Sihana rrëfen për gazetën britanike historinë e përdhunimit nga forcat serbe

Edhe një grua nga Kosova ka vendosur të ndajë për mediat ndërkombëtare historinë e përdhunimit të saj nga forcat serbe gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Sihana (emër i rremë) ishte 28-vjeçe dhe nënë e tre fëmijëve në kohën kur u dhunua seksualisht.

Ajo ka treguar për gazetën prestigjioze britanike online The independent rastin e përdhunimit të saj dhe të disa grave të tjera.

Sihana ka rrëfyer ditën kur erdhën forcat serbe dhe hynë në fshat dhe i zunë civilët, pak javë pas fillimit të bombardimeve nga NATO kundër forcave serbe, më 24 mars 1999.

Pasi kishte rënë terri, forcat serbe ishin tërhequr dhe këtë e kishin shfrytëzuar burrat e fshatit që të iknin në mal.

Kur ishin kthyer ushtarët serbë kishin mbetur katër gra të martuara, një vajzë e pamartuar, dy gra të moshuara dhe tetë fëmijë.

“E moshuara u përpoq ta mbronte të renë e saj, por u godit nga një ushtar. Ata e larguan gruan e moshuar dhe na morën secilën prej neve grave të reja dhe na dërguan në dhoma të ndryshme dhe na përdhunuan deri kur atyre iu duk mjaft”, tregon Sihana.

Burrat ishin kthyer të nesërmen nga mali dhe vendosën që të gjithë të largoheshin për të parandaluar përdhunimin e sërishëm. “Ata na thanë më mirë serbët të na kishin vrarë sesa që na kanë bërë atë që na kanë bërë“.

Sihana ka treguar se udhëtimi ishte i vështirë për grupin. “Njëra prej grave kishte lindur pak ditë më parë. Gratë ishin të gjakosura dhe kishin dhimbje të mëdha. Nuk kishim ushqim për t’i ushqyer fëmijët. Mendoja: më mirë të isha e vdekur”, shton ajo.

Sihana dhe të afërmit e saj ishin vendosur në një qytet të afërt dhe aty qëndruan deri kur përfundoi lufta

“Ishte një gëzim shumë i madh kur hyri NATO, sepse deri në atë ditë nuk e dinim nëse do të na ndodhte sërish ajo që na ndodhi apo do të vinin e të na vrisnin me thika”, rrëfen ajo për “The Independent”.

Në këtë moment ndërhyn gruaja që përkthen historinë e Sihanës, Iliriana Jaka Gashi, drejtoreshë e organizatës Women for Women International në Kosovë, e cila tregon përvojën e saj nga lufta. “Unë mund të shtoj këtu sepsa isha refugjate. Ne thoshim në atë kohë se plumbi është punë e paçme. Nëse do t’ua shkrepnin një plumb, ju do të vdisnit e lumtur. Ishte e vështirë sepse ata mund të vinin te familja e juaj dhe para jush ndonjë anëtari t’ia nxirrnin sytë, t’ua këpusnin gishtërinjt ose krahun”.

“Kanë kaluar 20 vjet, por është një plagë që nuk shërohet kurrë“, thotë Sihana.

Tani 49-vjeçe, Sihana jeton me burrin dhe 5 fëmijët e saj. Ajo thekson se jeta e saj nuk do të jetë kurrë ajo që e kishte para se të përdhunohej, sidomos jeta bashkëshortore.

Rreth 20 mijë gra e vajza shqiptare të Kosovës besohet se janë përdhunuar gjatë luftës së viteve 1998-1999 nga forcat serbe.

Njëra prej tyre, Vasfije Krasniqi Goodman, ka folur publikisht për herë të parë vitin e kaluar, kur tregoi rastin e përdhunimit nga forcat serbe, teksa ishte rrëmbyer në shtëpinë e saj dhe ishte përdhunuar në fshatin Babimoc.

E pranishme në këtë seancë, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, bëri thirrje për formimin e një gjykate ndërkombëtare për të gjykuar krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë. / gazetaexpress/ KultPlus.com

Shembje dheu në Prishtinë, ndërprehet mësimi në një shkollë


Në rrugën ‘Qamile Jaka’ në Prishtinë, mbrëmë ka filluar shembja e dheut. Dyshohet se kjo ka ndodhur për shkak të shpërthimit të një gypi të ujësjellësit.

Sipas drejtorit të Inspeksionit, Adonis Tahiri tha se sipas zyrtarëve të emergjencave shkaktar mund të jetë shpërthimi i një gypi të ujësjellësit.

“Sipas zyrtarëve të emergjencave shkaktar mund të jetë shpërthimi i një gypi të ujësjellësit, në këtë rast kompania ka leje ndërtimi, pilotat janë të vendosur”, tha ai.

Në vendin e ngjarjes kanë dalur edhe zyrtarë policorë dhe departamenti i emergjencave. Derisa, përballë vendit ku ka ndodhur shembja e dheut, në të cilën kanë filluar punimet, ndodhen objekte në të cilat banojnë qytetarët.

Për shkak të shembjes së dheut është ndërprerë mësimi në shkollën fillore “Naim Frashëri”. / KultPlus.com

Yung Pinch dhe Gashi publikojnë këngën e re “Wink Emoji” (VIDEO)

Hip hop ylli shqiptar, G4shi, e ka lansuar projektin e tij më të ri muzikor. Siç ishte paralajmëruar, ai vjen për herë të parë me këngë latine në bashkëpunim me reperin Yung Pinch.

“Wink Emoji”, titullohet kënga e re e dyshes së famshme, të cilën e kanë finalizuar edhe me një videoklip mjaft të veçantë.

Nën realizimin e Cosmo Orlando, kënga tashmë është publikuar në të gjitha platformat muzikore dhe po pëlqehet nga fansat e dyshes.

Kjo është hera parë që reperi shqiptar vjen me një projekt të tillë, ndërkaq këngët e tij rezultojnë të jenë të suksesshme gjithnjë.

Reperi, i cili prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë këtij viti ka paralajmëruar gjëra të mëdha në karrierën e tij muzikore. /Telegrafi/ KultPlus.com

38 vjet nga rënia e Tahir dhe Nebih Mehës

Sot mbushen 38 vjet nga rënia e Tahir dhe Nebih Mehës në Prekaz, gjatë përleshjes së armatosur me forcat ushtarake-policore jugosllave.

Familja Meha ishte e njohur për aktivitete politike kundër sistemit të regjimit, dukuri jo e rrallë në Prekaz të Drenicës. Familja e tyre ishte e njohur për kullën e Mehajve, e të atit Nebihut.

Tahir Meha në këtë përleshje sipas mediave jugosllave vrau 9 dhe plagosi 2 policë serbë.

Për aktivitetet e tij kundër pushtuesit shpesh nga adhuruesit e rrugës së tij thirret me titullin popullor “Burri i dheut”.

Sipas shkrimeve të mëhershme, Tahiri me babanë e tij kanë luftuar për 20 orë.

Për nder të dëshmorëve Meha, dhe 20-vjetorit të rënies së Malush Ahmetit dhe 32 dëshmorëve, Komuna e Skenderajt ka njoftuar se mbahet akademi përkujtimore në Qendrën e Kulturës dhe Artit “Hasan Prishtina” në Skenderaj. / KultPlus.com

Botohet libri “Maqedonia nga antikiteti deri te koha jonë” nga Jusuf Buxhovi




Ka dal nga shtypi libri “Maqedonia nga antikiteti deri te koha jonë” i autorit Jusuf Buxhovi.

Studimi monografik mbështetet mbi konceptin se Maqedonia nga antikiteti, mesjeta e deri te koha jonë është pjesë e botës ilire-dardane. Duke u përqendruar te faktorët etnikë, shoqëror-politik dhe kulturor në një vazhdimësi mbi dy mijë vjeçare, në trekëndëshin e mbretërive maqedone, dardane dhe asaj epirote, nxirret në pah një identitet i caktuar historik me trashëgimtar të vetëm shqiptarët e sotëm. 

Në këtë vepër voluminoze, autori, jo vetëm që i plotëson me argumente të tjera disa nga tezat e shfaqura në “Kosovën” në tetë vëllime rreth ndërlidhjes së ilirëve me pellazgët dhe të rolit të madh të Dardanëve e Dardanisë në formimin e perandorive të mëdha botërore: Trojës, Romës dhe të Bizantit me ç’rast ata shihen edhe si shtrat i qytetërimit antik, por qëndrimin për mosekzistencën e “shtetit mesjetar serb” dhe të gënjeshtrën për gjoja “Kosovën – djep shpirtëror dhe historik serb” e riformulon me shkëputjen e Rashës dhe dinastisë së Nemanjajve nga origjina sllave (serbe) duke e ndërlidhur atë me origjinën e botës ilire. 

Kështu, duke u mbështetur mbi dokumente të shumta nga Vatikani, Bizanti, po edhe ato sllave, që nuk janë manipuluar dhe sajuar nga historiografia serbe dhe ajo ruse e shekullit të kaluar dhe në vazhdimësi, dinastia e Rashës del e veçuar nga formacionet politike dhe shoqërore sllave, të faktorizuara në mesjetë nga Vatikani dhe Kostandinopoja për qëllime politike, me ç’rast edhe përpjekjet hegjemone të Nemanjajve në Ilirik, të cilësuar vazhdimisht si Tribal (fis ilir) shihen si vazhdimësi e mbretërisë dardane për ta trashëguar kurorën e Bizantit, gjë që nuk është e rastit që edhe në bulat dhe kartat e pamanipuluara nga Beogradi, në kuadër të shtetit të Rashës vazhdimisht përfshihen edhe Arbrit dhe Maqedonët. Në këtë aspekt, dinastia rasiene e Nemanjajve, krishterimin e shfrytëzoi për pushtet politik siç kishte vepruar Konsandini i Madh dhe Justiniani, me ç’rast, në raporte e reja të ndarjes së kishave dhe luftës së tyre për pushtet, ndonëse së fundit u mbështet te kisha lindore, ruajti lidhjet e mira dhe madje të pashkëputura me Vatikanin dhe katolicizmin, së cilit edhe i kishte takuar nga fillimet dhe prej nga buron edhe fuqia politike e tyre. 

Në pjesën e fundit, që ka të bëjë me zhvillimet nga Kriza Lindore e këndej,e ku për herë të parë shfaqet edhe Maqedonia si koncept gjeografik për qëllime hegjemoniste serbe, greke dhe bullgare prej nga, në vitin 1944, Titoja e shfrytëzoi për krijimin e republikës maqedone në kuadër të federatës jugosllave, shpërbërja e ish Jugosllavisë në vitin 1991 si dhe shpallja e shteti të pavarur maqedon, shihet si një zhvillim antihistorik për rrëzimin e identitetit historik të shqiptarëve. Të trajtuar si pakicë, shqiptarët përjashtohen nga shtetformimi, me çka edhe lufta e vitit 2001 shihet e papërfunduar, ndërsa shteti maqedon, i përkohshëm dhe faktor i një krize të hapur.

“Maqedonia nga antikiteti deri te koha jonë” botohet nga “Jalifat Publishing” – Hustoni dhe “Faik Konica” – Prishtinë dhe ka 1068 faqe. Pritet që promovimet e para të bëhen në Shkup dhe Tetovë nga fillimi i qershorit, ndërsa në Prishtinë gjatë Panairit të Librit. / KultPlus.com

“Killing Eve” triumfon në Bafta TV Awards

Disa nga çmimet në Bafta “Killing Eve” është fituesi i Bafta për këtë vit, duke fituar tri çmime, përfshirë edhe çmimin e aktores më të mirë për Jodie Comer dhe seritë më të mira të llojit dramë.

“I’m A Celebrity… Get Me Out Of Here” dhe “Britain’s Got Talent”, po ashtu kanë fituar çmime. Aktori Benedict Cumberbatch po ashtu ka marrë çmim për rolin e tij në shou-in televiziv, Patrick Melrose.

Kjo ceremoni është mbajtur në Royal Festival Hall në Londër./ KultPlus.com

Publikohet tjetër këngë e Aviciit

Një vit pas ndarjes së tij nga jeta, publikohet një tjetër këngë e re e Dj Avicii. Janë miqtë e tij që po çojnë në fund projektet që ai la përgjysmë. Pas këngës “SOS”, tashmë është publikuar “Tough Love” të cilën Avicii kishte nisur ta realizonte disa muaj para vdekjes.

Pas ndarjes nga jeta të Aviciit më 20 Prill të vitit të kaluar, ishte realizuar vetëm 80% e regjistrimit të këngës. “SOS” dhe “Tough Love” janë pjesë e “TIM”, albumi pas vdekjes i Avicii, i cili pritet të publikohet më 6 Qershor./Tvklan/ KultPlus.com

Një dokumentar për Michael Schumacher, në Festivalin e Kanës

Më 5 janar të vitit të ardhshëm, në Zvicër dhe Gjermani do të shfaqet dokumentari dedikuar legjendës së Formulës 1, Michael Schumacher.

Ai titullohet thjesht “Schumacher”, ndërsa traileri do të prezantohet në edicionin e radhës të Festivalit të Kanës (Cannes Film Festival).

Sipas të përditshmes gjermane “Bild”, vet bashkëshortja e Michael Schumacher, Corinna do të flasë për herë të parë në këtë film dokumentar, për legjendën e Formulës 1 dhe jetën përkrah tij.

Po kështu, në të do të jenë edhe intervistat e fëmijëve të çiftit, Mick Schumacher, që aktualisht garon në Botërorin e Formulës 2, dhe vajza Gina; babai i Michael Schumacher, Rolf, dhe shumë shokë skuadre e rivalë, me të cilët ish-piloti ka garuar në karrierën e tij.

Për këtë dokumentar, që del në vitin e 50-vjetorit të lindjes së Schumacherit dhe të 25-vjetorit të fitores së tij të parë në Formulën 1, familja Shumacher ka vënë në dispozicion video të arkivit privat, që nuk kanë dalë në dritë asnjëherë./Top Channel

Kanceri shuan edhe një yll, ndërron jetë aktorja e njohur

Ylli i filmit ‘The mod squad’ ka ndërruar jetë në moshën 72 vjeçare.

Peggy Lipton ndërroi jetë në moshën 72 vjeçare shkruan CNN.

Rasti i Lipton nga kanceri u njoftua në një deklaratë nga vajzat e saj, Kidada dhe Rashida Jones, të cilat thanë se ajo “e bëri udhëtimin e saj paqësor me vajzat dhe mbesat e saj “.

“Peggy ishte, dhe gjithmonë do të jetë feneri jonë, si në këtë botë edhe në tjetrën. Ajo do të jetë gjithmonë një pjesë e jona,” shtuan vajzat e saj.

Sikur baba…

Sikur baba të ishte vrarë vetëm dy muaj më parë… do të na kishin liruar… dhe motra ime Bardha do të jetonte. Por tim atë e vranë vetëm 6 ditë pas vdekjes së Bardhës. Dhe mua më liruan. Inatin e kam pasë vetëm me babën. Babën s’e kam njohur kurrë, ndërsa Bardha e vogël 4 vjeçe, flokverdhë e sykaltër, si një engjëllushe, dha shpirt në prehërin tim. Po të mos vdiste Bardha nuk do ta merrja inat tim atë. Por ai la ta vrisnin vetëm pasi Bardha kishte vdekur! Nuk ndreqej më asgjë. Të paktën të ngutej ta vrisnin më shpejt, para se Bardha të sëmurej. Do të na lironin dhe motra do të kishte shpëtuar. A e dinte baba, që Bardha lëngonte gjithë atij muaji? Nuk e di. Di vetëm që, për shkak të tij, na mbanin peng në atë kamp vdekjeje. Bardha nuk e njihte babën. As unë. Pas vdekjes së mamit, aty, ajo më kishte vetëm mua: dhe nënë, dhe babë, dhe vëlla. Isha vetëm vetëm 9 vjeç . Nëntë. Paraditen e asaj dite isha nëntë… kur u zvarris gjer te unë dhe më tha me një zë të mekët: “Vlau, bëje prehërin… Tani do vë kokën aty dhe do vdes”. “Joo! Ti do flesh”, i thashë. Ajo u mblodh kruspull, e zhyti kokën në prehërin tim dhe ra në gjumë të thellë. Dhe nuk u zgjua më…

Ky është një tregim i postuar nga shkrimtari Agron Tufa, i cili ka bërë të ditur se ka mbi 100 rrëfime të gjalla të mbijeturave nga periudha e komunizmit në Shqipëri./KultPlus.com

Shpërngulja, dhuna dhe vrasja e çamëve nga autoritete greke (Dëshmi)


Nga Aurenc Bebja*, Francë – 12 Maj 2019

Në faqen n°240 të dokumentit të “Société des Nations – Journal Officiel”, botuar në shkurt të 1925, gjejmë një memorandum që pasqyron, shpërnguljen, dhunën dhe vrasjet e çamëve nga autoritetet (milicia) greke, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Dihet se Lidhja e Kombeve ka udhëzuar Komisionin Miks në Greqi që të dallojë shqiptarët nga turqit në mënyrë që të parët të mos largohen nga shtëpitë e tyre.

Për fat të keq, autoritetet lokale helene, me një zell të tepërt, përdorin mjete indirekte për të detyruar shqiptarët myslimanë të Greqisë që të largohen nga ky territor.

Këto mjete janë përndjekja sistematike e kryer me sqimë.

Kështu shqiptarët e Çamërisë (Prevezës dhe Filatit) keqtrajtohen dhe vidhen çdo ditë nga grabitës, nën sytë e xhandarmërisë dhe autoriteteve civile greke.

Grabitësi Çile Mastora dhe zëvendësi i tij Nikolla Qamo ishin veçanërisht të specializuar në këtë profesion, në rrethin e Paramithisë, ku banorët e fshatrave përreth duhet t’u paguanin atyre një haraç.

Autoritetet greke kanë zënë me forcë shtëpitë e shqiptarëve dhe kanë strehuar në to refugjatë, duke lënë jashtë, në rrugë, banorët vendas, ndërsa shtëpitë e të krishterëve nuk janë prekur.

Fshatrat si Karbunare, Gardhiqi, Dragumi janë zbrazur nga banorët e tyre, të cilët janë strehuar në Parga dhe Margariti, në mjerimin më të zi.

Autoritetet mbyllin sytë, nuk u japin kurrë të drejtë shqiptarëve, por, nga ana tjetër, mbështesin veprimin e bandave. Kështu nën-toger (officer) Papasi terrorizon popullsinë e Filatit, dhe shqiptarët që guxojnë të paraqesin një ankesë kundër grabitësve, i nënshtrohen dhunës. Disa grabitës imponohen zyrtarisht si mbledhës parash ndaj fshatarëve shqiptarë, dhe mjerë ata që nuk duan t’u nënshtrohen atyre. Për shembull, grabitësi Teodor Cimando u imponua për fshatarët e Lopes.

Grabitësit Nejo dhe Haidus vjedhin fshatrat shqiptarë të Lopes, Koskës, Sqeparit, Spatarit, dhe ndërsa shqiptarët kanë pasur prirjen për të shmangur këtë haraç, oficeri Papas (për të cilin biseduam më sipër) vrau përpara të gjithë shqiptarëve Adelin Pilafin dhe Rustem Hamzain nga Versela, për arsyen se ata refuzuan t’u paguajnë haraç këtyre grabitësve.

Shqiptarëve nuk u lejohet të ankohen për dhunën dhe vjedhjen e kryer nga refugjatët; shqiptarët Mamo Balo, Shuaib, Malo Mustafa Saidi, Adem Shuaibi dhe Qerim Melaku nga Margelleçi (Margariti) u burgosën dhe u dërguan në Prevezë pasi guxuan të ankoheshin se refugjatët po vidhnin perimet, ullinjtë dhe frutat e pemishteve të tyre.

Politika e ndjekur nga këto trajtime është t’i detyrojë shqiptarët të largohen nga Greqia. Autoritetet përndjekin ata shqiptarë që deklarohen kështu dhe nuk duan të largohen nga shtëpitë e tyre.

Kështu shqiptarët Haki Musa, Musa Demi (nga Filati), Omer Çapari dhe Xhevat Merushi (nga Preveza) u sollën para gjykatës si “propagandistë shqiptarë”. Edhe muftiu i Filatit u dërgua para gjykatës, por u lirua menjëherë pasi premtoi se do të deklarojë veten si mbështetës i shkëmbimit.

Prefekti i Prevezës, z. Xhekas, kërcënoi shqiptarët Sheik Sabriun, Mehmet Buzën dhe Shukri Abazin pasi guxuan të thonin para Komisionit Miks se ata janë shqiptarë dhe për këtë arsye ata nuk duhet të largoheshin nga vendi.

Përndjekjet e shqiptarëve në fshatrat që ndodhen në prefekturat e Florinës dhe Kastorisë nuk janë më pak të neveritshme.

Atje gjithashtu, u morën gjithçka shqiptarëve, shtëpitë, të korrat, bagëtitë dhe, me qëllim që t’i detyronin të largoheshin, ata pësuan keqtrajtime të përditshme. Pra, të emëruarit Mustafa Ismaili dhe Demir Mustafa, me origjinë nga fshati shqiptar Revani (Kastorisë), u rrahën deri në vdekje, më 28 prill 1924, në postën ushtarake të Revanit dhe atë të Kalovishtës. Fytyrat dhe trupat e të dy viktimave ishin deformuar në atë mënyrë sa nuk kishte më asgjë njerëzore.

Një tjetër shqiptar, Abdullah Zeqiri, nga Sliveni (Kastoria), u vra më 4 maj 1924 nga refugjatët ndërsa autoritetet nuk bënë asnjë përpjekje për të arrestuar vrasësin.

Jonida Maliqi parakalon në tapetin e Eurovizion, fustani i saj me detaje ylberi (VIDEO)

Jonida Maliqi sapo ka parakaluar në tapetin e Eurovizion e cila është paraqitur me një fustan të kaltër, por me një detaj ylberi, shkruan KultPlus. Fustani i saj për këtë parakalim është punuar nga Ardi Asllani.

Ajo ka folur në lidhje me dukjen e saj, por edhe për mesazhin e këngës së saj që ka të bëj me refugjatët.

Jonida Maliqi ka thënë se kjo këngë i dedikohet refugjatëve në nivel global. Për më shumë ndiqeni videon./KultPlus.com

“Arusha” (VIDEO)

Këngëtarja e njohur kosovare Aida Baraku ka një bagazh të madh me këngë të cilat janë shndërruar në hite, shkruan KultPlus.

Në mesin e shumë këngëve ka edhe këngën “Arusha”, që një pjesë e këngës thotë “Mendja jote mori fushën, je me mu a me arushën…”.

KultPlus ju sjellë këtë video për këtë hit të viteve të 90-ta./KultPlus.com

Gazeta britanike: Rita Ora në mesin e dhjetë më të pasurve të rinj në Britani

Gazeta zvicerane 20 min.ch i referohet asaj britanike “Sunday Times” për pasurinë e këngëtares Rita Ora, përcjellë KultPlus.

Sipas këtij shkrimi, bëhet e ditur se Rita Ora është renditur në mesin e dhjetë më të pasurve të rinj në Britani të Madhe.

Bëhet e ditur se kjo këngëtare numëron mbi 20 milion funta.

Rita Ora përpos suksesit në muzikë, ajo është angazhuar edhe në filma, kampanja të modës dhe kampanja të bamirësisë./KultPlus.com

T’kam e jam nânë!

Erenestina Gjergji Halili.

T’kam e jam nânë !
( Për nânën teme sojnike e nânat si ajo!)

Kam rrokë qillin, tuj prekë tokën,
tuj thânë: T’dù !
Kam ul’ zanin, tuj brrit’ n’ajri,
tuj t’thanë: M’fal !
M’ke fshi lodin, tuj m’njeh fajin,
tuj m’thânë: Mo(s) !
Je keshë n’mu, tuj kjâ n’mushkni,
tuj m’thânë: Ani !
Idhnù n’mù, nderù n’mù,
tuj m’thânë: Çikë !
Knâqë n’mù, g’zu n’mù,
tuj m’thânë: Nânë !
Je çikë e grue, je nânë e zot,
Tuj t’thânë:
Nânë, je tanë ç’ka kam !
Jam çikë e grue, nânë e zot,
tuj m’thânë: Bijë, t’kam nânë !

Drama “Gishti” nga Doruntina Basha edhe në Itali

Në kuadët të Festivalit Leonardo Lidi në Torino të Italisë do të prezantohet edhe shfaqja “Gishti” i dramaturges Doruntina Basha, por kësaj radhe do të vjen me regji të Leonardo Lidi, shkruan KultPlus. Kjo shfaqje në këtë festival do të prezantohet më 22 qershor dhe është përkthyer nga Elisa Copetti.

 “Gishti” tregon historinë e dy grave, vjehrrën dhe nusen, të cilat edhe dhjetë vite pas zhdukjes së burrave të tyre në luftën e Kosovës, jetojnë së bashku, të paafta për t’u vajtuar siç duhet të vdekurit e tyre, dhe të vazhdojnë me jetën.

Zoe dhe Shkurta jetojnë një jetë që është e mbushur me emocione të forta: dashuri, urrejtje, lot, të qeshura dhe mbi të cilën është mbizotëruar përjetësisht fryma e atyre që nuk janë me. Një dramë që fillon nga një gisht i prerë, duke përgatitur bukën për pritjen e dy burrave të shtëpisë, të cilët para dymbëdhjetë vjetëve dolën nga shtëpia për të mos u kthyer kurrë më.

Një nënë e cila nuk pajtohet asnjëherë me fatin e keq të tyre, gjersa nusja apo siç e thërriste ajo Shkurta, më në fund arrin ta kuptojë se ata nuk do të kthehen, e që ato duhet të pajtohen me fatin që është shkruar për të dyja , por jo zemra e një nëne nuk mund ti bëjë ballë asaj.

 “Gishti” kështu bëhet tregimi për një vetmi të madhe, por edhe për shpresën, për ditët që rrjedhin ngadalë, fuqinë e fantazisë dhe bindjes, dhe ndrydhjes së pashmangshme të jetës së përditshme në çdo shoqëri post-traumatike. Shfaqja “Gishti” është prezantuar në shumë teatro, duke përfshirë edhe ato ndërkombëtare. / KultPlus.com

Gruaja që krijoi ditën e nënës përfundoi duke e urryer

Për këdo që nuk është në dijeni, 12 maji i dedikohet NËNËS! Si në çdo vit tjetër, edhe këtë 2019 mbarë globi pritet të bëjë shpenzime të konsiderueshme në emër të dashurisë për gratë që na sollën në jetë.

Nëse edhe ju e urreni gjithë këtë komercializim të ditës ndërkombëtare të nënës, imagjinoni si do ndihej Anna Jarvis po të ishte gjallë, gruas që iu desh të kalonte shumë peripeci derisa të bënte të mundur nderimin e nënës qoftë thjesht dhe vetëm në një ditë të vitit.

Megjithatë, pak para se të ndërronte jetë, Jarvis pranoi se pendohej për shumëçka lidhur me Ditën e Nënës. Nëse do të jetonte ende, Anna do të ish’ duke përjetuar makthin më të madh të jetës së saj.

Përpara se të ndërronte jetë, mamaja e saj, Anna Reeves Jarvis shpresonte që dikush t’i dedikonte një ditë speciale mamave. Kur ajo ndërroi jetë më 9 maj 1905, Jarvis vendosi ta bënte ëndrrën e së ëmës realitet.

Kështu nisi një fushatë jo vetëm ndaj mamasë së saj, por ndaj kujtdo. E gjitha nisi fillimisht në qytetin e saj të lindjes, Grafton, Virginia perëndimore, e cila shënon vendin e parë që mundësoi organizimin e kësaj feste zyrtare (tre vite më vonë) në kishën Andrews Methodist Episcopal që sot konsiderohet si vendi i shenjtë përsa i përket kësaj dite të shënuar.

Në 1914- n, presidenti Woodrow Wilson nënshkroi një projekt- ligj që njihte ditën e nënës së Jarvis- it si festë kombëtare.

Ka një arsye përse është Dita e Nënës dhe jo e nënave

Qëllimi i kësaj dite ishte një dhe i vetëm: nderimi i nënës më të mirë që ka jetuar ndonjëherë sipas teje. Shkurt, nënën tënde. Por sot, festa ka marrë përmasa globale duke uruar këdo që është bërë nënë apo të festuarit mes mamash, pa praninë e fëmijëve.

Kështu, Jarvis mohoi festën e saj

Jarvis nuk mund ta kapërdinte faktin që njerëzit shpenzonin kaq shumë para për lule, çokollata apo dhurata me çmime marramendëse. Si fillim protestoi ndaj luleshitësve të cilët rrisnin çmimet në ditën në fjalë. Më pas akuzoi zonjën e parë Eleanor Roosevelt për përdorimin e Ditës së Nënës si një mënyrë për të promovuar shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve dhe grave. Jarvis- it nuk i pëlqente kjo lidhje dhe deformim që po i bëhej festës.

Jarvis vdiq në sanatorium në 1948- n. Sot njerëzit vazhdojnë ende të blejnë lule, bizhuteri… dhe mesatarisht pritet që sot, vetëm populli amerikan të shpenzojë plot 25 miliardë dollarë. /insajderi/KultPlus.com

Nëna: banka që depozituam të gjitha dhimbjet dhe shqetësimet tona

“Gjëja më me rëndësi që babai mund të bëjë për fëmijën është ta dashurojë nënën e tyre!” – Theodore Hesburgh

“Gjithçka që jam apo shpresoj se do të jem, ia kam borxh nënës time engjëllore!” – Abraham Lincoln

“Dashuria e nënës është paqja. Nuk ka nevojë të fitohet, nuk ka nevojë të meritohet!” – Erich Fromm

“Nëna është emri i Zotit në buzët dhe zemrat e fëmijëve të vegjël!” – William Makepeace Thackeray

“Jeta fillon duke u zgjuar dhe dashuruar fytyrën e nënës!” – George Eliot

“Kemi lindur nga dashuria; dashuria është nëna jonë!” – Rumi

“I lumtur është djali besimi i të cilit te nëna mbetet i pandryshuar!” – Louisa May Alcott

“Nuk keni nevojë të meritoni dashurinë e nënës; keni nevojë të meritoni dashurinë e babait!” – Robert Frost

“Dashuria e nënës është karburanti që lejon një person të thjeshtë për të arritur të pamundurën!” – Marion C. Garretty

“Burri e do të dashurën më së shumti, gruan më së miri, e nënën më së gjati!” – Proverb irlandez

“Në veshët e një fëmije, fjala “nënë” është magjike në të gjitha gjuhët!” – Arlene Benedict

“Ka mijëra gra, por vetëm një nënë!” – Proverb bolivian

“Kur je nënë, nuk je kurrë vetëm në mendimet e tua. Një nënë gjithmonë duhet të mendojë dy herë. Një për vete dhe një për fëmijën e saj!” – Sophia Loren

“Në momentin që lind një fëmijë, lind edhe nëna. Ajo nuk ekzistonte më parë – gruaja ekzistonte, por kurrë nëna. Nëna është qenie e re!” – Osho

“Nëna mban duart e fëmijës për pak… e zemrat përgjithmonë!” – Anonim

“Nëna: çdo dashuri fillon dhe përfundon atje!” – Robert Browning

“Fati i ardhshëm i një fëmije, është gjithmonë rezultat i punës së nënës së tij!” – Napoleon Bonaparte

“Zemra e nënës është një humnerë e thellë, në fund të së cilës gjithmonë do të gjesh falje.” – Honore de Balzac

“Nëna është drita e shtëpisë!” – Proverb shqiptar

“Pa diell nuk ka lule, pa dashuri nuk ka fat, pa grua nuk ka dashuri, pa nënë nuk ka poetë, as heroj!” – Maxim Gorky

“Është veç një fëmijë i bukur në botë dhe çdo nënë e ka atë!” –Proverb kinez

“Mjekët më thanë se kurrë nuk do të mund të ecja përsëri, por nëna ime ishte e sigurt se do të ecja përsëri. E, dhe unë besova nënën time!” – Willma Rudolph

“Zoti nuk mund të ishte kudo, prandaj i krijoi nënat!” – Proverb hebraik

“Disa nëna puthin, të tjera janë më të rrepta, por dashuria është gjithmonë e njëjtë. Përveç kësaj, shumica e nënave puthin dhe qortojnë në të njëjtën kohë!” – Perl S. Back

“Nuk e kuptoni se sa ju do nëna juaj , derisa të zbuloni në sirtar të gjitha pikturat dhe kartat që i keni dhënë!” – Pam Brown

Nëna e mirë nuk pyet a dëshiron, por jep!” – Prover anglez

Nëna: banka që depozituam të gjitha dhimbjet dhe shqetësimet tona.” – Thomas De Witt Talmage

“Lotët e nënës janë fuqia më e madhe hidroelektrike në botë!” – George Bernard Shaw

“Dashuria e nënës nuk vjetrohet kurrë!” – Seneka

“Kur je një nënë e mirë, gjithçka falet!” – Emile Zola

“Nëna është gjithçka – ajo është ngushëllimi ynë në pikëllimin, shpresa jonë në mjerimin tonë dhe fuqia jonë në dëshpërim; është burimi i dashurisë, mëshirës, dhembshurisë dhe faljes. Ai që humbet nënën e vet humb një shpirt të pastër që e bekon dhe e mbron vazhdimisht!” – Khalil Gibran

“Fëmijët janë spirancat që mbajnë nënën gjallë!” – Sofokliu

“Duart e nënës janë bërë nga brishtësia dhe fëmijët flen rehat në to!” – Victor Hugo

“Sa herë lind fëmija, lind edhe nëna!” – Gilbert Parker

“Amësia ka efekte humane. Gjithçka reduktohet te thelbësorja!” – Meryl Streep

“Amësia: Çdo dashuri lind dhe përfundon aty!” – Robert Brownin

“Babai më thoshte: “Rri i përulur, dhe duhet të punosh më shumë se secili”. Nëna më thoshte: “Bëhu vetja”. Ajo gjithmonë më mësonte se veç Zoti mund të më gjykojë!” – Nate Robinson

“Në momentin kur kishte shumë paqe në Qiell, por zërat nga Toka mund të dëgjoheshin dhe fëmija me ngut pyeti: “Zot, po të largohem tani, më thuaj emrin e engjëllit tim”. “Ju thjesht do ta quani atë, ‘Nënë”! – Anonim

“Nëna kupton atë që nuk e thotë fëmija!” – Proverb hebraik

“Dashuria e nënës të çliron!” – Maya Angelou

“Kurrë nuk e dija se sa shumë dashuri mund të mbante zemra ime, derisa dikush më quajti: “Nënë”!” – Anonim

“Pas çdo gjëje, ka një histori, por pas çdo historie tuajën gjithmonë është historia e nënës, sepse te e saj fillon e jotja!” – Mitch Albom

“Dora që përkund djepin është ajo që rrotullon fatin e njerëzve, sepse ajo dhe vetëm ajo e drejton jetën kah horizontet e ndritura ose të errëta!” – Haki Stërmilli

“Nëna është personi i vetëm në botë që të do para se të të shohë!” – Johann Heinrich Pestalozzi

Hapi sytë e zezë (VIDEO)

Hapi sytë e zezë o moj
O hap o hapi sytë e zezë


Hapi sytë e zezë o moj
O hap o hapi sytë e zezë

Hap o hapi sytë e zezë o moj
Të moj të na qel beharë

Hap o hapi sytë e zezë o moj
Hap o hapi sytë e zezë

Rrezët kthehen syve tu
E ma ndrisin shpresën mua

Rrezët kthehen n’sytë tu
E ma kallin datën mua

Rrezët në sytë e tu të zezë

Rrezët kthehen n’sytë tu
E ma tregojnë diellin mua

Rrezët kthehen n’sytë tu
E më bejnë të të dua

Rrezët në sytë e tu të zezë

Hapi sytë e zezë
O së të paskan hije

Rrezët kthehen në sytë e ty
O në sytë e zi

Hapi sytë e zezë
O së të paskan hije

Rrezët kthehen në sytë e tu
O në sytë e zi

Rrezët kthehen në sytë e tu të zezë/KultPlus.com

Sa le’t ish me e bajt nanën mbi supe…

Poezi nga Halil Matoshi

ia kam pa tmerrin tek i randonte n’çerpikë
kur shihte në TV gra të thyeme moshe
të ndjekuna armiku
që dikush i tërhiqte zvarrë mbi ndoj thes të dhintë apo ngrykë si
fëmijë të ngrim’ acarri, grumbulluq në ndoj karro me rrotë të
shfryme… të mos flas kur ndjente vajtime mbi fëmijë e burra të
grimë thike
nana s’bante as dh’et hapa pa u mbush’ frymë
në duart e policisë serbe kur rashë
dhe u bana gati për pushkatim çuditnisht qëndroi pa b’za
si ni staue pej dheu e shtangun
seciles arkeologët ia marrin masat
dhe përmasat ia hamendin moshën pulsin rrezistencën ndaj
përplasjeve
dhe tundimet e tokës nanë
dhe munohen me ia gjet fillin e gjallesës
dhe me ia konstruktue ni vdekje tepër tragjike dhe me ia shkaktue
ni dhimtë të madhe sa vrasja e djalit ni tmerr të pakufishem sa
historia botnore me ia thur pastaj ni trill letrar
dhe me e ba ni dramë gjithkohësie
nga e thjeshta e heshtur nga ni nanë
e kam shikue beftë
dhe sall sytë i kanë leviz
sa për t’ma ba me dije se e kam lanë të gjallë
prit’m nanë kam dashtë me i thanë
dhe zani m’ka tradhtue…
e ndjej edhe tashti ajo m’ thosh’
nuk kam me dekë pa ardh nga syrgjyni bir
jam qindpërqind i sigurt se ka dashtë më më thanë me dekë nuk
kam po ia ka vu dorën gojës
mos ban sakrilegj
mos me i dal ofshamë
ajo u ba ni nanë fantastike dhe më priti
me ma pa ballin pa gjak duart me m’i shtrëngue pa zingjirë
u bana dhe unë ni djal durimtar dhe ia prita dekën e bardhë
hijeshinë e qefinit
pashë sa le’t asht me e bajt nanën në supe
pesë djel të rritun…tek ndërrohet me bijtë e tyre
(aq e le’të ish nana dhe të duket sikur të dyja kambët po të
sharrojnë në dhe – ndoshta asht krejt njajt sikur ajo ka bartur
fëmijë në bark, veçse ti tashti ke mërzi ajo atohera asht e gzueme,
ajo po bante jetën!?)
ma pa lirinë
ia pashë dekën…/KultPlus.com 

Manjola Nallbani vjen me koncert recital

Koncerti titullohet “Jetë me ju” Këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Manjola Nallbani më 16 maj do të mbajë koncertin e saj recital, “Jetë me ju”.

Koncerti do të mbahet me fillim nga ora 19:00 në Qendrën Kulturore- Katedralja Ortodokse në Tiranë, përcjell rtv21.tv

Manjola Nallbani, koncertin e ka emëruar “Jetë me ju”, për shkak të duartrokitjeve dhe mirëpritjes që publiku i ka bërë ndër vite. Në skenën e koncertit recital bashkë me Manjolën do të ngjiten edhe artistë të tjerë shqiptarë. /KultPlus.com 

Kujdes se edhe budallenjtë bëjnë garë: kush është më budalla se tjetri

Akademik Esat Stavileci, tashmë i ndjerë, në ligjeratën përshëndetëse me studentët e Universitetit të Prishtinës, të dhënë para pensionimit të tij pesë vite më parë, tashmë kjo ligjëratë mjaft prekëse, por edhe motivuese për të gjithë ne, po konsiderohet si një nga ”testamentet” më të mira lënë për gjeneratat e reja. Akademik Stavileci ka lënë një thesar përplot ”testamente” të shkencës e urtësisë, i cili nuk rreshti së punuari për dije asnjëherë.

Një postim që po qarkullon në rrjetet sociale, thuhet se kjo është porosia që Akademik Stavileci u kishte lënë studentëve para pensionimit të tij.

Lexojeni të plotë ligjëratën “testament” të Akademikut Esat Stavileci:

”Nuk më mban të mërzitur sot vetëm malli për motrën, tashmë të ndjerë prej një jave, por edhe momenti i ndarjes nga një mjedis në të cilin kam kaluar gati një gjysëm shekulli të jetës sime. Prandaj, nuk mund të ndahem prej jush, pa iu lënë disa “porosi të jetës dhe të kohës”.

Për 45 vjet në Fakultetin juridik të Universitetit të Prishtinës (1 tetor 1965 – 1 tetor 2010) dhe në jetën time, kam mbajtur parasysh këshillën: në jetë bën vetëm atë që duhet të bësh, mos bën atë që s’duhet të bësh! E pranoj se kam lindur me fat. Fati më i madh i njeriut është të lindësh me fat! Me fat është ta meritosh lindjen! Kush e meriton lindjen, e ka të lehtë vdekjen!
Herët kam mësuar se kush jam dhe kush mund të bëhem. Nëse nuk di se kush je, nuk do të dish as kush do të jesh! Njeri ideal është ai që di se nuk ka njeri ideal!

Sot “po dal nga një derë” në të cilën kam hyrë para 45 vjetësh. Eshtë fat i madh të presësh të dalësh nga dera në të cilën ke hyrë! Nga të gjitha dyert më të mirat janë dyert e hapura; nga të gjithë çelësat janë ata që hapin të gjitha dyert! Në jetë nuk kam ndeshur në dyer të mbyllura. Kam përdor çelësat që m’i kanë hapur të gjitha dyert dhe për këtë ndihem krenar!

Pse po largohem? Përherë kam konsideruar se më mirë është të largohesh se të të largojnë! Eshtë pëlqyer një aforizëm i imi: ne shqiptarët sikur nuk dimë se kur është mjaft! Kam dashur që me shembullin tim të dëshmoj të kundërtën! Eshtë mjaft nëse “le pas vetes” ata që mund të trashëgojnë: dy asistentë doktorë shkencash në këtë fakultet dhe dy asistentë doktorë shkencash në Universitetine Europës Juglindore në Tetovë.

Kam ecur nëpër një rrugë të mesme, sepse shumë herët më kishin mësuar se mesi është i artë.
Sot po përshendetëm me ju dhe me institucionin në të cilin kam punuar 45 vjet. Po mbaj një fjalë që mund të kualifikohet në një ligjeratë lamtumirëse. Kush mban ligjeratë lamtumirëse duhet ta ketë merituar ligjëratën inauguruese.
Lartësia e bjeshkës “nuk matet me sy”, por “me këmbë!”.

Në jetën time kam ecur këmbë, që të “mos më mashtrojnë sytë!”.

Pyetja e parë me të cilën u jam drejtuar studentëve të gjeneratës sime të parë ka qenë: si pëlqeni t’ju flas: me gjuhën dhe stilin e rëndë të juristit që të më “konsideroni të mençëm”, pa më kuptuar asgjë, apo me gjuhën dhe stilin e lehtë të juristit, që “t’i kuptoni të gjitha”.

Besoj se më ka kuptuar shumica. Më vjen keq për atë pakicë që nuk ka dashur të më kuptojë!

Jeta është një mësim që “mund të mësohet”, por që “nuk mund të porositet!”.

Jeta, në të shumtën, i ngjanë tregëtisë: në të mund të investosh të gjitha, por edhe mund t’i humbësh të gjitha, nëse nuk ia del ta menaxhosh mirë. Përfundimi bëhet i qartë: më pak kënaqemi me atë që kemi arritur, se me atë në të cilën shpresojmë!

Shpresa është “pasuria më e madhe” e atyre që s’kanë asgjë! Varfëria dhe shpresa janë “nënë e bijë”: sa “merresh me bijën, e harron nënën!”.

Nuk e kam menduar se do të qëndroj aq gjatë në këtë profesion. Kjo ma kujton njërën prej barsoletave më të mira që kam dëgjuar ndonjëherë: kur një dyzetvjeçar e kishin dënuar me pesëdhjet vjet burg, i ishte drejtuar trupit gjykues me: faleminderës, nuk e kam ditur se do të jetoj aq gjatë!

Dyzet e pesë vjet në katedrën e profesorit mund të të mbajnë dhe të të ushqejnë vetëm studentët. Falenderimi im është për ta.

Ti je ai që të tjerët mendojnë për Ty, e jo ai që mendon për vetën tënde! Ju falenderoj nga zemra për konsideratën që keni shprehur për personalitetin tim dhe për punën time në mbarim të testeve tuaja në provimin e fundit.

Pranoj se më kanë shpëtuar lotët për gatishmërinë e një kolegeshe tuaj që kishte shkruar në fund të testit të provimit: jam tridhjetekatërvjeçare: do ‘ju kisha falur pesë vjet të jetës sime që të ligjëroni më gjatë dhe që të jetoni më shumë!

Asnjëherë nuk kam kaluar në faqën e dytë pa e mësuar të parën! Askush nuk ka mësuar të vrapojë para se të mësojë të ecë! Fjala më e mirë që e kam mësuar prej anglishtës është: step by step!

Ardhmeninë nuk mund ta përzgjedhësh si gjellën në meny! Po të ishte kështu, të gjithë do të kërkonin atë që nuk do të mjaftonte për të gjithë.

Vetëm ai që prej jetës nuk kërkon asgjë, “përfiton” prej saj! Në jetë duhet që të kërkosh shumë që të përfitosh pak. Askush nuk i ka përfituar të gjitha. Mos jetoni pa një motiv, sepse ai që jeton pa motiv “mund edhe të të mos jetojë!”.

Të ecësh me kohën do të thotë të ecësh përpara dhe të mos kthehesh prapa.

Ç’kuptim ka nëse ecni në drejtim të gabuar?

Jam përpjekur që të mos e gaboj rrugën. Kam ecur me të tjerët, e jo kundër të tjerëve. Kush ecën vetëm, e gabon rrugën. Kush ecën me të tjerët, gjen rrugë të reja!

Ne më shumë duam se ç’bëjmë, prandaj gabimisht mendojmë se jeta ”na mbetet borxh” për atë që nuk bëjmë.

Sillemi me padrejtësi ndaj jetës. Gjysmën e jetës e përmbushim me dëshira, e gjysmën tjetër me paknaqësi për mospërmbushjen e tyre.

Ambicia më e madhe e rinisë është “që mos t’i ngjajë gjeneratave të mëparshme”, por që “t’i vjelë të mirat e tyre!”.

Mos synoni atë që ndalohet më shumë se atë që lejohet!

Përmbajuni këshillës: asnjëherë mos e bën hapin, përpara se ta bësh hapin! Kujdes se edhe budallenjtë bëjnë garë: kush është më budalla se tjetri! Edhe budallenjtë bëhen rresht: u prin budallai më i madh!

Mundimi më i madh është “mundimi me fjalët”. Të flasësh apo të heshtësh? Asjnëherë mos hesht, kur duhet të flasësh; përherë hesht kur nuk e ke fjalën!

Njerëzit flasin shumë, sepse “fjalët i kanë falas!”. Prandaj, flis tamam!

Prej njeriut qe flet shumë, “mos u tremb”. Trembu prej njeriut që “mendon shumë”.

Aftësinë nuk mund ta fshehësh, si “diellin pas kodrës”.Por, në mungesë kujdesi, “mund ta ndotësh”.

Alarmuese: njerëzit duhet “t’i frikësohen kohës” kur majmunët mund të kontestojnë se ata e kanë prejardhjen prej tyre!
Shoqërohuni me më “të vjetrit”, që të mund të mësoni më shumë; mos “u shisni mend” me të “vegjëlve”, që të dukeni më të mëdhenj!

“Ruajuni” politikës: në politikë nuk vlen “të dua se kam interes”, por “kam interes, prandaj të dua”.

Nuk jetoj në iluzione se e tëra që kam bërë është e kryer dhe e përkryer. Jam përpjekur që punë time ta përshkojë ndershmëria: “punës së ndershme nuk i duhet drita, edhe nëse dikush përpiqet ta errësojë”.

Ka një mendim të artë: bëjnë punë të pagabueshme vetëm ata që nuk punojnë!

Në jetë nuk duhet të lejosh që të shurdhohesh nga duartrokitjet, sepse më vonë nuk do t’i dëgjosh fërshëllimat. Unë po ik përpara se “të shurdhohem!”.

Nuk kam pëlqyer që “të dashurohem në vetveten”. Kam pëlqyer të gjithë numrat e tjerë, përveç njëshit, prandaj asnjëherë nuk i kam dhënë vetës dhjetëshe.

Kujdes: asnjëherë mos e vlerësoni vetën me notën më të lartë.

Asgjë nuk kam mësuar të tjerët, përpara se ta mësojë veten time. Ju lutem, mësoni dhe mos mendoni se i dini të gjitha.

Në jetë kam pëlqyer që të mos prishëm me të tjerët, pa ju ndalua të tjerëve që “të prishën me mua”. Eshtë nder i madh që nuk ka njeri me të cilin nuk flas.

Thuhet se “njeriun e ndershëm nuk e urrejnë as të pandershmit!”.

Ta ruash nderin në politikë është punë e vështirë. Eshtë politikan i mirë vetëm ai që “bën gjumë të rahatshëm!”.

Profesion më të mirë kam konsideruar atë që “të mësosh të tjerët” atë që ke “mësuar për veten”.

Përherë kam konsideruar se është më lehtë të pyesësh se sa të përgjigjesh. Në jetë kam pyetur shumë të tjerët, por më kanë pyetur edhe më shumë.

Kam parapëlqyer “përgjigjet figurative”.

Kur më kanë pyetur për “procesin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës”, jam përgjigjur se procesi do të jetë më kompleks se që “po paraqitet”; më i vështirë se që “po mendohet” dhe më i gjatë se që “po parashikohet”.

Jemi vonuar shumë me procese zhvillimore, sepse kemi shpresuar shumë naivisht se të tjerët do ta bëjnë punën tonë, pa vra mendjen se “më mirë se me duart e huaja ndërtohet me duart tua!”.

Kemi hedhur hapin, pa fikësuar qëllimin e madh, prandaj kemi bërë gabime në hapa. Pastaj, jemi lëshuar në vrap, pa pyetur se ç’vlerë ka të vraposh, nëse je në rrugë të gabuar.

Shumëkush e ka dashur angazhimin tim në vendimmarje politike. Kur më pyesnin ku është Esat Stavileci , përgjigjesha me këngën e Ardit Gjebresë: “Ja ku jam!”.

Kur më pyesnin për fatin e Mitrovicës, përgjigjesha : “Nuk e di këngën e Shkurte Fejzës, Jo nuk ndahet Mitrovica!”.

Kur më pyesnin për decentralizimin përpara se të vendosej për statusin, përgjigjesha:

“Nuk vendoset karroca para kalit”.

Kur më pyesnin se çfarë e ardhme po i përgatitet Kosovës, përgjigjesha se çfarë e ardhme nuk do të dëshiroja t’i përgatitej: që “drejtësia e vonuar t’i dalë drejtësi e cunguar”.

Më në fund, kur më pyesnin se kur do të bëhet mirë me shqiptarët, përherë kam thënë:”nesër”.

E nesërmja është e juaja dhe mos ia falni askujt tjetër!.

Herët e kam kuptuar se koha është vërtet ar. Planifikoje kohën, sepse “vetëm me kohë mund të fitohet koha!”.

Mos harro se ora nuk është vetëm “për ta mbajtur”, por edhe “për t’iu përmbajtur!”.

Kam qëndruar jashtë, por jo larg politikës. Filozofia ime politike është: nuk jam me asnjërin, sepse dua që të jem me të gjithë!
Kujdes: në politikë të gjithë e pësojnë, dikush më herët e dikush më vonë!

Kam parapëlqyer të jetoj jo nga drejtësia, por për drejtësi.

Më kanë thënë pse nuk bëhesh avokat që të fitosh më shumë, jam përgjigjur pikërisht për atë.

Nuk ka padrejtësi më të madhe se kur drejtësia shtrembërohet.

Ndërgjegja e pastër e juristit ia “zbardhë fytyrën drejtësisë”: juristi do të duhej që “për çdo ditë ta pastrojë ndërgjegjën, po sikurse që e lanë fytyrën”.

Për disa procese politike jam mbajtur i “rezervuar”. Më ka dalë përpara thënia kineze: edhe nëse e mendon, mos e thuaj; edhe nëse e thua, mos e shkruaj; edhe nëse e shkruan, mos e nëshkruaj.

Por, kam pasur parasysh edhe këshillën tjetër: “Tradhtitë më të mëdha bëhen me heshtje: ujërave që nuk ecin dhe njerëzve që heshtin, mos ua falë besimin!”.

Prandaj, nuk kam heshtur në ndodhitë për ne dhe rreth nesh.

Në një fjalë të urtë thuhet se “ai që ia di rendin heshtjes, duhet ‘ia mësojë rendin edhe fjalës”.

Jam përpjekur që të mbaj një qëndrim. I vetmi njeri që mund të ndryshojë mendjen është ai që ka një mendje! I vetmi njeri që e mban fjalën është ai që nuk e jep!

Fjalën publike e kam mbështetur në argumente. Argumenti është sikur bora: “sa më butë që bie, aq më shumë zë vend”.

Në paraqitjet e mia nuk kam mbjellur skepticizëm. Te ne njeriu realist lehtësisht kualifikohet pesimist.

Cili është dallimi midis optimistit dhe pesimistit?

Përherë kam pasur një përgjigje: optimisti nuk mban as rrip dhe as krahosha në pantollonat e tij. Pesimisti mban edhe rripin edhe krahoshat. Unë, për çdo rast, mbaj rripin, i kam hequr krahoshat!

Kam folur dhe kam shkruar për shtetin, për Shqipërinë dhe për Kosovën.

Më kanë pyetur se çfarë kanë të përbashkët Shqipëria dhe Kosova?

Jam përgjigjur shkurt: Shqipëria dhe Kosova kanë të përbashkët paaftësinë: në Shqipëri “për ta mbajtur shtetin”; në Kosovë “për ta bërë shtetin”.

Kam tërhequr vërejtjen se shteti “nuk është mallë që shitet në treg”.

Kam porositur:

(1)Në një vend ku qeveriset pa demokraci, “luhet me legjitimitet”.

(2)Zgjedhjet vendosin se “kush do të qeverisë”, e jo “çfarë do të jetë qeverisja”.

(3)Nuk janë zgjedhje ato kur “ata që do të zgjidhen, i zgjedhin ata që do të zgjidhen”.

(4)Vetem qeverisja e mirë, e bën “demokracinë të mundshme”.

Po e mbyll fjalën time me pyetjen: sa kohë më është dashur që ta përgatisë këtë ligjeratë?

Shkurt: tërë jetën!

Mbani në mend: “të vdesësh i ndershëm është më shumë se të jetosh i ndershëm”.

Po e përsëris porosinë e parë: Në jetë bën vetëm atë që duhet të bësh, mos bën atë që s’duhet të bësh!

Prishtinë. Fakulteti Juridik 8 tetor 2010.

Një tjetër kryevepër do i shtohet Tiranës nga “Stefano Boeri Architetti”

Listës së projekteve të reja në Shqipëri, nga studio italiane “Stefano Boeri Architteti”, do i shtohet edhe një projekt tjetër. Bëhet fjalë për një kompleks të ndërtimit, për shumë familje i cili do të ndërtohet në Rrugën “Ibrahim Rugova”, në Tiranë.

Objekti i dazinuar në formë të kubeve të ndërthurura, zë një vend të rëndëishëm në hapësirën publike të Tiranës, duke mundësuar një lidhje të drejtpërdrejtë të ndërtesës me qytetin, transmeton Ndërtimi.info.

“Vëllimi duket si një përbërje e kube të mbivendosura: ajo vjen nga montimi vertikal i një serie të modulesh të banimit ashtu që secila njësi e jetesës të ketë të paktën një ballkon. Kjo zgjidhje arkitekturore lejon çdo apartament të ketë pikëpamje të ndryshme të perceptim të qytetit të Tiranës si tërësi”, u shpreh Drejtoresha e Projekteve, në “Stefano Boeri Architetti”, Francesca Cesa Bianchi.

Projekti i ri rezidencial, i vendosur në Rrugën Ibrahim Rugova, është ndërtesa e katërt në ndërtim e sipër në Tiranë e dizanjuar nga “Stefano Boeri Architetti”, përveç “Kubit të Artë”, në Rrugën Pjetër Bogdani, “Pyllit Vertikal” në Rrugën Dervish Hima dhe projektit të tri shkollave./Ndërtimi.info/ KultPlus.com

Pylli Vertikal nga Stefano Boeri
“Kubi i Artë”, Tiranë- Stefano Boeri
Projekti i tri shkollave në Tiranë- Stefano Boeri

Xhafaj: Muzika, ky art i gjallë që lëviz kudo përmes instrumentistëve

Muzika mbaroi dhe ky moment i dha fund ekzekutimit të instrumentistëve. Duartrokitjet vazhduan gjatë për vlerësim e kënaqësi, por edhe për të treguar që ajo që ndoqën dhe panë ishte një festë muzikore.

“I rrallë. Një kuartet çelosh. Një ansambël i vërtetë”. Kështu e vlerëson organizatori i “Different Festival”, Vlorent Xhafaj i cili e sjell këtë event për të disatin vit.

Në shqipen e tij të pastër ndihet aksenti francez, pasi ka mbi 20 vjet që jeton e punon aty.

Vlorenti filloi mësimet e violonçelit në moshën 6 vjeçare. Pa ndonjë dëshirë të madhe por si një detyrim prindëror për t’i dhënë më shumë kulturë. Sistematik dhe serioz derisa familja e tij vjen në Tiranë për të shfaqur talentin e vërtetë nën drejtimin e pedagogut Xhovalin Lazëri.

Vlorenti shpreh se ishte insistimi i pedagogut Lazëri, i cili me përkushtim dhe besimplotë te talenti i tij zhvillonte një mësim sistematik të përditshëm individual me të. Në moshën 16-vjeçare ai shkon në Paris, ende pa mbaruar gjimnazin i vendosur për të studiuar në Konservatorin e Parisit.

Koncerte të ndryshme ka zhvilluar violonçelisti Xhafaj në qytete të ndryshme të botës si Australi, Belgjik, Zvicër por sërish atdheu i tij i dytë mbetet Franca, pasi ka mbi 20 vjet që jeton aty dhe është shumë i afërt me muzikën dhe kulturën e atij vendi.

”Different Train Festival”, erdhi si dëshirë e disa miqve që donin të luanin bashkë, dhe në vitin 2012 Vlorent Xhafa, së bashku me Tedi Papavramin, Kladi Saraçin, Dorjan Gjogjin vendosën të vinin në Shqipëri për të luajtur për publikun shqiptar, e pas këtij suksesi violonçelisti shqiptar me famë ndërkombëtare, rikthehet sërish në Tiranë me tre koncerte. Pas koncertit “Udhëtim në Itali’ me pianistin Maurizio Baglini, në skenën e Universitetit të Arteve artisti luajti së bashku me pianistin Zamir Kabo dhe klarinetistin e njohur gjerman Fabian Dirr.

Dëshira për të sjellë art në Shqipëri është arsyeja e këtij eventi “Different Train”.

Muzika thotë Xhafaj është art i gjallë dhe ajo lëviz përmes instrumentistëve kudo. Prandaj ka sjellë shumë muzikantë të shquar shqiptarë e bashkë me ta veç qyteteve do të luajnë edhe në kisha e katedrale Bahun, e kompozitorë të tjerë të bindur se muzika e tyre tingëllon bukur edhe në objektet e kultit shqiptar. /j.p/ KultPlus.com