Ylli kolumbian i muzikës, Shakira është thirrur nga një gjyqtar i një gjykate në periferi të Barcelonës të dëshmojë për një çështje të dyshuar për evazion fiskal për një shumë rreth 14.5 milionë euro, bëhet sot e ditur nga gjykata spanjolle, transmeton atsh raportimin e AFP-së.
“Gjykata e Esplugues de Llobregat e cilësoi të pranueshëm hetimin e prokurorisë ndaj këngëtares”, thuhet në një komunikatë të Gjykatës së Lartë të Katalonjës, rajon në veri-lindje të Spanjës ku këngëtarja jeton së bashku me bashkëshortin, mbrojtësin e Barcelonës Gerard Piqué.
Prokuroria akuzon Shakiran për mospagim të taksave në Spanjë mes periudhës 2011 dhe 2014, periudhë në të cilën ajo jetonte aty, sipas organit ligjzbatues.
Hetimet janë të fokusuara kryesisht në periudhën 2012-2014.
Ajo është ftuar të dalë në gjykatë në muajin qershor.
Është shqiptari të cilin më së shumti e ka mbajtur në burg Serbia. Por, Adem Demaçi ka mbetur i pathyeshëm, i papërkulur dhe i pa dorëzuar përballë hegjemonizmit serb. Burgun e konsideron si një përvojë të madhe, përfshirë edhe pesë vitet e kaluara në vetmi. Ndonëse i ka kaluar më shumë se 28 vjet në burgje, ai gjen forcë ta “falënderojë” Serbinë “… që e futi nëpër këto kanale të luftës për liri dhe pavarësi”. Ndërkaq, edukatën dhe trimërinë e tij ia dedikon, siç thotë ai, nënës burrneshë. Intervistoi: Gazmend Kajtazi
Adem Demaçi, apo siç njihet ndryshe, “Mandela i Kosovës”, nuk e përjashton mundësinë e kandidimit për president të shtetit, me kusht që të ndryshohet Kushtetuta dhe që presidentit t’i jepen kompetenca më të mëdha të pushtetit. Ditën e 28 Nëntorit, Demaçi do ta kalojë në Prishtinë. Arsyeja e tij, për këtë vendim është ky: “Më kanë ftuar në Vlorë. Është kallaballëk i madh, mua nuk më pëlqen..”
Në intervistën ekskluzive për portalin tonë, ai shpalos për herë të parë idenë e tij 1 euro në ditë për fond kulturor, humanitar të pavarur. Me këtë fond do të ndërtoheshin fabrika, do të shtoheshin vendet e punës, do të zhvillohej vendi. Baca Adem, në fillim urime 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë?
Faleminderit edhe juve, gjithashtu.
Në këtë rrugëtim 100 vjeçar të pavarësisë shqiptare, gati 30 vjet i keni kaluar në burg. A konsideroni se jeni më krenar apo me i “varfër” për këtë sakrificë tuajën jetësore për popullin shqiptar?
Unë, edhe sikur të jetoja për së dyti, këtë rrugë do ta zgjidhja, sepse edukata e nënës, mësuesve, arsimtarëve të mi, ka qenë në frymën që atdheu dhe kombi janë mbi të gjitha. Kam pasur fat që i kam dëgjuar ata, por edhe fat që Serbia bëri gabimin që më futi nëpër këto kanale të luftës për liri dhe pavarësi. Kështu, kam investuar jetën time mu aty ku duhet. Investimi për kombin është investimi më i mirë, i cili nuk zbehet kurrë, dhe s’ka mundësi të harrohet dhe asgjësohet. Të gjitha të tjerat vijnë e shkojnë.
A mund të na riktheni edhe njëherë në atë kohë? Si është ndjenja e guximit që t’i dalësh përballë një regjimi të egër serb pa patur frikë nga pasojat personale?
Njeriu nuk lind trim, por as pa trim. Rrethanat e krijojnë. Unë e kam pasë një nënë shumë burrneshë, shumë atdhetare, e cila ka kaluar nëpër shumë katrahura të ndryshme. Ajo, mbante në mend kur ka ra Serbia e parë, e dytë, Serbia e tretë; mbante në mend kur ia kanë vra katër axhallarë në oborrin e shtëpisë; kur kanë hyrë forcat e Serbisë më 1912. Pastaj e kam pasë mësuesin atdhetar dhe arsimtarët e paktë që atëkohë kanë qenë me normale të Elbasanit. Në fund, jam shoqëruar me Esad Mekulin, i cili më futi në rrugën e letërsisë dhe më ka frymëzuar. Si njeri i cili fliste pak, punonte shumë, nuk kërkonte për vete asgjë, flijohej për kombin. Kështu, kam pasë një varg ndikimesh, trajtimesh nga rrethi im ku kam jetuar dhe gjithashtu – politika barbare, e padrejtë e shfarosjes që ka ushtruar Serbia. E mbaj mend si fëmijë, kur afër shtëpisë sonë, jo më shumë se një kilometër pushkatoheshin njerëzit herët në mëngjes. Të gjitha këto së bashku më kanë bërë mua ta kuptoj se dikush duhet të flijohet për kombin dhe ta falënderoj edhe Serbinë që më zgjodhi pikërisht mua. Ata më zgjodhën për të frikësuar të tjerët. Menduan se jam pikë e dobët; më vlerësuan gabimisht. Unë, atëherë hyra në atë luftën politike, pa dashjen time, por kur hyra nuk desha të dalë në gjysmë të rrugës. Nëse do ta lexoni romanin tim “Dashuria kuantike e filanit”, do ta shihni se kam vendosur të vdes. Formalisht veten time e kam kallë dhe çdo herë kam thënë se unë jam i vdekur. Çka mund të jetë diçka më keq se vdekja. I vdekuri nuk mërzitet për asgjë, as për kërcënime, as për burgosje, as për kurrgjë.
A keni pasur ndjenjën ndonjëherë se po e shtyni “bjeshkën me gjoks”, se po i bëni ballë një shteti me mekanizmat e egër policor e ushtarak duke e luftuar atë duarthatë?
Unë e kam pasë edhe një fat tjetër që shkollimin, gjimnazin, e kam bërë me themel. Ne gjërat i kemi mësuar me pjekuri të madhe. Qysh atëherë kam pasë mundësi që të mendoj dhe t’i shikoj gjërat në zhvillim, në ndryshim, e jo të shtanguara. Më kujtohet dita kur shkoi Jugosllavia e vjetër, kur hyri e shkoi Italia, erdhi Gjermania…Punët i shikoja në lëvizje, ecje, dhe atë shtet që ishte në të vërtetët një burg i popujve, e kam përjetuar si diçka që dalëngadalë po vdes, sepse gjithnjë e më tepër po zgjat jetën dhe praninë e vet në hapësirën tonë me dhunë. Ky ishte treguesi më i mirë për mua se ky shtet do të mbarojë. Edhe historinë e kam mësuar me shumë prirje, me shumë lezet. Si i vogël kam qenë i pjekur, i kam shikuar punët drejt, ashtu siç duhet.
A ju ka burrnuar jeta në burg?
Burgu është një provë e madhe. Nëse vendosni të vdisni para se me ra në burg, atëherë është pak më lehtë. Por, kam pa të tjerët si janë plakur, si janë mërzitë, si brengoseshin, humbnin nervat etj., sepse aty njeriu vdes një herë, dy herë, tre-katër herë… Të paktën, ai sistem i burgjeve ka qenë i tillë. Ata janë munduar me mjeshtëritë e tyre të përsosura që të na e hanë shpirtin, të na shkatërrojnë fizikisht edhe shpirtërisht. Ka qenë një makineri shumë dërmuese, shkatërruese, por për fat unë dhe shokët e mi, edhepse ka pasë situata të ndryshme, kryesisht kemi kaluar mirë.
A do të ishit më i madh se sa që jeni sot po të mos ishit në burg, apo burgu ju ka bërë më të madh se sa që do të ishte Adem Demaçi një gazetar apo shkrimtar?
Unë mendoj se ia kam pa hairin Serbisë që më ka futë nëpër këto kanale të cilat për ata që janë shikues nga jashtë, duken sikur ka qenë një vuajtje, një fatkeqësi e madhe, etj. Por, unë mendoj se ajo ka qenë fat për mua, se do të isha njëfarë shkrimtari… Ndoshta as shkrimtar sa duhet nuk do të isha, sepse vetëm kur njeriu bie në burg, atëherë e njeh sistemin nga brenda. Pa hyrë nëpër burgje, pa pasur punë me ata që janë në të vërtetë skeleti i pushtetit, nuk mund ta njohësh atë shtet. Pastaj, nëpër burgje kisha kohë të lexoj më shumë, të koncentrohem më shumë, të mendoj më shumë. Nga ato 28 vjet burg, pesë vjet e gjysmë kam qenë vetëm, në izolim të rreptë. Nuk kisha kurrfarë kontakti me të tjerët, pos kur e sillnin ushqimin, gazetat ose librat. Këto më kanë bërë të mundur që të hy në një filozofi dhe në një meditim pa dijen time. Sepse, vetmia e gjatë, qetësia, e kanë bërë të veten. Unë shpesh kam lënë mendimet e mia të rrjedhin, të rrjedhin, dhe ajo kërkohet nga kjo filozofia të cilës i përkas edhe unë: filozofia e mundësive të pakufishme. Kur kam dalë pastaj jashtë, jam takuar me Hetemin, djalin e mikut tim, Rexhep Ramadani. Ai atëherë më njoftoi me këtë filozofi, me bartësin kryesor të kësaj filozofia Deepak Chopra, nga India në Amerikë. Mua më kanë ndihmuar shumë rrethanat, që prej një qytetari të rëndomtë, njëfarë shkrimtari, sot jam një njeri tjetër, me cilësi tjera, sepse njeriu që merret me punë të mëdha, atëherë edhe bëhet i madh dhe e kundërta.
Kur keni dalë nga burgu populli ka pritur në rend për t’ua zgjatur dorën. A mendoni se Adem Demaçi se edhe sot ekziston në popull ndenja e respektit ndaj jush si në ditët e para të daljen nga burgu?
Edhe kjo shkon valë-valë. Nganjëherë respekti rritet, nganjëherë zvogëlohet. Varet në çfarë trajtimesh gjendesh dhe sa është e vërteta e lejuar që të qarkullojë për Adem Demaçin. Ka pasë faza që Adem Demaçi ka qenë i përcjellur, por edhe i penguar që të afirmohet. P.sh., e kam dhënë një intervistë të gjatë dhe shumë të rëndësishme në shkurt të vitit 1992 në televizionin e Beogradit, por këtu në Kosovë rrethanat ishin të tilla që nuk pat publicitet ajo intervistë. Ishin ata që u pengonte Ademi që do të kishte kredibilitet në popull. Është bërë luftë që të më zvogëlohet simpatia, besimi, etj.
Keni bërë disa lëvizje “poshtë e lart”. U bëtë kryeredaktor i Javores Politike Shqiptare “Zëri”, kryetar i një partie politike, zëdhënës i UÇK-së…Por, sikur në asnjë pozitë nuk u rehatuat krejtësisht. Prej nga ky shpirti “parehatuar” i Adem Demaçit?
Nuk është kjo punë rehatie, por “Zëri” kishte rënë në krizë dhe më ftuan mua. E drejtova këtë revistë një vjet e diçka. Mirëpo, Serbia duke e parë që po shkon puna mirë dhe po ka sukses, na ndaloi. Ishte ajo greva 11 ditëshe që bëra unë atëherë. Nuk patëm mundësi që ra ngjallnim pastaj “Zërin”. Në Partinë Parlamentare kam qenë i ftuar disa herë, por nuk e shihja të arsyeshme. Megjithatë, ndodhën disa gjëra që është shumë gjatë të hymë në ato shpjegime. Kur u ktheva nga Perëndimi kërkova ndihmë, e ndihma nuk m’u dha. E pashë që nuk ka rrugëdalje tjetër vetëm që ta shndërrojmë këtë parti në një parti që do të jetë njëfarë mbështjellësi i lëvizjeve të vogla që ne i dinim që po zhvilloheshin në Kosovë. Ishin veprimet e para të UÇK-së. Më ftuan në momentin kur edhe vet isha i gatshëm. Shkova me qëllim që të bënim një pjesë të udhëheqjes politike, të luftës që po përgatitej. Më ftuan në Tiranë dhe më propozuar të bëhesha përfaqësues i Përgjithshëm i UÇK-së dhe ta organizoj një Asamble të Kosovës. Unë i pranova këto detyra dhe automatikisht ngeli puna e partisë, sepse nuk mundja të punoja në dy vende. Nuk është punë rehatie, por unë kam shkuar nga vendi në vend, aty ku ka qenë nevoja më e madhe dhe jam munduar të jap maksimumin.
Shumë procese të viteve të fundit në Kosovë ju i keni kundërshtuar. Madje edhe në kohën kur ishit zëdhënës i UÇK-së dolët kundër qëndrimit të shumicës së përfaqësuesve në Rambuje për të mos nënshkruar marrëveshjen. A vazhdoni të mbani qëndrimin se kjo Marrëveshje nuk ka qenë dashtë të nënshkruhet?
Unë kam qenë i bindur që Serbia ka për ta pranuar atë marrëveshje. Dhe, në qoftë se nuk do ta pranonte, ne sot do të ishim nën Serbi. Ishte një punë fort e rrezikshme që të hyhej në ato bisedime, sepse aty kanë qenë 10 pika të panegociueshme dhe, ndër to, pika e parë ka qenë që të pranohet Jugosllavia si shtet yni; të pranohen konkluzat e Helsinkit që thonë nuk ka ndryshim të kufijve pa pëlqimin e palës tjetër; të pranohej Kosova si një territor i etniteteve të barabarta, pa i përmendur në asnjë rast shqiptarët si shumicë, dhe gjithë ato shtatë pika të tjera në këtë frymë. Kjo do të ishte një lloj autonomie që nuk do të kryente punë, prandaj unë dhe Albin Kurti, si sekretar i zyrës, nuk u pajtuam. Asgjë më pak se pavarësia. Kurse, të gjithë faktorët e jashtëm (edhe amerikanët, francezët, etj.), ishin të mbërthyer se na mjaftonte autonomia. Unë shkova te ish ministri i Jashtëm britanik, Robin Cook. E mora ftesën, pastaj ai më njoftoi që të njëjtën ia kishte dorëzuar edhe Rugovës, i cili e kishte nënshkruar pa e lexuar fare. I thashë pastaj Albinit: “Thuaji Cookut që unë nuk jam i mençur si Rugova ta nënshkruaj pa e lexuar”. Të nesërmen me Albinin shkuam në Shtab. Pasi ai ua përktheu 10-pikëshin që duhej nënshkruar në Shkup, nëse duam të shkojmë në Rambuje. Ata na thanë se ende nuk kishin qëndrim të vendosur. Ishte aty edhe Ramë Buja i cili e lexoi dokumentin. Po them edhe një herë, Zoti na shpëtoi që Milosevici nuk e pranoi atë propozim. Herën e dytë filluan të ashpërsoheshin kriteret pak. Në Slloveni unë dhe Hashimi patëm disa takime me ish-kryeministrin slloven, Janez Drnovsek, dhe të tjerë, pastaj me ish-sekretaren amerikane Madeleine Albright në Rambuje. Pas një bisede 45-minutëshe, ajo thoshte se do të bëhej një gjakderdhje e madhe në qoftë se ju nuk e pranoni dokumentin. Unë e bëra me dije se ne ia kemi filluar luftës dhe pa pavarësi nuk ndalemi. Nuk u pajtuam me të dhe në një vend tjetër vazhduam bisedën vetëm unë dhe Hashimi. Ai më tha se të gjithë e kanë pranuar marrëveshjen dhe se ai kishte mbetur vetëm. Këmbëngula që ai të mos pranojë. Por, këtë nuk e bëri, sepse, ndryshe do të largohej nga loja politike. Këta e vazhduan dhe erdhën këtu ku jemi. Cila është preferenca politike e Adem Demaçit, po të kishit një parti politike?
Unë jam me krahun e luftës, se pa këtë luftë, e cila u bë edhe me 100 gabime, ne sigurisht do të ishim nën Serbi. U bë lufta me viktima të shumta. Erdhën këtu përfaqësuesit amerikanë, Robert Gelbard dhe Richard Holbooke. Mundoheshin të na bindnin për autonomi. Unë kam qenë ai që dy herë i kam dështuar këto përpjekje, ndërsa Holbrooke kishte thënë: “Mos ma qitni këtë njeri më përpara se s’dua ta shoh”. Por, më vonë pranuan kompromisin. Serbia nuk u soll si duhet, u mërzit Amerika dhe ish-presidenti George W. Bush në Krujë dha sinjalin për ta shpallur pavarësinë. Shpallja e pavarësisë sonë ishte formalisht shkelje e rezolutës 1244. Kjo me të vërtetë ishte një kthesë e madhe historike për ne.
Çfarë keni mësuar dukë qëndruar më pranë politikës dhe njerëzve të pushtetshëm?
E kam mësuar një punë të keqe, se pushteti i prish njerëzit, sepse duke u thënë zoti kryetar, zoti kryetar, po sillen ndryshe, po ndahen nga njerëzit, po tjetërsohen, po bëhet tjetërfare, nuk po i njohin shokët e vet të luftës, as të tjerët. Kështu, pushteti është një punë shumë e rrezikshme.
Si shpjegohet që njerëzit që magjepsen më shumë prej pushtetit janë ata më të paaftët? Ka kjo lidhje me kulturën e njeriut!
Po, ka lidhje me kulturën e tij, me edukimin, me vetëdijen e tij. Mirëpo, ka edhe përjashtime që janë treguar. E kemi ne kështu, Fan Nolin, njërin nga atdhetarët e mëdhenj i cili u përpoq për Shqipërinë. Dështoi disa herë, dhe kur Enveri me të tjerët fituan luftën, e ftuan të kthehej dhe të bëhej kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, e ai u tha: “Luftën e bëtë, e fituat dhe vazhdojeni ju”.
Si duket një ditë e juaja në moshën e bardhë?
Unë i them vetes 39 vjeç, por kam lindë para 77 vjetësh. Jeta ka kërkesa të shumta, ka provokime të shumta, të mira e të këqija, po unë jetën e pranoj jetën ashtu siç është. Kërkesat e mia janë të vogla. Ushqehem thjeshtë, vishem poashtu thjeshtë. Jetën e kaloj pa shqetësime të njerëzve të vegjël, që shqetësohen për gjithçka. Çfarëdo që ndodh, unë e pranoj dhe bëj atë çka është e mundur…
Bëmë një udhëtim paksa të gjatë, ngacmuam kujtime, zbuluam brenga e mësuam diçka nga jeta juaj, po nesër çdo të bëjë Adem Demaçi?
Tash, kur isha në diasporë, në Austri, Gjermani, Zvicër, shpalosa një ide të cilën e kam prej 2-3 vjetësh. E kam përmendur në takime të ndryshme dhe të gjithë më thonë se do ta përkrahin. Kësaj here më është mbushur mendja se diaspora do ta pranojë këtë projekt. Diaspora ishte shtylla e shpëtimit të kombit, pavarësisht që ende nuk ia kemi dhënë vendin që duhet. Ne kemi mbetur shumë mbrapa, sidomos sa i përket arsimit, kulturës, shëndetësisë. Koha po shkon, e ne po mbetemi me ato të zezat që na i la Serbia. Kështu, unë kam një ide për një fond kulturor, humanitar të pavarur, ku çdo kush që do të pranonte të hynte në atë fond, të jep një euro në ditë për kombin. Pastaj, kjo iniciativë do të depërtonte në hapësirën mbarëshqiptare, në Kosovë, Shqipëri, në Iliri – në atë pjesën që i them unë të Maqedonisë. Nëse arrijmë p.sh., të tubojmë një milion njerëz që do të jepnin një euro në ditë, me kaq para mund të bënim një fabrikë; mund të bëjmë goxha punë edhe në arsim e shëndetësi, e kudo që të investohen. Brenda një viti bëhen 365 milionë euro. Rregulli do të jetë që askush të mos japë më shumë se një euro. Por, ata që kanë mundësi, mund të japin edhe për të tjerët. Kjo do të jetë transparente. Secili mund të deponojë mjetet në bankën e caktuar; mund të shohin sa po rritet ai fond. Nëse ndokush i bie pishman, mundet edhe t’i tërheq ato. Por, nuk është zakoni që paratë që falen, të tërhiqen. Kështu, shumë gjëra të tjera do të financoheshin, pavarësisht se çka bën shteti. Jemi në përvjetorin e 100-të të Pavarësisë së Shqipërisë. A keni ëndërruar apo dëshiruar ndonjëherë më parë që në këtë përvjetor, kryetar i Kosovës do të duhej të ishte Adem Demaçi?
Nuk kam ëndërruar një gjë të tillë, sepse nuk janë kushtet, rrethanat për të qenë unë kryetar. Nuk mund të jesh kryetar nëse të tjerët të rrinë mbi kokë dhe të mësojnë se çka duhet të bësh. Ju e dini se çfarë kushtetute kemi ne. Në kushtetutën tonë parashihen shumë gjëra që janë krejtësisht të papranueshme, të cilat na i kanë imponuar, bile duke i detyruar shqiptarët të thonë se e kanë bërë vet. Atë e kanë bërë të tjerët. Mandej marrëveshje e Martti Ahtisaarit është një imponim, dhunim i vërtetë i të drejtave të shqiptarëve për t’ia bërë qejfin Rusisë dhe Serbisë se mos po dalin nga Rezoluta 1244.
Emri Juaj është përmendur si kandidat i mundshëm për president të ardhshëm të Kosovës. A do të kandidonit eventualisht si kandidat i pavarur apo si kandidat i një partie politike?
Ka propozime, porse kam thënë se ajo punë mund të bëhet nëse ne e ndërrojmë Kushtetutën, ashtu që presidentit t’i jepen autorizime të jashtëzakonshme, meqë ai duhet të zgjidhet me votat e popullit, ta ketë një mandat më të madh sesa partitë dhe disa institucione tjera. Pastaj, që presidenti të ketë mundësi që çdo ligj që është në kundërshtim me interesin e kombit, ta hedh atë. Ku do të jeni më 28 Nëntor, në Vlorë, në Prizren apo në Prishtinë?
Do të jem në Prishtinë. Më kanë ftuar në Vlorë. Është kallaballëk i madh, e mua nuk më pëlqen. Shkojnë ata që gëzohen. Unë e kam zemrën plot me plagë, nuk mund të gëzohem aq lehtë. Nuk mund t’i marrë as t’i harrojë ato që i kam parasysh, shokët e mi që nuk i kam…Njeriu që nuk gëzohet nuk është mirë të hyjë me ata që gëzohen, sepse ua prish atmosferën edhe atyre. Lërini le të gëzohen./KultPlus.com
Intervista është botuar më 28.11.2012 nga Telegrafi
Simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi ka ndërruar jetë më 26 korrik të vitit të kaluar, ndërsa sot është përvjetori i lindjes së tij, shkruan KultPlus.
Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës Demaçi, u lind më
26 shkurt 1936 në Prishtinë.
Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e
Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera të
Jugosllavisë.
Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai quhet edhe Nelson Mandela i Evropës.
Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e
Njeriut (KMDLNJ) nga 1990 deri 1995.
Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin
Saharov. Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të
ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ai ishte edhe kryetar i
Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).
Sot, njerëzit e rezistencës kombëtare identifikohen me emrin
e Adem Demaçit, sepse ai me punën e tij dhe me veprën e tij, u bë simbol i
unifikimit për ruajtjen e kombin shqiptarë, mbi pesë dekada.
Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, është një
personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë
edhe historia jonë kombëtare.
Ai ka shkruar romanin “Gjarpijt e Gjakut” i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve nëntëdhjeta./ KultPlus.com
Dokumentari “Period. End of Sentence” ka fituar çmimin si dokumentari më i mirë i shkurtë këtë vit në gala mbrëmjen e njohur.
Kur regjisorja Rayka Zehtabchi mori çmimin në skenë ajo po
qante. Regjisorja tregoi se ajo nuk po qante pasi që ishte me cikël menstrual
mirëpo këta lot kishin të bënin diçka me këtë.
“Nuk qaj sepse jam me cikël menstrual. Por, nuk mund të
besoj që një film për ciklin menstrual fitoi një çmim Oscar”, tha regjisorja.
Dokumentari i regjisores Zehtabchi. “Period. End of
Sentence”, fitoi dokumentarin duke shënuar një hap të madh për barazinë
menstruale dhe qasjen në produkte menstruale po ashtu. Filmi fokusohet tek
gratë në Indi që nuk kanë akses të duhur në produktet menstruale dhe ndikimin
që ka kjo në jetën e tyre – përfshirë përfundimin e arsimimit të tyre.
Në Indi, 28% e vajzave kanë thënë se nuk shkojnë në shkollë
gjatë periudhave të tyre sepse nuk kanë qasje në produkte të menstruacioneve të
cilat shpesh nuk janë të përballueshme dhe nganjëherë konsiderohen të pista. Si
rezultat i mungesës së qasjes në produktet menstruale, një studim zbuloi se
femrat përdorin pëlhurat, gazetat, gjethet e thata dhe madje edhe hi për të ndaluar
gjakun gjatë menstruacioneve, raporton teenvogue.com
Për të trajtuar çështjen e mungesës së aksesit, Arunachalam
Muruganantham krijoi makina që prodhojnë produkte me kosto të ulët menstruale
dhe janë të lehta për t’u përdorur, duke i lejuar gratë të marrin kontrollin e
shëndetit të tyre menstrual. Muruganantham, i cili është i njohur si Njeriu
Pad, thuhet se ishte katalizatori i filmit./ KultPlus.com
<p><a
href=”https://vimeo.com/301410537″>Period. End of Sentence.
Official Trailer</a> from <a
href=”https://vimeo.com/raykaz”>Rayka Zehtabchi</a> on <a
href=”https://vimeo.com”>Vimeo</a>.</p>
Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka dekoruar me titullin ‘Mjeshtër i merituar’ artistin Shaqir Hoti.
Mjeshtri Shaqir Hoti ka kultivuar veglat frymore të trashëgimisë sonë popullore, veçanërisht okarinën, një prej instrumenteve më të lashta muzikore, ka vlerësuar Thaçi.
Shaqir Hoti u lind me 14 qershor në Rogovë të Hasit. Muzicient që tërë jetë i dedikoi punimit e studimit të instrumenteve burimore, e në veçanti okarinës ilire.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve në fushën e trashëgimisë kulturore do të mbahet nesër në kabinetin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashit.
Laureatët do të marrin çmimet për kontributet e tyre në
fushën e trashëgimisë, konkretisht do të ndahen çmimi për vepër jetësore në
fushën e trashëgimisë “Dea Daranicae”, çmimi për merita të veçanta “Shtjefën
Gjeçovi”, çmimi për menaxhim institucional “Muhamed Shukriu” dhe çmimi për
vepër shkencore “Zef Mirdita”.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve mbahet nesër në ora 11:00. / KultPlus.com
Pejanët si kurrë më parë e duan Lumbardhin! Sa janë të sinqertë kur thonë me hidhërim e me ton gati kërcënues, “Mos ma prek Lumardhin!” (?)
Nuk
mbeti pothuajse asnjeri pa e shpreh këtë dashuri me këtë moto. E Lumbardhi ka fillu të dëmtohet
shumë kohë më parë, që kur ishte Bistricë dhe atë që nga burimi. Që kur filloi shkatërrimi
i pyjeve të Rugovës. Dihet, drunjtë e pyjeve përmes rrënjëve, trupit dhe
gjetheve sigurojnë lagështi të mjaftueshme që lumi të ketë ujë gjatë tërë vitit. Lumbardhi gjatë korrikut dhe gushtit në rrjedhën e vet afër Kombinatit
të dikurshëm të lëkurë-këpucëve mbetet pa një pikë uji. Në vjeshtë kur fillojnë
shirat ma shumë ka prurje të ranës dhe gurëve nga shpërlarja e brigjeve të
ç’pyllzuara se sa prurje uji.
Megjithatë, shtrati i Lumbardhit kurë nuk është krejt i zbrazët. Gjithmonë është, herë ma shumë e herë ma pak i mbushur me mbeturina nga më të ndryshmet si, kauç, fotele, televizorë të gjuajtur, batanije, dyshek, jastëk etj. dhe nuk është çudi që sot në protesta ishin edhe disa nga ata që e “stolisin” Lumin tonë të bardhë kaq shumë të dashur me orendi shtëpiake? Edhe në të kaluarën ka ekzistuar ideja për hidrocentrale dhe që atëherë është konstatuar që ajo do të ishte shumë ma tepër e dëmshme se dobia eventuale…/ KultPlus.com
Mirësevini në shek. XXI . Ku seksi është i lirë dhe dashuria është bërë një xhep plot mesazhe. Ku të humbasësh celularin është më keq se sa të humbasësh vlerat. Ku të pish e të tymosësh është në modë e nëse nuk e bën, je demode. Ku banjot janë kthyer në studio fotografike dhe kisha vendi perfekt për të bërë check in.
Shekulli XXI , ku burrat e gratë i tmerron më tepër shtatzënia se sa HIV. Ku shërbimi i shpërndarjes së picave është më i shpejtë se ambulanca. Ku njerëzit “vdesin nga frika” ndaj terroristëve dhe kriminelëve më shumë se sa t’i frikësohen Zotit. Ku veshjet tregojnë vlerën e një njeriu. Ku të kesh para është më e rëndësishme se sa të kesh miq e të afërm. Shekulli XXI, ku fëmijët janë gati edhe t’i mohojnë prindërit e tyre, në emër të “dashurisë” virtuale. Ku prindërit, harrojnë të mbledhin gjithë familjen në tryezë për një darkë të qetë për të folur se si i ka shkuar dita gjithsecilit, sepse janë të zënë me celularët. Ku burra dhe gra shpesh kërkojnë marrëdhënie pa angazhime ku detyrimi i vetëm është “të pozojmë bukur për fotot që do të publikojmë në rrjetet sociale, për t’i treguar dynjasë dashurinë tonë të përjetshme”.
Ku jeta është bërë tërësisht publike dhe dashuria një pjesë teatrale. Ku më i famshmi apo më i ndjekuri me më shumë “like” në foto është ai që shtiret më bukur sikur është i lumtur; ai/ajo që poston foto në vende ekzotike apo luksoze, i rrethuar nga “miqësi boshe”, me “dashuri” të paqarta… Ku njerëzit harrojnë të kujdesen për shpirtin e tyre të zbrazët, duke iu dedikuar për orë të tëra trupit.
Ku një operacion plastik për të pasur trupin “perfekt”, një injektim botoksi për të pasur fytyrën perfekte vlen më tepër se një diplomë. Ku një foto në palestër ka më tepër “like” se një foto duke lexuar apo duke kryer vepra të mira në shërbim të komunitetit.
Shekulli XXI, ku mbijeton vetëm nëse luan me “arsyen” dhe shkatërrohesh nëse vepron me zemër! /KultPlus.com
Emri Gjon Muharremaj ka filluar që të bëhet i njohur në vendet frankofolëse. Shqiptari, prindërit e të cilit janë nga Kosova, përmes zërit të tij ka rrëmbyer zemrat edhe të këngëtarëve të njohur francezë si: Julien Clerc, Jenifer Bartoli, Mika dhe Soprano, shkruan KultPlus.
Përmes interpretimit të këngës “Christine” të këngëtarit të njohur francez “Christine and The Queens”, Gjoni dëshmoi se tashmë interpretimi i tij ka kaluar në një fazë tjetër. Derisa luante në piano dhe këndonte atij i është dashur një minutë për të fituar votën e anëtarëve të jurisë në “The Voice” të Francës të cilët kishin mbetur të shtangur. Mika, fituesi i një çmimi Brit Awards dhe nominues për Grammy është ai i cili shfaqet si më i befasuari nga interpretimi i Gjonit të cilit i mbetet akoma shumë punë për të bërë në këtë garë.
“Kur e pash që juria ishte e mahnitur nga interpretimi im
isha shumë i gëzuar dhe i lumtur. Sigurisht isha më i lumtur që të gjithë u
kthyen dhe unë kisha mundësi që të zgjedh vet se me cilën nga anëtarët e jurisë
do të punoj. Tani pas audicionit të fshehur do të marrë pjesë në raundin tjetër
që është ‘KO’ dhe nga 18 që jemi përzgjedhur juria do i zgjedh vetëm gjashtë dhe
pas kësaj është hapi tjetër i njohur si “Battle”, tregoi Gjon Muharremaj për
KultPlus.
I rritur në një familje shqiptare e cila ka emigruar nga Kosova, këshilla që shpesh ka marrë nga prindërit e tij është që të mos e harrojë gjuhën shqipe. “Mos e harro gjuhën pasi që është shumë e rëndësishme për ty, kjo është gjuha e familjes tënde dhe ti duhet që ta dish”, tregon Gjoni për KultPlus derisa me kujdes zgjedh fjalët për të shprehur ato që dëshiron t’i thotë. Madje shpesh herë kërkon sinonime të fjalëve kur mendon se nuk ka zgjedhur fjalën e duhur.
Ndërsa shqiptarët Gjonin mund ta kujtojnë nga pjesëmarrja e
tij në Albanian’s Got Talent, një eksperiencë kjo e bukur për këngëtarin e cila
ishte njëkohësisht edhe përballja e tij e parë me televizionin. Mirëpo
krejtësisht ndryshe nga ajo që ka tani pasi që tashmë nuk është një fëmijë dhe
synimet e tij janë akoma më të larta.
“Pjesëmarrja në Albanin’s Got Talent ishte shumë e rëndësishme për mua që ta dinin njerëzit se kush isha dhe nga vija unë dhe familja ime. Të kuptoja se a do të ju pëlqeja apo jo në mënyrë që të vazhdoja. Mirëpo ata më kanë dhënë shumë dashuri dhe shumë fuqi madje edhe për tu bërë pjesë e “The Voice” sot. “The Voice” është një eksperiencë fenomenale dhe që me jep shumë dhe mësoj shumë nga kjo. Për mua ishte një nevojë që të ju tregoja njerëzve që flasin frëngjisht, vendeve frankofone që dua të vazhdoj me muzikë”, ka theksuar ai.
Komente pozitive Gjoni është duke pranuar edhe nga ndjekësit
e tij të cilët janë kryesisht nga Zvicra, Franca si dhe Kosova e Shqipëria.
Këto komente e bëjnë atë që të fitoj më shumë vetëbesim dhe të bëhet më i
guximshëm për të vazhduar këtë aventurë të re të cilën e ka filluar.
“Si një këngëtar që fillon karrierën ajo çka kërkoj nga “The
Voice” është që të më shohin njerëzit dhe të gjejë një produksion si dhe ti
prek njerëzit, të lë gjurmë tek ata që të më mbajnë në mend. Por fillimisht
është shumë e rëndësishme që të vazhdoj me muzikën dhe të gjej njerëz të cilët
besojnë në mua dhe që do të më përkrahin në këtë rrugëtimin tim”, tha ai për
KultPlus.
E rëndësishme për Gjonin është origjinaliteti, diçka që çdo herë i dallon artistët e vërtetë nga të tjerët. “Unë nuk përpiqem që të jem dikush tjetër. Për mua gjëja me e rëndësishme është që të jem i sinqertë me publikun dhe me vetveten”, theksoi ai edhe pse një gjë e tillë shpesh herë mund të jetë shumë e vështirë dhe sfiduese. Por Gjoni është një nga personat të cilët i kanë në qejf sfidat, një gjë të tillë e ka bërë edhe vite më parë kur realizoi këngën “Babi”, refrenin e të cilës e ka shkruar në gjuhën shqipe.
“Edhe pse është një histori e krijuar dhe jo historia ime kisha nevojë që ta shkruaja shqip sepse për mua gjuha shqipe ka një dimension që është më e sinqertë. Kur shkruaj frëngjisht është një si barrierë. Nuk mundem të jem i sinqertë dhe është e vështirë të ju jap fjalëve franceze seriozitet. Kur i shikoj tekstet e mia në frëngjisht mendoj se nuk janë shumë serioze dhe kam përshtypjen se dalin qesharake. Kështu që është e vështirë që të shkruaj frëngjisht por edhe të shkruarit në shqip ishte një sfidë për mua pasi që unë nuk e flas mirë gjuhën shqipe. Mirëpo ishte e rëndësishme që ta shkruaja ashtu siç e dija edhe pse me gabime në mënyrë që të jem i sinqertë”, tha ai për KutlPlus duke treguar se edhe në të ardhmen ka mundësi që të kompozojë diçka në gjuhën shqipe, kuptohet në momentin që ai do e ndjenë një gjë të tillë./ KultPlus.com
Ndahet nga jeta në moshën 76-vjeçare bashkëshortja e shkrimtarit të njohur Dritëro Agolli, Sadija. Sadije Agolli ka mbyllur sytë në spitalin e Neurologjisë në Tiranë dy vite pas vdekjes së të shoqit, i cili vdiq me 3 shkurt 2017 .
Agolli shkruante për të: “E dashur Sadije, të dua si jetën time, madje më shumë, unë dëshiroj sinqerisht të vdes dhe ti të jetosh. Unë dhe i vdekur do të të ndjek për të parë buzëqeshjen tënde, megjithëse kjo buzëqeshje brenda errësirës së varrit nuk duket, por unë do të bëj të pamundurën, qoftë edhe me anën e një future, që do të dalë nga kockat e mia”… / KultPlus.com
Disa nga yjet që përmenden në tekst kanë shumë çmime, por ata nuk duan t’i mbajnë ato në vende të dukshme për arsye të ndryshme.
Ueb-faqja amerikane “People” ka mbledhur informacion rreth asaj se ku njerëzit e famshëm i mbajnë Oscarët e tyre.
Penelope Cruz dhe burri i saj, Javier Barden, pohojnë se trofetë e tyre i mbajnë në vende ku gjithkush ka qasje për t’i shikuar.
Penelope Cruz dhe Javier Bardem
“Ata nuk janë të fshehur, përkundrazi, mund t’i shohim ato në qoshe. Nëse nuk shfaqen, ata thjesht mund të shkojnë ta marrin dhe më pas ta kthejnë në vendin ku e kanë marrur”, thotë Javier.
Tom Hanks, aktori me shumë fansa, gjatë karrierës hollivudiane ka fituar dy Oscar. Të parin e fitoi në saje të paraqitjes në filmin e vitit 1994 “Philadelphia” dhe një tjetër për “Forrest Gump”, vetëm një vit më vonë. Aktori ka thënë me modesti se trofetë i mban në një raft në shtëpi ku të gjithë mund t’i shohin dhe të fotografohen me ato.
Tom Hanks
Këtë vit, fituesja e çmimit Oscar për aktoren më të mirë, Olivia Colman, bëri shaka duke e treguar vendin se ku do ta vendos Oscarin – do të thotë në shtrat.
“Bashkëshorti ende nuk di për këtë vendim dhe nuk do të ketë mendje”, tha Olivia përmes të qeshurave.
Olivia Colman
Aktorja Viola Davis thekson se çmimet e fituara i mban në zyre, por me më shumë dëshira do t’i vendoste në garazh po mos ta kundërshtonte bashkëshorti.
Anna Paquin fitoi Oscarët e parë në vitin 1994 kur ishte vetëm 11-vjeçare dhe dëshmi se nuk mendonte për çmimin ishte fakti që aktorja e mban atë pranë çizmeve në fund të dollapit. Ajo nuk dëshiron ta tregojë atë, sepse mendon se miqtë do të ishin të pakëndshëm nëse do ta shikonin.
“Oscarët i mbaj në raft mbrapa librave, sepse është vend shumë i çuditshëm. Madje edhe pasi e kam marrë, nuk e kam vënë atë drejtpërdrejt në raft, por e kam mbajtur të fshehur, mendoj se arsyeja është fakti që e kam marrë në një periudhë të vështirë të jetës sime dhe tani shoqërohet me atë”, tha Gwyneth Paltrow.
Gwyneth Paltrow
Një nga ata që i çmonin veçanërisht çmimet është Goldie Hawn, e cila mban statujën në dhomën e meditimit. Ai i konsideron ato si një pjesë të rëndësishme të historisë dhe dëshiron që të shih gjatë gjithë ditës.
“Menaxheri im i ruan Oscarët e mi në shtëpinë e vetë sepse unë jam shumë i zënë”, tha Jamie Foxx.
Emma Stone dhe Alicia Vikander bënë të njëjtën gjë, ku Emma statujën e artë e ka dërguar te nëna e saj gjersa Alicia ia dha një miku në Los Angelos. Jennifer Lawrence la shpërblimin mbi pianon e prindërve të saj.
Natalie Portman
Kate Winslet ka deklaruar se Oscarin e mban në banjo. Deklarata shoqërohej nga fakti se gjithkush gjithmonë dëshiron të marrë një shpërblim, ta shpallë atë dhe ta ndjejë atë.
“Ata gjithmonë më pyesin se ku e mbaj atë dhe sa e vështirë është. Kështu që vendosa ta lë mbi guacën e banjës”, tha Kate.
Historia u mbyll me Natalie Portmanin, i cili me buzëqeshje tha se nuk e dinte se ku e ka Oscarin. /Telegrafi/ KultPlus.com
Këtu do jesh “taken” nga kulla betoni, mbjellë krah
pyjeve orbitalë.
Do jesh “taken” nga toka që u zhvatën, male që u
zhveshën e pyje që u prenë nga të babziturit.
Do jesh “taken” nga lumenj të tharë nga kuçedra
HEC-esh, e miliona të vjedhura nga dragonj TEC-esh.
Do jesh “taken” i dashur Liam, nga barktharë që nuk
mbledhin dot as kanaçe nëpër kazanë plehrash.
Do jesh “taken” nga plaka të gjora që tërhiqen zvarrë
nëse shesin qepujka, misra apo kokoshka… e “agallarë” PPP – rash, që sillen me
këtë vend si ta kishin çifligun e etërve të tyre, teksa darkojnë me pushtetin e
radhës.
Do jesh “taken” nga shëndetësia jonë falas e nga
depozitat e ujit me orar, por të “çmimit të parë”.
Këtu do jesh “taken” nga liria e blerë e medias apo
nga frika që ka dikush që punon në administratë, për të bërë qoftë edhe një
“like” tek një postim që i duket i drejtë, nga frika se mos humbet vendin e
punës.
Eja Liam vëllai, së këtu do jesh “taken” nga
kokëcepsha të pa larë, që e filluan politikën me brekë Korçe dhe me pantallona
teritali apo fustane të qepura tek rrobaqepësja e lagjes… ndërsa sot na japin
mend, mbathur me Victoria’s Secret apo Calvin Klein nën fustane dhe kostume
“firmato”, ndërkohë që shpalosin çanta, ora, diamante e bizhuteri floriri
vezullues, të blera me gjakun e popullit që s’bzan.
Këtu do shohësh sesi burra “me demek” shteti, martohen
me lekët e tezes, vishen me lekët e mamit, ndërtojnë me lekët e hallës, jetojnë
me lekët e gruas… ndërkohë që kryefamiljarë krenarë, varin veten, sepse nuk e
durojnë dot turpin e burgut për 30 $ energji të papaguar.
Këtu i dashur mik, do të jesh “taken” nga drejtësia
përhershmërisht e përkohshme.
Eja e rri rehat këtu Liam, sepse ata që rrëmbenin
vajzat si jot bijë në film e i drogonin, përdhunonin, shisnin apo vrisnin nëse
nuk pranonin të shkonin prostituta, nuk ke për t’i gjetur rrugëve.
Eja e rri rehat… sepse ne, horrat, i kemi mbyllur brenda. Po jo brenda në burg
siç bën bota, or lum miku. Ne i mbyllim në parlament, që pasi të na vjedhin,
plaçkisin, pijnë gjakun… të na tallim duke na marrë fytyrën e duke na
shpërndarë spote me ty, për t’i dhënë hov turizmit “10 milonësh”.
Ps. “I am Taken” nga vendi im, i dashur Liam, ndaj t’i shkruajta me sinqeritet këto dy rreshta. / KultPlus.com
“T’ isha një lule–lule are, e vogël dhe me erë. Të çelnja në pranverë dhe në vjeshtë të vishkesha në vetminë t’ime. T’isha një lule vjollce në mes të ferrave. Të qëndroja e fshehur, e pa dukur dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të dy të rinjëve. Prej frike, të larguar prej njerzis do t’më këputnin, do të dhurohesha te njeri–tjetri për shënjë kujtimi.”
Musine Kokalari u lind më 10 shkurt të vitit 1917 në Adanë të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë. Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Më 1980, Musine Kokalari u diagnostikua me kancer të gjirit dhe ashtu e sëmurë u refuzua e u la pa u kuruar nga trupat spitalore. Moskurimi i sëmundjes, dhimbjet dhe vuajtjet e shumta të kaluara nën përndjekjen komuniste i shkaktuan vdekjen në gusht të vitit 1983. Musine Kokalari përfaqëson disidenten e parë shqiptare. Vdiq e vetme dhe u varros vetëm nga varrmihësit. / KultPlus.com
Jacques Prévert. Përshtati në shqip Arjola Zadrima.
Oh, do të kisha dashtë shumë që edhe ti t’kujtoje ditët e lumtuna të dashnisë tonë. Sa e bukur ishte jeta, e sa djegës ishte dielli. Me pirgje bijn gjethet e vdekuna. A e sheh: nuk kam harrue, gjethet e vdekuna bijn me pirgje si kujtimet e keqardhjet, dhe era e veriut merr gjithçka me vedi në natën ma të ftohtë që harron. A e sheh: nuk e kam harrue kangën që më ke këndue…/ KultPlus.com
Fituese e tri çmimeve shumë të rëndësishme brenda një muaji, ajo e cila tashmë mbanë Grammy duke shënuar histori si shqiptarja e parë që fiton një çmim të tillë, Dua Lipa çdo ditë e më shumë po afirmohet në botën e artit, shkruan KultPlus.
Ajo tashmë na ka lajmëruar për një tjetër sukses.
Dua ka bërë të ditur se është zgjedhur fytyra e markës së
njohur të gjinseve londineze “Pepe Jeans London”.
Dua përmes një postimi në Instagram është shprehur e lumtur që është zgjedhur për këtë fushatë.
“E ngazëllyer për të ju njoftuar se unë jam fytyra e re e fushatës “Pepe Jeans London SS19” e realizuar nga David Sims. Më bën shumë të lumtur të punoj me një markë që trashëgimia e saj është në Londër dhe të jem muzikanti i parë në frontin e kësaj fushate”. / KultPlus.com
Të dielën është mbajtur ceremonia e ndarjes së çmimeve të Akademisë Amerikane të Filmit.
Filmbërësit dhe aktorët kanë marrë statujat e tyre të arta, të njohur si Oscar, ku ishin prezent shumë yjeve botërore.
Pas përfundimit të edicionit të 61-të janë organizuar disa ndeja të ndryshme, ku ishte prezente edhe Bleona Qereti.
Kjo e fundit ishte në eventin e Vanity Fairy teksa ka takuar shumë personalitete të fushave të ndryshme ndërkombëtare.
Një prej tyre ishte edhe këngëtarja shumë e njohur, Ciara teksa dyshja kanë pozuar para aparateve fotografike.
Këngëtarja jonë nuk ka dhënë shumë detaje rreth takimit, pos që ka treguar se në cilën ndejë janë takuar dyshja e muzikës.
Theksojmë se Qereti nuk ka arritur takon edhe shqiptaren tjetër, Rita Orën që ishte prezente në këtë mbrëmje glamuroze.
Ndryshe, aktori më i mirë në rolin kryesor u shpall Rami Malek në saje të paraqitjes në filmin “Bohemian Rhapsody” ndërsa Oscari për filmin më të mirë shkoi tek “Green Book”. / KultPlus.com
Arkeologu edhe studiuesi Neritan Ceka flet për ekzistencën e pasurive nënujore, që zotëron vendi ynë. Teksa tregon për ekzistencën e anijeve antike, ai ndalet edhe tek propozimi i studiuesve, që kështjella e Porto Palermos të kthehet në një muze arkeologjik nënujor.
Shqipëria është një nga vendet e fundit në Mesdhe, që nuk ka njohuri për pasuritë e mëdha nënujore që zotëron. Krijimi i një muzeu nënujor, ka qenë dëshirë e kahershme e arkeologëve. Aktualisht janë duke u zhvilluar dy ekspedita nënujore, një në Kepin e Rodonit dhe Liqenin e Ohrit, ndërsa tjetra shtrihet deri në ishullin e Sazanit. Arkeologu dhe studiuesi Neritan Ceka teksa flet për ekzistencën e 20 anijeve, si pasuri arkeologjike, që vazhdojnë të qëndrojnë nën ujë, për shkak të banditizmave. Ai ndalet edhe tek indiferenca e madhe, që kanë treguar qeveritë kundrejt kërkesës së arkeologëve, që Kështjellën e Porto Palermos ta kthenin në muze
Neritan Ceka, arkeolog: “Kemi dy ekspedita njëra është për njollose dhe zhvillohet në Kepin e Rodonit dhe në Liqenin e Ohrit. Ndërsa, tjera ka nisur identifikimin e relikteve nënujore, duke ardhur deri në ishullin e Sazanit. Janë zbuluar mbi 20 anije antike me pasuri arkeologjike, kryesisht amfora që tregojnë për lëvizjen e transportit, të cilat jemi të detyruar që t’i lëmë nën ujë, por edhe mos t’i bëjmë publike, sepse rrezikohen gjithmonë nga banditizmi, që ushtrohet”.
Ka një indiferencë të plotë qeverive, të atyre që kanë ikur, të atyre që janë edhe kam frikë të atyre që do vijnë. Është bërë një propozim për krijimin e një muzeut të arkeologjisë nënujore, në Porto Palermo një kështjellë, që mund të kthehet në një muze, që mund të tërheq mijëra turistë, por edhe ku mund që të instalojmë një laborator për përpunimin e materialit arkeologjik.
Një problem i madh, sipas arkeologut është edhe mungesa e laboratorit, që shërben për ruajtjen e materialeve që dalin nga kërkimet
Arkeologu Neritan Ceka: “Kemi një mini laborator të tillë, se kërkon një përpunim të tillë me ujë, për disa muaj, është në Durrës. Por një laborator na është propozuar që mund ta vendosim në Porto Palermo edhe nuk ka asnjë lloj përgjigje. Nuk ka asnjë dialog, që zhvillohet midis pushtetit. Këtu vendos gjithmonë kryeministri. Nuk është puna se vendos ministrja. Edhe kur ministrja që kaloi kishte në dorë diçka zhduku një nga laboratorët, e zëvendësoi më zyra, ishte një nga laboratorët e dhuruar nga fondacioni Roma, që kushtoi 100 mijë euro. Për të vendos tavolinat e nëpunësve, që po rriten si kërpudhat pas shiut, por kur s’ka laboratorë, të gjithë merren me tenderë, të gjithë duan tenderë. Edhe në rastin e arkeologjisë nënujore. Nëse u jep një tender më 1 mln euro janë gati ta bëjnë, nëse u thua që është gatis nga partnerët tanë nuk të dëgjon asnjë”.
Por cili është potenciali i arkeologjisë nënujore në vendin tonë?
Neritan Ceka: “Kemi një nga potencialet më të rëndësishme të Adriatikut. Bregu jonë ka qenë bregu i lëvizjeve në kohën antike. Një pjesë e mirë e anijeve kalonin nga Greqia, vinin deri në Otranto edhe pastaj kalonin. Kjo ishte rruga më e lehtë. Prandaj në këtë internerar kemi nj numër pafund anijesh, që vijnë deri në luftën e parë botërore. Por nëse ne bëjmë një muze të arkeologjisë nënujore, nuk do të kufizohemi vetëm tek amforat edhe materialet antike, por do ta çojmë edhe më përpara. Për të dhënë një pamje të zhvillimit të lundrimit në brigjet tona, në mënyrë retrospektive”.
Ndonëse kanë kaluar disa nga vite nga dorëzimi i projektit në Institutin e Monumenteve, që kalaja e Porto Palermos të kthehet në muze, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete
Ceka: “Projekti është gati i dorëzuar në IMK, nga Rais Petrela, i cili ka bërë një projekt shumë të mirë të arkeologjisë nënujore, shpresoj mos të kenë zhdukur. I është paraqitur qeverisë më parë, Berisha e miratoi në parim. Por qëllimi është se kujt do t’i jepet kështjella, se ka rreth 200 kërkesa për ta bërë bar, lokal, çdo gjë. Por në atë kohë pati një bonsens për ta bërë për arkeologjinë. Por pas ndryshimit të qeverisë mbeti në pritje. Ka vite që ia kam propozuar kryeministrit Rama, por deri tani nuk ka asnjë përgjigje”.
Kalaja e Porto Palermos është një monument i trashëgimisë kulturore e ndërtuar në një gadishull midis Himarës dhe Qeparoit./ KultPlus.com
Gjuha shqipe e arbëreshëve të Italisë është në rrezik zhdukje. Ajo është një nga gjuhët e përfshira në projektin e sapo lancuar nga OKB për shpëtimin e mbi 3000 gjuhëve ndër rreth 7000 që janë sot në botë.
Projekti “Endagered Languages Project” i realizuar nga një grup ekspertësh në fushën e edukimit, gjuhës e shkencës të OKB, në bashkëpunim me mjaft universitete të botës dhe motorin e kërkimit Google, ka si synim të mbajë gjallë memorien e së shkuarës përmes gjuhës e të sensibiliziojë opinionin publik botëror mbi problemin e gjuhëve në rrezik zhdukje.
“Me çdo gjuhë që vdes, humbet një trashëgimi e madhe kulturore”, nënvizojnë ekspertët botëror të gjuhës. “Humbet vizioni unik i botës, humbet dëshmia e shekujve të jetës.”
Njohja e ekzistencës së një gjuhe mund të jetë hapi i parë për t’i zgjatur asaj jetën.
Ekspertët e këtij projekti vënë në dispozicion të portalit të tyre materialin e duhur informativ mbi çdo gjuhë në rrezik, si dhe ftojnë partnerë e individë të jenë aktiv në kontributin e tyre në dhënien e informacionit të shkruar e audio viziv për çdo gjuhë në rrezik të lartë zhdukje. Ndërsa motori i madh i kërkimit Google, do të realizoj lancimin e këtij projekti dhe mbikëqyrjen e zhvillimit të tij në kohë afatgjate.
Sipas projektit “Endagered Languages Project” të OKB, në Itali gjuha e folur nga minoranca etnike arbëreshe është në rrezik zhdukje.
Informacioni i shpërndarë deri më tani nga ekspertët linguistik të këtij projekti, thotë se gjuha arbëreshe është një dialekt i Shqipërisë së Jugut e përdorur nga pakica etnike e arbëreshëve që llogariten të jenë sot nga 100 mijë deri në 200 mijë persona që jetojnë në të gjithë territorin italian përfshirë dhe ishujt. Shumica e arbëreshëve të Italisë është përqendruar në jug të vendit, në Kalabri e Sicili.
Gjuha e arbëreshëve të Italisë është e njohur nga shteti italian dhe e mbrojtur nga ligji 482 i viti 1999. Shpesh herë komunat e arbëreshëve të Italisë kanë kërkuar më shumë fonde nga qeveria italiane për ruajtjen e mësimit të gjuhës shqipe në shkollat publike.
Në nivel universitar në disa universitete italiane ekziston katedra e gjuhës shqipe si në Universitetin e Napolit, të Palermos, Cozencas, në Bari e La Sapienza në Romë/Shekulli. / KultPlus.com
“Njerëzit duke vrapuar pas notave dhe titujve, kanë harruar që duhet të mësojnë. Prandaj, këtu ndodh që nxënësi të marrë nota maksimale nga klasa e parë në shkollë fillore deri në vitin e fundit në fakultet dhe prej aty të dalë ashtu siç ka hyrë në klasë të parë: thuajse analfabet. Problemi më i madh nuk është pse DEL nga fakulteti gati analfabet, por pse HYN prapë në shkollë për t’i “edukuar” brezat me “dijen” e vet.”
(Pjesë nga libri “Mesjeta ime” e autorit Ag Apolloni gjendet në libraritë: “Dukagjini”, “Artini-Toena”, “Buzuku”.)/ KultPlus.com
Ministri Bytyqi mbase është i njoftuar për disa tekste mësimore, të cilat po thuhet se nuk e meritojnë të shfletohen nga nxënësit. Një i tillë u hoq nga përdorimi.
Mësuesja Remzie Hajdini po e mban orën e Gjuhës Shqipe me nxënësit e klasës së pestë.
Mirëpo brenda librit përralla e titulluar ‘Mos e fol atë fjalë’ të cilën ata po e lexonin nxiti reagime.
Të gjithë brenda klasës janë të shqetësuar me përmbajtjen brenda tekstit ani se është e paraparë me planprogram.
‘Katër vëllezërit që kanë grabitur një sirenë. Ky mësim nuk duket shumë edukativ pasi në këtë mësim po flitet për grabitje’, tha një nxënëse për Klan Kosovën.
Edhe mësuesja po thotë se teksti i autorit Bahri Beci në faqe 92 të librit të Gjuhës Shqipe përçon mesazhe negative, duke e promovuar martesën e dhunshme, grabitjet e kërcënimet.
Ajo thotë se do të bojkotojnë këtë njësi mësimore.
Hajdini thotë se kanë shumë raste kur ka tekste që diskriminojnë gjinitë dhe janë jashtë standardeve për tekste shkollore.
Për tekstet e tilla mësimore janë në dijeni edhe në Ministrinë e Arsimit. U tha se MASHT do të jetë e kujdesshme që në komisionet recensuese për tekste mësimore të përfshihen njerëz që nuk do të tolerojnë përmbajtje të tilla.
“Jo” tha Niçja,-unë thjesht e quaj me emrin e saj të vërtetë. Nuk kam kundërshtim, që një burrë të bëjë seks kur ka nevojë për të. Por unë e urrej burrin, që lutet për të, që ia jep pushtetin e tij gruas që ia ofron atë, gruas artizane, që e kthen dobësinë e saj dhe fuqinë e tij në fuqi të saj.
-Ah, si mund ta mohoni ju erotikën e vërtetë? Ju injoroni
impulsin, dëshirën biologjike, që është errënjosur te ne, që na lejon të riprodhohemi! Sensualiteti
është pjesë e jetës, e natyrës.
-Pjesë, por jo pjesa më e lartë! Në të vërtetë, armiku për
vdekje i pjesës së lartë. Këtu, më lejoni t’ju lexoj një frazë, që e shkrova
sot në mëngjes.
Niçja vuri syzet e tij të trasha, u zgjat për nga tryeza e tij, mori në dorë një bllok të vjetër dhe shfletoi faqet e mbushura me një shkrim të palexueshëm. Ai ndaloi te faqja e fundit dhe gati duke e prekur me hundë, lexoi: Sensualiteti është një bushtër, që puth thembrat tona. Dhe sa mirë, që kjo e përdalë di sesi të lypë për një copë shpirt, kur i mohohet një copë mishi.
Ai mbylli bllokun.
-Kështu që, problemi nuk është, që seksi është i pranueshëm, por që bën që diçka tjetër të zhduket, diçka më e vlefshme, pafundësisht më e çmuar! Epshi, ngacmimi, kënaqësia: këta janë skllevër! Turma e kalon jetën e saj si derrat, që ushqehen në gropën e epshit.
Gropa e epshit. Brojeri përsëriti me vete, i habitur nga
intensiteti i Niçes.
-Ju keni ndjenja të forta për këtë çështje. Unë dëgjoj më
shumë pasion në zërin tuaj se kurrë më parë.
-Për të mundur pasionin, kërkohet pasion i madh. Shumë
njerëz janë thyer nën rrotat e një pasioni më të pakët.
-Dhe përvojat tuaja në këtë fushë?- peshkoi Brojeri. -A keni
pasur ju vetë përvoja fatkeqe, që ju kanë
ndihmuar t’iu jepni formë përfundimeve tuaja?
-Argumenti juaj i mëparshëm, për qëllimin primar të
riprodhimit, më lejoni t’ju bëj këtë pyetje? Niçja e tundi tri herë gishtin në
ajër: A nuk duhet, që ne të krijojmë, të bëhemi, përpara se të riprodhohemi?
Përgjegjësia jonë ndaj jetës është që të krijojmë më të
lartën, jo të riprodhojmë më të ulëtën. Asgjë nuk duhet të ndërhyjë në
zhvillimin e heroit brenda nesh. Dhe nëse epshi ka zënë rrugën, ai duhet
tejkaluar gjithashtu.
(Fragment i shkëputur nga libri “Kur qau Niçja” – Irvin Yalom)
Me një krijimtari intensive, pas Kadaresë, Fatos Kongoli është shkrimtari më i përkthyer në gjuhë të huaja.
I konsideruar shkrimtari i tranzicionit, veprat e tij mbajnë dhimbjen dhe trazimet shpirtërore në Shqipërinë e pas viteve ’90; jo pak herë librat e tij janë bërë fokus i debateve për pësimin e individit në një shoqëri si e jona, të egër e të ashpër, ndërsa flet se si kanë lindur personazhet e tij, në një proces krijues unik ku kanë ndikuar Balzak, Kamy, Çehov…
Në një bisedë me Violeta Muratin, Kongoli treguar se në cdo
libër që ka shkruar gruaja është personazhi qendror dhe asnjë nga personazhet e
tij nuk mund të realizohej pa një grua.
Çdo libër që keni
shkruar ka një histori dashurie. Cila grua ka ekzistuar në librat tuaj apo,
ajo, është brenda burrave rebelë të letërsisë që shkruani?
Është e drejtë, në çdo libër që kam shkruar, gruaja është personazh qendror. Asnjë nga personazhet e mi nuk mund të realizohej pa një grua. Për mua, letërsia është një grua e bukur mbas së cilës kam shkuar gjithë jetën pa e zotëruar dot kurrë. Ajo as në letërsi nuk mund të zotërohet, kështu e ka bërë Zoti./ KultPlus.com