Marie Lasgush Poradeci shkruan pasi aeroplani shqiptar merr emrin e babait të saj

Pas pak ditësh që nga ceremonia e inaugurimit të kompanisë së parë ajrore shqiptare nga kryeministri Edi Rama, ky dy aeroplanët tashmë janë pagëzuar.

I pari është Lasgushi, tjetri është Fan Noli dhe tjetri që do vijë menjëherë pas fluturimeve test që do bëhen gjatë një muaji Stamboll-Tiranë do jetë Migjeni.

Ndërkaq, sot përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, e bija e Lasgush Poradecit, Marie Lasgush Poradeci, iu drejtua kryeministrit në shenjë falënderimi dhe po ashtu duke iu drejtuar edhe atyre që nuk janë gëzuar për aeroplanin që mori emrin e babait të saj.

“Me shume se sa genjeshtra qe i ka kembet e shkurtra eshte zilia qe e ka gjuhen e gjete. I ka pickuar gjarperi ne vend te lik, zoti kryeminister me emrin e Lasgushit, te gjithe ziliqaret e ketij vendi. Ata qe nuk gezohen dhe afirmojne llafe te kota, as nuk e njohin Lasgushin. Po ata qe afirmojne a konfirmojne dot? Llapaqener qe jeni mesuar vetem me gjera te ndyra dhe me sherre, vetem shani sepse gjerat e bukura ja u helmojne mendjen. Le te pellcasin Zoti Kryeminister”, ka shkruar ajo./ KultPlus.com

“Dashuria është shumë më tepër se sa dëshira për marrëdhënie seksuale”

“Dashuria është shumë më tepër se sa dëshira për marrëdhënie seksuale; ajo është mjeti kryesor për të ikur nga vetmia e cila i prek meshkujt dhe femrat përgjatë pjesës më të madhe të jetës së tyre.”

“Jeta e mirë inspirohet nga dashuria dhe udhëhiqet nga dija.”

“Shpresat ekstreme janë të lindura nga mjerimet ekstreme.”

“Njerëzit janë të lindur injorantë, jo budallenjë. Ata i bënë budallenjë edukimi.”

“Dehja është vetvrasje e përkoshme.”

“Martesa për gruan është mënyra më e zakonshme e jetesës dhe sasia e përgjithshme e seksit të padëshiruar, e duruar nga gruaja, me shumë gjasë është shumë më e madhe në martesë se sa në prostitucion.”

Bertrand Russell

“Nuk është e nevojshme goja kur nuk të dëgjohet zëri”

Artisti Arianit Beqiri ka realizuar një pikturë tejet interesante tash së fundmi, shkruan KultPlus.

Ai sipas një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka treguar se përmes kësaj pikture ka paraqitur secilën grua të vrarë. Me ngjyra që lehtë të lënë të kuptosh se çfarë ka dashur të thotë piktori, ai e ndau këtë pikturë me miqtë e tij në facebook, të cilët menjëherë e uruan për punën që ka bërë.

Po sjellim të plotë publikimin e tij:

“Pa lexim nuk ka art. Pa përfshirje direkte në shoqëri nuk bëhesh artist.
Nuk është e nevojshme goja kur nuk të dëgjohet zëri. Nuk të hy në punë asgjë kurora e mbretëreshës kur tingulli i fundit që e dëgjon është krisma e armës në gjoksin tënd.
Po e ndaj me juve një punim të cilin jam i lumtur që i dola në krye. Ndonëse jam më shumë i lumtur që ky punim tashmë më ka pushtuar. Punova nën ankth, sepse dikush tjetër tërë jetën e ka nën ankth. A është ky apo momenti tjetër i vrasjës sime!?
Kuptojeni si të doni, do të thoshin shumë të tjerë që nuk do të dinin ta arsyetonin veprën e tyre, por ta kuptoni drejtë është porosia ime.
Gruaja po vritet vetëm pse është më e dobët!

“Mundësitë e vogla janë shpesh fillimi i veprave të mëdha”

Më poshtë mund të lexoni 25 thënie nga njerëzit e zgjuar të antikitetit, vlera e të cilëve nuk ka humbur deri në ditët e sotme.

• Dhimbja e tepruar për të vdekurit është çmenduri, sepse ajo është një lëndim për të gjallët, dhe të vdekurit nuk e dinë – Ksenofoni
• Asnjë qenie njerëzore nuk do të dijë ndonjëherë të Vërtetën, sepse edhe nëse ndodh që ta thonë atë rastësisht, ata nuk do ta dinë që e kanë bërë – Ksenofani
• Shpesh, është një fatkeqësi që të ketë njerëz të shkëlqyer në krye të punëve. Ata presin shumë nga njerëzit e zakonshëm – Tukididi
• Gjëja më e vështirë në jetë është të njohësh veten – Talesi
• Njeriu është masa e të gjitha gjërave – Pitagora
• Shkatërruesi i vërtetë i lirive të njerëzve është ai që u shpërndan atyre dhurata, donacione, dhe përfitime – Plutarku
• Njeriu: një qenie në kërkim të kuptimit – Platoni
• Prisni që t’ju gjykojë më i urti i të gjithë këshilltarëve, koha – Perikliu
• Jeta është një shpalosje, dhe sa më shumë që udhëtojmë, aq më shumë të vërteta mund të kuptojmë. Të kuptojmë gjërat që janë tek pragu i derës sonë, kjo është përgatitja më e mirë për të kuptuar ato që ndodhen përtej – Hipatia
• Çfarëdo që vjen nga Perëndia, njeriu e ka të pamundur që ta kthejë mbrapsht – Herodoti
• Vdekja nuk na shqetëson, sepse për sa kohë që ne ekzistojmë, vdekja nuk është këtu. Dhe, kur ajo ka ardhur, ne nuk ekzistojmë më – Epikuri
• Natyra e Perëndisë është si një rreth, ku qendra është kudo dhe perimetri nuk është askund – Empedokli
• Mundësitë e vogla janë shpesh fillimi i veprave të mëdha – Demosteni
• Asnjë e keqe nuk është e nderuar, por vdekja është e nderuar, ndaj nuk është e keqe – Zeno i Sitiumit
• Çdokush mund të zemërohet, kjo është e lehtë, por të zemërohesh me personin e duhur, dhe në shkallën e duhur dhe në kohën e duhur, dhe me qëllimin e duhur dhe në mënyrën e duhur, këtë nuk e bën dot kushdo dhe nuk është e kollajtë – Aristoteli
• Mësimi më i dobishëm për jetën është që të heqësh nga mendja atë që është e pavërtetë – Antisteni
• Asgjë nuk ekziston përveç atomeve dhe hapësirës së zbrazët: çdo gjë tjetër është vetëm mendimi – Demokriti
• Unë i jam borxhli babait tim për jetën, mësuesit tim për të jetuarit mirë – Aleksandri i Madh
• Ka më shumë ai që është i kënaqur me pak – Diogjeni
• Bëjë të gjitha përpjekjet dhe martohu: nëse e gjen një grua të mirë, do të jesh i lumtur; nëse jo, do të bëhesh filozof – Sokrati
• Njerëzit e mirë nuk kanë nevojë për ligje që t’u thonë të veprojnë përgjegjshmërisht, ndërsa njerëzit e këqij do të gjejnë një mënyrë që të shmangin ligjet – Platoni
• Askush të mos të quhet i lumtur para vdekjes së tij. Deri atëherë, ai nuk është i lumtur, por vetëm fatlum – Soloni
• Nuk zhvillohet kuraja duke qenë i lumtur në marrëdhëniet tuaja të përditshme. Ajo zhvillohet duke mbijetuar në kohë të vështira dhe duke sfiduar vështirësitë – Epikuri
• Nuk ka asgjë të përhershme, përveç ndryshimit – Herakliti
• Koha është gjëja më e vlefshme që një njeri mund ta harxhojë – Teofrasti. (bota.al)./ KultPlus.com

“S’asht kollaj me kanë malsuer”

Poezi nga Liridon Mulaj.

M’beso!
Asht e randë me kanë malsuer!
Gjamën e kangën
i kie varun mbi qerpik tanë jetën,
po loti nuk të falet.

M’beso, s’asht kollaj me kanë malsuer.
Kie me shkue krushk edhe në paç mort’
Kie me i ra çiftelisë, edhe në paç gjamë
Kie me qit pushkë, edhe pa gjaksor
Se malsueri, lahutën e pushkën,
i var në t’njajtën gozhdë.
E rand, fort e randë me kanë malsuer…

Simon Rrota: Të marrë e injorant ka gjithkund

Shkruan Ilnisa Agolli.

Është një tablo ditari me penelata sinqeriteti, me gjuhën e sakrificës dhe kulturës që ka shquar shkodranët. Kujtime të një shekulli të shkuar që i lexojmë mes rreshtave të mjeshtrit të madh Simon Rrota, histori që më në fund vijnë të botuara nën logon “Botimet Fishta” falë Pjetër Logorecit.

“Po shkruej për vedi e Shkodrën” është një jetë e tërë e shkruar në avujt e nostalgjisë personale me rrëfime të panjohura gjer më sot. Ditari i nxënësit të Kol Idromenos hedh dritë mbi fillimet e pikturës realiste shqiptare dhe mbi rrugën e vështirësitë që ka kaluar arti dhe vetë piktori mbi “disprimin”, sikundër shkruan ai, për gjendjen në të cilën ndodhej vendi si pasojë e pushtuesit anadollak osman duke folur me imazhe e ngjyra historike nga tabaloja e piktorit tek heshtja e dhomës së shkrimtarit.

Por nëse do të hulumtojmë mbi jetën dhe veprën e çdokujt prej autorëve të veprave të Rilindjes do të mund të perceptojmë gjithë historinë e artit shqiptar ndryshe, jo vetëm për veçoritë e papërsëritshme të formimit artistik por edhe duke u njohur me kohën kur ato u krijuan. Çfarë fshihet pas atyre tablove? Cila është e vërteta që ekspozitat e para të hapura që nga ajo e vitit 1883 me dy pikturat e famshme “Motra Tone” e Kol Idromenos dhe “Skënderbeu” i Jorgji Panaritit të cilat ndryshuan dhe fatin e pikturës duke sjellë një frymë bashkëkohore dhe një mesazh ndryshe? Askush nuk e di me saktësi gjuhën e këtij romantizmi nëse mund ta quajmë kësisoj i cili duket se e ka fituar betejën për forcimin e ndjenjës së identitetit tek popujt.

Është rast i veçantë në historinë e artit figurativ që për të pestë ekspozitat e hapura në harkun kohor të 25 vjetëve nga viti 1920-1945 të paraqiteshin me titullin “E para ekspozitë arti në Shqipëri” në gazetat dhe revistat e kohës, që siduket bojën dhe letrën e paskan patur të përjetshme. Kështu më 1923, ekspozita që u hap në Shkodër ēshtē quajtur më e para në gjithë Shqipërinë. Ku morëm pjesë të gjithë artistët e qytetit, prej tyre dhe Simon Rrota.

Ndërkaq duke shfletuar kujtimet e Rrotës njihemi me zakonet, dasmat shkodrane, vdekjet, lindjet, patriarkalizmin, armiqësitë deri në luftë vëllavrasëse mes dy besimeve fetare. Por ajo që bie në sy është jeta e vështirë dhe peripecitë që kaloi Simon Rrota për të realizuar ëndrrën artistike. Një vend të veçantë në ditar zë miqësia e Simonit me At Gjergj Fishtën, i cili atë kohë drejtonte shkollën françeskane në Shkodër. Frati françeskan e ndihmon piktorin e vogël me materiale, që i duheshin për pikturën që atë kohë gjindeshin me shumë vështirësi dhe me ambiente për të punuar, duke i ofruar edhe shpërblim financiar.

Dishiri qi i paraqita, për kërkesën e materialit, – kujton ai, – e gëzoi shumë fratin, prandaj, pa far voneset më mori për krahut, më prini përpara, tue me çue në dhomën e vizatimit ku unë tre vjetë ma parë kisha mësue vizatim me shokët e shkollës. Aty material kishte mjaft e pa dhimbë. Më dha nji sasi të mirë lapsa, goma, letra vizatimit e modele të ndryshme. Përveç gjanave, i dha urdhën shërbyesit të shkollës, Ndokë Çunit, i cili ishte edhe kepucar e bante sandale për freten, qi, sa herë qi do të më nevojitesh material për vizatime, me ma dhanë pa pengesa. Gzimi kje i madh e kshtu unë pa vonesë ju shtrova punës me dishir për me vizatue elementet e para, e mbasi bana nji sasi të mirë, i çova te Kolë Idromeno për me i korigjue…” shkruan Simon Rrota i cili përshkruan po aq bukur edhe takimin e parë me Fishtën.

“Por me u paraqitë te Padër Gjergji më vinte turp mbasi qi ishte e para herë që do të flitshe me të… Rasa kje e mirë për mue me u takue së bashku, pse, njatë herë ai kishte ndejë në kopësht të Kuvendit, ku sot asht nji bli i madh, ndërsa po vërente punëtorët qi po ndërtojshin Kishën e Françeskanëve…” Piktori Simon Rrota vdiq dhe u “varrue” më Shkodër mē 27 janar 1961. U deshën 57 vjet që në faqet e ditarit të kuptojmë që koha është e njëjta, veç Simonët mungojnë:

“Tue vazhdue kështu, mendojshe se në katund i lir o jo i trazuem si në qytet, por edhe këtu, puna ndrroi pse të marrë e injorante kishte gjithkund. Ishte hapë fjala se unë kam dalë me qëllime tjera: me shkrue shtëpijat, bagëtitë e tjera sende të katundit, për të cilat, ma vonë do të paguejshin taksat. Ashtu kujshojshin katundarët e më shikjojshin me sy të keq, veçanërisht njatëherë kur unë i shikjojshe në fytyrë me u ba skicat; kjo gja i bante me dyshue edhe ma tapër e mu kërcnojshin fort, kështu, ndër katunde qi shkojshe, më qitshin jashtë pse unë, për ‘ta ishe i rrezikshëm. Kësi rasash, ishin të thuejsh përditë; por ajo ma interesante kje ajo kur unë ishe tue vizatue mëshehtas, nji malcuer. Kur i diftuen tjerët, u drejtue nga unë e me kercnim të madh më tha: “unë nuk jam asi burrit qi me hye në letër”. Pra? Falemders, mjeshtër!./ KultPlus.com

Ermal Meta me mesazh emocionues për motrën e tij (FOTO)

Këngëtari Ermal Meta, është komentuar dhe pëlqyer pafund nga të gjithë shqiptarët. Pjesëmarrja e tij në Eurovizion i ka bërë të gjithë krenarë edhe pse përfaqësonte Italinë.

Dje ai kishte një gëzim shumë të madh në jetën e tij, pasi personi më i shtrenjtë për të u martua.

Motra e tij i ka dhënë fund beqarisë dhe këngëtari ka një dedikim aq emocionues për t’i dhënë:

“Kush është nusja më e bukur në botë? Udhëtim të bukur dhe shpresoj të jesh e lumtur dhe e ndritshme siç je në këtë foto. Unë do të shoh nga larg dhe sa herë do të kesh nevojë për mua do të tërheqësh atë fije diamanti që na lidh, unë do ta dëgjoj dhe do të vrapoj drejt teje. Kjo është dashuria!’”./ KultPlus.com

“Vëllezërit arbëreshë me vëllezërit shqiptarë”

“Vëllezërit arbëreshë bashkë me vëllezërit shqiptarë”. Kjo është motoja e koncertit i cili, në organizim të shoqatës “Iliria” nga Saint Julian en Genoveis, në Francë organizon së bashku me Shoqatën Kulturore dhe Folklorike të arbëreshëve nga Frascineto (CS), Itali.

Krahas grupeve folkorike, në këtë mbrëmje do të parfaqiten edhe: Mimoza Nazarko (Canto), Ermira Lefort (Piano) dhe Volfi Haxhiaj (Violinë).

Koncerti mbahet më 29 shtator 2018, ditë e shtunë, me fillim në orën 19.00.

Adresa: 24 Grand Rue, Saint Julian en Genoveis, Francë (në afërsi me Gjenevën), përcjell Albinfo./ KultPlus.com

Letërsia Lëvizëse përmbyllet nesër me poezitë e Mirko Gashit

Mbrëmja e fundit e Letërsisë Lëvizëse për këtë edicion vjen nesër më 17 shtator me fillim nga ora 18:00, shkruan KultPlus.

Kjo mbrëmje mbahet mbi Kurriz, ku do të lexohen poezitë e Mirko Gashit dhe do të flitet për të.

Shkrimtarët mysafir në nderim të letërsisë së Mirkos janë: Aurela Kadriu, Arbër Selmani, Avni Zogiani, Ardiana Shala Prishtina dhe Donika Dabishevci./ KultPlus.com

Tirana përzgjidhet si një nga tre qytetet më të transformuar në 2018

Në rrugëtimin e saj transformues, për t’u shndërruar në një qytet europian, Tirana ka rrëmbyer një tjetër vlerësim të rëndësishëm në Lisbonë.

Pas çmimit në Barcelonë për sheshin “Skënderbej” dhe atij në Londër për Pazarin e Ri, kryeqyteti shqiptar është përzgjedhur nga një juri ndërkombëtare, si një ndër qytetet që ka pësuar transformimin më të thellë në Europë.

Kandidatët e finalistët për të rrëmbyer Çmimin e Aksionit më Transformues 2018 u zbuluan në Festivalin URBACT, i mbajtur në Lisbonë të Portugalisë, ku kryeqyteti shqiptar u rendit mes Bolonjës dhe Ghentit.

Çmimi, i cili jepet nga ICLEI – Qeveritë Lokale për Qëndrueshmërinë, Rajoni Bask dhe Qyteti i Aalborg (Danimarkë), shpërblen veprat transformuese në vijim ose të përfunduara në kategori socio-kulturore, transformimin socio-ekonomik dhe teknologjik.

Nga një garë e fortë prej 40 aplikimesh u përzgjodhën tre qytete: Tirana (Shqipëri), për rritjen e hapësirës së gjelbër urbane rreth qytetit, duke luftuar shtrirjen urbane; Qyteti i Bolonjës (Itali), për marrëveshjen e bashkëpunimit me qytetarët e tyre, për të rritur angazhimin qytetar dhe rigjenerimin e qendrave urbane; si dhe qyteti i Ghent (Belgjikë) për transformimin e sistemit vendor të ushqimit të qytetit, nëpërmjet modeleve të pjesëmarrjes së qeverisjes.

Anëtarja e jurisë dhe kryetarja e Komisionit, Cor Lamers, tha: “U ndjeva jashtëzakonisht e lumtur kur zbulova se Çmimi i Aksionit më Transformues 2018, tërhoqi aq shumë aplikantë nga e gjithë Evropa. Këto projekte pjesëmarrëse i bëjnë komunitetet dhe ekonomitë tona lokale më përfshirëse, të gjelbra dhe të qëndrueshme. Si rezultat, ata u japin qytetarëve tanë një cilësi më të mirë jetese. Shpresoj se këto nisma do të shërbejnë si shembuj që do të përsëriten kudo dhe do të krijojnë një reaksion zinxhir të aksioneve transformuese në rajonet dhe qytetet tona”.

Duke përgëzuar kandidatët e përzgjedhur, Hakan Lucius, anëtar i jurisë dhe shefi i Divizionit të Shoqërisë Civile, në Bankën Europiane të Investimeve, tha: “Duke përfaqësuar diversitetin gjeografik të Evropës, këto tre qytete arritën të adresonin komponentë të ndryshme të zhvillimit të qëndrueshëm, veçanërisht përfshirjen sociale, zhvillimin urban dhe ushqimin, duke përfshirë në mënyrë kuptimplotë të gjitha palët e interesuara. Veprimet e tyre inovative janë sfida kryesore për të ardhmen tonë të përbashkët dhe duhet të jenë frymëzues për të gjithë aktorët e angazhuar për qëndrueshmëri”.

Pylli Orbital, një balancë mes qytetit dhe rizbulimit të natyrës

Në një kohë kur disa vende po flasin për mure, Tirana është duke ndërtuar një “mur” pemësh, për t’i dhënë oksigjen qytetit. Objektivi strategjik numër një i Planit të Përgjithshëm Vendor të Boerit, propozon një “Pyll Orbital” prej 2 milionë pemësh, që do të rrethojnë Tiranën, e që do të shërbente si një brez i gjelbër, për të parandaluar shtrirjen urbane.

“Mos e nënvlerësoni fuqinë e fëmijëve,” thotë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj: “Një qytet për fëmijët tanë, është një qytet për të gjithë ne. Unaza pyjore është dendësuar nga “pemët e ditëlindjeve” të fëmijëvë, të cilat janë mbjellë nga prindërit. Ne jo vetëm krijojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, por gjithashtu rrisim fëmijë që do ta mbajnë të sigurt të ardhmen”./ KultPlus.com

Me “55 Shades of Gay” fillon sonte Komedia Fest

Pas gjashtë edicioneve me të cilat tërhoqi vëmendjen e publikut dhe ringjalli teatrin dhe “Çarshinë e Vjetër” të Gjakovës, Komedia Fest sivjet synon thyerjen e paragjykimeve në shoqëri përmes komedisë.

Edicioni i shtatë i Komedia Fest nisë sonte më 16 shtator dhe përfundon më 22 shtator.

Ky edicion ka shtrirje të gjerë gjeografike, ndërsa përveç shfaqjeve komedi nga mbarë trojet shqiptare, do të ketë edhe programin për fëmijë, si dhe performanca nga artistë të ndryshëm.

“Komedia Fest në edicionin e shtatë do të përmbajë edhe disa aktivitete tjera shtesë që kanë për synim promovimin e kulturës dhe zgjerimin e njohurive për fushën e artit, gjithmonë duke mbajtur frymën e zhanrit të komedisë. Këto aktivitete shtesë përfshijnë edhe debate dhe ligjërata ditore me aktorë që kanë dhënë kontribut të çmuar në art, si dhe trendet e fundit globale”, thuhet në njoftimin e Komedia Festit.

Trupat teatrore pjesëmarrëse tashmë të konfirmuara vijnë nga: Prishtina, Mitrovica, Presheva, Tetova, Gjilani, Peja, Tirana.

“Shfaqjet për fëmijë do të prezantohen në terminet e mesditës. Në skenën e muzikës do të ngjiten artistë të shumtë dhe do të ketë befasi të tjera”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

76 vjet nga Konferenca e Pezës

​Konferenca e Pezës është një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, ku u bënë përpjekje për bashkimin e shqiptarëve kundër pushtuesve nazifashistë.

Konferenca e Pezës u mbajt në Pezë më 16 shtator 1942, një fshat afër Tiranës. Protagonistë të këtij Kuvendi ishin 20 delegatë përfaqësues të krahinave dhe besimeve të ndryshme fetare, klasa dhe shtresa me bindje politike nga më të ndryshmet.

Pjesëmarrësit vinin nga rryma të ndryshme politike. Ndërmjet tyre ishin Abaz Kupi, Aziz Çami, Halim Begeja, Haxhi Lleshi, Ismail Petrela, Mustafa Xhani, Myslim Peza, Ndoc Çoba, Ramazan Jarani, Skënder Jegeni dhe Skënder Muço. Nga PKSH morën pjesë Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Enver Hoxha, Nako Spiru dhe Nexhmije Xhuglini.

Kryetar i konferencës u zgjodh Ndoc Çoba dhe sekretar, Mustafa Gjinishi.

Në konferencë u diskutua organizimi i forcave në një luftë të përbashkët kundër okupatorit, organizim ky që mori emrin më vonë, Fronti Nacional-Çlirimtar.

Delegatët e ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, përfaqësuesit e gjithë tendencave të nacionalizmit shqiptar për bashkim të plotë të tyre me luftën NÇ, arritën në këto përfundime:

Gjendemi në një botë të përgjakur anekënd prej forcave të errëta prej skllavëronjësve të fashizmit. Popuj e kombe u shkelën pa mëshirë prej barbarisë fashiste.

Në këtë luftë gjiganteske që i ka kushtuar njerëzimit miliona e miliona të vrarë e të plagosur, që ka shkretuar e ka shembur fshatra e qytete të tëra, dy principe, në kundërshtim si dita me natën, në njërën anë tirania barbare dhe me skllavëronjësja që ka parë bota deri më sot, tirania fashiste, nga ana tjetër, blloku anglo-sovjeto-amerikan, bashkë me popujt e robëruar që bëjnë luftë të drejtë për zhdukjen nga faqja e dheut të murtajës fashiste, luftën për lirinë, për independencën dhe për lumturinë e popujve mbarë.

Është për t’u theksuar se konferenca u dekonspirua shumë shpejt, gjë që linte të mendohej se ky dekonspirim kishte qenë shumë i shpejtë falë informatave të siguruara brenda pjesëmarrësve.

Pasi fashistët kapën dokumente në lidhje me këtë konferencë, ata goditën Pezën. Pas pak javësh u ndërrua edhe drejtuesi i policisë.

Më 26 nëntor 1942, Shyqyri Borshi u emërua drejtor i përgjithshëm i policisë, në vend të Teodor Stamatit (“Fletorja Zyrtare”, 9 dhjetor 1942).

Parulla e bashkimit apo e përçarjes?

Parulla e konferencës u bë ajo, sipas së cilës, do të kryhej një bashkim pa dallim feje, krahine e ideje./ KultPlus.com

Trashëgimia botërore antike e Shqipërisë

Rreth 2 000 vite më parë Shqipëria ishte një pjesë e rëndësishme e Perandorisë Romake dhe aty ka kudo rrënoja antike.

Më i famshmi është Butrinti, në jug të Sarandës, por më e bukura është Apollonia, në jug të Durrësit, shkruan gazeta suedeze “Expressen.se” në një reportazh që ia dedikon Shqipërisë.

Këtu, në një kodër që rrihet nga dielli dhe të mbushur me pemë ulliri dhe një pamje shumë të bukur nga deti, rrënojat antike ndodhen në rrugën romake që lidhte Dyrrahun antik (Durrësi) me Butrintin, por këto rrugë shkonin gjithashtu edhe në Romë dhe Konstandinopojë.

Në Apolloni, perandori romak, Augusti, bëri shkollën dhe sot mund të lëvizni nëpër këto rrënoja, që kanë shpjegime në disa gjuhë, si dhe ku mund të shihni se si dukeshin shtëpitë në atë periudhë. Edhe Butrinti edhe Apollonia janë zona që cilësohen trashëgimi botërore nga UNESCO.

Kruja, qyteti që ndodhet në mes të maleve

Nëse fluturon për në Tiranë mund të vëreni një qytet të vogël që ngjitet në një mal të lartë dhe të thepisur që ndodhet në anë të një lugine. Ky qytet është Kruja, qyteti që ngroh zemrat e gjithë shqiptarëve nga ku heroi kombëtar Skënderbej udhëhoqi përpjekjet për pavarësi kundër turqve në vitet 1400.

Kruja mund të vizitohet lehtësisht duke u nisur nga Tirana, por do të ishte mirë që të qëndroni një natë, sepse mund të shijoni një pamje të këndëshme të pazarit të restauruar, të kullës së rojes të kështjellës mesjetare dhe të kështjellës muze që i dedikohet Skënderbeut, nga ku do të keni një pamje fantastike të maleve, pllajës dhe detit. Kruja është si Durrësi, një vend ku mund të blini argjendari fine.

Gjirokastra dhe Berati, bukuroshet osmane

Me shumë mundësi, Gjirokastra është vendi larg brigjeve që turistët vizitojnë më shumë. Një amfiteatër me shtëpi të bukura osmane që ndodhen në pjesën e malit dhe qytetin modern poshtë.

Kjo pamje është e bukur, por Gjirokastrën e shijon kur shëtit nëpër rrugicat e ngushta dhe tatëpjetat e rrëshqitshme. Pazaret e bukura janë mbushur me dyqane për turistët dhe restorante, që janë veçanërish shumë komod në mbrëmje.

Ajo që shumë pak turistë dinë është që edhe qyteti i Beratit ofron një sharm osman, ku shtëpitë e vjetra ngjitet sipër njëra tjetrës në mal, ku sipër ndodhet një kështjellë e madhe.

Ky është një vend ku mund të hash, të pish një birrë apo një kafe me çmim shumë të lirë në çdo cep në anë të lumit, me një pamje të bukur në të gjitha anët./ KultPlus.com

Nesër nisë International Human Rights Film Festival

Të hënën më 17 shtator me fillim nga ora 19:00 në Akademinë Marubi nisë International Human Rights Film Festival, shkruan KultPlus.

Edicioni i 13-të i IHRFF, vjen me një përzgjedhje prej 43 filmash tek Akademia e Filmit dhe Multimedias Marubi dhe tek Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, çdo ditë duke filluar nga ora 18:00. Filmi kryesor i çdo mbrëmje me të ftuar dhe debate.

https://issuu.com/ihrffa/docs/ihrffa_13_program_final
Festivali do të hapë siparin me dokumentarin “IUVENTA”, me regji të Michele Cinque, në prani të tij.

Hyrja falas, dhe filma të subtitruar në Shqip dhe në Anglisht./ KultPlus.com

Murakami tërhiqet nga gara për Çmimin Nobel për Letërsi

Autori japonez, Haruki Murakami, ka kërkuar dorëheqjen nga nominimi për Çmimin Nobel në Letërsi.

Përzgjedhja sivjet është shtyrë për shkak të një skandali seksual dhe tash Murakami ka thënë se është më i interesuar të përqendrohet në shkrime, shkruan Euronews, përcjell Klan Kosova.

Ai ka shprehur mirënjohje për nominimin që i është bërë, duke thënë “Dua të koncentrohem në shkrime dhe të jem larg vëmendjes se medieve”.

Për këtë ka njoftuar një prej organizatorëve të Çmimit Nobel për Letërsi.Rival të Murakami për Nobelin e sivjetmë janë, Neil Gaiman i lindur në Britani të Madhe, Marsey Conde i lindur në Guadeloupe dhe Kim Thy i lindur në Vietnam.

Organizatorët kanë njoftuar se fituesi i Çmimit Nobel në Letërsi do të shpallet në tetor.

Vizita e fshehtë e Che Guevarës në Tiranë

Vizita e fshehtë e Che Guevarës në Shqipëri në 1960-ën, detajet e saj dhe përse u realizua në fshehtësi të plotë?

Me kë u takua revolucionari, për sa kohë Enver Hoxha nuk e priti? Përse çdo dokument është shuar? Dëshmitë e gjalla të njeriut që e priti dhe shoqëroi në Tiranë.

Si u stërviten ushtarakisht apo studiuan në Shqipërinë komuniste Kabila i Kongos, Lula i Brazilit, Abu Jihad i Palestinës apo Omar Bongo i Gabonit…

Ndiqni të plotë videon e dokumentarit.

75 vjet nga Lidhja e Dytë e Prizrenit

Sot janë bërë 75 vjet që nga mbledhja e Kuvendit në Prizren, i cili zgjati deri më 20 shtator dhe ku ishte vendosur për formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, organizatë politike kombëtare, e cila do të angazhohej për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve etnike.

Në të morën pjesë 45 delegatë të zgjedhur nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare. Kongresin e udhëhoqi Komiteti Ekzekutiv, me në krye Musa Shehu, i shoqëruar prej Asllan Boletini, Shefqet Shkupi, Qazim Bllaca, Tahir Zajmi, Pjetër Vuçaj, Sheh Hasnai, Qemajl Balila, Hivzi Meraku, Luk Simoni, Haxhi Fahrija, dhe Sokol Dobroshi.

Kryetari i Këshillit Ekzekutiv, Musa Shehu, paraqiti rendin e ditës për t’u zgjedhë Paria e Kongresit që përbërë prej Kryetarit, dy nënkryetarëve dhe një sekretari. Me votim të fshehtë Musa Shehu zgjedhet kryetar i kongresit, Aqif Blyta nënkryetar, Raxhep Krasniqi nënkryetar. Ndërsa sekretar i Kongresit u emërua Bedri Gjinaj. Kuvendi vendosi formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, organizatë politike kombëtare, e cila do të angazhohej për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve etnike.

Kuvendi zgjodhi Komitetin Qendror të Lidhjes, të përbërë nga 7 veta. Kryetar i Lidhjes u zgjodh Rexhep Mitrovica, veprimtar i njohur i çështjes kombëtare. Në Kuvendin e Dytë, që u mbajt më 17-21 janar 1944, u bënë ndryshime në kreun e Lidhjes. Kryetar i Komitetit Qendror u zgjodh Bedri Pejanin, pas Rexhep Mitrovica ishte emëruar kryeministër i qeverisë që gjermanët ngritën në Tiranë. Kuvendi miratoi edhe statutin e Lidhjes, i cili u dekretua nga Këshilli i Naltë më 14 mars 1944. Lidhja do të kishte dhe organin e vet “Lidhja e Prizrenit”, në faqet e të cilit propagandohej ideja e krijimit të Shqipërisë etnike dhe denoncoheshin krimet e kryera nga serbët ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Lidhja e Dytë e Prizrenit ishte një organizim i krerëve nacionalistë kosovarë, me në krye Bedri Pejanin i inkurajuar në periudhën kur Rexhep Mitrovica qe kryeministër. Ndryshe nga Lëvizja Nacionalçlirimtare dhe disa grupime nga radhët e nacionalistëve, që qenë angazhuar në luftë kundër pushtuesve nazifashistë, forcat kryesore nacionaliste hezitonin që të bënin të njëjtën gjë, t’u bashkoheshin atyre, pasi mendonin se një luftë që udhëhiqej nga komunistët do të përfundonte me rivendosjen e pushtetit jugosllav në krahinë. Përfaqësuesit më në zë të rretheve nacionaliste i konsideronin pushtuesin italian e më pas atë gjerman si të keqen më të vogël në krahasim me sundimin serb e jugosllav, që pritej të rivendosej pas tërheqjes së tyre. Pikërisht për këtë arsye, pas kapitullimit të Italisë, ata përpunuan idenë e thirrjes së një kuvendi kombëtar, i cili duhej të hidhte bazat e krijimit të një organizate politike, që do të mbronte trojet etnike nga rreziku i ripushtimit të Kosovës nga forcat jugosllave, pas largimit të trupave gjermane./ KultPlus.com

Sadije Agolli për qëndrimin në Paris me Dritëron: Jemi si të hutuar nga kultura e lartë

Elona Agolli

Jo rrallë , këto muaj që lexoj e lexoj shënime , letra , përshtypje , poezi e dorëshkrime të babit , kam ndjerë fort të më rrahë zemra e po aq herë të lotoj . Sot , datën e lindjes së mamit , Sadijes , hapa atë të voglin bllok me kapak plastik blu , i vogël sa lehtësisht mbahet në xhep , me shënime të llojllojshme , numra telefonash miqsh të huaj por edhe përshtypje udhëtimesh . Niste me shënime të babit e pas një ndërprerjeje disafaqëshe niste ditari disaditor i Sadijes.

8.6.1990 Paris . Udhëtimi që përkon me botimin e Zylos në Francë .
“ Kemi katër ditë në hotelin Monparnas- shkruan ajo . Hotel me 3 yje , nata 120 dollarë. Dhoma është e vogël , me minibar që nuk guxojmë ta hapim . Shoqëruesja Ana Renard na tha që bëjnë shumë shtrenjtë. Çdo gjë është e shtrenjtë. Një fustan me lule bën 110 dollarë. Rrobat e mia janë si të një fshatareje. Dhomën e kemi nga rruga me shumë zhurmë. Deri tani kemi takuar drejtoreshën e drejtorisë së kulturës në Ministrinë e jashtme , zonjën Gaudini që na dha programin. Kemi parë muzeun Zhorzh Pompidu, një mrekulli . Shëtitëm mbi tre orë atje, pamë me qindra të rinj në bibliotekë ku lexonin , ku mësonin gjuhë të huaj , ku dëgjonin muzikë e vështronin piktura të artit modern. Në një qoshe ishte kafeneja, ku rrinin gazetarët , të rinj , ndërsa në një shesh ishin të rinj muzikantë , piktorë, që nxirrnin ndonjë lekë. Pamë edhe një ekspozitë pikture të aplikuar nga një piktor austriak , Andre Korabi .
Dje morëm pesë kopjet e Zylos . Hëngrëm një drekë me Gytin * (përkthyesi i romanit )në një restorant në periferi . Gyti prishi rreth 400 dollarë , vetëm me dy shishe verë.

Sot ishim rreth 3 orë në Louvër . Pamë një pavion skulpture dhe pavionet e pikturës franceze . Drejtori i muzeut ishte shumë xhentil dhe na shoqëroi gjithë kohës. Gjithë këto ditë kam qenë e hutuar, depresive , me dhimbje . Është një botë e pakonceptueshme për ne. Në muze kishte që nga nxënësit e vegjël të shkollave që bënin me mësueset orë mësimi deri tek të moshuarit nga gjithë anët e botës. Më erdhi keq që nuk kisha marrë aparatin . Drekën e hëngrëm në një restorant , Baltimore, shumë luksoz me një kryetar komiteti të kulturës, i ri , shumë i kulturuar dhe me shumë protokoll. Ishin të ftuar Mabëno , drejtor drejtorie i botimeve , Giju, shef i redaksisë në Gallimard, Gyti dhe Ana . Giju foli shumë mirë për librin . Dritëroi nuk është çkontraktuar .
Njeriu më i çuditshëm dje në ora 4.30 ishte Zhan Didnjë. Njeri ekstremist , në një zyrë me tavolinë trekëndëshe të vënë në mes të dhomës, me libra për tokë , pa dollap , me ca poltronë të vënë pa rregull. Njeri i shpërndarë , hynte e dilte , me shprehjen “ekskyze mua”. Ju drejtua Dritëroit : Çfarë kërkoni konkretisht nga unë? Qëndruam një çerek ore dhe na përcolli deri tek dera . Ky ishte drejtori i piktorëve të Francës. Dolëm përjashta dhe qeshëm të tre me të madhe . Në Turqi ishim shumë të gëzuar , ndërsa në Paris jemi si të hutuar nga kultura e lartë. Dritëroi lexon Zylon në frëngjisht , ndërsa unë shoh filma pambarim në 6 kanalet franceze . Do të shkojmë të shohim një balet modern dhe një shfaqje teatri në Komedinë franceze .
Ditët janë të ftohta , me shi dhe me erë, si në vjeshtë. Më shumë është moda e pantallonave të zeza, e minifundeve dhe e fustaneve me lule , të mëndafshta. Shumë makina, rruga tundet nga ato . Në kafene nuk mund të ulesh po nuk harxhove. Francezët nuk të qerasin . Në asnjë zyrë nuk nxorën kafe . Takimet i masin me minuta . Njeriu mund të mësojë për kursim ore kudo , në hotel, në Ministri , në rrugë , në kafene.

11.6.1990
Kaluam shumë mirë. Vizita në Versajë një mrekulli . Në këto kohë një nga drekat më të bukura është me Anë Barlukë, në një restorant ku kanë ngrenë Pikaso , Heminguej, Verlen e artistë të tjerë. Është një grua shumë romantike . Më tha çfarë të të ble për fëmijët.
Një kostum blu xhinsi për Lonën 40 dollarë, pastaj bleva gjëra të vogla. Për vete vetëm një teiko blu me të bardhë dhe një bluzë.
Shëtitëm me Anën në Pallatin Royal , tek Monumenti i Molierit , tek qendra Defense , me pallate moderne dhe shatërvanë, me skulptura moderne . Ishim ne Monmartrë ku pikturonin piktorēt. Pamë Pyllin e Bolonjës, ku qëndronin prostitutat . Nesër jemi në baletin modern.

13.6.1990
Sot dhe nesër janë ditët më të ngarkuara me gazetarë dhe fotografë të Gallimardit. Dreka është me Antuan Galimardin. Jam ulur në një poltron të studios së Galimardit . Dritëroi me Anën hynë në studio për foto . Sot kam emocione si asnjëherë. Bëhen foto të mëdha. Dritëroi është pak i kontraktuar megjithëse përpiqet të jetë i qetë. Ishim në shtëpinë e Hygoit. Bëmë ca fotografi . Mendoj në këto çaste për Elonën që po të ishte në Francë do të ishte njëlloj si unë. Hyjnë e dalin njerëz . Unë i kam mendimet shumë të shpërndara. Dritëroi i shkretë që do t’u përgjigjet gjithë këtyre gazetarëve, që i kanë vënë në plan . Janë ditët më të sikletshme .
Shoh fotografitë e mëdha të disa shkrimtarëve të botuar . Po të ketë sukses dhe fotografia e tij do të vihet krahas të tjerëve . Alen Boskeja foli shumë mirë Është nga librat më të mirë që kam lexuar – tha ai .”

Këto janë disa shënime të Sadijes, shënime që dëshmojnë shumëçka e dëftojnë të thëna e të pathëna për kohën , për raportet me të panjohurën botë të Perëndimit , për marrëdhëniet mes njerëzish me stil jetese e mënyrë të menduari kryekëput të ndryshëm nga ai i prindërve tanë. E megjithatë , fisnikë e plot vlera./ KultPlus.com

Emri më i famshëm për pagëzimin e një vajze, 49 shtete kryesojnë me këtë emër

Zgjedhja e emrit është një prej pikave më të nxehta kur pritet ardhja e një fëmije në jetë.
Dhe pyetjet që shtrohen në këtë zgjedhje janë të shumta, duke nisur nga gjatësia e emrit, nëse duhet një emër tradicional apo jo, një emër fetar apo bashkëkohor, i gjatë apo i shkurtër, si personazh libri apo filmi, etj.

Emri bëhet pjesë e personalitetit dhe në jetë është njeriu e karakteri që bëjnë emrin, sesa emri që ndikon në krijimin e një përfytyrimi mbi personin që kemi përballë.

Por a e dini se cili është emri më popullor për foshnjat femra në të gjithë botën?

Sofia është emri më i zakonshëm për vajzat në një nëntë vende të mëdha, përfshirë Meksikën, Rusinë, Kilin, Estoninë dhe Sllovakinë.

Emri dhe variantet e tij shfaqen gjithashtu në 25 emrat më të zakonshëm në dy të tretat e të gjitha vendeve që raportojnë statistikat e emrit të fëmijës.

Laura Wattenberg kreu hulumtime duke mbledhur emrat e foshnjeve nga 49 vende.
Ajo thotë se dominimi i këtij emri është mahnitës.
Emri

Gratë kanë nevojë për individualitet, që secila grua të projekton rrugën e vet

Sibel Halimi

Idea e një solidariteti brenda vet grave nënkupton tendencën për të lokalizuar problemin brenda llojit. Andaj, kërkesa për një solidaritet mekanik në mes grave është gracka e radhës e shoqërive kolektiviste për t`i mbajtur nën kontroll qoftë edhe nëpërmjet “zhvillimit” të tyre. Por, në cilado rrethana, gratë kanë nevojë për individualitet, rruga e cila ia jep mundësinë që secila grua të projekton rrugën e vet.
Secila grua në Kosovë sot ballafaqohet me probleme jo për shkak të seksit të tyre, por gjinisë, qasjes së shoqërisë që gratë janë të detyruara që rolin e tyre “biologjik” të mos e harrojnë dhe të mos e anashkalojnë kurrë, përndryshe, asgjë tjetër nuk ka kuptim. Fatkeqësisht, që edhe konceptet si “emancipim” janë të ndërtuara mbi kontekstin kulturor dhe shoqëror, përcaktimin se deri ku i lejohen kufinjtë e zhvillimit. Andaj, një grua e sukseshme në cilëndo sferë, nuk është e detyruar të dëshmoj dhe të potencoj domosdoshmërisht ekzistimin e saj biologjik, madje edhe solidaritetin. Si në çdo zhvillim tjetër, të cilësdo dimension të shoqërisë, gjithmonë duhet të mbështemi fuqishëm në mendim kritik dhe luftën ndaj çdo dogme që pengon individin dhe e detyron të mendon kolektivisht.
#pastrojmë shoqëri kolektiviste.

Ky opinion nuk paraqet domosdoshmërisht qëndrime të redaksisë së KultPlus-it./ KultPlus.com

Bebe Rexha: Shfaqni emocione, merreni kontrollin dhe bëni atë që dëshironi

Bebe Rexha ka shfrytëzuar Instagramin për të diskutuar për fenomenin e njohur si “bullying” dhe për tu dalë në përkrahje grave, shkruan KultPlus.

Këngëtarja ëshët shprehur se ofendimi i meshkujve ndaj gratë duhet që të përfundoj. Njëlloj sic duhet që të përfundoj edhe të folurit keq për gratë dhe cilësimi i grave si diva. Dicka të tillë ajo ka kërkuar edhe nga fansat.

“Kjo nuk është vetëm për gratë në industrinë e muzikës por për të gjitha gratë rreth botës, të cilat kanë ëndrra. Ndiqni ëndrrat e juaja. Bëhuni shefe të vetvetes suaj. Mos e lejoni një mashkull që të ju ndalojë, bëni më të mirën tuaj. Shfaqni emocione, merreni kontrollin, bëni atë që dëshironi”, është shprehur ajo.

Tutje ajo është shprehur se nuk dëshiron që të dëgjojë të tjerët që të flasin keq për artiste të tjera. Madje ajo ka kërkuar që të mos flasin fare për të tjerët nëse nuk kanë diçka pozitive për të thënë.

“Ne duhet të mbështesim njëra-tjetrën dhe ta duam njëra-tjetrën po ashtu”, është shprehur ajo./ KultPlus.com

Jeta në mal, gjatë luftës së fundit në Kosovë (VIDEO)

Më poshtë mund të shihni një video e cila është realizuar në Kosovë gjatë okupimit serb. Aty mund të shihni gjendjen e rëndë të shqiptarëve dhe jetesën e tyre në male. Një rrugëtim i qindra njerëzve që ecnin duke mos e ditur se ku do të shkojnë.

“Dojnë me na mbyt na kanë qit prej shpije që 5 muj, nëpër mal, nëpër shi, lloç. Fëmijët kanë lind midis malit. Jemi pa bukë, pa ujë, pa tesha, pa mbulojë. S’kemi ku me ja majtë. Dojnë me na mbyt të gjithë”, dëgjohet duke thënë njëra nga gratë që shihet në video./ KultPLus.com

Postimi i një nëne shtëpiake që u shpërnda 400 mijë herë në rrjete sociale

Numri i nënave amerikane që qëndrojnë në shtëpi është në rritje. Një nënë nga Florida, Ryshell Lynch, shkruajti një status në Facebook mbi perceptimet e gabuara të njerëzve për nënat që qëndrojnë në shtëpi. Statusi i saj u shpërnda plot 400 mijë herë.

Postimi në fakt ishte një bisedë hipotetike midis një psikologu dhe një babai i cili ankohet se gruaja qëndron gjithë ditën në shtëpi dhe nuk punon.
Gjatë bisedës, psikologu zbulon sasinë e pabesueshme të punës që bën nëna.

Burri është i shënuar me B, kurse psikologu me P.
P: Çfarë bëni ju për jetesën tuaj zotëri?
B: Unë punoj në bankë
P: Gruaja juaj?
B: Ajo nuk punon. Është shtëpiake.
P: Kush e bën mëngjesin në familjen tuaj?
B: Gruaja ime, sepse ajo nuk punon
P: Kur zgjohet ajo?
B: Ajo zgjohet herët sepse duhet të organizohet. Bën mëngjesin, drekën për fëmijët, i vesh, i kreh, sigurohet që rrobat të jenë të hekurosura, i ndihmon të lajnë dhëmbët dhe të bëjnë gati çantat e shkollës. Merret edhe me bebin e vogël që i ndërron bebilinën apo rrobat. E ushqen me gji dhe bën edhe vaktet.
P: Si i çoni fëmijët në shkollë?
B: I çon gruaja meqë është pa punë.
P: Po pasi i merr nga shkolla çfarë bën ajo?
B: Po zakonisht del me makinë për të bërë pazarin si dhe për të paguar faturat. Ndonjëherë kupton se ka harruar diçka dhe del edhe njëherë. Kur kthehet në shtëpi ushqen fëmijët me drekën, të voglin me gji, e lan e ndërron dhe e vë për të fjetur. Ndërkohë që fëmijët flenë ajo merret me lavatriçen dhe pastrimin e shtëpisë, meqë është pa punë…
P: Po ti çfarë bën kur kthehesh nga puna?
B: Zakonisht qetësohem se jam i lodhur gjithë ditën. Të lodh puna në bankë.
P: Po gruaja ç`bën gjatë darkës?
B: Bën darkën, u shërben fëmijëve dhe mua, lan enët, sistemon edhe njëherë shtëpinë dhe merret edhe me qenin. Pastaj ndihmon edhe fëmijët me detyrat, i vesh pizhamet, lajnë dhëmbët, u jep qumësht dhe i vë të flenë. Natën pastaj zgjohet disa herë për të ushqyer bebin. Nuk kam ç`bëj. Ajo duhet t`i bëjë këto sepse është pushim të nesërmen, nuk i duhet të shkojë në punë si unë.
-Kjo është rutina e përditshme e shumë grave në të gjithë botën, ajo fillon në mëngjes dhe vazhdon deri në orët e vona të natës … Kjo quhet “nuk punon” ?!
Të qenurit një amvise nuk do diplomë, por është një rol kyç në jetën familjare.
Vlerësoni gruan, nënën, hallën, motrën, vajzën…
Dikush pyeti njëherë…
Je grua që punon apo shtëpiake?
Dhe ajo u përgjigj:
Unë punoj si grua në shtëpi, 24 orë në ditë…
Jam nënë,
Jam një vajzë,
Jam edhe orë alarmi,
Jam kuzhiniere,
Shërbyese,
Bariste,
Dado,
Infermiere,
Punonjëse sigurie,
Udhëzuese,
Rehatuese,
Nuk bëj pushime,
Nuk kam diplomë mjekësie,
Punoj natë e ditë,
Jam në detyrë natë e ditë,
Nuk marrë rrogë,
Dhe e dëgjoj gjithë ditën frazën: “Çfarë bën gjithë ditën”
Dedikuar gjithë grave që i kushtojnë jetën mirëqenies së familjes e që janë si kripë. Nuk duken kur janë, ama kur s`janë u ndihet mungesa. TIP/ KultPlus.com

Shqypnia

Poezi nga Bekim Lumi.

Si reja për së kthjellti
Kris
E n’pocerrkë t’kresë
I mshon vetit
Tevona
Me ‘i shami të zezë futë
Lidhë ballin
E me za Ajkune
Pjellën e vet nemë
Vajton
Dekën e saj
Për së gjalli

Mynih, Mars 1997
Këtë poezi e kam shkrue në Mynih (Gjermani), në ditët e mnerës e të përflakjes së Shqypnisë, në motin e mbrapshtë 1997.
/ KultPlus.com