Mbajtja e maskave në publik do të mbetet e detyrueshme në Spanjë, pasi gjendja e jashtëzakonshme e vendit të përfundojë më 21 qershor, derisa të gjendet një kurë ose vaksinë për koronavirusin, tha të martën ministri i Shëndetësisë, Salvador Illa, shkruan Reuters.
Spanjollët duhet të vazhdojnë të mbajnë maska brenda dhe jashtë nëse nuk mund të garantojnë një distancë prej 1.5 metrash nga njerëzit e tjerë, si pjesë e një dekreti nga qeveria, tha Illa në një konferencë për shtyp.
Detyrimi për të mbajtur maska do të mbetet derisa “ne ta mposhtim përfundimisht virusin, i cili do të jetë kur kemi një terapi efikase ose një vaksinë efektive”, tha Illa.
Rregulli vlen për të gjithë mbi moshën gjashtë vjeç. Shumica e kufizimeve në lëvizje do të hiqen më 21 qershor, kur të përfundojë gjendja e jashtëzakonshme, por qeveria dëshiron të mbajë rregulla për të parandaluar raste të reja të virusit, përcjell tutje albinfo.ch. /KultPlus.com
Regjisorja kosovare Flutra Zymi ka ndërmarrë një iniciativë pasditen e së martës, e cila u ka mbyllë sytë shtatoreve të shumta në sheshet e Prishtinës, duke nisë nga shtatorja e Gjergj Kastriotit, presidentit Ibrahim Rugova dhe shumë shtatoreve të tjera, e cila ka dhënë sqarimin, se këtë iniciativë e ka marë që simbolikisht u ka mbyllë sytë këtyre figurave, në mënyrë që mos të shohin se çfarë po ndodhë në këtë vend, shkruan KultPlus.
KultPlus ju sjell të plotë reagimin e saj, dhe fotografitë që janë realizuar nga Fikret Ahmeti.
Sot një vepër artistike e artit bashkëkohor u bë realitet. E DREJTA E MENDIMIT Të gjithë këta dijetarë dhe luftëtarë kishin një mendim ndryshe, e ai mendim u bë ideali i tyre, e ne të gjithë ju bashkuam këtij ideali. Për mendimin ndryshe këta dijetarë dhe heronjtë tanë u maltretuan u abuzuan në mënyrën më mizore dhe brutale e po ashtu edhe u vranë. Përmendoret e tyre në sheshin e Prishtinës i ndërtuam ti nderojmë dhe sa herë ti shohim të kujtohemi për ato mendime dhe atë ideal që sakrifikuan, që unë sot të kem të drejtën absolute të lirisë.
Nuk dua të shohin çka po ndodh, më vjen turp nga vetja.
Arti bashkëkohor është një art që sfidon pyetje me veten, me realitetin, reflektimin dhe vetëdijesim.
Por kjo ide, nuk ishte e imja por e disa të rinjve që i dëgjova rastësisht, nuk di kush janë ata ndoshta një ditë do të na tregojnë, për hir te tyre dhe të gjithë të rinjve në Kosovë e shndërrova në realitet.
Falënderoj te gjithë qe me ndihmuat edhe pse nuk e kishit idenë çka po ndodh.
Komunën e Prishtinës, MPB dhe ISHPK për leje. Si dhe policet qe ishin aq te sjellshëm deri sa u verifikua leja./KultPlus.com
Stafi i Galerisë Kombëtare të Kosovës nga e marta është në vetizolim. Një punonjëse e këtij institucioni ka rezultuar pozitive në testin për COVID- 19. Për pasojë, në Galeri është ndërprerë puna për hapjen e ekspozitës “Bienalja ndërkombëtare e vizatimit”. E njëjta është shtyrë për 18 qershor.
Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani nëpërmjet telefonit ka konfirmuar mbylljen e institucionit. Drejtoresha e Departamentit të Kulturës në Ministrinë e Kulturës, Jehona Shyti, ka thënë se menjëherë pas konfirmimit të rastit kanë rekomanduar vetizolim të punonjësve të Galerisë, shkruan Koha.net
“Fatkeqësisht është konfirmuar një rast pozitiv dhe kemi rekomanduar vetizolim për rastet e kontaktit”, ka thënë Shyti.
Sipas saj, të njëjtën gjë e kanë rekomanduar për punonjësit e ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” pasi dyshohet se një punonjës i këtij institucioni mund ta bartë virusin. Bëhet fjalë për një familjar të ngushtë të punonjëses së Galerisë që ka rezultuar pozitive.
Stafi artistik I ansamblit “Shota” është në pushim. Por në rast se punonjësi i Ansamblit që ka shfaqur shenja klinike të virusit rezulton pozitiv, do të vetizolohet i gjithë stafi esencial.
Paraprakisht menaxhmeti i “Shotës” ka kërkuar që të testohen të gjithë punonjësit, por një gjë e tillë nuk është bërë.
Pos këtyre dy institucioneve, puna është duke vazhduar në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në Baletin Kombëtar të Kosovës, në Filarmoni e në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. /KultPlus.com
– Nëse njerëzit nuk e kuptojnë sjelljen tonë – çka pastaj? Kërkesa e tyre se duhet të bëjmë vetëm atë që e kuptojnë ata është një tentim për të na diktuar. Nëse kjo do të thotë të bëhesh “asocial” ose “irracional”, bëhu. Në përgjithësi ata nuk e durojnë lirinë dhe guximin tonë për të qenë vetja.
– Ne nuk i detyrohemi askujt për shpjegime ose llogari, për aq kohë sa veprimet tona nuk i lëndojnë ose i nëpërkëmbin ata. Sa shumë jetë janë shkatërruar nga kjo nevojë për “shpjegim”, e cila zakonisht e përfshin edhe atë se shpjegimi është “kuptuar” – që do të thotë është miratuar.
– Lëri veprimet tuaja të gjykohen dhe nga veprimet të gjykohen edhe qëllimet tuaja, por dije se një person i lirë i ka borxh një shpjegim vetëm vetes – arsyes dhe ndërgjegjes së vet – dhe tek disa të cilët mund të kenë një kërkesë të justifikueshme për shpjegim.
Erich Fromm
– Pra ky është Ferri. Kurrë nuk do ta besoja. Ju kujtohet se të gjithëve na është treguar për dhomat e torturës, për zjarrin dhe squfurin, për tokën e ndezur. Tregimet për shtrigat! Nuk ka nevojë për djaj të kuq dhe të zjarrtë. Ferri janë njerëzit e tjerë.
Jean-Paul Sartre
– Zoti ka vdekur. Zoti mbetet i vdekur. Ne e kemi mbytur atë. Si duhet ta ngushëllojmë veten, ne, vrasësit e të gjithë vrasësve? Çka ishte ajo më e madhja dhe më e shenjta e të gjithave që bota ende e posedon, e cila gjakoset për vdekje nën thikat tona: kush do ta fshij këtë gjakun tonë? Çfarë uji ekziston për të na pastruar neve nga vetja e jonë? Çfarë festivale të shlyerjes, çfarë lojë të shenjta duhet të shpikim ne? A nuk është madhështia e këtij veprimi shumë e madhe për ne?”
Friedrich Nietzsche
Prite verën me trup të pastër dhe të bukur, depilim i komplet trupit me 5 seanca në Face & Body Care
E SPONSORUARMËSO MË SHUMË
– Djalosh, nevojat e tua janë të pakta dhe ato lehtë mund të arrihen dhe secila vuajtje e domosdoshme mund lehtësisht të tolerohet. Mos e kompliko jetën tënde me këso qëllime të ulëta si pasuria dhe fama: ato janë armiqtë e lumturisë.
– Fama, për shembull, ka të bëjë me opinionin e të tjerëve për ty dhe ajo kërkon që ne ta jetojmë jetën ashtu siç të tjerët duan. Për ta arritur dhe për ta mbajtur famën duhet të pëlqejmë atë që të tjerët e pëlqejnë. Prandaj, një jetë me famë ose një jetë me politikë? Ikni nga ato. Ndërsa pasuria? Shmanguni prej saj! Është një kurth, sepse sa më shumë që bëjmë aq më shumë e dëshirojmë dhe po aq i thellë do të jetë edhe pikëllimi atëherë kur dëshira jonë për të nuk do të përmbushet.
– Djalosh, më dëgjo mua: nëse e dëshironi lumturinë, mos e humbisni jetën tuaj duke luftuar për atë të cilën ju në të vërtetë nuk keni nevojë.
Të flasësh për një prej njerëzve më të dashur, nuk është edhe aq e thjeshtë. Ke kaq shumë për të treguar, saqë nuk di ç’të tregosh mes tyre.
Në librin me kujtime “Ky është Dritëroi im”, botuar nga shtëpia botuese “Dritëro”, Tajar Agolli, vëllai i Dritëroit, tregon për lidhjen me të vëllanë që në vitet e fëmijërisë, lidhjen me gjyshërit, prindërit, fshatin, shkollimin, deri te jeta e përbashkët në Tiranë, në një shtëpi 1 dhomë e një kuzhinë.
Tajari tregon për dramën e Dritëroit, atë të ndarjes nga bashkëshortja e tij ruse, e cila u largua drejt Bashkimit Sovjetik bashkë me të birin 7-vjeçar. Ai tregon shkaqet e largimit dhe si e përjetoi Dritëroi.
Më pas erdhi emërimi i tij si Kryetar i lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve, deri te Kongresi X i PPSH-së, një situatë jo e thjeshtë për Dritëroin, të cilit iu vunë kundër edhe miqtë e dikurshëm. Tajar Agolli tregon edhe për lidhjen e Dritëroit me Ismail Kadarenë dhe arsyen e ftohjes së tyre.
Z. Agolli, si është të jesh vëlla i Dritëroit? Çfarë mund të kujtoni nga fëmijëria juaj?
Unë dhe Dritëroi kemi pasur vetëm një vit diferencë moshe. Madje, kujtoj që shumë na quanin binjakë. I vetmi ndryshim mes nesh në aspektin fizik ishte që unë paraqitesha disi i bëshëm, ndërsa Dritëroi i hollë dhe elegant. Me humor e shpjegoj se kjo diferencë peshe vinte ngaqë unë kisha oreks për ushqim, ndërsa ai uri të madhe për libra. Im vëlla nisi të lexonte qysh herët në shkollën Unike të Bilishtit dhe për këtë spikaste mes shokëve. Edhe unë përpiqesha të lexoja ndonjë gjë, por Dritëroi ishte fantastik dhe në këtë drejtim s’mund të arrihej. Sot mund të duket për të qeshur, por dashuria për librin i shkonte deri aty sa në mungesë të paraveçonte fasule në shkollë dhe i shkëmbente me tekste. Kjo mënyrë të menduari qysh në hapat e parë, e bënte atë të veçantë. Ndaj, unë e kam nder të them që e kisha gjithçka, vëlla, shok, mik, baba dhe njeri të shpirtit.
Një pjesë e rëndësishme e fëmijërisë kanë qenë edhe gjyshërit tuaj, të cilët Dritëroi i përmendte shpesh… Edhe pse është e vështirë të përmbledh kujtimet tona të vegjëlisë në pak fjalë, unë do të përpiqem të rendis disa momente që më janë shënjuar në memorie. Dashuria e gjyshërve ishte tejet e madhe, sidomos e gjyshit ndaj Dritëroit. Kujtoj që na merrte pas gjithnjë. Në verë e shoqëronim te një kolibe dykatëshe prej druri dhe prej aty vështronim të gjithë vreshtin. Dukej aq bukur ajo kasolle sa flinim dhe zgjoheshim aty, ku pa dyshim s’mungonte as qeni ynë Balo. Ndërsa me gjyshen e kishim ndryshe, pasi tek ajo ishte e vështirë të kuptohej se cilin nga ne të dy e kishte më të preferuar. Zakonisht flinim bashkë me të dhe ajo përgjatë gjithë natës kthehej sa nga njëri krah te tjetri, në mënyrë që të mos na ngelte hatri. Në fund e zinte gjumi me kurriz që asnjë prej nesh të mos mërzitej.
Të parët tuaj kur kanë mbërritur në Menkulas? Kemi dëgjuar që emrin e fshatit ata ia kanë vendosur sipas një shprehje “ment’ ku i lashë”. Sa e vërtetë është kjo? Dritëroi ka shkruar aq shumë për Menkulasin, sa s’besoj se ka ngelur ndonjë guralec pa i dedikuar vargje. Ne jemi mjaft të lidhur me të. Referuar historisë që tregonin më të vjetrit, i pari që ka mbërritur në fshat rrjedh nga trungu i fisit tonë dhe quhej Ahmet. Kjo solli edhe mbiemrin Ahmetli, të cilin më herët e ka mbajtur edhe familja jonë. Ndërkohë, sa i përket emrit të fshatit, një dokument i zbuluar në arkivat e Stambollit nga një miku ynë, tregon se kur kaloi përmes Menkulasit një kolonel turk i quajtur Mehmet, u shpreh: “Ment’ kui lash”. Ishte kjo shprehje që u ngulit fort dhe më pas ngeli si emërtim për fshatin tonë.
Në rrëfimin tuaj, më bëri përshtypje që dikur keni ndërruar mbiemrin nga Ahmetli, në Agolli. Çfarë fshihet pas kësaj zgjedhje? Në vitin 1945 doli një vendim nga institucionet e kohës, ku ofrohej mundësia e ndryshimit të mbiemrit. Ndër ata që menduan ta ndryshonin ishim edhe ne. Disa nga fisi ynë e vendosën “Flaka” dhe disa të tjerë “Zjarri”. I gjendur mes vendimeve të tyre, në inat e sipër, babai si variant të parë mendoi ta vendosë “Shkrepësja”, duke treguar se bën bashkë flakën edhe zjarrin. Ndërkohë, me argumentin se vinim nga shtresa e mesme, ai propozoi që të vendosej Agolli (nga Aga), dhe ky mbiemër u pranua nga të gjithë.
Dritëroi ka plot një libër me poezi për kalin, ka poezi për shpendët, për tokën dhe për punën. Si ndikoi natyra e fshatit në formimin e tij? Që në moshë të hershme, Dritëroi spikaste për talentin që kishte. Kjo, në njëfarë mënyre, reflektohej edhe nga dashuria e madhe për natyrën, kafshët, shpendët dhe insektet. Kujtoj që në vegjëli vraponte buzë jazit të fshatit për të kapur flutura, hynte mes bimëve barishtore dhe kapte zogj të bukur me leqe. Madje, kur shkonim për mëllenja, ai zgjidhte t’i vendoste me zgjuarsi kurthet në pullaze, ku kishte shkrirë bora. Kujtoj kur zuri një here një mëllenjë, e mori mbi duar dhe pasi e vëzhgonte plot dashuri e puthte në kokë. Pas pak, u drejtua nga unë dhe më tha: “Tajar, do ta lëshoj këtë që kapëm”. Unë e miratova me kokë, pasi ai ishte “përgjegjësi” për mua dhe vendimmarrja i përkiste atij. Pasi e liroi, e shihte në fluturim dhe përplaste duart gjithë gaz. Kjo më bënte të kuptoja se çfarë shpirti mbartte ai njeri. Dashuria ndaj kalit apo kafshëve të tjera, shihet edhe në orientimin që kishte zgjedhur të merrte në jetë. Pas përfundimit të gjimnazit “Asim Zeneli”, mes degëve që kërkonte të ndiqte ai zgjodhi zooveterinarinë. Falë këmbënguljes së Karaman Yllit, që kishte ndjekur krijimtarinë e tij dhe insistonte që të ndiqte letërsinë, Dritëroi ndoqi letrat, por pa harruar kurrë të kthejë kokën pas nga pasioni për tokën e natyrën.
Po nga Lufta Nacionalçlirimtare, çfarë mund të kujtoni? Cili ishte roli i Dritëroit, paçka se ishte i vogël? Dritëroi iu bashkua luftës që fëmijë, ku shkoi një javë dhe qëndroi te partizanët. Ata, kur e panë, u habitën dhe i thanë se ishte tepër i vogël për të qëndruar aty. Nëna qante e merakosur dhe ne duke parë gjendjen në shtëpi i dërgonim letra, duke i kërkuar që të kthehej. Vërtet ai u kthye pas insistimit tonë, por, ama, vijonte të ishte korrier për të transportuar mesazhet e partizanëve, si dhe simpatizant i këngëve që ngriheshin për heroizmin e tyre. Kjo i shërbeu edhe në krijimtari, ku shpeshherë ngjarjet i ka gërshetuar aq bukur me Luftën.
Po baba Rizai, në raport me Ndritin (siç e quanit ju), si sillej? Babai kishte një komunikim e mënyrë të foluri ndryshe, pasi kishte qëndruar rreth 15 vjet në Amerikë. Ai ishte njeri i qejfit në sebepe, mjaft i afrueshëm dhe nderonte çdokënd. Në dasma dhe fatkeqësi, im atë e merrte Dritëroin me vete, duke ia mësuar sjelljet e të rriturit që në vegjëli. I vëmendshëm ndaj tyre, ai i reflektonte herë pas here duke marrë një pamje më të pjekur në sytë tanë. Madje, në ato sofra, Dritëroi mësoi të këndojë aq bukur. Kur filloi shkollën, bënte shkrime në gazetën e murit dhe babai krenohej, pasi mblidheshin të gjithë fshatarët me kureshtje që ta lexonin. Aty ai shkruante me humor për ndonjë vjedhje që bëhej në fshat apo ndonjë dembel. Poezitë e tij të para, babai i merrte nga gazeta, i priste me kujdes dhe i vendoste në kutinë e duhanit. Teksa lavdërohej mes miqsh, thoshte: “Djali im vërtet është poet, por jo si Naimi. Po t’i krahasosh ata të dy, është njëlloj si të krahasosh Menkulasin me Tiranën…”
Po nënë Hatixheja? Nëna kishte shumë shprehje, që vërtet të habisnin. Dritëroi e përmendte shpesh kur thoshte se pjesën e djathtë të trurit ku qëndron talenti, e kishte të trashëguar nga nëna me origjinë prej Kolonje, ndërkohë pjesën e karakterit i vinte nga babai. Dritëroi ka shumë kujtime me ne dhe unë kur i rrëfej kam emocione. Natyrshëm më vjen në mendje koha kur prashisja dhe korrja me drapër, sepse isha i fuqishëm, ndërsa Dritëroi bënte më tepër punë logjike dhe profesionisti si të lëronte tokën, hidhte farën apo kujdesej për prodhimet.
Pse u shpërngulët nga fshati? Babai vendosi që ne të shpërnguleshim nga Menkulasi veç për arsimimin tonë, pasi shkollat ishin pak larg. Fillimisht u vendosëm në fshatin Shamoll, ku im atë më regjistroi te “Shkolla e Kuqe” në Korçë. Duke qenë se vija nga fshati, shokët më shihnin me skepticizëm dhe më rrinin larg. Duke parë gjendjen time, babai u detyrua të kërkojë një shkollë tjetër, ndaj u vendosëm në fshatin Rrëmbec. Aty jetuam disa vite dhe më pas unë, babai, nëna dhe motra, erdhëm në Sukth të Durrësit, ku xhaxhai ynë Mehmeti kishte zënë vend në fermë bashkë me bashkëshorten. Qëndruam një periudhë deri sa unë u rregullova në Tiranë dhe më pas i tërhoqa të gjithë.
Në kohën kur Dritëroi erdhi nga ish-Bashkimi Sovjetik, ai jetonte te shtëpia juaj në ish-Kinostudio? Si ishte jeta e përbashkët? Kur Dritëroi u kthye nga studimet në ish-Bashkimin Sovjetik, vendosi të banonte me mua duke ndërtuar një bashkëjetesë të shkëlqyer. Ai, unë, bashkëshortja, nëna dhe babai, jetonim në zonën e Kinostudios brenda një apartamenti 1+1. Fillimisht, u kthye në Shqipëri për të parë situatën dhe më pas do të sillte ishgruan e tij Nina dhe djalin e madh Arjanin. Them me bindje që gjeti te ne një ngrohtësi të veçantë, pavarësisht se ishim pak ngushtë, ku unë flija në korridor, Dritëroi në dhomë dhe babai me nënën në kuzhinën e vogël.
Cilat ishin raportet tuaja me ish-gruan e Dritëroit nga Rusia? Si ishte Nina? Nina ishte një njeri pozitiv dhe raporti ynë u ndërtua mjaft i fortë. Në vitet e para të ardhjes në Tiranë, ajo jetonte bashkë me ne. Për fat, unë munda ta shkëmbej shtëpinë me një banesë më të madhe të një mikut tim major, pasi atij mund t’ia merrnin, duke qenë se jetonte veç me bashkëshorten. Pas akomodimit në të, kishim një jetë të qetë. Dritëroi vinte me një biçikletë “Riga” te puna në “Zërin e popullit”, ishte korrekt dhe kishte gjithnjë e më shumë sukses me krijimtarinë. Ndërkohë, unë përpiqesha ta lehtësoja disi, me aq sa mundja. Duke njohur mirë gjuhën ruse, Ninën dhe djalin i shëtisja në teatër, parqe dhe i mësoja rrugët e Tiranës. Nga ish-bashkëshortja e Dritëroit ruaj kujtime interesante, ku një prej tyre është edhe martesa ime. Në kohën që shkonim për ta marrë gruan time, Vahide, ajo bashkë me Dritëroin këndonin këngë të operës ruse.
Si erdhi ndarja e tyre? Çfarë mban mend nga gjendja e Dritëroit në atë periudhë? Fill pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, ish-bashkëshortja e Dritëroit pësoi një tronditje të thellë pasi kishte një lloj admirimi për udhëheqësin e asaj kohe, Hrushovin. Pavarësisht se nuk u përzu nga regjimi, siç u veprua me shumë të tjerë, Nina nisi të ndihej e paragjykuar në ambientet ku punonte apo shoqërohej, pasi nuk gjente mbështetje për bindjet e saj. Shkëputja e lidhjeve shtetërore krijoi në popullatë një urrejtje ndaj rusëve që ngelën në Shqipëri. Ndaj, nisur nga klima e krijuar, një ditë ajo shprehu vendimin për t’u larguar përfundimisht, duke argumentuar se s’mund të vazhdonte më në atë gjendje. Im vëlla insistoi që të qëndronte bashkë me djalin, por Nina zgjodhi të ikte, ku shpjegoi se një nga arsyet ishte që ta linte Dritëroin të kultivonte talentin i qetë dhe të mos shqetësohej nga sulmet kur prodhonte letërsi.
Ke marrë pjesë në shoqërimin e Ninës dhe Arjanit në aeroport? Çfarë mban mend nga ai moment? Dritëroi çfarë bënte rrugës, fliste? E kam ende të freskët në memorie momentin kur Dritëroi më njoftoi mbi vendimin e Ninës për të braktisur Shqipërinë. Isha duke pushuar në plazh kur e mësova dhe i çuditur nxitova drejt Tiranës. Ajo kishte bërë valixhet gati, ndërsa Dritëroi ishte kujdesur që t’i bënte të gjithë dokumentacionin e nevojshëm përmes Ambasadës çeke, që kryente procedurat për shtetasit rusë. Kur u nisëm për në Rinas, rrugës në Vorë, Nina u pendua dhe kërkoi që të kthehemi. Dritëroi e vëzhgoi gjatë, por nuk ktheu mendje, duke i shpjeguar se ajo tashmë kishte marrë një vendim dhe s’mund të luhej për t’iu rikthyer konflikteve. Kurrë nuk e kisha parë tim vëlla aq rëndë sa në atë ditë. Gjatë gjithë kohës, ai nxirrte lot dhimbjeje për djalin 7 vjeç, të cilin nuk do ta shihte për shumë vjet. Prej atij momenti, të vetmet informacione rreth tij vinin nga letrat që Nina i dërgonte kujdesshëm motrës sonë dhe i rrëfente për Arjanin.
Çfarë bënte Dritëroi ato kohë, pas ndarjes? Po prindërit tuaj si e përjetuan? Pas ndarjes nga bashkëshortja, unë shkoja vazhdimisht ta vizitoja në apartamentin te Rruga e Dibrës, pasi siç mund të kuptohet, ai e përjetoi shumë keq. Të vështirë e patëm edhe ne. Dritëroi, i zhytur në vetminë e asaj kohe, më kërkoi që prindërit të shpërnguleshin dhe të jetonin në një banesë me të, për të plotësuar disi boshllëkun. Babai dhe nëna pësuan një dëshpërim të madh, pasi ishin mjaft të lidhur me Arjanin. Dhe si të mos mjaftonte dhimbja e kësaj ndarjeje, im vëlla ndiqej nga sigurimsat për të zbuluar se kush shkonte në shtëpinë e tij.
Ju thoni se Dritëroi ishte i ndjekur nga “Sigurimi”. Keni ndonjë provë për këtë? Asaj periudhe, në bilardon e Shtëpisë së Oficerëve luaja me njërin pa e njohur se cili ishte, pasi prezantohej si nëntoger. Njëherë, duke shkuar te banesa e Dritëroit, rastësisht e pashë që shëtiste rreth saj. Unë në cilësinë e kapitenit të dytë, e pashë së largu dhe e thërrita. “Baxhul, pse je këtu? Ti survejon vëllanë tim? Unë nuk kam pse ta ruaj nga rreziqet, sepse e di se kush është dhe ai nuk ka nevojë për mbrojtje”. Me aq sa kuptova, qëllimi i tij ishte të gjente njerëz që kishin lidhje me Dritëroin, pasi u largua bashkëshortja. Unë e mbajta mend Baxhulin dhe kur ia shpjegova Dritëroit situatën, më pa gjatë në sy dhe më tha: “Janë të zakonshme, le të bëjnë çfarë të duan se nuk e çaj kokën për këtë punë”. Siç e thoshte shpesh edhe vetë im vëlla, ai nuk ishte ndonjë trim i madh, por ama as frikacak nuk ishte.
Ritakimi i Dritëroit me djalin dhe ish-bashkëshorten u bë pas prishjes së sistemit diktatorial. Çfarë ju ka treguar vëllai juaj lidhur me këto emocione? Merita të veçanta për ritakimin e Dritëroit me djalin dhe ish-gruan ka bashkëshortja e tij e jetës, Sadija. Për hir të Arjanit, ajo kërkoi dhe gjeti informacione të sakta mbi adresën e Ninës dhe vendosi takimin e parë në Shën Petërburg pranë një hoteli. Dritëroi u prek shumë kur i biri e zuri për qafe dhe i vendosi kokën afër zemrës dhe vetëm qante. Më pas, im vëlla takoi ish-gruan në shtëpinë e saj, ku ajo e mërzitur i fliste mbi vështirësitë e martesës së dytë me një njeri që nuk e donte. Edhe hera e dytë e takimit ka qenë mjaft e veçantë, ku Dritëroi, i shoqëruar nga Moikom Zeqo, shkoi ta vizitonte dhe qëndronte gjatë me të. Më herët, Arjani ishte takuar me djalin e dytë të Dritëroit, Artanin dhe vajzën Elona, të cilët ia kaluan mjaft mirë.
Po kur u bë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, si e prite ti si vëlla? Kur i propozuan të bëhej kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, duhet thënë se Dritëroi nuk donte. Ai u sugjeroi që më mirë të vendosnin dikë tjetër në atë post, pasi sipas tij, në këtë emërim do të merrej më tepër me punë administrative dhe kjo gjë do ta pengonte në krijimtari. Ndërkohë, vendimi kishte ardhur nga Ramiz Alia dhe ai kishte ofruar mbështetje maksimale. Natyrisht që unë u gëzova shumë, pasi nuk ishte pak të mbaje atë detyrë në atë kohë.
Dihet se pija i bën njerëzit disi më “gojëlirë”. A kishe frikë si vëlla, që Dritëroit mund t’i ndodhte ndonjë gjë për këtë shkak? Dritëroi ishte i kujdesshëm, ndaj edhe nuk frikesha se ai mund të thoshte ndonjë gjë prej pijes. Nga një anë, unë ruhesha më tepër pasi kam pasur mjaft njerëz që më provokonin për të nxjerrë sekrete. Gjithnjë përpiqesha të tregoja kujdes për vete dhe për atë, në mënyrë që mos i krijoja shqetësime. Megjithëse nuk pija, pasi ushtarakët s’para pinin, kujtoj një histori shumë interesante: Një ditë kisha marrë një shishe raki të mirë dhe shkoj te Dritëroi për vizitë. Ai pasi e provoi, veçoi gjysmë litri dhe ma vendosi përpara në tryezë: “Këtu e ke, – tha, – nëse e pi atëherë ke mësuar diçka nga pija”. I vënë në sedër, e piva me mezet që na kishte përgatitur Sadija dhe prita se çfarë do të më thoshte. Ai, pasi më vështroi se në çfarë gjendjeje isha, më tha që prej asaj dite të mos kem më merak për raki, pasi e kalova provën.
Dritëroi doli edhe kundër sistemit komunist në Kongresin e 10-të të Partisë. Si e prite ti? Unë e prita mjaft mirë dhe nuk kisha asnjë problem, pasi kisha besim tek aftësitë e tij. Është normale që merakosesha si vëlla, ndaj përpiqesha të shkoja për ta vizituar shpesh. Dritëroi i kishte nuhatur ndryshimet që në vitin 1984 dhe më shprehte se do të përmbysej sistemi komunist. I merakosur, unë i thosha që një kapërcim i tillë do të ishte fatal për ne, por ai më jepte siguri që gjithçka do të shkonte mirë dhe ashtu ndodhi. Nisur nga bisedat me të, gjithnjë kam pasur bindje të plotë se Dritëroi ishte demokrati i parë, i pastër dhe jo aventurier. Për këtë dua t’ju sjell disa kujtime nga një udhëtim i yni në Ersekë, ku ai shkonte si kryetar i LSHA-së dhe unë e shoqëroja si oficer mbrojtës nëse do të kishte ndonjë rrezik. Teksa përshkonim aksin në Bradashesh me përfaqësues të Lidhjes, ku kujtoj Teodor Laçon mes tyre, Dritëroi me vështrim nga fushat përreth tha: “Shikoni si azdisen gomerët! Në vend që barin ta hajë lopa, ia hedhin si ushqim gomarit, i cili nuk prodhon as qumësht dhe as punë”… Këto dhe të tjera deklarata që nuk ishin aspak normale për atë kohë, më trembën shumë, pasi na gremisej familja. Përpiqesha t’i bëja ndonjë shenjë Dritëroit, por më kot, ai vazhdonte të fliste hapur, duke i numëruar të gjitha ato që mendonte. Kur mbërritëm në hotel, s’mund t’i harroj fjalët e një gruaje që u afrua për të shërbyer ushqimin dhe ndonjë pije. E çuditur nga sjellja e Dritëroit, ajo na vëzhgon dhe thotë: “Ah, o djemtë e nënës, ju jeni shumë ndryshe. Këtu vijnë mjaft njerëz që thonë se duan të përfytyrojnë zhurmën e stanit dhe tundjen e kosit në pëti për t’i zënë gjumi. Ndërsa ti Dritëro, as çaj nuk do!”
Pas rrëzimit të sistemit dhe kritikave të Dritëroit ndaj gjendjes së partisë, ai ishte në qendër të sulmeve të komunistëve fanatikë, por edhe të forcave antikomuniste, të demokratëve e të persekutuarve. A kishe frikë për jetën e tij në atë kohë? Me përjashtime të vogla, në momentin që doli kundër sistemit komunist, Dritëroi u tradhtua thuajse nga të gjithë. Madje, kundër tij dolën edhe ata që i kishte vendosur anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ishte një situatë e vështirë, për të cilën akademiku Ali Aliu me të drejtë thotë: “Sulmet që iu bënë Dritëro Agollit në fillim të demokracisë ishin të tilla, që vetëm një njeri me kapacitete të mëdha si Dritëroi mund t’u përgjigjej”.
Ju, si i gjykoni qëndrimet dhe sulmet ndaj Dritëroit? Shihnit frikë tek ai? Frikë nuk kishte, por ama ruhej shumë pasi dëgjonte vërshëllima rrugaçësh ngado. Ai nuk ka lënë gjë pa ia thënë në sy për sy dhe jo si të tjerët mbas shpine. Edhe pse gjendja ishte e tensionuar, im vëlla e menaxhoi pozitivisht, ku përpiqej t’i përgjigjej me kujdes dhe mprehtësi në shtyp çdokujt që e sulmonte. Kujtoj që artikullin e parë kundër Dritëroit e botoi Sabri Godo. Fill pas kësaj, Dritëroi shkroi disa faqe si reagim, ku i kujtonte të shkuarën dhe Godo nuk foli më. Që prej atij artikulli, ai ndryshoi sjellje, duke dalë në intervista bashkë me Dritëroin dhe vinte shpesh në shtëpi. Ndonjëherë, me shaka im vëlla i thoshte: “Ti je i mirë Sabri, por kjo e mirë të vjen ngaqë e ke gruan bejlereshë”.
Po Ismail Kadare? Ismaili u nda vetë nga Dritëroi. Që nga koha kur u bë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Kadare pati njëlloj paragjykimi, duke menduar se Dritëroi ishte veçuar nga shoqëria. Kjo s’është aspak e vërtetë, pasi vëllai im ishte një paqësor i madh. Këtu vlen të përmend edhe disa detaje gjatë një takimi të mëvonshëm mes të dyve, ku dialoguan në një intervistë me Pirro Milkanin: Ai i tha: “Pa debat nuk ka përparim, ndaj debati është i rëndësishëm. Nëse ta bëjnë shesh me lule, atëherë kjo është shenjë treguese se ke të meta. Prandaj, debati i zgjidh kritikat. Edhe një filiz që del mbi shkëmb ka nevojë të ketë shoqëri me pemë të tjera rreth e rrotull, pasi i vetëm është i destinuar të thahet”.
Historinë me Sali Protopapën, një personazh real që jetonte në USA dhe vizitën e tij tek Dritëroi, a e di? Theksoj se te Sali Protopapa nuk ka ndonjë personazh të caktuar dhe real. Letërsia është përgjithësuese që çdokush ta gjejë veten aty, ndaj s’duhet marrë sikur ka dashur të shigjetojë një njeri konkret. Nëse krijimtaria s’është e tillë, atëherë duhet thënë se nuk është letërsi. Ardhja e Sali Protopapës në shtëpinë e Dritëroit ishte surprizuese dhe dera për të qëndroi e hapur si për të gjithë njerëzit pa dallim. Nisur nga ato që më ka thënë Dritëroi, im vëlla i ka thënë se nëse s’e kupton letërsinë, nuk i përgjigjet dot, duke i shpjeguar se qëllimi i përshkrimit të personazhit ishte të demaskonte të gjithë personat që punuan kundër Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Pas tij, në banesë trokiti edhe nipi i Lefter Ruços për t’u ankuar mbi personazhin Lefter Lefteri, që Dritëroi e sjell te libri “Komisari Memo”. Atij i shpjegoi se në Korçë kishte mjaft emra të ngjashëm që shërbenin si spiunë në kohën e luftës, ndaj e këshilloi që para se të dilte në konkluzione, të ulej dhe të rilexonte librin me kujdes. /Panorama /KultPlus.com
Vepra e Konicës, e krijuar në një periudhë më të hershme letrare, është vlerësuar qysh herët brenda kufi jve të shkencës mbi letërsinë. Ndonëse theksohet se të gjitha veprat e gjata të
Konicës autori nuk i përfundoi, për fat të mirë, novela “Një ambasadë e Zulluve në Paris”, e cila është teksti me numër 1, pranohet si vepër e kryer përfundimisht në vetvete.
Kohët e fundit, pasi për aq e aq kohë lëvduam sa mundëm apo nëmëm sa bëmë faj, ia kemi nisur diskutimit për vlerat e letërsisë shqiptare në përgjithësi dhe të asaj bashkëkohore në veçanti. Më mirë vonë se kurrë thuhet rëndom në shqip. Të diskutosh do të thotë të nisësh punë që zgjidh probleme të mbetura pezull, por kush do ta kalojë atë në grindje, kuptohet që nuk ka të drejtë. Dhe nuk kish si të ndodhte ndryshe. Në letërsinë tonë bashkëkohore problemi i vlerës duhet analizuar në pajtim me rregullat dhe kriteret më të përhapura që praktikohen në letërsinë europiane dhe atë botërore, theksoi këto ditë në kumtesën e vet profesor Hamit Xhaferi, gjatë Takimit të Katërt Vjetor Ndërkombëtar të IASH, i cili u mbajt në Tetovë.
Duke vijuar të ndjek me interes këtë dialog epistemologjik letrar, shpejtoj të theksoj se vepra e Konicës e krijuar në një periudhë më të hershme letrare, është vlerësuar gjithashtu qysh herët brenda kufijve të shkencës mbi letërsinë. Veç nuk duhet harruar se të vlerësosh nuk do të thotë të vërtetosh, por vetëm të arrish të tregosh çfarë është mundur të krijohet prej një shpirti të lirë. Në paraqitje të vëllimit “Faik Konica-Vepra”, Tiranë, 1993, i cili është përpjekja e parë për të mbledhur, sistemuar dhe paraqitur veprën e Faik Konicës, theksohet jo pa dhimbje se të gjitha veprat e gjata të Konicës autori nuk i përfundoi. Për fat të mirë, novela “Një ambasadë e Zulluve në Paris”, e cila është teksti me numër 1, pranohet si vepër e kryer përfundimisht në vetvete, ndonëse nuk është vijuar edhe me tri krijimet e tjera, siç paralajmëron kryetitulli: Katër përralla nga Zullulandi. Kjo vepër e nëmur padrejtësisht, për fat të mirë, u botua vetëm dy dhjetëvjeçarë më pas, pas botimit nga Rolant Bart (Roland Barthes) më 1970 të veprës S/Z, “një studim i jashtëzakonshëm dedikuar veprës së Balzakut Sarrasine”. Sipas studiuesit anglez vepra shënon shkëputjen e Bartit prej strukturalizmit. Teksti letrar tashmë nuk shtjellohet si një objekt i qëndrueshëm ndaj dhe gjuha e interpretuesit refuzon çdo mëtim për objektivitet shkencor. Studiuesit postmodernistë nuk kanë më interes për ato tekste të cilat mund të lexohen, por për ato që janë “të shkrueshëm” (scriptible) – tekste që e nxitin interpretuesin për t‘i gërmuar, për t‘i vendosur në botërat dialogjike. Për Teri Igëlltonin (Terry Eagleton), “Lexuesi apo kritiku zhvendosen kësisoj nga roli i konsumatorit dhe kalojnë në atë të prodhuesit”. Ndërsa arti modern u zhvillua si kundërvënie ndaj traditës së mëparshme, arti postmodern synon përfshirjen e tij në strukturën e vet, natyrisht duke iu qasur në mënyrë kritike dhe duke zhvilluar dialog me të. Studiuesja kanadeze Haçion i mëshon raportit të postmodernes me traditën dhe historinë, duke e parë atë në prizmin e parodisë e të kontestimit. Veprat intertekstuale, sipas saj, të autorëve të mëdhenj bashkëkohore, shfrytëzojnë parodinë për të ironizuar shtrembërimet historike, por edhe për të kundërshtuar autoritetin e vetë aktit të të shkruarit, duke e vendosur dialogun me të në një rrjet të pafund intertekstual, modalitetet e të cilit janë të shumta, duke përfshirë fusha të tilla si letërsia, artet figurative, historia, biografia, teoria e letërsisë, filozofia, psikanaliza, sociologjia etj. Umberto Eko (Umberto Eco), për formimin e mësipërm përdor togfjalëshin “rivizitim të traditës”. Meqë e shkuara, sipas tij, nuk mund të mohohet e zhduket, sepse boshi i krijuar do të sillte heshtjen, ajo “duhet të rivizitohet, por me ironi e jo në mënyrë të pafajshme”. Këtë rivizitim kritik, sipas Ekos, e bën arti modern e postmodern, kurse praktikisht e zbaton në romanin e tij të madh postmodern “Emri i trëndafilit”, i cili kthehet në shekullin XIV, domethënë “riviziton” mesjetën, për të treguar përçarjet në kreun e kishës katolike dhe krimet që bëhen në emër të triumfit të idesë së njërës palë apo të palës tjetër. Në planin estetik postmodernizmi e thellon procesin e zhdukjes së kufijve mes gjinive, zhanreve dhe llojeve letrare, kështu që në mendimin kritik e teorik gjithnjë e më shpesh përdoret nocioni neutral tekst dhe derivatet e tij të tipit: intertekst, hipertekst, hipototekst, arkitekst, paratekst dhe metatekst. Me postmodernen lidhet nocioni i transtekstualitetit që si nivel të parë, sipas Zherar Zhenetit (Gerard Genette) ka nocionin tekstualitet, si një dukuri e vjetër letrare, aq sa edhe vetë letërsia, por që vetëdija mbi të është e vonë. Edhe nocioni intertekstualitet është relativisht i ri. Atë e përdori e para studiuesja frënge me origjinë bullgare, Julia Kristeva, në fund të viteve ‘60. Postulati i parë teorik i postmodernizmit është: s‘ka tekst pa intertekst. Intertekstualiteti paraqet komunikimin aktiv të së paku dy teksteve, letrare e joletrare, kurse në plan më të gjerë ai paraqet komunikimin e një vepre letrare jo vetëm me një tekst tjetër, por edhe me një kontekst tjetër – me konvenca, kode, mite, norma rite etj. Ndërkaq, te ne studimet letrare që përdorin metodën intertekstuale dhe instrumentet e saj, janë pothuajse në fillimet e veta. Afërsisht në këtë kohë botohet në Prishtinë, edhe libri “Kujtesa e tekstit” i Kujtim Shalës, në prologun e të cilit shkruhet: Identifikimi i tekstit/teksteve në tekst, si kujtesë; si dhe leximi i tekstit nëpërmjet tjetrit konstituojnë “interpretimin e tekstit”. Disa vite më pas studiuesja Floresha Dado e përdor me sukses këtë metodë në disa interpretime letrare. I bindur se teksti i Faik Konicës, i vetmi i kryer përfundimisht, duhet identifikuar si kujtesë, do të synojë vlerësimin që ka në themel përjetimin e kësaj proze antologjike, si intertekst të sistemit letrar, drejt të cilit synon të shkojë vepra e këtij autori të madh.
Teksti me titull: 1. Një ambasadë e Zulluve në Paris, i Faik Konicës, është botuar në vitin 1922. Nuk dimë të jetë plotësuar së paku me ndonjë tekst tjetër të dytë, kur kryetitulli (Katër përralla nga Zullulandi) paralajmëron për më tepër, konkretisht për katër tekste të zhanrit të përrallës, si i quan vetë krijuesi, kur te teksti i përfunduar nuk ka asnjë tipar të këtij zhanri. Titulli i lidhur ngushtë me temën, në funksionin klasik, jep, të sintetizuar, tekstin. Themelin e thurjes së subjektit të përrallës, e përbën prishja e harmonisë së raporteve dhe e rendit ekzistues. Përralla ngjan me botën ku mrekullitë janë të natyrshme, ndërsa magjitë rregull. Personazhet e përrallës janë figura të patrupëzuara që veprojnë jashtë hapësirës dhe kohës. Zbërthimi hapësinor, kohor e psikologjik për përrallën është i huaj. Sipas Maks Lytit, një studiuesi të shquar të këtij zhanri gojor, rëndësi të veçantë ka rrjedha e ndodhive të përrallës, ku ndjenjat e heroit shprehen nëpërmjet veprimit. Simbolika e novelës ngrihet mbi shëmbëllimin e aspekteve të qenarizuara (margjinalizuara) të jetës dhe të shoqërisë shqiptare të asaj periudhe, megjithëse filozofia e saj shkon përtej atij mjedisi kohor dhe hapësinor. Vatërzohet pikëpamja se jeta reale jetohet në një botë ku mungon magjia dhe vështirësitë e kanë degraduar, ndaj ajo është mposhtur nga imoraliteti, në kuptimin më të gjerë të fjalës. Kësisoj, mes metaforës “Përralla nga Zullulandi”, nis të zbulohet filozofia e veprës. Dëshmohet te ky tekst antologjik, që me kryetitullin, parodia e kontestimi. Prej kreut të tekstit ndihet afërsia me kulturën masive dhe pop-artin. Referenca gjeografike e nisur ndih autorin për të zbatuar teknikën e artit të kombinuar, duke dëshmuar preferencën e të ashtuquajturit stil subversiv. Teksti shërben për të ironizuar shtrembërimet historike. Rivizitimi i historisë të shpie jo shumë herët, por fill pas shpalljes së pavarësisë sonë kombëtare. Subjekti do të zhvillohet në dy mjedise, në Zullulandin imagjinar në Afrikë e sigurisht në skajin lindor të saj dhe në dy kryeqytete të Europës Perëndimore, Paris dhe Londër. Në shkrimin imagjinativ 1. Një ambasadë e Zulluve në Paris, Faik Konica e rrudh rolin e imagjinatës, duke i shtuar hapësirë dijes universale dhe kulturës së gjerë enciklopedike, duke hedhur themelet e asaj që quhet prozë e përmasës diturore. E zhvendos personazhin në Europën Perëndimore, madje në dy kryeqytete kryesore të saj, kurse protagonistin e ngul në Zulluland, që të flasë për kaosin e njëmendët të historisë shqiptare, veçmas të historisë së periudhës së fillimit të shtetit të ri shqiptar. Teksti letrar nuk është i ndarë preras nga ai joletrar në kuptimin absolutist e hierarkik, duke mos e hyjnizuar kështu diskursin letrar dhe në vend të vatërzimit të shkapërderdhë kuptimet. Te ky tekst është gërshetuar dokumentariteti me fantastiken, me një fjalë materiali letrar me atë jo letrar, duke dhënë atë që sot quhet prosede dokumentar, i cili ka në themel citimin, që gërsheton materialin letrar me atë joletrar.
Këtë tekstualitet kulturor do ta plotësonin edhe shkrime të tjera imagjinative, publicistike apo eseistike të Faik Konicës, duke filluar me vjershën “Flamuri”, 1899 e deri me prozat e gjata “Shqipëria si m‘u duk”; “Dr. Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit” apo dhe me veprën postume të shkruar në anglisht, “Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”.
Krijimi ka shfrytëzuar kronika të kohës, fjalorë, enciklopedi, doracakë, broshura, dosje, copa gazetash si lëndë “bruto” në tekstin letrar, duke dëshmuar një tipar novator që më pas do të zërë vendin e vet në prozën shqipe. Me anë të imagjinatës Faik Konica krijoi toponimin prej dy fjalëve të huaja. Pjesa e parë, Zullu, e kësaj fjale të përbërë, vjen nga turqishtja zullum, që do të thotë teprim, kurse pjesa e dytë “land”, e cila vjen nga anglishtja dhe që në shqip do të thotë vend, pra Vendzullumi a Zullumvend, ose më thjesht vend kaosi. Natyra dyfishe e të folurit në këtë toponim, është thelbi i interpretimit, i cili përcakton raporte mes trillimit artistik dhe trillimit të kuptimit, që na përket ne. Teprimi i masës gjatë këtij rivizitimi të traditës, prish edhe ato raporte të brishta të mezivendosura, sepse janë prekur ekuilibrat, kurse teprimi i së drejtës morale, si një tipar bazë i kodit biblik, mbi të cilin mbështeten jo pak krijues si Konica, të bën të padrejtë. Në këtë vend prej kësaj mendësie vlerësohen padrejtësisht individë si gjithë të tjerët e turmës dhe privohet i vetmi që ka mundur të diferencohet nga ajo. Nëse vijonim me këtë ndarje në pasazhe, në segmente apo dhe deri në leksema të veçanta, do të arrinim në një shumësi të tekstit social, në raport me të cilin teksti 1. “Një ambasadë e Zulluve në Paris” i Faik Konicës është intertekst. Kësisoj teksti nuk do t‘i përkiste vetëm tekstit social të periudhës para vitit 1922, por rindërton, në njëfarë mënyre edhe tekstin social të realitetit të sotëm. Në Paris do të zbresë një negër i quajtur Denizullu-Serpe, i cili është ngarkuar nga bashkëvendasit me misionin për lirinë e Zullulandit. E vetmja vlerë intelektuale e tij ishte se “kish udhëtuar në Afrikë të Veriut, dhe kish qenë ca kohë shërbëtor i Dervishëve të Sudanit”. Kjo teknikë e artit të kombinuar e dikton autorin e tekstit të japë si referencë historike çastin kur filloi lëvizja për vetëqeverim e këtij populli, e cila nis pasi rrota e Fatit kish ndihmuar të bëheshin të lirë aq popuj që nuk e meritonin pavarësinë. Parodia kërkon që shërbëtori i Dervishëve (jo i dervishëve) të shpallet si një njeri që kishte fituar emër të madh, si diplomat dhe njeri i ditur. Një histori që vë në themel mungesën e integritetit intelektual si tipar themelor për të përzgjedhur njerëzit që duhet të udhëheqin, do të prodhojë njerëz lodra që nuk arrijnë të zgjidhin asgjë, po mbajnë peng vendin e tyre. Më poshtë autori vijon parodinë duke iu referuar etikës së vetëfyerjes. Intertekstualiteti na drejton jo thjesht te komenti i përmbajtjes së ligjërimit te kjo prozë e Konicës, por te kuptimi i saj si një botë dialogjike ku përtej leximit gramatikor të fjalëve zbulohen konflikte dialogjike të shoqërisë shqiptare të kohës së Konicës. Denizullu-Serpe (Përherëteprues-gjarpër) me nivelin e kulturës së një shërbëtori të Dervishëve, bëhet objekt talljeje në pasusin: “Në Paris Denizullu-Serpia u bë për pak kohë lodra e qarqeve politike”. Çdo dështim e merr për arritje dhe sukses, sepse aq është niveli i tij intelektual që del prej mënyrës se si gëzon arritjet “Si vërshëlleu dhe kërceu dhe këndoi dhe u hodh, ambasadori i ra ziles dhe thirri shërbëtorin e hotelit”. Ironia do të bëhet therëse, “dy muaj më pas”, në Zulluland, ku do të mbërrinin raportet nga Londoni dhe nga Parisi. Me këngë në gojë, të thirrur nga krerët e partive, gjindja do të mblidhej për të kremtuar lajmet me rëndësi nga kryeqytetet e Anglisë dhe të Francës. Parodia me ironinë therëse do të vijojë me Zullutë e gjorë. Në kontrast me nivelin intelektual dhe vlerat në përgjithësi të ambasadorit që lëviz nëpër Europë, në Zulluland, i ulur mbi një shpellë, është një negër i ardhur në shesh nga të parët. Në moshë pothuaj sa Konica në kohën e hartimit të tekstit: “Ish njeri mesatar, më afër të pesëdhjetave sesa të dyzetave (Faik Konica, 1875-1942). E pranon menjëherë një afri të brendshme të autorit me personazhin e vet. Më tej mendja të shkon te një identifikim mes tyre, për t‘i dhënë novelës statusin e tekstit autoreferencial/autobiografik. Negri i quajtur Plug, ishte i çuditshëm për këtë mjedis. Ishte krijuesi i vërtetë i lëvizjes kombëtare të Zullulandit, ndonëse ia mohonin e madje ia përvetësonin vlerat njerëz pa ndihmesa në këtë fushë. I druhet shumë gjysmëformimit arsimor dhe atij intelektual në përgjithësi, duke synuar gjithnjë për një lëvizje sistematike, idealiste dhe krijuese, në shërbim të atdheut. I besonte ndryshimit nga brenda, si ndryshim që ruan dinjitetin dhe raportet me botën. Së pari duhej nisur me njësimin kombëtar, që do të aspironte dhe siguronte lirinë. Po për të arritur aq lart duhej edukuar virtyti, që sipas tij do të thoshte qytetërim dhe nder. Me punë mund të arrihej gjithçka ndaj dhe mbi gjithçka besonte tek ajo. Përfytyrimi postmodernist i mëshon prirjes për shkatërrimin e logjikës, neverisë për të sigurtën, duke e shmangur qartësinë. Shfaqet nihilizmi i Plugut nga njëra anë përmes frymës së revoltës, neverisë që ndien ai si autor-personazh ndaj mjedisit dhe banorëve të tij, kurse kuptimi i tij si personazh lidhet së pari me metaforën “plug”, si mjeti i kultivimit të shoqërisë. Ai nuk është heroi, por antiheroi që mbart brengë të brendshme, që në pasazhe të caktuara shpërthen mes revoltash ndaj realitetit të degraduar. Kësisoj, duket që Faik Konica “riviziton traditën” duke i mëshuar çastit historik të krijimit të qeverisë së parë shqiptare të kryesuar nga Ismail Qemali që shumë shpejt e shpuri vendin tonë në anarki. I pranonte vlerat e mëdha të fisnikërisë shqiptare, por njihte dhe mangësinë në raport me të bukurën, si rrjedhojë e kushteve të veçanta që kishin krijuar raporte me qytetërimin europian e më gjerë. Ndaj kërkonte ta niste krijimin e shtetit shqiptar bashkë me punën për edukimin e shijeve të bukura, që ndihnin në raportet qytetëruese të shtetasve të vet. Tek proza e gjatë “Shqipëria si m‘u duk” që do ta botonte disa vite më pas, do të shkruajë: “Kështu, në qoftë se në Shqipëri bukuria është e përbuzur dhe e shkelmuar, s‘ka dyshim se fisnikëria, një nga virtytet e vjetëra të kombit, shqiptar, është edhe e gjallë dhe merr një fuqi të re…”. E vijon parodinë mes ironisë, duke ndërtuar një pyetje të dhimbshme poetike: “Secilido shijen e tij, mejtoi Plugu duke psherëtitur; pa dyshim shija e zulluve të mi është pak e ulur, po fund‘i fundit, nuk jemi negër”? Teknika e palimsestit, e ngritjes së një teksti mbi shtresën e një teksti të vjetër, duke përdorur citatin si element ndërtimor i poetikës postmoderne, është e shpeshtë në letërsinë moderne. Dhe situata tragjikomike ka përsëri në qendër Plugun. Personazh i dhimbshëm dhe njëherazi mjet artistik. Ai që na duhet më shumë se gjithçka. Ai që na qytetëron, që edukon respekt ndaj së bukurës, qëndrimi kritik, është fare i ndryshëm, ndërkohë që kodi ynë etik i mbështetur mbi kodin biblik nuk e pranon talljen. Plugu është në marrëdhënie intertekstuale me këtë kod bazë, që është i dallueshëm dhe disanivelësh. Ndaj Noli, i cili ishte më afër botës shqiptare, në vjershat e veta humoristike më së shumti përdor qesëndisje, si nivelin më të ulët të ironisë. Se tallja të bën lodrën e botës. Dhe shqiptarin më mirë vraje se ta përçmosh. Duhet ta pranojmë që jemi bërë viktima të një shakaje. “Ta dini se ne, në sy të Evropës së qytetëruar, jemi negër, dhe asgjë më tepër; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq, po të gjithë na përbuzin e na kanë për të poshtër”. “Hiqni dorë, ju them, se u bëmë palaçot e dheut”. Dhe mbi gjithçka: “Heshtni, shtrohuni, bashkohuni, punoni, mos u zini besim raporteve që thonë gjëra të mira për ne, – dhe mbase një ditë dalim të rritur përpara botës”. Në tekstin postmodernist të Konicës ndihet ndikimi i filozofisë ekzistenciale. Mbiemri të poshtër, nëse nuk është në vijim të formësimit të ndjeshmërisë si grotesk, mendoj se aso kohe ka pasur kuptimin e njerëzve që nuk ishin si popujt e tjerë europianë, po më poshtë tyre, në nivelin e qytetërimit. Më këtej në subjekt parodia thellohet kur Plugu pranon që jemi jo vetëm negër po dhe të varfër. Ndaj dëgjojmë e besojmë njerëz të cekët, të paditur, madje edhe më të paditur se ne vetë, por që kanë një kuptim barbar dhe pa vizion. Qytetërimi e burrëron një komb, kur rrëmben kazmën. “Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla”. “Dhe përmbi të gjitha, heshtni! Jo fjalë, po kazmën. Jo mbledhje, po kazmën. Jo misione, po kazmën. Dhe parmendën, dhe draprin, dhe shoshën, dhe furrën. Po mjaft lëvdime”. Kombet kanë zgjidhur problemet që u kanë dalë përpara me punë. E jona, si një shoqëri bujqësore, ka prodhuar jo pak probleme, ndaj krijuesi nuk zbulon mes enumerimit mjetet kryesore që përdor kjo lloj shoqërie. Rrëfimi i subjektit novelor po arrin në pikën e tij kulmore. Cili do të jetë raporti i turmës me një fqinj që është me popullsi negre si ata, por që ka arritur të jetë i lirë. Marrëdhënien me të e propozon Zgjebua, që kish punuar si roje në një hotel të Palermos dhe kish mësuar pak italisht. Mjeti i kontrastit është gjetur për të vijuar parodinë me anë të ironisë edhe në raport me fqinjët. Edhe në raport me abisinasit zullutë po bëhen qesharakë. Nuk arrijnë dot t‘i largohen barbarisë së thellë. Atëherë duhet të largohesh prej tyre, sepse nuk dinë të dëgjojnë. Konflikti intrigues arrin kulmin. Plugu u rrëmben perënditë prej borige dhe prej dushku (jo prej selvije) turmës prej gjashtë mijë njerëzve të dehur nga marria, të cilët iu vunë pas. Orë dhe orë vijoi gjahu tragjik mes turmës e Plugut, gjersa “namëta”! “U duk ura për së largu”. “Plugu hodhi menjëherë perëndinë prej dushku”. Kur turma ka në duart e veta të dy perënditë prej druri, fillon e qetësohet se të dy perënditë ishin dëmtuar fare pak, vetëm në kokë.
Kjo metaforë është një kundërvënie, një kontrast filozofik e njëherazi një pozicionim ideor i formësuar si neveri. Kundërvënia e antiheroit me mendimin është rrjedhojë e situatave absurde. Postmodernizmi është kundër logjikës, arsyes, sepse ato fare pak e kanë ndihmuar Plugun në mjedisin ku jeton. Duke iu larguar turmës Plugu synon liri pa kufi, ashtu siç është deri në pakufi ndrydhja, poshtërimi i njeriut të kulturuar mirëfilli. Turma ka rrënuar të shkuarën që hyjnizon kokën, ku arsyetohet dhe ku prodhohet mendimi krijues, dhe ka filluar të fisnikërojë vithet dhe barkun, si dy pjesë të trupit që kanë aq shumë lidhje me priapizmin që mbisundon, ku nuk del si i parë virtyti. Plugu ndihet më i lehtësuar se nuk po mban më mbi shpatulla ngarkesa të panevojshme. Ka nevojë të mos i shohë qëndrime të tilla si serioze, por ndien që ka nevojë të qesëndisë, të tallë, të përqeshë. Edhe me këtë shkallë ironie kanë filluar të vetëmësohen. Dhe për çudi atëherë e vlerësojnë. Dhe përsëri palimpsest për të përshtatur vjersha me distikë mirlitonë. Mos ka homonimi me nivelin social të shoqërisë? Ndodh që shumë herë në jetën e zakonshme të ketë palimpsest, i cili ndih për argëtime që shijohen me naivitet fëminor dhe që nuk thonë asgjë. E vlerësojnë kur i përqesh, sepse janë të mësuar të kenë marrëdhënie vetëm të tilla, jo vetëm me botën që tallet me ta, po edhe brenda vetes, ndërkohë që e kishin përcaktuar si njeri me shumë ligësi, kur i vlerësonte duke i qortuar. Shqiptari sipas Faik Konicës, është individualist i tejskajshëm. Te Kreu IV, Shqiptarët: Çelësat për të kuptuar jetën dhe natyrën e tyre, i prozës postume SHQIPËRIA: Kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore dhe shkrime të tjera, Faik Konica thekson: “Ndërsa popujt e tjerë i kanë përqëndruar energjitë e tyre për të nxjerrë para, për të grumbulluar sende të bukura ose për të kaluar kohën këndshëm me rrugë të ndryshme, këta njerëz të thjeshtë e të ashpër kanë pasur vetëm një qëllim në jetë dhe e kanë arritur disa herë me çmimin e vdekjes së njerëzve të familjes së tyre: të jenë individualisht të lirë kundër ardhësve. Ky është një program i marrë, që injoron gjërat më të holla të jetës dhe vetëkënaqësinë që rrjedh nga bindja ndaj rregullave të arsyeshme”. Ndaj bindet se ideali që kishte gjetur për t‘iu përkushtuar nuk dha asnjë rezultat, pos dëshpërimit total. Kish dëshiruar një atdhe të qytetëruar dhe të lirë, i cili më pas do të lidhej në një federatë të madhe afrikane. Kështu ajo do të fuqizohej dhe do t‘u shpëtonte përfundimisht thonjve të të huajve. Për fqinjët e zulluve kishte mendimin se ishin po aq të poshtër, aq gjakpirës, aq trushterpa sa zullutë dhe e tërë Afrika iu shfaq si një vend i mallkuar dhe i fëlliqur, “që bie erë djersë dhe gjak anemabanë”. Tamam karikatura, ndaj ai shkroi diku: karikaturat janë një formë e ligjshme e artit. Dhe duke qenë të tilla ato mund të çkodohen si alegori e përgjithshme e cila mund të zbërthehet, duke u mbështetur në kodin simbolik, si më i përshtatshmi për interpretimin e veprës së Faik Konicës. Edhe koha në këtë vepër është kthyer në kohë simbolike artistike, sepse autori ka arritur ta interpretojë kohën jo vetëm si një përmasë kryesore të botës fizike, por kryesisht si forcë drejtuese e historisë vetjake dhe kolektive të njeriut. Duke shmangur kurthin e kohës lineare, Faik Konica ka arritur të krijojë një shumështresëri të instancave kohore, që vijnë sa nga e shkuara biblike aq dhe nga e ardhmja e së shkuarës (shenjtëri shpirtërore, sublimitet dhe virgjinitet të njeriut si në kohët biblike shkrimtari kërkon edhe tek njeriu i projektuar nga e ardhmja). Ndaj veten e quajti – protagonist i harruar i një tragjedie të fshehtë e të errët. Këtu të qeshurit hyn në një prej tri fazave të para të satirës dhe u përgjigjen, tri fazave të para ose ironike të komedisë, duke qenë më afër me fazën e dytë, “ose jokonvencionale në të cilën burimet dhe vlerat e vetë konvencioneve janë objekte të përqeshjes”. Ironia ndërton figurën e idesë së përmbysur, sepse grishjet e vajtojcës nuk po përdoren për përcjelljen e një njeriu, sado autoritar të ketë qenë ai, por të një ideje si dhe të një mendësie dhe të një shoqërie mbarë si ajo që duhet të lëmë pas.
Poezi kushtuar Bekim Fehmiut, me rastin e dhjetëvjetorit të vdekjes.
Ende nuk e dimë sakët, se kush e tërhoqi gishtin e kamzës së kobshme ?!
Na apo ata? Ti apo ajo ?
Por e dimë se ajo goditi,mu në ballin e krenarisë sonë . Krenari meskine kjo, që s’dinjoi me u përkul as mbi hinin e lavdisë sate. Që u njisue me rrjedhën e Lumit të kombit. Për me u mat me majat e dallgëve të Oqeanit në pambarim.
Heu, Bekim ! As mbas vdekjes s’ pranove qetsi. E, na, geni yt, jemi shndrrue në gishta; që ndezin qirij, hedhin ndonji lule të lagun lotësh vetmitar mbi banesat e fundit herojesh,gjenish… të papërfillun në gjallje –nën hijen, nën grushtin, nën thundrën e smirës, egoizmit, zilis të liliputëve me putra Kainesh.
Ti i vetëm u ngrite mburoje e të gjithve nga ujku,ndonëse ishe mu në gojën e tij. Na të gjithë nuk mujtem, as nuk tentuem me ushqye as me mbrojt Madhështinë e talentit tand, që në hapin ma të vrullshëm majave e flijove për ne.
Po, Bekim! Ti ma i madhi artist i Skenës reliefperthyeme Iliri, shkrumove gardhiqe parcelash etnish. Ti , Yll i pashuem ekrani, që zhbani muret e Trojes mes bokrrinave – livadheve, Lindje – Perëndim. Po Itaka; e ciflitun pushtimesh, e zhgenjyeme me vetveten. S’të priti kurqysh. /KultPlus.com
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka përmbledhur dhe u ka bërë një analizë të gjitha marrëveshjeve me Serbinë të arritura në dialogun e Brukselit. Dokumentet e publikuara flitet për procesin e bisedimeve të zhvilluara nga viti 2011, ASHAK i ka shoqëruar me një komunikatë për media në të cilin adresohet edhe procesi i negociatave për normalizim të raporteve që pritet shumë shpejtë të rifillojnë.
ASHAK thekson se Kosova duhet t’i qaset shumë seriozisht procesit të dialogut për normalizim të raporteve me Serbinë, ndërkohë thonë se nuk duhet lëshuar rasti aktual kur SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian thonë se arritja e marrëveshjes paqësore Kosovë-Serbi do të përmbyllte burimin e pasigurisë së rajonit.
“Dialogu me Serbinë duhet të merret më me seriozitet, duke mos e lëshuar rastin që nuk vjen shpesh, kur edhe SHBA, edhe Mbretëria e Bashkuar edhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë arritjen e një marrëveshjeje paqësore midis Kosovës dhe Serbisë të rëndësishme për të përmbyllur kapitullin e trazirave në Ballkan dhe për të garantuar integrimin euroatlantik të tij”, thuhet në njoftimin e publikuar nga ASHAK.
Gjithashtu, konsiderojnë se Republika e Kosovës duhet të ketë disa “vija të kuqe” në dialogun me Serbinë dhe se nuk duhet lejuar që të preket integriteti territorial i shtetit.
“1. Të ruhet integriteti territorial i Republikës së Kosovës, në bazë të kufijve të njohur ndërkombëtarisht, sipas Deklaratës së Pavarësisë 2008;
2. Të ruhet rendi kushtetues, duke mos lejuar kompromise, të cilat shkojnë përtej asaj që është dhënë nga Plani Ahtisari, i inkorporuar tashmë në rendin kushtetues;
3. Të mos lejohet krijimi i mekanizmave shtesë kushtetues, derisa ekzistojnë mekanizma në nivel qendror dhe lokal të pjesëmarrjes në përpjesëtim të pushtetit për serbët dhe për komunitetet e tjera jo-shumicë, që shpesh e bëjnë vendim-marrjen në Kosovë tejet të vështirë. 4.Të mos lejohet që asociacioni i komunave me shumicë serbe të krijohet jashtë kornizës kushtetuese dhe ligjore që është në fuqi në Republikën e Kosovës. 5. Të gjitha zgjidhjet e tjera në dialog të bëhen duke u ruajtur Pavarësia e Kosovës e vitit 2008, si dhe rendi kushtetues dhe ligjor, si dhe të mos lejohet pandëshkueshmëria për gjenocid, krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit.”, janë pesë pikat që ASHAK specifikon teksa flitet për vijat e kuqe në dialog.
Autorët e analizës Arsim Bajrami e Gjuljeta Mushkolaj në raport kanë përfshirë edhe pikat që duhet t’i përmbajë marrëveshja përdundimtare me Serbinë. Sipas ASHAK-ut duhet që statusi i marrëveshjes të jetë në kapacitetin e një traktati ndërkombëtar, të kërkohet heqja e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB’së dhe gjithashtu thuhet se duhet të bëhet demarkimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë bazuar në pakon e Ahtisarit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe që marrëveshja përfundimtare do të jetë e zbatueshme dhe që do të implementohet në Kuvendet respektive .
“Ndërkaq, disa nga elementet që duhet t’i përmbajë marrëveshja përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë mund të jenë: 1. Lidhja e marrëveshjes duke pasur parasysh kapacitetet e plota shtetërore të të dyja palëve; 2. Statusi i marrëveshjes të jetë i atillë, në kapacitetin e traktatit ndërkombëtar, sipas Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve; 3. Në marrëveshjen përfundimtare të kërkohet revokimi i Rezolutës 1244 të KS të OKB-së dhe të përcaktohet anëtarësimi i Kosovës në mënyrë direkte në OKB; 17 4. Në marrëveshje të kërkohet që çështja e personave të zhdukur të trajtohet në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare; 5. Të kërkohet nga Serbia që të hapë të gjitha dosjet me informacione për personat e zhdukur dhe të zbulojë vendndodhjen e të gjithë personave që e kanë humbur jetën gjatë luftës dhe trupat e të cilëve janë zhvendosur për të humbur gjurmët e krimeve dhe për realizimin e këtij obligimi, BE si ndërmjetësues të sigurojë një emisar special; 6. Të hapet procesi i rikthimit në shtëpi të tyre të personave të zhvendosur, sidomos në pjesën veriore të Kosovës, kur shqiptarët nuk ndjehen të sigurt të kthehen pa një marrëveshje përfundimtare, por edhe të të zhvendosurve qoftë nga Serbia në Kosovë, ashtu edhe nga Kosova në Serbi; 7. Të krijohet një grup punues nga përfaqësues të të dy shteteve për reparacione të dëmeve shtetërore të shkaktuara nga regjimi i Millosheviqit; 8. Në marrëveshjen përfundimtare të saktësohet obligimi i Serbisë që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe në BE; 9. Në marrëveshjen përfundimtare të përcaktohet statusi i të gjitha marrëveshjeve që janë lidhur deri më tani në procesin e dialogut KosovëSerbi dhe ato të inkorporohen në marrëveshjen përfundimtare; 10. Në marrëveshjen përfundimtare duhet të përcaktohet obligimi për tu bërë demarkacioni i kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, siç është rregulluar me Pakon e Ahtisaarit dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës; 11. Të krijohet një mekanizëm zbatues i marrëveshjes përfundimtare, në mënyrë që të ketë garanci që marrëveshja do të zbatohet; 12. Në marrëveshje duhet të ketë zotim të qartë se të dyja shtetet do ta ratifikojnë marrëveshjen në parlamentet e tyre”, thuhet në pjesën ku flitet për atë se çfarë duhet të përmbajë marrëveshja.
ASHAK-u gjithashtu insiston se dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë i hapur dhe transparent, të mos zhvillohet larg syve të opinionit, sepse një njohje e plotë e opinionit me procesin e dialogut dhe me vendimet që merren me këtë rast, ndër të tjera, siguron vendimmarrje të përgjegjshme dhe adreson qartas përgjegjësinë individuale dhe institucionale të pjesëmarrësve të përfshirë në këtë proces, në përputhje me rëndësinë që ka ky dialog për të ardhmen e Republikës së Kosovës.
Në këtë raport, ASHAK ka evidentuar edhe lëshimet që janë bërë gjatë proceist të negociatave e që sipas tyre janë cilësuar si devijime të rënda.
“Dialogu Kosovë-Serbi në dhjetë vitet e shkuara ka pësuar devijime të rënda, duke e vendosur Kosovën në pozita inferiore dhe duke shkelur bazën e saj kushtetuese, me idenë se konstruktiviteti do të shpërblehet në cakun e fundit. Deri tani qëndrimi konstruktiv i Kosovës është interpretuar si gatishmëri për të bërë kompromise të paqëndrueshme, madje të tilla që lëndojnë rëndë shtetësinë e Kosovës dhe funksionimin e shtetit në tërë territorin e tij”, thuhet në raport.
Ndër të tjera si mangësi në proces është evidentuar edhe mungesa e një platforme të qartë për dialogun.
“Përveç mungesës së një platforme dialoguese në formën e një konsensusi politik gjithëpërfshirës dhe të përbashkët, deri më tani në procesin e udhëheqjes dhe të bartjes së dialogut janë përfshirë individë që shpesh nuk kanë reflektuar përgjegjësi institucionale dhe integritet personal politik dhe moral, duke i projektuar marrëveshjet me Serbinë si atribute të karrierës së tyre ose të kompromiseve dobiprurëse për kredibilitetin e tyre politik. Në marrëveshjet dhe dialogun me Serbinë, për interesa krejtësisht joinstitucionale, janë projektuar interesa partiake, biznesore private dhe oligarkike për individë dhe grupe individësh, të cilët kërkojnë që Kosova të sakrifikojë subjektivitetin shtetëror dhe pozitën e saj ndërkombëtare për favore politike dhe pushtetmbajtëse”, thekson raporti.
Tutje thuhet se besueshmëria që ka treguar Kosova ndaj aleatëve ndërkombëtar është interpretuar si gatishmëri për compromise të cilat shkelin 17 shkurtin dhe cënojnë integritetin territorial të Kosovës.
“Gjithashtu, trysnia ndërkombëtare për përshpejtimin e dialogut, përfshirë edhe një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, është interpretuar si gatishmëri e Kosovës për kompromise që tejkalojnë të gjitha limitet kushtetuese.
Lojaliteti i Kosovës ndaj mbështetësve ndërkombëtarë është interpretuar nga Serbia dhe nga një pjesë e faktorit të jashtëm si gatishmëri për të bërë kompromise me pavarësinë dhe territorin e Kosovës. Në diskutimin ndërkombëtar, për shkak të gatishmërisë për kompromise të këtilla, janë hapur tema tashmë të përfunduara më 17 shkurt 2008, me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës”, konstaton raporti.
Me botimin dhe publikimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi, nga ASHAK thonë se synojn të tërheqin vërejtjen se gabimet e deritashme në marrëveshje dhe dialog nuk mund të përsëriten në të ardhmen dhe se dialogu i pritshëm e ka të vetmen bazë në parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Nga ASHAK në të ardhmen do ta monitorojë nga afër procesin e dialogut dhe do t’i diskutojë në tribuna të hapura të gjitha marrëveshjet që do të arrihen me Serbinë, për ta instaluar një kulturë të llogaridhënies, e cila i ka munguar Kosovës dhe demokracisë së saj ende të brishtë dhe të lënduar nga veprime të papërgjegjshme të klasës sonë politike. /KultPlus.com
Kleopatra ishte një grua, një mbretëreshë dhe nënë tepër moderne, e arsimuar dhe poliglote.
“Ajo ishte e bukur, por njëkohësisht edhe viktimë e dëshirës së saj për të magjepsur të tjerët”, është përshkrimi që historiani dhe prezantuesi i famshëm italian, Alberto Angela bën për mbretëreshën egjiptiane.
Alberto Angela ka bërë prezantimin e librit ”Kleopatra, mbretëresha që sfidoi Romën dhe pushtoi përjetësinë”, libër i cili është botuar nga Christian Greco, drejtori i Muzeut Egjiptian të Torinos.
”Kleopatra është një prani e fortë në muzeun tonë edhe pse ishte greke. Ne kemi një bust që i atribuohet, së bashku me djalin e saj Cesarione. Unë kam vizituar muzeun disa herë, dhe sa herë e vizitoj ndiej një emocion të madh”, theksoi Angela. /KultPlus.com
Kthimi i lumit Drin në një atraksion turistik, përmes organizimit të sporteve ujore është nisma më e fundit e bashkisë Lezhë, e cila ka promovuar në vijimësi aktivitetet sportive.
Me iniciativën dhe kujdesin e veçantë të Drejtorisë së Sporteve dhe mbështetjen e kryetarit të Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, u zhvillua sot aktiviteti sportiv ”Gara me Kajak dhe Kanoa”.
Ky aktivitet ka si qëllim angazhimin e të rinjve në sport dhe integrimin e tyre në jetën sociale dhe kulturore të qytetit.
Përveçse i japin gjallëri qytetit, aktivitete të tilla shërbejnë edhe për të sensibilizuar të gjithë komunitetin që të merret me aktivitet fizik, si mundësi për të parandaluar një sërë sëmundjesh.
I pranishëm në këtë aktivitet, Presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar, Viron Bezhani vlerësoi se “hapat e ndërmarra nga Lezha janë pozitive”.
Gara me kajak dhe dragonboat shikohet si një mundësi e bukur për t’u aktivizuar në mënyrë masive me sport, si dhe për të nxitur turizmin.
Nga ky aktivitet u shpallën fitues 3 djem dhe 3 vajza të cilët u vlerësuan me certifikata vlerësimi. /Atsh /KultPlus.com
Suksesi i futbollit të Kosovës, ka ardhur kryekëput falë legjendës së futbollit shqiptar dhe ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit, shkruan KultPlus.
Vokrri, i cili vdiq para dy viteve, ishte njeriu më vendimtar në fushatën e Kosovës për t’u njohur si vend i futbollit. Ai ishte futbollisti më i madh që Kosova e ka prodhuar – edhe pse ky epitet mund të sfidohet së shpejti nga gjenerata e reja premtuese e talenteve që po lindin.
Pas vdekjes së tij, stadiumi i ekipit kombëtar mori emër të ri për nder të tij: Stadiumi Fadil Vokrri, aty ku sot u zbulua buceta fituese e shtatores së tij, autor i secilës është skulptori Agron Blakqori.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në manifestimin e organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ku me këtë rast e ka quajtur këtë si një moment të veçantë. Sipas tij, para kësaj shtatore në të ardhmen do të përkulen sportistë dhe legjendat e ardhshme të futbollit.
Buceta ideo-artistike e skulptorit kosovar Agron Blakqori, shumë shpejt do të shndërrohet në një shtatore e cila do të zërë vend përpara stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Ministria e Kulturës fillimisht ka hapur konkurs për projektin e hartimit të shtatores si dhe parkun përreth stadiumit në Prishtinë. Skulptori Agron Blakqori, ka treguar për KultPlus se koha ka qenë e shkurtër, por ai ka arritur të realizojë bucetën me sukses. Buceta shfaq figurën e Vokrrit në aksion për të shënuar.
“Konkursi ka qenë publik nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, unë kam marrë pjesë, përkundër që koha ka qenë e shkurtër, kam arrit me realizu bucetën. Unë jam gjeneratë e re dhe nuk e mbaj mend kohën kur ka luajtur Fadil Vokrri, por duke u bazuar në fotografi, video dhe duke u konsultuar me futbollistë e familjarë, besoj e kemi nxjerrë në formën më të mirë. Kjo lëvizje i përgjigjet më së shumti Fadilit sepse e ka topin përpara dhe është në aksion për të shënuar gol”, ka thënë Blakqori për KultPlus.
Sipas kritereve të konkursit, shtatorja pritet të jetë 3 metra dhe Blakqori ka treguar që shtatorja do t’i nënshtrohet disa procese të punës dhe në fund do të bëhet procesi i modelimit dhe do të shkrihet në bronz.
“Sipas planit dinamik, besoj që kah fundi i muajit shtator dhe fillimi i muajit tetor, shtatorja do të jetë e gatshme”, thotë autori.
Shtatorja e cila pritet të vendoset para hyrjes së stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë., do t’i ketë në dispozicion rreth 100 metra katrorë. Ku përveç bazës është ideuar edhe pjesa rreth shtatores.
“Është paraparë që të jenë në dispozicion 100 metra katrorë dhe për këtë kam bashkëpunuar me arkitektin Valon Xhelili i cili e ka realizuar pjesën ideore në 3D, përveç bazës edhe pjesën përreth shatores”, ka thënë tutje skulptori.
Buceta si e tillë nuk i ka të përfshira të gjitha detajet, por Blakqori tregon se ka ende punë për tu bërë deri në finalizim. E për një shtatore të detajuar ai thotë që do të bashkëpunojë ngushtë edhe me futbollistët e familjarët e Fadil Vokrrit.
“Mezi po pres të filloj punën”, shprehet skulptori.
Ndërsa arkitekti Valon Xhelili ka treguar për KultPlus rreth idesë së tij për pjesën rreth shtatores. Sipas tij kërkesa e Agronit ka qenë që pjesës rreth shtatores t’i jepet një karakter.
“Ideja që përfaqëson ky projekt ideor ndërlidhet me flamujt që gjenden mbrapa statujës që përfaqësojnë 6 yjet e flamurit tonë shtetëror, pastaj pjesa e platformës ku është e vendosur statuja e Fadilit që asocon në topin e futbollit por me materializim të ndryshëm që rrethohet me ndriçim dhe që nëse largohemi pak në distancë e vërejmë që edhe në këto pozicione ku paraqitet ndriçimi formohet harta e Kosovës”, ka treguar Xhelili.
Vlera e parashikuar për këtë projekt është paraparë 49 mijë euro. / KultPlus.com
Sipas gazetës “The Mail on Sunday”, personazhi i aktorit Daniel Craig, spiuni më i famshëm në botë, James Bond, do të jetë baba i një vajzë pesë vjeçare, Mathilde, në filmin e ardhshëm “No Time To Die”. Agjenti 007 këtë fëmijë do ta ketë me Dr. Madeleine Swann, e cila në film portretizohet nga aktorja e njohur franceze, Lea Seydoux.
Rrëfimi i filmit të shumëpritur është zbuluar online javën e kaluar, kur orari ditorë i cili u tregon aktorëve ku duhet të shkojnë për të xhiruar, doli në shitje në eBay, transmeton Koha.
Ky orar e përshkroi një skenë ta caktuar të filmit në Itali, që u realizua vitin e kaluar dhe agjentja Nomi vjen përkrah doktoreshës Swann dhe vajzës së saj, Mathilde, e cila në film portretizohet nga aktorja, Lisa-Dorah Sonne.
Një burim i afërt ka raportuar se agjenti Bond vjen si baba në këtë projekt, pasi protagonisti Daniel Craig, i cili e portretizon këtë rol për herë të fundit në karrierën e tij, ka dashur ta befasojë publikun me këtë vazhdim të filmit.
Gjithashtu është bërë e ditur se fakti që producentët dhe regjisori i filmit kanë vendosur ta shndërrojnë agjentin karizmatik në baba të një 5-vjeçareje në këtë film, i ka hapur dyert për krijimin e momenteve të reja dhe të fuqishme për këtë personazh edhe në të ardhmen.
Ngjarja e filmit “No Time To Die” zë vend pesë vjet pas ngjarjeve të zhvilluara në vazhdimin e fundit, Spectre”, dhe e sjellë agjentin 007 duke e shijuar pensionimin në Jamaica, së bashku me doktoreshën Swann, para se të detyrohet ta shpëtojë botën dhe një herë të fundit nga një pandemi biologjike.
Lansimi i filmit nëpër kinema është shtyrë për muajin nëntor për shkak të pandemisë së koronavirusit, dhe pritet ta tërheq një numër të madh të shikuesve, pikërisht për faktin se Daniel Craig do të përshëndetet me këtë personazh ikonik. / KultPlus.com
Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, për nder të 142 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit do të hap ekspozitën “Personalitetet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” me autor Parim Kosova, përcjellë KultPlus.
Ekspozita do të hapet më 10 qershor në ora 18:00, në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. / KultPlus.com
Protestuesit e anti-racizmit në qytetin anglez të Bristol rrëzuan statujën e diskutueshme të tregtarit të skllevërve Edward Colston të dielën pas viteve të grindjeve për trashëgiminë e tij.
Sipas mediave të huaja, statuja 5.5 metra u rrëzua nga bazamenti i saj dhe pastaj u hodh në lumin Avon drejt fundit të një proteste ku morën pjesë rreth 10,000 njerëz për të denoncuar racizmin institucional.
Marshimi, i ngjashëm si në të gjithë Evropën, u organizua në solidaritet me lëvizjen “Black Lives Matter” pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd muajin e kaluar në Minneapolis, SHBA.
Colston lindi në një familje të pasur tregtare, në Bristol, por ishte arsimuar në Londër, ku kishte qëndruar në pjesën më të madhe të jetës së tij të punës, sipas uebfaqes së Muzeut të Bristolit.
Ai fillimisht tregtoi në Evropë tekstile prej leshi dhe verë, por bleu aksione në Royal African Company (RAC) në vitin 1680.
Vetëm anëtarët e RAC u lejuan të tregtonin me Afrikën për ar, fildish dhe skllevër.
Anijet RAC, të cilat niseshin nga Bristol, Liverpool dhe Londër, transportuan rreth 100,000 skllevër të Afrikës perëndimore në Karaibe dhe Amerikën midis 1672 dhe 1689.
Të gjithë ata ishin markuar në gjoks me inicialet e kompanisë.
Sipas faqes së internetit të Historisë së Parlamentit, Colston “bëri pjesën më të madhe të pasurisë së tij nga tregtia e skllevërve”.
“Vitet 1680 ishin pa dyshim më fitimprurësit në biznes, dhe sipas një llogarie, ai u tha se kishte në pronësi mbi 40 anije”.
Ai përdori fitimet e tij për të kaluar në huadhënie të parave, duke ofruar kredi për qeveritë përpara se të shiste rezervat e tij RAC te Mbreti William III.
Ai më pas u tërhoq në Surrey dhe filloi të financojë një seri projektesh bamirësie, kryesisht në Bristol dhe Londër, duke përfituar nga shkollat, spitalet dhe kishat.
Siç bëhet e ditur më tej, Colston u gjend për pak kohë edhe në politikë si deputet midis 1710 dhe 1713, megjithëse në vitet shtatëdhjetë të tij atëherë, ai rrallë ndoqi parlamentin në Londër.
Ai vdiq në shtëpinë e tij në Surrey në vitin 1721 dhe u varros në Kishën All Saints në Bristol.
Përtej statujës së rënë tani, Bristol e nderoi duke i vënë emrin e tij edhe ndërtesave dhe rrugëve. / KultPlus.com
Black Lives Matter protests. Protesters throw statue of Edward Colston into Bristol harbour during a Black Lives Matter protest rally, in memory of George Floyd who was killed on May 25 while in police custody in the US city of Minneapolis. Picture date: Sunday June 7, 2020. See PA story POLICE Floyd. Photo credit should read: Ben Birchall/PA Wire URN:54052046 (Press Association via AP Images)
Haki Misini mbetet një nga zërat më të mirë të muzikës rok në vitet e 70’ta në Kosovë. Të gjithë e besuan që zëri i tij do të vazhdojë të dëgjohej edhe për shumë vite, për atë e ndalën forcat serbe ku tash e 21 vite më parë edhe e vranë, shkruan KultPlus.
Haki Misini u vra vetëm pak orë para se të nënshkruhej marrëveshja për bombardimet e NATOS-s dhe kjo ishte dhimbja më e madhe.
Misini atë kohë vepronte në grupin MAK, ku gjithashtu një tjetër anëtar i grupit, Mehmet Tupella u vra gjatë luftës duke bërë kështu që zëri i këtij grupi tashmë të dëgjohet vetëm përmes këngëve të tyre që kanë mbetur pjesë e historisë së muzikës kosovare.
Thuhet që gjëja e fundit që Haki Misini mori nga shtëpia e tij prej nga ku e nxorën forcat serbe, janë cigaret me të cilat do të largohet për të mos u kthyer më i gjallë pranë familjes.
Trupi i tij e i disa personave të tjerë u gjetën në vitin 2005 në Suhodoll të Mitrovicës, dhe pas kësaj eshtrat e tij prehen në varrezat e tokës së Kosovës.
“Moj e mira te pojata”, “Tri gota”, “Në syrin tënd pash një lot” , “Idila verore”, “Qenke rritë moj s’të zen këmisha”, janë këngët që edhe sot vazhdojnë të dëgjohen e interpretohen nga artistë të ndryshëm.
Rok grupi MAK u formua në vitin 1973 dhe si grup ka funksionuar deri në vitin 1978. Gjashtë anëtarët e këtij grupi ishin: Haki Misini, Mehmet Tupella, Rexhep Ismajli-Bulli, Halil Bajraktari, Sedat Isufi dhe Xhevdet Gashi. Grupi “MAK”, konsiderohet pionier i rok muzikës kosovare dhe ka merita të mëdha për popullarizimin e rok muzikës në vend. /KultPlus.com
Një ndër aktoret më të mira shqiptare, Adriana Matoshi po vazhdon ta mbajë frontin. Një çmim tjetër është shtuar karrierës së saj. Matoshi është shpërblyer me çmim si aktorja më e mirë në Festivalin e Francës “See A Paris”, për rolin e saj në filmin “Nëntori i Ftohtë” me regji të Ismet Sijarinës, shkruan KultPlus,
Lajmin e ka ndarë për publikun edhe këtë aktorja ku përvec regjisorit, ajo uron edhe vetën e saj.
“Urime Ismet, Fatmir edhe urime vetes që jemi shpërbly me cmime!”, ka shkruar aktorja.
Ky është edicioni i 5-të i këtij festivali që shfaq filmat e shteteve si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia dhe Turqia.
Në maj të vitit 2018, Matoshi ishte shpërblyer me çmimin aktorja më e mirë në “South East European Film Festival”, që është mbajtur në Berlin të Gjermanisë. Këtë çmim e fitoi me rolin e saj në filmin “Unwanted” me regji të Edon Rizvanollit. /KultPlus.com
Me rastin e dy vjetorit të vdekjes së ikonës së futbollit kosovar, Fadil Vokrrit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, dhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, prezantuan sot bucetën fituese të shtatores së Fadil Vokrrit, shkruan KultPlus.
Ceremonia e publikimit të bucetës fituese të shtatores së ish-kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit, u mbajt në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Gjatë zbulimit të shtatores simpatizantë të kësaj figure brohoritën të gjithë njëzëri: Fadil Vokrri, krenaria jonë. / KultPlus.com
Mund të kalojë kohë e gjatë deri kur të na vijë rasti t’i përcjellim premierat filmike të shoqëruara me qilim të kuq në Hollywood.
Parakalimi i yjeve mbi qilim të kuq, që janë jetësore për premiera e filmave dhe ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve, lulëzojnë me grumbullimin e aktorëve glamurozë, fustanet elegante dhe britmat e fansave të shumtë. Por derisa Hollywoodi vazhdon të përballet me pandeminë e koronavirusit, premiera të mëdha në një të ardhshme të afërt do të duken shumë ndryshe.
Turmat e fotografëve, yjet e listës A, publicistët dhe adhuruesit që luten për autografe dhe “selfie” me idhujt e tyre janë elemente kyç në funksionimin normal të makinerisë së hollywoodit. Por ajo që i bën këto ngjarje të shoqëruara me qilim të kuq, aq të lakmuara për t’i ndjekur, është pikërisht ajo që i bën edhe shumë vështirë të menaxhohen në këtë periudhë të distancimit social, transmeton Koha.
Testi më i madh do të bëhet në muajin korrik kur të lansohen filmat e mëdhenj të hollywoodit, “Tenet” me regjisor Christopher Nolanin dhe “Mulan” nga studioja filmike “Walt Disney”. Këto janë dy projektet e para me buxhet të lartë, të cilat parashihen të lansohen nëpër kinema, prej mbylljes së tyre anembanë botës për shkak të pandemisë së koronavirusit. Shumica e filmave të mëdhenj tashmë i kanë shtyrë datat e lansimit për vitet 2021 dhe 2022.
Kompania e cila merret me organizimin e ngjarjeve në Los Angeles, “15|40 Productions”, që është përgjegjëse për organizimin e më shumë se 200 premierave hollywoodiane po konsultohet me disa studio filmike rreth planeve për zbatimin e rregullave të distancimit social.
“Jemi detyruar t’i rishpikim organizimet e ngjarjeve të shoqëruara me qilim të kuq, duke provuar t’i bëjmë funksionale pas karantinës, si dhe po mundohemi t’i mbajmë njerëzit sa me larg njëri-tjetrit”, ka thënë Craig Waldman, kryetar i kompanisë “15|40 Productions”.
Ekipi i kameramanëve dhe fotografëve të cilët zakonisht qëndrojnë në rendin e parë, tani do të ndahen nga barrierat, si dhe gazetarët do të qëndrojnë në distancë rreth 2 metrash larg aktorëve. Të famshmit do të kenë mundësi të komunikojnë me fansat përmes një ekrani gjigant të vendosur mbi qilim të kuq.
“Elementi i interaktivitetit të drejtpërdrejtë me fansat do të mund të ndodhë vetëm në të ardhëm, kur të gjendet një vaksinë për këtë sëmundje,” ka përfunduar tutje Waldman.
Pra, si përfundim, premierat pritet të shoqërohen me një numër të reduktuar të mediave dhe shumë maskave mbrojtëse.
Por, brenga më e madhe vazhdon të jetë dilema nëse aktorët e listës A do të jenë të pranishëm mbi qilim të kuq.
Ndërkohë publicistët janë treguar kreativë përmes premierave virtuale dhe intervistave, të cilët aktorët i kanë realizuar përmes aplikacioneve “Zoom” dhe “Skype”, nga shtëpitë e tyre. Por asgjë nuk krahasohet me entuziazmin dhe emocionet që i sjell qilimi i kuq. / KultPlus.com
Që nga 30 prilli kur Ministria e Shëndetësisë prezantoi një plan me tri faza të hapjes së ekonomisë i cili ahengjet i pozicionoi në fazën e tretë që ka nisur në fillim të këtij muaji, nuk ka më ndonjë njoftim nga ky institucion se a do të lejohet mbajtja e tyre apo jo.
Ndonëse qershori ka qenë muaji i cili rivlerëson situatën me COVID-19 për mbajtjen e ahengjeve, në Ministrinë e Shëndetësisë nuk kanë marr ende ndonjë rekomandim nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Në lidhje me këtë ka folur edhe zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti.
Ai tha se kjo çështje ka mbetur sipas planit për hapje graduale.
“Çështja e ahengjeve ka mbetur sipas Planit për hapje graduale të rivlerësohet tani në qershor. Vendimi për to do të merret bazuar në rekomandimet e IKSHPK-së”, i ka thënë ai shkurt Insajderit.
Ndërkohë, për mos lejimin e ahengjeve kanë reaguar shumë artisë, pronar të restoranteve e biznese të tjera që varen nga to. / KultPlus.com
Charles John Huffam Dickens ishte një shkrimtar anglez, i quajtur ndryshe edhe si më i madhi i periudhës Viktoriane.
Charles Dickens lindi më 7 shkurt 1812 në Landport, një rrethinë të Portsmouth, i dyti prej gjithsej 8 fëmijëve të John dhe Elizabeth Dickens. Babai i tij ishte një punonjës në zyrën e pagesave detare. Ai kaloi fëmijërinë në Catham-Kent. Ishte romancieri më popullor në gjuhën angleze i të quajtur Epokës Viktoriane. Ai ka krijuar disa nga personazhet më domethënëse e portretizuese të letërsisë, me temë sociale drejtimin e reformës në të gjithë punën e tij. Popullaritetit të vazhdueshëm të romaneve të tij dhe tregimet e shkurtra është e tillë që librat e tij nuk kanë dalë kurrë jashtë printimit madje janë bërë dhe filma në kinema. Pjesa më e madhe e punës së tij të parë në shtypin periodik dhe revista në formë e serive, një mënyrë të popullarizuara të botimit trillim në kohë.
Më 8 qershor 1870, Dikens pësoi një goditje tjetër në shtëpinë e tij pas një pune të plotë në Edwin Drood. Ai kurrë nuk u rikthye në vetëdije, dhe të nesërmen, pesë vjet deri në ditën pas rrëzimit të hekurudhës Staplehurst, ai vdiq në Gads Hill Place. Biografia Claire Tomalin ka sugjeruar se Dikens ishte në të vërtetë në Peckham, kur ai pësoi goditje, dhe zonja e tij Ellen Ternan dhe shërbëtoret e saj e kishin kthyer atë në Gadin Hill kështu që publiku nuk do të dinte të vërtetën rreth marrëdhënies së tyre.
Realizmi në Angli fillon me Çarls Dikensin dhe romanin social që lëvroi ai. Karakteristikë e veçantë e këtij autori është se gati të gjitha veprat e tij kanë emra të fëmijëve, dhe personazhe kryesisht fëmijë, kjo për arsye se ai pati një fëmijëri jo të mirë. Ai në moshën 12-vjeçare detyrohet të lërë shkollën për shkak të varfërisë dhe madje detyrohet të hyjë në fabrikë për të nxjerr kafshatën. Fëmijëria e tij dhe përvojat e tij që do pasojnë, janë faktorët kyç të një letërsie të suksesshme, të Dikensit por edhe për të tjerë autorë. Tek Dikensi gjejmë këto vepra: “Oliver Tuist”, “David Koperfild”, “Dombi e Biri”, “Vogëlushja Dorrit”, “Vogëlushja Nell”, “Nikolla Nikwllbi”.
Oliver Tuist është protagonisti kryesor i novelës së Çarls Dikensit me po të njëjtin emër; Oliver Tuisti njihet të jetë protagonisti i parë fëmijë në novelat angleze. Kjo vepër është vepra e dytë e Çarls Dikensit e cila u botua në një revistë mujore me titull origjinal “Bentley’s Miscellany”. Ky roman është një roman social i cili synon të paraqesë jetën e mijëra fëmijëve të pastrehë e pa të ardhme. Dikensi tallet me hipokrizinë e kohës, duke goditur tema serioze me një sarkazëm dhe humor të zi. Thuhet se Dikensi u frymëzua për këtë vepër nga ngjarja e vitit 1830, ku një jetim me emrin Robert Blionce po si Oliver Tuisti përballej me jetën e vështirë: pastrehën, punën e rëndë dhe të ardhmen jo të sigurt. Me këtë vepër Dikensi sfidon epokën e tij duke venë në lojë tërë shtetin anglez të asaj kohe, një shtet pa ligje dhe pa mbrojtje për të varfërit, një shtet në të cilin mbizotëron krimi dhe padrejtësia. Me “Oliver Tuist”-in Dikensi na sjell një vepër realiste, një vepër pa hijeshi të ngjarjeve, të paraqitura ashtu siç janë, një vepër reale pa përdorim të ndonjë lloji të romantizmit. Oliver Tuisti është bërë inspirim për shumë filma dhe telenovela në botë, si dhe për shumë shfaqje muzikore e teatrale. Nënshtetësia e tij ishte Angleze. Ndërsa dita e vdekjes e tij ishte më 9 qershor të vitit 1731. Oliver Tuist njihet si vepra e tij më kryesore. Ky ishte guximtar i patrembur dhe me krenarinë e tij ka bërë shumë libra. Vendvdekja e tij ishte në: Gad’s Hill Placce, Higham, Kent Angli. / KultPlus.com
Helmimet në Kosovë me gazra toksike nga ana e qeverisë Jugosllave, doktrinës serbe, ndodhën në pranverën e vitit 1990 ku u helmuan me mijëra të rinj, kryesisht nxënës e në mesin e tyre kishte edhe foshnje në entet parashkollore.
Qeveria jugosllave asokohe doli me kumtesë zyrtare se në Kosovë nuk pati helmim, por e gjithë kjo ishte: Një inskenim i përgatitur nga separatistët shqiptarë.
Të helmuarit u quajtën aktorë të Kanës! Mjekët serb thyen rëndë kodeksin dhe Betimin e Hipokratit, duke refuzuar mjekimin e të helmuarve shqiptarë. Si reagim ndaj këtij raporti, në Zagreb, më 9 qershor të vitit 1990, u mbajt simpoziumi me emër: “Kosova sprovë e ndërgjegjes mjekësore”.
Në atë simpozium morën pjesë shumë ekspertë të mjekësisë nga mbarë Jugosllavia. Nga Fakulteti i Mjekësisë në Prishtinë, u ftua një numër i madh i mjekëve shqiptarë. Nga Beogradi, ekipin prej tre mjekëve e udhëhoqi Ljubomir Eriq, neuropsikiatër me renome. Në këtë simpozium mori pjesë edhe Kryetari i Komisionit të Dytë Federativ për çështje të helmimeve në Kosovë. Anton Dolenc, ekspert i Mjekësisë Ligjore nga Universiteti i Lubjanës. Gjatë punimeve të këtij simpoziumi dolën në pah shumë fakte që tregonin se në fakt në Kosovë është kryer një helmim masiv i rinisë shkollore.
Anton Dolenc, i cili vetë kishte nënshkruar Raportin e Dytë Federativ, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të dytë Federativ, në formë publike u distancua nga ai raport, duke deklaruar se ai u përpilua në shpejtësi, brenda 24 orëve dhe se kishte pasur presion që të bëjë një gjë të tillë. Diskutimi i Ljubomir Eriqit, edhe pse me oratori të rrallë, u hodh poshtë, nga se si thoshte ai, në Kosovë kishte induksion psikik masiv dhe se këtij induksioni i nënshtrohej mosha mbi 11 vjeçare. Prezantimi i rasteve të helmimit të foshnjave 3 vjeçare nga entet parashkollore të Kosovës (në qytetin e Gjakovës), e detyroi atë të ndërroj qëndrimin duke deklaruar: Më duhet të sajoj diçka.
Argumenti më bindës në këtë simpozium padyshim, ishte publikimi i substancës kimike Dimetil phosphoditionat, e izoluar në mostrat e urinës nga të helmuarit e Kosovës, nga ana e Franjo Pllavshiqit, toksikolog dhe biokimist nga Zagrebi. Këtyre zbulimeve duhet shtuar edhe deklarimin e mjekut francez Benedetti, i cili tha: Në Kosovë pati helmime. Në Kosovë, gjatë pranverës, me qëllim janë helmuar 3000 nxënës me gaz deri tani të pa identifikuar. Ky mjek gjatë qëndrimit në Kosovë kishte pohuar se ka zbuluar molekula klororganike gjatë analizave që i bëri në dy laborator të Parisit nga mostrat e gjakut të fëmijëve të helmuar nga Kosova. Sipas tij, “ky krim është bërë nga agjentët e Beogradit, me siguri agjentët ushtarak.”
Pas helmimeve të ndodhura në Kosovë, Beogradi zyrtar filloi një propagandë të egër ndaj shqiptarëve të Kosovës, posaçërisht ndaj personelit mjekësor shqiptar që kujdesej për të helmuarit. Minimizohej tragjedia e rinisë kosovare. / KultPlus.com
Lao Tzu, një prej filozofëve dhe poetëve më të famshëm të Kinës së lashtë, ka lënë pas shumë mësime të rëndësishme. I njohur më mirë si autori i Tao Te Ching dhe themelues i Taoizmit filozofik, urtësia e tij e spikatur dhe mesazhet e paqes, pajtimit dhe të jetuarit në mënyrë kohezive, na kujtojnë se çfarë është me të vërtetë e rëndësishme në jetë, dhe si mund të zhvillohemi në mënyrë kolektive.
Në kulturën kineze ai ishte një figurë qendrore, por fjalët e tij mund të gjejnë zbatim për popujt e të gjithë botës.
Përgjigjen e ke ti!
“Në qendrën e qenies tënde, ti e ke përgjigjen; ti e di se kush je dhe e di se çfarë do. Të njohësh të tjerët është inteligjencë; të njohësh vetveten është mençuri. Të kontrollosh të tjerët është forcë; të kontrollosh vetveten është fuqia e vërtetë. Kur heq dorë nga ai që jam, unë shndërrohem në atë që do të bëhem”.
Tolero dhe do të jesh i lirë!
“Duhet të lësh gjërat ashtu si janë. Bota fitohet duke qenë tolerantë”.
“Mësuesi vepron duke mos bërë asgjë dhe mëson duke mos thënë asgjë. Gjërat shfaqen dhe ai i lë të vijnë; gjërat zhduken dhe ai i lë të ikin. Ai ka, por nuk zotëron, vepron por nuk pret. Kur puna mbaron, ai e harron. Ja përse zgjat përgjithmonë”.
“Nëse do të bëhesh i plotë, lëre veten të jesh i pjesshëm. Nëse do të bëhesh i drejtë, lëre veten të jesh i shtrembër. Nëse do të bëhesh plot, lëre veten të jetë bosh. Nëse do të rilindësh, lëre veten të vdesë. Nëse do të të japin gjithçka, hiq dorë nga gjithçka”.
“A e ke durimin që të presësh deri kur balta të bjerë dhe uji të pastrohet? A mund të qëndrosh pa lëvizur, deri kur veprimi i duhur të shfaqet vetë”?
Egoizmi nuk do të të japë asnjëherë kënaqësinë e njohjes së vërtetë të vetvetes!
“Ai që e përcakton vetveten, nuk do ta dijë kurrë se cili është në të vërtetë”
“Ai që ka fuqi mbi të tjerët, nuk mund të fuqizojë veten”.
“Ai që përpiqet të shkëlqejë, e zbeh dritën e vetes së tij”.
“E keqja ikën kur e injoron!”
“Mos i jep të keqes asgjë të cilës t’i kundërvihet, dhe do të shohësh që do të zhduket vetë”.
Mirësia dhe dhembshuria fitojnë gjithmonë!
“Trajtoji ata që janë të mirë me mirësi, dhe trajto gjithashtu ata që nuk janë të mirë, po me mirësi. Kështu e merr të mirën mbrapsht. Ji i ndershëm me ata që janë të ndershëm, dhe ji gjithashtu i ndershëm me ata që nuk janë. Kështu sigurohet ndershmëria”.
“Mirësia në fjalë krijon besim. Mirësia në të menduar krijon thellësi. Mirësia në të dhënë krijon dashuri”.
“Të jesh thellësisht i dashuruar nga dikush të jep forcë, ndërkohë që kur dashuron dikë thellësisht, të jep kurajë”.
Pavarësisht të tjerëve ji gjithnjë vetvetja!
“Vrije mendjen për miratimin e njerëzve, dhe ti do të jesh i burgosuri i tyre”.
“Kur je i kënaqur që je thjeshtë vetvetja, dhe nuk krahasohesh apo konkuron, të gjithë do të respektojnë”.
Mençuria dhe forca vijnë prej përulësisë!
“Njeri i mençur është ai, që e di, atë që nuk di”.
“Të gjithë rrëketë derdhen në det, sepse deti është më poshtë se ato. Përulësia ia jep atij fuqinë që ka”.
Ndryshimi është i pashmangshëm, kështu që përqafoje!
“Nëse kupton që të gjithë gjërat ndryshojnë, nuk ka asgjë pas të cilës do të duash të kapesh. Nëse nuk ke frikë nga vdekja, atëherë nuk ka asgjë që nuk mund ta arrish”.
“Fillimet e reja shpesh herë maskohen si funde të dhimbshëm”.
“Një udhëheqës i madh e di se nuk është mbi ndjekësit e tij, por njëri prej tyre!”
“Udhëheqësi i lig është ai që njerëzit e urrejnë. Udhëheqësi i mirë është ai që njerëzit e nderojnë. Udhëheqësi i madh është ai për të cilin njerëzit thonë: “E krijuam vetë”.
“Nëse dëshiron të qeverisësh njerëzit, duhet të vendosësh veten poshtë tyre. Nëse do t’i udhëheqësh njerëzit, duhet të mësosh si t’i ndjekësh ata”.
“Mos bëj asgjë dhe mos ji asgjë, e do të gjesh lumturinë e vërtetë!”
“Kur asgjë nuk bëhet, asgjë nuk lihet pa u bërë”.
“Shëndeti është zotërimi më i madh që ke. Kënaqësia është thesari më i madh. Vetëbesimi është miku më i mirë. Mos-qenia është gëzimi më i madh”. / KultPlus.com
Kreu i qeverisë inspektoi restaurimin e godinës, ndërsa shoqërohej edhe nga ministrja e Kulturës Elva Margariti.
“Gur i çmuar i trashëgimisë kulturore”. Kështu e ka konsideruar kryeministri Edi Rama godinën e Akademisë së Arteve. Kreu i qeverisë inspektoi restaurimin e godinës, ndërsa shoqërohej edhe nga ministrja e Kulturës Elva Margariti.
“Kemi disa ide për lëvizjen e përkohshme. Këto që kemi vendosur janë më të mira nga ato që ishin më herët. Do bëjmë investim të madh për kampusin. Do të bëjmë investimet e duhura. Do zgjidhet edhe puna e lëvizjes së studentëve”, shprehet Rama.
” Ideja është që këtu të ndërtojmë një shesh të madh publik. Projekti parashikon dy salla të reja. Krijohen më shumë hapësira edhe rreth e përqark”, shprehet Elva Margariti.
“Teatri i Operas ishte një banjo poshtë, ndërsa tani ka dhoma individuale për solistë, ka kushte moderne”, thote Rama.
“Godina qendrore e Akademisë së Arteve është një objekt i rëndësishëm i Trashëgimisë Kulturore dhe si i tillë, jo vetëm është transformuar së brendshmi në kuadrin e Paktit për Universitetin, duke garantuar kushte optimale për studentët e pedagogët, po edhe është rivlerësuar/restauruar në të gjithë elementët që e bëjnë atë një gur të çmuar të gjerdanit të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë”, shkroi më herët Rama në rrjetin social. / Shqiptarja.com/ KultPlus.com