, por për fat unë dhe shokët e mi, edhepse ka pasë situata të ndryshme, kryesisht kemi kaluar mirë.

A do të ishit më i madh se sa që jeni sot po të mos ishit në burg, apo burgu ju ka bërë më të madh se sa që do të ishte Adem Demaçi një gazetar apo shkrimtar?

Unë mendoj se ia kam pa hairin Serbisë që më ka futë nëpër këto kanale të cilat për ata që janë shikues nga jashtë, duken sikur ka qenë një vuajtje, një fatkeqësi e madhe, etj. Por, unë mendoj se ajo ka qenë fat për mua, se do të isha njëfarë shkrimtari… Ndoshta as shkrimtar sa duhet nuk do të isha, sepse vetëm kur njeriu bie në burg, atëherë e njeh sistemin nga brenda. Pa hyrë nëpër burgje, pa pasur punë me ata që janë në të vërtetë skeleti i pushtetit, nuk mund ta njohësh atë shtet.
Pastaj, nëpër burgje kisha kohë të lexoj më shumë, të koncentrohem më shumë, të mendoj më shumë. Nga ato 28 vjet burg, pesë vjet e gjysmë kam qenë vetëm, në izolim të rreptë. Nuk kisha kurrfarë kontakti me të tjerët, pos kur e sillnin ushqimin, gazetat ose librat. Këto më kanë bërë të mundur që të hy në një filozofi dhe në një meditim pa dijen time. Sepse, vetmia e gjatë, qetësia, e kanë bërë të veten.
Unë shpesh kam lënë mendimet e mia të rrjedhin, të rrjedhin, dhe ajo kërkohet nga kjo filozofia të cilës i përkas edhe unë: filozofia e mundësive të pakufishme. Kur kam dalë pastaj jashtë, jam takuar me Hetemin, djalin e mikut tim, Rexhep Ramadani. Ai atëherë më njoftoi me këtë filozofi, me bartësin kryesor të kësaj filozofia Deepak Chopra, nga India në Amerikë.
Mua më kanë ndihmuar shumë rrethanat, që prej një qytetari të rëndomtë, njëfarë shkrimtari, sot jam një njeri tjetër, me cilësi tjera, sepse njeriu që merret me punë të mëdha, atëherë edhe bëhet i madh dhe e kundërta.

Kur keni dalë nga burgu populli ka pritur në rend për t’ua zgjatur dorën. A mendoni se Adem Demaçi se edhe sot ekziston në popull ndenja e respektit ndaj jush si në ditët e para të daljen nga burgu?

Edhe kjo shkon valë-valë. Nganjëherë respekti rritet, nganjëherë zvogëlohet. Varet në çfarë trajtimesh gjendesh dhe sa është e vërteta e lejuar që të qarkullojë për Adem Demaçin. Ka pasë faza që Adem Demaçi ka qenë i përcjellur, por edhe i penguar që të afirmohet. P.sh., e kam dhënë një intervistë të gjatë dhe shumë të rëndësishme në shkurt të vitit 1992 në televizionin e Beogradit, por këtu në Kosovë rrethanat ishin të tilla që nuk pat publicitet ajo intervistë. Ishin ata që u pengonte Ademi që do të kishte kredibilitet në popull. Është bërë luftë që të më zvogëlohet simpatia, besimi, etj.

Keni bërë disa lëvizje “poshtë e lart”. U bëtë kryeredaktor i Javores Politike Shqiptare “Zëri”, kryetar i një partie politike, zëdhënës i UÇK-së…Por, sikur në asnjë pozitë nuk u rehatuat krejtësisht. Prej nga ky shpirti “parehatuar” i Adem Demaçit?

Nuk është kjo punë rehatie, por “Zëri” kishte rënë në krizë dhe më ftuan mua. E drejtova këtë revistë një vjet e diçka. Mirëpo, Serbia duke e parë që po shkon puna mirë dhe po ka sukses, na ndaloi. Ishte ajo greva 11 ditëshe që bëra unë atëherë. Nuk patëm mundësi që ra ngjallnim pastaj “Zërin”.
Në Partinë Parlamentare kam qenë i ftuar disa herë, por nuk e shihja të arsyeshme. Megjithatë, ndodhën disa gjëra që është shumë gjatë të hymë në ato shpjegime. Kur u ktheva nga Perëndimi kërkova ndihmë, e ndihma nuk m’u dha. E pashë që nuk ka rrugëdalje tjetër vetëm që ta shndërrojmë këtë parti në një parti që do të jetë njëfarë mbështjellësi i lëvizjeve të vogla që ne i dinim që po zhvilloheshin në Kosovë.
Ishin veprimet e para të UÇK-së. Më ftuan në momentin kur edhe vet isha i gatshëm. Shkova me qëllim që të bënim një pjesë të udhëheqjes politike, të luftës që po përgatitej. Më ftuan në Tiranë dhe më propozuar të bëhesha përfaqësues i Përgjithshëm i UÇK-së dhe ta organizoj një Asamble të Kosovës. Unë i pranova këto detyra dhe automatikisht ngeli puna e partisë, sepse nuk mundja të punoja në dy vende.
Nuk është punë rehatie, por unë kam shkuar nga vendi në vend, aty ku ka qenë nevoja më e madhe dhe jam munduar të jap maksimumin.

Shumë procese të viteve të fundit në Kosovë ju i keni kundërshtuar. Madje edhe në kohën kur ishit zëdhënës i UÇK-së dolët kundër qëndrimit të shumicës së përfaqësuesve në Rambuje për të mos nënshkruar marrëveshjen. A vazhdoni të mbani qëndrimin se kjo Marrëveshje nuk ka qenë dashtë të nënshkruhet?

Unë kam qenë i bindur që Serbia ka për ta pranuar atë marrëveshje. Dhe, në qoftë se nuk do ta pranonte, ne sot do të ishim nën Serbi. Ishte një punë fort e rrezikshme që të hyhej në ato bisedime, sepse aty kanë qenë 10 pika të panegociueshme dhe, ndër to, pika e parë ka qenë që të pranohet Jugosllavia si shtet yni; të pranohen konkluzat e Helsinkit që thonë nuk ka ndryshim të kufijve pa pëlqimin e palës tjetër; të pranohej Kosova si një territor i etniteteve të barabarta, pa i përmendur në asnjë rast shqiptarët si shumicë, dhe gjithë ato shtatë pika të tjera në këtë frymë. Kjo do të ishte një lloj autonomie që nuk do të kryente punë, prandaj unë dhe Albin Kurti, si sekretar i zyrës, nuk u pajtuam. Asgjë më pak se pavarësia. Kurse, të gjithë faktorët e jashtëm (edhe amerikanët, francezët, etj.), ishin të mbërthyer se na mjaftonte autonomia.
Unë shkova te ish ministri i Jashtëm britanik, Robin Cook. E mora ftesën, pastaj ai më njoftoi që të njëjtën ia kishte dorëzuar edhe Rugovës, i cili e kishte nënshkruar pa e lexuar fare. I thashë pastaj Albinit: “Thuaji Cookut që unë nuk jam i mençur si Rugova ta nënshkruaj pa e lexuar”. Të nesërmen me Albinin shkuam në Shtab. Pasi ai ua përktheu 10-pikëshin që duhej nënshkruar në Shkup, nëse duam të shkojmë në Rambuje. Ata na thanë se ende nuk kishin qëndrim të vendosur. Ishte aty edhe Ramë Buja i cili e lexoi dokumentin. Po them edhe një herë, Zoti na shpëtoi që Milosevici nuk e pranoi atë propozim.
Herën e dytë filluan të ashpërsoheshin kriteret pak. Në Slloveni unë dhe Hashimi patëm disa takime me ish-kryeministrin slloven, Janez Drnovsek, dhe të tjerë, pastaj me ish-sekretaren amerikane Madeleine Albright në Rambuje. Pas një bisede 45-minutëshe, ajo thoshte se do të bëhej një gjakderdhje e madhe në qoftë se ju nuk e pranoni dokumentin. Unë e bëra me dije se ne ia kemi filluar luftës dhe pa pavarësi nuk ndalemi. Nuk u pajtuam me të dhe në një vend tjetër vazhduam bisedën vetëm unë dhe Hashimi. Ai më tha se të gjithë e kanë pranuar marrëveshjen dhe se ai kishte mbetur vetëm. Këmbëngula që ai të mos pranojë. Por, këtë nuk e bëri, sepse, ndryshe do të largohej nga loja politike. Këta e vazhduan dhe erdhën këtu ku jemi.

Cila është preferenca politike e Adem Demaçit, po të kishit një parti politike?

Unë jam me krahun e luftës, se pa këtë luftë, e cila u bë edhe me 100 gabime, ne sigurisht do të ishim nën Serbi. U bë lufta me viktima të shumta. Erdhën këtu përfaqësuesit amerikanë, Robert Gelbard dhe Richard Holbooke. Mundoheshin të na bindnin për autonomi. Unë kam qenë ai që dy herë i kam dështuar këto përpjekje, ndërsa Holbrooke kishte thënë: “Mos ma qitni këtë njeri më përpara se s’dua ta shoh”. Por, më vonë pranuan kompromisin. Serbia nuk u soll si duhet, u mërzit Amerika dhe ish-presidenti George W. Bush në Krujë dha sinjalin për ta shpallur pavarësinë. Shpallja e pavarësisë sonë ishte formalisht shkelje e rezolutës 1244. Kjo me të vërtetë ishte një kthesë e madhe historike për ne.


Çfarë keni mësuar dukë qëndruar më pranë politikës dhe njerëzve të pushtetshëm?

E kam mësuar një punë të keqe, se pushteti i prish njerëzit, sepse duke u thënë zoti kryetar, zoti kryetar, po sillen ndryshe, po ndahen nga njerëzit, po tjetërsohen, po bëhet tjetërfare, nuk po i njohin shokët e vet të luftës, as të tjerët. Kështu, pushteti është një punë shumë e rrezikshme.

Si shpjegohet që njerëzit që magjepsen më shumë prej pushtetit janë ata më të paaftët? Ka kjo lidhje me kulturën e njeriut!

Po, ka lidhje me kulturën e tij, me edukimin, me vetëdijen e tij. Mirëpo, ka edhe përjashtime që janë treguar. E kemi ne kështu, Fan Nolin, njërin nga atdhetarët e mëdhenj i cili u përpoq për Shqipërinë. Dështoi disa herë, dhe kur Enveri me të tjerët fituan luftën, e ftuan të kthehej dhe të bëhej kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, e ai u tha: “Luftën e bëtë, e fituat dhe vazhdojeni ju”.

Si duket një ditë e juaja në moshën e bardhë?

Unë i them vetes 39 vjeç, por kam lindë para 77 vjetësh. Jeta ka kërkesa të shumta, ka provokime të shumta, të mira e të këqija, po unë jetën e pranoj jetën ashtu siç është. Kërkesat e mia janë të vogla. Ushqehem thjeshtë, vishem poashtu thjeshtë. Jetën e kaloj pa shqetësime të njerëzve të vegjël, që shqetësohen për gjithçka. Çfarëdo që ndodh, unë e pranoj dhe bëj atë çka është e mundur…

Bëmë një udhëtim paksa të gjatë, ngacmuam kujtime, zbuluam brenga e mësuam diçka nga jeta juaj, po nesër çdo të bëjë Adem Demaçi?

Tash, kur isha në diasporë, në Austri, Gjermani, Zvicër, shpalosa një ide të cilën e kam prej 2-3 vjetësh. E kam përmendur në takime të ndryshme dhe të gjithë më thonë se do ta përkrahin. Kësaj here më është mbushur mendja se diaspora do ta pranojë këtë projekt. Diaspora ishte shtylla e shpëtimit të kombit, pavarësisht që ende nuk ia kemi dhënë vendin që duhet. Ne kemi mbetur shumë mbrapa, sidomos sa i përket arsimit, kulturës, shëndetësisë. Koha po shkon, e ne po mbetemi me ato të zezat që na i la Serbia. Kështu, unë kam një ide për një fond kulturor, humanitar të pavarur, ku çdo kush që do të pranonte të hynte në atë fond, të jep një euro në ditë për kombin. Pastaj, kjo iniciativë do të depërtonte në hapësirën mbarëshqiptare, në Kosovë, Shqipëri, në Iliri – në atë pjesën që i them unë të Maqedonisë. Nëse arrijmë p.sh., të tubojmë një milion njerëz që do të jepnin një euro në ditë, me kaq para mund të bënim një fabrikë; mund të bëjmë goxha punë edhe në arsim e shëndetësi, e kudo që të investohen. Brenda një viti bëhen 365 milionë euro.
Rregulli do të jetë që askush të mos japë më shumë se një euro. Por, ata që kanë mundësi, mund të japin edhe për të tjerët. Kjo do të jetë transparente. Secili mund të deponojë mjetet në bankën e caktuar; mund të shohin sa po rritet ai fond. Nëse ndokush i bie pishman, mundet edhe t’i tërheq ato. Por, nuk është zakoni që paratë që falen, të tërhiqen. Kështu, shumë gjëra të tjera do të financoheshin, pavarësisht se çka bën shteti.

Jemi në përvjetorin e 100-të të Pavarësisë së Shqipërisë. A keni ëndërruar apo dëshiruar ndonjëherë më parë që në këtë përvjetor, kryetar i Kosovës do të duhej të ishte Adem Demaçi?

Nuk kam ëndërruar një gjë të tillë, sepse nuk janë kushtet, rrethanat për të qenë unë kryetar. Nuk mund të jesh kryetar nëse të tjerët të rrinë mbi kokë dhe të mësojnë se çka duhet të bësh. Ju e dini se çfarë kushtetute kemi ne. Në kushtetutën tonë parashihen shumë gjëra që janë krejtësisht të papranueshme, të cilat na i kanë imponuar, bile duke i detyruar shqiptarët të thonë se e kanë bërë vet. Atë e kanë bërë të tjerët. Mandej marrëveshje e Martti Ahtisaarit është një imponim, dhunim i vërtetë i të drejtave të shqiptarëve për t’ia bërë qejfin Rusisë dhe Serbisë se mos po dalin nga Rezoluta 1244.

Emri Juaj është përmendur si kandidat i mundshëm për president të ardhshëm të Kosovës. A do të kandidonit eventualisht si kandidat i pavarur apo si kandidat i një partie politike?

Ka propozime, porse kam thënë se ajo punë mund të bëhet nëse ne e ndërrojmë Kushtetutën, ashtu që presidentit t’i jepen autorizime të jashtëzakonshme, meqë ai duhet të zgjidhet me votat e popullit, ta ketë një mandat më të madh sesa partitë dhe disa institucione tjera. Pastaj, që presidenti të ketë mundësi që çdo ligj që është në kundërshtim me interesin e kombit, ta hedh atë.

Ku do të jeni më 28 Nëntor, në Vlorë, në Prizren apo në Prishtinë?

Do të jem në Prishtinë. Më kanë ftuar në Vlorë. Është kallaballëk i madh, e mua nuk më pëlqen. Shkojnë ata që gëzohen. Unë e kam zemrën plot me plagë, nuk mund të gëzohem aq lehtë. Nuk mund t’i marrë as t’i harrojë ato që i kam parasysh, shokët e mi që nuk i kam…Njeriu që nuk gëzohet nuk është mirë të hyjë me ata që gëzohen, sepse ua prish atmosferën edhe atyre. Lërini le të gëzohen./KultPlus.com

Intervista është botuar më 28.11.2012 nga Telegrafi

Vdes Adem Demaçi, simboli i rezistencës kombëtare

Ka ndërruar jetë veprimtari i çështjes shqiptare, Adem Demaçi, në moshën 82 vjeçare.

Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti.

“Ka ndërruar jetë mësuesi jonë, njeriu që i dha 28 vjet të jetës së tij nëpër kazamatet serbe. Ai ka ndërruar jetë por vepra e tij do të lartësohet e të kujtohet për sa të ketë jetë”, ka thënë Haliti, që po kryesonte seancën në të cilën po diskutohej për dialogun me Serbinë.

Pasi ka ftuar deputetët për një minutë heshtje, seanca është ndërprerë për të vazhduar nesër.

Këngës “Imagine” të John Lenon, i kushtohet një libër

Këngës më të famshme të të gjitha kohërave, “Imagine” të John Lenon, i është kushtuar një libër.

Dhe është pikërisht vejusha e Lenon, Yoko Ono, e cila do të sjellë detaje mbi kohën në të cilën u mendua, krijua dhe më pas realizua kënga e konsideruar si himn i paqes.

Me titull “Imagine” John Yoko, libri tregon gjenezën dhe prapaskenat e albumit, nëpërmjet kujtimeve të John, vetë Yokos dhe 40 personave që kanë qenë afër Lenon.

Përtej sfondit, teknikave të regjistrimit, në tekst jepet edhe planimetria dhe panorama e shtëpisë dhe studiove, me mbi 80 përqind të materialeve të pa publikuara më parë.

Publikimi i librit është parashikuar më 9 Nëntor, pikërisht në ditën kur Lenon do të mbushte 78 vjeç./a.a/ KultPlus.com

Dua Lipa pjesë e “Late Show”

Superylli shqiptar që do të performojë në Sunny Hill Festival më 10 gusht, Dua Lipa, vazhdon me angazhimet e saj.

Para se të vizitojë vendlindjen e saj, Prishtinën, Dua Lipa mbetet e angazhuar në të gjitha frontet.

Ajo do të jetë pjesë e një prej emisioneve më të shikuara. “Late Show” me Stephen Colbert.

’Aty do të performohet edhe “IDGAF”, një prej hiteve të mëdha të Duas.

Këngëtarja shqiptare do të vazhdojë me performancat e saj, teksa ka edhe shumë koncerte të shitura plotësisht./KultPlus.com


Era Istrefi publikon skena nga klipi i ri (VIDEO)

Këngëtarja kosovare tashmë me famë botërore, Era Istrefi, përmes një video të postuar në rrjetet sociale ka zbuluar disa sekuenca nga klipi i ri i cili pritet të dal nesër, shkruan KultPlus.

Kënga do të titullohet “Oh God” dhe atë e ka punuar në bashkëpunim me artistin e njohur xhamajkan Koshens.

Nesër pritet të shihet videoklipi i plotë dhe të dëgjohet kënga e cila sipas Erës do të mbahet mend. / KultPlus.com

Regjisorët e “BoJack Horseman” do të prezantojnë në Anibar

Në edicionin e nëntë të Anibar që mbahet prej 13 – 19 gusht në qytetin e Pejës do ligjërojnë regjisorja Amy Winfrey dhe animatori Peter Merryman i serialit të Netflix – “BoJack Horseman”.

Ata gjatë prezantimit, do të shpjegojnë procesin e krijimit të një episodi, prej vizualizimeve të para të skriptës, krijimit të storyboardit, dizajnit dhe animacionit final.

Amy Winfrey ka qenë e angazhuar si regjisore e “BoJack Horseman” në realizimin e 5 sezoneve të këtij seriali.

Fillimin e saj në industrinë e filmit të animuar Winfrey e kishte në realizimin e sezonit të parë të South Park dhe më pas South Park: Bigger, Longer and Uncut!

Amy Winfrey, diplomoi nga UCLA me Master në animacion. Aktualisht është e angazhuar në serialin Tuca and Bertie, ndërsa është regjisore e serialit të animuar, Making Friends të Nickelodeon.

Së bashku me Winfrey më 18 – 19 gusht do prezantojë edhe regjisori Peter Merryman i përfshirë si animator poashtu në projektin e serialit BoJack Horseman.

Merryman është përgjegjës kryesor për krijimin e 8 sezonave të serialit të famshëm amerikan të Comedy Central “South Park”.

Winfrey dhe Merryman përpos prezantimit, gjatë dy ditëve do të mbajnë masterklasë në storyboarding në Kinemanë Jusuf Gërvalla. Gjatë masterklasës do të demonstrohet procesi i detajuar nga krijimi i një storyboard-i, pjesa e animacionit dhe poashtu teknika unike e serialit të Netflix BoJack Horseman.

Programi i prezantimeve dhe masterklasave: Netflix’s Bojack Horseman: Amy Winfrey dhe Peter Marryman 18 Gusht në ora 16:00 në Kinema Jusuf Gërvalla në Pejë

Storyboard Master Class: Amy Winfrey dhe Peter Marryman

19 Gusht në ora 14:00 në Kinema Jusuf Gërvalla në Pejë

Prezantimi i Amy dhe Peter në Festivalin e Filmit të Animuar Anibar u mbështet nga Ambasada Amerikane në Prishtinë./KultPlus.com

‘Këngë te Kopshti’, koncerti që pret të ju magjeps

Fondacioni Lumbardhi kësaj radhe prezanton koncertin ‘Këngë te Kopshti’, që do të mbahet më datë 28 korrik, në orën 21:00 në Lumbardh.

Në këtë koncert do të performojnë tre bende fenomenale: SYTË, Oborri dhe BLLA BLLA BLLA…
SYTË:

EP e parë e bendit tregon historinë e dy shpirtrave të lidhur së bashku nga yjet. Vokali i sinqertë lundron nëpër tingujt e ëmbla të sintit dhe gitarave bittersweet, të cilat e ngjyrosin bazamentin që e krijon basi dhe tupanat hip hop, për të përshkruar një dashuri që duket sikur është përzgjedhur nga një konstelacion.


OBORRI:

Oborri është një duo bend i formuar në vitin 2014 në Prishtinë, Kosovë, i përbërë nga Arbër Salihu dhe Tomor Kuçi. Pasi që ishin aktivë për 8 vite në skenën e muzikës në Prishtinë , duoja nxori albumin “Oborri” në 2017. Grupit i bashkohet kompozitori Liburn Jupolli dhe bubnjari Vedat Hasani, kështu që në performanca live grupi bëhet me 4 anëtarë .


BLLA BLLA BLLA…:

Blla Blla Blla… është një bend shumë i njohur nga Shkupi. Në 2000 bendi nxorri albumin e tyre të parë dhe shumë të suksesshëm “Blla Blla Blla”. Ata janë edhe autorë të albumeve “Over the Blakanshire Reform”, “Lamtumirë ” dhe “Brum për Medioker”.

Biletat kushtojnë 2 euro para koncertit dhe mund të blihen në Prizren te Lumbardhi kurse në Prishtinë në Dit’e’Nat. Biletat te dera do të kushtojnë 4 euro.

Sponsor i programit veror janë Raiffeisen Bank dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit./KultPlus.com

Durim Kryeziu, pjesë e ‘Matchmaking Forum’ në Festivalin e Filmit në Pula

Regjisori Durim Kryeziu me filmin i tij “Familja” ishte njëri nga 14 projektet e zgjedhura për t’u prezantuar përpara producentëve evropianë në Festivalin e Filmit të Pulës në Kroaci.

Festivali i Filmit i Pulës për 65 vjet është një nga ngjarjet më të rëndsishme të industrisë së filmit në Evropën Juglindore dhe në Mesdhe.

“Matchmaking Forum” është një program i ri, i cili u mbajt për herë të parë këtë vit. Programi ju ofron producentëve mundësinë për t’u takuar me shumë financues të ndryshëm që janë pjesë e industrisë së filmit si: distributorë, agjentët të shitjes, banka, financues private dhe publike, regjionet dhe komisionet të filmit, transmetuesit, platformat e internetit etj.

“Pas prezentimit ka pasur interesim të madh për projektin “Familja”, Pastaj janë realizuar shumë takime me producent, distributorë, fondacione të ndryshme dhe përfaqësues të HBO-së dhe Euroimages. Unë pres që këto takime do të sjellin bashkëpunime të reja në të ardhmen e afërt”- u shpreh regjisori Durim Kryeziu.

Projekti filmik “Familja“ është mbështetur financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës si film debutant. / KultPlus.com

Ec Ma Ndryshe kërkon të parandalohet rrënimi i ndërtesës në Prizren

Organizata joqeveritare “Ec Ma Ndryshe” përmes një kumtese për media ka kërkuar që të parandalohet rrënimi i ndërtesës, që gjendet në rrugën “Bajrakli”.

Kulmi i kësaj ndërtese është shembur. Sipas kësaj kumtese kjo ndërtesë gjendet në Qendrën Historike të Prizrenit, që sipas Ligjit Nr.04/L-066 (2012) trajtohet si pronë e trashëgimisë kulturore dhe historike në mbrojtje të përhershme dhe të klasifikuar si zonë e veçantë e mbrojtur me vlera të interesit lokal, shtetëror dhe ndërkombëtar.

ndërtesë e banimit posedon vlera të trashëgimisë kulturore dhe paraqet një nga tipet karakteristike të arkitekturës së banimit të qytetit. Ndërtesa në fjalë, strukturalisht është në gjendje mesatarisht të dëmtuar dhe rrënimi i kulmit mund të ketë pasoja të pakthyeshme për ndërtesën. EC Ma Ndryshe konsideron se duhet reagim urgjent nga Inspektorati i Komunës së Prizrenit dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në mënyrë që të parandalohet një rrënim i mundshëm dhe të ndërmerren masa preventive për sanimin e gjendjes”, thuhet më tej në kumtesë.

Rita Ora uron Andan me fotografinë nga udhëtimi në Kosovë

Këngëtarja Rita Ora ka uruar ditëlindjen e mikes së saj, Anda Vlasakut.

Me disa fotografi ajo ka shprehur dashurinë dhe simpatinë për miken e saj.

“Shpresoj të jemi shoqe gjithmonë, të shëtisim botën dhe të bëhemi balerina kur të jemi 102 vjeçe” ka shkruar Rita duke uruar Andën.

Një prej fotografive është edhe ajo ku vajzat kanë veshur bluzat me mbishkrimin Kosova, bluza këto të cilat Rita i shiti për koncertin e saj në Kosovë. / KultPlus.com

‘Ne jemi Çamëria’, emri i fondacionit drejtuar nga një shqiptare për të ndihmuar fëmijët në Kenia

“Ne jemi Çamëria”…Është ky emri fonadacionit që ushqen me shpresa jo pak fëmijë të varfër në Kenia.

I drejtuar nga një shqiptare, fondacioni mban emrin “We are Chameria “, për të mos harruar masakrën që Greqia bëri ndaj popullësisë shqiptare të Çamërisë. Fondacioni drejtohet nga Viola Kaloutsi e cila do të mbajë gjallë në kujtesë dhimbjen e shqiptarëve të Çamërisë duke ndihmuar fëmijët e varfër dhe jetimë të Kenias.

Kur u krijua fondacioni e shpjegonte kështu se përse zgjodhi emrin “We are Chameria”:

Pse Çamëria? Çamëria është një vend në Greqi ku para 71 vitesh, qeveria greke bëri një gjenocid mbi shqiptarët e pafajshëm që jetonin. Shumë njerëz u dogjën dhe u vranë, duke shënuar tragjedinë më të dhimbshme në historinë botërore. Drejtuesja jonë, Viola Kaloutsi, e cila është me origjinë nga Shqipëria vendosi të mbante në kujtesë këtë hisotri duke krijuar këtu në Kenia këtë organizatë që ndihmon fëmijët jetimë dhe të varfër. Qëllimi i kësaj organizate është që të arrijë tek fëmijët më të varfër duke u ofruar atyre ushqim, strehim dhe arsim bazë. / KultPlus.com

Gjësende të Jusuf Gërvallës kthehen në vendlindjen e tij

Ministri Kujtim Gashi, i dorëzoi 8 gjësende e Jusuf Gërvalles, bashkëshortes së tij, Suzana Gërvalla.

Bazuar në marrëveshjen ndërmjet MKRS dhe Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, është realizuar kthimi i 8 objekteve të Jusuf Gërvallës, të cilat për një kohë të gjatë kanë qenë nën kujdesin e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.

Objektet të cilat janë kthyer janë: Pantollanat, xhakavento, këmisha, fanella, këpucët, pasteli i kuq, libreza dhe çakmaku i Jusuf Gervallës, thuhet në komunikatën për media dërguar nga MKRS.

Ministri Gashi i vlerëson këto objekte me vlera të rëndësishme historike dhe kulturore, të cilat nga sot do të jenë të ekspozuara në kullën muze të Jusuf Gërvalles, në Dubovik të Deçanit. Ministri po ashtu tha se do të ofrojmë mundësi të tjera për ekspozimin dhe kujdesin ndaj tyre.

“Ne të njëjtën kohë me lejoni që të falënderoj Ministrinë e Kulturës dhe Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet institucioneve respektive, me theks të veçante në pasurimin e fondeve muze ale për ekspozim të përkohshëm dhe të përhershëm”, u shpreh ministri.

Ndërkaq znj. Suzana Gervala falënderoi Ministrin Gashi pasi që pranoi 8 objektet e Jusuf Gervalles dhe u shpreh se ndihet e emocionuar njekohësisht edhe e lumtur që më në fund objektet e bashkëshortit të tij do të qëndrojnë aty ku edhe e kanë vendin. / KultPlus.com

Thënie mbi jetën nga mbreti i popit Michael Jackson

“Përpara se të më gjykosh, përpiqu fort të më duash”.

“Të lutem, ndiqi ëndrrat! Pavarësisht idealeve të tua, ti mund të bëhesh ai që dëshiron të bëhesh”.

“Unë mund ta pranoj dështimin. Secili nga ne dështon në diçka përgjatë jetës së vet, por unë nuk mund ta pranoj dot të mos e provoj sërish”.

“Gjithmonë beso tek vetja. Pavarësisht nëse të tjerët rreth teje po tregohen negativë, apo po të përçojnë energji negative, mos i merr parasysh mendimet e tyre, sepse ti do të bëhesh, ashtu siç ti beson se do të bëhesh”.

“T’i japësh dikujt një pjesë të zemrës tënde, është shumë herë më me vlerë se t’i japësh gjithë pasurinë e botës”.

“Nëse ti nuk beson tek vetja jote, asgjë e mirë nuk do të të ndodhë në jetë. Nëse ti nuk beson tek vetja, kush tjetër do të të besojë ty?”

“Le të ëndërrojmë për një të nesërme ku do të dashurojmë me shpirt, dhe do ta njohim dashurinë si të vërtetën e vetme që buron nga zemra për çdo krijesë”.

“Është më mirë të dështosh duke qenë vetvetja, se sa të korrësh sukses duke imituar të tjerët”.

“Dikush dikur tha “Shpirti është ai që ka rëndësi””.

“Jini modestë, besoni tek vetja juaj dhe mbusheni zemrën tuaj me dashurinë e gjithë botës”

– Michael Jakson

54 artistë i kërkojnë Metës të dekretojë ligjin për teatrin

Në një kohë që disa prej artistëve vijojnë të protestojnë kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, një grup artistësh i kanë dërguar sot një peticion Presidentit të Republikës, Ilir Meta dhe krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, si dhe Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, ku shprehen pro ndërtimit të një Teatri të ri Kombëtar.

Në peticionin e firmosur nga emrat e mëdhenj të skenës shqiptare, kërkohet që të mos humbet kohë, por të nisë sa më parë ndërtimi i Teatrit të ri.

Mes emrave që kanë firmosur peticionin kanë aktorët Robert Ndrenika, Luftar Paja, Alfred Trebicka, Leka Bungo, Albert Minga, Arben Derhemi, Zamira Kita etj.

Bie në sy se mes emrave është edhe Suela Konjari, ish-Drejtoresha e Teatrit Metropolitan në kohën e PD dhe kandidate për këshillin kombëtar të PD.

“Ne aktorët, regjisorët dhe përfaqësuesit e artit skenik shqiptar, dëshirojmë t’iu bëjmë me dije dhe të shprehim vullnetin tonë me anë të këtij peticioni të hapur, se jemi për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar, bashkëkohor dhe modern, ku t’i shërbej të gjithë komunitetit artistik teatror dhe publikut artdashës. Ritheksojmë, se jemi për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar, modern dhe bashkëkohor, në truallin e tij dhe pa cenuar asnjë centimetër të kësaj prone. Le të mos humbasim me kohë, por t’i japim Tiranës dhe Shqipërisë Teatrin Kombëtar të ardhmes”, shkruhet në peticion.

‘Unë nuk punoj për vete, punoj për myslimanët, katolikët, ortodoksët’

Amina Nuraj dhe disa shqiptarë të tjerë të asimiluar gjuhësisht nga Sanxhaku, tashmë i ndarë prej Serbisë dhe Malit të Zi, ka një kohë që janë mjaft aktiv në zgjimin kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve të Masbjeshkës.

Nga – Amina Nuraj

Unë nuk i nënshtrohem asnjë komande, unë nuk dëgjoj asnjë, por e bëj atë që unë dua. Kam frikë nga Zoti dhe jo nga njerëz, nuk jam unë fajtore që Zoti më ka bërë kështu e që nuk luaj sipas direktivave të Sërbisë dhe që ajo nuk mund të më blejë as të më trembë si që po bën me politikanët e Sanxhakut!

Unë nuk mund të jem në shërbim të vendit që është fajtor për vdekjen e dajës tim dhe gjyshit tim, por dhe për vdekjen e mijëra e mijëra shqiptarëve të mij nga Kosova.

Unë nuk punoj për vete, po për popull; unë punoj për Flamurin tim dhe për Atdheun tim, për ATDHEUN e BASHKUAR, pa asnjë ndarje (Kosovar, Çam, Shqiptaro-Iliridas) dhe pa dallim përkatësie fetare ( Katolik, Ortodoks, Musliman ose Bektashi, KOMB); bëj vetëm atë që Flamuri dhe Atdheu im të jenë krenarë me mua!

Ajo që unë vendos fotografi historike dhe bëj gjithë këtë që bëj, nuk e bëj për ndonjë popullaritet apo vardisje popullit tim në Kosovë, Shqipëri ose në diasporë, por këto foto i vendos vetëm për popullin e Sanxhakut, për t’ua bërë me dije nga ku rrjedhin dhe çfar’ janë.

Mendoni ju se e ka lehtë një vajzë 20 vjeçare të bëjë punën që u takon politikanëve?! Jo, nuk është aspak e lehtë, por heshtin të gjithë, kurse shtizat thyhen mbi shpinën time, ndërsa kur duhet vlerësuar-kjo bëhet për dikë që me asgjë nuk e ka merituar apo është kundër nesh, Shqiptarëve e jo mua, që jam nën goditje si nga ana e Sërbisë ashtu edhe nga do budallenj analfabetë këtu! Por … nuk ka lidhje, kurrë mos harroni se unë jam më e fortë se të gjithë ju bashkë! /Autore: Amina Nuraj/

Në shqip: G.L.

Pytëm se qysh kam flejt mramë…

Pytëm se qysh kam flejt mramë…
A e çova dor’zën e derës,
A e rrotullova çel’sin dy herë.
Nëse e fshiva buz’kuqin, apo e përpiva me gjithë vajin n’buzë.
Kopsat e fustanit qysh i k’puta, e qysh n’tokë u shpërndanë.
Pytëm se qysh kam flejt mramë…
A u mblova me çarçaf , apo u ngulfata n’të.
Nëse lashë dritë t’ndezun, apo terri me mu u ba një.
Pytëm a num’rova dele , bari kund a pashë.
A shfletova faqe librash , me personazhet a udh’tova si çdo natë.
A e përqafova jastëkun , dorën nër faqe a e lashë.
A pata kohë për andrra ,
Silueta ledhatimesh e fantazi puthjesh n’andërr mramë a pashë.
Pytëm qysh mramë flejta,
Qetesia e natës a m’kafshoi,
Drita e mëngjesit a m’i puthi prapë faqet…
Pytem qysh flejta mramë…

Xh.Tërbunja

‘Notën mesatare më të lartë e kanë studentët e anketuar të Fakultetit të Arteve’

Dukagjin Pupovci / Facebook

Një anketë e zhvilluar me 1,500 studentë të UP-së të përzgjedhur rastësisht flet për një notë mesatare jashtëzakonisht të lartë të të anketuarve – 8.08. Notën mesatare më të lartë e kanë studentët e anketuar të Fakultetit të Arteve (8.89), të pasuar nga studentët e Fakultetit Juridik (8.24) dhe atij Ekonomik (8.23). Ndërkaq, notën mesatare më të ulët e kanë studentët e anketuar të Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës – 7.67. Studimi i plotë do të publikohet gjatë muajit shtator dhe do të sjellë edhe shumë informata të tjera interesante.

Në vitet e 80-ta duhej goxha përpjekje për ta gjetur dikend që e kishte notën mesatare mbi 8, ndërsa sot 1,500 të parët që i ndalë në rrugë e kanë tejkaluar këtë notë, pra, teorikisht, kualifikohen për asistentë. Kjo tregon se kriteret e vlerësimit nuk janë, as përafërsisht, ato që kanë qenë dikur. Prandaj, kur flitet për notën mesatare të dikujt duhet të merret parasysh edhe periudha kur ka studiuar, sidomos me rastin e pranimit në programe të nivelit master dhe të doktoratës.

Këngëtari i njohur largohet nga pjesëmarrja në Sunny Hill Festival

Këngëtari Shpat Deda nuk do të jetë pjesë e SunnyHill Festival.

Këngëtari e kishte konfirmuar pjesëmarrjen e tij në koncertin që do të mbahet edhe pak ditë në Prishtinë, por duket sikur diçka tjetër ka ndodhur.

“Për shkak të një mosmarrveshjeje me menaxhmentin e Sunny Hill Festival unë nuk do të jem pjesë e këtij festivali. Shihemi në koncertet e mia të radhës” ka shkruar Shpati në rrjete sociale.

Shpati ishte planifikuar të ishte pjesë e koncertit krahas yjeve si Dua Lipa, Action Bronson e Martin Garrix, dhe krahas emrave tjerë të muzikës shqiptare.

I pyetur nga KultPlus për më shumë arsye, Deda nuk ka dashur të zbulojë asgjë më shumë se faktit që ka pase një mosmarrëveshje.

Sunny Hill Festival do të mbahet me 10-11-12 gusht në Parkun e Gërmisë në Prishtinë, me artistë të njohur nga Kosova, Shqipëria dhe me artistë të kërkuar në skenën botërore. / KultPlus.com

94 vjet nga rënia e Azem Galicës

Azem Bejtë Galica ka lindur më 10 dhjetor 1889 dhe ka rënë më 26 korrik të vitit 1924.

Azem Bejta ishte luftëtar i shquar për çlirim e bashkim kombëtar, organizator i lëvizjes së armatosur në Kosovë kundër pushtuesve të ndryshëm gjatë viteve 1912–1924.

Veprimtarinë e tij patriotike e filloi në vitet 1910-1912, kur mori pjesë në kryengritjet antiosmane.

Pas shpalljes së pavarësisë luftoi në fillim, më 1912-1915 kundër pushtuesve serbë, dhe më pas, më 1915-1918 kundër pushtuesve austriakë e bullgarë. Gjatë Luftës së Parë Botërore drejtoi luftën e çetave kundër rivendosjes në Kosovë të pushtetit të borgjezisë serbomadhe. Pati përkrah tij deri në fund gruan e vet Shotë Galicën.

Në vitin 1924 Azem Galica dërgoi luftëtarë për të marrë pjesë në Revolucionin demokratikborgjez të Qershorit. Vdiq nga plagët që mori në luftimet e përgjakshme të korrikut 1924, për mbrojtjen e zonës së lirë të Drenicës, “Arbanisë së Vogël”.

Vdiq më 26 korrik 1924 në moshën 35 vjeçare. Varrimi i tij u bë në shpellën “Quku që kërset”, 75 metra i thellë, ashtu siç e kishte la amanet. / KultPlus.com

Rita Ora kërkon votën, kosovarët nuk mund ta votojnë në VMAs

Rita Ora ka postuar një video në rrjetin social Facebook ku kërkon të votohet për nominimin e saj të fundit në VMA.

Kënga “Lonely together” – bashkëpunimi mes Avicii dhe Rita Orës këtë vit është nominuar në dy kategori në VMA, në Best Dance dhe Best Visual Effects. Rita me anë të videos ka kërkuar votën e publikut gjithandej ndërsa ka treguar sa është e lumtur për këtë nominim.

“Do të jetë një natë magjike prandaj votoni këngën tonë” ka thënë këngëtarja shqiptare.

Në anën tjetër, në momentin që duam të votojmë kjo është e pamundur pasi Kosova nuk konsiderohet si lokacion i duhur për këtë votim. –Voting is not available in your location- është butoni që del në momentin kur klikohet butoni për votim.

VMA – 2018 MTV Video Music Awards këtë vit mbahet me 21 gusht. / KultPlus.com

Teatri ‘Adriana Abdullahu’ bëhet me Këshill Drejtues

Bazuar në Ligjin për Teatrot, si dhe kërkesën e komunitetit të aktorëve dhe menaxhmentit të Teatrit Profesionist “Adriana Abdullahu” në Ferizaj, Agim Aliu, Kryetari i Komunës së Ferizajt, ka marr vendim për themelimin e Këshillit Drejtues të Teatrit “Adriana Abdullahu” në Ferizaj

Këshilli do të jetë në këtë përbërje:

1. Nexhat Xhokli;
2. Dije Demiri – Frangu;
3. Albion Sherifi – Përfaqësues nga komuna;
4. Mevlan Saraçi;
5. Besim Ugzmajli.

Sipas kumtesës për media, në kuadër të politikave kulturore, thuhet se Aliu në prioritetet qeverisëse ka edhe rregullimin e statusit ligjor si dhe propozimin e dokumentacionit përkatës për menaxhimin më efikas me institucionet e kulturës si dhe mbështetjen e shtuar për aktivitetet identitare kulturore që organizohen në komunën tonë.

Këshilli Drejtues i Teatrit Profesionist “Adriana Abdullahu” po themelohet për herë të parë me kompetencën e mbikëqyrjes së punës së teatrit, hartimin e statutit të teatrit, aprovimin e politikave afatgjata të zhvillimit të teatrit, politikën artistike dhe kompetenca të tjera të parapara sipas ligjit në fuqi për teatrot.

Ky këshill ka mandat 4 vjeçar dhe parashihet të themelohet në kuadër të organizim të brendshëm të institucionit të Teatrit. / KultPlus.com

Eleni Foureira mbrëmë e ndezi atmosferën në Tiranë (VIDEO)

Këngëtarja me prejardhje shqiptare, Eleni Foureira mbrëmë ka ndezur atmosferën në Tiranë.

Këngëtarja e cila jeton e vepron në Greqi, u ftua nga pushtetarët e Tiranës për një koncert i cili mbrëmë ka sjellë atmosferë fantastike në Tiranë.

Eleni mes hiteve tjera këndoi edhe këngën “Fuego”, me të cilën përfaqësoi Qipron në Eurovizionin e këtij viti, shumë afër për të qenë triumfuese e festivalit.

Eleni Fouréira (Entela Fureraj) e lindur më 7 mars 1987 në Fier, Shqipëri, është një këngëtare greke-shqiptare që jeton në Greqi. Ajo ishte përfaqësuese e Qipros në Festivalin e Këngës Eurovizion 2018 me këngën e saj “Fuego” dhe ku zuri vendin e dytë. Presidenti i Republikës së Qipros, Nicos Anastasiades, e ka dekoruar me “Çmim Mirënjohje”. / KultPlus.com

Për herë të parë Era do të performojë në këtë shtet afrikan

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Era Istrefi vazhdon të na bëjë krenarë të gjithëve.

Pas performancës së shkëlqyer në Kampionatin Botëror “Russia 2018”, me këngën zyrtare “Live it up” me Will Smith dhe Nicky Jam ajo ka paralajmëruar koncertin e radhës, shkruan lajmi net.

Me anë të një postimi të publikuar në Instagram, Era tregon se kësaj radhe do të performojë në Egjipt. “Shihemi së shpejti, Egjipt”, ka shkruar ajo.

Mbase, kjo është hera e parë që Istrefi do jetë atje.

“Prisoner”, është kënga e fundit e publikuar nga ajo kurse së shpejti do sjell duet me një xhamajkan. /KultPlus.com

Shkatërrohet ylli i Donald Trumpit në Hollywood (VIDEO)

Ylli i presidentit të ShBA-ve, Donald Trump”, në “Walk of fame” ka qenë sërish cak i një vandalizmi.

Kësaj radhe, një tjetër persona është afruar, dhe ka përdorur kazmë për ta thyer atë.

Ngjarja ndodhi në mëngjesin e hershëm të 25 korrikut.

Policia njoftoi se një person është shoqëruar në lidhje me incidentin.

Kjo nuk është hera e parë që ylli i Trumpit në “Walk of fame” vandalizohet.

Në korrik të vitit 2016, një person kishte tentuar të ndërtonte një mur prej gjashtë inç përreth yllit, ndërsa një tjetër në tetor të po atij viti e kishte shkatërruar fare atë.

Më vonë, një person kishte tentuar ta lyejë edhe me llak gjithashtu.

Pas shkatërrimit, autoritet janë kujdesur që ylli i presidentit të kthehet në gjendjen e mëparshme. /KultPlus.com