Shqiptarja vendos rekord botëror në hedhje me shtizë: E bëra që mami të mos pastrojë më shtëpi

Elina Zhengo, është kjo adoleshentja shqiptare në Greqi që ka fituar vëmendjen e dashurinë e të gjithëve. Një 20-vjeçare ndryshe nga të tjerat, me këmbë në tokë dhe duke arritur suksesin që e ka dërguar në qiellin e shtatë për një sekondë të vetme.

Kjo pasi Elina theu rekord botëror për 20-vjeçarë në hedhjen e shtizës teksa përfaqësoi Greqinë në Kampionatin e organizuar në fillim të gushtit.

Në një intervistë për gazetën greke “FOS”, ajo ka folur për këtë sukses të sajin, por edhe për objektivin e rëndësishëm që i kishte vënë vetes.

“Unë kam lindur në Selanik. Të dy prindërit e mi janë shqiptarë. A ndjehem greke? Sigurisht që po. Unë kam lindur në Greqi, jam rritur këtu, kam qenë në shkollë këtu. Jam greke, ashtu si jam edhe nga Shqipëria. Por ndjehem më shumë greke, pasi kam jetuar gjithë jetën time këtu”, tregoi ajo, përcjellë KultPlus.

Sporti është një pasion, por edhe një mënyrë për të harruar vuajtjet e një familje emigrantësh në Greqi, siç e tregon ajo në intervistën e saj.

“Kur theva rekordin mamaja e priste, pasi besonte të unë. Sigurisht që kishte emocione. Prindërit e mi kanë kaluar momente të vështira. I telefonova nga stadium dhe ata kërcyen nga gëzimi. T’u dhuroja atyre gëzim ishte gjithçka për mua, më dukej sikur po e bëja për ata se kanë kaluar shumë vështirësi.

Babai im ishte polic në Shqipëri, nëna ime ishte mësuese. Kur ata erdhën në Greqi, për shkak të krizës në Shqipëri, babai im punonte në ndërtim dhe mamaja pastronte shtëpi. Dhe ajo vazhdon ende të pastrojë shtëpi… I kam premtuar se ajo nuk do ta bëjë më kurrë këtë punë, sepse unë do të arrij deri aty sa me paraqitjet e mia ta siguroj që të mos punojë kurrë më”, ishte premtimi i Zhengos e cila duket në rrugë të mbarë për ta përmbushur atë. / KultPlus.com

Hakërrim

Poezi e shkruar nga Ali Asllani

Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,
nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!
Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,
Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!

Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,
ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!
Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,
dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!

Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;
hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot e maskarenjve;
Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,
ekselenca dhe shkëlqesa, tuti quanti come vuole!

Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,
ju shkëlqen në kraharuar dekorata “Grand Cordon”!
Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t’ju thërres’
gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkëlqes’
dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’,
në ka zot dhe do duroj’, posht ky zot, ky palo zot!

Grand Kordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur,
ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të veremosur;
dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’,
ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!
Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh,
kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!

E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,
mbasi dora e armikut ty me shok’ të heq për hunde.
Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh,
të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal’ në vesh!

Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet
dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet!
Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë
nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë!

Mirpo ju që s’keni pasur as nevoj’ as gjë të keqe,
më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!”
Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,
sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!
As ju hahet, as ju pihet, vetëm titulli ju kihet…
Teksa fshat’ i varfër digjet… kryekurva nis e krihet!

Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,
ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira!
Ç’na pa syri, ç’na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri:
te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!

Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’
Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!

Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,
dylli bëhet si të duash, kukuvajk’ dhe dallëndyshe…
kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar,
nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!

Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera
kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…
Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!

Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut,
fshini sofrat e kujtdoj’, puthni këmbën e armikut!
Që ta kesh armikun mik e pandehni mençuri,
mjafton bërja pasanik, pasanik dhe “bej” i ri,
dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura,
kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!

Vendi qenka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfytë,
bëni sikur veni vetull’, shoku-shokut kreni sytë…
Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë.
Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!

Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me bubullimë,
ky i sotmi zër’ i errët, bëhet vetëtimë
dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj,
nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’!

A e dini që fitimi brenda katër vjet mizor’
nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror,
ësht’ i syrit në lot mëkuar, ësht’ i vendit djegur, pjekur,
Ju do thoni si të doni… po e drejta dërmon hekur!/KultPlus.com

‘Vetëm 35 dollarë dhe një ëndërr’, Madonna kujton kohën kur e nisi karrierën me pothuajse asgjë në xhep

Madona, që tashmë ka arritur moshën 61 vjeçare, vazhdon të mbetet njëra ndër ikonat e muzikës ndërkombëtare, shkruan KultPlus.

Si shumë artistë të tjerë që tashmë kanë prekur majat e suksesit, edhe Madonna ka hasur në vështirësi ekonomike gjatë këtij rrugëtimi.

Ajo përmes një postimi në rrjetin social Instagram, ka publikuar një fotografi të vjetër ku ka shkruar: Pa YouTube, Pa Vine, Pa The Voice, Pa American Idol, Pa Disney. Vetëm 35 dollarë dhe një ëndërr. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/CDkeOeEhtwG/?utm_source=ig_embed

Çikat e Kosovës po na e zbardhin fytyrën, Rita e Dua po lënë vulën në skenën ndërkombëtare

Rita Ora e Dua Lipa, dy këngëtaret kosovare, sukseset e të cilave po lënë vulë të madhe në historinë e muzikës ndërkombëtare dhe jovetëm. Ato të dyja janë shprehur gjithmonë krenare për prejardhjen e tyre, kanë përkrahur gjithmonë vendin e tyre duke e përmendur shpesh në intervista dhe duke iu bashkangjitur nismave të ndryshme për Kosovën, shkruan KultPlus.

Ky vit, ka qenë një vit ku të dy këngëtaret kanë qenë mjaft aktive, Dua në skenën muzikore kurse Rita në nisma të ndryshme humanitare.

Dua Lipa sëfundi u listua ndër dhjetë këngëtaret më të klikuara në platformën muzikore Spotify, ndërkaq pak javë më parë ajo u nominua për çmimin “Mercury Prize” të vitit 2020, që është pa dyshim çmimi më prestigjioz në muzikën pop britanike.

Këtë vit Dua publikoi edhe albumin e saj ‘Future Nostalgia’, album ky i cili i solli asaj suksese të jashtëzakonshme, duke u bërë albumi më i shitur në botë nga një artiste femër, në vetëm 4 muaj pas lansimit.

Ndërkaq, Rita Ora, në anën tjetër, këtë vit ka qenë më shumë e angazhuar në nisma humanitare, mirëpo ka premtuar edhe lansimin e këngëve të reja.

Sëfundi, Ora, u bë protagoniste kryesore në njërin ndër koncertet që konsiderohen si mbështetja më të mëdha në historinë e Mbretërisë së Bashkuar, të organizuar nga Unicef. Këngëtarja ndër të tjera është edhe ambasadorja e Unicefit për Mbretërinë e Bashkuar, ku si synim ka pasur mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e fëmijëve nga Covid19.

Rita poashtu këtë vit ka mbështetur edhe nisma të ndryshme për gratë, duke mos hezituar së publikuari këtë mbështetje në rrjete sociale, ndërsa në intervista të ndryshme ka potencuar se gjatë jetës së saj është frymëzuar vazhdimisht nga gratë.

Gjatë kohës së pandemisë Rita Ora ka qenë edhe pjesë e ‘One World: Together at home’, performanca e së cilës që ka pasur për qëllim përkrahjen e punonjësëve të shëndetësisë në gjithë botën kundër luftës me Covid19.

Rita dhe Dua për një periudhë shumë të shkurtë kanë arritur të bëhen shumë të dashura për publikun ndërkombëtar edhe për atë shqiptar.

Kjo ishte vetëm një përmbledhje e shkurtë e disa prej sukseseve të Ritës e Duas, pasiqë ato me veprimtarinë e tyre këtë vit e sigurisht se edhe vitet tjera, u treguan tejet të suksesshme. / KultPlus.com

Pamje fantastike: Lumi i qytetit të Kamenicës pas reshjeve të shiut

Reshjet e ditëve të fundit në Kosovë kanë zbutur thatësinë që e kishte përfshirë vendin tonë.

Që nga e mërkura pothuajse çdo ditë në vendin tonë ka pasur reshje shiu, gjë që ka bërë që të rritet edhe niveli i lumenjve.

Fotografi, Arian Mavriqi ka realizuar një foto të lumit në komunën e tij, Kamenicë e ku shihet se niveli i lumit të këtij qyteti është rritur dukshëm.

Reshje shiu  në Kosovë pritet të ketë edhe gjatë vikendit.

David Silverman, regjisori i The Simpsons do t’i bashkohet edicionit të 11-të të Anibar!

David Silverman, regjisori i The Simpsons do t’i bashkohet edicionit të 11-të të Anibar, shkruan KultPlus

Jemi të emocionuar të ju njoftojmë se këtë edicion, David Silverman, regjisori i The Simpsons do të jetë pjesë e Programit tonë të Prezantimeve, duke u bashkuar me ne virtualisht!

Silverman është i njohur për regjinë e realizuar te serialeve të animuar The Simpsons, si dhe filmit The Simpsons. Ai ka qenë i përfshirë me serialin që në fillim, duke animuar Simpsons origjinalë te shkurtër te cilët u transmetuan në shfaqjen The Tracey Ullman. Silverman njihet kryesisht për krijimin e shumicës së “rregullave” për vizatimin e Simpsons.

Ai ka një karrierë të gjerë regjisoriale në filma të animuar duke përfshirë filmin The Simpsons, Monster Inc, Ice Age, Robots, dhe Looney Tunes: Back in Action.

Në këtë prezantim David Silverman do të ndajë përvojën e tij në drejtimin e një prej serive më të shquara në Historinë e Televizionit!

Gonxhe Xhiha Basha, vajza a parë në Ballkan që kërceu nga Ura e Fshejt dhe ajo e Mostarit

Nuk është e pazakontë që gratë shqiptare ndër vite kanë lënë gjurmë të mëdha në historinë e vendit dhe jovetëm

Ndër to është edhe Gonxhe Xhiha Basha, e cila është vajza e parë në Ballkan që ka kërcyer nga Ura e Fshejt, në 22 metra lartësi dhe ajo e Mostarit në 30 metra lartësi në still dallëndysheje, këtë kërcim ajo e ka realizuar në moshën 17 vjeçare, shkruan KultPlus.

Për shkak të përkatësisë së saj kombëtare, autoritetet ish jugosllave në fillim nuk e lejuan atë të merrte pjesë në këto gara, me të vetmen arsye, që një shqiptare mos të jetë kërcyesja e parë femër në ish Jugosllavi.

Mirëpo, një gjë e tillë asaj iu lejua pak më vonë, dhe Gonxhe Xhiha-Basha fal performancës së suksesshme ia doli të rrëmbejë çmimet kryesore të garave.

Fotografia e bërë në Gjakovë 1982. / KultPlus.com

Më 7 gusht 1990, Serbia ndaloj botimin e gazetës ‘Rilindja’

Gazeta “Rilindja”, e cila për herë të parë ka dalë më 12 shkurt të vitit 1945 në Prizren, konsiderohet ndër pjesët më të rëndësishme të historisë sonë, si gazeta e parë në gjuhën shqipe në Ish Jugosllavi, shkruan KultPlus.

Më 7 gusht të vitit 1990 gazeta Rilindja u ndalua natën me forcë në shtypshkronjë nga Serbia që atë kohë kishte okupuar Kosovën, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënin shtetrrethim redaksisë së gazetës.

Gazeta shtypej në Shtypshkronjën Shtetërore në Prizren nga numri 1 deri në 60-të. Numri 61 i gazetës faqoset dhe shtypet në Prishtinë në Shtypshkronjën Krahinore të Frontit Popullor. Nga 29 Nëntori 1958 “Rilindja” vazhdon rrugëtimin e saj si gazetë e përditshme.

Më 5 shtator 1990, nga pushtetit serb u ndalua botimi i saj, ndërsa pas hyrjes së forcave të NATO-s, më 12 qershor 1999 ajo del përsëri, por këtë here me faqe të shtuara dhe një pjesë e tyre me ngjyra, kurse nga viti 2009 nuk botohet më.

Ani pse gazetë e sistemit, ajo në momente të caktuara ka ditur dhe ka gjetur forcë që të gjejë hapësirë për të dhënë edhe porosi kombëtare. Ajo veçohet për disa aksione me rëndësi për Kosovën, siç ishte rasti për hapjen e Universitetit të Prishtinës e disa aksione të tjera. Veçmas rubrika e kulturës ka prirë për nga autonomia dhe të shkruarit ndryshe për rrjedhat e letërsisë, artit, shkencës, filmit, teatrit e fusha të tjera.

Mund të thuhet lirisht se “Rilindja” ka qenë edhe çerdhe e ngritjes intelektuale pasi ajo ka tubuar në gjirin e saj intelektual në zë që më pastaj kanë bërë emër në letërsinë,artin, shkencën e Kosovës dhe më gjerë.

Si e tillë kujtojmë se ajo meriton një vëmendje më të madhe dhe një iniciativë nga institucionet përkatëse të vendit që ajo sërish të dalë dhe të jetë pjesë e medieve të tjera të shkruara që botohen në Kosovë. Sepse, ajo ishte dhe mbetet pjesë e historisë së Kosovës, me gjithë të metat dhe kritikat që mund t’i bëhen asaj nga kjo distancë kohore. / KultPlus.com

Dyshime se dikush po i helmon qentë në Prishtinë

Tash e disa ditë qentë endacakë në parkun e qytetit në Prishtinë po gjenden të ngordhur. Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve, dyshon se dikush po i helmon qentë, duke iu hedhur mish të helmuar.

“Tash e disa ditë me radhë, aktivistët për mirëqenien e kafshëve në Prishtinë kanë ngritur shqetësimet për helmim të qëllimshëm të qenve në parkun e qytetit. Abuzimi dhe vrasja e qenve është veprim i dënueshëm me gjobë dhe burg sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Këto veprime, përveç që janë mizore dhe kriminale, nuk e zgjidhin problemin me numrin e madh të qenve endacakë në Kosovë”, thuhet në reagimin e kësaj shoqate.

Ndërkohë, edhe sot gjatë ditës, Komuna e Prishtinës është informuar për një qen tjetër të ngordhur.

“Qendra 112 na njofton se te parku i qytetit në rrugën ‘Hamzë Jashari’ është një qen i ngordhur afër kafenesë RONI, policia ka dalë në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftim.

Rita publikon fotografi provokuese, nëna e ngacmon në komente

Rita Ora ditët e fundit ka qenë mjaft aktive me postimet e saj përgjatë pushimeve verore, ku nuk kanë munguar edhe komentet qesharake nga nëna e saj, shkruan KultPlus.

Këngëtarja së fundi ka postuar disa fotografi me bikini ngjyrë ari, në të cilat edhe këtë herë provokoi me paraqitjen.

Bikinit më të vogla se përmasat e saj, vunë në pah fizikun e këngëtares, e cila po merrte rreze dielli.

Nuk mungoi komenti i nënës së saj, e cila i shkruan “Po qaj peni shume i hollë koka”, duke e ‘ngacmuar’ për bikinit e vogla.

Këtë koment Vera e ka bërë në shqip, e në koment në gjuhën angleze, psikiatrja e përkrah vajzën e saj, duke i thënë: “Ashtu zemër, kur i ke, shfaqi”, për format e saj të trupi. / KultPlus.com

Bie shi, Adrianë

Poezi e shkruar nga Mitrush Kuteli

Bie shi,
Adrianë,
bie shi i qetë mbi qytet,
shi që më bluan e më vret,
dhe s’di ku të shkoj
nëpër Tiranë.

Të kërkoj,
Adrianë,
me ankth nëpër qytetn’ e shkretë,
ku shtrydhen retë
dhe diell s’lind e s’perëndon
përmbi Tiranë.

O sa çudi,
Adrianë,
të duash të mos jesh njeri,
dhe gurëve t’u kesh zili,
-se gurët s’vuajnë kur bje shi
përmbi Tiranë!/ KultPlus.com

Dua Lipa i bën një dhuratë teatrit “Dodona”

Teatri “Dodona” prej tash e tutje do ta ketë webfaqen e re ku qytetarët mund të informohen për të gjitha të rejat rreth shfaqjeve dhe aktiviteteve të tjera.

E këtë ëebfaqe ia ka dhuruar Fondacioni Sunny Hill dhe këngëtarja Dua Lipa, njofton Klan Kosova.

Bashkë me njoftimin për këtë dhuratë, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, ka falënderuar ata.

“Teatri “Dodona” prej tash ka webfaqen e re, ku mund të informoheni për të gjitha të rejat rreth shfaqjeve dhe aktiviteteve të tjera. http://teatridodona.org/ është dhuratë nga Fondacioni Sunny Hill dhe Dua Lipa, për të cilën i falënderojmë nga zemra. #prishtina””.

Osmani: Me ligjin e ri ndëshkohen personat që thonë se nuk ka virus

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se për arsye të ndryshme është zvarritur shqyrtimi i Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e COVID-19 në territorin e Kosovës.

Sipas saj, me këtë ligj është paraparë të ndëshkohen të gjithë ata persona që thonë që nuk ka virus.

“Me këtë ligj do të sankionohen personat fizik dhe juridik që nuk zbatojnë masat e vendosura nga ana e qeverisë, që pritet që nëpërmjet amandamentit të bëhet detyruese, ku parashihen ndëshkime, që me ndikimin e tyre keqpërdorin duke thënë që nuk ka virus, sepse dëmi që e bëjnë në shoqëri është i madh dhe dezinformatat e tyre nuk do të duhej lënë pa u ndëshkuar”, theksoi ajo.

“Më në fund për arsye të ndryshme ky ligj është zvarritur përkundër faktit se ka qenë kërkesë e qartë. Përkundër situatës së rënduar nga panddemia Covid-19, ligji ka mbetur peng i politikave, e vendosin shëndetin para politikave. Ky ligj që e kemi iniciuar së bashku me 5 deputetë të tjerë. Ky ligj ka për qëllim që nëpërjmet kufizimeve të jetë me efektiv për parandalimin e kësaj pandemie në respektim të kushtetueshmërisë”, ka thënë Osmani.

“Ky ligj hynë në fuqi në ditën e miratimit, por shfuqizohet automatikisht nga pushimi i arsyeve për nxjerrjen e tij. Këtë ligj deputetët do të mund ta trajtojnë nëpërmjet dy leximeve”, tha tutje ajo.

“Projektligji e trajton bazën kushtetuese, presim që Komisini i Shëndetësisë ta plotësojë për nevojat e duhura, pasi që koha kur është inicuar ka qenë ndryshe në muajin mars nga tash që kemi 300 të peronave që kanë vdekur”, vlerësoi ajo.

Sipas Osmanit, rrethanat me të cilat po përballet vendi ky ligj mund të plotësohet.

“Ky ligj nuk është i Vjosa Osmanit, por i dëputetëve të Kuvendit të Kosovës”, shtoi në fund ajo. / KultPlus.com

Shqiptarit i digjet banesa gjatë propozimit për martesë

Albert Ndreu, shqiptari që jeton në Sheffield të Britanisë së Madhe, ka kaluar dy javë duke planifikuar në detaje propozimin që deshi t’i bëjë të dashurës së tij, Valerija Madeviq.

Ndreu vendosi që ta befasojë atë duke e mbushur dhomën me qirinj dhe 60 balonë, shkruan The Telegraph. Gjithçka po shkonte sipas planit deri në momentin kur banesa u përfshi nga flaka prej qirinjve, të cilët krijonin formën e fjalisë “a martohesh me mua?”

Me gjithë pengesat, Ndreu u ulë në gjunjë dhe i propozoi Valerija Madeviqit për martesë, e cila iu përgjigj me PO.“Nuk shkoi ashtu siç e kam menduar, por ajo tha po, dita mori një kthesë të papritur, por në fund përfundoi ashtu si dëshiroja të shkonte” ka deklaruar Ndreu.Ai shtoi se kjo çfarë i ka ndodhur atij shpreson që të shërbejë si paralajmërim për ata të cilët kanë shumë dashuri ose shumë qirinj.Tani çifti janë duke qëndruar tek të afërmit e tij.

MKRS përgëzon organizatat kulturore nga Kosova, fituese në thirrjen e programit ‘Evropa Kreative’

Këtë javë janë publikuar e rezultatet e thirrjes së fundit “Cultural Cooperation Projects in the Western Balkan Region 2020”,  të hapur në kuadër te programit Evropa Kreative.

Nga mbi 300 aplikime nga e gjithë Evropa, vetëm 13 projekte janë shpallur fituese ndër te cilat 6 organizata kulturore nga Kosova kanë përfituar grante si partnerë në 4 projekte të ndryshme.

Duke e marrë parasysh faktin se Kosova është anëtarësuar ne Programin Evropa Kreative së fundmi, saktësisht në fund të vitit 2018, ky rezultat është një arritje jashtëzakonisht  e rëndësishme si për operatorët kulturorë kosovarë, për Ministrinë e Kulturës, por edhe për Kosovën.

Organizatat kulturore të Kosovës të cilat janë shpallur fitues të kësaj thirrjeje janë : RRITU, KOSOVO CHOPIN ASSOCIATION, KOSOVO ARCHITECTURE FOUNDATION, KOMUNA E PRISHTINËS, NGO AKTIV DHE ANIBAR.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përgëzon të gjitha organizatat kulturore të Kosovës për këtë arritje të madhe dhe siguron se do të vazhdojë me përkushtim punën në përkrahjen e organizatave  kulturore vendore në veprimtarinë dhe  aktivitetet e tyre që po i bëjnë nderë imazhit të Kosovës. / KultPlus.com

AGK dhe ShSK ndajnë maska e dezinfektues për gazetarë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), së bashku me Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës (ShSK), sot kanë nënshkruar kontratë bashkëpunimi, me qëllim që t’u ndihmohet gazetarëve në Prishtinë, marrë parasysh se, siç theksohet, nga fillimi i pandemisë Komuna e Prishtinës është ballafaquar me numrin më të lartë të rasteve të infektuar me Covid 19.

AGK thotë se në donacionin e siguruar nga ShSK-ja bëjnë pjesë 15 mijë maska, tremijë dezinfektues, 100ml dhe 300 dezinfektues 1l.

Kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli Pustina, e vlerësoi të një rëndësie të veçantë këtë ndihmë të ShSK-së për t’i mbrojtur gazetarët, të cilët, aiç deklaroi, edhe ashtu ballafaqohen me probleme të shumta, jo vetëm financiare.

Sipas saj, mbrojtja e gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve, kontribuon jo vetëm në mbrojtjen e shëndetit të tyre dhe funksionimin e medias, por edhe në informimin e saktë dhe në kohë reale te qytetarët e Republikës së Kosovës.

Teksa, drejtori i ShSK-së, Sami Mazreku, u shpreh i përkushtuar të thellojë bashkëpunimin me AGK-në, me ç’rast theksoi gatishmërinë që AGK së bashku me ShSK-në të organizojnë trajnime vjetore për gazetarët që raportojnë për ekonomi dhe po ashtu t’i shpërblejnë gazetarët përvjetshëm me tri çmimet për storiet më të mira.

“Sa i përket procedurës së shpërndarjes, AGK posedon listat e kolegëve tanë që punojnë në terren dhe të cilët janë furnizuar me pako mbrojtëse gjatë donacionit të parë. Për tërheqjen e pakove të reja, të njëjtit do të njoftohen me kohë”, thuhet në njoftim.

AGK njofton se do ta vazhdojë angazhimin drejtë sigurimit të donacioneve tjera, në mënyrë që të ndihmohet komuniteti që përfaqësojmë dhe kolegëve tanë t’iu lehtësohet sado pak puna përgjatë pandemisë.

Saldana kërkon falje për rolin e Nina Simones

Aktorja Zoe Saldana ka kërkuar falje që ka luajtur në rolin e Nina Simone në një film biografik të vitit 2016, i cili u kritikua shumë.

Ylli i Marvelit, e cila ka prejardhje domenikane e puertorikane, vendosi një hundë protezë dhe përdori grim me ngjyrë të errët për rolin e saj. Trashëgimtari i Simones refuzoi ta miratojë filmin, kurse vajza e këngëtares vuri në pikëpyetje trupën e zgjedhur Në një intervistë të fundit, e cila u transmetua live në Instagram, Saldana tha: “Nuk do të duhej ta luaja Ninën kurrë. Do të duhej të bëja çdo gjë me të gjithë fuqinë që kisha me avantazhet që gëzoja para 10 vjetëve, të cilat ishin avantazhe të tjera, por megjithatë kisha avantazhe, përcjellë KultPlus.

Do të duhej të bëja çdo gjë duke e përdorur fuqinë time, që një grua e zezë ta luante këtë rol, gjë që pritej normalisht”.

Në një shkrim në faqen zyrtare të Nina Simone-s më 2012, vajza e këngëtares, Simone Kelly, shkroi: “Unë e dua Zoe Saldanan, ne të gjithë e duam Zoe-n…Që nga Avatar deri të Colombiana, i kam parë këta filma disa herë”.

“Por, nuk është secili projekt për gjithkënd. Dhe e di se çfarë do të mendonte nëna ime. Thjesht, nuk ma kap truri”.

Filmi i quajtur Nina u përqesh nga kritikët dhe ka rangim rreth 2% në uebfaqen e rishikimeve Rotten Tomatoes.

Saldana, e cila kishte luajtur edhe në Guardians of the Galaxy dhe në dy filmat e Marvel’s Avengers, tha se Simone “ka merituar më mirë”.

“Atë kohë mendova se kisha lejen (që ta luaja rolin e saj) sepse isha grua e zezë,” tha Saldana. “Dhe unë jam. Por kjo ishte Nina Simone. Dhe Nina kishe një jetë dhe një rrugëtim që do të duhej të ishte – dhe duhet të jetë – i nderuar deri në detajin më të imët sepse ajo ishte një njeri detajist”. Me emocione, Saldana shtoi: “Për këtë unë them: Më falni. Më falni. Sot di më mirë dhe kurrë nuk do ta bëj më atë”.

“Ajo është një nga njerëzit tanë të mëdhenj dhe dikush duhet ta marrë këtë rol. Dikush tjetër duhet ta tregojë historinë e saj.”
Pendimi i Saldanas për rolin shënjon një hyrje nga komentet e saj paraprake duke e mbrojtur pjesën e saj të filmit.

Më 2013 ajo i tha revistës “Latina”: “Më lejoni t’ju them, nëse Elizabeth Taylor mund të bëhet Cleopatra, edhe unë mund të bëhem Nina. Më falni. Nuk ka lidhje se sa reagime do të marr për të. Unë do ta nderoj dhe respektoj komunitetin e njerëzve me ngjyrë sepse kjo jam unë.

Në një tjetër intervistë për Allure në vitin 2016, ajo tha: “Nuk ka ndonjë mënyrë që të jeni e zezë. Ju nuk ia keni idenë se kush jam unë. Unë jam e zezë. Po rris burra të zinj. Mos mendoni se mund të më shikoni dhe të më drejtoheni me kësi lloj përbuzjeje”.

Por, në kohën kur filmi doli, trashëgimtari i Nina Simones shkroi në Twitter: “Ju lutem hiqeni nga goja emrin e Ninas. Për gjithë jetën. Shpresoj se njerëzit do të fillojnë ta kuptojnë se kjo është e dhimbshme. Është zemërthyese, e neveritshme, dërrmuese.”

Nina Simone ka qenë një këngëtare e nderuar dhe aktiviste e të drejtave të njeriut, e njohur për këngët si Feelin’ Good, I put A Spell On You dhe I Loves You, Porgy. Ajo vdiq më 2003, në moshën 70-vjeçare. / KultPlus.com

“Monumenti duhet të ndërtohet në bazë të historisë reale dhe jo në bazë të një biberoni”

Së shpejti pritet të ndërtohet Kompleksi Memorial “Fëmijët Martirë të Kosovës 1981-1999″, shumë afër Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, shkruan KultPlus.

Autori i këtij kompleksi është Rrezeart Galica. Por ky kompleks memorial ka marrë kritika të shumta.

Duke e krahasuar me memorialët në botë që i janë kushtuar fëmijëve që kanë humbur jetën në luftëra, memoriali i ideuar nga Galica po konsiderohet i dobët.

Gazetarja Arbana Hajredinaj ka reaguar sot përmes një statusi në Facebook teksa është shprehur se monumenti duhet të ndërtohet në bazë të historisë reale dhe jo në bazë të një biberoni si simbolikë që në realitet simbolizon vetëm moshën e fëmijëve që e përdorin biberonin.

Ky është reagimi i plotë i Arbanës:

Ne duhet të mësohemi që ta respektojmë artin. Duhet të mësohemi që ta respektojmë historinë. Duhet të mësohemi që ta respektojmë viktimën. Duhet të mësohemi që ta respektojmë fëmiun. Duhet të mësohemi që ta respektojmë veten dhe vendin tonë sepse vetëm në atë mënyrë mund të ndërtojmë monumente. Monumenti duhet të ndërtohet në bazë të historisë reale dhe jo në bazë të një biberoni si simbolikë që në realitet simbolizon vetëm moshën e fëmijëve që e përdorin biberonin. Jo biberoni si monument sepse kufizon moshë dhe nuk ka kurrfarë domethënie. Monumenti ndërtohet në bazë të ngjarjes, historisë dhe me shumë ndjenja e dashuri. Po nuk i dhe jetë atij monumenti do të thotë që nuk ke bërë kurrgjë. Me një monument me biberon do të dukemi edhe më qesharakë sepse do të kuptohet që i kemi kushtuar monument biberonit. Po e bërë për famë e për para më mirë mos ja nis. / KultPlus.com

Ermonela Jaho rrëfen albumin e saj: ‘La traviata” shkaku që u bëra soprano, sot ëndërr e jetuar treqind herë

Sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho sjell albumin me 14 arie operistike “Anima Rara”. Artistja rrëfen arsyet, se përse në këtë album recital ka përzgjedhur edhe rolin e Violetës tek “La traviata”, të cilën e ka kënduar rreth 300 herë në skenat më prestigjioze të botës.

Sopranoja e njohur shqiptare, Ermonela Jaho, as gjatë pandemisë COVID 19 nuk ka hequr dorë nga muzika klasike. Ajo është duke punuar për t’i dhënë jetë albumit recital “Anima Rara”.  Në këtë album artistja përfshinë muzikën e interpretuar nga sopranoja e njohur lirike Rosina Storchio.

Ariet e disa prej operave më të njohura, që Jaho këndon janë: ‘Madama Butterfly’ e Puçini-t, ‘La Bohmeme’ e Leoncavallo-s, ‘Siberia’ e Giordano-s dhe ‘La traviata’ e Verdi-t, e shoqëruar nga Orkestra “Comunitat Valenciana Andrea”. Vet artistja përmes rrëfimit në rrjete sociale, zbulon detaje për regjistrimin e arieve operistike, veçanërisht “La traviata”-s.

“’La Traviata’ është shumë e veçantë për mua, pasi ka qenë opera e parë që kam dëgjuar. Madje ka qenë shkaku, pse unë vendosa të bëhesha këngëtare klasike.  Pasi e dëgjova këtë operë për herë të parë, rashë menjëherë në dashuri me shpirtin e Violetës dhe ëndrra ime filloi. Dëshiroja të interpretoja të paktën një herë në jetë rolin e Violetës. Dhe tani, e kam jetuar këtë ëndërr përreth 3 qind herë. Dhe çdo herë, në secilin nga rastet që unë kam veshur fustanin e saj kam zbuluar shpirtin e saj njerëzor të lidhur me shpirtrat tanë njerëzor”, shprehet sopranoja Ermonela Jaho.

E vlerësuar nga kritika botërore, si një nga këngëtaret më të shkëlqyera lirike, për vërtetësinë dhe forcën që përcjell përmes interpretimit, sopranoja shpjegon arsyet, se përse në rolin e Violetës, ka gjetur vetveten

“Çdo herë kam zbuluar shpirtin e Ermonelës dhe kjo është një nga arsyet që pse unë dua që aria nga “La traviata” të jetë në albumin tim të parë. Ne vendosëm të këndojmë “Addio del passato”, arien nga akti i fundit i Traviatës. “Addio del passato” është një lamtumirë që i jepet jetës. Violeta është tërësisht e braktisur, nga Zoti apo shoqëria dhe njerëzit që ajo do.  Unë e lidh gjithmonë këtë pjesë me ndjesinë e të arriturit në atë pikë, sa të humbasësh besimin në çdo gjë që ka pasur rëndësi në jetë. Dhe kjo është kaq e trishtë!”, vijon Jaho.

Ndonëse, eksperiencat që artistja shqiptare numëron në skenat botërore janë të shumta, ajo vazhdon që ta dojë përherë edhe më shumë rolin e Violetës tek “La traviata”.

 “Ne të gjithëve na ka ndodhur të gjendemi buzë greminës dhe është shumë e dhimbshme. Është shumë e dhimbshme, dhe të kuptohesh vetëm pasi ke ikur. Siç ndodhi me Violetën. Kam zbuluar veten time në këtë arie, sa herë e kam kënduar. Ndërsa jeta kalon dhe numëroj eksperienca të reja, kjo arie më bën të reflektoj për secilën prej tyre, ja pse e pëlqej atë kaq shumë”.

Në albumin “Anima Rara” që del në treg edhe në formatin fizik e digjital nga data 25 shtator, përfshihen 14 arie me muzikën klasike më të vlerësuar në botë. / Shqiptarja.com/ KultPlus.com

‘Vera Andrron Detin’ në ‘Work in Progress’ të Festivalit të Sarajevës

Filmi i gjatë artistik ‘Vera Andrron Detin’ me regji të Kaltrina Krasniqit dhe skenar të Doruntina Bashës, i cili është në fazën e postproduksionit do të jetë pjesë e programit ‘Work in Progress’ në kuadër të festivalit.

Filmi ka për personazh kryesor një 64-vjeçare përkthyese e gjuhës së shenjave, që jeton në Kosovë. Ajo e sfidon burrin e saj patriarkal me qëllim që të mbrojë vajzën e saj të cilën ai e ka mohuar.

Filmi “Vera Andrron Detin” me producent Shkumbin Istrefin, është bashkëprodhim i Puntoria Kreative Isstra (Kosovë), Dream Factory (Maqedoni e Veriut) dhe Papadhimitri Production (Shqipëri), dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike Kosovës, Agjensioni i Filmit i Maqedonisë Veriore dhe Qendra Kombëtare e Kinemaografisë në Shqipëri. / KultPlus.com

Linku zyrtar i festivalit: https://www.sff.ba/en/news/11353/cinelink-announces-line-up-for-work-in-progress-2020

Amerika bëhet me garë të këngës sikur “Eurovisioni”

Spektakli më i njohur në Evropë, “Eurovision”, do të udhëtojë përtej oqeanit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Festivali i Këngës në Amerikë do të nisë nga viti 2021.

Versioni amerikan i “Eurovisionit” do të mbahet në një seri prej 5-10 garave kualifikuese, që çojnë në gjysmëfinale e në fund në finalen e madhe.

“Trashëgimia unike e ‘Eurovisionit’ daton qe 65 vjet dhe popullariteti i tij në botë vetëm rritet. Është koha që Amerika të shijojë këtë spektakël, përmes garës simotër, ‘American Song Contest’. Dashuria ndaj muzikës është universale dhe festimi me muzikë në shumë zhanre e stile thyen kufijtë e bashkon njerëzit”, ka thënë mbikëqyrësi i garës evropiane të këngës, Martin Osterdahl.

“American Song Contest” do të mbahet disa muaj pas edicionit të 65-të që pritet të mbahet në Roterdam të Holandës, në majin e 2021-s. Edicioni nuk u mbajt sivjet për shkak të pandemisë së koronavirusit. / KultPlus.com

Një jetë e ndalur në gjysmë: Infermieres që në vend të dasmës i organizuan funeralin

Infermierja 24 vjeçare Sarah Fares, po planifikonte dasmën e saj, por në vend që të vishte fustanin e bardhë, familja i organizuan funeralin, pasi që ajo vdiq në shpërthimin e madh të së martës në Bejrut.

Këtë të enjte i fejuari dhe familja e Sahras ia dhanë asaj dasmën, që s’do të mund ta ketë kurrë. Dasma u organizua ashtu siç e kërkon tradita libaneze, por këtë herë nusja ishte brenda arkivolit. Muzikantët në rrobat e arta ceremoniale luanin, ndërsa zjarrfikësit mbanin në supe një arkivol gjersa anëtarët e familjes hodhën petale trëndafili dhe oriz, shkruan New York Times, transmeton KultPlus.

I fejuari i saj, Gilbert Karaan, u bart mbi supet e një të afërmi, gjersa përshëndeti të fejuarën e tij me lot.

“Gjithçka që dëshirove do të bëhet, por vetëm ti nuk do të jesh e veshur me fustanin e bardhë. Më ke thyer zemrën, dashuria ime. Jeta nuk ka kuptim që kur ke ikur”, ka shkruar Karaan në mediat sociale para ceremonisë.

Fares, infermierja 24-vjeçare, ishte një prej të paktën 145 personave të vrarë të martën nga shpërthimi masiv që rrafshoi pjesën më të madhe të Portit të Bejrutit, shkatërroi lagje të tëra, plagosi më shumë se 5,000 njerëz dhe la qindra mijëra të pastrehë.

Sahar e thirri të martën të fejuarin e saj për t’i treguar rreth zjarrit të madh që shpërtheu në portin detar. Meqenëse askush nuk kishte nevojë për ndihmë mjekësore në atë kohë, ajo ishte ulur në kamionin duke parë kolegët që po luftonin me zjarrin. Ndërsa zjarri u rrit, ajo doli nga kamioni për t’i treguar më mirë të fejuarit se çfarë po ndodhte. Ajo i tha se dëgjonte tinguj të çuditshëm që nuk i kishte dëgjuar kurrë më parë. I fejuari iu lut që të qëndronte larg, gjë që ajo e bëri, por ishte shumë vonë. Një shpërthim i madh pasoi.

 “Nusja ime e bukur. Dasma jonë duhej të mbahej më 6 qershor 2021”, shkroi ai të mërkurën në internet, shoqëruar me një foto ku ajo pozonte me krenari në uniformën e saj. Përkundrazi, do të jetë ‘nesër, dashuria ime’. Të kam dashur, të dua dhe do të të dua gjithmonë, derisa të ribashkohem me ty, ku ne do të vazhdojmë udhëtimin tonë së bashku.”

Një muajt para se të vdiste, Sahra Fares ishte duke kursyer për të përgatitur shtëpinë e saj, për dasmë dhe për të blerë veshjen e saj të dasmës, por shpërthimi i madh i së martës i morri asaj jetën, e shumë libanezë i la në rrënojat e shtëpisë. / KultPlus.com

Nëna e mirë është ajo që bëhet e padobishme me kalimin e kohës

Ka ardhur koha për të shtypur impulsin natyror të nënës që dëshiron të vendosë pëllumbin nën krahë, ta mbrojë nga të gjitha gabimet, trishtimi dhe rreziku. Është një betejë e vështirë, e pranoj. Kur filloj të dobësoj veten, në luftën për të kontrolluar super-nënën brenda meje, mbaj mend frazën: “Nënë e mirë është ajo që bëhet e padobishme …”

Nëse e kam bërë detyrën time si nënë me korrektësi, duhet të bëhem e padobishme. Dhe para se një nënë të më akuzojë për mungesë dashurie, po shpjegoj se çfarë do të thotë. Të jesh “e padobishme” është të mos lejosh që dashuria e pakushtëzuar e nënës, e cila gjithmonë do të ekzistojë, të shkaktojë varfëri dhe varësi tek fëmijët, sikur të ishte një drogë, në një masë të tillë, që ata të mos jenë në gjendje të jenë të pavarur. Ata duhet të jenë të gatshëm për të ndjekur rrugën e tyre, për të bërë zgjedhjet e tyre, për të kapërcyer zhgënjimet e tyre dhe për të bërë gabimet e tyre në çdo fazë të jetës. Një humbje e re është një qëllim i ri; për të dy palët: nënën dhe fëmijën.

Dashuria është një proces i çlirimit të përhershëm, dhe kjo lidhje vazhdon të transformohet në rrjedhën e jetës. Deri në ditën kur fëmijët bëhen të rritur, krijojnë familjen e tyre dhe fillojnë ciklin përsëri. Ajo që u nevojitet është të kenë siguri se do të jemi me ta, të forta, në dakordësi ose në divergjenca, në triumf ose në dështim, të gatshme dhe të pranishme, se do u japim një përqafim të fortë dhe rehati në momente të vështira. Prindërit dhe nënat, në thelb, rrisin fëmijët e tyre për të qenë të lirë dhe jo skllevër të frikës. Kjo është sfida më e madhe dhe misioni kryesor.

Atyre që do jepu:

– Krahë për të fluturuar

– Rrënjë për t’u kthyer

– Arsye për të qëndruar.

T’i bëjmë fëmijët të pavarur dhe të sigurt në vetvete, për të jetuar një jetë të plotë dhe të ndershme. “Kur një nënë i do vërtetë, i edukon fëmijët për të mësuar të fluturojnë”. / KultPlus.com

Vjen vendimi i fundit i Qeverisë për hapjen e kopshteve për fëmijë

Vendimi i fundit i Qeverisë e delegon kompetencën për hapjen e kopshteve në komuna, përcjellë KultPlus.

Komuna e Prishtinës i menaxhon 8 kopshte publike dhe 9 kopshte me bazë në komunitet, duke përfshirë̈ SOS kopshtin.

Këto kopshte do të hapen të Hënën, 10 Gusht, duke zbatuar udhëzimin e hartuar nga MASHT dhe protokollin e hartuar nga Komuna e Prishtinës në mënyrë̈ që të mbrohet shëndeti i fëmijëve e punonjësve dhe parandalohet përhapja e #covid19 në institucionet parashkollore./ KultPlus.com