Nuk kanë të ndalur befasitë në rrafshin e karrierës nga Elvana Gjata.
Këngëtarja do e publikojë shumë shpejt këngën e saj më të re, në bashkëpunim.
Elvana i ka bashkuar forcat me reperin Lyrical Son për këngën ‘Pa dashuri’ e cila do jetë edhe pjesë e filmit ‘Dy gisht mjaltë’ që sot dy javë do të lansohet në të gjitha kinematë shqiptare.
Pak nga ky projekt prej sekuencave te filmit, këngëtarja ka ndarë me ndjekësit në rrjetin social Instagram.
Fotografia më
e njohur për vitet e Krizës së Madhe ekonomike në Shtetet e Bashkuara është ajo
bardhë e zi e një punëtoreje të bujqësisë e rrethuar nga fëmijët e saj, përcjell
KultPlus.
Fotografia me titull “Nëna migrante” është marrë nga fotoreporterja Dorothea Lange në vitin 1936.
Lange është
e famshme për fotografitë që pasqyruan një periudhë të vështirë në Shtetet e
Bashkuara, jo vetëm si një fenomen ekonomik, por edhe si një tragjedi
njerëzore.
Gruaja në fotografi është 32 vjeçarja Florence Owens Thomson, e rrethuar nga vajzat e saj Katherine dhe Ruby teksa kokat e tyre prehen në shpatullat e së ëmës, ndërkohë që mban foshnjën Norma në krahë.
Heshtja det i lëkundur dhe vetimët Fshikin terrin trupi i saj përdridhet Ku janë njerëzit. Nga janë nisur bimët Një langua leh e s’ik as lidhet Ulurin përmotshëm mbase së ligës Ja ndjen erën diku në gjakun tim Ai rrëmbimit të vet i turret digë Rreptas pastaj etur merr gufim Tej durimit dhimshëm. Të trazuara Ngrihen grevë të pabërat duan dëshmi Protestojnë. Gjithë gjërat e ndaluara Bredhin mëllefit të vet me zhauri Dhe leh kafshë e zezë e s’ik as lidhet Heshtja det i lëkundur dhe vetimët Fshikin terrin trupi i saj përdridhet Ku janë njerëzit. Nga janë nisur bimët Ja që kështu na qenka kafshë e dehur Mëtimi. Pastaj vetëm cuklat kur të na mbeten Do thonë: Ai me fjalë e ajo me të lehur Të rrojnë se njerëzisht e hëngrën veten Të pastë ndjesë harrimi hero i herave tjera
Grimerja Sellma Kasumoviq sot është bërë cak i shumë reagimeve pasi që nga profili i saj zyrtar në ‘Instagram’ kanë shkuar lavde tek bija e kriminelit Arkani, shkruan KultPlus.
Lidhur me këtë koment, e reagimet e shumta, ka reaguar edhe vetë grimerja Sellma Kasumoviq duke thënë se komenti nuk i përket asaj por njërit nga adminet që e administrojnë faqen e saj.
Tutje ajo a ka thënë se ka mijëra ndjekës në Instagram, dhe jo të gjithë i njeh ndërsa ka dhënë një mesazh edhe për ata që kanë komentuar etninë e saj shqiptaro- boshnjake.
“Faqja menaxhohet nga disa admin dhe une nga ju sot e kuptova se kush ishte vajza qe e paskemi komentuar”, ka shkruar ajo mes tjerash në reagimin e saj.
Krejt në fund, Sellma nuk i është shmangur as qëndrimit të saj sa i përket taksës.
“Mbasi m’futet ne politike, t’a jap edhe une mendimin tim: Jam pro takses 100% per produktet e Serbise dhe B&H”, ka shkruar ndër të tjera Sellma Kasumoviq./ KultPlus.com
Është historia e Klora Merlikës, simboli i mbijetesës në kampet e internimit, atje ku shkoi fëmijë e kaloi 45 vite të jetës, ku pa të vdisnin bashkëmoshatarët e saj. Atje ku dashuroi e veshi fustanin e bardhë të nusërisë, atje ku la nënën e saj përgjithmonë.
Nga Luljeta Progni
Një fustan i bardhë dhe një shëtitje nëpër dyert e familjeve të internuara janë të paktat çaste që mban mend Klora Merlika në ditën e shënuar të jetës së saj, atë të martesës.
Ajo ditë nuk do të bënte asnjë ndryshim nga ditët e zakonshme të jetës së saj të mundimshme në kampet e internimit nga Berati në Tepelenë e deri në Savër…
Kishte mbërritur në kampet e internimit, kur kishte ende përparsen e shkollës fillore dhe është larguar prej andej 45 vite më vonë. E kanë quajtur simbol të mbijetesës, pasi e kanë degdisur thuajse në të gjitha kampet e internimit të Shqipërisë.
Është Klora Merlika, nusja e djalit të ish-kryeministrit Mustafa Merlika. Është një ndër ato që ka vuajtur më së shumti terrorin komunist, që kur ishte fëmijë.
Ja si e kujton ajo fëmijërinë në kampet e internimit, atje ku shumë bashkëmoshatarë të saj humbën jetën në mënyrë tr.agjike.
“Duke qenë pjesë e familjeve të mëdha, në fillim dhe në fund të kampit ishin banjot, dhe ne të Mirakajve (gruaja e xhaxhait, ishte grua ministri) bashkë me Bardha Markagjonin na vendosën në fund, në një hapësirë jashtë çdo kushti normal…
As mbijetesë nuk e quaje dot. U desh shumë mund nga nëna ime e nuset e xhaxhallarëve për ta pastruar vendin rrotull, deri sa mori një pamje të pranueshme. Në Berat ne qëndruam nga viti 1944 deri 1949-n, gati pesë vjet.
Shumë herë aty në kamp ra sëmundja e malaries, tifoja, dhe fëmijët e vegjël vdi.snin njëri pas tjetrit. Brenda një nate kanë vde.kur mbi 20 fëmijë, dhe unë nuk kam për ta harruar kurrë një grua shtatlartë shkodrane, Cuklina e quanin, së cilës i vdi.qën të dy foshnjat binjake nga tifoja.
Buzët e thara të atyre fëmijëve i kam përpara syve (qan). Unë gjithë kohës rrija pranë nënës e familjarëve të mi, ndërsa mamaja bëri të pamundurën që të më regjistronte në klasë të katërt, në një shkollë pranë kampit, sa për të kaluar disa orë të ditës.
Mbaj mend që disa herë rresht e kam shoqëruar time ëmë në Burgun e Kuçovës, sepse aty pranë po ndërtohej nga të bur.gosurit kanali Kozarë-Kosovë, ndërkohë që ata merrnin edhe njerëz nga kampe të tjera internimi”, thotë Klora.
Po, në internim Klora përjetoi edhe momentin më solemn në jetën e njeriut, atë që praktikisht duhet të ishte çasti më i paharruar: fustani i bardhë dhe nusërimi, deri edhe lindja e nipërve dhe mbesave.
Martesa me Fatosin, të birin e ish-kryeministrit Mustafa Merlika, do t’ia rëndonte dën.imin, sidomos edhe pas kërc.ënimit që vetë Mehmet Shehu i kish bërë në bu.rg të shoqit. Janë 45 vite internim, dhe sot 80 vjeçarja Klora Merlika (Mirakaj) ka shumë për të rrëfyer…
“Nuk ishte dasmë ajo imja! Unë u vesha me fustan të bardhë dhe bëra një xhiro rrotull kampit, nëpër dyert e familjeve bashkëvuajtëse aty. Të nesërmen direkt u kthyem në punë dhe vetëm një ditë pas martesës Fatosin e detyruan që të shkonte për të punuar në kënetën e Gradishtit.
Gjatë ditës troket një oficer i Sigurimit dhe i kënaqur nga vendimi për të degdisur tim shoq, më pyet nëse do e lija apo do e ndiqja kudo, ku shteti do ta transferonte.
Unë isha martuar me Fatosin, dhe kisha vendosur që ta ndiqja në çdo vend ku atë do ta caktonin. Në kampet e internimit kam kaluar momentet më të bukura dhe më të trishta të jetës.
Martesa është vetëm një kapitull… Në kamp më vdi.q ime më, e va.rrosëm aty. Në kamp më lindi vajza dhe vendosëm me Fatosin që të kishim vetëm një fëmijë, për të mos i hyrë në hak jetës, vuajtjeve… Nuk mund të to.rturoje veten dhe fëmijën në ato kushte në të cilat jetonim”, thotë Klora.
Kur pyeta një herë në një universitet të Kolumbisë se çfarë provimesh aftësie apo të karakterit profesional iu nënshtrohen personat që dëshirojnë të studiojnë për gazetari, përgjigja që mora ishte e prerë: “Gazetarët nuk janë artistë.”
Në njëfarë mënyre, këto pikëpamje ushqehen nga bindja se gazetaria e shkruar është një zhanër letrar. Këtu e pesëdhjetë vjet të shkuara shkollat e gazetarisë nuk ishin në modë. Ky zanat mësohej në zyrat e redaksive, shtypshkronja, qoshkat e kafeneve më të humbura, si dhe festat e organizuara të premteve në darkë. Gazeta përgatitej në mjedise që u ngjanin pak a shumë punishteve, vendet më të përshtatshme për të mësuar e për t’u informuar dhe ku pikëpamjet lindnin e përpunoheshin në një atmosferë bashkëpunimi të ngushtë, ku ruhej e respektohej integriteti i çdonjërit. Gazetarët përbënin një grup të organizuar më së miri.
Gjithçka që kishim në këtë jetë e ndanim bashkërisht dhe qemë aq fanatikë lidhur me profesionin tonë sa nuk flisnim kurrë për ndonjë gjë tjetër. Puna na kishte lidhur aq fort me shoqi-shoqin, sa pak kohë mund të mbetej për jetën intime të çdonjërit prej nesh. Ndonëse asokohe nuk ekzistonte kolegjiumi i redaksisë në kuptimin formal të fjalës, në orën pesë të pasdites i gjithë stafi mblidhej spontanisht sa për t’u çlodhur nga ten-sioni i përjetuar gjatë ditës dhe për të pirë një kafe në ndonjë vend ku mund të zhvillohej veprimtari editoriale. Ishin mbledhje të hapura, ku diskutohej me zjarr rreth temave të çdonjërës prej rubrikave dhe ku viheshin pikat mbi “i” për numrin e mëngjesit të ditës së nesërme.
Personat që nuk mësonin gjë prej gjëje në debatet e ndezura 24-orëshe të asaj akademie shëtitëse ose të gjithë ata që mërziteshin për vdekje nga bisedat e pafundme që zhvilloheshin, qenë pikërisht ata që dëshironin ose që mendonin se tashmë ishin gazetarë, por në të vërtetë nuk qenë të tillë. Asokohe gazetaria ndahej në tri kategori të mëdha: lajmet, historitë me karaktere dhe editorialet. Rubrika që kërkonte vërtetë finesë dhe që mbartte në vetvete goxha prestigj ishte ajo e editorialeve.
Puna e reporterit ishte më e nënvleftësuara, pasi personi që e kryente atë ishte rëndom ndonjë riosh, të cilit i ngarkoheshin detyra që nuk shkonin përtej shërbimeve të një çiraku. Si koha ashtu edhe profesioni kanë dëshmuar se sistemi nervoz i gazetarisë vepron sipas një stili që lëviz në drejtim të përkundërt me akrepat e sahatit; domethënë, në moshën 19-vjeçare unë isha studenti më i keq që kishte fakulteti i Drejtësisë dhe e nisa karrierën e gazetarit si anëtar i redaksisë së editorialeve. Dalëngadalë, duke punuar rëndshëm, arrita të çaj përpara, duke punuar sa në një sektor në tjetrin, derisa u bëra një reporter i vjetër e i përkorë.
Ushtrimi i këtij profesioni kërkonte një kulturë të gjerë, çka ta ofronte edhe vetë mjedisi i punës. Leximi ishte një nevojë e domosdoshme që nuk hynte te kërkesat e mirëfillta të punës. Njerëzit që janë autodidaktë zakonisht janë lakmiqarë për të nxënë sa më shumë dhe i përvetësojnë gjërat shpejt. Kjo gjë vlen sidomos për moshatarët e mi, ngaqë të gjithë digjeshim nga dëshira të çanim shtigjet për ta çuar sa më përpara atë që ne e quanim vetmevete profesioni më i mirë në botë. Alberto Lleras Camargo, një gazetar i moçëm, i cili në dy raste do të bëhej presidenti i Kolumbisë, nuk kishte marrë as diplomën e shkollës së lartë. Krijimi i mëvonshëm i shkollave të gazetarisë erdhi si rrjedhojë e reagimit të rretheve akademike kun-drejt faktit që profesionit i mungonte formimi shkollor.
Tash për tash, kjo gjë nuk vlen vetëm për median e shkruar, por për të gjitha fushat e medias që ekzisto-jnë ose që do të shpiken. Sidoqoftë, në një përpjekje të dëshpëruar për t’u shtrirë sa më shumë edhe emri i përulur që mori ky profesion qysh në fillim të shekullit të 15-të, tashmë është braktisur. Tash nuk e quan më kurrkush gazetari, por shkenca e komunikimit ose komunikimi masiv. Pa hyrë në hollësira, rezultatet e përftuara nuk janë dhe aq inkurajuese. Studentët që diplomohen nga institucionet akademike me pretendime tejet të mëdha dhe aspak realiste, ndonëse jetën e kanë përpara, duket që nuk kanë kurrfarë pika kontakti me realitetin dhe problemet kryesore të jetës në botën e njëmendtë, dhe më fort se profesionit e aftësive të lindura i kushtojnë rëndësi e vëmendje të pazakontë mënyrës se si të spikasin.
Kjo gjë është veçanërisht e vërtetë sidomos lidhur me dy atribute kyç: kreativiteti dhe përvoja. Shumica dërrmuese e studentëve i hynë profesionit me mangësi të dukshme: ata kanë probleme të rënda me gramatikën e shkronjëzimin dhe nuk janë në gjen-dje ta rrokin në mënyrë instinktive materialin që lexojnë. Një pjesë mbahen me të madh për faktin se mund të lexojnë përsëmbrapthti një dokument sekret mbi tryezën e një ministri, se janë në gjendje të regjistrojnë biseda rastësore pa e marrë vesh folësi, ose se mund të publikojnë një bisedë për të cilën kanë rënë paraprak-isht në ujdi ta trajtojnë si konfidenciale. Ajo çka të shqetëson më së shumti është fakti se të gjitha këto shkelje të rregullave të etikës bazohen në një koncept risque për profesionin, në atë që është përshtatur në mënyrë të vetëdijshme dhe është rrënjosur krenarisht në rëndësinë e shenjtë të të qenit i pari që merr vesh diçka dhe para gjithkujt tjetër. Nocioni se lajmi më i mirë nuk është medoemos lajmi që ti ia ke dalë ta marrësh i pari, por në të shumtën e rasteve është ai lajm që paraqitet më mirë nga të tjerët, nuk do të thotë asgjë për ta.
Disa prej këtyre të rinjve, të vetëdijshëm për mangësitë e veta, ndjehen të mashtruar nga shkolla që kanë kryer dhe nuk e kanë për gjë të fajësojnë profesorët se janë ata që kanë dështuar t’u ngulin në mendje virtytet që tash kërkohen prej tyre, në mënyrë të veçantë kureshtjen për të zhbiruar jetën. S ’do mend që kjo është një kritikë që mund t’u bëhet të gjitha niveleve të arsimimit në përgjithësi, i cili është i korruptuar nga pafundësia e shkollave që janë kapur pas praktikës së mbrapshtë që i kushton më fort vëmendje informacionit se mësimit. Gjithsesi, në rastin konkret të gazetarisë kjo gjë duket se ka të bëjë me paaftësinë e profesionit për të ecur me të njëjtin hap të mekanizmave të tregtisë, si dhe për faktin se gazetarët kanë humbur në labirin-thin e krijuar nga teknologjia teksa është lëshuar me vërtik përpara.
Me fjalë të tjera, sot e gjithë ditën ka një konkurrencë të ethshme midis kompanive kush shtie në dorë veglat më moderne, ndërkohë që kanë lënë pas dore ushtrimin e personelit dhe shpërfillur mekanizmat që njëherë e njëkohë nxisnin shpirtin e skuadrës. Zyrat e redaksive janë shndërruar në laboratorë sterilë ku njerëzit rropaten të ishulluar nga bota, vende ku është më e lehtë të komunikosh nëpërmjet yçklave të elektronikës sesa duke prekur drejtpërdrejt zemrat e lexuesve. Dehumanizimi është duke u përhapur me një ritëm alarmues. Nuk është aspak e lehtë të kuptosh se si teknologjia, me gjithë lavdinë e saj dhe mjetet e komunikimit që zh-villohen me shpejtësinë e dritës, gjëra që i lakmonim aq fort në kohën tonë, ia kanë dalë mbanë të përshpe-jtojnë dhe përkeqësojnë agoninë që lidhet me kohën e mbylljes së gazetës. Fillestarët qahen se shefat u japin tri orë kohë të përfundojnë një detyrë që realisht nuk mund të kryhet në më pak se gjashtë orë, se u kërkoj-në të përgatisin një material për dy kolona dhe në minutën e fundit u japin vetëm gjysmë kolone dhe se në kaosin e mbylljes së gazetës askush nuk ua ka nge-në ose të paktën të ketë mirësinë t’u japë një shpjegim, pa zënë ngoje këtu një fjalë sa për t’i ngushëlluar. “Ata as nuk na qortojnë”, shprehej një reporter riosh që ishte në ankth dhe priste një reagim nga shefat e tij. Heshtja mbretëron; shefi, i cili në kohët e shkuara ishte si një prind i urtë e i dhembshur, sot i kanë shteruar energjitë dhe koha bashkë me to, që të mbajë të njëjtin hap me ritmin ndëshkues të imponuar nga teknologjia.
Për mendimin tim është pikërisht nguti i vazhdueshëm dhe kufizimi në kohë e hapësirë që e ka zbe-hur rolin e të raportuarit, të cilin ne e kemi konsideru-ar kurdoherë si zhanrin më të fisëm, por në të njëjtën kohë edhe zhanrin që lypte më shumë kohë, më shumë hulumtime, më shumë reflektim dhe, sidomos, mjeshtëri të lartë në të shkruar. Në të vërtetë, të rapor-tuarit është një proces rindërtimi i detajuar dhe i ku-jdesshëm i fakteve. Thënë ndryshe është lajmi në tërësinë e vet, ashtu siç kanë ndodhur ngjarjet përnjë-mend, të paraqitura në mënyrë të atillë që lexuesi të ndjehet sikur ngjarjet kanë ndodhur para syve të tij. P ara se të shpikej teleshkruesi dhe teleksti, di-kush në fushën e radiokomunikimit me një përkushtim fanatik ndaj profesionit kapi sakaq lajmet e botës mes kakofonisë së valëve, ndërsa një editor i shkolluar e plotësonte me detajet dhe informacionin shoqërues, në mënyrë të ngjashme me rindërtimin e krejt skeletit të një dinosauri duke u nisur nga një verte-bër e vetme.Vetëm interpretimi i lajmit ishte rreptë-sisht i ndaluar, ngaqë kjo gjë konsiderohej domeni i shenjtë i kryeredaktorit, editorialet e të cilit presupo-zohej se shkruheshin veç prej dorës së tij, ndonëse nuk ishte bash kështu. Përveç kësaj, kryemjeshtri i të shk-ruarit ishte ngaherë i famshëm për lajlelulet stilistikore. Kryeredaktorët më në zë kishin linotipistin e tyre, puna e të cilit ishte të deshifronte dorëshkrimet.
Një nga përmirësimet më domethënëse të bëra në 50 vitet e shkuara është se lajmi dhe raporti tash shoqërohen me komente dhe opinione, ndërsa infor-macioni shoqërues përdoret për të pasuruar përmba-jtjen e editorialeve. Gjithsesi kjo gjë nuk duket të ketë arritur rezultatet më të mira, ngaqë profesioni i gaze-tarit kurrë më parë nuk është dukur kaq i rrezikshëm sa ç’është sot e gjithë ditën. Përdorimi i tepruar i thon-jëzave në citimin e deklaratave, qofshin ato të vërteta ose të rreme, i hap udhën gabimeve të bëra padashje ose me qëllim, shtrembërimeve dashakeqe dhe keqinterpretimeve të helmatisura, të cilat i japin lajmit forcën e një arme vdekjeprurëse. Citimet nga burime që janë krejtësisht të besueshme, nga njerëz që përgjithësisht janë të mirinformuar, nga zyrtarë të lartë që kërkojnë të mbeten anonimë ose nga vëzhgues që dinë gjithçka, por që nuk shfaqen gjëkundi, bën të mundur që gjith-farësoj kundravajtjesh të mbeten pa u ndëshkuar. Fajtori shkon e ngre rreth e qark vetvetes një fortesë duke cituar të drejtën për të mos e zbuluar burimin, pa i shkuar aspak ndërmend të pyesë veten se mos vallë është duke u bërë lodër në duart e burimit, i cili duke i përcjellë informacionin e ka ambalazhuar më parë ash-tu siç i volit atij.
Unë mendoj se një gazetar i keq beson se jeta e tij varet nga burimi, sidomos në ato raste kur ai është zyrtar dhe për këtë arsye e konsideron atë si diçka të shenjtë, pajtohet me të, e mbron atë dhe, tek e fundit, hyn në një marrëdhënie të rrezikshme bashkëfajësie me të, çka madje e shtyn t’i shikojë vëngër burimet e tjera. Ndoshta kjo që do të them tani mund të tingël-lojë tejet anekdotike, por për mendimin tim, në të gjithë këtë proces ka edhe një fajtor tjetër të madh: kasetofoni. Para shpikjes së kasetofonit, profesionistët ia dilnin për bukuri mbanë me tri vegla, të cilat, ç’është e vërteta dhe në fakt përmblidheshin në një të vetme: një bllok shënimesh, moral i panjollosur dhe një palë veshë që ne, ashtu si reporterët, i shtinim në punë për të dëgjuar atë çka na thoshin të tjerët.
Përdorimi, si nga ana profesionale ashtu edhe etike, i kasetofonit ende nuk njihej. Njerëzit duhet t’i mësojnë kolegët e tyre më të rinj se kasetofoni nuk mund të zëvendësojë kujtesën dhe t’u shpjegojnë se s’është gjë tjetër veçse një variant i sofistikuar i bllokut të shënimeve modest, i cili diti ta kryejë me devotshmëri e besueshmëri detyrën e vet në fillimet e këtij profesioni. Kasetofoni thith por nuk dëgjon dhe sikur të jetë një papagall elektronik veç përsërit, por nuk është në gjendje të përsiasë. Ne mund të mbështetemi tek ai, por s’duhet të harrojmë që është një krijesë pa zemër dhe, tek e fundit, zbardhja e fjalëpasfjalëshme e tekstit nuk mund të jetë kurrsesi aq e besueshme sa ç’mund të jetë puna e kryer nga një njeri që i vë veshin dhe u kushton vëmendje fjalëve që nxjerr nga goja bashkëbiseduesi i tij, shtie në punë in-teligjencën për t’i shoshitur e vlerësuar ato, si dhe i gjykon duke u bazuar në standardet e veta etike.
Kur është fjala për radion, kjo teknikë ofron një sërë për-parësish të padiskutueshme në kuptimin e përçimit të menjëhershëm dhe të saktë të fjalëve te dëgjuesi, por e keqja është se një pjesë e mirë e të intervistuesve nuk ua vënë veshin përgjigjeve që japin të intervistuarit se e kanë mendjen te pyetja e ardhshme që duan të bëjnë. Për shkak të kasetofonit, i jepet një rëndësi e pavend dhe e tepruar intervistave. Radioja dhe televizioni, duke u nisur edhe nga vetë natyra e tyre, i kanë shndërruar intervistat në një zhanër sipëror. Por me-sa duket edhe media e shkruar ka rënë në të njëjtën grackë dhe bën të njëjtin gabim konceptual, duke men-duar se zëri i së vërtetës nuk është dhe aq ai i gazetarit që ka qenë dëshmitar i një ngjarjeje të caktuar, por i intervistuari me deklaratën e vet. Për një pjesë të mirë të shefave të gazetave, transkriptimi ka vlerën e lakmusit gjatë një eksperimenti në gotën e mbushur me acid. Ata i pështjellojnë tingujt e fjalëve, e bëjnë lesh e li se-mantikën, kapen pas shkronjëzimit dhe bëhen viktimë e sintaksës.
Ndoshta një zgjidhje do të ishte kthimi te blloku i shënimeve modest, në mënyrë që gazetarët të dinë të përdorin intelektin për të redaktuar gjatë ko-hës që janë duke dëgjuar dhe t’i japin kasetofonit vendin që i takon, atë të një dëshmitari të çmuar. Sidoqoftë, hamendja e ngritur se shumë prej lajthitjeve etike dhe shkarjeve të tjera që e poshtërojnë dhe e bëjnë me turp gazetarinë moderne, nuk vjen dhe aq nga mungesa e moralit sesa nga paaftësia profesionale, çka tingëllon si një farë ngushëllimi. Ka të ngjarë që një nga të metat e programit mësi-mor të komunikimit masiv është se ato u mësojnë stu-dentëve shumë gjëra që janë të dobishme për profesio-nin, por shumë pak, rreth vetë profesionit. Pra është e qartë që programet humanitare duhen mbajtur, ndo-nëse duhet të jenë më pak ambiciozë e të ngurtë, me qëllim që t’i pajisin studentët me një kulturë të gjerë, çka ata nuk e përfitojnë në shkollën e mesme. Gjithsesi, çfarëdolloj programi arsimor duhet të përqendro-het në tri fusha kyç: t’u japin përparësi aftësive dhe profesionit; të përcaktojnë qartë e prerë se kërkimi nuk është një specialitet i profesionit, ndonëse ai i gazetar-it lypset të orientohet nga kërkimi; dhe të punojnë për t’i bërë të vetëdijshëm studentët se standardet etike nuk janë produkt i rrethanave të rastit; gazetarët duhet t’i kenë vath në vesh të gjitha këto.
Objektivi i fundit lypset të jetë kthimi në nivelin fillestar të arsimimit nëpërmjet kurseve në grupe të përbërë nga pak vetë, synimi i të cilëve duhet të jetë një vlerësim kritik i përvojave historike brendapërbrenda kontekstit origjinal të shërbimit publik. Thënë me fjalë të tjera, për sa i përket të mësuarit, duhet të ringjallim shpirtin e të mbledhurit të gjithë tok në orën 5 të pas-dites. Unë i përkas një grupi gazetarësh të pavarur me qendër në Cartagena de Indias, që po rreket ta rrënjosë këtë gjë anembanë Amerikës Latine nëpërmjet një sistemi kursesh eksperimentale e të lëvizshëm që mbart një emër që tingëllon ca i fryrë: Fondacioni për një Qasje të Re ndaj Gazetarisë në Amerikën Iberike (Fundacion para un Nuevo Periodismo Iberoamericano). Ky i yni është një program pilot për gazetarët e rinj në fillimet e karrierës së tyre. Ata punojnë në fusha specifike – raportim, redaktim, intervista në radio, televizion e kështu me radhë – nën drejtimin e një veterani të profesionit të gazetarit. Pas njoftimit publik të bërë nga fondacioni, kandi-datët propozohen nga organi i medias ku ata punojnë, ndërkohë që është vetë kompania që u mbulon shpenz-imet e udhëtimit, qëndrimit dhe taksën e regjistrimit. Kandidatët duhet të jenë nën 30 vjeç, të kenë të pak-tën tre vjet përvojë pune dhe të dinë të dëshmojnë af-tësitë si dhe nivelin e mjeshtërisë në ato lëmenj që janë specializuar duke ofruar dy modele të punëve të kryera që ata vetë i konsiderojnë si punën më të mirë e më të keqe. Kohëzgjatja e çdo kursi është lënë në dorën e in-struktorit të ftuar, të cilat rrallëherë mund të qëllojë të kalojnë më shumë se një javë. Përgjatë kursit instruktori nuk përpiqet t’i pajisë pjesëmarrësit me dogma të karakterit teorik dhe skema akademike, përkundrazi, në tryezat e rrumbullakëta që organizohen ai rreket të përforcojë mjeshtërinë që kursantët zotërojnë duke shtënë në veprim ushtrime praktike, me synimin për të ndarë tok me ta përvojën e përftuar gjatë ushtrimit të profesionit. Synimi nuk është t’i mësojë njerëzit se si të bëhen gazetarë, por të mprehë aftësitë e atyre që tash-më janë të tillë, përmes ushtrimeve praktike. Në kurset tona nuk ka provime përfundimtare, as nota, as di-ploma dhe kursantët nuk pajisen me ndonjë certifikatë pjesëmarrjeje. Procesi i vlerësimit ndodh vetvetiu në punë e sipër përmes zbatimit në praktikë të mjeshtërisë së fituar. Nuk është aq e lehtë të vlerësosh përfitimet e nxjerra kësisoj nisur nga një këndvështrim thjesht pedagogjik. Gjithsesi, ne të gjithë kemi marrë zemër nga entuziazmi i atyre që marrin pjesë në kurset tona, një dukuri që tashmë po jep frytet e veta për një qën-drim jokonformist dhe krijues brendapërbrenda rretheve të medias nga vijnë këta njerëz, një qasje kjo që është përkrahur në shumë raste edhe nga bordet e drejtorëve.
Thjesht fakti që 20 gazetarë nga vende të ndryshme të botës puqen dhe kalojnë së bashku pesë ditë duke diskutuar rreth profesionit, përbën një shenjë të mbarë të progresit të kryer, si për ata vetë, ashtu edhe për atë vetë, ashtu dhe për gazetarinë. Në një vështrim të fun-dit, ne nuk propozojmë rrugë e mënyra të reja për të mësuar gazetarinë; por ajo që dëshirojmë të arrijmë është të ringjallim dhe mënyrat e vjetra të të mësuarit. Media do të bënte mirë ta mbështeste këtë mision shpëtimi, si në zyrat e redaksive ashtu edhe nëpërmjet skenarëve të krijuar bash për këtë qëllim, siç veprohet në rastet e shkërbimit të aksidenteve ajrore që mund të ndodhin gjatë fluturimit, në mënyrë që studentët të mësohen t’i shmangin katastrofat para se të ndeshen me to në jetën reale. Gazetaria është një pasion që s’njeh kufij, që mund të përvetësohet e të humanizohet vetëm nëpërmjet një përballjeje që nxjerr shkëndija kur ndeshet me realitetin. Vetëm ata që e kanë këtë pasion në gjak mund ta kuptojnë këtë tërheqje magnetike që ushtron ajo, pasion që ushqehet nga paparashikuesh-mëria e jetës. Ai që s’e ka provuar më parë këtë përvo-jë mund të nisë të rrokë atë eksitim të jashtëzakonshëm që të ngjall lajmi, dalldinë e mirëfilltë që vjen e të push-ton kur sheh frytet e para të punës tënde, por edhe sfil-itjen morale që mbart dështimi. Kurrkush që nuk ka lindur për këtë gjë dhe nuk është i përgatitur të jetojë për të, sepse vetëm kështu mund të kapesh pas këtij profesioni, i cili përndryshe ngjan krejt i pak-uptueshëm dhe shterues, ku puna mbaron pasi lajmi është nisur drejt destinacionit, por vetëm për një çast, pasi gjithçka nis sakaq nga e para, madje me vrull më të madh, duke mos të falur as edhe një grimë prehjeje.
*Përkthyer në shqip nga revista online e Institutit Shqiptar të Medias-Medi@Link
Superylli i R&B, Alicia Keys është duke i shkruar kujtimet e saj të para të cilat e detajojnë historinë e jetës së saj.
Ylli i hitit “Empire State of Mind”, emri i vërtetë i së cilës është Alicia Augello Cook, e ka nënshkruar një marrëveshje me zyrtarët në “An Oprah Book”, shtëpinë e re botuese të Oprah Winfrey, Flatiron Books, për ta publikuar “More Myself” këtë nëntor.
“Nuk mund të besoj se kjo po ndodh!”, shkroi Alicia në një postim në Twitter.
“Motra ime, mentori dhe vetë MBRETËRESHA më ndihmuan ta ndaja udhëtimin tim! Faleminderit @Oprah që më mundësove ta ndaja të vërtetën si librin e parë të shtëpisë suaj të re botuese dhe që më sfidove të bëhem MË SHUMË VETJA”.
Duke e ndarë edhe vetë lajmin për librin, Oprah shkroi, “@aliciakeys ka naviguar me qendrën e vëmendjes dhe presionet e famës duke e ruajtur një shpirt modest e të bukur. Jam e nderuar që ajo më zgjodhi mua që ta ndajë historinë e saj personale #MoreMyself përmes shtëpisë sime të botimeve. Atë mund ta lexoni më 5 nëntor, ndërkohë që është në dispozicion për para-porositje tani”.
Botuesit pretendojnë se autobiografia do t’u ofrojë fansave një “perspektivë 360-shkallëshe” në jetën e saj, kur ajo ishte rritur në lagjen e ashpër të Hell’s Kitchen në New York dhe po e zhvillonte talentin e saj si pianiste dhe këngëtare e trajnuar në mënyrë klasike, kur e kishte nënshkruar kontratën e saj të parë në moshën 15-vjeçare.
Ajo u bë e famshme me albumin e saj debutues të vitit 2001, “Songs in A Minor”, i cili i fitoi pesë Grammy Awards. Që nga ajo kohë ajo i ka shtuar edhe 10 albume të tjera në diskografinë e saj mbresëlënëse.
“More Myself” ka të ngjarë të ofrojë detaje për vendimin e 38-vjeçares që të mos e përdorë grimin në vitin 2016, si pjesë e udhëtimit të saj drejt vetë-fuqizimit dhe për t’u zhytur në martesën e saj me yllin e hip-hopit Swizz Beatz, babanë e dy bijve të saj, Egypt, tetë vjeç, dhe Genesis, katër, si dhe rrugën e saj turbulente të bashkë-prindërimit me ish-gruan e producentit, këngëtaren Mashonda, me të cilën ai e ndan djalin 12-vjeçar Kasseem Dean, Jr, shkruan KOHA Ditore.
Swizz dhe Mashonda, e cila më parë e akuzoi Alicia që ia kishte vjedhur bashkëshortin, e përmbyllën shkurorëzimin e tyre në vitin 2010, pak para se ai të martohej me Keys.
Filmi “Ajo” i regjisores kosovare More Raça është selektuar për të qenë pjesë e konkurrencës zyrtare në Festivalin e Kategorisë A , ‘International Short Film Festival Oberhausen’, shkruan KultPlus.
‘International Short Film Festival Oberhausen’ është ndër festivalet më të vjetër dhe më të rëndësishëm të filmit të shkurtër. Ne këtë festival kanë aplikuar 5000 filma dhe janë pranuar vetëm 90 filma. Film AJO është konkurrent në kategorinë Children’s and Youth Films.
Filmi “Ajo” me regji të More Raçen, ka për producent Sunaj
Raçën ndërsa flet për dhunën në familje,
guximin e një vajze të vogël për të shpëtuar vetën dhe nënën e saj.
Në film luajnë aktorët Aurita Agushi, Sunaj Raça, Diella
Valla, Florist Bajgora, Bekim Mulaj.
Filmi është prodhim i shtëpisë filmike Arena i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës. / KultPlus.com
”Bota dinë shumë pak për vuajtjet e shqiptarëve” – ishin këto fjalët e ish kryeredaktorit të revistës prestigjioze ”Global Dialogue”, Michael Burawoy, nga Universiteti i Kalifornisë, pas leximit dhe redaktimit të intervistës time me profesorin universitar Ibrahim Berisha, për trashëgiminë e kolonializmit serb në Kosovë, në shtator të vitit 2017.
Por për t’i kuptuar fjalët e Michael Burawoy, i cili ka qenë President i Shoqatës Ndërkombëtare të Sociologjisë (International Sociological Association – ISA), duhet t’i referohemi librit të autorit Berisha ”Vdekja e kolonisë”, për t’u kthyer te intervista dhe botimi i saj në 17 gjuhë të botës.
Veçantia e këtij libri qëndron në faktin se është një studim multidiciplinar dhe multidimenzional, që dekonstrukton mitin serb për Kosovën, duke shpjeguar dhe argumentuar efektet politike, historike, sociale, kulturore, arsimore, ekonomike, urbane e rurale të manifesteve dhe elaborateve që nga viti 1844 e tutje, të cilat janë shndërruar në projekte dhe vizione politike shtetërore në funksion të ekspanzionit dhe kolonizimit të Kosovës dhe territoreve shqiptare në periudhën 1912 – 1990.
Ky libër dallon nga shumë libra tjerë të historisë që dominohen nga kulti i individit, protagonizmi, mitizimi, glorifikimi, romantizmi, narracionet fiktive, trajtimi dogmatik, tregimet lineare pa përfshirë shumëdimenzionalitetin e një ngjarjeje, kohe e personaliteti, nëpërmjet të cilave shpjegohet e kaluara. Në fakt, sipas autorit Berisha, librave të historisë sot u mungon historia e letërsisë, kulturore, diplomatike, arsimore, antropologjike, një histori që kombinon fushat dhe diciplinat shkencore si sociologjia, antropologjia, psikologjia, filozofia, letërsia, e drejta, diplomacia dhe një histori që i shpjegon gjërat në kontekstin e rrethanave specifike, ndryshe nga ajo komuniste e cila është shkruar me premisa ideologjike, religjioze e politike.
Në diskurset që prodhohen nga tekste të historisë dhe media të ndryshme, vërejmë mungesë të kritikës shkencore në raport me ish sistemet. Në fakt, ka një diskurs që trajton vetëm anën formale të sistemit të Jugosllavisë, disa elemente që janë përjetuar si benificione: shkollimi pa pare, mjekimi pa pare, udhëtimi pa viza, etj., dhe në këtë mënyrë është riprodhuar nostalgjia për atë sistem, ndihmuar edhe nga thyerja e iluzioneve që ka ndodhë pas luftës së vitit 1999 për shkak të mosrealizimit të pritshmërive për mirëqenie më të mirë, duke krijuar opinionin dhe gjykimin që ai sistem ka qenë liberal.
Ndërsa autori Berisha, me qasjen e tij kritike, me metodologjinë e tij dokumentuese dhe hulumtuese arkivore e studimore mbi 20 vjeçare duke përdorur mbi 400 referenca dhe me sensin e tij shkencor sociologjik, kulturologjik e komunikologjik, trajton anën thelbësore të sistemit, atë të pabarazisë, duke filluar shkrimin e librit me përvojën koloniale të familjes së tij, ku xhandarët serbë të familjes koloniste Gjorgjeviq nga Kraleva e Serbisë ua kishin marrë tapitë e tokave dhe të kullës, malet dhe vreshtat. Ai tregon se si u dënua babai i tij mësues si nacionalist, si pjesë e një organizate kundër rikolonizimit serb, ku nga tortura e dënimit iu kishin nxjerrë thonjtë në burg kur ishte vetëm 18 vjet.
Berisha bashkë me ekipin e tij profesional, edhe në rrethanat më të vështira të vitit 1993, në kohën kur drejtonte Qendrën për Informim të Kosovës, ka botuar në gjuhën angleze librin ”Serbian Colonization and Ethnic Cleansing of Kosova” për krimet e Serbisë koloniale.
Ndërsa në librin ”Vdekja e kolonisë” të botuar në vitin 2016, i cili shumë shpejt do të botohet edhe në anglisht ”The Death of a Colony” në Hjuston të ShBA-ve, ka trajtuar pabarazinë;
propagandën; kultin dhe glorifikimin e Titos dhe liderëve jugosllavë; elaboratet; tendencat për krijimin e Serbisë së Madhe; krimet e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene dhe të Jugosllavisë; segregacionin; diskriminimin; ekskomunikimin; dehumanizmin; hegjomonizmin; urrejtjen patologjike e fashiste; mitin serb ”Kosova është Serbi”; inferioritetin e shqiptarëve (të kolonizuarve) dhe superioritetin e serbëve (kolonistëve); privilegjet e profilit serb dhe diskriminimin e profilit shqiptar në administratën dhe institucionet shtetërore; ekspanzionin kulturor dhe arsimor; shkatërrimin e kulturës, traditës dhe gjuhës së shqiptarëve; spastrimet etnike; shpërnguljet dhe deportimin e shqiptarëve për Turqi; vrasjet masive të civilëve pa faj dhe burgosjet pa gjyqe; aksionet e armëve; ndërrimin e identitetit kombëtar si strehë për të ikur nga dhuna; ndalimin e shkollimit; propagandimin se shqiptarët janë të paaftë të arsimohen dhe se ”gratë shqiptare janë makina që lindin”; rrjetin e spiunazhit; masat e dhunshme; terrorin dhe dhunën e strukturuar; shkatërrimin e strukturave dhe resurseve urbane e rurale; aparteidin, ardhjen e mijëra familjeve koloniste (kryesisht serbë, por edhe malazezë, hercegovasë, kroatë, sllovenë, etj.) dhe vendosjen e tyre në pozicionet strategjike të rrugëve dhe të burimit të ujit në Mbretërinë e Jugosllavisë dhe në qytetet e mëdha ku koncentrohet elita burokratike, gjykatësit, ushtarakët, administratorët, në periudhën e Titos; pushkatimin e familjeve bërthamë dhe elitare të Prishtinës; uzurpimin e pronave; eksploatimin ekonomik; ndikimin dhe lojërat politike të fuqive ballkanike dhe evropiane në favor të Serbisë; tendencat për depërtimin fizik në Jug – Detin Adriatik dhe në Mesdhe; diskursin zyrtar 200 vjeçar të artikuluar me ndihmën e politikës, kishës ortodokse serbe (KOS) dhe akademikëve për paraqitjen e serbëve si viktimë karshi popujve të Ballkanit, i cili është shndërruar në politikë zyrtare shtetërore dhe sistematikisht ka ndihmuar në krijimin dhe arsyetimin e konflikteve, etj.
Ai poashtu shpjegon edhe periudhat kur shqiptarët kanë filluar të frymojnë pak më lirshëm, të krijojnë identitetin e tyre, ndonëse disa prej tyre ose janë minimizuar ose janë glorifikuar, fakte këto të gjetura në arkiva nga hulumtimi i tij. Si për shembull, në kohën kur Perandoria e Austro-Hungarisë vuri nën administrim Kosovën në vitin 1916-1918 dhe shqiptarët e Kosovës krijuan administratën në gjuhën shqipe dhe themeluan shkolla në gjuhën shqipe. Apo në periudhën e fashizmit italian dhe pushtimit gjerman 1941 – 1944, kur u hapën shumë shkolla, biblioteka, radio, etj. Apo në periudhën 1967 – 1981 të ekspanzionit masiv kulturor dhe arsimor të shqiptarëve për të zënë hapësirat që u kanë takuar, si për shembull, hapja e Universitetit të Prishtinës si nus-produkt i presionit të drejtëpërdrejtë të Amerikës mbi Jugosllavinë për faljen e borgjeve miliardshe përmes Marrëveshjes së Helsinkit për fillimin e demokratizimit. Edhe pse faktin e presionit të Amerikës dhe përfitimin nga ai në hapjen e universitetit autori nuk e përmend në libër, por në një nga ligjëratat e tij në universitet.
Ashtu sikur që përmend disa fakte se si nën efektin e indoktrinimit ideologjik, gabimisht e kemi festuar datën e themelimit të radios së parë, apo gabimisht i kemi atribuar meritat për hapjen e shkollave dhe arsimimit shqip, dhe në anën tjetër, figura shumë të rëndësishme shqiptare i kemi lënë në harresë të historisë, në fatin e ekskomunikimit, të cilët kanë bartur peshë të madhe nacionale, si fjala vjen Hasan Prishtina, dhe kemi krijuar mite e kemi glorifikuar figura tjera shumë më pak të rëndësishme për shkak të veprimeve atipike të cilave u janë kushtuar edhe këngë folk-patriotike.
Ka një gjë që studimet dhe hulumtimet si këto të profesor Berishës, i cili aktualisht po punon në një libër të ri për postkolonializmin kulturor, do të kishin një vlerë të shtuar sikur të kombinoheshin me rrëfimet e përvojave të njerëzve të prekur nga procesi i kolonizimit. Pra libri me fakte, referenca e shpjegime kombinohet me dokumente arkivore dhe me rrëfime reale. Por për këtë mungon interesimi dhe mbështetja institucionale.
Kështu autori Berisha e shpjegon gjithë këtë kompleksitet të së kaluarës koloniale dhe mungesën e një strategjie dhe politike nacionale sot e shpjegon me konceptin e neokolonializmit. Madje ai elementet e vetëdijes neokoloniale sot i vëren në mënyrën se si komunikojmë mes vete në politikë, në ekonomi, në kulturë; se si paraqitemi inferiorë në raport me të huajt; se si paraqitemi indiferentë dhe nuk vetëvendosim kurrë asgjë, ndërsa presim gjithmonë që punët tona t’i kryejë dikush tjetër; se si kopjojmë dhe improvizojmë, etj.
Është fakt se kolonializmi serb kishte tendenca të një ‘etnocidi’ për zhdukjen e gjurmëve kulturore dhe kujtesës historike në periudhën post-1912, në mënyrë që Kosova të përputhet me mitin, që Kosova të bëhet vetëm e serbëve dhe që të krijohet një entitet homogjen që realizon idenë e kombit-shtet. Ndërsa libri i autorit Berisha riaktualizon dhe ringjallë faktet për gjurmët kulturore, identitare dhe kujtesën historike, si elemente defensive ndaj kolonializmit me bazë ideologjike.
Edhe pse ka një prirje për t’i ikur të kaluarës koloniale dhe që të mos trajtohet si temë, kjo në fakt nuk është në dobi të gjeneratave të reja. Vërehet një tendencë për krijimin e një vetëdije të re nacionale duke e fshehur, ekskomunikuar e margjinalizuar faktin e kolonializmit, faktin e luftës, faktin e konfliktit shqiptaro-serb.
Por Serbia ende nuk e njeh shtetin e Kosovës. Serbia lobon kundër anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare dhe kundër njohjeve të Kosovës. Serbia propagandon me mjetet, gjuhën dhe logjikën e trashëguar dhe riprodhuar nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit, me shumë elemente neokoloniale, në mënyrë shumë agresive, diplomatikisht shumë sofistikuese. Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në luftën e fundit. Nuk ka shprehur as keqardhje e as pendesë. Nuk e pranon që ka ushtruar gjenocid dhe që ka synuar spastrim etnik. Ende nuk ka dhënë përgjegjësi për mbi 1600 të pagjetur. Kosova ende nuk e ka paditur Serbinë për krimet dhe gjenocidin e kryer. Serbia ende nuk e ka marrë dënimin e merituar nga drejtësia ndërkombëtare. Madje kemi vërejtur një relativizim të fajit të kriminelëve sepse në Serbi vazhdojnë të qëndrojnë të rehabilituar shumë kriminelë serbë që kanë kryer krime në Kosovë, ndërsa akuzohet dhe atakohet rezistenca e pashmangshme dhe lufta e dinjitetshme në mbrojtjen e Kosovës. Kjo e ka pozicionuar Kosovën në pozitë inferiore dhe e ka kushtëzuar dialogun pa kushtin e njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë.
Gjeneratat e reja nuk mund ta kuptojnë luftën, nuk mund ta kuptojnë urrejtjen e serbëve ndaj shqiptarëve, nuk mund ta kuptojnë politikën e Serbisë sot, pa e lexuar dhe kuptuar historinë e kolonializmit, pa e kuptuar se si u krijua dhe ushqye miti serb, se si elaboratet e akademikëve serbë u shndërruan në politika të Mbretërisë e Jugosllavisë dhe u bekuan nga kisha ortodokse, se si u kolonizua Kosova, se si u trajtua e pabarabartë dhe e diskriminuar në Jugosllavi dhe se si ndodhi thyerja e shpërbërja e Jugosllavisë bashkë me dekolonizimin e Kosovës.
Prandaj duke e konsideruar librin e autorit Ibrahim Berisha jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe unik, një vit pas botimit të tij, në shtator të vitit 2017, vendosa që fakteve dhe tezave kryesore të tij t’u japi një dimenzion dhe lexueshmëri më të gjerë globale, duke shfrytëzuar bashkëpunimin e mëhershëm me redaktorin e revistës shkencore ”Global Dialogue” në botimin e intervistave me shkencëtarët më të njohur social të botës. Kjo e bëri të lehtë propozimin dhe pranimin e një interviste specifike që trajton temën e kolonializmit në kontekstin kosovar. Interesimi i redaktorit Michael Burawoy ishte që intervista të paraqet mënyrën se si është manifestuar kolonializmi në jetën reale në Kosovë. Michael Burawoy, i njohur në botë jo vetëm për sociologjinë publike por edhe për studimet e tij në postkolonializëm, intervistën me Berishën e shihte tejet të rëndësishme dhe me propozimin e tij ajo mori titullin ”The Legacy of Colonialism in Kosova” – ”Trashëgimia e kolonializmit në Kosovë”. Madje një bashkëpunëtore e kryeredaktorit Burawoy më ka pyetur
pse preferoj emrin ”Kosova” në vend të ”Kosovo”, përgjigjja ime ishte sepse termi ”Kosovo” vjen nga literatura serbe, pra edhe këtë element neokolonial ta eleminojmë.
Në këtë intervistë është promovuar dhe dokumentuar e kaluara koloniale e Kosovës në disa dimenzione dhe tema: 1. Qëllimet, strategjitë, specifikat dhe pasojat e kolonializmit serb në Kosovë; 2. Qasja e sociologjisë shqiptare ndaj tendencës së ideologjisë serbe për dominim politik, etnik dhe kulturor mbi shqiptarët; 3. Ndikimi i miteve, propagandës dhe iluzioneve në inferioritetin e shqiptarëve; 4. Konteksti i Jugosllavisë në vetëdijen politike.
Intervista është botuar në muajin shtator të vitit 2017 në revistën ”Global Dialogue” (http://isa-global- dialogue.net/volume-7-issue-3/), Vëll. 7/3, fq. 19-21, në këto 17 gjuhë:
Ndërsa mund të lexohet anglisht direkt në këtë link: http://globaldialogue.isa-sociology.org/the-legacy-of-colonialism-in-kosova-an-interview-with-ibrahim-berisha/
Intervista në secilën prej këtyre gjuhëve është përkthyer në vendet ku fliten këto gjuhë, nga ekipet profesionale të institucioneve ndërkombëtare të sociologjisë që kanë bashkëpunim me ISA.
Një ndër veçantitë e këtij botimi është fakti që kjo intervistë është përkthyer edhe në gjuhët e atyre vendeve dhe shteteve që jo vetëm që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, por që gjeostrategjikisht dhe gjeopolitikisht disa prej tyre janë të pozicionuar kundër saj, si Rusia (rusisht), Spanja (spanjollisht), Kina (kinezisht), India (hindu), Indonesia (indonesisht). Pra edhe një komunitet akademik nga këto vende ka lexuar për ish statusin kolonial të Kosovës, për vdekjen e kolonisë dhe për arsyet që Kosova duhet të njihet si e tillë, historikisht koloni e Serbisë, ndërsa në real-politikë sot shtet i pavarur, që gëzon mbështetjen e disa fuqive botërore e evropiane. Kjo e fundit është vërtetuar me ndërhyrjen ushtarake ndërkombëtare gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Intervista, si refleksion i librit ”Vdekja e kolonisë”, që dokumenton statusin ish kolonial të Kosovës, është botuar edhe në gjuhët e disa vendeve aziatike që dikur ishin koloni, por të njëjtat nuk e pranojnë shtetin e Kosovës sot dhe disa prej tyre nën efektin e propagandës serbe, injorancës dhe mos angazhimit diplomatik të Kosovës, kanë votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Unesco, Interpol dhe shumë institucione e organizata ndërkombëtare.
Një nga efektet e neokolonializmit mund t’i vërejmë edhe në komunikimet diplomatike të diplomatëve kosovarë në vendet ku ka nevojë më së shumti të lobohet, se si pala kosovare komunikon me patetizëm, folk-patriotizëm, retorikë, klishe, protagonizëm, inferioritet, servilitet.
Nuk përdorin studime, dokumente dhe referenca shkencore që t’i bindin se edhe Kosova si ata ka qenë koloni dhe jo pjesë integrale e Jugosllavisë, ka bartur këto pasoja dhe nuk ka përfituar nga procesi i dekolonizimit të vendeve ish koloniale në vitet e 60-ta nga OKB për shkak të dominimit të konceptit tradicional (Blue Water), tani më të tejkaluar, i cili nënkuptonte koloninë si një territor të ndarë gjeografikisht nga shteti kolonizues, pra për shkak të elementit gjeografik që ishte faktor vendimtar në përcaktimin e statusit kolonial të një territori. Sipas punimit ”Kosova, ish koloni apo pjesë integrale e Serbisë?”, të autorit Fatmir Zajmi, diplomat dhe konsull në New York, në këtë periudhë dhjetra ish territore koloniale të konsideruara paraprakisht pjesë integrale të fuqive kolonizuese, u njohën nga komuniteti ndërkombëtar si shtete të pavarura sepse sipas të drejtës ndërkombëtare një territor kolonial nuk mund të konsiderohet pjesë integrale e shtetit kolonizues. Prandaj me të drejtë autori Berisha thotë se Kosova ishte koloni e harruar, e braktisuar, e izoluar, e fshehur në Evropë.
Argumenti kolonial është një potencial i papërdorur dhe i injoruar nga diplomatët, ambasadorët, ministrat e punëve të jashtme dhe ekipet e tyre, sepse asnjëherë përmes tij nuk kanë lobuar në ato vende që ishin dikur koloni. Ashtu sikur që kemi profesorë që kurrë nuk kanë dalur nga katedra apo zyrja e tyre, se lëre më të thithin pluhurin e arkivave në hulumtime. Të mjaftuar me një titull dhe një pozitë, me privilegjin e autoritetit të rrejshëm pa dhënë asnjë mendim me autoritet, misioni i tyre përfundon aty. Në fakt, përfundon pa filluar sepse intelektuali nuk mbyllet në muret e universitetit.
Kosova në disa vende është një imazh lufte. Shumë njerëz Kosovën e identifikojnë me Jugosllavi apo Serbi duke menduar se ende jemi pjesë e saj sepse nuk e kanë rifreskuar opinionin e tyre.
Prandaj botimi në këto vende dhe gjuhë një temë si kjo dhe të krijohet opinion është mjaft e vështirë, por jo e pamundur nëse shfrytëzohen të gjitha mekanizmat diplomatik me ekspertë që e njohin mirë të kaluarën, që janë studiues profesionalisht të pavarur dhe që pozitat dhe vizitat diplomatike i konsiderojnë përgjegjësi dhe jo privilegj.
Për suksesin e intervistës me Ibrahim Berishën, dy vite më parë, Ministria e Punëve të Jashtme, e ndau çmimin ”Shkrimi më i mirë për promovimin e Kosovës për vitin 2017”.
Prandaj mënyra më e mirë e reagimit ndaj propagandës dhe lobimit serb sot është botimi dhe përdorimi i studimeve si ”Vdekja e kolonisë”, ”Trashëgimia e kolonializmit në Kosovë: Intervistë me Ibrahim Berishën”, etj.
Në këtë funksion, më 28 shkurt, Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, me iniciativën e diplomatit dhe konsullit në New York, Fatmir Zajmi, organizoi tryezën me titull ”Aspekti kolonial i të kaluarës së Kosovës”, ku morën pjesë studiues dhe diplomatë të shquar, nga e cila u vlerësua se mënyra e trajtimit të Kosovës nga Serbia gjatë gjithë shekullit të kaluar është e mirë dokumentuar dhe se gjatë periudhës 1912-1999, Kosova dhe popullsia shumicë shqiptare e Kosovës i ishte nënshtruar cenimit sistematik të të drejtave njerëzore dhe eksploatimit kolonial serb, duke u trajtuar në vazhdimësi si pronë koloniale me ç‘rast popullit shqiptarë i ishte mohuar e drejta për pavarësi dhe qeverisje me pasuritë e veta natyrore./ KultPlus.com
Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Austri organizojnë jazz-koncertin e Rona Nishliut “Me Motivet Tona”, shkruan KultPlus.
Projekti ‘Me Motivet Tona’ është cikli përfundimtar i kërkimit dhe transformimit që Rona Nishliu ka aplikuar për klasikët e muzikës urbane shqiptare, që daton që nga fundi i shekullit të 14-të. Ajo filloi kërkimin e saj personal të rrënjëve të trashëgimisë muzikore shqiptare, të emocioneve origjinale ose të mëkateve që çuan në krijimin e këngëve, në kuadrin pothuajse akademik të eksperimentimit duo në piano dhe vokale, tani është pjekur në një shfaqje muzikore që tejkalon përmbajtjen tradicionale përmes bashkimit me Free Jazz, Trip Hop dhe Soul, duke ofruar një përzierje unike dhe freskuese të tingujve të Ballkanit.
Ky koncert do të mbahet nesër në Kabarett Vindobona Wallensteinplatz 6, 1200 Wien.
Hyrja është falas por për shkak të numrit të kufizuar të biletave, duhet të lajmëroheni në e-mail: [email protected]/KultPlus.com
Qendra Kulturore e Fëmijëve të Prishtinës do të sjellë më 18 mars premierën e shfaqjes së baletit për fëmijë “Një princeshë e vogël”, shkruan KultPlus.
Kjo shfaqje është e bazuar në romanin e Francis H.Burnet dhe
në qendër si princeshë do të jetë balerina dhe solistja e vogël, Stina Shala.
Historia e kësaj shfaqjeje të baletit do të vijë përmes
150-të fëmijëve të inkuadruar në këtë projekt që realizohet nga QKF-ja.
Regjia dhe koreografia për këtë shfaqje është realizuar nga
Arian Plaku. Formulimi muzikor nga Julian Shyti, skenografia nga Florest
Sherifi ndërsa drejtuese vokali është Diellza Sylejmani. Kostumet për shfaqje
janë bërë nga Marjana Gjoni dhe Edlira Sulaj ndërsa narratore do të jetë
aktorja e njohur Melihate Qena.
Premiera e shfaqjes së baletit “Një princeshë e vogël” do të jetë më 18 mars duke filluar nga ora 17:00 në teatrin Kombëtar të Kosovës. Repriza do të jetë po ashtu më 18 mars nga ora 19:00./ KultPlus.com
Ajo e nisi e vetme një protestë në muajin gusht në Suedi Greta Thunberg, themeluese e lëvizjes “Youth Strike for Climate”, është nominuar për çmimin Nobel për Paqe, vetëm një ditë para aksionit më të madh global për ndryshimet klimatike.
16 vjeçarja e nisi e vetme një protestë në muajin gusht në Suedi, por që prej atëherë ajo ka inspiruar nxënës e studentë në të gjithë botën. Greva e të Rinjve për Klimën fton nxënësit që çdo të premte të bojkotojnë mësimin dhe të protestojnë për ndryshimet klimatike.
Deputeti socialist norvegjez, Freddy Andre Ovstegard, deklaroi se veprimi i Thunberg është një kontribut i madh për paqen.
“Ne e kemi nominuar Greta Thunberg sepse nëse ne bëjmë asgjë për ndryshimet klimatike, kjo do të bëhet shkaktare për luftë, konflikte dhe refugjatë”, tha ai. Përmes Twitter, Greta u shpreh falënderuese për këtë nominimin e saj. “Jam shumë e nderuar dhe mirënjohëse për këtë kandidimin. Nesër ne do të bojkotojmë mësimin për të ardhmen tonë. Dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë derisa të jetë nevoja”, shkroi ajo.
Bojkotimi i mësimit, ndryshe si greva apo protesta për ndryshimet klimatike, pritet të ndodhë në 1,659 qytete në 105 vende të ndryshme të botës, duke përfshirë qindra mijë nxënës e studentë. / KultPlus.com
Dita e Verës është një festë pagane që festohet nga të gjithë shqiptarët më 14 Mars. Ajo i ka fillesat e saj që në kohët antike dhe qyteti i parë që e ka festuar ka qenë Elbasani.
14 Marsi konsiderohet si dita e largimit të dimrit dhe ardhja e pranverës. Zanafillën Dita e Verës e ka në faltoren Zana e Çermenikës e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës. Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e vet ditën e 14 marsit.
Në ditët e sotme Dita e Verës nuk është më një festë vetëm e qytetit të Elbasanit, por festohet në të gjithë Shqipërinë dhe është një festë zyrtare. Megjithëse në treva të ndryshme festohet në mënyra të ndryshme.
Ëmbëlsira tipike e festës së Ditës së Verës janë ballokumet. Disa zgjedhin t’i gatuajnë në shtëpi sipas recetës që gjyshja iu ka lënë trashëgim, ndërsa disa të tjerë preferojnë ta blejnë në Elbasan duke ditur që kjo është specialitet i kësaj zone.
Verorja është një lidhëse me dy ngjyra e bardhë dhe e kuqe, të cilën vajza, gra, meshkuj dhe fëmijë e vendosin në dorë një natë para ditës së verës.
Ajo simbolizon ardhjen e pranverës, dhe madje konsiderohet edhe një objekt me vlerë i mbrojtur edhe nga “UNESCO”. Veroret i heqim kur vijnë dallëndyshet dhe i vëmë në pemë që t’i marrin ato për të bërë folenë.
Dita e Verës festohet si një ditë e vërtetë dashurie. Dashuri për njeriun, për natyrën, për jetën. Festimi kryhet në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë në këtë datë.
Duke iu referuar Ditës së Verës, kësaj feste me një shije poetike të hollë e të rrallë, Faik Konica këshillonte dhe uronte, më shumë se një shekull më parë : “Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriu, veçse sjellin një gëzim të kulluar…”/duureslajmA e keni vendosë Veroren, këtë lidhëse me të bardhë e të kuqe që është e mbrojtur edhe nga UNESCO
Kishte pas vdekur ajri frymë nuk jepte Kufomë e ujit kundërmonte deri mbi re Hija e vdekjes kishte rënë syve të qytetit Sa vështirë ishte s ‘mund qeshej S’mund vajtohej zërat i kishin pas varrosur thellë në mesjetë diku groposur i kishin ooo vetëm frika rridhte si ujë shtatëzënash para lindjes nëpër fytyrat tona plot stërkala vdekjeje shiheshin
e unë pata plasur atë ditë prilli si bubullimë qielli plasa shava mallkova për herë të parë në jetë e ika me trenin që e fotografonte bota./ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim ministren e Kulturës së Shqipërisë Elva Margariti bashkë me një delegacion nga kjo Ministri.
Ministri Gashi u shpreh i kënaqur me realizimin e këtij takimi me ministren Margariti në siç tha ai kryeqytetin historik të kulturës dhe të trashëgimisë, në Prizren.
“Bashkëbiseduam për tema të rëndësishme në fushën e kulturës, me theks të veçantë nënshkrimin e kalendarit të përbashkët kulturor mes Kosovës e Shqipërisë për vitin 2019 për të cilin u dakorduam që të nënshkruhet gjatë këtij muaji në Tiranë. Do të jetë një kalendar dinamik me aktivitete të përbashkëta të institucioneve kulturore edhe në Kosovë edhe në Shqipëri”, tha ministri Gashi.
Ai po ashtu tha se ky bashkëpunim do të jetë i fuqishëm dhe i përkushtuar nga të dyja palët.
Ministri Gashi po ashtu njoftoi se gjatë takimit u diskutua edhe për një kalendar të përbashkët mes tri shteteve, Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë. “Dëshirojmë të kemi një kalendar trepalësh në mënyrë që aktivitetet tona të shtrihen edhe në Maqedoni, edhe në Kosovë edhe në Shqipëri”, tha ministri Gashi duke shtuar si të rëndësishme se në krye të Ministrisë maqedonase është një shqiptar.
Në fund, ministri Gashi theksoi se në takim u diskutua edhe për mundësinë e krijimit të një fondi të përbashkët kulturor.
“Edhe Kosova edhe Shqipëria ta kenë një fond të përbashkët ku institucionet e kulturës të kenë mjete të mjaftueshme për realizimin e projekteve, dhe ky fond të jenë në vazhdimësi në shërbim të komunitetit artistik”, u shpreh ministri Gashi duke uruar që ky bashkëpunim të jetë afatgjatë.
Ndërkaq ministrja Margariti, fillimisht theksoi se ky bashkëpunim është vazhdim i një pune të filluar më përpara. “Ky është vetëm një institucionalizim, një marrëveshje që krijon një kornizë formale por përtej kësaj gjithmonë kemi mbështetur të gjithë aktivitetet dhe artistët në të dy shtetet”, tha ajo.
“Jam entuziaste të marrim hapa të rinj që të qojmë përpara projekte të reja siç është ajo e një kalendari akoma edhe më të shtrirë, duke pasur dhe eksperiencën tashmë të kalendarëve të viteve të mëparshme të vazhdojmë të kemi të tjera edhe me shtetet fqinjë”, tha ndër të tjera ministrja Margariti duke e përmendur si shumë të rëndësishëm edhe krijimin e një fondi të përbashkët.
Ministrja po ashtu u shpreh e kënaqur që ajo u prit në qytetin e Prizrenit dhe që “ministri ka zgjedhur që të keni një përfaqësi në qytetin e Prizrenit, është një nga kartëvizitat e trashëgimisë dhe kulturës kosovare, është një gjest vërtetë për tu vlerësuar, dhe pse jo për tu parë edhe nga Shqipëria si një motiv i mirë për tu shtrirë dhe ne drejt qyteteve tjera”, tha ajo. /KultPlus.com
Këngëtari i famshëm i muzikës pop, Michael Jackson, është krye-temë e mediave ndërkombëtare kohëve të fundit.
Akuzat lidhur me abuzimet seksuale duket se po nxjerrin në pah histori të shumë viteve më parë, të cilat kanë lënë gojëhapur opinionin.
Michael Jackson (Foto: Vinnie Zuffante/Hulton Archive/Getty Images/Guliver)
Së fundmi, edhe “Transport for London” ka tërhequr reklamat nga autobusët, në të cilat deri më tani mbrohej pafajësia e mbretit të popit.
Këto reklama shfaqnin sloganin: “Faktet nuk gënjejnë. Njerëzit po”.
“Ne rishikuam qëndrimin tonë dhe do i heqim reklamat”, kanë thënë në një deklaratë për BBC Radio 1 Newsbeat, “Trnsport for London”.
Ndërkohë, Survivors Trust ishin ata që bënë thirrje për bojkotimin e këtyre reklamave, pasi sipas tyre ato dekurajonin viktimat e dhunës seksuale që të denonconin rastet. /Telegrafi/ KultPlus.com
Kushtuar vajzës mirditore, mësueses, Marie Tuci,(1928-1950), të cilën regjimi Enverian, e torturoi në mënyrën më makabre duke e mbyllur në një thes, lakuriq, bashkë me një mace te egër.. Nuk mjaftonin vetëm thonjtë e kafshës se egërsuar, por njëkohësisht ajo goditej me mjete të forta nga hetuesit e gardianët e burgut, në prani të grave të tjera të burgosura.. Pse?.. Sepse mendonte ndryshe.. Vdiq e masakruar nga shqipfolësit, e një ideali pa ideal.
Po vdes nanë, sot po vdes
Nan’ e dashtun, sot po vdes
më kan futur, në një thes
lakuriq, tok me një mace
më kan mbyll, në thes linace
N’burg të Shkodrës, po m’del shpirti
po ma merr nan, shef Seiti
jashtë thesit, shqip po flasin
më shqelmojn’, e më godasin
ligësia, nuk ka ngjyrë
shqelm në bark, shqelm në fytyrë
Po vdes nanë, sot po vdes
një lëmsh gjaku, brenda n’ thes
nuk ka vend imagjinata
kriminel, shpirtzinj si nata
më kan ça, bark e zorrë
hajde nan, e ver’ një dorë
Mbaju nan’, mbaju burneshë
më sill teshat, e m’vish murgeshë
mos qaj nan, jam bij Mirdite
s’na kan mposht, tash ndër vite
as dhe shkau, as dhe turku
as Enveri, as dhe burgu
as bollshik, e as titista
as hetues, as komunista
Po vdes nanë, moj un’ e zeza shko më sill, një palë ndresa njëzet e dy, sapo kam mbush nuk du’ nan’, me m’qa kurkush as n’ Orrosh, e as Ndërfush as në bjeshkë, atje thellë as në Fan, e as në Kthellë as n’Kurbnesh, e as n’ Selitë as kurkund, nëpër Mirditë Zoti nan, ka pat’ mëshirë më ka dërgu, të vdes e lirë më sill ndresat, po të pres po vdes nanë, sot po vdes. /KultPlus.com
Filmi “Ajo” me regji nga More Raça ka fituar një tjetër çmim prestigjioz, shkruan KultPlus.
Sema Fener Award ka shkuar për filmin “Ajo” në Festivalin Ndërkombëtar
të Filmave të Shkurtër për Ndryshimin e Perspektivës.
Sema Fener i cili është i përfshirë në teknikën e filmit,
është i njohur për mbështetjen e saj për filmbërësit e rinj dhe filmat e
shkurtër dhe e ndan këtë mbështetje me filmat që marrin pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmave të Shkurtër
për Ndryshimin e Perspektivës.
Në filmin “Ajo” luajnë aktorët: Aurita Agushi, Sunaj Raça,
Diella Valla, Florist Bajgora dhe Bekim Mulaj.
Filmi “Ajo” me producent Sunaj Raçën flet për dhunën në
familje, guximin e një vajze të vogël për të shpëtuar vetën dhe nënën e saj.
Filmi është prodhim i shtëpisë filmike Arena i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës. / KultPlus.com
Hip-hopi do të ketë muzeun e vet në New York. Lajmin e bëri të ditur reperi amerikan Kurtis Blow, i cili theksoi se do të hapet në Bronx, aty dhe ku lindi ky zhanër muzikor. “Universal Hip-Hop Museum” pritet të hapet në vitin 2023.
“Do të jetë një pjesë fantastike e historisë për këtë kulturë. Pasuria ime do të ketë një seli ku të gjithë mund të vijnë ta shikojnë nga afër”, -tha Blow.
Blow ka qenë i pari reper që pati një sukses komercial dhe i pari që ka firmosur një kontratë diskografike me një kompani ndërkombëtare. “The Breaks”, pjesë e albumit të vitit 1980 “Kurtis Blow”, u bë e para këngë rep e certifikuar me disk të artë në muzikën hip hop.
Rrënjët e hip-hopit mund të jenë në vitin 1973 dhe prej atëherë hip-hop e repi janë një industri miliardere dhe tërësisht të pranuara në kulturën tradicionale, si amerikane dhe në atë botërore. / KultPlus.com
Kur flasim për krimet e shtetit serb ndaj shqiptarëve, emri i parë që na bije në mend është Arkani, ai i cili njihet si një ndër kriminelët më të mëdhenj për shqiptarët dhe jo vetëm, shkruan KultPlus.
Zheljko Raznatoviq, i njohur si Arkani, ishte udhëheqës paramilitar dhe vrasës i mijëra shqiptarëve në luftën e Kosovës. Ai vrau, preu e dhunoi shumë shqiptarë deri sa u vra në rrethana shumë misterioze më 15 janar të vitit 2000 në hotelin Plaza në Beograd.
Por, si duket shqiptarët harrojnë shpejt, e madje kur është fjala për biznes edhe shoqëria me familjarë të Arkanit nuk mungon. Këtë e ka dëshmuar make up artisja kosovare Sellma e cila si duket ka miqësi me vajzën e Arkanit.
Në një fotografi të postuar nga kjo e fundit në Instagram, Sellma i ka komentuar edhe atë në gjuhën serbe: “Lepotica” që në gjuhën shqipe do të thotë “Bukuri”. E nuk ka munguar edhe replika e vajzës së Arkanit për grimeren kosovare duke i kthyer komentin me fjalët: “Hvalaaa draga”.
Këtë e ka vërejtur edhe skenaristja dhe profesoresha, Getoarbë Mulliqi Bojaj e cila e ka shpërndarë këtë me ndjekësit e saj në Facebook e befasuar me veprimin e grimerës kosovare.
“Mirmengjes Kosovë. Kur keqkuptohet “Arti nuk njeh race, nacionalitet e k’si gjana” Cikes se Arkanit, kriminelit me te madh ne Ballkan, qe ka vra e pre kah e ka kthy kryte gra e femije ne Kosove, ka dhunu gra e cika, e me pas pase ymer e me zgjate lufta, dyshoj qe nuk e kish bo prape, grimerja nga Kosova, e cila eshte pasuru me paret e familjareve te viktimave te Arkanit, i shkruan cikes se Arkanit ne instagram! Une s’di mo…”, ka shkruar Mulliqi Bojaj, e ku menjëherë pas postimit nuk kanë munguar edhe komentet e qytetarëve të cilët shprehen të tmerruar nga ky veprim i Sellmes. /KultPlus.com
Derisa bandat dhe injoranca e intensifikojnë ngrënjen e shtetit dhe dhunimin e dinjitetit, të ndershmit me integritet dhe rinia me tru ose janë duke ikë ose janë futë n’izolim shoqëror.
Fatkeqësi e jona ishte se partitë shtetngrënëse në vend se t’afronin intelektualë me qëllim zbutjen e vrazhdësisë që përfaqësonin, ato pollen e shumëzuan kontingjente injorantësh me të cilët sot i vërsulen shtetit dhe buxhetit. Nuk ka rastësi në botë. As në Kosovë s’ka rastësi. Prej vitit 1999 armiku më i madh i Kosovës nuk është Serbia por bandat tona sa nën tokë e sa mbi të.
Habia në rastin e Kosovës është çmenduri. Prandaj une nuk habitem më, …sepse s’ka rastësi. / KultPlus.com
Aktori i njohur shqiptar Nik Xhelilaj, tashmë prej kohësh është bërë pjesë e kinematografisë turke. Madje aktualisht Nik Xhelilaj po zhvillon xhirimet e një seriali turk.
Megjithëse së fundmi nuk ka folur shpesh rreth karrierës së tij dhe jetës private, aktori i mirënjohur ka zhvilluar një intervistë me Orinda Hutën.
Orinda Huta ka publikuar në Instagram disa sekuenca të intervistës së puntatës së emisionit “Jo vetëm modë”, duke zbuluar dhe disa detaje për aktorin.
Aktori shqiptar ndër të tjera gjatë intervistës dëgjohet që të shprehet kështu:
“Shansi im që në Shqipëri në ato vite pati një erë të mirë në qendrën e kinematografisë shqiptare. Pas katër vitesh për të marrë përgjigjen, refuzim vize!”
Mirëpo sipas tij, regjisori (turk) e kishte ndarë mendjen dhe i ka zhvilluar audicionet në Tiranë.
Po ashtu ai pohoi se personazhi i tij në film ka të bëjë me vrasje dhe eliminime personash të ndryshëm.
I pyetur për raportet e tij me femrat, Niku është shprehur duke qeshur se i ka të mira: “Në raportet e mia private me femrat i mirë jam. Veten për të mirë e di.”/news.arkiva.de/ KultPlus.com
Filmi ‘Një tregim Prishtine’ është me regji nga Burbuqe Berisha, skenar nga Getoarbë Mulliqi Bojaj, dhe producent Agron Vula.
‘Një tregim Prishtine’ është dramë familjare që flet për një familje të shtresës së mesme, e cila përballet me sëmundjen e vajzës së tyre; leukeminë akute dhe mënyrën se si ata i sigurojnë mjetet për shërimin e vajzës. Krejt ky rrëfim përfundon me shërimin e vajzës por me shumë peripeci gjatë asaj kohe. Skenari ndjekë dy linja dramatike që janë drama familjare dhe drama korruptive.
Në këtë film luajnë: Donat Qosja, Teuta Krasniqi, Artiola Hamdiju, Bislim Muçaj, Myrvete Kurtishi, Aurita Agushi, Ylber Bardhi, Armend Baloku, Lis Tafa, Luran Ahmeti dhe Edi Kastrati.
Film është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës në vitin 2015 në kuadër të kategorisë së filmit të gjatë debutant./ KultPlus.com
Sot në Shqipëri kremtohet Dita e Verës, një festë me origjinë të lashtë. Kryeqendra e kësaj feste është Elbasani, ndërsa shenja dalluese e këtij festimi është gatimi i ballokumeve.
Një festë pagane, shumë më e hershme se krishterimi është festimi i Ditës së Verës, në të gjithë zonën e Elbasanit por edhe qytete të tjera të Shqipërisë.
Por në këtë ditë të shënuar, Elbasani kthehet në qendër të festimeve me aktivitete të larmishme, nga ekskursionet në natyrë, deri tek dreka e begatshme familjare, ku nuk mungon ballokumja.
Zanafillën Dita e Verës e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës, shkruan ksp.
Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e saj ditën e 14 marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore, është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit. Kushdo që do të kalojë këto ditë pranë Elbasanit do të ndjejë aromën ndjellëse të ballakumeve.
Ballakumet janë ëmbëlsira tradicionale e kësaj feste. Në Elbasan gatuhen vetëm në këtë ditë. Kjo i bën ato edhe më të veçanta. Janë ëmbëlsirat që gatuhen me miell misri të situr mirë, gjalpë bio dhe sheqer të imët.
Gjithashtu një detaj i kësaj feste është edhe vendosja në dorë e “verores”, një byzylyk prej fijesh të bardhë dhe të kuqe që lidhet në kyçin e dorës dhe zgjidhet kur të shihet dallëndyshja e parë. Në disa krahina, veroret varen në degë pemësh, kryesisht dafinash, që dallëndyshet t’i marrin e të sjellin mbarësi.
Në Kosovë, kjo ditë festohet në disa zona, si në rajonin e Prizrenit, të Zhurit, Vërrinit, përfshirë krahinën e Opojës në malet e Sharrit në lartësi mbi nivelin e detit mëse 1.000 metra, në komunën e Dragashit.
Megjithatë, ndryshe nga Shqipëria, në Kosovë nuk ka organizime institucionale për festimin e Ditës së Verës, por ritet e festës së lashtë pagane iliro-shqiptare tradicionalisht janë ruajtur brez pas brezi nga populli. Dita e Vërës është festë zyrtare në Prizren, sipas vendimit të Kuvendit të Kumunës.
Me rastin e Ditës së Verës në të gjitha qytetet e Shqipërisë organizohen aktivitete të shumta. / KultPlus.com