Ministri i Kulturës paralajmëron masa ndaj grevistëve

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi e ka cilësuar të papritur dhe të pakuptimtë grevën e aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, të pjesëtarëve të Filarmonisë dhe ansamblit “Shota”.

Në “Express Intervistën” në KTV, Gashi ka thënë se veprimet e njëanshme më nuk do të tolerohen nga ministria. Ai ka paralajmëruar reforma dhe masa të tjera për çdo shkelje që ndodh në institucionet e kulturës.

Gashi ka thënë se asnjëherë s’ka dhënë datë për rritje pagash të aktorëve dhe performuesve tjerë. Ai ka thënë se e cilëson si të pakuptimtë hyrjen në grevë dhe anulimin e shfaqjeve pasi, sipas tij, të gjithë ishin në dijeni se vendimi për rritje pagash do të votohet javën e ardhshme në qeveri. Ai ka bërë të ditur se Ministria e Financave dy herë ka kthyer përgjigje negative për rritje pagash.

“Do ta demantoj shoqatën sindikale të Teatrit sepse asnjëherë s’kam dhënë data për rritje pagash. Madje në takimin e parë ka qenë kërkesë për rritje pagash për aktorët dhe pas analizës kam ardhur në përfundim që jo vetëm teatri, e aktorët, por të gjithë performuesit dhe të gjithë punëtorët tjerë kanë paga të ulëta dhe kam vendosur për ndryshim apo rritje page për të ofruar një pagë dinjitoze. Jemi dakorduar me të gjithë sepse s’pajtohesha me kërkesën e teatrit për rritje pagash vetëm për aktorët”, ka thënë ai.

Gashi ka deklaruar po ashtu se MKRS-ja më nuk do të lejojë shkelje nga individë brenda institucioneve të Kulturës.

“Janë disa individë që kanë probleme me ligjin dhe pas fillimit të realizimit të pagave, MKRS-ja do të merret me secilin punëtor të ministrisë dhe secilin njeri që s’do të kryejë punën e vet të caktuar me kontratë. Është mesazh që pas rregullimit të pjesës financiare duhet ta kemi të qartë të gjithë që institucionet e kulturës duhet të kthehen me rregull dhe në rend. Ka probleme të shumta dhe dilema që do të hiqen përgjithmonë. Kemi ankesa nga shumë aktorë që s’kanë arritur të dalin në skenë pasi s’ua kanë mundësuar individë e grupe të caktuara. I kam paralajmëruar se veprimet e njëanshme nënkupton që ky proces mund të kthehet prapa. Mund të dëmtohet sepse nuk pranoj që dy apo tre aktorë të vendosin të mos shfaqet një shfaqje. Qytetarët nuk e dinë pse nuk po realizohet premiera. Programi kulturor nuk duhet të ndërpritet pavarësisht problemeve dhe sfidave që mund të kemi. Insistimi jonë është që pagat të jenë retroaktive nga muaji janar dhe qeveria vendos përfundimisht për këtë”, ka shtuar ai, teksa ka theksuar se ka aktorë që mbajnë dy vende pune dhe ikin nga orari i punës për të incizuar seriale për çka ka paralajmëruar se më nuk do të lejohet.

Ai ka bërë të ditur se paga e aktorëve do të sillet rreth 700 euro./KultPlus.com

Klaudia Pepa shkëlqen në Festivalin e Filmit në Venecia (FOTO)

Festivali i Filmit në Venecia, i cili shënonte edicionin tij të 75-të, këtë vit bëri bashkë shumë yje të njohur të kinematografisë italiane dhe asaj botërore.

Në mesin e personazheve VIP që parakaluan në tapetin kuq ishte edhe balerina shqiptare, Klaudia Pepa. Ajo ishte e vetmja shqiptare që mori pjesë në këtë eveniment të rëndësishëm të filmit.
https://www.instagram.com/p/BnVuopUFDgc/?taken-by=klaudiapepa
E veshur me një fustan të gjatë me dy të çara anash, dhe një fjongo në pjesën e qafës, Pepa u shfaq plot hijeshi dhe elegancë teksa kalonte në tapetin e kuq.

Festivali do të vazhdojë të mbahet deri më datë 8 shtator. /KultPlus.com
https://www.instagram.com/p/BnWM9pbFNLV/?taken-by=klaudiapepa

Avni Behluli sjellë “Simfoninë e artit”

Galeria e Ministrisë së Kulturës me datë 13.09.2018 në ora 19:00 hapë ekspozitën e artistit dhe profesorit Avni (Xh)Behluli.

I lindur në Breznice, Bujanoc, profesor Avni (Xh)Behluli ka përfunduar studimet për skulpturë në Akademinë e Arteve në Prishtinë në vitin 1986 në klasën e Prof. Agim Agim Çavdarbasha.

Akademiku i mirënjohur Rexhep Ferri shprehet mbi përshtypjet e tij nga ri-takimi me autorin:
„Nuk i paske harruar ëndrrat!… Me shpirtin krijues i paske gdhendur, vizatuar artistikisht, i paske skalitur…”

Përderisa Bislim Aliu, ndër të tjera përshkruan se: „Çdo vepër e tij ka veçanti. Ka poetikë. Ka ndjesi, porosi, por ka edhe filozofi. Ai është një krijues i veçantë. Por edhe i gjithanshëm: vizatues, skulptor dhe grafikë“

Në këtë ekspozitë personale, e 23-ta me radhë, autori paraqitet me vizatime dhe grafika me të vetmin cikël: “Simfonia e artit”. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur 1 muaj në Galerinë e Ministrisë së Kulturës./ KultPlus.com

“Tallja e Krishtit”, film maqedonas për t’i paraqitur shqiptarët vrasës e përdhunues

Një prodhim i fundit kinematografik nga Agjencia e Filmit e Maqedonisë ka shkaktuar reagime të ashpra në radhët e shqiptarëve.

Filmi kontravers me titull “Mocking of Christ” , në shqip “Tallja me Krishtin” trajton konfliktin e armatosur ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve në 2001.

Në filmin e financuar me paratë publike, ushtarët e UÇK-së prezantohen si vrasës dhe përdhunues të civilëve maqedonas.

Kjo solli një valë reagimesh, nga përfaqësues të institucioneve por edhe ish-luftëtarë të UÇK-së, të cilët kërkuan tërheqjen e filmit dhe hetim mbi këtë çështje.

Jashtë këtij debati nuk mbeti as kryeministri maqedonas Zoran Zaev. Në reagimin e tij të parë disa ditë pas daljes së filmit, Zaev doli me akuza të rënda, duke thënë se paratë e buxhetit janë shpenzuar për qëllime politike nga Agjencia e Filmit, e cila ka qenë vegël e pushtetit të kaluar në mbjelljen e urrejtjes ndëretnike.

Ai e cilësoi të politizuar Agjencinë dhe bordin drejtues të saj, por garantoi se këto veprime do të marrin fund, duke iu dhënë detyrë konkrete ministrisë së Kulturës dhe Agjencisë se re që të ndalin aktivitete të tilla nxitëse dhe të paligjshme.

Zoran Zaev: E di që ajo që është e financuar nga fondi i Filmit në vitin 2015 është absolutisht me prapavijë politike. Gjithçka që është financuar nga qeveria e kaluar në frymën e asaj politike dhe dhënien e një ambienti të panevojshëm për Maqedoninë gjatë gjithë kësaj periudhe dhe të gjitha ata porosi që shpërndajnë urrejtje dhe që përcjellin ndjenja të pa këndshme unë mundem vetëm t’i dënoj dhe nuk mund ta kthejmë kohën mbas, por e di që i dhashë detyrë ministrit të Kulturës të bisedojë me drejtorin e Fondit të Filmit që t’i pengojnë dhe t’i ndalojnë në mënyrë ligjore të gjitha aktivitetet e tilla që promovojnë veprime të tilla.

Ish-sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudun Shehapi, gjatë kohës së të cilit ndodhi skandali me filmin në fjalë, i kontaktuar nga Alsat thotë se nuk ka qenë në dijeni të këtij keqpërdorimi, duke insistuar se filmi ka kaluar në mënyrë të fshehtë në filtrat përzgjedhës. Në një postim në Facebook, Shehapi theksonte:

Behixhudun Shehapi: “Personalisht, për herë të parë dëgjoj për këtë film, ku ofendohen shqiptarët dhe vlerat e UÇK-së. Por dihet se si ka funksionuar ai sistem. Ka qenë një periudhë, kur shumë projekte janë fshehur nga shqiptarët dhe kjo ka qenë e mundur veçanërisht në subjektet e mëvetësishme, siç është Agjencia e Filmit, e cila është e pavarur, ku nuk kemi pasur qasje se çfarë dhe si punohet atje. Unë, personalisht, e dënoj këtë projekt filmik të kësaj agjencie dhe kërkoj urgjentisht që, ata që e kanë prodhuar dhe lejuar këtë projekt të përgjigjen. Ndërkaq, sa i përket filmit, ai patjetër të hiqet nga emetimi në publik”.

Filmi nuk ishte mbështetur nga recensentët fillimisht, por mbetet e paqartë mënyra se si kaloi filtrin final për t’u realizuar. Ofendimet në film janë dënuar edhe nga aktori dhe producenti Refet Abazi, I cili thotë se edhe aktorët duhet të mbajnë përgjegjësi, veçanërisht për një projekt të tillë i financuar me para nga buxheti i shtetit.

Abazi madje shpreh dyshime edhe te përbërja e re e Agjencisë së Filmit, nëse do të jetë e aftë të pengojë skandale të tilla në të ardhmen.

Filmi “Tallja me Krishtin” u prit me tone të ashpra nga opinioni publik, dhe menjëherë pas kësaj, vetë ministri i Kulturës Asaf Ademi angazhoi inspektoratin e kulturës për të shqyrtuar punën e agjencisë dhe miratimin e filmit të fjalë.

Kostoja e filmit është 300 mijë euro para të buxhetit, dhe në të shfaqen skena ku ushtarët e UÇK-së paraqiten si dhunues dhe vrasës të civilëve maqedonas./KultPlus.com

Greva e aktorëve detyron Teatrin të pezullojë çdo aktivitet teatror

Teatri Kombëtar i Kosovës njofton se ka pezulluar çdo aktivitet teatror për një periudhë të pacaktuar, shkruan KultPlus.

Pezullimi i aktiviteteve ka ardhur si rezultat i grevës që ka filluar sot nga Shoqata Sindikata e Artistëve të TKK-së.

“Të dashur artdashës dhe spektatorë të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Me keqardhje ju njoftojmë që sot me datë 05/09/2018, ka filluar grevën Shoqata Sindikata e Artistëve të TKK – së, ku si pasojë Teatri Kombëtar është i obliguar ta pezulloj aktivitetin e vet teatror për një periudhë të pacaktuar kohore. Mbesim me shpresë së një situatë e tillë jo e favorshme për Teatrin Kombëtar të Kosovës do të tejkaloj dhe së shpejti do t’ju njoftojmë për procesin normal të prezantimit të programit tonë të ri”, është njoftimi i Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Pezullimi i aktiviteteve të TKK-së nënkupton edhe anulimin e premierës së shfaqjes “Kopshti i vishnjeve” me tekst të Anton Çehov dhe me regji nga Ilir Bokshi. Premiera e kësaj shfaqje ishte paraparë që të mbahej sonte duke filluar nga ora 20:00./ KultPlus.com

“Kopshti i Vishnjeve” nga Ilir Bokshi, sjellë kapjen e pushtetit nga injorantët

“Metamorphosis” nesër rikthen memorien kolektive për ish mensën te “Ramiz Sadiku”

Një ekspozitë dhe performancë mulitmediale e cila sjell rrëfimin për objektin e braktisur, mëton që edhe një herë ta kthejë në kujtesë të kaluarën e tij të bujshme, duke intervenuar në të tashmen.

Performanca “On the loop” nëpërmjet “statujave lëvizëse” sjell disa karaktere që portretizojnë më së miri funksionin e këtij objekti. Në fundin e viteve ’40 dhe fillimin e viteve ’50 do të ndërtohej objekti i cili për gati 40 vjet do të shërbente si mensë e punëtorëve të një prej kompanive më të mëdha ndërtuese në ish-Jugosllavi: “Ramiz Sadiku”. Vizatime të gjendjes së tanishme të mensës, si rikujtim i të kaluarës dhe ndërhyrjes që i bëhet sot.

Pas vitit 1989 kur “Ramiz Sadiku” falimentoi si rezultat i tensioneve politike, mensa mori tjetër funksion. Do të bëhej një prej qendrave humanitare për refugjatët e luftës së fundit në Kosovë, e më pas edhe restorant. Ky objekt përveç se shërbeu si mensë për punëtorët e kompanisë e më pas edhe për studentë dhe persona me raste sociale, aty do të zinin vend edhe aktivitet të ndryshme kulturore, muzikore e argëtuese. Prandaj ritmet e muzikës repetitive do të përçojnë emocionet e bukura dhe të errëta që bartë në vete ky objekt për një përjetim krejt ndryshe. Krejt kjo do të përcillet me një instalacion arkitektonik dhe një rrëfim të detajuar të historisë së objektit, ashtu siç banorët e lagjes “Pejton” e kujtojnë.

“Metamorphosis” sjell memorien kolektive, rivitalizon objektin e braktisur për një ditë, duke kthyer vëmendjen tek rëndësia historike dhe ruajtja e saj.

Projekti “Metamorphosis” ka për qëllim të mundësojë një mjedis që forcon kapacitetet e rinisë nëpërmjet edukimit të artit dhe angazhimit qytetar në aktivitetet kulturore.

Ky projekt financohet nga BE, menaxhohet nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe zbatohet nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut.

Performancë “On the loop”: Nol Musa , Rita Zhubi, Jona Maliqi Trim Kuqi, Shkëlqim Shashivari, Albiona Hajrizi, Diellza Përvetica, Lekë Zeqiri, Lendi Mustafa

Preformancë Muzikore – Albin Abazi, Blerta Zeqiri, Linda Mustafa
Nën udhëheqje të: Albin Abazi
Vizatim – Blend Bytyqi

Instalacion:
Planimetria e Objektit ish Mensa “Ramiz Sadiku” – Zotika Maliqi, Rrona Pozhegu, Hana Zyberi
Nën udhëheqje të: Shpend Zeqiri
Audio – Albanoi Retkoceri
Konstruksion – Jona Maliqi, Shkëlqim Shashivari, Nol Musa , Ditjon Fetahu, Ensar S. Shaqiri , Gresa Gashi , Trim Kuqi, Lendi Mustafa
Nën udhëheqje të: Besnik Leka dhe Shpend Zeqiri.

“Metamorphosis” vjen nesër më 6 shtator me fillim nga ora 19:00./ KultPlus.com

kangë sibile

Emin Z. Emini

(Kushtim për Nënë Terezen)

në emën të atit e të birit e
t’shpirtit shejt
në tokën e shqiponjavet
në damarët e gurit
shpallja zhdrypi
bahu

mbinë
gonxhe bojëgjake
vaditun me vullnesen e hyjit
bekue me frymën e qjelles
djep drite u bane
për gjith’ gjindjen e
rruzullimit

nanë
hymni i rrnesës t’ande
emnin dashni e ka
e lume e lumja ti për vete
e t’lum’t na për ty
shejte
djelli yt mbretënoftë
amen./KultPlus.com

Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës përkrahë grevën e aktorëve

Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës ka dalë me një reagim të cilët e mbështesin grevën e aktorëve dhe performuesve, si pasojë e mospërmbushjes së kërkesave. KultPlus më poshtë ju sjellë të plotë reagimin e kësaj shoqate.

Kumtesë nr. 19

(Përkitazi me grevën e aktorëve dhe punëtorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës – TKK për mos-rritjen e pagës bazë)
Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) ka ndjekur me vëmendje të gjitha zhvillimet rreth rritjes së premtuar të pagës bazë të aktorëve dhe punëtorëve të TKK-së që është kërkuar që nga qershori i vitit 2016 dhe në vazhdimësi.
Mostrajtimi i dinjitetshëm ndaj aktorëve dhe punëtorëve të TKK-së si nga ana e Ministrisë së Kulturës së Kosovës ashtu dhe nga ana e Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës Kosovës, pas shumë kërkesave të bëra rreth rritjes së pagës bazë jep për të kuptuar se arti dhe krijuesit e tij nuk vlerësohen por nënçmohen pasi që kërkesat e tyre nuk trajtohen me seriozitet.
Mospërfillja e kërkesave të shumta të drejtuara ndaj MKRS-së dhe Qeverisë, shkelja e vet premtimeve të dhëna nga ana e vet Ministrisë së e Kulturës, trajtimi nënvlerësues ndaj performuesve kulturor duhet të marrë fund.
SHATK, shpreh indinjim të thellë për mosrealizimin e premtimeve dhe për mostrajtimin serioz të kësaj çështje dhe kërkon këndjellje dhe reagim të menjëhershëm nga ana e zyrtarëve kompetent të MKRS-së dhe Qeverisë së Republikës Kosovës.
SHATK përkrah grevën e nisur nga aktorët dhe punëtorë e TKK-së, deri në plotësim të kushteve të kërkuara – rritjen e pagës bazë për performuesit e kulturës. SHATK me këtë rast fton edhe publikun të tregojë mirëkuptim ndaj kërkesave të shprehura dhe solidarizim me to.
Bordi Ekzekutiv i SHATK-së i bën thirrje Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të realizojë premtimin e dhënë, e njëherit SHATK shpreh përkrahje të plotë për performuesit e kulturës deri në plotësimin e kërkesës legjitime, për trajtim të dinjitetshëm.
Prishtinë, 05/09/2018 Bordi Ekzekutiv i SHATK-së

Nga ditari i një mjeku polak: Jam i shokuar, të gjithë do të vriten

Në orët e para të mëngjesit të 1 shtatorit 1939, ushtria gjermane filloi një sulm të egër përgjatë kufirit polak. Luftwaffe bombardoi aeroportet, linjat hekurudhore, bazat ushtarake, dhe çdo gjë tjetër që konsiderohej e rëndësishme për komandën dhe lëvizjen e forcave të armatosura polake. Blitzkrieg-u i parë kishte nisur.

Një orë më vonë trupat gjermane sulmuan nga veriu dhe jugu, duke synuar rrethimin e ushtrisë polake. Polakët u tërhoqën, ndërsa panë trupat gjermane t’u dilnin pas shpine. Dy ditë më vonë, në shenjë respekti ndaj detyrimeve të tyre ndaj Polonisë, Franca dhe Britanisë i shpallën formalisht luftë Gjermanisë.

Por kjo nuk pati asnjë vlerë për Poloninë. Goditja përfundimtare erdhi më 17 shtator, kur forcat sovjetike, bazuar tek një marrëveshjeje sekrete me Gjermaninë, marshuan drejt territorit polak nga Lindja. Varshava u dorëzua më 27 shtator. Dhe më 6 tetor, kapitulloi i gjithë vendi. Polonia pushoi së ekzistuari si një vend. Lufta e Dytë Botërore, sapo kishte filluar.

Ditari i një mjeku polak

Dr.Zigmunt Klukovski, ishte mjeku kryesor i një spitali të vogël në fshatin Szhebrezhin në jug të qytetit të Lublinit. Një diarist entuziast, mjeku kronikoi çdo ditë pushtimin nazist, teksa ngjarjet dramatike shpaloseshin jashtë dritares së dhomës së tij në spital.

Zbulimi i vëzhgimeve të tij, do të parathoshte vdekjen e menjëhershme. Prandaj, ai i fshehu me kujdes dorëshkrimet e tij, shpesh duke ndryshuar vendndodhjen e tyre gjatë 5 viteve të pushtimit nazist. Ditari i tij i jashtëzakonshëm u botua në Poloni më 1959, pak para vdekjes së mjekut dhe më pas u përkthye në anglisht.

11 tetor 1939

Qyteti është i mbushur me gjermanë. Ata janë të akomoduar në të gjitha shtëpitë e mëdha. Shumica e tyre janë nga Austria, dhe disa nga Vjena. Në përgjithësi gjermanët po përpiqen të pastrojnë qytetin. Për këtë punë, përdorin vetëm hebrenjtë. Këta duhet të fshijnë rrugët, të pastrojnë të gjitha çerdhet publike, dhe të mbushin të gjitha gropat nëpër rrugë.

Kudo ka njoftime në gjermanisht, që na japin një ide se çfarë mund të presim në të ardhmen.

Ne duhet të dorëzojmë të gjitha armët. Duhet të regjistrojmë të gjitha sëmundjet ngjitëse. Mbikëqyrja policore, është nga ora 10 e mbrëmjes deri në orën 5:30. Kufizimet që vlejnë për dyqanet hebraike, ndryshojnë nga dita në ditë. Ndonjëherë hebrenjve u lejohet të hapin dyqanet e tyre dhe ndonjëherë jo. Duket se shumica e urdhrave u drejtohen hebrenjve.

18 shkurt 1940

Takova një grua nga Zamojski. Sapo kishte ardhur nga Çelmo. Për disa kohë, mora disa informacione alarmante për ekzekutimin e të sëmurëve mendorë të repartit psikiatrik në Çelmo. E pyeta nëse ajo histori ishte e vërtetë. Ajo më tha se po. Të gjithë të sëmurët mendorë u qëlluan me armë automatike, por nën kërcënimin e dënimit me vdekje, personelit të spitalit i ndalohet të flasë për këtë krim. Është kaq e vështirë të besosh diçka më të tmerrshme sesa sa kjo.

21 tetor 1942

Sot planifikova të tentoj sërish të shkoj në Zamosk. U zgjova shumë herët për t’u bërë gati, por rreth orës 6 të mëngjesit dëgjova zhurmë, dhe përmes dritares pashë një lëvizje të pazakontë. Ishte fillimi i të ashtuquajturës zhvendosje gjermane të hebrenjve, në realitet një asgjësim i të gjithë popullatës hebraike në Szhebrezhin.

Nga mëngjesi i hershëm deri vonë në mbrëmje, ne përjetuam ngjarje të papërshkrueshme, ushtarë të SS të armatosur, xhandarë, dhe “policë në uniforma blu” kaluan nëpër qytet, duke kërkuar hebrenjtë. Ata u grumbulluan tek sheshi i tregut. U morën nga shtëpitë, papafingot dhe vendet e tjera ku ishin fshehur.

Të shtëna pistoletash dhe armësh e tjera u dëgjuan gjatë tërë ditës, u hodhën disa herë granata dore nëpër bodrume. Hebrenjtë u rrahën, pa bërë dallime nëse ishin burra, gra apo fëmijë të vegjël. “Në orën 3 të pasdites ishin grumbulluar më shumë se 900 hebrenj. Gjermanët filluan të lëvizin në periferi të qytetit. Të gjithë hebrenjtë do të qëllohen, dhe 400- 500 janë vrarë. Polakët u detyruan të fillonin hapjen e varreve në varrezat hebraike. Nga informacionet që morëm, rreth 2000 veta janë fshehur.

Çifutët e arrestuan, u ngarkuan në një tren në stacionin hekurudhor, për t’u zhvendosur në një vend të panjohur. “Ishte një ditë e tmerrshme, nuk mund të përshkruaj gjithçka që ndodhi, as që mund ta imagjinoni barbarizmin e gjermanëve. Jam tërësisht i shokuar, dhe nuk mund ta marr dot veten.

Kemi marrë lajme për plaçkitje që shtohen gjithandej. Në javët e fundit janë shtuar edhe rastet e përdhunimit, ndërsa kam konstatuar shumë shtatëzani. Disa ditë më pare, erdhi për vizitë gruaja e një fermeri të mirënjohur, dhe më vonë një mësuese e re.

22 tetor 1942

Në qytet, disa nga shtëpitë hebraike u vulosën nga xhandarët, por të tjerët u lanë plotësisht të hapura, ndaj pati shumë grabitje. Është turp të thuhet, por disa polakë morën pjesë në ato krime. Disa njerëz, madje ndihmuan xhandarët të gjejnë hebrenjtë e fshehur. Gjermanët vranë edhe një fëmijë të vogël hebre. Është e vështirë të përshkruhen ngjarje të tilla. Është kaq e tmerrshme, sa që është thuajse e pamundur të kuptohet.

Ligjërisht në Szhebrezhin nuk ekzistojnë më hebrenjtë. Por ende shumë prej tyre, janë duke u fshehur. Herët a vonë, të gjithë do të vriten. Shkova sot ne qendrën e qytetit. Numri i përgjithshëm i hebrenjve të vrarë – ata i quajnë me aftësi të kufizuara – është i panjohur, madje edhe specialistët më të mirë u shfarosën. Ne po nisim ta ndjejmë mungesën e mekanikëve të mirë.

Burimi: EyewitnessHistory

Shën Nëna Terezë, gjithnjë me ne

Don Lush Gjergji

Sivjet, kemi një festim të trefishtë, që na lidhë me Shën Nënën tonë Terezë: 90 vjetori e vendimit (14 gusht 1928) dhe të nisjes së saj për jetën rregulltarë dhe misionare në Kalkutë të Indisë (26 shtator 1928); Dy vjetorin e shenjtërimit të saj (4 shtator 2016); Një vjetorin e shugurimit të Shenjtërores dhe Katedrales “Nëna Terezë” në Prishtinë (5 shtator 2017).

Këto ngjarje të mëdha dhe të rëndësishme për ne, si Kisha amë e lindjes, rritjes dhe edukimit të saj, por edhe për mbarë Popullin tonë, shpresoj dhe uroj ta bëjnë Shenjtëreshën tonë gjithnjë të pranishme ndër ne dhe me ne, për jetën dhe veprimtaritë tona. Frymëzimi hyjnor, i lindur nga feja e krishterë, i zbatuar me përpikëri dhe dashuri, sipas traditës sonë ilire, arbërore dhe shqiptare, sidomos sipas Jezu Krishtit dhe Ungjillit të tij, e bëjnë Zotin më të pranishëm, më të afërt, më të gjallë dhe më veprues ndër ne dhe me ne, por edhe ne me njëri-tjetrin.
Ky është roli i nderimit dhe lutjes ndaj Shën Nënës Terezë, njohja, jetësimi, dëshmimi, përvetësimi dhe imitimi i saj në jetën tonë. Bota, pra, edhe bota shqiptare, e njohu me nderim dhe falënderim, duke u mahnitur me veprat e saja, me Zotin dhe për Zotin, me të afërmin dhe për të afërmin, me ata që gjithnjë ishin të kërcënuar dhe të rrezikuar nga indiferentizmi, egoizmi, egocentrizmi ynë, me mjerime, sëmundje, gërbula, përjashtime, mallkime dhe ndasi nëpërmjet kastave në Indi.

Shën Nëna Terezë këtë e kishte thënë bukur dhe e kishte zbatuar me fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë, sipas këtij përbetimi dhe përcaktimi të shenjtë: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne”.
“Shpikja” e saj gjeniale dhe epokale ishte DASHURIA NË VEPRIM, si “mjekim” kundër çdo të keqeje në botë. Parimi i dytë është trajtimi me kujdes, vëmendje, përkushtim dhe dashuri universale për të gjithë, pa asnjë përjashtim gjinor, racor, kastor, fetar, shoqëror, në emër të Zotit – Dashuri dhe Vëllait apo Motrës – Njeri.

“Asnjë sëmundje, as gërbula, nuk mund ta shëmtojnë njeriun, që unë mos ta njoh në atë vëllain apo motrën time, edhe më tepër, vetë Jezusin”. Pa fe të gjallë dhe dashuri vepruese, ajo s’kishte pasur mundësi as 24 orë të jetonte dhe të vepronte në mesin e të gërbulurve, të atyre që janë në buzë të vdekjes, të mjerëve të paparë në Kalkutë, në Indi, në botë. Mu për këtë Shën Nëna Terezë ishte dhe mbetet Misionarja e parë e tillë në 2000 vjetorin e krishterimit, edhe më gjerë, të mbarë njerëzimit, që pati vetëm një qëllim: flijimin, dhurimin, besnikërinë dhe dashurinë ndaj Zotit dhe ndaj të afërmit, pa i ndarë ata në jetë dhe në veprim. Shën Nëna Terezë në një rast më tha: “Pasi e kuptova se Zoti është Dashuri, më s’duhej të bëja asgjë tjetër, përpos t’ua dhuroja njerëzve këtë Dashuri”.

Sivjet, në 90 vjetorin e vendimit dhe nisjes për jetën rregulltarë dhe misionare, Zoti nëpërmjet Shën Nënës Terezë, na jep shumë hire dhe bekime, si është Shenjtërorja dhe Katedralja jonë, dëshmi e vëllazërisë kudo ndër ne apo në botë, pa dallime feje dhe shtetësie. Kjo dëshmon “shpirtin e Nënës së mbarë botës”, në ndërtimin e këtij objekti me ndjeja dhe zemra tona. Në Katedrale paraqitet, nëpër dritare, mozaik në qelq, në mënyrë panoramike krishterimi ynë ilir, arbëror, shqiptar, prej Shën Palit te Shën Nëna Terezë, me figura të ndritshme që na i ka dhuruar Provani dhe historia, për ndërgjegjësimin dhe përcaktimin tonë sot dhe këtu.
Aty ruhet gjaku i Shën Nënës Terezë, “gjaku ynë i shprishur”, që na thërret dhe pret të gjithëve, pa dallime, për të dëshmuar dashurinë ndaj Zotit, ndaj jetës, ndaj flijimi dhe dhurimit, ndaj njëri-tjetrit.
Kështu Shën Nëna Terezë do të jetë gjithnjë ndër ne dhe me ne, dhe ne do të jemi bij dhe bija të denja të saja, nën ndikimin dhe frymëzimin e fesë dhe veprimin e dashurisë. Ky nderim, kult, ndërmjetësim i saj, është i pëlqyeshëm para Zotit, dhe i dobishëm për të gjithë ne, sepse krijon kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë.

SHËN NËNA TEREZE, LUTU PËR NE!

Prishtinë, 5 shtator 2018 Don Lush GJERGJI./ KultPlus.com

Sonte në GKK hapet ekspozita e Maksut Vezgishit

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, sonte hapet ekspozita “Pavilioni K”, nga artisti Maksut Vezgishi, shkruan KultPlus.

Ekspozita është kuruar nga Matilda Odobashi.

Ceremonia hapëse bëhet sonte e mërkurë me fillim nga ora 20:00 në GKK.

“Pavilioni K”, do të qëndroj i hapur deri më 1 tetor./ KultPlus.com
https://www.facebook.com/Galeria.Kombetare.e.Kosoves/videos/2722117917814099/?acontext=%7B%22action_history%22%3A[%7B%22mechanism%22%3A%22bookmarks%22%2C%22surface%22%3A%22bookmarks_menu%22%2C%22extra_data%22%3A%22[]%22%7D%2C%7B%22surface%22%3A%22dashboard%22%2C%22mechanism%22%3A%22calendar_tab_event%22%2C%22extra_data%22%3A%22[]%22%7D]%2C%22ref%22%3A46%2C%22source%22%3A2%7D

Ujëvara e Hinkës, një destinacion i pazbuluar turistik në Fier

Ujëvara e Hinkës vetëm 7 km nga qyteti i Fierit, është një destinacion ende i panjohur dhe i paeksploruar nga turistët.

Një ujëvarë e mrekullueshme jashtë çdo guide turistike të deritanishme, ajo përbën një potencial të pashfrytëzuar për zhvillimin e turizmit të natyrës në Fier.

Më herët, bashkia e Fierit ka ndërmarrë ture promovuese me të rinjtë, në kuadër të promovimit të turizmit dhe pasurive natyrore.

Ujëvara e Hinkës, një kryevepër e natyrës, ndodhet në zonën kodrinore juglindore të qytetit Fier, e fshehur përfund vargut të kodrave të Peshtanit.

Ajo është rreth 20 metra e lartë dhe ujërat që rrjedhin në shtratin e saj janë nga burimet përreth. Për të shkuar atje, duhet të ndiqni itinerarin e rrugës Vlorë – Qafa e Koshovicës, duke devijuar në perëndim të kodrës së Peshtanit.

Me një vijë të gjatë bregdetare dhe me site të rëndësishme arkeologjike, Fieri mund të ofrojë një paketë të plotë turistike.

Ndërthurja e turizmit bregdetar me atë historik dhe kulinaria e pasur e bëjnë Fierin një destinacion të rëndësishëm turistik, ndërsa eksplorimi dhe promovimi i resurseve të pafrekuentuara, siç është ujëvara e Hinkës, nxit zhvillimin e turizmit ditor./ KultPlus.com

Pesë vizitat e Nënë Terezës në Kosovë

Këtë vit kur është 90 vjetori i vendimit (14 gusht 1928) të nisjes së saj për jetën rregulltarë dhe misionare në Kalkutë të Indisë (26 shtator 1928), është dyvjetori i shenjtërimit të saj (4 shtator 2016) dhe në njëvjetorin e shugurimit të Shenjtërores dhe Katedrales Shën Nënë Tereza në Prishtinë (5 shtator 2017), monsinjor Lush Gjergji, biografi i Nënë Terezës ka publikuar fakte për pesë vizitat e Nënë Terezës në Kosovë.

1. Vizita e parë e Nënë Terezës ishte më 9-12 korrik 1970. Gjatë kësaj vizite ka qenë në këto vende: Prizren, Shkup, Letnicë, Ferizaj, Gjakovë.

Ndër personalitete të atëhershme kishtare ka takuar: Imzot Joakim Herbut, ipeshkëv, Imzot Nikë Prela, ipeshkëv, e shoqëruar nga Mons. Nikollë Mini, famullitari i atëhershëm i Przrenit dhe kushëriri i saj. (Rreth kësaj vizite më gjerësisht lexo: Dr. Lush Gjergji, Nëna jonë Terezë, Drita, 1990, botimi i dytë, f. 233-235).

Mons. Nikollë Mini gjatë intervistës me Nënën Terezë (Prizren, 12 korrik 1970)

2. Hera e dytë ishte 28-30 mars 1978 vizitoi: Shkupin, Ferizajin, Prizrenin, Letnicën dhe pati shumë takime edhe me popull:

Mesha me popull dhe kler në barakën në “Bitpazar” në Shkup; fjalët përshëndetëse të Imzot Joakim Herbut dhe Imzot Nikë Prela; Fjala e Nënës Terezë; Biseda e Nënës Terezë me televizionin e Shkupit; Përshtypjet pas takimit me Nënën Terezë. (Më gjerësisht lexo, Dr. Lush Gjergji, vep. e cit., f. 235-249).

Nëna Terezë në kapelë në “Bitpazar” (Shkup, 28 mars 1978).

3. Hera e tretë ishte 26 – 29 qershor 1980: Shpallet “Qytetare e Nderit” të Shkupit dhe pati shumë takime publike:

Me kryetarin e Shkupit, Metodi Antonov; nënkryetarin e KE të RSM-së Vasil Tugjarov; vizitoi varrin e babait të saj Kolë Bojaxhiut; jetimoren e Shkupit; takimin me gazetarë.

Me 27 korrik 1980 ishte në Binçë:

Mesha me popull, me fjalën e rastit të Imzot Joakim Herbut, Imzot Nikë Prela; dhe fjala e Nënës Terezë; Vizita e Nënës Terezë në Letnicë;

Më 28 korrik 1980 Nëna Terezë në Prishtinë: takimi në Këshillin Ekzekutiv të Krahinës së Kosovës me kryetarin Bahri Oruçi, nënkryetarin Pajazit Nushi dhe bashkëpunëtorët.

Më 29 korrik 1980 largimi i saj nga Kosova, Prishtina. (Më gjerësisht lexo: Dr. Lush Gjergji, vep. e cit., f. 249-279).

Intervista e Avni Spahiut me Nënë Terezë (Prishtinë, 26. 06. 1980).

Nëna Terezë me Bahri Oruçin (Prishtinë, 28. 06. 1980).

Nëna Terezë me murgesha dhe meshtarë (Shkup, 27. 06. 1980).

4. Hera e katër ishte në Kosovë 22-23 tetor 1982, me vizitë në Shkup, Letnicë, Ferizaj, Prizren, Zllokuqan dhe Pejë.

Gjatë kësaj vizite Nëna Terezë e hapi kuvendin e “Misionareve të Dashurisë”, me ftesë të famullitarit të atëhershëm, të ndjerit Dr. Don Gjergj Gjergji.

Nëna Terezë në kishën “Shën Katarina” (Pejë, 22 tetor 1982).

Nënë Tereza me Imzot Nikë Prela, meshtarë dhe motra të Kosovës (Pejë, 22 tetor 1982).

5. Hera e pestë gjatë qëndrimit të saj në Zagreb 17-19 korrik 1986, ishte në vizitë private motrave të saja në Pejë dhe në disa vende tjera (18. 07. 1986).

Me atë rast i dhurova Nënës Terezë monografinë “Lule për Nënën” dhe pata një intervistë me të për revistën tonë “DRITA”. (Intervista dhe fotografitë janë botuar tek Revista “DRITA”, nr. 7-10, 1986, f. 8-9).

Nënë Tereza Intervistohet nga dy meshtarët e Kosovës, Don Lush Gjergji dhe Don Zef Gashi (momentalisht argjipeshkëv i Tivarit në pension (Pejë, 18. 7. 1986)./ KultPlus.com

Performuesit e institucioneve kulturore të Kosovës hyjnë në grevë, anulojnë çdo aktivitet

Alberina Haxhijaj

Performuesit e Institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës në konferencën e mbajtur sot për media, kanë njoftuar se do të anulojnë çdo aktivitet deri në ngritjen e pagës komfor rregullores, shkruan KultPlus.

Përfaqësues të Sindikatave të Institucioneve vartëse të MKRS-së, si të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Filharmonisë e Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” kanë dal sot me një komunikatë për media, ku thanë se nga sot anulojnë çdo aktivitet dhe hyjnë në grevë.

Besnik Grajqevci, përfaqësues nga Ansambli Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, tha se kjo konferencë po mbahet për të njoftuar opinionin se cilat janë hapat sindikal të cilat do të merren karshi kërkesave të tyre.

“Bëjmë thirrje institucioneve tona dhe ministrit që sa më shpejtë të miratojnë marrëveshjen që e kemi bërë tash e një vit”, tha ai.

Këshilli i Grevistëve u shprehen se performuesit e artit tash e 19 vite janë në gjendje të rëndë dhe po neglizhohen nga Ministria e Kulturës, Kuvendi dhe Qeveria.

Përfaqësuesi Sindikal i Teatrit Kombëtar, Shkelzen Veseli theksoi se mungon edhe mbrojtja institucionale dhe ligjore, me theks të veçantë për kategorinë e performuesve të artit dhe punëtorëve tekniko-artistik.

“Pas zotimeve të njëpasnjëshme se pagat me ngritje do të dalin në janar, dhe pastaj pagat me ngritje do të dalin në mars, dhe pastaj pagat me ngritje do të dalin në qershor, dhe pastaj pagat me ngritje do të dalin në shtator.. dhe pastaj, dhe pastaj dhe pastaj… ja ku jemi në vitin 2028”, u shpreh me ironi, Veseli duke kujtuar premtimet e shumta të cilat i ka marrë ky Këshilli nga Ministria e Kulturës këto vitet e fundit.

Këshilli Grevist i Sindikatave dhe përfaqësuesve e perfomuesve të artit të institucioneve vartëse të MKRS-së, shpallën grevë të përgjithshme duke pezulluar ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve të planifikuara në kalendarët përkatës, deri në realizimin e zotimeve publike të MKRS-së për ngritjen e pagës bazë komfor Rregullores 05/2018.

Kujtojmë se Sindikata përkatëse të institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës kanë iniciuar proceduat për përmirësimin e rregullores 05/2011.

“Ne do të vazhdojmë grevat. Sigurisht kemi pasur greva edhe më parë por gjatë kohës sa ato janë anuluar janë realizuar mjaftë punë edhe pse ato mund të mos vërehen. Madje është realizuar edhe koncept dokumenti. Pra tani ka mbetur vetëm që rregullorja të dërgohet në Qeveri për miratim. Unë shpresoj që ministri ka vullnet dhe dëshiron që ta realizojë këtë. Po ashtu jemi të bindur se kërkesa është ligjore, legjitime dhe e realizueshme”, shtoi Veseli.

Këshilli i grevistëve gjithashtu theksoi se edhe në të ardhmen, sikurse edhe deri më sot, do të angazhohen që të jenë partner të institucioneve të Republikës së Kosovës, veçanërisht MKRS-së./ KultPlus.com

“Shkrepëtima” e Petrit Halilajt edhe në Torino

Performanca unike e artistit kosovar, e cila për herë të parë u prezantua në Runik në muajin korrik, vazhdon rrugëtimin si ekspozitë në Torino të Italisë.

“Shkrepëtima” do të shpaloset në “Fondazione Merz”, prej datës 29 të muajit tetor dhe do të qëndrojë e hapur deri më 3 shkurt të vitit të ardhshëm, shkruan sot “Koha Ditore”.

Pas Runikut, performanca e Halilajt, për një muaj, prej 20 korrikut deri më 19 gusht, qe prezantuar edhe në Bernë të Zvicrës në “Zentrum Paul Klee”. Petrit Halilaj është fitues i edicionit të dytë të “Mario Merz Prize”, çmim bienal ndërkombëtar i themeluar nga fondacioni me të njëjtin emër që ka për qëllim nxjerrjen në pah të artistëve të jashtëzakonshëm.

Sipas njoftimit të revistës online newyorkeze,“BlouinArtInfo”, pjesë e kësaj ekspozite do të jetë edhe një seri veprash të realizuara më parë, ku artisti eksploron të kaluarën e vendlindjes së tij, Runikut.

“Pasi që ka përjetuar luftën dhe shpërnguljen bashkë me familjen e tij gjatë fëmijërisë së tij në Kosovë, praktika e Petrit Halilajt zakonisht përfshin një narrativë personale optimiste, poetike dhe disi me humor”, ka shkruar “BlouinArtInfo”. Aty po ashtu thuhet se me “Shkrepëtimë”, Halilaj eksploron identitetin kombëtar, adreson kufijtë gjeografikë dhe vë në pikëpyetje formën e historisë kolektive nëpërmjet videove, vizatimeve dhe skulpturave të tij./ KultPlus.com

Një tjetër këngëtare në Greqi, deklaron se është me origjinë shqiptare

Bela Meri, 23-vjeçarja e cila jeton në shtetin grek dhe që ka marrë pjesë në programin “X Factor”, tregoi publikisht se është shqiptare nga qyteti i Korçës.

Ajo e ka treguar të vërtetën lidhur me origjinën e saj në një studio televizive, ku ka folur edhe për karrierën si këngëtare.

“Jam nga Shqipëria, konkretisht nga Korça. Shkoj shpesh atje për festa. Në Greqi erdha kur isha 3 vjeçe”, u shpreh ajo.

Në fillimet e karrierës së saj, 23-vjeçarja ka kënduar në shtetin helen disa këngë të njohura greke.

Disa muaj më parë, Eleni Foureira kishte deklaruar po ashtu se është shqiptare./ KultPlus.com

“Më mirë të ndezësh një qiri, sesa të mallkosh errësirën”

Sot në 21 vjetorin e vdekjes së Shën Nënë Terezës, kryeministri shqiptar Edi Rama, ka përkujtuar atë nëpërmjet rrjetit social Facebook.

Rama, ka shkruar se e para fjalë që e kujton nga Nënë Tereza, është: Më mirë të ndezësh një qiri, sesa të mallkosh errësirën.

Po sjellim të plotë shkrimin:

MIRËMËNGJES
dhe në këtë ditë të bekuar të Nënë Terezës, e para fjalë që kujtoj prej saj është fjala që më ndihmon shpesh, në të përpjetat e të tatëpjetat e rrugës sime, “Më mirë të ndezësh një qiri, sesa të mallkosh errësirën”.
Ditë të paqme./ KultPlus.com

21 vite nga vdekja e Shën Nënë Terezës

Sot mbushen plotë 21 vite nga vdekja e Shën Nënë Terezës, shkruan KultPlus.

Nënë Tereza, emri i plotë i së cilës, është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, ka lindur më 26 gusht të vitit 1910, në Shkup.

Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, kurse me 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.

Në vitin 1979, kur mori çmimin Nobel për Paqen, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare.

Mother Teresa smiles in this undated file photo from Italy. Mother Teresa is a step closer to being confirmed to sainthood by Pope John Paul after a committee at the Vatican recently confirmed she had ‘heroic virtues’ of Christian faith, and also approved a miracle attributed to the Nobel prize-winning nun. REUTERS/Str/Files

Haste vështirësi për të folur rrjedhshëm shqip pas një largimi prej 70 vjetësh dhe qëndrimi në ambiente joshqiptare, por ajo kurrë nuk e ka mohuar origjinën e saj shqiptare.

Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel më 1979, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte./ KultPlus.com

Miss Anglia 2018, për herë të parë një finaliste me hixhab

Një nga 50 finalistet e Miss Anglia 2018, është edhe 20-vjeçarja Sara Iftekhar nga Huddersfield (Britani e Madhe). Ajo do të garojë për kurorën e bukurisë së Mbretërisë së Bashkuar, në Kelham Hall, Nottinghamshire.

Për herë të parë në historinë e këtij konkursi, merr pjesë një konkurrente e veshur me hixhab.

Sara ka fituar titullin e Miss Huddersfield 2018 dhe Miss Yorkshire Popularity në 2018 dhe tani shpreson të marrë këtë kurorë. “Do të jem gjithmonë mirënjohëse që m’u dha kjo mundësi”, ka komentuar vajza.

Finalja e kompeticionit do të mbahet në Kelham Hall, Nottingham, të martën në 11 shtator dhe në të do të marrin pjesë 50 vajza nga i gjithë vendi, për të fituar titullin e Miss Anglia 2018.

Fituesja do të fluturojë në Sanya, Kinë, në Konkursin e Miss Bota 2018.

Tani Sara po përdor të gjithë popullaritetin e saj për të mbledhur fonde për fëmijët dhe të rinjtë në nevojë në të gjithë botën.

Në bashkëpunim me “Beauty With Purpose”, ajo ka lançuar një mbledhje fondesh në GoFundMe, shkruan atsh.

“Kam marrë pjesë në Miss 2018 për të treguar që bukuria nuk ka një përkufizim: Çdo njeri është i bukur në mënyrën e tij, pavarësisht nga pesha, raca, ngjyra apo forma”, ka shpjeguar vajza./ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=F9DJiVL7Dhc

Muzeu Historik Kombëtar, Memorandum Mirëkuptimi në fushën e trashëgimisë kulturore

Dje, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet Muzeut Historik Kombëtar dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Në fjalën e tij Dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar ndër të tjera tha: “Është kënaqësi e veçantë për ne, që sot në prag të përurimit të ekspozitës “Jeta përmes kujtimeve” dhe të promovimit të librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup” të autorëve: Skënder Asani, Albert Ramaj dhe Natasha Didenko po nënshkruajmë këtë Memorandum Mirëkuptimi për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet Muzeut Historik Kombëtar dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, që do të pasohet me nënshkrimin e një Marrëveshjeje të Përbashkët më datën 14 tetor 2018, ku jemi të ftuar për çeljen e ekspozitës “Unë jam shqiptar” në Shkup. Unë besoj se aktivitete të tilla kulturore do të na japin mundësinë për sfida të reja për të ardhmen, duke njohur më mirë njëri-tjetrin. Bashkëpunimi ynë do të vijojë edhe në fushën e botimeve të përbashkëta ndërmjet institucioneve që përfaqësojmë”.

Në vijim e mori fjalën dr. Skënder Asani, Drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, i cili theksoi: “Nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet institucioneve tona është një ngjarje e madhe për ne. Është në nderin tonë që nënshkruam këtë Memorandum Mirëkuptimi me Muzeun Historik Kombëtar, si institucion shkencor në fushën e trashëgimisë kulturore. Ndihmesa e Muzeut Historik Kombëtar mendoj se do të jetë e vyer në ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë, bashkëpunim që do të reflektohet edhe në botimet e përbashkëta. Nuk është e rastit që bashkëpunimi ynë fillon në kuadër të 2-vjetorit të shenjtërimit të Gonxhe Bojaxhiut – Shën Tereza, e cila ka lindur në Shkup në kryeqendrën e Dardanisë”.

Në përfundim të fjalëve të rastit të dy titullarët e institucioneve nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta. Produkti i këtij bashkëpunimi është ekspozita “Jeta përmes kujtimeve” dhe promovimi i librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup”./KultPlus.com

Disa thënie për prindërit: “Vlerën e tyre do ta kuptosh, kur ta shohësh bosh vendin ku ata uleshin përherë”

“Duaji prindërit e tu dhe kujdesu me dashuri për ta. Vlerën e tyre të vërtetë ke për ta kuptuar, kur të shohësh bosh vendin ku ata uleshin përherë”.

“Askush mbi tokë nuk do të të dojë më tepër se prindërit e tu”.

“Mos i mërzit prindërit e tu për të kënaqur njerëzit e tjerë. Njerëzit e tjerë nuk i kanë shpezuar ditët e jetës së tyre për të ndërtuar jetën tënde, ashtu siç kanë bërë prindërit e tu”.

“Duaji prindërit e tu, sepse ndonjëherë ne jemi mjaft të zënë duke u rritur, saqë harrojmë se ata janë duke u plakur”.

“Gjëja më e bukur në botë është të shohësh prindërit e tu të buzëqeshin dhe të dish se ti je arsyeja e asaj buzëqeshjeje”.

“Vlerësoji prindërit e tu. Ti nuk ke për ta ditur asnjëherë se çfarë sakrificash kanë bërë ata për ty”.

“Mos u anko asnjëherë për gjërat që prindërit e tu nuk kanë mundur të t’i japin. Me siguri ata aq kanë pasur për të të dhënë”.

“A e di se një telefonatë e vetme mund t’i bëjë ata të lumtur? Ata nuk të lanë pas dore kur ti ishe i/e vogël, ndaj mos i lër ata pas dore tani që janë plakur”.

“Prindërit na falin shumë gjëra në jetë, të cilat shpesh nuk i vlerësojmë, deri në ditën që ata nuk i kemi më pranë”.

“Asnjë dashuri nuk është më e madhe, se dashuria e mamasë. Asnjë përkujdesje nuk është më e madhe, se sa kujdesi i babait”.

“Nëse një ditë koha e shpenzuar me prindërit e tu të duket sikur të kërkon shumë stërmundim, kujto se një ditë gjithçka që do të mbeten, do të jenë thjesht kujtimet”. / bota.al/ KultPlus.com

Ligji i Hamurabit

Poezi nga Edi Shukriu.

Neni 226: Nëse kirurgu… e shlyne damkln nga robi, le t’i priten duart.
Neni 282: Nëse robi i thotë të zotit: Ti nuk je zotëria im, le t’ja prejnë veshin.
Neni 231: Nëse është mbytur robi, le të ipet robi për rob.
Në mbështetje të nenit 226
të Ligjit të Hamurabit,
ditën e djeshme
gishtërinjtë m’i shkurtuan
se damkën e mjerimit
tentova ta bëj të kaluar
Në mbështetje të nenit 226
të Ligjit të Hamurabit,
mbrëmjen e djehsme
më gjymtuan,
se këngën e zogjve
desha nga e nesërmja
ta sjell në të sotmen
Më vranë në mëngjezin e sotëm
dhe në mbështetje të nenit 231
të të njëjtit ligj
më zëvëndësuan sipas tyre
me një rob tjetër
Të mjerët, nuk e dinë se ai jam përsëri Unë,
me njëmijë gishtërinj,
me njëqindmijë veshë
dhe
me një të vetme
dëshirë të çelniktë
të kalitur ndër brezni./ KultPlus.com

Zoti dhe njeriu, pjesë e parimeve të Nënë Terezës

Alberina Haxhijaj

Sonte në Katedralen Nënë Tereza, në kuadër të treditëshit kushtuar Shën Nënë Terezës, është mbajtur një ligjëratë nga Don Lush Gjergji, shkruan KultPlus.

Në Katedralen Nëna Tereza në Prishtinë, Don Lush Gjergji solli në pesë pikat, risitë e jetës dhe veprës së Nënë Terezë. Çka ka bërë ajo e që askush para saj as në Kishën Katolike, as në krishtenizëm, por as në botë, nuk e ka bërë.

Sipas tij, pika e parë është se Nëna Terezë është nisur nga besimi që Zoti është krijuesi i të gjithë njerëzve. Se jeta është universale dhe dhuratë e Zotit dhe se dashuria është e drejtë e çdo njeriu.

“Prandaj ajo së shpejti u bë nëna universale, që jetën e saj e mbështete në Zotin dhe në Njeriun”, u shpreh Don Lush Gjergji.

“Shumë rregulltar dhe rregulltare kanë themeluar degë në kishën katolike, apo bashkësi të cilat ndahen në dy pjesë. Disa janë aktivë e merren me veprimtari të ndryshme siç është edukimi i fëmijëve dhe të rinjve, shkollat, spitalet, burgjet e shumëçka tjetër. E të tjerat janë kontenplative, që do të thotë rregull i mbyllur. Aty hynë një herë e përgjithmonë dhe dalin prej këtij rregulli vetëm kur të vdesin dhe ti varrosin. Nënë Tereza e ka bërë një zgjedhje gjeniale ajo për vetën dhe për motrat e saj ka thënë: Gjithmonë jemi aktive dhe gjithmonë jemi kontenplative”, tregoi Don Lush Gjergji.

Sipas tij, kjo do të thotë se gjithmonë duhet të ndihmojmë dhe të veprojmë në të mirë të njerëzve dhe gjithmonë të jemi të drejtuar me mendje dhe me zemër e uratë për Zotin. Pastaj, ai bisedoi për aspektin e tretë, e që sipas tij është kujdesi për të gërbulurit.

“Preke të gërbulin me zemër”, ishin fjalët e Nënës Terezë për këtë kategori të njerëzve, për të cilët krijoi edhe një qytet, qytetin e Haresë. Ku janë 35 mijë të gërbulur, duke treguar kështu se për Zotin nuk ka dallime dhe përjashtime. E karakteristika e saj e katërt ishte “Zoti i dashur dhe njeriu vëlla apo motër”. Në anën tjetër risia e pestë e saj është se ajo i ka ndihmuar njerëzit buzë vdekjes.

“Ajo kishte themeluar edhe një qendër për njerëzit që ishin buzë vdekjes, duke thënë se ata: Kanë jetuar si kafshë por do të vdesin si engjëj. Ku 17 mijë njerëz kanë mbyllur sytë. Prandaj për jetën e saj mund të themi se është ungjilli, siç ka thënë kardinali Kovastri, në pesë gishta”, u shpreh Don Lush Gjergji, duke thënë fjalët “Ç’kam bërë sot për Zotin dhe ç’kam bërë sot për njeriu”, gjersa numëronte çdo fjalë me gishtërinjtë e tij.

Tutje ai tregoi se parimi i parë i Nënë Terezës është “Pa dashuri dhe flijim, jeta nuk ka kuptim”, i dyti “Dashuria do ta shpëtojë botë” dhe i treti “Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”./ KultPlus.com

Eda Zari me koncert në Sarajevë, shprehet e acaruar për kolegët kosovarë që nuk mund t’i bashkohen shkaku i vizave

Artistë të njohur nga Ballkani ngrenë zërin për të shpëtuar lumenjtë e fundit të egër të Evropës.

Përmes një koncerti këta artistë do të ‘protestojnë’ për mbrojtjen e lumenjve.

Në mesin e artistëve pjesëmarrës në këtë koncert është edhe artistja shqiptare Eda Zari.

Zari do të jetë e pranishme atje për të performuar para publikut, por me sa duket disa kolegë të saj nga Kosova nuk kanë mundësi të jenë prezent, kjo shkaku i vizave.

Kjo gjë e ka acaruar artisten e cila është shprehur se si është e mundur që në shekullin 21 ende u nevojiten vizat kosovarëve coftë për të dalë edhe tek fqinjët, si në këtë rast në Sarajevë.

“Eshte nje cmenduri e pa arsyetueshme. Ne shek 21 kolegeve te mi nga Prishtina per te promovuar vlera artistike muzikale jashte vendit ende u nevoitet vize (turp e mekat, nevoitet vize per te dale qofte dhe deri tek fqinjet ne Sarajevo) te perballet, dhe te perballemi duke diskutuar ne nivele diskriminuese. Kur do marre fund ky poshterim?!”, ka shkruar Zari në Facebook.

Artistët tjerë pjesëmarrës në këtë koncert janë: Rambo Amadeus, Damir Imamovic,
Tamara Obrovac dhe DJ Ismar.

Koncerti do të mbahet më datë 29 shtator në Sarajevë dhe organizatorët bëjnë thirrje: Ejani dhe kërceni me ne për lumenjtë e lirë! / KultPlus.com