Në veprën me titull “Les beaux-arts à l’exposition universelle et aux salons de 1863, 1864, 1865, 1866 et 1867 – Artet e bukura në Ekspozitën Universale dhe në sallonet e 1863, 1864, 1865, 1866 dhe 1867” të kritikut të artit, shkrimtarit dhe fotografit francez Maxime Du Camp (1822 – 1894), botuar në Paris në vitin 1867, gjejmë një krahasim midis artit të pikturës dhe heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Salloni i 1865
“…A është e nevojshme të them se pothuajse të gjitha veprave të ekspozuara aktualisht u mungon mendja (shpirti) ? Dëgjoj këtë frymë tërheqëse që bën një pikturë, një statujë, diçka tjetër përveç përfaqësimit brutal të një fakti, një personazhi apo këndvështrimi. Vetëm dora merret parasysh ; ajo mbizotëron trurin : skllavja është shndërruar në zonjë.
Midis artistëve, unë vë re shumë virtuozë dhe shumë pak krijues. Sidoqoftë, është shpikja, në kuptimin origjinal të fjalës, ‘invenire’, për të gjetur, që është përsosmërisht shenja dalluese e çdo arti. Nëse misioni i vetëm i pikturës është riprodhimi, ajo nuk është më art por zanat (punë). Raymond Gayrard (skulptor francez), një njeri i talentuar, kompetencën e të cilit nuk mund ta mohojmë, ka shkruar :
“Sipas disa artistëve, shumë të vlerësuar për një pjesë të punës së tyre, materiali i imitimit mjafton për të prodhuar kryevepra. Është e qartë se më këtë duhet të marrim parasysh vetëm anën piktoreske, e cila është ana më e ngushtë (lehtë) e artit. Ekziston para së gjithash, dhe mbi të gjitha, ana morale, ana poetike.”
Asgjë nuk është më e vërtetë. Përndryshe, te z. Blaize Desgoffes (piktor francez), i cili di të kopjojë përsosmërisht një copë fildish, një copë stof, një gotë plot verë, detyrohemi të njohim piktorin më të madh të kohërave moderne, një supozim kaq i çuditshëm sa është i papranueshëm.
Sulltani Mehmet II, i habitur nga fitoret që arrinte Skënderbeu, i kërkoi Epirotit të tmerrshëm që t’i jepte shpatën e tij. Sulltani nuk pësoi më pak humbje, dhe duke e akuzuar Skënderbeun se e mashtroi, ky i fundit iu përgjigj : “Nuk është shpata ime ajo që ju nevojitet, por krahu që e përdor dhe koka që e drejton atë.”
Çfarëdo aftësie materiale që mund të arrijë (fitojë) një piktor, nëse truri i tij nuk zhvillohet pa ndërprerje nga studimi dhe reflektimi, ai do të jetë po aq i padobishëm si puna e shpatës së Gjergj Kastriotit në duart e Mehmetit II.”
Këtë vit shënohet edicioni i dhjetë jubilar i festivalit ‘Etno Fest’, i cili si zakonisht do të mbahet në fshatin Kukaj, shkruan KultPlus.
Faqja zyrtare e festivalit në Facebook tashmë ka njoftuar se ky edicion do të mbahet në gusht të këtij viti, duke filluar nga data 20 deri më 25 gusht, ndërkaq tema e zgjedhur për këtë edicion do të jetë ‘Gruaja dhe Dielli’.
Çdo gjë fillon në fitin 2009 kur në fshatin Kukaj (një fshat me vetëm tre shtëpi banimi) xhirohej filmi << Gomarët e kufirit >> ku pas përfundimit të xhirimeve, aktori Bislim Muçaj, i mrekulluar nga pamjet magjike të këtij fshati të braktisur e blen një shtëpi rrënojë dhe e fton shokun e tij, profesorin e artit skenik, Fadil Hysaj që ta vizitojë këtë fshat. I maxhepsur me bukurinë e këtij fshati Fadil Hysaj e blen një tokë me shtëpi të cilën e veshë me gurë, ndërsa shtëpinë e vjetër që përdorej si ahur për kafshë në vitin 2010 do ta ktheje në Etno Teatrin e parë në Kosovë, ku me 26 maj 2010 do të jepet premiera e shfaqjes << Dardha pas bunarit >> e Arta Arifit, në regji të Iliriana Arifit.
Rregullimi i oborrit, duke e respektuar reliefin kodrinor, imponuan kriimin e kaskadave të cilat, i dhanë formën dhe idenë e ndërtimit të një amfiteatri të ardhshëm në të cilin në shtator të vitit 2011 do të fillojë ngjarja më e madhe kulturore ETNO FEST, festivali i Arteve dhe Kulturës Tradicionale. / KultPlus.com
Shqipëria e cilësuar si perla e Ballkanit njihet për bukuritë e zonave bregdetare dhe malore, që gjithnjë e më shumë po tërheqin turistët vendas e të huaj në çdo stinë të vitit.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot një video me pamje nga vendet më të bukura të Shqipërisë, nga veriu në jug.
“Me disa imazhe perla të Shqipërisë, të cilat edhe me kushtet e pamundësisë për të lëvizur lirisht jashtë uroj të keni kohë e mundësi për t’i vizituar këtë verë”, – shprehet Rama.
Në videon promovuese me sloganin “Unë rri në shtëpi”, thuhet se “sekreti i fundit i Europës ka ende shumë për të zbuluar, edhe për ne që jetojmë këtu. Këtë verë e cila do të jetë pak më ndryshe nga të tjerat ashtu siç qëndruam në shtëpi për të mbrojtur familjet tona le të zgjedhim të qëndrojmë në vendin tonë dhe ta kthejmë këtë situatë në një mundësi për të zbuluar më shumë natyrën shqiptare, vendet më të bukua ato të pazbuluara ende, historinë dhe traditat dhe për të mbështëtur të gjithë ata që punojnë në sektorin e turizmit. Bashkohu me nismën “Unë rri në Shqipëri” dhe fillo të bësh planet afër teje dhe ato më të largëtat., ku mund të udhëtosh , të zbulosh, të shijosh, të festosh shqip”.
Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë, Sarandë, etj, plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve, edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës.
Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj., janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor./atsh/ KultPlus.com
Akademiku i njohur shqiptar Rexhep Qosja sot feston datëlindjen e 84-të. Ai ka lindur më 25 qershor 1936 në Vuthaj te Kelmendit, Malit të Zi, shkruan KultPlus.
Katër klasat e para të fillores i kreu në Vuthaj, kurse gjysmëmaturën në Guci.Shkollën normale e mbaroi në Prishtinë. Më 1964 diplomoi në degën Gjuhë-letërsi të Universitetit të Prishtinës. Studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Beogradit, Beograd ku në vitin 1971 mori titullin “Doktor i shkencave filologjike” me temën “Asdreni-jeta dhe veprat”. Ishte punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Universitetit të Prishtinës dhe drejtor i këtij Instituti prej vitit 1972 deri më 1981.
Është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike Ka botuar recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.
Për krijimtarinë shkencore e letrare është çmuar me: Shpërblimin e qytetit të Prishtinës, më 1968; me Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit më 1969; me dy shpërblime të SHSH të Kosovës, më 1972 dhe 1974 dhe me Shpërblimin e RS të Serbisë – 7 Korriku, më 1975, me Çmimin “Pjetër Bogdani”, 2010 për romanin “Bijt e askujt”, Gjilani Çmimin letrar- Beqir Musliu, më 22 qershor 2012 ia dorëzoi akademikut Rexhep Qosja . Ai është marrë edhe me veprimtari politike; në periudhën 1998-2000 drejtoi një parti politike në Kosovë. Në vitin 2000 kryetari i Republikës së Shqipërisë i dha çmimin “Nderi i Kombit”. Qosja është anëtarë i rregullt i ASHA të Kosovës./ KultPlus.com
Muzeu Historik Kombëtar bën me dije se ekspozita fotografike “Austro-Hungaria dhe Shqipëria 1916-1918”, e cila u organizua në janar 2018 në kuadër të vitit kulturor Shqipëri-Austri mund të vizitohet virtualisht.
Muzeu shprehet se konferenca me të njëjtën titull solli në kujtesë periudhën e viteve 1916-1918, periudhë në të cilën Austro-Hungaria administroi më tepër se gjysmën e territorit të Shqipërisë. Ndërsa ekspozita përmbante 60 fotografi të realizuara nëpër qytete dhe fshatra të Shqipërisë nga oficerë e ushtarakë austro-hungarezë, nëpërmjet tyre paraqiteshin aspekte nga jeta e përditshme ekonomike dhe shoqërore e shqiptarëve të atyre viteve. Tematika e fotografive të ekspozitës ishte e ndryshme.
Fotoreporterët austro-hungarezë kanë shkrepur fotografi nga qytetet e mëdha të Shqipërisë; 15 fotografi nga Tirana, 14 fotografi nga Shkodra, 2 fotografi nga Berati, 2 fotografi nga Fieri, 2 fotografi nga Durrësi dhe një fotografi nga Vlora. Ata kanë realizuar fotografi nga jeta e përditshme. Në to gjejmë fshatarë me veshje popullore, por edhe zotërinj fisnikë si Prenk Bibë Doda nga Shkodra.
Nuk mund të lemë pa përmendur edhe fotografitë familjare siç është familja e Osman Beqirit nga Peqini. Fotoreporterët austro-hungarezë kanë shkrepur 4 fotografi nga Peqini, 2 fotografi nga Kruja, një fotografi nga Rrogozhina etj. Trupat austro-hungareze hynë në Tiranë më 9 shkurt 1916.
Në qytet u stacionua divizioni 47 i këmbësorisë, nën komandën e feldmarshall lejtnantit Braun, i cili paraqitej në një fotografi interesante. Të gjitha fotografitë janë realizuar gjatë viteve të administrimit austro-hungarez të Shqipërisë 1916-1918. Ky administrim politik, ushtarak e kulturor përvijoi impakte të shumta në sendërtimin e mëvonshëm të shtetit shqiptar, duke pasqyruar zhvillime pozitive në aspektin e infrastrukturës, shëndetësisë, arsimimit si edhe në jetën socialpolitike të Shqipërisë së pas Luftës së Parë Botërore.
Kjo ekspozitë u kthye në një ekspozitë lëvizëse nën titullin “Shqipëria në fokusin e austro-hungarezve” dhe në qershor 2019 udhëtoi drejt Durrësit, ku u hap në ambientet e Muzeut Arkeologjik të Durrësit./sot/ KultPlus.com
Teatri “Andon Zako Çajupi” i Korçës rikthehet pranë publikut me shfaqje teatrale, por në ambiente të hapura. Drejtoresha e Teatrit, Zamira Kita, tregon për “Shekulli”-n se si do të organizohen shfaqjet duke respektuar rregullat për mbrojtjen nga virusi dhe çfarë pritet të ndodhë në të ardhmen.
Që nga nisja e pandemisë dhe deri më sot, teatrot dhe kinematë janë ndër institucionet e pakta që vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura për shkak të masave mbrojtëse kundër koronavirusit. Ende nuk është e qartë se kur do t’i rikthehen aktorët dhe publiku normalitetit, megjithatë tashmë kanë filluar të gjenden zgjidhje alternative për të vazhduar jetën artistike e kulturore.
Teatri “Andon Zako Çajupi” i Korçës do të rikthehet pranë publikut me shfaqjet në natyrë, duke shfrytëzuar edhe ditët e bukura të verës. Drejtoresha e Teatrit të Korçës, Zamira Kita, tregon për “Shekulli”-n se shfaqja “Pas vdekjes” e Çajupit, që do të jepet së shpejti, ishte planifikuar përpara pandemisë.
“Ne e kishim veprën ‘Pas vdekjes’ të Andon Zako Çajupit në plan, që përpara pandemisë, në kuadër të 70-vjetorit të Teatrit ‘Andon Zako Çajupi’. Pasi ndodhi pandemia një pjesë e projekteve u hoqën, një pjesë e buxhetit u shkurtua për shkak edhe të mbledhjes së të ardhurave, kështu që vendosëm që premierën e kësaj shfaqje ta japim në mes të korrikut, ta shfaqim vazhdimisht gjatë verës dhe në shtator kur të festojmë 70-vjetorin e Teatrit”, tha Kita për “Shekulli”-n.
Ajo shton se shfaqja “Pas Vdekjes” vjen me regji të Hervin Çulit, i cili ka menduar një koncept regjisorial shumë të veçantë, duke ndërthurur poezinë me muzikën, për ta kthyer nga një vepër me një akt në një shfaqje teatrale të plotë. Zamira tregon se aktorët janë dhe këngëtarë shumë të mirë, si Albano Prodani, Mateus Frroku, Silvio Gosokova dhe Paula Kodra.
Shfaqja është menduar që të jepet nën rregulla strikte, duke respektuar të gjitha masat mbrojtëse nga Covid-19. Kita thotë se është menduar që “Pas vdekjes” të shfaqet në oborrin e Muzeut Kombëtar të Arsimit dhe publiku do të ulet në karrige duke ruajtur distancën.
“E gjithë shfaqja do të jepet në oborrin e Muzeut Kombëtar të Arsimit te ABC-ja. Oborri do të kthehet në skenë, aty do të vendosen prozhektorë që do të ndriçojnë dhe aktorët do të pajisen me mikrofona miza që të dëgjohen mirë. Publiku do të vendoset pak në oborr dhe mbi lulishten që është tek oborri i ABC-së dhe ne besojmë që do të kemi 70-80 persona çdo natë. Karriget do t’i vendosim larg nga njëra-tjetra dhe në mënyrë diagonale. Në teatër njerëzit nuk flasin dhe nuk bëjnë muhabet si në kafe dhe përderisa kafet janë të lejuara, nuk ka pse publiku në distancë të mos jetë në një teatër në ambient të hapur. Ndërsa për maskat nuk e di nëse publiku do të dojë ta mbajë, kjo do të jetë zgjedhje e tyre. Edhe personazhe ka pak, do të shmanget çdo afrim mes aktorëve, duke hequr puthjet, përqafimet edhe nëse janë të shkruara në tekst. Shpresoj që do t’ja dalim dhe duam ta bëjmë këtë gjë që teatri të rifillojë punën. Publiku është i etur për teatër dhe aktorët nuk mund të vazhdojnë të rrinë dhe të krijojnë nga shtëpia, nuk mund të bëjmë më teatër virtual”, tha Zamira Kita.
Ajo shton se në kalendarin e tyre artistik përfshihen Karnavalet e Korçës, të cilat do të organizohen edhe këtë vit por pak më ndryshe nga herët e tjera.
“Në 4 korrik do bëjmë Karnavalet e Korçës, por jo masive. Nuk do të ftojmë qytetarët të dalin në shesh dhe nuk do të kemi grupim. Do të kemi 10 grupe me nga 5 persona të vendosura në disa pika të zgjedhura të qytetit dhe çdo gjysmë ore do të qarkullojnë, do të ndryshohen. Do të ketë vetëm elementë të Karnavaleve për t’i kujtuar qytetit që ne jemi pjesë e kësaj feste dhe nuk do ta lëmë dhe sivjet. Ndërsa makina të hapura me 2-3 personazhe karanavalesh me muzikë ritmike do të qarkullojnë nëpër rrugicat dytësore, të cilat nuk i përfshijmë dot në këto grupimet e vogla”, tregoi drejtoresha e Teatrit të Korçës.
Kita thotë se janë planifikuar edhe 2 shfaqje të tjera, një ndër to “Shtëpia e Bernarda Albës”, por nuk dihet se si do të vazhdohet me to, duke qenë se në Korçë nuk mund të jepen shfaqje në ambient të hapur gjatë vjeshtës, sepse bën ftohtë.
“Ne po bëjmë përpjekje për të rikthyer ‘Shtëpia e Bernarda Albës’ që mund të shfaqet tek Hani i Pazarit, ku ne mbajtëm një mbrëmje poetike, dhe aty publiku mund të qëndrojë larg njëri-tjetrit. Në shtator do të kemi Koko Fest dhe unë paraprakisht po e mendoj në ambiente të hapura, pavarësisht se në shtator Teatri mund të hapet dhe të lejohet. Nëse aktorët do të punojnë jashtë do të kemi 5-6 trupa të ftuara me shfaqje të vogla me pak personazhe”, tha Kita.
Pamje nga mbrëmja artistike e organizuar në Hanin e Pazarit, Korçë
Përsa i përket periudhës së pandemisë, drejtoresha e Teatrit Andon Zako Çajupi tha se nuk ishte aspak e vështirë, por nuk mund të vijohet për më gjatë në këtë formë.
“Nuk e kemi pasur të vështirë që të gjejmë zgjidhje për art, qoftë me shfaqje nga shtëpia, montazhe poetike, parodi, këngë etj. Ne artistët e Korçës por edhe gjithë artistët e Shqipërisë e reflektuam këtë gjë, por ne ishim ndoshta ndër iniciatorët e parë që e bëmë. Kemi bërë gjëra të bukura që nuk na kanë lodhur, por fakti që kemi qëndruar për një kohë të gjatë të mbyllur dhe kemi funksionuar në këtë mënyrë na ka mërzitur. Kemi kohë që kemi dalë në prova në Teatër, fillimisht me maska, tani pa maska por me distancë, sepse kemi hapësirë. Karantina nuk ishte e mërzitshme, sepse në fund të fundit kishim mundësi të reflektonim, të merreshim me familjet tona, me gjërat tona personale, por për të zgjatur më tej është e vështirë. Nuk mundemi më, ky është si të thuash një rebelim i shpirtit artistik që tenton të bëjë diçka”, tha Kita për “Shekulli”-n. / KultPlus.com
Janë bërë gati katër muaj prej kur ngjarjet kulturore janë pezulluar shkaku i pandemisë. Pavarësisht premtimeve, Qeveria ka dështuar që ta ndihmojë skenën e pavarur kulturore. Kjo kategori varet kryesisht nga projektet artistike. Situata e shkaktuar nga koronavirusi e ka rënduar gjendjen e komunitetit kulturor.
Si punë e kryer ishte paraqitur në mars të këtij viti ndarja e pesë milionëve për kulturë e sport në kuadër të Fondit emergjent. Por gjithçka ka ngelur veç premtim. Tash ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, është zotuar se janë siguruar 5 milionë euro për atë që quhet Pako e rimëkëmbjes. Ka thënë se “ky është lajmi i vërtetë”. Por artistët zor të binden edhe kësaj radhe. Kërkojnë ndërhyrje urgjente nga shteti.
Nita Zeqiri, që udhëheq me Fondacionin 17, thotë se pandemia ka rënduar gjendjen e komunitetit artistik.
Sipas saj, nëse Qeveria bën ndonjë hap konkret për ta ndihmuar këtë sektor, do të ishte një lajm shumë i mirë.
Donjetë Murati, që është hulumtuese, bashkë me grupet e artistëve të pavarur disa herë kanë kërkuar llogari nga Ministria e Kulturës sa i përket Fondit emergjent, përderisa tash jepet tjetër premtim. Ajo thotë se është dashur të paktën të ketë një sqarim zyrtar se përse nuk janë realizuar premtimet. Si grup janë të zhgënjyer me shtetin.
Murati bashkë me kolegë presin që dy artistë të pavarur të jenë pjesë e grupit punues në Ministri. Pritet që ky grup të hartojë kriteret e financimit të skenës së pavarur në kohë pandemie.
Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, të martën, në Kuvend, ka thënë se institucioni që ajo udhëheq ka dërguar komentet për rishikimin e buxhetit. Është thirrur në premtimet e kryeministrit Avdullah Hoti se kultura, rinia e sporti do të ndihmohen me 5 milion euro.
Me rishikimin e buxhetit të miratuar në Qeveri javën e kaluar, Ministrisë së Kulturës i është projektuar zbritja e buxhetit për 6 milionë euro. Nga 44,1 milionë euro është bërë 38,2 milionë euro. Por 5 milionët ende nuk janë të sigurta. Kalimi i projektligjit në Kuvend dhe miratimi i marrëveshjeve të Qeverisë për huamarrje janë hapat që duhet të bëhen. Në Kuvend të martën nuk kanë kaluar 5 marrëveshje ndërkombëtare. Koha.net / KultPlus.com
Zoti Rama, duhet të bëhesh sulltani i shqiptarëve! Urgjent!
Mos prit zgjedhjet e vitit që vjen, por bëhu që tani!
Të lutem zoti Rama bëj ndryshimet në kushtetutë, mblidh parlamentin tënd dhe shpallu sulltan! Do bësh punën me të mirë që ke bërë ndonjëherë!
Do na shpëtosh të gjithëve!
Do shpëtosh edhe ti prej nesh!
Nëse ti bëhesh sulltan, ti do të kesh sarajet më të veçanta nga të gjithë! (Apo kështu i ka?)
Nëse ti bëhesh sulltan, vezirët e tu do të bëhen sixhade që ti të kalosh mbi ta! (Apo kështu janë edhe sot?!)
Nëse ti bëhesh sulltan, do ti kesh të gjitha pushtetet në dorën tënde! (Apo edhe tani i ka?)
Nëse ti bëhesh sulltan, do t’i tregosh popullit përrallat e tua sa të duash, kur të duash dhe si të duash? (Apo këtë e bën edhe këto kohë?!)
Nëse ti bëhesh sulltan, sa herë të kesh nevojë për para të madhe, pashallarët e tu do të paguajnë haraç sa t’u kërkosh ti! (Apo edhe oligarkët e tij kështu veprojnë?!)
Nëse ti bëhesh sulltan, mund të marrësh avionin tënd dhe të shkosh ku të duash pa pjerdhur askënd! (Apo këtë e bën edhe tani?)
Nëse ti bëhesh sulltan, mund të prishësh çfarë të duash dhe të ndërtosh çfarë të të dojë b… qejfi! (Apo këtë e ka bërë gjithmonë?!)
Nëse ti bëhesh sulltan, me fermanet e tua, tokat e bregdetit mund të bëhen prona të pashallarëve të tu! (Apo kjo ndodh edhe tani?!)
Nëse t’i bëhesh sulltan, mund t’i bësh paratë e shtetit rrush e kumbulla! (apo kështu i bën edhe sot?)
Nëse ti bëhesh sulltan, të gjitha mediat, televizionet, portalet, gazetat që nuk të pëlqejnë, mund t’i blesh ose mund t’i mbyllësh! (Apo këtë e bën edhe këto kohë?!)
Nëse ti bëhesh sulltan, opozitarin kryesor do ta kesh lolo të oborrit! (Apo kështu është edhe ky që ka tani?!)
Prisni prisni! Ky i paska të gjitha atributet e një sulltani, vetëm titullin ka kryeministër!
Pse të mos marrë titullin që meriton?
Le të bëhemi përsëri një milion shuplaka dhe t’ia heqim këtë “epitet” pa kuptim, e t’i vendosim “me pahir” atë titull që i ka hije! SULLTANI I SHQIPTARËVE!
Të lutem mos u bëj më kryeministër!
Bëhu sulltan! Aman! Qafsh rilindjen!
Nëse ti bëhesh sulltan, do të jesh sulltani më i gjatë në Botë!
Nëse ti bëhesh sulltan, do jesh sulltani më me humor në Botë!
Nëse ti bëhesh sulltan, Erdogani do plasë nga zilia, se ai nuk bëhet dot sulltan!
Nëse ti bëhesh sulltan, atë zdromsin me kalë tek sheshi kombëtar do ta heqim dhe do të vendosim ty, o sulltani ynë!
Mos na lodh me reforma zgjedhore, negociata dhe integrime!
Ty nuk të ka hije as të provohesh në zgjedhje as të poltësosh kushtet që të vendosin kaurrët! Bëhu sulltan! Shpëton ti nga ne dhe ne nga ideja e të pasurit të një kryeministri perëndimor!
Unë e desha përtej vdekjes, Ashtu dashurova unë Edhe prap s’ia fal dot vetes: S’i s’e desha pak më shumë… Pak më shumë ku shpirti thyhet, T’i them ndarjes: – Prit, ca pak… Të gënjejmë mallin që s’shuhet, Kujtimin të gënjejmë pak. Përtej vdekjes, përtej botëve, Atje ku nis “ca pak” tjetër,- Asaj që më rri mes Zotave: “Si s’të desha pak më tepër…”.
Sopranoja e njohur shqiptare po shënon suksese të mëdha në skena të ndryshme të botës, dhe së fundi asaj i është besuar një rol i madh në karrierën e saj operistike, shkruan KultPlus.
Rolin e Violetës, që e ëndërrojnë shumë soprano, i është besuar kosovares Kajtazi, e cila është shprehur të jetë shumë e lumtur për këtë sukses.
Ajo për këtë shfaqje ka njoftuar nëpërmjet një statusi në fabcebook, të cilin me poshtë po e sjellim të plotë.
BIG NEWS 😇
Përshëndetje miq të dashur,
Uroj të jeni mirë me shëndet që të gjithë! Sot jam e stërlumtur të ndaj me ju një lajm shumë të bukur për rrugëtimin tim. Debutimit tim në Francë po i vjen koha. Në shtator të këtij viti do kem kënaqësin të këndoj rolin e Violettes nga opera e mrekullueshme e Verdit- La Traviata në teatrin e bukur të Bordeaux. Tani për tani edhe pse gjendje në të cilën gjindemi nuk është aspak e lakmueshme dhe kontrata ime në Glyndebourne dhe Salzburger Festspiele janë anuluar, unë ndjehem e stërlumtur që Violetta dhe debutimi im në Francë do të ndodhë.
Shpalosja e sezonit 2020/2021 në Opéra National de Bordeaux u bë para një ore dhe të gjitha informacionet mund ti lexoni në linkun e postuar më poshtë!/KultPlus.com
E ke përshtypjen se je në përfundim të vijës bregdetare të Shëngjinit, por nëse vazhdon edhe pak më tutje ke për të përjetuar një pamje të rrallë që të ofron Hotel Ambasador, që gjendet tek Rana e Hedhun, shkruan KultPlus.
Si një guacë e fshehur, plazhi i Hotel Ambasador të ofron qetësinë shpirtërore. Si asnjë plazh tjetër, të mundëson që në të njëjtën kohë të dëgjosh zhurmën e valëve, të kundrosh fëmijët derisa shijojnë detin, përderisa ti mundesh të degustosh një gotë verë nga terrasa.
Në njërën anë aroma e pishave, dhe në tjetrën anë aroma e jodit të detit, është një ndërlidhje që kënaqë turistët e shumtë, e sidomos të huaj, që po erdhën njëherë në këtë pjesë, do të ngelet vendi i preferuar dhe do të kthehen shumë shpesh për të shijuar diellin e kësaj plazhe, që nga të rrallat, nuk ka erë, sepse është e fshehur në atë mënyrë, sikur të jetë kujdestar i turistëve.
Tri mundësi që të shijosh detin nga afër të ofron Hotel Ambasador, që të inspiron aq shumë, të qetëson dhe të rritë oreksin.
E para është qe nga terrasa e hotelit e ke detin para, pastaj nga dhoma e hotelit mund të vështrosh pamje magjike, qoftë në mëngjes apo në buzëmbrëmje, por ka edhe një pjesë tjetër të shëtitores, sa të krijon përshtypjen që je në mes të detit, por në fakt ju jeni duke shëtitur në shëtitoren e kësaj pjese që ngjan si një ishull i vogël, por që të jep ndjesinë që ke qarë detin nga të dyja anët.
Dhe përderisa shijon gjithë këtë relaks në këtë pjesë të bukur të Shqipërisë, padyshim është edhe pjesa e kuzhinës së këtij hoteli, si ana tjetër e medaljes, ku mund të shijosh peshkun e përgatitur në mënyrën më të mirë, frutat e detit të llojllojshëm, shalqi, mollë, e dardhë, dhe në përcjellje të muzikës së lehtë, shijon një gotë vere të shtëpisë, gotë që të shtynë të rikthehesh edhe në pushimet e radhës, në këtë oazë, që përpos bukurisë natyrore, ka edhe bukurinë e njerëzve që udhëheqin këtë hotel, që ofrojnë aq shumë dashuri për klientët, ku buzëqeshja e tyre të rri gjatë në mendje, përgjatë rrugës kur kthehesh në shtëpi./KultPlus.com
Grupi “TNT” është njëri nga grupet e para të muzikës rok në Kosovë, i formuar në Mitrovicë më 1974. Ata sollën një frymë të re në muzikën shqipe, me tekstet të gërshetuara me zërin unik të vokalistit Ferki Shala.
“TNT” si grup u identifikua me muzikën e zhanrit pop-rok, duke kombinuar nganjëherë edhe muzikën popullore.
Në repertuarin e tyre, “TNT” numëron një numër të madh këngësh të cilat kanë mbetur të popullarizuara sot e kësaj dite, dhe të kënduara edhe nga artistët e tjerë shqiptarë.
Formacioni i parë i grupit kishte në përbërje Ferki Shalën si vokalist, Murat Shabanin bateristë, Urim Koshin saksafonist, dhe Nexhat Maculën kitarist.
Disa nga këngët më të famshme të tyre janë: “E mallkoj”, “Moj bjondinë”, “200 ditë”, “Këto ura”, e të tjera…
KultPlus, jua sjell këngën “Moj bjondinë” të këtij grupi, që është ndër më të famshmet, e cila u këndua e rikëndua nga shumë artistë tjerë. /KultPlus.com
Due të pyes se pse vetëm femnat duheshka me u mbulue dhe jo edhe mashkulli? Ky gjykim mos rrjedh nga ajo mendësi e kalbun që i quen femnat seks i bukur? Oh sikur t’a dijnë meshkujt se sa të shëmtueshme, të përçuduna dhe përbindësha ndodhen në mes t’onë! E këto krijesa të vorfëna nga bukuria vetëm syt t’ona munden me i njoftë e me i dallue, pse na, domosdo, nuk shofim njena tjetrën me syt e nji mashkulli të turbulluem prej pasioni.
Mbasandaj kush mund të pretendoj se nuk ka në mes të meshkujve djelm e burra të bukur? Mos kujton ndokush se nuk ka bukuri mashkullore? S’i kur të mundesh me folë femna, me atë liri gjuhe që kanë meshkujt, kush e di se sa poezi do të vargëzonte për me e përshkrue bukurin e shokut të vet.
Kush mundet me më sigurue se me mija femna që, tue kundrue mbas kafazit të dritares ase nëpërmjet peçes së hollë, nuk shprazin nga goja mija e mija tubza vjershash për ata që u kalojnë pranë pa dijtë se kanë plagosë randë disa zemra të strukuna mbrenda do krijesave të dënueme me burgim të përjetshëm ?
Oh sa e sa vashash, nga plasa te dyerve ase nga birat e kafazeve, ndjekin e përcjellin kalimtarë të rij me rrafje të forta të zemrave që s’kanë liri e të drejtë shfrimi e dashunimi, me gjith që natyra edhe ato, sikurse meshkujt dhe ndoshta më shum se ata, i ka pajue me ndjesit e dashunis.
Prandaj më takon të them se ne qoftë se duhet mshefë femna, lypset të mbulohet edhe mashkulli, pse edhe ai ka bukuri, pse edhe ai nxit lakmit e femnës edhe ai klikos dëshirën./KultPlus.com Paragraf nga libri “Sikur të isha djalë”, Haki Stërmilli.
“Ti kurrë s’ke dashur të më kesh të tërën. Ndoshta këtë ti nuk e di as vetë. Gjithnjë ekzistonte diçka në këtë mes, që mbetej e kyçur për mua. Dhe unë s’mund të futesha kurrë e tëra brenda. E dëshiroja! Ah, sa e dëshiroja këtë ! Por gjithmonë dukej sikur ti do të më ikje nga çasti në çast. Kurrë nuk kam qenë e sigurt.
Kështu ka qenë gjithmonë, – vazhdoi ajo. – Gjithmonë. Dhe pastaj erdhi dikush që më donte, që më donte vetëm mua, të tërën dhe përgjithnjë, thjesht dhe pa asnjë problem. Unë qeshja, nuk doja, argëtohesha … Dukej aq e parrezikshme dhe aq e lehtë për t’u shtyrë përsëri mënjanë kjo gjë…Por pastaj, papritur e pa kujtuar, ishte bërë diçka më tepër, një si detyrim, diçka që e doja edhe unë thellë në vetëdijen time…
Nisa të mbrohesha kundër kësaj ndjenje, por s’bënte dobi; e dija që s’më kishte pushtuar të tërën, por vetem një pjesëzë… dhe fillova të shkisja… Ishte si puna e një tërmeti të lehtë, të cilin në fillim e merr me shaka, por, papritur, s’ke ku të mbështetesh më dhe s’mund të mbrohesh më… Por kjo botë e re është e huaj për mua. Unë nuk e kam vendin atje.E kam vendin te ti. ”
“Me ty do të jem ndryshe. T’i them këto fjalë në periudhën më të mirë të jetës sime, në periudhën kur jam mirë dhe kam kuptuar kaq shumë gjëra. Në periudhën kur më në fund po e njoh lumturinë me sytë e vërtetë të saj.
Në këtë kohë, jeta ime është e plotë, kam kaq shumë gjëra që më pëlqejnë rreth vetes, që më tërheqin. Jam shumë mirë pa ty dhe jeta ime si një person i vetmuar është e mrekullueshme.
E di që duke e thënë kështu, tingëllon keq. Unë të kërkoj të rrish me mua jo sepse pa ty ndihem jo i lumtur. Do të isha egoist, nevojtar dhe shumë i interesuar për lumturinë time dhe ti do të ishe shpëtimi im.
Unë të kërkoj të jesh më mua, sepse në këtë moment jeta ime është e mrekullueshmë, por me ty do të jetë akoma më shumë. Nëse unë do të isha duke jetuar një jetë boshe, të pavlerë dhe të mjerueshme, a do të të pëlqente që të ishe ti alternative kundër asgjësë, boshllëkut dhe trishtimit?
Sa më mirë të ndihesh i vetëm, aq më shumë vlerë ka personi që kërkon të kesh pranë. Shpresoj që ta kuptosh drejt këtë që po të them. Unë jam mirë i vetëm, por që kur të kam njohur ty, më duket sikur në çdo fjalë që them, ekziston një shkronjë nga emri yt, sepse në fund të çdo diskutimi më shfaqesh gjithmonë ti në mendje.
Kam mësuar ta dua veten time. Por e di që ti “do të më detyrosh” të jem akoma më i vëmendshëm me gjërat që bëj; të jem i denjë për dashurinë që ndiej për ty. Nga tani, unë dua ta zhvesh veten nga çdo mbrojtje, nga çdo armaturë, nga cdo krenari, sepse jo vetëm që jam i dashuruar me ty, por unë të dua. Për këtë jam i sigurtë.
Në fjalën “Të dua” ka gjithmonë dashuri, por jo në çdo dashuri ka gjithmonë “Të dua”. Unë të dua, ashtu siç nuk kam dashur asnjë tjetër më parë”.
Aktorja 34-vjeçare, Megan Fox, i ka shfrytëzuar rrjetet sociale për t’iu përgjigjur fansave të cilët kanë spekuluar se ajo është keqtrajtuar nga Hollywoodi, si dhe është seksualizuar në fillimet e karrierës së saj.
Këto reagime të publikut në rrjetet sociale erdhën pas rishfaqjes të një interviste të aktores me prezantuesin, Jimmy Kimmel, e realizuar në vitin 2009, dhe ku Fox e tregoi një histori se si ishte seksualizuar në filmin e regjisorit të famshëm Michale Bay, “Bad Boys II”, kur ajo ishte vetëm 15-vjeçare.
“Ata po e xhironin një skenë në një klub të natës ku më përfshinë edhe mua. Unë kisha veshur bikine me taka të larta dhe në kokë e mbaja një kapelë të kaubojve. Regjisori e aprovoi këtë pamje timen, dhe më pas disa pjesëtarë të ekipit të filmit i thanë atij se unë isha vetëm 15-vjeçare, dhe nuk mund të ulesha afër shankut apo të kisha pije alkoolike në dorë. Prandaj, zgjedhja e Michaelit ishte të më vendoste në skenë për të vallëzuar përfundi një fontane me ujë,” kishte deklaruar aktorja në intervistën e saj për emisionin “Jimmy Kimmel Live”.
Ndërkaq, në deklaratat e saj të fundit, Fox i doli në mbrojtje regjisorit Bay duke thënë se asnjëherë nuk ishte ndier e ngacmuar seksualisht, në sheshin e xhirimeve të filmave të tij, por industrinë e Hollywoodit në përgjithësi e përshkroi si tejet maskiliste, transmeton Koha.
Megjithatë, aktorja nuk hezitoi t’i falënderoi të gjithë personat që po flasin hapur për eksperiencat e tyre, të ngacmimit ose sulmeve seksuale në vendin e punës. Fox po ashtu insiston se ka shumë emra të industrisë së filmit, të cilët e meritojnë të bëhen publik dhe të hyjnë në grupin e personave puna e së cilëve duhet anuluar.
Pas shumë vitesh pritje, sot në Pejë është hedhur gurthemeli i Qendrës nacionale të xhudos.
Në ceremoninë e organizuar në lagjen “Asllan Çeshme”, të pranishëm ishin ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, kreu i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, zyrtarë të Federatës së Xhudos së Kosovës dhe xhudistë të shumtë.
Qendra do të ndërtohet nga Federata e Xhudos e Kosovës në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare.
“Për mua është privilegj dhe kënaqësi të jem pjesë e kësaj ngjarje, e ndërtimit të kësaj qendre nacionale të xhudos, duke e ditur që këtu do të ushtrojnë kampionët e tashëm, por edhe kampionët e ardhshëm të xhudos kosovare. Uroj që punët të na ecin mbarë me shpresë që vitin e ardhshëm, tash një vit ekipi ynë olimpik, nisjen ta bëjë nga kjo qendër e përfunduar”, deklaroi kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka, përcjell KP-ja.
Ministrja Dumoshi e quajti këtë një ditë të madhe për sportin, ndërkohë kreu i KOK-ut, Hasani, tha se xhudistët do të kenë infrastrukturën e nevojshme për stërvitje.
Tash e sa kohë, Peja është kryeqendër e xhudos, por i ka munguar infrastruktura. Një qendër shumë më e madhe ishte premtuar edhe nga MKRS-ja.
Nga klubi “Ippon” i trajnerit Driton Kuka kanë dalë kampionë olimpik, botëror e evropian.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli janë dy të akuzuarit e parë që do të paraqiten në Gjykatën Speciale në Hagë.
Në njoftimin për media, theksohet se më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.
“Në Aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë. Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat”, thuhet në kumtesë.
Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshme nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të, siç thuhet në kumtesë, përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së.
“Besohet se z.Thaçi dhe z.Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë, Nëpërmjet këtyre veprimeve, z.Thaçi dhe z.Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Presidenti Hashim Thaçi, bashkë me Kadri Veselin dhe Ramush Haradinajn tentuan ta shfuqizojnë Specialen edhe në fund të vitit 2017 nëpërmjet Kuvendit të Kosovës. Nisma e orëve të mesnatës ishte kundërshtuar nga LDK-ja dhe VV-ja, atëkohë në opozitë. Pas presionit ndërkombëtar dhe kërcënimit se do të izolohen, veçmas nga SHBA-të, tre ish udhëheqësit e shtetit ishin zmbrapsur nga cytja e deputetëve për ta shfuqizuar Specialen. Më vonë Haradinaj pati thënë se, Specialen deshën ta shfuqizojnë për shkak të frikës se edhe ata do të jenë subjekt i saj. Dy prej protagonistëve- Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli tashmë janë intervistuar si të dyshuar.
Heroi homerik, Diomedi, kishte zgjedhur atë copë tokë ishullore si vendprehje për eshtrat e tij. Për shekuj më radhë, arkipelagu i Palagruzhës, kundrejt Dalmacisë, kishte pasur aty edhe një tempull që përnderonte kultin e mbretit të Argosit. Në këto linja shpaloset një trajtim interesant nga profesori i historisë në Universitetin e Zarës, Mithad Kozliçiq, me titull “Vela i Mala Palagruža (Pallagruzha e madhe dhe e vogël) – Ishujt e Diomedit”.
Ky është vetëm një nga studimet në mesin e mbi tridhjetë sosh të përfshira në numrin më të ri të revistës “Gjurmime Albanologjike – Seria e shkencave historike”.
Lajmin për botimin e saj e ka bërë të ditur të martën sekretari shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Lulëzim Lajçi.
“Doli nga shtypi numri më i ri i revistës “Gjurmime albanologjike – Seria shkencave historike”, nr. 49, Prishtinë, 2019”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në “Facebook”.
Në këtë numër të revistës janë përfshirë edhe prurje nga bashkëpunëtorë të jashtëm të IAP-së nga Kosova dhe rajoni. Kështu, albanologu gjerman Michael Schmidt-Neke, ka rrahur çështjen e përpjekjeve për njësimin e gjuhës shqipe në studimin “Komisia Letrare shqipe – një përpjekje për normëzimin e gjuhës nga jashtë”.
Me fokus nga antikiteti janë përfshirë edhe studimi i arkeologut Naser Ferri “Monumentet votive antike të gjetura në rajonin e Pejës” si dhe ai i Zana Hoxhës “Karakteristikat e bazilikave në tri nefe në territorin e Kosovës”.
Po kështu, Instituti Albanologjik ka botuar edhe numrin e 49-të të revistave analoge “Gjurmime albanologjike – Seria për folklor dhe etnologji”, “Gjurmime albanologjike – Seria e shkencave filologjike” si dhe revistës “Gjuha shqipe”.
“Këto janë botimet e fundit me të cilat po përmbyllim vitin 2019”, ka thënë Lajçi nëpërmjet një bisede telefonike për KOHËN.
Ai ka thënë se pavarësisht rrethanave të krijuara nga pandemia e koronavirusit, IAP-ja ia ka dalë që t’i realizojë planifikimet e veta me rreth dhjetë mijë faqe materiale të botuara.
Teksa ka njoftuar se tani është në shtyp kompleti 13-vëllimesh me veprat e Anton Çettës – si financim nga MASHT-I – Lajçi ka thënë se shtimi i rasteve me të infektuar ka bërë që të mos mbahet eventi tradicional “Java e Albanologjisë”.
“Këshilli Drejtues ka mbajtur një mbledhje online ku është marrë vendimi që orientimisht ‘Java e Albanologjisë’ të mbahet në shtator ose tetor, varësisht rrethanave”, ka thënë Lajçi derisa ka shtuar se bashkëpunëtorët tashmë i kanë dorëzuar rezymetë e tyre.
Në maj të këtij viti, IAP-ja ka nxjerrë nga shtypi në dy vëllime përmbledhjen me mbi 50 kumtesa nga konferenca që ishte mbajtur më 17 dhe 19 qershor 2018, në kuadër të edicionit të nëntë të “Javës së Albanologjisë”.
Gjatë periudhës së pandemisë ishin botuar edhe veprat “Peja gjatë antikitetit” me autor Naser Ferrin dhe “Muzeu etnologjik i Prishtinës dhe funksioni i tij” nga Valon Shkodra.
Ndryshe, revista “Gjurmime albanologjike” përbën një nga botimet e rregullta që konsiderohen si organe të përhershme të IAP-it. Me gjithsej 49 numra nga seria e shkencave filologjike, folklori dhe etnologjia si dhe seria e shkencave historike, revista në fjalë për një kohë ishte botuar në gjuhën frënge me titullin “Recherche albanologique”. Nga viti 2008, tri seritë e “Gjurmime albanologjike” janë bërë të qasshme edhe në versionin elektronik në “Central and Eastern European Online Library”.
Ndërkaq, revista “Gjuha shqipe” është botimi tjetër i IAP-it, që përfshin punime për çështje aktuale nga fusha e gjuhësisë zbatimore dhe kultura e gjuhës. Botime të tjera përfshijnë projekte, monografi për probleme të ndryshe albanologjike, monografi për autorë të vjetër të Rilindjes Kombëtare si dhe materiale të ndryshme folklorike etj.
Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi gjatë ditë së sotme ka qëndruar në komunën e Pejës ku ka vizituar disa nga palestrat si dhe stadiumin e qytetit.
Pas këtyre vizitave, Dumoshi u prit edhe në zyrat e Komunës së Pejës nga kryetari Gazmend Muhaxheri, ku u premtua një përkrahje e madhe për të rinjtë e këtij qyteti.
Pas takimit ministrja Dumoshi deklaroi se si ministre do t’i qëndrojnë afër Komunës së Pejës duke u munduar të plotësojnë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve pejanë.
“Ne si MKRS me kryetarin e Komunës me kërkesat dhe nevojat që i ka komuna ne kemi investuar në shumë projekte sidomos në fushën e sportit ku edhe sot ishim në disa aktivitete për t’i parë… Jam shumë e interesuar si ministre të zhvillojmë edhe turizmin kulturor ku Peja i ka të gjitha kushtet për ta zhvilluar këtë. Tash edhe njerëzit punojnë në vendet malore ku ka edhe shumë turistë. Në pjesën e trashëgimisë kemi shumë projekte duke u zhvilluar dhe do të jemi afër komunës së Pejës”, tha ajo.
Ndërsa i pari i komunës së Pejës pas takimit u shpreh se e ka informuar ministren për nevojat e qytetarëve dhe ka marrë një mbështetje të madhe nga ajo.
“E informuam ministren për gjendjen në komunën e Pejës, sidomos në lëminë e sportit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore dhe nevojat e të rinjve bë komunën e Pejës dhe morëm premtimin që me planifikimin e buxhetit për vitin e ardhshëm do të merren parasysh kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të komunës së Pejës”, tha Muhaxheri. Klan Kosova / KultPlus.com
Zëvendësministri i Arsimit, i emëruar ditë më parë nga Qeveria, Driton Bardheci, është ende student i vitit të tretë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike.
Këtë e ka konfirmuar për KOHËN, dekani i këtij Fakulteti, Ahmet Shala.
Ai ka thënë se Bardheci i ka regjistruar studimet në vitin akademik 2015/2016.
“Ai është student i drejtimit inxhinieri industriale dhe menaxhment, ende nuk i ka përfunduar studimet për është afër përfundimit. Sa i përket suksesit të tij nuk mund të lëshohem në komente të tilla sepse ai ende nuk i ka përfunduar studimet”, ka thënë ai.
Emërimi i Bardhecit si zëvendësministër i Arsimit ka ngjallur reagime të shumta tek shoqëria civile e organizatat studentore.
“Koha” ka drejtuar pyetje në Qeverinë e Kosovës përse është emëruar zëvendësministër një person pa studime themelore dhe nëse do të anulohet ky vendim por deri tash nuk ka marrë përgjigje.
Ministri i Arsimit, Ramë Likaj nuk është përgjigjur që nga dje, ndërkaq shefi i kabinetit të tij, Gëzim Berisha ka thënë se deri tash i vetmi zëvendësministër i emëruar në MASH, është Bardheci.
“Kjo është informata që e kemi, nuk e kam pa që ka dalë sot në punë. Mirëpo për detaje tjera drejtohu te Qeveria sepse ata e kanë emëruar”, ka thënë ai përmes telefonit.
Edhe ushtruesi i detyrës së sekretarit të MASH, Agim Bërdyna ka thënë përmes telefonit se sipas informatave që i ka deri tash zëvendësministër në këtë institucion është vetëm Bardheci, por që sipas tij, ende s’ka marrë ndonjë dokument zyrtar për këtë.
Bardheci tash e disa vite është aktivist i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) njëherësh edhe kryetar i Rinisë së kësaj partie.
Ai një ditë më parë ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se është emëruar zëvendësministër i Arsimit, por më pas e ka mbyllur profilin e tij. “Sot, u emërova zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. E falënderoj kryetarin Ramush Haradinaj dhe strukturat e AAK-së për besimin e dhënë! Është nder dhe përgjegjësi e madhe për mua që t’i shërbej shtetit tim dhe gjithë juve që më mbështetët në çdo periudhë. Zotohem se do të përkushtohem plotësisht me të gjitha kapacitetet e mija njerëzore dhe profesionale, në mënyrë që të përballemi suksesshëm me të gjitha sfidat gjatë reformës së sistemit arsimor”, ka shkruar Bardheci në Facebook.
Ai që nga dje nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHËN, rreth emërimit të tij. Koha.net / KultPlus.com
“Askush nuk të hyp dot në kurriz nëse ti nuk përkulesh.”
“Një komb ose qytetërim që vazhdon të prodhojë njerëz truboshë e blen bjerrjen e tij shpirtërore me këste.”
“Një e drejtë e vonuar është një e drejtë e mohuar.”
“Puna që e lartëson njerëzimin ka dinjitet e rëndësi dhe duhet të ndërmerret me zell të hatashëm.”
“Progresi është i pasigurtë, dhe zgjidhja e një problemi na çon në të përballemi me një tjetër problem sy për sy.”
“Një individ nuk ka filluar të jetojë derisa ai të mund të ngjitet mbi kufijtë e ngushtë të shqetësimeve të tij individuale tek shqetësimet e gjera të të gjithë njerëzimit.”
“Një individ që shkel një ligj të cilin ndërgjegjja ia thotë se është i padrejtë, dhe ai që me dëshirë pret dënimin me burg në mënyrë që të rritë ndërgjegjen e popullit për padrejtësinë e atij ligji, në të vërtetë është duke shprehur respektin më të lartë për ligjin.”
“Ndryshimi nuk rend me rrotat e pashmangshmërisë, por vjen nëpërmjet një lufte të vazhdueshme. Kështu që ne duhet t’i shtrëngojmë radhët tona dhe të punojmë për lirinë tonë.”
“Errësira nuk mund ta davaritë errësirën; vetëm drita mund ta bëjë këtë. Urrejtja nuk mund ta davaritë urrejtjen; vetëm dashuria mund ta bëjë këtë.”
“Çdo njeri duhet të vendosë nëse ai do të ecë në dritën e altruizmit krijues apo në errësirën e egoizmit rrënues.”
“Çdo gjë që shohim është një hije e asaj që ne nuk e shohim.”
“Besim është të ngjitësh shkallën e parë edhe kur ti nuk e sheh kreun e shkallëve.”
“Liria nuk është dhënë kurrë vullnetarisht prej shtypësve; ajo duhet të kërkohet nga të shtypurit.”
“Ai që pasivisht e pranon të keqen është po aq i përfshirë në të sa ai që ndihmon realizimin e saj. Ai që pranon të keqen pa protestuar kundër saj në të vërtetë është duke bashkëpunuar me të.”
“Historia do të shënojë se tragjedia më e madhe e kësaj periudhe tranzitore shoqërore nuk është britma çjerrëse e njerëzve të këqinj, por heshtja lemeritëse e njerëzve të mirë.”
“Shpëtimi njerëzor është në duart e atyre që nuk kanë shpirt krijues.”
“Unë nuk jam i interesuar në pushtetin për hir të pushtetit, por jam i interesuar në pushtetin që është moral, është i drejtë dhe është i mirë.”
“Unë kam një ëndërr që katër fëmijët e mi të vegjël do të jetojnë një ditë në një vend ku ata nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga thelbi i karakterit të tyre.”
“Unë kam një ëndërr që një ditë çdo ultësirë do të lartësohet, çdo kodër dhe mal do të ulet, relievet do të rrafshohen dhe lavdia e Zotit do të shpaloset dhe të gjithë njerëzit do ta shohin atë së bashku.”
“Unë kam një ëndërr që një ditë kodrat e kuqe të Xhorxhias, bijtë e ish skllevërve dhe ish pronarët e skllevërve do të arrijnë të ulen së bashku në tryezën e vëllazërisë.”
“Unë kam vendosur të qëndroj me dashurinë. Urrejtja është tepër e rëndë për ta mbartur.”
“Unë vetëm desha të bëhet vullneti i Zotit. Dhe ai më lejoi mua të ngjitem në mal. Dhe unë hodha vështrimin tej, dhe pashë tokën e premtuar! Unë mund të mos arrij atje me ju, por dua që ju ta dini sonte se ne populli do ta arrijmë tokën e premtuar.”
“Unë dua të jem vëllai i njeriut të bardhë, por jo kunati i tij.”
“Nëse vdekja fizike është çmimi që unë duhet të paguaj për t’i çliruar vëllezërit dhe motrat e mia të bardha nga një vdekje e përhershme e shpirtit, atëherë asgjë nuk do të ishte më shpërblyese.”
“Në Fund ne nuk do t’i kujtojmë fjalët e armiqve tanë, por heshtjen e miqve tanë.”
“Padrejtësia diku është kërcënim kundër drejtësisë kudo.”
“Është e pakundërshtueshme dhe për të ardhur keq që negrit kanë kryer krime; por ata janë pjellë e krimit. Ata kanë lindur nga krimi i madh i shoqërisë së bardhë.”
“Mund të jetë e vërtetë se ligji nuk e bën një njeri të më dojë mua, por ai mund ta ndalojë atë të më poshtërojë, dhe unë mendoj se kjo është shumë e rëndësishme.”
“Ligji dhe rendi ekzistojnë me qëllim që të vendosin drejtësi dhe kur ata nuk ia arrijnë këtij qëllimi atëherë bëhen diga të rrezikshme që bllokojnë rrjedhën e progresit shoqëror.”
“Pyetja më ngulmuese dhe më urgjente është: “Ç’ka je duke bërë ti për të tjerët?””
“Dashuria është e vetmja forcë e aftë për ta shndërruar një armik në mik.”
“Mjetet që ne përdorim duhet të jenë po aq të pastra sa synimet që ne kërkojmë të arrijmë.”
“Asgjë në botë nuk është më e rrezikshme se injoranca e sinqertë dhe marrëzia e ndërgjegjshme.”
“Jetët tona fillojnë të mbarojnë ditën kur ne bëhemi të heshtur për gjërat që kanë rëndësi.”
“Fuqia jonë shkencore ia ka kaluar fuqisë sonë shpirtërore. Ne i kemi drejtuar mirë raketat dhe i kemi keqdrejtuar njerëzit.”
“Prona është bërë që t’i shërbejë jetës, dhe pavarësisht me sa respekt dhe pekule sillemi ndaj saj, ajo nuk është qenie njerëzore. Është një pjesë e tokës mbi të cilën njeriu shkel. Nuk është njeri.”
“Rrallë ndeshim njerëz që mendojnë thellë dhe fort. Ka një dëshirë universale për përgjigje të lehta dhe zgjidhje të kollajshme. Asgjë nuk i dhemb njeriut më shumë se të bjerë në mendime.”
“Të shohësh nuk është gjithmonë të besosh.”
“Arti i pëlqimit është arti i të bërit të dikujt që ka kryer një favor të vogël ndaj jush, të dëshirojë që të kryejë një favor tjetër më të madh.”
“Thelbi i shkollimit është të mësojë njeriun të mendojë thellë dhe të mendojë në mënyrë kritike. Inteligjencë plus karakter – ky është qëllimi i madh i shkollimit.”
“Shpresa e një bote të sigurtë dhe të jetueshme varet nga jokonformistë të displinuar të cilët i kushtohen drejtësisë, paqes dhe vëllezërisë.”
“Harku moral i universit përkulet në bërrylin e drejtësisë.”
“Është gjithmonë koha e duhur për të bërë gjënë e duhur.”
“Nuk ka pakënaqësi të thellë atje ku nuk ka dashuri të thellë.”
“Ne kemi ardhur të gjithë nga anije të ndryshme, por tani jemi në të njëjtën anije.” / KultPlus.com