Dua Lipa pas Prishtinës koncert në Antalya

Këngëtarja kosovare me famë botërore Dua Lipa, pas Prishtinës ka mbajtur një koncert në qytetin bregdetar turk, Antalya.

Koncerti u mbajt në Qendrën Turistike Belek. Lipa, e cila mbajti koncertin e parë në Turqi, përshëndeti rreth 3.000 pjesëmarrësit vendës dhe turistë, të cilët e ndoqën koncertin e saj.

Për rreth një orë, Lipa interpretoi këngët e saj të preferuara nga publiku./ KultPlus.com

Turistë francezë dhe italianë vizitojnë Parkun Kombëtar të Tomorrit

Shqipëria është kthyer tashmë në një destinacion mjaft të pëlqyer nga turistët e huaj, të cilët këtë sezon veror po eksplorojnë përveçse turizmit detar edhe atë kulturor e historik.

Eksplorimi dhe turizmi i aventurës në vitet e fundit në Shqipëri po kthehet në një atraksion mjaft interesant për vizitorët e huaj, kjo dhe për shkak të terrenit mahnitës dhe të shumëllojshëm që ofron vendi ynë.

Mali i Tomorrit ka mahnitur së fundmi turistë francezë dhe italianë të cilët po shijojnë bukurinë, freskinë dhe mikpritjen e banorëve të kësaj zone.

Gjithashtu vizitorët e huaj tashmë po konsolidohen edhe me struktura shoqëruese. Banorë të zonës çdo ditë e më shumë po mësojnë si t’i presin dhe t’i shoqërojnë në zonat më të pëlqyeshme për turistët e huaj, apo vendas.

Shoqëritë turistike gjithashtu kanë njerëzit e tyre të përgatitur në zonë për të bërë guidën.

Punime anatomike të punuara tërësisht nga librat e vjetër

“Këto vepra janë të punuara nga një lloj letre japoneze dhe nga skajet e librave të vjetër”, ka shpjeguar artistja Lisa Nilsson.

Janë të ndërtuara me një teknikë të rrokullisjes dhe formimit të rripave të ngushtë prej letre të quajtura filigran letre, transmeton Klan Kosova.

Kjo teknikë u praktikua fillimisht nga murgeshat dhe murgjit e rilindjes për të krijuar vepra artistike nga skajet e librave të vjetër biblik dhe më vonë gjatë shekullit 18, kjo teknikë u përdor nga gratë për të kaluar kohën e lirë”.

Nilsson’s Tissue Series është një artist që ju kushton vëmendje detajeve dhe një realizues i mirë që ia del të krijojë vepra të shkëlqyera të anatomisë së njeriut dhe të kafshëve.

Më poshtë mund t’i shikoni veprat e mrekullueshme të artistit Nilsson./ KultPlus.com

“Ditët baroke” ndërthurin traditën e Himarës me muzikën baroke

Festivali i Muzikës së vjetër “Vox Baroque”, po i kthen skenat e hapura të trashëgimisë dhe sheshet e qyteteve në skena artistike, në një komunikim të gjallë me publikun.

Vox Baroque vazhdon nismën, e paraqet në një edicion të posaçëm në bregdetin e jugut, duke sjellë në Shqipëri grupin austriak “Akademie Der Alten Musik” në kishën e Shën Spiridhonit.

Muzika baroque, ndërthuret me traditën e Himarës, mes produkteve artizanale, në festën lokale ”Ditët baroke” në 17 Gusht, Vuno, Himarë.

Ky festival është pjesë e kalendarit turistik veror 2018, hartuar nga Ministria e Kulturës, me gjithpërfshirje nga Jugu në Veri, në bashkëpunim me institucionet artistike në vend, TKOB, Teatri i Kukullave, Cirku Kombëtar, AQSHF.

“Vox Baroque” i kushtohet tërësisht repertorit barok.

Përhapja e kësaj muzike të luajtur me instrumente origjinale në respekt të plotë të stilit, rregullave dhe mënyrës së interpretimit të asaj kohe, shikimi i muzikës me një këndvështrim tjetër historik dhe kritik duke kërkuar gjithmonë qasje të reja, formësojnë idealin e organizatorëve për të zhvilluar këtë festival të përvitshëm./ata

“Anibari” ndez projektorët me fuqizimin e zërit të gruas

Peja tashmë është shndërruar në kryeqendër të animacioneve nga të katër anët e botës. E tillë do të jetë për një javë rresht.

“Anibari” ka ndezur projektorët bashkë me mesazhet për barazi gjinore, tema që trajton edicioni i sivjetmë i këtij festivali ndërkombëtar të animacionit. Intro e asaj që do të sjellë, ka qenë ceremonia e hapjes, të hënën mbrëma në kinemanë “Jusuf Gërvalla”. Përveç këtij vendi, janë edhe ekranet e mëdha të dy kinemave që edhe këtë vit organizatorët i kanë improvizuar nën qiellin e hapur, kinema “Liqeni” dhe ajo “Kubat” në parkun “Karagaq”.

Fiks 215 filma, prej 1 mijë e 59 filmave sa kanë aplikuar gjithsej, janë në program. Slogani i këtij edicioni, i nënti me radhë, është i qartë: “50/50”. Me të synon promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri. Migrimi, ngrohja globale, rikthimi i qytetit, kanë qenë disa prej temave që ka trajtuar “Anibari” viteve të kaluara.

I qartë ka qenë zbërthimi i motos që në hapjen zyrtare, me interpretimin e aktores Adelina Tërshani, e cila me një shkop të gjatë në dorë dhe me një poezi kritike, një lloj komedie e zezë dhe plot ironi, paraqiti gjendjen aktuale të gruas në shoqërinë patriarkale.

“Hise në shpi nuk me dhanë… edhe me shqiptar me duhet mu martu se, nëse marr të huaj vend në Kosovë nuk kam. Na hala duhet me prit atij kur t’i çohet për met lan ty me shku ku të shkohet…”, ka qenë një pjesë nga interpretimi kritik ndaj gjendjes së gruas në shoqërinë kosovare.

Pas interpretimit të Tërshanit, festivalin e hapën zyrtarisht filmat e animuar nga Belgjika, Franca, Zvicra dhe Tajvani.

Risi në edicionin e nëntë të “Anibarit” është edhe shfaqja e filmave të metrazhit të gjatë, shkruan KD.

Magjia e turizmit në Shqipëri

Pushimet në shtator, sipas mendimit tim, janë një privilegj i vërtetë, një çmim me vlerë të madhe për ata që kanë kaluar gjithë muajin gusht duke punuar dhe djersitur në qytet, ndërsa nga mediet sociale vijnë lumenj fotosh nga miqtë dhe të njohurit, në diell në plazhe të bukura të mbushura me njerëz, që duket se argëtohen sikur të mos ketë një të nesërme!

Kështu e nis shkrimin e saj Sara Perico, themeluese e portalit të informacionit turistik mbi Shqipërinë “Vado in Albania”.

Të nisesh në shtator do të thotë t’i thuash të gjithëve: “Përshëndetje, tani është radha ime, do të shihemi kur të jeni tashmë të lodhur nga puna!”

Por, pavarësisht nga kjo ndjenjë hakmarrjeje, e cila nuk është çështje e parëndësishme, pushimet në shtator fshehin avantazhe të tjera, unë kam identifikuar të paktën 5:

1. Vendet më të bukura, të frekuentuara dhe të kërkuara, janë pothuajse të braktisura

A doni të bëni dallimin në mes të shtrihesh në plazhin e Pasqyrave ose Pulëbardhave me një çadër të ngjitur me tjetrën, ose ta bësh atë me pak njerëz? Ose Syri i Kaltër, një parajsë në tokë që në gusht pushtohet nga një mori turistësh që vijnë me autobusë, imagjinoni ta vizitoni atë me disa njerëz dhe të dëgjoni vetëm tingujt e ujit, të zogjve dhe kafshëve e tjera që popullojnë këtë vend të mrekullueshëm!

2. Shpenzimet gjithashtu bien në mënyrë të konsiderueshme

Shqipëria është një destinacion me kosto të ulët, por në gusht ka një rritje të çmimeve për shkak se në vende si Saranda kërkesa tejkalon disponueshmërinë dhe pastaj edhe sepse shumica e vendpushimeve turistike jetojnë ekskluzivisht nga rrjedha e turistëve në korrik dhe gusht, kështu që është e kuptueshme që gjatë këtyre muajve të përpiqeni të merrni sa më shumë që të jetë e mundur sa i përket të ardhurave.
Hotelet dhe apartamentet janë shërbimet që më së shumti vuajnë nga rritja e çmimeve gjatë sezonit të lartë, ato gjithashtu mund të kushtojnë dy herë më shumë se periudhat e tjera të vitit. Çmimet e restoranteve janë gjithmonë me kosto të ulët, të hash në Shqipëri, përveç se është një kënaqësi e pafundme, është gjithashtu ekonomike.

3. Udhëtarët nga e gjithë bota takohen

Ne italianët e dimë se kulmi i pushimeve verore është gushti, shpesh dy javët qendrore, kështu që është shumë e zakonshme të takosh shumë bashkatdhetarë në vendet e pushimit, gjë që është e këndshme, por sipas mendimit tim është gjithashtu shumë e këndshme për të takuar njerëz të kombësive të ndryshme, të cilat vijnë nga pjesë të botës që ne kurrë nuk kemi parë dhe që dimë shumë pak. Kjo është një mënyrë për të zgjeruar mendjen dhe për të përmirësuar veten!

4. Magjia e vjeshtës fillon të shfaqet

Në vendet malore si Dardha, për të thënë të vërtetën, vjeshta fillon të shihet në gusht, e gjelbra i lë hapësirë portokallisë që gradualisht bëhet gjithnjë e më shumë intensive. Zonat ku ky fenomen i pabesueshëm dhe i bukur është ngritur nga bimësia e pasur, janë më të brendshëm dhe të egër si liqeni i Komanit, Valbonës dhe Thethit. Një turne në këto vende në shtator dhe tetor është me të vërtetë më e mira që mund të kërkoni!

5. Bën nxehtë, por jo shumë nxehtë

Kush është tashmë në Shqipëri, këto ditë e di se për çfarë po flas kur them të nxehtë. Vende si Saranda, Ksamili, Vlora dhe madje Tirana, bëhen vërtet të nxehtë gjatë muajve korrik dhe gusht.

Dhe tani këtu është një përzgjedhje e propozimeve tona të përsosura të udhëtimit për muajin shtator:

Tirana dhe rrethinat e saj – Nga qershori deri në gusht Tirana është një furrë e butë dhe e lagësht, por në shtator fillon të jetë e shkëlqyer dhe jo vetëm mund ta vizitoni pa vuajtje, por ju mund ta përdorni atë si bazë për udhëtimet tuaja ditore në Krujë, Shkodër, Durrës, Dajt, Karavasta, Bovillë, lumin Erzen dhe shumë vende të tjera.

Zona jugore Korçë, Dardhë dhe Veskopojë, një turne me një aromë autentike, në kontakt të ngushtë me vendasit dhe jetën e tyre të përditshme. Ditët e zhytura në natyrë dhe të shënuara nga ritmi i tij, të rrethuara nga peizazhe unike dhe pamje të pafundme.

Koman, Valbonë dhe Theth – Një turne që po shijohet shumë dhe që mund të bëhet në gusht, pasi shkon për të prekur malet e ftohta të Veriut. Në shtator atëherë ka ndryshim të sezonit që e bën këtë turne edhe më të bukur; ngjyrat e vjeshtës që fillojnë të ndriçojnë, errësira që vjen herët dhe që të sjell ndër mend zjarrin e të ndezur, tryezën e ngarkuar me frutat e para të sezonit.

Deti, qyteti, natyra, traditat dhe ushqimi lokal turneu më i plotë dhe popullor i momentit. Tiranë, Krujë, Shkodër, Durrës, Berat, Ardenicë, Apolloni, Gjirokastër, Syri i Kaltër, Butrint, Ksamil, Borsh, Porto Palermo në një turne gjithëpërfshirës 7 ditorë. /KultPlus.com

Pak femra, shumë plastikë… Shumë meshkuj, pak burra!

Nga Holta Heba

Keqardhja sa vjen dhe shtohet kur sheh se femrave të sotme i ka humbur pastërtia dhe dlirësia shpirtërore e fizike.

Kanë humbur gjithçka.

Të gjitha gati njësoj.

Të mbushura me botokse e ndërhyrje kirurgjikale me qëllimin e vetëm për të qenë moderne dhe të pranuara nga kjo shoqëri që me keqardhje po i kthen femrat në imituese të shëmtuara të ashtuquajturave femra seksi.

Janë aq shumë njësoj sa hera-herës të krijohet përshtypja se i ka lindur e njëjta nënë.

Në imitimin më të shëmtuar të buzëve si patë apo si viç, me takat 12 pond, të lyera rëndë që në pikë të mëngjesit, nisin ditën e tyre.

Të merr malli të dëgjosh një femër që flet qartë dhe pastër për një problem aktual të shoqërisë ku jetojmë.

Mjafton t’i bësh një pyetje të thjeshtë dhe ato nuk do dinë të hapin gojën.

I pyet se ç’mendim kanë për modën e kësaj vere të nxehtë dhe ato të përgjigjen: E pe atë që doli te Çani dje?

I pyet se ç’libër do të lexojnë këtë verë dhe ato të përgjigjen: Të shohim ç’po ndodh tani në facebook.

A kanë ideal?

Patjetër që kanë?

Të bëjnë një jetë si nëpër videoklipet e Noizyt dhe Stresit.

Dëshira e madhe e tyre për të qenë të ashtuquajtura moderne i kthen në skllave të shëmtimit shpirtëror dhe fizik.

Plastike jashtë dhe plastike brenda, ato nuk zgjedhin më djalin inteligjent dhe punëtor, por djalin që duket i fortë dhe i pushtetshëm në këtë shoqëri me lekët dhe makinën e babit.

Harrojnë këto femra se njeriu ka një staturë të vetën dhe e krijon atë në mënyrë individuale dhe kështu me dashje apo pa dashje, veshjen dhe sjelljen e kthejnë në diçka kolektive.

Në kolektive kthejnë dhe ndjenjat e tyre.

Jetojnë për të tjerët.

Nuk quhesh më vajzë trendy nëse nuk nxjerr në rrjetet sociale foto me tufën e luleve, mundësisht më të madhe se shoqja, ushqimet nëpër restorante dhe pushimet në jug.

Të përvillet kur sheh se sa shumë femra dalin nga vetja e tyre dhe krijojnë këtë vetveten “në thonjëza” që nuk ka lidhje fare me prejardhjen dhe formimin e tyre.

Intrigojnë pafundësisht për të arritur atë që duan.

Madje dhe puthjen dhe përqafimin e të ashtuajturës dashuri e japin të mirëprojektuar me plan pune të paracaktuar.

Shiten si të vërteta, kur në fakt janë thjesht një falsë e dhimbshme e shoqërisë.

Janë gati të ndyjnë çdo njeri që u del parpara vetëm e vetëm për të arritur aty ku duan.

Lyhen dhe zhgërryhen për të shkëlqyer, por në fakt vetëm shtojnë pisllëkun.

Zhyten në pisllëk dhe harrojnë normat e shoqërisë.

E ç’ rëndësi kanë normat dhe etika për to?

Rëndësi ka të duken bukur dhe të ngulen fort diku, por këtë herë me këmbë në makinën lluksoze dhe jo me këmbë në tokë.

A ka femra të mençura që nuk bien pre e papastërtive shoqërore?

Sigurisht që ka, por janë pak.

Meshkujt sot…

Nëse do të kthejmë kokën disi pas në kohë, do të shohim se figura e burrit ka ndryshuar shumë.

Dikur një mashkull i vërtetë ishte ai punëtori, zjarrfikësi, makinisti kasapi etj me duar të pista dhe gjithë djersë.

Një mashkull i vërtetë nuk binte pre e thashethemeve të grave dhe fliste shumë pak.

Sot?

Me dhimbje ndihet se gjërat kanë ndryshuar.

Dashtë zoti të mos bëhesh pjesë e thashethemeve të një mashkulli se të bëhet një analizë që as ti vetë nuk do ta kishe menduar.

Mashkullit të sotëm i mungojnë mustakët dhe të qenurit leshtor.

Madje sot ai është edhe më i kuruar, me vetulla të hequra dhe më i depiluar se vetë femrat.

Mashkullit të sotëm i mungon fraku dhe veshja mashkullore.

Ato janë zëvendësuar me streçe dhe këmisha mëndafshi me lule.

Pantallonat e kostumit janë bërë treçerekëshe dhe këpucët fosforescente si balerina.

Ti nuk arrin të kuptosh se ku dallon femra nga mashkulli i ditëve të sotme nëse do t’i shohësh nga koka tek këmbët.

Për të nuk ka më rëndësi se si ndihet personalisht me femrën që ka në krah, por se si e shohin të tjerët.

Sa më e zhveshur dhe e stukuar të jetë femra e tij, aq më i pushtetshëm duket ai përpara të tjerëve.

Nuk kam asgjë kundër modës, por edhe modernizmi ka kufij.

Nuk mundesh ti që nuk di të lidhësh dy fjalë të jesh i mirëpranuar nga shoqëria vetëm se lekët e babit të bëjnë me një makinë luksoze.

Nuk mundesh ti të jesh mashkulli ideal kur nuk investon për veten me shkollim dhe me punë.

Po, po, meshkuj ka plot, por burra thuajse fare!!

Filmi shqiptar ‘Bini’ nominohet në kategorinë e veçantë në Oscars

Student Academy Awards ka publikuar listën e finalistëve të zgjedhur për këtë vit. Në mesin e tyre është edhe filmi i realizuar nga shqiptari Erblin Nushi, shkruan KultPlus.

Lajmi se ky film është në mesin e finalistëve e ka gëzuar shumë regjisorin Erblin Nushin.

“Kjo është për të gjitha ata që kanë humbur jetën gjatë luftës. Për të gjithë ata zëra të padëgjuar dhe për ata fëmijë jetët e të cilëve janë ndikuar nga veprimet e atyre të cilët na kanë dashur të vdekur. Kosovë kjo është për ty”, ka shënuar ai në postimin  e tij në Facebook.

Filmi është në mesin e finalistëve së bashku me tetë filma të tjerë në kategorinë “Narrative”. Erblin Nushi me filmin e tij “Bini” prezantohet në kuadër të universitetit George Mason.

Filmi “Bini” ka pasur premierën kombëtare në kuadër të edicionit të fundit të PriFilmFest-it këtë vit./ KultPlus.com

BINI Official Trailer from Tilia Entertainment on Vimeo.

Flaka Goranci, Carmeni shqiptar e cila magjepsi publikun dhe kritikën zvicerane

Në Graubünden, kantonin më të madh të Zvicrës, u mbajt festivali tradicional i operës ‘’Opera Viva’’. Këtë vit, një ndër operat më të njohura botërore të kompozitorit francez Bizet opera ‘’Carmen’’ u zgjodh të shfaqej para publikut zviceran dhe atij internacional.

Roli kryesor i kësaj opere ishte përzgjedhur të interpretohej nga mezzosopranoja e njohur shqiptare Flaka Goranci, përcjellë KultPlus.

Carmen është një ndër rolet më të mëdha për mezzosoprano, një rol mjaft kompleks i cili kërkon një pjekuri vokale, lojë skenike dhe cilësi të mëdha aktoreske.

Shfaqja u vlerësua mjaft lartë nga kritika zvicerane, ajo u cilësua e kompletuar në të gjitha aspektet, e në veçanti roli i Carmen i interpretuar nga Flaka Goranci u vlerësua me notën maksimale nga kjo kritikë.

Në gazetën Südostschëeiz kritiku zviceran Carsten Michels është shprehur për Flaka Gorancin kështu: “Kush merr përsipër këtë rol, duhet të lërë gjurmë të mëdha dhe duhet të luaj po aq mirë sa edhe këndon. Flaka Goranci ka talent të lindur për aktrim”, është shprehur Andrea Zogg, regjisori i kësaj Opere, duke vazhduar tutje se kjo është mrekullia e vogël, mrekullia e madhe është se ajo realizon një Carmen që me performancën e saj i bën të harrohen të gjitha paraardhëset e këtij roli. Kjo nuk mund të shpjegohet me një aftësi natyrale të këndimit, por me shpirtin, pasionin dhe sharmin që atë e karakterizon’’. /KultPlus.com

Kënga e Dua Lipës përdoret në videon kundër ngacmimeve seksuale në punë

Wellington Law Revue, një grup të rinjsh i përbërë nga profesionistë si dhe nga studentë të fushës së juridikut kanë shfrytëzuar melodinë e këngës “New Rules” nga Dua Lipa për të realizuar videon e tyre të radhës.

Në këtë video teksti i këngës së Dua Lipës është ndryshuar duke zgjuar kështu vëmendjen te ngacmimet të cilat ndodhin në vend të punës dhe duke kërkuar ndalimin e tyre.

Ekipi realizues ka punuar me muaj për të realizuar tekstin dhe për të filmuar videoklipin e këngës së improvizuar të cilën e këndon Lejlani Taula, pjesë e kompanisë Law Revue. / KultPlus.com

‘Le ta mirëpresim Ritvanin, jemi të gjithë nga pak si ai!’

Nga Arli Minga

Nuk kam dashur në fakt, të ndaj mendimin tim për ngjarjen e rëndë të fshatit Resulaj të Selenicës, por kur shoh se papritur kemi një reaksionin të shtrirë në mendjet dhe zemrën e cdokujt, i cili rreket të japë zgjidhjen e vet, ku cdokush po rreket të ngrejë një kauzë, është e pandershme që të mos ta ndaj mendimin tim me të gjithë.

Kam guximin të pyes këdo që i qenka “prishur” gjaku nga plumbat e kobshëm të Ritvanit të mjerë, me cilin moral po i ngrini të ashtuquajturat “kauza”? Me c’moral po bëni moral? Asnjë nga ne nuk e ka moralin për të kërkuar të bëjë drejtësinë, kur ne nuk kemi tentuar të jemi të drejtë dhe guxoj sërish të besoj, se disa ditë pas lebetisë së Resulajt, gjithcka do të tretet në harresën e gjithëkohshme që na ka karakterizuar.

Sigurisht, nuk dua e as nuk po kërkoj të marr rolin e një antikonformisti të neveritshëm, por thjesht dua të ngre zërin për t’i parë gjërat pak më ftohtë, me një sens të mprehtë realizmi, dhe jo më kot e bëj sot, atëherë gjaku ynë nuk po “zien” nga masakra e Resulajt.

Do të ishte e dhimbshme, do të ishte c’njerëzore, do të ishte e pafre në qoftë se ndonjërit prej nesh nuk do t’i ndizej një zjarr për të bërë drejtësi për ato jetë të marra në atë mënyrë, me atë lebeti që panë në castin e fundit ata fëmijë të pafajshëm, ata prindër që kishin thurur ëndrra për fëmijët, e ata gjyshër që nuk i “ngrysën” ditët e fundit në qetësinë që fati do duhej të kishte rezervuar. Por a është e drejtë mënyra se si ne të gjithë kërkuam drejtësi?! Unë mendoj që jo.

Pse jo? Sepse nuk është e drejtë të bësh drejtësi duke patur alibi një ngjarje të tillë. Pak apo shumë, ne jemi të gjithë fajtorë për masakrën e Resulajt, për jetët e humbura, por edhe për Ritvan ditëziun, apo shumë e shumë “ritvanë” të tjerë që kanë qenë e kanë ikur, që janë e do të vijnë, apo vet ne “ritvanët” modernë, që kurrë nuk mendojmë për shkaqet, por “turremi” të mbledhim copëzat e pasojës.

Ju ftoj të reflektojmë pakëz mbi veprimet tona të përditshme. Detajet në të cilat djalli është fshehur gjithmonë, aty ku syri nuk depërton lehtë, pasi injorimin ndaj realitetit ne e kemi sindromë të avancuar, e medoemos syri nuk mund të kapë ato detaje.

Kur ka qenë hera e fundit që si prindër u kemi thënë fëmijëve se kush është më i dobët ka nevojë për një dorë të ngrihet? Dyshoj të ketë patur një herë të fundit, sepse në të vertetë nuk ka patur asnjë herë të parë. Madje prindërit bëhen aq diskriminues nga “adhurimi” që kanë për fëmijën e tyre, sa u thonë fëmijëve që më të dobëtit t’i injorojnë, t’i diskriminojnë, t’i mënjanojnë, t’i fyejnë, sepse ata (të dobtit) nuk i përgjigjen nivelit të hamendësuar që prindërit vizatojnë në kokë për fëmijët e tyre.

Kur ka qenë hera e fundit kur ne vet kemi ndihmuar dikë me cfarë kemi patur mundësi, dikë të panjohur, të dobët, në nevojë? Logjika do të qëndronte e njëjtë në mungesë të herës së parë. Sepse ne nuk kemi kohë, oh sa të zënë jemi me hallet tona, të dehur mes të mirash, në ekstazë për të arritur “qiej” të tjerë, pa menduar aspak se atje poshtë ka një botë që lëngon.

Kur ka qenë hera e fundit që mësuesit e këtij vendi fatkeq të kenë menduar të ndihmojnë një fëmijë, një nxënës problematik, me zemrën plot, pa obligimin që ushtron detyra në ndërgjegjen e tyre profesionale, por me ndërgjegjen e pastër kristal të njerëzores? Logjika qëndron prapë e njëjtë, sepse hera e parë nuk ka ndodhur.

Kur ka qenë hera e fundit që vëmendja ndaj fshatit ka qenë e mirëfilltë? Asnjëherë! Instutucionet arsimore, por dhe të cilitdo lloji në fshatra janë “ku thërret qameti”. Po duke mos garantuar një edukim të shëndetshëm për brezat, nuk mund të presësh nga brezat një rezultat më të mirë se fara që ke mbjellë.

E pra, i dashur populli im, ne nuk mund të “klithnim” për vdekje kur shumë pak përpara, ishin humbur 8 jetë. Ne nuk mund të dënonim pa kurrfarë mase një viktimë, që shkaktoi viktima. I dashur populli im, ne jemi vrasës të heshur përditë, ne vrasim pa kallashnikov përditë, ne nuk japim jetë shumë shpesh duke përjashtuar shumimin. Ne e kemi thellë në instikt eleminimin e më të dobtit, por mos harroni: sic ne evolojmë mënyrat tona në shfarosjen e më të dobtëve, ashtu evolon dhe i dobti mënyrat e veta për të na bërë ballë. Në rastin tonë mori kallashnikovin dhe vrau 8 prej nesh.

Moralin njerëzor e kemi përtokë. Atë institucional e kami fare pa moral. Për të reflektuar nuk bëhet fjalë. Atëherë, le t’i mirëpresim “ritvanët”, ata nuk janë mish i huaj, ata janë thjesht produkt i keq i shoqërisë sonë që i ka luftuar vlerat deri në rrënjë. Le t’i mirëpresim “ritvanët”! Fundja i kemi në shtëpi, në shkollë, në punë, kudo ku ne injorojmë sensin njerëzor që aq shumë kemi dashur ta mbrojmë ndër mijëvjecar, që aq shume e kemi adhuruar në rreshtat e letërsisë, që aq shume e propagandojmë e që me aq qetësi e vrasim ngadalë. Le t’i mirëpresim “ritvanët”, ata nuk janë aspak më të ndryshëm nga ne, jemi të gjithë nga pak si Ritvani, edhe unë…

Zambaku i bardhë

Interpretojnë: Nexhmije Pagarusha , Liliana Çavolli , Jordan Nikoliqi dhe Qazim Dushku. Përcjellë nga Kori dhe Orkestra Simfonike e RTP-së.

Zambaku i bardhë çel e lulon
Lulen e ka si qelibar.

Ama nji herë t’i marri erë
Mirë se erdhe moj pranverë

Era lule asht kah vjen
Edhe m’a fort fasligen.
Vishu mirë e bajmë dyzen
Hajde t’shkojmë në Prizeren.
Zambaku i bardhë çel e lulon
Lulen e ka si qelibar. /KultPlus.com

Emri i Fadil Vokrrit në stadiumin e Prishtinës nuk ndriçon i plotë (FOTO)

Ka pak ditë që stadiumi i kryeqytetit mori emrin e legjendës së futbollit, “Fadil Vokrri”, shkruan KultPlus.

Vendosja e shkronjave të emrit u prit me entuziazëm nga qytetarët e Prishtinës, edhe më tepër kur ato në mbrëmje u ndezën për t’i dhënë kështu stadiumit një pamje të mrekullueshme.

Ndërsa dje u bë edhe hapja zyrtare e stadiumit ku u mbajt edhe ndeshja Prishtina – Drita.

Por vetëm një ditë pas hapjes zyrtare, emri i Fadil Vokrrit nuk shkëlqen më. Si duket dritat janë dobësuar shpejt dhe tashmë, vetëm disa shkronja ndriçojnë, duke e lënë mangët emrin e futbollistit dhe duke i dhënë një pamje të keqe stadiumit.

Ish-kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Vokrri vdiq më 9 qershor të këtij viti, në moshën 57 vjeçare, pas një sulmi në zemër gjatë orëve të para të mëngjesit. Ai njihet si legjendë e futbollit kosovar. /KultPlus.com

“No Borders Orchestra” vjen me koncert në Lumbardh

Më 18 gusht në Lumbardh do të performojë orkestra e njohur si “No Borders Orchestra”, shkruan KultPlus.

No Borders Orchestra përbërë nga muzikantët të njohur nga çdo vend, grup fetar dhe etnik i ish-Jugosllavisë. Orkestra është një mishërim i gjërave që kanë rëndësi për Evropën moderne: diversiteti, integrimi dhe fryma e miqësisë.

Me muzikën e shkëlqyer muzikore, No Borders Orchestra, thyen kufijtë e të gjitha llojeve: midis vendeve, klasave dhe etnive, midis sallave të koncerteve klasike të elitave dhe skenave në sheshet me plot njerëz.

Programi:
P. I. Tchaikovsky: Serenade – Pezzo in forma di sonatina
A. Vrebalov: Pannonia Boundless
J. S. Bach: Concerto for violin and viola C minor
A. Schoenberg: Transfigured night

Dirigjenti i kësaj mbrëmje do të jetë Premil Petrović.

Koncerti në Prizren mbështetet nga Ambasada e Amerikës në Kosovë, Ministria e Kulturës si dhe Raiffeisen Bank.
“No Borders Orchestra” do të performojë më 20 gusht në Sarajevë ndërsa më 22 gusht në Beograd.

Tiketat për koncertin i cili do të mbahet në Lumbardh në Prizren duke filluar nga ora 21:00 janë falas. /KultPlus.com

Yll Xhaferi, nesër me ekspozitë në Prishtinë

Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në Prishtinë organizon ekspozitën e artistit pamor Yll Xhaferi të titulluar “Scrolling” që do të mbahet më 15 gusht në ora 19.00.
 
Artisti Xhaferi do të krijoj harta personale imagjinare, përmes një koleksioni të punimeve artistike (Ilustrime) si reflektim ndaj ndikimit të jetës urbane në identitetin personal apo subjektiv dhe interaksionin e tyre me të përbashkëtën (Kolektiven). Ekspozita do të portretizojë një udhëtim në historinë narrative të qytetit të ndërthurur me memorien e tij kolektive dhe psikologjike, përballë një individi të konfuzuar dhe kompleks dhe përpjekjet e tij për monumentalizuar këto memorie.


 
Yll Xhaferi është artist vizuel nga Prishtina. Ai ka diplomuar në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës dhe ka përfunduar studimet për master në drejtimin e Arteve Pamore. Xhaferi është fitues i çmimit Artistët e së Nesërmes nga Galeria Kombëtare në vitin 2012 dhe ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme të artit vizuel në qytet p.sh. Prishtina Mon Amour në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, Livrit – (si pjesë e SURF, kuruar nga Erzen Shkololli, Bienale Meditterana, Milano dhe Tirana dhe ekspozita e tij personale e titulluar Toy Story në galerinë e artit Motrat.

Ekspozita do të shoqërohet nga një koktej i vogël në EUICC Prishtina. / KultPlus.com

Të bëhem Ti

Poezi nga Medina Pasoma.

Më lejo të fli në buzëqeshjet e tua
Të këndoj me qerpikun e syrit tënd
Të hyp natën në katet e mendimeve tua
Dhe t’a ndriçoj qytetin me dritën e fytyrës sate
T’a shoh veç njëherë veten me vështrimin tënd
Mjegullën e kësaj jete t’a largoj me shiun tënd
Etjen e ekzistencës t’a ndez me praninë tënde
T’i godas malet me ngrysjen e vetullave tua
T’a njoh jetën përmes detit të dhimbjes tënde
Me harmoninë e veshit tënd t’i dëgjoj meloditë e botës
T’i mbush fletët me mallëngjimet e tua
T’a qetësoj shpirtin me valët e prehjes tënde
Të bërtas me uraganin e brendisë sate
Dhe t’më lagen sytë me vetminë e netëve tua
Nga e qeshura jote t’më gjallërohet jeta
Le t’a kërkoj aromën çdokund, si i sëmuri shërimin
E kur të kërkoj shtegtim, arratisje t’më jenë krahët e tu
T’i prek shpendët me duart e tua dhe me prekje t’i fal fluturim
Portat e botës le t’më hapen me trokitjet e tua
Dhe rrugët t’më ndërtohen me hapin tënd
Të jem vrasëse e ndarjeve me fundet e tua
Dhe me fillimet e tua të bëhem sinonim përjetësie
Le të shkrihet uni im nga zjarri i dëshirës sime
Dëshira për të qenë ti, le t’na bëjë një…/ KultPlus.com

Edhe me dijt se a’tuj dekë nusja, zhagas e rrshanas do t’a çojnë në shpi të dhandrrit

Nga Shkelqim Cela

§. 44. Përcaktimi i “Fes së preme.

“Me pre Fen” do’ me thanë me da diten e vaden e kputme se kur me nisë krushqt per me marrë nusen.

Si t’i “pritet feja” vajzës, tuj kenë ditë më shej, krushqt do të nisen at ditë as kanuja s’e shtyn, as ban qi të shtyhet.

Krushqt do të shkojn me marrë nusen at ditë, edhe me dijt se a’tuj dekë nusja, zhagas e rrshanas do t’a çojnë në shpi të dhandrrit.

Krushqve s’u ndalet udha, edhe me pasë të dekmin në shpi, prindja e dhandrrit e prindja e vajzës.

I dekni në shpi, krushqt do të nisen; nusja hinë në shpi, I dekni del shpijet. Andej të vajtohet, këndej të këndohet. (Kjo thtohet per me diftue se as deka ket ditë s’mund t’i ndal krushqt, se me këndue nuk këndohet.)

Nga Kanuni i Lekë Dukagjinit. /KultPlus.com

Ariana Grande dhe James Corden risjellin me muzikë skenat e filmit “Titanic” (VIDEO)

Ariana Grande dhe James Corden janë bashkuar për të risjellë tregimin e Jack Dawson dhe Rose DeWitt Bukater nga filmi “Titanic” në emisionin The Late Late Show.

Corden është shfaqur në rolin e karakterit të Leonardo DiCaprios, Jack, duke veshur një pallto të gjatë.

“Sonte i kemi 13 këngë, nëntë skena, një akt dhe zero presion – kjo është Ariana Grande në një kolonë zanore të ‘Titanic’”., ka thënë moderatori me entuziazëm.

Këngëtarja e ka nisur këndimin me hitin “Styx”, “Come Sail Away”, ndërkohë që kanë risjellë skenat e filmit nga viti 1997.

Gjatë emisionit ka kënduar edhe prezantuesi 39-vjeçar duke e entuziazmuar publikun.
Nuk ka munguar edhe ribërja e skenave brenda anijes e sidomos skena e famshme në pjesën e përparme të Titanikut.

Filmi me regji të James Cameronit ka sjellë tregimin e një aristokrateje 17-vjeçare, e cila dashurohet me një artist të varfër në anijen “Titanic”. /KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?time_continue=73&v=7f_d8AVoAjg

Hapet tenderi për rikonstruksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve

Ministria e Kulturës ka hapur tenderin ku fton të aplikojnë firma konsulente, të cilët duhet të dorëzojnë projektin e tyre deri më 20 gusht, shuma e vënë në dispozicion për rikonstruksionin e këtij institucioni është 12.5 mln lekë.

GKA është një institucion kombëtar qendror që ka për qëllim prezantimin, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore në fushën e arteve pamore. Që prej vitit 2007 gëzon statusin e monumentit të trashëgimisë kulturore.

Ajo hapi dyert në vitin 1946 me një sipërfaqe ekspozimi rreth 5.300 m², fillimisht si pinakoteke, për t’u hapur zyrtarisht si GKA 10 vie më vonë, në vitin 1956. Në të ruhen rreth 4.000 vepra arti të autorëve shqiptarë dhe të huaj, të cilat përfshijnë një periudhë të gjatë kohore që nga shekulli XIII e deri në ditët e sotme. Që prej vitit 1999 është hapur për publikun një bibliotekë e Galerisë, ku mund të shfrytëzohen albume, revista, kritikë letrare mbi artet figurative.

Në vitin 2009 GKA pësoi një ndërhyrje cilësore, por me sa duket të pamjaftueshme, pasi kushtet në të cilat ekspozohen veprat e artit nuk janë në parametrat e duhur. Në janarin e vitit 2017, ekspertë italianë vunë në dukje mungesën e theksuar të kushteve të ekspozimit në GKA, duke nisur që nga sistemi i lagështisë, temperatura në të cilën duhet të ekspozohen veprat, sistemi i munguar i kamerave e shumë mangësi të tjera, shkruan gazeta-Shqip.com
Pas mbylljes së aplikimeve dhe shqyrtimit të tyre pas datës 20 gusht, do të shpallet edhe fituesi, i cili duhet të ekzekutojë projektin e tij të rikonstruksionit deri në 5 muaj pas lidhjes së kontratës./ KultPlus.com

Dhjetë fakte për Korçën

Nga Kliti Kallamata

A e dini se…

1. Plani i parë rregullues për qytetin e Korçës daton rreth vitit 1850. Në atë kohë në Ballkan, plan rregullues kishte vetëm Athina (1832), ndërsa Sofja dhe Beogradi ishin si fshatra me rrugë me baltë. Plani rregullues i viti 1850 udhëhoqi ndërtimet në Korçë për gati 100 vjet, duke e transformuar Korçën nga një qytet mesjetar kaotik në një qytet të rregullt me tipare të theksuara perëndimore. Ndërsa vetëm gjatë shtatë viteve të fundit, për Korçën janë hartuar tri plane rregullues, që po e kthejnë atë përsëri në një qytet kaotik.

2. Korça ka një Qendër Historike. Por, qendra e Qendrës Historike nuk është nën mbrojtje si Qendër Historike.

3. Korça ka 40 hotele e bujtina, 60 restorante, mbi 120 kafene dhe asnjë shkollë profesionale për hoteleri, kulinari, kamerierë, apo shërbime turizmi.

4. Pija historikisht tradicionale e familjeve korçare ka qenë vera dhe jo birra. Korça prodhonte një nga verërat më të mira në Ballkan deri në 1939, kur italianët ndërtuan fabrikën e birrës dhe shkatërruan vreshtat e Voskopit. Këto vreshta kishin një varietet unikal rrushi të përshtatur me klimën e Korçës, nga të cilat prodhonin verë të shkëlqyer thuajse të gjitha familjet korçare.

5. Qysh në vitet 1930, Korça ka pasur të parën bibliotekë publike në Shqipëri dhe një ndërtesë të ngritur posaçërisht për të. Në vitet 1970, në Korçë u projektua dhe u ndërtua e para ndërtesë për bibliotekë publike në Shqipëri e ndërtuar nga regjimi komunist, duke e bërë Korçën me dy biblioteka publike. Sot Korça nuk ka asnjë bibliotekë publike dhe asnjë ndërtesë posaçërisht për të.

6. Në vitet 1930 në Korçë botoheshin 6-7 gazeta private. Sot Korça nuk ka asnjë gazetë dhe asnjë portal elektronik mediatik të rregullt.


7. Korça kishte ujësjellës dhe kanalizime të ujërave të zeza qysh në vitet 1750. Rrjeti i ri i ujësjellësit dhe kanalizimeve që përfundoi në vitin 2010 u zbatua nga një kompani siciliane (Siçilia ishte deri në vitet 1950 me gropa septike)

8. Sot Korça krijon 200 ton mbetje urbane në ditë, 6000 ton në muaj ose 72,000 ton në vit nga të cilat nuk përpunohet apo riciklohet asnjë kilogram.

9. Në Korçë në vitet 1920-30 bëhej një “xhiro” apo shëtitje e mbrëmjes përgjatë bulevard “Republika”, ku qytetarët, pasi visheshin me veshjet e tyre më të mira, vërtiteshin lart e poshtë 15-20 herë duke përshëndetur njeri-tjetrin po aq herë. Gjatë kohës së komunizmit kjo “xhiro” u kthye në traditë dhe u përhap edhe në qytete të tjera. Sot, në Korçë ruhet i njëjti mentalitet, veçse me ndryshimin se “xhiroja” bëhet me … makina nga parazitët e qytetit.

10. Në vitet 1920-30, nëse dikush dashuronte një vajzë dhe kishte zë të mirë, merrte një kitarë dhe këndonte pranë shtëpisë së saj disa këngë. Një zë – një kitarë. Kjo ishte serenata. Sot, çdo mbrëmje deri në 1.00-2.00 pas mesnate, në bulevard “Republika” dhe në disa sheshe që manaxhohen nga Bashkia, ndotja akustike nga altoparlantë të fuqishëm shkon mbi 100-110 decibelë, e barabartë me atë të një koncerti rok (norma mesatare në qytetet evropiane është 60-75 db dhe në shumë prej tyre nuk lejohen as boritë e makinave, as natën e as ditën)./KultPlus.com

Thirrje për Minority Co-production dhe projekte të ndryshme kinematografike

Qendra Kombëtare e Kinematografisë hapë aplikimin për projektet të ndryshme kinematografike si dhe për projekte për film artistik metrazh i gjatë, kategoria Minority Co-production, shkruan KultPlus.

Në zbatim të ligjit nr. 8096, datë 21.03.1996, “Për kinematografinë”, të ndryshuar, vetëm shtëpitë kinematografike të regjistruara në QKK mund të paraqesin projekte kinematografike për konkurrim.

1. Projekte të ndryshme kinematografike;
2. Projekte për film artistik metrazh i gjatë, kategoria Minority Co-production.

Shtëpitë kinematografike, të cilat do të paraqesin projekte në konkurrim, duhet të kenë parasysh sa më poshtë:

1. Të jenë të regjistruara në QKK për vitin kalendarik 2018.
2. Të shikojnë rregulloren e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, në të cilën përshkruhen rregullat dhe kriteret për aplikimin.

Aplikimi i projekteve do të bëhet online në faqen: www.filmcoproduction.com.

Afati i fundit për depozitimin e projekteve (online) do të jetë data 15.09.2018. /KultPlus.com

Përfundon restaurimi i Kishës së Fjetjes së Shën Mërisë

Ka përfunduar restaurimi i Kishës së Fjetur së Shën Mërisë në Kosinë, shkruan KultPlus.com

Restaurimi i Kishës Fjetja e Shën Mërisë, është një tjetër premtim i mbajtur, nga Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës, në ruajtjen dhe rijetëzimin e pasurive kulturore.

Që nga viti 80’ ky është projekti i parë restaurues, i cili aplikohet në këtë kishë bizantine, të shek. XII-të.

Punimet restauruese, u kryen sipas projektit të hartuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, në bashkëpunim me bërthamën e projektimit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, me një vlerë investimi prej 5 milionë lekë të reja. /KultPlus.com

Qeveria e Izraelit dhe transmetuesi kombëtar arrijnë marrëveshje për Eurovizion 2019

Qeveria e Izraelit dhe transmetuesi kombëtar i këtij vendi kanë arritur marrëveshjen për mbajtjen e Eurovizion 2019, përcjellë KultPlus.

Gazeta izraelite Haaretz ka raportuar se kriza rreth mbajtjes së Eurovizionit 2019 në Izrael është zgjidhur pasi qeveria izraelite dhe transmetuesi kombëtar arritën një marrëveshje.

Shqetësimet rreth konkursit që do mbahet vitin tjetër u shfaqën ditë më parë kur kreu i transmetuesit izraelit, KAN, i bëri apel Kryeministrit të Izraelit për ndihmë në përmbushjen e kërkesës së EBU- së për një garanci prej 12 milion euro për t’u vendosur në një llogari bankare zvicerane për të siguruar konkursin. Afati i dhënë nga EBU për fondet që do të depozitohet është sot.

Kryeministri Benjamin Netenjahu kërcënoi të mbyllte transmetuesin kombëtar izraelit nëse nuk do të paguante me kohë. Megjithatë, KAN argumentoi se shteti izraelit duhet të paguajë për garancinë pasi që nëse transmetuesi kombëtar do e bënte këtë si pasojë do kishte shkurtim fondesh pasi që nuk ka buxhet të mjaftueshëm.

Tani, sipas Haaretz, KAN pritet të marrë një hua prej 13.5 milion dollarë për të përmbushur detyrimet e saj financiare ndaj EBU. Në kthim, Ministria e Financave do të angazhohet për të mbuluar shumën e kredisë.

Izraeli fitoi të drejtën për të organizuar konkursin e këngës në Eurovizion 2019 pasi Neta ishte fitimtare në edicionin 2018 në Lisbonë të Portugalisë me këngën Toy. Kjo ishte fitorja e katërt e Izraelit në historinë e konkursit. /KultPlus.com

Poeti Agim Vinca, pjesëmarrës në Festivalin e Poezisë në Palestinë

Poeti i njohur shqiptar, Agim Vinca, do të marrë pjesë në Edicionin e Tretë të Festivalit të Poezisë në Ramallah me titullin “Zëra të gjallë… nga Mesdheu në Mesdhe”, shkruan KultPlus.

Palestina hap për të gjithë të apasionuarit e Detit Mesdhe, siparin e Edicionit të Tretë të Festivalit të Poezisë në Ramallah me titullin “Zëra të gjallë… nga Mesdheu në Mesdhe”.

“Ambasada e Shtetit të Palestinës në Tiranë përshëndet pjesëmarrjen e poetit shqiptar Agim Vinca në këtë festival, i cili do të mbajë gjithashtu 6 takime poetike në disa qytete të Palestinës”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Kjo është pjesëmarrja e dytë e poetit të njohur shqiptar Agim Vinca, në këtë festival./ KultPlus.com