Tomorr Kokona koreografi dhe producenti shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar është nominuar në çmimet kombëtare “One Dance UK”, për lidership në trajnimin artistik.
“One Dance UK” janë aktivitete vjetore që vlerësojnë njerëzit që kanë ndikuar në peisazhin artistik të vallëzimit në Mbretërinë e Bashkuar.
Kokona mban titullin “Ambasador i Kombit” dhe është themelues i Artistic Business Coaching (ABC).
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Kokona me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook” ku shkruan:
“Ndjehem i përulur dhe i nderuar që jam nominuar në “One Dance UK”, në Mbretërinë e Bashkuar në lidhje me lidership tim në trajnimin artistik
Çmimet “One Dance UK” në Mbretërinë e Bashkuar janë një festë vjetore për njerëzit nga i gjithë sektori i vallëzimit për të bashkuar, festuar, pranuar dhe shpërblyer njerëzit që kanë ndikuar në peizazhin e gjallë të vallëzimit në Mbretërinë e Bashkuar! Të sfidosh punën e mrekullueshme të artistëve të vallëzimit, mësuesve, praktikuesve, arsimtarëve, shkollave, koreografëve, ndërmarrjeve, vendeve, shkencëtarëve dhe shkrimtarëve, kjo është një mbrëmje vezulluese e mbushur me festime, gjithçka për ata që kontribuojnë në sektorin e vallëzimit në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar”, mbyll statusin Kokona. / KultPlus.com
Balerina shqiptare Klaudia Pepa, e cila vitet e fundit po jeton në Itali, aty edhe ku ka krijuar një karrierë, ka dhënë lajmin se së shpejti do ta shohim edhe si aktore.
Përmes disa postimeve në rrjete sociale, ajo thotë se është tepër e emocionuar dhe e lumtur për pjesëmarrjen e saj në një film. ”Dua të ndaj me ju një lajm të bukur. Më në fund, ëndrra ime u bë realitet”.
Ky film është projekti më i fundit nga Giuseppe Lepore për Bielle Re dhe skenari flet për një vrasës serial.
Xhirimet e filmit do të nisin sot me të gjitha masat e sigurisë për shkak të pandemisë, shkruan Revista Who.
Filmi flet për një vrasës serial të sëmurë, i cili realizon çdo krim duke përdorur një thikë blu. Një inspektor policie, i bindur se e gjithë çmenduria e tij është një trillim, do ta marrë në pyetje duke e bërë të rrëfehet. / KultPlus.com
Shoqata e Gastronomëve të Kosovës përmes një postimi të bërë në faqen zyrtare Facebook, kanë njoftuar se në mbledhjen e tyre të radhës, Bordi Këshillëdhënës kundër COVID-19, ka paraqitur kërkesat për hapat e mëtejmë të gastronomisë.
Me këtë rast gastronomët kanë kërkuar ndër të tjera për shfuqizimin e kufizimit të lëvizjes për qytetarë dhe për orarin e punë.
Oriana Fallaci, ishte një gazetare italiane. Një partizane gjatë Luftës së Dytë Botërore ku ajo pati një karrierë të gjatë dhe të suksesshme gazetareske. Fallaci u bë e famshme në mbarë botën për mbulimin e saj të luftës dhe revolucionit, dhe intervistat e saj me shumë liderë botërorë gjatë viteve 1960, 1970 dhe 1980, shkruan KultPlus.com
Këtu kemi përzgjedhur një nga thëniet e saj më të njohura ku flet për njohjen e tjetrit përtej kuptimit teknik kohor.
“Mund të jetosh me dikë për njëzet vjet dhe ta konsiderosh një të huaj. Mund të kalosh me një tjetër njëzet minuta dhe ta mbash brenda për tërë jetën”. / KultPlus.com
Keanu Reeves ka lavdëruar ekipin e filmit “Matrix 4” për protokollet e tyre efektive dhe të menduara mirë, që kanë mundësuar xhirimin e filmit edhe gjatë pandemisë.
Xhirimi i filmit ka vazhduar, pasi që ishte ndalur për një kohë për shkak të pandemisë së koronavirusit, ndërsa aktori 55 vjeç, i cili do të luajë sërish rolin kryesor, të Neos, është i impresionuar me masat e ndërmarra për ta mbajtur xhirimin të sigurtë. Ai ka thënë se në setin e xhirimeve ka protokolle shumë efektive dhe të menduara mirë, shkruan Female First, transmeton KOHA.
“Ritmi i xhirimit të filmit nuk është penguar aspak. Kjo është për shkak të punës së madhe dhe organizimit të mirë të protokolleve”, ka thënë ai.
Reeves tha se kishte vendosur t’i kthehej këtij filmi për shkak të skriptit të bukur nga Lana Wachowski.
Kur u pyet se cila është arsyeja kryesore pse iu kthye filmit, ai tha: “Lana Wachowski ka shkruar një skript të bukur dhe një tregim të mrekullueshëm në të cilin e gjeta veten shumë”.
“Kjo është e vetmja arsye pse iu ktheva filmit. Të punoj sërish me të është me të vërtetë gjë e mrekullueshme. Ka qenë përvojë e posaçme që nga fillimi dhe tregimi i thotë disa gjëra të rëndësishme, nga të cilat mund të frymëzohemi të gjithë”, tha ai.
Filmi, në të cilin do të luajnë edhe Carrie-Anne Moss dhe Jada Pinkett Smith, së bashku me aktorët e rinj Neil Patrick Harris, Priyanka Chopra dhe Jonathan Groff, pritet të lansohet në vitin 2022, 19 vite pas filmit të tretë “Matrix: Revolutions”.
Ndryshe prej herave të tjera, Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar “Anibar” sapo ka filluar për herë të parë me edicionin e tij digjital, si shkak i rrethanave pandemike shkruan KultPlus
Në fjalën hyrëse të përcjellur me një spot shumë interesant, nga një përfaqësuese e Anibarit u tha që ky edicion u dedikohet të gjithë atyre që po sakrifikojnë në forma të ndryshme në këto rrethana të pandemisë botërore COVID-19.
“Këtë edicion të festivalit ne do t’ua dedikojmë të gjithë atyre që shërojnë, japin mësime, krijojnë, shkruajnë e këndojnë, rrëfejnë, shërbejnë, gatuajnë, ndihmojnë, zhvillojnë, ngushëllojnë, mbështesin dhe infromojnë”
“Juve njerëzve”, është thënë në fund të dedikimit njerëzor dhe profesional nga Anibari.
“Shitësve të tregut, dhe atyre që mbushin rafte, fermereve, bukëpjekësve, teknikëve që rregullojnë lidhjet e dobëta të internetit, pastrusesve të rrugësve, farmacistëve që punojnë jashtë orarit, artistëve që kompozojnë, shkruajnë dhe informojnë virtualisht sa për të na siguruar se paqja vjen në formën e artit, të gjithë atyre që punojnë për të siguruar vaksinë, zjarrëfiksëve, atyre që kanë gadishmëri të pranojnë dhe ndajnë rrëfime, mbrojtësve të drejtave dhe lirive tona, kujdestarëve dhe të sëmurëve në shtëpi, vullnetarëve që kohën e japing për t’u siguruar të tjerëve ushqim, gazetarëve, mësuesve, infermiereve dhe doktorëve. Juve njerëzve”.
Meqë është edicion digjital, këtë vit hapësira është transformuar nga ajo fizike në atë virtuale, Anibari, falënderon të gjithë mbështetësit.
“Në edicionet tjera ju kemi pritur në këtë hapësirëpër të filluar festivalin ndërkombëtar të filmit të animuar. Këtë vit po vijmë në shtëpitë tuaja. Faleminderit juve për përkrahjen e vazhdueshme që na keni dhënë gjatë gjithë kohës, për mbështetësit dhe partnerët e këtij edicioni”.
Filmat do të mund t’i përcjellni në platformën online.anibar.org prej 17 deri 30 gusht. / KultPlus.com
“Muzikën e kam dashtë që e vogël, nuk e di as vetë saktë prej kur. Në moshën 5 a 6 vjeçare kam bërë programe në shtëpi, këndoja, kërceja, dilja para publikut – që ishte familja, dhe ata ishin të detyruar të më shikonin e të ishin audienca ime. Që atëherë kam pasë idhuj të ndryshëm që i kam imituar, e më së shumti më ka pëlqyer Mariah Carey e cila ende për mua vazhdon të jetë vokali më mbresëlënës. Bile, në një kohë gjatë moshës 6 vjeçare, me motrat dhe dy vajzat e hallës e kemi pasur bendin ‘Eyez’. Bënim kësisoj prova kërcimi dhe performonim në koncerte të cilat i organizonim vetë në oborrin e shtëpisë, shoqëria e lagjes na vinte si audiencë”.
Vite më vonë, po e njëjta vajzë do të rritej e do të ishte kryefjala e disa krijimeve të arritura muzikore të cilat sot mbesin në historinë e muzikës shqiptare. Nëse i dini këngët ‘U shërova’, ‘Çka do t’iu themi nënave’, ‘Simbol’, ‘Kopshti’, ‘Dashuria e fatit tim’, ‘Mendoj të fluturoj’, e dini se është Hana Cakuli, ajo e cila në këtë rrëfim na tregon për jetën e saj dhe për muzikën, dashurinë e saj të madhe.
Hana Cakuli është nga ato këngëtaret për të cilat thuhet se ka një zë kristal, të pastër. Shpirti humbet thellë në oqeanin ku Hana lëshon zë, dritë.
Në këngët e saj, dëgjon me vëmendje, dhe e vëren që secila notë ka marrë shtrirjen e duhur dhe secila fjalë është copë e vogël që e ndërton monumentin në fund, mrekullinë e quajtur këngë. Poezive, Hana u ka dhënë melodi, e melodive u ka lënë porosi të shtegëtojnë kudo ku flitet shqipja.
Hanës i kanë takuar plot këngë, të cilët ajo me bashkëpunëtorët e saj dikur na i solli të përthekuara, të kompletuara.
*
“Nga ana e mamit, kam familjen Macula, të cilët kanë plot muzikantë që kanë vepruar e veprojnë në Kosovë dhe jashtë saj. Këtu mund ta përmend atë që ndoshta e njihni më mirë, kitaristin Faton Macula, i cili jeton në Amerikë. Prindërit i kemi kushërinj, dhe mendoj se nga ata i kam gjenet e muzikës” më tregon tutje Hana Cakuli.
Në moshën 13 vjeçare, Hana – me origjinë nga Mali i Zi, do ta incizonte këngën e parë. Kënga ‘Eja’, thotë Hana, erdhi me një zë të formuar. Kënga transmetohej në radiostacionet e Ulqinit. Po mbi këtë zë Hana solli edhe dy këngët e radhës, si 16 e 17 vjeçare. “Natën kaloje me ne”, Hana e këndoi si 16 vjeçare në festivalin Top Fest në Shqipëri ndërsa një vit më vonë ajo e publikoi videoklipin e saj të parë, këngën “Mendoj të fluturoj”. Hana po merrte formë dhe njerëzit e gjeneratës po fillonin ta mësonin emrin e mbiemrin e saj, duke e lidhur gjithmonë me pasazhet domethënëse të këngëve të saj.
Nëpër vitet që do të pasonin, Hana do të kërcente nga një këngë në tjetrën, nga një festival tek tjetri, por gjithmonë me shumë siguri që asnjë këngë të mos binte më poshtë se standardi i krijuar prej saj. Çmimet që i erdhën më pas, dhe afërsia e publikut, ngadalë do ta vendosnin Hanën në mesin e këngëtarëve më të mirë dhe aktivë të cilët krijuan rreth viteve 2007 – 2012.
“Secila këngë që e kam incizuar e ka një vend të veçantë në zemrën time. Secila e përfaqëson një periudhë specifike të jetës sime. Pos kësaj, secila e ka një autor apo kompozitor e producent të ndryshëm. Pothuajse me çdo këngë kam pasur bashkëpunëtorët e ndryshëm. Kam bashkëpunuar me emra e artistë të mëdhenj shqiptarë si Armend Rexhepagiqi, Aida Baraku, Florent Boshnjaku, Pirro Çako, Genti Lako, Kastro Zizo, Visar Kuçi, Kushtrim Hoxha, Flori Mumajesi e të tjerë” tregon Hana, kur unë e pyes për këngët e saja dhe ndoshta për një më të dashur, të cilën mund ta veçojë nga të tjerat. Këngët janë si fëmijët, problem të ndahen.
“Mund ta veçoj një këngë, duke qenë se është më sfiduesja për ta interpretuar, i ka harmonitë dhe kalimet shumë të bukura. Ajo është ‘Çka do t’iu themi nënave’, të cilën e kanë shkruar Armend Rexhepagiqi dhe Aida Baraku dhe e ka prodhuar Florent Boshnjaku. Ashtu siç është shprehur edhe Armendi për këtë këngë, e ka qëndisur enkas për mua. Mendoj se i flen shumë vokalit tim dhe i nxjerrë në pah aftësitë e mia të këndimit më shumë se këngët tjera. Nga ana tjetër, këngët “U shërova” dhe “Simbol” janë dy prej hiteve më të mëdha, të cilat publiku i do shumë. Secila e ka mesazhin, kohën dhe vendin e vet” vazhdon Hana.
*
Hana Cakuli i takon një plejade artistësh e muzikantësh të cilët i dhanë një frymë tjetër muzikës pop, rnb e asaj zbavitëse. Këngët zbavitnin, por më shumë i jepnin vulë kohës, nostalgjisë, retrospektivës, aktualitetit, problemeve, thyerjeve e ngjitjeve. Hana, bashkë me emra të tjerë të asaj kohe, sfidonin muzikën komerciale në Kosovë gjithmonë duke sjellë besnikshëm këngë që i rezistojnë kohës, por asnjëherë nuk marrin vëmendjen e të gjithëve. Sepse këngët e Hana Cakulit, dhe zërat si ajo, janë ëmbëlsira e vetëm disa shijeve të stërholla muzikore.
Hana, me jo shumë këngë dhe vite në skenë, do të triumfonte edhe në festivale e organizime të ndryshme muzikore. Në festivalin e muzikës moderne Top Fest në Shqipëri, ajo do të shpërblehej disa herë. Me ‘Çka do t’iu themi nënave’ ajo fiton çmimin për këngën më të mirë të festivalit në vitin 2008, ndërsa në të njëjtin festival ka sjellë edhe këngët ‘Natën kaloje me ne’, ‘Dashuria e fatit tim’ dhe ‘Ëndrrat s’ndalen kurrë”. jë vit më herët, në vitin 2007, me këngën ‘U shërova’ triumfon në festivalin Kënga Magjike, duke marrë çmimin për këngën me melodinë më të mirë.
Më vonë Hana merr çmim edhe në festivalin Zambaku i Prizrenit. Projekti i saj i fundit muzikor, ‘Kopshti’ – këngë në bashkëpunim me Kushtrim Hoxhën, është një prej himneve muzikore shqiptare.
“Muzika për mua është meditimi më i mirë. Në momentin që performoj, çdo gjë në botë ka kuptim. Jeta i ka të mirat dhe vështirësitë e veta, e muzika është ajo përmes së cilës mund të shprehem, të ndihem se jam aty ku takoj dhe mënyra më e mirë për t’u lidhur edhe me tjerët, me publikun. Një botë pa muzikë për mua do të ishte shumë monotone. Muzika na bashkon, jo vetëm me njerëzit që i njohim, por edhe me njerëzit të cilët nuk e dijmë se ekzistojnë. Fakti që unë këndoj dhe kënga ime arrin tek dëgjuesit në mbarë botën, më bën të ndihem e lidhur me ta. Dhe kjo është një gjë e jashtëzakonshme. Muzika është e jashtëzakonshme. Fantastike” më thotë Hana.
Hana ka disa vite që jeton në Gjermani, dhe muzikës e skenës në Kosovë e Shqipëri e kudo ku flitet shqip i është larguar për pak, duke i munguar shumë. Hana ka pauzuar nga paraqitjet në skenat shqiptare, por thotë se në Gjermani po vazhdon të mishërohet me muzikën.
“Unë tashmë 7 vite jetoj në Mynih të Gjermanisë dhe atje kam krijuar bendin Unibeat, me të cilin paraqitem në ngjarje të ndryshme në Gjermani, kryesisht me covers të këngëve tjera në anglisht, gjermanisht, italisht e gjuhë tjerë. Një arsye tjetër pse nuk më del koha të jem edhe në skenën gjermane e poashtu edhe atë shqiptare është se jam bërë nënë e dy vajzave binjake, të cilave ua kushtoj një pjesë të madhe të kohës. Përveç kësaj, punoj me orar të plot në Amazon, por kjo nuk do të thotë që nuk do të rikthehem në muzikën dhe publikun shqiptare” tregon Hana Cakuli.
*
“Më herët e përmenda Mariah Carey. Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë vokali që më inspiron më së shumti. Pastaj, kam mjaft tjerë që më kanë influencuar: Whitney Houston, Beyonce, Norah Jones, Ella Fitzgerald, etj. Nga të rinjtë më pelqejnë shumë Sam Smith, James Arthur, Ed Sheeran. Lista është e pafund e këngëtarëve e këngëve që më pëlqejnë e inspirojnë të jem këngetare më e mirë çdo herë”.
Hana vazhdon me muzikë, në Gjermani, dhe po ta dëgjosh edhe sot e kupton që nuk ka humbur as edhe një atom i vogël i magjisë së zërit të saj të dikurshëm. Hana sot transmeton emocione edhe në Gjermani, së shpejti edhe në trojet shqiptare.
Hana, e lindur në vitin 1989, e përfundoi shkollën fillore “Marshal Tito” në Ulqin, shkollën e mesme për tre vite në Gjimnazin “Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin, për të vijuar vitin e fundit të shkollës së mesme “Sami Frashëri” në Prishtinë. Ka kryer Universitetin Amerikan të Kosovës (AUK). Me ardhjen në Prishtinë, ajo do të shpërthente, për ta kanalizuar sot më shumë energjinë e saj në tregun gjerman.
“Plani është të vazhdoj të provoj në tregun gjerman. Njëkohësisht, do të rikthehem edhe në tregun shqiptar, si me këngë ashtu edhe me ndonjë koncert. Ëndrrat e dëshirat për muzikën nuk kanë fund. Është thjeshtë çështje kohe dhe angazhimi që ato të realizohen. Shpresoj që çdo herë të kem më shumë inspirim të prodhoj muzikë të bukur” thotë Hana Cakuli.
*
Në fund të rrëfimit të Hanës, i cili megjithatë mbetet të shkruhet edhe pas shumë vitesh, flasim pak për muzikën shqiptare sot. Hana dhe shoqet e shokët e saj muzikantë të mesit të viteve 2000 sot janë ‘zhdukur’, janë larguar e distancuar pak nga muzika shqiptare për ta gjetur veten, apo për të mos e humbur e veten në lëmshin momental muzikor.
“Mendoj se ka ende muzikë të mirë dhe nga ana tjetër ka edhe muzikë inovative, në trend me kohën. Mendoj që në këtë të dytën kosovarët po bëjnë një punë të mirë. Ata që gjithmonë do të mbesin favoritët e mi janë Armend Rexhepagiqi e Aida Baraku dhe muzika që e bëjnë ata. Mendoj se edhe në një kohë kur muzika është e dominuar nga komercializmi, Armendi e Aida vazhdojnë të prodhojnë muzikë me vlerë, por njëkohesisht edhe bashkëkohore. Ky është një gërshetim shumë kreativ për mendimin tim” tregon Hana.
“Tregu muzikor shqiptar ka shumë artistë të talentuar. Mendoj se edhe shija e këtyre artistëve është e sofitikuar. Mbase një numër i vogël e ka këtë shije. Ose më mirë të them, edhe ata që e kanë shijen e mirë të muzikës, në qoftë se varen vetëm nga muzika, janë fatkeqësisht të detyruar të prodhojnë muzikë me më pak vlera se sa që do të kishin dëshirë. Por, ka shumë nga ata që e bëjnë muzikën komerciale me qef dhe me dëshirë për sa më shumë famë a para. Në fund të fundit, kjo është zgjedhje personale e secilit. Për këtë secili i ka arsyet e veta. Unë personalisht, nuk jetoj vetëm nga muzika, e prandaj ia lejoj vetes të prodhoj muzikë më rrallë, por duke i matur mirë e mirë fjalët e notat që do të këndohen nga unë” rrëfen Hana Cakuli.
Këngët e Hanës përmbajnë disa prej teksteve më të mira në muzikën shqiptare, dhe këtë rrëfim do ta përfundojmë me një prej teksteve të këngëve të Hana Cakulit, deri në një takim tjetër kur Hana do të jetë edhe më e begatshme e diskografia e saj do të jetë më e plotë dhe e fuqishme në përbërjen e saj. Baza, ekzistenca e këngëve deri sot, është e mrekullueshme.
“Vdes, për dy gota nes si një ndërtesë e rëndë më ra kresë këtë mengjes, për vdekje qëlloi fjala e fundit si e plumbit nga buzët shpëtoi. e vend i vogël është ky, çdo kalimtar do të na ndalë….të pyes, per ne të dy”
(Ky tekst është botuar me ndihmën e Komunës së Prishtinës dhe subvencioneve kulturore vjetore nga kjo Komunë)
Dizajnerja kosovare që vepron në Amerikë, e cila u bë e famshme me koleksionet e veshjeve të bëra prej saj që u ngjajnë fustaneve të princeshave nga përrallat, ka publikuar bashkëpunimin e saj të fundit (dhe më të madhin) me Disney.
Ky bashkëpunim ndodh në 70 vjetorin e filmit të Disney “Cinderella” (E përhitura). Lirika Matoshi do të krijojë interpretimin e saj eteral të stilit të princeshave, përfshirë këtu 4 dizajne të ndryshme që janë po aq romantike sa edhe fustani i saj me dredhëza.
Njëri nga fustanat na sjell ambientin përrallor rural të përrallës; një tyl i kaltër i gjatë deri në fund të këmbëve, me re të bardha dhe kodra të gjelbërta.
Tjetri fustan është një homazh i fustanit që Cinderella vesh në ballo, po ashtu tyl me ngjyrë pink pastel, i cili vjen në disa versione, njëri prej tyre i shkurtë, me një fjongo të madhe që e bën të i ngjajë një forme të zemrës, tjetri me fjongo të vogla të vogla gjithandej dhe një version i tretë, poashtu me tyl pastel pink dhe me copëza resh. / KultPlus.com
Një video interesante nga arkivi i transmetuesit publik të Zvicrës, SRF i kushtohet punëtorëve shqiptarë nga Kosova, të cilët punonin në Zvicër në vitet `70 të shekullit të kaluar.
Protagonist i këtij dokumentari simpatik nga viti 1973 është Isak Bytyqi, i lindur në vitin 1923, punëtor ndërtimi. Edhe dokumentari fillon me prezantimin e tij: “Unë, Isak Bytyqi…”.
Ai rrëfen për punën në Zvicër, për gjendjen e tij familjare, kushtet që e kanë shtyrë të vinte për të punuar në Zvicër, etj.
Bytyqi thotë se edhe në vendlindje ka punuar në ndërtim por në Zvicër mund të fitohet më shumë, prandaj ka ardhur këtu. Me paratë e fituara nga puna në ndërtim, ai mban familjen në Kosovë, shkollon familjen.
Në Bruttisellen (ZH) ku ai punon, jeton në baraka të punëtorëve. “Gjermanishten nuk e kam mësuar. Këtu, në barak pothuaj të gjithë flasim shqip”, thotë Isaku.
Kamerat e SRF kanë marrë kuadro nga jeta modeste në barakat e punëtorëve, nga puna në ndërtim e Isakut dhe të tjerëve.
Isak Bytyqi planifikonte që të punonte edhe 2-3 vite, sa të ndërtonte një shtëpi në vendlindje dhe të blinte dele e gjedhe. Pastaj do të kthehej…
Nëse është kthyer vërtet atëherë dhe i ka realizuar planet e atëhershme, nuk mund ta dimë.
Bashkëbisedimi me protagonistin Bytyqi është realizuar në gjuhën serbe. /albinfo/ KultPlus.com
Shkrimtari dhe studiuesi i njohur i letërsisë shqipe, Sabri Hamiti, ka botuar librin e tij më të ri që mban titullin ‘Át Gjergj Fishta’, shkruan KultPlus.
Libri pritet të botohet në 80 vjetorin e kalimit në amshim të poetit kombëtar, Gjergj Fishta, ndërkaq në libër përmlidhen shkrime studimore e eseistike të Sabri Hamitit për Gjergj Fishtën, nga viti 1993 deri në vitin 2020.
Libri ka dalë në edicion të “Botime Françeskane” nga Shkodra, në kuadër të botimeve të revistës së famshme “Hylli i Dritës”. / KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përkujtuar Petro Nini Luarasin, njërin nga figurat më të rëndësishmë të arsimit shqiptar, shkruan KultPlus.com
Kryeministri shqiptar, Rama, ka kohë që ka krijuar rubrikën e tij “Homazh” në rrjetin social Facebook, ku ditë pas dite përkujton figura të rëndësishme të popullit tonë.
Këtu keni statusin e tij të plotë:
PETRO NINI LUARASI, ishte një ndër të ndriturit e këtij vendi, në një kohë kur errësira që e kërcënonte asokohe Shqipërinë, ia mori jetën përmes të shiturve për pesë para, më 17 gusht 1911.
«Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri do të ngrihemi!», pat kumtuar mësuesi i palodhur, një ndër shpëtimtarët e shqipes, që 99 herë u rrëzuan në përpjekjen e tyre dhe 99 herë u ringritën, mu si muret e shkollave në gjuhën amtare, të cilat u përhapën mes flakëve e tymit të urrejtjes e të pabesisë që ushqehej asokohe, ndaj shkronjave e ndaj shpërndarësve të tyre.
Nga shkolla e Qestoratit ku Koto Hoxhi luftonte fillikat për gjuhën tonë kundër të gjithëve, Petro Nini i Luarasit të Kolonjës, u nis misionar i shqipes në tërë ato vise ku shqipja nuk lëçitej e ku ungjilli veç në emër njihej. Ky patriot ortodoks i farës shqipe, e mbolli me shkolla në gjuhën tonë, për të mitur e për më pak të mitur, tërë djerrinën e Toskërisë së fundshekullit XIX, njësoj si Shën Andoni dhe Shën Benedikti, që farëzuan manastiret dhe mbrojtën kulturën gjatë barbarisë së mesjetës së hershme. E deshën Petro Ninin edhe agallarët e anës kombëtare, e deshi edhe opinga, siç i thoshin atëmot gjindjes së zakonshme. E përnderuan mësuesin e ndritur, qoftë uratët e thjeshtë të katundeve, mes të cilëve shenjtori theror i Negovanit, e qoftë baballarët e teqeve.
Plot tre herë e çkishëruan “heretikun” kolonjar që shpirtin e mendjen i kishte njësh me shqipen e mallkuar; si një Sokrat i përvuajtur, ai hartoi apologji të vërteta për shkronjat tona dhe u sha, u shty e u pështy nga plot derra tutkunë e të kënaqun të kohës, siç janë në fakt derrat e të gjitha kohëve. Drejtor i Mësonjëtores së Korçës dhe themelues i disa shoqërive shqiptare në Amerikë, në vitet 1904-1908, delegat në Kongresin e Manastirit, Luarasi i madh u sprovua në trup e në shpirt, nga kanosjet e burgosjet e një qeverie dudume dhe nga përdhosjet e një hierarkie klerikale halldupe. Asnjë e zezë nuk iu kursye.
99 herë u ringrit pas rrëzimeve, por më 17 gusht 1911, Petro Nini Luarasi u ngjit përfundimisht drejt Krijuesit që Rilindasit e quanin me emrin e bukur të « Zotit të Jetësë ». E kështu, një vit përpara se të ngrihej përgjithnjë flamuri i mëvetësisë, me misionin e tij plotësisht të përmbushur, ai u bë pjesë e gjakut dhe flakës gjithmonë të gjallë, në sfondin e shqipes dykrenare! Duke e kujtuar sot atë dhe natyrshëm, bashkë me të, tërë kalvarin e vuajtjeve e të sakrificave për gjuhën shqipe, në respekt edhe të besimit të tij e të rilindasve në Zot, është e pamundur të mos i drejtohesh Zotit, me lutjen që ta mbrojë shqipen e mrekullueshme nga kanosjet e përdhosjet e kohës së keqe të harbutshkrimit. / KultPlus.com
Angelina Jolie ka zbuluar se filmi i ardhshëm i animuar nga Disney+ i quajtur “The One and Only Ivan” nuk është film i lehtë.
Aktorja e cila ka fituar shumë çmime Oscar, është producente e këtij filmi si dhe zëri i elefantit Stella, film i cili është i bazuar në tregimin për fëmijë me të njëjtin emër. Flet për gorillën Ivan, i cili performon në cirk, por ëndërron jetën përtej grilave.
Angelina Jolie, në një intervistë për Digital Spy, tha: “Të gjithë që janë përfshirë në këtë film e kanë kuptuar zemrën e tregimit. Nuk është një film i lehtë, merret me probleme të rënda, por është i bukur, argëtues dhe plotë jetë. Mirëpo është ndryshe nga si duket nga jashtë”.
Aktorja 45-vjeçare shpjegoi se si vendosi të krijojë filmin pasi që njëri nga fëmijët e saj ia tregoi librin, transmeton KOHA.
“Mendova se është tregim shumë i rëndësishëm dhe dëshirova të përfshihem. Më pëlqyen porositë e tregimit. E di se gjeneratat e reja janë shumë më të vetëdijshme se çka po ndodhë me natyrën dhe kafshët tona.”
Regjisorja e filmit Thea Sharrock tha se krijimi i filmit nuk kishte qenë i lehtë, ku karakteri kryesor është prapa grilave 80 për qind të kohës.
“Duhet tërë kohën të paraqitni ëndrrën e tij, ëndrrën të cilën ia dha Stella, ëndrra për të dalë jashtë dhe për të qenë i lirë”, ka thënë ajo.
Notarja australiane Chloe McCardel shkruan emrin e saj në librin e rekordeve, teksa arriti të përshkojë me not Kanalin Anglez për herë të 35 duke thyer rekordin e meshkujve të vendosur në 2006-ën nga Kevin Murphy me 34 herë.
Notarja 35-vjeçare e përshkoi distancën prej 35 km nga Dover në Francën veriore për 10 orë e 40 minuta e për më tepër kjo ishte hera e 4 për të në 16 ditë që kalon kanalin anglez, transmeton TCH.
Chloe McCardel për më tepër është notarja e dytë që thyen rekordin e Murphy dhe me numrin më të lartë të përshkimit të Kanalit Anglez pas Alison Streeter që e ka kaluar atë plot 43 herë. për të realizuar këtë arritje, qeveria australiane arriti të sigurojë një leje të veçantë për McCardel për të udhëtuar drejt Britanisë për shkak të pandemisë Covid-19.
Në 2016, McCardel u bë e para notare Australiane që e kaloi Kanalin Anglez me not me 20 herë dhe tani vjen ky rezultat tjerë fantastik. Pas këtij suksesi, McCardel në momentin e kthimit në Australi do t’i kërkohet të hyjë në karantinë dhe të paguajë për akomodimin e saj në hotel gjatë kësaj faze.
Konstantinos Pangalis, shpjegon se cilët janë grekët e sotëm. Ai ngre pyetjen cilët ishin Helenët dhe Shqiptarët?
Profesori shpjegon se historia e sotme greke nuk ka lidhje me të vërtetën. Ai thotë që shqiptarët janë ilirë, madje shkon pak më tej, teksa ngulmon që Helenët e dikurshëm me gjasë janë shqiptarët e sotëm dhe jo grekët e sotëm!
Këto deklarata të tij janë pritur shumë keq në ambjentin politik ekstremist athinas, por duket se kjo profesorin nuk e ka shqetësuar shumë. 27.al/ KultPlus.com
Presidenti Ilir Meta vlerësoi tre nga emblemat e polifonisë shqiptarë, këngëtarë të grupit polifonik “Bejkë e bardhë”.
Në ceremoninë solemne të organizuar në sheshin kryesor të Pilurit, Kreu i Shtetit vlerësoi me Titullin e lartë, “Mjeshtër i Madh” , Kristo Çipa me motivacionin: “Për kontributin dhe talentin e spikatur në lëvrimin e këngës polifonike të Bregdetit. Si poet, prozator, publicist, organizator i grupeve folklorike dhe krijues i këngëve me karakter të theksuar lirik, shoqëror e atdhetar. Përçues i traditës dhe ideve të krijuesve popullorë e atdhetarë në trevën e Himarës”.
Gjithashtu, Meta vlerësoi me titullin “Mjeshtër i Madh”, Ermioni Mërkuri, me motivacionin: “Si një nga interpretueset më të talentuara të këngës polifonike piluriote. Me pasionin, zërin e rrallë dhe dashurinë për këngën e popullit te saj ajo ka luajtur një rol të madh në ruajtjen e traditës dhe kultivimit të mëtejshëm të folklorit të zonës”.
Ndërsa me titullin “Naim Frashëri”, Meta çmoi Dhimitraq Bala me motivacionin: “Si një prej këngëtarëve më të shquar të këngës polifonike. Me talentin e tij, si kthyes klasik e tradicional, i ka dhënë frymë dhe timbër kësaj kënge, duke fituar admirimin e publikut të gjerë të isopolifonisë”.
“Mesazhet e Luftës së Vlorës duhet të jenë udhërrëfyes edhe në ditët tona! Historia tragjike, por heroike e këtij fshati ngjan si dy pika uji me historinë e gjithë kombit tonë. Gjuha, kultura, zakonet, doket, këngët, vallet, karakteri pilurjotëve janë pjesë e ndritur e identitetit tonë kombëtar. Piluri ka qenë përherë burim force, urtësie dhe patriotizmi Në këtë shesh e në këto rrapa ka ndjerë ngrohtësinë e gurit shumë kapedanë e burra të shquar duke përmendur mes tyre edhe plakun e mençur të Pavarësisë dhe të shtetit tonë, Ismail Qemali”, tha Meta.
“Piluri nuk mund të perceptohet pa këngën e tij magjike. Kënga frymëzon luftën dhe zbukuron jetën. Breza të tërë në kushtet e një jete tejet të vështirë, janë frymëzuar dhe argëtuar nga kënga juaj perlë “Tundu Bejkë e bardhë tundu”. Ju i keni kënduar bukurive të bregut, dëshmorëve, betejave për liri, heronjve, lirisë së Kosovës dhe atdhedashurisë! Lirikat e Pilurit janë disa prej perlave në fondin e artë të iso-polifonisë dhe krejt kulturës sonë kombëtare”, u shpreh Meta.
Ky fshat, theksoi Meta, “Këngëtarët e “Bejkës së bardhë” e përcollën në mënyrën më të lartë artistike dhe në çdo skenë të vendit e të botës mesazhin e jetës dhe shpirtin e pilurjotit. Ndaj sot në shenjë nderimi, bashkë me kapedanët e Luftës së Vlorës kam kënaqësinë të vlerësoj edhe disa prej polifonistëve të shquar të këtij grupi. Edhe njëherë ju falenderoj për ftesën dhe për mikpritjen e përzemërt dhe vëllazore”.
“Lavdi heronjve të Luftës së Vlorës, lavdi kapedanëve dhe popullit të Himarës. Ju këndoftë zemra përherë. Urime dhe lumturi në familjet tuaj!”, u shpreh Meta.
Për fat të mirë, dikur kam qenë fëmijë. Asnjë lodër nuk më priste, kur zgjohesha në mëngjes, por kisha të gjithë botën që më vetëofrohej dhe unë duhet të krijoja. Në ato ditët kur “geni shpikës” vijonte ende gjumin nën cicërimat e zogjve, sajohesha me lojërat dembele në oborr.Një tel plot me rroba të varura. Aq shikoja dhe më mjaftonte. Ngjyrën dhe renditjen, s’i vija re fare. Futesha mes tyre, bëja figura, ndiqja hijen e gishtave të mij apo mahnitesha se si buburrecët në tokë arrinin t’u iknin pikave të ujit që kullonin nga çarçafët.
Nuk e di sa kohë mund të kalonte ashtu. Një zë i vajzave të lagjes më shkëpuste nga ajo botë dembele drejt “betejave” të vërteta. Ne luanim shpesh një lojë që quhej “topa ngjyrash”. Rregulli ishte ky: ndërsa të ndiqnin me topin në dorë, ti duhet të vrapoje për të prekur ngjyrën që ishte thënë. Ishte pikërisht ai, momenti kur pendohesha që kisha anashkaluar ngjyrën e rrobave…, por sot pendohem më shumë.
Pse?
Po ja, do të isha më sistematike në varjen e rrobave në tel. Se, mirë do të ishte sikur të mund të vetëvareshin…, por ja që nuk e bëjnë. Nuk do të fitoja një lojë, por një betejë me mamin dhe sytë e fqinjëve. Mirë që bëhesh “vajzë e mirë” (thënë në terma të tjera “bën detyrën”), por duhet edhe të jesh një farë ariktekteje apo dizenjuese e teshave në tel.
Të bardhat bashkë, të renditura sipas madhësisë. Eh, dikur fëmijë… të bardhat i nxija sa ishin në tel.
Ato me ngjyra nga më e errëta te e çelëta, apo e kundërta. Një art më vete. Një art dhe lojë prej të rriturish.
Në ditët e “zemëruara”, në vend që të mendosh për “shpullat” që të japin çarçafët, teksa i var në tel, duhet të bësh art edhe në rreshtimin e rrobave sipas kategorisë dhe ngjyrës, ashtu siç të ka mësuar mami, se ja i panë komshinjtë ashtu rrëmujshëm dhe u bë nami.
Me ato pak shoqe që e bashkëndaj këtë hall mund të komentoj vetëm: Më thuaj si i nder rrobat në tel, të them ç’vajzë je. / KultPlus.com
Pas shumë reagimesh, në pllakën përkujtimore është vendosur emri i Elizabeta Hasanit, 5-vjeçares rome që u vra bashkë me disa shqiptarë në masakrën e tregut të Mitrovicës, në vitin 1999.
Lajmin e bëri të ditur vetë Komuna e Mitrovicës.
Më poshtë mund të lexoni njoftimin e plotë.
Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga nënkryetari Faruk Mujka, së bashku me deputetin e Kuvendit të Kosovës, Albert Kinolli nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, sot kanë bërë zbulimin e emrit të vogëlushes së ndjerë, Elizabeta Hasani nga komuniteti rom, emri i të cilës është vendosur në pllakën përkujtimore kushtuar viktimave të masakrës së 13 marsit 1999 në tregun e Mitrovicës.
Pas vendosjes së luleve të freskëta nga kryetari Bahtiri, në shenjë nderimi për viktimat e rëna në atë masakër, ai tha se mos përfshirja e vogëlushes së ndjerë Elizabeta ka ndodh pa dashje dhe pa asnjë qëllim të keq, por vetëm si pasojë e mungesës së informacioneve.
Po ashtu kryetari Bahtiri theksoi se ka mbajtur premtimin e dhënë ndaj deputetit Kinolli për hulumtimin e duhur të këtij rasti, dhe pas marrjes së informacioneve të sakta, komuna ka vendosur emrin e Elizabetës në pllakën përkujtimore kushtuar viktimave të masakrës së tregut, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht nga kriminelët serbë.
Ndërkaq deputeti Albert Kinolli, tha se ndihet i kënaqur që bashkë me kryetarin Bahtiri dhe nënkryetarin Mujka, kanë mbajtur premtimin e dhënë për vendosjen e emrit të Elizabeta Hasanit, duke falënderuar për kontributin dhe angazhimin e dhënë nga ana e drejtuesve të Komunës së Mitrovicës.
“Kjo gjë dëshmon që shoqëria kosovare është e hapur dhe demokratike, nuk bën dallime as në viktima, sepse viktimat duhet të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, për shkak se viktima nuk njeh racë, as ngjyrë, komunitet, e as parti politike. Dhe këtë sot e kemi dëshmuar së bashku me kryetarin Bahtiri, ku jam i lumtur që drejtësia ka ardhur në vendin e vet, shpresoj që edhe dorasin herë do kurdo të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”, tha ndër të tjerash deputeti Kinolli. / KultPlus.com
Pas një pune dy mujore ka përfunduar restaurimi i një prej objekteve më të rëndësishëm të koleksionit të Muzeut të Ikonografisë “Onufri” në Berat,i ikonës “Shën Nikolla me skena nga jeta” e vitit 1591 me autor Onufër Qipriotin.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila ndër të tjera thotë se “ikona e dimensioneve të mëdha është marrë nga kisha e Shën Kollit në Kalanë e Beratit dhe prej vitit 1987 ka qenë e ekspozuar për vizitorët. Tashmë ajo rikthehet me të gjithë shkëlqimin e ngjyrave dhe vlerat që mjeshtri Qiprioti realizoi në vitin 1591”.
Sipas saj, vepra paraqiste shumë problematika, si: degradim të vernikut, plasaritje, abrasion të pelikulës piktorike, gufime, dëmtime dhe mungesë grundi, si dhe depozitime papastërtish të qëndrueshme si: dyll, parafinë, kullime verniku, bojë smalti, bloz, etj.
“Pas ndërhyrjes restauruese u arrit rezultati i dëshiruar, duke nxjerrë në dukje ngjyrat e ikonës, freskinë dhe madhështinë e veprës. Kjo ikonë sigurisht që pasuron koleksionin e Muzeut Onufri me madhështinë e ngjyrave të dorës së Onufër Qipriotit”, shprehet Margariti.
Muzeu Kombëtar Onufri është përshtatur në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, në Kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986.
Muzeu mban emrin “Onufri”, për nder të njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shek. XVI. Katedralja është e rindërtuar në vitin 1797 dhe është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pas-bizantine në qytetin e Beratit.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej mëse 1500 objektesh, pjesë e fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë dhe të qytetit të Beratit, ku 106 objekte janë ikona dhe 67 janë objekte liturgjike.
Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë shqiptarë, që u përkasin shekujve XIV – XX: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku dhe Çetirët (Gjergji, Johani, Naumi, Nikolla dhe Gjergji i riu), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë. Gdhendjet në dru të katedrales janë realizuar nga mjeshtrat Naum Ngjela nga Lavdari i Oparit dhe mjeshtër Stefan Barka nga Misrasi i Oparit në shekullin e XIX./ atsh/ KultPlus.com
Sot janë bërë 56 vite nga vrasja e mësuesit e patriotit Fazli Greiçevcit. Ai ishte në mesin e veprimtarëve më të shquar të viteve ‘60 të shekullit të shkuar.
Fazli Greiçevci u përkujtua sot edhe nga Albin Kurti, si një aktivist e intelektual i rrallë. Kurti gjithashtu në këtë datë të shënuar përkujtoi edhe dëshmorin e UÇK-së Cen Dugollin, i cili vdiq 22 vite më parë, më 17 gusht 1998, pas torturave në duart e hetuesve, në burgjet e pushtuesve.
Ky është postimi i plotë i Kurtit:
“56 vite më parë, më 17 gusht 1964, në burgun e Prishtinës pushtuesit serbë vranë mësuesin patriot, Fazli Greiçevcin. Në luftën e kombit për liri e bashkim, Fazli Greiçevci ishte në mesin e veprimtarëve më të shquar të viteve ‘60 të shekullit të shkuar. Ai ishte ndër themeluesit e Organizatës Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, e cila udhëhiqej nga Adem Demaçi, dhe si poet e mësues nuk ndalej së përhapuri idenë e qëndresës pa u ndalur e pa u thyer. Në prill të vitit 1964 ngriti flamurin kombëtar në majën e Goleshit. E për veprimtarinë e tij u arrestua në gusht të atij viti, u torturua çnjerëzisht nga UDB-ja për 14 ditë, dhe vdiq si hero, pa i mohuar bindjet e veta.
I vetëdijshëm se ndoshta nuk do ta arrinte vetë ditën e lirisë, ai i shkruajti kësisoj flamurit tonë kombëtar:
“Kur burgu sytë m’i verbon Përsëri kam me jetu… O ty dikush do të feston, Unë prap kam me u gëzu.”
Po sot, përkujtojmë edhe dëshmorin e UÇK-së Cen Dugollin, i cili vdiq 22 vite më parë, më 17 gusht 1998, pas torturave në duart e hetuesve, në burgjet e pushtuesve. Cen Dugolli u arrestua në shtëpinë e vet në Ferizaj, në qershor 1998. Dy muaj rresht ai u torturua deri sa iu ndal zemra. Por kurrë nuk i tregoi shokët e tij.
Lavdi për heronjtë tanë, të cilët duhet t’i kujtojmë përherë, idealistë siç kanë qenë. Ideali e çon përpara popullin tonë dhe projektin kombëtar, dhe historia e dëshmorëve është mësuese për ata që rriten në liri, që kurrë më të mos e humbin atë.” / KultPlus.com
Filmi artistik “Vulë” me skenar dhe regji nga Valmir Tertini do të jetë pjesë e festivalit të njohur amerikan New York True Venture Festival (NYTVFF).
Lajmin për KultPlus e ka bërë të ditur vet regjisori i cili ka thënë se ka pasur ftesë speciale që të marrë pjesë në këtë festival, por që është shtyrë si pasojë e pandemisë.
“Unë kam pas ftesë speciale nga festivali që të jem pjesëmarrës mirëpo pandemia e ka shtyrë këtë festival. Jemi në pritje dhe të disa festivaleve. Filmi ka një çmim si skenari më i mirë, para se të prodhohej, tani po presim vlerësime tjera”, ka deklaruar Tertini.
Ky film flet për Viktorian, një punonjëse e papërgjegjshme në Ambasadën Gjermane në Prishtinë. E varur nga alkooli, dhe me mungesë të një partneri, bën një jetë geto. Ndërsa punën për të cilën i është besuar posti nuk i intereson fare dhe le dosjet e hapura pa firmosur. Si një punonjëse e papërgjegjshme, ajo i dha një vizë njëvjeçare një djali nga Kosova vetëm për shkak se kishte marrëdhënie seksuale me të. Ajo u shkarkua nga ambasada, dhe rastësisht, ata e shohin njëri-tjetrin në aeroport kur udhëtojnë për në Gjermani.
Për realizimit e filmit “Vulë” në të cilin janë bërë bashkë aktorë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia ka dhënë mbështetjen e saj edhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri.
“Vulë” deri më sot ka pasur premierë në Tiranë dhe Podgoricë. Ndërkaq gjatë muajit korrik të këtij viti “Vulë” shënoi edhe premierën e tij evropiane në festivalit të njohur italian BCT. / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur sot në një takim njohës Këshillin e ri Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në përbërje të Osman Gashi, Bejtullah Destani, Bukurije Haliti dhe Feim Hoxha, përfaqësues i MKRS-së.
Në këtë takim u diskutua rreth punës, përgjegjësive dhe bashkëpunimit mes MKRS-së dhe BKK-së. Ndër çështjet që u biseduan ishin, forcimi i rrjetit bibliotekar të Kosovës, procesi i digjitalizimit, shpërndarja e librit dhe forcimi i mëtejmë i politikave për librin, duke rritur krijimtarinë, cilësinë botuese dhe qarkullimin e librit.
Ndër temat që ministrja Dumoshi përmendi ishte dhe themelimi i Qendrës së Librit, si një institucion në nivel kombëtar, i cili do të ketë në përgjegjësitë e tij, kontrollin e botimeve, aspektin e përkthimit të librit shqip në gjuhë të huaja dhe anasjelltas, ndër shumë përgjegjësi tjera.
Ministrja Dumoshi tha se pret një bashkëpunim me Këshillin Drejtues të BKK-së me qëllim të avancimit të bibliotekarisë në Kosovë. Ajo tha se Këshilli Drejtues janë ura lidhëse mes ministrisë dhe institucionit kryesor të bibliotekarisë në Republikën e Kosovës. Ministrja i njoftoi anëtarët e Këshillit me planet dhe veprimet konkrete që MKRS-ja do të ndërmerr në avancimin e infrastrukturës ligjore e fizike të bibliotekave në vendin tonë.
Nga ana e tyre, anëtarët e Këshillit Drejtues të BKK-së e falënderuan ministren Vlora Dumoshi për pritjen. Ata shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar konform dispozitave rregulluese që institucionin e bibliotekës ta mbajnë në drejtimin e duhur dhe të rrisin kapacitetin për promovimin, kultivimin dhe ruajtjen e librit. / KultPlus.com
Aktorja australiane, Elizabeth Debicki do të jetë në rolin e princeshës Diana, në dy sezonet e fundit të serisë së popullarizuar “The Crown”.
Debicki do t’u bashkohet aktorëve Jonathan Pryce dhe Imelda Staunton për dy sezonet e fundit të kësaj drame që trajton ngjarjet e lidhura me familjen mbretërore britanike dhe të cilën e transmeton Netflix, raporton BBC, transmeton KOHA.
“Është privilegj dhe nder që t’i bashkohem kësaj serie mjeshtërore, që më ka bërë për vete që nga episodi i parë”, ka shkruar Debicki në llogarinë e saj në Twitter. / KultPlus.com
Kryeministri, Avdullah Hoti ka bërë të ditur se ka zhvilluar bisedë me ministrin e arsimit, Rame Likaj por dhe institucionet tjera relevante, kurse janë duke finalizuar opsionet për organizimin e mësimit nga 1 shatori.
Hoti nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se janë duke zhvilluar udhëzuesit dhe rregullat të veprimit për cilëndo situatë që mund të paraqitet. Më poshtë gjeni statusin e tij të plotë:
“Sot, bashkë me zëvendëskryeministrat, diskutuam me Ministrin Likaj dhe bashkëpunëtorët e tij për fillimin e vitit shkollor. Ministri Likaj, me ekspertë të fushës, si dhe në konsultim me komunat, SBASHK-un, Këshillin e Prindërve dhe akterët e tjerë, është duke finalizuar opsionet për organizimin e mësimit nga data 1 shtator. – Komunat dhe drejtorët e shkollave do të kenë udhëzime të qarta se si duhet të organizohet mësimi varësisht nga kushtet që kanë në shkollat e tyre. – Mësimi online do të jetë gjithmonë aktiv. – Janë duke u zhvilluar protokolle të veprimit se çfarë masa duhet të ndërmerren në çdo situatë që paraqitet. – Do të ndërmerret një fushatë informuese për nxënësit dhe arsimtarët për masat mbrojtëse që duhet të zbatojnë. – Mësimdhënësit janë duke u trajnuar për mësimin online, si dhe po punohet që të kemi listë rezervë të mësimdhënësve që mund të angazhohen sipas nevojës. – Inspeksioni i arsimit do të jetë në mbështetje të shkollave për t’i udhëzuar për masat që duhet ndërmarrë, por edhe për të mbikëqyrë zbatimin e atyre masave.” / KultPlus.com