“Netët pa ty më janë të gjata pa fund, i ngjaj udhëtarit që ec dhe s’mbrrin askund”

Grupi “Minatori”, njihet si një ndër grupet më të njohura në Kosovë, të cilët janë dalluar edhe për tekstet e këngëve, të cilat vazhdojnë të mbeten të paharruara për shumë adhurues.

Një ndër këngët e famshme të grupit “Minatori”, është edhe kënga “Athua ëndërr ishe ti”, mirëpo, grupi “Minatori”, është një ndër grupet që ka krijuar shumë hite për vitet e 80-ta, ku këngët e tyre kanë qenë hite në Radio Televizionin e Prishtinës.

Kurse këngët e këtij bendi që u patën shndërruar hite janë edhe “Molla me shërbet”, “Mihane”, “Të dua sa Kosovën”. Kurse, vokalist i këtij grupi është Naser Gjinovci /KultPlus.com

Dashuria për librin, qytetarin kinez nuk e ndalon as Coronavirusi (FOTO)

Tash e disa ditë virusi Corona ka bërë namin në Kinë, duke lënë pas shumë viktima e duke vazhduar të përhapet edhe më gjerë, shkruan KultPlus.

Mirëpo, edhe në rrethana të tilla, libri din të jetë prezent, ndoshta për të humbur mendjen pak nga fatkeqësia e ndoshta thjeshtë sepse dikush që është mësuar të lexojë nuk rrin dot pa një libër në dorë.

KultPlus ju sjell një fotografi ku shihet një qytetar nga Kina i shtrirë në spital, i izoluar, por me një libër në dorë. / KultPlus.com

‘Kur prindërit nuk janë më me ne, ne mbetemi jetimë dhe kjo është e trishtueshme e në çdo moshë e kohë’

Kur prindërit tanë ikin nga kjo jetë, asgjë nuk është e njejtë. Ne nuk mund të jemi më fëmijë, nuk ndihemi të mbrojtur nga përqafimet e tyre, puthjet e tyre dhe fjalët e tyre të inkurajimit. Duket se jeta bëhet më e vështirë sepse nuk kemi më strehën tonë mbrojtëse.

Kur prindërit nuk janë më me ne, ne mbetemi jetimë dhe kjo është e vështirë, e trishtueshme dhe e dhimbshme në çdo moshë e kohë. Edhe nëse keni krijuar familjen tuaj, figura e prindërve tuaj është gjithmonë pranë jush ose të paktën në mendjen tuaj, ajo nuk ikën kurrë. Të gjithë, edhe nëse të rritur, ne kemi atë fëmijën e brishtë brenda nesh që dëshiron të mbrohet nga prindërit e tij.

Ndaj shkoni tek ata sot, shkoni menjëherë për t’i dhënë dashurinë tuaj të pakushtëzuar: Kur ata të mos jenë më me ne, nuk do të jemi në gjendje ta bëjmë këtë.

Kurrë nuk do të jemi gati për t’i dhënë lamtumirën. Duke ditur se nuk do t’i shohim më kurrë, se nuk do të jemi në gjendje t’i përqafojmë, është gjëja më ë vështirë për t’u imagjinuar. Koha për të kaluar pranë njerëzve me të vërtetë të dashur nuk është kurrë e mjaftueshme. Ikja e prindërve nga kjo botë është një fatkeqësi e madhe, kurrë nuk kapërcehet plotësisht. Mund të pranohet, por nuk mund të kapërcehet.

Jo vetëm që trupi i prindërve nuk është më, por edhe një pjesë e juaja shkon me ta. Kujtimet e bukura, dashuria e tyre, streha jonë…gjithçka ikën larg. Një ditë mund të ndihesh fajtor që nuk i dhe një rëndësi të veçantë gjithë kësaj. Nëse keni ndonjë konflikt të pazgjidhur me prindërit tuaj, rregullojeni atë. Ju duhet të keni marrëdhënie të mira dhe të përpiqeni të jeni gjithnjë të kënaqur me njëri-tjetrin. Jini të vetëdijshëm se nuk do të jenë përgjithmonë me ju. /naishtedikur/ KultPlus.com

“Ka fjalë që qajnë dhe lotë që flasin”

Thënie të pavdekshme nga Dritëro Agolli:

“Gabimi i një doktori varroset në tokë. Gabimi i një arkitekti bie në tokë, kurse gabimi i një mësuesi ecën nëpër tokë”.

“Vetëm gjuha e muzikës, verës dhe dashurisë nuk ka nevojë të përkthehet”.

“Nëse njeriu nuk ndjen as kënaqësi, as dhimbje; nëse nuk ndjen as gaz, as hidhërim, as shpresë, një gjë po jua them me ndershmëri dhe bindje, lëreni të vdesë”.

“Ka fjalë që qajnë dhe lotë që flasin”.

“Për të gjetur miqësinë e vërtetë kapërcehet lumi, për të gjetur dashurinë e vërtetë deti”.

“U zumë të dy aq shumë për punën
Dhe s’flasim dhe s’vemë e s’vijmë!
Eh, budalla!
Edhe dhëmbët zihen me gjuhën,
Zihen dhe bashkë rrinë”.

“Dashuria është një libër që e lexojnë të gjithë, por të paktë janë ata që arrijnë deri në faqen e fundit”.

“Duaje gruan edhe me gabime, ashtu siç do një libër të bukur edhe me gabime shtypi”.

“Dashuria nuk i dhuron, por i jep të gjitha. Ndofta kjo mund të mos jetë e përjetshme, por i përjetshëm mbetet çasti”.

“E vërtetë e pabesueshme
E mbajta në krah tërë ditën
Edhe zemër i dhashë:
‘Mbahu!’
Të nesërmen ne fshat kur arritëm,
U tha te tjerëve:
‘Më rrahu!’”

“Jeta është e vështirë . Po vdekja ? Kur do të kthehet ndonjëri të na tregojë?”. / KultPlus.com

Vlera Kastrati promovon këngën ‘Paris’, ua dedikon atyre që guxojnë të ëndërrojnë

Në ambientet e Aleancës Franceze, Vlera Kastrati promovoi videoklipin e këngës ‘Paris’, këngë kjo që është realizuar me mbështetjen e Ambasadës Franceze në Kosovë, shkruan KultPlus.

Vlera Kastrati në vitin 2019 ka publikuar kujtimet e saj personale në librin ”Anatomia e shpirtit të një gruaje kosovare”, të cilit ia ka bashkangjitur edhe tetë këngë origjinale të kompozuara nga vetë ajo. Ndërkaq sonte ajo shpalosi më shumë rreth procesit të krijimit artistik të këtyre këngëve si dhe xhirimit të videoklipit.

Për KultPlus, Vlera tregoi se realizimi i videoklipit ka marrë ca kohë dhe se xhirimet kanë filluar në muajin shtator të vitit të kaluar. ”Insprimi im për këtë këngë ka filluar shumë kohë më parë por në të vërtetë ka lindur kur kam filluar të shkruaj librin autobiografik ku kam përshkruar një periudhë tre mujorëshe në Paris ku pata shkuar të provoj të këndoj dhe u ktheva pa pasur mundësi. Tani pas shumë vites u riktheva për të kënduar e xhiruar një këngë në frangjisht në qytetin ku edhe gjeta guximin të këndoj.”, deklaroi ajo për KultPlus.

Siç dihet edhe nga titulli, kënga i kushtohet pikërisht qytetit të bukur të Parisit, këngë kjo që është krijim i vetë Kastratit, e cila gjendet para këtij projekti në një rol të dyfishtë, të kantautores dhe performueses. Ndërsa, aranzhimi ishtë i bërë nga mjeshtri i shquar italian i Jazz-it, Amadeo Tommasi.

Pasioni i madh që këngëtarja ka për udhëtimin dhe njohjen e kulturave të ndryshme, ka bërë që ky videoklip dhe kjo këngë të jetë mjaft e veçantë.

‘Paris’ jo rastësisht është xhiruar në rrugët e ‘Montmartre’. Kastrati tregon se pikërisht në këto rrugë ka ecur kur ka mednuar se nuk do të ketë mundësi asnjëherë të realizoj ëndërrën dhe dashurinë e madhe që ka për muzikën. ”Kur do e nuk dorëzohesh gjithmonë hapen rrugët edhe kur ato nuk duken fare”, shprehet Kastrati.

Kastrati poashtu deklaron se këtë këngë ua ka kushtuar ëndërrimtarëve të guzimshëm.

Ndër të tjera, këngëtarja tregonte për publikun se ekipi me të cilin ka punuar janë angazhuar shumë në gjetjen e rrugës më të përshtatshme për realizimin e videoklipit të saj , duke i dërguar asaj fotografi të shumta të rrugës në të cilën do të xhironte videoklipin e saj.

Kastrati poashtu potencoi se ka në plan të realizoj edhe videoklipin e një këngë që trajton temën e luftës së fundit në Kosovë, mirëpo nuk dha ndonjë datë të caktuar se kur pritet të lansohet ky videoklip.

Pas përfundimit të promovimit, të pranishmit uruan Vlera Kastratin për videoklipin e saj, për të vazhduar më pas me një koktej rasti. / KultPlus.com

‘IRWIN-Shteti në Kohë’, promovohet në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Sot në Galerinë Kombëtare të Kosovës u promovua katalogu IRWIN-Shteti në kohë, ku artisti slloven Miran Mohar bashkëbisedoi me të pranishmit rreth strukturës së katalogut, historisë së tij dhe ekspozitës IRWIN e cila është mbajtur në shtatorin e vitit të kaluar në Galerinë Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Debatin e hapi drejtoresha e Galerisë Kombëtare, Arta Agani, e cila shprehi falenderimet e saj për prezencën e të pranishmëve në sallë, duke uruar Mohar-in për ardhjen e tij dhe duke vlerësuar shumë lart punën që IRWIN ka bërë.

”Do e quaja libër dhe jo katalog pasiqë përmban tekste shumë kualitative, shpresoj që të gjithë do të ndaheni të kënaqur me këtë libër. Ne kemi qenë shumë të nderuar që ekspozita e tyre ka qenë pjesë e Galerisë Kombëtare dhe ishte një ndër ekspozitat më të vizituara në Galerinë tonë”, u shpreh Agani

Projekti ”Shteti në kohë”, daton qysh nga fillimi i viteve të 90′.

”Në saje të rrethanave të veçanta në fillim të viteve të 90′, ishte e mundur për ne që të prodhojmë pasaportat e NSK Shteti në Kohë, në bashkëpunim me Ministrinë Sllovene të Punëve të Brendshme. Si rezultat, pasaporta NSK nuk dallojnë nga standardet e zakonshme për produkte të tilla në lidhje me mënyrën dhe cilësinë e prodhimit. Deri tani, disa mijëra persona kanë aplikuar dhe morën pasaportat tona dhe në këtë mënyrë u bën qytetarët e NSK Shteti në Kohë, duke e mbajtur shtetësinë e tyre të mëparshme”, tregoi Mohar.

Ky projekt fokusohet më shumë në shtetet me zhvillim të ulët, ku levizja e lirë është më e vështirë dhe e pamundësojnë faktorë të ndryshëm.

Vend i tillë është edhe Kosova, të cilën këta artistë e kanë parë të arsyeshme të shpalosin projektin e tyre. Mohar tregoi se ka pothuajse që 17 vite që e viziton Kosovën dhe duket se mendësinë e Kosovës e njihte mjaft mirë.

Ai poashtu tregoi se ishte i ndarë mjaft i kënaqur me rezultatet që kishte dhënë ekspozita e shtatorit të vitit të kaluar. Ekspozitë kjo që prezantonte një shtet më ndryshe, një shtet që nuk është i vendosur në një hapësirë kohore.

Pjesë e këtij katallogu ishin edhe shkrimet e Eda Čufer, Mladen Dolar, Boris Groys, IRWIN, Jonah ëesterman dhe Slavoj Žižek.

”Retro avangarda është veprimi themelor artistik i Neue Slowenische Kunst dhe është e bazuar në kushte ku traumat e së kaluarës ndikojnë në të tashmen dhe se e ardhmja mund të shërohet vetëm duke kthyer konfilktet fillestare. Arti bashkëkohor ende nuk e ka tejkaluar konfliktin që është shkaktuar nga asimilimi i shpejt dhe efikas i lëvizjeve historike avangarde në sistemet e shteteve totalitare.”, shprehej Eda Cufer. / KultPlus.com

Personaliteti krijues i Teki Dervishit dhe kujtimet e kolegëve erdhën sonte në KultPlus Caffe Gallery

Arbër Selmani

Në një maratonë të ngjarjeve për të risjellë në vëmendjen e publikut shqiptar disa pena të letërsisë shqipe, PEN Qendra e Kosovës sonte mbajti një takim për Teki Dërvishin.

Haqif Mulliqi, Ibrahim Kadriu, Qibrije Demiri dhe Flamur Maloku ishin të pranishëm në KultPlus Caffe Gallery në kryeqytet para publikut që erdhi ta kujtonte jetën e veprën e Dervishit, një shkrimtar e publicist i njohur shqiptar që duket se la peng shumë prej krijimtarisë së tij.

‘Pirgu i Lartë’, ‘Padrona’,’Skedarët’, ‘Nimfa’ janë vetëm disa prej veprave që i la në bagazhin e letërsisë e dramës shqipe, Teki Dervishi.

Qibrije Demiri tregoi se Teki Dervishi ishte i veçantë edhe si njeri në jetën e përditshme, duke qenë i përkryer si poet, prozator, një artist i shkapërderdhur në shumë zhanre por i suksesshëm në të gjitha.

“E quajta edhe si epror të letërsisë, për shumë gjëra ka mundur dhe mund të jetë sod model dhe epror në shkrimin e tij. Tekiu sidomos më vjen më i fortë tek “Shtëpia e sëmurë”, që është një kompozitë me konotacione kuptimore sociologjike, politike e letrare, më asocon me kuptimin e vendit ku ka jetuar, si një vend i kontaminuar ideologjikisht, vend i helmuar në kuptimin ideologjik, sepse herë vjen si një shtëpi e sëmurë, herë si një kështjellë e sëmurë, e herë si një dhomë e sëmurë, ose së paku kështu e dekodova unë këtë pjesë” tregoi Demiri.

Haqif Mulliqi para të pranishmëve, mes kujtimeve për Teki Dervishin dhe mes emocioneve që i jep rikthimi në tablotë e tabullarasë së bardhë e herë të mbushur të mendjes, lexoi një poezi të cilën Teki Dervishi e kishte shkruar dikur në vitin 1993, bashkë me Mulliqin po pinin kafe në një kafene të Prishtinës.

Mulliqi foli sidomos për “Bregun e Pikëllimit” të Dervishit, duke mos harruar ta potencojë se Tekiu ka qenë edhe një kritik shumë i mirë i teatrit, shkruan KultPlus.

“Poezinë që e shkroi në vitin 1993 në praninë time unë kam dëshirë që dikush të ma lexojë atë poezi kur të vdes, kur të ndodhë akti mortor” tha Mulliqi. Në doktorratën e tij, ku janë përfshirë Rexhep Qosja, Anton Pashku, Beqir Musliu, Milazim Krasniqi, Ymer Shkreli, padyshim nuk mbetet jashtë edhe Dervishi dhe “Bregu i Pikëllimit”.

‘Bregu i Pikëllimit’ është një cikël prej nëntë njësish dramaturgjike, të cilat edhe po të lexohen dhe të luhen veç e veç, mund të funksionojnë si mëvetësi kuptimore, pa e prishur tërësinë e integralitetit, ndonëse në skenat e Teatrit, sidomos realizimi në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, me regjisorin Vladimir Milçin, Bregu i Pikëllimit, jo vetëm që po e freskonte tempullin e Talisë me një prurje tepër të komplekse e të guximshme, por po i jepte Teatrit shqiptar një ritëm të ri zhvillimi, një dinamikë që kishte filluar ta humbë në kohën kur kjo  dramë u vu në skenën e Prishtinës në fillim të nëntëdhjetave.

Përmes veprës, Teki Dervishi bëri konfigurimin skenik të një udhëtimi të dyzuar mitik e real të njeriut, i cili , siç ndodhte edhe me Itakën e Odisës, ashtu Suka e Cërmjanit ishte për Udhësin Lojëtar sizmologjia e gjendjeve shpirtërore, që duhej të kalonte nëpër nëntë rrathë, që ishin nëntë shtresa të sprovës njerëzore, por edhe nëntë hallka të vetëpërcaktimit moral të individit në kontekst të xhunglës sociale e psikologjike që e rrethonte.

Flamur Maloku kujtoi në fund se dikur e kishte mësuar përmendësh librin ‘Nimfa’, në të cilin ishte dashuruar qysh në leximin e parë. Maloku thotë se edhe sot i kujtohen të gjitha pjesët e librit, një libër i munguar deri atë kohë në formatin e tij.

“E mësova çdo ditë nga një pjesë, për katërmbëdhjetë ditë. ‘Nimfa’ është një prej teksteve që e dua shumë, që vazhdoj me e lexu por kurrë me e shkru. Më ndodhë kjo tek autorët tjerë që unë i du shumë. Vuaj me tekstin e jetoj me tekstin, vuaj me figurën e jetoj për figurën, vuaj me dashurinë e Tekiut dhe e jetësoj atë. Përmes këtij libri, Tekiu arrin të krijojë atë që vazhdoj ta krijojë toposin gjeografik të dashurisë. Është tekst që asnjë prej brezit tonë nuk e ka shkru, e kanë injoru dhe vazhdojnë me e injoru. Ky është turp për studiuesit e rinj të letërsisë shqipe” tha mes tjerash studiuesi Flamur Maloku.

Të pranishmit ndanë kujtimet e tyre tjera me Dervishin. Dervishi është autor i rreth 90 veprave letrare artistike, romane, poezi, drama.

Kjo ishte nata e fundit e këtij organizimi nga PEN Qendra e Kosovës dhe KultPlus, ndërsa PEN Qendra premtoi se organizime të tjera kulturore do të mbahen në të ardhmen duke sjellë në vëmendje edhe të tjera figura që i dhanë shumë gjuhës e letërsisë shqipe në dekadat e fundit dhe ato të shekullit të kaluar. / KultPlus.com

Idriz Ajeti: Jetëgjatësia më ka ofruar këtë privilegj, të qenit dëshmitar i rrjedhave të historisë

Intelektuali Idriz Ajeti u nda nga jeta sot një vit. Karriera e tij ishte e gjatë, ai dha kontribut të madh në fushën e albanologjisë, shkruan KultPlus.

Ajeti e kishte filluar fjalën e tij me dashurinë për gjuhën shqipe. Më poshtë po sjellim fjalimin e tij gjatë nderimit që iu bë për 100-vjetor, ku edhe iu nda mirënjohje.

“Nuk e kam zgjedhur unë që ta kem një shekull mbi supet e mija dhe as që e kam menduar që natyra e Zoti do të më japin këtë jetëgjatësi dhe njëkohësisht forcën që të shohë e përjetoj gjithë zhvillimin tonë si shoqëri e si shtet dhe ndjejë që përgjegjësinë për ecjen tonë si shtet e kemi pasur ne. Unë kam ardhur nga një fshat i vogël, i gatshëm dhe i etur për të ndryshuar rrjedhat e shoqërisë. Por unë kam ardhur me idenë për të gjetur copëzat e shpërndara të gjuhës shqipe, për t’i bërë bashkë ato me një mëndje dhe një shpirt”, kishte shkruar ndër të tjera ai.

“Unë do të ju flasë për gjuhën edhe në këtë 100 vjetorë timin dhe mbase fjalimet e mia për të edhe në këtë ditë ku së bashku po shënojmë këtë jetëgjatësi timen do të jenë të pafundme, sa i pafund është thesari i saj, sa e pafund ka qenë ideja për ta bërë një të përbashkët e të plotë. Gjuha duhet të jetë pandashmërisht pjesë e evoluimit, e përmbushjes së nevojave të një populli që flet me dialekte por që rrënjën e ka të përbashkët dhe prandaj përpjekjet tonë në shekullin e kaluar për ta bërë bashkë tani duhet të jenë përpjeke për ta përmbushur pa e tundur themelin e saj. Përparimi ynë si shtet bazohet në dije, shkencë e arsim. Jetëgjatësia më ka ofruar këtë privilegj, të qenit dëshmitarë i rrjedhave të historisë”, ka thënë për fund profesori i nderuar Idriz Ajeti.

Akademik, Idriz Ajeti ishte edhe anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, andaj në raste të tilla, përvjetorë të mëdha ka edhe vlerësime të tjera dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë, kishte organizuar për herë të parë dhënien e çmimeve shkencore kombëtare për kontribute në fushat e shkencave albanologjike, dhe juria e këtij çmimi, ka nderuar akademik Idriz Ajeti me Çmimin e Karrierës, i cili jepej për herë të parë nga kjo Akademi. Këtë çmim dhe diplomën përkatëse, Muzafer Korkuti ia dha profesorit Ajeti, duke u përcjellë me duartrokitje të shumta.

Kjo konferencë do të mbahet mend si një ngjarje ku profesori Idriz Ajeti u nderua për së gjalli me dy çmime dhe dëgjoi kumtesat e shumë miqve e kolegëve për jetën dhe veprën e tij të shquar. /KultPlus.com

Kosovarja, kandidate në zgjedhjet kantonale në St. Gallen

Ajete Maliqi, me prejardhje nga Kamenica, është një tjetër kosovare që kandidon në zgjedhjet kantonale, në Zvicër.

Një numër i konsiderueshëm i mërgimtarëve në Zvicër po deportojnë në shumë fusha të ndryshme, së fundmi, një kosovare ka shpallur kandidaturën e saj në zgjedhjet lokale në St. Gallen.

Kosovarja Ajete Gashi-Maliqi për të parën herë është pjesë e listës së kandidatëve në garë për zgjedhjet kantonale në St. Gallen të Zvicrës, të cilat do të mbahen në zonën elektorale Rorschach më 8 mars 2020, shkruan albinfo.ch.

Ajo do të kandidojë për Partinë Socialdemokrate, me plan-programin e saj për një familje të shëndetshme, në shoqërinë tonë, në veçanti gruas, mirëqenies dhe ambientit.

Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë:

Albinfo.ch: Së pari na trego rreth vendlindjes tuaj, ku keni lindur në Kosovë, hapat e parë të shkollimit ku i keni marrë, jeta juaj?

Kam lindur në Kamenicë. Në një familje gjashtë antareshe dhe me një arsimim të lartë. Babai është me profesion arsimor dhe kryesisht i punësuar në ndërmarje të atëhershme publike. Nga ana tjetër nëna me profesion ka qenë rrobaqepëse, ndërkaq si familje kemi qenë katër fëmijë.

Nga ana tjetër gjendja ekonomike në familjen time ka qenë msatarisht e mirë, përveç vështirësive familjare të cilave u është ekspozuar familja jonë për shkak rrethanave të okupimit të atëhershëm me të cilat është ballafaquar gjithë Kosova.

Vlen të theksohet se unë shkollimin tim e kam vijuar në vendlindje, pra në Kamenicë që nga niveli parashkollor e deri në përfundim të gjimnazit, pra të shkollimit të mesem.

Albinfo.ch: Cilat kanë qenë disa nga aktivitetet më të shpeshta sa ishit në Kosovë?

Duke qenë pjestare e një familje kryesisht me traditë dhe synim për avensime më të larta të edukimit dhe shkollimit, krahas shkollimit të rregullt jam angazhuar edhe në aktivitete kryesisht kulturore edhe sociale. Një nga objektivat e mia të parealizuara ka qenë përfundimi i studimeve të larta, mirëpo për shkak të rrethanave të atëhershme politike të vendit jam detyruar të emigroja në Zvicër, duke ndërtuar jetën dhe planet e mija tashmë këtu.

Albinfo.ch: Në çfarë moshe keni emigruar dhe cili ka qenë qëllimi?

Unë kam emigruar në Zvicër në moshën 21 vjeçare, me daten 24 Mars 1999. Po e theksoj datën e saktë, ngase jo vetëm për mua personalisht që ishte një fillim i ri, po për gjithë Kosovën ku filloj një moment historik kur forcat aleate të NATO-së filluan përkrahjen e popullit të Kosovës deri në fillimin e një realiteti të ri për Kosovën. Meqenëse, unë disa vite me parë isha në një lidhje dashurie, me të ardhur në Zvicër e kurorzova martesen time, për të vazhduar jetën time bashkëshortore, njëkohësisht ishin edhe ditët e para të nusrisë time.

Albinfo.ch: Sa ishte e vështirë të ambientoheni me shtetin e Zvicrës dhe çfarë hapa keni ndjekur atje?

Mërgimi në përgjthësi është një proces shumë i vështirë edhe i gjatë deri sa të ambientohesh me një shtet të ri. Fillon ta ndërtosh një jetë të re, dukei marrë parasysh barrierat e shumta si: gjuha e huaj, kultura, një sistem në përgjthësi tjetër në krahasim me vendin ku kam lindur.

Gjithshtu, përveç këtyre sfidave çdo ditë ballafaqohesha me situata ku paragjykohesh si dhe ndoshta nuk trajtohesh si e barabartë qjë që edhe për kundër vlerave dhe potencialit që ke, hasë në shumë barriera për të ofruar gjithë potencialin që mund ta kesh në shërbim të shtetit ku ke vendosë të kalosh gjthë jetën. Për mua mbështetja e ngushtë familjare ka qenë shumë e mirë, për kundër sfidave asnjëherë nuk ka munguar vullneti dhe iniciativat për t’u përfshirë në jetën sociale e kulturore si dhe aktivitete të ndryshme të shoqërisë zvicerane. Ne këtë aspekt do të theksoja rëndësinë e veçantë që kam pasur krijimin e relacioneve miqësore e familjare me familjet zvicrane të cilave u jam shumë mirënjohëse që na kanë pranuar gjithashtu si miq në familjet e tyre, gjë që ka qenë një shtytje dhe motiv shtes për t\u angazhuar me gjithë potencialitetin tim personal edhe familjar edhe në aktivitetet publike me ndikim për gjithë rrethin ku jetojmë. Fal vullnetit dhe angazhimit tim si dhe përkrahjes nga fondet e Qeverisë zvicrane unë jam angazhuar në disa projekte konkrete që për fokus kanë çështjet sociale dhe integrimin në përgjithësi, gjithnjë duke pas parasysh kulturat e ndryshme të popujve që jetojnë në Zvicër.

Albinfo-ch: Na trego rreth veprimtarisë tuaj profesionale dhe aktivitetet që keni ndjekur në Zvicër?

Në fillimet e mija në Zvicër, së pari fillova të mësoj gjuhën gjermane, pastaj fillova të punoj pjesërisht në gastronomi, pastaj trajnime të ndryshme si praktika të ndryshme nëpër institucione të fëmijëve, po gjithmonë paralelisht duke u përqëndruar me gjuhën gjermane. E kam përfunduar Ausbildung als Sielgruppeleiterin dhe trajnime ode në disa leksione për temat: “Interkulurel MIgration Zweitsprache”.

Momentalisht e udhëheqi “Angeboten” në kuadër të shkollës„ “Kinderzeit“ tash e 7 vite dhe punoj pjesërisht në shitje.

Albinfo.ch: Çfarë ju bëri që të filloni angazhimin tuaj në politikën zvicerane?

Angazhimi im në politikën zvicerane njëherësh në Partin Socialdemokrate është që 5 vite.Unë më shumë e quaj veten si aktiviste se sa politikane. Por, si gjithkund nëpër botë, vetëm përmes politikës mundesh të ndryshosh diçka. Fokusi im është që të krijojmë më shumë çerdhe fëmijësh në Zvicër që çdo nënë të ketë mundësi të shfrytezoj potencialin e saj. Një familje e organizuar mirë jep rezultate më të mira në çdo aspekte. Përvoja e fituar gjatë angazhimit në projekte të shumta të fushës sociale ku kam vërejtur nevojën e domozdoshme për të kontribuar në përfshirjen saj të madhe të komuniteteve të ndryshmne, të cilat jetojnë në Zvicër e që fare pak janë të përfshirë në institucionet publike dhe në instanca të vendimmarrjes zvicrane. Githashtu, konsideroj se një potencial i pashfrytzuar sa duhet është faktori grua, veçanarisht gratë me prapavi migracioni. Gjë që përfshirja e ksaj kategorie në të gjitha segmentet e jetës do të ndikojë pozitivisht në avansimin e mirëqenjës dhe pavarsimin e familjës në përgjithësi .

Partia Socialdemokrate është partia e cila i jep një përkushtim të veçantë familjes, mirëqenjës, gruas, ambientit, shumllojshmëris pa dallime etj.

Do të perpiqem që së bashku të pomovojmë potencialin e madh që posedon komuniteti shqiptarë siç janë kultura, tradita, rinia, e kto vlera mund të jenë faktor shumë i rëndesishëm në integrimin e komunitet shqiptarë dhe zhvillimin e shoqërisë zvicrane në përgjithësi.

Albinfo.ch: Përpara se të kandidoni, çfarë pune dhe aktivitete keni ushtruar në Zvicër, nëse ia vlen diçka të theksoni?

Do të përmendja me theks të veçantë disa nga projektet: Kam filluar me përkrahje të hershme të fëmijëve (frühförderung) si ndërmjetëse për kulturë këtu në shkollat e Rorschachut. Pastaj diku 8 vite si moderatore në ptojektin “Fammtisch“, që do të thotë “tavolina grash”. Qëllimi i projektit ka qenë që migrantët të informohen më afër se çka ofron shteti zvicran dhe shkëmbimi i përvojave të ndryshme si në edukim të fëmijeve, informacione të ndryshme dhe se si ato të integrohen ose t’i përshtaten shtetit ku ato kanë vendosur të jetojnë. Projekti i cili ka ndërtua uralidhëse dhe si shumë i suksesshem ndërmjet migrantëve dhe shtetasve zviceran këtu në Rorschach është projekti Urban i financuar nga Qeveria e Zvicrës.

Projekti urban është një projekt që në të janë krijuar shumë projekte si: “Schprachenkaffe”, të cilin projekt e kemi ndërtuar me disa gra dhe tash e 7 vite takohemi një herë në javë dhe shkëmbejnë pervoja të tyre. Pastaj ka qenë edhe projekti “Street soccer”, projekt të cilin ka pasur sukses falë bashkëpunimit tim familjar dhe shumë me bashkëshortin tim dhe shumë bashkëpuntorve të tjerë nga kulturat e ndryshme dhe me theks të veçantë nga zvicranet. Ky projekt është realizuar gjashtë herë, me një interes te madh të pjesëmarrjes së fëmiëve të të gjithë Roschacht.

Dhe së fundi dua ta ceki që përmes” Projekturban” që e ceka më herët ka qenë i financuar nga Qeveria zvicrane, është dhënë si ide e imja që të fillojmë me një aktivitet për fëmijë në kuadër të kësaj. Çdo të mërkure pasdite ku e kanë fëmijët më të lirë t’i angazhojmë me lojra të ndryshme. Tash e 7 vite e udhëheqi këtë aktivitet që ka kalu në kuadër të shkollës dhe është një projekt që ka treguar rezultate të jashtëzankonshme.dhe na vizitojnë prej 25 deri ne 35 fëmijë çdo të mërkure.

Albinfo.ch: Është hera e parë që po kandidoni në zgjedhjet kantonale në Zvicër dhe sa është i lartë potenciali i votuesve zviceranë atje dhe në përgjithësi diasporës shqiptare, dhe kush mendoni se do të jenë më shumë votuesit tuaj?

Realisht, aktive kam qenë që 4 vite në Partin Socialdenokrate, por kjo është hera e parë që kam kandiduar në këto zgjedhje kantonale.

Nërsa, sa i përket votuesve në përgjithësi janë nga të gjitha nacionalitetet. Vlen për të cekur që votuesit më besnik i kam shqiptarët dhe në veçanti shumica e votuesve që janë vendasit, pra zviceranët.

Por, çka është specifike se në bazë të raporteve të mira që kam edhe me partit të tjera, përveç Partisë-Socialdemokrate, kam përkrahje të shumtë edhe të partive të tjera.

Albinfo.ch: Pse Partinë Socialdemokrate?

SP është partia që në program të saj ka fokus të veçantë rregullimin e politikave familjare, barazisë gjinore dhe me një përkushtim të madh për migracionin.

PS i sheh migrantët në përgjithësi si një potencial që i duhet kësaj shoqërie.

E në veçanti, SP është partia që e prononcon gjithmonë se ne jem pjesë e barabartë e kësaj shoqërie.

Albinfo.ch: Sa jeni e lidhur me vendin e lindjes dhe sa herë në vit e vizitoni Kosovën?

Me Kosovën jam e lidhur shprtnisht e emocionalisht. Aty e kam kaluar pjesën më të bukur të rinisë. Aty ka filluar gjithçka për mua. Ështeë diçka shumë e bukur të kesh dy adresa, një në Kosovë dhe tjetrën këtu në Zvicër. Shumë herë zviceranët na kanë lakmi për këtë gjë. Një mikesh shume e mirë e familjes shpeshherë më thotë: “Ne mund të shkojmë gjithkund ndoshta, po gjithherë jemi të huaj perveç këtu në Zvicër.

Albinfo.ch: Si do ta përshkruanit gjendjen politike aktuale në Kosovë?

Duke pasur parasysh të kaluarën historike dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova si shtet i ri, mund të them se është shënuar progres dhe zhvillim i konsiderushëm në aspektin e demokratizimit të vendit dhe mundësive të barabarta për gjithë qytetarët e vendit.

Natyrisht si gjitha shtetet në ndërtim edhe Kosova duket se nevojë për një zhvillim më të madh ekonomik, hapje të vendeve të punës dhe kriimin e mundësive të reja për gjeneratat e reja, si potencial i madh i Republikës së Kosovës. /KultPlus.com

Fotografia e Ajete Gashi-Maliqi


Elegji për brezin tim

Nga: Eugjen Merlika

“…Nga luftërat vijmë, në luftëra shkojmë…”

Ismail  Kadare

Duke shëtitur në një rrugicë pylli  të një fshati turistik malor të Alpeve italiane, një mëngjez të kthjellët gushti, mendimi vuri flatrat dhe më ktheu prapa në kohë. Para syve të mi u ripërtërinë skena ngjarjesh, njerëzish e mjedisesh, që ishin palosur si fletët e zverdhura të një ditari të vjetër në mëndjen time. E shkuara u shpalos me fytyrat e njohura të shokëve e të shoqeve të fëminisë, të shkollës, të punës, të kampeve të internimit, të burgjeve, të të njohurve të rastësishëm në udhëtime, në plazhe, në ceremoni vdekjesh, në dasma, në… Më dukej se i kisha pranë, se bisedonja me ta, se së bashku shëtisnim në këtë pyll magjepsës, se shkonim drejt një teleferiku që do të na ngrinte në majën e një mali, ku horizonti zgjerohej e ku shikimi tretej në këto bukuri të natyrës…

E shkuara, sa e fuqishme mbetet gjithmonë ajo në veten tonë. Sido që të ketë qenë, e trishtuar apo e gëzuar, e dhimbëshme apo e këndëshme, na mban gjithmonë robër të saj. Ne çdo ditë flasim e mendojmë për të nesërmen, për muajt e vitet që do të vijnë, por instiktivisht, pa dashur kthehemi mbrapa tek muajt e vitet e kaluara, tek bëmat e më shumë tek ato që nuk mundëm të bënim, tek ato shpresa e ëndrra që i futëm nëpër sirtare sepse nuk qemë të aftë t’i realizonim, sepse nuk ditëm t’i sendërtojmë, sepse nuk na lanë të tjera krijesa si neve t’i vinim në jetë…

Në këto çaste, kur përfytyrimi më ka bashkuar me qindra njerëz që sot janë të shpërndarë në të katër anët e vëndit tim dhe të botës së madhe, më duket vetja si ujët e një pellgu, në të cilin hidhet një gur e valët në formë rrathësh ngrihen e zgjerohen duke u përplasur në breg. Ndoshta gurin e hodhi kjo natyrë e bukur, që më solli ndërmënd një tjetër vënd po kaqë të bukur në të cilin, shumë vite më parë, kryeja shërbimin ushtarak: Martaneshi, Vërvjaka, Liqeni i zi, Kaptina…Valët e ujit janë si ato të kujtimeve, të mendimit që në këtë rast më çon në bangot e shkollës, në kantjeret e ndërtimit, në fusha, në shëtitore qytetesh, në qeli burgjesh, në plazhe, në galeri minierash, në reparte ushtarake, në të gjitha ato brigje ku rrodhi plot dallgë e shkumë lumi i jetës sime.

Në këtë mori skenash, që pushtojnë në këto çaste trurin tim, merr formë e trupëzohet një qënie e stërmadhe, që përmbledh gjithshka, vë rregull në mendimet e mia të davaritura dhe më kërkon, në heshtje, të flas për të. Eshtë Brezi im, një mori njerëzish të lindur në dhjetëvjeçarët e katërt e të pestë të shekullit që shkoi. Një dhimbje e njohur fillon të më sëmbojë zemrën, një dhimbje e herëshme, për të cilën mjeku kohë nuk gjeti kurrë barin e shërimit. Eshtë dhimbja për Brezin tim, për fatin e tij, për fatkeqësitë e tij, për ëndrrat e tij të shkërmoqura, për shpresat e tij të cunguara, për mundin e tij prej Sizifi të shkuar kot, për lirinë e tij të panjohur, për varfërinë e tij të njohur, për…

Ne lindëm e u rritëm me ajrin e luftës. Nga prindët tanë trashëguam një Vend, në të cilin sundonte një regjim, që i kishte rrënjët në gjak e që mbillte urrejtje. Ishte një kastë njerëzish, të sjellë nga koha dhe tragjedia e luftës së dytë botërore në krye të Vendit. Kaqë shumë i ishin mirënjohës asaj lufte, që u kishte dhënë pushtet mbi një popull me njëmijë probleme të trashëguara nga historia, saqë fjalën “luftë” nuk e hoqën kurrë nga goja, e bënë lejtmotivin e të qënurit në jetë, alfën dhe omegën e jetës dhe veprës së tyre. Fëmininë dhe rininë tonë na e mbushën me shfaqjet më të ndryshme të këtij koncepti, me lakimet e togfjalëshat më të larmishme të atij emri, që zakonisht shoqërohej nga ndajfolja kundër. Luftë kundër borgjezisë, kundër kapitalizmit, kundër revizionizmit, kundër pronës private, kundër interesit personal, kundër ideologjisë së huaj, kundër shfaqjeve të huaja, kundër besimeve fetare, kundër “botës së vjetër“, kundër kanunit dhe mbi të gjitha kundër  “armikut të kllasës “ të brendshëm e të jashtëm…

Krahas kësaj lukunie të lemerishme termash, të afta të atrofizonin çdo ndjenjë njerëzore, na u desh të mësonim dhe termin “ dashuri “, por jo atë që gjen të spjeguar në cilindo fjalor të botës. Dashuria jonë duhet të ishte diçka e veçantë, e pakufishme, por jo për prindërit tanë, për djalin a vajzën që na tërhiqte, për lirinë a të drejtat tona si njerëz. Ajo duhet të ishte e tillë për marksizëm-leninizmin, për Stalinin, për Partinë e Punës, për internacionalizmin proletar, për atdheun socialist, për Mao Ce Dunin e mbi të gjitha për “udhëheqësin e shtrenjtë” të partisë e të popullit, Enver Hoxhën. Këto dy fjalë, të lashta sa bota, bashkëudhëtaret e njerëzimit në mijëvjeçarë, sinonime konceptesh të bastarduara e të përmbysura nga idhtarë të ideve marramendëse si molla biblike e Evës, na përkundën djepin, na shoqëruan hapat e para të fëmijës, lodrat e të miturit, fantazitë e të riut.

Në mëndjet tona fëminore, bota përfytyrohej si një fushë e përjetëshme beteje, ku luftohej vazhdimisht mes të mirësh e të këqijsh, ku të mirët kishin një emër të përbashkët: bolshevik, partizan, komunist. Të këqijtë ishin gjithmonë po ata: gjermanët, fashistët, ballistët. Secili prej nesh mundohej të njëjtësohej me kampin e të mirëve, për të ushqyer shpresën se një ditë do të arrinim “parajsën tokësore”, ku shndriste i paperëndueshëm dielli i komunizmit. Ky ishte iluzioni fëminor, e vërteta ishte diçka tjetër. Ajo përkonte me idenë e fushës së betejës, por pa dashje, pa kuptuar ne ishim pjesëmarrës në këtë luftë. Ne luftonim me njëri tjetrin, me shokun e bangës në shkollë, me fqinjin, me të afërmin.

Në shkolla mësuesit na shpjegonin se nazistët vrisnin hebrejtë, romët, jevgjitët në emër të pastërtisë së racës ariane. Bëhej fjalë për miliona njerëz, viktima të urrejtjes raciale. Ne ishim pak më shumë se një milion dhe ishim të ndarë më dysh: “ne” dhe “ ata”. “Ne” ishin të mirët, njerëzit e partisë e të pushtetit, kurse “ata” ishin të këqijtë, “armiqtë e kllasës”, ata që bënin tërë prapësitë. Ne duhet të shiheshim vëngër, të mos i flisnim njëri tjetrit, paçka se ishim komshij me shtëpi, se shkonim në të njëjtën shkollë, se barisnim në të njëjtën rrugë, se shihnim të njëjtin qiell, se kishim të njëjtat dëshira, se ishim e njëjta racë, se flisnim të njëjtën gjuhë, se ishim i njëjti popull…

Ne duhet të ishim në luftë të përherëshme, në një luftë tinzare, të pabesë, sepse kishim lindur nga prindër të ndryshëm, që në të ashtuquajturën “luftën e madhe kundër okupatorit e tradhëtarëve” kishin patur mendime e qëndrime të ndryshme. Ne atëhere nuk kishim lindur, por megjithatë ne mbanim në kurriz “fajet” apo në gjoks “meritat”, të cilat mbeteshin të përjetëshme. Në të vërtetë të paluajtëshme mbeteshin vetëm “fajet”, që përcilleshin në breza, ndërsa “ meritat”, në mjaft raste zbeheshin, zhdukeshin e bartësit e tyre shpesh përfundonin në rradhët e “ atyre”, duke pësuar ato qëndrime, që deri atëhere mbanin me të tjerët. Kjo ishte mendësia që shoqëronte rritjen tonë, në një Vend ku vënia në jetë e saj krijonte tabllonë e lemerishme të burgjeve, të kampeve të internimit, të mohimeve nga më të ndryshmet, të dallimeve raciale nën emrin”klasore”, të fyerjeve, të dhunës, të nëpërkëmbjes.

Në këtë rend absurd idesh, konceptesh, qëndrimesh e veprimesh mëndja jonë nuk mund të zhvillohej normalisht. Ajo qe si një arë e palëruar , në të cilën mbinë vetëm ferra e barishte të këqia. Në të u mbollën e u kultivuan urrejtja, mosbesimi, frika, hipokrizia, puthadorja. Horizonti ynë u ngushtua. Ne nuk mundëm të përceptojmë vlerën dhe fuqinë e koncepteve të tilla si: liria, toleranca, nderimi për tjetrin, për mendimet e ndryshme nga tonat, për aftësinë e pakufizuar dhe të pakufizueshme të njeriut, për nismën e tij, respekti për botën e huaj, për kulturën dhe përparimin, për prindët, për traditën, për historinë.

Bota jonë niste më 8 nëndor 1941 dhe çdo raport kongresi shënonte një etapë zhvillimi të saj. Modeli ynë i imitimit ishte Pavlik Morozovi, një fëmijë që kishte paditur babanë, sepse nuk kishte dorëzuar drithin në pushtet, heronjtë tanë ishin Lej Feni, Fuat Cela, Alo Qosja, Shkurte Pal Vata etj…Ç’mund të dilte nga një përzjerje e tillë kundërvlerash? Dolëm ne, Brezi im i gjymtuar, që nuk pati kurajon as të përpiqet të ndryshojë diçka, megjithëse bota, rreth e larg nesh, ndryshonte çdo ditë. Ne ditëm vetëm të njëjtësoheshim, të vazhdonim lojën e llahtarëshme të prindërve tanë të xhelatit e të viktimës, të duartrokisnim çdo trill e delir të Neronit tonë, çdo proçes ku dënoheshin njerëz të pafajshëm, çdo sulm kundër çdo lloj ndryshimi në të mirë të sistemit komunist jashtë, çdo lloj goditjeje të vlerave shpirtërore tonat, madje dhe kundër besimit tek Zoti.

Ne nuk jetuam, ne mbijetuam si zvaranikët që tërhiqen në kërkim të një qosheje me diell. Ne humbëm vitet më të bukura të rinisë sonë, duke gërmuar me kazma malet e fushat sepse malet do t’i bënim si fushat. Ne, skllevërit modernë të shekullit të njëzetë, në ndryshim nga ata të botës së lashtë, nuk kishim të drejtë të mbanim dhe flokët siç dëshironim. Pantallonat dhe fundet duhet të kishin përmasat e përcaktuara e të miratuara nga “Faraoni” dhe vartësit e tij. Ne shkrimë të gjithë talentin e aftësitë tona për t’i kënduar madhështisë së “Sulltanit”, me vargje, me këngë, me piktura, me gdhendje, madje duke gdhendur dhe malet që emrat e dyshes me nga pesë shkronja të shiheshin së larti nga qielli, mbasi “ Dielli” ynë ishte më i shndritëshmi i gjithësisë.

Ç’ndodhi me ne? A jemi ne tërësisht përgjegjës për atë që nuk bëmë, që nuk mundëm, nuk ditëm apo nuk deshëm të bëjmë? Apo një fatalitet historik, shumë më i madh e më i fuqishëm se “vullnetet tona të ndrydhuna”, na shtypi pa mëshirë e ne nuk patëm forcë të ngrihemi? Të tjerët na i dhanë shembujt: polakët, hungarezët, çekët kishin afërsisht histori të ngjajshme me ne. Ata luftonin, organizoheshin, qëndronin, flijoheshin për t’a ndryshuar jetën e tyre. Ata përballeshin me përbindshin e, megjithëse humbisnin, fitonin diçka, jo vetëm për të patur më shumë liri, por dhe për të lënë një gjurmë në të ardhmen, në historinë e tyre. Ata do të kujtohen si brezi i Kryengritjes së Budapestit, i Pranverës së Pragës, i Solidarnostit. Po ne, Brezi im, për çfarë do të mbahemi mënd? Për hosanatë e pambarim zinxhirit të pafund të krimeve të një regjimi jashtë çdo përmase njerëzore? Për frikën tonë proverbiale, që na e kishte vënë cakun e bisedave brënda vijave të një fushe futbolli? Për mungesën e kurajos e të guximit për të kërkuar gjërat më të domosdoshme: të drejtën për të menduar me trurin tonë, për të lexuar librat që na pëlqenin, për të dëgjuar muzikën që na pëlqente, për të mësuar gjuhën që na pëlqente, për të mos u ndjerë të përgjuar, të ndjekur, të spiunuar në çdo çast?

Ç’farë bënë të shkolluarit, intelektualët e Brezit tim për t’a ndryshuar sadopak këtë gjëndje të pazakontë, për të ndërgjegjësuar të tjerët, kur Vendi ishte katandisur të qeverisej nga ish shoferë, ish karrocjerë, ish elektriçista, madje ish mjelëse lopësh (pa vënë në dyshim respektin për zanatet) në fundin e shekullit të njëzetë? Në Vendet e tjera kishin qenë klubet Petefi, Karta 77, Sollzhenicinët, Pasternakët e Zakarovët që ngritën zërin e i treguan botës të vërtetën rrënqethëse të “socializmit real”. Tek ne s’kishin të mbaruar sagat për komisarët e kantatat për partinë e Enver Hoxhën. Shkrimtarët simbolë të brezit tonë që, me talentet e tyre të zakontë e të pazakontë, i ngritën monumente letrare të pavdekëshme komunizmit dhe dyshes majakovskiane parti-Enver, për viktimat e dhunës së tyre përdorën vetëm sarkazmën, u tallën duke i paraqitur si qënie të dobëta, pa dinjitet e pa personalitet. Ndërsa ata e kishin treguar personalitetin e tyre, duke qëndruar me armë maleve të Shqipërisë, në mbrojtje të lirisë së humbur të popullit të tyre. Ende sot, mbas dhjetëra vjetësh leksionesh antikomuniste, nuk gjejnë frymëzimin të shkruajnë diçka për Vloçishtin, Orman-Pojanin,Tepelenën, Spaçin, Qafën e Barit…

A jemi në gjendje sadopak dhe sot të matemi me dobësitë tona, me një të shkuar, në të cilën shumë pak prej nesh morën guximin të vetëflijoheshin për të thënë të vërtetën? Emrat e tyre, të panjohur ende sot për pjesën më të madhe, janë çengelët e shpëtimit për Brezin tonë, janë yjet që ndriçojnë qiellin sterrë të një të shkuare që, sa më shumë kalon koha aqë më shumë na bën të skuqemi. Le të tregojmë një minimum ndershmërie e t’i ngremë një monument këtyre njerëzve, këtyre shokëve tanë, që e dinin se do të vdisnin ose do të kalbeshin nëpër burgje, por nuk nguruan të thonë të vërtetën e të akuzojnë haptas regjimin, që po martirizonte një popull duke paragjykuar zhvillimin dhe mirëqënien e tij. Në këto monumente do të ketë një vazo për lule të freskëta, ndofta do të jenë të vetmet vende në të cilat Brezi ynë i meriton  lulet. Së bashku me lulet t’i kërkojmë dhe të falur mbasi,  në kohën që ata u therorizuan, ne nuk patëm as në vetvete kurajo t’i admirojmë, por i quajtëm të papërgjegjshëm, sepse një proverb i lashtë i yni thoshte:”Nuk i bihet murit me kokë”. Filozofinë e këtij proverbi ne e bëmë lejtmotiv të qenësisë sonë mjerane, sepse nëpërmjet saj justifikonim dobësitë tona, nënshtrimin e vullnetshëm ose të forcuar ndaj së keqes. /KultPlus.com

Irma Libohova thotë se e parandjeu vdekjen e Nexhmije Pagarushës

Mbrëmjen e djeshme, puntata e emisionit “Soiree” me Jonida Shehun i është dedikuar bilbilit të muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha. Një ndër të ftuarat në studio për ta kujtuar dhe nderuar ishte këngëtarja e njohur Irma Libohova.

Një ditë para se Pagarusha të ndërronte jetë, Irma kishte realizuar një video teksa këndonte këngën “Baresha” sikur ta kishte parandjerë. E ftuar në “Soiree” këngëtarja ka treguar më shumë rreth këtij momenti.

“Nuk e di çfarë vale, çfarë fuqie, çfarë energjie më çoi. E kam provuar disa herë për qejf këngën. Ndonjëherë kur rri nëpër shtëpi them të këndoj si soprano. Dola tek shkallët e shtëpisë. Çfarë këmbëngulje, çfarë dëshire pata që o do ta bëja o s’ka. Edhe e bëra shpejt e shpejt për 5 minuta edhe e hodha. Nuk e di çmë ndjeu zemra. Të nesërmen sapo hapa telefonin në mëngjes, shoh një DJ të Kosovës që unë e ndjek në Instagram dhe i shkruaj menjëherë në privat se çfarë ka ndodhur dhe më tha që po është e vërtetë. Çfarë parandjenje dhe pse pikërisht hitin e saj. E kam dashur shumë si artiste”, ka treguar Irma Libohova. /KultPlus.com

Mbahet ekspozita “Totalitarizmi në Europë” në Tiranë, të rinjtë indiferent

“Nëse e shkuara harrohet, mundësia për ta përsëritur atë është e madhe”.  Në kuadër të Ditëve të Kujtesës” në këtë edicion të pestë të organizuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) është çelur në sheshin “Skënderbej” ekspozita  “Totalitarizmi në Europë”. Të dhëna mbi komunizmin, nazizmin dhe fashizmin, të ilustruara edhe me fotografi përcjellin krimet e kryera gjatë regjimeve totalitare në më shumë se 7 dekada. Ndërsa, vizitorët më të interesuar që ndalin për ta parë ekspozitën janë të moshuarit, të cilët ndajnë këndvështrime të ndryshme përsa i përket leximit edhe interpretimit të regjimit socialist në vendin tonë

 “Nazizmi dihet se është diçka jashtë normales, ndërsa për të shkuarën konceptet janë të ndryshme.  Njeriu stabilizohet me çdo lloj sistemi, njëherë regjimi socialist, tani ai “demokratik”. Nuk ka sistem pa të këqija, edhe kapitalizmi ka të këqijat e saj. Socializmi i dha prioritet shoqërisë shqiptare, i bëri me shkollë, zhduku analfabetizmin,  këto sot ne na duken si gjëra të vjetra. Atëherë kishte ligje, ai që thyente ligjin do të merrte përgjegjësinë. Unë kam këtë mendim, se atëherë kishte njerëz që dënoheshin për diçka, ndërsa sot ata që janë dënuar thonë që jam dënuar kot”.

Më pëlqen shumë ekspozita. Herë për herë duhet ta kujtojnë të shkuarën, se pa kujtuar të shkuarën nuk e ndërtojnë të ardhmen. Ne shkuam e mbaruam këtë punë, ndërsa brezi i ri se ka idenë, herë pas herë këto ekspozita duhet që ta shikojnë”.

“Unë jam nga Kanadaja. Jam duke parë, që të gjithë ata që e shikojnë këtë ekspozitë nuk janë të rinj, por janë të moshuar, por kjo është e shkuara juaj, nëse këta njerëz nuk e shikojnë të shkuarën e tyre, do ta jetojnë sërisht. E ardhmja do të jetë më e bukur edhe më e sigurt, vetëm duke kthyer kokën pas”.

Një student i historisë, pasi sheh me vëmendje faktet edhe të dhënat që ekspozohen në këtë ekspozitë mbi regjimet më të ashpër gjatë shekullit XX në vendet e ndryshme të Europës shprehet se:

“Më bën më shumë përshtypje, pjesa që i përket Shqipërisë, sepse ata i japin vetëm pikëpamjen që nuk ishte e mirë, ishte keqe, por e vërteta shkruhet në vitin 1991 nga fituesit. Vërtet ka pas të këqija, por ka pas edhe anët pozitive, deformimi është që i japin vetëm anët negative. Për brezin tim nuk do të thotë gjë, sepse janë vetëm disa fakte historike, por është shumë gjë e mirë që të ndërgjegjësohen të rinjtë, sepse çdo gjë që ka ndodh po ripërsëritet”. 

Qëllimi i ekspozitës është që të kontribuojë në dënimin ndërkombëtar të të gjithë formave të totalitarizmit. /Shqiptarja /KultPlus.com

Idriz Ajeti: Shqipëria jonë, toka jonë është deri në Nish!

Ne po e sjellim sot këtë copëz të Ajetit sa ishte gjallë.

Shqipëri quhet toka deri në Nish.

Kështu shprehet veprimtari i shquar dhe ambasador i gjuhës shqipe, akademiku shqiptar nga Medvegja prof.dr.Idriz Ajeti në një intervistë për agjencinë e lajmeve « Presheva jonë ». Në një intervistë, Ajeti thotë se «Pas prishjes së Jugosllavisë së atëhershme në vitin 1941 Kosova, bashkë me Luginën e Preshevës i takoi Shqipërisë, gjë krejt normale sepse zonat i lidhte jo vetëm, historia, gjuha dhe flamuri por edhe doket, traditat, kultura…”

“Mesazhi im do të ishte që mundësisht popullsia, sidomos rinia jonë të mos lëvizin nga trojet e tyre etnike. Në këtë drejtim mund të kontribuojnë me shumë edhe partitë politike dhe intelektualët në Medvegjë dhe në mbarë Luginën e Preshevës. Për të penguar ketë eksod edhe komunat mund të bëjnë më shumë për t’ju siguruar punë, perspektivë. Ndryshe Lugina e Preshevës nuk mund të quhet Kosovë Lindore pa shqiptarë. Rinia mund të lëvizë për të kërkuar punë apo studiuar, por kurrsesi t’i kthjenë shpinën përgjithmonë vendlidjes dhe të mos e harrojë atë, të kthehen aty ku kanë lindur ata dhe të parët e tyre. Ne dhe askund nuk ka të drejtë apo mund ta detyrojë dikë të mos lëvizin nga vendi kur ai është i kërcënuar apo ushtrohet dhunë seri mbi ta, sepse ne bile sot që jemi në Kosovë e dimë mire se Serbia të vetmen armë, për spastrimin etnike e përdor mjetet e dhunës, provokimet dhe diskriminimin të cilat do të nxisnin shpërnguljet e imponuara sepse askush sot nuk ka dëshirë ta lëshojë vendlidjen pa pasur ndonjë hall të madh.

Shqipëria jonë, toka jonë është deri në Nish….

Akademiku Ajeti fillimisht ka pohuar se «Lugina e Preshevës pa shqiptarë nuk mund të quhet Kosovë Lindore. Ju, a nuk po e shihni se Serbia për 2 dhe 3 kisha në Kosovë, madje edhe pas kapitullimit ende vazhdon ta quajë Kosovën, Serbi?! Qëllimet e Serbisë në Luginën e Preshevës po i realizon me sukses. Për Medvegjën do të thoja se situata atje është e mjerueshme. Sa i përket perspektivës së shqiptarëve në atë komunë, ku dikur ishte e populluar me shumicë shqiptare, ndërsa sot aty dominojnë serbët dhe janë bërë artificialisht shumicë. Në Medvegjë sot mjerisht mbi 80 për qind shqiptarëve e kanë lëshuar vendlindjen për shkaqe tashmë të njohura, por pjesa dërrmuese nga dhuna, represioni e kush tjetër nga mos perspektiva, ku Serbia po ju përgatit terrenin duke ju imponuar largimin nga trevat e tyre. Këtu kisha pasur dëshirë të përkujtoj se, qysh nga koha e luftës 1941-‘45, ashtu edhe në kohën e sundimit të Miloshevicit, shqiptarët e komunës së Medvegjës, nga më pak se dhjetë katunde, zunë, herë më pak e herë më shumë, të lëvizin, të luajnë nga vendi stërgjyshor pos në Kosovë sot edhe në drejtime të ndryshme. Fundja edhe shqiptarët, sikur të mos jenë të diskriminuar apo sikur t’i kishin kushtet sikur serbët në Medvegjë apo Nish sigurisht nuk do ta braktisnin vendin e tyre… Shqipëria jonë, toka jonë është deri në Nish. Këtë e kanë thënë dhe vet intelektualët, historianët serb se ne jemi autokton, kurse serbët ardhacakë..»

Akademiku Idriz Ajeti është lindur në Topalë të Medvegjës së Kosovës Lindore. Shkollën fillore e ka mbaruar në Banjën e Sijarinës më 1930, ndërsa atë mesme në Shkup më 1938, kur në atë kohë Serbia dëbonte shqiptarët nga trojet e tyre etnike në drejtim të Kosovës apo Shqipërisë, por një pjesës e madhe nga ky presion detyrohej të shpëngulen në Turqi. Akademiku Idriz Ajeti është dhe mbetet ndër emrat më të njohur në fushën e linguistikës dhe ambasador i kulturës shqiptare. Ai ka marrë disa cmime mirënjohje. Në vitin 1958 ka mbrojtur disertacionin e doktoratës me temën: “Zhvillimi historik i formës gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë” Gjatë vitit 1969-1971 ishte drejtor i Institutit Albanologjik, më 1971-73 ishte dekan i Fakultetit Filozofik, në vitet 1973-75 rektor i Universitetit të Prishtinës. Në vitet 1979-1981 dhe 1996-1999 ishte kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. / KultPlus.com

Selfie e dytë legjendare në Oscar 2020

Charlize Theron mblodhi disa nga fqinjët e saj në karriget e ceremonisë Oskar për të bërë një selfie në grup. Aty ishin Rami Malek, Salam Hayek, Regina King, Tom Hanks dhe e shoqja Rita Wilson.

Kjo foto u publikua nga Theron në instagram së bashku me dixhiturën “Shoqëri e mirë #Oscars2020.

Fansat nuk kanë qënë kaq të emocionuar që kur Ellen DeGeneres postoi në 2014 selfien legjendare të Oskar.

Theron ishte nominuar për çmimin ‘aktorja më e mirë’, por humbi ndaj Renee Zellweger.

Image

Si u shkatërrua për 23 minuta qyteti gjerman

   

Drezdeni dukej i sigurt, me mburojën e veçantë arkitektonike. Por, qyteti pagoi një çmim barbar për luftën e Hitlerit, kur para 70 vjetësh një bombardim të pashembullt.

Drezden 2004: Këshilli i qytetit krijoi një komision ndërdisiplinor, që duhet të merret me çështjen: Sa vetë vdiqën gjatë bombardimeve më 13., 14. dhe 15 shkurt 1945? Për dekada me radhë është spekuluar për këto shifra. Flitej për 70.000 të vdekur, si serioze u provua shifra 35.000 – por edhe kjo bazohej vetëm në vlerësime. Komisioni Drezden ka arritur në konkluzionin e vet. 25.000 të vdekur prej bombave e ka llogaritur ai dhe ky numër është paraqitur në raportin përfundimtar, i cili u publikua në vitin 2010.

Shkatërrimi vetëm në 23 minuta
Ndërkohë që me më shumë preçizion mund të dekumentohet ajo që ndodhi mbi Drezden 75 vjet më parë. Më 13 shkurt u nisën 245 avionë katër-motorik të tipit “Lancaster” nga Anglia. Kjo ishte flota e 5-të bombarduese britanike. Destinacioni i saj: Drezdeni, qytet anës Elbës. Një qytet që asokohe kishte 630.000 banorë me – siç vlerësohej – edhe rreth qindra mijëra refugjatë. Drezdeni nga pikëpamja strategjike dhe ekonomike ishte i parëndësishëm për ecurinë e luftës në përgjithësi, fati i së cilës qe përcaktuar tashmë qysh në vitin 1944.

Në orën 21:39 gjëmuan sirenat e alarmit në qytetin anës Elbës. Rreth 3.000 bomba të rënda shpërthyese, 250 bomba me rreze djegëse dhe 400.000 bomba flakëhedhëse vërshuan mbi “Firencen e Elbës’, siç quhet ndryshe Drezdeni, i cili shquhet për bukurinë arkitektonike dhe pasurinë e artefakteve. E gjitha kjo ndodhi në vetëm 23 minuta. Qendra e qytetit u bë prush në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ndriçimi i zjarrit ishte aq intensiv sa që pilotët britanikë kanë protokolluar se kanë parë Drezdenin të digjet që nga distanca mbi 320 kilometra dhe nga 6.700 metra lartësi. Nxehtësia arrinte temperatura, që shkrijnë edhe qelqin e shisheve nëpër bodrumet e farmacive. Gjatë dy valëve të sulmit të bombarduesve britanikë dhe një sulmi pasues të SHBA u rrafshuan rreth 15 kilometra katror të qytetit.

Në shkatërrimin e Drezdenit ishin të përfshirë pilotë britanikë dhe amerikanë, por njëri kishte komandën: Arthur Harris, “komandant i përgjithshëm” i Forcave Ajrore Mbretërore (RAF). Njeriu i Churchill-it i ngarkuar për bombardimin masiv të Gjermanisë naziste, një mjet lufte për të demoralizuar armikun.

“Kasapi” Arthur Harris
“Asnjë hobby. S’ka lexuar asnjëherë ndonjë libër. Nuk e pëlqen muzikën. Jetonte vetëm për hesapi e vet”. Një nga përshkrimet më konçize mbi qenien e ushtarakut të lartë britanik, i cili edhe sot e kësaj dite është figurë mjaft e kontestuar. Harris ishte një antipod i britanikut. Ai nuk e njihte njerëzillëkun dhe mirësjelljen, ai ishte i vrazhdë dhe për më tepër shpesh edhe njeri që fyente. Shumë e quanin atë thjesht “Butcher”, kasap. Qysh në periudhën mes dy luftërave botërore Harris e kishte zbuluar pasionin e tij për luftën ajrore. Në Pakistan dhe Irak, ai kishte qenë komandant i skuadroneve të RAF, shpesh fluturonte vetë dhe preferonte të përdorte bomba me zjarr kundër kurdëve dhe arabëve. Kasollet e tyre prej kashte digjeshin me flakë deri në qiell. Ai entuziazmohej prej efektit të luftës ajrore.

Ashtu si shumë oficerë të aviacionit ushtarak edhe jashtë Mbretërisë, Harris besonte në superioritetin ushtarak të bombarduesve. Që në fillim të vitit 1943 ai besonte se vetëm nga ajri pa mobilizimin e trupave të këmbësorisë do të mund ta çonte Gjermaninë drejt kapitullimit. Një vit më pas, në 1944, Harris arrin në konkluzionin, se 45 nga 60 qytetet e mëdha gjermane ishin shkatërruar. Duke përfshirë edhe Këlnin e Hamburgun. Tani duhet të përfundojë pjesa tjetër, kërkoi ai. Drezdeni është një prej tyre.

Luftë qyteteve
Disa historianë shohin në bombardimin e Drezdenit një element të rritjes së bashkëpunimit ushtarak mes fuqive perëndimore dhe Bashkimit Sovjetik në etapën e fundit të luftës. Pasi kishte mbetur në vendnumëro ofensiva e Forcave Aleate kundër Gjermanisë në Frontin Perëndimor që nga fundi i 1944, në të njëjtën kohë që Ushtria e Kuqe po përparonte më shpejt në lindje, Churchill-i në janar, pak para Konferencës së Jaltës, udhëzoi të verifikohej nëse tani “Berlini … e gjithashtu edhe qytete të tjera të mëdha në lindje të Gjermaninë… .ndoshta nuk ishin objektiva që ia vlenin.” E gjitha kjo për t’i tërhequr vëmendjen Moskës, sepse Stalini kishte dyshime. Për vite të tëra ai kishte kërkuar nga fuqitë perëndimore, hapjen e një fronti të dytë në Perëndim. Një tezë tjetër ndjek logjikën: Meqënëse sovjetikëve u ishte premtuar Gjermania Qendrore, si zonë e pushtimit para Konferencës së Jaltës, britanikët dhe amerikanët u turrën me një vrull të shfrenuar shkatërrimi ndaj Drezdenit dhe qyteteve të tjera në Lindje të Gjermanisë.

Por pavarësisht nga kjo, Drezdeni ishte në planin e Harris-it. Dhe ka pasur paralajmërime shumë kohë përpara 13 shkurtit. Lajmet e radiove si dhe gazetat e vendeve aleate paralajmëronin skenarin, se çdo qytet gjerman mund të kthehej në një front lufte, për aq kohë sa vazhdonte lufta. Drezdeni ishte përveç kësaj edhe një udhëkryq i rëndësishëm i linjave hekurudhore, si të Lindjes edhe të Perëndimit, ashtu edhe të Veriut e Jugut. Gjithashtu aleatët e konsideronin Drezdenin, si një qendër të mundshme të tërheqjes së Hitlerit dhe nazistëve në rast se do të ndërpriteshin nyjet e qarkullimit Berlin dhe Lajpcig, si linja furnizimi. Drezden pra, ishte në fokus dhe Churchill-i ishte padyshim më shumë se vetëm një tolerues i praktikave të pamëshirshme të strategut të tij të aviacionit Harris. Këtë ai e ka deklaruar pak para vdekjes së tij, se Drezdeni “në atë kohë konsiderohej nga njerëz që ishin shumë më të rëndësishëm se unë, si një domosdoshmëri ushtarake”.

Akti dhe dorasi – një çështje e diskutueshme edhe sot e kësaj dite
Ushtria e Kuqe nën Marshall Zhukovin në shkurt të vitit 1945 ndodhej vetëm 80 kilometra në lindje të Drezdenit, kur bombarduesit britanikë dhe amerikanë donin t’i demonstronin sovjetikëve një shenjë bashkëpunimi kundër Gjermanisë së Hitlerit. “Një barbari të tillë nuk do ta kishte bërë kurrë ushtria sovjetike”, ka gjykuar më vonë Zhukovi. Edhe në Angli bombardimi i Drezdenit vazhdon të jetë një çështje e diskutueshme. Kur në vitin 1992, “bombarduesit Harri” iu kushtua në qendër të Londrës një statujë bronzi 2,70 metra e lartë Queen Mum e vlerësoi atë si “lider frymëzues”, ndërsa qindra protestues thërrisnin “vrasës në masë, vrasës në masë”./DW / KultPlus.com

“Gratë në Art” nxorën shpirtin artistik të grave të dhunuara

QKRMT dhe Monet, kanë hapur mbrëmë një ekspozitë, ku janë prezantuar punimet e grave në keramikë, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë është rezultat i bashkëpunimit të Blerta Surroit me gratë pjesëmarrëse në këtë projekt, të cilat edhe kanë prezantuar punën finale, që është prezantuar para një numri të madh të artdashësve.

“Përmes aktiviteteve në punë artistike, kjo nismë synon të angazhoj të mbijetuarat e luftës në Kosovë në punë kreative në artin e qeramikës.

Dhimbjet nga plagët e të kaluarës dhe vullneti për të luftuar stigmën që i rrethon do të përjetësohen në figura e elemente artistike për të frymëzuar ndryshimin brenda nesh”, thuhet mes të tjerash nga organizatori në lidhje me këtë ekspozitë./KultPlus.com

Teki Dervishi sonte në fokusin e aktivitetit të organizuar nga Pen Qendra e Kosovës

PEN Qendra e Kosovës në kuadër të aktiviteteve, ka filluar projektin kulturor për promovimin e vlerave elitiste të letërsisë bashkëkohore shqipe.

Pas mbrëmjeve kushtuar Martin Camajt dhe Ali Podrimjes, sonte do të mbahet nata e tretë e cila i kushtohet Teki Dervishit.

Në ora 18:00 në KultPlus Caffe Gallery do të lexohen kumtesa të ndryshme që i dedikohen krejtësisht kësaj figure të shquar të letërsisë shqipe.
Aktivitetet e PEN Qendrës së Kosovës, po organizohen në bashkëpunim me portalin KultPlus.

Sonte në panel do të jenë: Haqif Mulliqi, Qibrije Demiri dhe Flamur Maloku. Kjo mbrëmje do të moderohet nga Ibrahim Kadriu.
Projekti Promovimi i letërsisë shqipe, është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

Teatri “Faruk Begolli”, aktivizon shfaqjet për fëmijë

Në regji të Kaltrërim Balajt, skenografi të Argjira Hoxhës dhe me aktorë Besnike Arifi dhe Burim Koprani, më 15 shkurt me fillim nga ora 11:00 në teatrin “Faruk Begolli” do të jepet shfaqja “Hëna dhe Dielli”.

Kjo shfaqje ka në qendër dy fëmijë e që është vazhdimësi e premierës, e cila është dhënë para 4 vjetëve.

Njihuni me përrallen e dramës:

Një vëlla dhe motër (7 dhe 9 vjeç) një ditë zgjohen me vonesë nga gjumi dhe nuk arrijnë për të shkuar në shkollë, kryejnë gjërat e mëngjesit (larja e fytyrës, pastrimi i dhëmbëve dhe ushtrimet fizike).

Për ta zëvendësuar ditën e humbur të shkollës, fillojnë të luajnë mësuesja dhe nxënësi. Hana fëmija më i madh në moshë bëhet mësuesja ndërsa Dielli nxënësi, duke luajtur hidhërohen mes vete, Hana  ulet të mësoj kurse Dielli insiston të luajë.

Hanës i pëlqen loja dhe zgjohet të luajë, por gjatë lojës humbasin njëri me tjetrin dhe fillojnë të frikësohen se mos i ka ndodhur diåka  tjetrit, më pas e kuptojnë se nuk kanë humbur, por ndodhen së bashku në shtëpi, por Hana inatoset edhe më shumë. 

Për ta kthyer në lojë Hanën, Dielli  ia bënë disa lojëra dhe i ofron ndihmë  në rregullimin e shtëpisë dhe bindet Hana ta vazhdojë lojën.

Fillojnë te luajnë dhe gjatë lojës i  bëjnë befasi njëri-tjetrit. Dielli e sjellë Palaqon për Hanën, ndërsa Hana e sjellë Hallo Kitty-n për Diellin dhe gjatë argëtimit e kuptojnë se i kanë bërë lojë njëri tjetrit.

Dielli e pranon me mirësi idenë e Hanës, kurse Hana hidhërohet dhe ashtu e inatosur shkon në dhomën e saj për të mësuar. Dielli i vetëm në skenë dhe i mërzitur nga sjellja e Hanës, fillon të flas vetë me vete dhe duke folur i pyet fëmijët për datën e cila rezulton në ditëlindjen e Hanës.

Bashkë me fëmijët në publik  e mësojnë vallen e pinguinit dhe pastaj e sjellë Hanën në skenë për t’ia treguar befasinë, pasi Hana ta sheh befasinë e Diellit pajtohet dhe vazhdojnë të festojnë me të gjithë fëmijët në publik.

Kurti emëron Jusuf Thaçin Zv/ministër të Arsimit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar sot Jusuf Thaçin, Zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

“Duke i uruar punë të mbarë, kryeministri Kurti, ka thënë se përgatitja profesionale e z. Thaçi do t’i ndihmojë shumë Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, dhe se kontributi i tij në këtë institucion është më së i nevojshëm”, thuhet në kumtesën nga ZKM. / KultPlus.com

Një vit nga vdekja e gjuhëtarit dhe intelektualit Idriz Ajeti

Më 13 shkurt të vitit të kaluar, në moshën 102-vjeçare, është ndarë nga jeta albanologu, gjuhëtari e intelektuali, pedagogu dhe veprimtari i palodhshëm në zhvillimet tona shoqërore, akademik Idriz Ajeti.

Profesori i shquar, Idriz Ajeti do të kujtohet përherë për angazhimin tij të palodhshëm deri në fund si anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i saj në dy mandate si deh anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Idriz Ajeti, lindi në fshatin Tupallë të Komunës së Medvegjës më 26 qershor të vitit 1917. Shkollën fillore e mbaroi në Banjën e Sijarinës më 1930, të mesmen e kreu në Shkup më 1938. Po atë vit u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit – në Degën e romanistikës. Studimet i mbaroi pas luftës, në vitin 1949 në Fakultetin e Filozofisë të Beogradit. Që atëherë e deri në vitin 1953, me cilësi profesori të gjuhës shqipe, punoi në Gjimnazin e Prishtinës. Nga viti 1953 deri në vitin 1960, me cilësi lektori, jepte mësim në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Beogradit. Në vitin 1958 mbrojti disertacionin e doktoratës me temën: Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë.

Që nga viti 1960, njëherë docent, pastaj profesor inordinar dhe nga viti 1968 profesor ordinar, jep mësim në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filozofisë të Prishtinës. Iu dhanë disa shpërblime e dekorata, ndër të cilat edhe Shpërblimi i 7 korrikut dhe ai i KAÇKJ.

Presidenti Ibrahim Rugova e dekoroi me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit, ndërsa me rastin e 90-vjetorit të lindjes, Presidenti Fatmir Sejdiu e dekoroi me Çmimin Presidencial për Studiues. Hetimi i dialekteve nga pikëpamja diakronike, pastaj trajtimi i dokumenteve të moçme gjuhësore të shkruara me alfabetin arabo-turk dhe më në fund studimi i marrëdhënieve të shojshoqme shqiptare-serbe – janë troje të interesimit shkencor të Idriz Ajetit. Merret edhe me çështje të gjuhës së sotme shqipe. Qe iniciator i shumë konsultave dhe bashkëmarrëveshjeve gjuhësore ku u kërkuan shtigje të reja për njësimin e gjuhës shqipe dhe të drejtshkrimit të saj.

Hartoi tekste shkollore për nxënës të shkollave të mesme dhe për studentë të Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Me nismën e tij, pas hapjes së Fakultetit të Prishtinës (1960), u nxor revista shkencore Gjurmime albanologjike (1962) e më 1974 u organizua Seminari i Kulturës Shqiptare për albanologë të huaj.

Gjatë vitit 1969-1971 ishte drejtor i Institutit Albanologjik, më 1971-73 ishte dekan i Fakultetit Filozofik, në vitet 1973-75 rektor i Universitetit të Prishtinës. Pas zgjedhjeve paralele të vitit 1998 për Kuvendin e Republikës së Kosovës, zgjidhet kryetar i parë i tij nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në vitet 1979-1981 dhe 1996-1999 ishte kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Në vitin 1997, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i ka botuar veprën e plotë në pesë vëllime.

Vdekja e Akademik Idriz Ajetit është një humbje e madhe për të gjitha fushat e të gjithë njerëzit që e njohën atë. / KultPlus.com

“S’ka rëndësi se sa ashpër më kundërvihet bota, ngase brenda vetes kam diç më të fortë”



Poezi nga Albert Kamy.

E dashura ime,
në mes të urrejtjes
zbulova brenda vetes një
dashuri të pathyeshme.

Mes lotëve zbulova brenda vetes një buzëqeshje të pathyeshme.
Mes kaosit zbulova brenda vetes një qetësi të pathyeshme.
Në mes të dimrit kam kuptuar, më në fund, se brenda vetes kam një behar të pathyeshëm.

Dhe kjo më bën të lumtur.
Sepse kjo vërteton se s’ka rëndësi se sa ashpër
më kundërvihet bota
ngase brenda vetes
kam diç më të fortë,
diç më të mirë që sakaq
më shtyn të shkoj përpara.

– Albert Camus



Seanca e Kuvendit sot nisi me këngën “Baresha” të Nexhmije Pagarushës

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur sot me “Baresha” të Nexhmije Pagarushës, kjo u bë në shenjë nderimi për këtë figurë të shquar që na la para pak ditësh.

Në sallë ku janë të pranishëm rreth 97 deputetë, pritet të bëhet shqyrtimi i propozim-vendimit për formimin e komisioneve parlamentare.

Nexhmije Pagarusha do të mbetet një ndër figurat më të respektuara shqiptare. Muzika e saj do të shoqërojë edhe shumë breza e këngët e saj do të mbesin të pavdekshme. / KultPlus.com

Më 15 qershor lansohet dokumentari kushtuar aktorit Bekim Fehmiu

Dokumentari kushtuar 10-vjetorit të ikjes nga jeta të aktorit Bekim Fehmiu do të lansohet me 15 qershor, në ditën e largimit të aktorit nga kjo botë.

Ekipi i filmit dokumentar “Bekim Fehmiu”, në një konferencë për media, tha se procesi i realizimit të këtij dokumentari ka filluar në vitin 2016, por për shkak të mungesës së fondeve nuk është përfunduar deri tash.

Skenaristi i dokumentarit, njëherësh gazetari Fahri Musliu, tha se dokumentari do të jetë i metrazhit të gjatë.

“Pas bisedave të shumta në vitin e kaluar pranova ta shkruaj skenarin, për mua ishte hera e parë që po merrem me film që po shkruaj skenar, me të thënë të drejtën isha pak skeptik se të shkruash skenar për Bekim Fehmiun ndoshta ka qenë bekim i madh në çdo aspekt edhe profesional edhe njerëzor edhe intelektual edhe patriotik nuk është leht ë, mirëpo e kreva me që kam shkruar edhe monografi për bekimin, jam shoqëruar me të me vite të tëra, me dekada, e kam njohur bukur mirë dhe skenarin edhe regjisori edhe njerëz të tjerë e kanë vlerësuar si të mirë, të suksesshëm. Skepticizmi im ishte te ana materiale sepse të realizohet një film i tillë kërkon një angazhim të madh, mirëpo dëshira dhe përkushtimi për ta realizuar këtë film ndoshta do t’i tejkaloj të gjitha këto barriera. Filmi do të jetë i metrazhit të gjatë më tepër se 60 minuta, 90 minuta dhe planifikojmë të rrumbullakojmë diku me xhirime dhe montazh në fund të majit që të jetë i gatshëm për 15 qershor, në ditën e largimit fizik të Bekimit nga kjo botë”, tha Musliu, raporton Kosovapress.

Musliu u shpreh i zhgënjyer për faktin se Qendra kinematografike e Kosovës i ka mbështetur katër projekte të huaja, por jo edhe projektin për aktorin e njohur Bekim Fehmiu.

Ndërsa, regjisori i dokumentarit ‘Bekim Fehm iu’, Valmir Tertini, tha se për realizimin e këtij dokumentari ka ndihmuar Qendra kinematografike e Shqipërisë, pasi ajo e Kosovës nuk i ka sponsorizuar.

“Nga viti 2016 e nisëm skenarin që plotësisht është marrë Fahri Musliu me Skenarin edhe nga viti 2017-18, edhe intensivisht punuam, në vitin 2019 aplikuam në qendrën kinematografike në Kosovë dhe nuk fituam por gjatë kësaj kohe ne kemi pasur hapësirë për të aplikuar edhe nëpër qendra të tjera siç është Qendra kombëtare e kinematografisë në Shqipëri, e cila ka sponsorizuar filmin, po ta sponsorizonte Kosova do të ishte më mirë, sepse tash do të kishim xhirimet, të cilat kanë nisur nga mesi i muajit të kaluar, e kemi skenarin po përmbushet ashtu siç e kemi shkruar, xhirimet kanë nisur në Beograd për të vazhduar në vendlindjen e Bekimit në Sarajevë”, deklaroi Tertini.

Tertini u shpreh krenar për realizimin e këtij dokumentari, që sipas tij Bekim Fehmiu e meriton plotësisht t’i kushtohet një punë të tillë.

Ndryshe, Bekim Fehmiu është aktori i parë shqiptar që ka luajtur me sukses në filma gjatë kohës së ish-Jugosllavisë. Ndër rolet më të njohura të tij janë “Prova speciale”, “Odissea”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, të cilat përmenden si kryevepra. / KultPlus.com