Gripi në Kosovë, Ministria e Arsimit del me këtë vendim

Përmasat e mëdha me të cilat është përhapur gripi sezonal në Kosovë kanë detyruar ministrinë e Arsimit, që të kërkojë nga të gjitha drejtorië komunale të arsimit që të mbikëqyrin situatën nëpër të gjitha institucionet shkollore.

Në këtë kërkesë, ndër të tjera është thënë që nxënesit të cilët kanë siptoma të këtij gripi, të qëndrojnë në shtëpi duke shmangur kështu kontaktin me nxënesit tjerë.

Kjo kërkesë e tyre thuhet se është bazuar në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëdndetësisë.

Njoftimi i plotë:

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), ka kërkuar nga drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA), që të mbikëqyrin situatën në komunat e tyre rreth epidemisë së gripit sezonal përmes përgjegjësve të institucioneve parashkollore, fillore dhe të mesme (publike dhe private).

Këtë kërkesë, MAShT e ka bërë duke u bazuar në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për situatën aktuale epidemiologjike të gripit sezonal.

Në kërkesën që iu është drejtuar DKA-ve, MAShT ka kërkuar nga përgjegjësit e të gjitha institucioneve arsimore që fëmijët dhe nxënësit që kanë shenja dhe simptoma të gripit (temperaturë të lartë, lodhje, rrjedhje hundëve, dhimbje fyti, kollë, barkqitje dhe vjellje, dhimbje koke, barku dhe muskujsh), t’i shmangen kontaktit me nxënës të shëndoshë dhe të qëndrojnë në shtëpi, duke iu përmbajtur rekomandimeve të mjekut./Express/KultPlus.com

ACTive, laboratori rajonal i dokumentarit kreativ hapë thirrjen për aplikim


Pravo Ljudski dhe DokuFest në bashkëpunim me Muzeun e Arteve Bashkëkohore – Shkup, Qendrën e Filmit të Malit të Zi dhe Underhillfest, nën përkrahjen e NED – National Endowment for Democracy, ftojnë të gjithë krijuesit e rinj, artistët dhe filmbërësit të moshave 18 – 25 që të aplikojnë në edicionin e tretë të ACTive, laboratorit rajonal të dokumentarit kreativ.

Gjatë procesit të përzgjedhjes, 16 të rinj me interesim më të fuqishëm do të participojnë në programin intensiv, edukativ, që do të mbahet në Shkup – Maqedoni Veriore dhe Podgoricë – Mal i Zi.

ACTive #3 është duke kërkuar autorë të rinj, me pasion për ide dhe tregime për dokumentarë, që punojnë ose do të dëshironin të bëjnë film të shkurtë.

Kriteret:

– Je në moshën mes 18 dhe 25 vjeç;

– Je nga Bosnja e Hercegovina, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe/ose Maqedonia Veriore;

– Mund të komunikosh në gjuhën angleze;

ACTive #3 është i hapur për çdokënd; por, aplikantët që nuk janë të përfshirë në një institucion të edukimit formal dhe vinë nga qytetet e vogla dhe/ose hapësirat rurale janë veçanërisht të inkurajuar të aplikojnë.

Laboratori i Filmit Dokumentar Kreativ ACTive është program i edukimit joformal, divers, që përpiqet të ndihmojë procesin e bërjes së filmave dokumentarë kreativ. Kjo përmban segmente si mendimi kritik dhe kreativ, përafrim në hulumtim, zhvillim dhe shkrim të filmit dokumentar kreativ, si dhe në regji, kamerë, zë dhe editim.

ACTive #3 do të mbahet në Shkup dhe Podgoricë nga datat 1 deri më 12 prill 2019. Pjesëmarrja në të gjitha punëtoritë dhe ligjëratat është e detyrueshme për të gjithë pjesëmarrësit. Mësimet janë në gjuhën angleze.

Të gjitha shpenzimet e pjesëmarrjes (udhëtimi, ushqimi dhe akomodimi) dhe të gjitha shpenzimet e produksionit do të mbulohen nga organizatorët.

Bashkë me formën e aplikimit, dërgoni edhe:

A. Project Dossier, të filmit që jeni duke e punuar aktualisht.

B. CV/ portfolio (maksimum 2 faqe) duke treguar interesat, hobin dhe edukimin.

C. Cover Letter (1 faqe, madhësia e fontit 12) duke u përgjigjur në pyetjet:

-Pse dëshironi të bëni filma?

-Pse keni aplikuar te ACTive 3.0 dhe cilat janë pritjet tuaja?

-… dhe çdo gjë tjetër që do të dëshironit të ndanit me ne!

APLIKONI KËTU

Për më shumë informata, vizitoni webfaqet tona: www.pravoljudski.org / www.dokufest.com

Ukraina mbetet pa përfaqësues në Eurovizion, tre finalistët refuzojnë pjesëmarrjen

Maruv kishte fituar në Vidbir 2019 dhe ishte zgjedhja kombëtare e Ukrainës për Eurovizion, mirëpo ajo nuk do të shkoj në Eurovizion. Kjo ka ardhur pasi këngëtarja nuk ka pranuar që ta nënshkruaj marrëveshjen pasi që sipas saj disa pika nuk janë të pranueshme, përcjellë KultPlus.

“Jam qytetare e Ukrainës, paguaj taksat dhe e dua sinqerisht vendin tim. Por, nuk jam gati të performoj me slogane, duke e kthyer shfaqjen time në promovim për politikanët. Unë jam një muzikantë, jo një shkop në arenën e politikës”, shkroi ajo në Facebook.

Treshja nga “Freedom Jazz” e cila ka përfunduar e dyta në garë po ashtu ka njoftuar se nuk  do të marrë pjesë.

“Faleminderit për mbështetjen tuaj, dashurinë, ngazëllimin dhe për faktin se gjatë gjithë kësaj kohe keni qenë me ne! Jemi shumë të lumtur që na ndihmuat që të zëmë vendin e dytë në përzgjedhjen kombëtare për Eurovizion 2019! Fitorja jonë kryesore jeni JU!….Sapo kemi marrë një telefonatë nga NTU dhe dëshirojmë të informojmë se po refuzojmë të marrim pjesë në Eurovizion-2019”, kanë shkruar ata në postimin e tyre në Instagram duke njoftuar se ata janë duke punuar në projekte të reja që do të sjellin.

https://www.instagram.com/p/BuWhRfkHGNI/?utm_source=ig_web_copy_link

Një thirrje për të përfaqësuar Ukrainën në Eurovizion e ka refuzuar edhe finalisti i tretë grupi KAZKA.

“Misioni ynë është të bashkojmë njerëzit përmes muzikës, të mos mbjellin mosmarrëveshje. Prandaj,  ndaj propozimit kemi një përgjigje të qartë: Nuk do të shkojmë në Eurovizion 2019. Në të njëjtën kohë, ne nuk e braktisim qëllimin tonë kryesor, të prezantojmë kulturën ukrainase në botë”, kanë shkruar ata në Instagram./ KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/BuYQ2DsBN5Y/?utm_source=ig_web_copy_link

“Ekspo Art Tirana”, bën bashkë 24 artistë të arteve pamore

Në mjedisin e Muzeut Historik Kombëtar “Ekspo Art Tirana”, hapi siparin në edicionin e saj të tretë.  Kjo ekspozitë ka bërë bashkë 24 artistë të arteve pamore, me punime në teknika të ndryshme, si  natyra të qeta, peizazhe, kompozime e vizatime.

Kjo ekspozitë vjen si një rrugëtim artistik, i cili shfaqet me dinjitet e profesionalizëm, duke u bërë një risi e jetës kulturore të kryeqytetin shqiptar në pasurimin e saj me vlera artistike.

Në ambientet e muzeut prezantohen rreth 70 vepra për publikun, të realizuara në teknika të ndryshme. Janë portrete, natyrë e qetë, peizazhi, kompozime. Janë të gjitha punë që prezantohen për herë të parë në ekspozitë dhe është shumëllojshmëri edhe si trajtim dhe si teknikë. Gjithashtu në këtë ekspozitë nuk mungojnë dhe vizatime në laps, kompozime, akuarele, pastel dhe punimet në skulpturë janë në dru dhe në bronz.

Punët në ekspozitën “Ekspo Art Tirana” janë realizuara nga Arben Brahimaj, Agron Mesi, Artan Kola, Albert Pina, Anteo Gremi, Erion Laro, Zaim Elezi, Ergys Demo, Edison Gjergo, Fatmir Dardha, Mali Pleshti, Foti Kllogjeri, Genti Proko, Gëzim Hysa, Ervis Kota, Gjergj Meta, Skënder Idrizi, Gëzim Zoto, Mikel Temo, Meri File, Leonard Lekaj, Leon Çika, Roland Runaj, Romeo Kallco.

Ekspozita do qëndroj e hapur për publikun në Muzeun Historik Kombëtar deri më datë 3 mars./A.T.SH/ KultPlus.com

Morgan Freeman mban flamurin e Kosovës

Aktori dhe regjisori i njohur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Morgan Freeman, ka pozuar me flamurin e Kosovës përkrahë atij të SHBA-së. Madje flamurin e shtetit tonë ai po e mban në pallton e tij.

Fotografinë e Freeman me flamurin e Kosovës e kanë shpërndarë në rrjetet sociale diplomatët e shtetit tonë në Panama.

“Kënaqësi të takojmë një ndër aktorët me të mirë të të gjitha kohërave, Morgan Freeman”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ndryshe, Morgan Freeman është një aktor dhe regjisor filmi nga Shtetet e Bashkuara dhe ishte kandidat për çmimin Golden Globe në vitin 2005 në kategorinë protagonisti dytësor. Morgan Freeman fitoi me rolin në filmin Million Dollar Baby çmimin e Academy Awards. / insajderi/ KultPlus.com

QKK hap konkursin për bursën në Akademinë e Arteve të Bukura në Pragë – FAMU

Për vitin e pestë me radhë Qendra Kinematografike e Kosovës ofron mundësinë e aplikimit në shkollën e filmit dhe televizionit të Akademisë së Arteve të Bukura në Pragë – FAMU.

FAMU është themeluar me dekret presidencial në vitin 1945 dhe ofron programe të akredituara dhe të certifikuara të studimit si në gjuhën çeke ashtu edhe në atë angleze.

Memorandumi i lidhur mes QKK-së, MKRS-së dhe FAMU-së, ofron mundësinë e edukimit audio-vizual për qytetarët e Republikës së Kosovës në këtë Akademi. Bursa vlen vetëm për shtetas të Republikës së Kosovës me vendbanim të përhershëm në Kosovë.

Kushtet për regjistrim në shkollën e filmit FAMU përcaktohen nga shkolla e filmit dhe televizionit të Akademisë së Arteve të Bukura me seli në Pragë, të cilët gjithashtu bëjnë edhe intervistimin dhe përzgjedhjen.

Për t’i parë kriteret dhe afatet ju lutem shkoni në webfaqe të FAMU-së duke klikuar KËTU. / KultPlus.com

Jusuf Osmanit i ndahet çmimi për vepër jetësore në fushën e trashëgimisë

Jeta Zymberi

Në kabinetin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashit, sot ishin mbledhur një numër i njerëzve që veprojnë në fushën e trashëgimisë kulturore, këta që më kontributin e tyre kanë ndihmuar në ruajtjen e vlerave të vendit tonë, shkruan KultPlus.

Kishte një arsye të veçantë për këtë mbledhi. Sot u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve në fushën e trashëgimisë kulturore.

Laureatët do të merrnin çmimet për kontributet e tyre në fushën e trashëgimisë. Në fjalën hapëse të kësaj ceremonie tradicionale të ndarjes së çmimeve në fushën e trashëgimisë, ministri Kujtim Gashi u shpreh i bindur që është bërë një përzgjedhje korrekte.

“Jemi munduar ta kemi një juri profesionale, profesorë e historian e persona nga shoqëria civile që e njohin mirë këtë fushë. Sa i përket vendimmarrjes duart i kanë pasur të lira sepse kemi konsideruar që janë njerëz adekuatë dhe profesional në këtë drejtim. Jam i lumtur sot si ministër që i ndajmë këto çmime që ti motivojmë për punën e vazhdueshme. Jemi të vetëdijshëm që asnjëherë puna që ju bëni nuk shpaguhet me vlera monetare por gjithsesi është një akt i joni i cili e vlerëson punën dhe angazhimin tuaj në këtë fushë. Ne si ministri e kemi një fokus të veçantë te pjesa e trashëgimisë kulturore, duke marrë parasysh që Kosova ka një pasuri të madhe të trashëgimisë kulturore dhe fokusi jonë do të jetë i vazhdueshëm në këtë drejtim”, u shpreh Gashi.

Ai tutje shpalosi çmimet e ndara. Çmimi për vepër jetësore në fushën e trashëgimisë “Dea Daranicae” ju nda profesorit Jusuf Osmanit, çmimi për merita të veçanta “Shtjefën Gjeçovi” ju nda Shemsi Krasniqit, çmimi për menaxhim institucional “Muhamed Shukriu” ju nda Milot Berishës dhe çmimi për vepër shkencore “Zef Mirdita” shkoi për Gjon Berishën.

Juria ishte e përbërë nga: Nuri Bexheti, arkeologu Shafi Gashi, historiani Agim Zogaj, arkitekti Bekim Ramku dhe Sali Shoshi arkitekt nga shoqëria civile.

Ndërsa Nuri Bexheti, kryetar i jurisë i arsyetoi para të pranishmëve çmimet e ndara duke u shprehur që barra më e madhe bie mbi jurinë që i ka marrë vendimet.

“Ka pasur një konkurrencë serioze në këtë punë por jam i nderuar që në krahun tim kam njërin ndër studiuesit më serioz të Kosovës, puna e të cilit është arsyetuar me vlerësime serioze. Jusuf Osmani ka një mal me vepra, një krijimtari të jashtëzakonshme dhe puna e tij e madhe pas luftës së Kosovës e dëshmon më së miri që çmimi për vepër jetësore në fushën e trashëgimisë “Dea Daranicae” i takon atij me plot meritë.” Ai vazhdoi tutje të arsyetoi çmimet duke i vlerësuar kandidatët si persona që kanë kontribuuar shumë në këtë fushë. Ai uroj që mos të ketë hatërmbetje sepse të gjithë kanë qenë të mirë.

I nderuar për ndarjen e çmimit për vepër jetësore u shpreh edhe Jusuf Osmani.

“Ju faleminderit për këtë mirënjohje të cilën e ndajë me shumë krijues të tjerë të trashëgimisë kulturore të cilët më kanë ndihmuar që të jap një kontribut modest në grumbullimin e të dhënave për fushën e trashëgimisë e cila është shumë me rëndësi për ne sepse trashëgimia kulturore është identiteti jonë kombëtar”, u shpreh ndër të tjera Osmani.

Falënderues ndaj ministrisë dhe jurisë u shprehën edhe fituesit të tjerë të çmimeve. Ata vlerësuan që është nderë ti mbajnë këto çmime dhe u shprehën se do të jenë peng të këtyre çmimeve për gjithë jetën. / KultPlus.com

Shkupi do të bëhet me “Magic Park”

“Luna Park” në parkun e qytetit të Shkupit do të ndërtohet sipas projekti të ri.

Parku i ri përveç përmbajtjeve për zbavitje do të ketë edhe restorante dhe hapësirë më të madhe nga ajo e deritanishmja, në mënyrë që të ngjasojë me parkun në Selanik, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Ajo çfarë punojmë në qytet është koncepti i parkut zbavitës tematik, i cili në rajon nuk ekziston dhe do të jetë në qytetin tonë, me çka Shkupin do ta vendos në hartën turistike në rajon. Park zbavitës tematik ka në Selanik, por askund në rajon. Këto parqe zbavitëse nënkuptojnë se jashtë hapësirave për zbavitje kanë në vete edhe vende tjera, si restorante dhe hapësira tjera për të rriturit”.

“Këto janë vende ku familjet mund të kalojnë kohëra të shkëlqyera. Ajo të cilën unë e mendoj është që me fondet që harxhon qyteti për blerjen e pajisjeve, të kyçen në projektin e ri, që do të thotë të mos harxhojmë mjete shtesë”, tha kryetari i Bashkisë së Shkupit, Petre Shilegov.

Në arkat e Bashkisë për këtë qëllim për vitin 2019 janë paraparë të harxhohen 4 milionë denarë për përpunimin e projektit, 26 milion denarë për blerjen e rekuizitave dhe montimin e tyre dhe 50 milionë denarë për ndërtimin e parkut./ KultPlus.com

Tulipanët

Sylvia Plath. Përktheu: Faslli Haliti

Tulipanët janë shumë nervozë, është dimër këtu,
Shiko si çdo gjë është e bardhë, e qetë, me dëborë.
Mësoj paqen, ndërsa prehet e qetë afër meje
si drita mbi këto mure të bardha, si ky shtrat, si këto duar.
S’jam askushi, s’kam të bëj me shpërthimet.
I dhashë emrin tim dhe rrobat e mia infermiereve,
historinë time anestezistit dhe trupin tim kirurgëve.

Kanë mbështetur kokën time midis jastëkut dhe buzës së çarçafit
si një sy midis qepallave të bardha që s’do të mbyllen.
Bebëz budallaqe, duhet të grumbullosh gjithçka.
Infermieret kalojnë dhe rikalojnë, nuk turbullojnë,
kalojnë si pulëbardhat drejt tokës me skufjet e tyre të bardha,
duke bërë gjëra me duar, të barabarta me njëra-tjetrën,
kështu që është e pamundur të thuhet se sa janë.

Trupi im është një gur për ata, bëhen gati si uji
për gurët mbi të cilat duhet të rrjedhë, duke i lëmuar me mirësjellje.
Më japin topitje me gjilpërat e halave xixëlluese, më japin gjumë.
Tani kam humbur veten time jam e lodhur nga bagazhet –
Çanta ime prej lëkurë si një kutizë e zezë pilulash,
burri dhe fëmija im buzëqeshin në fotografinë familjare;
buzëqeshjet e tyre më mbërthejnë lëkurën, grepa të vegjël të buzëqeshur.

Kam hedhur gjëra në det, unë, anija tridhjtëveçare.
bashkangjitur fort tek emrin im dhe tek adresa.
Ata kanë fshirë të gjitha ndjenjat e mia.
E frikësuar dhe e zhveshur mbi barelën e gjelbër plastike
Kam parë çajnikun tim, komonë e rrobave, librat e mi
të zhyten thellë, si dhe ujin të më arrijë mbi kokë.
Jam një murgeshë, tani nuk kam qenë kurrë kaq e pastër.

Nuk doja lule, doja vetëm të shtrihem,
me pëllëmbët lart krejtësisht bosh.
Të jesh i lirë, s’e keni idenë se sa të lirë jeni-
paqja është kaq e madhe sa të verbon,
S’ kërkon asgjë, një etiketë me emrin, ndonjë çikërrimë.
Me këtë, më në fund, mbyllin të vdekurit; i përfytyroj
duke e mbllaçitur si një meshë kungimi.

Tulipanët janë tepër të kuq në radhë të parë, më plagosin.
Edhe nëpërmjet dhuratës së paketuar si dhuratë i dëgjoja të merrnin frymë ngadalë,
nëpërmjet fashës së bardhë, si një fëmijë monstruoz.

Faqekuqët i flasin plagës sime, i përgjigjen.
Janë tradhtarë:duken se valëzojnë, edhe nëse më tërheqin poshtë,
duke më ngatërruar me gjuhën e tyre të beftë e me ngjyrën,
një duzinë tulipanësh të kuq të plumbtë rreth qafës sime.

Më parë asnjë s’më përgjonte, tani po më përgjojnë.
Tulipanët kthehen drejt meje, dhe dritarja pas
ku drita çdo ditë zgjerohet e hollohet,
unë shoh veten, madje, qesharake, hije letre e riprerë
midis syrit të diellit dhe syve të tulipanëve,
nuk kam fytyrë, kam dashur të shuhem.
Tulipanët gjallërues konsumojnë oksigjenin tim.

Para se të vinin atmosfera ishte mjaft e qetë,
Pulsonte, frymëmarrje pas frymëmarrjeje, pa ndërprerje.
Pastaj tulipanët e mbushën me zhurmë të madhe.
Tani ajri i shtyn dhe i vërtit përreth si lumë
i shtyn dhe i shtjell rreth një makine të kuqe-ndryshku të thellë.
Koncentrojnë vëmendjen time, që ishte e lumtur
duke luajtur e duke pushuar pa u angazhuar.

Edhe muret duken se u ngrohën midis tyre.
Tulipët duhej të qëndronin pas hekurave si kafshë të rrezikshme;
hapen si goja e një tigri të madh afrikan,
dhe unë kujtohem për zemrën time: hap e mbyll
vazon e saj të gonxheve të kuqe për dashurinë time të vërtetë.
Uji që shijoj është i ngrohtë dhe i kripur si deti,
dhe vjen nga një vend i largët si shëndeti./ KultPlus.com

Dollia e fundit me Sadijen dhe një premtim i “pambajtur” te pragu i derës

Nga Andrea Danglli

Shikimi më ka ngrirë prej disa minutash tek një shkrim i gjatë mbi kompjuter që flet për ndarjen nga jeta të Sadijes, “burrneshës” shkodrane që fshihej pas madhështisë së Dritëroit.  Ekzaktësisht kam ngecur te disa rreshta informativë ku një koleg shpjegon me të drejtë rrethanat e vdekjes dhe nënvizon “hemoragji cerebrale në tru” si shkak kryesor. Është e vërtetë që trupi i saj lëngonte prej kohësh, por plaga e vërtetë kishte një emër tjetër përtej gjuhës mjekësore.

Mbase tingëllon mjaft poetike dhe e vështirë për t’u besuar në ditët që jetojmë sot, por zonja e urtë 76 vjeçare vuante nga dashuria. As vetë s’do ta kuptoja këtë “sindromë” nëse para 20 ditësh s’do ta kisha vizituar në shtëpi për të shkëmbyer një bisedë të gjatë mes gotave të rakisë, një kafeje të ëmbël dhe tymit të cigareve. Përfundimi ishte i thjeshtë: Trupi i saj i ishte dorëzuar qiellit që prej datës 3 shkurtit 2017 kur Dritëroi iku nga kjo botë. Qartazi mes nesh kishte ngelur veç trupi i Sadijes që kërkonte të bindte këmbët se duhet të jetonte edhe disa vite për të përmbushur amanetet e lëna pas nga gjeniu i letrave shqipe.

Të ulur krah njëri-tjetrit rreth tryezës së rrumbullakët atë pasdite, në asnjë moment nuk harroi të më përmendte burrin e saj të jetës, të tregonte kujtimet me të, të citonte vargjet që i kishte dedikuar, të risillte ngjarjet e veçanta dhe të premtonte se do të qëndronte e fortë për të jetuar edhe disa vite.

“E kam vuajtur aq shumë largimin e Dritëroit sa nuk di ta përshkruaj. Ikja e tij më rrëzoi mjaft. Unë e dija që një ditë do të vdiste, por kurrë s’e kisha menduar se do ta përjetoja kaq keq”, rrëfente me një ton të ëmbël Sadija pa ja ndarë vëmendjen mureve ku vareshin portretet e tij me sy nga ne.

Pasi Dritëroi i iku kësaj bote, ajo për dy vite u mbyll në shtëpi dhe jetonte veç me letrat, fotografitë, pikturat, skicat, video-kasetat, erën e bojës, tymin e duhanit apo edhe rakisë së zierë dy herë që s’ia la kurrë gotën bosh. Sado që apartamenti mbushej plot nga familjarë dhe dashamirës, në qoshen kryesore të shtëpisë mungonte ai, burri i jetës që u shndërrua në sinonim të betimit klasik të dashurisë “deri sa vdekja të na ndajë”.

“Të gjithë sëmundjet që kaloi, qysh nga koha kur ishte i ri, unë kam qenë krah tij. Njëherë në socializëm kur mori një të ftohur ‘bronkopneumoni’, kërkoi edhe një shtrat për mua në spital pasi nuk rrinte dot vetëm. Edhe pse isha e pa sëmurur, u shtrova bashkë me të për t’i qëndruar pranë”, tregonte Sadija teksa kujtonte edhe një prej dedikimeve të veçanta që i ka bërë Dritëroi atëherë kur parkinsoni tregohej i pamëshirshëm dhe vdekja i shfaqej si një filmë para syve.

“E dashur Sadije, të dua si jetën time, madje më shumë, unë dëshiroj sinqerisht të vdes dhe ti të jetosh. Unë edhe i vdekur do të të ndjek për të parë buzëqeshjen tënde, megjithëse kjo buzëqeshje brenda errësirës së varrit nuk duket, por unë do të bëj të pamundurën, qoftë edhe me anën e një fluture, që do të dalë nga kockat e mija”, kujtonte Sadija.

Teksa më rrëfente, imagjinata ime vraponte në ato vite kur raporti i tyre u bë frymëzim për breza të tërë shqiptarësh. Ajo nuk ishte thjesht gruaja fisnike e një shkrimtari të madh, por edhe lexuesja e parë e veprave të tij, konsulentja e kujdesshme, redaktorja e mprehtë, por edhe nëna e përkryer për Artanin dhe Elonën. Emocionin e penës së saj e kam përjetuar edhe unë, ku në nëntorin e vitit të shkuar u ul për të lexuar dorëshkrimin e librit të parë dhe mes të tjerash më shkroi me shkrimin e saj një letër të gjatë që unë e prita me ankth të gjatë.

“Andrea, të falenderoj që në këtë kohë shumë e shumë të vështirë pas ndarjes me Dritëroin, me të cilin udhëtova në jetë nga mosha 22-vjeçare deri në moshën 74-vjeçare, më dhe librin tënd me poezi. Duke lexuar këtë libër të parë tëndin, ndjeva kënaqësi, më qetësove dhe më ule sërish në tavolinë për të shkruar“, shënonte mes të tjerash Sadija e dashur në disa fletë të bardha të cilat i kam mësuar përmendësh.

Atë pasdite folëm gjatë. Edhe pse shfaqej e lodhur nga e tashmja, kur tregonte  mbi projektet rreth dorëshkrimeve të Dritëroit, rrezatonte një lloj force që më habiste. Folëm për dashurinë ndaj nipave dhe mbesave, për projektin e shtëpisë muze, për rrëfimet e miqve të Dritëroit, për poezinë, për gazetarinë dje-sot, por edhe për copëza historish të njerëzve që ka pritur dhe përcjellë në apartamentin e tyre gjithnjë të hapur buzë Rrugës së Dibrës.  
E vetmja gjë që nuk folëm atë ditë, ishte vdekja. Të mallkuarën s’e përmendëm në asnjë fragment të bisedës sonë edhe pse ajo erdhi pa trokitur mesditën e 26 shkurtit.

Kur u largova, e përqafova fort dhe ndjeva pranë gushën plot aromë të gjyshes, krahët e lodhur të nënës, duart e rrudhura të gruas së rrallë dhe rrahjet e ngadalta të kraharorit që përcillnin vetëm impulse dashurie.

“Duhet të na premtosh që do të bëhesh e fortë pasi kemi shumë rrugë përpara. Thesarin letrar të Dritëroit duhet ta nxjerrim të gjithin pasi ai tashmë i takon të gjithë shqiptarëve”, i pëshpërita lehtë teksa kënaqesha kur e shihja të përcillte një buzëqeshje optimizmi. Ky mbase ishte i vetmi premtim në heshtje që nuk e mbajti dot edhe pse e kishte bindur veten që nuk do të dorëzohej lehtë.

Tani që kam ngrirë para lajmit të ftohtë të vdekjes, mu rishfaq edhe ky kujtim nga “dollia jonë e fundit” në apartamentin modest i cili gjithnjë më është dukur si ato vendet ku kthehesh për të gjetur forcë, për të marrë doza frymëzimi apo për të thithur pakëz dritë nga ajo që të ndriçon skutat e errëta të trurit.

Teksa lutem që të prehesh në paqe, po recitoj vetëm të njëjtat vargje që dikur i lexonim së bashku:

“Erdhe e re dhe mbete e bukur,
Hapi yt ish si rënia e fletës së panjës,
Dhe fytyra kish drojtjen e purpurt,
Unë isha nisur në një udhëtim të largët.

Erdhe e the:Ta bëjmë tok udhëtimin,
Isha i lodhur kur fjalët e tua,
Bashkë me fletët e vjeshtës mbi supe më binin ;
Heshtur dëgjoja , pastaj të mora për grua!”

Lamtumirë Sadije, pusho e qetë tani! Dritëroi është aty me ty!

Pasagjeri harron në tren një vazo të Pikasos

Policia gjermane po përpiqet të ndihmojë një burrë, i cili harroi në tren një vazo të pikturuar nga Pablo Pikaso.

“Ne jemi 100% të sigurt se kjo është një vazo e punuar nga Pikaso”, theksuan në një raport autoritetet.

I moshuari 76-vjeçar udhëtonte me tren nga Kaseli në Dyseldorf dhe harroi çantën që mbante vazon, kur ai ndryshoi tren për në qytetin Ham.

Vazoja e qeramikës është e lartë 26 centimetra dhe daton që nga viti 1953 dhe përmban një imazh të serisë Pikaso “Owl”, raporton koha.net

Pronari thotë se vlen të paktën 10 000 euro (11 370 dollarë).

Raporti nuk theksoi pse i moshuari po udhëtonte me vazon ose si e kishte zotëruar atë./ KultPlus.com

Këngëtares ukrainase i hiqet e drejta të përfaqësojë vendin saj në Eurovizion

Këngëtarja ukrainase, Maruv, i është hequr e drejta për të përfaqësuar vendin e saj në Eurovizion dhe duket se arsye mbetet tensioni ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë.

Kënga “Siren Song” e Maruv mori votat e publikut për ta përfaqësuar Ukrainën, por më pas lindën mosmarrëveshjet me televizionin kombëtar.

Asaj iu dhanë 24 orë kohë për të nënshkruar një marrëveshje që e detyronte të anulonte turin e saj në Rusi. Bisedimet ngecën dhe televizioni i hoqi të drejtën e përfaqësimit në Evrovizion këngëtares.

27-vjeçarja, emri i vërtetë i së cilës është Anna Korsun, tha se ajo ishte dakord që të anulonte turin e saj në Rusi, por sipas saj, në kontratë kishte edhe kushte të tjera deri në censurë.

“Jam qytetare e Ukrainës, paguaj taksat dhe e dua sinqerisht vendin tim. Por, nuk jam gati të performoj me slogane, duke e kthyer shfaqjen time në promovim për politikanët”, shkroi ajo në Facebook.

Maruv falënderoi të gjithë mbështetësit e saj, teksa u kërkoi që të mos të ndërmerrnin asnjë veprim agresiv./ KultPlus.com

Përvjetori i botimit të “Alfabetares së gjuhës shqipe”

Më 27 shkurt të vitit 1897 u botua në Stamboll “Alfabetarja e gjuhës shqipe”, e cila u botua me nismën e atdhetarëve Sami Frashërit, Jani Vretos e Pashko Vasës.

Ishte një nga veprimtaritë më të rëndësishme të patriotëve shqiptarë të Stambollit, të cilët më 12 tetor 1879 themeluan “Shoqërinë e të Shtypurit të Shkronjave Shqip”, shoqëri kulturore, që kishte për synim të nxiste zhvillimin e kulturës në gjuhën shqipe dhe ta vinte atë në shërbim të çështjes së çlirimit kombëtar nga Turqia, raporton koha.net.

Me alfabetin, plotësonte një nga kërkesat bazë për përhapjen e propagandës atdhetare dhe i hapte rrugën botimeve të para serioze të Rilindjes sonë Kombëtare. Në gjirin e saj bashkëpunuan ngushtësisht myslimanë të mëdhenj si vëllezërit Frashëri, katolikë të shquar, si Pashko Vasë Shkodrani, e ortodoksë të mësuar e atdhetarë si Jani Vreto, ishte pra model i bashkëpunimit ndërmjet feve në shërbim të Atdheut, shkruan ksp.

Gjithsesi çështja e alfabetit të shqipes do të zgjidhej përfundimisht vetëm me Kongresin e Manastirit, që u mblodh më 14 nëntor 1908, ku u hartua një alfabet i ri me shkronja latine. Është alfabeti që përdorin edhe sot e kësaj dite gjithë ata, të cilët shkruajnë shqip./ KultPlus.com

Ka ndërruar jetë Mark Hollis, lideri i grupit “Talk Talk”

 

Mark Hollis, këngëtari i grupit “Talk Talk”, ka ndërruar jetë në moshën 64 vjeçare – ka bërë të ditur ish-menaxheri i tij.

“Fatkeqësisht, është e vërtetë. Mark ka vdekur pas një sëmundje të shkurtë, nga e cila nuk arriti të shërohej ka thënë Keith Aspden.

“Talk Talk” ka qenë grup i famshëm i viteve të tetëdhjeta, ndërsa suksesin më të madh e ka arritur me këngët, si “It’s My Life” e “Such a Shame”.

Pas lansimit të një albumi solo në vitin 1998, Hollis e braktisi muzikën dhe vendosi të tërhiqej nga syri publik.

“E kam zgjedhur familje. Ndoshta të tjetër mund të shkojnë edhe nëpër turne, edhe të bëhen prindër të mirë në të njëjtën kohë, por unë nuk mund ta bëj këtë”, kishte thënë asokohe Hollis.

Ish-menaxheri i tij, Keith Aspden, ka thënë për BBC se akoma nuk mund ta pranojë se ish-kolegu i tij ka ndërruar jetë.

“Nuk mund t’jua përshkruaj se sa ka ndikuar Mark dhe sa e ka ndryshuar botëkuptimin tim për artin dhe muzikën. Jam falënderues për kohën që e kam kaluar me të dhe për disa çaste të bukura që vendosi t’i ndante me ne”, ka thënë Aspden. /KultPlus.com

Kënga më e re nga Armend Rexhepagiqi dhe Aida Baraku (VIDEO)

Elvana Gjata  i është rikthyer përsëri muzikës, ajo ka publikuar sot  baladën me titull “Tavolina e mërzisë”, shkruan KultPlus.

Këtë këngë këngëtarja shqiptare ia ka besuar dy emrave të mëdhenj të muzikës shqiptare. Ata janë Armend Rexhepagiqi  i cili ka kompozuar muzikën e kësaj kënge dhe Aida Baraku që ka shkruar tekstin e saj.

Aida Baraku dhe Armend Rexhepagiqi për një kohë të gjatë nuk kanë sjell ndonjë projekt të tyre, ndërsa publiku vazhdon të mbetet besnik i këngëve të tyre më të vjetra.

Kënga “Tavolina e mërzisë” e rikthen Elvanen përsëri në ekranin shqiptarë, ku për herë të fundit me videoklip erdhi përmes hitit veror “Mike”./ KultPlus.com

Shkodra me dhe pa korsi biçikletash…

Kur përmend Shkodrën direkt mendja të shkon tek biçikleta e cila është edhe mjeti lëvizës që të gjithë shkodranët përdorin masivisht e që edhe i personifikon.

Ky mjet për shumë e shumë vite vijon të jetë ai që përdoret nga të gjithë pa dallim moshe. Natyrisht që për shumë kënd kur u përmend Shkodrën dhe biçikletën krijojnë iden së në këtë qytet vëmendja ndaj korisve për biçikleta ëështë e madhe dhe se në çdo rrugë ka një korsi të dedikuar për pedaluesit e shumtë por në fakt nuk është kështu.

Në Shkodër hera herës mund të quhet edhe një sfidë më vetë për të levizur me biçikletë nëpër rrugët e qytetit pasi korsite e verdha janë të zëna ose nga automjetet e ndryshme për orë të tëra duke mos zbatuar as ligjin që e ndalon parkimin e makinave në këto pjesë të rrugëve ose edhe nga kazanët e mebturinave apo edhe karrikeve e sendeve të ndryshme që bizneset aty rrotull zënë vendin e tyre për parkim.

Ajo që duhet theksuar është që edhe pse Shkodra quhet ndryshe qyteti i biçikletave korsitë nëpër rrugët e Shkodrës dedikuar dyrrotakëve janë të pakta të cilat janë në Parrucë-Xhabiej dhe Xhabiej-Perash deri tek shkolla e mesme pyjore “Kolë Margjini”.

Kaq mesa duket u është dukur e mjaftueshme për tu lënë hapsirë qytetarëve për sa i përket mundësimit të levizjes me çikleta. Jo pak herë këto zënie të korsive të verdha i kanë detyruar shkodranët të ecin me biçikletë edhe në rrugën dedikuar automjeteve duke u kthyer në burim aksidentesh e ku në fakt nuk kanë munguar edhe ato fatale në humbje jete.

Apeli për të marrë masa për shtimin dhe lirimin e korsive të biçikletave nga hera kanë qënë nga më të ndryshmet por prap duket se këto fjalë duket sikur nuk janë marrë për bazë edhe pse nga lobimi dhe kërkesat e përcjella drejt pushtetit vendor u morën parasysh këto nevoja për ndërhyrje dhe në buxhetin e 2019-ës që miratoi këshilli bashkiak, u futën 100 milion lekë të vjetra si zë për investime mbi lëvizshmërinë në qytet, ku shtrirja e imapktit shkon deri në 2021.

Në një qytet si Shkodra koristë e biçikletave janë një nevojë thelbësorë për qytetarët e jo një luks gjithësesi në këtë qytet biçikleta vazhdon të jetë një mjet lëvizjeje i preferuar dhe mjaft i përdorshëm dhe vështirë mund të gjesh shtëpi që nuk e ka së paku një biçikletë.

Pendohem që u ktheva në Shqipëri

Nga Arber Çepani

Këto muaj, këto javë, këto ditë…kanë qënë shumë të vështira për mua dhe familjen time! Që nga momenti që vendosa të kthehesha në Shqipëri për të investuar gjithçka kisha në vendin tim të origjinës, e kam bërë me dëshirën dhe ëndrrën për t’u rritur me vendin tim, në vendin tim. Pavarsisht vështirësive të shumta, pavarsisht brryleve, pavarsisht demoralizimeve, pasioni dhe dashuria për atë ç’ka bëj, më mbush me energjinë për të shikuar përpara! Por asnjëherë nuk do ta kisha menduar se një ditë do isha penduar aq shumë që u ktheva…

Asnjëherë nuk do ta kisha menduar se një ditë do më ishte neveritur vendi im… Dhe sot e urrej veten, që këtë vend të bekuar nga Perëndia, më duhet ta shoh si mallkim, jo për faj të tij por për faj të atyre që luajnë me fatet e njerëzve! Më vjen të ulëras, për veten, për vendin tim, për ata që kam afër, se pse jemi katandisur kështu…. Nëse do gërrmonit brenda shpirtit tim do gjenit vetëm mërzi, zi, vrasje shprese…

Kam duruar shumë që të mos flas e të mos shprehem në gjaknxehtësi e sipër… Pas gati një dekade që i dedikohem me mish e me shpirt, ngritjes së një biznesi social-kulturor në mbrotje të trashëgimisë tonë materiale siç është “Komiteti”, pas gati një dekade që i paguaj shtetit shqiptar me miliona lekë taksa pa marrë asgjë në këmbim, pas gati një dekade ku me aq mundësi sa kemi patur, kemi punësuar me dhjetra të rinj që shteti nuk ishte i aftë t’u siguronte një punë, ky shtet ma shperblen në mënyrën më naziste të mundshme, duke më vendosur gjobën më të lartë që një Bar Kafe mund të ketë pësuar që nga 91′! Duket si shaka kur e thua… mundohesh me të gjitha mënyrat të besosh se e gjithë kjo situatë është një ëndërr e keqe… Sepse vetëm në një ëndërr të keqe, një i ri që është kthyer dhe ka investuar në vendin e tij , mund të zgjohet me një gjobë 40 milionë lekë të vjetra! 40 milionë lekë të vjetra! 40 milion lekë të vjetra!

Në gati një dekadë pune të përditshme asnjëherë nuk i kam parë bashkë 40 milionë lekë! Një shifër e vendosur në shkelje të çdo proçedure të mundshme ligjore! Kjo vetëm sepse “UNË FOLA”! Kjo vetëm sepse në Shqipërinë tonë nuk duhet të ekzistojnë njerëz të lirë, që flasim dhe mendojnë si njerëz të lirë! Ata që janë të veshur me kostumin e pushtetit duan të shohin vetëm njerëz të nënshtruar! Duan të shohin vetëm njerëz në kufijtë e mbijetesës! Vetëm kështu ata mund të sundojnë të qetë! 40 milionë lekë të vjetra, që unë të jem buzë gremine dhe të mos kem më as kohën dhe as terezinë për të vazhduar për të ëndërruar!!

Por a e dini çfarë o zoterinj të dashur?! Deri në frymarrjen time të fundit unë do vazhdoj të ëndërroj! Deri në frymarrjen time të fundit unë do vazhdoj të luftoj! Nuk mund të shtypni ëndrrat e dikujt, as duke e kërcënuar me 40 milionë lekë! Nëse doni të kaloni mbi ëndrrat e mia që janë ëndrrat e çdo shqiptari të lirë, duhet të kaloni mbi kufomën time, se rrugë tjetër nuk keni! Nëse mendonit se do tërhiqesha…

Ok pra po jua them: “Shfaqja sapo ka nisur”! Dhe kjo nuk do jetë më lufta ime personale! Kjo do jetë lufta e çdo shqiptari që punon me ndershmëri dhe përdhunohet nga sistemi! Kjo do jetë lufta e çdo sipërmarrësi, që sot po mbijeton në klimën më të keqe të biznesit në Evropë! Kjo do jetë lufta e çdo shqiptari që është shtypur dhe nuk ka patur mundësinë të flasë! Kjo nuk do jetë vetëm lufta ime të jeni të sigurt! Shihemi në Gjykatë! Gjithësecili prej jush që ka abuzuar me ligjin do përgjigjet para ligjit! Besa besës!

Gjakova bën bashkë shtatë kore nga rajoni

Shtatë kore nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Italia u bënë bashkë në festivalin ndërkombëtar të muzikës korale “A Cappella”, në Gjakovë të Kosovës.

Shqipëria u përfaqësua nga Shkodra, me korin “Rozafa Ekspresion”, drejtuar nga profesor Zef Çoba të cilët interpretuan disa nga këngët më të bukura shqiptare, por edhe kryevepra botërore

Por mikpritja që ju bë Shkodrës detyroi që kori të dalë jashtë repertorit e të sjellë të tjera pjesë si hymnin: Porsi fleta e ejllit të Zotit e Fishtës, raporton “OraNews”.

Drejtuesit e festivalit vlerësuan arritjet e këtij viti, duke u shprehur se ky bashkim i jep më shumë vlera këtij organizimi.

Rauf Dhomi, organizator, tha se ky organizim është menduar për t’i afruar të gjitha trevat së bashku.

Zef Çoba, dirigjent, tha se “muzika luan një rol shumë të madh për vëllazërimin e popujve”.

“Kolosët e muzikës kanë kompozuar kryevepra që interpretohen në gjithë anët e botës”, tha Çoba.

Befasues ishte interpretimi i grupit arbëresh që solli pjesë nga përkujtimi i 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.

Në fund për pjesëmarrësit u ndanë edhe vlerësimet, duke i lënë takim në edicionin e radhës pas një viti.

‘Ikja e çiftit Agolli na e varfëroi qytetin’

Shkruan: Alfred Peza

Kur rreth një muaj më parë, në ekranin e celularit mu shfaq emri i Sadije Agollit, hezitova një sekondë për ta hapur. Pas vdekjes së Dritëroit e merja herë pas here, derisa besova se kishte nisur që të mësohej me mungesën.


Por kur bisedova një ditë me Elonën, më konfirmoi të kundërtën. Atëherë mendova se kisha të drejtë që kisha krijuar idenë se ishin një çift i lidhur aq pazgjidhshmërisht, sa prej shumë vitesh ishin bërë “vëlla e motër siamezë”. Jo vetëm që kishin marë tiparet, të mirat dhe huqet e njër- tjetrit, por edhe frymën me sa duket, e mernin për njëri tjetrin.


Pasi e ngrita celularin, Sadija e vërtetoi ngurimin tim, pasi mu “ankua” miqësisht siç dinte veç ajo, për “harresën”. Duke më vlerësuar veçanërisht, kur më kërkoi që të shkruaja kujtimet për Dritëroin, si pjesë të projektit të saj më të ri, me miqtë e tij. 
Rrallë qëllon të takosh një grua që jeton për bashkëshortin, me përkushtimin e një nëne dhe “engjëllit” të tij mbrojtës. Ikja brenda dy vjetësh nga Ai, tregoi se dashuria e tyre si nëpër filmat e neorealizmit italian, kishte në ADN-në e saj, pafundësinë e të gjitha ngjyrave shqiptare. 
Ikja e çiftit Agolli, na e varfëroi qytetin. Breza të tërë shqiptarësh u rritën e jetuan me librat dhe bisedat, për historinë e jetës së tyre të jashtëzakonshme. Lamtumirë Sadije! 

Despacito vendos rekord të ri në YouTube me gjashtë miliardë shikime

Adhuruesit e Luis Fonsi dhe Daddy Yankee nuk po mund të ngopen me këngën “infektuese” Despacito – video klipi i tyre muzikor sapo e ka tejkaluar rekordin prej gjashtë miliardë shikimeve në YouTube.

Yjet e hitit latin e publikuan këngën në janar të vitit 2017, ndërsa më shumë se dy vjet më vonë, ai ende po dëshmohet të jetë hit i vërtetë.

Të dielën, Despacito zyrtarisht u bë promoja e parë në historinë e YouTube që e arriti një rekord të madh, duke e tejkaluar konkurrentin më të afërt – “Shape of You” të Ed Sheeranit – me 1.9 miliardë shikime, shkruan KOHA Ditore.

Sipas zyrtarëve në faqen për video-streaming, gjatë kulmit të popullaritetit të këngës së nominuar për Grammy, promoja e saj u transmetua mesatarisht 25.7 milionë herë në ditë. Kjo shifër ka rënë ndjeshëm, por është ende madje 2.8 milionë shikime mesatare në ditë deri më tani në vitin 2019, raporton Billboard.

Despacito ka vazhduar t’i thyejë kufijtë që nga debutimi i saj – ajo u bë videoja e parë që i tejkaloi tre miliardë shikime në YouTube, përpara se të vazhdonte të hynte në histori ndërsa i kaloi edhe katër dhe pesë miliardë shikime.

Ndërkohë, singli i remiksuar, ku paraqitet Justin Bieber, ende është në maja të listave – singli e kaloi javën e 100-të në U.S. Hot Latin Songs Chart para Krishtlindjeve dhe mbetet në vendin e tretë në javën e 109-të në top listën e Billboard.

Vetëm Romeo Santos ka kaluar më shumë kohë në top listë – kënga e tij e vitit 2013 Propuesta Indecente aktualisht e mban titullin si kënga që ka qëndruar më gjatë në top listën Hot Latin Songs me 125 javë.

Alban Skenderaj së shpejti me këngë të re

Këngëtari i njohur shqiptar, Alban Skenderaj, njofton se së shpejti do të lansojë një këngë të re.

Këngëtari 36-vjeçar përmes një postimi në Instagram ka bërë të dikur se kënga e re do të titullohet “Faleminderit”, transmeton Koha.net.

“Faleminderit, së shpejti…”, ka shkruar Skenderaj ku ka postuar edhe një fotografi e cila duket sikur është nga videoklipi i këngës së re.

Kujtojmë se në fillim të këtij muaji, Skenderaj ka publikuar këngën e tij më të fundit të titulluar “Jetë”.

View this post on Instagram

A post shared by Alban Skenderaj (@albanskenderaj) on Feb 26, 2019 at 1:41am PST

‘Forca dhe besimi yt nuk kanë moshë…’

Nga Nënë Tereza

Ki gjithnjë parasysh se lëkura rrudhet,
flokët thinjen
e ditët bëhen vite.

Megjithatë ajo çka është e rëndësishme nuk ndryshon
forca dhe besimi yt nuk kanë moshë.
Shpirti yt ështe ngjitësi i çdo rrjetëze merimangash.

Pas çdo linje të mbërritjes është një linjë nisjeje.
Pas çdo suksesi është një tjetër zhgënjim.

Përsa kohë je i gjallë, ndjehu i gjallë.
Nëse të mungon ajo që bëje, kthehu ta bësh.
Mos jeto me fotografi të zverdhura,
këmbëngul edhe pse të gjithë presin të braktisësh.

Mos lejo të ndryshket hekuri që është në ty.
Bëj që në vënd të mëshirimit të të respektojnë.

A ka ku kullotë kali?

*ANEKDOTA POPULLORE | mbledhur nga Anton Çetta.

A KA KU KULLOTË KALI?
(Mlecan,Prekorupë)

Ish kanë ni katunar niherë e ish kan shkue n’Gjakovë. At’harë katunarët shkojshin n’Gjakovë për me pre tesha. Shkon ky katunari e i thotë terzisë:
-A po m’i prenë ni parë tesha se m’nevojiten, po paret t’i jap n’kohë t’lamës.
Terzija e veti:
-Kut t’vi atje te ju me i marrë paret, a keni bar, a ka ku kullot kali?
-Po, ka ku kullotë kali, se ka bari tekteri n’gu a sa t’don ka tërfojë e bar e çdo sen ka.
Ky edhe i tha:
-Jo përze, s’po vi hiç se, me pasë njerëz t’gjallë e gja qi kullotin n’at bari ti kishe pas me m’i pague paret. Mirpo masi s’ka kush i kullot gjanë, e gja s’ka qi kullosin bar e tërfojë, ti s’kie kah m’i paguen paret,e për qeta borgj s’po ti jap.