Arba Kokalari nis mandatin në PE

Eurodeputetja e parë shqiptare në Parlamentin Evropian, Arba Kokalari ka filluar sot zyrtarisht punën e saj si anëtare e këtij parlamenti.

Përmes një shkrimi në profilin e saj në Facebook, mbesa e Musine Kokalarit ka thënë se sot është bërë zyrtarisht pjesë e parlamentit, dhe se para vetes ka punë të vështirë për të bërë. Ajo ka premtuar se do të jetë zëri i Suedisë në Parlamentin Evropian.

Arba Kokalari, 32 vjeç nën programin e partisë “Moderata”, arriti të hynte në PE, duke u bërë e para shqiptare që ulet në këtë parlament.

Ajo ka lindur në Tiranë më 27 nëntor 1986, dhe më pas bashkë me prindërit, motrën dhe vëllain emigruan drejt Suedisë. Kokalari, nën programin e partisë “Moderata”, arriti të hynte në PE, duke u bërë e para shqiptare që ulet në këtë parlament.

Alba është mbesa e Musine Kokalarit, vajzës së bukur me beretë të bardhë, jeta e të cilës u shkatërrua nga sistemi komunistë.

Musine Kokalari, është ndër disidentet e para gra ndaj sistemit komunist që në vitin 46. Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Më pas në ’43-shin ajo botoi gazetën “Zëri i Lirisë”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet burg.

Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen për 22 vite të tjera, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, u sëmur me kancer, dhe dy vjet më vonë u largua përgjithmonë nga jeta. Asaj nuk ju dha as mundësia për tu kuruar në spitalin onkologjik. /KultPlus.com

Qytetet kosovare pa kinema

Përveç Prishtinës, në të cilën funksionojnë dy kinema, “ABC”-ja dhe ajo e rrjetit austriak “Cineplexx”, në shumë pak qytete të Kosovës ekranet e mëdha ndizen për filma. Falë angazhimit të palodhshëm të shoqërisë civile edhe Prizreni, edhe Peja i kanë riaktivizuar kinematë e tyre në vitet e fundit. Por qytetet e tjera të Kosovës, siç janë: Mitrovica, Ferizaj, Gjilani, Podujeva e Gjakova dhe komunat e tjera vazhdojnë të mos kenë kinema. Shumë prej këtyre qyteteve dikur i kishin shtëpitë e filmit, që tashmë kanë mbetur jashtë funksioni, shkruan gazeta “Zëri”.

Ferizaj kishte kinema para 83 vjetësh, por nuk ka sot

Njerëzit e fushës së kinematografisë thonë se procesi i privatizimit i ka dëmtuar shumë kinematë e qyteteve të Kosovës. Në qytetin e Ferizajt filmi i parë u shfaq në vitin 1936 falë një pajisjeje që u soll dhe u vendos në një nga bujtinat e qytetit, që më vonë u bë kinemaja e Ferizajt. Ndonëse kishte kinema para 83 vjetpsh, qyteti i Ferizajt nuk e ka një të tillë sot.

Bejtush Maliqi, drejtor i kinemasë së Ferizajt përgjatë viteve 2000 – 2006, për gazetën “Zëri” ka kujtuar kohën kur ka pasur kinema. Ai ka folur edhe për procesin e shitjes ose të privatizimit që për të konsiderohet si veprim i tmerrshëm i cili nuk shihet me sy. I pyetur se si ndihet sot kur Ferizaj që kishte kinema para 80 vjetëve e nuk ka sot, Maliqi thotë se kinemaja ka qenë e gjithë qytetarëve dhe se i vjen trishtim të kalojë andejpari kah objekti që dikur ka qenë kinema. Kurse kinemaja e dikurshme ka pasur 422 ulëse.

“Ka qenë institucion kulturor, i cili është shndërruar në ndërtesë. Kam insistuar shumë të mos shitet dhe për këtë arsye kanë dashur të më burgosin. Unë kam dashur ta pengoj procesin që të mos privatizohet ose të shitet, por politikanët e Komunës nuk më kanë dëgjuar dhe më së shumti për këtë vepër të tmerrshme ka pasur faj pushteti lokal i asaj kohe”, thekson Maliqi, i cili tutje thotë se i kanë dhënë vërejtje që nëse nuk vepron në bazë të proceseve të privatizimit, të shitjes së objektit do ta burgosin dhe do të sjellin tjetër drejtor.

“Kinemaja ka funksionuar deri në vitin 2004. Kemi pasur disa mjete për ta mbrojtur kinemanë dhe ajo mënyrë ka qenë përmes pajisjeve, të cilat do të kishin mundur të shfaqnin filma”, ka thënë ai.

Kinemaja e Ferizajt është shitur për 432 mijë euro

Bejtush Maliqi tregon se përgjatë kohës sa ka qenë përgjegjës në këtë institucion i kanë prurë punën që t’i ngrejë duart, sepse nuk ka mundur më ta mbrojë kinemanë. Për të procesi i privatizimit ka qenë një tronditje dhe privatizimi kinemanë e ka blerë për 432 mijë euro.

“Kinemaja është shitur 432 mijë euro, kurse 150 mijë euro ka pasur aparaturë filmike dhe atë aparaturë që është shitur nuk e ka pasur as Prishtina e asnjë kinema në Kosovë dhe unë sot nuk e di ku kanë shkuar ato pajisje”, njofton ai.

Maliqi njofton se ka pasur iniciativë që të rihapet kinemaja në kohën e kryetarit Muharrem Sfarqa dhe e para punë që është paraparë ka qenë të rregullohet objekti, por edhe sot pas dy vjetësh një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ish-drejtori thotë se Komuna tani është arsyetuar për mungesë të mjeteve dhe sipas kësaj përgjigjeje qyteti rezulton pa kinema. “Është e vështirë, një qytet pa kinema si një qytet pa lumë”.

Kamenica e Mitrovica pa kinema, u mungon aparatura

Arianit Ibrahimi, udhëheqës i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Kamenicës, ka njoftuar se qyteti e ka kinemanë si objekt, por e ka me aparaturë të vjetër dhe është jofunksionale. Ibrahimi njofton se Kamenica ka pasur edhe më herët kinema. Ka qenë kinemaja e vjetër, e cila ka datuar që nga vitet 1960 që sipas tij ka qenë shumë e frekuentuar. Prej vitit 1994 ka dalë me lokacion te Shtëpia e Kulturës ku është edhe tash dhe ka funksionuar deri dikur në vitin 2009 dhe janë lëshuar filma me shirit filmik, por pastaj janë ndërprerë dhe kjo me arsyetimin se ka rënë edhe interesimi i shikuesve për shkak se nuk janë të interesuar të shikojnë filma të vjetër.

“Aparaturën me shirit filmik të gjatë si tash nuk mundemi ta shtiem në funksion, mundemi kinemanë ta shtiem në funksion, por mungon aparatura e kohës së re dhe nuk mund të jetë funksionale me filma të kohërave të vjetra. Kinemaja nuk është funksionale. Kjo po i mungon shumë qytetit”, vlerëson Ibrahimi.

Ibrahimi ka njoftuar se së bashku me MRKS-në kanë ndërmarrë disa hapa për rifunksionalizimin e kinemasë.

“E kemi bërë një kërkesë në kuadër të kësaj dhe duke rezultuar në atë se kinemaja është në kuadër të Shtëpisë së Kulturës po mendojmë ta funksionalizojmë këtë vit. Fondi për ta realizuar këtë sillet prej 375 mijë eurove, që është ndarë për Shtëpinë e Kulturës. Pjesa tjetër e kësaj është dhe kinemaja e qytetit. Këtë vit po shpresojmë se do të mundemi ta riaktivizojmë me aparaturë të re. Krejt te aparatura qëndron problemi, pjesa tjetër është salla e ulëseve, e cila ka kapacitet prej 520 ulëseve dhe i plotëson edhe kushtet arkitektonike në të gjitha aspektet”, ka thënë ai për “Zërin”.

Arbër Hajra, nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Mitrovicës, ka deklaruar për “Zërin” se kjo Komunë nuk ka kinema funksionale. Ai thotë se nuk është arritur të fuksionalizohet nga shkaku se nuk është arritur të pajisen me pajisje të reja. “Nuk kemi arritur të kemi pajisje të reja. Kinemaja nuk është funksionale dhe për shkak të problemeve financiare kinemaja ka arritur të mos të jetë e hapur sot për shikuesit”, thekson ai.

Gjakova ka hapur thirrjen publike për riaktivizimin e kinemasë

Fisnik Caka në emër të Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Gjakovës ka njoftuar se qytetit të tij po i mungon kinemaja, e cila ka qenë shumë aktive për shikuesit. “Hapësira e kinemasë ekziston brenda Pallatit të Kulturës, ajo hapësirë është e dhënë me konsensus privat, partneritet publiko-privat. Ka dalë thirrja publike në ankand për t’i përzgjedhur kushtet për hapjen e kinemasë dhe të hapësirave tjera për promovim. Jemi duke u përgatitur që dalëngadalë të bëjmë hapjen e kinemasë”, tha ai.

Caka njofton se kinemaja në Gjakovë nuk është funksionale qe shumë vjet, por prej vitit 2014 është rregulluar norma për ankand publik. “Gjakovës po i mungon kinemaja, duke marrë parasysh edhe punën dhe suksesin e Teatrit ajo do të kishte qenë shumë e ndërlidhur për të kontribuuar në këtë veprimtari. Është një plus i madh kur marrim parasysh faktin se më herët ka funksionuar kinemaja dhe është shumë normale që qytetarët ta ndiejnë mungesën e saj”, konsideron Caka, që tutje shton se kinemaja në Gjakovë ka qenë pjesë e filmit të vjetër brenda Pallatit të Kulturës. “Unë si gjeneratë e re nuk e kam arritur kohën kur ka qenë funksionale kinemaja, por me fjalë të prindërve, të kolegëve e të qytetarëve ata presin që së shpejti të rikthehen në kohën e kulturës”, përfundon Caka.

Edhe Vushtrria mirëpret rihapjen e kinemasë

Fatmire Cecelia, drejtoreshë për Kulturë në Komunën e Vushtrrisë, ka konfirmuar për “Zërin” se kjo komunë nuk ka kinema. Në vitet e ’90-ta ka ekzistuar kinemaja, por që nga viti 1997 e këndej nuk ka kinema kjo komunë. “Qytetit po i mungon një hapësirë e tillë kulturore, por në luftë i kanë marrë të gjitha pajisjet dhe që atëherë nuk është arritur të funksionalizohet më. Si Komunë nëse do të na ofrohet mundësia nga Ministria e Kulturës që ta përpunojmë idenë e rihapjes së kinemasë do ta mirëpresim dhe do të punojmë shumë në zhvillimin e kësaj ideje qëllimmirë. Kolegët e mi vazhdimisht tregojnë se kinemaja në atë kohë ka qenë aktive duke shfaqur filma gjatë gjithë kohës dhe punëtorët që kanë punuar në kinema akoma janë punëtorë të Drejtorisë së Kulturës”, shprehet Cecelia.

“Lumbardhi” e “Anibar”-i mbajnë gjallë filmin në Prizren e në Pejë

I themeluar në mes të shekullit XX kinemaja “Lumbardhi” në Prizren është ndër kinematë e vetme në Ballkan me sallë të mbyllur e të hapur. Për 70 vjet ka qenë qendër e shfaqjeve të filmave, të festivaleve dhe të aktiviteteve kulturore në qytetin e Prizrenit. Pas çaktivizimit të ndërmarrjes shoqërore “Bistrica”, kinemaja u la në degradim, ndërsa qyteti i Prizrenit mbeti pa kinema. Si reagim, në vitin 2002 një grup qytetarësh themeluan “DokuFest”-in për ta rikthyer kinemanë në këtë qytet për filmdashës dhe për të kërkuar aktivizimin e kinemasë “Lumbardhi”. Aktivizimi qytetar ka korrur sukses më 2015-n, kur kërkesa e parashtruar nga kjo iniciativë u pranua dhe kinemaja “Lumbardhi” ka fituar statusin e Monumentit të Mbrojtur të Trashëgimisë Kulturore. Për të vazhduar iniciativën përfaqësuesit e saj kanë themeluar fondacionin “Lumbardhi” dhe në marrëveshje me AKP-në i kanë rihapur dyert e kinemasë, duke e kompletuar fazën emergjente të restaurimit dhe të funksionalizimit të saj dhe duke e vënë në shfrytëzim të mbi 60 organizatave dhe shoqërive gjatë këtyre tre viteve.

Në anën tjetër, e ndërtuar në vitin 1955 kinemaja e qytetit të Pejës, që sot mban emrin e heroit Jusuf Gërvalla, është quajtur me emra të ndryshëm ndër vite. “Jusuf Gërvalla” ka shërbyer si shtëpi e kulturës, në të cilën janë shfaqur filma, janë dhënë shfaqje e janë mbajtur koncerte. Në kohën e luftës, në vitin 1998 kjo kinema u mbyll për t’u hapur sërish në vitin 2001 falë donacioneve të huaja. Festivali ndërkombëtar i animacionit “Anibar”, i themeluar në vitin 2009, e bëri kinemanë shtëpi të tij në vitin 2015, pasi veproi si festivali kyç i qytetit të Pejës për gjysmë dekade. Komuna e nderoi angazhimin e “Anibar”-it me dhënien në shfrytëzim të kinemasë për 15 vjetët e ardhshme, në dhjetor të 2016-s. Në vitin 2017 Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) e vendosi ndërtesën në procesin e likuidimit, i cili në shumicën e rasteve përfundon në privatizim dhe në shkatërrim. Qyteti i Pejës u mobilizua në një fushatë të mbrojtjes dhe mblodhi 6.000 nënshkrime e siguroi mbështetjen e 70 organizatave joqeveritare në gjithë Kosovën për ruajtjen e saj. “Anibar”-i dhe komuniteti lokal organizuan aktivitete për të informuar mediet, për të bashkuar qytetarët e Pejës dhe bëri koordinimin e organizatave të shoqërisë civile, të cilat pezulluan procesin e privatizimit përmes një vendimi të gjykatës. Falë këtyre angazhimeve të dyja këto kinema, ajo në Prizren e ajo në Pejë, hapin rregullisht dyert për dashamirët e filmit. ZERI/KultPlus.com

Unikkatil konfirmon koncertin e tij në Mitrovicë, përmes një video

Reperi Viktor Paloka, i njohur si Unikkatil ka konfirmuar se do të kthehet në Kosovë për një koncert.

Ai do të performojë në stadiumin “Adem Jashari” më 27 korrik, shkruan KultPlus.

“27 korrik, Mitrovicë. Stadiumi Adem Jashari”, ka shkruar Unikkatili në profilin e vet në “Facebook”, derisa i’a ka bashkangjitur edhe një video. /KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/BzbTzPqnqW4/

Poezia që përshkruan vdekjen dhe dhimbjen e shqiptarëve nëpër botë

Sot në një liqe të Italisë u gjend trupi i pajetë i një futbolliste të re shqiptare Florjana Ismailit, e cila jetonte dhe vepronte në Zvicër duke luajtur për kombëtarën e Zvicrës.

Ishte shkuar për tu argëtuar por kjo ditë u kthye në kobë për të, familjen dhe gjithë shqiptarët.

Ky është rasti më i freskët mirëpo qindra shqiptarë janë duke vdekur nëpër botë në mënyra të ndryshme, dhe përvec që është e kobshme vdekja e tyre, dhembja bëhet më e rënd kur ndërrojnë jetë në një vend të huaj, shkruan KultPlus.

Ketë dhimbje e kishte përshkruar edhe ish-Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova i cili përvec politikës pas vetes la gjurmë edhe me penë.

Kjo është poezia e cila të kujton dhe rikujton plagën e pashëruar të shqiptarëve, të cilët vazhdojnë të zhduken dhe të jepin shpirt larg atdheut:

Kur dëgjoj që vdes në botë, 
një njeri i vendit tim, 
jam në zemer i pikëlluar, 
se vdes një copë e shpirtit tim.

Florijana Ismaili ndërroi jetë në moshën 24-vjeçare tragjikisht duke u mbytur në liqenin Como në Itali./KultPlus.com

Presidenti i FIFA-s thotë se vdekja e Florijanës është moment shumë i trishtueshëm për futbollin botëror

Presidenti i Federatës së Futbollit Botëror (FIFA), Gianni Infantino, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e futbollistes shqiptare të Zvicrës, Florijana Ismailit, duke theksuar se vdekja tragjike e 24-vjeçares është moment shumë i trishtueshëm për futbollin botëror.

Trupi i pajetë i futbollistes shqiptare të Zvicrës dhe Young Boys, Florijana Ismailit, u gjet dhe u tërhoq sot nga Liqeni Como në Itali, dy ditë pasi ajo u raportua e zhdukur nga mikja e saj, shkruan gazetaexpress, përcjell Albinfo.ch.

Ajo u gjet në një thellësi prej 204 metrave, jo larg vendit ku ishte zhdukur në Liqenin Como në Itali. 24-vjeçarja me origjinë shqiptare ishte futur në ujë në liqenin Como të shtunën pasdite duke mos u rishfaqur më.

Numri një i organit qeverisës së futbollit botëror ka shprehur ngushëllime për vdekjen e saj.

“Ky është një moment shumë i trishtueshëm për të gjithë komunitetin e futbollit, veçanërisht në një kohë kur ne jemi mbledhur në Kupën e Botës për Gra”, ka thënë Infantino.

Autoritetet pritet t’ia bëjnë një autopsi trupit të Florijanës para se ta dorëzojnë atë te familja Ismaili. Prindërit dhe vëllezërit e saj ndodhen ne Musso, qytetin ku ndodhi tragjedia, tash e disa ditë.

Ismaili, e lindur në Bern nga prindër shqiptarë, ka qenë pjesë e Young Boys që prej vitit 2011. Më 2014, ajo debutoi edhe në ekipin kombëtar të Zvicër dhe që prej atëherë i zhvilloi 33 ndeshje.

Isa Qosja së shpejti fillon xhirimet e filmit më të ri, trajton plagën e vendlindjes

Filmi i metrazhit të gjatë “The Stroke” i regjisorit Isa Qosja do të fillojë xhirimet në gusht të këtij viti në vendlindjen e tij në Vuthaj, Plavë e Guci, shkruan KultPlus.

Ky film është bashkëpunim midis Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi ndërsa së fundi ka marrë mbështetje prej 80 mijë eurosh nga Euroimages. Lajmin e ka bërë të ditur producenti Bajrush Kajtazi, i cili ka thënë se e kanë hapur rrugën drejt realizimit.

“Filmi “The Stroke” me skenar dhe regji nga Isa Qosja, mbështetet edhe nga Eurimages me 80.000 euro. Ky film është bashkëprodhimi i parë zyrtar mes Kosoves, Malit të Zi dhe Shqipërisë. Ky bashkëprodhim ishte një ndër 23 projektet që fituan në mesin e 65 aplikuesve”, ka shkruar producenti Kajtazi.

Ajo çfarë e bën më të veçantë filmin përkatës është se për herë të parë trajtohet vendlindja e regjisorit Qosja dhe trajtohet një plagë e madhe e atij vendi, emigrimi gjigant i shqiptarëve.

 “Dua të shpreh qëndrimin tim për filmin “The Stroke”, jo vetëm për faktin që ndryshon nga filmat e mi të mëhershëm “Kukumi”, “Tri dritare dhe një varje” etj, por edhe për faktin që pas shumë vitesh kthehem në vendlindje Guci, Mal të Zi për ta realizuar këtë projekt. Inspirimi im nuk është vetëm vendi ku kam lindur por janë njerëzit, ndodhitë dhe shkretëtira që kanë ata brenda shpirtit. Janë familjet e ndara në dysh: të vjetrit që jetojnë aty dhe të rinjtë që kanë emigruar në Amerikë. Kështu ngadalë dhe heshturazi shuhen familjet, qytetëzat, fshatrat. Jam i bindur që kjo temë do komunikojë emocionalisht me shumë njerëz që e njohin dhe e dinë shijen e hidhur të emigracionit”, pati thënë në një deklaratë më heret Isa Qosja.

Ekipi i këtij filmi është një ekip e përzgjedhur me një specifikatet të jashtzakonshëm nga ana e regjisorit, i cili nuk ka hapur audicion por i ka menduar mirë aktorët të cilët mund të gërshetojnë rolin e personazheve të portretizuar në skenar.

Në rol kryesor është Arta Dobroshi, aktorja kosovare e cila bëri bujë të madhe në Hollywood, Mirush Kabashi, Arben Bajraktaraj, Shkumbin Istrefi dhe aktor të tjerë të cilët përmbajnë pas vetes një bagazh të madh në kinematografi.

Ndërsa sa i përket ekipit realizuese Qosja përseri do të bashkëpunoj me kameramanin turk Gokhan Tiryaki i cili është emër i njohur për artin botëror, puna e të cilit është shpërblyer edhe me çmime të shumta.

Isa Qosja është figurë e rëndësishme në kinematografinë shqiptare e sidomos në atë të Kosovës, i cili ka dhënë kontribut të jashtëzakonshem duke e prezantuar Kosovën në festivale prestigjoze dhe duke u shpërblyer me çmime të ndryshme. Disa nga filmat e Qosjes të cilët bën jehonë në gjithë botën janë “Tri Dritare dhe një Varje” (2014),  “Proka” (1985), “Rojet e Mjegullës” (1988) dhe “Kukumi” (2005).

“The Stroke” është prodhim i 4mm Production dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kinematografike e Shqipërisë dhe Qendra Kinematografike e Malit të Zi, si dhe nga Euroimages.

Euroimages është fondi për kulturë i Këshillit Evropian./KultPlus.com

Zbulohet logoja e vazhdimit të ‘Game of Thrones’

Janë ende të pakta informacionet mbi serialin e ri spin-off të “Game of Thrones”, ku do të tregohen ngjarjet e lidhura me periudhën e Natës së Gjatë.

Titulli me të cilin njihet tani mund të jetë konfirmuar nga rrjedhje informacioni në një faqen interneti.

“Watchers on the Wall” publikoi një foto të asaj që duket si logoja e serialit, një e shkruar e thjeshtë “Blood Moon”, me dy fjalët e ndara nga ajo që duket si një shigjetë.  Prej HBO-së ende nuk ka pasur një konfirmim. Naomi Watts qetësoi fansat e zhgënjyer nga finalja e “Game of Thrones”, duke thënë se asgjë e tillë s’do të ndodhë me serialin prequel.

‘Mërgimtarë, mos u bëni të përgazt e me i shitë mend fukarasë’

Mirishane Limani Hiler

Të dashur mërgimtarë, ju që shkoni për pushime verore në Kosovë, bëfshit rrugëtim të mbarë. 
Mos harroni se populli i Kosovës nuk është ashtu siç e keni lënë kur keni mërguar dhe nuk është i njejtë siç është ai popull ku jeni të mërguar. 
Populli i Kosovës ka zorin e vet këta dy muaj: mundohen të punojnë për të siguruar edhe 10 muaj të tjerë ekzistence. 
Çmimet thuhet se janë ngritur, mos u shqetësoni, kjo ndodhë në çdo vend turistik. Kosova ndjehet turistike dy muaj.
Edhe ju e dini mirë si dhe sa keni ekonomizuar për të shkuar për pushime në Kosovë e të çmalleni njëkohësisht me familjarët.
E mos harroni se sa obligime ju presin kur të ktheheni.

Mendoni për mushkritë e juaja

Mos u bëni të përgazt me e kallë kerrin për 300 metra udhë… që krijon tollovi komunikacioni e polucioni ju djeg mushkritë!
Mos u bëni të përgazt e me i shitë mend fukarasë. 
Mos u bëni të përgazt e me ba krahasime mes zotësisë në punën tuaj e përtacisë në mospunën e tyre. Ata nuk i kanë shefat sikur ne! 
Shprehia e punës fitohet, nuk dhurohet!

Mos u bëni të përgazt e me ble pula të kalbura në minimarkete, po shkoni në treg e bleni ato dy tri pula që i shet ai fshatari i zbritur nga bjeshka. Bleni nga ata që digjen në diell me një “ boshqe” pemë e perime të kopshtit të tyre.

Mos u habitni shumë kur shihni pleq e plaka qosheve të rrugëve apo para kafeneve duke kërkuar lëmoshë. Janë shumë ndoshta, por mos i injoroni.

Mos u bëni të përgazt e me ble “rrush e kumbulla” hiq pa pasë nevojë e me ju lakmu fukaraja.

Fukaraja i Kosovës nuk është sikur këta që i ndeshim shpesh rrugëve të Evropës. Ai është i pastër, i lanë rrobat në mbrëmje për të nesërmen. Ai e ka ndoshta një kulm mbi kokë, por sofrën e ka bosh. 
Fukaraja i Kosovës nuk dallohet në pamje, rrinë 3 orë në kafene me një makiato, qeshet me shokët përrreth, por shpirtin e ka të thyer dhe përsëri nuk të shtrinë dorën. Pjesën tjetër që rrijnë mbrenda ti nuk e sheh. 
Mos u bëni të përgazt e me i lëndu me estravagandën që mund të ju shfaqet.

Në Kosovë nuk ka shirita shumë që limitojnë lëvizjen e juaj. Por ju, mos u bëni të përgazt, pritni në radhë, bash sikur të ketë shirit apo vijë që ju përcakton vendin.

Mos kritikoni shumë nëse nuk janë kompetent shërbyesit nëpër restorante. Ata janë shumica me profesion arkitekt e gazetarë. 
Mos u bëni të përgazt pse taksisti me profesion kimist nuk e din adresën që ju kërkoni: emrat e rrugëve ndërrojnë gati çdo vit atje.
Mos u bëni të përgazt pse fatkeqësinë e dikurit sot e ndjejmë fat! 
Mos u bëni të përgazt e me i fajsu hallegjinjtë për korrupcionin dhe krimin në Kosovë.

Nëse ju dhemb në shpirt e nuk pajtoheni me njëmilion çrregullitë e shtetit, shkoni e bëhuni një milion bashk me atë popull e protestoni ku është vendi.

Mos u bëni të përgazt!

Del në ankand bluza e preferuar e Dianës me të cilën hutonte paparacët


Ishte bluza që adhuronte ta mbante kur shkonte në palestër: në 1 korrik, princesha Diana do të kishte mbushur 58 vjec, ndaj dhe admiruesit e saj po përpiqen të risjellin ne vëmendjen e publikut, në një mënyrë apo një tjetër, sesi jetoi princesha e ndjerë e Wellsit.

Një ankand special u organizua nga RR Auction, dje objekti më interesant aty ishte pikërisht bluza e preferuar e Dianës me logon e kompanisë Virgin Atlantic, dhuratë për princeshën nga manjati Richard Branson.

Bluza ka arritur deri tani në ankand shumën 5.500 de dollarë.

Cili institucion po i përmbush kërkesat dhe vizionin e maturantëve?

Vendimi për zgjedhjen e institucionit për studime është një vendim mjaftë i vështirë dhe ka peshë të madhe. Megjithatë, atë që duhet të kenë parasysh maturantët është që të vlerësojnë se cilat janë karakteristikat e një institucioni kualitativ edukimor dhe të shohin se si institucioni që zgjedhin do të përmbush vizionin e tyre për studime.

Interesim të jashtëzakonshëm po tregojnë maturantët për studime në Kolegjin Universum. Duke parë mundësitë që Kolegji Universum ju ofron për studime, sipas tyre këto janë disa nga arsyet që po zgjedhin Kolegjin Universum

1)  Kolegji Universum është i vetmi Institucion i rankuar në EdUniversal, agjensia më prestigjioze franceze e cilësisë në arsim. Shih linkun https://bit.ly/2WiSth5
2) Kolegji Universum është Institucioni më i ndërkombëtarizuar në Kosovë. Me fakte, me numra. Shiko listën e studentëve perfitues https://bit.ly/2HWfylt
3) Kolegji Universum është i vetmi Institucion pa asnjë program të suspenduar nga Akreditimi;
4) Universum dhe Vision Agency ofrojnë punësim të garantuar dhe financim të studimeve. Shiko linkun: https://bit.ly/2WQvuOG
5) Mbi 78% e studentëve tanë të programit Bachelor janë të punësuar apo janë punësuar 6 muaj pas diplomimit.   

Si të përfitoni bursë nga Kolegji Universum për studime në 22 shtete të BE-së?

1) Si student/e i/e Kolegjit Universum ju mund të studioni 1 semestër jashtë vendit me bursë të plotë. Bursa përfshinë: shkollim falas, 850-900euro kompenzim mujor, dhe 275-360 euro kompenzim për shpenzime të transporitit; Vlera totale e bursës që do të merrni është 5,075- 6,066 euro.
2) Ju si student/e e Universumit mund të studioni me bursë të plotë nga Universum në 22 shtete të BE-së dhe Turqi, pra në shtetet si: Angli,Gjermani, Turqi, Latvi, Itali, Republikën Çeke, Slloveni, Lituani, Portugali, Rumani dhe Kroaci etj; Shiko listën e universiteteve http://tiny.cc/rtgw7y
3) 108 studentë deri më tani (niveli Bachelor dhe Master), kanë qenë përfitues të bursës për studime jashtë vendit apo 522,725.00 euro. Shiko fotot e studentëve http://tiny.cc/lvgw7y
4) 390 BURSA janë aprovuar për vitin 2018/2019. 

Tani rradhën e keni ju!! Fillo studimet në Kolegji Universum institucionin më inovativ në vend, të rankuar në top 3% të shkollave më të mira në botë nga Agjencioni prestigjoz EdUniversal. Apliko këtu https://bit.ly/2HuMame

Eksploro Evropën gjatë studimeve, studio një semester me BURSË të plotë në 22 shtete të BE-së. 

 Për informata më të hollësishme kontakto [email protected] apo +383 44 144 062.

Gjendet trupi i pajetë i futbollistes shqiptare, Florijana Ismaili

Trupi i pajetë i futbollistes shqiptare, Florijana Ismaili, është gjetur në fundin e Liqenit Como në Itali, kanë bërë të ditur mediat e atjeshme.

24-vjeçarja ishte shpallur e zhdukur të shtunën pasdite pas një aksidenti gjatë hedhjes nga barka, me ç’rast nuk ishte shfaqur më në sipërfaqe të ujit.

Pas kërkimeve katërditore, ekipet italiane të shpëtim-kërkimit të martën e kanë gjetur trupin e pajetë të Florijanës.

Roboti i posaçëm që ishte shfrytëzuar për kërkim nënujor e ka gjetur trupin e saj në thellësi prej 204 metrash, thuhet në njoftimin e Blick.

Më pas, trupi është tërhequr deri në thellësi prej 20 metrash, ku zhytësit kanë mundur ta marrin dhe ta sjellin në anije, me të cilën trupi është dërguar në spitalin St. Anna. Familja e Florijanës është njoftuar për gjetjen tragjike.

Vetëm disa orë para gjetjes së trupit të saj, Young Boys kishte bërë një gjest emocionues duke formuar një zemër me trupat e tyre. Familja e futbollistes i ka falënderuar të gjithë për mbështetjen dhe solidarizimin.

Ditën e shtunë, Florijana dhe një kolege e saj kishin marrë me qira një barkë për një ditë relaksi dhe pas rrezitjes, shqiptarja ishte hedhur në ujë për t’u freskuar, mirëpo nuk kishte dalë më në sipërfaqe.

Shoqja e saj i kishte thirrur shërbimet emergjente, të cilat i filluan menjëherë kërkimet duke përfshirë disa zhytës, anije, helikopter dhe një robot special, i cili e ka gjetur trupin e pajetë të saj.

.

Në kuadër të programit ‘State of Exception’ shfaqen filmat e regjisorit serb

Retrospektiva e Želimir Žilnikut

Realizuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian, me një përzgjedhje prej njëmbëdhjetë filmave të shkurtër e të gjatë nga regjisori serb Želimir Žilnik, programi i filmit do të shfaqet nga data 3-27 Korrik, çdo të Mërkurë dhe të Shtunë te Lumbardhi.

Përzgjedhja e filmave nga karriera e viteve të fundit të regjisorit serb Želimir Žilnik, State of Exception: Retrospektiva e Želimir Žilnikut, përfshin trembëdhjetë filma nga arkivi i punës së regjisorit që do të shfaqen gjatë një aktiviteti njëmujor në kinemanë Lumbardhi.

Duke filluar nga 3 korriku, programi fillon me krijimet e Žilnikut të përgatitura nga një periudhë kundërthënëse dhe e shpërbërjes sociale të Jugosllavisë, ku socializmi ekzistues doli në pah nëpërmjet turbulencave nacionaliste në rritje dhe dhunës shtetërore. Rregullat e jashtëzakonshme që nga atëherë tregojnë se “gjendja e përjashtimit” në të cilën është jetuar, ishte në të vërtetë, përjashtim. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, ku realiteti kulturor dhe politik ishte nën hegjemoninë e “Perëndimit” liberal, kriza e refugjatëve dhe përhapja e madhe e ndasive (mureve), kufijve dhe dhunës policore u bënë manifestimi më i dukshëm i këtij përjashtimi të pafund.

Duke trajtuar drejtpërdrejt të përndjekurit, që ishin të paracaktuar të mbeteshin të padukshëm në kontekste të ndryshme historike dhe politike, Žilnik filmoi këto popullata “të përjashtuara” dhe ekzistencën e tyre spektrore në shoqëri për më shumë se 50 vjet. Praktika e tij e filmit është dëshmi se puna në një kontekst të tillë kërkon një angazhim politik me situata bashkëkohore i cili nuk është i mundur brenda territorit të kinemasë zyrtare me buxhet të lartë.

Që nga fillimi i karrierës së tij të filmit, Žilnik, në mënyrë provokative, i trajtoi të lënët pas dore dhe të papunësuarit gjatë sistemit socialist jugosllav, ku shpejt pas ballafaqimit me çështje të censurës në Jugosllavi, i kaloi vitet e mesit të të 70-ve në Gjermani. Pas kthimit në Jugosllavi në të 80-at dhe xhirimet në vitet pas 2000-tës, ai trajtoi tema të dhunës politike, refugjatëve dhe emigracionit në Evropë, duke reflektuar në jetërat e shkatërruara nga kjo gjendje e përjashtimit të përhershëm.

Paralelisht me filmat e përzgjedhur, Žilnik do të organizoi një punëtori dyditore ku do të shpjegojë metodat dhe angazhimet e tij me praktikën e filmit politik dhe vështirësitë që ky lloj filmi bart me vete. Gjatë pjesës së dytë, ai do të paraqesë filmin e tij më të fundit Among the People: Life & Acting (2018), i cili përmbledh kujtime dhe komentime nga aktorë joprofesionistë me fragmente nga filmat në të cilët ata kanë marrë pjesë si “protagonistë” të kombinuara me filmime të ekipit i cili angazhohet në filmat e Žilnikut. Filmi do të përcillet me zhvillimin e një diskutimi.

Programi i filmave është bërë i mundur përmes programit ‘Kulturë për Ndryshim’ që financohet dhe menaxhohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Qendra Multimedia dhe Instituti Goethe, si dhe “Hapësirat Kulturore të Kosovës” të zbatuara nga Anibar, Lumbardhi, 7Arte dhe Pogon, të mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e organizatorëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian. Të gjitha shfaqjet janë pa pagesë dhe shfaqen në gjuhën origjinale me titra në gjuhën shqipe dhe atë angleze.

PROGRAMI

E MËRKURË, 3 KORRIK, 20:30

Inventory [Inventari](1975), 11 min

Banorët e një ndërtese të vjetër në qendër të Münichit paraqiten si personazhe kryesorë të këtij filmi, shumica e të cilëve janë të huaj që punojnë në Gjermani si “punëtorë mysafirë”. Secili prej tyre shpjegojnë për veten në gjuhën e tyre amtare, duke paraqitur shkurtimisht shqetësimet kryesore, shpresën dhe planet për të ardhmen.

The Second Generation [Gjenerata e dytë](1984), 90 min

Pas 11 vjetëve të kaluara në Shtutgart, pesëmbëdhjetëvjeçari Pavle Hromiš kthehet në atdheun e tij në fshatin Kucura, (Serbi), për të vazhduar shkollimin e tij. Menjëherë i hutuar nga mjedisi i tij i ri, plan programi mësimor i ndryshëm dhe njerëz që nuk i njeh, Pavle kthehet në Gjermani, pasi pati një debat me gjyshen e tij dhe një konflikt me shokët e tij të klasës. I ndarë nga shokët e tij të vjetër, Pavle fillon të shohë përvojën e tij të mëparshme në një dritë të re dhe pasi kthehet në Jugosllavi ndjek një shkollë me konvikt në Novi Sad ku takon të rinj të tjerë që kanë histori të ngjashme.

E SHTUNË, 6 KORRIK, 20:30

Brooklyn, Gusinje (1988), 85 min

Një rrobaqepëse e re, Ivana, lë punën e saj në një punëtori në Novi Pazar dhe pranon një ofertë për t’u bërë kamariere në Gusi, një fshat malazez në kufirin jugosllavo-shqiptar. Si ndihmëse e kamarieres kryesore, një romancë lind kur dy vëllezër vijnë në qytet për pushime nga Nju Jorku dhe kështu takimi i kulturës serbe dhe asaj shqiptare, i gjuhëve, i zakoneve dhe traditave familjare zhvillohen në një peizazh mahnitës malor.

E MËRKURË, 10 KORRIK, 20:30

Old Timer [Veterani](1989), 80 min

Një roker i moshuar, i quajtur Igor, punon si gazetar dhe DJ në “Radio Študent” në Lubjanë, Slloveni. Kur ai vëren se mirëmbajtësi Miha punon për policinë dhe pas një përplasjeje me redaktorin e tij, Igori vendos të largohet për në Greqi përmes Bosnjës dhe Serbisë, ku gjatë udhëtimit i bashkëngjitet një shoqëruese e re e quajtur Rahela. Duke udhëtuar nëpër Jugosllavi, ata përfshihen në trazira të papritura gjatë fillimit të “revolucionit anti-burokratik” të Millosheviçit.

E PREMTE, 12 KORRIK, 16:00

Dita e parë e punëtorisë

E SHTUNË, 13 KORRIK, 14:00

Dita e dytë e punëtorisë

Shfaqja e filmit: Among the People: Life & Acting (2018), 83 min

Një incizim i përgatitur me rastin e ekspozitës Shadow Citizens, është një përmbledhje e cila përmban komentime të aktorëve joprofesionistë, me fragmente nga filmat në të cilët ata kanë marrë pjesë si “protagonistë” të kombinuara me filmime të ekipit i cili angazhohet në filmat e Žilnikut. Vepron si një kujtesë për Žilnikun lidhur me talentet dhe përvojat reale të pjesëmarrësve të tij, gjë që e frymëzoi atë të artikulonte temat e tyre narrative dhe gjithashtu të përcaktojë karakteret e tij imagjinative. Në të njëjtën kohë, incizimi dokumenton se si pjesëmarrësit e filmit përjetuan takime të reja dhe solidaritet në “kolazhin e filmit”.

E SHTUNË, 13 KORRIK, 20:30

Kenedi Goes Back Home [Kenedi kthehet në shtëpi](2004), 75 min

Ky film përshkruan ata që emigruan në vendet evropiane gjatë periudhës së luftës së viteve të 90-ta. Shumë prej popullsive me jetë dhe familje të zakonshme, në vitin 2002 ishin subjekt i “procesit të ripranimit” – një veprim i ashpër dhe çnjerëzor i policisë ku njerëzit u nxorrën nga puna, shkollat dhe shtëpitë e tyre dhe u kthyen në Serbi. Pas ngjarjes së dy miqve, filmi fokusohet në gjendjen e romëve si pjesa më e rrezikuar e popullsisë së kthyer.

Kenedi Lost and Found [Kenedi i humbur e i gjetur përsëri](2005), 26 min

Pas pjesëmarrjes së tij në xhirimet e filmit Kenedi Goes Back Home, Kenedi Hasani vendos që të zhvendoset në mënyrë të jashtëligjshme në një shtet të BE-së ku babai i tij, nëna, vëllezërit dhe motrat jetojnë ende. Gjatë një prej kalimeve kufitare ai kapet dhe dërgohet në një kamp refugjatësh. Pasi arrin të largohet për në Austri dhe pastaj në Gjermani e Holandë, ekuipazhi i filmit e takon atë në Vienë gjatë një shfaqjeje të Kenedi Goes Back Home. Dokumentari rrëfen përvojën e Kenedit dhe të situatës së tij gjatë periudhës dyvjeçare si refugjat, ndërsa ekipi vëzhgon kthimin e tij në Serbi.

E MËRKURË, 17 KORRIK, 20:30

Kenedi is Getting Married [Kenedi po martohet](2007), 80 min

Në borxhe të mëdha pas ndërtimit të një shtëpie për familjen e tij, Kenedi e gjen veten në kërkim të çfarëdo lloj pune për të mbajtur veten, përfundimisht duke kërkuar punësim në industrinë e seksit. Kur mëson për ligjet e reja liberale evropiane, për martesat homoseksuale, Kenedi sheh perspektivë në “materialin e martesës” së mundshme për të rikthyer shpresën e një statusi ligjor në BE. Mundësia krijohet gjatë Festivalit Muzikor EXIT, kur takon Max nga Mynihu. Por, a do t’i sjellë marrëdhëna e tyre premtuese zgjidhje problemeve të Kenedit?

E SHTUNË, 20 KORRIK, 20:30

Little Pioneers [Pionerët e vegjël](1968), 12 min

Ky film i shkurtër ndjek një grup fëmijësh të lënë pas dore, të lënë për t’u përkujdesur për veten duke vjedhur dhe thyer ligjin. Ata debatojnë me prindërit e tyre të cilët as nuk i kuptojnë e as nuk kanë mëshirë ndaj tyre. Si një kontrast me këtë histori, paraqitet një shfaqje televizive, ku aktori argëtues i njohur Gula (Dragoljub Milosavljeviç) bashkëbisedon me fëmijë të lumtur e të pabrenga.

Fortress Europa [Kështjella Evropë](2000), 80 min

Kjo dramë dokumentare është incizuar në rajonet kufitare midis Hungarisë-Sllovenisë dhe Kroacisë-Hungarisë në zonën Shengen të Evropës Jug-Lindore. Historia fokusohet në familjen ruse, me nënën Svetlana në Trieste dhe vajzën e saj Katja e cila shoqërohet nga ish-burri i Svetlanës, Artjomi. Gjatë udhëtimeve të tyre, të dy përballen me probleme duke u gjendur në një vend të huaj pa dokumente që do ta bënin të ligjshme pjesën tjetër të udhëtimit të tyre drejtë Perëndimit.

E MËRKURË, 24 KORRIK, 20:30

Black and White [Bardh e zi](1990), 60 min

Reubeni, një student afrikan në Universitetin e Novi Sadit kthehet nga vizita e prindërve të tij kur ballafaqohet me një klimë politike krejtësisht të ndryshuar në Jugosllavi. Brenda atmosferës së një “zgjimi kombëtar”, studentët me ngjyrë që vijnë nga shtetet e painkuadruara nuk janë më të mirëpritur. Në këto momente Reubeni takon Sashën, një djalë i ri pa paragjykime racore, i cili sapo është kthyer nga puna në Evropë.

Pirika on Film [Pirika në film](2003), 53 min

Në këtë ese biografike ndjekim Pirikën, një grua me dëshirë të fortë, e cila jeton në Serbi, e filmuar 44 vjet pasi ishte shfaqur si aktore në fëmijëri në filmin dokumentar të shkurtër Little Pioneers dhe filmin fitues të Ariut të Artë, Early Works, që të dy në regji të Želimir Žilnikut. E rritur në rrugët e Novi Sadit, e tërhequr në karrierën e aktrimit në mënyrë të rastësishme, në luftë me marrëdhëniet e shumta të dështuara dhe madje edhe duke humbur edhe kontaktin me vajzën e saj të vetme. Kjo është historia e Pirikas, një rindërtim i jetës së saj përmes fuqisë rigjeneruese të kinemasë.

E SHTUNË, 27 KORRIK, 20:30

Logbook Serbistan [Ditari i Serbistanit](2015), 94 min

Migrantët e paligjshëm dhe azilkërkuesit strehohen në qendrat e refugjatëve në Serbi pas ikjeve dramatike nga zonat e luftës dhe të varfëra të Afrikës veriore dhe Lindjes së Mesme. Këta njerëz duhet të kalojnë nëpër një periudhë komplekse të përshtatjes me jetën në Serbi, edhe pse në shumicën e rasteve qëllimi i tyre është të shkojnë në vendet e BE-së. Kjo dramë dokumentare thekson kontekstin socio-politik në të cilin ata tregojnë vlerën e tyre individuale, duke u bërë protagonistët me të cilët shikuesit mund të identifikohen dhe betejat e fatet e të cilëve mund t‘i kuptojnë.

Gashi: Pas më shumë se 25 vjet pritje autorët së shpejti do të marrin çekun e parë për kompensimin e punës së tyre nga e drejta e autorit

Pas propozimit të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, është miratuar propozim vendimi për themelimin e komisionit për vlerësimin dhe propozimin e tarifave të përgjithshme për shfrytëzimin e lëndës së mbrojtur me të Drejtën e Autorit nga operatorët kabllor.

Ministri Gashi ka pohuar se për shfrytëzimin e çdo vepre të autorit ligji ka paraparë kompensim monetar, kur shfrytëzimi i veprave bëhet nga shumë përdorues dhe shfrytëzohen me mijëra vepra nga një shfrytëzues, ligji për të Drejtën e Autorit ka paraparë përcaktimin e tarifave të përgjithshme, pasi që është gati e pamundur të përcaktohet kompensim-tarifë për shfrytëzimin e çdo vepre. Tarifat është paraparë më ligj të përcaktohen me negociata, në mes të Shoqatave për Menaxhimin Kolektiv të drejtave të autorit dhe shfrytëzuesve të të drejtave, e nëse këto dështojnë palët duhet të shfrytëzojnë ndërmjetësimin, dhe vetëm kur dështon procesi i ndërmjetësimit atëherë ligji ka paraparë që tarifat i cakton Qeveria.

Ministri Gashi para kabinetit qeveritar tutje ka sqaruar se “procesi për caktimin e këtyre tarifave në fushën audio-vizuale, ka filluar në vitin 2013, negociatat në mes të shoqatës për menaxhimin e të drejtave të autorit në fushën e veprave audio-vizuale VAPIK dhe të përfaqësuesve të operatorëve kabllorë në vendin tonë, nuk kanë sjellë marrëveshje në mes të palëve të përfshira në proces dhe duke marr në konsideratë që faza e ndërmjetësimit e paraparë me ligj ka përfunduar pa u shfrytëzuar nga ana e palëve, jemi të obliguar të veprojmë konform kërkesë së Shoqatës së Menaxhimit Kolektiv VAPIK, që tarifat e përgjithshme të përcaktohen nga ana e Qeverisë së Kosovës”.

Gjithashtu, ministri Gashi tha se “në këtë aspekt propozoj që të themelohet Komisioni i cili do të shqyrtoj kërkesën e VAPIK dhe që do të merr parasysh qëndrimet e operatorëve kabllorë, komisioni pasi të dëgjojë palët dhe të shqyrtoj kërkesat e tyre, me ndihmën e ekspertëve, në pajtim me Ligjin për të Drejtën e Autorit të vendit tonë dhe me praktikat me të mira të rajonale dhe ato Evropiane të propozoj tarifat për aprovim nga Qeveria e Republikës së Kosovës”.

Pse shkrimtarët duhet t’i lexojnë kritikat negative?

Pasi shkrimtarja Angie Thomas kërkoi që të mos shënjohet në kritikat negative të librave të saj, në mediat sociale vërshuan fyerjet, shkruan Alison Flood.

Historia ende nuk e ka librin që adhurohet në mënyrë të përgjithshme, ose autorin që kënaqet duke lexuar kritikat e këqija. Teksa Angie Thomas ishte në krye të listave dhe bartte mbi supe çmimet për librat “The Hate U Give” dhe “On the Come Up”, kërkesa e saj e fundit – që blogerët të mos i dërgojnë më përshtypjet e tyre negative – e ballafaqoi me një valë tjetër të kritikave. Thomas nuk u kërkoi atyre të ndalonin së shkruari komente të këqija. Ajo thjesht kërkonte që ata të mos e shënjojnë (të mos ia bëjnë “tag”) në Twitter ose në Instagram.

“E dini çka? Jemi njerëz me ndjenja. Çfarë kuptimi ka që t’ia bësh ‘tag’ autorit në një vlerësim negativ?”, shkroi ajo në Twitter. “Duhet ta mbrojmë hapësirën tonë mentale. Shumë vlerësime, të mira ose të këqija, mund të ndikojnë në këtë… Të marrësh vlerësime nga shumë burime mund të dëmtojë procesin e të shkruarit. Kam një grup njerëzish reagimet e të cilëve i vlerësoj – redaktorin tim, agjentit tim, autorë të tjerë që veprojnë si lexues të dorëshkrimit. Në pozicionin në të cilin jam, mediat sociale janë për bashkëveprim me lexuesit, jo për kritika”.

Thomas më pas i është nënshtruar fyerjeve në internet, nga lexuesit dhe nga kritikët. Një lexues njoftoi se do t’i hedhin librat e saj. Të tjerët thanë se reagimi e saj po i shtynë të mos e lexojnë më (“Kur njerëzit janë të pasjellshëm dhe negativë në këtë mënyrë, kjo më bën të mos i mbështes”). Disa mendonin se “tema” e shkrimit – librat e Thomasit zhyten brenda dhe jashtë botës afrikano-amerikane – e bën atë të duket “shumë e padijshme”.

Autorët kanë thënë me vite se nuk preferojnë të shënjohen në kritikat e këqija të mediave sociale. Në nëntor të vitit të kaluar, Lauren Groff shkroi se “të bësh ‘tweet’ tek shkrimtari është sikur t’i bërtasësh në fytyrë”. Kjo ndodhi madje përpara epokës së mediave sociale, si p.sh. ajo që Alain de Botton tha për kritikën e Kaleb Crainit për veprën “The Pleasures and Sorrows of Work” (“Do të të urrej deri në ditën që do vdes dhe nuk të uroj asgjë pos vullnet të keq në çdo hap të karrierës që bën) apo Martin Amisi për kritikën e Tibor Fischerit për veprën “Yellow Dog” (“Një bajat dhe qerrata”).

Por, goditja kundër Thomasit është e shpërpjesëtuar kur krahasohet me mënyrën sesi komentuesit kanë reaguar ndaj këtyre kërkesave në të kaluarën. Siç ka thënë vet ajo: “Shumë autorë të bardhë kanë thënë të njëjtën gjë për këto komente, pa i marrë të njëjtat sulme që i hodhën tek unë”.

Mënyra sesi komuniteti i lexuesve mund të përfshihet në të keqen, është dokumentuar qëmoti me kërcënime, fyerje dhe ftesa për bojkot. Thomas megjithatë nuk po tërhiqet e as nuk duhet. “Shkrova një libër për të mos qenë e qetë. Ndaj, të jeni të sigurte se nuk do të jem e qetë. Ngacmimi, fyerjet, sulmet, gjuha e koduar, të gjitha këto nuk i kam problem për t’i ballafaquar. Komunitet i librit, jeni toksikë dhe problematikë”, ka thënë ajo. /Telegrafi/

Kjo është Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990

Jusuf Buxhovi

Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990 – gurthemel i shtetësisë së Kosovës

Shtetësia e Kosovës është e lidhur ngusht me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990. E shpallur nga 111 delegatë të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, Deklerata zhvlerësoi Rezolutën e Konferencës së Prizrenit, të 10 korrikut 1945, me të cilën Serbia, pasi që kishte anulua me gjak Rezolutën e Bujanit, e aneksoi Kosovën. 
Kështu, Deklarata e 2 korrikut, me shpalljen e Kosovës njësi të barabartë të federatës jugosllave, ua hapi rrugën veprimeve të mëtutjeshëm (Kuvendit të Kaçanikut të 7 shtatorit 1990 kur edhe u shpall Republika e Kosovës, Referendumit për Pavarësi të vitit 1991 si dhe zgjedhjeve të para parlamentare dhe presidenciale të Kosovës të vitit 1992), me të cilat u rrumbullaksua legjitimiteti i infrastrukturës demokratike të shtetit të pavarur të Kosovës. 
Shpallja e Kosovës shtet i pavarur, më 17 shkurt 2008, rikofirmoi këtë proces historik që filloi më Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990 dhe u përmbyll me Referendumin për Pavarësi të vitit 1991.
Andaj, për historikun e shtetësisë së Kosovës 2 korriku 1990 paraqet gruthemelin e saj.

Teksti i plotë i Deklaratës Kushtetuese i botuar në “Fletorën Zyrtare” të KSAK, nr 21, më 3 korrik 1990.

1. Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.

2. Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.

3. Ky kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).

4. Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç’rast bëhet edhe anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente.

5. Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim, duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë.

Prishtinë, më 2 korrik 1990. Delegatët nënshkrues të Deklaratës:”

(Pasojnë nënshkrimet e 114 delegatëve shqiptarë, boshnjakë e turq. Të nesërmen, më 3 korrik, Deklaratën e ka nënshkruar edhe një delegat)./KultPlus.com

TETRIS, loja e famshme tash e 30 vite

Me 6 qershor të vitit 1984, Alexey Pajitnov e ndërtoi lojën e quajtur Tetris.

Që nga ajo kohë, Tetrisi ka mbetur ndër lojërat më të mira dhe më të luajtura në mbarë botën. Video-loja është atraktive dhe për gjenerata me radhë ka qenë mënyrë për tu argëtuar.

Tetrisi është softueri i parë i tillë që u eksportua nga Bashkimi Sovjetik për në Amerikë.

Me kalimin e viteve Tetrisi u fut edhe si pjesë e kompanive të mëdha dhe bizneseve të mëdha, përfshirë këtu edhe IPods.

Tetris basic game.gif

Tetrisi përbëhet nga figura tetromino, forma gjeometrike katrore të cilat duhet bashkuar e përshtatur për të arritur deri në formën finale dhe përfundimin me sukses të misioneve, shkruan KultPlus.

Sot në plot vende ende luhet tetris, aty ku loja shitet ose ku është inkuadruar si pjesë shtesë.

Tetrisi është loja e tetë në botë me më së shumti kohëzgjatje: 34 vite e pesë muaj. / KultPlus.com

Projekte të përbashkëta mes Muzeut Historik dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike

Akademia e Studimeve Albanologjike dhe Muzeu Historik Kombëtar nënshkruan sot një memorandum mirëkuptimi për zbatimin e projekteve të përbashkëta.

Gjatë ceremonisë, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi dhe drejtori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Akademik Prof. Dr. Marenglen Verli, theksuan se, projektet që do të realizojmë synojnë në hapjen e ekspozitave të përkohshme në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar-Tiranë dhe në Akademinë e Studimeve Albanologjike.

Në këto ekspozita nëpërmjet dokumenteve arkivore, fotografive, objekteve, filmave dokumentarë dhe kronikave filmike do të jepet një panoramë e përgjithshme për personalitetet dhe ngjarjet e rëndësishme historike të popullit shqiptar.

Në përfundim të fjalëve të rastit të dy titullarët e institucioneve nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për zbatimin e projekteve të përbashkëta.

Projekte që do të realizojnë botime, konferenca shkencore, ekspozita, aktivitete dhe projekte të përbashkëta, të cilat do t’i shërbejnë shkëmbimit të eksperiencave të ndërsjellta ndërmjet dy institucioneve/ATSH/KultPlus.com

Sot është 20 vjetori i vdekjes së Seit Lipës, ish drejtor i Institutit të Historisë së Kosovës

Nga Kosovar Basha / Facebook

20 vjetori i vdekjes së dr. Seit Lipës, ish drejtor i Institutit të Historisë së Kosovës

Seit Lipa (1937-1999)

Më 2 korrik 2019 bëhen 20 vite nga vdekja e dr. Seit Lipës, ish drejtor i Institutit të Historisë së Kosovës dhe këshilltar shkencor i këtij institucioni me vlerë kombëtare dhe shkencore.

Vdekja e tij ndodhi në një moment të rëndësishëm kur Kosova u çlirua nga Serbia dhe kështu dr. Seit Lipa nuk pati mundësinë të shijojë vendin e porsaçliruar për të cilin edhe ai kishte dhënë kontribut të çmuar në fusha të ndryshme.

Po në këtë ditë të zezë për familjen dhe institucionin ku ai punoi, u festua në Kosovë 9 vjetori i Deklaratës Kushtetuese të cilën deputetët e Kuvendit të Kosovës e shpallën para dyerve të Kuvendit të suprimuar me dhunë nga forcat serbe. Jeta e Seit Lipës, lidhet ngushtë me qytetin e Pejës ku ai u rrit dhe formua.

Në një familje të vjetër zejtarësh ai pati fatin të merr edukatë solide të cilën e kultivoi gjatë jetës. Shkollën fillore dhe Gjimnazin Real shqiptar e kreu në Pejë, në një periudhë të vështirë në të cilën po kalonte Kosova. Gjimnazi Real Shqiptar i Pejës ishte institucion me peshë të madhe mësimore ku punuan profesor të dalluar si Nexhat Begolli, Xhevher Gjakova, Nuredin Basha, Xhevdet Basha, Fetah Çavdarbasha, Burhan Begolli etj. Po në këtë gjimnaz djali i ri Seit Lipa, pati mundësinë të kishte shokë dhe shoqe të dalluara për kohën të cilët me kalimin e viteve u bën bard të fushave të ndryshme. Në klasë pati nxënës si Mexhdydin Korça, Syrja Pupovci, Osman Imami, Melihate Ajeti, Halil Turku, Mustafë e Esat Dauti, Ymer Muhaxheri, Aziz Tigani, Zija Mulhaxha e shumë të tjerë.

Pas përfundimit të shkollës së mesme jeta e tij do të orientohej kryesisht në punë zejtare.

Kurse në harkun kohor 1959-1966, Seit Lipa do të punonte kryesisht në Pejë në disa fabrika të Pejës në rolin e sekretarit.

Projekti i fundit i tij me titull “Emrush Myftari jeta dhe vepra” u miratua që të hartohet si monografi në mbledhjen e Këshillit Shkencor më 1997, por nuk u përfundua asnjëherë për shkak të sëmundjes së tij.

Dr. Seit Lipa ishte një studiues i së kaluarës sonë por edhe një njeri me kulturë të gjerë i cili gëzoj respekt në opinionin e gjerë.

Policia identifikon 58 fëmijë lëmoshëkërkues në Kosovë

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ) në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme në parandalimin e dukurive negative, në veçanti luftën kundër abuzimit me fëmijë, ka përpiluar një plan operativ të emëruar “Identifikimi i fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit”.

Sipas njoftimit për medie, ky plan u implementua në qershor 2019 dhe është zbatuar në gjithë territorin e Kosovës, nga të gjitha njësitë e drejtorisë kompetente policore dhe akterët tjerë relevante, transmeton Koha.net.

Gjatë zbatimit të këtij plani operativ ka rezultuar me, identifikimin e 58 fëmijëve lëmoshëkërkues, prej tyre 21 shtetas kosovarë dhe 37 shtetas shqiptarë. Gjithashtu, me identifikimin e 42 lëmoshëkërkuesve të rritur, prej tyre 6 shtetas kosovarë dhe 36 shtetas shqiptarë.

Ata thonë se janë ngritur kallëzime penale ndaj 8 personave të dyshuar për veprën penale “keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”, neni 243 sipas Kodit Penal të RKS-së

“Të gjithë fëmijët lëmoshëkërkues kanë qenë të shoqëruar nga familjarët e tyre dhe të pajisur me dokumente. Në prani të punëtorit social, të gjithë fëmijëve lëmoshëkërkues u është plotësuar formulari për shënimet e lëmoshëkërkuesve dhe janë marrë në pyetje familjarët e tyre, me qëllim të identifikimit të viktimave potenciale të trafikimit me njerëz”, thuhet në njoftim.

Gjatë marrjes në pyetje nuk është identifikuar asnjë viktimë e trafikimit.

Fëmijët të cilët nuk kanë rezultuar viktima të trafikimit me njerëz janë ndërmarrë disa masa.

Sipas njoftimit, është konsultuar prokurori përkatës, janë iniciuar 8 raste ‘keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’ sipas nenit 243 të Kodit Penal të Kosovës dhe janë dorëzuar kallëzime penale kundër 8 të dyshuarve, prindërve të fëmijëve lëmoshëkërkues, ndërsa janë identifikuar 21 fëmijë si viktima të kësaj vepre penale,

Thuhet se, të gjithë fëmijët e hasur duke kërkuar lëmoshë (58) janë referuar në (qendrat për punë sociale (QPS) përkatëse.

“Pas trajtimit të rasteve veç e veç dhe verifikimit të rrethanave, në konsultim me Prokurorinë dhe QPS-të përkatëse, shtetasit e Shqipërisë janë referuar në drejtorinë përkatëse (DMH) për trajtim të mëtutjeshëm sipas kompetencave’, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Për Universin, ekzistencën, fenë dhe qëllimin mbi këtë tokë

Shkolla më la në baltë, dhe unë e lashtë në baltë shkollën. Mësuesit silleshin si Fildvebel-a (rreshterë). Unë doja të mësoja ato që doja të dija, por ata donin që unë të mësoja për provimet. Ai që urreja më shumë ishte sistemi konkurrues atje, dhe sidomos sportet. Për shkak të kësaj, nuk vleja për asgjë, dhe disa herë më sugjeruan të largohesha.

Kjo ishte një shkollë katolike në Munih. Ndieja se etja ime për dije po mbytej prej mësuesve të mi; për ta, matësi i vetëm ishin notat. Si mundet një mësues të kuptojë të rinjtë, me një sistem si ky?

Që nga mosha 12-vjeçare nisa të vë në dyshim autoritetin dhe të mos kem besim tek mësuesit. Mësoja kryesisht në shtëpi, fillimisht nga xhaxhai im dhe më pas nga një student që vinte të hante me ne, një herë në javë. Ai më jepte libra për fizikën dhe astronominë.

Sa më shumë që lexoja, aq më i mëdyshur isha për rendin e Universit dhe rrëmujën e mendjes njerëzore, me shkencëtarët që nuk binin dakord se si, apo kur, apo pse, kish ndodhur krijimi. Më pas, një ditë, një student më solli “Kritikën e Arsyes” të Kantit. Duke lexuar Kantin, fillova të vë në dyshim gjithçka që më ishte mësuar. Nuk besoja më në Zotin e Biblës, por në Zotin misterioz të shprehur tek natyra.

Ligjet bazë të Universit janë të thjeshtë, por për shkak se shqisat tona janë të limituara, ne nuk mundemi t’i rrokim. Ka një model në të gjithë krijimin.

Nëse shohim pemën jashtë shtëpisë, rrënjët e të cilës kërkojnë nën dysheme për ujë, ose një lule e cila dërgon aromën e saj të ëmbël tek bletët që polenizojnë, apo nëse shohim edhe veten tonë dhe forcat e brendshme që na shtyjnë të veprojmë, do të vërejmë se të gjithë ne vallëzojmë me një melodi misterioze, dhe flautisti që i bie kësaj melodie nga një distancë e panjohshme – çfarëdolloj emri që ne t’i vëmë atij, Forca Krijuese, Zoti – i shpëton gjithë librave të dijes.

Shkenca nuk përfundon asnjëherë, sepse mendja njerëzore përdor vetëm një pjesë të vogël të kapacitetit të saj, dhe eksplorimi i kësaj bote nga njeriu është gjithashtu i kufizuar.

Krijimi mund të jetë spiritual në origjinë, por kjo nuk do të thotë se çdo gjë që është krijuar është spirituale. Si mund t’jua shpjegoj juve këto gjëra? Le të pranojmë që bota është një mister. Natyra nuk është as vetëm materiale dhe as tërësisht spirituale.

Edhe njeriu, është më shumë se sa mish dhe gjak dhe kocka; përndryshe asnjëra prej feve nuk do të ishte e mundur. Prapa çdo shkaku ka një tjetër shkak; fundi apo fillimi i të gjithë shkaqeve nuk është gjetur ende.

Megjithatë, një gjë duhet të mos e harrojmë: nuk ka pasojë pa shkak, dhe në krijimin nuk ka mungesë ligjësie.

Nëse nuk do të kisha një besim absolut në harmoninë e krijimit, nuk do të isha përpjekur për tridhjetë vite që ta shprehja në një formulë matematikore. Është vetëm ndërgjegjja e njeriut, për atë që bën me mendjen e tij, e cila e lartëson mbi të gjithë kafshët, dhe i mundëson të vetëdijesohet për vetveten dhe për marrëdhënien e tij me universin.

Unë besoj se kam ndjenja fetare kozmike. Nuk do ta rrokja dot asnjëherë se si mund të kënaq këto ndjenja, duke iu falur objekteve të limituar. Pema atje jashtë është jeta, një statujë është e vdekur. Tërësia e natyrës është jeta, dhe jeta ashtu si e shoh unë, e refuzon një Zot që i ngjan njeriut.

Njeriu ka dimensione të pafundme dhe e gjen Zotin në ndërgjegjen e tij. Një fe kozmike nuk ka dogmë, përveç asaj që t’i mësojë njeriut se universi është racional, dhe se fati i tij final është që ta studiojë dhe të bashkëkrijohet me ligjet e tij.

Mua më pëlqen ta eksploroj Universin si një të tërë në harmoni. Çdo qelizë ka jetë. Edhe Materia ka jetë; ajo është energjia në formë solide. Trupat tanë janë si burgje, dhe unë mezi pres të çlirohem, por nuk dua të spekuloj për atë që do të ndodhë me mua.

Unë jetoj këtu tani, dhe përgjegjësia ime është në këtë botë, tani. Unë merrem me ligjet e natyrës. Kjo është puna ime këtu në Tokë.

Bota ka nevojë për impulse të reja morale, që kam frikë se nuk do të vijnë nga kishat, aq rëndshëm të kompromentuara sa kanë qenë ato me kalimin e shekujve.

Ndoshta këto impulse duhet të vijnë nga shkencëtarë në traditën e Galileos, Keplerit dhe Njutonit. Pavarësisht dështimeve dhe persekutimeve, këta njerëz ia kushtuan jetën e tyre vërtetimit se universi është një entitet unik, ku, besoj unë, Zoti i humanizuar nuk ka vend.

Shkencëtari i mirë nuk preket prej fajësimit, ai as nuk predikon. Ai e zbulon universin dhe njerëzit vijnë me dëshirë, pa u shtyrë, për të rrokur një zbulim të ri: rendin, harmoninë, mrekullinë e krijimit!

Dhe, teksa njeriu bëhet i vetëdijshëm për ligjet e mrekullueshëm që qeverisin universin në harmoni të përsosur, ai fillon të kuptojë se sa i vogël është. Ai sheh vogëlsinë e ekzistencës njerëzore, me ambiciet dhe intrigat e saj, me kredon: “Unë jam më i mirë se sa ti”.

Ky është fillimi i fesë kozmike brenda tij; miqësia dhe shërbimi ndaj tjetrit bëhen kodi i tij moral. Pa themele të tilla morale, jemi të destinuar të marrim fund.

Nëse duam të përmirësojmë botën, nuk mundemi ta bëjmë me dije shkencore, por me ideale. Konfuci, Buda, Jezusi dhe Gandi kanë bërë më shumë për njerëzimin, se sa shkenca.

Duhet të fillojmë me zemrën e njeriut – me ndërgjegjen e tij – dhe vlerat e ndërgjegjes mund të manifestohen vetëm përmes shërbimit pa egoizëm ndaj njerëzimit.

Feja dhe shkenca shkojnë bashkë. Siç e kam thënë më parë, shkenca pa fenë është e çalë dhe feja pa shkencën është e verbër. Ato janë të ndërvarura dhe kanë një objektiv të përbashkët – kërkimin e të vërtetës.

Kështu që, është absurde për fenë që të ndalojë Galileon apo Darvinin, apo shkencëtarë të tjerë. Dhe është njësoj absurde që shkencëtarët të thonë se nuk ka Zot. Shkencëtari i vërtetë beson, gjë që nuk do të thotë se ai duhet t’i përkasë një kredoje.

Pa fenë nuk ka bamirësi. Shpirti që na është dhënë vihet në lëvizje po prej asaj fryme që lëviz universin.

Unë nuk jam një mistik. Përpjekja për të gjetur ligjet e natyrës nuk ka aspak të bëjë me misticizmin, ndonëse përballë krijimit ndihem shumë i përulur. Është sikur një shpirt të manifestohet shumë më superior se sa shpirti i njeriut. Përmes përpjekjeve të mia në shkencë, kam njohur ndjenjat e fesë kozmike. Por nuk më bëhet vonë nëse më quajnë mistik.

Unë besoj se ne nuk kemi nevojë të shqetësohemi për atë që ndodh pas kësaj jete, sa kohë që bëjmë detyrën tonë këtu – të duam dhe të shërbejmë.

Unë kam besim tek universi, sepse ai është racional. Ligjet qëndrojnë në themel të çdo ngjarjeje. Dhe unë kam besim tek qëllimi im këtu mbi Tokë. Kam besim tek intuita ime, gjuha e ndërgjegjes sime, por nuk kam besim tek spekulimet për Ferrin apo Parajsën. Dua të merrem me këtë kohë – këtu dhe tani. Shumëkush mendon se progresi i racës njerëzore bazohet në eksperiencat e një natyre empirike e kritike, por unë them se dija e vërtetë përftohet vetëm përmes një filozofi të deduktimit. Sepse është intuita që e përmirëson botën, jo thjeshtë ndjekja verbërisht e një shtegu të mendimit.

Intuita na bën të shohim në fakte pa lidhje mes tyre dhe më pas të mendojmë për ta, deri kur të gjithë të sillen nën një ligj. Të kërkosh fakte që lidhen mes tyre do të thotë të mbahesh pas asaj që ke, në vend që të kërkosh fakte të reja. Intuita është mëma e dijeve të reja, ndërkohë që empiricizmi nuk është asgjë tjetër, veçse akumulimi i dijeve të vjetra. Intuita, jo intelekti, është “porta magjike” e vetes tënde. Në të vërtetë, nuk është intelekti, por intuita që çon përpara njerëzimin. Intuita i thotë njeriut qëllimin e tij në jetë.

Unë nuk kam nevojë për ndonjë premtim për përjetësinë, që të jem i lumtur. Përjetësia ime është tani. Kam vetëm një interes: të përmbush qëllimin tim këtu ku jam.

Ky qëllim nuk më është dhënë nga prindërit apo rrethanat. Ai më është ngulitur nga disa faktorë të panjohur. Këta faktorë më bëjnë mua një pjesë të përjetësisë. /Telegrafi/KultPlus.com

Sinan Kajtazi jep dorëheqje nga pozita e drejtorit të Baletit të Kosovës

Balerini Sinan Kajtazi para pak dite është emëruar drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës. Këshilli Drejtues i BKK-së i cili ishte përgjegjës për zgjedhjen e drejtuesit të insitutcionit përkatës ka përmbyll konkursin duke e zgjedhur drejtor Kajtazin, si një nga konkurruesit më të suksesshem dhe më kompetent për të qenë në krye të Baletit të Kosovës, shkruan KultPlus.

Por tashmë gjërat kanë ndryshuar. Kajtazi sapo ka njoftuar se Agjensia Kundër Korrupsionit i ka kumtuar së sipas Ligjit Kundër Korrupsionit/neni 18, pozita e Kajtazit si Drejtor i BKK do të përbënte “konflikt interesi”, meqë deri në Janar të 2019 ai ka qenë Kryetar i KD të BKK dhe në periudhë prej 2 vitesh pas largimit nga Këshilli Drejtues, nuk ka të drejtë të marrë këtë post.

Ky është postimi i plot i Kjatazit:

Të nderuar miq,

Me keqardhje ju njoftoj që pas kërkesës sime për opinion nga Agjencia Kundër Korrupsionit, në lidhje me pozitën e Drejtorit të BKK, nga kjo agjenci më është kumtuar se sipas Ligjit Kundër Korrupsionit/neni 18, pozita ime si Drejtor i BKK do të përbënte “konflikt interesi”, meqë deri në Janar të 2019 kam qenë Kryetar i KD të BKK dhe në periudhë prej 2 vitesh pas largimit nga Këshilli Drejtues, nuk kam të drejtë të marrë këtë post.

Prandaj, ju njoftoj që sot kam dhënë dorëheqjen nga U.D i Drejtorit të BKK dhe rrjedhimisht më duhet të refuzoj emërimin si Drejtor nga Këshilli Drejtues i BKK.

Vullneti dhe dëshira ime ka qenë që të jap kontributin tim në të mirë të Institucionit të BKK, duke gëzuar mbështetjen e të gjithë balerinëve të BKK dhe stafit tekniko-artistik në TKK, po ashtu edhe komunitetit të artistëve, mirëpo duke respektuar ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës, më duhet të refuzoj nderin që më është bërë me emërimin si Drejtor nga Këshilli Drejtues i BKK.

Unë do të vazhdoj të mos kursej më të mirën nga vetja si balerin, në shërbim të BKK.

Me respekt,

Sinan Kajtazi është një nga balerinet e suksesshëm i cili është pjesë e Baletit që nga vitet e pasluftës kur u riaktivizua dhe për disa vite ka qenë anëtar si dhe kryesues i Këshillit Drejtues të TKK-së ndërsa që nga fillimi i këtij viti është përzgjedhur edhe si ushtrues detyre i drejtorit i BKK-së.

Sipas ligjit për Filharmoninë, Operën dhe Baletin, Neni 46, pika 46.1. drejtori i Baletit zgjidhet në bazë të konkursit publik të shpallur nga Këshilli drejtues me propozim të Këshillit artistik.

“Për drejtor të Baletit zgjidhet personi me përgatitje profesionale në fushën e artit dhe të kulturës, si dhe me përvojë dhe aftësi udhëheqëse. Drejtori i Baletit zgjidhet me mandat dhe në kohëzgjatje prej 3 vjetësh. Personi i njëjtë mund të rizgjidhet. Drejtorin e Baletit e zgjedh dhe e shkarkon Këshilli drejtues sipas procedurës së caktuar me ligj”, thuhet në nenin 46 të ligjit për Filharmoninë, Operën dhe Baletin. / KultPlus.com

FORBES: Brenda festivaleve të plazheve shqiptare

Marka “Anjunadeep” e grupit “Above & Beyond” organizoi një festival prej gjashtë ditësh dhe pesë netësh të quajtur “Explorations” në Dhërmi, Shqipëri për të përzier kulturën e festivaleve muzikore me luksin e jetës bregdetare, shkruan revista prestigjioze amerikane “Forbes” në një artikull që i kushtohet një prej festivaleve ndërkombëtare më të njohur të zhvilluar në Shqipëri.

“Festat tona kanë marrë shumë famë vitet e fundit, me evente ku janë shitur të gjitha biletat në të gjithë botën”, thotë menaxheri i “Anjunadee”, Dom Donnelly.

“Ne besojmë se tingujt tanë shijohen më mirë jashtë nën rrezet e diellit, pra ne jemi larguar nga klubet e natës dhe jemi afruar me festat ditën. Pra një festë që zgjat gjithë fundjavën në plazh duket si një evoluim i natyrshëm”, thekson ai.

Sipas James Grant, menaxheri i grupit “Above & Beyond” që prej vitit 2001 dhe bashkëthemelues i markës “Anjunadeep”, “Explorations” janë festivalet e para që zgjasin gjithë ditën për “Anjunadeep” dhe ato u zhvilluan nga data 20-25 qershor në Dhërmi.

Eventi solli 45 artistë, duke u kthyer në spektaklin më të madh të organizuar nga grupi për mbledhjen në një vend të vetëm të talenteve si “Lane 8”, “Dusky” dhe “Yotto”.

Festivali kishte katër skena, ku skenat kryesore në mbrëmje ishin “Empire” dhe “Splendor” ndërsa skenat e gjatë ditës ishin “The Cove” dhe “Yacht Club”. Kishte edhe një vend të pestë të quajtur Gjipe për pjesëmarrësit që të shijonin muzikën.

Donnelly thotë se “Riviera Shqiptare është vërtetë një prej sekreteve të fundit të mbetura në Mesdhe”.

Ai tha se “turistë ndërkombëtarë kanë udhëtuar deri në këtë vend të vogël të mbushur plot plazhe magjepsëse që janë të gjitha të mrekullueshme për t’i kthyer në pista intime vallëzimi”.

“Ne shpresojmë të ndërtojmë një marrëdhënie të fuqishme me komunitetin lokal në vitet në vijim dhe po punojmë në një numër iniciativash në këtë drejtim, përfshirë punën me artizanë dhe tregtarë të zonës, duke kërkuar DJ shqiptarë të talentuar për të performuar dhe për të mbledhur fonde për fëmijët e fshatit SOS. Një bamirësi për t’u kujdesur për fëmijët në nevojë”, shtoi Donnelly.

Pjesëmarrësit e këtij festivali mundën të marrin pjesë në shumë aktivitete si meditime, seanca për fleksibilitet, joga dhe “gong baths” (qetësim nëpërmjet tingujve të një daulleje të madhe).

“Ajo që i bën Explorations unike janë qasja jonë gjithëpërfshirëse ndaj eventit dhe komuniteti i jashtëzakonshëm i fansave të Anjunadeep”, thekson Donnelly . /G.S/ KultPlus.com

Kalaja e Prizrenit do të mirëpres edicionin e nëntë të Ngom Fest

Edicioni i nëntë i festivalit Ngom Fest do të mbahet në datat 11-14 korrik në qytetin e Prizrenit.

Lokacioni i festivalit si gjithnjë vazhdon të mbetet Kalaja e qytetit të Prizrenit e cila edhe konsiderohet si pjesa më e bukur e këtij festivali.

Tashmë është publikuar edhe lista e artistëve vendorë e të huaj të cilët do të performojnë për tre net rradhazi në dy skena, “Main Stage” apo Skena Kryesore si edhe “Sunrise Stage” apo “Skena e Lindjes” së Diellit.

Festivali fillon me natën e muzikës Hip-Hop ku emri kryesor i kësaj nate do të jenë labeli P.I.N.T. Nata e dytë do të ju ndahet performimit të bendeve, ku do të ketë bende shumë të njohura vendore si Jericho e Offchestra si dhe bende të huaja si Ignore the Elephat dhe Exos. Ndërsa si gjithnje festivali do të përmbyllet me muzikë elektronike dhe emer kryesor i këtij viti do të jetë DJ i njohur anglez James Zabiela. Përpos emrave të njohur festivali jonë edhe kete vit do te vazhdojë t’i përkrah artistet e ri të cilët çdo vit kanë vend të veçantë në skenën tonë. / KultPlus.com

Vlerësohet kontributi i Skënder Gashit, i ndahet Medalja e Meritave

Nën organizimin e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës sot u mbajt mbledhje komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të çështjes kombëtare Skënder Gashit.

Me këtë rast, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i ka ndarë Medaljen presidenciale të Meritave.

“Kam pasur rastin që gjithashtu të njohë nga afër profesor Gashin dhe respektoj kontributin e tij për liri, pavarësi, në arsim, por edhe rolin diplomatik të tij. Roli i tij ishte i jashtëzakonshëm për shkencën shqiptare, afirmimin e Kosovës dhe në këtë aspekt duke respektuar meritat e Gashi, kam vendosur që të ndaj medaljen presidenciale të meritave”, deklaroi kreu i shtetit.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri tha se po ndahen nga një njeri që dha shumë për Kosovën.

“Sot jemi mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit profesorit i cilin edhe në Prishtinë edhe në Vjenë ia ka kushtuar jetën misionit si profesor dhe si veprimtar. Në emër të kryetarit Mustafa, të LDK-së, sot me mërzi i themi lamtumirën e fundit për të lënë testamentin që ta duam Kosovën, ashtu siç baballarët tanë, themeluesit e LDK-së e realizuan”, tha ai.

Profesor Rifat Blaku u shpreh se emri i profesorit Skënder Gashi nuk do të shuhet kurrë.

“Sot po ndahemi nga një punëtor i palodhshëm, nga një pedagog i mrekullueshëm. Veprat e të cilit shërbejnë si pikë referimi për studiuesit e ri. Me profesor Skënderin kam pasur fatin të bashkëpunojë dhe ishte njeri i urtë, modest, i kulturuar, por shumë i respektueshëm për të gjithë. Skënder Gashi në Vjenë bënte punë të jashtëzakonshme. Sot Kosovës po i shkëputet një yll i cili nuk do të shuhet kurrë”, tha ai.

Ndërsa, djali i profesorit Skënder Gashit, njëherësh zëvendëskryeministri i Kosovës, Dardan Gashi falënderoi të gjithë që kanë nderuar jetën dhe vlerën e babait të tij. “Një falënderim që e mundësuar që në shtëpinë e tij, në LDK, të nderohet edhe një herë”, u shpreh ai.

Skënder Gashi ka vdekur më 27 qerrshor në moshën 77 vjeçare. Gashi ishte lindur më 1942 në Mramor të Prishtinës, ai njihet si njëri prej studiuesve të zellshëm të albanologjisë.  Gashi ishte punonjës i Institutit Albanologjik të Prishtinës nga viti 1980 deri më 2003 dhe ka punuar si lektor i gjuhës shqipe në Vjenë. Atje edhe kishte botuar revistën shkencore “Dardania”.

Ndër veprat e tij më të njohura janë: “Fjalori toponimik kronologjik i Kosovës në vendbanime ekzistuese dhe vendbanime të zhdukura” në dy vëllime, ishte bashkautor i “fjalorit të fjalëve dhe shprehjeve popullore”, pastaj autor i veprës “Kërkime onomastike-historike për minoritete të shuara e aktuale të Kosovës”.