Dhuna

Poezi nga Erich Fried

Përkthyer nga Lis Bukuroca

Dhuna nuk fillon,

kur një njeri tjetrin ngulfat.

Ajo fillon kur njëri thotë:

“Unë të dua:

Ti më takon mua!“

Dhuna nuk fillon,

kur të sëmurët vriten.

Ajo fillon kur njëri thotë:

“Ti je i sëmurë:

Ti duhet të bësh atë që them unë.”

Dhuna fillon,

kur prindërit

sundojnë fëmijët e tyre të dëgjueshëm.

Dhe kur papët dhe mësuesit dhe prindërit

kërkojnë vetëpërmbajtje.

Dhuna sundon atje, ku shteti thotë:

“Për të luftuar dhunën,

nuk duhet të ketë më dhunë,

përveç dhunës sime.”

Dhuna sundon

ku dikush, apo diçka

është shumë e lartë,

ose shumë e shenjtë,

për t’u kritikuar.

Ose, ku kritikës nuk i lejohet të bëjë gjë

por vetëm të flasë.

dhe shenjtorët ose të mëdhenjtë

mund të bëjnë më shumë sesa të flasin.

Dhuna sundon aty ku thuhet:

“Ty të lejohet përdorimi i dhunës!“

Por edhe aty ku thuhet:

“Ty nuk të lejohet përdorimi i dhunës!”

Ligji Themelor i Dhunës

thotë:

“E drejtë është ajo që ne bëjmë.

Dhe çfarë bëjnë të tjerët

ajo është dhunë.”

Dhuna sundon atje,

ku ajo burgos kundërshtarët e saj

dhe shpif ndaj tyre

si nxitës të dhunës.

Dhuna ndoshta nuk mund kurrë

të mposhtet me dhunë,

por mbase jo gjithmonë

pa dhunë.

Ti

Aty ku nuk ka liri

je ti liria

Aty ku nuk ka dinjitet

je ti dinjiteti

Aty ku nuk ka ngrohtësi

Ku nuk ka afërsi të njeriut me njeriun

je ti afërsia dhe ngrohtësia

Zemra e botës së pa zemër

Buzët tua dhe gjuha jote

janë pyetje dhe përgjigje

Në krahët tu dhe në prehrin tënd

është diçka si qetësia

çdo e „detyruarpërtëikur“ prej teje

shkon te rikthimi

Ti je një fillim i së ardhmes

Zemra e botës së pa zemër

Ti nuk je një artikull besimi

dhe as filozofi

as rregullore dhe as pronë

në të cilën kapet njeriu

Ti je një njeri i gjallë

ti je një grua

dhe mund të lajthitesh dhe të dyshosh dhe meqenë e mirë

Zemër e botës së pa zemër

Erich Fried është lindur më 6 maj 1921 në Vjenë, vdiq më 22 nëntor 1988 në Baden-Baden, Gjermani. Ishte poet, shkrimtar, eseist dhe përkthyes gjerman nga Austria. Ka publikuar mbi dyzetë vepra me poezi, tregime, një roman dhe ese.

Ai konsiderohej në qarqe konservatore dhe të djathta si problematik. Një nga poemat më të famshme të tij është “Was es ist”, e cila konsiderohet si një model shembullor i poezisë moderne dhe është bërë pjesë integrale e librave të leximit, në të cilat bëhet fjalë për dashurinë.

Veprimtaria e tij ngërthen kryesisht vargje lirike. Fried konsiderohet një nga përkthyesit më të rëndësishëm të Shekspirit, pasi ai arriti për herë të parë të transferonte lojërat e fjalëve dhe neologjizmat e dramaturgut anglez me kuptim të plotë.

Përkujtohet Arbën Xhaferi, shtatë vjet pas vdekjes

Sot mbushen shtatë vjet nga vdekja e ish-kryetarit të PDSH-së në Maqedoni, Arbën Xhaferi.

Ai u nda nga jeta në moshën 64-vjeçare, pasi vuante nga sëmundja e Parkinsonit, e cila ishte edhe arsyeja e tërheqjes së tij nga politika. Ishte deputet i Parlamentit të Maqedonisë që nga viti 1994, ku synonte krijimin e një sistemi dy dhomësh në institucionin ligjvënës. Në kohën e konfliktit të armatosur në vitin 2001, partia e tij ishte në pushtet.

Ishte një nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit, por me zvarritjen e zbatimit të saj, ai synonte një marrëveshje të re midis shqiptarëve dhe maqedonasve.

Arbën Xhaferi u lind në Tetovë më 24 janar 1948. Ka punuar në redaksinë e Kulturës të Televizionit të Prishtinës dhe në fillim të viteve 90, ishte rikthyer për të jetuar në Tetovë, ku në vitin 1994 themeloi Partinë për Prosperitet Demokratik Shqiptar, e cila më pas ndryshoi emër në Partia Demokratike Shqiptare.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një shkrimi në Facebook bashkëngjitur një foto me të, ka thënë se ai ka lënë gjurmë në historinë shqiptare, dhe jo vetëm si politikan.

“7 vjet më parë u nda nga jeta miku im, Arbën Xhaferri, i cili ka lënë një gjurmë të madhe në historinë shqiptare jo vetëm si politikan, por edhe si shkrimtar, gazetar dhe intelektual i shquar. Arbën Xhaferi kujtohet me mirënjohje për aktivitetin e tij patriotik duke u angazhuar me përkushtim çështjes kombëtare gjatë gjithë jetës së tij. Ai njihet gjithashtu edhe për punën e palodhur që ka bërë në kultivimin e vlerave të lirisë e demokracisë duke këmbëngulur që kombi ynë të mbaj orientimin gjeopolitik drejt Perëndimit”, ka shkruar Veseli.

Image

E ka kujtuar edhe kryeministri i dorëhequr, Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se “Arbën Xhaferi shënon kthesë në avansimin e të drejtës shqiptare!”.

“Arbën Xhaferi ishte personaliteti që gjithë jetën e tij ia dedikoi kauzës sonë, të drejtave të ligjshme të popullit tonë. Sot në përvjetorin e shtatë të vdekjes së tij, Arbën Xhaferin e kujtojmë si veprimtar, atdhetar dhe politikan, që dëshmoi se identiteti ynë, e drejta jonë, peshojnë më shumë se çkado tjetër në jetën e njeriut. Lider i pakompromentuar dhe me ideale të larta, Xhaferi do të kujtohet përherë si mendimtar i lirisë, që u bë zë dhe udhërrëfyes i shumë brezave”, ka shkruar Haradinaj. / Koha.net/ KultPlus.com

“Jetë nuk do të thotë të kesh dhe të marrësh, por të jesh dhe të bëhesh”

Myrna Loy ishte aktore amerikane e filmit dhe televizionit. Ajo u stërvit edhe për balerinë, por më pas iu përkushtua karrierës së aktrimit duke marrë disa role të vogla në filmat pa zë.

Si aktore, Loy, ishte tipike për rolet ekzotike. Fama e saj nisi kur luajti rolin e Nora Charlesit në filmin “The Thin Man”.

Në vitet 50’ ajo u shfaq me një rol në komedi dhe në dramë. Midis viteve 60’dhe 81’ Loy u paraqit në tetë filma, pas së cilëve u tërhoq nga aktrimi.

Ajo mori Çmimin e Nderit nga Akademia, për kontributin e saj në ekran dhe jashtë tij. Po ashtu kontribuoi për Kryqin e Kuq gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në moshën 88-vjeçare vdiq në Nju-Jork.

Loy përveç si aktore dhe aktiviste është e njohur edhe për thënien, të cilën KultPlus jua sjellë më poshtë. /KultPlus.com

“Jetë nuk do të thotë të kesh dhe të marrësh, por të jesh dhe të bëhesh”

EtnoFest shpalos programin e edicionit të tij të nëntë

Festivali i arteve dhe i kulturës ETNOFEST, rikthehet edhe këtë vit me edicionin e tij të nëntë, ku si çdoherë zë vend në etnokompleksin e fshatit Kukaj, nga datat 20 deri më 25 gusht, shkruan KultPlus.

Edhe në këtë edicion, pritet të mblidhet një numër i madh i njerëzve në ambientin ku përherë merr frymë ky festival kulturor, duke shpalosur kështu para tyre gjërat më të bukura që janë të përgatitura për pjesëmarrësin.

Ky festival ka nisur në një mënyrë mjaft interesante. Në vitin 2009, në fshatin Kukaj (një fshat me vetëm tre shtëpi banimi) xhirohej filmi “Gomarët e kufirit” ku pas përfundimit të xhirimeve, aktori Bislim Muçaj, i mrekulluar nga pamjet magjike të këtij fshati të braktisur e bleu një shtëpi rrënojë dhe e ftoi shokun e tij, profesorin e artit skenik, Fadil Hysaj që ta vizitojë këtë fshat. I magjepsur me bukurinë e këtij fshati, Fadil Hysaj e blen një tokë me shtëpi të cilën e veshë me gurë, ndërsa një shtëpi e vjetër që atëkohë përdorej si ahur për kafshë, në vitin 2010 do ta kthehej në Etno Teatrin e parë në Kosovë. Duke e bërë kështu Etnofestin një ngjarje të përvitshme, ku kultura dhe tradita shqiptare bashkëveprojnë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ky festival që për shumë njerëz është shndërruar në të preferuarin e tyre, tashmë ka shpalosur edhe programin e plotë për këtë edicion. KultPlus ju sjell më poshtë oraret e plota. / KultPlus.com

DW: Memoriali turk veprim i nxituar që mund ta cenojë integrimin

Qytetarë të Tiranës kërkojnë heqjen nga Parku Publik të Memorialit për të rënët turq në grushtin e shtetit 2016 në Turqi. Analistë të pavarur në Tiranë e shohin ngritjen e Memorialit si një veprim të nxituar.

Memoriali qëndron që prej një muaji në Parkun e Madh të Tiranës, pranë Liqenit Artificial. Në një pllakë prej betoni, janë gdhendur emrat e 251 të rënëve që kontribuan në dështimin e grushtit të shtetit të 15 korrikut 2016 në Turqi, kundër qeverisë së Presidentit Erdogan. Rrugës që të ҫon tek Memoriali i është dhënë emri “Rruga e Dëshmorëve të 15 Korrikut” dhe zona e parkut ku është ngritur Memoriali, me investimin financiar të Agjensisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, (TIKA) është quajtur “Parku i Demokracisë së 15 Korrikut”.

Ky memorial nuk na përket neve

Të martën, (13.08.2019) qytetarë të Tiranës kërkuan heqjen e Memorialit dhe 2 emërtimeve të reja. Në një peticion online të shoqërisë civile, të inicuar nga organizata “Change” grushti i dështuar i shtetit në Turqi quhet ”një ngjarje që nuk ka asnjë domethënie apo rëndësi historike, kulturore dhe shpirtërore për qytetarët e Tiranës”.

Peticioni vjen pas përdhosjes ditët e fundit të Memorialit nga persona ende të paindentifikuar nga policia. Sipas burimeve zyrtare nga policia, ata kanë hedhur mbi Memorial letër higjienike dhe kanë shkruar,”Respekt për këdo që nuk jeton më, por ky Memorial nuk na përket neve”.

Memoriali dhe emërtimet – një “Fait Accompli” – punë e mbyllur

Që Memoriali u inagurua në mes të muajit të kaluar u bë e ditur për opinionin publik ditët e fundit nga media lokale në sajë të njoftimit dhe fotove të publikuara nga ceremonia e rastit në website dhe median sociale të Ambasadës Turke në Tiranë. Autoritetet e Tiranës kanë evituar dhënien e shpjegimeve lidhur me ngjarjen. PD dhe opozita jashtë parlamentare, në sulm të pandërprerë kundër qeverisë Rama, hesht. Një përfaqësues i saj mori pjesë në ceremoninë e inagurimit të Memorialit, organizuar nga Ambasada Turke në Tiranë.

Heshtja e autoriteteve për Memorialin dhe dy emërtimet e reja, një muaj më parë, pikërisht në 3 vjetorin e grushtit të shtetit kanë ngjallur debate dhe kundërshtim publik që kulmuan të martën me peticionin. Përfaqësues nga organizatorët e peticionit thanë të mërkurën për Deutsche Welle, se “ngritja e Memorialit përbën një “Fait Accompli” dhe është marrë me një vendim të fshehtë nga opinioni publik”.

“Vendimi sekret për të përjetësuar një ngjarje të brendshme turke është marrë në shkelje të ligjeve të Shqipërisë dhe të rregullave të Bashkisë Tiranë. Vendimi është marrë pa asnjë dëgjesë apo konsultim publik, duke u mohuar qytetarëve të Tiranës të drejtën për t’u shprehur për të. Memoriali dhe dy emërtimet nuk kanë mbështetje apo pranim të gjerë shoqëror nga qytetarët e Tiranës. Memoriali nderon 251 qytetarë turq, që u vranë për mbrojtjen e presidentit Erdogan gjatë atij që u quajt grusht shteti i 15 korrikut 2016 në Turqi”, theksohet në peticion.

Memoriali, kleriku Gülen dhe lëvizja e tij në Shqipëri

Si organizator për grushtin e shtetit, të 3 viteve më parë, Presidenti turk Erdogan ka fajësuar kundërshtarin e tij politik, klerikun Fetullah Gülen dhe lëvizjen e tij, të klasifikuar nga qeveria turke, pas grushtit të shtetit si “organizatë terroriste”, e njohur me inicialet FETO, që sipas autoriteteve turke ka veprimtari edhe në Shqipëri.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Yӧrük në fjalën e tij përshëndetëse për shfaqjen në Tiranë të filmit dokumentar “The Network”, me temë veprimtarinë e FETO, tha se “FETO vazhdon të ketë praninë e saj në Shqipëri kryesisht në arsim, ҫështje të fesë dhe në shëndetësi. Sa më shumë të thellohet prania e FETO në Shqipëri, aq më i madh do të jetë dëmi i saj për qytetarët e Shqipërisë.”

Filmi u shfaq në prag të inagurimit të Memorialit, në institutin “Yunus Emre”, sipas emrit të poetit turk të shek. 14, ithtar i islamit mistik. Lëvizja Gylen predikon në rrjetin e kolegjeve private turke te ngritura me fondet e klerikut Fetullah Gylen në Shqipëri një islam tolerant dhe reformator. Kolegjet janë të fokusuara në matematikë dhe shkenca e këto shkolla vazhdojnë të funksionojnë në Shqipëri, pavarësisht kërkesës që Erdogan u drejtoi autoriteteve të Tiranës për t’i mbyllur, kur vizitoi Shqipërinë pas grushtit të shtetit, në tetor 2015.

Një deklaratë e Ministrit të Brendshëm të Turqisë, Süleyman Soylu, që vizitoi Tiranën, pak ditë pas inagurimit të Memorialit, bëri me dije se në bisedimet me kryeministrin Rama vuri re “përkushtimin e Shqipërisë në luftën kundër të gjitha organizatave terroriste përfshirë edhe FETO”, ngre pyetjen, nëse ky përkushtim do të ketë të bëjë ose jo me institucionet arsimore private të hapura nga Gulen në Shqipëri.

Investimet turke dhe orientimi perëndimor i Shqipërisë

Turqia vlerësohet si një partner strategjik i Shqipërisë. Investimet turke, sipas burimeve zyrtare të Ambasadës së Turqisë, në Tiranë, arrijnë në 3 miliardë dollarë.

435 kompani turke veprojnë në Shqipëri. Volumi tregtar vjetor mes dy vendeve është 500 milionë dollarë dhe Turqia synon ta dyfishojë, në 1 miliardë dollarë. Në vizitën që bëri në Tiranë vitin e kaluar, ministri i jashtëm turk, Çavuşoğlu, tha se për të arritur këtë rritje “duhet që dy vendet të përditësojmë Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë dhe intensifikojmë bashkëpunimin ndërkombëtar, atë ekonomik, ushtarak si edhe investimet në ndërtimin e aeroporteve, bujqësi, shëndetësisë”.

Memoriali – veprim i pamatur

Në këtë kontekst intelektualë dhe analistë të pavarur të Tiranës e shohin ngritjen e Memorialit si një veprim të nxituar për çështje të brendshme politike të Turqisë, një veprim të pamatur pragmatist në këmbim të rritjes së investimeve turke në Shqipëri.

Akademiku i njohur në Tiranë, Artan Fuga, në një postim në median sociale për këtë ҫështje shkruan se “Shqipëria merr pozicion politik për një çështje politike të brendshme në shtetin mik turk”.

Nën këtë këndvështrim zotërues, Memoriali nuk konsiderohet një zhvillim që mund të cënojë procesin e pakthyeshëm të orientimit perëndimor të Shqipërisë, ku 95% e qytetarëve janë pro hyrjes në BE dhe ku NATO ka filluar investimin prej 50 milionë dollarësh për të ngritur Bazën Ajrore të Kuҫovës, e para në Ballkanin Perëndimor. Por për BE dhe vendimin që do të marrë ajo në tetor për hapjen ose jo të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë ky veprim është një sinjal për t’u patur në vëmendje. /KultPlus.com



Placido Domingo akuzohet për ngacmime seksuale, reagon Ramë Lahaj

Placido Domingo po përballet me akuza të ngacmimit seksual, por publiku amerikan e kishte dënuar edhe para se të fillonin hetimet ndaj legjenda së operës.

AP ka publikuar deklarata e tetë këngëtarëve, valltareve dhe individë të tjerë që e akuzuan tenorin spanjoll për ngacmim, puthje të pahijshme dhe sjellje të tjera të padëshiruara. Megjithatë, deri më tani, askush nuk duket se ka paraqitur prova të qarta për pretendimet e tyre.

Në të njëjtën kohë, lajmi ka bërë një bujë të vërtetë dhe vetëm disa orë pas lajmeve, Opera e San Francisko ka anuluar performancën e tij në shtator. Ata ishin pak më të kujdesshëm në lidhje me Operën e Los Angelesit, duke thënë se do të hapnin një hetim.

Megjithatë, ndryshe nga publiku amerikan, shtëpitë e operave në Evropë nuk po arrijnë në përfundime të shpejta. Deri më tani, askush nuk ka marrë vendim që të anulojë performancat e Domingos duke përfshirë edhe qytetet si Milano, Cyrih e Londra. Disa nga kolegët e Domingos në Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk janë të befasuar nga këto akuza dhe se duhet të “lihet të sharroj”. Nga ana tjetër, evropianët janë më të kujdesshëm dhe disa prej tyre i kanë dalë në mbrojtje.

Ndryshe, kujtojmë se spanjolli është mik i mirë edhe me tenorin tonë, Ramë Lahajn, ku në disa raste edhe kanë performuar së bashku në operat ndërkombëtare. Për këtë rast Lahaj ka reaguar përmes një statusi në Facebook duke i dalë në mbrojtje mikut të tij. Ai pohon se të gjithë ata që e njohin Domingon e dinë që një gjë e tillë nuk është e vërtet sepse ai është babai i mirë, që në mënyrë specifikë kujdeset për të gjithë.

“Jetojmë në një kohë të çuditshme, ku mjafton t’i mbledhësh, 2 apo 3 shoqe e të akuzosh dikë për gjëra të pabazuara, edhe krejt farë lehtë mund të vësh në mëdyshje personalitetin e dikujt. Kjo po ndodh edhe me Maestro Domingon. 
Nuk di nëse ka artist në botën e operës të këtë pas sado pak talent e të mos jetë mbështetur nga Maestro Domingo. 
Për të gjithë, që kishim fatin ta takojmë e të punojmë me të, e dimë mirë se çfarë personaliteti ka ai dhe kush është ai. Lirisht mund të them për të gjithë ne artistët e rinj, ai është Baba i mirë, që në mënyrë specifike është kujdes për secilin prej nesh. 
Maestro, ti je heroi ynë, ti je shembull dhe po ashtu modeli më i mirë i të gjitha kohërave. 
Ne të duam dhe e dimë mirë se kush je, do të të mbështesim deri në frymën e fundit”, ka shkruar Rame Lahaj. / KultPlus.com

Filmi që Xhuvani po xhironte në Itali

Pasi kishte mbaruar xhirimet e filmit “Liqeni im” në Shqipëri, në fund të vitit të kaluar, GJergj Xhuvani – edhe pse vuante nga sëmundja e diabetit – në këtë vapë gushti s’e ndali punën. Regjisori I njohur ndërroi jetë në sheshxhirim në moshën 56-vjeçare, nga një sulm në zemër! Ndërroi jetë pikërisht në sheshxhirimin e filmit “Liqeni im” që po bënte në shtetin italian.

Filmi me skenar dhe regji të vetë Xhuvanit kishte marrë mbështetjen e Eurimages dhe kishte nisur xhirimet në dhjetorin e vitit të kaluar si një bashkëprodhim me Italinë dhe Maqedoninë, ndërkohë që kishte mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Regjisori që vuajti me problemet e të birit, i cili u fut në një rrugë pa krye dhe përfundoi në burg për vrasje, e ndjeu si mision që filmin t’ua kushtonte adoleshentëve që janë në udhëkryqin e jetës së tyre, me moralin që t’i kthehen jetës së thjeshtë e të ndershme.

“Liqeni im” rrëfen historinë e një djaloshi inteligjent, të quajtur Kristo. Ai, i ulur në bankën e tij në klasë, mendon për kuptimin e fjalisë “Liqeni im” të shkruara në tabelë nga mësuesi i tij.

“Liqeni mund të na jap të gjitha, nëse ne dimë sesi ta pyesim”, shkruan Kristo.

Ai pastaj shikon nga dritarja dhe kujton ngjarjet të cilat kanë ndodhur në muajt e fundit. Djaloshi i ri Kristo jeton në një fshat afër liqenit të Prespës, një lumë i ndarë në tri shtete: Shqipëri, Maqedoni dhe Greqi. Kristo, pronari i një varke të vogël peshkimi, përfiton nga kjo situatë gjeografike dhe transporton drogë nga Shqipëria në Maqedoni. Ai rritet duke adhuruar dy shitës droge me të cilët punon – Ismailin dhe Paskon.

Ndryshimet fillojnë në jetën e Kristos, pasi nis të ndjejë dashuri për mësuesen e tij të zgjuar, Mirandën. Ismaili merr vendim fatal, dëshiron që të mbizotërojë tregtinë e drogës që po ndodh në liqe. Kristo rrihet keq, kurse Paskos i ngrihet një kurth nga Ismaili teksa policia është në pritë të tij. Pasko vritet e, në kaosin që po ndodh, nëna e tij vdes dhe gruaja e tij largohet nga vendi. Kur komuniteti i vogël i peshkatarëve beson që Kristo është fajtor për vdekjen e Paskos, e kupton se Ismaili duhet të ndalet. Kristo hakmerret duke i vënë flakën një anije që bartte drogë, një aksident ky që sjellë vdekjen e Ismailit. Për t’i thënë lamtumirë të kaluarës së tij kriminale, Kristo u vë flakën parave të udhëheqësve të drogës.

Historia përfundon ashtu si fillon me Kriston, i cili kompleton esenë mbi atë se çfarë liqeni mund t’u jap atyre që dinë se çfarë t’i kërkojnë. /KultPlus.com




DokuFest bëhet festival kualifikues për në BAFTA

Festivali Ndërkombëtar i Filmit dokumentar dhe atij artistik, DokuFest i cili këtë vit mbajti edicionin e tij të tetëmbëdhjetë, tashmë ka marrë një vlerësim shumë të rëndësishëm, shkruan KultPlus.

DokuFest tashmë është bërë festival kualifikuar në Bafta Film Awards, duke u bërë kështu i vetmi festival në Ballkan me një mundësi të tillë.

Ky është një lajm i mrekullueshëm për organizatorët e festivalit të cilët edhe e kanë shpërndarë njoftimin në Facebook duke u shprehur të entuziazmuar.

BAFTA Film Awards është një shfaqje vjetore e çmimeve, të cilën e organizon Akademia Britanike e Filmit dhe Arteve Televizive, për të nderuar kontributet më të mira britanike dhe ndërkombëtare në film.

DokuFest u themelua në 2002 nga një grup miqsh, që nga ajo kohë është zgjeruar aq shumë saqë tashmë është një ngjarje kulturore e cila tërheq artistë dhe audiencë ndërkombëtarë dhe rajonalë. / KultPlus.com

Gjendet koleksioni i artefakteve besëtyte 2000-vjeçare

Për rreth 1940 vjet kishin mbetur të mbuluar nga toka dhe lava e ftohur e vullkanit Vezuv.

U zbuluan rastësisht, duke i treguar botës që edhe në kohën e romakëve, besëtytnia ishte jo vetëm e pranishme, por pjesë e pandarë e përditshmërisë.
Me dhjetëra statuja, medalje dhe elemente dekorative të tjera janë gjetur në parkun arkeologjik të Pompeit, në Itali, gjatë punimeve për restaurimin e një vile romake.

Me format nga më të ndryshmet, nga kafkat tek simbolet seksuale dhe deri tek ato fetaret, stolitë janë gjetur brenda një kutie dhe përfaqësojnë së bashku një koleksion të rrallë elementësh që banorët e hershëm, në veçanti gratë, përdornin kundër fatit të keq.
Disa prej tyre janë gurë të çmuar, disa të tjerë të gdhendur mbi materiale kockore ose në bronz.
Pompei u mbulua tërësisht nga hiri dhe lava e vullkanit Vezuv në vitin 79, duke shkatërruar qytetin e rëndësishëm romak i cili u zhduk për shekuj së bashku me gjithë thesaret e saj, që shpesh herë janë mbajtur në një gjendje perfekte./koha.net/ KultPlus.com

Arelena Shala zgjedhet rreshtere majore në Akademinë ushtarake West Point në SHBA

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se vajza kosovare, Arelena Shala është përzgjedhur rreshtere majore në Akademinë Ushtarake West Point, që është institucioni më elitar në SHBA.

Çitaku ka bërë të ditur se kadetët që dalin nga kjo akademi udhëheqin jo vetëm me ushtrinë, por edhe me shtetin. Procedura e rekrutimit është tepër rigoroze. Vetëm më të mirët kanë privilegjin të shkollohen aty.  

“Kosova është e nderuar që ka dy kadet që po shkollohen aty. Janë pranuar me merita vetanake. E sot, mu mbushën sytë me lot nga gëzimi kur pashë lajmin që vajza jonë Arelena Shala është përzgjedhur rreshter majore e komandës së Regjimentit në Akademinë West Point! Mes 4400 kadetëve elitar, Arelena jonë shndritë si yll! Zemra mal!”, ka shkruar Çitaku. / KultPlus.com

Për Gjergj Xhuvanin: Dhimbjet e mëdha të shpirtit janë më të mëdha se ato të trupit

Nga Luan Rama

Gjergj Xhuvani…
Kohët e fundit e mendoja veten si të isha ai. Dhimbjet e mëdha të shpirtit janë më të mëdha se ato të trupit. Mund të thuash se ishte kjo dhimbje ajo që e mundi çdo ditë e më shumë gjer në frymën e fundit, edhe pse miku ynë i mirë, regjisori i talentuar e donte jetën tmerrësisht, jo thjesht jetën për të jetuar, por një jetë për të krijuar, pasi nëse kishte diçka që e mbante në këtë botë ishte pikërisht filmi, sheshi i xhirimit ku shpirti i tij u bashkua me një shpirt tjetër, kinematografia, pa të cilën ai s’mund të jetonte. Ishte arti, syri në kamera për të parë botën reale dhe për të krijuar pastaj fiksionin, jetën paralele, atë të mirën, përkundrejt asaj kaotike, aq të ashpër, dramatike, sfidante, të padurueshme, klithëse. Ishte krijonjës i së mirës, siç ishte i tillë vështrimi i tij disi flegmatik në pamje të parë por që kur rrije pak me të bëhej nga më njerëzorët, shkëlqente nga drita. Gjergj Xhuvani më kujtonte gjithnjë regjisorin Jean Renoir, autorin e filmit “Le Grand Illusion”, një «bonhomme», ndërtuar nga mirësia, që i pëlqente të pinte verë, të hante mirë, të krijonte paqe rreth tij, e pse jo, të ëndërronte. Ky ishte Gjergji ynë. E kisha parë që adoleshent në krah të atit të tij, skenaristit dhe shkrimtarit të njohur, kolegut tonë Dhimitër Xhuvani. Pastaj u takuam në festivalin e filmit në Kanës kur vinte me Ylljet Aliçkën të prezantonin filmin «Parrullat» që pati jehonë në atë festival. Më kujtohet që për të hapur diskutimet i bëra një pyetje në konferencën e shtypit me gazetarët. Gjergji fliste pak për veten, mendonte shumë. Të donte me vështrimin e tij. Ishte i lumtur, por ishte e habitshme thjeshtësia e tij, gati proverbiale. Më pas, me ardhjet e tij në Paris, Gjergji jetonte me kinemanë, të dashurën e tij. Dukej si një bohem në rrugët e Parisit, në sheshin e Bastijës dhe zonën e Chatelait, në takimet aq të ngrohta me kineastët francezë në studiot e montazhit apo para një gote verë. Kishe dëshirë të ishe në tavolinë me të, të bisedoje për artin. Nga Kana në tragjedinë e jetuar dhe rrugën që nisi së fundi, të ngjiste ngadalë për të dalë në një ditë të dielltë dhe rijetuar me filmin, për filmin, rruga e tij qe mjaft e shkurtër. Si një fluturim i ndërprerë, si ajo shqiponja e plagosur lart në qiell dhe që papritur bie e përplasur në tokë nga lartësitë e mëdha. Një rënie që përfundon me atë që mund të quhet në kinema «fondu dans le noir» (një shkrirje në errësirë), e pastaj në një «stop-kamera». E megjithatë, ky artist e la gjurmën e tij në artin e kinemasë shqiptare. Dhe kjo gjurmë do na jetë e çmuar, gjithnjë. Në fund te fundit dhe jeta është një fiksion… / KultPlus.com

Ndërtohet ura për të vizituar kështjellën që legjendat e ndërlidhin me mbretin Artur

Pas më shumë se 500 vjetësh, është inauguruar në Cornwall një urë e re për të shkuar në kështjellën e Tintagelit, që thuhet se ishte e mbretit mitik anglez, Artur.

The English Heritage – enti publik britanik që merret me trashëgiminë kulturore kombëtare – ka mbledhur pesë milion stërlina për të realizuar këtë vepër që do të lidhë dy pjesët e kështjellës që ndahen mes tyre nga një grykë dhe që i jep mundësinë turistëve të arrijnë në këtë zonë më me lehtësi.
Ura e vjetër e ndërtuar në shekullin XIII u shemb më 1500 dhe që atëherë nuk u ndërtua më. Ura e re e ndërtuar prej hekuri dhe druri është ndërtuar në lartësinë e 60 metrave. /telegrafi/ KultPlus.com

“Drejtori misterioz” te filmi i ri “Fast & Furious” mund të jetë Inteligjenca Artificiale

“Fast & Furious: Hobbs & Shaw” aktualisht po shfaqet nëpër kinematë dhe nëse e keni parë atë, e dini që ky episod po e çon këtë franshizë më shumë kah zhanri fantastiko-shkencor.

Në këtë episod, rolin kryesor negativ (Brixton) e ka aktori i famshëm, Idris Elba, por kërcënimi kryesor është organizata “Eteon”, e udhëhequr nga “Drejtori misterioz” të cilin s’mund ta shohim, por vetëm ta dëgjojmë përmes zërit të shtrembëruar (që e flet Ryan Reynolds).

Ende nuk dihet se kush është “Drejtori misterioz”, por regjisori David Leitch ka folur në lidhje me këtë.

Duke folur për “Empire”, Leitch tha: “Unë e di se kush është. E kemi mbajtur atë nën ‘ambalazh’ dhe mendoj se kjo ka ardhur për arsye se ndoshta po dëshirojmë ta ndryshojmë se kush është ‘Drejtori’. Por, a mund të jetë person? Po. A mund të jetë AI (Inteligjenca Artificiale)? Po. Mund të jetë shumë gjëra”.

Sipas spekulimeve më të fundit, “Drejtori” mund të jetë Keanu Reeves – e kjo do të ishte një shtesë interesante në franshizën “Fast & Furious”.

Duke u zgjeruar në mendimet e tij të shumta rreth AI-së, regjisori shtoi: “A do të jetë teknologjia fundi ynë? Doja të mbaja organizatën nën hije, në kuptimin e asaj që ne mund ta ndërtojmë atë në të ardhmen, por kemi të bëjmë shumë me teknologjitë e avancuara, me AI-në, me temat klasike në filmat fantastiko-shkencorë”.

“Kemi aftësinë të bëjmë gjërat që janë speciale dhe kreative, gjëra që një kompjuter kurrë nuk do të mund t’i bëjë. Përndryshe, ne do të konsumohemi. E kjo është ajo gjëja negative aktualisht”, përfundoi ai. /KultPlus.com

“Arrestohet Statuja e Lirisë”, vepra artistike e Izaac Zevalkingut

Murali i Statujës së Lirisë, e prangosur dhe përplasur në kofanon e veturës së policisë, është duke tërhequr vëmendjen në qendër të Las Vegasit, një ditë pasi zyrtari i lartë i Administratës së Trumpit për Imigrim sugjeroi që mbishkrimi i famshëm i Statujës të ndryshohet.

Nën pseudonimin “Propaganda e Ricikluar”, artisti dhe imigranti britanik Izaac Zevalking ka pikturuar këtë mural në fund të muajit të kaluar, para se kreu i Shërbimit për Shtetësi dhe Imigrim Ken Cuccinelli, me shaka, sugjeroi të ndryshohet mbishkrimi i Emma Lazarusit të gdhendur në Statujën e Lirisë me: “M’i sillni të lodhurit dhe të varfrit tuaj që mund të qëndrojnë në të dy këmbët e tyre dhe të cilët nuk do të bëhen ngarkesë publike”, shkruan “The Guardian”.

“Qëllimi im për atë që bëra me Statujën e Lirisë është që të provoj dhe vizatoj analogjitë me të kaluarën e Amerikës, si është themeluar dhe si është ndërtuar kryesisht nga imigrantët, për të bërë me të vërtetë një analogji nga kjo kështu që njerëzit mund ta zbatojnë atë te shoqëria dhe çështjet bashkëkohore pak më shumë”, ka thënë Zevalking për KTNV.

Për sugjerimin e Cuccinellit, zyrtarët e Administratës kanë kërkuar që të ulet rëndësia e tij.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller, tha se “nuk do të kyçet në debat historik këtu” , transmeton Koha.net. Por ai shtoi: “Statuja e Lirisë është një simbol i lirisë amerikane që ndriçon botën. Poema të cilës i referoheni u shtua më vonë dhe në fakt nuk është pjesë e Statujës origjinale të Lirisë”.

Megjithatë, propozimi për ndryshimin e mbishkrimit të famshëm lidhet me ndryshimin e javës së kaluar në politikën e Administratës ndaj imigrantëve që kërkojnë statusin e qëndrimit të përhershëm apo të “Green Card”-ës. Sipas ligjeve të reja, shërbimet e imigracionit do të kenë të drejtën të refuzojnë aplikantët që kanë kaluar më shumë se një vit duke marrë ushqim dhe mjekim falas apo shërbime tjera publike pa pagesë.

I pyetur se cilët imigrantë do të mirëpriten në Shtetet e Bashkuara, Cuccinelli tha: “Të gjithë imigrantët që mund të qëndrojnë në të dy këmbët e tyre, të pavarur – ashtu si në traditën amerikane”.

Por, kritikët e ligjeve frikësohen se ligjet e reja do të përdoren për të parandaluar imigrantët e varfër të shkelin ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara. /KultPlus.com

Politikanët e sotëm kosovarë duhet të skuqen nga figura madhore e Hasan Prishtinës

Historiografia shqiptare duhet ta rishikojë rolin dhe vendin e Hasan Prishtinës në lëvizjen kombëtare dhe shtetndërtimin, siç duhet ta rishikojë edhe rolin e Kosovës në këtë proces nga Kriza Lindore, veçmas nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e këndej, duke e parë atë si qendër të saj dhe jo si periferi tragjike.

Ndërsa politikanët e sotëm të Kosovës, që shtetin e kanë kthyer në plaçkë, duhet të skuqen nga referimi kësaj figure madhore që shkriu gjithë çfarë pati dhe jetën për çështjen kombëtare. /KultPlus.com

Romani i parë në botë

I shkruar njëmijë vjet më parë, tregimi epik i Japonisë së shekullit XI, “Përralla e Genjit”, u shkrua nga një grua – Murasaki Shikibu. I njohur ndryshe si romani i parë në botë, aty pasqyrohet jeta dhe romanca e Hikaru Genjit. Ndikimi i kësaj vepre ishte i madh anembanë globit.

Më 1925 është përkthyer nga Arthur Waley dhe është analizuar nga Virginia Woolf për revistën “British Vogue”. Përkthimi i fundit anglisht i ka 1,300 faqe.

“Është vepër monumentale e letërsisë”, thotë Melissa McCormick, profesoreshë e Artit dhe Kulturës Japoneze në Universitetin e Harvardit. “Murasaki Shikbu shkruante në mënyrë e tillë letrare që, në kohën e saj, ishte mjaft e denigruar. Dikur letërsia perceptohej si më e ulëta në hierarkinë e zhanreve. Por, pavarësisht se ishte roman dhe pavarësisht se u shkrua nga një grua, ‘Përrallat e Genjit’ ishte arritje e madhe, për çka merrej seriozisht”. /Telegrafi /KultPlus.com

Përfundon restaurimi i tri objekteve të kultit në Berat

Restaurimi i objekteve të kultit në Berat po vijon me ritme të shpejta dhe gjatë këtyre ditëve. Në tri xhamitë e qytetit restaurimi i tyre është drejt përfundimit, në Teqen e Helvetive ka përfunduar restaurimi i çatisë, ka përfunduar edhe ndërhyrja në çatinë e xhamisë së Beqareve gjithashtu është drejt përfundimit edhe çatia në xhaminë Mbret.

Ndërhyrja në këto xhami është bërë nga specialistët e DRKK Berat është bërë në mënyrë të imtësishme duke ruajtur teknikën origjinale pra duke ruajtur vlerën e tyre historike.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat, Eugen Kallfani shprehet për këto punime se, “pas përfundimit të restaurimit të çatisë së Teqesë së Helvetive, përfundon edhe ndërhyrja në çatinë e xhamisë së Beqarëve dhe është drejt përfundimit edhe çatia në xhaminë Mbret. Kujdes i veçantë në ruajtjen e materialit të vjetër, atje ku është e mundur trarët dhe elementët drusorë të çatisë janë ruajtur, tjegullat janë hequr me kujdes, janë seleksionuar, larë dhe pastruar pa ja dëmtuar patinën origjinale e plot sharm që dekadat i kanë falur”.

Restaurimi i këtyre objekteve kulti është një vlerë e shtuar gjithashtu dhe për turizmin pasi këto vende tashmë janë kthyer në destionacione mjaft të pëlqyera nga turistët e huaj që pëlqejnë turizmin religjioz si dhe gjithashtu tregojnë vlerën e madhe të vendit tonë siç është toleranca fetare. /KultPlus.com

Shtatori me befasi, pianisti shqiptar Redi Llupa dhe violonçelisti argjentinas me koncert në Tiranë

“Diaspora Artistike dhe Shkencore – SHBA”, është koncerti që do mbahet në Tiranë më 8 shtator ku do të interpretojnë pianisti shqiptar Redi Llupa dhe violonçelisti argjentinas Juan Sebastian Delgado.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko i cili thotë se ky aktivitet kulturor vjen si bashkëpunim mes ministrisë së Shtetit për Diasporën dhe Akademisë së Shkencave së Shqipërisë.

Pianisti Llupa ka interpretuar në skenat muzikore të Europës, Amerikës Veriore dhe Jugore dhe të Azisë duke promovuar muzikën dhe kompozitorët shqiptarë, ndërsa Delgado është i njohur për interpretimin e muzikës bashkëkohore.

Më herët, në 2015 pianisti i talentuar Redi Llupa ka çelur edicionin e tretë të Festivalit Ndërkombëtar me koncert-Leksion në universitetin e Arteve. /KultPlus.com

Regjisori Kulla uron që sa më shpejtë të fillojnë punimet për Teatrin e ri Kombëtar

Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendjen e publikut qëndrimin e regjisorit, diplomatit dhe profesorit të mirënjohur Pëllumb Kulla që i shtohet zërave të shumicës së artistëve për ndërtimin e një godine të re të Teatrit Kombëtar.

“Për më shumë se 70 vjet ne nuk kemi patur një ndërtesë të përshtatshme për teatrin qendror. Mjafton të them se ajo ishte shumë larg me shoqet e saj të Europës, po se po, por ajo ishte edhe më e papërshtatshme edhe se disa teatro të vendit”, shprehet regjisori Pëllumb Kulla.

Më tej, Kulla shton se, “në atë kompleks të ngritur nga italianët, u bë jetëgjatë një dramaturgji, pjesa më e madhe e të cilës meriton të mos kujtohet më. Mendoj dhe shpresoj se edhe kjo, në korpusin e ri do të realizohet nëpërmjet veçimit të një pavijoni memorialistik, ku mund të ruhej edhe një maket i madh i godinës së teatrit të deritanishëm, ku mund të ekspozoheshin kostumet e paharruara, që nga ai i Hamletit të Shekspirit, Ezopit dhe Kleas të Figuereidos dhe deri tek ato të Halilit dhe Hajries të Kol Jakovës”.

“Në atë ambient muzeal mund të gjenden shfaqje të filmuara apo radiofonike, këndi i dramaturgëve, ai i regjisorëve dhe i skenografëve, makete dekoresh të qëlluara dhe plot elementë që do të plotësonin nevojat shpirtërore të atyre artistëve, që me ashk kërkuan muaj me radhë restaurimin e plotë të ndërtesës. Përshëndes atmosferën optimiste që po krijohet dhe mezi pres ditën kur problemet e teatrit do të fokusohen, jo më tek ndërtimi historik i korpusit teatror, që ndodh njëherë në mijëra vjet, por tek problemet e vërteta dhe të përditshme të teatrit kombëtar, të dramaturgjisë kombëtare. Uroj të jetë sa më i shpejtë fillimi i punimeve dhe qoftë e afërt dita kur të sakrifikohen ngrehinat e dy teatrove “ndërkombëtarë”, që t’i bëjnë vend ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Shqipërisë”, shprehet Pëllumb Kulla.

“Regjisori, aktori, diplomati dhe profesori i mirënjohur Pëllumb Kulla (që më 1967 ra viktimë e luftës së klasave dhe biografia me njollë e çoi për riedukim në gurore e miniera), me një jetë të tërë kontributesh në botën e skenës dhe spektaklit shqiptar për të cilat është vlerësuar me titullin Mjeshtër i Madh, ka këtë opinion për Teatrin Kombëtar”, shprehet kryeministri Rama duke publikuar qëndrimin e regjisorit, diplomatit dhe profesorit të mirënjohur Pëllumb Kulla për ndërtimin e Teatrit të ri. /KultPlus.com

Të përbashkëtat e Tarantinos dhe Peeles

Filmi i fundit i Quentin Tarantino, “Once Upon a Time in Hollywood”, është vetëm filmi i dytë origjinal i vitit 2019 që e ka tejkaluar pragun prej 100 milionë dollarësh në kinematë amerikane.

Filmi i sapo-shfaqur është kryesisht fiktiv, megjithëse ndërthuret me njerëz të vërtetë në histori dhe i përdor vrasjet e Charles Manson si prapavijë.

Filmi horror i Jordan Peel, “Us”, është filmi i vetëm origjinal deri më tani këtë vit që i ka fituar më shumë se 100 milionë dollarë.

Të gjithë filmat e tjerë prej 100 milionë dollarësh janë vazhdime, spin-offe ose franshiza.

“Kjo është edhe më shumë dëshmi se Leonardo DiCaprio është ylli i fundit filmik i shkollës së vjetër që e kemi”, shkroi Scott Mendelson në Forbes për suksesin e Once Upon a Time in Hollywood.

“Kjo është dëshmi edhe më e madhe se Quentin Tarantino është një regjisor i madh, veçanërisht kur ka yje të mëdhenj të filmave në përbërjen e tij.”

Filmi më fitimprurës i këtij viti në kinematë e Amerikës së Veriut deri më tani është Avengers: Endgame, pasi që i ka fituar pothuajse 858 milionë dollarë deri më tani.

Rimejku i Disney, Lion King, është në vendin e dytë me 473 milionë dollarë. Pesë të parët përmbyllen nga Captain Marvel, Toy Story 4 dhe Spider-Man: Far From Home.

Një model i ngjashëm mbretëroi edhe në kinematë britanike dhe irlandeze vitin e kaluar, në të cilat mbizotëruan vazhdimet, spin-offet dhe franshizat, të udhëhequra nga Avengers: Infinity War, Mamma Mia! Here We Go Again dhe Incredibles 2.

Ndërkohë, suksesi i ri botëror i Lion King ka bërë që ai të bëhet filmi më i suksesshëm i animuar në histori – varësisht nga ajo nëse e klasifikoni atë si animacion.

Ai i ka fituar më shumë se 1.33 miliardë dollarë në të gjithë botën, duke e kapërcyer 1.28 miliardë dollarëshin e Frozen, sipas Box Office Mojo.

Disney e quan atë “film artistik” sepse duket realist, por regjisori Jon Favreau tha që kjo ishte “e keqinterpretuar” sepse shumica dërrmuese e filmit u bë duke përdorur animacion kompjuterik.

Favreau tha për BBC Click: “Disney madje i referohet atij si një film artistik, që është paksa e keqinterpretuar, por tonalisht e saktë sepse ne i kemi përdorur ato teknika, dhe shpresoj se do të ndjehet si diçka që është fotografuar në të vërtetë – edhe pse çdo xhirim, me përjashtim të njërës, është gjeneruar plotësisht në kompjuter dhe çdo performancë është e animuar”. /KultPlus.com

Aventura e parë në gusht 1919, ”Zorro” mbush 100-vjeç

Kanë kaluar plot 100 vjet që pas shfaqjes, për herë të parë, të kalorësit të famshëm Zorro, jo i mbinatyrshëm si Batman apo Spiderman, i cili karakterizohej nga një maskë, mantel dhe shpatë dhe që u lind nga pena e Johnston McCulley. Personazhi i tij pati një sukses i madh, që ndihmoi në paraqitjen e tij në filma dhe seriale televizive.

Aventura e parë e Zorros u botua në gusht 1919, në gazetën amerikane ”All-Story Weekly” duke prezantuar para lexuesve figurën e Don Diego de la Vegas, i biri i pronarit më të pasur të tokave në Kaliforni në kohën e sundimit spanjoll (1769-1821). I zhgënjyer nga sjellja tiranike e pushtetarëve vendas, ai shndërrohet në ekzekutues dhe quhet Zorro, një luftëtar i aftë dhe mbrojtës i më i dobëtit.

Pas romanit të tij të parë me aventura ”Mallkimi i Capistrano”, autori shkroi 60 histori të tjera, duke e bërë personazhin e Zorros një nga heronjtë e parë me mantel dhe shpatë në letërsinë amerikane. Në vitin 1920, heroi i maskuar pushtoi shikuesit në filmin e tij të parë (”Shenja e Zorros” me regji të Douglas Fairbanks), i cili gëzoi një sukses të jashtëzakonshëm dhe e ndihmoi në hedhjen e themeleve për një ekskluzivitet që ka mbijetuar deri sot. Kjo ishte një nga seritë më të gjata ku ai shfaqej dhe falë maskës së tij shumë aktorë të tjerë gjetën rrugën e suksesit. Seria e parë televizive u shfaq në vitin 1957. /KultPlus.com

20051026 – ROMA – SPE – CINEMA: LA LEGGENDA DI ZORRO. Antonio Banderas in una foto di scena del film La leggenda di Zorro, nelle sale cinematografiche italiane dal prossimo 28 ottobre. Andrew Cooper – ANSA-CD

Kullani, elementi që ia shton bukurinë veshjes hasjane

Hasi është një krahinë mes Kosovës dhe Shqipërisë, mes Prizrenit dhe Gjakovës, dhe numëron rreth 38 fshatra vetëm brenda territorit të Kosovës.

Pavarësisht se është një krahinë me fshatra të vegjël në numër, ky vend ka një etnografi shumë të pasur dhe një veshje shumë të veçantë.

Veshjet hasjane janë shumë të njohura për nga veçantia e tyre si dhe për nga përdorimi i tyre i madh në atë trevë.

Shumëkush ka pyetur se për çfarë shërben ajo pjesë, që në gjuhën lokale quhet ‘kullan’ e që ngjishet për beli, duke e mbështjellë sa më mirë, pjesën ku bashkohen rrobat e pjesës së sipërme me ato të poshtmet.

Bartja e kullanit te gratë hasjane ishte e detyruar sepse shumica e burrave ishin në gurbet, e ato ishin edhe burra dhe gra, kurse deri në kohën e pasluftës dihet se Hasi ishte lokacion pa ujë, andaj edhe ndryshe quhej Hasi i Thatë.

Kësisoj, ajo pjesë me dru në bel, që njëkohësisht është edhe karakteristika kryesore e kësaj veshjeje, u shërbente për të bartur ujin që shpesh ishin detyruar ta bartnin nga Drini i Bardhë ose ndonjë burim i largët. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=tK0h3Vz2XtI

“Si s’pate pak mëshirë, me m’lanë në kohë ma t’mirë”

Nexhmije Pagarusha konsiderohet si legjenda e gjallë e muzikës shqiptare e cila ndër vite ka krijuar këngët më të njohura shqipe.

Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Gjermani, Izrael, Bosnje e plot shtete tjera. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.

Këtu po i sjellim disa nga këngët më të famshme të cilat ndër vite vazhdojnë të dëgjohen dhe të mbesin të pavdekshme për gjithë publikun. Sot Nexhmije Pagarusha mbetet ndër vokalet më të arritura shqipe, edhepse ka kohë që nuk është aktive në muzikë.

“Baresha” është kënga më e njohur që ka sjellur emocione të fuqishme dhe që vazhdon të dëgjohet me ndjenja krenarie. Zëri i jashtëzakonshëm i Bilbilit të Këngës Shqipe përcillet me pamjet me të bukura të natyrës së Kosovës.

Nexhmije Pagarusha është e njohur edhe për këngët e saj pa karakter patriotik. Njëra nga to është “E dehur jam”, një baladë dashurie e cila ka qenë dhe vazhdon të mbetet ndër më të preferuarat e publikut. E njëjta është ripërpunuar dhe kënduar nga shumë artistë.

“Ani mori nuse” është një tjetër këngë shumë e njohur e Nexhmije Pagarushës e cila i takon korpusit popullor dhe folklorik të muzikës shqiptare.

Duhet përmendur se Nexhmija, kjo grua e rrallë dhe legjendë e artit e kulturës shqipe, pos si këngëtare është njohur edhe si aktore në disa filma dhe shfaqje teatrore. Megjithatë, ajo kulmoi në këngë dhe ishte e magjishme në notat e larta muzikore. / KultPlus.com

MKRS-ja dhuron 135 tituj librash për Luginën, thotë se kjo pjesë do ketë vëmendjen e institucioneve kosovare

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur përfaqësuesit e institucioneve të kulturës nga Lugina e Preshevës. Në një ceremoni solemne është bërë shpërndarja e 135 titujve të librave të blera nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit .

Me këtë rast, Gashi tha se MKRS-ja do të vazhdojë t’i mbështesë të gjitha institucionet dhe bibliotekat me furnizim me libra, e me theks të veçantë institucionet shqiptare të kulturës në komunat e Luginës së Preshevës.

Gjatë takimit, ministri shprehu përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës për të thelluar bashkëpunimin në mes institucioneve të Kosovës dhe komunave të Luginës së Preshevës, veçmas në fushat që lidhen me kulturën, rininë dhe sportin.

“Ne si MKRS ndër prioritetet tona kemi përkrahjen e librit nëpër të gjitha qendrat regjionale të Kosovës, por vëmendja jonë është edhe për shqiptarët të cilët jetojnë në Preshevë, Medvegjës dhe Bujanovc ashtu që libri dhe aktivitetet që nxisin dashurinë për librin, për leximin, të jenë më afër qytetarëve”, theksoi ai.

Ndërkaq, në anën tjetër përfaqësuesit e institucioneve të Kulturës nga Kosova Lindore, Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës u shprehën të kënaqur që, siç thuhet në komunikatën e MKRS-së, “për herë të parë kemi një takim me ministrin e Kulturës së Kosovës”, duke falënderuar atë dhe Institucionet e Kosovës për mbështetjen qytetarëve shqiptarë të cilët jetojnë në Kosovën Lindore. /KultPlus.com