Një nga muzetë më unikë në Uashington DC, i quajtur “Newseum”, u mbyll në prag të Vitit të Ri. Për 12 vjet, ky muze ka shërbyer si një mjedis ndërveprimi, kushtuar gazetarisë si dhe inkurajimit të mesazhit që përcjell Amendamenti i Parë i Kushtetutës Amerikane. Më shumë detaje, na sjell materiali i përgatitur nga korrespondentja e “Zërit të Amerikës”, Anna Rice.
Pjesë të murit të Berlinit dhe kullave binjake pas rrëzimit më 11 shtator të vitit 2001, makina e shpartalluar nga plumbat e një ekipi televiziv që punonte në ish-Jugosllavi, faqet e para të gazetave nga e gjithë bota, kanë qenë simboli i shtypit të lirë dhe Amendametit të Parë të Kushtetutës Amerikane për më shumë se një dekadë të ekspozuara në godinën e Newseum-it, që ndodhet në zemër të kryeqytetit amerikan, Uashington DC.
Pasi qëndroi i hapur për më shumë se 12 vjet, muzeu falimentoi. Ndërtesa që e strehoi atë gjatë gjithë kësaj periudhe i është shitur universitetin Johns Hopkins për 372.5 milionë dollarë.
“Ideja për Newseum-in nisi mbi njëzet vite më parë, nga themeluesi ynë Al Neuharth, me qëllimin për të edukuar e zhvilluar biseda në lidhje me Amendamentin e Parë të Kushtetutës dhe profesionin e gazetarisë. Kjo ide u jetësua në Rosslyn-in të Virxhinias, në një muze të bukur dhe pas rreth një dekade atje, u transferua këtu në Uashington DC”.
Për të blerë godinën që ndodhet shumë pranë Kongresit u shpenzuan me miliona dollarë. Por megjithëse u arritën të gjitha objektivat e parashikuar, muzeu nisi të përjetojë probleme.
“Amendamenti i Parë, liria e fjalës dhe e shtypit janë të rëndësishme. Jam rritur duke besuar në këto vlera dhe tashmë mendoj se ato janë në rrezik këtu në vendin tonë. Kjo është diçka e trishtë”, – thonë Tiffany dhe Jessica Crabtree, vizitore të Newseum-it
“Është shumë e trishtueshme ta shohësh tek mbyllet. Ka kaq shumë histori të dokumentuar ….Kjo të bën të mendosh se sa i rëndësishëm është një shtyp i lirë”, – thotë Seth, vizitor i Newseum-it.
Mbyllja e Newseum-t vjen në një kohë të vështirë për gazetarinë tradicionale. Rreth 2 mijë gazeta amerikane janë mbyllur gjatë 15 viteve të fundit. Sipas sondazhe të Gallup-it, më pak se gjysma e popullsisë amerikane i besojnë medies, një rënie e madhe nga më shumë se 70 për qind që llogaritej në vitet 1970.
Gazetari Ron Lyons, thotë se ai erdhi në Uashingtom DC nga Detroit, posaçërisht për të parë Newseum-it.
“Kjo është ajo për të cilën po luftojmë. Kjo është arsyeja pse punojmë si gazetarë, jo thjesht për të marrë çmime e tituj, por për të treguar se liria e shtypit dhe zëri i publikut janë të rëndësishme”, – thotë Ron Lyons, gazetar.
Drejtuesit e Newseum-it shpresojnë ta vazhdojnë misionin me fokusin në profesionin e gazetarisë dhe shtypit të lirë, në një forum në internet./KultPlus.com
Më lë plagë mungimi yt, por e dua këtë dhimbje që më lë ndarja… ndaj unë pres që ti të vish
Ti nuk erdhe as sonte edhe pse pritja kishte ndezur kaq shumë drita e zjarre. Qielli kishte derdhur thellësi brenda meje. Kthjellimi e horizonti tehutej skajeve, tej në kërkim të cakut dhe pragut që të mban kyçur. Prita edhe sonte, si çdo mbrëmje që ngrysi në vetmi, prita se po troket porta dhe të shfaqeshe ti. Por jo.
Pëshpëritja e zhurmave të mbytura të ditës dhe heshtja cingëritëse e natës, nuk solli asnjë trokitje. Në portën time të pritjes, mbeti i largët ai zë e zjarr që pengimi ndalon të vish.
Shkon nuk e di se ku. Ngrys e zbardh diku tej në skajin tjetër të kohës. Atje ku ndoshta harrimi i ka zhbërë të gjitha trajtat, e ndarja i ka shkulur me rrënjë premtimet dhe së bashku me ta, fjalët ka këputur, e flakët e mallit ka shuar.
Ti mbete sërish pa ardhur, por tek unë nuk pati heshtja ta mbyste hënën që doli nga pellgu, e të thyente diellin që shkrepi nën qerpikun e pemës, pemës që lëshon hijen e vet uloke, e fërgëllon trishtueshëm në lakuriqësinë e vet. Përtej këtij muri të lartë ndarjeje, e ajri të ftohtë të vetmimit, gjithçka reale ka një kuptim të ndryshtë, në mungimin tënd. E tjetërllojtë është panorama e ditës që derdhët në dritimin e mekur të gjërave që shterren prej vegimit. Ngjizet nga azgjëja, e vdiret si një vegim çdo shkreptim i beftë pamësimi që më vështron pendueshëm.
Kujtesa jote ka mbetur e shpërbërë në gjërat që rrinë pezull në frymën e frikës që tendosin dritat e pakuara, ku idili im rreket të të krijojë, pa mundur t’i japë trajtë, veç puthjeve që le peng tek unë. Ani, mbetëm të ndarë në botët që shtyjnë me erërat. Velat e anijeve tona, mbetur pa brigje, shkojmë kah i çon dallga e thërrmohen në pafundësi. Sytë tuaj, mozaikun e dehjes së përmallimit, kërkoi horizonti, e valët përpihen brigjeve me ndarjet që lënë gjurmët e tyre mbi rërë, plagët e pritjeve.
Ani, ti bëre mirë që nuk erdhe as sonte, edhe pse unë ende pres trokitjen në portën që hesht e përgjoj erën që përplas mbi xham, gjethet e fundit të pemës që pikëllon.
Nata ka rënë mbi gjithçka, edhe mbi përfytyrimin tënd që rrekem të end në gjërat e avullta që mbesin nderur në erën e ftohtë që fishkëllen. Bëre mirë që nuk erdhe, sepse pritja të gjithë gjërat që sjell, i stolis me dhimbjen e ndarjes.
Pata zemër për dëshirë, por jo shpirt për plagë. Lë të vuaj më mirë mungimin tënd, se sa lëndimin e ndarjes që vjen me ty e mbetet në mua.
Nëse nuk di që unë jam duke të të pritur ende, më mirë do të jetë për ty. Për mua?!… Dhimbjen do të ma shërojë më shpejt mungimi se ndarja. Ende pres që ti të vish… dhe asnjë ardhje nuk të sjell, sepse zemra ime ka kaq shumë dhimbje… dhe ende do të vuaj ikjet tënde që vjen me ty dhe mbetet në mua, ndarje, dhembje, plagë. / KultPlus.com
Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, me veprën e tij Faik Konica pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.
Më poshtë është një përmbledhje e thënieve të tij, për Shqipërinë dhe shqiptarët:
-Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t’i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka për të egër e për të humbur… Le të themi pra të vërtetën, gjithnjë të vërtetën… të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim.
-Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar, jemi të prapambetur, dhe asgjë më shumë; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq. Hiqni dorë ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni. Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur; dhe kur arrin në kulm, bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit.
-Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot.
-Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqejtë… sado e madhe në vetvete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, dhe shumë herë pa e ditur as vetë përse, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten. Por, ata njerëz që vriten për interes e për përralla [dokrra], ftohen dhe frikësohen në u dashtë trimëri për ndonjë mendim të bukur, për ndonjë dobi të vërtetë e të përgjithshme… Nuk kanë frikë nga plumbi, po dridhen nga Valiu! trimëria e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së Drejtës dhe Atdheut, në shërbim të dobisë së përgjithshme. Të tjerat punë janë punë egërsie e kafshërie, jo trimërie.
-Populli është i duruar, po gjer në një pikë: e kur kupton dhe e zë zenga, tërbimi i tij bën çudira të shëmtuara.
-Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi e krime, janë bërë në emër të së gjorës Shqipëri!
-Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari.
Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhduknin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare, qoftë me bizantinët, qoftë me turqit. Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do ishte e realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tanë të ardhshëm.
-Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen.
-Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës. Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të ulët se historia e këtij kombi që, për pak të qelbur ergjent [të holla], shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshirim nga aq qindra vjet që e shkelin dhe e kurvërojnë të huajt, s’i erdhi dëshirim të japë dy pika gjak për lirinë e vetvetes? Të donin shqiptarët lirinë e Shqipërisë lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj. / KultPlus.com
Ka 10 vite pune mjeku kosovar, Milot Rama, në Gjermani. Ai ka shkuar në shtetin gjerman, në të cilin ka gjetur punë në disa nga klinikat më prestigjioze.
Sipas tij, mënyra se si funksiononin gjërat në vend e kishin shtyrë që në moshën 25-vjeçare ta lëshonte Kosovën, pavarësisht dëshirës së madhe për të punuar këtu, shkruan gazeta “Zeri”.
Me entuziazmin më të madh kishte kryer Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë dhe shpresonte ta jepte kontributin e tij në njërën nga institucionet publike shëndetësore në vend, por shumë shpejt u zhgënjye me mënyrën se si funksiononin gjërat në Kosovë.
Po ashtu, mjeku i njohur kosovar, Milot Rama, tregon se pavarësisht dëshirës së madhe që kontributin e tij ta jepte në Kosovë, në vitin 2009 kur ishte 25-vjeçar, i vetëm kishte marrë rrugën për në Gjermani.
Ai ka treguar se në atë kohë në Kosovë punësimi bëhej në baza të nepotizmit e të përkatësisë partiake, andaj sikurse edhe shumë mjekë të tjerë, ai atëherë konsideronte se zgjedhje e vetme ishte emigrimi. /albinfo/ KultPlus.com
Ka momente në jetë kur ndihemi të vetmuar dhe të braktisur, të trishtuar për shkak të të ligave që na kanë bërë. E gjejmë veten duke parë mavijosjet në zemër dhe plagët e shpirtit: ato plagë janë aty dhe nuk do të ikin më. Kur ndodhi që u ndalëm së pyeturi? Pse vendosëm të japim, pa marrë asgjë në këmbim?
Megjithatë dashuria në të gjitha format e saj është shkëmbim dhe reciprocitet dhe ne me të vërtetë nuk duhet ta harrojmë kurrë këtë.
Por ja, e bëmë këtë gjë, u shtirëm sikur gjithçka ishte në rregull, duke mbyllur sytë dhe duke përplasur çdo pjesë të zemrës sonë që copëtohej, kundër këtij muri. Sepse, në fund gjithë sa na mbetën ishin mavijosjet, plagët të pashlyeshme në kujtesë.
Nëkaqemi me iluzione, por ne jemi gra, nuk jemi milingona. Nuk na mjaftojnë thërrimet dhe meritojmë shumë më tepër. Ngushëllohemi me bindjen se në fund të fundit, është ok edhe kështu, në një kohë kur ndoshta jemi duke bërë gabimin më të madh të jetës sonë. Dhe e përsërisim.
Në marrëdhëniet e miqësisë, në dashuri, në ato marrëdhënie ku ne jemi të vetmet që japim, gjithmonë e më shumë. Ne krijojmë mavijosje që mbeten nën lëkurë sepse vazhdojmë të japim dashurinë dhe marrim vetëm zhgënjime. Dhe dashuria e pakushtëzuar sigurisht nuk mund të kontrollohet nga rregulla ose ligje universale, por është e rëndësishme të dini se kjo ndjenjë bazohet në ndarjen, në dhënien dhe marrjen. Nëse ky aspekt mungon, nuk mund të jetë dashuri dhe nuk do të na bëjë të lumtura.
E vërteta është se jeta na vë para pengesa, përpara se të arrijmë në majë. Dhe është e sigurt, do të takojmë njerëz që nuk do të na duan, dhe që do të na zhgënjejnë, por gjithçka do të ketë kuptim. Edhe mavijosjet dhe plagët që mbartim do të na ndihmojnë të kujtojmë ato përvoja dhe të rilindim nga ato dështime. Në fund të fundit, a nuk është e mrekullueshme të jesh në gjendje të fillosh nga e para? Dhe ne kurrë nuk do të pendohemi, pasi në fund të fundit, pse duhet të pendohemi që kemi hapur zemrat tona? Po, mbase dikush nuk e ka merituar, por ne nuk mund të ankohemi për asgjë, ishim vetvetja dhe ishte mirë që e provuam.
Sidoqoftë, vjen momenti kur mund themi mjaft, të largohemi përgjithmonë nga ata që e shkelën zemrën, në vend që ta mbronin si një thesar.
Dhemb, është e vërtetë, por vetëdija se diçka e bukur do të vijë, do të na japë forcën për të filluar përsëri.
Dhe do të jetë shumë, shumë e bukur. /meb.al/ KultPlus.com
Trendet ndryshojnë vazhdimisht në botën e modës. Gjithmonë të frymëzuar nga ato që veshin të famshmit dhe ato që shohim në shfaqjet e modës.
Sipas ekspertëve apo ndikuesve më të mëdhenjë të modës tendencat kryesore të modës për 2020 janë pastelet, ngjyrat e guximshme apo ngjyrat monokromatike.
Shumë të famshëm publikisht kanë thënë se mund të jetë sfiduese të gjesh një stilist për t’i veshur ose t’i stilosh për tapete të kuqe, premierat e filmit dhe ngjarje të tjera të rëndësishme. Por tani veshjet e tyre po ja besojnë brendit më të ri në vend “Bee Balm”. Se cila është figura e njohur publike nga tapeti i kuq që ja ka besuar veshjen brendit më të ri në vend “Bee Balm” do ta kuptoni së shpejti.
“Bee Balm” është brendi më i ri i fustaneve dhe veshjeve solemne për femra me qendër në Kosovë, por që po dizajnon fustane për femra në gjithë botën. Shikoni disa nga fustanet e koleksionit të ri, me një metropol të nuancave dhe ngjyrave nga e bardha deri te e zeza të punuara të gjitha me dorë dhe me shumë finesë.
Për nder të festave të fundvitit Bee Balm Fashion në rrjetin e saj në instagram po dhuron një fustan për klientët e saj. Bëhu pjesë e lojës FITO fustanin falas https://www.instagram.com/beebalmofficial/
Për më shumë info ndiqni Bee Balm Fashion në facebook apo instagram.
‘Cirku Fluturues’ do të fillojë vitin e ri me premierë në Amerikën Veriore, në Santa Barbara të Kalifornisë.
Ky lajm u bë i ditur sot kur edhe u bë publik programi i festivalit që shënon edicionin e 35-të këtij vit.
“- Jam shumë i lumtur që po e fillojmë vitin 2020 me paraqitjen e filmit tonë për publikun amerikan, në Santa Barbara. Festivali Santa Barbara na ka ftuar në konkurrencë zyrtare, dhe kjo na bën shume të lumtur sepse konkurrenca ka qenë shumë e madhe. Nuk mund të ketë lajm më të mirë për ne se ky.” – u shpreh Fatos Berisha, regjisor i filmit.
‘Cirku Fluturues’ film i metrazhit të gjatë me skenar dhe regji të Fatos Berishës, me producente Vjosa Berishën, ka pasur premierën botërore në festivalin nderkombëtar ”Tallinn Black Nights” në Estoni në nëntor të viti që lamë pas, ku menjëherë pas tij mori edhe çmimin filmi më i mirë ndërkombëtar nga ‘Fabrique Du Cinema’ në Romë, ku kryetar i jurisë ishte fituesi i çmimit Oscar, skenaristi dhe regjisorit Paul Haggis.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit Santa Barbara këtë vit do të nderojë me çmime personalitetet e njohura si Brad Pitt, Scarlett Johansson, Adam Driver dhe Laura Dern.
Filmi i metrazhit të gjatë ‘Cirku Fluturues’ është bashkeprodhim i Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe është perkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare e Filmit Shqipëri dhe Agjensia e Filmit Maqedoni Veriore.
Në këtë film në rolet kryesore luajnë: Armend Smajli, Afrim Mucaj, Tristan Halilaj dhe Shpëtim Selmani, ndërsa në rolet dytësore Velibor Topic, Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Armond Morina, May Linda Kosumovic, Doresa Rexha, Rromir Zalla, Rita Gjeka, Krist Lleshi, Esela Pysqyli dhe të tjerë.
Në linkun më poshtë mund të shikoni trailerin e Cirkut Fluturues. / KultPlus.com
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi, gjatë vitit 2019 ka bërë përpjekje për të siguruar literaturë të ndryshme për nxënësit shqiptarë në Mal të Zi.
Me këtë rast, iniciativës së Këshillit i është përgjigjur pozitivisht Fondacioni Arsimor Kulturor Humanitar – ALSAR nga Tirana, Shqipëri.
Ata kanë siguruar për nevojat e shkollave me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi një fond prej rreth 4000 kopjesh të 400 titujve.
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi dhurimin e këtyre libra e bëri të hënen më 30.12.2019, në ora 18:00 në Galerinë e Qendrës për Kulturë – Ulqin. /syri.net/ KultPlus.com
“Excelsior” ka botuar, të premten e 14 prillit 1916, në faqen n°4, një shkrim në lidhje me dekorimin e Esat Pashë Toptanit nga presidenti francez, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Esat Pasha merr titullin e Oficerit të Madh të Legjionit të Nderit
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
“Dje, Presidenti i Republikës (Raymond Poincaré) dekoroi Esat Pashën me titullin “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit” në prani, të z. de Fontenay, ministrit të Francës në Shqipëri, dhe z. Krajewsky, delegat francez në komisionin e kontrollit të Shqipërisë.
Presidenti i qeverisë së Shqipërisë u tregua i prekur thellësisht nga pritja që iu bë dhe falënderoi duke shpresuar se po afronte momenti kur ai do të bëhej akoma dhe më i denjë për simbolin e nderit qe Franca i bëri.” / KultPlus.com
Schipa rrjedh nga një familje arbëreshe. Ai studioi në Milano dhe bëri debutimin e tij operistik në moshën 21 vjeç në 1910 në Vercelli. Ai më pas u shfaq në të gjithë Italinë dhe në Buenos Aires, Argjentinë, duke u bërë kështu një nga tenorët më të mëdhenj të shekullit XX, shkruan KultPlus.
Nga 1929-1949 ai performoi rregullisht në Itali, përfshirë në La Scala, Milano dhe në Opera të Romës. Ai u kthye në Buenos Aires për të kënduar në vitin 1954.
Schipa bëri shumë këngë gjatë karrierës së tij, duke filluar në Itali në vitin 1913. Ai gjithashtu regjistroi disa tangos, disa prej të cilave u krijuan prej tij në spanjisht, kryesisht në Buenos Aires dhe Neë York. Falë turneve të tij të hershme të Amerikës Latine, Schipa ishte një tenor shumë i njohur edhe në Amerikën Latine.
Më 1941, Schipa realizo koncertin e tij të fundit në Met para se të kthehej në Italinë Fashiste të regjimit Benito Mussolin. Pasi u kthye në Shtetet e Bashkuara, koncerti i tij i parë pas luftës nuk shkoi edhe aq mirë.
Schipa u tërhoq nga skena operative në 1958 për të dhënë mësim zëri, në Budapest.
Ai vdiq nga diabeti 16 dhjetor 1965 në moshën 77 në Manhattan, Neë York City, ndërsa jepte mësime atje. / KultPlus.com
Një eksperiment që tashmë ka qenë i suksesshëm jashtë vendit, por që ende nuk është testuar në Itali. “Cur’Arti” dhe është një nismë, në llojin e saj. Për herë të parë, në fakt, në Shqipëri pacientët me art do të trajtohen
Prandaj, projekti i artit terapisë fillon në Campania në vendin tonë, ku është krijuar një rrjet (ende në fazën embrionale) midis muzeve dhe spitaleve për të lejuar pacientët të “shërohen” përmes artit. Ideja u zhvillua nga Francesca Barrella, një internist i ngarkuar me Angiologji në Qendrën e Mjekëve Kardiovaskular në Pozzuoli dhe kryetar i shoqatës Il Ventre di Parthenope.
Terapia e artit: çfarë është dhe për kë është
Ideja është, në fund të fundit, e thjeshtë. Terapia e artit do të praktikohet duke lejuar pacientët që vuajnë nga patologjitë kronike, por edhe nga patologjitë si presioni i lartë i gjakut dhe në rehabilitimin pasonkologjik, për të lehtësuar dhimbjet, duke qenë në kontakt me artin në të gjitha format. Institucionet, përfshirë muzetë, teatrot, bibliotekat etj., mund të jetë pjesë e kësaj nisme.
Për të trajtuar shqetësimin psikik, por jo vetëm: projekti, në të vërtetë, synon të bëjë që pacientët e llojeve të ndryshme të vizitojnë ekspozitat dhe muzetë.
Nisma e parë e ndërmarrë, për terapinë e artit, ishte në Kanada, në vitin 2018. Marrëveshja u bë midis Muzeut të Arteve të Bukura në Montreal dhe Shoqatës së mjekëve frëngjishtfolës të Kanadasë, me zëvendëspresidente, Hélène Boyer.
Cur’Arti: projekti i artit terapisë në Napoli
Deri më tani, Komuna e Napolit, kompleksi muze kampanas në Pallatin Mbretëror të Napolit, Muzeun Arkeologjik, Amfiteatrin dhe Mithraeum dhe Scuola Comix Napoli dhe spitalit të Colli janë bashkuar me projektin e mjekut Campania. Në projektin Campania, sidoqoftë, bashkëpunojnë menaxheri Maurizio Di Mauro, Sergio Ferraro, shefi i Kardiologjisë së CTO dhe Nicola Caraçiolo, guvernatori Pio Monte della Misericordia dhe Silvana Figlioli, psikokiminolog i rehabilitimit. Francesca Barrella, krijuese e projektit, tha:
Projekti Cur’Arti synon të krijojë një rrjet midis institucioneve shëndetësore dhe vendeve të kulturës (muzetë, teatrot, bibliotekat, fondacionet liriko-simfonike dhe të tjerët) në dispozicion, për të mirëpritur pacientët që vuajnë nga sëmundje kronike në mënyrë që të fillojnë të qetësohen prej tyre./konica.al/ KultPlus.com
Në intervistë interesante ka ndodhur nga një analist serb, Nikolla Kerstiq, i cili para një publiku të madh serbë, ka deklaruar haptas se Kosova është shtet në vete dhe se nuk është e jona.
Para diku dy vjetësh, një kolegë imi më i vjetër, që merret me tema shoqërore-politike mbi të kaluarën e errët të Serbisë, më pyeti nëse kisha qenë ndonjëherë në Kosovë?
-Jo! – shkruan në “Danas” analisti Nikolla Kerstiq, transmeton KultPlus.
“Dhe asnjëherë mos shko”.
-Pse? – pyet ky krejtësisht i hutuar.
“A e di ti çfarë lëmshi është puna e saj?”
Mos ta teproj shumë, që nga Pashiqi e këndej, Kosova është nisur që me themel e sistematikisht të mitizohet në opinionin më të gjerë. Duket paradoksale që kjo copë tokë filloi të “derdhet nëpër gishta” qysh nga fillimi i shekullit XX, kur në luftërat ballkanike u sul me tërbim hakmarrës ndaj çdogjëje që nuk ishte serbe, duke kujtuar se në këtë mënyrë të gjitha do t’i bëjë pronë të veten. Mirëpo, siç do të dalë vite më vonë, ajo ishte larg e më larg nesh. Sa më shumë e ngushtonim rrethin ndaj saj, ajo edhe më shumë largohej prej nesh.
Dorën në zemër, pa i bërë lajka titostalgjisë, u provua me zgjidhje pragmatike që Serbisë njëherë e përgjithmonë t’i hiqej nga qafa ai gurë, duke i dhënë autonominë me Kushtetutën e vitit 1974, që disi në mënyrë procesuale, në shtigje të gjata, të zgjidhet dhe të përfundojë. Por, kur s’lë dreqi, duke iu turrur me dhunë më 1990, kur asaj iu mor ajo autonomi me vrazhdësi, u pa se Kosova (dhe Metohia), në fakt, është viktimë e posesivitetit dhe vartësisë sonë neveritëse kundruall këtij djepi të ëndrrës mijëvjeçare serbe.
Por, në fakt, ç’është ajo në realitet, sikur të isha i detyruar që dikujt, ndonjë tipi, nga Zelanda e Re, t’ia shpjegoj?
Ajo është një pjesë më e pazhvilluara në Europë, që ishte, është e do të mbetet udhëkryqe e përhershme e narkotikëve, e prostitucionit dhe armëve; burim i shpërfilljes, varfërisë, fanatizmit dhe sëmundjeve të llojllojshme; epiqendër gangsterizmi, bandash e klanesh kriminale: vend nga i cili ik popullata serbe e shqiptare me të gjithë bagëtinë, teshë e koteshë drejt një ardhmërie më të mirë e më të ndritshme; pikë e zezë në të cilën askush me mendje të shëndoshë nuk do të kthehet kurrë…
Për nëntëdhjetë e pesë për qind të serbëve ajo paraqet Valhallin e popkulturës ku nuk kanë qenë asnjëherë, e as që e kanë ndërmend të shkojnë. Në fakt, është një vilajet i errët që ka dehumanizuar shansin, secilit që ndodhet atje poshtë,për çfarëdo lloj marrëveshjeje.
Ajo po ashtu është një fushë e mallkuar në të cilën ushtria dhe policia serbe bëri segregacion nazist gjatë viteve të fundit të shekullit të kaluar, çfarë nuk ishte parë në truallin e Europës që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ai vend i shenjtë, ku janë manastiret, kishat e ikonat serbe, kufomat e shqiptarëve – grave, fëmijëve dhe pleqve u transportuan me autofrigoriferë në varreza masive nëpër Serbi.
Prandaj, për shkak të një aso Kosove me daulle fituam ata tre muaj kur nga qielli reshën bombat e NATO-s.
Dhe tani prapë dikush dëshiron të thotë se ajo Kosovë është e jona? Faleminderit, nuk është më e jona, por, kur mendoj më esëll, se a është më normale, pas gjithë kësaj, që ajo fare të jetë e ndokujt?
Meqë ajo është vetëm një tokë e shkretë e njerëzve të mërzitur, ca serbë, ca shqiptarë, që atje poshtë, nga zori, janë të detyruar të jetojnë, të izoluar nga e gjithë bota, meqë, ja, nuk kanë pasur fort mundësi të zgjedhin ku të lindin. Kjo është një trevë që ka përjetuar shumë hidhërime, vaje, klithma dhe dhembje. Ky është një vend ku as djalli i zi nuk do të mund të kotej.
Dhe tani, kur dëgjoj nga llomotitësit populistë dhe djathtistët e salloneve, se konflikti duhet ngrirë, të pritet ndryshimi i rrethanave botërore, do t’i lusja po ata, që të zbresin poshtë, natyrisht nëse ua mban, që ta mbledhin atë popull nëse dinë ta mbledhin, edhe shqiptarët, edhe serbët, dhe t’ua shpjegojnë me gjuhë të thjeshtë, meqë, ç’të bësh, njerëzit nuk jetojnë në Beograd, që t’i kuptojnë ato lloj pikëpamjesh me nivel të lartë intelektual e të emancipuara, se do të duhet megjithatë edhe pak të presin, të durojnë, vetëm edhe disa vite, ndoshta edhe më shumë, që edhe pak të urrehen ndërmjet vete, ndërsa njëfarë zgjidhje do të gjendet, ndërsa thua Kosmet, në të ardhmen e trazuar.
T’u thonë ashtu, kur t’i shikojnë, ashtu të mërzitur, të lodhur e të munduar, e pastaj, pas atyre fjalimeve, të hedhin shikimin pas tyre; do të shohin në largësi, sa çel e mbyll sytë, këtë ua garantoj, turmën e pafund, që do të përbëhej nga mbi dhjetë mijë të pafajshmish, që askujt s’i kishin gjë borxh, dhe të vrarë – se si vështrojnë në heshtje dhe pa fjalë ata të cilët kishin pësuar nga soji i këtyre. /koha.net/ KultPlus.com
Një prej trashëgimtarëve shqiptaro-amerikanë, Gregori Stefon, tregon se ishin 400 familje shqiptare nga Korça që u vendosen atje në vitin 1900 dhe filluan të organizohen gjatë vitit 1915.
Rreth kësaj periudhe u themelua kisha ortodokse shqiptare, duke u shndërruar në një qendër me rëndësi për komunitetin.
Sot, komuniteti shqiptar i mirintegruar përbën pesë për qind të rreth 180 mijë banorëve të qytetit. Ky komunitet, i cili jep kontribut në fusha të ndryshme për zhvillimin e qytetit, ka luajtur një rol me rëndësi në prezantimin e Shqipërisë përmes ruajtjes së kulturës dhe traditave në pesë breza me radhë.
Pra, emigrantët shqiptarë përbëjnë rreth 5 për qind të rreth 180 mijë banorëve në qytetin e Usterit në Masaçusets. Ndërkohë shqiptarët e parë u vendosën atje në fillim të shekullit të kaluar, një valë e dytë e ardhur pas viteve ’90 ka pasuruar komunitetin dhe tani 5 breza shqiptarësh kontribuojnë në jetën e qytetit, duke ruajtur dhe përhapur gjithashtu traditën e tyre.
Keida Kostreci vizitoi Usterin këtë muaj dhe sjell këtë reportazh. /albinfo/ KultPlus.com
Kur ishim të vegjel, në fillim të viteve 1990, ju na thatë “meso se pa shkollë do mbetesh gjithë jetën pa pune”. Por po shohim Noizin, me 4 klasë shkollë që promovohet nëpër librat e shkolles si artisti me i famshëm në Shqipëri. Pamë edhe ministra me mesatare 5, si dhe dekanë universitetesh me doktoratura të vjedhura.
Na thatë “lexo libra, se pa lexuar nuk do arrish gjëkundi”. Por po shohim deputetë që ende nuk njohin të gjithë germat e alfabetit, apo tabelen e shumezimit. Pamë edhe shtepitë miliona euroshe te pasanikeve te Tiranes, që në mijë metra katrorë nuk kanë një raft librash.
Kur ishim te vegjël na thate “puno fort, se po nuk punove do perfundosh i varfër”. Por po shohim politikanë miliarderë që nuk kanë punuar një ditë në jetë. Pamë edhe se si u pasuruan Taçi, Beso, Zamiri, Çeti dhe gjithë “klientet” e privatizimeve, te cilët ranë neë gjumë si perkthyes, kambist apo shoferë dhe u gdhine si pronare fabrikash e minierash te ndertuara me punen e miliona shqiptareve.
Na thate “thuaj gjithmone të verteten, se genjeshtra i ka kembet e shkurtra”. Por po shohim se si për 19 vjet ne krye te bashkisë janë zgjedhur, dhe rizgjedhur, tre genjeshtare patologjikë, nga më të medhenjte që ka parë ky vend.
Kur ishim te vegjel na thatë qe “per t’u bërë artist duhet shumë talent, dhe shumë pune”. Por po shohim se si arti është marre peng nga mediokriteti, nderkohe licete dhe akademite e arteve vazhdojne te pergatisin kameriere dhe punonjes për call-center. Pame edhe se si festivalet e kenges i ngjajnë paradeve në rrugicat me drita të kuqe të Amsterdamit.
Na thatë “behu i zoti i vetes, se nuk te ndihmon njeri”. Por po shohim se si shteti i jep “ndihmë ekonomike” (pa bërë asnjë pune) 5 milionë euro ne vit Klodjanit qe djeg plehrat, dhe 3 milionë euro Çetit që ngre traun.
Kur ishim te vegjel na thate “Bej jetë të ndershme. Mos vrit dhe mos vidh, nëse do te nderohesh dhe respektohesh nga shoqeria”. Por shohim dhjetëra kriminele qe mbahen me tituj e me nderime, në Parlament, në krye të ministrive, bashkive, apo bizneseve më të medha në vend. Pame edhe se si titujt e nderit dhe dekoratat tregetohen si mall ne tregun e gjese se gjalle.
Na thate “duaje vendin tend, sepse ketu kane jetuar gjysherit e tu, dhe ketu do te rrojne edhe femijet e tu”. Por po shohim se si per 29 vjet keta po kontaminojne ujin, token dhe ajrin. Pame edhe se si kanë prere pyjet, kane vjedhur shtratin e lumenjve, kane zaptuar bregun e detit dhe kanë gerryer malet.
Na thatë shumë gjera, por deri me sot del se na keni genjyer…
Ne 29 vite pame se realiteti ne Shqiperi ka qenë krejt ndryshe.
Sot shqiptari i zakonshem jeton një jetë te mundimshme, i lënë ne një ishull varferie, por i rrethuar nga një det me pasuri natyrore.
Sot shqiptari i ndershem jeton pa krenari, i lënë ne fund te salles, ne një skene te dominuar nga gjithefaresoj horrash pa din e pa iman.
Sot shqiptari i edukuar, qe ka sakrifikuar nje jete ne shkolle, është vene perfund nga mediokriteti i shefave te partise, te cilet nuk kane mend as sa per te lexuar gazeten.
Sot shqiptari i talentuar është ne kerkim te nje pune cfaredo per te mbyllur muajin, dhe i ka harruar endrrat me karriere artistike.
Sot shqiptari punetor dhe i palodhur është kthyer ne skllav i nje kaste te pangopur, qe ka marre peng cdo sfere te jetes, ne politike, media, akademi apo biznes.
Sot shqiptari atdhetar po braktis endrrat dhe po shet pronat per te blere nje bilete qe do ta coje edhe ne fund te botes, mjafton te gjejë nje vend ku te trajtohet si njeri dhe te ndihet pjese perberese e shoqerise…
Prandaj, në perfundim te ketyre tre dekadave, ne, brezi i lindur dhe rritur pas 1990, kemi perpara dy zgjedhje: ose te ndryshojme realitetin ku jetojme, ose t’u mesojme te tjera gjera femijeve tane.
Urimi im është që të bejme të paren, dhe më 2019 te leme pas jo vlerat me te cilat jemi rritur, por kete realitet te trishte qe na ka shoqeruar per 29 vite.
Le te jete 2020 jo vetem fillimi i nje dekade, por fillimi i nje epoke te re per te gjithe ne qe kemi vendosur te rrojme e te vdesim me dinjitet ne kete vend! / KultPlus.com
Ramiz Tafilaj është nga Deçani, por pjesën më të madhe të
jetës së tij e ka kaluar në Amerikë. Nga vitet e 70-ta e këndej nuk ka asnjë
president amerikan që nuk e ka takuar, e ky i fundit edhe e ka shpërblyer me
çmimin për arritje jetësore. Tafilaj tregon për KultPlus se si ka hapur
shtëpinë e tij për 100 studentë shqiptarë e të huaj, të cilët i ka ndihmuar me
strehim e ushqim përgjatë studimeve. Ai tregon edhe për angazhimin e tij për të
ndihmuar komunitetin, sikurse për Shtëpinë Botuese “Jalifat”. Por fillimet e
tij në Amerikë nuk e kishin shkëlqimin e viteve të fundit, ai ka treguar në
intervistën e dhënë për KultPlus se ka punuar punë të ndryshme për të arritur
suksesin e synuar.
Ardianë Pajaziti
Fillimisht
ta lë përshtypjen e një hijerëndi, por kjo përshtypje menjëherë rrënohet posa fillon
bisedën me të. Ramiz Tafilaj, i cili pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në
Amerikë sesa në Deçan, prej nga edhe i
ka rrënjët, duket se nuk dëshiron shumë të flasë për jetën e tij mjaftë të
frytshme, duke vlerësuar se gjithçka që arrihet me punë, nuk është edhe
befasuese, pasi që, sipas tij duhet shumë mund për të arrite sukseset që edhe i
synon.
Në një
intervistë për KultPlus, përderisa pinim kafe dhe shpalosnim etapa të jetës së
Tafilajt, ai tregon se kurrë nuk e kishte menduar që do të përfundonte në
Amerikë, pasi si një djalë i ri prej një komune të vogël të Kosovës, ai
fillimisht nuk e kishte menduar se do të kalonte përtej Jugosllavisë së atëhershme.
Në vitet e
70-ta, ai kishte vendosur të shkonte që të shkollohej në Zagreb të Kroacisë, ku
edhe ka përfunduar studimet e larta. Por përgjatë studimeve, ai kishte takuar
një vajzë amerikane, me prejardhje hebreje me të cilën edhe ishte dashuruar.
“Bashkë me
Dianën shkuam vetëm që ta vizitonim Amerikën, ishte viti 73/ 74, por nga
vizitorë mbetëm në qytetarë rezidentë, ku sot e asaj dite vazhdojmë të jetojmë
në Amerikë”, ka thënë Tafilaj për KultPlus, i cili edhe në pamje, në veshje, në
zë e në gjestikualcion, sikur kishte marë pak nga pak nga kultura amerikane.
Në
Amerikë, kam punuar në fillim edhe si patsrues e si mirëmbajtës i parqeve
Biznesmeni,
aktivisti, botuesi dhe filantropi shqiptaro- amerikan i cili ka bërë shumë për
komunitetin, por edhe për shqiptarët, vepër për të cilën është nderuar edhe nga
presidenti amerikan Donald Trump, jo këtë jetë e kishte pas në fillet e jetës
amerikane.
Për të
mbijetuar në Amerikën e zhurmshme, Tafilaj kishte punuar si pastrues, si mirëmbajtës
i parqeve dhe të shumë punëve të tjera që paguheshin pak, por të cilat e
forconin pak nga pak Tafilajn.
Duke qëndruar
i fortë, por edhe me mbështetjen e Dianës, ai arriti të mësoj gjuhën angleze
dhe më pas përveshi mëngët për të
studiuar dhe për të bërë më shumë për vete, por edhe për njerëzit që e rrethonin,
ku edhe përfundoi shkollimin në Hjuston, ku dalëngadalë edhe të ndërtonte një
të ardhme më të sigurt, jo vetëm për vete.
Tafilaj,
fillimisht nisi punën si programer, e më pas si konsulent, pasi që vërejti se
puna si konsulent sillte te ardhura më të mëdha. Përderisa ky ngritej
profesionalisht, Diana, bashkëshortja e tij, si njohëse e gjuhës serbokroate,
dalëngadalë kishte filluar të mësonte gjuhën shqipe, dhe jo vetëm gjuhën, pasi
që ajo ndërkohë po mësonte edhe kulturën dhe traditën shqiptare, me të cilën
fascinohej gjithnjë e më shumë.
Themelues i
kompanisë “Superior Computer Services”,
Tafilaj përpos që punonte në profesion të tij, ai ndërkohë, me mbëshetje të
gruas së tij, po punonte edhe për komunitetin shqiptar.
Hapa
derën e shtëpisë për 100 studentë, përgjatë studimeve të tyre, kam pas rolin e
babait
“Ishin vitet
e 80-ta dhe unë kisha arrit të jem anëtarë i bordeve të rëndësishme në Amerikë,
duke qenë si një njeri me influencë, vëllai im më propozoi që të sillja studentë
në Amerikë, dhe të mbështesnim shqiptarët. Atëherë nisa me këtë punë, pa e ditë
se do të arrija që nëpër vite do të rrumbullakohet numri i 100 studentëve të
cilët i kam futë në shtëpinë time, vetëm që tu ndihmoj qoftë me studime bazë,
specializime apo doktoratura”, ka thënë Tafilaj për KultPlus, i cili shtëpinë e
tij e hapi jo vetëm për studentët shqiptarë, por edhe studentë të huaj.
Në një formë
ai pavetëdijshëm ishte shndërruar si babai i 100 studentëve, i cili shpjegon,
se me shumë prej tyre vazhdon të mbajë kontakte edhe sot.
Dhe po ky
kontribut ka bërë që presidenti i SHBA-së Donald Trump ta dekorojë me cmimin për
arritje jetësore me motovacionin: “Keni shërbyer si
model i shpirtit amerikan. Orët e shumta të shërbimit tuaj kanë forcuar lidhjet
e bashkëpunimit dhe besimin që afron njerëzit me njëri-tjetrin, ndërsa keni
ndihmuar për të zgjidhur disa nga sfidat më të mëdha të kohës sonë”, ishte
shkruar në letrën e Trump që kishte dekoruar Tafilajn në fillim të vitit 2019.
“Nuk e kam menduar se këtë kontribut timin dikush po e listonte, dhe kur më
erdhi lajmi se presidenti Trump kishte vendosur të më jepte këtë çmim, thjeshtë
u befasova. Unë këtë kontribut timin me studentët e kam bërë prej dëshirës që të
ndihmoj të huajt në Amerikë, dhe natyrisht, pa mbështetjen e gruas sime nuk ia
kisha dalë. Sepse, përpos fjetjes ata kanë pas të siguruar edhe ushqimin dhe gjithçka
tjetër që i duhet një të huaji në një shtet”, ka thënë Tafilaj.
Por ai tregon edhe për mënyrën se si ka vepruar me studentët. Ka pas disa
rregulla për studentët që kanë shkelur në shtëpinë e tij. Si pikë e parë ai ka
kërkuar listën e shokëve, në mënyrë që të dinte se me çfarë rrethi kanë të bëjnë
ata studentë, së dyti, nëse kanë pas një punë, ai ka kërkuar nga ta që të dije
se sa para fitojnë, dhe e fundit por më e rëndësishmja, ata kanë pas për detyrë,
si para kryefamiljarit, që ti sillnin notat me të cilat vlerësoheshin.
“Ka pas studentë që nuk i kanë pranuar këto rregulla dhe nuk janë futë në
shtëpinë time, por ata që kanë pranuar, i kam trajtuar si fëmijë të mi”, ka thënë
Tafilaj.
Më ofruan gjysmë milioni dollarë vetëm që të mos përkthej
“Kosova” në anglisht, i kam edhe tre emrat e ofertuesve
Duke shërbyer në borde drejtuese të shumë industrive, përfshirë
shëndetësinë, bankat dhe arsimin, Tafilaj tregon për KultPlus se përgjatë kohës
së qëndrimit të tij në Amerikë, dhe funksionimit të tij në shumë borde, ai ka
takuar të gjithë presidentët amerikanë që kanë qenë në krye të shtetit pas
viteve të 70-ta, ku gjithnjë ka pas në fokus shërbimin e tij në komunitet.
Dhe përpos ndihmës së studentëve, atij po i rriteshin apetitet për të
ndihmuar komunitetin, dhe dashuria tjetër ishte për librin.
“Fillimisht me Avni Spahiun pata biseduar për themelimin e një Shtëpie
Botuese, dhe kështu vendosa për themelimin e Shtëpisë Botuese “Jalifat”, që nëse
zbërthehet nga mbrapsht del mbiemri Tafilaj. Ishte nevojë për themelimin e një
shtëpie botuese, pasi që në atë kohë, në Kosovë vështirë se mund të botoheshin
libra. Kam botuar shumë libra, si në Amerikë ashtu edhe në Kosovë”, ka thënë
Tafilaj, po kontributin e tij me këtë
shtëpi botuese e vlerëson si qershinë mbi tortë, botimet e veprave të Jusuf
Buxhovit.
Ai tregon për KultPlus se kur disa persona kanë kuptuar se kam marë
vendimin e botimit të veprave të Buxhovit, bëhet fjalë për librat “Kosova”, ai
ka marë një ofertë prej gjysmë milioni dollarë, vetëm që të mos përkthente këto
libra në gjuhën angleze.
“Nuk e kam pranuar këtë ofertë, janë edhe emrat e tre njerëzve që më kanë bërë
këtë ofertë me këtë shumë”, ka thënë Tafilaj, i cili këtë ofertë e konsideron
edhe si kërcënim.
Po Tafilaj tregon se me librat “Kosova” të Buxhovit ka udhëtuar shumë nëpër
botë, vetëm me qëllim që të promovojë historinë e popullit shqiptar, duke përfshirë
universitete të ndryshme nëpër botë, institucione të rëndësishme, librari e
biblioteka.
“Kam dërguar 25 tonë libra të Buxhovit për Amerikë, ky është edhe
kuriozitet, sepse të eksportohen libra nga një shtet në shtetin tjetër, nuk di
se ka vepruar ndonjë shtëpi tjetër botuese që udhëhiqet nga ndonjë shqiptar”,
ka thënë Tafilaj, i cili ka treguar se librin “Kosova” e ka për qëllim ta përkthejë
edhe në gjuhën serbe dhe turke, duke theksuar se pikërisht këto dy shtete duhet
të lexojnë historinë shqiptare. Tafilaj për fund tregon se librat e Buxhovit i
ka shpërndarë edhe për në Kosovë, gjeneralëve që kanë shërbyer në Kosovë, familjeve
të ushtarëve që kanë vdekur në Kosovë, por librat i janë dërguar edhe
institucioneve të Kosovës, por të njëjtit këto libra nuk i kanë pranuar.
Tafilaj poashtu ka treguar se nuk merr pjesë në Panairet e Ballkanit, duke përfshirë
edhe atë të Prishtinës, pasi që interesi i tij është që librat e “Jalifat” të
kenë një shtrirje më ndërkombëtare.
Ramiz Tafilaj që tashti është angazhuar edhe në shumë kompani të tjera, vazhdon të vizitojë Kosovën e tij bashkë me Dianën, të cilët i gjen gjithmonë aty ku është kultura dhe tradita shqiptare. Ai me një siguri të madhe, përderisa mbyllë bisedën me KultPlus, forcon bindjen se do të punojë edhe më shumë për mbështetjen e shqiptareve, e përderisa ndahet nga ne, ai i zgjatë dorën një djali të ri, kthehet nga unë dhe tregon. “Është student, tash për tash jam babai i tij në Amerikë”. /KultPlus.com
Është mëkat, merreni si të doni, nëse nuk lexoni poezi të
Entela Tabakut. Një qëndisëse e kujdesshme e vargjeve që copa copa bëhen bashkë
në tryezën e saj, mbi letër, Entela Tabaku ka vite që jeton në Suedi, gjithmonë
duke puthur ajrin e atdheut dhe ajrin e mërgimit. Gjithmonë një mërgimtare,
thotë ajo, sepse edhe nëse ajo e harron këtë fakt, nuk e harron mjedisi përreth
saj.
Nga Shkodra, Entela Tabaku kundron rrugëve të Suedisë me
shqipen në maje të gjuhës. Kur del prej gjuhës, e gjen tabullarasën. Së fundmi,
Entela ka sjellë një libër në bashkëpunim me Shqiptar Osekun, një tjetër bombë
letrare e viteve të fundit. Një dyshe që nga Suedia po i japin përqafimin më të
guximshëm shqipes.
Në këtë rrëfim Entela na tregon për provincializmin, për mërgimin
dhe për jetën e saj në Suedi, për gruan që lexon, për rrezikun, për poezinë e
saj dhe për studimin e saj të ditëpërditshëm.
Libri juaj i fundit mban titullin ‘Enciklopedia e mërgimit’. Na trego më shumë për librin dhe bashkëpunimin me Shqiptar Osekun?
‘Enciklopedia e mërgimit’ është një libër ku unë dhe Shqiptari kemi mbledhur bashkë poezitë që kemi shkruar këto vitet e fundit mbi mërgimin. Boshti i librit është një fjalor i mërgimit, Glossary of Migration, fjalët e të cilit na shërbejnë këtu si tituj poezish. Para librit kisha një ide të përgjithshme se ikja është e përbashkëta e të gjithë mërgimitarëve. Se mërgimi është një trekëndësh me kulm poshtë, me konceptin absolut të ikjes si pikënisje dhe brinjët e hapjes lart. Ishte interesante gjatë përgatitjes së librit të shihnim shpërfaqjen e asaj se nuk ka një pikë-nisje të përbashkët. Arsyeja e ikjes të vendos qysh në fillim në qoshe të ndryshme të brinjës, të drejtëzës. Shqiptari iku shumë i ri, bashkë me familjen e vet, i përndjekur prej vendit të vet. Unë ika e vetme, në moshë të rritur, sepse u dashurova me një të huaj. Këto ikje e ngjyrosin dhe e kushtëzojnë edhe përvojën e mërgimit. Temat e mërgimit janë universale, por përjetimi është privat. Trekëndëshi i mërgimit e ka kulmin lart. Përvojat puqen, nëse puqen, diku në pikë-mbërritje, që mund të ndodhë në kohë të ndryshme. Nganjëherë brenda vetes. Nganjëherë, si në rastin tonë, tek njëri-tjetri. Enciklopedia e Mërgimit, nga ky pikëvështrim, është një kulm më vete.
A ndihesh mërgimtare gjithmonë, a është kjo ndjenjë e pranishme shumë tek qenia yte? A ekziston ndjenja e ‘mërgimtarit’, cka është ajo?
Gjithmonë. Edhe nëse e harroj unë se jam mërgimtare, e di se nuk e harron mjedisi përreth meje. Unë jam nga ata pesimistët që mendojnë se mund të integrohesh patjetër, të gjesh vendin tënd në shoqëri, të çosh një jetë të mirë, por mbetesh e ardhur dhe e huaj për ta. Dhe në njëfarë mënyre i kuptoj. Unë jam rritur në Shkodër, atje u numëronim shtatë breza fshatarëve në qytet para se t’i merrnim në konsideratë, për fat të keq. Kjo e ka shenjuar edhe ndjenjën time të tëhuajëzimit të përjetshëm. Por jam përpjekur të mos u lë fëmijëve trashëgim identitetin e mërgimtares. Jeta është e vështirë megjithatë, edhe pa barrën e identiteve të trashëguara. Përndryshe mërgimi shndërrohet në një lubi që ushqehet me breza (shtatë?) me rrënjë në ajër dhe jo në një urë që i lejon njerëzit të shpërngulen nga një vend në tjetrin.
Para pak kohësh, Shqipërisë i ndodhi një tragjedi e madhe. Një njeriu të thjeshtë pa tendencë për të shkruar i intereson ta dijë, çka bëhet me një shkrimtare grua, çka bëhet me ju në ato momente kur kuptoni lajmin e tillë të kobshëm, apo lajmet tjera simotra?
Pafuqi. Kur vijnë lajme të rënda prej
atdheut ndiej pafuqi. Dhe ndjenja e pafuqisë është një ndjenjë e frikshme, që
mundohemi ta zbusim me lutje, bamirësi ose protagonizëm alla facebook. Të
shkruaj nuk më shtyn gati kurrë. Kam nevojë për ndjenja të gjalla për të
shkruar, qoftë edhe zemërim a zhgënjim, por ndjenja e pafuqisë është
paralizuese për mua.
Çka ka Suedia që e thumbon kaq shumë Entelën dhe shpirtin e saj artistik e letrar?
Gjëja që adhuroj më shumë me Suedinë është respekti për hapësirën tënde, në të gjitha kuptimet. Më kujtohet shëtitja ime e parë në rrugët e qytetit ku jetoj tash 22 vjet, ndjesia e lirisë dhe e mbushjes me frymë. Njerëz që më kalonin përbri pa më trazuar me vështrime, me komente, me tërheqje nga krahu, pa m’u afruar kot më koti, pa u shtyrë. Secili në punën e vet. Për të mire a për të keq. Dhe harmonia që kanë me natyrën, sikur është pjesë e pandarë e jetës së tyre. Blinjtë e rrugës time për shembull, i ndiej sikur janë njerëz edhe ata. Kjo është frymëzuese, por frymëzimi im flet shqip. Vetëm kur iu riktheva shqipes, iu riktheva edhe poezisë.
Do të duhet t`ju pyesnim më shumë për poezitë tuaja, por po presim edhe pak. Entela lexon shumë, çka lexon, çka studion, prej kah merr shënime dhe si i transmeton ato në përditshmërinë e saj dhe penën e tabullarasë?
Unë ndodhem në një fazë të jetës me ndryshime të mëdha. Një ndryshim është rritja e fëmijëve. Kam kaluar nga një periudhë jete intensive ku lexoja vetëm libra për fëmijë, në një periudhë ku mund të lexoj ç’të dua unë. Kjo ma humb fillin nganjëherë. Atëherë vërej se ngec tek poetet favorite si Södergran dhe Sexton. Por atëherë shkoj në bibliotekën e qytetit dhe marr të parin libër që ma rekomandojnë bibliotekarët. Një ndryshim tjetër është fusha e studimeve. Mbas shumë vitesh studimesh në italisht, suedisht dhe në anglisht, i jam rikthyer letërsisë në shqip dhe po mundohem të lexoj të gjithë autorët bashkëkohorë që përmenden si cilësorë ndër ne.
Si e përshkruan poezinë tënde, me pak fjalë, nëse do të mund të përthekohej…
Kjo pyetje do të
kishte kuptim për mua vetëm nëse ma bën brenda 10 minutave mbasi e kam shkruar
një poezi. Atëherë jam ende high nga
krijimi dhe me siguri mund të ta përshkruaj me zjarr. Por nuk vonon dhe
shndërrohem në një lexuese si gjithë të tjerët. Dhe si e tillë shpresoj vetëm të
mos jetë një poezi që shuhet me lexim të parë.
Edhe pak të kthehemi te gratë. Ndër shqiptarë, poetet gra e kanë marrë hisen e tyre të diskriminimit ndër vite. Një libër që e lexova thotë “Gratë që lexojnë janë të rrezikshme”. A po fuqizohet sot gruaja shqiptare, a është “e rrezikshme” sepse po lexon e po shkruan më shumë?
Për shoqëritë tona patriarkale gruaja nuk
ka nevojë të lexojë për t’u konsideruar e rrezikshme, gruaja lind e rrezikshme.
Por gratë poete dhe shkrimtare e fuqizojnë letërsinë, se i japin atë plotni për
të cilën ka nevojë. Kur gruaja e shkruan vetë letërsinë e vet, atëherë nuk na
shëtisin më nëpër rreshta vetëm vashëza leshverdha dhe nëna heroina. Por nuk
besoj se mjafton leximi a shkrimi për të fuqizuar gratë. Pavarësia ekonomike e
fuqizon gruan, vetëm ajo e çliron prej konteksteve kushtëzuese që e detyrojnë
t’i nënshtrohet vullneteve të të tjerëve.
“Mua më shqetëson fakti se kjo letërsia jonë nuk po di me endë pëlhure cilësore. Se kemi mbetë tezgjahesh të lagjes….” A ma shpjegon pak më shumë këtë pjesë?
Është diskutimi për provincializmin. Kam frikë se provincializmi është
lluca që nuk e lë letërsinë shqiptare të bëjë përpara. Jemi pak dhe sillemi e
përsillemi të gjithë në të njëjtin kontekst. Kjo na çon pashmangërisht në
mungesë sinqeriteti, në një letërsi prej kartoni ngjyra-ngjyra që rrëzohet me
frymën e parë të leximit. Këtu do të na ndihmonte një Shqipëri e bashkuar me
letërsi shqiptare pa ndarje kufijsh. Mendoje çfarë transfuzioni gjaku të
freskët do t’i jepte letërsisë kjo.
Në letërsinë e lagjes e kemi të pamundur edhe të kemi kritikë letrare prej vërteti, se njihemi të gjithë. Nganjëherë më vjen të nis një blog anonim ku të botoj shkrime kritike, pa llustra e frymëzime klanesh. Ose do t’ua çoja librat e Tiranës kritikëve të Prishtinës dhe anasjelltas.
Të gjithë dojnë me e ndryshu botën të gjithë në këtë botë zemrat s’kanë rehati
disa dojnë me e ndryshu pse e kanë zemrën të gjanë të lumtun s’munden me kenë në nji botë të padrejtë
disa pse zemrën e kanë të vogël ndërsa mendojnë se janë njerëz të mëdhenj e paqe s’munden me gjetë në nji botë që u dha tjerëve çka ata e deshtën vetë
disa s’janë njerëz hiç e zemër hiç nuk kanë botën dojnë me e vra pse tjerët janë
disa pse kanë veç zemër e vuajtje jetojnë me gjak jashtë zemërkuq zemërblu zemërbardhë a zemërzi e bota asht bojëqiell
unë jam njeri i thjeshtë botën e kisha ndryshu ti me fjetë i patrazuem në krahët e mij.
*
Te Entela, a ka më shumë poezi, prozë, studim, përkthim… ?
Studime patjetër se me to ha bukë. Poezi, sa kohë të mbajë damari. Proza
nuk më ka trokitur ende në derë. Përkthimet i kam për relax mbas pune, por është
punë që kërkon kohë, që nuk e kam. Përkthimet kërkojnë mandej edhe një modesti
që unë nuk e kam. Për mua autori është i shenjtë dhe detyra e përkthyesit është
të ndihet sa më pak. Përkthyes i mirë është ai që nuk vihet re, që e lejon
veprën të lexohet në gjuhën e re sikur të ishte në gjuhën origjinale.
Dhe krejt në fund, një ditë e zakonshme e Entelës, por edhe planet e saj në fushën e letërsisë e poezisë, aty ku po shkëlqen më shumë….
Punë
punë natë e ditë, që të shohim pakëz dritë. Dhe a nuk vdiq edhe Naimi në
mërgim?
Rudina Jasini është ndër juristet shqiptare më të njohura dhe më të suksesshme në botë. Ajo ka doktoruar në shkencat e fushës së jurisprudencës, dhe ka arritur të jap një kontribut të madh edhe në drejtësinë ndërkombëtare.
Pas
mbarimit të studimeve për drejtësi në Tiranë, ajo zhvendoset fillimisht në
Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku vazhdon studimet për drejtësi ndërkombëtare
e më pas në Holandë ku punoi në Tribunalin për krimet në ish-Jugosllavi në
Hagë, gjegjësisht si stazhiere dhe më pas si avokate.
Në
vijim, Rudina vazhdoi studimet master për drejtësi penale dhe kriminologji si
dhe doktoraturën në fushën e drejtësisë ndërkombëtare penale pranë
Universitetit të Oksfordit në Britaninë e Madhe. Gjithashtu ajo ka zhvilluar
studime kërkimore-shkencore në Universitetin e Harvardit në SHBA.
Sot,
Rudina mban leksione nëpër metropole të botës, po ashtu është e pranishme në
mediat më prestigjioze botërore.
Në
këtë intervistë për KultPlus, Rudina rrëfen gjëra interesante nga udhëtimi i
saj profesional dhe personal, nga pasionet, udhëtimi, fotografia e deri tek
adhurimi i muzikës klasike.
Gjithashtu, ajo rrëfen eksperiencat e saj në Universitetin e Oksfordit, Tribunalin e Hagës, si dhe intervistimin e viktimave të luftës së Kamboxhias.
KultPlus: A e keni paracaktuar në mendje
se një ditë do të jesh këtu ku je sot?
Unë mund të kem ëndërruar dhe fantazuar për shumë gjëra
por nuk do të mundesha kurrsesi të paracaktoja saktë se një ditë do të ndodhesha
pikërisht këtu. Ajo që mund të them është se i gjithë udhëtimi im personal dhe
profesional është udhëhequr nga një sens i fortë kurioziteti, intuita si dhe
aftësia për të kuptuar që kur një mundësi më ofrohej ajo ishte thirrja ime, e
gjithë kjo e gërshetuar me punën dhe përkushtimin e fortë për të arritur atë që
mund të kisha synuar.
KultPlus: Mendoni se gërshetimi i dëshirës
dhe ambicies me mundësinë që i ofrohet njeriut janë ogur i mirë drejt suksesit?
Do të thoja që është më tepër se sa një ogur i mirë drejt
suksesit. Ato janë bazat mbi të cilat ngrihet çdo arritje dhe sukses. Por mbi të
gjitha është puna dhe përkushtimi i jashtëzakonshëm ndaj çdo iniciative dhe sipërmarrjeje,
vullneti dhe pasioni për të realizuar në mënyrën më të arrirë të mundshme atë që
është synuar. Pa këto edhe dëshirat më të bukura do të mbeteshin ëndrra në sirtar.
KultPlus: Si dhe në çfarë
rrethanash ka filluar udhëtimi juaj adakemik?
Unë jam larguar nga Shqipëria me bursën
e Fulbright për të kryer studimet për drejtësi në Fakultetin e Drejtësisë të
Universitetit të Georgetown në Washington DC. Fulbright pa diskutim krijoi një
platformë për mundësi të reja, për një mënyrë tjetër të menduarit dhe
analizuarit, si dhe për ndërtimin e një rrjeti të pasur profesional dhe
personal. Me përfundimin e studimeve në Georgetown, unë i jam bashkuar Gjykatës
Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në Hagë (Tribunali i Hagës),
fillimisht si intern dhe më pas si juriste në grupin mbrojtës në çështjen
Haradinaj.
Në përfundim të procesit të parë penal të
kësaj çështjeje në Hagë, unë jam zhvendosur në Mbretërinë e Bashkuar ku
kam vazhduar studimet fillimisht për një master për Drejtësi Penale dhe
Kriminologji, dhe më pas doktoratën në fushën e drejtësisë ndërkombëtare penale
pranë Universitetit të Oksfordit.
KultPlus: Realisht, cili është çelësi
që jua hapi derën e karrierës suaj?
Unë realisht nuk besoj në çelësa suksesi. Mendoj se gjithsecili prej nesh ka një thirrje të brendshme dhe mënyra më e mirë për të arritur sukses është të zbulosh atë për të cilën ti ke vërtet pasion, të punosh fort për të arritur potencialin tënd dhe më pas të kërkosh mënyrat për t’i ofruar të tjerëve atë që ti arrin si një kontribut në shoqëri. Në këndvështrimin tim, është e rëndësishme që të ngrihemi mbi konceptin e të qenit vetëm një histori suksesi, dhe të synojmë më shumë të jemi të vlefshëm dhe të sjellim një impakt pozitiv në disiplinën ku ushtrojmë profesionin, në komunitetin intelektual ku bëjmë pjesë si dhe më gjerë në shoqëri. Kjo për mua është një busull e orientimit tim si individ, të mënyrës se si e drejtoj jetën dhe se çfarë kërkoj të arrij me të.
KultPlus: Ju keni studiuar për
drejtësi, por a keni pasur në mendje ndonjë drejtim tjetër studimi në fillimet
tuaja?
Unë kam vendosur të studioj në fushën e drejtësisë shumë herët dhe
kjo zgjedhje ka ardhur natyrshëm tek unë. Mendoj se ajo që më ka tërhequr më shumë
është të kuptuarit e marrëdhënies midis të drejtës dhe shoqërisë. Është një disiplinë
e cila kërkon një studim dhe përkushtim të vazhdueshëm. Në rastin tim kjo tashmë
ka marrë një dimension tjetër pasi unë kam vite që zhvilloj punë hulumtuese
akademike dhe shkencore në fushën e drejtësisë.
KultPlus: Si e shihni mënyrën e
studimit në Shqipëri karshi vendeve tjera?
Mënyra e të studiuarit në Shqipëri të paktën
në kohën kur unë kam studiuar atje ka qenë shumë më tepër mekanike se sa analitike, ku ty
si nxënës dhe student të stimuloheshe më shumë të mbajturit mend të tekstit se
sa të menduarit kritik. Studimet fillimisht në Georgetown në SHBA dhe më pas
studimet disavjeçare në Oksford, por edhe në Harvard ku unë kam studiuar për
një vit kanë pasur një impakt të madh në formimin tim akademik dhe mbi të gjitha
të përqasjes analitike dhe kritike ndaj çdo pyetjeje dhe problemi. Në mënyrë të
veçantë këto eksperienca akademike më kanë mësuar mbi metodologjinë e të
menduarit kritik, të procesit të detajuar për të arritur në përfundime të
caktuara.
KultPlus: Çfarë roli luajti Haga
dhe bashkëpunimi me gjyqtarë të nivelit të lartë në karrierën tuaj?
Eksperienca e punës në Tribunalin e Hagës ka qenë një shkollë më vete dhe një përvojë pune e jashtëzakonshme. Aty kam pasur privilegjin të punoj me avokatë dhe gjyqtarë të një niveli shumë të lartë si dhe kam mësuar mbi aspekte të rëndësishme të procesit penal në gjykatat ndërkombëtare. Eksperienca e punës në Tribunalin e Hagës kërkonte një angazhim maksimal profesional dhe personal si dhe një përkushtim me orë të zgjatura. Përgjegjësia është e madhe për çdo avokat dhe jurist që punon në këto institucione, por mund të them se fakti që vija nga Shqipëria, më dha avantazhin e të njohurit të kontekstit historik, social dhe ligjor, e cila mendoj se ka qenë një plus në çështjen ligjore në të cilën kam punuar.
KultPlus: Keni studiuar në Master në
fushën e drejtësisë penale dhe kriminologji në Universitetin e famshëm të
Oksfordit, cila është eksperienca juaj me Oksfordin?
Unë fillimisht kam ardhur në Universitetin e Oksfordit për të vazhduar studimet për master në fushën e kriminologjisë dhe drejtësisë penale pranë Fakultetit të Drejtësisë. Më pas kam vazhduar studimet për doktoraturë në drejtësinë ndërkombëtare penale të përqendruar kryesisht në rolin dhe pasojat e pjesëmarrjes së viktimave të luftës si palë civile në proceset ndërkombëtare penale. Oksfordi të ofron një hapësirë intelektuale të pakrahasueshme dhe si i tillë është vërtetë një djep i dijes dhe shkencës.
KultPlus: E konsideroni privilegj
mundësinë për të studiuar në Oksford?
Të pranohesh në gjirin e këtij institucioni është një privilegj por edhe një përgjegjësi shumë e madhe, pasi kjo mbi të gjitha do të thotë të kuptosh dhe të dish t’i japësh shprehje dhe të përcjellësh siç duhet vlerat që ky institucion ka mbartur tek ty.
Për mua bisedat dhe diskutimet e zhvilluara në ambientet e kolegjeve të Oksfordit me studentë, profesorë dhe studiues të disiplinave nga më të ndryshme përbën mbase vlerën më të madhe që më ka ofruar ky institucion akademik. P. sh mund të përmend që në ditën e dytë të studimeve të mia në Oksford, në drekën e zhvilluar pranë kolegjit ku unë studioja, më qëlloi të kisha ulur përballë një student gjerman i cili sapo ishte kthyer nga Kina dhe diskutonte mbi pasojat në ekosistem të ndryshimeve klimaterike të shkretëtirës Gobi. Në krahun tim të djathtë ishte një student finlandez që fliste rrjedhshëm gjuhën japoneze dhe diskutonte mbi politikat sociale të Japonisë, ndërsa studenti anglez në të majtë i cili vazhdonte studimet për doktoratë në astrofizikë dhe ishte edhe një virtuoz në piano më fliste për lidhjen midis fizikës, matematikës dhe muzikës. Është pikërisht kjo botë e pasur intelektuale që ofrohet në ambientet e kolegjeve multidisiplionre të Oksfordit të cilat përbëjnë privilegjin më të madh për mua.
KultPlus: Për këtë që jeni sot, i
detyroheni Universitetit të Oksfordit?
Unë i detyrohem individëve dhe
institucioneve të shumta për të arritur këtu ku jam. Pa diskutim Oksford ka
luajtur një rol formues intelektual të pazëvendësueshëm tek unë. Por mbi të gjitha
unë do të veçoja rolin fillestar që prindërit e mi kanë luajtur në formimin tim.
Ata kanë një meritë të jashtëzakonshme për njeriun dhe profesionisten që unë jam
sot. Nuk më bënë asnjëherë të mendoja se dritarja nga e cila shihja botën
përtej Shqipërisë ishte e ngushtë apo që bota ishte aq e madhe dhe e pakapshme.
Përkundrazi, më ushqyen imagjinatën, kuriozitetin dhe kurajën për të arritur
aty ku potenciali im mund të më çonte. Mendoj se prindërit shqiptarë në
përgjithësi janë për t‘u admiruar për mbështetjen dhe sakrificat që bëjnë për
edukimin e fëmijëve e tyre, dhe kjo është vërtet diçka e rrallë.
KultPlus: Keni pasur rastin të udhëtoni
edhe në pjesë tjera të globit, ku dhe keni takuar individë të ndryshëm. Çfarë ruani
në vete nga këto udhëtime?
Udhëtimi është një pjesë e pandarë e
identitetit tim dhe mendoj se është një nga format më të mira të edukimit që një individ mund të marrë në këtë jetë. Udhëtimi më bën të ndihem më
pranë vetes, më të lirë dhe më zgjon imagjinatën si asgjë tjetër. Gjithashtu,
mendoj se të udhëtuarit e bën njeriun më të thjeshtë dhe më të ndjeshëm, të
zhveshur nga paragjykimet. Udhëtimet e mia janë të shoqëruara me histori të panumërta,
madje edhe tani që po hedh këto mendime po buzëqesh teksa kujtoj aventura dhe
eksperienca shumë të veçanta. Shpresoj që një ditë t’i hedh të gjitha këto
kujtime në një libër.
KultPlus: Keni intervistuar mbi 112
viktima të luftës së Kamboxhias, ku 1/4 e popullsisë është shfarosur. Mund të
na flisni për përvojat tuaja në këtë rast gjatë procesit post-konfliktual?
Gjatë punës time kërkimore shkencore në Kamboxhia unë kam zhvilluar intervista me gjyqtarë, prokurorë, avokatë mbrojtës, avokatë që kanë përfaqësuar viktimat si palë civile në proceset penale pranë gjykatës speciale për Kamboxhian në Phnom Penh, si dhe mbi 112 viktima të Khmerit të Kuq (një regjim genocidial të udhëhequr nga Pol Pot në vitet 1975-1979 ku rreth 2 milionë njerëz u vranë dhe u zhdukën). Kjo ka qenë një eksperiencë shumë e pasur hulumtuese, po aq edhe e vështirë nga pikëpamja psikologjike dhe emocionale. Ndryshe nga eksperienca e të punuarit në Tribunalin e Hagës ku si jurist ti veproje brenda strukturave të gjykatës dhe ishe në njëfarë mënyre “i mbrojtur”, si studiues i pavarur je gjithmonë më i ekspozuar nga pikëpamja emocionale dhe të duhet të përballesh me sfidat e të intervistuarit të viktimave në shtëpitë e tyre si dhe pranë komunitetit ku ata bëjnë pjesë. Kjo është një përvojë që më mësoi shumë edhe nga pikëpamja kulturore dhe etnografike. Për më tepër unë zhvillova punë kërkimore në një shoqëri kryesisht budiste në një kulturë të largët nga kultura ime e origjinës. Një detaj i vogël për kuriozitetin e lexuesve tuaj, unë përpara çdo interviste me viktimat të cilat u zhvilluan përgjithësisht në pagoda (tempuj budhist) i ofroja bukë Budhës përpara se të filloja intervistat, duke respektuar zakonet dhe ritualet e vendit. Unë i detyrohem shumë të gjithë atyre viktimave të cilat i dhanë një dimension tjetër punimit tim shkencor dhe vetëm mund të shpresoj që me punën time t’i jap zë zërit të tyre, dhimbjes dhe thirrjes së tyre për drejtësi.
KultPlus: Siç dihet, në Hagë është
një gjykatë speciale. Si e përkufizoni atë?
Besoj së këtu i referoheni Gjykatës Speciale për krimet e luftës në Kosovë ose siç njihen ndryshe “Dhomat e Specializuara” dhe “Zyra e Prokurorit të Specializuar”. Unë jam kritike për mënyrën se si u konceptualizua dhe u ngrit kjo gjykatë, për strukturën, përbërjen, juridiksionin dhe mbi të gjitha pasojat që kjo gjykatë mund të ketë jo vetëm për Kosovën por dhe rendin e drejtësisë ndërkombëtare penale. Mendoj se kjo gjykatë e zvogëlon autoritetin e pushtetit gjyqësor si dhe cenon edhe sovranitetin e Kosovës.
KultPlus: Gjatë këtij rrugëtimi
keni pasur gërshetim të momenteve të bukura dhe sfidave?
Të gjitha udhëtimet në të cilat kam kaluar janë karakterizuar nga një gërshetim i momenteve të bukura dhe sfidave. Nuk do ta preferoja ndryshe, pasi sfidat të mësojnë shumë më tepër për disiplinën, aftësinë dhe forcën shpirtërore për t’u përballur me vështirësitë dhe për të vlerësuar procesin dhe rrugëtimin për të arritur tek rezultati i duhur. Është si eksperienca e maratonës të cilën unë në fakt e kam realizuar një herë në Berlin në vitin 2010, dhe i kam shumë të freskëta ndjesitë fizike dhe emocionale që përjetova atë ditë, edhe pse përfundova në spital mbasi kalova vijën e finishit. Nuk dua të them që çdo eksperiencë duhet të përjetohet si një maratonë, por unë personalisht e ndjej veten më mirë në këto dimensione dhe në këtë balancë midis përpjekjes dhe arritjes.
KultPlus: Rrugëtimet intelektuale janë çdoherë të
vështira dhe marrin goxha kohë. Si ka ndikuar tek ju ky rrugëtim? Ju ka privuar
nga koha e lirë?
Mendoj se sekreti qëndron tek optimizmi
i kohës që kemi në dispozicion, dhe gjetja e një balance midis punës, pasioneve
dhe ajo çfarë na përmbush në aspektin intelektual, fizik dhe shpirtëror.
KultPlus: Po kohën e lirë si e
kalon Ina, dëgjon muzikë? Shkruan? Apo tërhiqet nga ndonjë gjë tjetër?
Adhuroj muzikën klasike dhe ata që më
njohin, mund të më quajnë një ndjekëse “të sëmurë” të operës. Ndjej një
kënaqësi të veçantë kur shoh në skenë mikeshën time shumë të mirë, Ermonela
Jaho, jo vetëm një nga sopranot më të mira sot në botë, por edhe një njeri me
shpirt shumë të bukur. Më pëlqen tenisi dhe luaj sa herë të kem mundësi.
Adhuroj të bërit zhytje për qetësinë mendore që më dhuron dhe bukurinë e
pakrahasueshme nënujore, dhe të bërit ski për adrenalinën dhe sensin e lirisë
që më ofron. /KultPlus.com
Penda e tij dallon. Ajo shkrihet në letër në mënyrë magjike duke i dhënë mundësi lexuesit të ketë në dorë një vepër me periudha dramatike, personazhe me rrëfime transparente e përshkrime që të marrin me vete. Politikan, diplomat, përkthyes dhe shkrimtar i njohur shqiptar, Besnik Mustafaj është edhe “Autori më i mirë i vitit 2019” me romanin e tij “Dëmtuar gjatë rrugës”. Penda e tij ka bërë që kritika dhe lexuesit të dinë t’ia veçojnë veprën. Mustafaj është po ai i njëjti që refuzoi dy herë postin e ministrit. Por, si ambasador, ai arriti të përmbushte disa qëllime për vendin e me të cilat ishte fort i lidhur shpirtërisht. Sot, kur ai i është përkushtuar plotësisht librit dhe dëshirës që lexuesi ta përqafojë veprën e tij, lumturia më e madhe për të është lexuesi gjithmonë në rritje. Jo vetëm në vepër, Besnik Mustafaj është i mrekullueshëm edhe në intervista. Kësaj radhe, për KultPlus na ka shpalosur shumë nga vetja. Rëndësia e vlerësimit si autor i vitit, komunikimi i veprës me lexuesit, lidhja emocionale me veprat, kontributi në politikë, votuesi apo lexuesi për të, e shumë çka tjetër Mustafaj shpalos në këtë intervistë ekskluzive për KultPlus.
Besnik Mustafaj
KultPlus: Me motivacionin: “Për përshkrim plot realizëm dhe ironi të hollë të një periudhe dramatike, ende të pranishme dhe të gjallë në mendjet e njerëzve, ravijëzimin plot ritëm poetik, estetik dhe të besueshëm të personazheve dhe rrëfimin transparent të zvetënimit të individit në një shoqëri totalitare”, ju u zgjodhët “Autori më i mirë i vitit 2019” me romanin “Dëmtuar gjatë rrugës”. Sa ishte i rëndësishëm ky çmim për ju dhe a e prisnit?
Besnik Mustafaj: Përtej dyshimeve të mia të fshehta, unë jam i sojit të shkrimtarëve që besojnë fort te vlera e veprës së vet. Në këtë kuptim, duke e ditur që libri ishte në garë, unë sigurisht që e prisja të isha fituesi. Por e prisja siç pritet realizimi i një dëshire. Rëndësinë e vërtetë të këtij çmimi e zbulova pasi e fitova. Pasqyrimi i gjerë që pati në media solli pikërisht ndikimin e dëshiruar: tërheqjen e lexuesve. Doli që botuesi im, “Toena, nuk ishte i përgatitur për këtë ndikim pozitiv të çmimit. Ai u detyrua të bënte me urgjencë një ribotim për t’iu përgjigjur kërkesave të shumëfishuara të lexuesve që donin të përfitonin edhe nga prania ime në Panairin e Librit për ta marrë romanin me firmën time. Kjo është lumturia më e madhe për një shkrimtar.
KultPlus: Romani “Dëmtuar gjatë rrugës” u vlerësua në Panairin e Librit dhe po vazhdon të vlerësohet e kërkohet nga lexuesit, a mund të na zbulosh diçka nga romani për të gjithë ata që janë kureshtar dhe janë në pritje për të lexuar?
Besnik Mustafaj: “Dëmtuar gjatë rrugës” synon ta tregojë sistemin komunist parë me sytë e atyre që e mendonin veten në anën e këtij pushteti. Fjala është për njerëzit e thjeshtë, jo për ata që e ushtronin pushtetin. Një nuseje malësore i kërkohet të bëjë një palë opinga tradicionale që do t’i dhuroheshin Hrushovit gjatë vizitës së tij në Shqipëri në maj 1959. Më pas, kur Shqipëria del nga orbita e Bashkimit Sovjetik, ky fakt bëhet shkak për një paranojë torturuese që e shoqëron fshehurazi këtë grua gjithë jetën. Është pra një roman mbi frikën dhe ndikimet e saj brejtëse si acidi mbi shpirtin e njeriut e që çon në përfundimin se një regjim represiv nuk mbështetet në asnjë rrethanë mbi dashurinë, qoftë kjo dashuri e një pjese të popullit, por vetëm mbi frikën.
KultPlus: Veprat tuaja janë përkthyer në shumë gjuhë si frëngjisht, gjermanisht, italisht e greqisht, por në cilën gjuhë, pas shqipes, konsideroni se vepra juaj ka komunikuar më mirë me lexuesin?
Besnik Mustafaj: Romanet dhe esetë e mia janë botuar deri tani në më shumë se dhjetë gjuhë. Me kënaqësi e them se kudo janë pritur dhe vazhdojnë të priten mirë nga kritika letrare serioze. Lidhur me komunikimin me lexuesin e huaj, ndoshta duhet thënë se më i plotë është në Francë, duke pasur parasysh se në këtë gjuhë kam tetë botime të gjinive të ndryshme. Përfitoj nga rasti të tërheq vëmendjen tuaj edhe në një aspekt tjetër. Përkthyesit letrarë nga shqipja në botë janë të rrallë. Madje, në më të shumtën e gjuhëve edhe mungojnë fare. Kështu shpesh del nevoja që autorët shqiptarë të përkthehen nga një gjuhë e dytë. Kjo ka ndodhur gjerësisht me Kadarenë. Ka ndodhur ndonjëherë edhe me mua. Është një lëshim i padëshiruar nga shkrimtari. Por që duhet bërë për të mos penguar përhapjen e veprës. Kadare ka dhënë versionin frëngjisht për përkthime të tilla. Unë parapëlqej versionin italisht. Përkthyesja ime në këtë gjuhë është Caterina Zuccaro, për veten e saj poeteshë dhe gazetare, që do të thotë se italishten e shkruan shumë mirë. Si përkthyese ajo ka edhe një përparësi: është arbëreshe. Kultura që ka marrë ajo në gjuhën e nënës, besoj unë, e ndihmon shumë për ta kuptuar dhe ndjerë më mirë në brendësi tekstin tim. Fakt është se gazetat më të mëdha italiane, duke folur për librat e mi, kanë dhënë vlerësime shumë të larta për cilësinë e përkthimit të saj.
KultPlus: Keni shkruar shumë vepra dhe thuhet që veprat e veta një autor nuk mund t’i ndajë. Por me cilën vepër jeni më shumë i lidhur emocionalisht ?
Besnik Mustafaj: Nuk është fjala për t’i ndarë veprat në të rëndësishme e më pak të rëndësishme. Por unë besoj se autori ka gjithsesi marrëdhënie emocionale të ndryshme me secilën nga veprat e tij. Këto marrëdhënie nuk përcaktohen nga gjykimi i ndryshëm që ka autori lidhur me vlerat artistike të njërës apo tjetrës nga veprat, por nga arsye krejt të tjera. Unë, për shembull, kam një dobësi të veçantë për “Vera pa kthim”. Është romani i parë që kam shkruar. Isha 27 vjeç. Deri atëherë kisha shkruar poezi dhe artikuj nëpër gazeta. Asnjë përvojë në prozë. Suksesi i tij i menjëhershëm më dha besimin e nevojshëm në vete për të vazhduar të shkruaj prozë në përgjithësi e posaçërisht romane. Por ky është edhe romani im i parë i përkthyer jashtë. Konkretisht në Francë. Pritja e mirë që gjeti atje i çeli rrugën përkthimit të veprave të tjera, duke më dhënë kështu lexues që vinin nga kultura krejt të ndryshme nga kultura ime si autor dhe kultura e personazheve të mia. Kalimi i veprës në gjuhë të tjera shënon edhe kalimin psikologjik të shkrimtarit nga mjedisi lokal në mjedisin global. Është një hap shumë i madh përpara për autorin. Kjo ndjehet sidomos kur shkrimtari vjen nga një gjuhë e vogël, siç është shqipja.
KultPlus: Kur shkruani, vepron më shumë imagjinata apo keni edhe histori të vërteta?
Besnik Mustafaj: Të gjitha romanet e mia, pa asnjë përjashtim, nisen nga fakte të vërteta, të cilat i kam lexuar diku, dëgjuar rastësisht apo në ndonjë rast edhe jetuar. Ato pastaj bëhen pronë e imagjinatës time dhe shtjellohen gjatë procesit të shkrimit për t’u shndërruar në realitet letrar.
KultPlus: Një shkrimtar nuk është gjithmonë i gatshëm të shkruaj. Të shkruarit ka të bëjë më tepër edhe me frymëzimin. Kur shkruani ju më shumë?
Besnik Mustafaj: Më duket se Garcia Marquez ia ka dhënë shumë mirë përgjigjen një pyetjeje të ngjashme. Ai thotë se frymëzimi është vetëm akti i lindjes së veprës në imagjinatën e autorit. Vazhdimi, domethënë shkrimi, është punë, shumë punë, në vetmi, me një disiplinë të hekurt. Qysh kur kam braktisur gjithçka për t’ju kushtuar me kohë të plotë letërsisë, shkruaj rregullisht në mëngjes, nga ora tetë deri në orën njëmbëdhjetë. Pasdite, nga ora pesë deri në shtatë dhe pastaj në mbrëmje, pas darkës e deri vonë pas mesnate, shkruaj zakonisht artikujt apo gjëra të tjera pa lidhje me romanin apo esenë, që kam në duar. Këtu futet edhe kjo intervistë, që po shkruaj për ju. Ose lexoj. Sepse, të them të drejtën, kënaqësinë më të madhe ma jep leximi.
KultPlus: I bazuar në librin tuaj “Vera pa kthim” është realizuar edhe filmi “Inane” me regji nga Besnik Bisha. Si e keni pritur këtë realizim? A mendoni që e ka përfaqësuar veprën tuaj në mënyrë dinjitoze?
Besnik Mustafaj: Ky është filmi i dytë që bën Besnik Bisha mbështetur në romanet e mia. Më parë ka bërë “Maocedun“, skenarin e të cilit e kam shkruar unë, sipas një kapitulli të romanit tim “Daullja prej letre”. Ndërsa për “Vera pa kthim” nuk pranova të bashkëpunoja si skenarist. Si autor nuk e përfytyroja dot këtë roman të përshtatur në film. Por i lashë dorë të lirë Bishës të bënte veprën e vet. Kur e pashë filmin, mbeta shumë i kënaqur. I shkrova një sms Anila Bishës, e cila luan protagonisten. “Sana jote është më misterioze se Sana ime”,- i thashë. Është, në gjykimin tim, një film që e nderon kinemanë shqiptare.
KultPlus: Pasi u larguat nga politika, deklaruat se nuk jeni më në kërkim të votuesve, por në kërkim të lexuesve. Gjatë kësaj kohe a keni ardhur në përfundim nëse është më vështirë të gjeni votues apo lexues?
Besnik Mustafaj: Ka më shumë se dhjetë vjet qysh kur e kam shpallur këtë slogan. Pra, kam pasur kohë të mjaftueshme për të parë në realitet si janë gjërat dhe për të arritur në përfundimin se është shumë më e vështirë të gjesh lexues se votues. Por e them me bindje se, sikur votuesit shqiptarë të lexonin pak më shumë, do të ishin më të kthjellët e të vetëdijshëm kur hidhnin votën e nuk do ta lejonin veten të manipulohen shpesh si dele nga politikanët. Nuk di çfarë mund të bëjmë që votuesit ta kuptojnë se shpëtimi i tyre mendor kalon doemos përmes leximit të librave të mirë.
KultPlus: Sot është e vështirë të refuzohet një post si ai i ministrit, është lakmues për shumicën, por ju e refuzuat dy herë një post të tillë, cilat ishin arsyet?
Besnik Mustafaj: Arsyet lidhen me karakterin tim. Zakonisht marr përsipër vetëm gjëra për të cilat jam i sigurt se nuk dështoj dhe që gjatë kryerjes së tyre do të përfitoj edhe kënaqësi. Sado e çuditshme mund të duket për shumicën e njerëzve, mua ushtrimi i pushtetit, qoftë ky edhe pushtet ministror, nuk më jep ndonjë kënaqësi. Periudha kur pranova të bëhem ministër i jashtëm përkonte me disa sfida, me të cilat isha shpirtërisht fort i lidhur. Të tilla ishin: nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian, pastaj heqja e vizave për qytetarët e Shqipërisë që dëshirojnë të lëvizin në hapësirën Schengen dhe anëtarësimi në NATO, çelja e negociatave për caktimin e statusit final të Kosovës dhe kurorëzimi me shpalljen e pavarësisë. Kur këto sfida u përmbushën në të mirë të shqiptarëve, dorëzova çelësat e zyrës së ministrit për të mos u kthyer kurrë atje. Ka edhe diçka tjetër: unë nuk kam asgjë të përbashkët me ata njerëz, të cilët pushtetin e shohin si mundësi të artë për privilegje personale. Kjo gjë më duket degradim i madh i njeriut politikan. Unë kam pranuar dhe pranoj, madje me gëzim, vetëm privilegjet që më jep vepra ime letrare. Më besoni, nuk janë të vogla këto privilegje, që më japin librat e mi.
KultPlus: Keni qenë në detyrën e Ambasadorit të Shqipërisë në Francë, por duke dalë jashtë politikës, a mund ta luajë shkrimtari rolin e një ambasadori me krijimtarinë e tij?
Besnik Mustafaj: Për t’ju përgjigjur me seriozitet kësaj pyetje, do të thosha se shkrimtari, me krijimtarinë e tij, mund ta luaj rolin e një ambasadori vetëm në një aspekt, i cili sidoqoftë është shumë i rëndësishëm. Një nga detyrat kryesore të ambasadorit diplomat është ta bëjë të njohur vendin e tij në vendin ku ai shërben. Shkrimtari, me kusht që të ketë talent të madh, e kryen këtë detyrë më mirë se çdo ambasador funksionar. Ju siguroj se Ismail Kadare, me veprat e tij, e ka bërë të njohur kombin shqiptar pakrahasimisht më shumë se i gjithë trupi diplomatik shqiptar gjatë gjithë historisë së shtetit tonë. Në këtë kuptim, sigurisht që po, një shkrimtar si Ismail Kadare është një ambasador i shkëlqyer dhe e kryen këtë mision pa dalë nga studio e tij. Madje, sa më shumë rri ai i mbyllur në studio duke shkruar, aq më mirë e kryen misionin si ambasador i kombit.
KultPlus: Si e vlerësoni lexuesin shqiptar, a po lexohet në vendin tonë?
Besnik Mustafaj: Lexuesi shqiptar është shumë i mirë. Por, siç pata rast të them më sipër, është shumë i pakët në numër. Por unë nuk jam nga ata që mendojnë se lexuesi shqiptar është një specie në zhdukje. / KultPlus.com
Viti që lam pas padyshim se ka qenë një vit tejet i suksesshëm për Dua Lipën. Ka qenë pjesëmarrëse në shumë koncerte e festivale, ka qenë fytyra e shumë brendeve të njohura botërore, ka fituar shumë çmime dhe ka qenë fytyra e shumë revistave të njohura, shkruan KultPlus.
Vitin 2019 këngëtarja e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme, duke qenë një prej fytyrave që ekspozoheshin në sheshin e njohur të New Yorkut, Times Square. Ku ndër të tjerash përmendej edhe emri i Kosovës.
“Artistja më e mirë e re 2019. Nga Kosova në Britani të Madhe, drejt nominimit për artisten më të mirë të re. Dua Lipa”, shkruhet në reklamat e hapësirës më të njohur në botë.
Këngëtarja më pas plasoi këngën e saj ”Swan Song”, këngë kjo që gëzoi shumë sukses dhe miliona klikime në Youtube.
Në fillim të muajit shkurt, Dua Lipa, u bë fituese e dy çmimeve Grammy, duke u bërë shqiptarja e parë që fiton Grammy,
Çmimin e parë e fitoi në kategorinë “Best Dance”, për të vazhduar më vonë edhe më çmimin e dytë, atë në kategorinë “Artisti i ri më i mirë”. Emocionet e Duas në momentin që është shpallur fituese sigurisht se ishin të papërshkruara, por ajo gjithçka e përmbledhi me një status në Facebook. “Jam artiste me dy çmime Grammy!!! Jam shumë e përulur dhe mirënjohëse në këtë moment. I dërgoj shumë dashuri fansave të mi, familjes sime, ekipit tim, të gjithë artistëve të mahnitshëm me të cilët kam punuar dhe bashkëpunuar. Një ëndërr e vërtetë është realizuar! Faleminderit!!”, thotë ajo në statusin e saj.
Mirëpo sukseset e këngëtares sigurisht se veçsa kishin filluar. Dua menjëherë pas Grammy-t hyri në mesin e shumë yjeve botërore në muzeun ”Madame Tussauds” në Londër. Figura prej dylli e këngëtares nuk dallonte fare nga origjinali. Dua befasoi fansat e saj të mbledhur në muze ku pozonte para figurës së saj. Vetëm pak ditë më pas ajo do të fitonte ”Brish Single”me këngën ”One Kiss” të cilën e kishte në bashkëpunim me Calvin Harris.
“Brish Single” me këngën “One Kiss” të realizuar së bashku me Calvin Harris.
Dua Lipa nuk ka lënë anas asnjëherë inkuadrimin e saj në kauza të ndryshme të shoqërisë, sidomos ato feministe dhe ato të komunitetit LGBT, ku këngëtarja shqiptare gjithmonë shfaq përkrahjen e saj.
Në Mars të vitit 2019 ajo u bë pjesë e ”Global Feminism”, për të cilin ka thënë se ndihet e inspiruar për të përkrahur gratë në gjithë botën. ”Faleminderit Annie Lenox që më ke ftuar për të qenë pjesë e filmit që i ndihmon çdokujt që t’i kuptojë vështirësitë me të cilat vajzat dhe gratë përballen çdo ditë”, ka shkruar ndër të tjera Lipa.
Menjëherë në filim të muajit prill, Lipa udhëtoi për tre ditë në Liban në një mision humanitar në bashkëpunim me UNICEF-in, ku organizoi shumë aktivitete për fëmijët refugjatë atje.
“Unë kam pasur eksperiencën më të madhe gjatë qëndrimit në Lebanon, tri ditët e fundit, duke takuar fëmijë në vendbanime refugjate dhe trajnimin e të rinjve dhe programet e ndërtimit të aftësive. Unë në veçanti dëshiroi të flas për refugjatët pasi ndjej që kam një lidhje personale kur shoh njerëz të përshtaten me çdo rrethanë për të cilën janë futur për shkak të konflikteve. Asnjë familje ose fëmijë nuk dëshiron të largohet nga shtëpia. Të gjithë kanë ëndrra. Ata të gjithë e meritojnë barazinë dhe një vend për të qenë në gjendje të jetojnë, të mësojnë dhe të arrijnë potencial të plotë. Unë gjithmonë besoj tek fëmijët pasi ata janë e ardhmja jonë dhe ne duhet të kujdesemi për ta. Ishte një përvojë emocionuese por shpresëdhënëse, pasi këta fëmijë ende qeshin. Unë i kam përjetuar të gjitha aktivitetet dhe mundësit që UNICEF u jep të rinjve që kanë mbetur pa shtëpi për shkak të luftës në Siri dhe është mirë të shohim se këta fëmijë kanë një komunitet ku ndihen të sigurt dhe të mbrojtur”, ka shkruar Lipa për qëndrimin e saj në Liban.
Muaji maj ishte paksa i heshtur për këngëtaren, mirëpo ajo në qershor u kthye fuqishëm, duke u bërë artistja e parë femër në histori që ka tri këngë të dëgjuara mbi 800 milion herë në Spotify
Këtë sukses, Dua Lipa e arriti falë tri këngëve të saj shumë të suksesshme dhe të dëgjuara si: “New Rules, “One Kiss” (bashkëpunim me Calvin Harris), dhe “IDGAF”.
Ndërsa menjëherë në korrik, në “02 Silver Clef Awards”,këngëtarja fitoi çmimin “Artistja më e mirë femër”.
Në fillim të gushtit, Dua u bë imazhi i parfumit të njohur botëror YSL BEAUTY. Dua menjëherë pas kësaj është shprehur se ndjehet shumë e lumtur që më në fund po e zbulon aromën më të re të nxjerrur nga kjo markë.
Ajo që do të shënonte këtë vit, sidomos në raport me shtetin e Kosovës, do të ishte marrëveshja që këngëtarja nënshkroi për krijimin e Sunny Hill Academy në Prishtinë. Marrëveshje kjo e cila u bë kur këngëtarja erdhi për festivalin ”Synny Hill”, që tashmë është bërë një traditë.
Dua Lipa u shpreh se, kjo ka qenë një ëndërr e madhe e saj, të ketë një vend apo një qendër ku të rinjt mund të shprehin talentin e tyre, dhe tash që kjo ëndërr po bëhet realitet, une ndihem shumë krenare pasiqë është një projekt shumë i madh për të cilin unë jam e apasionuar ‘’ëe dream big’’, deklaro ajo në konferencën e mbajtur me 1 gusht.
Për një lajm tjetër të rëndësishëm, ishte i ftuar edhe Gëzim Gashi, i cili deklaroi se Sunny Hill Foundation ka ndarë fondin prej 150 mijë eurosh për të jetësuar Qendrën Kulturore e cila do të funksionalizohet gjatë vitit tjetër. Ky është bashkëpunimi i parë në mes të Sunny Hill Foundation dhe Oaks Christian School dhe Institute of Arts and Innovation përfaqësues nga Gëzim Gashi. Tre të rinj nga Kosova do të kenë mundësi që gjatë vitit 2020 të udhëtojnë për Amerikë, si pjesë e Quincy Jones Production dhe Institute of Arts and Innovation.
Sunny Hill filloi dhe këngëtarë të ndryshëm të njohur ndërkombëtarisht ishin të pranishëm. Dua Lipa e cila për këtë vit nuk kishte konfirmuar se do të performonte, fansat e saj i surprizoi duke performuar me këngën ”One Kiss”, në bashkëpunim me Calvin Harris.
Më pas në shtator Dua promovoi koleksionin e markës ”Pepe Jeans London”, të cilin e kishte paraljmëruar shumë kohë më parë. Pak kohë mas këtij promovimi, Dua do të bëhej imazh i revistës ”The Face”. Këngëtarja publikoi një video, në të cilën u shfaq e veshur me fustan të zi dhe çorape të verdha.
Dua thotë në video se muzika në vitin 2019 ka të bëjë me gratë, të duan, të shpërndajnë dashuri dhe të dashurohen. “The Face Magazine” është revistë mujore, e cila ka të bëjë me muzikën, modën dhe kulturën. Duke u bërë menjëherë edhe imazh i revistës më të njohur në botë, revistës ”Vouge”.
Në tetor të viti të lamë pas, Dua mbajti ligjëratë në Universitetin e Kembrixhit, ku kërkonte të thyhen normat gjinore.
Ajo e bëri të ditur lajmin përmes një postimi në llogarinë e saj personale në instagram. “Të hënën isha në Universitetin prestigjioz të Kembrixhit për ta mbajtur një fjalim në lidhje me atë se çfarë të bën të pëlqyer si grua e re në industrinë e muzikës, veçanërisht në medie dhe medie sociale. Po ashtu diskutuam rreth asaj se çfarë mund të bëjmë për ta bërë ndryshimin e mirëpritur si shoqëri për t’i thyer normat gjinore. Prindërit e mi ishin të lumtur që më në fund unë ia dola mbanë”, shkruante Dua.
Në nëntor, Dua ishte këngëtarja që bëri hapjen solemne të ”MTV Europe Music Awards”, organizim ky që u mbajt në Sevillë. Këngëtarja shqiptare interpretoi këngën e saj më të re ‘Dont start now’ me një koreografi të shkëlqyer ku u përcoll nga një grup valltarësh, me të cilët ‘elektrizuan’ të pranishmit.
Vitin 2019 këngëtarja e nisi duke zënë një hapësirë ne sheshin Times Square, mirëpo kjo nuk do të ishte hera e fundit që fytyra e këngëtares do të zinte vend në sheshin e famshëm Kësaj radhe, Dua u shfaq sërish në mes New Yorkut, në ekranet gjigante të Times Square, këtë herë nga platforma digjitale, YouTube.
“Faleminderit YouTube që më keni vendosur në Times Square. Don’t Start Now tashmë është publikuar”, ka shkruar mes të tjerash këngëtarja Lipa.
Ndërkohë, nga 50 këngët për muajin nëntor, prestigjiozja The Guardian rekomandonte të parën “Don’t Start Now” të Dua Lipës, e cila tashmë është shndërruar në një hit nga fansat e saj.
Në po këtë muaj, këngëtarja do të performonte edhe në skenën e madhe të AMA-së, një performancë kjo që u komentua shumë në rrjete sociale si një nga performancat më të fuqishme të Dua Lipës. Kjo performancë e Dua Lipës është mbajtur në Microsoft Theater, në Los Anxhelos, ku kanë performuar edhe shumë yje të tjera botërore. Dua Lipa është paraqitur me këngën “Don’t Start Now”.
Tragjedia e fundit në Shqipëri që preku botën, bëri që edhe Dua Lipa të marrë iniciativë në atë drejtim. Në fillim ajo rrinte e heshtur, duke bërë që të kritikohej shumë për neglizhencës e saj. Mirëpo nuk shkoi shumë dhe Dua reagoi duke thënë se cdo moment që kalon është një humbje e madhe prandaj ajo ka vendosur të reagoj. “Përpos donacionit tim dhe të familjes sime, jam bashkuar me Kujtimin dhe Arbenin nga BOND.NYC që të krijojmë rrobat dhe materiale të cilat do të shiten në tërë botën dhe i tërë fitimi do të shkojë për ata që janë prekur nga tërmeti. Të gjitha të hollat do të shkojnë në llogaritë zyrtare të Qeverisë së Shqipërisë, me të cilët ishim në kontakt falë shoqërisë sonë në Prishtinë” kishte reaguar në Instagram këngëtarja Dua Lipa. BOND.NYC është kompani që merret me veshmbathje dhe kryesisht maica apo duksa dhe veshmbathje tjera që kushtojnë shtrenjtë.
E kështu, me suksese që kapën majat e karrierës së saj, Dua përmbylli këtë vit, duke qenë shumë optimiste për suksese edhe më të mëdha në vitin 2020. Dua Lipa, nuk harron asnjëherë të tregojë se sa krenare është për prejardhjen e saj kosovare dhe se sa shumë e don vendin e saj. / KultPlus.com
Bella Hadid e Eva Herzigova janë vetëm dy prej modeleve që ai ka pasur privilegjin dhe mundësinë t`i fotografojë. Emrin e shqiptarit Rinaldo Sata e gjen nëpër plot fotosesione të rëndësishme, ndonëse shqiptarët atë nuk e njohin shumë. Fotografitë e guximshme të tij tregojnë shumë edhe për vetë Rinaldon, një shpirt mbushur me finesë dhe egërsi fotografie.
Shumë i ri largohet për në Itali, më pas në shtete tjera, sot Rinaldo jeton në Londër, prej nga shumë shpesh shtrëngon duart e tij me duart e fytyrave të mrekullueshme që dalin prej fotografive të cilat ai i realizon.
Sesionet fotografike me Vogue dhe Harper’s Bazaars i kanë shijuar shumë, njëjtë si secili angazhim i tij. Rinaldo, fotografinë e trajton njëjtë sikur i devotshmi Librin e Shenjtë, apo poeti – vargun më të dashur.
Gjatë këtij viti, Rinaldo fotografoi edhe shqiptarët, jetesën e tyre, burrneshat, Nikollën, çobanin, Pashkën. Vitin e kaluar, e fotografoi edhe Winnie Harlow.
Në këtë intervistë, Rinaldo për KultPlus vjen për herë të parë në shqip, si asnjëherë tjetër, për të na rrëfyer më shumë për jetën e tij si fotograf që ka prekur kompanitë e skenat e mëdha të fotografisë botërore, dhe është njëri nga ne, një shqiptar i suksesshëm i botës.
Rinaldo, në moshën 2 vjeçare je larguar nga Shqipëria, bashkë me familjen tënde. A ke kujtime nga ajo kohë, nga fëmijëria jote, apo nga udhëtimi për në Itali.
Nuk kam kujtime. Kam qenë shumë i vogël në moshë, nuk mbaj
mend shumë nga ajo kohë, as nga udhëtimi drejt Italisë. Disa herë e kam pyetur
familjen time të më tregojë në detaje çdo hap të këtij rrugëtimi. Ka plot
emocione, njëjtë mbushem edhe unë me emocione, kur dëgjoj për lëndueshmërinë, pë
guximin e tyre për ta marrë vendimin, por pa burime dhe bazë në Itali, kur u
nisën drejt një shteti tjetër – në fakt, shumë afër gjeografikisht por shumë ndryshe
nga Shqipëria komuniste dhe e ngrirë në kohë.
Mendoj se këto tregime dhe melankolia për vendlindjen e prindërve të mi, ekspozimi im ndaj tyre, ka ndihmuar shumë në karakterin dhe ndjeshmërinë time.
Si nisi më pas
karriera jote…
Për fatin tim të mirë, familja ime asnjëherë nuk e mbylli
veten brenda një komuniteti. Unë u rrita sikur çdo fëmijë tjetër në Itali, si
vendas në fytyrën e botës, por me diçka shtuar: me një kulturë të dyfishtë
brenda shtëpisë sime. Në shtëpinë time kishte pasta e rizoto, por patjetër
byrek dhe qofte gjatë ditëve festive; prindërit e mi kanë qenë fansa të Queen,
Nina Simone and Tracy Chapman, por kur nisnin të pinin verë ose raki, këndonin
serenatat e Shkodrës apo këngët tironse, para meje i kënaqur e i ekzaltuar –
kuptohet që nuk i kam ditur tekstet e këngëve, por këto këngë më lumturonin.
Pra jam rritur si një djalë italian, atje e kam përfunduar
shkollën e mesme dhe universitetin: kam dashur të punoj në teatër, aplikova dhe
i bëra ballë seleksionimit të vështirë për skenografi në Accademia di Belle
Arti di Brera, Milano. Në mjediset e kësaj Akademie e zbulova pasionin tim për
fotografinë. Më pas vazhdova me studimet master në Fotografi në të njëjtën
Akademi, dhe më pas një vit në Universidada Complutense de Madrid, Madridi – ky
një qytet i dashur për mua, falë një burse që e fitova.
E kam dashuruar Madridin, jetën e natës dhe stilin e jetës të
së cilit tanimë e kisha njoftuar. E nisa me projekte të pavarura, aty këtu. Pas
dy viteve atje, një vend me tjetër kulturë nga ajo e Mediterranit po më ftonte:
Anglia, gjegjësisht Londra, kryeqyteti evropian i arteve, fotografisë dhe
modës. Një vend ku shkrihet diversiteti njerëzor dhe etnitetet. Në Londër u bëra
asistent i Mariano Vivanco, një fotograf i njohur i fytyrave publike, duke qenë
pjesë e sesioneve fotografike të Vogue dhe Harper’s Bazaars, GQ dhe të tjera
gazetave e kompanive prestigjioze të modës e fotografisë. Duhet të them se mësoj
shumë prej këtij njeriu; profesionalizmi, bashkë me talentin, qëndrueshmërinë
dhe insistimin, janë çelësi i suksesit.
Pas një viti e kuptova se jam gati të filloj punën si
fotograf i pavarur (freelance) dhe e morra përsipër rrezikun. Kanë kaluar kësisoj
gjashtë vjet që unë e ushtroj pasionin tim si profesion. Kuptohet, ndihem i
bekuar që e bëj atë që dua.
Çka shkëlqen nuk është gjithmonë ari: ka qenë e vështirë në shumë pjesë, por ato që mbizotërojnë janë kujtimet e mira: Pata mundësinë të udhëtoj shumë, kam njohur vende e kultura, kam takuar plot njerëz.
Cila ishte sipas teje pika e kthesës në karrierën tënde prej fotografi, në kuptimin që cili ishte momenti kur e kuptove se ke hyrë brenda tregut të pamëshirshëm të fotografisë?
Çka është më së shumti lajkatuese, është fakti se njerëzit të
citojnë, në kuptimin që ata mund ta definojnë stilin tënd ose shohin diçka me të
cilën e lidhin veten në punën tënde dhe stilin tënd të fotografisë. Shumë e vërtetë.
Sepse kjo do të thotë që ti po len diçka prapa, dhe dëshiron të rritesh shumë e
më shumë, më fuqishëm, për të evoluar bashkë edhe me zhvillimin e jetës tënde
dhe eksperiencave që një njeri i jeton.
Kur u bëra një fotograf i diplomuar, kisha frikë se si ta
gjeja stilin që do të më përshtatej më shumë, që unë do ta pëlqeja. Shpesh kam
menduar se kjo do të jetë e paarritshme.
Me kohën e kupton që krejt çka duhet të bësh është të krijosh, të realizosh, dhe eventualisht stili do të krijohet si i tillë, në një mënyrë të sinqertë. Vetëm duke shikuar prapa në trupin e punës tënde, mund të gjesh ngjashmëri dhe analogji që më pas e definojnë këtë stil.
Cilat janë disa prej fytyrave publike që i ke fotografuar dhe që mund t’i kujtosh, ndoshta edhe ndonjë moment nga sesionet e fotografive…
Unë nuk jam fort i projektuar kah fama, në kuptimin që jam më shumë i inspiruar të fotografoj njerëzit rreth meje, ata që i gjej në rrugë, në vendet ku udhëtoj, apo në vendet e tyre të punës.
Jam i lumtur kur fotografoj fytyra që janë më të njohura,
por kjo nuk është urgjente për mua për momentin. Mendoj se fotografitë e
fytyrave publike do të vijnë si një proces natyral në karrierën time, por
shpresoj që do të jem në gjendje të fotografoj gjithmonë ata që më inspirojnë.
Ka qenë sidomos kënaqësi seti i fotografive me Bella Hadid dhe Eva Herzigova në Dior Ball, në Muse Rodin në Paris.
I shoh fotografitë
tua dhe shoh plot fytyra, prej kah ku obsesion me fytyrë…
‘Fytyra është pasqyra e shpirtit’
E kam tendencë që të futem thellë në fytyrat e njerëzve që i
fotografoj (close-ups). Në jetën e përditshme, karizma dhe sjellja i japin
bukuri një njeriu. Pa këto shprehje, vetëm fytyra dhe trupi i njeriut si të
tilla nuk e japin të njëjtën tërheqje. Fotografitë e hollësishme të fytyrave
janë një nxitje për të komunikuar çka unë ndjej dhe marr prej subjektit tim,
drejt audiencës dhe shikuesit të fotografisë.
Fytyrat, njëjtë si trupat, janë shumë të bukur, pa marrë
parasysh seksin, formën dhe shijet personale. Unë besoj fuqishëm që bukuria është
gjithmonë aty, është detyrë e jona ta hetojmë me anë të ndjeshmërisë sonë, duke
u qetësuar e duke shikuar thellë brenda saj, për ta liruar mendjen dhe veten
prej barrierave që na ka mësuar shoqëria. Duhet ta gjejmë të bukurën në njerëzit
rreth nesh.
Dua t’i përcjell me anë të fotografive të mia këto përvoja që
i marr dhe i jetoj gjatë sesioneve të fotografisë, dhe prej këtij momenti
fotografitë mund të interpretohen si të duan prej audiencës: disa mund ti gjejnë
të njëjtat nuanca, tipare të fytyrës dhe karakteristika që unë i shoh, të tjerët
mund të kapen për krejt diçka tjetër.
E dua këtë fakt. Për këtë fakt edhe e dua fotografinë më
shumë se gjithçka tjetër. Sepse një fotografi është teknikisht paraqitje e një
realiteti, por falë filtrimit të fotografit një fotografi është e aftë të
transmetojë tek spektatori një përfaqësim të zgjedhur të një qenieje njerëzore.
Në një mënyrë, ashtu si fotografi ka dashur ta paraqesë: një realitet të
manipuluar.
“Fotografitë janë një mënyrë për ta burgosur realitetin… Askush nuk mund ta zotërojë realitetin, por mund ta zotërojë fotografinë. Askush nuk mund ta zotërojë të tashmen por mund ta zotërojë të ardhmen” – Susan Sontag – On Photography.
Photographs are a way of imprisoning reality…One can’t possess reality, one can possess images–one can’t possess the present but one can possess the past.” Susan Sontag – On Photography
Kohëve të fundit po i
kthehesh rrënjëve tua, njohjes më shumë me Shqipërinë. A më tregon më shumë se
si e sheh Shqipërinë sot dhe sa është inkuadruar ajo në punët tua?
Jam më afër me Shqipërinë, kam ri-zbuluar rrënjët e mia kur
e lashë Italinë për Spanjën, dhe edhe më shumë kur shkova në Londër dhe fillova
ta kuptoja që mund të vizitoj e jetoj në shumë vende të botës, por megjithatë
vendi ku ke lindur nuk do të ndryshojë asnjëherë: është një lidhje e pakushte,
deshte ti apo nuk deshte. Kështu më ndodhë me Shqipërinë, ndjenjë që dallon
prej vendeve tjera. Nuk e kam ndjerë veten kështu më parë, por tash po.
Plus, Shqipëria duket se është vend me pafundësisht potencial kulturor dhe antropologjik të pazbuluar, çka e bën edhe më tërheqëse për mua. Po e hapi Kutinë e Pandorës! 🙂
A i përcjellë
artistët nga Kosova e Shqipëria, çka mund të thuash për punën e tyre…
E kam përjetuar një fazë të zbulimit, kam dashur të di më
shumë çka ndodhë në Shqipëri. Plot kuriozitet, etje dhe dëshirë për tu
influencuar. Me një dëshprim të madh e kuptoj më pas se skena kryesore ka tendencë
të fortë projektimi dhe ekspozimi të një shoqërie tepër aspiracionale. Por ky
proces ka rezultat të tmerrshëm, sidomos në skenën muzikore, që unë e quaj
TURBOFOLK. Kur provoj të dëgjoj muzikë nga Shqipëria – jam shumë kureshtar të dëgjoj
muzikë nga gjuha ime amtare, shpesh gjej muzikë të regetonit, folk, hip-hop,
muzikë turke, muzikë elektronike, TË GJITHA NË NJË, që përthekohen në një miks
stili të çuditshëm, pa shije.
Më pëlqen muzika tradicionale shqiptare, por fatkeqësisht
nuk ka shumë ripërpunime të këngëve të tilla në Youtube ose Spotify që e
respektojnë stilin origjinal të versioneve të orkestruara e incizuara kohë më
parë.
Në aspektin e fotografisë, i njoh disa fotografë të famshëm
në Shqipëri, dhe puna e tyre sikur nuk më intereson. Pa keqkuptime, mendoj se
ka shumë artistë të mrekullueshëm shqiptarë në Balet, në Operë, në Art Bashkëkohor,
por nuk operojnë në panoramën kombëtare të Shqipërisë, shumica kanë zhvilluar korpusin
e punës së tyre ndërkombëtarisht.
Në anën tjetër, kur shkoj në Tiranë kam fort dëshirë ta
vizitoj Galerinë Kombëtare të Arteve, kam parë plot ekspozita të mira atje, që
më kanë bërë krenar, kuruar nga drejtori i përgatitur dhe me përvojë Erzen
Shkololli –i cili edhe është përkujdesur për ta pastruar, ruajtur dhe për
ta sjellë muzeun në përgjithësi në madhështinë e tij origjinale.
E dua Muzeun e
Marubit në Shkodër.
Sa i përket skenës së artit bashkëkohor në Kosovë, kam një
ndjenjë prej disa artistëve që i kam takuar, se panorama kombëtare e Kosovës ka
artistë shumë të sinqertë, të guximshëm, të motivuar, artistë radikal.
Feminizmi, queerness dhe të drejtat e njeriut janë disa prej temave që e shoh
se ata i trajtojnë dhe thumbojnë në punët e tyre. I mbështes dhe shpresoj që zëri
i tyre të bëjë shumë jehonë dhe të përdorë përparësitë e komunikimit të cilat
vetë arti i ka në dispocizion: të hapë mendjet, të edukojë masat.
Nëse krejt karriera
jote do të bërtiste një fjalë a përshkrim, cila do të ishte ajo?
E lejoj shikuesin e fotografisë që të vendosë vet si do ta
quajë fotografinë, por çka njëmend më intereson është shumëllojshmëria, në
secilin kuptim.
Bukuria e trupit të njeriut është shpesh subjekt i turpërimeve, shpesh mbuluar dhe stolisur rëndë. Shumë shpesh, çka është ndryshe prej botës së bardhë, perëndimore e heteronormative largohet dhe neglizhohet, duke mos iu dhënë asnjëherë ekspozimi dinjitoz. Besoj fuqishëm se këtë duhet ta ndërrojmë. Duhet të jetë një temë e pranishmë në punën e artistëve dhe njerëzve të industrisë kreative, për ta zhvilluar më shpejtë shoqërinë.
Kush është personi me të cilin të pëlqen më shumë të realizosh fotografi, sesione fotografish?
Nuk e di. Nuk ka një person të caktuar. Sidomos preferoj të
fotografoj aktorët sepse ata nuk kanë frikë që të marrin instruksione, t’i
drejtoj unë. Ata marrin këshillat e mia dhe më pas i zhvillojnë ato në një
drejtim krejt tjetër, shumë personal, dhe është fantastike ajo çka del në fund
si rezultat.
A mund të na përshkruash
një ditë tënden normale të punës…
Për dallim prej asaj që mund ta mendojnë plot njerëz, puna
ime nuk është vetëm me një kamerë apo aparat në dorë. Kur nuk jam duke
fotografuar bëj plot hulumtim. Inspirimi është vazhdimësi: duke shikuar art,
ekspozita, duke lexuar libra për antropologjinë. Kinematografia është poashtu
një burim konstant i inspirimit, dhe kur nuk dal i kaloj mbrëmjet duke shikuar
një përzgjedhje të kujdesshme të filmave nga MUBI, nga Godarti deri te David
Lynch, nga Pasolini tek Almodovar. Arti i Shtatë është babai i fotografisë. Të
dyja tregojnë rrëfime, definojnë karaktere, të vërteta apo të trilluara. Vetëm
elementi i përkohshëm ndryshon: numri i kuadrave që të lejohet t’i bësh.
Poashtu, në ditët e mia kur nuk jam duke fotografuar, krijoj
kollazhe dhe plane për sesionet e ardhshme fotografike, merrem me përpunimin e
atyre të kaluarave, e mbledhi ekipin tim që të jetë gjithçka gati, kërkoj lokacionet
e ndryshme, i lexoj blogjet e mia të preferuara të fotografëve, laj filma në
laborator ose kaloj kohë në darkroom – dhomën e zezë, skenoj negativët dhe i
përpunoj derisa fotografitë të marrin ngjyrimin definitiv.
Kur kam një sesion të fotografisë – kur është produksion i madh – duhet të jem në set shumë herët, sepse puna e shumë prej njerëzve aty varet prej meje. Këto janë ditë që zgjasin goxha, ndonjëherë dijnë të jenë ditë që kërkojnë shumë, njëjtë sikur të isha me vetëm një modele a model në sheshin e fotografimit.
Në çka po punon
momentalisht Rinaldo?
Momentalisht po punoj në një projekt fotografik artistik në
Qytetin e Meksikës. S’po zbuloj më shumë.
Dhe krejt në fund, një mesazh i Rinaldos për fotografët sidomos shqiptarë…
Po. Fotografoni dhe vetëm fotografoni, kësisoj do ta gjeni e ndërtoni
stilin tuaj. Dilni jashtë kutive, mos jeni të turpshëm (gjyshja ime thotë se
turpi është për ata që bëjnë gjëra të këqija), sfidojeni veten dhe ata që i
keni përreth, mos e kufizoni veten prej frikës së do të gjykoheni. Artisti
duhet të dalë jashtë zonës së rahatisë. Vazhdoni, duhet rrezikuar, duhet
dedikuar tërë energjinë tuaj në këtë rrugëtim që nuk është i lehtë. E zbuloni
edhe veten më vonë, përdoreni median sociale për tu ekspozuar, mos u krahasoni
me të tjerët, të gjithë e kemi një rrugë për ta përcjellur. Shikoni filma të
mirë, shkoni në ekspozita që janë të arrira, nëse s`mundeni, gjeni art të mirë
në internet.
Sytë na lodhen prej realitetit përreth, duhet të udhëtojmë
për të freskuar ata, vizionin. Udhëtoni sa më shumë që mundeni.
“Be yourself; everyone else is already taken.” Oscar Wilde
Punën e Rinaldos mund
ta shihni në Instagram@rinaldosata dhe në www.rinaldosata.com
Me të marrë një libër të përkthyer nga Mimoza Hysa nuk mund ta lëshosh nga duart gjer në faqet e fundit. Gjuha e pastër shqipe që përdorë dhe leksiku i pasur, e bëjnë atë padyshim njërën nga përkthyeset më të mira shqiptare, e cila është fituese e disa çmimeve të rëndësishme në fushën e përkthimeve letrare.
Ajo
përveçse përkthyese, është studiuese dhe shkrimtare e afirmuar. Mimoza ka lindur
në Tiranë ku dhe ka mbaruar studimet për gjuhë dhe letërsi italiane me tezën
mbi poezinë e Montales.
Po
bëhen 28 vjet gjatë së cilave ajo ka sjellë në shqip shumë vepra të njohura nga
autorë të shquar evropianë e botërorë.
Në këtë intervistë për KultPlus, Mimoza shpalos shumë gjëra me interes për lexuesit, që nga përpjekjet e para për të përkthyer, sukseset, kontakti me Tabucch-in, modelet që ka ndjekur, autorët e preferuar, e deri tek planet e ardhme të saj…
KultPlus: Si filloi karriera juaj në
fushën e përkthimeve letrare?
Përkthimi ka nisur paralelisht me mësimin e gjuhës
së huaj, pra jo në rendin e duhur, pas përvetësimit të mirë të gjuhës së huaj.
Jetonim në një kohë kur kishte pak përkthime nga gjuhët e huaja dhe jo shkrimtarët
që do të dëshironim të lexonim, kështu që kishim ngut për të kapur kohën dhe
përkthimi ishte mënyra për t’u bërë të ditur miqve dhe shokëve autorë dhe libra
që vështirë të kapërcenin filtrin e censurës. Natyrisht nuk ishin përkthime për
botim dhe kjo e lehtësonte nevojën për përsosmëri, ishte etja për të lexuar
çfarë na ishte ndaluar.
KultPlus: E
mbani mend se cili ka qenë teksti i parë që e keni përkthyer?
Mbaj mend tekstin që kam marrë më seriozisht për të
përkthyer, dhe që nis me vargun: “Silvia, a të kujtohet…”. Ka qenë poezia “Silvias”
e Leopardit, një poet filozof i trishtimit që më shkonte për shtat (“për
mendje” do të thosha më mirë) në kohën e adoleshencës sime. Poezinë e përktheva
në vitin e dytë të shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja dhe shkova t’ia tregoja
historianit dhe përkthyesit Injac Zamputti, biri i së cilit ishte mësuesi im i
gjuhës italiane. Profesori i nderuar më përgëzoi për dëshirën dhe vullnetin dhe
diskutoi me mua për rreth një orë për variantet e përkthimit. Ishte leksioni i
parë i mirëfilltë për përkthimin që më bëri të kuptoj sa rrugë të gjatë kisha
për të bërë.
KultPlus: Është më i vështirë përkthimi
i një vëllimi poetik apo i një romani?
Çdo përkthim për të qenë një përkthim i mirë është i vështirë, por përkthimi i poezisë shkon në skajin e pamundësisë. Debati sesa humbet poezia në përkthim ka qenë dhe mbetet i hapur. Është i njohur një eksperiment i Eugenio Montale-s, i cili edhe pse kishte qenë vetë përkthyes i soneteve të Shekspirit, të poezisë së Blake-t, Yeats-it, Eliot-it e me radhë, dyshonte në mundësinë e përkthimit të arrirë të poezisë së tij. Për këtë arsye, pak vite para se të vdiste, më 1978, i kërkoi studiueses Maria Korti të realizonte një eksperiment interesant: përkthimin zinxhir të poezisë “Stanca të reja” nga vëllimi “Rastet” në dhjetë gjuhë, sipas parimit të lojës “Telefoni i prishur”. Vetëm përkthyesi i parë i gjuhës arabe ishte në dijeni të autorit, ndërsa përkthyesit e tjerë punuan në mungesë të çdo reference dhe konteksti ndihmues. Rezultatet e eksperimentit u botuan vetëm më 1999, në mungesë të autorit. Ajo që vërtet kishte humbur në përkthimin “symbyllazi” ishte pikërisht thelbi i poezisë së tij. Duke ia njohur poezisë së tij grackat tinëzare, sfumaturat stilistike të holla, përkimet e largëta përhumbëse, Montale i kishte parashikuar keqkuptimet që mund të sillte përkthimi “lakuriq”, pa njohjen paraprake të poezisë dhe autorit, dhe pa një proces përgatitor në kulturën pritëse. Po edhe kur të gjitha këto kushte paraprake plotësohen përsëri është e vështirë të përkthehet muzikaliteti i poezisë dhe figuracioni letrar. Shkalla e vështirësisë ndryshon edhe nga stili i poetit. Meqë përmenda dy nga poetët e mi të parapëlqyer: Leopardi e Montale nga letërsia italiane, do të thosha se humbet më shumë poezia e Montales në përkthim sesa ajo e Leopardit. Po humbje ka, gjithsesi.
KultPlus: Çfarë e bën një përkthyes që të cilësohet i mirë?
Përkthyesit
nuk janë në garë për titullin e më të mirit, se nuk mund të ketë një ndarje të
tillë. Po natyrisht mund të dallohet një përkthim i mirë nga një përkthim jo i
mirë. Një përkthyes të mirë e bën kultura e përgjithshme që ka, kureshtja për
të mësuar sa më shumë, leximet e shumëllojshme, vullneti dhe ngulmimi për të
bërë më të mirën, e padyshim talenti.
KultPlus: Mendoni se gjuhës shqipe
ende i mungon përkthimi i shumë prej veprave të mëdha botërore?
Do të thosha se është bërë një punë e madhe në këto
tridhjetë vite në Shqipëri për të fituar kohën e humbur në përkthimin e
kryeveprave të shekullit të kaluar e sidomos në përkthimin e letërsisë
bashkëkohore. Tashmë një pjesë e mirë e kryeveprave botërore janë përkthyer. Megjithatë
është e pamundur të jemi në një hap me gjuhët “e mëdha”, në kuptimin e numrit të banorëve që e flasin
atë gjuhë. Ka ende shumë vepra të autorëve nobelistë, apo të emrave të njohur
të letërsisë botërore të pa përkthyera. Po kështu kemi mangësi në përkthime nga
gjuhë që njihen pak si gjuhët e vendeve aziatike, të Evropës veriore apo të
Afrikës. Është e natyrshme për një vend të vogël, me një gjuhë të rrallë, e për
më tepër që ka kaluar një periudhë të gjatë veçimi me përkthime me pikatore.
KultPlus: Keni
pasur ndonjë përkthyes që e keni ndjekur si model?
Kam adhuruar profesorin tim të lëndës së përkthimit,
Shpëtim Çuçkën, për gjuhën e pasur, sintaksën e përkryer dhe zgjidhjet “pa
firo” në përkthimet e tij. Me kalimin e kohës kupton se modelet as nuk kopjohen
e as nuk tejkalohen: thjesht ti ke një rrugë tënden për të ndjekur që nuk
ngjason me rrugën e askujt tjetër.
KultPlus: Mund ta përmendni ndonjë
vepër nga ato që i keni sjellë në shqip, që e konsideroni si më të veçantë?
Kam pasur fatin t’i përzgjedh vetë veprat që kam përkthyer gjë që do të thotë se më kanë pëlqyer dhe i kam vlerësuar të rëndësishme për lexuesin shqiptar. Po do të veçoja tregimet e magjishme të Buzzati-t për fantazinë dhe gjetjet befasuese, romanet e Tabucchi-t për stilin dhe mesazhet e thella, rrëfimet e mahnitshme e të pazakonta të Baricco-s apo poezitë e ngërthyera me ide dhe vizione të Montales. Kam adhuruar mënyrën sesi Mazzantini krijon strukturën e rrëfimit dhe sesi ruan befasinë për lexuesin, apo sesi Mazzucco ndërton figurat e personazheve femra, krejt të pazakonta e të pangjashme me personazhet femra të krijuara nga shkrimtarët meshkuj. Jam argëtuar pa masë duke përkthyer romanet e Domenico Strarnone-s dhe më ka mbetur në mendje mënyra sesi përdorë regjistrin bisedimor në rrëfim për të shprehur ide të mëdha me gjuhë të thjeshtë e të shkathët. Kam udhëtuar duke zbuluar vende e njerëz, duke kuptuar më mirë veten dhe tjetrin përmes përkthimit të Claudio Magris-it. Çdo përkthim ka qenë një shkollë e kënaqësi më vete.
KultPlus: Keni në plan ndonjë
krijim tuajin?
Sapo
kam botuar romanin “Bijat e gjeneralit”, një histori e unit të dyzuar, mes së
mirës dhe së keqes, mes liberales dhe konservatores, mes rrugës së shtruar nga
të tjerët dhe asaj të shtyrë prej zemrës, mes zilisë dhe urrejtjes, mes
kërkimit të ethshëm për dashuri dhe atij për lavdi. Është historia e
gjithsecilit pavarësisht kohës dhe vendit, e luftës për të pranuar veten me të
gjitha veset dhe virtytet. Janë dy faqe të së njëjtës medalje, dy identitete të
ndryshme që shkrihen në një njeri. Ndërkohë kam në dorë dhe një vëllim me
tregime. Tregimi është gjinia ime e parapëlqyer se i përngjan rrufesë në qiell
të pastër: një krismë tensioni që në pak faqe mund të pikturojë një botë të tërë,
të japë ide të mëdha apo dhe thjesht një kënaqësi estetike të rrallë që të
godet e të mbetet në mendje. Punoj paralelisht me përkthime dhe shkrime.
KultPlus: Cilët janë autorët
(shqiptarë dhe të huaj) tuaj të preferuar?
Janë shumë klasikë që më kanë formuar, janë shumë emra që kanë lënë gjurmë në periudha të ndryshme të rritjes sime. Parapëlqimet ndryshojnë me moshën, kohën dhe formimin, por disa prej tyre i lexoj gjithnjë e i mbaj me vete si romanet e shkrimtarëve kaq të ndryshëm me njëri-tjetrin si: Kafka, Coetzee, Jelinek, Houellebecq, Cortazar,Magris, apo poezitë e Pavese-s, Amichai-t, Ricos. Kohët e fundit po lexoj me shumë kureshtje tregimet e një autoreje të re argjentinase: Samanta Schweblin, si dhe veprat e nobelistes së fundit polake Olga Tokarczuk. Ka kaq shumë letërsi të mirë sa të duhet vetëm kohë në dispozicion për ta shijuar.
KultPlus: Si shikohet nga prizmi
juaj letërsia e sotme shqipe?
Vështirë të jepet një përgjigje e
shkurtër për një temë kaq të gjerë që kërkon trajtesë të thellë, por, me pak
fjalë, mund të them se ka prurje për t’u vlerësuar në letërsinë e sotme shqipe,
ka autorë që meritojnë vëmendje. Gjuha është pengesë për përhapjen e letërsisë
shqipe jashtë vendit, jo thjesht për t’u njohur nga lexuesi i huaj, por për të
pasur më shumë lexues, meqenëse jemi vend i vogël dhe, për rrjedhojë, numri i
lexuesve është i pakët. Në mendimin tim, arritja kryesore e letërsisë së sotme
shqipe është fakti që, si rrallë herë gjatë historisë së saj, letërsia shqipe
ndodhet në të njëjtën fazë zhvillimi me letërsinë botërore dhe komunikon
denjësisht me të. Është me rëndësi të theksohet se letërsia shqipe tashmë nuk
lëvrohet vetëm brenda kufijve, por ka emra të rëndësishëm edhe në vende të
ndryshme të botës, gjë që i kanë falur më shumë frymëmarrje dhe diapazon.
KultPlus: Po një
përkthyes i ri ç’duhet të ketë parasysh kur t’i hyjë kësaj pune?
Së pari të jetë i durueshëm dhe më vullnet se një
përkthyes i mirë bëhet pas një pune të gjatë dhe ngulmuese. Shumë lexime çfarëdo,
por edhe udhëtime fizike apo virtuale për të njohur botën. Përpos njohjes së
thellë të gjuhës së huaj, duhet të ketë aftësinë e lëvrimit të përsosur të
gjuhës shqipe. Pasion për punën dhe dashuri për librat në përgjithësi dhe
letërsinë në veçanti. Përkthyes të mirë të bën kultura e gjerë e sidomos
kureshtja dhe dëshirë për të mësuar gjithë jetën.
KultPlus: Si
lindi ideja që t’i sillni për publikun shqiptar veprat e Antonio Tabucchi-t?
Si përkthyese nga gjuha italiane kam qenë gjithnjë e vëmendshme për të zbuluar dhe sjellë në shqip autorë italianë të pa përkthyer më parë. Tabucchi-n për çudi e zbulova në një mënyrë të tërthortë: po lexoja një vepër të Pessoa-s të përkthyer nga Tabucchi në gjuhën italiane. Më pas lexova për përkujdesjen e një shkrimtari si Tabucchi për të bërë të njohur veprën e Pessoa-s në Itali. Kështu u njoha dhe me Tabucchi-n si autor. “Dëshmon Pereira” është vepra e parë që i kam lexuar dhe vendosa të bindja botuesit për t’i blerë të drejtat dhe për ta sjellë në shqip. Gjatë procesit të përkthimit u vura në kontakt me autorin: e kam bërë me të gjithë autorët e gjallë që kam përkthyer. Intervista që i mora Tabucchi-t ka qenë e vetmja e këtij autori në gjuhën shqipe, ku ai vlerësonte punën e përkthyesit. Për Tabucchi-n “Të përkthesh do të thotë të kuptosh thellësisht një autor dhe të jesh bashkëpunëtor me të. Por mbi të gjitha, përkthimi, u shpreh ai, është një transportues i mrekullueshëm: pa përkthimin shkrimtari do të mbetej i burgosur në vendin e tij, qoftë ky i madh apo i vogël. Edhe një vend i madh kur të mban të burgosur është vend i vogël, sepse burgjet janë të vogla edhe kur janë të mëdha.”
KultPlus: E
shihni si arritje të madhe tuajën përkthimin e romanit “Dëshmon Pereira”?
Është
padyshim një nga romanet më të mira që kam përkthyer dhe për më tepër një nga
romanet më të dobishëm për lexuesin shqiptar. Romani ngre një pyetje të
rëndësishme: cili është roli i intelektualëve në një shoqëri totalitare? A duhet
intelektualët të angazhohen në politikëbërje, në problemet madhore të një
vendi? Apo duhet të japin kontributin duke bërë atë që dinë të bëjnë më mirë në
fushën e tyre? Pyetja është mëdyshje e madhe që shoqëron çdo mendimtar të
suksesshëm në vendin e tij, sidomos në periudha të errëta kur cenohet liria e
individit. Më ndjek shpesh pyetja që Pereira, gazetar dhe njeri i letrave në
roman, i bën vetes kur njihet me Monteiro Rosin dhe të dashurën e tij, dy të
rinj të angazhuar në luftë kundër regjimit totalitar të Salazar-it në Portugali:
Po sikur këta të rinj të kenë të drejtë dhe unë ta kem gabim? Do të thotë që
kam çuar dëm një jetë.
KultPlus: Sa ju
merr kohë procesi i përkthimit dhe a e shihni atë, përkthimin, si rikrijim?
Koha varet nga vështirësia e librit që do të përkthej.
Për përkthimin e vëllimit poetik “Rastet” të Montale-s me 182 faqe m’u deshën
plot tri vjet, ndërkohë që kisha mbi dhjetë vjet që mundohesha ta njihja dhe
kuptoja poezinë e tij. Kur mësova se përkthyesit në anglisht të po së njëjtës
vepër i ishin dashur tetë vjet u ndjeva e lehtësuar, ndërkohë që për përkthimin
e romanit “Lidhëse” të Domenico Starnone-s me po të njëjtin numër faqesh më
janë dashur më pak se dy muaj.
Ndërsa për mënyrën sesi e shikoj përkthimin do të
përmendja shprehjen që përdori Claudio Magris kur erdhi në Tiranë për të
promovuar përkthimin e veprës “Udhëtim pa mbarim”: “Viaggio infinito” është
shkruar prej meje, ndërsa “Udhëtim pa mbarim” është shkruar nga unë dhe Mimoza
Hysa. Përkthyesi është jo thjesht lexuesi, kritiku më i mirë i një vepre që
përkthen, por edhe shkruesi i asaj vepre në gjuhën e tij. Sado i mirë dhe i
talentuar të jetë autori i veprës, është meritë e përkthyesit nëse ajo vepër
lexohet po me të njëjtën endje në gjuhën tjetër.
KultPlus: Cilat
janë planet tuaja, a do të ketë lexuesi shqiptar së shpejti në duar ndonjë vepër
të përkthyer nga ju?
Për planet dihet
shprehja që nëse Zoti do të na dëgjonte, do të qeshte me ne. Po ndërkohë mund
të them se unë kam gjithnjë disa punë paralelisht: po përkthej një roman të
Melania Mazzucco-s dhe kam një tjetër roman të Claudio Magris-it në radhën e
punës. Pastaj sapo më jepet paksa rasti të arratisem larg njerëzve e të vjedh
pak kohë për vete, shkruaj…uroj shumë që ky vit të jetë i begatë në “kohë për
vete”: të më japë mundësinë të përfundoj një vëllim me tregime të nisur prej
kohësh. /KultPlus.com
Takojeni Antoneta Kastratin. Ajo ka plot rrëfime për t’i
ndarë me secilin prej nesh, por duke mos folur një në një, ajo krijon filma dhe
dokumentarë të cilët më pas prekin sentimentin e botës. Me nënën dhe motrën të
vrarë në luftë, për Antonetën vetë lufta është plagë e thellë të cilën ajo e
kthen në film, në minutazha të filmit.
Filmi i saj i fundit, ‘ZANA’, është më shumë se një emër i
butë i vajzës. Është tregim për luftën, për përvojën e vetë Antonetës. Familja
e një gruaje mendon se ajo është pushtuar nga syri i keq, dhe kësisoj drama
zhvillohet e fuqishme, e mishëruar, e dhimbshme për ata që mund ta gjejnë veten
brenda.
Antoneta është në mesin e atyre regjisoreve që pëlqen shumë
të eksperimentojë në filmat e saj. Në përvojën e saj më shumë se një dekadë,
Antoneta ka prekur e rrokur shumëkah. KultPlus po e sjellë sot në këtë
intervistë regjisoren e njohur e cila ka shumë për të thënë për veten, për gratë,
për luftën, për shpresën, për Kosovën.
Po e nisim këtë intervistë me filmin e fundit, ‘ZANA’. Ku e pati synimin të prekë ky film, ku thumboi, dhe a po ia arritë në misionin e tij?
‘ZANA’ është filmi im i parë i metrazhit të gjatë narrativ, me
shumë të panjohura dhe sfida në gjithë procesin. Fillimisht, gjatë gjithë kohës
së krijimtarisë në skenar, para-produksion dhe xhirim punon dhe jep gjithcka
nga vetja duke u bazu plotësisht në një besim të brendshëm që krijimi përfundimtar
ka me qenë ai që e sheh në mendje. E gjithë kjo pa garancion që projekti në
fjalë ka me mbërri me u kompletu dhe me përçu vizionin që e sheh në kokë. Fakti
që arrita me e përfundu filmin ashtu qysh e kam pa kur kam fillu shkrimin dhe
arrita me e pasë një premierë në një festival të respektueshëm dhe pritje shumë
të mirë nga publiku është arritje e madhe, për mua dhe gjithë ekipin.
Më pas, premiera dhe shikueshmëria në Kosovë ka qenë shumë e veçantë për mua dhe më tepër se sa e kam pritur. 2019 ishte vit shumë aktiv dhe një fillim i suksesshëm për filmin. Reprezentimi i Kosovës në Oscar dhe publiciteti gjatë kampanjës ishte gjithashtu shumë i kënaqshëm. Presim tash që viti 2020 ka me qenë gjithashtu aktiv, i mbushun me festivale dhe shfaqje në kinema botërore ku do të arrijë deri te një audiencë më e gjerë.
‘ZANA’ është një tregim për luftën. Sa është e thellë ndjenja e luftës brenda Antonetës, në aspektin personal, na trego pak se qysh ti e trajton luftën në krijimet tua personale.
Ndjenjat e mia për luftën dhe humbjen që kam pësuar dhe pyetjet e mia rreth saj janë të shtjelluara në filmin ‘ZANA’. Fjalët nuk mjaftojnë me e shpjegu atë cka ndjej në lidhje me këtë temë, për më tepër e reduktojnë atë. Filmi për mua personalisht është medium më adekuat që mund të kapë dhe përçojë atë ndjesi.
A mendon se me këtë film e ke nderuar kujtimin për nënën dhe motrën, dhe familjarët tjerë të zhdukur a të vrarë në luftën e Kosovës?
Fakti që përmes ‘ZANA’ e kam nda një përjetim që ka mbërri me i fut sadopak njerëzit (jo vetëm në Kosovë) brenda një realiteti të randë dhe me e bashkëndje dhimbjen e thellë që lufta shkakton, është më e pakta çka unë mund të bëj ta nderoj kujtimin e tyre dhe të vrarëve të tjerë në luftë. E kam ndjerë disa herë pas shfaqjeve të filmit që ka ndodhë dicka më e madhe me publikun dhe mua, që për momentin efektin e saj ende nuk mund ta kuptoj. Mendoj që koha do të jetë treguesi më i mirë për këtë.
Shumë thonë se është
boll me filmat për luftën. A mendon njëjtë Antoneta si regjisore, a është mjaft
apo ende ka nevojë për filma ku tregohet plaga e madhe e shqiptarëve?
Së pari, krijimi filmik është diçka shumë subjektive dhe
personale dhe mënyra se si ne si skenaristë apo regjisorë vendosim se çfarë
teme dhe tregimi të shtjellohet në filmat tanë ka të bëjë shumë pak me nevoja kolektive
dhe statistika. Tjetra, nuk e di pse ekziston bindja qe janë ba filma shumë për
luftën në Kosovë. Cilët filma? Është fakt që janë ba disa filma të shkurtër për
luftën, me tregim gjatë luftës. Mirëpo filma të metrazhit të gjatë janë bërë
disa, vetëm për pasojat e luftës, ku zë vend edhe filmi im ‘ZANA’. Unë nuk e di
një film në vitet e fundit me vendngjarje në luftë. Për më shumë, unë mendoj që
ne veç sa kemi nisë me u marrë seriozisht me këtë temë, veç sa kemi nisë me gërvishtë
sipërfaqen.
Ka tregime, shtresa dhe perspektiva të shumta që mund të shtjellohen dhe besoj që kemi me pasë edhe më shumë filma të tjerë në të ardhmen. Për gjeneratën tonë lufta ka ndodhë në një periudhë më të ndjeshme tonën, kur ne ishim tinejgjerë dhe ka pasë ndikim drastik në formësimin tonë si individë, normalisht që do ta shtjellojmë këtë temë në filmat tonë. Lufta vazhdon të jetë dështimi më i madh njerëzor, pasojat e së cilës kurrë nuk shërohen dhe ndihen me gjenerata. Dhe, përderisa lufta vazhdon të ekzistojë në realitetin tonë njerëzor, do të ketë filma për luftë.
A ka tregime në
popullin shqiptar që ende Antoneta nuk i ka parë të vizuelizuara dhe do të
donte ti krijonte vetë?
Ka shumë tregime në Kosovë që do të doja me i shtjellu në
film. Shpresoj qe në të ardhmen (jo menjëherë) do të kthehem dhe ta realizoj një
film tjetër në Kosovë.
Pse mendon se gratë
regjisore shqiptare po tregojnë fuqi të madhe regjisoriale viteve të fundit?
Së pari, është ndjenjë e mirë të jem pjesë e një fryme të re
të regjisoreve në Kosovë, e veçanërisht gjeneratës së parë të regjisoreve gra të
cilat kanë mbërri shumë në skenën ndërkombëtare. Është shumë frymëzuese. Kudo që
shkoj në festivale dëgjoj për filmat nga Kosova nga regjisore femra. Arsyeja
kryesore është se gratë për herë të parë kanë qasje dhe mundësi me ba filma. Tjetra
është se gratë regjisore janë dukë sjellë tregime dhe qasje të cilat nuk ka qenë
prezente më herët. Me këtë sjellin ndjeshmëri dhe estetikë prej një perspektive
tjetër. Mendoj që në përgjithësi është një ringjallje e kinematografisë në
Kosovë dhe mezi pres të shoh filmat tjerë të radhës që janë në post-produksion.
Sa e madhe është
fuqia e një filmi në një shoqëri të vogël sa Kosova?
Për shkak se Kosova është vend i vogël dhe filmi ka stagnu për një kohë të gjatë, shihet një entuziazëm dhe ndikim shumë më i madh tek njerëzit. E pamë me filmin ‘Martesa’ dhe filma të tjerë sa ishte ndikimi pozitiv në shoqëri veçanërisht në thyerjen e barrierave tek njerëzit.
Pse kthehesh gjithmonë në Kosovë për filmat e tu, edhepse jeton jashtë Kosovës. A nënkupton kjo që ti e sheh Kosovën gjithmonë si një observerë, si sy i tretë i realitetit?
Kosova është vendi ku kam shpenzu kohën më të madhe të jetës sime, është vendi ku jam rritë dhe formësu dhe nuk e shoh veten të ndarë nga Kosova. Si krijuese gjithmonë nisesh nga diçka që e njeh, ose jemi kurioz të mësojmë më shumë. Kjo është arsyeja pse unë kthehem dhe bëj tregime të Kosovës pasi që dua të sjell diçka të vërtetë në krijimtarinë time.
Mirëpo në anën tjetër temat qe i trajtoj janë universale dhe nuk i shoh të ndara nga pjesa tjetër e botës dhe gjendja njerëzore. Është vetëm se i tregoj nga një lense specifike nga ku unë vij. Ndihem plotësisht pjesë e botës (qytetare globale) dhe ashtu i qasem edhe krijimtarisë.
Si ishte në
përgjithësi viti 2019-të për karrierën e Antonetës, një vit i frytshëm me plot
projekte filmike…
2019 ishte vit shumë aktiv, me shumë sfida për përfundimin e
filmit. ‘ZANA’ ishte projekti më i gjatë dhe i vështirë për mua në të gjitha
aspektet. Më në fund, ishte ndenjë shumë e mirë të kem premierën në TIFF dhe
suksesin që ‘ZANA’ e pati.
A është Antoneta
feministe dhe a reflektohet ky feminizëm në projektet tua filmike. A do të
duhej që regjisoret femra të ndiheshin të obliguara të avokonin me anë të
projekteve të tyre.
Po normalisht, fakti qe jam grua dhe jetojmë ende në një botë
të pabarabartë gjinore automatikisht më bën feministe përndryshe do të isha
kundër vetvetes dhe mirëqenies sime. E pyetja se a ishin dashtë regjisoret gra
me avoku për të drejtat të grave, mendoj që këto nuk janë të ndara njëra nga
tjetra. Vetë fakti që janë gra në rolin e skenaristes ose regjisores dhe tregojnë
tregime nga perspektiva e tyre është në vetvete avokim. Perspektiva feministe është
e mishëruar në krijimtarinë dhe qasjen tonë.
Në çka po punon
aktualisht Antoneta, a do të mbetesh ende në temat e kontekstit shqiptar apo…?
Filmi im i radhës do të jetë në Los Angeles. Mirëpo mund të ketë projekte tjera ndoshta, dokumentarë në Kosovë. / KultPlus.com