Dua Lipa publikon sekuencat nga kolona zanore e “Alita: Battle Angel”

Dua Lipa ka konfirmuar se më 25 janar do të publikojë këngën e saj të “Swan Song”.

“Swan Song” është kolona zanore e filmit aksion “Alita: Battle Angel”, transmeton Koha.net.

Producent të këtij filmi janë James Cameron dhe Jon Landau të njohur për filmin e tyre “Avatar”, derisa regjisor i filmit është Robert Rodriguez i njohur me “Sin City”.

Dua Lipa ndihet shumë krenare që është pjesë e një projekti kaq të rëndësishëm.

https://www.instagram.com/p/BsLaFBIhXud/?utm_source=ig_web_copy_link

Historia interesante e jetës së Gabriel Garcia Marquez

Gabriel García Márquez është një nga shkrimtarët më të mirë të të gjitha kohërave, megjithatë rruga e tij drejt kupolës së letërsisë nuk ishte e shtruar, madje ishte e pazakontë.

Historia e jetës së tij është krejt e kundërta e atyre sipas të cilave vetëm ai që është i lindur me pasion dhe mbi të gjitha arrin të kthejë në realitet ëndrrat e fëmijërisë është i destinuar për të lënë shenjë në fondin kulturor.

García Márquez nuk kishte qëllime për të arritur kur ishte i vogël, ose të paktën nuk ishte i qartë për to. Kur ishte fëmijë, García Márquez donte të bëhej muzikant. “Ëndërroja të shëtisja vende të ndryshme dhe të  këndoja, më dukej si mënyrë më e mirë për të treguar histori”,- shkruan ai në një autobiografinë e tij, duke shtuar:

“Nuk kam pasur kurrë as kurajën dhe as sensin e pavarësisë si im vëlla, Luis Enrique, i cili gjithë jetën bëri veç atë që donte realisht të bënte dhe ishte i lumtur, pavarësisht pritshmërive të prindërve”.

Pritshmëritë e prindërve të Gabos ishin të larta. Gabo kishte qenë gjithmonë një student i shkëlqyer, një fëmijë gjeni dhe aspak problematik. Gjyshja e tij madje e quante fëmija perfekt. Në shkollën e mesme gjërat po ndryshonin.

I pakënaqur me shkollën, ai nisi të shoqërohej me djem jo të nivelit të tij dhe madje të pinte alkool. Prindërit e tij, sigurisht, u shqetësuan nga një ndryshim i tillë. García Márquez kujton një bisedë me të ëmën në kohën kur sapo kishte hyrë në të 18-at.

“Nuk di çfarë duhet të bëjmë”,- i tha  ajo pas një heshtjeje të gjatë. “Nëse ia themi të gjitha këto babait tënd ai do të vdesë në vend nga hidhërimi. Nuk e kupton që ti je krenaria e kësaj familjeje?”

Për ata ishte shumë e thjeshtë. Meqë nuk kishte asnjë mundësi të bëhesha mjek i njohur si im atë për shkak të mungesës të parave, ata shpresonin që të paktën të bëhesha profesionist në një zanat tjetër.

“Nuk do të bëhem asgjë”,- i thashë nënës. “Refuzoj të më impononi diçka që nuk dua ta bëj dhe të bëhem. Nuk dua të bëhem çfarë ju doni që të bëhem, apo më keq akoma, çfarë qeveria do që unë të bëhem”.

“Thonë që nëse mundohesh mund të bëhesh shkrimtar i mirë”,- ia priti e ëma.

Nuk kisha dëgjuar kurrë asgjë të tillë në familje. Është pak të thuash  që e prita me habi.

“Nëse do të bëhesh shkrimtar, duhet të bëhesh një shkrimtar i madh dhe sot nuk ka më të tillë”, – i thashë sime mëje. “Ka mënyra më të mira për të vdekur urie”.

E megjithatë, mjaftoi ky diskutim që Gabo jo vetëm të bëhej shkrimtar, por të bëhej shkrimtar i madh. 4 dekada më vonë ai fitoi çmimin Nobel në Letërsi./botimeshqip

‘Tash s’po dihet ma kush asht zot e kush njeri’

MIGJENI – PARATHANIA E PARATHANIEVE

Përditë perëndojnë zotat
dhe rrëshqasin trajtat e tyne
mbi vjet dhe shekuj
dhe tash s’po dihet ma kush asht zot e kush njeri.
Ndër tru të njerzimit zoti galuc ka ndejun.
Vetvetes me gisht tamthat i ka biruemun
Në shej të pendimit
dhe bërtet në kulm të hidhnimit:
çka, çka krijova?!
– E njeriu nuk e di:
a asht zoti pjella e tij
apo ai – vetë pjella e zotit?
Por shef se asht kot së kotit
me mendue mbi një idhull
që nuk përgjegjet.
Dhe tash s’po dihet ma kush asht zot e kush njeri.
Ka ardh një kohë
në të cilën njerzit po kuptohen fare mirë
për me ndërtue Kullën e Babilonit,-
dhe në majë të Kullës, në majë të ta majës së fronit
ka me hypë njeriu
dhe ka me thirrë:
Perëndi! Ku je?

Viti 1998, tmerri dhe vuajtjet që shpejtë u harruan: Kosova në flakë!

Agron Shala

Cilat janë ngjarjet që kanë shënuar shqiptarët dhe botën në vitin 1998?

Fillimi i vitit 1998 nisi me masakra të tmerrshme në Drenicë. Gjatë luftimeve të 28 shkurtit 1998, në mes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe forcave serbe, pasi mbetën disa policë të vrarë, pasoi hakmarrja serbe në Likoshan e Qirez ku u vranë dhe masakruan 24 civilë shqiptarë. Ndërkaq, në orët e hershme të mëngjesit të 5 mars 1998, në Prekaz u sulmua sërish familja Jashari. Pas rezistencës disaditore, vëllezërit Adem dhe Hamëz Jashari vriten me 18 anëtarë të tjerë të familjes së ngushtë. Numri i përgjithshëm i të vrarëve nga familja e gjerë shkonte në 56.

Këto ngjarje shënuan kthesën në politikën amerikane kundrejt Kosovës. I deleguari amerikan, Robert Gelbard – i cili më herët kishte nxitur shqiptarët në luftë duke thënë “a po e prisni Supermenin”, ndërsa më vonë nxiti serbët për sulme kur pjesëtarët e UÇK-së i quajti terroristë – do t’i marrë pamjet nga këto masakra dhe do t’ia hedhë Sllobodan Millosheviqit në tavolinë, duke i thënë me tone të ashpra: “Ja çfarë ke bërë”! Emri i Gelbardit do të zhduket shpejt nga rrjedhat në Kosovë, meqë SHBA-ja emëron Christopher Hillin (ambasadorin e tyre në Shkup) si përfaqësues special për Kosovën, në misionin që Henry Kissinger e quante më herët “Shuttle-Diplomacy”.

Prekazi pas luftimeve të marsit 1998

Viti 1998 është viti kur lufta përhapet në tërë Kosovën. Sulmi i radhës, më 24 mars, ndodhi në Gllogjan. Aktori Sylë Kuçi që përkthente për mediat e huaj, do ta përshkruante “rastësisht” situatën që mbizotëronte në terren. Ai e shoqëronte reporterin Lorent Boussie – i cili ishte i interesuar të vizitonte Manastirin e Deçanit, përkitazi me temën “Bashkëjetesa e manastirit ortodoks (serb) dhe e popullatës shqiptare përreth” – kur papritmas u gjend në zonë lufte.

“Me të arritur në Prelep, dëgjoheshin krismat. Në sheshin e fshatit Irzniq u ndalëm. Meqenëse vetura jonë mbante targa me ‘BG’, fshatarët iknin prej nesh si prej djallit… Dikush na urdhëronte të ndalonim e dikush të afroheshim. Dukej se edhe koha ndaloi. Shikonim vetëm grykat e armëve dhe pritnim kur do të villnin zjarr. Njëri që si dukej ishte epror, u bërtiti: ‘Ne pucajte, imaju beogradsku registrciju!’ (Mos gjuani, kanë regjistrim të Beogradit!). Nga dritarja e djathtë xhiruesi nxori kamerën dhe thirri ‘Francuska televizija, fran…’! ‘Ah, nënën tuaj! Vetëm edhe ju na duheshit” – shfryu njeriu. Na mësynë si bisha. Na nxorën jashtë dhe na mbështetën për veture. Kush mëshonte me grykë e kush me qytë pushke. Më së keqi e pësoi ‘tonisti’. Dikur na i kërkuan dokumentet. Kur morën vesh emrin tim, u tërbuan krejt… ‘Po ti, çka lyp këtu…?’ U thashë se jam përkthyes dhe se për këtë e kam lejen. ‘Jo, jo!’ – thanë – “Je terrorist. Je porositur t’i sjellësh këta këtu…’!

Më vonë Kuçi dhe gazetarët u liruan, me këtë paralajmërim: “Nëse vetëm një fjalë e asaj çka të thashë do të publikohet, të premtoj se do të të zhduk me soj e sorollop! Kuptove?”

Shqiptarët e zënë peng nga forcat serbe

“Jo vetëm unë, por edhe francezët e kishin të qartë. Deshi të më thoshte edhe diçka, por fjalët e tija i mori ushtima e helikopterit, i cili ateroi aty pranë. I sollën tre vigj me policë të përgjakur. Për herë të parë shihja policë serbë të plagosur. Çudi! Jo, jo, ndjenjë e çuditshme. Vallë, edhe këta ‘po i merrka’ plumbi? Si duket po, se erdhi edhe një vig. Afër tij – Vula. ‘Naçellnik’ Vula. Thashë: E pat puna! Kur të më vërejë, do të merret me mua personalisht – ashtu, siç e kishte zakon të ‘merrej’ me bashkëqytetarët e vet shqiptarë. Për fat, u hallakatën. Nga një toki-voki thërrisnin në ndihmë. Thonin se po sulmoheshin me bomba. Pasoi një granatim i gjatë. Tërë lagjja u mbulua me tym. Granatimi ende vazhdonte, kur neve na urdhëruan të largoheshim. Xhiruesi Gerek, më këshilloi të shtrihem në dyshemenë e veturës. Më tha se ka mundësi të të gjuajnë me snajper, e pastaj deklarojnë se e kanë vrarë të vetët”, thuhet në shkrim.

Dhuna ndaj protestuesve në Prishtinë, më 2 mars 1998, gjatë solidarizimit me popullin e Drenicës

Në fakt, serbët janë të prirë të vrasin dhe autorësinë t’ua mveshin të tjerëve. Kështu ndodhi në natën e 14-15 dhjetorit 1998, kur në lokalin “Panda” të Pejës u vranë pesë të rinj serbë. Ndonëse autoritetet e Serbisë të viteve 2010 publikuan të dhënat se ky krim ishte inskenuar nga serbët, më 1998 ata akuzuan shqiptarët për këto vrasje. Dhe, ky krim ishte si pretekst për spastrimin e mëvonshëm etnik të Pejës si dhe për të rekrutuar kriminelët në marshin vrastar kundër shqiptarëve.

Pamjet e rëndomta të Kosovës së vitit 1998: Vrasjet dhe varrezat masive

Luftime kishte edhe në rrethinë të Pejës, Gjakovës dhe Suharekës e madje edhe në periferi të Prishtinës, kur fshati Bardhi i Madh ra nën UÇK-në, siç do të bien Malisheva dhe Rahoveci. Jakup Krasniqi, i cili më 11 qershor u shfaq publikisht si zëdhënës i UÇK-së, do të deklarojë se në Malishevë – si “kryeqytet” provizor i Kosovës – do të jepeshin letërnjoftimet dhe pasaportat e UÇK-së. Përfaqësues politik i UÇK-së atë kohë ishte Adem Demaçi, ndërsa zëvendës i tij Albin Kurti.

Në korrik 1998 u zhvillua Beteja e Loxhës, një nga më të mëdhatë të vitit 1998. Por, në gusht e shtator nisi ofensiva e madhe serbe gjatë së cilës UÇK humbi kontrollin pothuajse në tërë Kosovën. Pas këtyre ofensivave, tokat mbetën shkrumb e hi, me qindra të vrarë e të masakruar. Brenda Kosovës ishin afro 400 mijë civilë të zhvendosur. Vendin po e kaplonte katastrofa humanitare.

Për masakrat e vitit 1998, të cilat tërhoqën vëmendjen e botës, publicisti anglez Tim Judah do të thotë se nuk ishin më ndryshe nga ato që i përshkruante Edith Durham në fillim të shekullit XX. Pra, ishin tmerr që veç Serbia di ta bëjë!

Propaganda e Serbisë: Polici serb tek i ofron ujë plakut shqiptar të mbetur në fshatin që digjet

Gjatë ofensivave, më 26 shtator 1998, në Abri të Epërme të Drenicës forcat serbe kryen një tjetër masakër të tmerrshme, ku u vranë 23 anëtarë të familjes Deliu e ku fotografia e foshnjës me biberon, Valmirit, trondit tërë botën. Në këtë masakër u vranë tetë fëmijë: Valmiri 18-muajsh, Menduhia 4-vjeçe, Gentiana 5-vjeçe, Donjeta 6-vjeçe, Jetoni 10-vjeç, Antigona 14-vjeçe dhe Mihanja 16-vjeçe (mbi këto të dyja edhe, sipas dëshmive, ishte ushtruar dhunim seksual). Dituria 6-javëshe, që për çudi mbijetoi këtë masakër, vdiq pas ngjarjes.

Sipas disa të dhënave, gjatë periudhës janar 1998-dhjetor 1999, nga të vrarit e të masakruarit në Kosovë, 945 ishin fëmijë: 45 foshnja, 21 ishin 1-vjeçarë, 26 ishin 2-vjeçarë, 24 ishin 3-vjeçarë, 16 ishin 4-vjeçarë, 19 ishin 5-vjeçarë, 23 ishin 6-vjeçarë, 32 ishin 7-vjeçarë, 16 ishin 8-vjeçarë, 28 ishin 9-vjeçarë, 34 ishin 10-vjeçarë, 38 ishin 11-vjeçarë, 43 ishin 12-vjeçarë, 49 ishin 13-vjeçarë, 63 ishin 14-vjeçarë, 68 ishin 15-vjeçarë, 93 ishin 16-vjeçarë, 163 ishin 17-vjeçarë dhe 144 ishin 18-vjeçarë.

Fëmijët shqiptarë, duke mbijetuar nën qiell të hapur, më 1998

Më 1998 Tribunali Ndërkombëtar për Krimet në Ruandë dënoi majorin Jean Paul Akayesu për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Për herë të parë gjyqi ndërkombëtar i cilësoi dhunimet si akt gjenocidi, me qëllim shkatërrimi të një grupi të caktuar. Më 1998 u dhanë dëshmitë e para për dhunimet e vajzave shqiptare nga forcat ushtarake, paramilitare e policore serbe. Por, ky realitet i hidhur kalonte që atëherë në heshtje.

P.sh. në Vraniq, ndonëse kishte dëshmi se në shtator të vitit 1998 forcat serbe kanë dhunuar një grup femrash, ato kanë refuzuar të përgjigjen. “Dukuria e dhunimit duket se ka përmasa më të mëdha se sa ishim të informuar. Kemi mjaft indikacione dhe shumë pak ose aspak dëshmues për dukurinë e dhunimit të femrave. Kuptohet mjedisi i jonë shumë rëndë e përjeton këtë fenomen që vërtet është i rëndë… Mendoj se askush nuk ka pse të ngurrojë për ta treguar të vërtetën, sepse më e rëndë është zhdukja e së vërtetës, se dëshmimi i saj”, ka thënë Pajazit Nushi, kryetar i KMDLNJ-së, më 1999.

Fatkeqësisht, shqiptarët gjatë kësaj periudhe nuk punuan sa duhet në mbledhjen e dëshmive për krimet serbe. Në plot raste ka ndodhur që organizatat vendore për mbrojtje të të drejtave të njeriut të informohen nga Human Rights Watch dhe gjatë përkthimit të bëjnë gabime. P.sh. paragrafi nga serbishtja për vrasjen e Valmir Deliut, “ubili su Valmira” (e vranë Valmirin), është përkthyer se u vra një vajzë me emrin Valmira (siç e kanë lexuar)!

Nënat dhe motrat vajtojnë më të dashurit e tyre

Ndërkohë, Partia Socialiste e Serbisë, e Sllobodan Millosheviqi, miraton një dokument më 14 dhjetor 1998, që kishte të bënte me kolonizimin e Kosovës me refugjatë nga Kroacia dhe nga Bosnja e Hercegovina. “Ka mundësi reale që atyre t’iu ndahet tokë pune, pasi që kemi vërtetuar se në Kosovë ka mbi 44,529 hektarë tokë e cila mund të ndahet për kolonët serbë dhe malazezë”, thuhet në dokument, ku insistohej të bëhej një regjistrim që do të ulte shumë numrin e shqiptarëve. “Bartësit e veprimtarisë separatiste në Kosovë gjithnjë ishin emigrantët nga Shqipëria. Për këtë shkak është e domosdoshme që me regjistrimin e popullatës dhe në mënyra të ndryshme të vërtetohet numri i tyre (emigrantëve – v. j.) dhe që shteti të marrë qëndrim ligjor ndaj tyre. Llogaritet se numri i emigrantëve nga Shqipëria është mbi 400 mijë”.

Ratomir Taniq, anëtar i delegacionit serb në negociatat me shqiptarët e Kosovës, ka pranuar më vonë se kishin plan për pastrimin etnik të Kosovës. Në fakt, gazeta londineze “Times”, më 8 prill 1999 lidhur me planin në fjalë raportonte si vijon: “Qysh në vjeshtë të vitit 1998 CIA kishte informacione për planin me emrin e koduar ‘Operacioni Patkoi’, me synim që për disa muaj të vriste ose të dëbonte shqiptarët.

Fëmijët e mbetur pa shtëpi…

Fatkeqësisht, në kohën e luftimeve të mëdha me forcat serbe, më 21 shtator në Tiranë do të vritej luftëtari dhe koloneli Ahmet Krasniqi, që ishte ministër i Mbrojtjes i Kosovës. Kjo vrasje e rëndë dhe e pasqaruar deri në ditët e sotme, do të dëmtonte atë që njihet sot si Marrëveshja e Oslos e 21-23 majit të vitit 1998, për bashkërendimin dhe unifikimin e UÇK-së me Forcat e Armatosura të Kosovës (FARK).

“Edhe në Kosovë, në vitet e luftës (1998, 1999) politikanët tanë nuk arritën të mundnin egoizmin e tyre dhe të kuptonin që vetëm së bashku mund t’u përballojnë sfidave të luftës. Po të mos ishin ndërmjetësit amerikanë, politikanët tanë kurrë nuk do të bëheshin së bashku për të shkuar në Konferencën e Rambouilletit”, ka thënë Blerim Shala në një shkrim të tij.

Prandaj, qershori 1998 do të shënonte involvimin e madh amerikan në Kosovë për shpëtimin e shqiptarëve edhe nga vetvetja. Për këtë detyrë u angazhua “Buldozeri” Richard Holbrooke, i cili Kijevën do ta cilësojë si “vendin më të rrezikshëm në Evropë”. Po këtë muaj, më datë 24, ai do të takonte pjesëtarët e UÇK-së, nga ku mbetet i paharruar momenti kur në një odë të Junikut zbathi këpucët kur u fut brenda, e pranë tij me çizme dhe armë rrinte Lum Haxhiu (Hajdin Abazi). Kjo ishte hera e parë që amerikanët pranun UÇK-në si palë në procesin e çështjes së Kosovës. Dhe, ky veprim ishte reagim ndaj hezitimit të Beogradit për të gjetur zgjidhje paqësore dhe për të garantuar të drejtat e shqiptarëve në Kosovë.

Holbrooke në Junik

Para këtij takimi, Holbrooke ishte ai që kërkoi nga lideri politik i shqiptarëve, Ibrahim Rugova, të takojë presidentin e Serbisë, Sllobodan Millosheviq. Ky takim i mbështetur nga amerikanët, do të pasohej me takimin mes presidenti amerikan Bill Clinton dhe Rugovës, në Zyrën Ovale, më 27 maj në Uashington. Në takim me Millosheviqin të pranishëm ishin edhe Fehmi Agani, Mahmut Bakalli dhe Veton Surroi. Takimi në Beograd ishte më shumë dëshmi se shqiptarët janë për zgjidhje paqësore. Ndërsa, dobia ishte vizita në SHBA, ku Bill Clinton i premtoi delegacionit të shqiptarëve të prirë nga Rugova, se “Amerika nuk do të lejojë që në Kosovë të përsëritet Bosnja”. Ky premtim ishte konfirmim i “Vijës së kuqe” që ishte tërhequr për Kosovën nga presidenti George Bush në dhjetor të vitit 1992, e që njihet si “Kërcënimi i Kërshëndellave”, përmes të cilit Serbia paralajmërohej për pasojat nëse nis luftë në Kosovë. Kjo konfirmohet edhe nga kjo e dhënë: më 15 shtator 1998, kur Clinton pyeti gjeneralin Wesley Clark nëse “do të jetë gati të përkujdeset për kosovarët, apo jo…”, Clark ia kishte kthyer: “Po zotëri…”!

Takimi Rugova-Clinton në Uashington

Pra, gjërat nisin të ndryshojnë në favor të Kosovës. Përderisa më 2 maj 1998, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s deklarohen për zgjidhje paqësore të problemeve në Kosovë. Më 12 qershor të po të njëjtit vit, ministrat e Mbrojtjes të NATO-s bëjnë me dije se varësisht nga rrjedhat e mëtejme të ngjarjeve, NATO-ja mund të ndërmarrë masa konkrete, përfshirë edhe intervenimin ushtarak.

Një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës ishte ministri i Jashtëm britanik, Robin, Cook, i cili në emër të Grupit të Kontaktit (që u mblodh pas masakrës ndaj Jasharajve) pati bërë përpjekjen e parë, në mars të vitit 1998, të iniciojë procesin e ndërmjetësimit ndërkombëtar. Ndërsa, kryeministri i tij, Tony Blair, ishte një nga nxitësit më të mëdhenj të intervenimit ushtarak të NATO-s. “E kujtoj sot takimin me Rugovën në ‘Downing Street’. Me vete kishte një gur të çmuar që ma dhuroi dhe të njëjtin e mbaj edhe sot. Më foli shumë për Kosovën, nuk bërtiste ishte shumë i urtë dhe më foli me sinqeritetin më të madh. Më luti dhe më tha: ‘Mos lejo që njerëzit e mi të vuajnë në Kosovë’. Unë i premtova se do ta ndihmoj”, ka thënë Blair gjatë vizitës së tij në Prishtinë, më 2010.

Tony Blair dhe Robin Cook

Por, të gjitha këto paralajmërime hasën në veshin e shurdhër të regjimit serb. Prandaj, ndodhi ultimatumi i 13 tetorit dhe e ashtuquajtura marrëveshje Holbrooke-Milosheviq, e më vonë edhe Rezoluta 1199 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Me këtë rast, gjenerali Clark ia dorëzoi Milosheviqit memorandumin, në të cilin vihej para zgjedhjes: të ndalonte represionin në Kosovë dhe të lejonte hyrjen e vëzhguesve ndërkombëtarë ose të llogariste në sulmet ajrore të NATO-s. Sipas marrëveshjes, lufta duhej të ndalej. Njëkohësisht kërkohej që forcat e NATO-s të bënin edhe kontrollin ajror të zonës. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, serbëve u lejohej të mbanin pikat ushtarake në Pejë, Prizren, Gjilan, Prishtinë, Mitrovicë e Ferizaj dhe atë numër forcash që ishin të pranishme përpara shkurtit 1998. Në këtë mënyrë, numri i militarëve që do të lejoheshin në Kosovë, arrinte shifrën e 10 mijë trupave të ushtrisë federale dhe 15 mijë të policisë. Në atë kohë, në Kosovë gjendeshin 40 mijë forca ushtarake dhe paramilitare, duke përfshirë edhe trupat e Arkanit. Pos kësaj, në bazë të Rezolutës 1199, precizohej edhe çështja e të gjithë njerëzve në arrest, në cilësinë e pengjeve të luftës. Sipas këtyre dokumenteve, ata do të duhej të liroheshin pa kusht – pos atyre që akuzoheshin për krime lufte, për të cilat kompetent do të ishte Tribunali i Hagës.

Wesley Clark dhe Richard Holbrooke

Kjo marrëveshje i dha kohë UÇK-së, së dobësuar nga ofensivat e mëparshme, të rigrupohej e të riorganizohej me formimin e brigadave dhe zgjerimin e rezistencës edhe në rajonin e Podujevës, edhe për faktin se trupat serbe nuk u tërhoqën nga Kosova, por vetëm se u spostuan nga një zonë në tjetrën. Dëshmi për këtë është vrasja në pritë – më 2 dhjetor në Prishtinë – e Hyzri Tallës, Afrim Maliqit e Ilir Durmishit. Prandaj, luftimet shpejt rinisën, për të kulmuar në dhjetor.

Mirëpo, këtë herë e vërteta nuk mund të fshihej, sepse sipas marrëveshjes së 13 tetorit, Serbia pranoi formimin e Misionit Verifikues të Kosovës, sipas Rezolutës 1203 të KS të OKB-së, si një mision i OSBE-së që do të keishte 1800 vëzhgues të huaj, në krye të të cilëve ishte William Walker – amerikani që do ta thotë të vërtetën dhe do ta akuzojë Serbinë për krime kundër njerëzimit.

William Walker inspekton pozicionet e forcave serbe në Podujevë

Viti 1998 ishte vit i atentateve. Më 6 shkurt 1998, në Francë, nga dy persona të armatosur vritet Claude Erignac, prefekti i Korsikës; më 12 shtator, në Tiranë vritet një nga themeluesit dhe deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Azem Hajdari; më 19 nëntor, në Shën Petersburg të Rusisë vritet deputetja e dhomës së ulët të Parlamentit rus, Galina Starovoitova; më 10 nëntor 1998, në Jerevan të Armenisë vritet zëvendësministri i Mbrojtjes, Vagram Khorkhoruni. Po këtë vit, një boshnjak i Konjiqit i quajtur Muamer Topalloviq, thotë se kishte planifikuar të bënte atentat ndaj Millosheviqit. Por, plani i tij shpejt dështoi për shkak të gjaknxehtësisë.

“Në rrethinën e Shabacit mora një taksi (tetor). Taksisti mendonte se jam serb i Bosnjës dhe filloi të lavdërohej për numrin e myslimanëve që kishte vrarë në Sarajevë. Më nxori jashtë taktit. Në fund të rrugës i thashë se nuk do të të paguaj, nxora pushkën nga çanta dhe iu kërcënova se do ta vras. Ai kishte shkuar drejt e në polici dhe më kishte lajmëruar”, do të thotë ai më vonë. “Shumë shpejt më rrethoi policia, më arrestoi dhe më dërgoi në stacionin policor. Atje më morën në pyetje plot 24 orë dhe vazhdimisht më rrahën. Nuk u tregova se jam nisur për të vrarë Milosheviqin, por u thashë se jam nisur për në Kosovë. Nuk më besonin. Më rrihnin me shkopinj gome, me duar, me këmbë… Më futën në burg si një kriminel”.

Se serbët nuk i respektojnë marrëveshjet ndërkombëtare, tregon edhe ky boshnjak që 35 muaj ka vuajtur në burgjet serbe e që në dëshminë e tij ka thënë se në Burgun e Mitrovicës së Sremit ishin 400 shqiptarë të cilit nuk kishin as shtrat për të fjetur.

Muamer Topalloviqi, sërish në gjykatore, për vrasje të tre anëtarëve të familjes serbe Angjeliq në Konjiq, në natën e Krishtlindjeve të vitit 2002

Shqipëria më 1998 nisi të kaptohej nga kriza e refugjatëve nga Kosova, por edhe nga problemet e brendshme politike dhe ekonomike që kishin tronditur vendin një vit më parë. Kryetar i shtetit ishte Rexhep Meidani, ndërkaq më 2 tetor, Pandeli Majko do të bëhej kryeministër.

Më 1998 vdes këngëtari Falco, aktori Lloyd Bridges, pediatri Benjamin Spock me librin e të cilit “Foshnja dhe përkujdesja për fëmijën” u rrit gjenerata e hipikëve, psikopati Pol Pot i Kamboxhias, që vrau deri në tre milionë banorë të shtetit që udhëhiqte, nobelisti Octavio Paz, aktori Frank Sinatra dhe regjisori Akira Kurosawa. Ndërsa, filmi “Titanic” është i pari film në botë që do të fitonte një miliard dollarë. /Telegrafi/

Benjamin Spock ka thënë: Si aktivist i paqes, tronditem nga agresiviteti dhe dhuna që nxitet nga televizionet, filmat dhe lodrat e luftës!

Moikom Zeqo: Statusi i kulturës gati zero, artistët janë njerëzit më të varfër

Studiuesi edhe dijetari Moikom Zeqo analizon kulturën për vitin që lamë pas. Sipas tij, kumtesat që u mbajtën në Vitin e Skënderbeut ishin nivel i dobët, por edhe arkeologjia, teatri edhe artet pamore nuk kanë pasur kulme.

2018-ta në art është konsideruar një vit debatesh, që ka la pezull shumë çështje. Artistët e Teatrit Kombëtar vazhdojnë të presin ndërtimin e godinës së re. Artistët e arteve pamore pas mbylljes përfundimisht të ekspozitës ndërkombëtare “Onufri” (edicioni i XXIV-të), por edhe me nisjen e rikonstruksionit të Muzeut Historik (2019), dita-ditës kanë më pak mundësi për ekspozim.

Spektaklet muzikore, që kanë në qendër muzikën joserioze kanë lënë në hije këngëtarët e mirëfilltë. Këto, por jo vetëm studiuesi edhe dijetari Moikom Zeqo për “ReportTV’ i analizon nën këndvështrimin e një kritiku, që i ka parë edhe ndjekur nga afër aktivitetet.

“Nuk mund të jap një përgjigje prej specialisti për gjithçka, sepse nuk jam. Natyrisht që e kam përjetuar vitin 2018 gjerësisht në aspektin kulturologjik. Mund të them se ka pasur një aspekt kulturologjik lidhur me Vitin e Skënderbeut, kam ndjekur sesionet shkencore. Kumtesat ishin në një nivel më të ultë se në vitin 1968, që u bë 500-vjetori i lindjes së Skënderbeut,”- Moikom Zeqo, studiues.

Për profesorin sa i përket jetës kulturore, jeta e teatrit nuk ka kulme, përpos që ka probleme të caktuara dhe konflikte.

“Jeta e teatrit ka një shkëlqim kur promovohen artistë, emra, personalitete. Takova mikun tim, Robert Ndrenikën, e pyeta a ka ndonjë talent? “Ka disa”, tha, “por kërkojnë regjisorë edhe kushte që mungojnë”. Nuk mendoj se ka ndonjë shkëlqim teatri, ka përpjekje, por jo shkëlqim të madh,”- tha Moikom Zeqo, studiues.

Sa i përket fushës së albanologjisë, Zeqos i vjen keq, që arkeologjia shqiptare është në një nivel të mjeruar.

“Jo vetëm që nuk përbëjnë gërmime, por as studime. Nuk ka revista për të botuar studime”.

Sa i përket kinematografisë, ka disa filma me metrazh të shkurtër, por në këto 30 vite ai nuk di që të ketë një film që ka masivitet.

“Janë filma që shfaqen midis vet kineastëve, por kjo mua më shqetëson shumë, se janë 28 vite, edhe nuk janë pak. Ky shqetësim imi nuk ka të bëjë me karakterin kritizer që mund të kenë disa njerëz, se mua nuk më intereson kjo çështje, më intereson zhvillimi. Nuk beson se aspektet e tjera siç është restaurimi i monumenteve, që ndonjëherë mburret kjo Ministria jonë e Kulturës, mburret kot në mënyrë euforike”.

Flet edhe për shtimin e leximit të librit, bibliotekave të lagjeve apo botimeve ndalet tek panairi i Librit

“E pashë Panairin, ka shumë libra, por janë libra për konsumatorë të niveleve mesatare. Libra të rëndësishëm nuk ka. Kjo ndodh edhe me çmimet që ne japim, që shumë herë janë klientelesite, sipas njohjeve apo jurive që bëjnë promovimin e njëri-tjetrit. Nuk shoh ndonjë zhvillim për vitin që lamë pas”.

Artet pamore janë më të ndërlikuara, por Zeqo veçon ekspozita të suksesshme të Gazmend Lekës, të Marc Chagall-it, ndërsa ekspozitat e tjera që janë hapur, për të kanë një nivel horizontal edhe një lloj ngjashmërie të stileve të artistëve me njëri-tjetrin, sepse nuk kanë shpalosje të krijimit të personaliteteve.

“Janë ekspozita të bëra nga artistë të para viteve ’90. Ku janë artistët e rinj? 28 vite janë shumë. Të gjitha këto janë konvencionale edhe unë kriticizmin tim duhet ta shikoj në zhvillimin e artit në përgjithësi. Por në Shqipëri mjedisi frymëzues për artistët është shumë i akullt,më shumë ngrohtësi mund të gjesh në ekspozita që bëhen jashtë vendit se këtu. Komuniteti i piktorëve kanë shumë grindje me njëri-tjetrin, këto ekzistojnë kudo në botë, por këtu ka një frymë asgjësuese. Duhet që të ketë frymë stimuluese të artit”.

Nga na tjetër e quan skandal çështjen e spektakleve muzikore.

“Spektaklet muzikore janë për të qarë hallin, tallavaja apo muzika e incizuar. Harxhohen shumë lekë e bëhen video marramendëse, aq sa gjithçka duket surrelae. Kur ka ndonjë vepër serioze, siç është Simfonia e Aleksandër Peçit për Skënderbeun, nuk promovohet”.

Studiuesi shprehet se rinia quhet në mënyrë perzhorative, rina e Facebook-ut, por kjo nuk është e vërtetë!

“Ka edhe njerëz shumë inteligjentë që duan të krijojnë personalitet të vërtetë shkencorë-artistikë. Fryma e përgjithshme mbetet brenda parabolës së Facebook-ut. A do të ketë forca për të ndryshuar këtë status quo, besoj se po. Por, sot për sot shikoj një lëvizje prej llumi, jo prej lëvizje të një lumi heraklitian. Ne kemi një lloj ngadalësie të madhe, që na ka bërë që të ngadalësohen edhe konceptet. Duhet të kishim artistë të rinj, historianë të rinj, shkrimtarë të rinj, që duhet ta zhvillonim këtë. Që rinia mos të bjerë në batakun e largimit, por të ketë shpresë. Kur rinia bie në batakun e një shprese, që nuk e arrin, ajo kthehet në një anti-shpresë edhe rinia ikën. Statusi i kulturës është gati zero. Njerëzit e kulturës janë njerëzit më të varfër, nuk botojnë dot as librat e tyre, ndërkohë që duhet të stimulohen nga shteti,”- e mbylli Zeqo.

Studiuesi i sheh gjërat shumë serioze, pasi për kulturën shqiptare nuk janë ditët e arta, megjithatë ai shpreson në forcat e brendshme të njerëzve të këtij vendi, se gjerat do të vijnë drejt përmirësimit.

“Jeta është e mrekullueshme, nëse njerëzit të lënë rehat në punën tënde”

Edhe ata që nuk janë rritur me Charlie Chaplin dhe filmat e tij, e njohin endacakun.

Edhe sot mund të thuash që: Charlie Chaplin është shumë më tepër se sa një aktor.

Ai është një legjendë!

Sir Charles Spencer Chaplin (Lindur në 16 prill 1889 në Ualuorth, Londër, ndarë nga jeta në 25 dhjetor, 1977 në Corsier-sur-Vevey, Zvicër) ishte një regjisor, kompozitor dhe aktor komik i famshëm…

Babai ishte një vokalist me shumë dhunti dhe aktor, por i vdiq kur Cherlie ishte 10 vjeç, për shkak të problemeve me alkoolin.

Nëna e tij ishte aktore dhe këngëtare, por ajo iu shtrua në një spital psikiatrik.

Ndaj, fëmijëria e Charlie Chaplin ishte tragjike, u rrit mes varfërisë dhe lagjeve të rrënuara.

Nisi të nxjerë fitime që në moshën 8 vjeç dhe vit pas viti, ai u bë nr.1 në kinematografi, duke u bërë i pari aktor që doli në kopertinën e revistës prestigjioze të kohës “TIME”.

Përveçse me role që e kanë skalitur në kinematografi, siç është ai i endacakut, Chaplin ka lënë edhe shumë aforizma brilante.

31 THËNIE NGA CHARLIE CHAPLIN:

1. Jam në paqe me Zotin. Konflikti im është me Njeriun.

2. Ne mendojmë shumë dhe ndjejmë pak.

3. Një prej ironive të jetës është që të bësh gjënë e gabuar, në momentin e duhur.

4. Asgjë nuk është e përhershme në këtë botë të ligë – as edhe telashet.

5. Një ditë pa qeshur, është një ditë e çuar dëm.

6. Karakteri i vërtetë i një burri shfaqet kur ai është i dehur.

7. Që të qeshësh me të vërtetë, duhet ta marrësh dhimbjen tënde, dhe të luash me të!

8. Më pëlqen gjithmonë që të eci në shi, kështu askush nuk do të më shohë duke qarë.

9. E qeshura është zbutësi i dhimbjes.

10. Dëshpërimi është një narkotik. Ai e vë mendjen në gjumë dhe e shpie drejt indiferencës.

11. Jeta do të ishte e mrekullueshme, nëse njerëzit do të mund të të linin rehat.

12. Imagjinata nuk është asgjë, pa veprimin.

13. Dhimbja ime mund të jetë arsyeja për të qeshurën e dikujt. Por e qeshura ime nuk duhet të jetë kurrë arsyeja për dhimbjen e dikujt.

14. Të ndihmosh një mik në nevojë është e kollajtë, por t’i japësh atij kohën tënde nuk është gjithmonë e favorshme.

15. Më mirë të vdesim, se sa të vazhdojmë të jetojmë kështu.

16. Gjëja më e trishtë që mund të imagjinoj, është që të mësohem me luksin.

17. Nuk do ta gjesh asnjëherë ylberin, nëse sheh poshtë.

18. Unë mbetem një gjë, dhe vetëm një gjë, dhe kjo është një klloun. Më vendos në një avion shumë më të lartë, se sa çdo politikan.

19. Nuk kam nevojë për drogëra për të qenë një gjeni, mos mendoni se një gjeni është njerëzor. Por unë kam nevojë për buzëqeshjen tuaj, që të jem i lumtur.

20. Fjalët nuk kushtojnë. Gjëja më e madhe që mund të thuash është “elefant”.

21. Ne të gjithë duam të ndihmojmë njëri-tjetrin. Të tilla janë qeniet njerëzore. Ne duam të jetojmë me lumturinë e njëri-tjetrit, jo me mjerimin e njëri-tjetrit.

22. Mbaj mend, gjithmonë mund të përkulesh dhe të mos kapësh në tokë asgjë.

23. Jeta është tragjedi kur e sheh nga shumë afër, por kur e sheh nga larg, është një komedi.

24. Pushteti shërben vetëm për të bërë ndonjë dëm, për çdo gjë të hajrit mjafton dashuria.

25. Dështimi është i parëndësishëm. Duhet kurajë për t’u shfaqur si budalla.

26. Për çfarë të duhet një kuptim? Jeta është një dëshirë, jo një kuptim.

27. Diktatorët e çlirojnë veten, por i skllavërojnë të tjerët.

28. Ne mendojmë tepër shumë dhe ndjejmë tepër pak.

29. Një vrasje të bën kriminel, një shfarosje të bën hero. Shuma shenjtëron.

30. Qetësia është një dhuratë universale, që pak njerëz dinë të vlerësojnë.

31. Gjëja më e trishtuar që mund të imagjinoj është të jem i mësuar me luksin. /filozofia.al / KultPlus.com

Varrimi i babait tim

Nga Xhevdet Bajraj.

Babai im e ka pasur një jetë të mirë
ishte i ndershëm
ndihmonte njerëz të njohur dhe të panjohur
ka qenë dhe partizan
patriot (qëndroi tetë vjet në ekzil)
burrë
baba dhe gjysh i mirë

Por në fund
numri i njerëzve që shkuan në varrimin e tij
u ndikua
nga temperatura nën zero
nga dëbora
dhe sepse njerëzit nuk kishin kurrfarë interesi
nga një plak i vdekur./ KultPlus.com

Për ty, po mbi të gjitha për mua

Është fundvit.
Le të ngremë një dolli.
Le ti trokasim gotat, si tregues i hershëm i gëzimit dhe festës.
Të ngremë gotat për ata që nuk na mposhtën dot, as këtë vit. Por me armiqësinë dhe mungesën e dashurisë në zemrat e tyre, na mësuan shumë edhe këtë vit.
Të ngremë një dolli për ata që na duruan, që na mbështetën, që nuk na i kursyen kurrë duartrokitjet edhe për më të voglat arritje, edhe këtë vit.
Për ata që me përqafime, na e kthyen buzeqeshjen e humbur.
Për ata që na shoqëruan, që na ruajtën krahët, ata që nuk i humbëm as këtë vit.
Për ata që këtë vit erdhën, po për të mos ikur. Për miqtë e rinj, që i bën vetes vend.
Për këdo që na e ndryshoi ritmin e rrahjeve të zemrës në kraharor nga lumturia dhe emocionet e bukura.
Për familjen, jo vetëm atë të gjakut, po për atë të madhen. Për të gjithë ata që janë shumë më shumë se sa lidhje gjaku.
Për miqtë, ata të vërtetët, ata që treguan se janë kuptimi i një jete të lumtur, edhe këtë vit.
Së fundmi, për veten, edhe këtë vit, edhe atë tjetrin që do vijë.
Çdo vit !
Të duam veten më shumë, ta vlerësojmë veten më shumë, se nga dashuria për veten nis çdo gjë. Të duam atë që shohim në pasqyrë, profesionin që kemi zgjedhur, dhe vendin të cilit i përkasim. Vetëm kur t’ja kemi mësuar vlerat vetes, do arrijmë të jemi të aftë për të ndihmuar, do jemi të aftë për të dhuruar dashuri dhe tek të tjerët. Sepse vetëm duke qënë të mirë me veten, do mund të jemi të mirë edhe me të tjerët. Sepse ata që na rrethojnë meritojnë më të mirën, ne duhet t’jua japim veten të mbushur me dashuri e pozitivitet, pa ankesa, pa mëri. Të mundemi të jemi ashtu siç e meritojnë ata që më së shumti duam!

Për një vit të ri, të qeshur. Ku mos t’ju mungojë guximi, forca, buzëqeshja. Për një vit siç jua duan zemrat. Për një vit plot dashuri e miq!

Për ty, po mbi të gjitha për mua…që të mund të jem plot diell për ata që diellin s’ma kursyen kurrë edhe kur veç stuhi e furtunë kisha.

Gëzuar!/ KultPlus.com

Osman Sefa, Ibrahim Sefa, Hashim Shala dhe Zejnullah Bajrami në fokusin e Bujar Gashit

Fotografi Bujar Gashi duke pasur në zemër fotografinë dhe duke qenë anëtar i familjes së bijve të Sefës kishte dëshirë që secilit këngëtar të muzikës folklorike fotografike ti realizonte një portret.

Dëshira e tij ka bërë që shumë këngëtarë të pozojnë para tij, ndihmuar edhe nga Ministria e Kulturës.

Bujar Gashi i vendosur për të realizuar dëshirën e tij dhe me ndihmën e babait të tij Imer Sefës dhe xhaxhait Ibrahim Sefës ka përpiluar një listë në kërkim të personazheve që do i fotografonte e që prapa kishin një bagazh të pasur muzikor.

Disa prej fotografive janë realizuar në Prishtinë ndërsa disa të tjera nëpër oda e hapësira të improvizuara në vendet ku jetonin këta këngëtar.

Bujar Gashi ka treguar për KultPlus se ai deri tani ka fotografuar 27 këngëtarë të folklorit duke përfshirë kështu pothuajse gjithë territoret e Kosovës.

“Sa nga ta kemi sot, sa prej tyre u dëgjohet akoma zëri, e sa nga ta s’do i shohim më kurrë? Çfarë ndjej unë kur ne humbim njerëz të tillë, kur shoh fotografitë që dikur janë bërë nga unë? Çfarë ndjej unë kur ne humbim njerëz të tillë, kur shoh fotografitë që u kam bërë, kur shoh që ne varrimin e tyre përdoret fotografia që dikur ju bëra unë? Padyshim që ndihem keq dhe momentet që kalova me ta do me mbesin çdo herë pjesë e kujtimeve të mia me të mira”, është shprehur ai për KultPlus.

Më poshtë mund të gjeni disa fotografi të realizuara nga Bujar Gashi ku mund të shihni këngëtarët e folklorit: Osman Sefa, Ibrahim Sefa, Hashim Shala dhe Zejnullah Bajrami ./ KultPlus.com

“E humbëm edhe këtë mbrëmje”

Poezi nga Pablo Neruda.


E humbëm edhe këtë mbrëmje.
Askush nuk na pa të zënë për dore
kur muzgu i kaltër binte mbi botë.

Nga dritarja unë pash’
lodrimin e perëndimit mbi kodrat e largëta.

E pastaj, si një monedhë,
një copëz dielli u përndez në duart e mia.

Të kujtova ty me shpirtin e ndrydhur,
me atë trishtimin që ti ke njohur tek unë.

Ku ishe ti në atë kohë?
Me ç’njerëz?
Çfarë fjalësh u thoshe?
Oh, pse më ndodh kështu: dashuria shpërthen përnjëherësh,
kur jam i trishtuar dhe kur ti je larg?

Libri që marr të lexoj mbrëmjeve më ra nga duart
dhe te këmbët e mia, si një qen i plagosur, u rrotullua perëndia.

Gjithnjë, gjithnjë sapo vjen mbrëmja ti ikën,
deri ku muzgu bredh duke tretur statujat.

15 fraza filozofike mbi dashurinë dhe mençurinë


“Gjëja vërtetë e rëndësishme është jo vetëm të jetosh, por të jetosh mirë dhe për të jetuar mirë do të thotë, mes shumë gjërave tjera të kënaqshme në jetë, të jetosh sipas parimeve tua.” – Sokrati

“Njerëzit, ashtu sikur shumë kafshë, kanë rënë brenda zakonit të secilit njeri për të menduar vetëm për interesat e veta personale dhe e kanë arritur ekstremin e krenarisë, në të cilin, ashtu sikur kafshët, ata egërsohen dhe sulmojnë edhe për bezdin më të vogël. Prandaj, pavarësisht sa është e madhe turma, ata po jetojnë sikur kafshët e egra në një vetmi të thellë të shpirtit dhe vullnetit.” – Giambattista Vico

“Ju mund ti këpusni të gjitha lulet, por nuk mund ta ndalni ardhjen e pranverës.” – Pablo Neruda

“E vërteta nuk është diçka që është jashtë dhe duhet zbuluar, por diçka që është brenda dhe duhet kuptuar.” – Osho

“Ne kurrë nuk jemi më të pambrojtur ndaj vuajtjes se sa atëherë kur dashurojmë.” – Sigmund Freud

“Nëse dashuria nuk është marrëzi, ajo nuk është dashuri.” – Pedro Calderón de la Barca

“Pyetja kryesore për jetën pas vdekjes nuk është nëse ajo ekziston vërtetë ose jo, por nëse ekziston çfarë problemi realisht zgjidh?” – Ludwig Wittgenstein

“Mënyra më e pabesë për ta dëmtuar një kauzë është mbrojtja e qëllimshme e saj me argumente të gabuara.” – Friedrich Nietzsche

“Mos e trajnoni një fëmijë të mësojë me forcë ose vrazhdësi, por drejtojeni deri tek njohja përmes asaj që e argëton mendjen e tij, sepse në këtë mënyrë ju do të keni më shumë mundësi ta zbuloni me saktësi, aftësin e veçantë të gjenialitetit të secilit.” – Platoni

“Është mirë të duash shumë gjëra, sepse aty qëndron forca e vërtetë dhe kushdo që dashuron shumë, ai edhe bënë shumë, përmbush shumë dhe çkado që bëhet më dashuri, bëhet mirë.” – Vincent Van Gogh

“Kam mësuar përmes disa përvojave të hidhura një mësim suprem: ta ruaj zemërimin; ashtu sikur se nxehtësia e cila nëse ruhet mund të shndërrohet në energji, ashtu edhe zemërimi ynë nëse kontrollohet mund të shndërrohet në një forcë e cila mund ta lëviz botën.” – Mahatma Gandhi

“Çdo gjë është e mirë përderisa vjen nga duart e krijuesit të botës, por ajo degjeneron atëherë kur bie në duart e njeriut.” – Jean-Jacques Rousseau

“Të gjitha gjërat e mëdha, fillimisht duhet të mbajnë maska tmerruese dhe të llahtarshme, në mënyrë që ta skalisin veten në zemrën e njerëzimit.” – Friedrich Nietzsche

“Dashuria është si një Pemë: ajo rritet nga vetvetja thellë në qënjen tonë dhe vazhdon të lulëzojë mbi një zemër. Një fakt i pashpjegueshëm rreth saj është se dashuria sa më e verbër që është, aq më këmbëngulëse është ajo. Ajo kurrë nuk është me e fortë se sa atëherë kur është plotësisht e paarsyeshme.” – Victor Hygo

“Njeriu më së paku është vetvetja atëherë kur ai flet nga personaliteti i tij. Jepi atij një mask dhe ai do të ta thotë të vertetën.” – Oscar Wilde/filozofia.al /KultPlus.com

Shfaqja “Bretkosa” një dramë që të prek thellë

Ekrem Kryeziu

Pas mbylljes së Festivalit të Dytë Ndërkombëtar Teatror, në fund të vitit 2018, në skenën e madhe të Teatrit “Faruk Begolli” të Kolegjit AAB, ku garuan trupat teatrore nga Kosova, Italia, Bullgaria, Kroacia, dhe Shqipëria (me dy drama), në vigjilje të Vitit të Ri 2019, me 26 dhjetor 2018 në orën 20, u inaugurua edhe një skenë teatrore në këtë institucion universitar – skena kamertale.

Me inaugurimin e kësaj salle u hap edhe një dritare, që frymëmarrjes teatrore në Kosovë, t’ i shtohet fuqia. Me këtë hap, Kolegji AAB po bëhet jo vetëm qerthull i dijes po edhe institucioni më i kompletuar teatror në Kosovë.

Trupa “Ad hoc” e AAB-së, në këtë sallë shfaqi dramën “Bretkosa” të autorit nga Kroacia, Dubravko Mihanoviq, e adaptuar për shikuesit e Kosovës nga dramaturgja Seadet Beqiri. Tema e kësaj vepre, për kah ideja, ngjason me të gjitha dramat nga letërsitë vendeve që kanë përjetuar luftëra.

Karakteristikë kryesore e kësaj vepre, që atë me nder e radhit krahas veprave të proveniencës së letërsisë botërore War and after war (Lufta dhe pas lufta) njerëzorja është në plan të parë. Edhe pas mbarimit të luftërave plagomat që lënë luftërat në njeriun vështirë shërohen.

Drama “Bretkosa”, e ndërtuar dhe e adaptuar mbi këto koordinata stilistike, bëri që publiku shqiptar në këtë sallë kamertale të Kolegjit AAB ta përjetojnë thellë fatin e personazheve ngase kjo temë sa ishte botërore ishte edhe plagomë e popullit shqiptar të Kosovës

“Kuarteti” i aktorëve, i prirë nga Ilir Tafa, “berberi”, kryepersonazhi i kësaj drame, rolin e të cilit Ilir Tafa gjatë shfaqjes, e ndërtoi me ritme dhe kundër-ritme, sa fizik aq edhe njësorë. Variacionet e interpretimit të tij shquheshin edhe me të folurit sa me turp, sa me plasje të herëpashershme që shënjonin baticat dhe zbaticat e oqeanit të dhembjes që buburitë në shpirtin e “Berberit”, ish luftëtar të cilit i ishin vrarë shokët e togut e ai e mallkonte veten që ka shpëtuar. Plasjet e tij,

hove hove ngjasonin me erupsione “vullkanike” që nuk e lënin të qetë shpirtin e tij.

Interpretimin “filigran” të Ilir Tafës denjësisht e përcollën Donat Qosja, Basri Shala dhe Valmir Krasniqi. Secili veç e veç dhe të gjithë së bashku, të mbikëqyrë nga regjisorja Burbuqe Berisha dhe asistenti i saj Ledri Vula, dëshmonin në mënyrën më njerëzore për pasojat që lufta dhe paslufta kishte lënë vragë të mëdha në personazhet që ata luanin.

Kjo shfaqje, jo vetëm që e meriton por, e ka për obligim kulturor që të nisë një pelegrinazh teatror nëpër çdo qytet të Kosovës, patën apo s’ patën sallë teatri, ngase shfaqje e mrekullueshme është e “paketuar” ashtu që të komunikojë me sukses kudo që të shfaqet dhe nga akëcila “skenë” të ngritet ajo komunikon me sukses me shpirtin e molisur të atyre që plagomat e luftës ende lëngojnë në ta, e të atillë ka anë e kënd Kosovës./ KultPlus.com

Filmi “Rreze” fitues në World Film Festival

Filmi ‘Rreze’ /Ray/ i realizuar sipas nje flete të ditarit të famshëm të Rreze Abdullahut e me regji te Lorena Sopit, është fitues në World Film Festival, i cili është mbajtur nga data 01 – 30 dhjetor në New South Wales  të Australisë.

Në kategorinë e filmit të shkurtër, kanë qenë të nominuar katër filma: Healers – Francë,  Rreze- Kosovë, Yet Another Breakup – Belgjikë, Arrested Prisoner – Brazil. Filmi ‘Rreze’ nga Kosova, ka fituar çmimin kryesor në  këtë kategori– Best Short Drama.

Filmi ‘Rreze’ i cili pati premierën ne Cannes Film Festival – Short Corner, ne muajin maj te ketij viti, deri tani ka qene pjesë e  pesëmbëdhjetë festivaleve ndërkombëtare dhe ka fituar pesë çmime. Filmi më i mirë evropian – në Europa Film Festival në Barcelonë,  Filmi më i mirë i luftës në Festivalin Movie Pro Screen në Los Angeles të SHBA-ve, Award of Merit në Festivalin Best Shorts Competition – La Jolla, të SHBA-ve, Merit Award në Canada Short Film Festival  në Vancouver të Kanadasë, si dhe  Best Drama Short në World Film Festival.

Filmi Rreze’ është prodhim i kompanisë AS Film Production nga Prishtina.

Në rolet kryesore: Agron Shala, Glorioza Shala, Aurita Agushi, Beslidhje Bytyqi, Selman Lokaj, etj.

Drejtor fotografie: Besnik Hasolli. Zëri: Gëzim Rama. Skenograf: Uran Duli, Kompozitor: Mendi Mengjiqi. Regjisore: Lorena Sopi./ KultPlus.com

Ja pse leximi i bën mirë trurit

Librat na bëjnë të ëndërrojmë, na ndihmojnë të zhvillojmë imagjinatën. Në fakt, kjo është shumë romantike, por të lexuarit ka dhe efekte reale për mendjen. Një libër bën të ndodhin gjëra në trurin tonë.

Na ndihmon të bëhemi më emotivë, por mund të ndodhë dhe që të mendojmë se kemi përjetuar ndjenja dhe eksperienca që në fakt vetëm i kemi lexuar. E besoni? Ky është një studim i “Open Education Database”, që ka hartuar dhe një klasifikim të gjërave që ndodhin në mendjen tonë kur lexojmë një libër.

  1. Automatikisht ndezim vizualizime të momentit: Kur lexojmë një libër, edhe pse nuk e duam, truri ynë fotografon objektet dhe vendet e përshkruara. Kjo ndihmon për të krijuar një botë ekskluzivisht të realizuar në mendjen tonë. Sipas disa studimeve shkencore, është zbuluar se disa persona e njohim më shpejt një objekt nëse sapo kanë lexuar diku një përshkrim të tij.
  2. Të dëgjosh fjalët vë në punë trurin: Shpesh është thënë, sidomos për të vegjlit, që leximi me zë të lartë ka një rëndësi të madhe. Jemi mësuar të dëgjojmë narracione të llojeve të ndryshme dhe truri ynë është mësuar t’i imagjinojë informacionet.Pra, mendoni se sa funksionale mund të jetë ta dëgjosh një libër, në versionin audio, ose ta dëgjosh nga dikush që e lexon. Provojeni me fëmijët, do të dalloni menjëherë suksesin.
  3. T’i lexosh eksperiencat është ekuivalente me përjetimin: Keni provuar ndonjëherë që të jeni tërhequr nga historia e një libri, të jeni përfshirë tërësisht në eksperiencat e personazheve? Kjo ndodh në radhë të parë sepse libri ju pëlqen, por dhe se truri nuk e kupton se thjesht po lexoni një libër dhe kështu mendja juaj është njësoj sikur po i përjetoni realisht ato eksperienca. Mes jush dhe librit krijohet një sintoni e këndshme.
  4. Disa lloje leximesh e simulojnë më mirë trurin: Zakonisht lexoni për kënaqësi, apo për punë? Sipas studiuesve të “Stanford University”, lloje të ndryshme leximi e simulojnë më mirë trurin. Leximi letrar simulon më shumë funksionet konjiktive, ndërsa ai për kënaqësi shpërndan më mirë gjakun në disa zona të trurit.
  5. Të lexosh në gjuhë të huaj ndihmon trurin të rritet: Nuk keni njohuritë e duhura të anglishtes apo frëngjishtes? Mos u shqetësoni. Sforcohuni të lexoni librat në gjuhën origjinale. Kjo do ta ndihmojë trurin të rritet. Sipas studimeve të kryera mbi një grup studentësh, u zbulua se pas një leximi intensiv tremujor u dallua një përmirësim në hipokamp dhe në zonën cerebrale.
  6. Po me e-book çfarë ndodh? Nëse jeni mësuar të shfletoni libra kalimi te e-book mund të duket një hap epik. Në fillim nuk do të ndiheni rehat, por ekspertët sigurojnë se trurit do t’i duhen vetëm shtatë ditë për t’u përshtatur me metodën e re.
  7. Struktura e historisë na ndihmon të mendojmë më mirë: Çdo libër përbëhet nga tre pjesë, fillimi, zhvillimi dhe fundi. Kjo e ndihmon trurin të mendojë me sekuenca dhe të zhvillojë aftësinë e përqendrimit. Pikërisht për këtë, studiuesit sugjerojnë që fëmijët të futen sa më shpejt në botën e librave.
  8. Leximi ndryshon strukturën e trurit: Lexues lind apo bëhesh? Kjo është një pyetje të cilës ende nuk i është dhënë një përgjigje. Disa studiues kanë bërë një test për të kuptuar se çfarë efekti ka leximi në trurin tonë dhe dalluan se në 6 muaj program leximi materia e bardhë e trurit, në zonën e leximit, ishte rritur në mënyrë të dukshme.
  9. Të lexuarit na bën më emotivë: Të zhytesh në një histori, të shijosh aventurat e personazheve faqe pas faqeje na bën më emotivë edhe në jetën reale. Leximi me shumë endje na bën të provojmë emocione më të thella, si kur lexojmë një libër po ashtu dhe në jetë./botimeshqip /KultPlus.com

Përgatiti: Elona Qose

Televizioni i famshëm gjerman me dokumentar për Baletin Kombëtar të Kosovës

Televizioni i famshëm gjermano-francez “ARTE” i ka bërë një dokumentar interesant Baletit Kombëtar të Kosovës.

Televizioni filloi rrëfimin duke treguar se balerinët përmes artit të tyre duan të inkurajojnë bashkatdhetarët e tyre që të qëndrojnë në Kosovës, vend ky që në dokumentar përshkruhet si vend i varfër, transmeton gazetametro.net.

Në dokumentarin shihet balerina Teuta Krasniqi, i cili rrëfen se si kolegu i saj Sinan Kajtazi, poashtu balerin në Baletin Kombëtar të Kosovës, ka bërë kompozimin dhe koreografinë e një shfaqje.

Tutje në dokumentar tregon se si Teuta dhe artistët e tjerë ushtrojnë në bodrumin e teatrit në kryeqytetin e Prishtinës, në një dhomë që është shumë e vogël për 20 kërcimtarë – dhe për ëndrrat e tyre të mëdha.

“28-vjeçarja Teuta konsiderohet balerina më e mirë në Kosovë, por ajo nuk e di se sa kohë do të jetojë atje. Edhe pse ajo është një balerinë e parë në Baletin Kombëtar, ajo nuk mund të përballojë banesën e saj dhe ende jeton me prindërit e saj. Luljeta Ademir, e cila ka qënë në ansambël për 17 vjet, u jep mësime baletit fëmijëve që të arrijnë fundin. Sinan Kajtazi dëshiron të tërheqë vëmendjen për gjendjen e valltarëve të Baletit Kombëtar me punën e tij të fundit. Megjithë kushtet e vështira, paga të dobëta dhe perspektiva mezi të disponueshme, artistët e konsiderojnë atë një nder të veçantë për të qenë pjesë e Baletit Kombëtar. Përmes artit të tyre, ata gjithashtu dëshirojnë të përhapin besim dhe t’i bëjnë bashkatdhetarët e tyre të ndjehen të vlefshëm për të qëndruar në vendin e tyre të varfër dhe për të qenë krijues”./ KultPlus.com

Sarah Bernhardt në muzeun e famshëm Marubi

Një foto e Sarah Bernhardit, aktores së njohur franceze, është ekspozuar në Muzeun e Fotografisë Marubi, pjesë e ekspozitës së atelierit Nadar të kuruar nga Michel Poivert.

“Monstre sacré”, siç Jean Cocteau e quante Sarah Bernhardtit, përshkon të gjithë historinë e Atelierit Nadar.

E fotografuar nga Félix Nadar që në moshën 15-vjeçare kur nisi në studiojë në Konservatorin e Artit Dramatik, ajo do të bëhet e famshme në skenat më të mira të kohës falë fotografive të Paul Nadar.

Bernhardt bëri famë në skenën franceze në vitet 1870-ta, në fillim të periudhës së Belle Epokës dhe u shndërrua shumë shpejt në kërkesë për Evropën dhe Amerikën. Ajo zhvilloi karrierën si një aktore serioze dramatike, duke fituar nofkën “Sara Hyjnore”./insajderi.com/ KultPlus.com

‘Dua ta pastroj veten time për këtë Janar’

Dhe ky vit përfundoi. I shtrova të treqind e gjashtëdhjetë e pesë ditët para meje në tepihun e dhomës së ditës. 
Ja ku është muaji kur vendosa të hudh poshtë çdo gjë që nuk ishte zotuar e ngulitur thellë në ëndrrat e mia. Ja ku është dita kur refuzova të jem viktimë e keqardhjes. Këtu është edhe java kur fjeta në kopsht. Ja edhe pranvera kur ia lidha lakun vetë-dyshimit dhe e vara lartë mirësinë tënde. E ula poshtë kalendarin. Ja edhe java kur vallëzova aq shumë sa zemra m’u çu peshë dhe mësoi t’lundronte mbi ujë përsëri. Këtu është edhe vera kur i hoqa të gjitha pasqyrat që vireshin nëpër mure; s’pata më nevojë ta shihja veten sa për t’u ndjerë e parë. Ja dita kur i shkurtova flokët dhe ia hoqa peshën e panevojshme kokës…
I palova ditët e mira dhe i futa në xhepin e pasëm, aty do t’ruhen më mirë. Ato të panevojshmet do t’i kremoj. E ndeza shkrepsen. M’u ngrohën gishtërinjtë e këmbëve nga drita e zjarrit.
Tani po e mbushi gotën me ujë të ngrohtë, ta pastroj veten për Janar. 
Dhe ja ku jam edhe më e fortë dhe më e zgjuar – gati për vitin e ri.

Rupi Kaur

‘Ky vend t’len me jetue në kasolle që uji t’pikë mbi krye’

Autore: Miranda Dobraj

Ma nuk i due urimet. Aq ma pak ato që pa pikë marre ta urojnë nji vit të mirë. S’jam t’u i dashurue ma festat, as dritat në shpirta të zymtë, në mendje të sëmura, e në trupa të lodhun. Vendi ynë të dhuron çmenduninë, të ban me e njoftë anën ma të fortë që me u msue me mbijetu.

Ky vend t’len me jetue në kasolle që uji t’pikë mbi krye pa ndje as marre e as mshirë për kryet tand që e mbush si një kofe. E mbush me t’pshurrt e vet, e të dhjeren munohet me ta shit, se i dhimbset me ta fal. Ta nxjerrë prej hunsh lecken që ta dhuron, e ni pesë eurosh që t’i gjun si qenit t’zgjebosun.

Nuk do me ditë se ça ki jep ti për venin tand, prej teje don veç voten, e hiç n’xhep si hynë a e ki smut nanen, a e ki t’lodhun me jetë baben, a bajnë zorrtë e fmive tu si nji bubullimë për shkak t’unjes, e as nuk i intereson muni i jot e i grus tande që munohuni për ni krodhe buke me e qit në sofer.

Prej teje nji sen i intereson me ta lyp voten, e bash ty e familjes tande ja bjen morten. Kshtu që mani n’men se unë s’due urime, s’due me ma urue me fjalët ma të ambla fillimin e nji Viti të Ri, kur çdo ditë e jetës m’shkruhet si epitaf.

Nuk due dhurata, as shpresa e andrra. Thjesht du me jetue si ai guri që i rrin besnik arkivolit të jetës vet.

(E huazuar nga Filozofia.al)

Adelina Ismaili sjellë këngën e re ‘Sa 1000 engjuj’

Këngëtarja Adelina Ismaili, vitin 2019 e ka nisur me një projekt të ri muzikor.

Ajo sapo ka lansuar për fansat këngën e saj më të re “Sa 1000 engjuj”, e cila është një baladë e punuar bukur dhe lehtë.

Muzika iu është besuar kompozitorit të njohur francez, Frédéric Chateau, gjersa kënga është orkestruar në studion e Florent Boshnjakut.

7 këngë nga Shqipëria, në 250 këngët më të mira të të gjitha kohërave në Eurovizion

Esc Radio – Radioja e cila transmeton vetëm muzikë nga Eurovizioni – Festivali i Këngës Evropiane, ka zbuluar dje në mbrëmje 250 këngët më të pëlqyera të të gjitha kohërave në Eurovizion, votuar nga dëgjuesit e radios.

Sikur çdo vit, edhe këtë vit kjo listë sjellë këngët më të mira dhe ato që i kanë rezistuar kohës.

Neve padyshim na intereson Shqipëria në këtë listë.

Eugent Bushpepa me këngën “Mall”, i cili e përfaqësoi Shqipërinë në Eurovizion në vitin 2018-të, renditet në vendin e 37-të, Rona Nishliu me këngën “Suus” në pozitën e 58-të, Elhaida Dani me këngën “Im Alive” në pozitën 92, Eneda Tarifa me këngën “Fairytale” në pozitën 164.

Hersi Matmuja me këngën “One Nights Anger” në pozitën 181, “Identitet” nga Ardian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko në pozitën 195 dhe Luiz Ejlli me “Zjarr e ftohtë” në pozitën 201, shkruan KultPlus.

Këngët tjera që kanë përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion kanë mbetur jashtë kësaj liste.

https://www.youtube.com/watch?v=z_r4IzbwDY4

Për të shtatin vit me radhë, kënga më e votuar është “Euphoria” nga Loreen.  / KultPlus.com