Më datë 3 Shkurt, në kryeqytet vjen një aktivitet shumë atraktiv, nikoqir i të cilit do të jetë piktori i njohur Kosta Zhonga, shkruan KultPlus.
Artisti ka përgatitur
një pikturë e cila është e ndarë në 32 pjesë (në formën puzzle) ku secila prej
këtyre pjesëve do të ngjyrosët nga fëmijët dhe si përfundim, të gjitha këto
pjesë do të formojnë një pikturë me madhësinë 140 cmm – 200 cmm. Kjo pikturë do
të ekspozohet në hapësirën e librarisë për tu bërë pjesë e përhershme e saj.
Ky aktivitet do të mbahet ditën e diele më 3 Shkurt nga ora 12:00 – 14:00 në Librarinë “Dukagjini”, në Prishtinë./ KultPlus.com
Bir, i vogli im, i bukuri, degë e gjelbër krahu yt, që më futet në ëndrra, rritu sa më parë dhe qofsh fëmijë përherë… e di ç’do të bëhem kur të rritem?… bëhu ç’të duash, biri im, por i dashur patjetër siç je, i bukur, i bukur siç je! Ç’të të them, unë do mundohem të hap rrugën të gjesh vetveten, pa të të ngacmuar, por dhe ti mos ngacmo kënd.
Apo është e pamundur, duhen ditur të gjitha, por nuk duhen bërë të gjitha. Bëj vetëm mirë, bir, kjo është e mundur. Pa shkelur mbi të tjerët dhe mos lër të të shkelin. Edhe përsosmëria jote është e mundur, si gdhëndja, hiq të tepërtat dhe jeta është e vetmja pasuri, shërben për ëndrrën dhe ëndrra për jetën, ndoshta janë e njëjta gjë. Po, kur të ecësh, bir, lër gjurmë që t’u ngjajnë atyre vizatimeve të zemrave që bën ti, ec dhe ec dhe shto zemrat… Dhe vizatoje ëndrrën tënde.
Bir, rritmë dhe mua, gëzimin tim sidomos, mendjen dhe shpirtin, se ti je dhe ati im njëkohësisht dhe unë lutem fshehurazi për ty, pa më parë, në shqipen e vjetër “At’jon…”, ashtu siç ke dhe emrin. Deti, bir. Më josh, është siç ka qenë, që kur u krijua bota, i natyrshëm, po ato dallgë, po ajo mërmërimë e përjetëshme, seç të thonë, dëgjoje, është një kumt ujrash i pambarim, ashtu qofsh dhe ti në shpirt, i madh, pafund. Nja dy peshkatarë zbritën nga varka afër dhe sollën peshkun e porsazënë. E shisnin. U grumbulluan njerëz. Një peshk lëvrinte ende mbi rërë, ishte gjallë dhe ti, bir, i kërkove mamit që që të ta blinte.
Shpejt lekët, ma, s’kishe durim, hape çantën. Dhe me ta marrë peshkun e gjallë, me gojën të çare e të përgjakur nga grepi, vrapove drejt dallgëve dhe e hodhe në det. E pe tek ikte i lirë, pastaj u ktheve nga ne i qetësuar. Unë pashë time shoqe në sy. Ajo më puthi lotët, që nuk i fsheha dot. Fati i atij peshku… i ngjashëm me… mbase … e jo vetëm…
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, do të performojë në Cyrih.
Ky event do të mbahet më 29 prill të këtij viti në Cyrih, në sallën 622.
Rita Ora tani së fundmi ka publikuar edhe albumin e fundit “Phoenix”.
Ora ka filluar karrierën e saj me këngën Hot Right Now dhe që nga atëherë ajo është bërë e njohur ndërkombëtarisht,kurse vitin e kaluar ka performuar në Prishtinë në dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Dhe zoti më bëri grua, me flokë të gjata, sy, hundë e gojë të një gruaje. Me kodrina të rrumbullta dhe rrudha dhe lugina të buta, më gërreu nga brenda dhe më bëri punishte njerëzish. I thuri bukur nervat e mia dhe me kujdes m’i mati hormonet. Përzjeu gjakun tim dhe e zbrazi në mua, që trupin tim ta ujit gjithkund. Kështu lindën mendimet, ëndrrat, instinktet. Të gjitha këto ai i krijoi me maturi me psherëtimat e tij dhe me dashurinë e tij zhbiruese, ato një mijë e një gjëra, që çdo ditë më bëjnë grua, dhe për shkak të të cilave unë çdo mëngjes zgjohem krenare dhe gjininë time bekoj.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, ka pritur në takim Presidentin e kompanisë “Global Hotel Investments” AG, Roger Maibach, kompani kjo e cila në partneritet me rrjetin më të madh të hoteleve në botë “ACCOR HOTELS” ka dorëzuar aplikacionin për statusin e Investitorit Strategjik për “Hotel Grandin” në Prishtinë.
“Accor Hotels” është një rrjet global i hoteleve dhe lider i tregut në Evropë, Amerikën Latine, Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azi. Ky rrjet posedon 4300 hotele në 100 shtete.
Në kuadër të këtij grupi veprojnë hotelet më të njohura botërore si: Movenpick, Fairmont, Sofitel, Rixos, Pullman, Swissotel, Grand Mercure, Novotel, Ibis etj.
Presidenti i “Global Hotel Investments AG”, Roger Maibach, potencoi që ky rrjet i hoteleve së shpejti do të jetë prezent edhe në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni, shkruan ndertimi.info
“Aplikimi i një rrjeti me reputacion si ‘ACCOR Hotels’ për të hyrë në tregun e Kosovës është fat i mirë dhe gjithsesi do të kontribuojë edhe në interesimin e kompanive të tjera të këtyre përmasave për fitimin e statusit të investitorëve strategjik në Kosovë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Diasporës.
– S’ka gjë për kolonelin? Kolonelin e zu lemeria. Përgjegjësi hodhi thesin në sup, zbriti nga trotuari dhe u përgjigjë pa kthyer kryet: – Kolonelit s’ka kush t’i shkruajë. Nuk vajti drejt e në shtëpi, siç e kish zakon. Piu një kafe në rrobaqepësi, ndërkohë që shokët e Agustinit shfletonin gazetat. Kishte një ndjesi si t’ia paskëshin hedhur. Do të deshte më mirë të rrinte aty deri të premten e ardhshme, sesa të kthehej atë natë tek e shoqja me duart bosh. Por, kur u mbyll rrobaqepësia, s’pati nga t’ia mbante. Gruaja e priste. – Asgjë, – e pyeti. – Asgjë, – u përgjigj koloneli. Të premten tjetër doli përsëri te motobarkat. Dhe, si për çdo të premte, u kthye në shtëpi pa letër. “ Prit e prit, na erdhi në majë të hundës, – i tha atë natë e shoqja. – Durim prej bualli duhet të kesh për të pritur një copë letër pesëmbëdhjetë vjet rresht, siç ke pritur ti”. Koloneli u shtri në hamak për të lexuar gazetat. – Duhet pritur radha, – tha. – Kemi numrin 1823. – Qysh kur presim ne, ky numër ka dalë dy herë në lotari, – ia ktheu e shoqja. Koloneli i lexoi gazetat si përherë, nga faqja e parë deri tek e fundit, duke përfshirë edhe njoftimet. Por kësaj radhe nuk u përqendrua dot. Gjatë leximit e kishte mendjen te pensioni i tij prej veterani. Nëntëmbëdhjetë vjet më parë, kur kongresi kishte nxjerrë ligjin, koloneli filloi një proces legalizimi që zgjati nëntë vjet. Pastaj u deshën edhe gjashtë vjet derisa ta fusnin në listë. Për kolonelin ajo pat qenë letra e fundit që kishte marrë. Mbaroi pas sinjalit të ndalimqarkullimit. Kur po shkonte të fikte llambën, vuri re se e shoqja nuk kishte fjetur. – E ke ende atë copën e gazetës? Gruaja u mendua. – Ehë, me letrat e tjera duhet të jetë. Doli nga kunupiera dhe nxori prej dollapit një kuti druri me një tufë letrash të renditura pas datave e të lidhura me një llastik. Gjeti lajmërimin e një agjencie avokatore që merrte përsipër një gjestion aktiv të pensioneve të luftë. – Qysh kur të thosha unë të ndërronim avokat, paratë do t’i kishim marrë e do t’i kishim ngrënë, – tha gruaja duke i dhënë të shoqit copën e prerë të gazetës. – Tani veç të na i fusin në qivur si indianëve. Koloneli lexoi copën e prerë që kishte datën e dy vjetëve të shkuar. E futi në xhepin e këmishës së varur prapa derës. – Halli është se për të ndërruar avokat duhen para. – Aspak, – ia ktheu gruaja. – Mjafton t’u shkruash ta zbresin llogarinë prej pensionit, kur ta marrim. Kështu u leverdis.
* Gabriel García Márquez – Kolonelit s’ka kush t’i shkruaj. * Përktheu nga origjinali: Aurel Plasari.
Poetja nga Shqipëria, Rozafa Shpuza është fituese e Çmimit “Pena e Flakës”, aktivitet letrar që organizohet në kuadër të Manifestimi kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2019”, që mbahet përgjatë muajit janar në Gjilan.
Në hapësirat e Bibliotekës “Fan S. Noli” në Gjilan, u mbajtën dy veprimtari letrare, Ora e Madhe Letrare, ku poetët e përzgjedhur paraprakisht, konkurruan për Çmimin e poezisë më të mirë të Manifestimit, “Pena e Flakës” si dhe shpallja e rezultateve të Konkursit anonim letrar për poezi e tregim të shkurtër.
Në hapje të orës letrare, Shpresa Hajdari, drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë Rini e Sport, në emër të kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, iu ka dëshiruar mirëseardhje të pranishmëve, krijues nga të gjitha trevat shqiptare, adhurues të poezisë e prozës dhe të gjithë të pranishmëve tjerë.
Ajo ka thënë se nuk ka dyshim që prurjet në këtë ngjarje janë me vlerë dhe se edhe përzgjedhja është bërë cilësore, duke përgëzuar kështu edhe krijuesit pjesëmarrës e konkurrues, por edhe grupin punues që është angazhuar për organizimin e kësaj ngjarjeje.
Vlerësues të poezisë më të mirë, në “Pena e Flakës” 2019, ishin vetë poetët konkurrues, të cilët me votën e tyre (rundin e dytë), përcaktuan poezinë fituese, përkatësisht poeten, Rozafa Shpuza.
Amerikanët kurrë nuk kanë dëgjuar për Zahir Pajazitin. Kosovarët e shohin atë si një hero kombëtar.
Në të gjithë Kosovën, kujtesa e tij portretizohet nga figura të zymta dhe statuja militante.
Por kush ishte Zahiri i vërtetë nën bronz?
Filmi dokumentar “Mjaltë nga shkëmbi” do të kujdeset ta zbulojë profilin njerëzor të Zahirit.
Duke intervistuar familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët që e njihnin më së miri, personaliteti i vërtetë i Zahirit do të kapërcejë legjendën e tij të politizuar.
Do të dëgjohet rrahja e zemrës së tij njerëzore.
Dokumentari është përgatitur nga skenaristi dhe regjisori amerikan, Douglas Beck, dhe regjisori i ri kosovar, Valdrin Fetahu.
Premiera e tij do të jepet në muajin maj të këtij viti. Dokumentari do të shfaqet edhe në SHBA.
Mirë se vini në Mundal, i njohur edhe si “The Norwegian Booktown”, ose fshati norvegjez i librave. Ai numëron rreth 280 banorë, thuajse të gjithë fermerë, por më shumë se 150 mijë libra. Në vitin 1996, fshati iu bashkua projektit Booktown, duke u bërë një qytet letrar.
Sot, librat dhe libraritë ndodhen kudo: në stalla të vjetra, në dyqane të dorës së dytë, në lokale, në galeri arti, në rafte përgjatë bregdetit etj. Po ashtu, ndërtesat publike dhe libraritë kanë një tematikë të caktuar, për shembull: histori, art, udhëtime, romane etj. Ndërsa në barin “Kaffistofa” tematikat e librave variojnë në libra kuzhine, libra komikë dhe libra erotikë, shkruan ‘monitor’.
Ky vend është i mrekullueshëm, thuajse surreal. Në Mundal, shumë turistë nga e gjithë bota vijnë për gjueti librash. Sot në botë ekzistojnë rreth 20 “Booktown”, përcjell albinfo.ch.
Në fshatin norvegjez të librave, “The Norvwegian Booktown”, libraritë janë të hapura nga mesi i majit deri në qershor. Nga tetori e më pas, fshati hyn praktikisht në letargji, për t’u rizgjuar nga fundi i prillit.
Librat, libraritë e bibliotekat ndodhen kudo – në stallat e vjetra, në dyqanet e dorës së dytë, në galeritë e artit, në dhomat e hotelit etj.
Rruga kryesore është e mbushur me rafte, me libra të vjetër apo të përdorur. Një libër kushton rreth 1 euro. Për t’i blerë mjafton t’i fusni paratë në arkë.
Libraritë kanë një tematikë të caktuar.
Librat dhe libraritë janë arsyeja pse ekzistojnë këto qytete letrare, parajsa për ata njerëzit qe lexojnë.
Mundal është gjallëruar falë librave – në të zhvillohen herë pas here aktivitete dhe festivale letrare.
Në Mundal, librat gjenden kudo, madje edhe në kabinat e vjetra telefonike.
Megjithatë, Mundal nuk është i vetmi vend që numëron më shumë libra se banorë. Hay-on-Wye në Galles, numëron 1400 banorë, më shumë se 40 librari e biblioteka dhe rreth 2 milionë volume librash. “Book Town:” anglez është krijuar në vitin 1961 nga Richard Booth. Sot platforma lidh të gjithë “qytetet letrare” të planetit, nga Evropa në Malajzi, e deri në Australi.
Një market në Skendraj mbanë një emër të çuditshëm.
Emri i një shitoreje në Runik të Skenderajt mbanë emrin e Ambasadores së Kosovës në SHBA. Vlora Çitkut.
Ky market tash e disa vite është bërë karakteristik për të gjithë qytetarët që e shohin atë. E Runiku, njihet edhe si vendlindja e nënës së Vlorës, Sala Ahmetajt.
Siç duket dajët e kanë nderuar Çitakun në fshatin e tyre.
Gjithmonë u kthehemi këngëve të dikurshme, të cilat kanë sjellë tek ne emocione dhe sot na kujtojnë një kohë tjetër, dhe jetën tonë në këtë periudhë.
Një këngë që nuk e lëmë të harrohet është “U shërova” nga
Hana Cakuli. Një melodi e fuqishme, po aq sa edhe teksti i saj, e sollën Hanën
të re në skenën shqiptare por të veçantë, si një vajzë me të gjitha elementet për
të qenë një emër i njohur muzikor.
“U shërova” u performua në festivalin Kënga Magjike në Shqipëri,
nuk pati një videoklip, por e morri jehonën tek publiku.
Sot po e sjellim këtu këngën “U shërova” dhe tekstin e këngës e cila shkon përtej thjeshtësisë, drejt shërimit të shpirtit prej plagëve të ndryshme. / KultPlus.com
Nganjëherë të duket mbaroi, kaq e pat dhe shpirti do t’lëshoj. Analgjetik një maxi dozë, disa qetësues për neurozë. Ishte kjo dita ime, nata ime.
Shpesh u zgjova në shtratin lagur me lot s’ka agime, perëndime ka plot. M’dukej asgjë nuk meritoj zërin e fortë më s’do ta lëshoj. Ishin këto ditë e mija net e mija.
Ref:
Më shiko u shërova me fatin tënd asgjë s’më lidh u shërova kur të përmendin zemra nuk më dridh u shërova o mos është veç ngushëllim u shërova se kurrë askush nuk e shëroi t’vetmen dashuri.
Një e marrë e pakrehur e sy palarë ishte gati të vras për ty, të vjedh për ty ngjyra për buzët varë mykur në sirtarë.
Sot ta di për nderë betohem në pranverë Mirë jam pa ty u shërova Mirë jam pa ty u shërova.
Më nuk më çahen sikur dheu duart kur s’ka shi n’vjeshtë të mallkuar. Kam kujtime n’dry mirë jam pa ty mirë jam pa ty
Ref:
Më shiko u shërova me fatin tënd asgjë s’më lidh u shërova kur të përmendin zemra nuk me dridh u shërova o mos është veç ngushëllim u shërova se kurrë askush nuk e shëroi t’vetmen dashuri.
Të premten, me 1 shkurt, duke filluar prej orës 11:00 në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë do të mbahet një diskutim mbi punën vullnetare.
Biseda dhe diskutimi do të fokusohen rreth angazhimit të
rinisë në punë vullnetare dhe në rëndësinë e vullnetarizmit në kohën moderne.
Me anë të diskutimit do të vijnë praktikat e mira të vullnetarizmit nga Kosova
dhe nga shtetet e Bashkimit Evropian.
Pas një urdhëri administrativ nga Ministria e Kulturës,
Rinisë dhe Sporteve në Kosovë, puna vullnetare e të rinjve dhe angazhimi i tyre
vullnetar tanimë njihen si punë legjitime. Kjo nismë përfaqëson një hap të
rëndësishëm në fuqizimin e rinisë në Kosovë, dhe është një stimulim që të
rinjtë të ndryshojnë sjelljet e tyre dhe të ndihmojnë në përparimin e
shoqërisë.
Në panelin ‘Rëndësia e punës vullnetare si një vlerë shoqërore’ do të flasin:
Kujtim Gashi, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Mr Gernot Pfandler, Ambasador i Austrisë në Kosovë Miradin Bajri, Kordinator projekti në Diakonie Kosova Eliza Hoxha, aktiviste e shoqërisë civile dhe avokuese e punës vullnetare
Paneli i diskutimit do të moderohet nga Arbër Selmani, gazetar. / KultPlus.com
Zyrtarë komunal së bashku me dhjetëra qytetarë janë mbledhur sot në fshatin Uçë për të përkujtuar Tre Dëshmorët e Shkollës Shqipe, që u vranë para 27 vitesh nga forcat policore serbe në mbrojtje të nxënësve shqiptarë që mbanin mësim në oda-shkolla, shkruan KultPlus.
Në nderim të veprimtarisë së tyre, sot shkolla e fshatit mbanë ketë emër. Ndryshe nga përvjetorët e tjerë, kur shkolla ka organizuar program artistik, këtë vit shkolla ishte e mbyllur për shkak të grevës në arsim që po vazhdon tash e disa javë. Si reflektim i situatës në arsim, 27 vite para në kohë okupimi, ish-kryetar i Këshillit të Arsimit në Istog, Ferat Hajzeraj mbajti një fjalim para të pranishmëve përmes të cilit kërkoi nga shkolla e fshatit që si nderim ndaj veprës së këtyre tre dëshmorëve ta ndërpresin sa më shpejtë grevën e t’i hapin dyert për nxënësit që t’i rikthehen mësimit.
31 Janari i vitit 1992 shënon një nga ditët më të zymta të
fshatit Uçë të komunës së Istogut. Në orët e hershme të mëngjesit, banorët e
fshatit dëgjuan krismat që vinin nga rruga gjarpërore e Uçës, ku mu aty mbetën
të vrarë tre burra të këtij fshati, shkruan KultPlus.
Edhe në fshatin Uçë si në shumë shtëpi shqiptare, banorët kishin hapur dyert për të pritur nxënësit e mësimdhënësit e kësaj ane. Një grup i fëmijëve derisa po shkonin në njërën nga këto shtëpi, ishin ndalur nga policia serbe që po vinte nga drejtimi i kundërt prej nga këta nxënës ishin nisur. Fëmijët ishin ndalur e ishin pyetur për adresën se ku ishin nisur, derisa mundoheshin t’i fshihnin librat në trupin e tyre. Krejt kjo situatë ishte zhvilluar shumë pranë dyerve të shtëpive të familjes Hysenaj dhe Hoxhaj, të cilat shumë shpejt ishin njoftuar për ndeshjen e fëmijëve me forcat policore serbe.
I shpejtë kishte qenë reagimi i tre kryefamiljarëve të
këtyre familjeve qe duarzbrazur ishin ngjitur me vrull për t’i mbrojtur
nxënësit e këtij fshati, të cilët pak momente më tutje do të bëheshin
dëshmitarë të vrasjes së këtyre tre burrave.
Muharrem Hysenaj e Bajram Hoxhaj nuk iu mbijetuan plumbave të armikut, derisa Muharrem Hysenaj pat vdekur në spitalin e Pejës,Bajram Hoxhaj jep frymën e fundit në fshatin e tij. Të plagosur do te mbeteshin dy vëllezërit Asllan e Hasan Hysenaj dhe djali Imer Hysenaj. Hasan Hysenaj do të vuaj torturat e plagëve edhe shtatëmbëdhjetë ditë te tjera derisa më pas, trupi i tij do të shtrihet pranë dy trupave të dëshmorëve të tjerë Muharrem Hysenaj dhe Bajram Hoxhajt.
Shumë shpejt fshatarët nga lagjet e ndryshme do të vijnë në vendin e ngjarjes, aty ku do të gjejnë trupat e vdekur të dy prej bashkëfshatarëve të tyre. Vrasësit e tyre ishin larguar me shpejtësi, për t’u kthyer me autoblinda e me armatime të shumta, tytat e të cilave po drejtoheshin dhe po mbanin në thumb masën e tubuar të fshatarëve. Me një shpejtësi të jashtëzakonshme lajmi do të depërtonte në terë Kosovën, për ta bërë kështu fshatin Uçë, një adresë për t’u bashkuar në një hap më tej për t’u përballur me armikun. Sot emri i këtyre tre dëshmorëve është përjetësuar në emrin e shkollës së këtij fshati. E në vendin ku pat ndodhur krimi, 26 vite më parë, sot ndodhet lapidari në formë të librit, që simbolizon rezistencën e atyre viteve e sakrificën e tre burrave të këtij fshati.
Fëmijët e kësaj shkolle, çdo vit shënojnë ditën e shkollës në këtë datë, derisa thurin vargje këngësh e poezish për këta tre burra. Zyrtarët komunal, së bashku me mësimdhënësit, familjarët e fëmijët e kësaj shkolle, në çdo 31 janar dorëzojnë kurora lulesh, në nderim të veprës së tyre./ KultPlus.com
Disa thënie që do ju kujtojnë, të besoni pak më shumë tek vetja.
Kurajo nuk do të thotë që ju nuk keni frikë. Do të thotë që nuk e lini frikën t’ju ndalë. – Bethany Hamilton
Thjesht besoji zërit tënd. Dhe vazhdo të eksplorosh gjërat që janë interesante për ty. – Nikki Giovanni
Nuk je kurrë shumë i moshuar për të vendosur një objektiv të ri, apo ëndërruar një ëndërr të re. – C.S.Lewis
Le t’u jemi mirënjohës njerëzve që na bëjnë të lumtur. Ata janë kopshtarët e mrekullueshëm që i bëjnë shpirtërat tanë të lulëzojnë. – Marcel Proust
Rrugën tënde do ta njohësh sapo të hysh në të, sepse do të kesh të gjithë energjinë dhe imagjinatën që do të të nevojitet. – Sara Teasdale
Përqafo atë që të bën unike, edhe nëse i bën të tjerët të mos ndihen rehat. Nuk ka pse të jeni perfektë. Gjatë udhëtimit tim mësova se perfeksioni është armiku i madhështisë. – Janelle Monae
Ji vetvetja. Gjithë të tjerët janë të zënë tashmë. – Oscar Wilde
Guxo ta duash veten, sikur të ishe një ylber me flori në të dy skajet. – Aberjhani
Ec me mençuri dhe ngadalë. Ata që nxitojnë, pengohen dhe rrëzohen. – William Shakespeare
Nuk po pranoj më gjërat që nuk mundem t’i ndryshoj. Po ndryshoj gjërat që nuk mundem t’i pranoj. – Angela Y. Davis
Dhuntia më e madhe është të mos kesh frikë të bësh pyetje. – Ruby Dee
Kurrrë mos u kufizoni prej imagjinatave të kufizuara të të tjerëve. Dr. Mae Jemison
Nuk duhet të kesh kurrë frikë nga ajo që po bën, nëse është e duhura. – Rosa Parks
Fol atë që ke në mendje, edhe nëse zëri të dridhet. – Maggie Kuhn./ KultPlus.com
Dame Vivienne Westwood, Peter Gabriel dhe Wolf Alice janë në mesin e 50 artistëve, të cilët kanë bërë thirrje që Festivali Evropian i Këngës të mos mbahet në Izrael.
Duke përmendur shqetësimet për të drejtat e njeriut ata kanë nënshkruar një letër të hapur, ku i kërkojnë BBC-së që ta iniciojë zhvendosjen e garës në një vend tjetër.
“’Eurovizioni’ edhe pse ka karakter argëtues nuk është i përjashtuar nga konsiderata që duhet pasur për të drejtat e njeriut”, kanë shkruar ata.
Në përgjigjen e kthyer nga BBC-ja shkruhej se nuk është e përshtatshme që të përdorin BBC-në për qëllime politike.
Gara vjetore do të mbahet në maj në Tel-Aviv, pasi që më 2018 fituese ishte këngëtarja izraelite Netta. Vendi fitues zakonisht bëhet nikoqir i garës vitin e ardhshëm.
Sido që të jetë, grupi i personaliteteve të kulturës, ku përfshihen edhe Mike Leigh, Maxine Peake dhe Miriam Margolyes, ka thënë se “pretendimi për të shpallur diversitetin dhe gjithëpërfshirjen duhet të tingëllojë bosh”. “Nuk mund të shpërfillim shkeljen sistematike të të drejtave që shteti izraelit ia bën popullit palestinez”, kanë shkruar ata. “BBC-ja është e përkushtuar për të mbrojtur të drejtën ‘e lirisë së shprehjes’. Ajo duhet të veprojë sipas parimeve të saj që të mundë ta zhvendosë ‘Eurovizionin’ në një vend ku nuk kryhen krime ndaj lirisë”.
Letra vjen një javë para se Mbretëria e Bashkuar ta përzgjedhë përfaqësuesen e saj në “Eurovision”
“Për çdo artist, që është mjaftueshëm i vetëdijshëm, ky është nder i dyshimtë”, thuhet në letër. “Ata dhe BBC-ja duhet të kenë parasysh se një vend i tillë nuk është zgjerim i ligjit, që thotë se palestinezët nuk mund të vendosin për heqjen e zaptimit ushtarak të Izraelit dhe të jetuarit pa aparteid.
BBC-ja ka thënë se “Eurovizion” nuk është “ngjarje politike dhe si e tillë nuk e mbështet asnjë mesazh apo fushatë politike”.
Në deklaratë thuhet: “Gara gjithmonë ka mbështetur vlerat e miqësisë, tolerancës dhe diversitetit, dhe ne nuk besojmë se është e përshtatshme të përdoret pjesëmarrja e BBC-së për qëllime politike”. “Për këtë arsye ne do të jemi pjesëmarrës në garën e sivjetme. Vendi nikoqir përcaktohet nga rregullat e garës e jo nga BBC-ja”.
Europian Brodcasting Union, që e organizon këtë garë, theksoi gjithashtu edhe karakterin jopolitik të ngjarjes dhe theksoi se përgatitjet në Tel-Aviv kanë përparuar.
Shumë nga ata që nënshkruan letrën të mërkurën kanë bërë thirrje për një bojkot kulturor të Izraelit duke i kritikuar artistët si Nick Cave, “Radiohead” dhe Lana del Rey, që kishin organizuar koncerte në atë vend. Fushata e tyre shoqërohet nga një thirrje e mëhershme për zhvendosje të “Eurovizionit” e bërë në shtator të vitit të kaluar, nga një koalicion i artistëve nga e mbarë bota.
Kjo ngjarje u organizua nga lëvizja “Boycott, Divestment and Sanctions” (BDS) e cila kërkon bojkotimin e plotë të Izraelit për shkak të politikave të tij ndaj palestinezëve. Izraeli thotë se BDS-ja e kundërshton qenësinë e Izraelit dhe është i nxitur nga antisemitizmi/BBC./KultPlus.com
Ministria e Kulturës ka hapur thirrjen publike për përkrahjen financiare për botimin e librave për këtë vit, për blerjen e librave dhe për botimin e revistave letrare për këtë vit. Të tri konkurset janë të njëjta në raport me vitet e kaluara.
Më poshtë mund të gjeni detaje në lidhje me këto thirrje të ministrisë./ KultPlus.com
Sot 22 vjet më parë, kombi ynë përjetoi një nga goditjet më të mëdha. Humbi komandantin dhe dy personalitetet më domethënëse të luftës për liri dhe pavarësi.
Kështu u tha në akademinë përkujtimorë ku me nderime të
larta u vlerësuan heronjtë Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha,
në 22 vjetorin e rënies së tyre, raporton Ekonomia Online.
Ish komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa,
përkujtoi heronjtë duke i cilësuar si emblemë të luftës për lirinë e vendit.
“Lufta e UÇK përfundimisht hapi rrugën dhe perspektivën për
jetë më të mirë të shqiptarëve në trojet e veta në gadishullin ilirik. Lufta
çlirimtare në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit 20 është ngjarje me ndikim
në marrëdhëniet ballkanike, evropiane e botërore. Komandanti Zahir Pajaziti
ishte strategu më i shquar i UÇK-së. Mbi të gjitha ishte personalitet emblemë i
luftës për liri”, u shpreh Mustafa.
Komandant Remi shtoi se Zahir Pajaziti, ishte organizator i
ushtrisë, anëtar dhe një nga themeluesit e shtabit të UÇK-së brenda vendit.
Ai e quajti Pajazitin si figura qendrore dhe identifikuese e
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërsa për Zejnullahun dhe Hoxhën, tha se
asgjë nuk i ndali në misionin e tyre të shenjtë.
“Nismat e tij ishin të çmuara. Si i tillë komandanti do
mbetet gjithmonë në historinë tonë kombëtare shqiptare. Madhështia e rënies së
heroit tonë është rënia e tij përkrah dëshmorëve Haki Zejnullahu dhe Edmond
Hoxha. Ishte domethënës besimi që Hakiu kishte krijuar tek shokët. Edmond Hoxha
është dëshmi e tejkalimit e rretheve të UÇK-së dhe sinonim i madhështisë të UÇK-së.
Haki Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën asgjë nuk i ndali në misionin e tyre të
shenjtë. Rënia e tyre u bë dritë për kombin dhe lirinë. Jemi me fat që po
ndërtojmë vendin tonë drejt të ardhmes së ndritur në bashkëpunim me miqtë
tanë”, shtoi Mustafa.
Ndërsa, Sabit Syla, drejtor i Institutit të Historisë, duke
kujtuar luftën e UÇK-së, tha se ajo ishte e mbështetur në mendje të mëdha
ideore të tilla si ato të tre heronjve.
Sipas Sylës, rënia e tyre ishte sa heroike edhe krenare në
mbrojtjen e identitetit dhe krenarisë kombëtare.
“Për një kohë lufta çlirimtare ra ndesh me filozofinë dhe
politikën e kohës. Më vonë u ndryshua. Lufta e UÇK-së ishte e mbështetur në mendje të mëdha ideore.
Mbështetur në këtë madhështi të heronjve siç ishte Zahir Pajaziti me luftëtarë
të tij, u arrit çlirimi dhe liria”, tha Syla.
Kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, tha se duhet të bëhet
më shumë që kujtimi të mbetet i gjallë për brezat e tjera.
“Duhet të bëhet më shumë që kujtimi për ta dhe lufta që bën
të mbetet e gjallë edhe për breza të tjerë. Ka aq shumë rënie krenare sa duhet
të bëjmë më shumë që kjo të mbetet gjallë edhe për brezat e ardhshëm ”, tha
Gucati.
Fakete Hoxha, motra e Edmond Hoxhës, iu drejtua të
pranishmëve, udhëheqësve të vendit që të jenë bashkë për të mirën e Kosovës
ashtu si dikur që ishin bashkë për lirinë e saj.
“Prapë sot më duket se kanë një porosi, kthehuni para 22 viteve
ata që ishit, kujtoni edhe sot. Kthehuni tek vetja, kujtojeni karakterin tuaj
për Kosovën dhe vendosni sot siç keni qenë atëherë së bashku”, tha Hoxha.
Zahir Pajaziti u vra bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond
Hoxhën.
Pajaziti ishte një ndër komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më 31 janar 2008, në 11 vjetorin e rënies, ish -Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu i akordoi Zahir Pajazitit dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës, Urdhrin ‘Hero i Kosovës’. /KultPlus.com
Qendra për Art dhe Komunitet- Artpolis është implementuese e projektit “Balkan Girl Power” në Kosovë.
Ky projekt i financuar nga Fondi i Ballkanit Perëndimor bashkoi
vajzat nga pesë vende të Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Maqedonia, Kosova,
Serbia dhe Mali i Zi.
9 vajza nga Kosova iu bashkuan projektit “Vajzat e Fuqishme të
Ballkanit” për të zhvilluar përmes fotografisë, një vizion të përbashkët të
shoqërisë së vendit të tyre dhe të Ballkanit Perëndimor ku gratë luajnë një rol
po aq aktiv sa burrat në progres drejt integrimit në BE.
Në kuadër të projektit, vajzat nga Kosova u trajnuan dhe nën
mentorimin e fotografes Fjolla Besimi iu bashkuan platformës interaktive online
“Balkan Girl Power” duke ngarkuar fotografitë e tyre të realizuara në kuadër të
temës përkatëse së bashku me një profil të shkurtër për veten e tyre. Në këtë
mënyrë vajzat nga të gjitha vendet pjesëmarrëse patën mundësinë të vlerësojnë
fotografitë e njëra-tjetrës.
I gjithë ky proces votimi çoi deri në selektimin e 7 vajzave nga
Kosova, fotografitë e të cilave do të paraqiten në ekspozitën e përbashkët
“Balkan Girl Power” në Shqipëri.
Fatlinda Daku, Qëndresa Jashari, Igballe Terziqi, Kosovare Sadiku,
Selviana Hysenaj, Rita Terstena dhe Rudina Kadolli janë vajzat, fotografitë e
të cilave do të paraqiten në ekspozitën e përbashkët e cila do të mbahet me
datë: 11 shkurt 2019 në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në Tiranë.
Ekspozita Balkan Girl Power është rezultat i një iniciative
rajonale (www.balkangirlpower.org) e realizuar nga pesë organizata të shoqërisë
civile në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi dhe të udhëhequra nga
Instituti për Kontratën Shoqërore (SCI).
E kuruar nga artistja e mirënjohur britanike, Lala Meredith-Vula,
ekspozita Balkan Girl Power paraqet veprat më të mira të vajzave pjesëmarrëse,
disa prej të cilave do të jenë të pranishme në hapjen e ekspozitës.
E në mesin e shtatë vajzave të përzgjedhura Qendresa Jashari dhe
Selvina Hysenaj janë vajzat që u përzgjodhën për të qenë fizikisht pjesë e
kësaj ekspozite më datë 11 shkurt si dhe me datë 12 shkurt ku do të mbahen dy
aktivitete : “peer to peer” për të diskutuar për përvojën në këtë projekt,
ëndrrat dhe perspektivat e tyre për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në BE dhe
çdo aktivitet të mundshëm të përbashkët të ardhshëm, bazuar në idetë e
zhvilluara gjatë diskutimeve online dhe si aktivitet i dytë, një master klasë
nga Lala Meredith Vula për fotografinë dhe potencialin e saj për të ndikuar në
ndryshimet shoqërore.
Projekti Vajzat e Fuqishme të Ballkanit është financuar nga Fondi
i Ballkanit Perëndimor dhe zbatohet nga ARTPOLIS (Kosovë), Instituti për Kontratën
Shoqërore (Shqipëri), Këshilli Kombëtar Rinor i Maqedonisë, iACT(Mali i Zi) dhe
Organizata për Promovimin e Aktivizmit (Serbi)
Ky projekt do të lë pas trashëgiminë e një rrjeti joformal prej 75 vajzash nga 5 vende të Ballkanit Perëndimor që njohin ëndrrat dhe perspektivat e njëra-tjetrës, duke përfshirë ato që lidhen me të ardhmen e vendeve të tyre përkatëse dhe Ballkanin Perëndimor si një rajon i integruar në BE. /KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka takuar sot grupin punues për hartimin e Ligjit për teatrot, me të cilët ka diskutuar për rrjedhën e procesit, përmbajtjen që do të ketë ligji dhe si do të ndikojë ai në përmirësimin e funksionimit të teatrove nëpër qytetet e Kosovës dhe në avancimin e jetës kulturore në përgjithësi.
Ministri Gashi ka ofruar mbështetje të plotë për grupin punues në hartimin e ligjit. Ministri u shpreh se pret nga grupi një punë intensive për përgatitjen e një ligji i cili do të funksionalizojë teatrot e qyteteve. “Komunave t’i mundësohet ndarja e mjeteve të nevojshme për teatrot e tyre si dhe të angazhohen aktorët e qyteteve në këto teatro”, tha ministri.
“Me këtë ligj fuqizohen
teatrot nëpër qytetet e Republikës së Kosovës si dhe do të ketë një angazhim më
të madh të aktorëve të qyteteve përkatëse nëpër këto institucione të kulturës”,
vlerësoi ministri.
Ministri konsideroi se viti
2019 do të jetë viti i kthesës së madhe për teatro, institucione të cilat nuk
kanë pasur trajtim dhe mbështetje me dinjitet nga komunat e Kosovës.
Ndërkaq, grupi punues u shprehën se do të hartojnë një ligj i cili do të jetë një politikë e zbatueshme dhe që do të ndikojë në rritjen e aktiviteteve kulturore dhe ngritjen e vlerave të mirëfillta. /KultPlus.com
Musine Kokalari një nga personazhet e njohur të letrave, nuk i ka fshehur emocionet e bukura në letërkëmbime që ka pasur me mikeshat e saj. Një prej tyre është dhe historia me djaloshin italian gjatë kohës së studimeve në Itali. Një nga miket e saj më të mira ishte Selfixhe Ciu, me të cilën ndau kohën e ëndrrave rinore. Shqiponline sjell për herë të parë për lexuesin një letër që Ciu ia ka dërguar Musinesë më 3 shtator 1938-të, dhe një pjesë ku ajo flet për dashurinë platonike mes Musinesë dhe djaloshit izraelit me emrin Pattak.
Durrës plazh, 3 Shtator 1938
Musine e dashur.
Kam ditë që pres ndonjë letër prej teje, tani m’u mbush dhe
po të shkruaj. Besoj të kesh kohë sa për ta lexuar letrën time.
Me shëndet jam mirë, sado që nuk kam ndonjë efekt të dukshëm as edhe në peshë,
por mjafton që nuk ndjej atë dobësi e lodhje që ndjeja më parë. Mbase do ta
kaloj mirë dimrin. Vete me shpresë. Që thua zotrote, sot po përcillnim Shemsinë
pas disa ditëve të kënaqshme që kaluam, sidomos këto ditët e fundit na ka
mbjellur farën e gazit dhe s’mbahemi dot më. U shkulëm së qeshuri. Mbrëmë ishim
në kafe dhe vetëm të qeshurat na detyruan të ngrihemi.
Nuk e di se ç’na kishte hipur. Por malum, i madhi i shtëpisë
mungon, nëna nuk bën fare fjalë, kështu që në familje kemi stabilizuar
Republikë Popullore. S’ka diktator. Vetë zotër e vetë shkopër. Është e para
verë që e kalojmë kaq mirë. Gjithë natën jashtë. Ditën themi
anekdota, të cilat i kam ruajtur mirë t’i përrallisim në udhëtim
e sipër, atëhere do të na duken më të bukura. Në këtë shoqëri të përditshme e
të përnatshme kishim edhe zonjat Plumbi e Gjokoreci; lere se ç’ka vajtur. Që
thua, puna më kryesore është se nga xhepi kemi Shemsinë shumë bujar këtë vit. E
po helbete, njeri me titull. Dje i përcollëm zonjat që na shoqëronin e sot
Shemsinë.
Po mbetemi vetëm dhe kemi për ta ndjerë mungesën e shoqërisë së
tyre të çmuar, po ç’ka, Shemsiu do të vijë ndonjë natë kur të kthehet nga
Shkodra. Dhe zonjat Mila e Ollga besoj që do t’i takoj prapë në Tiranë se më
kanë dhënë adresat. Dje i shkruam një letër Andreas së bashku me Shemsinë, i
cili iu përgjigj urimeve të Vitit të Ri, që i kishte dërguar Andrea dhe të
tjerëve me rradhë. I shkroi një letër që ç’të të them, nuk do ta këndojë dot
rehat. Nga Pavlina kisha një letër të gjatë si dhe një fotografi të sajën dhe
të Irinit. Kasua ka kthyer shumë mirë me shëndet, ka shtuar 4 kile, deshi të
vinte një herë nga dyqani, se i kisha shkruar, po nuk pati rast se u nis
shpejt. Ditarja mbeti edhe një javë akoma për arsye se Lemani akoma s’ka
lindur.
Ne kemi ndërmend të qëndrojmë këtu deri në 15 e pastaj vimë në
Tiranë, ku duhet të bëj ca përgatitje. Deri më datën 20 të ikim me doemos. Si
thua, Musine? Hasua më mori trikon, të faleminderit për leshin. Do të vi në
Tiranë dhe besoj të kalojmë disa ditë të mira aty, apo jo? Do të gjejmë rast të
shëtisim, të bisedojmë, të grindemi dhe të qeshim. Dëgjon? Të qeshim. Sa shumë
ke për të qeshur ti Musine. Po Glikon aty e kam? Sa mirë
do të jetë që të ndodhemi të trea, të shëtisim gjatë dhe të
qeshim së bashku. Po aq më mirë sikur të udhëtonim të treja. Unë besoj që Kason
do ta marr me vete. S’ka njeri më të përshtatshëm. Kështu do të jemi të lirë,
do të bëjmë llogo gjithë rrugës. Fejzia a erdhi? Besoj të jesh mirë. Ç’bëre me
librarinë? Nuk e di si i kaluat festat andej, ne u kënaqëm sidomos me ditën e
paradës. Kohën e kemi të mirë. Pas disa ditëve të këqia filluam përsëri nga
banjat. Po aty si veni? Ka vapë akoma?
Nga Franca kam marrë letra rregullisht si edhe dy tre fotografi.
Është mirë dhe jeton i kënaqur, sepse është i lirë. I dërgoj nganjëherë gazetat
shqipe se i ka kërkuar. Dje i dërgova numra festivali të gazetave që më dërgoi
Kola. Duket se e merr malli ndonjëherë për Shqipërinë e dashur.
E po kur ndodhet larg njeriu e ndjen mallin e vendit. Musine, sa
anekdota të bukura do të të them. Anesë i puth dorën. Fejzies të fala, ashtu
edhe Gliqerisë, e kujtdo tjetër. Nga të gjithë shumë të fala.
Pres ndonjë letër.
Të përqafoj
Selfixhe
Selfixhe Ciu
Tepër të drojtura, gati si ditare, si rrëfime të vetvetes ishin
shkrimet tona të para. Musinea sapo e kish marrë maturën e atë verë, verën e
vitit 1937 e kaluam së bashku në shtëpinë time në plazhin e Durrësit. Unë kisha
filluar të botoj më parë, krejt rastësisht e nxitur nga kushëriri im Shemsi
Totozani, që i lexoi shkrimet dhe më ndihmoi t’i botoj në shtypin e kohës, në
revista e gazeta me pseudonimin Kolombja.
Musinea ende lëkundej, jo se s’kish guxim të botonte, apo
pengohej nga njeri, jo aspak. Në familjen e saj ishin të gjithë të kulturuar
dhe askush nuk e pengonte, po ishte ajo vetë që kërkonte nga vetja. Ajo ishte
shumë kërkuese ndaj vetes.
Në ditarin e saj janë këto shkrime: “Shoku im”, “Ti”, etj. që
janë shkruar në ditët kur Musinea mbushi njëzet vjeç. Shkrimi “Shoku im” është
për një djalosh izraelit me emrin Pattak, mbiemri s’më kujtohet.
Ishte një miqësi e çiltër, dashuri platonike brenda zemrës së
secilit, po që nuk e pohoi askush, asnjëherë. Pattaku ishte një djalë me një
konstrukt atleti, me ballë të gjerë dhe shumë inteligjent. Nuk e di ç’u bë më
vonë. Nuk dëgjova më kurrë të flitej për të, pasi mori maturën. Ishte koha kur
ne lexonim shumë. Diskutonim me zjarr dhe kishim që të gjithë dashuri të
ethshme që Shqipëria jonë e vogël dhe e varfër të përparonte.
Ajo verë e vitit 1937 ka qenë stina jonë e ëndrrave dhe e
fillimit të krijimtarisë së botuar të Musinesë me pseudonimin “MUZA”. Pasi mori
maturën Musinea erdhi tek ne në Durrës. Ecnim me orë të tëra në bregdet.
Shkonim në këmbë deri tek Ura e Dajlanit.
Pastaj ktheheshim në dhomat tona e secila bënte gati shkrimin
për në gazetën “Shtypi”. I dërgonim në adresën e Kolë Berishës dhe mbajtëm që
nga gushti deri në fillim të janarit 1938 me Petro Markon (DEMO KOTI) rubrikën
“Rrymëzime”.
Ajo ishte stina jonë e paharruar. Dhe ëndrra më e madhe për ne
qe, sigurisht, universiteti, ku priste të regjistrohej Musinea.
DJ Paul van Dyk ka marrë dëmshpërblim prej 11 milionë eurosh, tre vite pas rrëzimit në një vrimë në skenë, gjatë një festivali muzikor në Holandë dhe kishte përfunduar në koma.
Muzikanti gjerman kishte pësuar frakturë në shpinë dhe lëndime në tru gjatë rrëzimit teksa interpretonte në festivalin “A State Of Trance” në Utrecht në shkurt të vitit 2016.
Van Dyk, emri i vërtetë i të cilit është Matthias Paul, kishte rënë në koma dhe iu deshën tre muaj për t’u shëruar në një spital holandez, transmeton televizioni publik.
Xhirimet nga koncerti i tij në atë festival e shfaqin muzikantin duke hyrë nga prapa në skenë dhe në një moment zhduket.
Lëndimet në tru dhe në shtyllën kurrizore e detyruan që ai të qëndronte përkohësisht në karrocë invalidësh.
Për shkak të këtij lëndimi, ai nuk ka mundur të shkojë në turne deri në qershorin e atij vitit dhe e shtyu shumë albumin e ri, i cili u lansua në vitin 2017.
The Blast bënë të ditur se Van Dyk i ka paditur organizatorët e “A State Of Trance”, ALDA Events B.V., dhe ka fituar dëmshpërblim prej saktësisht 12.588.643 dollarë (11.023.811 euro).
Gjykata vendosi se kompania përgjegjëse nuk ka ndërtuar skenë të sigurt, ndërsa në shumën e paguar përfshihen edhe shpenzimet për mjekimet e mëtutjeshme, si edhe humbjen e përfitimeve që do t’i merrte me koncertet e tij pas aksidentit.
Van Dyk është një prej DJ-vë më të famshëm dhe më të suksesshëm, po ashtu është ndër të rrallët që është zgjedhur në dy raste DJ numër një në botë (në vitin 2005 dhe 2006).
Veterani i muzikës elektronike dhe producenti muzikor është më së shumti i njohur për hitet, si “Another Way” ”Talking in Grey” e “Face to Face”. /KultPlus.com
Artistët nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit si dhe artistë nga Kosova bëhen bashkë për koncertin që do të zhvillohet mbrëmjen e datës 3 shkurt te ”arTurbina”.
Koncerti “Crescendo musicale” zhvillohet me pjesëmarrjen e trupës së korit të TOB dhe Orkestrës. Ky koncert zhvillohet në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri- Kosovë dhe konkretizohet me pjesëmarrjen e dirigjentit kosovar Rafet Rudi, i cili do të drejtojë këtë koncert.
Programi i koncertit do të jetë me vepra premierë të autorëve shqiptarë, mes tyre nuk mungojnë dhe vepra të autorëve të huaj. Programi përmban Korale nga Jan Kukuzeli dhe interpreton Kori i TOB, vijon “dall’ Antiphonario” nga Gjergj Danush Llapacaj, “Sancta Maria”, “Sancta Maria de Amelphitana” po nga kori i teatrit të operës. Koncerti do të vijojë dhe me “O Magnum mysterium” nga Th. L. de Victoria, “Agnus Dei” op. 167 nga Egil Hovland koncert për fagot dhe kor “a cappella” interpretojnë Orges Malaj- fagot si dhe kori, për të vijuar me “Missa in D dur” KV 194 nga Mozart.
Nën ekzekutimin e Orkestrës së TOB në skenë do të jen dhe solistët e njohur Emiljana Palushaj, Ina Gaqi, Gerald Murrja, Enea Cerashi dhe Bledi Domi. Në vitet e fundit, Rafet Rudi i përkushtohet zbulimit, restaurimit dhe adaptimit të literaturës korale të autorëve të vjetër shqiptarë. Për herë të parë, para publikut shqiptar, shfaqen veprat me rëndësi të madhe historike të Gjergj Danush Llapacaj (shek. XVI), Jan Kukuzelit (shek. XIII) dhe Niketa Dardanit (Niketa i Remisianës, nga shek. IV).
Rafet Rudi është anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe të Arteve dhe Anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave. Rudi është dirigjent permanent i Korit të Filarmonisë që nga viti 2006, me të cilin ka pasur shumë përfaqësime të rëndësishme në vend dhe jashtë tij (Kroaci, Itali, Angli, etj)./A.T.SH/ KultPlus.com
kur dikush të kërkon bukë
ndaje koren e fundit me të bija ime
më mirë të jeni bashkë pak të uritur
se të ngopesh vetëm
kur dikush ta lyp një pikë ujë në
orë zori
shpije te pusi i oborrit nën man
ka vite që është prerë ajo pemë e vjetër
por hija i bën ende fllad
kur dikush ta fyen njerëzillëkun bija ime prishi krejt urat digji tërë anijet mos ji kurrë as grua as nënë as bijë e askujt po s’qe së pari njeri. /KultPlus.com