Shumica e estradës me pasaporta diplomatike

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca pritet ditëve në vijim të marrë vendime të reja.

Shefi i diplomacisë kosovare, Konjufca pas shkarkimit të disa ambasadorëve dhe konsujve, që ishin kryesisht njerëz partiak dhe familjarë të politikanëve, pritet të anulojë edhe qindra pasaporta diplomatike.

Një burim brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme i ka thënë Gazetës Blic se janë qindra pasaporta diplomatike që do të anulohen nga Konjufca.

Ministrat e kaluar kishin keqpërdorur mënyrën e dhënies së pasaportave diplomatike. Shumica e estradës kishin pasaporta diplomatike, poashtu biznesmenë të shumë dhe familjarë të politikanëve. Pritet që ditëve në vijim të anulohen qindra pasaporta diplomatike”, tha ky burim i Gazeta Blic.

Sipas këtij burimi, shumë pasaporta u janë dhënë edhe biznesmenëve të fuqishëm, që janë në lidhje me politikën.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje./Gazeta Blic

“Ti kam fal ty me tana, me tana o me tana” (VIDEO)

Elvana Gjata është njëra nga këngëtaret më të njohura në skenën artsitike mbarëshqiptare, shkruan KultPlus.com

Elvana Gjata, mes shumë këngësh të lansuara, kishte realizuar edhe këngën “Më tana”, e cila doli të jetë shumë e pëlqyer për publikun, meqë morri miliona klikime në një periudhë të shkurtër.

KultPlus, këtu ju sjell tekstin dhe videon e kësaj kënge, me të cilën Elvana ishte në garë për ta përfaësuar Shqipërinë në Eurovizion.

“Ti kam fal ty me tana
Me tana o me tana
Dashni me fal
O kush ka me ma nal?

[Chorus]
A ma thua edhe sa
Duhet të pres ty me të pa
Ta di, dua ta di dhe sa
Ti kam fal ty me tana
Me tana, o me tana
Dashni me fal
O kush ka me ma ndal? (Hey)

[Post-Chorus]
Hey hey

[Verse 1]
Shpirt ti më je se shpirtin ma jep
Nëse ti nuk je të gëzoj a kam arsye
Vetëm ti je, vetëm prej tej
Sytë më shkëlqejnë si miliona yje

[Pre-Chorus]
Kohën ndale ndale
Të shkoj ngadale ndale
O më ngadale ndale
Na na na na na

[Chorus]
A ma thua edhe sa
Duhet të pres ty me të pa
Ta di, dua ta di dhe sa
Ti kam fal ty me tana
Me tana o me tana
Dashni me fal
O kush ka me ma ndal? (Hey)

[Post-Chorus]
Hey hey

[Verse 2]
Shpirt ti më je se shpirtin ma jep
Se ka ditë e netë që buza ime thahet
Harroj botën, më mbyt vetmia
Nuk ta bën askush ç’ka të bën dashuria

[Pre-Chorus]
Kohën ndale ndale
Të shkoj ngadale ndale
O më ngadale ndale
Na na na na na

[Chorus]
A ma thua edhe sa
Duhet të pres ty me të pa
Ta di, dua ta di dhe sa
Ti kam fal ty me tana
Me t’tana o me tana
Dashni me fal
O kush ka me ma ndal?

[Post-Chorus]
Hey hey
Hey hey

[Outro]
Hey

Kushtrim Mehmeti ironizon, ofron libra për paraqitje në televizione, 35 euro metra

Në rrjetet sociale së fundi është komentuar shumë paraqitja e figurave të ndryshme publike nëpër televizione, të cilët po kyçen nga shtëpitë e tyre, por që të njëjtit gjithmonë po e përdorin një prapavijë me libra.

Kësaj zhurme të rrjeteve sociale i është bashkangjitur edhe regjisori Kushtrim Mehmeti, i cili njihet për iniciativa të ndryshme, shkruan KultPlus.

Ai është paraqitur në një fotografi me shumë libra dhe i njëjti ka thënë se i ofron për të gjithë ata që do të kyçen në lidhje të drejtpërdrejta televizive, por i njëjti ka caktuar edhe çmimin. 35 euro metra e librave, ka thënë Mehmeti./KultPlus.com

Aristoteli: I dituri ndryshon nga i padituri sa i gjalli nga i vdekuri

Aristoteli ishte student i Platonit dhe ishte i pari që e kritikoi atë. 47 nga punët e tij kanë mbijetuar.

Aristoteli është i fundit nga filozofët e mëdhenj të antikitetit dhe konsiderohet si biologu i parë.

Ai themeloi shkencën e logjikës, shtroi terrenin për metodën shkencore dhe shkroi rreth shumë subjekteve.

Aristoteli ishte gjithashtu mentori i Aleksandrit të Madh për disa kohë. Ai ka pasur influencë të madhe në mendimin e Tomas Akuinit dhe për rrjedhojë mbetet një ndër influencat kryesore në edukimin dhe teologjinë katolike.

Aristoteli, një nga mendjet më të ndritura dhe më të thella të të gjitha kohëve, shkroi mbi shumë probleme dhe nga më të ndryshmet.

Me përjashtim të matematikës, lëroi të gjitha fushat e dijes, si politika, shkencat e natyrës, artin etj.

Rreth 120 veprat e tij formojnë një lloj enciklopedie, ku përfshihen njohuri nga të gjitha fushat e diturisë. Në të gjitha veprat e Aristotelit të bie në sy dashuria për të mirën dhe të vërtetën. Megjithëse e adhuronte dhe e nderonte shumë mësuesin e tij, filozofin Platon, në mjaft pikëpamje filozofike dhe estetike nuk ishte në një mendje me të. Në një nga veprat e tij thotë se midis miqve dhe së vërtetës është gjë e shenjë të duash më shumë të vërtetën.

Aristoteli, besonte se gjithçka ndodh për një arsye, gjithmonë. Dhe se çdo eksperiencë në jetën tënde, vjen për të të formuar dhe për të të sjellë në versionin tënd më të mirë. E vetmja gjë që e pengon këtë, është të kesh zgjuarsinë për ta parë.

2- Fillimisht ki një objektiv të qartë. Së dyti, gjej mjetet për ta arritur. Së treti përshtat mjetet.

3- Demokraci është atëherë kur sundues janë të varfërit dhe jo të pasurit.

4- Shtresat e ulëta ngrenë krye për të qenë të barabartë, dhe të barabartët ngrenë krye sepse duan të jenë shtresë sunduese. Kjo është gjendja mendore që i krijon revolucionet.

5- Njerëzit i krijojnë zotat sipas vetes, jo vetëm për nga pamja, por edhe për nga mënyra e jetesës.

6- Edukimi i mendjes pa edukimin e zemrës nuk është aspak edukim.

7-Miku i të gjithëve nuk është miku i askujt.

8- Një qytet i madh nuk duhet ngatërruar me një qytet të populluar.

9-Miku i vërtetë është një shpirt në dy trupa.

10- Të gjitha veprimet njerëzore kanë një ose më shumë prej këtyre shkaqeve: fati, natyra, detyrimi, zakoni, arsyeja, pasioni, dëshira.

11- Në më të mirën e tij, njeriu është më fisniku i të gjitha kafshëve; po të mos ishin ligji dhe drejtësia ai do të ishte kafsha më e keqe.

12- Ka vetëm një mënyrë për të shmangur kriticizmin: mos bëj asgjë, mos thuaj asgjë dhe ji thjesht asgjë.

13- Gabimi vjen në shumë mënyra, ndërsa për të bërë gjërat siç duhet ka vetëm një rrugë.

14- Familja është shoqata e krijuar nga natyra për të siguruar nevojat e njeriut.

15- Dinjiteti nuk matet me titujt që zotëron, por me vetëdijen që i meriton.

16- Mirë është që në jetë ashtu si në gosti, të mos dalësh as i etur as i dehur.

17- Të këqijtë binden prej frikës, të mirët prej dashurisë

18- Droja është një stoli për të rinjtë, por një turp për të moçmit.

19- Trimëria është cilësia e parë njerëzore, sepse ajo është cilësia që i garanton të gjitha cilësitë e tjera.

20 -Demokraci është atëherë kur sundues janë të varfërit dhe jo të pasurit.

21- Shkollimi është parapërgatitja më e mirë për pleqërinë.

22-  Ashtu si sytë e lakuriqëve janë të verbuar nga drita, për të njëjtën arsye edhe shpirtrat tanë janë të verbër përballë gjërave të cilat shihen më qartë se gjithçka.

23- Sikurse një dallëndyshe e vetme nuk sjell pranverë, sikurse si një ditë e vetme nuk sjell pranverë; ashtu një ditë, një kohë e shkurtër nuk e bën njeriun të bekuar e të lumtur.

24- Sikurse ne i duam sa të vërtetën aq edhe miqtë tanë, nderi na thotë që të parën ta respektojmë të vërtetën.

25- Lumturia varet nga ne.

26- Ai që ka shumë miq, nuk ka asnjë.

27- Ai që do të ishte një sundimtar i mirë, duhet së pari të ketë qenë i sunduar.

28- Ai që është i paaftë të jetojë në shoqëri, ose ai që nuk ka nevojë ngaqë i mjafton vetvetja, duhet të jetë ose një bishë, ose një perëndi.

29- Homeri i ka mësuar të gjithë poetët e tjerë artin e të treguarit të gënjeshtrave me zotësi.

30- Shpresa është një ëndërr që nuk fle.

31- E quaj më të zotin atë që i tejkalon dëshirat e tij se atë që i pushton armiqtë e tij; sepse fitorja më e vështirë është ndaj vetvetes.

32- Për të hartuar një fjalim njeriu duhet t’i studiojë tri pika: së pari, mjetet e arritjes së bindjes; së dyti, gjuha; së treti, organizimi i përshtatshëm i pjesëve të ndryshme të fjalimit.

33- Nga nëntë raste në dhjetë, gruaja shfaq më shumë dashuri sesa ndjen.

34- Shtresat e ulëta ngrenë krye për të qenë të barabartë, dhe të barabartët ngrenë krye sepse duan të jenë shtresë sunduese. Kjo është gjendja mendore që i krijon revolucionet.

35- Është shenja e një mendje të ditur të jetë e aftë që ta mirëpresë një mendim pa u pajtuar me të.

36- Njeriu nga natyra është një kafshë politike.

37- Njerëzit veprojnë më shumë për shkak të frikës se për shkak të respektit.

38- Fatkeqësia i tregon ata që nuk janë miq të vërtetë.

39- Shumë njerëz parapëlqejnë të japin më shumë dashuri se të marrin.

40- Nënat janë më të dashura se etërit për fëmijët e tyre, sepse ato janë më të sigurta se ata janë të tyret.

41- Natyra nuk bën asgjë kot.

42- Asnjë shpirt i shkëlqyer nuk është i përjashtuar nga përzierja me çmendurinë. Nuk ka ekzistuar kurrë një gjeni i madh pa njëfarë çmendurie.

43- Bukuria vetjake është rekomandimi më i madh se çdo letër reference.

44- Qëllimi i të mençurve është jo për të sjellë kënaqësi, por për të shmangur dhimbjen.

45- I ditur ndryshon nga i padituri sa i gjalli nga i vdekuri.

46 – Rrënjët e shkollimit janë të hidhura, por frutet janë të ëmbla.

47- Sekreti i humorit është befasia.

48- Shpirti nuk mendon kurrë pa një përfytyrim.

49- Ato që i di, bëji. Ato që nuk e kupton, mësoji.

50- Ne bëjmë luftë që të jetojmë në paqe.

Shërohet nga koronavirusi 84 vjeçarja në Shqipëri

Një 84 vjeçare është pacientja e rradhës e cila është shëruar nga COVID-19 në Shqipëri.

Këtë e bëri të ditur  me anë të një postimi në Facebook ministrja e shëndetësisë atje, Ogerta Manastirliu.

Vetëm në 24 orët e fundit 8 pacientë kanë lënë spitalin ku do të vijojnë vetëkarantinimin për 14 ditë në shtëpi.

Në total numri i personave të kuruar nga pandemia e COVID-19 është 154./oranews.tv/

Unë u dogja me libra

Poezi nga Lulzim Tafa

UNË U DOGJA ME LIBRA

Leter Izet Sarajlqit

Adam Puslojiqi
Është çetnik i madh
Ti e di

Dy muaj pasi më dëbuan nga shtëpia ime
Autoritetet dërguan
Sllavishen dhe Saven
Të mi digjnin librat

Si mund të digjen librat
E jo edhe Poeti

Ai u dogj me libra
U kishin thënë autoriteteve
Sllavisha dhe Sava

Atë ditë që ma dogjën shtëpinë
Atë ditë u dogja edhe une
Me librat

Qe pse është burrë i keq
Adam Puslojiqi
Nuk kerkon falje as sot
As në andërr
Si Sllobodan Markoviqi

/KultPlus.com

Premiera Televizive e “Pranverë e Paharruar në Fshatin e Harruar” këtë dielë

Premiera Televizive “Pranverë e Paharruar në Fshatin e Harruar” do të jepet këtë të dielë, shkruan KultPlus

“Filmi ishte premierën ndëkombëtare në festivalin ndëkombëtar të Moskës dhe ka qenë njëri ndër filmat më të shikuar në kinematë kosovare për vitin 2019”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Këtu keni njoftimin e plotë:

“Në kuadër të shfaqjeve së premierave televizive të filmave të mbështetur nga Qendra Kinamatografive e Kosovës, këtë të dielë nga ora 22:00 në RTK do të transmetohet filmi “Pranverë e Paharruar në Fshatin e Harruar” me regji të Kushtrim Bekteshit.

Filmi ishte premierën ndëkombëtare në festivalin ndëkombëtar të Moskës dhe ka qenë njëri ndër filmat më të shikuar në kinematë kosovare për vitin 2019.

Në film luajnë kastë e gjerë aktorësh nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe Bullgaria, ndër të cilët: Shkumbin Istrefi, Osman Ahmeti, Ndriçim Xhepa, Luan Jaha, Salaetin Bilall, Muzbajdin Qamili, Vjollca Bekteshi Hamiti, Adriana Matoshi, Diana Spasova, Hismet Ramadani, Musa Isufi, Ervin Bejleri, Romir Zalla, Adrian Aziri, Bujar Ahmeti, Shengyl  Ismaili, Donikë Ahmeti, Taulanta Jupi, Mona Mustafa, Sokol Hajrullai, Ilire Vinca, Vebi Qerimi, Adem Karaga, Muzafer Etemi, Besmir Bitraku, Gentë Ratkoceri, Lili Çavdarova Suçeva, Amernis Nokshiqi Jovanovska, Emine Kadriu, Flora Kadriu, Blerim Dardhishta, Muhamed Arifi, Mendim Murtezi, Teuta Ajdini Jegeni, Drita Kaba Karaga, Elhame Bilalli, Hajrullah Ramizi, Zijadin Murtezi, Vaske Niço,

Filmi është bashkëprodhim në mes Manufaktura Production (Maqedoni) me producent Sasho Pavslovski, Media& Film Production (Kosovë) me producent Mumin Jashari, Ska-Ndal Production (Shqipëri) me producent Genc Permeti dhe Skupifestival (Maqedoni) me producent Muzbajdin Qamili dhe Osman Ahmeti. Filmi është i mbështetur financiarisht nga Agjencioni për Film i Maqedonisë, Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë, Radiotelevizioni i Kosovës, Radiotelevizioni i Maqedonisë 2, dhe Radiotelevizioni i Shqipërisë”.

“Polikarpi”, një nga komeditë e para arbëreshe

Në letërsinë arbëreshe shënjohen pikënisjet e disa zhanreve letrare, të cilat kanë ndikuar në zhvillimin dhe pasurimin e letërsisë shqipe në tërësi. Një prej autorëve më të rëndësishëm të Arbëreshëve të Italisë ishte Françisk Santori, i cili krijoi dramën “Emira”, e njohur si drama e parë shqipe. Ai njëherësh, konsiderohet edhe si një ndër lëvruesit e parë të zhanrit të komedisë. Së fundmi, akademiku Gjovalin Shkurtaj ka botuar edhe satirat e Santorit, duke i pajisur me transliterim dhe shënime të vyera filologjike.


Komedia satirike “Polikarpi” është konsideruar si një nga veprat më të arrira të Santorit, në të cilin gjenden shumë elemente autobiografike. Një analizë më të detajuar mbi këtë vepër sjell studiuesja e letërsisë arbëreshe, Klara Kodra.

“Polikarpi” është një komedi  satirike që  e ka  të dukshëm elementin autobiografik. Autori e ka vendosur në vendlindjen e vet, në Picilje (Santa Caterina Albanese). Santori e sheh aty veten në optikën aspak  përkëdhelëse të bashkëfshatarëve, i satirizon ata dhe veset e tyre, duke mos lënë mënjanë  humorin  me vetveten. Ai s’del konkretisht si personazh veprues, po vizatohet përmes dialogëve të të tjerëve.

Një nga personazhet e kësaj komedie është prifti  Belvin (armik personal i Santorit) i cili e vetëdemaskon veten duke shprehur lakminë për para dhe vesin e pijes që e karakterizojnë, vese këto që bien në kontrast me vetëpërmbajtjen dhe thjeshtësinë që duhet të dallonin në parim një  klerik, po pasqyrojnë realitetin shoqëror të fshatit ku shumica  e klerikëve  ishin të tillë.

Autori i largohet këtu atij idealizimi të  klerikëve  që te “Emira” shprehej te figura e  Motëmadhit, njeri  me virtyte  të larta.

Belvini  vetërrëfehet përmes  dialogut duke  treguar  kështu  edhe mungesë  zgjuarsie. Ai as  nuk orvatet  të mbulojë  vetveten me  një tis  hipokrit morali  fetar si bënte përkundrazi vejusha  në komedinë  omonime. Ai shprehet kështu: “Një  mesh nëng të ndën/ njeri. Petëkat së japin gjë …/ Mos  pafça allmonu një gjips litri ver  ditën/ ndihem si ji dekur… (S’të kërkojnë meshë/ Tokat  s’të  japin gjë; / Po s’pata gjysmë litri  verë të pi  ditën, ndihem si i vdekur).

Në këtë komedi Santori shpreh aftësitë e veta si vëzhgues  të realitetit që e  çojnë nga romantizmi, një romantizëm i stuhishëm, i afërt me romantizmin kalabrez te realizmi, një  realizëm të ngjashëm me verizmin italian, i cili përfshinte  edhe  elemente  të natyralizmit, të një  fotografimi  tepër besnik  të realitetit.

Ky autor zbulohet  te “Polikarpi” edhe si psikolog që depërton  me mprehtësi në shpirtin njerëzor dhe di  ta pasqyrojë atë  jo vetëm përmes patosit  dramatik ose tragjik që i ofronte  realiteti i kohës, po edhe  përmes  një  patosi komiko-satirik duke e pasuruar letërsinë arbëreshe  dhe shqiptare për herë të parë  me përmasën e humorit, të vështrimit  të të metave  dhe veseve  njerëzore përmes lentes  zmadhuese të  komizmit!

Ky komizëm  në komedinë  në fjalë përqendrohet te karakteret, njëri prej  të cilëve  është  vetë  autori, personazh mungues, po që jeton  përmes  perceptimit të personazheve të tjerë. Kjo komedi ka një shije moliereske (le të  kujtojmë se si  vetë  Molieri  bën ironi me veten  dhe alergjinë e vet  ndaj mjekëve  te “I sëmuri imagjinar” nëpërmjet thënieve  të protagonistit, Argantit, njeri  narçizist  dhe me një  kujdes të  tepruar  ndaj vetes  që shpik  njëmijë sëmundje  imagjinare nga frika dhe  egoizmi i tepruar.

Ky personazh që është  bërë skllav i  mjekëve, shfaq  armiqësi ndaj vetë autorit duke  folur  për të  me tallje dhe nënvleftësim. Në mënyrë  analoge,  bashkëfshatarët e quajnë Santorin  njeri pa vlerë  dhe të paditur që, sipas tyre, pretendon  më kot  nëpërmjet disa shkrimeve “të  kopjuara andej – këtej” për mendimin e tyre, të luajë  rolin e  një njeriu  të përgatitur  dhe të  talentuar, prandaj  ai quhet  prej tyre me llagapin “gomar”. Njëkohësisht, ata  duke bërë  aluzion  për aventurat e tij me vajzat  që s’i përshtaten  një kleriku, e quajnë “cjap”. Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Wuhani përsëri qytet normal, qytetarët i gëzohen fitores ndaj Covid-19

Ata që kishin me bollëk pajisje medicinave si dhe respektuan karantinimin, më në fund duket se po i kthehen realitetit.

Në vendin e origjinës së virusit Covid-19, pas më shumë se dy muajsh, u hoqën masat e rrepta të kufizimit të lëvizjes, njofton Klan Kosova.

Në Wuhnan të Kinës nga sot filloi edhe qarkullimi rrugor,  hekurudhor e ajror. Klan Kosova / KultPlus.com

Kur dashuron një rom

Poezi nga Kujtim Paçaku

Kur dashuron një rom
Në pikë të dimrit ia thyen dallëndysheve 
Rrugën e shtegtimit
Kur dashuron një rrom
Ua shkund shtratin luleve të përgjumura
Myzhdenë t’ua japë
Kur dashuron një rrom
Përrenjve të ngrirë
Ua fal çmendurinë e dallgëve
Eh, kur dashuron një rom.. / KultPlus.com

‘Libri i Karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: Princi

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja. Rekomandimi për sonte është libri “Princi” me autorin Nichole Makiaveli.

Një nga veprat më të rëndësishme të mendimit politik dhe të suksesit të një invidi në shoqëri. Prej thuajse 5 shekujsh, kjo vepër e Makiavelit mban gjallë lexuesit në mbarë botën.

Princi, vepra më e lexuar dhe e diskutuar e Niccolo Machiavelli-t, shkruar në verën e vitit 1513, trajton se si merret pushteti, si konsolidohet dhe se duhet të sillet një sundimtar me armiqtë, aleatët dhe nënshtetasit e tij. Ekziston një moral për atë që duhet të nënshtrosh dhe një moral për atë që prin, që shfrytëzohet nga përgjegjësia për të mbajtur në këmbë një shtet të qëndrueshëm e në dobi të të gjithëve.

Konsiderohet që përmes këtij libri, Makiaveli, çliroi politikën nga barra e moralit përmes formulës së njohur të tij: “Qëllimi e arsyeton mjetin”. Përmes kësaj vepre, llogaritet se Makiaveli ka vendosur bazametet e asaj që më vonë njihet si drejtim politik: Realpolitika.

Kjo vepër është intepretuar dhe vazhdon të jetë shumë e cituar edhe sot pavarësisht se kanë kaluar aq shumë kohë nga botimi i saj, nën kushte të jashtëzakonshme, marrë parasysh ndikimin religjioz që ka ekzistuar asokohe kur vepra është shkruar dhe botuar me shumë guxim nga mendimtari italian. / KultPlus.com

Mantegazza: Qytetërimi modern po i përgatit gruas mundësinë e shtrenjtë për të jetuar beqare dhe e lumtur

“Qytetërimi modern po i përgatit gruas mundësinë e shtrenjtë për të jetuar beqare dhe e lumtur.”

“Martesa nuk është vetëm çështje dashurie, higjene, ekonomie, bukurie, ndjenje dhe përputhje mendimesh. Ajo nuk është as përmbushje e thjeshtë dhe e pastër e një dëshire të zjarrtë e as një marrëveshje tregtare, por një harmoni e duhur e shumë gjërave të ndryshme.”

“Të martohesh për të shpëtuar nderin, gjithnjë nëse ka mbetur diçka për të cilën ajo bëhet garant, shpesh është mëse e nevojshme, por gjithmonë ajo është e tmerrshme.”

“Të marrësh një grua për arsye higjene është njësoj sikur të mbytesh për të shuar etjen.”

“Të martohesh për inatin e të tjerëve do të thotë të vrasësh veten për tu hakmarrë ndaj një armiku.”

“Të marrësh për grua një vajzë të bukur do të thotë të blesh shumë shtrenjtë një pëllëmbë tokë nga e cila të mund të sodisësh një qiell që i përket të gjithëve.”

“Para se të vendosësh që të hedhësh hapin e rëndësishëm të martesës duhet të bësh një meditim të gjatë para pasqyrës, por më të gjatë para kuletës.”

“Para se të matni fuqitë tuaja , paramendoni gjithmonë se bashkëshortja juaj e ardhshme do të jetë gruaja më e virtytshme në botë, por duhet njëherësh të bindni veten të pranoni se ajo mund të jetë më e përdala e të dëlirave.”

“Nëse një vajzë hamendëson se po bën heroizëm duke pranuar të martohet me një burrë antipatik për të lumturuar prindërit propozues të kësaj lidhjeje, ajo gënjen veten më shumë se është e bindur ndaj prindërve. Nuk ka pushtet atëror e as urim nëne që mund të zërë vendin e dashurisë dhe shumë prej këtyre heroinave përfundojnë duke tradhtuar.”

“Nuk është për tu befasuar se martesa të suksesshme janë të rralla, sepse për realizimin e kësaj sipërmarrje jete, duhen përbërës të shumtë dhe të veçantë që nevojiten si mundësuesit e një martese të përsosur, dhe t’i bashkosh të gjitha, ndoshta nuk do të mjaftojë vetëm zotësia, por edhe fati.”

“Përputhja e karaktereve, e domosdoshme në në lidhje bashkëshortore, dhe jo vetëm, nuk do të thotë njësi dhe ngjashmëri, por harmoni gjërash, të cilat, po t’i vësh afër njëra-tjetrës ato binden logjikës matematikore të mbledhjes jo zbritjes, ata duhet të krijojnë një marrëdhënie harmonie melodike dhe kurrsesi jo një stonaturë.”

“Mos i zini besë asnjëherë një kandidateje për grua, e cila dëshiron të njihet me tërë të kaluarën tënde duke ju betuar se ajo ju dashuron gjithsesi. Të jesh i sinqertë dhe i çiltër nuk do të thotë se është e duhura t’i servirësh në tryezë një miku baltën e këpucëve tuaja. Fundja kush nuk ka aq baltë në shollën e këpucëve të moralit, aq sa të nis një lidhje me një damkë dyshimi.”

“Për të lidhur jetën me një grua, apo një grua me një burrë është pothuajse e kotë të kërkosh këshilla nga të tjerët, për të bërë dritë që të shohësh mirë se ku e hedh hapin në këtë terren sa të panjohur aq dhe të vështirë. Nëse je kokëfortë do t’i bindesh vetvetes për të bërë të kundërtat e këtyre udhëzimeve, nëse je aq i kujdesshëm dhe racional dhe priresh të jesh një dëgjues i vëmendshëm, mes PO-ve dhe JO-ve mundë të humbasësh edhe atë pak vullnet që të ka mbetur për të hedhur këtë hap.”

– Paolo Mantegazza

Si bëhet kënga rome

Poezi nga Kujtim Paçaku.

nuk ka shumë marifet!
merre një grusht dhembje
shtoji ca pika loti
e pak pluhur rrugësh të pasosura
pak aromë stinësh të dashurisë
në fund
i shton erëza djegëse dashurie
dhe i hedh ca yje përsipër
dhe e lë të piqet
të piqet në zjarr të shpirtit
gjer në agim.

ja pra, kështu bëhet kënga rome…

Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, Lutfi Haziri kujton Elez Agushin

Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka dërguar një telegram urimi këtij komuniteti.

“I shpreh urimet më të mira komunitetit rom, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve. Në këtë ditë, në veçanti dua ta kujtoj me respekt maksimal Elez Agushin, i cili punoi parreshtur për liri, pavarësi dhe Republikë, dhe ndërroi jetë pas torturave të regjimit të kohës, pasi kishte punuar për këtë kauzë”, tha Haziri.

Ai theksoi se dihet jashtëzakonisht mirë që Gjilani është shembulli më i mirë i respektimit të të drejtave të të gjitha komuniteteve pakicë, duke shtuar se për këtë kjo komunë është përmendur edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB’së.

“Diversiteti kulturor, fetar dhe etnik për neve konsiderohet si vlerë”, ka shtuar kreu i Gjilanit.

Ndryshe, në shenjë nderimi për kontributin e dhënë për kauzën për liri, pavarësi e Republikë, një rrugë mban emrin e Elez Agushit.

Agron Peni publikon albumin “Home”

Agron Peni sapo ka publikuar në të gjitha adresa online albumin e tij “Home”, ka thënë këngëtari për KultPlus.

[Përmes një statusi në Facebook, Agron Peni, ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar për realizmimin e këtij albumi.

“Uroj t’ju pëlqej albumi duke dëshiruar për Ju shëndet të mirë dhe tejkalim të lehtë të kësaj situate”, ka shkruar ndër të tjera Agron Peni.

Këtu keni statusin e tij të plotë:

“Albumi “ Home” sapo u publikua në të gjitha adresat online fale kompanisë Spanjolle “Publimaster” e cila promovon muzikën time ndërkombetarisht. “Home” është një album solo gitarë i sapo realizuar në këtë periudhë izolimi që përmban 10 pjesë instrumentale, përpunime dhe krijime origjinale.

Për të qene sa më afër jush, sidomos në këtë periudhë, albumi është realizuar bashkë me video në shtëpinë time të cilat do të shpërndahen ditëve në vijim në kanalin tim “Youtube” si dhe në rrjetet sociale, ndërsa blerja e tij njëher për njëher mund të bëhet vetem online në adresat e shitjes.

Falenderoj shumë; Pëllumb Ballata për audio inçezimin Ertan Iliyaz për videot e realizuara në bashkëpunim me montazherin e videove Ersin Samli si dhe dizajneren e kopertines së albumit, Arlinda Morina. Uroj t’ju pëlqej albumi duke dëshiruar për Ju shëndet të mirë dhe tejkalim të lehtë të kësaj situate”.

Bajrami: Qendra e Studentëve në shërbim të parandalimit të përhapjes së COVID-19

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami, ka treguar për menaxhimin e situatës së krijuar nga COVID-19 në objektet e Qendrës së Studentëve, shkruan KultPlus.

Bajrami, ka treguar specifikisht me numra se sa qytetarë kanë qëndruar aty si dhe njëherit ka shprehur mirënjohjen për punën e stafit.

“Uroj që edhe të tjerët që janë duke qëndruar ende në këtë qendër të rezultojnë negativ dhe sa më shpejtë të kthehen shëndosh e mirë në shtëpitë e tyre”, thuhet ndër të tjera në postimin e saj në Facebook.

Këtu keni stausin e saj të plotë:

“Qendra e Studentëve në shërbim të parandalimit të përhapjes së COVID-19

Në muajin e kaluar, me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Qendra e Studentëve, është vënë në shërbim të Ministrisë së Shëndetësisë për të shërbyer si karantinë për qytetarët tanë të kthyer nga vendet tjera. Si ministre e MAShTI-t e kam përkrahur këtë vendim duke ditur që kjo qendër plotëson kushtet e nevojshme për për t’u vënë në dispozicion të institucioneve të Republikës së Kosovës në përpjekjet për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID- 19.

Gjatë kësaj kohe, në objektet e Qendrës së Studentëve, kanë qëndruar rreth 500 qytetarë, shumica dërmuese e të cilëve, për fat të mirë, pas testimeve të bëra për COVID-19, kanë rezultuar negativ. Një pjesë e madhe e tyre tashmë u janë kthyer familjeve të tyre dhe po vazhdojnë izolimin 14 ditor në shtëpitë e tyre. Uroj që edhe të tjerët që janë duke qëndruar ende në këtë qendër të rezultojnë negativ dhe sa më shpejtë të kthehen shëndosh e mirë në shtëpitë e tyre.

Si ministre në detyrë e MAShTI-t, falënderoj përzemërsisht menaxhmentin e Qendrës së Studentëve, secilin punonjës, vullnetar dhe staf profesional mjeksor të angazhuar në këtë qendër për të ofruar përkujdesje dhe trajtim shumë njerëzor për të gjithë personat e vendosur në karantinë.

Për fund, u bëj thirrje të gjithëve që të respektoni rekomandimet e IKShPK dhe të qëndroni sa më shumë në shtëpitë tuaja. Në këtë mënyrë, ne i ndihmojmë mjekëve tanë që sa më lehtë të përballen me numrin e të infektuarëve me COVID-19″.

Jürgen Habermas mbi krizën e koronavirusit: “Kurrë nuk ka pasur më shumë dituri për paditurinë tonë”

Filozofi më i madh gjerman Jürgen Habermas flet për koronën, botën e shqetësuar dhe domosdoshmërinë që shteti të shpëtojë çdo jetë.

Jürgen Habermas, i lindur më 18 qershor 1929 në Düsseldorf, i rritur në Gummersbach, ka ligjëruar në Universitetin e Frankfurtit dhe jeton në Starnberg të Bavarisë. Në veprat e tij ai e ka zhvilluar më tutje Teorinë Kritike të Karl Marxit, duke e rrumbullakuar me një arsyetim të shtetit demokratik ligjor. Në një intervistë me gazetën “Frankfurter Rundschau” Jürgen Habermas ka folur edhe mbi krizën e koronës. Në vijim disa nga mendimet e 90-vjeçarit Jürgen Habermas.

1. Si e përjeton filozofi personalisht krizën e koronës?
Habermas: “Mund vetëm të them se çfarë më sillet nëpër kokë këto ditë. Siç dihet shoqëritë tona komplekse vazhdimisht përballen me pasiguri të mëdha, por ato shfaqen në nivel lokal dhe jo njëkohësisht dhe pak a shumë trajtohen padukshëm nga ekspertët kompetentë në njërin apo tjetrin sistem të pjesshëm të shoqërisë. Nga ana tjetër tani po përhapet në nivel global dhe njëkohësisht një pasiguri ekzistenciale dhe kjo po ndodh edhe në kokat e njerëzve të ndërlidhur përmes mediave”.

2. Pasojat e paparashikueshme
Habermas thotë se çdo individ po informohet mbi rreziqet e pandemisë, duke u këshilluar që të vetëizolohet, sepse vetëizolimi është variabla e vetme e rëndësishme përballë sistemeve shëndetësore të mbingarkuara. Pasiguria, sipas Habermasit, buron jo vetëm sa i përket ballafaqimit me rreziqet epidemike, por edhe nga pasojat e paparashikueshme ekonomike dhe sociale. Andaj, sipas tij, për dallim nga virusi, lidhur me pasojat ekonomike dhe sociale nuk ka ekspert që mund të bëjë vlerësim të sigurt. Rrjedhimisht ekspertët e ekonomisë dhe ata të çështjeve sociale do të duhej të jenë të rezervuar me parashikime të pakujdesshme. “Një gjë mund të thuhet: Kurrë nuk ka pasur më shumë dituri për paditurinë tonë”, tha Habermas.

3. Mbi shpëtimin e çdo jete
Jürgen Habermas mendon se në disa shtete po shihen politikanë që po kanë vështirësi në aplikimin e një strategjie, e cila i jep përparësi absolute shpëtimit të çdo jete njeriu, sepse në përllogaritjet utilitariste po merren me pasojat e padëshirueshme ekonomike. Po qe se shteti e lë epideminë të shtrihet pa pengesë në mënyrë që sa më shpejt të arrihet një imunitet i mbarë popullsisë, atëherë ai merr mbi vete rrezikun e shmangshëm të kolapsimit të parashikueshëm të sistemit shëndetësor dhe vdekjen e një pjese të madhe të njerëzve.

Foto të rralla të Adolf Hitler

Fotografi mjaft të rralla të Adolf Hitlerit dhe komandantëve të tij nazistë, kanë dalë në dritë. Albumet e fotografive besohen se janë koleksionuar midis viteve 1932 dhe 1938 nga Ernest Zaske, truproja e ish deputetit Rudolf Hess (një nga bashkëpunëtorët më të afërt të diktatorit).

Në foto shihet Adolf Hitler, teksa është duke udhëtuar me eskortën e tij. Të tjera foto tregojnë atë duke përshëndetur turmën e qytetarëve me “përshëndetje naziste”.

Po ashtu janë shkëputur momente edhe nga takimet e tij me homologun Benito Musolini.

MASHTI: Video-ligjeratat që transmetohen nesër nxënësit nuk e kanë për obligim t’i përcjellin

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton nxënësit dhe mësimdhënësit se nuk e kanë të obliguar t’i përcjellin video-ligjeratat që do të tranmetohen nesër me datë 09 prill, për faktin se është festë zyrtare.

MAShTI njofton nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit se video-ligjëratat për mësimin në distancë që transmetohen në Radio Televizionin e Kosovës gjatë ditës së enjte më 09 prill 2020), do të ri-transmetohet edhe ditën e shtunë më 11 prill 2020 sipas orarit të njëjtë.

Nesër më 09 prill shënohet Dita e Kushtetutës së Kosovës.

Këndet Amerikane ndihmojnë në luftën kundër Covid-19

Këndet Amerikane të Ambasadës së SHBA-ve janë duke u shërbyer me printerin e tyre të teknologjisë 3D për të luftuar Covid-19 në Kosovë duke prodhuar maska për fytyrë për qendrat lokale të kujdesit shëndetësor.

Këndi Amerikan në Prizren është duke prodhuar 100 maska për fytyrë duke përdorur printerin e tyre 3D dhe teknologjinë e lapsit 3D për t’i dhuruar ato në qendrat shëndetësore lokale në koordinim me Drejtorinë e Shëndetësisë së Komunës.

Falë mbështetjes nga profesori inxhinierik i Universitetit të Prishtinës Shaban Buza, ata prodhuan me sukses sasinë e parë të maskave praktike të cilësisë së lartë.

Që nga 8 prilli, ata kanë prodhuar 50 maska të cilat i kanë dhuruar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe Qendrën e Emergjencës në Prizren, si dhe klinikave private, dentistëve dhe teknikëve laboratorikë.

Këndi Amerikan në Prishtinë huazoi printerin 3D me pjesë përcjellëse për BONEVET-it në Prishtinë për të mbështetur prodhimin e maskave për fytyrë për punëtorët e shëndetësisë.

Duke punuar me partnerët e tyre, vullnetarët dhe komunitetin, BONEVET ka rritur prodhimin e maskave për të mbuluar nevojat e spitaleve dhe qendrave mjekësore, policisë dhe shërbimeve të tjera publike në gjithë Kosovën.

Ambasada në Prishtinë ka falënderuar të gjithë partnerët e saj, stafin e tyre dhe të gjithë vullnetarët e Këndeve Amerikane dhe gjetiu të cilët janë duke punuar shumë për të luftuar Covid-19. / KultPlus.com

Superhëna “rozë” u shfaq mbrëmë më e madhe që nga viti 1948

Horizonti i botës shndriti të martën mbrëma deri mëngjesin e së mërkurës nga drita e hënës më të plotë të vitit.

E ashtuquajtura superhëna, një fenomen qiellor kur orbita e Hënës ndodhet shumë afër Tokës, ndriçoi fillimisht horizontin e Azisë, ku spektatorë dhe astronomë prisnin më kërshëri ta soditnin.

“Është gjë e mirë që po shfaqet superhëna me këtë situatë pandemie në Kinë, që sa vjen e përmirësohet. Jam e lumtur.”

“Për Pekinin është e rrallë të ketë hënë kaq rrumbullake. Është hera e parë që e shoh,” shprehen disa banorë të Pekinit.

Superhëna shkëlqeu edhe në Shqipëri dhe në vendet e Europës, në qiellin e trazuar të Athinës, mes grataçelave të Shkupit, në sfondin e katedrales më të madhe të Zagrebit në Kroaci, në Paris, në minaretë e Stambollit apo në urën e Londrës.

“Më ndihmoi vërtet të heq stresin sepse mbyllja gjithë ditën në shtëpi nga pandemia nuk të lejon të zbrazësh energjinë. Ngjita 11 kate për ta parë dhe ia vlejti,” tregon një banor i Karakasit në Venezuelë, teksa hëna shndriti qiejt e Amerikës Latine por edhe asaj Veriore, në Nju-Jork.

Hëna e plotë e këtij viti, e njohur ndryshe edhe si Hëna “rozë” për shkak të luleve që zakonisht dalin në këtë kohë, mendohet se është nga më të mëdhatë që nga viti 1948, dhe në të tilla përmasa pritet të shfaqet vetëm në vitin 2034.

Hëna rozë, është emërtuar e tillë, për shkak të një luleje të egër që rritet në Amerikën e Veriut, të quajtur “phlox sbuluta”, që ka një ngjyrë rozë dhe çel në këtë periudhë. Ndërsa epitetin “super”, hëna e plotë e merr kur afrohet në maksimumin e mundshëm me orbitën e Tokës, njofton VoA. / KultPlus.com

Pranvera

Poezi nga Esad Mekuli

Zhytem krejt n’bukurít e larme që ka pranvera
Dhe me shpirt qafoj mbulojën e kaltërt t’pambarim
N’zemër m’shtohet flaka, në krye i kthjellmi mendim
I kthjelltë si qielli, i dashtun si e luleve era.

Unë s’njoha deri tash lojë ngjyrash as larmi-
Gufime që si lule të shpirtit mugullojnë…
Përqark âsht pranvera e n’zemër sytë e tu ndriçojnë
Për ta më lëbyret mendimi, tretun në vetmi.

..E tash zhytem n’tbukurit’ që pranvera na e ka prû
Dhe me shpirt qafoj mbulojën e kaltër t’pambarim
I kthjelltë si qielli, i dashtun si sytë e tu!

Regjisori Coppola mesazh për Italinë: Shpirti i shpresës, nuk do të thyhet kurrë! (VIDEO)

Me Italinë që po lëngon, por nuk dorëzohet, janë bashkuar përmes mesazheve të shpresës e solidaritetit personalitete nga fusha e artit e kulturës në mbarë botën.

Kësaj here një nga figurat kyçe të Hollivudit, regjisori Francis Ford Coppola, i njohur për triologjinë e “Godfather”, në 81-vjetorin e tij të lindjes, në 7 prill, ka vendosur në qendër të vëmendjes “Il bel paese”, për shkak të situatës së vështirë që po përjeton prej përhapjes së virusit korona.

Në 7 prill që koincidon edhe me Ditën Ndërkombëtare të Shëndetit, Coppola bëhet zëri që përshkruan dhimbjen që ka kapluar Italinë, për jetët e humbura, ata që po luftojnë, dhe guximtarët që mbajnë frymën e shpresës gjallë, duke ripërsëritur “gjithçka do të shkojë mirë”. 

Videon e Coppolas e kanë shpërndarë në rrjetet sociale shumë artistë edhe kompani të njohura,  duke e shoqëruar me shënimin “Nga ‘Italia e vogël’ për Italinë, Francis Ford Coppola bëhet zëri i një mesazhi shprese. “Zemrat tona janë me gjithë të prekurit nga ky virus”.

Në këtë mesazh shprese Coppola thotë: Ne jemi gjendur edhe në rrethana më të vështira kohë më parë, dhe ju e dini, se gjithmonë kemi gjetur diçka që të na bëjë të vazhdojmë përpara: një shtysë e brendshme, vendosmëria për t’u përballur dhe për të përqafuar të panjohurën, shpirti i shpresës që nuk do të thyhet kurrë”. / KultPlus.com

MKRS dhe UNKT do të bashkëpunojnë në projekte konkrete për rini

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti sot në takim koordinatoren për zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), Ulrika Richardson, me të cilën diskutuan për situatën me të cilën po përballen institucionet e kulturës, rinisë e trashëgimisë me situatën në kohë të pandemisë si dhe biseduan politikat dhe programin që MKRS-ja ka për rininë dhe për përfshirjen e UNKT-së në projekte konkrete që do të realizohen në të mirë të të rinjve të Kosovës.

Ministrja Dumoshi e falënderoi Richardson, që ndonëse në kohë pandemie ka gjetur kohën t’i ndodhet pranë institucioneve të Kosovës, në veçanti Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke treguar gatishmërinë për të dëgjuar për sfidat dhe planet me të cilat përballet dhe merret MKRS-ja.

Gjithashtu, Ministrja Dumoshi e njoftoi Richardson për punën që po bën MKRS-ja në këtë kohë të vështirë të pandemisë duke punuar me staf të reduktuar por që nuk kanë ndaluar vetëm e vetëm që t’u ndodhemi pranë institucioneve kulturore vartëse të MKRS-së, federatave e komunitetit sportiv si dhe organizatave rinore e të trashëgimisë kulturore.

“Jam duke zhvilluar komunikim të rregullt dhe të vazhdueshëm me të gjithë drejtuesit e institucioneve, të organizatave kulturore, të rinisë, sportit e të trashëgimisë. Jam i informuar për së afërmi me problemet dhe sfidat me të cilat përballen ato dhe që do t’i kenë edhe pas kalimit të pandemisë, andaj kërkoj edhe nga entitetet e Kombeve të Bashkuara nën siglën e UNKT-së, mbështetje të çfarë do forme për MKRS-në dhe këto organizata të cilat do të kenë vështirësi të mëdha. Me një bashkëpunim të MKRS-së me UNKT- në në këtë rast do t’i ndihmonte drejtpërdrejt këto organizata”, tha mes tjerash ministrja Dumoshi.

Ministrja e ka falënderuar përfaqësuesen Koordinatoren për Zhvillim të OKB-së, zonjën Richardson, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e deritashme që kanë dhënë për MKRS-në dhe u shpreh se e mirëpritet ndihmën dhe gatishmërinë e UNKT-së për ta përkrahur MKRS-në dhe fushat e kulturës, rinisë, sportit e të trashëgimisë në vendin tonë, qoftë drejtpërdrejtë por edhe në bashkëpunim edhe me organizatat tjera ndërkombëtare.

Ndërsa, përfaqësuesja e UNKT-së, Ulrika Richardson, e falënderoi takimin dhe gatishmërinë e ofruar për bashkëpunim me qëllim të përkrahjes më të madhe të organizatave që vijnë nga fushat e kulturës, rinisë, sportit e të trashëgimisë.

Richardson theksoi se ekipi e të cilin ajo e përfaqëson është e interesuar të përkrahë MKRS-në në fushat e rinisë dhe të trashëgimisë dhe u shpreh se është i nevojshëm vazhdimi dhe fuqizimi i mëtejmë i bashkëpunimit mes UNKT-së dhe MKRS-së. / KultPlus.com