Madonna tashmë në dekadën e saj të katërt si këngëtare, si prezantim na vije pas akuzave për huazime të shumta dhe mosorigjinalitet, përcjellë KultPlus.
Tashmë me albumin “Madame
X”, ajo sjell temat si: katolicizmi i
seksualizuar, Lindja e mesme, politika dhe misteri.
Natyrisht, ky album i Madonna-s duhet t’i përgjigjet
tendencave të tjera të mëdha të Popit
amerikan. Përzgjedhja e saj e mysafirëve ka një ndikim në rrymën e Hip-Hop-it, duke bërë bashkëpunim me Quavo, Migos, Swae Lee, Rae Sremmurd, duke
bërë një R&B konteporanë dhe Pop-it pa bërë gabime në përzgjedhje.
Madam X është një album fluid, e një grua e “misterit” ku flet për temat si politika e lindjes së mesme dhe kultura, besimi dhe estetika, misteri dhe ekzotikja, duke i bërë kështu Madonna-s një kthim fantastik dhe bizar në formë. / KultPlus.com
Loer Kume është shpallur fituesi i madh i “Çmimit Kadare” për vitin 2019.
Ai është përfaqësuesi i një gjenerate të re shkrimtarësh i cili eksperimenton me letërsinë, në kërkim të formave të reja letrare larg komercializmit dhe të zakonshmes në letërsi duke sjell kështu një përmbledhje me tregime e duke rrëmbyer trofenë.
“Të përzgjidhesha në 10 finalistët e çmimit “Kadare” 2019 ishte në njëfarë mënyre habi dhe shpërblesë.
Sepse, për brezin tim çmimet në Shqipëri janë kthyer prej kohësh në një farsë të madhe, ku cilësohen dy-tre emra në fillim dhe më pas dihet kush e fiton. Skema e përhershme me po ata emra të lakuar e të lashtë në juri ose në kandidim, që i kthejnë favoret njëri-tjetrit.
Ndaj u habita që u prish kjo tabu dhe u kënaqa që këmbëngulja ime prej “kokëshkëmbi”, do të thosha, për të marrë pjesë në konkurs për herë të dytë, dha një rezultat fillestar”, – u shpreh disa javë më parë Loer Kume për suplementin “Leteratura” në Gazetën Liberale.
Pesë veprat që garuan për çmimin e madh të letërsisë janë: Fate Veliaj, Mimoza Hysa, Roland Gjoza, Ylljet Aliçka dhe Loer Kume i cili u shpall sot fitues i “Çmimit Kadare”.
Që prej ditës së djeshme juria e “Çmimit Kadare”, kryesuar nga Bashkim Hoxha në përbërje të së cilës janë shkrimtarët Mehmet Kkraja, Genciana Abazi, Alda Bardhyli dhe Diana Kastrati janë mbledhur në Razmë ku mbajtën dhe mbledhjen finale për të vendosur fituesin i cili është shpallur tashmë.
Ky është viti i pestë i krijimit të “Çmimit Kadare”. Në katër vite më shumë se 100 autorë kanë qenë pjesë e këtij konkursi, ndërsa janë botuar 4 vepra të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore shqipe, vepra që kanë qenë fituese të këtij çmimi.
I gjithë projekti i çmimit “Kadare” ka një vlerë prej 10 000 eurosh, ku përfshihen:Kontrata individuale me autorin, botimi i veprës, promovimi, e drejta e autorit dhe Ditët Letrare të Razmës.
Dje, bashkë me jurinë në Razmë kanë nisur dhe “Ditët Letrare të Razmës“, mbajtur nga Instituti Europian Pashko./Gazeta Liberale / KultPlus.com
Premierat e datave 11 dhe 13 qershor, të Trupës së Baletit të Kosovës, do jepen fillimisht për publikun, pastaj edhe në rastin festimeve për 20-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, si kërkesë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Trupa e Baletit të Kosovës, tashmë është gati për performim, shkruan KultPlus.
Pas dy premierave që nga muaji shkurt, “O moj Shqipëri” do
jetë premiera e tretë e trupës së baletit, nën koreografinë e Pullumb Agalliut,
që ka udhëtuar nga qyteti i Baku-së, së Azerbajxhanit, ku profesori Ahmet
Brahimaj, ish-drejtor i trupës së baletit, ja ka besuar shfaqjen koreografit
Agalliu, në bazë të eksperiencës së jashtëzakonshme në krijimin e shfaqjeve të
dedikuara për ngjarje të tilla, siç është jubileu i çlirimit.
Profesor Agalliu kësaj radhe vie me një koncept të tillë, që
ndërlidh temën e koreografisë së tij me poemën e Pasho Vasës “O moj Shqypni”,
dhe manifestin ideologjik të Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe
ç’do të bëhet”. Duke e ndarë në tri pjesë koreografinë e tij, me motive
atdhetare dhe aleancës perëndimore.
“Duke marrë kompozitor të shquar të rapsodisë shqiptare dhe
simfoninë IX, të Beethoven-it, që i përgjigjet hyrjes e aleancës së NATO-s në
Kosovë, koreografia trepjesëshe është një poemë, diçka filozofike, që po arrin
drejt qëllimit të saj”, u shpreh koreografi Pullumb Agalliu për KultPlus.
Sinan Kajtazi, ushtrues detyre i drejtorit të Baletit të
Kosovës, u shpreh se bashkëpunimi me Agalliun është gjithmonë i suksesshëm dhe
kësaj radhe kanë arritur të finalizojnë shfaqjen në një kohë rekord.
“Duke pas parasysh që kemi realizuar edhe më herët shfaqje
mjaftë të suksesshme me profesorin Pëllumb, dhe sigurisht edhe koha për
realizimin e shfaqjes së premierës së re ka qenë shumë e shkurtër, mirëpo puna
e madhe e trupës së baletit dhe koreografit, si bashkëpunim i dyanshëm, shfaqja
është kompletuar në një kohë rekord prej 18 ditësh”, shprehet për KultPlus
Sinan Kajtazi.
Kajtazi tutje shfaq brengën e tij në problemet e ndryshimit
të procedurave burokratike në Ministrinë e Kulturës.
“Si institucion i Baletit të Kosovës, ne jemi institucion që
prodhojmë gjatë gjithë kohës, dhe në momentin e bashkëpunimit me bashkëpunëtor
të jashtëm, sigurisht që pjesa burokratike e pengon në masë të madhe punën
tonë, dhe më shpresën që Ministria do të bëjë një zgjidhje adekuate për ketë çështje,
do të vazhdojmë dhe nuk do të dorëzohemi para kësaj situate, ku në
bashkëpunimin me bashkëpunëtor të jashtëm një problem kyç është edhe sigurimi i
pagesave”, shprehet Kajtazi.
“O moj Shqipëri” ju pret më datë 11 qershor duke filluar nga
ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Duke e shfaqur kualitetin e saj, trupa e baletit, një traditë që po vazhdon, përveç kësaj premiere, më datë 17 qershor do të udhëtojnë në dy qytetet e Maqedonisë veriore, në Gostivar dhe Tetovë, të ftuar me shfaqjen “O. TAKA”, ndërsa më datë 23 qershor, trupa e baletit do të udhëtoj në Tiranë, ku shfaqja “O. TAKA” është ftuar nga çamët e Shqipërisë, në javën Çame, ku shfaqja bazohet në ngjarjen e Osman Takës. / Visar Shabani / KultPlus.com
Haki Misini mbetet një nga zërat më të mirë të muzikës rok në vitet e 70’ta në Kosovë. Të gjithë e besuan që zëri i tij do të vazhdojë të dëgjohej edhe për shumë vite, për atë e ndalën forcat serbe ku tash 20 vite më parë edhe e vranë, shkruan KultPlus.
Haki Misini u vra vetëm pak orë para se të nënshkruhej marrëveshja
për bombardimet e NATOS-s dhe kjo ishte dhimbja më e madhe.
Misini atë kohë vepronte në grupin MAK, ku gjithashtu një tjetër anëtar i grupit, Mehmet Tupella u vra gjatë luftës duke bërë kështu që zëri i këtij grupi tashmë të dëgjohet vetëm përmes këngëve të tyre që kanë mbetur pjesë e historisë së muzikës kosovare.
Thuhet që gjëja e fundit që Haki Misini mori nga shtëpia e
tij prej nga ku e nxorën forcat serbe, janë cigaret me të cilat do të largohet
për të mos u kthyer më i gjallë pranë familjes.
Trupi i tij e i disa personave të tjerë u gjetën në vitin 2005 në Suhodoll të Mitrovicës, dhe pas kësaj eshtrat e tij prehen në varrezat e tokës së Kosovës.
“Moj e mira te pojata”, “Tri gota”, “Në syrin tënd pash një lot” , “Idila verore”, “Qenke rritë moj s’të zen këmisha”, janë këngët që edhe sot vazhdojnë të dëgjohen e interpretohen nga artistë të ndryshëm.
Rok grupi MAK u formua në vitin 1973 dhe si grup ka funksionuar deri në vitin 1978. Gjashtë anëtarët e këtij grupi ishin: Haki Misini, Mehmet Tupella, Rexhep Ismajli-Bulli, Halil Bajraktari, Sedat Isufi dhe Xhevdet Gashi. Grupi “MAK”, konsiderohet pionier i rok muzikës kosovare dhe ka merita të mëdha për popullarizimin e rok muzikës në vend. /KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka qenë e ftuar së fundmi për të performuar në “Summertime ball 2019”.
“Summer time ball” është një festival i madh veror në Londër, i mbajtur çdo të shtunën e parë ose të dytë të qershorit nga stacioni “Radio Capital”. Organizohet çdo vit në stadiumin “Wembley”, me të ftuar emrat më të mirë të muzikës ndërkombëtare.
Prezente në këtë ngjarje ka qenë edhe artistja tjetër shqiptare që po bën emër në mediat e huaja, Ava Max.
Kjo e fundit ka pasur rastin që të takohet me patrioten e saj, Rita Orën, në prapaskenat e festivalit.
Ka qenë Rita fillimisht, ajo e cila ka publikuar një fotografi me Ava Max në InstaStory, teksa të njëjtën Ava Max e ka rishpërndarë duke shkruar në mbishkrimin e saj: “E dua këtë vajzë”.
Rita përndryshe ka shprehur mbështetje për Ava Max që në fillimet e karrierës së saj.
Kujtojmë që në fillim të këtij viti, shqiptarja tjetër e famshme ndërkombëtarisht, Bebe Rexha, kishte bërë thirrje publike përmes një statusi në Twitter, duke i thirrur në bashkëpunim artistes: Rita Ora, Dua Lipa dhe Ava Max, të cilat i janë përgjigjur të gjitha pozitivisht ftesës, por mesa duket ende nuk është punuar diçka në këtë drejtim. /Telegrafi/KultPlus.com
(Rreth librit ’25 maji tani është 1 tetori’ nga Bardhi Haliti)
Derisa shfletonim librin “25 maji tani është 1 tetori” dhe këqyrnim fotografitë e gazetave të sportistëve dhe lojtarëve (“trupat që kërcejnë, përplasen, shtyhen, ngrehin njëri tjetrin, tentojnë të fitojnë…”), një ide absurde na shkoi në mend – ngjashmëria mes fjalëve ‘Tito’ dhe ‘Toto’. ‘Tito’ natyrisht i referohet Josip Brozit, partizanit dhe burrështetasit të famshëm, presidentit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë prej vitit 1953 deri më 1980, dhe si i tillë forca shtytëse (apo së paku inspirimi ideologjik) prapa shtatë sallave identike të sportit që janë temë e librit “25 maji tani është 1 tetori.”
Në anën tjetër, ‘Toto’ mund të jetë një fjalë pak më e panjohur. Është shprehje që përdorët gjithandej në Evropën kontinentale për t’iu referuar një sistemi të basteve lidhur me sportin – një sërë lojërash ku pjesëmarrësit (bixhozçinjtë, në thelb) provojnë të parashikojnë rezultatin e lojërave sportive të ardhshme. Emri ‘Toto’ vjen prej makinave të quajtura ‘Totalizatorë’ – pajisje automatike që përdoren për të kalkuluar (dhe shfaqur) bastet fituese. Fjala ‘Toto’ rrjedhimisht fsheh (brenda dy rrokjeve të saj) një përsëritje të lezetshme, ritmike (‘Total/Total’) – një përsëritje që ka një efekt qetësues totalizues në vetvete.
Shtatë sallat identike të sportit (ashtu sic projektuan mes viteve 1974 dhe 1979, nga arkitekti kosovar Miroslav Čočanović), që së bashku formojnë temën kryesore të librit të Bardhi Halitit, mund të shikohen si një ‘Totalizator’ gjithashtu – një përsëritje motorike e shtatë elementeve identike që ekzistojnë si infrastukturë topologjike, e që në mënyrë ritmike i lidhin me njëra tjetrën shtatë qytetet kryesore të Kosovës (Prishtinën, Prizrenin, Gjakovën, Mitrovicën, Pejën, Ferizajn dhe Gjilanin).
Natyrisht, edhe fjala ‘Total’ gjithashtu e luan një rol të rëndësishëm në botën e sportit. Në kohën kur u konceptuan sallat kosovare të sportit, ekipi i futbollit nga Amsterdami, Ajax-i, luante suksesshëm duke përdorur një model të quajtur ‘Total Football’ (Futbolli Total) – një sistem fluid në të cilin asnjë lojtar nuk është i fiksuar në një rol të përcaktuar dhe në të cilin secili mund të luajë në mënyrë të njëpasnjëshme si sulmues, mesfushor dhe mbrojtës. Në këtë aspekt, Futbolli Total është një metodë tërësisht jo-hierarkike e egalitare – modulare, strukturaliste, përherë në rrotullim. Në fakt, si taktikë, është mjaft e përafërt me modelet e socializmit dhe modernizmit.
Dhe me të vërtetë, në shikim të parë, fjala ‘Totalizator’ duket se ndërlidhet edhe me socializmin edhe me modernizmin – si zakonisht,shumë njerëz do të nxitojnë që ta shpërfillin cilëndo ideologji ambicioze sistematike si ‘totalitare’, ‘totalizuese’, apo thjesht ‘totale’ në përgjithësi. Është një ide tërheqëse – socializmi modernist (ose modernizmi socialist) si ‘Totalizatori’ final, barazuesi i madh, shkatërruesi i botëve.
Por natyrisht, kjo është vetëm njëra anë e tregimit. Njëjtë si ‘Totalizatori’ origjinal që në thelb është një makinë që jeton nga rastësia e lojtarëv të bixhozit, çdo ideologji sistematike gjithmonë do të përmbajë një dimension anti-sistematik. Standardet krijohen përmes variacioneve të tyre, rregullat theksohen përmes përjashtimeve të tyre, dhe gjuhët universale gjithmonë vijnë me dialektet dhe thekset e veta. Secili sistem e prodhon subversionin e vet, njashtu si çdo subversion që e prodhon sistemin e vet.
Dhe kjo është ndjenja jonë kryesore derisa shfletojmë “25 maji tani është 1 tetori”. Përkundër sallave sportive të standardizuara, përkundër uniformave të numëruara, përkundër rregullave të lojës (ose, siç ne do të argumentonim – për shkak të sallave sportive të standardizuara, për shkak të uniformave të numëruara, dhe për shkak të rregullave të lojës) këto fotografi janë plot me emocione njerëzore, shprehje dramatike, lëvizje dinamike, gjeste teatrale. Standardi nuk është asgjë pos një platformë për variacionin e vet, dhe vetëm në përsëritje mund ta gjejmë lëvizjen e vërtete unike. Kështu që po – neve na pëlqen përsëritja, dhe na pëlqen libri i Bardhi Halitit.
Sot bëhen 20 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes ushtarako-teknike të Kumanovës, me të cilin iu dha fund luftës në Kosovë, duke u dorëzuar ish-ushtria e Jugosllavisë dhe kapitullimi i kriminelit Sllobodan Millosheviqi.
Me këtë marrëveshje, Serbia është detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova. Marrëveshja është arritur pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, e cila ka zgjatur për 78 ditë me radhë, si dhe pas përpjekjeve të ndryshme diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, gjatë të cilës mbi 10 mijë njerëz janë vrarë, rreth 5 mijë të tjerë të zhdukur dhe mbi 1 milion shqiptar të zhvendosur. Shkatërrimet materiale po ashtu kanë qenë masive.
Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Havijer Sollana, më 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi rezolutën 1244, ku u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.
Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it Amerikan, Anglez, Francez, Gjerman dhe Italian.
Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.
Në të njëjtën kohë, është shpërbërë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. / KultPlus.com
Me datë 11 qershor në Prishtinë do të promovohet libri May 25 is now October 1 (25 maji tani është 1 tetori) nga Bardhi Haliti.
“25 maji tani është 1 tetori” është një hulumtim i gjerë në gazetat kosovare të publikuara prej vitit 1974 deri më 2018. Libri dokumenton aktivitetet sportive që u mbajtën në shtatë sallat identike të sportit në shtatë qytete të Kosovës.
Fotografitë janë të prera, zmadhuara, dhe bashkuara në bazë të ngjashmërisë. Koreografia e tillë nuk ka për qëllim që t’i shndërrojë ato në margaritarë apo thesar, por të ndihmojë të gjejmë kuptimin e tyre përtej kuptimit të tyre brenda sallave tanimë të vjetruara të sportit. Përmes përsëritjes, imazhet dhe tekstet shfaqin natyrën multifunksionale të hapësirës së komunitetit në të cilën reflektohen ciklet më madhore sociopolitike dhe kulturore, shkruan KultPlus.
Bardhi Haliti është dizajner grafik dhe hulumtues nga Kosova. Ka punuar si dizajner i pavarur në New York dhe Prishtinë para se të merrte titullin Master nga Werkplaats Typografie në Arnhem në vitin 2014.
Ka qenë dizajner grafik rezident pranë Jan van Eyck Academie në Maastricht gjatë viteve 2015-16. Në vitin 2011 Haliti bashkë-themeloi REDO, një eveniment ndërkombëtar i dizajnit grafik në Prishtinë, dhe nga viti 2013 është drejtor i programit i REDO. Jeton në Amsterdam.
Promovimi do të bëhet në KINO ARMATA prej orës 20:00. / KultPlus.com
Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko mori pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e 30 vjetorit të shoqatës kulturore të shqiptarëve “Migjeni” në Lubjanë të Sllovenisë.
”Migjeni”
është shoqata e parë shqiptare në ish Jugosllavi, e cila ka ngulmuar në
kërkesat e saj për njohjen e të drejtave të shqiptarëve.
Në këtë përvjetor të rëndësishëm Ministri i Shtetit për Diasporën i dorëzoi
shoqatës titullin “Naim Frashëri”, për “Veprimtarinë dhe angazhimin në mbrojtjen
e çështjes kombëtare shqiptare”, titull ky akorduar nga Presidenti i Republikës
së Shqipërisë. Gjithashtu gjatë ceremonisë ju akordua titulli Naim
Frashëri”(pas vdekjes) edhe ish kryetarit të kësaj shoqate, Gjon Simonit.
Ndërsa shoqata “Migjeni” në këtë përvjetor të saj, në shenjë falënderimi për punën e bërë për komunitete shqiptare në botë i akordoi një vlerësim mirënjohjeje. Pjesë e aktiviteteve me rastin e këtij përvjetori të shoqatës ishte edhe simpoziumi shkencor, “Si e kapërcyem pragun e shpresës”./KultPlus.com
Me organizim dhe nën drejtimin e politologes dhe gazetares, Vjollca Hajdari, kryesuese e organizatës „Dialogu i Hapur Ndërkombëtar“OID, në Berlin, u promovua libri „Lufta e Kosovës 1999, në mjediset e Universitetit për Shkenca të Aplikuara, „EBC“në Berlin.
Ky prezantim i librit u realizua me rastin e shënimit të 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës, 20 vjetorit të intervenimit të NATOS dhe 20 vjetorit nga lufta e Kosovës. Mbrëmjen e ka hapur Prof.Dr. Frank Schaal, Akademik në këtë Universitet, ndërkaq nënkoloneli, Dr. Hans-Peter Krieman, ushtarak i Bundeswerit gjerman, ka mbajtur një ligjëratë, ku ai ka shpalosur pjesë të librit dhe ka rekapituluar kohën e luftës. Qellimi i promovimit është zgjimi i vëmendjes tek opinioni dhe mediat gjermane, të cilët 20 vjet pas lufte, nuk e kane në agjendë sa duhet çështjen e Kosoves, ka thënë Vjollca Hajdari.
„Libri ishte edhe një mjet për të reflektuar, se si ka ndikuar lufta e Kosvës në arenën ndërkombëtare e veçanërisht në politikën gjermane“, është shprehur ajo. Hajdari ka theksuar se kohëve të fundit po tregohen tendenca, për të paraqitur intervenimin e NATOs, si të gabueshëm, prandaj kjo ishte edhe arsyeja, përse ne duhet të demantojmë këtë qëndrim dhe t’i kundervihemi tendencave të tilla“,ka thënë politologia shqiptare. Krahas negocimeve urgjente të udheheqësve botërorë, libri „Lufta e Kosovës 1999“,pasqyron ndër të tjerash ndarjen në dysh të popullit por edhe të politikës gjermane. Pas Luftës së Dytë Botërore, ishte hera e parë që Gjermania në vitin 1999, u fut prapë në Luftën e Kosovës. E paharruar mbetet fotoja e Ministrit të atëhershëm të Jashtëm Gjerman, Joschka Fischer, që u qëllua me bojë nga publiku. „Përkundër dilemave gjermane, ndërhyrja e NATOs ishte e domosdoshme, pasiqë përmes sulmeve u parandalua katastrofa humanitare dhe spastrimi etnik i shqiptarëve në Kosovë“, ka thënë ushtaraku gjerman. Nenkoloneli Dr.Kriemann shfaqi para të pranishmëve foto të luftës dhe u përqëndrua në veçanti në Masakrën e Reçakut, duke përmendur jehonën që shkaktoi deklarata e Diplomatit amerikan William Walker në mbarë botën. Më tej ai demonstroi pamje nga dëbimi i shqiptarëve dhe karvanet e të ikurve, ndër ta gra, burra, pleq e femijë. Libri „Lufta e Kosovës“ ka zgjuar interesim tek publiku gjerman dhe ai shqiptar por ngjalli edhe emocione nga bashkatdhetarët, që kanë ardhur në Gjermani si refugjatë të luftës. Ky libër është prezantuar edhe në Potsdam, në praninë e Diplomatit Gjerman, Wolfgang Ischinger, ndërkaq që promovimi i librit në Berlin u realizua me bashkëpunim të Organizatës „Dialogu i Hapur Ndërkombëtar“ OID dhe Universitetit EBC.
1. E ashpër, e vrazhdë, si populli i fuqishëm që e flet, por edhe plot shije e hijeshi, si frutat dhe lulet e malit ku flitet, gjuha shqipe – ndonëse e varfëruar nga një palëvrim shumë herë shekullor – është e aftë të shprehë, me një ndjenjë të mrekullueshme, nuancat, konceptimet më të holla e të mprehta të mendimit njerëzor. (Albania 1, 1897).
2. Shqiptarët duan para së gjithash dritën e mendjes dhe diellin. (Albania 8, 1897).
3. Vetëm shqiptarët e kanë ndjenjën e së bukurës aq të fuqishme sa e paguajnë me jetën e tyre kënaqësinë për të qenë vetë rrufeja mes atyre furtunave njerëzore të luftës. (Albania 3, 1897).
4. Rilindja e gjuhës sonë është rilindje e jetës sonë kombëtare. (Albania 8, 1897).
5. Gjuha shqipe është sa muskuloze aq edhe të brishtë. (Albania 12, 1898).
6. Shumë duhet të punojmë ne shqiptarët, sot dhe për së shpejti; po më parë nga të gjitha, të shëndoshim dashurinë dhe vëllazërinë në mes tonë. (Albania 2, 1897).
7. Përmirësimi ekonomik është nevoja më e shpejtë dhe më e ngutshme për vendin tonë. Është pra një detyrë urgjente që interesat ekonomike të Shqipërisë t’i paraprijnë çdo vlerësimi të karakterit politik. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
8. Ndjenja kombëtare ka rrënjë të forta në zemrat shqiptare; dhe ndonëse më ndonjë rast, moskokëçarja dhe moskuptimi i shqiptarëve gati na shkurajojnë dhe shkurajojnë gjithë miqtë e tyre të vërtetë, duhet pranuar se ndjenja kombëtare atyre nuk u mungon, por u mungon ajo vetëdije e qëruar, aq e domosdoshme për përparimin. (Albania B, nr 2, 14, 15-30 qershor 1898).
9. Ata që do donin t’i ngopnin shqiptarët me retorikë, në vend të urojnë zhvillimin intelektual të tyre, japin provën më të qartë të armiqësisë së tyre ndaj shqiptarëve. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
10. Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
11. Shqiptarët honxhobonxho janë të tmerrshëm për mizori e kapadaillëk. (Albania10, 28 shkurt 1898).
12. Shqiptari duket si i bërë për të qenë lodër e një mashtrimi të përjetshëm; një fatalitet i dhimbshëm rri pezull mbi këtë popull të mjerë. (Albania 15-30 janar 1899 C).
13. Përgjegjësia jonë ndaj vendit është e pamohueshme: do vuajmë me vuajtjet e Shqipërisë, do gëzojmë me gëzimet e saj. (Albania 15-30 janar 1899 C).
14. Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhduknin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare, qoftë me bizantinët, qoftë me turqit. Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do ishte e realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tanë të ardhshëm. (Albania 2, 1907).
15. Duke u ngritur përmbi egoizmat e pafuqishëm dhe mëritë e pafrytshme vetjake, le të ulim kokat e të punojmë për formimin e një Shqipërie ku poshtërsia keqbërëse e armiqve tanë trashëgimtarë t’i lërë vendin drejtësisë dhe ndershmërisë së mëkëmbur të stërgjyshërve tanë. Boll duke krasitur degë kuturu, dhe me një vendosmëri të ftohtë por të pamëshirshme, le të japim goditjen përfundimtare në rrënjët e së keqes. (Albania 12, 1909).
16. Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi e krime janë bërë në emër të së gjorës Shqipëri! (Albania 4, 1907).
17. Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar. (Albania 4, 1907).
18. Një e thënë latine e Kohës së Mesme, e ndryshuar pak: Homo homini lupus – Njeriu për njeriun është ujk. Femina feminae lupior – Gruaja për gruan është më ujke. Albanus Albano lupissimus – Shqiptari për shqiptarin është fare ujk [ujk e shkuar ujkut]. (Albania, qershor 1902, nr.5).
19. Letërsia jonë popullore është ruajtur dhe përcjellë vetëm nga gratë e fëmijët dhe nuk mund të mos merrte veçse formën naive të gjuhës së tyre. (Albania 1, 1905).
20. Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. (Albania 4, 1906).
21. Turqit turq mbeten; të rinj a të vjetër, ata janë, siç thotë shprehja latine popullore eiusdem farinœ [të të njëjtit brum]. Në tërë perandoritë që kanë ekzistuar a ekzistojnë, janë gjendur në kombin sundues mendje bujare për të marrë në mbrojtje kombet e nënshtruara. Po a mund të përmendet që prej katër shekujsh qoftë edhe një fjalë e vetme e një turku të vetëm në favor të Shqipërisë? Kjo fjalë vërtet do të meritonte në këtë rast të shkruhej e gdhendur mbi një pllakë bronzi dhe të varej në muret e klubeve tona popullore si një relikte kurioziteti. Turqit na mohojnë edhe ato cilësi që vëzhguesit e huaj i pranojnë njëzëri… Turqit na mundën, por pa arritur të na mposhtin, edhe pasi na imponuan Muhametin e tyre. (Albania 121, nr 12, 1909).
22. Shqiptarët janë populli më mosbesues në botë. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).
23. Asgjë nuk i ftoh më shumë shqiptarët se t’u thuash që kanë të bëjnë me një copë injoranti që i drejton. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).
24. Populli shqiptar është mjaft i mprehtë në të kuptuar. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).
25. Grekët e shpërdorojnë si shumë heshtjen përçmuese të shqiptarëve që nuk i hanë dokrrat e tyre bajate e boshe. (artikulli “Mbi Shqipërinë”, Libre Parole).
26. Njeriu është më i lig se egërsirat, po kur vështronj shqiptarët e Stambollit, më vjen të thom që është më i lig se gjarpri dhe miu. (Letër N. Nacos, 20 mars 1896).
27. Palla ime është penda; atë pallë të dobët kam, me atë përpiqem t’i shërbej atdheut. Fiunt scriptores nascuntur heroes [shkrimtarët bëhen, heronjtë lindin]. Ti që leve trim, bëje fora një herë jataganin për nder të Shqipërisë (F. Konica, Vepra 1, f. 155).
28. Shqiptari e ka zakon që kundërshton para se të marrë vesh. (Vepra 1, f. 187).
29. Kush nuk kupton përparimin, e merr kufirin e mendjes së tij për kufirin e botës. (Vepra 1, f.198).
30. Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen. (Vepra 1, f. 271).
31. Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqejtë… sado e madhe në vetvete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, dhe shumë herë pa e ditur as vetë përse, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten. Por, ata njerëz që vriten për interes e për përralla [dokrra], ftohen dhe frikësohen në u dashtë trimëri për ndonjë mendim të bukur, për ndonjë dobi të vërtetë e të përgjithshme… Nuk kanë frikë nga plumbi, po dridhen nga Valiu! trimëria e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së Drejtës dhe Atdheut, në shërbim të dobisë së përgjithshme. Të tjerat punë janë punë egërsie e kafshërie, jo trimërie. (Vepra 1, f. 271-272).
32. Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. (Vepra 2, 34).
33. Shkodra është pothuaj vendi më interesant i Shqipërisë së sotme, argjendarët dhe punëtorët e tjerë të saj janë të famshëm në gjithë Europën e Jugës dhe të Lindjes… Shqiptarët janë të njohur për individualitet dhe në kostumin e tyre kombëtar ka varietete dhe ngjyra. Pothuaj çdo krahinë ka kostumet e saj të veçanta. (Shqipëria, 1930).
34. Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar, jemi të prapambetur, dhe asgjë më shumë; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq. Hiqni dorë ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni. Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur; dhe kur arrin në kulm, bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit. (Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 213).
35. Bëhuni burra! Rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. E mbi të gjitha heshtni! Jo fjalë, por kazmën. Jo mbledhje, por kazmën. Jo misione, por kazmën! Dhe parmendën, dhe draprin, dhe shoshën, dhe furrën. Mjaft lëvdime. E kam zemrën aq të mbushur me lot sa s’qaj dot. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 214).
36. Gratë e Tiranës janë shakaxhesha të mëdha. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 317).
37. Ka shqiptarë që sillen si këndesa të vërtetë e zemërohen posa zë të këndojë kokorikooo ndonjë tjetër si ata. Mjerisht në Shqipëri ka pak pula. Shqiptarët me mendje të nderuar s’duan e as kanë dashur njeri që del e thërret: “Unë jam!” Historia e Shqipërisë s’është përveçse vërtetimi i kësaj që themi. (F. Konica, Vepra, 3, f. 63).
38. Është një vend në faqe të dheut ku katilin e kanë për njeri të nderuar; hapen që t’i bëjnë udhë kur kalon; e fshehin nga i vetë-thëni gjyq, në iu tektë së vetë-thënës polici të bëjë sikur e kërkon; edhe në daltë ndonjë i çmendur për të marrë anën e kanunit [ligjit], e shajnë edhe e fëlliqin me një zell të çuditshëm. Dhe prandaj ai vend ka fituar një famë shumë të shëmtuar në botë… Për cilin vend po flas, do ta kuptoni menjëherë kur t’ju them që nuk ndodhet në mes të Afrikës, po në Europë. (Vepra 3, f. 169).
39. Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës. Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të ulët se historia e këtij kombi që, për pak të qelbur ergjent [të holla], shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshirim nga aq qindra vjet që e shkelin dhe e kurvërojnë të huajt, s’i erdhi dëshirim të japë dy pika gjak për lirinë e vetvetes? Të donin shqiptarët lirinë e Shqipërisë lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj. (Albania 1, vëllim A, 1897).
40. Dua të marr shpatën e t’u çajë kokën gomarëve, edhe në vend të trurit të kllasë këtë: ç’është liria?… Më mirë të shesë pleh njeriu, se të shkruaj për shqiptarët… ç’është liria: Liria është të mundet njeriu: 1. të besojë ç’i do zemra; 2. të thotë ç’i do zemra; 3. të shkruaj ç’i do zemra; 4. të bëjë ç’i do zemra, veç jo ato që janë kundër lirisë së tjetrit njeri. Por shqiptarët, më të shumtë janë shpirtrobër… sundon në shpirtrat e tyre feja… Vëllezër shqiptarë: Mjaft rrojti e mjera Shqipëri jetën e Kurmit. Duhet edhe ajo të nisë tani të rrojë jetën e mendjes. Jeta e mendjes është të hapim tërë zemrat tona, të flasim vëllazërisht njëri kundër fjalës së tjetrit, të kuvendojmë si njerëz të qytetëruar, që mblidhen e luftojnë me fjalë [shoqërisht] për idetë e tyre… kështu do njihemi më mirë, s’do kemi mendime të fshehura, dhe do të KUPTOJMË që të tërë jemi të lidhur me dy lidhje të arta: dëshirimi i së Vërtetës dhe dëshirimi i Shqipërisë. (Albania 2, 25 prill 1897).
41. Ç’ka të bëjë myslimanëria apo krishterëria me shqiptarësinë? Myslimani të jetë mysliman, i krishteri i krishterë; po Shqipëria është e ne të gjithëve dhe e të gjithëve është detyra të mendohemi e të bëjmë si është më mirë për të. (Albania 2, 25 prill 1897).
42. Shqiptarët nuk ndahen në të krishterë e në muhamedanë, po ndahen në dy anë: ana e kombëtarëve, në të cilën ka shqiptarë nga të gjitha besimet, dhe ana e zuzarëve. (Vepra 3, f. 75).
43. Duhet të mësohen shqiptarët të mos shohin prapa atdhetarit fenë e njeriut. (Vepra 3, f. 127).
44. Ne duam të bëjmë një komb shqiptar, dhe për këtë punë kemi nevojë për bashkim të të gjitha pakicave të Shqipërisë me shumicën shqiptare. As që mund, një shqiptar që duket sot për sot i kulluar, të lëvdohet se 1000 a 2000 vjet më parë, fëmijëria e tij ish shqiptare. Ndofta po, ndofta jo. S’mund të hipim gjer te Adami a gjer te protistet e profesorit Haeckel. Si ka mijëra e mijëra shqiptarë të sllavizuar, ashtu ka pasur prej racash të tjera të tretur në racën shqipe. (Vepra 3, f. 136).
45. Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot. (Vepra 3, f. 15).
46. Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t’i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka për të egër e për të humbur… Le të themi pra të vërtetën, gjithnjë të vërtetën,… të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim. (Vepra 3, f. 81).
47. Të mos humbasim kohë të kërkojmë bashkim me anën e atyre që përpiqen të mbushin taskën, që tallen me mjerësinë e popullit shqiptar dhe që kanë vetëm një vesë: fitimin, dhe një dashuri: argjendin [paranë]. Me këta, jo vetëm bashkimi nuk bëhet, por është edhe i rrezikshëm. … Këta duhet t’i godasim pa pushim e pa mëshirë. Një miqësi me të poshtrit, nuk duam. (Vepra 3, 83).
48. Ne jemi një komb i ftohtë, ku secilido mendon për veten e tij… Ata shqiptarë për të cilët bota thonë se janë “të egër”, shqiptarët e maleve e të pyjeve, ata s’janë të ftohtë, por përkundrazi, janë shqiptarë të mirë e do të ishin atdhetarë sikur të kish njerëz t’u jepnin të kuptonin [t’i ndërgjegjësonin]. (Vepra 3, f. 100).
49. Dëshiri i nxehtë i grave është një sëmundje fort e rrallë në Shqipëri: e kanë vënë re të gjithë se kombi shqiptar mund të quhet i ftohtë në këtë punë. (Vepra 3, f. 143).
50. Frika, kur është e madhe, në vend që ta mposhtë njeriun, ia forcon, ia galvanizon nervat dhe frikaçi sillet (jashtërisht) posi trim i vërtetë…. Edhe trimëria, s’është trimëri e vërtetë pa frikë: se trimi pa frikë, s’bën ndonjë punë të rëndë, të çuditshme, me vlerë a me meritim… Le t’u japim bashkatdhetarëve tanë të kuptojnë shumësinë e formave të trimërisë. Trimëria me pallë, trimëria e luftëtarit nuk është e vetmja trimëri… Është trim çdo njeri që ka zemrën të sillet sipas mendimeve të tija, të bashkojë punët me fjalët… Një formë trimërie që e kemi përditë në sy është trimëria e grave. Numri i nënave trimëresha është i habitshëm – dhe ndofta pak vende mund të lëvdohen të kenë nga ajo farë trimërie aq sa ka Shqipëria. (Vepra 3, 149-151).
51. Populli është i duruar, po gjer në një pikë: e kur kupton dhe e zë zenga, tërbimi i tij bën çudira të shëmtuara. (Vepra 3, f. 181).
52. Oborrësia e gegëve është për të vënë re: në ç’vend tjetër të botës mund të gjeni barbarë të rritur në kasolle me bukë e djathë, larg çdo qytetarie, po me një hije princash në mes të rreckave dhe të varfërisë pa emër që i ka mbuluar!… Kush mban mend plakun Dedë Gjon Lulin, mund të dëshmojë se ky ish, në varfëri e barbari të tij, një gentleman i përsosur. (Vepra 3, f. 212-213).
53. Çakajtë e përgjakur e të urët, që kafshohen dhe ulërijnë për një kockë në Tiranë…, në pastë Shqipëria para, ata ua gjejnë lehtë vendin: dy njerëz të paguar ndezin një zjarr gjëkundi, – dhe përpara sergjerdetë me harxhet! … O-derra buçe, atdheu është në rrezik! (Vepra, 3, f. 181).
54. T’i japim botës një provë urtësie, të bëjmë një çap të ri të madh në udhë të qeverimit të shtruar. (Vepra 3, f. 227).
55. Një lëvizje popullore dihet ku dhe kur nis, po s’dihet ku dhe kur do të mbarojë. Në të gjitha këto, mbetet një shpresë dhe një ngushëllim: shpresa që populli, po nguli këmbë, më në fund do t’i fitojë të gjitha; ngushëllimi që kriminelët e guvernës sodomiste, shpejt a vonë (besoj më tepër shpejt se sa vonë), do të marrin shpërblimin që meritojnë. (Vepra 3, f. 239-240).
56. Të vetëqeverisurit nga pleqtë e fshatit është karakteristika, shenja më e shquar e jetës sociale të kombit shqiptar. (Vepra 3, f. 243).
57. Ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara e shpëtoi Shqipërinë; shpëtuam nga tragjedia e copëtimit: dhe deklarata e haptë e Presidentit Wilson më 1920, që Shqipëria kish të drejtë të jetë indipendente dhe e lirë, i shtrëngoi Fuqitë e Mëdha të binden që t’i japin edhe një herë fund çështjes shqiptare. (Vepra 3, f. 260).
58. Në Shqipëri leu një zanat i çuditshëm, më i poshtër se ai i hyzmeqarëve të pendës: zanati i larove të pendës… Shumë njerëzve u ka rënë erë kërmë; dhe nga çdo çip e prej çdo ngjyre, rendin shpirt-skllevër që kanë uri dhe etje për poshtërsi, lënë zanatin e tyre dhe, duke u bashkuar me larot e pendës, bëhen laro të pendës edhe vetë. Në mes të këtyre të rekrutuarve të papritur, ndodhen edhe ca të vetë-thënë “juristë”. (Vepra 3, f. 269).
59. Një popull që s’duron padrejtësi, që s’u jep besim sharlatanëve, që ngul këmbë për pastërti në hesapet [financat] dhe për prova zotësie në zyrtarët, ai popull qeveriset mirë, qoftë me mbret në krye, qoftë me president. (Vepra 3, f. 290).
60. Skllavëria, si çdo pësim tjetër, pasi rëndon ca kohë në kurriz, bëhet më në fund një zakon i pëlqyer, dhe ata që e mbajnë mbi zverk, e durojnë me gëzim. … Ata jo vetëm s’marrin vesh ç’do me thënë liri, po ndjejnë njëfarë urrejtje për mbrojtësit e lirisë dhe ushqejnë respektin më të thellë për tiranët ekspertë të shkopit e të zinxhirit. (Vepra 3, f. 293).
61. Shtetet, sikurse njerëzit, lindin, rriten dhe vdesin, – dhe ca vdesin që në foshnjëri, nga sëmundjet ose nga aksidentet… Në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere mundet, pa shpifje, të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: U ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastet, u vra nga politikanët… Politikanët kanë zënë t’i vënë kazmën Shqipërisë. (Vepra 3, f. 333).
62. Që shqiptarët, në çdo hap të jetës politike dhe sociale, tërhiqen nga hollësirat dhe kurrë nga mendime thelbësore, që shqiptarët kujtojnë se çdo ndryshim është përparim – ja dy fakte që duhet t’i kenë vënë re gjithë vëzhgonjësit e zhvillimeve. (Vepra 3, f. 335).
63. Kanunet [ligjet] e bëra me qëllimin që t’u lehtësohet faji njerëzve pak a shumë të fuqishëm dhe që shumica e barrës të rëndojë mbi kurriz të njerëzve të popullit, lënë ngaherë deriçka shpëtimi për ngrehësit e pusive. (Vepra 3, f. 342).
64. Sa kohë të mbetet e pandryshuar mendësia e errët se vrasja është një mjet i ndershëm, Shqipëria do mbetet një njësi afrikane në mes të Evropës. (Vepra 3, f. 345).
65. Për një vend si Shqipëria, rrethuar nga armiq, një luftë civile e zgjatur mund të jetë shumë e rrezikshme. (Vepra 3, f. 347).
66. Zjarri në vatër është aq i shenjtë, sa një nga betimet më të zakonshme ndër shqiptarët është: për këtë zjarr. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 391).
67. Shqiptari ka në shpirt të tij një frymë arti të vërtetë. Kjo frymë shfaqet në ngjyrat që ky popull ka zgjedhur për të veshurit e tij dhe për të zbukuruar shtëpitë ku rron. Këto ngjyra janë e zeza dhe e bardha. Oscar Wilde gjykon se bashkimi i ngjyrës së bardhë me të zezën është një shenjë shijeje fisnike. (Vepra 2, f. 68).
68. Kombi [iliro-shqiptar] i Diokletianit, i filozofit Julian, i Justinianit, është një komb i cili kishte një qytetari të tij kur stërgjyshërit e frëngjve dhe të anglezëve visheshin me lëkura bualli dhe rronin të futur në shpellat. (Vepra 2, f. 70).
69. Levantinët janë një sëmundje, një koqe me qelb, që ka dalë në cipën e Shqipërisë. Mund të thuhet pa frikë gabimi se ideali që ata përpiqen të arrijnë është ideali i berberëve të Stambollit. (Vepra 2, f. 71).
70. Shqiptarët kanë një problem për të zgjidhur: të këqyrur nga të huajt si një popull i rëndë, i ashpër, por fisnik, për të cilin një anglez ka thënë se është një popull plot “tragic dignity”, shqiptarët sot janë bërë qeshja e botës:. Pyetja është: Kush e ka fajin që zbritëm nga tragjedia në operetë? Pas mendjes sime, fajin më të madh e kanë levantinët. (Vepra 2, f 78).
71. Ç’ka Italia që vlen të merret? Makaronat dhe kamorren, hiçgjë tjetër. Për makaronat, s’kemi nevojë, se kemi patatet tona; kamorren e kemi marrë dhe, shyqyr perëndisë, e kemi përmirësuar dhe rregulluar me një sistem më të mbaruar se italianët vetë. (Vepra 2, f. 111).
72. Një tipar padyshim fatkeq i shqiptarëve dhe tipar mjaft i dukshëm është mungesa e plotë e idealizmit. Në një vend ku njerëzit vdesin aq kollaj për hiçgjë, nuk është dëgjuar që të vdesë dikush për një ideal ose çështje. Do të kërkonte shumë kohë të shpjegohej përse Shqipëria nuk e ka fituar lirinë më herët. Akte të trimërisë e të devotshmërisë, që kanë shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve, mund ta bënin të dukej i rremë pretendimi im për mungesën e idealizmit. Por besnikëria e verbër ndaj traditave të ngulitura dhe kanuni qibar për nderin janë pothuaj akte mekanike, që nuk nënkuptojnë se dikush e rrezikon jetën për një ideal të zgjedhur lirisht. (Vepra 2, 237).
73. Shqiptarët janë tolerantë për besimet e tjera dhe ndoshta, ky është i vetmi vend në Evropë ku nuk ka pasur luftëra fetare. (Vepra 2, f. 241).
74. Shqiptari është tepër i pavarur dhe tepër individualist, nuk i nënshtrohet ndikimit të kujtdo qoftë në kundërshtim me vullnetin e vet. (Vepra 2, f. 279).
75. Kemi këtu një fytyrë fare të jashtëzakonshme: Ahmed beu më duket i shënuar nga Fati që të lozë rolin më të madh në histori të Shqipërisë. Ai djalë i ri, në mes të zjarrit e të luftës, e të tradhtive, e të rreziqeve pa numër, arrin në pak vjet e sipër ta bashkojë Shqipërinë, ta vërë nën fuqinë rregullonjëse të Kanunit, të shtrëngojë tërë armët e të zërë parmendën, dhe sot i ri, rri në Fronin e Skënderbeut. (Vepra 2, f 40).
76. E përbuz mbretin Zog për këto arsye: asnjëherë nuk e kam dëgjuar të thotë një të vërtetë. Kurrë nuk e ka mbajtur fjalën e besës. Nuk ka asnjë ndjenjë përgjegjësie. Është i pandershëm, i pashpirt, egoist, i pangopur. Ai i urren të gjithë ata që kanë diçka, qoftë kulturë, prejardhje, pasuri, çfarëdo aftësie në ndonjë fushë, ose qoftë edhe patriotizëm të pagdhendur, por të ndershëm. Ai i injoron gjërat themelore dhe u jep një rëndësi groteske çikërrimave. Shqipëria kurdoherë ka qenë njohur si komb me njëfarë dinjiteti tragjik; ai e ka ulur Shqipërinë në nivelin e një farse muzikore të pavlerë”. (Vepra 2, f 325).
77. Ahmed Zogolli, malok analfabet, pa ndonjë frymë idealizme, kish zgjedhur për pasqyrë dhe shembull të tij Esad Pashën, të cilin e imitonte jo vetëm në intrigat e jashtme e të brendshme, por gjer në mënyrën e ecjes dhe të foljes. E imitonte veçan në punën e ryshfeteve. Dhe siç Esadi, në një kohë, merrte nga Italia, nga Serbia dhe nga Greqia, – ashtu dhe Ahmed Zogolli u përpoq të marrë nga tri ato mbretëri përnjëherësh. (Vepra 3, f. 312).
78. Kur nis njeriu një punë, duhet të dijë se do t’u prishë interesin disave dhe prej këtyre nuk mund të presë përveç të shara e të shpifura… Letrat pa nënshkrim [anonime] e kanë vendin e tyre në hale, fjalët dhe të shpifurat shkojnë e harrohen – po puna mbetet. Jemi lindur në një dhé dhe të shtypur prej tiranisë; liridashuria, njësia e interesave të shkuara, njësia e interesave të sotme dhe njësia më e madhe e interesave të nesërme na thërret të bashkohemi e të punojmë. Do të gjejmë kundërshtime; po kundërshtimet i lodhin të dobëtit e i forcojnë burrat. Të jemi pra burra, dhe përpara! (Vepra 4, f. 115-116).
79. Vendi më i ëmbël e më i pëlqyer i një shtëpie duhet të jetë vatra, se rreth e rrotull kësaj mblidhen vëllazëria që të rrinë e të kuvendojnë. Po ngandonjëherë, kur mbahet ligsht e nuk pastrohet me kujdes, vatra, në vend që t’i afrojë, i largon njerëzit e shtëpisë, se bie erë të qelbur. (Vepra 4, f. 227).
80. Këtu-këtje, në Shqipëri mund të jenë bërë gabime kundër bukurisë [natyrore] – po nga ana tjetër, sa gjë e pëlqyer të shohë njeriu një popull që zgjohet dhe i vihet punës. Shumë të huaj shkruajnë marrëzira për Shqipërinë, se nuk e kanë njohur vendin më parë dhe ashtu, s’kanë ku të mbështeten për të matur pikën e arritur në të sotmen. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 229).
81. Sa mirë i vjen njeriut kur, pas shumë vjet largimi, shkel përsëri baltën e mëmëdheut të tij; kur hyn në shtëpi a në kasolle, i duket sikur edhe gurët e mureve i thonë “mirëserdhe”! (Vepra 1, f. 93).
82. Qytetaria është zbukurimi i mendjes dhe e flakta dëshirë për lirinë. Le të ecim me çap titani drejt bukurisë së mendimit. (Vepra 1, f. 94).
83. Liria është të jetë njeriu zot i vetvetes, pa ndonjë urdhërues mbi kokë. (Vepra 1, f. 95).
84. Ah, malli i Shqipërisë, malli i atdheut të dashur, i shenjtë mall dhe dashuri e shenjtë, kush është ai shqiptar që s’e ka pasur në dhe të huaj! Duhet të jesh jashtë Shqipërisë, e të jesh larg, për të kuptuar se ç’forcë e ç’bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri! (Vepra 1, f. 103).
85. Flamuri përmbledh kujtimet e shkuar të një kombi në një gjuhë të pashkruar, që mund ta kuptojë syri dhe zemra e çdo njeriu me ndjenja. (Vepra 1, f. 105).
86. Djem të Shqipërisë, shpresa e atdheut, ju që nuk e kini gjakun të ftohur nga pësimet, as trutë të thara nga interesi, ju duhet ta doni flamurin e racës suaj, ta doni me thellësi e me zjarr. U lajthitën ata që thanë se të rinjtë duhet të mësojnë nga pleqtë. Jo. Historia na thotë që pleqtë kanë kurdoherë për të mësuar nga të rinjtë. Djelmuri shqiptare, mësoi Kombit shqiptar fenë e Flamurit. (Vepra 1, f. 107).
87. E njihni të gjithë atë që “ka parë botë, që është i qytetëruar”… i lag përditë me vaj leshrat, vishet me “të ngushta”, mban një stap të lehtë në dorë e shikon sipër-poshtë gjithë botën… Po ku ka lindur, në pyeç, ky njeri aq i hollë e aq i çuditshëm?… Mos kërko aq larg… Ka parë ditën në Dardhë, në Mollë, a në Breg të Pulës. Është rritur mes bajgave të gomarit a të kakërdhisë së deles. (Vepra 1, f. 144).
88. Kam shkuar jetën duke luftuar kundër asaj dinakërie të poshtër që quhet sharlatani, dhe për të rrëfyer të vërtetën, më ndizet gjaku kur shoh ca morra të ngordhur që, për ta mbajtur veten e tyre si të qytetëruar e të hollë, tallen me rrobat kombëtare të Shqipërisë. Dua të kem disa nga ata ngordhanikë e t’i shpie në Skotland të shohin zotërinjtë e mëdhenj si vishen, në dasma e në mbledhje, me petka kombëtare të tyre që u shëmbëllejnë shumë petkave tona. (Vepra 1, f. 149).
89. Në Shqipëri, ashtu si gjithkund në botë, ka një prirje të pandalshme drejt uniformitetit. (Vepra 1, f. 270).
90. Shqiptari, sado përtimtar që është, i vihet shpejt punës posa sheh që puna s’i ka për të vajtur kot. Ndofta keni dëgjuar se Kanali i Korinthit në Greqi, i cili bashkoi dy dete, u rrëmih më shumë prej punëtorësh shqiptarë. Punonin, ata djelmt’ e shëndoshë të Shqipërisë, punonin…. Një komb përtimtar nga rrënja është një komb i ngordhur. (Albania 14, 15-30 qershor 1898).
91. Kur më pëlqen e kur më çpëlqen një vepër, nuk ka pse të kërcej a të shfryj: duhet të shfaqë përsetë e pëlqimit a të çpëlqimit tim, në qoftë se dua të përpiqem të shokësoj këndonjësit në një ndjenjë me mua. Ashtu kritika bëhet edhe ajo vetë një vepër letrare. (Vepra 1, f. 244).
92. Mbani pra ndër mend se, për mua, atdhesia dhe letërsia janë dy gjëra. Një shkronjës mund të ketë edhe atdhesi edhe talent [letrar], a mund të mos ketë as këtë, as atë, a mund të ketë njërën, pa tjetrën. Nuk duhet pritur prej meje – ngaqë një vetë qenka atdhetar i mirë – që unë të kasnecojë se ipso facto, ai paska edhe vlerë mendore a pendë të bukur. Qëndrimi im përpara Naim bej Frashërit nuk u kuptua për këtë arsye.
93. Shqiptarët flasin një gjuhë të vjetër që ka lidhje të largëta me latinishten, greqishten, teutonishten, sanskritishten dhe të tjera. Shkurt, është një nga gjuhët që quhet indo-gjermane. (Vepra 1, f. 262).
94. Të përpiqesh të ndryshosh gjuhën e një populli do të thotë të ndryshosh karakterin dhe të prishësh personalitetin e tij. Dialekti toskë, i gjallë, i shkathtë, i leht dhe me një evolucion të vazhdueshëm pasqyron mirë karakterin e toskës që shquhet nga një vrazhdësi e përmbajtur, nga një ndjenjë humori, nga aftësia, nga intriga dhe nga paqëndrueshmëria. Përkundrazi, dialekti gegë, masiv, i pandryshueshëm, pa shprehje me kuptime të dyfishta përfaqëson më së miri karakterin gegë, që është serioz, i sinqertë, shpesh herë i pa të keq dhe mbi të gjitha, armik i të rejave… Dialekti gegë përmban qindra shprehje që toskët i kanë humbur e që janë xhevahire të vërteta, sepse i kemi trashëguar nga paraardhësit tanë të lashtë. (Vepra 1, f. 194-195).
95. Pavarësisht nga luftërat, shkeljet dhe turbullimet e paprera në tërë kohën e shkuar, populli shqiptar, me forcën e vullnetit dhe fuqinë e tij të kundërshtimit, ka qenë i zoti të mbajë gjallë, jo vetëm gjuhën e tij të njohur nga filologjistët si më e vjetra në Europën Juglindore, po edhe ca nga traditat e tij të moçme. (Vepra 1, f. 273).
96. Një zjarr i bukur zien në zemër të djalërisë dhe, plot me dëshirë, trimoshët e dheut tonë po përpiqen për zbukurimin e shqipes. (Vepra 1, f. 224).
97. Të tëra vendet e dheut kanë një gjuhë letrarishte, domethënë të qëruar dhe të zbukuruar, që me atë shkruhen librat, letrat, punërat… Vetëm shqiptarët s’kanë një gjuhë të tillë; dhe andaj vjen që kemi mbetur të ndarë njëri nga tjetri, andaj kanë rrjedhur aq të këqija për ne të mjerët. Është nevojë dhe shtrëngim [detyrim] të hedhim themelin e një gjuhe letrarishte. (Albania 1, 1897).
98. Javën e shkuar pashë një ëndërr që s’harrohet. M’u shfaq një grua e hollë, e gjatë, plot me hije fisnikërie, ndonëse e veshur me rrecka. Unë, pa vënë re varfërinë e veshjes së saj, dhe duke marrë me mend sa e bukur do të dukej sikur të ishte e veshur me mëndafshe, u ngrita me respekt dhe iu fala. – “Zonjë, i thashë, cila jeni Fisnikëria Juaj dhe pse dukeni kaq e mallëngjyer dhe e ngrysur?” – “Unë – tha – jam gjuha shqipe, dhe më sheh kështu të hidhëruar nga mundimet që heq dhe nga rreziqet që më rrethojnë”. – “Zonjë, mos rrini më e ngrysur: sa të jemi ne të gjallë, dhe sa të jenë të gjallë të tjerë si ne… dëshirojmë, Nëno, të të shohim të buzëqeshur”. (Maj 1925, Vepra 3, f. 373-374).
99. Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën të mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë; falna durimin të thellojmë një punë me parë se të shkruajmë përmbi të: frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që jo vetëm të flasim me paanësi, por edhe të sillemi si të paanshëm; shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë! (Vepra 3, f. 421-422).
100. Kur shkruani një gjë, këndojeni dhe ndreqeni shumë herë, që të bjerë [tingëllojë] në vesh çdo tog germash si një copë muzikë. (Tani, natën e mirë, se m’u qepnë sytë). (Vepra 1, f. 226)./ Mblodhi e përgatiti për botim posaçërisht për “Tirana Observer” Fotaq Andrea
Shqipëria sërish rekomandohet si një destinacion i preferuar turistik për vitin 2019.
“Travel Awaits”, portal i specializuar për udhëtimet, e ka renditur të dytën Shqipërinë mes 11 destinacioneve më të mahnitshme në të gjithë botën për turizëm.
“Ne jemi përpjekur të zgjedhim 11 nga destinacionet më të mira për vitin 2019, që ofrojnë pasuri kulturore, traditën, klimën dhe vendet e virgjëra, dhe produkte vendase të freskëta e me cilësi. Nëse dëshironi të bëni një udhëtim që të mbetet në kujtesën tuaj për një kohë të gjatë, ndoshta ju duhet t’i jepni Shqipërisë një shans për ta vizituar në vitin 2019”, shkruan “Travel Awaits”
“Shqipëria meriton më shumë interes”, shprehen Ellen dhe Ted Kortan të blogut amerikan të udhëtimeve “Earth Vagabonds”.
“Ne qëndruam disa javë në Shqipëri dhe na ka bërë shumë përshtypje bukuria e vendit, njerëzit ishin shumë të sjellshëm dhe i pëlqenin me të vërtetë amerikanët. Shqiptarët ishin shumë optimistë për të ardhmen e tyre dhe përcillnin një forcë dhe energji të re. Madje edhe çmimet ishin shumë të arsyeshme”, shtojnë ata.
“Shqipëria është një vend me një nga plazhet më tërheqëse të bregdetit Adriatik dhe një numër të madh vendesh të përfshira në Konventën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Nëse ende jeni duke kërkuar një plazh, një pamje alpine, ose një grimcë arkitekturore osmane, Shqipëria do të ishte destinacioni i duhur!” – shkruan “Travel Awaits”, duke ftuar turistët që ta vizitojnë.
Motivimi mund të jetë i vështirë, sidomos përballë sfidave ose një pune të vështirë. Kur mendoni të zbatoni një ide të re, ose të filloni një sipërmarrje të re, apo të nisni një regjim të ri, ky është viti i duhur sepse, në fund të fundit, është e lehtë t’i mbushni mendjen vetes për ta shtyrë dhe më keq akoma, për të mos e realizuar asnjëherë objektivin.
Mendimet janë të fuqishme dhe mendimet negative mund t’ju pengojnë të arrini qëllimet tuaja. Nga ana tjetër, mendimet pozitive mund të jenë po aq të fuqishme. Kur të ndjeheni të pamotivuar, përdorni ndonjë nga këto 10 mendime pozitive, që ju sjell Dritare.net, për të rigjallëruar veten. Nuk ju gënjejmë, funksionojnë vërtetë!
1- Unë mund të bëj çdo gjë. Është një frazë e thjeshtë, por ju ndihmon për t’i kujtuar vetes, se me të vërtetë mund të bëni gjithçka, nëse e keni dëshirë.
2- Kjo është arsyeja pse unë mund t’ia dal. Në vend që t’i jepni vetes arsyet pse nuk mund të bëni diçka, jepni vetes arsyet pse mundeni.
3- Unë meritoj më shumë. Ju meritoni një jetë më të mirë, qoftë një punë më të mirë, një trup më të shëndetshëm ose më shumë para. Puno për të arritur atë që do.
4- Nuk është kurrë tepër vonë. Nuk ka rëndësi çfarë moshe keni, apo sa mundësi keni humbur më parë, nuk është kurrë tepër vonë për të marrë një vendim dhe për të nisur nga e para.
5- Do të ketë gjithmonë sfida. Nuk ka rëndësi se çfarë bëni në jetë, por dijeni se gjithmonë do të ketë sfida. Mos lejoni që ato të fitojnë mbi ju.
6- Nuk ka kohë “të përsosur”. Nëse jeni duke pritur për momentin e përkryer, harrojeni. Nuk ekziston një gjë e tillë.
7- Nuk ka një plan të përsosur. Mund të ketë disa të meta në planin tuaj, por mos harroni se në çdo plan ka të tilla.
8- Të gjithë e fillojnë nga hiçi. Askush nuk ka lindur i suksesshëm. Gjithkush fillon nga diçka dhe zakonisht, nga fundi.
9- Hap pas hapi. Mos u mundoni të bëni gjithçka menjëherë. Bëjini gjërat pak nga pak.
10- Gjërat veçse do të përmirësohen. Nëse është e vështirë në fillim, do të bëhet gjithmonë e më e lehtë.
Në shtetin e shëmtuar që vriste atdheun e bukur. Të metamorfozës së medaljeve të ringjallura si pranga, të zinxhirëve e drynave me çelësa të hedhura në lumë. Të damkosjes së trurit me vula inkandeshente. Të rrënqethjes së barit. Të llurbës që dërgoi nën trikëmbësh auditorin. Të plumbit pas veshit që përdrodhi besën. Të ligjit të pjellë prej urrejtjes që vuri nën thembër të brishtën e mbetur pa mbrojtje. Të thikës pas shpine që theri përqafimin.
Kostaqi i bukur
Këto rreshta janë diçka nga historia e një bojskauti të inteligjencës së re shqiptare, të flijuar në altarin e tiranisë. Shiheni me vëmendje këtë zotëri të vitit 1927: është Kostaq Stefa. Vetëm 22 vjeçar – tashmë qysh prej një viti pedagog në Shkollën Teknike të Harry Fultz-it, në Tiranë, pasi kish mbaruar në të njëjtën shkollë aq mirë sa të emërohej po aty. Një beratas modern, i bukur në mendje, i bukur në moral. Zotësia dhe pastërtia e shpirtit do ta shpinin po atë vit, në fatlumin 1927 të zgjidhej kryetar i organizatës së parë shqiptare të bojskautasve. Formimi fizik, moral e shpirtëror i rinisë së gjithandejme ishte qëllimi i këtij organizmi botëror. Këndvështrim i mbetur modern edhe sot për ata që kanë lindur të bëhen prijësa. Sepse beratasi i bukur Kostaq Stefa i kishte të gjitha premisat për të qenë një prijës. Si të gjithë ata që kanë ardhur në këtë botë që të bëjnë mirë, ai djalosh beratas iu kushtua edhe Kryqit të Kuq. Si pothuaj të gjithë djemtë modernë, ishte edhe sportiv i zellshëm, në tenisin prej tij të preferuar. Kostaqi kish qenë edhe me fat, sepse kish lindur në një familje që asnjëherë nuk i ishte shmangur detyrës ndaj atdheut. Tradita familjare i nguste patriotizmin pa kushte. Që do të ishte edhe një tjetër nga bukuritë e këtij djali të përzgjedhur qysh prej lindjes për t’u bërë i shquar. Që ajo bukuri të ishte e plotë mungonte diçka që rasti e solli krejt natyrshëm: Leni.
Eleni e bukur
Bijë e Jançeve, bukuri tipike e viteve ‘30. Po të kish lindur gjëkundi tjetër, mund të ishte bërë aktore e dëgjuar. Elegante, me vështrim depërtues, e veshur sipas modës së fundit, nuk kish sesi t’i shpëtonte një tjetër syri të mençur, atij të Kostaqit. S’pati nevojë për shkuesi. Ai e ftoi në shtëpi sapo e pa me motrën e tij, Elpiniqin. Nuk qe e domosdoshme t’i deklaronte shuarjen e yjeve nëse ajo nuk do të pranonte: mesazh i shpirtit u bënë ca biskota në formë zemre. Që bojskauti ynë sapo i kish sjellë prej Londre. Ishte bërë një djalosh i bukur, do ta pëshkruante më vonë Kostaqin ajo. Kish flokë të dredhura e të ndara në mes, hundën e drejtë, faqet në të cilat gjendej gjithmonë një tis i kuq; buzët të plota…Sjelljet prej zotërie të trashëguara. Ajo ishte ende nxënëse e Normales së Korçës në vitin më të bukur të bojskautit mangalemas, në të papërsëritshmin për ta: 1927. Syrit të saj të mençur e të mprehtë nuk do t’i shpëtonte ai ngazëllim i brendshëm i djaloshit ndërsa i ofronte herë pas here kutinë e biskotave londineze. Një zemër këtu, një zemër atje, përcjellja dhe propozimi i lumtur për një jetë të përbashkët që u bë edhe alfa e krijesave që sollën në jetë.
Familja e bukur – shtylla kurrizore e atdheut të ardhshëm
Alfredoja, Vangjushi, Elda, Vitorja dhe Parashqevia – camërdhokja që sapo kish mbushur një vjeç. Këta pesë fëmijë, të gjithë si yje, i krijoi çifti i bukur Taçi e Leni. Për ta ngritja e familjes qe një art i vërtetë. Atdheu kishte nevojë të rritej. Si mund të zhvillohej më tej nëmos nëpërmjet fëmijëve të bukur? Çfarë duhej t’u kish kërkuar më shumë shteti shqiptar shtetasve të tij? Eleni e Kostaqi i kishin plotësuar e tejkaluar të gjitha detyrimet ndaj Shqipërisë: ishin inteligjentë, kishin studjuar në shkollat më të mira shqiptare dhe të Evropës, kishin lozur pa hezitim rolin e tyre kur atdheu kish qenë në nevojë, e shihnin orientimin e vendit të tyre drejt Perëndimit si diçka të natyrshme, të lindur me ADN e shqiptarit.
Një skenar i një filmi të mohuar, i zhvilluar kokëposhtë
Ia kish kërkuar atdheu edhe atë sakrificë të lartë: shoqërimin drejt shpëtimit të tridhjetë amerikanëve të rënë andej nga Belshi. Mjekë, infermiere, ekuipazh i avionit. Ishim miq me amerikanët, ishim aleatë. Kishin qenë korrierët partizanë ata që i kishin përcjellë nëpër dhiare deri në Berat, për të mos rënë në dorën e gjermanit. Shtabi partizan i Beratit ia kërkoi Kostaqit atë detyrim. Boyskauti ynë e quajti nder. Dy prej infermiereve ushtarake amerikane u strehuan tek Stefët. Për t’u nisur sa më parë drejt shpëtimit. Rrugëtim i pashkelur ndonjëherë as prej Kostaqit. Në librin “Ikja nga Shqipëria” të Anjes Mangeriçit, përshkruhet me besnikëri të fakteve sesi nën drejtimin e atij profesori mangalemas, u përshkrua itenerari pothuaj i pamundshëm: Berat – Dobrushë – Vërzhezhë – Leshnije – Zhulat – Progonat – Dhoskat – Gjirokastër – Tërbaç – Dukat. Ndarja pranë bregdetit. Kthimi i vetëm i Kostaqit për në Berat meriton një vepër letrare më vete. Por ai nuk e kish mendjen tek lavdia, por tek Leni e fëmijët. Dhe as që i shkonte ndërmend që sapo kishte përcjellë armiqtë e ardhshëm. Ajo që duhet të ish bërë pika e tyre e forcës e familjes së Bukur Stefa, sipas logjikës së mbrapshtë të tiranisë u kthye në sferën e tyre të Sifizit.
Flamujt që nuk u shpalosën më
Ishin tre në mbledhjen e Beratit, atë të stërtrumbetuarën e tetorit të 1944-ës. Në rrjedhën e zhvillimeve të mëvonshme dy prej atyre flamurëve – Union Flag dhe Stars and Stripe – do t’i merrnin vorbujt, do të mbetej vetëm ai i mesit, me drapër e çekan. Askush brenda kufirit të shtetit nën yllin që kullonte gjak nuk duhej më të shihte miqësinë dhe krenarinë në valëvitjen e tyre. Ajo që së pari përflitej, fatkeqësisht ndodhi. Në mbëmjen e 8 shtatorit të 1947-ës, në portën e Stefajve dikush troket me këmbë. Në emër të popullit. Të popullit të kujt, kërkon të kuptojë gjuhën e terrorit Kostaq Stefa. Të popullit të tyre, sigurisht, jo të popullit tim. Janë tre. Ushtarakë. I shquari djalë mangalemas nuk kish dashur t’i besonte si të vërteta lajmet e marra në Tiranë sipas të cilave amerikanët, britanikët dhe gjithkush që kishin punuar me ta, sipas gjykimit sllav të cilit atdheu i shqipeve po i nënshtrohej, tashmë ishin të gjithë armiq. Ku ishte vendosur arrestimi i tij, në Moskë apo Beograd? Profesor Stefa detyrohet t’i kthejë shpinën shtëpisë. Leni e tij dhe të katër fëmijët më të rritur – Tina ishte vetë disa muajshe – do të mbajnë përgjithmonë në paradhomat e kujtesës atë kurriz atësor që e përpiu errësira.
Pjelladreqët e territ dhe akuzat e sajuara
As që i kishin kaluar ndërmend Eleni Jançe Stefës se të gjitha ato veçori të mrekullueshme të Taçit të saj do të konsideroheshin krime. Krim sepse fliste e shkruante shkëlqyer anglishten? Krim sepse shpëtoi mjekë e infermierë nga asgjësimi i sigurtë prej nazistëve? Krim sepse kish mbaruar Tekniken e Herri Fullcit? Krim sepse kish qenë 22 vjeçar pedagog? Krim sepse kish studjuar në Firence? Krim sepse kish qenë profesor edhe në Qytetësen e Beratit? Krim sepse kish ndërtuar një familje sipas traditës patriotike të prejardhësve? Krim sepse ishte i pastër si pika e vesës në Tomor? Sa herë do t’ia kish përsëritur vetes këto pyetje kur u sekuestruan pasurinë dhe nuk u lanë asnjë kuvertë, kur i përzunë edhe nga streha e tyre – kështjellë e shumëbrezave Stefa – , për ta përplasur me 5 fëmijë në furrën e pjekjes poshtë shtëpisë; kur pa në dorën e policit sahatin e Taçit prej 500 napolonësh flori as edhe të regjistruar në letrën e konfiskimit; kur do ta pushonin nga mësuesia; kur të pesë engjëjt e saj dhe ajo vetë do të mbeteshin në dorën e miqve e farefisit. E mendoj shpesh atë zonjë të çmuar Eleni Stefa, sa herë që më kujtohet nëna ime. Ne ishim gjashtë fëmijë kur na e dënuan babanë. Dhe na u bënë shpëtimtarë dajat krutanë, i miri kushëri Gani Duro në Berat, por edhe miqtë e shumtë. Nuk mund të harroj sidomos një Vit të Ri, kur shoqërova mamanë nga Lushnja, në muzg, nëpër shi, bubullima e llucë, deri në Plug, tek një mikeshë e saj të internuar atje – Nebaet Kollçinaku – për të kërkuar borxh, pasi nuk kish mbetur asnjë lek edhe për të blerë ca portokalle! Për të tjerat as që bëhej fjalë. Sido që ndodhi, babi ynë të paktën doli i gjallë prej minierës së kromit. Të pesë fëmijët e Kostaqit nuk do ta shihnin më të jatin. Nuk qenë lëmosha ato që njerëzit e mirë u ofruan Elenit e të bijve, por mbijetesa me kokën lart. Mbijetesë që nuk ndoti aspak veçoritë e vyera familjare të Stefëve deri në 18 janarin e vitit 1993. Ish gjendur gropa ku kishin hedhur Kostaqin dhe tre beratasit e tjere. Elenit i erdhi ora të ballafaqohej me të hamendurën. Sidoqoftë, mendoi se mund të konsiderohej “me fat”. Burbuqe Haxhiademi nuk arriti ta mbushte me substancë mermerin e Ethemit të saj. Aldo Renato Terrusi e kërkon akoma dëshpërimisht të jatin e groposur në burgun e Burrelit e sa të tjerë. E sa të tjerë… që bredhin nëpër eter pa asnjë banesë të fundit. Në shtetin e shëmtuar që vriste atdheun e bukur. Të metamorfozës së medaljeve të ringjallura si pranga, të zinxhirëve e drynave me çelësa të hedhura në lumë. Të damkosjes së trurit me vula inkandeshente. Të rrënqethjes së barit. Të llurbës që dërgoi nën trikëmbësh auditorin. Të plumbit pas veshit që përdrodhi besën. Të ligjit të pjellë prej urrejtjes që vuri nën thembër të brishtën e mbetur pa mbrojtje. Të thikës pas shpine që theri përqafimin. Rëndësia e gjetjes së eshtrave të Taçit të saj të hijshëm, sidoqoftë, e kish përfshirë të gjithën. Ajo e mendoi gjatë atë çast të pushkatimit, atje, buzë përroit në Uznovë, në vitin e murgët 1948. Me të qeshurën e plasaritur përjetë, me lotin e shkretuar. Ajo, Eleni kokonë, i dëgjoi përsëri e përsëri ato krisma. U ngjeth. Në buzë të gropës së përbashkët. Mbylli sytë. Në vesh përceptonte qartë psherëtimën e Kostaqit të bukur: “Ah, Leni im, më pushkatuan, o shpirt, më 3 mars, pas mesnatës. Qemë katër ne të mbyturit në gjakun tonë. I kisha njohur. Ishte Tajfur Haznedari, nëpunësi i bashkisë, ishte edhe avokati Hamit Myftiu, ishte edhe Babai i Teqesë Bedri Cakranji. Nuk po ta rrëfej sesi ramë pranë njeri-tjetrit. U përpoqëm të ishim bashkë, që të katër. Nuk u përqafuam dot. Njërin krah ma kishin thyer. Duart i kishim të lidhura me zinxhirë. Zinxhirët të mbyllyr me dryn. Të mbyllur edhe përtej vdekjes. Me çelësin të hedhur larg, drejt trojeve ku flitej sllavisht. Ky dryn që shihni tani në mes të eshtrave të parakrahëve të mi. Sa më kanë dhembur ato eshtra! Dhe bënte ftohtë, shumë ftohtë pasi na mbuluan me baltë. Ndieja të dridhura vazhdimisht… Deri sa u ngjita atje lart, përmbi Taben e Kalasë. Ju shihja si në pëllëmbën e dorës. Ju kam ndjekur çdo çast, por nuk zbrisja dot deri tek ju. Kishte shumë egërsira nëpër rrugë, qenër që pëllisnin, dosa që lehnin. Më piku malli për ty, Leni im e shtrenjtë. U dogja shkrumb për fëmijët tanë. Si ia bënin pa përkëdheljet e mia Fredoja, Elda, Toti dhe Tina? Vangjo a ia arriti të mësohej pa mua? Qemë shumë të lidhur”. “Ah, Taçi im, asnjëhere nuk u mësua Vangjo me humbjen tënde, as të tjerët. Qe ai, bashkë me Fredon që t’u gjendën të parët kur të zbuluan nga nënbalta”. Qiell që rrotullohet rreth syve të Elenit të bukur; tokë që trandet që prej përbarqeve. Meteorë që rrëshkasin e përthyhen sikur të ishin bij vetëtimash. Qiell i rrafshët që përkulet mbi baltë. “Po të shpjemë në një vend me dritë, Taçi. Nuk ke për të pasur më ftohtë”.
Me rastin e ekspozitës “Tungjatjeta, emri im është Tirana”, drejtori i Muzeut Kombëtar të Shqipërisë Dorian Koci dhe drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Bullgarisë Boni Petrunova firmosën një “Memorandum Mirëkuptimi”.
Memorandumi ka për qëllim vazhdimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve ndërmjet dy muzeve edhe në të ardhmen. Ambasadorja Donika Hoxha shprehu mirënjohjen e saj dhe falenderoi dy drejtorët e muzeve për gatishmërinë dhe vullnetin e tyre për të bashkëpunuar.
Në kuadër të “Javës së Kulturës shqiptare” në Bullgari organizuar nga Ambasada shqiptare në Sofje, Muzeu Historik Kombëtar hapi ekspozitën fotografike “Hello, my name is Tirana” në një nga sallat kryesore të Muzeumit Historik Kombetar të Bullgarise./KultPlus.com
Leskoviku, qyteti i njohur për sazet është kthyer në mikpritësin e grupeve të kësaj muzike dhe vlerave të saj.
Në ditët kur kjo traditë po mbijeton me vështirësi ka ende të rinj të cilët e kultivojnë. Takimi i instrumentistëve të rinj, trashëguesve të kësaj tradite të rëndësishme ka sjellë bukurinë e këngëve dhe valleve leskoviqare dhe jo vetëm.
“Leskovik o fryn një erë” është titulluar festivali që ka bërë bashkë grupe nga krahina e jugut duke sjellë performancat e tyre të veçanta.
Për mjeshtrin e klarinetës, Aleks Xhelili, Festivali synon të kthehet në një traditë që do ti japë një dimension të ri kësaj muzike dhe vazhdimësisë së saj.
Vjollca Robelli Mripa e cila njihet për hitin e saj më të hershëm “Ajo”, tashmë ka vendosë që atë këngë ta ketë edhe si shenjë identifikuese të karrierës artistike, shkruan KultPlus.
Ajo
nëpërmjet faqes zyrtare ka njoftuar se do të sjellë albumin e saj, kurse gjatë
këtij muaji do të lansojë këngën “Besa”.
Më
poshtë sjellim njoftimin e saj të plotë.
Të dashtun miq,
Jam shumë e lumtur ta ndaj me t’gjithë lajmin që po kthehem në
skenë si AJO, pas dy vitesh pune në albumin tim.
Duke jetu larg vendlindjes për së paku 15 vjet, kam arrit me e
çmu ma shumë prejardhjen time dhe kjo më ka ndihmu e inspiru që të krijoj
muzikë bazu në kulturën dhe traditën tonë.
Meqenëse jam ba nanë e 4
fëmijëve, dua që trashëgiminë time fillimisht me ua përcjellë atyre e pastaj
edhe botës, e ku ka mënyrë më të mirë se përmes muzikës …
Më vonë gjatë këtij muaji, 20
vjet pas luftës, do të sjell për juve, kangën time BESA.
Ma shumë lajme për kangën por
edhe muzikën time në përgjithësi, do të ketë së shpejti.
Alesia është një nxënëse në fshatin Prrenjas, dhe në shkollën që ndjekë, ajo ka vetëm një mungesë, shkruan KultPlus.
Në rrjetet sociale janë shpërndarë
fotografi të kësaj nxënëseje që nëna e saj e merr në krahë dhe e dërgon në
shkollë, por jo vetëm vullneti i nënës e mbështet këtë nxënëse, pasi që, njëjtë
vepron edhe mësuesja.
Për të shkruar Alesia në tabelë, mësuesja po ashtu e merr atë në krahë, në mënyrë që të shkruaj në tabelë. Se nëse do të ndryshojë kjo gjendje e Alesias që të krijohen kushte më të mira, mbetet të shihet, por në këtë rast është treguar vullneti i Alesias, nënës dhe mësueses së saj./KultPlus.com
Ky është Hamdi Meça. Gjyshërit e tij, Suleiman dhe Zenepe Meça, strehuan dhe shpëtuan 12 hebrenj gjatë Holokaustit, shkruan Izraeli sot.
Ata janë nderuar nga Shteti i Izraelit dhe Yad Vashem, Qendra Botërore e Holokaustit me titullin “Të Drejtë midis Kombeve”. Janë 76 shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova. Këto foto janë bërë në kopshtin e ullinjve në Yad Vashem. Mund të dalloni emrat e shqiptarëve dhe Familjes së Respektuar Meça./KultPlus.com
Rrugës për atje pash’ lulkuqe tue iu përulë prajshëm diellit e korba tue krrokatë për dashni t’ngurosuna n’shajni shtojzovallesh… pash’ gërshetë rrëkesh teksa theqafen n’liqenin e ngjizun ndër mitra vatrash me oxhakë të shuem pash’ konakë t’ri ku ferishtet pagëzohen me emna t’dheut amë e ninullat kendohen me lahuta katragjyshash. Atje muzgjet sperkasin dritaret me ylbere ardhmenish e n’ag mjegullat shtrohen ngeshëm si me dashte me qetue gjamat e te zhdukunve. Rruga per atje ka gjithqysh dy stacione ku pushojne kambet e ylberit qe shfaqet mirfilli pas çdo shterngate…/KultPlus.com
“Ajo që ka rëndësi në jetë nuk është thjesht fakti që kemi jetuar. Eshtë ndryshimi që kemi bërë në jetët e të tjerëve, që do të përcaktojë rëndësinë e jetës që ne kemi bërë”.
Për motivimin:
“Gjithësekush mund të ngrihet mbi rrethanat dhe të arrijë suksesin, nëse është i dedikuar dhe plot pasion për atë që do të bëjë”.
Për vlerën e dialogut:
“Nëse i flet një njeriu në një gjuhë që e kupton, ajo që i thua i ngulitet në kokë. Nëse i flet me gjuhën e tij, i ngulitet në zemër”.
Vlera e arsimit mbi të gjitha:
“Arsimi është arma më e fuqishme që mund të përdorësh, për të ndryshuar botën”.
Rëndësia e vendosmërisë:
“Kur njerëzit janë të vendosur, ata mund të kapërcejnë çdo pengesë”.
Mbi aftësinë rimëkëmbëse si çelës për suksesin:
“Mos më gjykoni nga sukseset e mia, më gjykoni nga ajo se sa herë jam rrëzuar dhe jam ringritur sërish”.
Mbi lirinë e mendimit:
“Më pëlqejnë miqtë që kanë mendje të pavarura, sepse të ndihmojnë të shohësh problemet nga të gjitha pikëvështrimet”.
Mbi optimizmin:
“Unë jam në thelb një optimist. Nuk mund ta them nëse është e lindur, apo e ushqyer. Pjesë e të qënit optimist, është që të mbash kokën drejtuar nga Dielli, dhe me këmbët që ecin përpara”.
Mbi përballimin e frikërave:
“Kam mësuar se kuraja nuk është mungesa e frikës, por triumfi mbi të. I guximshëm nuk është ai që nuk ndien frikë, por ai që e pushton atë frikë”.
Mbi qeniet njerëzore
“Mirësia e njeriut është një flakë që mund të fshihet, por nuk zhduket”./KultPlus.com
Piktori mbeti i magjepsur nga ecja e tyre krenare, shkëlqimi i armëve dhe veshjet e mahnitshme, sidomos nga fustanellat e bardha që mbanin shqiptarët.
Jean-Léon Gérôme (1824-1904), piktori dhe skulptori që lindi në Vesulë (Vesoul) dhe studioi në Paris, do të lintë një sërë pikturash me motive nga veshja shqiptare. Gjatë udhëtimit të vitit 1856 në Egjipt, në shqoqërinë e mikut të tij, skulptorit Auguste Bartholdi (1834-1904, i cili më vonë u bë me famë si projektuesi i satujës së Lirisë, në Nju Jork), u mahnit nga ngjyrat dhe aromat e Lindjes. Udhëtimi pati një ndikim të rëndësishëm në veprat e tij të mëvonshme, duke e bërë shumë të suksesshëm atë, si piktor i motiveve dhe temave orientale.
“Sa herë diskutonim për librin e kujtimeve, Dritëroi më thoshte: Është shpejt. Kam kaq shumë plane, sa më duket se nuk do ta shkruaj kurrë këtë libër. Unë jetën dhe kujtimet e mija i kam të shkruara në librat e mij, në prozë e në poezi. Personazhet e Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve apo të gjithë ata që kam njohur në fusha të ndryshme të jetës politike, kulturore a ekonomike i kam shkrirë në veprat e mia me pak ndryshime. A e kam ndërgjegjen e qetë për veprimtarinë time të periudhës më të hershme dhe të mëvonshme?
Nuk kam krijuar kurrë alibira dhe gënjeshtra për jetën dhe veprimtarinë, kam shkruar dhe vazhdoj të shkruaj siç i kam përjetuar dhe siç i përjetoj. Kam shkelur me këmbë shumë e shumë fshatra të Shqipërisë nga Veriu në Jug dhe kudo kam zënë miq , por asnjëherë nuk kam shkruar se dikush nga këta më ndiqte i vënë nga Sigurimi i Shtetit. Unë kurrë nuk e kam redaktuar jetën time. Po nejse… Këto do të shkruhen në libër. Tani vendosa: do të shkruaj të vërtetën lakuriqe siç ka qenë. Deri tani më vinte turp për hir të një miqësie të dikurshme, por, kur lexon absurditete dhe trillime, të ngrihen qimet përpjetë nga pacipëshmëria njerëzore.
Prandaj nuk kam pasur dëshirë të ulem e të shkruaj këto
kujtime, se më dhemb shpirti kur shoh sesi ndryshojnë krejtësisht në karakter
njerëzit. Unë këto njerëz mezi i shoh nē filma, pale pastaj të ulesh në
tavolinë me ata e t’u japësh dorën. Kur të plakem edhe pak, do të jem më
gjakftohtë ndaj këtyre ndodhive dhe do t’i shkruaj kujtimet pa rënë në pasione.
Dhe ata, personazhet e këtyre kujtimeve do të jenë plakur, do të bëhen më
fisnik, shpresoj, dhe do të buzëqeshin për absurditetet që po shkruajnë sot me
qëllime të caktuara apo jo. Është punë e tyre. E lëmë këtë bisedë, se më sjell
trishtim.”
Dhe Dritëroi ulej e shkruante në heshtje poezi. “/KultPlus.com