Anna Tafani një yll në ngjitje në operan australiane

Për shkak të COVID-19 çdo aktivitet kulturor, zbavitës dhe argëtues ishte anuluar për disa muaj me radhë në Australi, lehtësimet e reja të kufizimit pritet që të ringjallin disa prej tyre. Një ndër to do të jetë dhe aktiviteti i “Brisbane Concert Orchestra”  të cilët kanë përfunduar përgatitjet dhe kanë shitur tashmë  biletat për shfaqen e tyre “Festimi i muzikës” e cila do të ketë premierën në dhjetor.

Në këtë performancë do të marrë pjesë dhe shqiptarja Anna Tafani, e cila është një soprano lirike shqiptare e diplomuar në “Konservatorin Queensland” në Universitetin Griffith.

Gjatë studimeve të saj, ajo është prezantuar në shumë shfaqje prestigjioze përfshirë “Simfoninë e 8-të Mahler” në Qendrën e Arteve Performuese të Queensland dhe Simfonia e 9-të të Beethoven në Konservator drejtuar nga Johannes Fritzsch. Ajo mori pjese në produksionin e ri të Mozartit “La Finta Giardiniera” drejtuar nga regjisori fitues i shumë ccmimeve Immara Savage.

Aktualisht Anna po përgatit rolin e gruas së 2-të në operën e “Purcell Dido dhe Aeneas” nën drejtim e lektorit të saj të zërit dhe njëherazi President Kombëtar i ANATS, Shelli Hucombe.

Anna Tafani ësht përshkruar nga stafi i Konservatorit si një këngëtare premtuese me një zë karakteristik. Një nga rolet e saj të ëndërruara është ai i Vilotës bë opera “La Traviata” të e Verdit dhe është shumë entuziaste për interpretimin.

Anna ka lindur në qytetin e Belshit ku dhe ka mbaruar shkollimin deri në gjimnaz. E pyetur se si dhe kur lindur dashuria ndaj muzikës, ajo u përgjigj:

“Nga kujtimet e mia, besoj që dashuria ime për muzikën ka ardhur shumë natyrshëm dhe gradualisht. Fillimisht, si fëmijë, merrja pjesë nëpër festivalet që organizoheshin në shkollë dhe në lagje, por duke qenë se nuk vij nga një familje me formim artistik, nuk e mendoja që muzika do të ishte profesioni im në të ardhmen. Asokohe, isha me shumë e lidhur me muzikën e lehtë dhe idhujt e mi ishin këngëtarët e tipit Whitney Houston apo Celine Dion, por nuk kisha dëgjuar asnjëherë opera. Në vitin e parë të gjimnazit fillova të marr mësime private kantoje (me idenë që do këndoja muzikë të lehtë) dhe pianoje në Elbasan, në të njëjtën kohe ndiqja edhe  gjimnazin e përgjithshëm në Belsh. Në fillim kisha shumë hezitim për interpretimin e muzikës klasike, por dalëngadalë u kthye në pasionin tim më të madh të cilin vazhdoj ta përvetësoj deri në ditët e sotme.

A ka ndikuar profesioni dhe shkollimi në emigrimin tuaj  në Australi?

Kam ardhur në Australi para 4 vitesh, ku mu desh të konkurroja sërish në Konservatorin e Queensland-it, dhe një nga arsyet madhore të emigrimit ka qenë për të pasur mundësi më të mira shkollimi dhe zhvillimi të profesionit tim. Gjatë qëndrimit tim në Australi, jam munduar të marr pjesë në aktivitete të ndryshme me organizatat shqiptare, si për të ruajtur kulturën dhe për t’ia trashëguar dashurinë për Shqipërinë brezave të ardhshëm, por edhe sepse lidhja ime me Shqipërinë është shumë e fortë dhe ndihem mirë kur gjendem në “Shqipërinë e vogël” të Australisë.

Jeni prezantuar para publikut shqiptarë në Melburn në festivalin dhe mbrëmjen e Pavarësisë, me këngë popullore, patriotike dhe ato qytetare, kur do të shohim Annën në një prezantim klasik ndoshta në duet me tenorin shqiptar Agim Hushi i cili jeton në Sidnej?

Po, është e vërtetë që deri më tani jam prezantuar vetëm me këngë popullore dhe qytetare dhe kjo për faktin sepse nuk ndihesha gati profesionalisht të jepja një koncert recital klasik. Unë do të diplomohem në pak javë dhe kam koncertin tim të parë recital në Dhjetor, por në të njëjtën kohë po përgatis një repertor me romanca dhe arie shqiptare për të organizuar koncerte për komunitetin Shqiptar në shtete të ndryshme në Australi. Absolutisht që do të kisha shumë dëshirë të performoja bashkë me tenorin tonë Z. Agim Hushi.

Nëse një ditë do të kishit mundësi të performoni në skenë së bashku me një artist tjetër, cilin do ta kishit zgjedhur?

Normalisht që ka shumë artistë të shkëlqyer nëpër botë qe do të doja të bashkëpunoja, ama të ndash skenën me artistë të tjerë shqiptarë, siç ka bërë për shembull Ermonela Jaho dhe Saimir Pirgu, është një krenari shumë e madhe për ti treguar botës që Shqipëria, një vend shume i vogël, ka nxjerrë artistë me suksese ndërkombëtare. Unë jam shumë krenare për prejardhjen time dhe nuk do ngurroj asnjëherë të flas për vendin tim.

Ndoshta në këto momente Anna Tafani është në fillim të karrierës së saj por jemi të bindur që një ditë ky emër do të ngrihet në piedestalin më të lartë botëror të muzikës klasike./ diaspora shqiptare/ KultPlus.com

“Vendi ku nuk vdiset kurrë” nga Ornela Vorpsi vjen edhe në shqip

Nga ALBERT SHEQI “Vendi ku nuk vdiset kurrë” – Ornela VORPSI

Ky libër i sjellë në gjuhën shqipe nga Botimet Dudaj me përkthimin e rrjedhshëm të Parid Teferiçit është ndër romanet më të bukura që unë kam lexuar nga autorët bashkëkohorë shqiptarë. Absurditeti i realitetit të dhunshëm socialist të “vendit ku nuk vdiset kurrë” përshkruhet nga një këndvështrimi i dyfishtë, edhe ai i vajzës së pafajshme që e jetoi dhe provoi në lëkurë dhunën shumëplanëshe të regjimit, edhe ai i gruas së pjekur që reflekton mbi atë realitet të helmatisur, por tanimë nga një kohë dhe botë krejt tjetër me atë ku asaj i ra për hise të rritej si fëmijë. Ndërthurja e këtyre dy këndvështrimeve krijon në roman dy rryma të fuqishme: të vërtetat e dhimbshme dhe traumatike të rrëfyera nga pafajësia fëminore që përplasen fort me humorin e zi dhe sarkazmën therëse të “fëmijës së rritur” që i mbijetoi traumës së fëmijërisë së dhimbshme.

Në rrafshin e përbotshëm, romani trajton mekanizmat e përdorura nga superstruktura së shtetit diktatorial në përçudnimin e individit dhe shpirtit njerëzor qysh në fëmijëri. Këtu mund të nënvizojmë shkollën, me shoqen Dhoksi, “komunisten e thekur, me këmbë të shtrembra” apo “stërvitjen ushtarake” me komandant Kasemin. Rreth kësaj teme përbashkuese qendrore ndërthuren tema të tjera të rëndësishme. Agresioni shoqëror ndaj bukurisë, brishtësisë, dhe pafajësisë (i mishëruar në roman nga dhuna e përhershme fizike dhe verbale si edhe ndrydhja e skajshme kundër vajzës rrëfimtare, por edhe kundër vajzave dhe grave të bukura, në një shoqëri ku bukuria të kthehet në mallkim.)

Pikërisht ky agresion ndaj së bukurës nxjerr në pah edhe anën tjetër të medaljes: mbizotërimin e plotë të shëmtisë dhe imoralitetit që ai sistem e nxiste me aq zell.Temat të tjera kryesore janë: shpartallimi i familjes, sidomos nëpërmjet luftës së klasave, si një forcë shkatërruese që mbillte ngado në shoqëri pasiguri dhe tmerr të pandërprerë; dëshpërimi i skajshëm që përjetonin vajzat e reja që shpesh i shpinte në vetëvrasje; mbytjen e të gjitha dëshirave njerëzore, në atë shoqëri ku çdo gjë, përfshirë edhe fatet njerëzore, ishte e planifikuar nga të tjerët; uria për libra dhe art të mirëfilltë, që pafajësisht duhej të paguhej “me unazat apo vathët e florit të vjedhura të mamasë”.Galeria e personazheve të romanit është e jashtëzakonshme dhe ajo çka i bën këto personazhe të paharrueshme është se ato shërbejnë si sinekdoka shoqërore.

Në roman, lexuesi gjen: mësuese Dhoksin, me vizoren ndëshkuese që e skuqte mbi sobë; komandant Kasemin; Babakon, kapitalistin me prirje pedofilie; Bukurien me të bijën, Ganimeten; Blertën dhe Dorinën me fate tragjike; po ashtu gjen edhe dervishin e mrekullive; Nimeten, hajduten e bizhuterive dhe mjaft personazhe të tjera të paharrueshme.Romani duket se është ndërtuar duke përdorur episode tragjike të përzgjedhura nga shpirti i traumatizuar i një fëmije. “Vendi ku nuk vdiset kurrë” është një lexim shumë i këndshëm, për vendin që mëtoi se do të ndërtonte parajsën shoqërore ku çdo gjë do të blihej “pa para fare”, por përfundoi duke ndërtuar ferrin vrastar për të gjithë banorët e vet.Unë dëshiroj t’ju rekomandoj që ta lexoni këtë roman të veçantë dhe të shkruar kaq bukur, nëse e pëlqeni prozën artistike cilësore.Lexoni letërsi të mirë!/ KultPlus.com

Kur Anna Oxa këndonte “Imagine” (VIDEO)

Ajo është një ndër këngëtaret më të suksesshme shqiptare jashtë kufijve, e cila kishte shënuar sukses edhe në skenën e madhe të Sanremos, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell interpretimin e Oxa të këngës Imagine, këngë që e ka interpretuar në një ndër televizionet prestigjioze italiane./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/plugins/video.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2F333oxa%2Fvideos%2F3463771237010967%2F&show_text=0&width=560

‘Shëndeti është njësh të cilit mund t’i shtosh shumë zero si vlera të tjera, por që pa të gjitha mbeten zero’

Me shëndet çdo gjë na duket e kënaqshme, kurse kur jemi të sëmurë asgjë nuk na kënaq. – Artur Shopenhauer

Shëndeti është njësh të cilit mund t’i shtosh shumë zero si vlera të tjera, por që pa të gjitha mbeten zero. – Kineze

Jemi tre: unë, ti dhe sëmundja; nëse ti do të bashkëpunosh me mua, ne të dy do ta mposhtim sëmundjen, por nëse ti nuk bashkëpunon me mua, sëmundja do të na mposhtë të dyve. – Një mjek arab

Nuk ka asnjë dobi nga të gjitha të mirat, pa përjashtim, po që se mungon shëndeti. -Lukiani

Shëndeti dhe mendja janë dy të mira të mrekullueshme në jetë. Çdo njeri i shëndoshë shumë kollaj i jep këshilla atij që është i sëmurë. – Menandri

Më e bukura nga ditët tona është ajo kur qeshëm. – Aristoteli

Gjellë, pije, gjumë, dashuri trupore, të gjitha me masë.

Parandalimi i sëmundjes është më i mirë se terapia.

Dietat që arrijnë cakun e fundit të dobësimit janë të dëmshme, por edhe të ngrënët e shumtë gjithashtu është i dëmshëm.

Sëmundja që përballohet në mënyrë të studiuar qëndron më lart se mirëqënia e shthurur. – Hipokrati

Mjeku i të sëmurëve është gjumi i rregullt. – Teofil

E qeshura ndihmon tretjen, nxit zemrën për punë dhe përforcon muskujt, ngacmon në veprimtarinë krijuese të trurit dhe ruan gatishmërinë e reflekseve. – Ë.Fry

Një sëmundje e rëndë mund të shërohet, përveç të tjerash, edhe me forcën e të qeshurit; një e qeshur e mirë, nga ato që të shkrijnë, lëviz edhe i bën të dridhen të gjitha organet trupore, njësoj si lëvizjet fizike. – N.Kousins

Gëzimi hyn në jetën tonë, kur kemi diçka për të bërë, diçka për të dashur dhe diçka për të cilën shpresojmë. – J.Addison

I gjithë interesi për sëmundjen dhe vdekjen është një shprehje tjetër e interesit për jetën. – Tomas Man

Morgu është vendi ku vdekja gëzon t’i vijë në ndihmë jetës. – Latine

Nuk ka qelizë ose ind aq të vogël, saqë të mos ketë shpirtin dhe forcën jetësore brenda tij. – J.Kent

Trupi i njeriut ëshët një shtet i individëve të barabartë, një shtet demokratik i qelizave, një federatë qelizash. Megjithëse qelizat e një shteti të individëve të lirë me të drejta të barabarta nuk kanë aftësi të njëjta, në të vërtetë ato persitojnë për shkak të varësisë së ndërsjellë që kanë nga njëra-tjetra.

Nëse sëmundja është një shprehje e jetës vetjake në rrethana të pafavorshme, atëherë epidemitë duhet të jenë tregues i çrregullimeve të popullatës. – Rudolf Virchov

Natyrës i takojnë falenderime të mëdha sepse i ka dhënë jetës së qënieve aq shumë fuqi shteruese. – Gëte

Më mirë të të shtypë tramvaji se sa të të marrë inat virusi. – J.J. Ëalsh

Mesazhi im për biznesmenët e këtij vendi kur ata udhëtojnë jashtë shtetit për punë është që, për të parandaluar infektimin nga SIDA, ka një gjë mbi gjithë të tjerat që ata duhet ta marrin me vete, dhe kjo është gruaja. – Edëina Currie

Zemra është një organ i fuqishëm, një mekanizëm i mrekullueshëm, që, pa riparime, mund të bëjë një shërbim të fortë pompues që zgjat deri në 100 vjet. – Villis J. Potts

Gjaku është ajo pemë e kuqe dhe e brishtë të cilin e mbajmë gjithmonë me vete. – Osbert Sitëell

Veshkat janë kimistet mjeshtre të mjedisit tonë të brendshëm, të cilat, si të thuash, bëjnë sintezën në sensin invers. – Homer Villiam Smith

Të ushqehem, të pi ujë, të meditoj. Edhe me kaq mund të jem i kënaqur. Pasuria dhe nderimet janë si retë, ikin. – Konfuc./ KultPlus.com

Pashka e dogji veten dhe e dogji vdekjen

Një fije shprese, një fije shkrepëse (Fragmente)

Dikur dilte, shëtiste, fliste e qeshte, derisa një ditë erdhi e shtuna dhe ia zuri derën, për të mos u larguar kurrë më. Ditë e ndalur. Ditë e nemun. E shtuna. E shtuna e tmerrshme. E shtuna e përjetshme. Ditët ndërrohen dhe përsëriten, vetëm e shtuna mbetet e njëjtë. Ajo nuk kalon. Ka njëzet vjet që është ndalur. Ju mund të shkoni edhe në ditë pune te shtëpia e Ferdonijes, por, sapo të hyni brenda, jeni në të shtunën e saj. Një ditë e saj është më e fortë se çdo ditë juaja. Ajo i gëlltit ditët e tjera, i transformon në një, në një të shtune të zezë.Duke ndenjur, duke dëgjuar historinë e saj, duke shikuar fotografitë e saj, e ndieni se dalëngadalë jeni duke u transformuar së brendshmi. Si Nioba mitike, që ndjeu nga brenda ngurtësimin e organizmit derisa u kthye e gjitha në gur, ju, duke e parë atë, e ndieni sesi çngurtësoheni, dobësoheni, thërrmoheni së brendshmi. Nioba jonë është shkëmbi para të cilit lotojmë ne. E goditur nga fati, e kthyer në heroinë, ajo është forca që neve na mungon. Me dhimbjen dhe durimin e saj ajo qëndron më lart se ne, si të gjithë heronjtë tragjikë. Jo, ata nuk do të vdesin sa të jetojë ajo. Dhe kur të mos jetë ajo, ata do të jenë këtu, sepse nëna është kujdesur edhe për këtë, duke e vënë pllakën dhe duke e kthyer shtëpinë në muze. “E kemi vu pllakën aty. Ju s’jeni të humbun… Ju jeni gjithmonë këtu. Gjithmonë. Sa t’ekzistojnë toka e qielli, ju keni me rrnu’.”Dhe kështu, ditë pas dite, vit pas viti, u harxhuan të gjitha temat, mbeti vetëm një: pritja; u tretën të gjitha ëndrrat, mbeti vetëm një: kthimi; u zhdukën të gjithë anëtarët, mbeti vetëm një: nëna; ikën të gjitha ditët, mbeti vetëm një: e shtuna.Njëzet vjet e shtunë. Përgjithmonë e shtunë.

(…)

Pashka u dogj nga indiferenca. Djemtë e saj ishin më të mirët, dhe ajo donte t’ia tregonte botës këtë. Armiku ia mori, ia vrau, si gjithë të tjerët, pa dallim. Ia sollën në qese si gjithë të tjerët, pa dallim. Ushtria i varrosi si gjithë të tjerët, pa dallim. Ky mosdallim, kjo indiferencë, e sosi durimin e saj. Djemtë e mi, mendonte ajo, ishin më të mirët, ishin ndryshe për së gjalli, ndryshe duhet të jenë edhe për së vdekuri. Ajo nuk e kishte inatin vetëm me dheun indiferent që i mbulonte të gjithë njësoj. Një inat, më të madh, e kishte edhe me Hyjin. Si kishte mundur të rrinte indiferent ndaj lutjeve të saj dhe ndaj krimeve mbi bijtë e saj? Para se të vdiste, diçka brenda saj kishte vdekur. Tashmë për të, ai atje lart nuk ishte qiell, po qefin. Prandaj ajo, në mëngjes, kaloi rrugën, shkoi pranë një shkurreje dhe dogji veten. Po të ishte ndonjë Mojsi në malin përreth, do të shihte shkurren që nxirrte flakë. Një shkurre që djeg Zotin brenda saj, si një e dashuruar që vret të dashurin, për shkak se nuk mund ta durojë xhelozinë e vet, apo shpërfilljen e tij. Kështu, Pashka e dogji veten dhe e dogji vdekjen. Guri gjigant, i vënë për kujtim të saj në vendin e ngjarjes, do të thërrmohet një ditë, do të harrohet një ditë. Por, vepra e saj do të jetojë sa të ketë qiell indiferent sipër. E, sa të kujtohet ajo, do të kujtohen edhe dy bijtë e saj. Ajo u fut në zjarr për t’i nxjerrë ata nga harrimi, nga mosdallimi, nga anonimati i viktimave. Në aktin e saj ka pak egoizëm, pak narcisizëm, pak altruizëm, pak fanatizëm, pak humanizëm, pak barbarizëm. Flaka e saj është jehu i të parëve. Ajo s’flet me fjalë, ajo flet me zjarr. Asaj nuk i pëlqen të moralizojë, prandaj ia jep fjalën zjarrit, flaka e të cilit buron në zemrën e saj të djegur. Ai zjarr thërret për kujdes ndaj zemrave të djegura, ndaj zemrave të përvëluara. Pashka, duke djegur veten, shpëtoi edhe Ferdonijen. Ajo tregoi që nënat që presin kthimin e bijve dhe bijave, mund ta humbin durimin, prandaj s’duhet t’ua ndajmë sytë. Dy vjet më pas, edhe Ferdonijes ia sollën dy bij në arkivole. Por ishte sinjali i Pashkës, që imponoi kujdesin ndaj saj dhe, sado që nuk u shmang dhimbja, nuk u realizua një vetëvrasje e re. Zonja prej zjarri e shpëtoi gruan prej guri. Larg shkrepsë, ka ende shpresë! E nëse një ditë edhe të tjerët kthehen kështu, prapë do të ketë shpresë, shpresë se ata do të jenë të lumtur në qiell dhe të paharruar në tokë.Kësaj here emrat e tyre ua kishin përcaktuar fatin këtyre nënave. Pashka një mëngjes “kaloi” oborrin, fushat, varret, rrugën dhe kërceu nga përditshmëria në përjetësi. Ndërsa Ferdonija mbeti “ferdane”, e vetme dhe unike. Pashka dhe Ferdonija. Dy nëna, dy dhimbje të së njëjtës tragjedi. Ato kishin mbetur si titrat në fund të një filmi që ishte kryer në fund të shekullit të kaluar. Njëra ndali hapin përgjithmonë në një livadh, midis varreve dhe shtëpisë. Tjetra rri në shtëpi dhe pret qe njëzet vjet. Njëra është ndalur në të martën e saj, tjetra në të shtunën e vet. E si mund të ecin nënat përpara, kur e ardhmja është mbrapa tyre?

(Fragment nga romani dokumentar “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, Bard Books, Prishtinë, 2020. Nënës Ferdonije më 27 mars 1999 kriminelët serbë ia kanë marrë katër djemtë dhe burrin. Mbetjet e dy djemve i janë kthyer më 2005, ndërsa tre të tjerët ende janë të zhdukur. Ajo jeton e vetme në shtëpinë-muze. Nënës Pashkë më 27 prill 1999 kriminelët serbë ia morën dy djem, mbetjet e të cilëve iu kthyen më 2003. Pak ditë pas varrimit të djemve të saj, ajo dogji veten me benzinë)/ KultPlus.com

Sofia Loren me rol në filmin e djalit të saj

Një arsye e mirë për të parë filmin e ri me titull “Jeta është përpara nesh” është se aty luan Sofia Loren, diva filmike 86-vjeçare, një legjendë në të dy anët e Atlantikut.

Filmi u drejtua nga djali i saj Edoardo Ponti dhe u shfaq premierë në Netflix, njofton CNN.

Shikuesit do të kenë rastin ta shohin Sofia Loren në një rol të ri, krejtësisht joshës.

Nuk përjashtohet që fituesi i dyfishtë i Oskarit, i cili luajti me legjenda të filmit nga shekulli i kaluar si Cary Grant, Clark Gable, Frank Sinatra apo Charlton Heston, përsëri të futet në listën e ngushtë të Grand Prix të Akademisë Amerikane të Filmit./rtk/ KultPlus.com

Sophia Loren

Shkurte Ramushi do të prezantohet me ekspozitë personale

Artistja kosovare do të prezantohet me ekspozitë personale në Maqedoni, shkruan KultPlus.

Shkurte Ramushi ka njoftuar se më 17 nëntor do të hapë ekspozitën e saj personale në Galerinë e Arteve Pamore të Tetovës, ku pikturat e ekspozitës “Parajsa tokësore” do të sjellin bukurinë e natyrës, vlerën e së cilës e kuptuam, më shumë se kurdoherë, gjatë kësaj periudhe që na nxori nga përditshmëria, por që na futi në një realitet të ri.

Ekspozita “Parajsa tokësore” do të hapet të martën, në oren 18:00, në Galerinë e Arteve Pamore në Tetovë./ KultPlus.com

Panairi i artizanëve dhe grupeve polifonike labe në Vlorë

“Zeje, Avaze, Polifoni”, është titulluar panairi i zejtareve profesioniste dhe folkloristeve në qendrën historike të Vlorës.

Artizanë të instrumenteve muzikore, të fyellit apo cylave, artizanë të veshjeve popullore si dhe të punimeve artistike në dru kanë treguar pasionin e tyre shumëvjeçar, pasion i cili vetëm pasurohet, edhe pse aktivitetet e tyre jo gjithnjë e gjejnë tregun e duhur.

Kryebashkiaku i Vlorës i ka ftuar artizanët që të tregtojnë punimet e tyre në dyqanet e qendrës historike të Vlorës, një ambient tashmë i restauruar.

”Zona historike u rikonstruktua që këto zotërinj të vijnë këtu, të marrin me qira këto objekte dhe të promovojnë veprat e tyre”, deklaroi kryetari i Bashkisë, Dritan Leli. Gjatë këtij panairi kanë interpretuar grupe polifonike dhe ato të këngës labe.

Pëllumbi garues shitet në ankand për 1.6 milionë euro

Një pëllumb dyvjeçar garues i quajtur “Kimi i Ri” ka vendosur rekord, duke u shitur në ankand për 1.6 milionë euro. Ankandi ka mbaruar sot, siç ka bërë të ditur shtëpia online e ankandeve, raporton Reuters.

Ofertat kishin arritur te 1.32 milionë euro qysh javën e kaluar, duke e thyer rekordin e kaluar që u vendos në mars të vitit 2019 kur një pëllumb belg, i quajtur Armando, u shit për 1.252 milionë euro.

Shifra vazhdoi të rritej në 30 minutat e fundit të ankandit sot, derisa arriti në 1.6 milionë euro.

“Këto shifra rekorde janë të pabesueshme, pasi është femër. Armando ishte mashkull. Zakonisht meshkujt vlejnë më shumë”, ka thënë Nikolaas Gyselbrecht, shef-ekzekutiv dhe themelues i Pipa-s, për Reutersin.

Gyselbrecht ka thënë se “Kimi i ri” ishte vetëm dyvjeçare dhe garoi vetëm në vitin 2018, duke e fituar titullin e pëllumbit më të mirë të ri në Belgjikë dhe më pas u pensionua para kohe. Pëllumbat mund të shumohen deri në moshë 10-vjeçare.

Ankandi filloi me ofertë fillestare 200 euro më 2 nëntor, por mori një ofertë 1.31 milionë euro nga një grup jug-afrikan brenda 90 minutave. Dy koleksionues të pasur kinezë u kundërpërgjigjën dhe fituan të dielën./ KultPlus.com

Fatos Baxhaku pas vdekjes vlerësohet me çmimin “Autori i vitit 2020”

Fatos Baxhaku me librin “Në emër të Noes” është vlerësuar pas vdekjes, me çmimin e Panairit të Librit Tiranë 2020, “Autori i vitit”. Agim Doksani, ‘Përkthyesi i vitit’ dhe Adelina Mamaqi është vlerësuar për “Letërsinë për fëmijë”. Ndërsa Primo Shllaku, si “Përkthyesi më i mirë” nga gjuha frënge.

Ndahen çmimet e Panairit online “Tirana 2020”. Juria e kryesuar nga përkthyesja Diana Kastrati, gazetari dhe shkrimtari Enkel Demi, kritikja letrare Arta Marku, përkthyesi Erion Kristo dhe poetja Ledia Dushi në këtë edicion të 23-të kanë përzgjedhur, që me çmimin  “Autori i Vitit” të vlerësojnë Fatos Baxhakun pas vdekjes me motivacionin: “Për stilin e veçantë e për t’u lakmuar të rrëfimit të historisë së Shqipërisë, ‘Në emër të Noes’, vet shkrimtari ynë, që gjen paqen në degën e ullirit”.

“Jam shumë i prekur nga ky vlerësim”, thotë vëllai i Fatos Baxhakut, Artur Baxhaku.

Çmimi i “Përkthyesit më të mirë” për Agim Doksanin për librin “Jeta e gënjeshtërt e të rriturve” e Elena Ferrantes me motivacionin “Për prurjen shumë cilësore në shqip të romanit, për respektimin e stilit, të sintaksës dhe pasurisë gjuhësore në përshkrimin e karaktereve”.

“Këtë çmim u’a kushtoj të gjithë përkthyesve, veçmas nga gjuha italiane”, thotë Agim Doksani.

Çmimi i ‘Letërsisë për Fëmijë’ për Adelina Mamaqin me librin “Ne tani lexojmë vet”, me motivacionin: “Për përmbushjen e qëllimit kryesor të letërsisë, eksplorimin e botës dhe njeriut. Për lehtësinë me të cilën përçon te lexuesit e vegjël filozofinë që të orienton drejt kuptimit të thelbit të ekzistencës. Për simbiozën mes autores dhe lexuesit që i drejtohet”.

 “Ky vlerësim nuk më përket mua, por letërsisë për fëmijë, që duhet quajtur pjesë integrale e letërsisë për të rritur, se këtu nisin bazat integrale e të vegjëlve, që nesër do të bëhen përfaqësues të letërsisë shqipe”, shprehet Mamaqi.

Çmimi për përkthimin me të mirë nga frëngjishtja, poeti Primo Shllaku për përkthimin e “Shën Mëria e Parisit” e Viktor Hygosë, me motivacionin “Përmes sfidës së ripërkthimit, na risjell në shqip një vepër madhështore edhe kanonike përmes një veri elegant edhe të kërkuar dhe një regjistri të riaktualizuar për lexuesin e shekullit të ri.

“Është çmimi i parë që marrë në jetën time, edhe pse ndodhem prej 50 vitesh në fushëbetejën e letrave shqipe. Mbase s’kam ditur aq mirë që të meritoj një çmim për letërsinë origjinale, por diçka e kam ditur dhe unë, se kam ditur që të pres mirë, edhe do të pres prapë. Këtu më kanë”, thotë Primo Shllaku.

Çmimi ‘Lexuesi i bibliotekës” i jepet 9-vjeçarit Jamarbër Hoxhës me motivacionin “ Për dashurinë dhe vëmendjen e veçantë që ai ka për librin edhe letërsinë”. /v.d./Shqiptarja.com/ KultPlus.com

Mali i akullt, vendi që nuk është shkelur kurrë nga këmba e njeriut

Nuk është mali më i lartë në botë, por me sa duket është më i vështiri për tu ngjitur. Mali Muchu Chhish, një masiv shkëmbor prej 7,453 metrash dhe i mbështjellë me akull në një luginë të largët të Karakoram të veriut të Pakistanit, mund të konsiderohet si grajli i fundit i shenjtë i majave të larta.

Midis të gjithë maleve të panumërta dhe kryesisht pa emër që ende nuk kanë parë një këmbë njerëzore, Muchu Chhish është, për të gjitha një nga qëllimet më të çmendura dhe sigurisht kodra më e lartë e pa kontrolluar në Tokë.

Everest maja më e lartë e Tokës në Himalaja, ishte mali më i pa shkelur deri në 1953, kur u arrit për herë të parë me sukses.

Takimi i dytë më i lartë në botë, K2, u kontrollua një vit më vonë në 1954. Numri tre, Kanchenjunga, u shkel në 1955. Më pas, Mt. Lhotse, maja e katërt më e lartë në botë, u kapërcye në 1956. Dhe kështu me radhë.

Tani është radha e Muchu Chhish. Numri i fuqishëm 61, apo vendndodhja. Renditja e lartësive malore fillon të mjegullohet rreth kësaj pike. Por ambicia e natyrshme njerëzore për të shënuar atë ngjitje të parë të madhe të parë mbetet më imponuese sa kurrë më parë.

 “Ka një lloj autorësie në çdo ngjitje të parë – si një shkrimtar apo një piktor që krijon diçka nga e para“, thotë drejtori ekzekutiv i Institutit Alpin Amerikan Jason Martin, i cili ka regjistruar pjesën e tij të parë të ngjitjes në shkëmb në Perëndimin Amerikan. Ai nuk kishte dëgjuar për Muchu Chhish deri më tani.

Duke u fshehur në Karakoram Perëndimor në Murin e Batura  një kreshtë masive me maja 7,000 metra që shfaqet mbi një nga akullnajat më të mëdha jo-polare në botë – Muchu Chhish ka shkatërruar të gjitha përpjekjet e ekspeditave sporadike për të arritur kreshtën e tij të pakapshme gjatë dekadave të fundit.

Maja e vizituar (e njohur gjithashtu si Batura V) është konsideruar si mali më i lartë i pakontrolluar për disa vite./ KultPlus.com

Trilogji për vendlindjen

Mehmet Kraja

Sëmundja e ëndrrave (Trilogji për vendlindjen)

Me këtë “ngarkesë” jashtëletrare, por me nxitje të padiskutueshme artistike, në vitin 1984 i shkrova këto tre rrëfime për vendlindjen, një triptik ose një trilogji e vogël, ku ishin përfshirë tri kohë, të cilat lidheshin mes veti përmes një ambienti me përthyerje të mëdha mitike, historike dhe bashkëkohore. Dhe derisa koha mitike, koha që kishte prodhuar legjendat kalorësiake për mua dhe vendlindjen time ishte kohë e mrekullive të paarritshme, koha historike ishte një zhgënjim i madh, sepse kishte lënë pasoja të pariparueshme në jetën e njerëzve, duke i tjetërsuar ata, madje duke i bërë që të jetonin si somnabuj në një realitet të paqenë, i cili vazhdonte të hijezohej nga memoria mitike, e kthyer në një realitet të dytë, duke marrë njëkohësisht atributet e refuzimit të realitetit aktual tërësisht të pamundshëm. Gjithnjë kam pasur përshtypjen se paraardhësit e mi, siç ndodh zakonisht, jetonin më mirë në një botë mitesh dhe legjendash, sesa në një botë reale, ose, që afërsisht mund të jetë e njëjta gjë: i krijonin mitet dhe legjendat për të kompensuar mungesat e mëdha të një realiteti refuzues.

(pjesë nga parathënia)/ KultPlus.com

Dy këngë të rralla arbëreshe në revistën “La Calabria”

Më 15 nëntor 1889, u botuan në numrin e tretë të revistës kalabreze “La Calabria – Rivista di Litteratura Populare”, dy këngë të rralla arbëreshe. Alfonso Lucifero (shkrimtar dhe politikan italian, i lindur në qytetin e Krotones në Kalabri) përshtati për revistën që dilte në Monteleone versionin italian, të këngëve si në lidhjen e mëposhtme.

Materialin ku përshkruhen këngët arbëreshe të zonës së San Nicola dell’Alto, i referon Aurenc Bebja, i cili i publikoi në blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, për lexuesin shqiptar.

Këngë shqiptare të S. Nicola Dell’Alto

Canzoni albanesi di S. Nicola Dell’Alto

Versioni arbëresh :

Lloi, lloi, vascia, vale :

Veja u te ato vaghe,

(I) Ndra nde mest vaghijes

Sctura sit me gni vasc :

– Vasc, s’am sit t’im ;

Cu mi more ti ato sii ?

– U t’i voda e t’i rbeva,

Ngo mi pa gnacun gneri,

Mo re gni sog. piz i verd

Mori, sog, amicu jim,

Mori mus t’e cali, sog,

Se u ti bai gno cagiaghe,

Ncaggia c’art u bai ti rric,

Uj cristalli bai ti pic,

Schajurelle ede triggoi.

Versioni italian :

Gioja, gioja, ragazza, al ballo :

Andava anch’io a quel ballo,

In mezzo al ballo

Gettai gli occhi ad una fianciulla.

– Fianciulla, dammi gli occhi miei,

Dove mi prendesti tu gli occhi ?

– Io te li rubai e li nascosi,

Nè alcun uomo mi vide,

Sole mi vide un uccello dal becco giallo :

Oh ! uccello, amico moi,

Oh ! uccello, non dirlo a nessuno ;

Perchè io ti faro una bella gabbia

Ed in gabbia d’oro ti faro stare,

Ti faro bere acqua cristallina

E grano fino ti mandero

Versioni arbëresh :

– Guign te ses e guign ti bard,

Guign te ses cca Manipuja

Mi cheni par trimin t’im ?

– U te e pe te a ato putiga.

– Mos m’e pe siccio me blei ?

– Ai ti blei gni ragg drappi.

– Vaft mot ede nga vit,

E me pruft ti bucarit !

Versioni italian :

– Ulivo nero e olivo bianco,

Olivo nero di Manipuglia,

Aveto visto il mio inamorato ?

– Io l’ho visto a quelle botteghe.

– Hai tu visto quello che mi comprava ?

Ei ti comprava une gonna di seta.

Ch’ei possa andare quest’anno ed ogni anno,

E mi porti delle cose belle./ KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/la-calabria-1889-kenget-origjinale-arbereshe-te-san-nicola-dell-alto-botuar-ne-revisten-kalabreze/ 

Gjaku falej edhe nga vajzat dhe gratë

Në faljen e gjaqeve, që konsiderohet si kontributi më i madh i Anton Çettës, i cili zhduki hasmërinë dhe ofroi shqiptarët mes vete, ka ndodhë që edhe vajzat dhe gratë të falin gjakun, shkruan KultPlus.

Në këtë pamje shihet Muradije Murkiqi duke ia zgjatë dorën e pajtimit Anton Çetës, e cila falë gjakun dhe i jep fund hasmërisë mes familjeve. / KultPlus.com  

Poema më e fuqishme e vajtimit nën interpretimin e Nazmi Belicës

KultPlus ju sjellë poemën ‘Vaje’ të Andon Zako Çajupit, nën interpretimin e mrekullueshëm të Nazmi Belicës.

Vaje është elegji e Andon Zako Çajupit, kushtuar gruas së tij të ndjerë zvicerane. Sipas kritikut Dhimitër Shuteriqi Çajupi e kujtoi të shoqen dhjetë vjet pasi ajo vdiq me ngashërim e i pangushulluar, përmes vargjeve të kësaj poeme.

Më poshtë gjeni poemën dhe interpretimin nga Nazmi Belica.

Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë
Lotët që kam derdhur, s’më janë dhe tharë
Shumë vjetë u bënë sot u mbushen dhjete
Që kur më ke lënë dhe s’të shoh ne jete!


Në ç’kopshte me lule ke qëndruar vallë?
S’të vjen keq për mua?S’të vjen mallë për djalë ?
O ëngjëll I bukur mos meno në botë
Kthehu të të shomë të na mbeten lotë


S’rrojmë dot pa tynë ti si rron pa neve?
Motëmot që rrojtëm bashkë s’më urreve
Atje tek rri janë qipariz’ e varre
Kthehu të të shomë mos na lër përfare


Mos na lër të gjorë me zemër të ngrirë
Kthehu të gëzohesh kur të shoç tët birë
E ke lenë foshnje tani u bë burrë
S’arrite ta rritje s’të ka parë kurrë


Për ty shumë herë çoç do të më thotë
Por s’mund ti përgjigjem se më mbytin lotë
Kthej kokën mënjanë dhe vështroj përpjetë
Duke psherëtitur te zot’ I vërtetë


O zot I vërtetë s’të erdhi keq për djalë
Kur i more mëmën dhe më le të gjallë
Të më keshe marrë do të qe më mirë
Dhe të rronte mëma të rriste të birë
Me se rrojnë foshnjat çi rrit çiliminjtë
Dashuri e mëmës dhe përkëdhelitë
Doje dritë o qiell more dritën time
dhe ma mbushe jetën plot me hidhërime
Tani rroj pa shpresë ndaj s’dua të rroj
Se dhe perëndinë tani s’e besoj./ KultPlus.com

Këpuca e mbretëreshës Marie Antoinette në ankand

Një këpucë që i takonte Marie Antoinettes, mbrëtëreshës së fundit të Francës e cila u ekzekutua gjatë Revolucionit Francez, do të dal në shitje në ankand sot. Çmimi fillestar do të jetë 10 mijë euro, shkruan agjencia Reuters.

Shitja do të bëhet në Pallatin e Versajës.

Këpuca mban emrin e saj në thembër dhe Jean-Pierre Osenat, i shtëpisë së ankandeve që po e bën shitjen, ka thënë se ajo i kishte veshur këpucët rregullisht gjatë punëve të përditshme në pallat./ KultPlus.com

Nga arkivi i Clintonit del deklarata e Rugovës në SHBA: Si e njoftoi botën në vitin 1993 me terrorin e Serbisë

Presidenti Rugova kishte deklaruar se atë javë në Amerikë do të njoftonte liderët e Kombeve të Bashkuara dhe liderët e Amerikës për terrorin që po bënte Serbi ndaj shqiptarëve. Për t’u treguar mirë amerikanëve, ai kishte marrë shembuj se si po keqtrajtohen sistematikisht shqiptarët. Deklarata është e vitit 1993.

Rugova kishte shkuar në Amerikë me një plan dhjetëpikësh, përmes së cilit kërkonte nga Kombet e Bashkuara dhe SHBA’ja, ndihmë për zgjidhjen e krizës së Kosovës.

“Delegacioni ynë ka ardhur në Amerikë këtë javë, me qëllim që t’i informojë udhëheqësit e Kombeve të Bashkuara dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe nëpërmjet mjeteve të informimit edhe popullin amerikan, për shtypjen dhe dhunën në rritje, të të gjitha të drejtave civile, njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Republikën e Kosovës. Ne jemi këtu për të shpallur një Kartë të Drejtash të Kosovës dhe të propozojmë një plan veprimi dhjetëpikësh për ta zgjidhur krizën e Kosovës dhe për t’i dhënë fund padrejtësisë”, kishte thënë Rugova.

“Republika e vuajtur e Kosovës është në fakt problem bosht në krizën aktuale në ish-Jugosllavi. Ekspertët ndërkombëtarë parashohin se nëse Serbia vazhdon fushatën e saj të gjenocidit në Kosovë, ka shumë të ngjarë që konflikti në Ballkan të përhapet edhe në Maqedoni, Shqipëri, Bullgari, Greqi dhe mbase edhe në Turqi. Një luftë tinëzare më e gjerë do të pasonte në Ballkan”, kishte deklaruar Rugova në Amerikë.

Rugova ua kishte bërë me dije amerikanëve se populli i Kosovës është i vendosur për të bërë një fushatë të rezistencës paqësore kundrejt ligjit të imponuar serb të luftës.

“Pasojat do të ishin të dimensioneve globale. Me dy milionë shqiptarë të pambrojtur nën mëshirën e makinerisë serbe të armatosur mirë, një masakër e përmasave të mëdha do të ndodhte brenda një kohe të shkurtër. Qeveria ime po punon pareshtur për të parandaluar dhe për ta shmangur këtë mundësi. Populli i Kosovës është i përkushtuar për të bërë një fushatë të rezistencës paqësore kundrejt ligjit të imponuar serb të luftës”, thuhej në fjalimin e Rugovës, transmeton Express.

Rugova po ashtu kishte shkruar se në Kosovë mungojnë të drejtat elementare të njeriut, si liria e arsimimit, liria e shtypit, liria për të punuar e liria për të marrë shërbime shëndetësore.

Ai kishte bërë të ditur se të gjitha liritë themelore të kosovarëve ishin shfuqizuar nga Serbia.

“Populli ynë jeton nën pushtetin e terrorit, të frikësimeve, keqtrajtimit dhe rrahjeve nga regjimi i Beogradit, i cili ka vendosur gjendjen e jashtëzakonshme në vendin tonë. Liria e shtypit, liria e tubimit paqësor, liria e arsimimit, liria për të punuar, liria e qasjes në kujdesin shëndetësor, liria e shprehjes politike, liria e lëvizjes, liria fetare, liria nga të gjitha format e diskriminimit etnik dhe liria nga kontrolli dhe arrestimi, të gjitha janë shfuqizuar nga Serbia derisa Kosova mbetet pre e peshës gati të papërballueshme të një shteti policor”, kishte deklaruar Presidenti Rugova.

Rugova kishte kërkuar nga Kombet e Bashkuara dhe SHBA’ja që ta përkrahnin Kosovën në planin dhjetëpikësh të cilin e kishte prezantuar.

“1. Vënien e menjëhershme të një numri domethënës të trupave të OKB-së apo të NATO-s në Kosovë; 2. Vënien e Kosovës nën protektoratin e Kombeve të Bashkuara; 3. Vënien e shumë më tepër vëzhguesve të OSBE-së në vendin tonë; 4. Zgjerimin e zonës së ndalim-fluturimit mbi Kosovë; 5. Ndalimin e “spastrimit etnik” të heshtur të Kosovës, i cili po kryhet nëpërmjet kërcënimeve të serbëve; 6. Çarmatimin dhe shpërndarjen e njësive paramilitare serbe, vënien e artilerisë së rëndë serbe nën mbikëqyrjen ndërkombëtare; 7. Rihapjen e Aeroportit të Prishtinës për fluturime të ndihmës humanitare; 8. Ndalimin e kolonizimit të Kosovës nga Serbia; 9. Lejimin që të mblidhet Kuvendi i zgjedhur me vota të lira; 10. Përjashtimin e Kosovës nga sanksionet ndërkombëtare të vëna mbi Serbinë dhe Malin e Zi”, thuhej në pikat e kërkuara nga Rugova.

Ndërkohë, këtë fjalim të vitit 1993 të Presidentit Rugova e ka sjellë në kujstesë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla.

“Deklaratë nga Dr. IbrahimRugova, Presidenti i Parë dhe Historik i Republikës së Kosovës në 16 Shkurt 1993 ndërsa ishte në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara. (Nga dokumentet e deklasifikuara së fundmi nga BillClinton Biblioteka Presidenciale)”, ka shkruar Haradinaj-Stublla në Twitter./ KultPlus.com

Nuk kam vdekur

Poezi nga Mary Elizabeth Frye

Te varri im kur të vish mos qajë, 

Nuk jam aty,

Unë gjumë nuk mbajë.

Unë jam në puhitë që fërfëllojnë, 

Jam në diamantet e fluskave të dëborës që verbojnë.

Më gjenë në shkëlqimin e artë të grurit, 

Jam në piklat e shiut të shtatorit,

Kur mengjeset i nisë me nxitim, 

Më gjenë në vrapin që këndshëm përfshinë,

Zogjtë që melodinë e cicërrojnë, 

Jam në qarqafin e yjeve që natën të mbulojnë

Te varri im vajit pse i je rrekur.

Unë nuk jam aty. 

Unë nuk kam vdekur./ KultPlus.com

Fotografi e rrallë e shoqërisë letraro-politike “Bashkimi”

Në Shkodër, godina në sfond njihet si “Shtëpia e Abatit” ose selia e shoqërisë “Bashkimi” (sot në Rrugën Justin Godard, pranë Katedrales së Shën Shtjefnit).

Shoqëria letraro-politike “Bashkimi” u themelua në vitin 1899 nga abati i Mirditës, Imzot Preng Doçi – në fotografi i ulur në qendër- dhe personalitete të tjera fetare dhe laike të kohës ndër të cilët si At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Dodë Koleci, Dom Ndoc Nikaj, Anton Xanoni, Imzot Jak Serreqi, Imzot Lazër Mjeda, Atë Ambroz Marlaskaj, Nikollë Sheldija.

Programi i shoqërisë ishte përhapja e gjuhës së shkruar shqipe përmes botimeve. Shoqëria hartoi “Alfabetin e Bashkimit” i cili hodhi bazat e alfabetit të sotëm shqip  që u miratua në Kongresin e Manastirit, si dhe botoi “Fjaluer i ri i i shqypes përbam prej shoqnijet Bashkimi” (1908).

Foto kortezi e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”/ KultPlus.com

Alpet Shqiptare, pse quhen ndryshe dhe Bjeshkët e Namuna

Nëse jeni në kërkim të aventurës, mrekullive të shumta natyrore apo disa prej majave më të larta të jugut të Evropës, Alpet Shqiptare jua mundësojnë diçka të tillë. Të quajtura ndryshe dhe Bjeshkët e Namuna (Mallkuara) për shkak të natyrës së ashpër dhe të vështirë, për të shumtë mbeten ende hapësira ku mitet dhe legjendat takohen së bashku me realitetin duke e patur të vështirë t’i shkëputësh njëra nga tjetra. Edhe pse shtrihen në 7 shtete, Alpet Dinarike arrijnë maksimumin e tyre vetëm përmes Alpeve Shqiptare, më konkretisht falë Majës së Jezercës në lartësinë e 2,694 metrave.

Valbona & Thethi

Ndër destinacionet më të frekuentura të Alpeve janë Valbona dhe Thethi, të cilat falë natyrës së mrekullueshme e shërbimeve cilësore turistike në respekt të traditave të zonës, e bëjnë qëndrimin në këtë vend një përvojë autentike të veriut shqiptar. E tek sa Alpet rrethojnë luginat e Valbonës dhe Thethit, lumenjtë, kanionet e ujëvarat e pasurojnë zonën me disa monumente natyrore që duhet patjetër të bëhen pjesë e itinerarit tuaj të veriut.

Si Valbona ashtu dhe Thethi mund të shijohen plotësisht falë qëndrimit në bujtinat e shumta prej guri që janë ndërtuar në të dyja luginat. Vitet e fundit gjithnjë e më të shumtë janë turistët që i vizitojnë bashkë këto dy destinacione, të cilat lidhen përmes një shtegu në Qafën e Valbonës (1800 metra).

Valbona, Kukës, foto nga IntoAlbania

Malësia e Kelmendit

Në skajin më verior të Alpeve ndodhet dhe Malësia e Kelmendit, ku ndodhen fshatrat Vermosh, Lëpushë, Tamarë, Vukël, Selcë, Nikç, Brojë etj. Ato arrihen ndjekur rrugën Shkodër – Hani i Hotit – Tamarë – Vermosh, një rrugëtim plot gjarpërime e ballkone panoramike që do të të bëjnë të ndalosh herë pas here për të parë nga afër Leqet e Hotit, Luginën e Cemit,  majën e Mështjerrës (1447m), si dhe të shijosh pamjet e shumta spektakolare që shfaqen së largu.

Duke hyrë në Lëpushë, vlen të përmendet fakti se ujërat e lumit të Lëpushës derdhen deri në Danub. Fshati i Lëpushës është ndërtuar aty ku më parë barinjtë kishin vendosur stanet dhe sot së bashku me Tamarën,  tërheqin vizitorë të shumtë falë peizazheve malore dhe një natyre të mrekullueshme.

Malësia e Kelmendit, Shkodër, Burimi: albanian-mountains.com

Vermoshi

31 km në veri të Tamarës  ndodhet fshati i Vermoshit (mbi 1000 metra në nivelin e detit), që ofron të gjitha kushtet për një turizëm malor cilësor. Lumi i Vermoshit apo burimet e ujit dekorojnë përmes monumenteve natyrore mbresëlënëse zonën. Përgjatë 100 ditëve të vitit fshati është i mbuluar nga dëbora, ndërsa me ardhjen e pranverës ngjyrat e gjelbërta veshin të gjithë panoramën.  Përveç bujtinave në Vermosh do të gjeni dhe vende kampingu, e banorët e fshatit janë gjithmonë të disponueshëm për të të shoqëruar në përvoja hiking.

Vermosh, Shkodër, Burimi: mcnradio.al

Razëm – Bogë

Duke ndjekur rrugën Shkodër – Koplik – Dedaj – Razëm, do mund të vizitoni gjithashtu një nga fshatrat malorë më të bukur të vendit, atë të Razmës, që rrethohet nga kullota alpine shumë tërheqëse. Në morenat akullnajore apo fushën sportive të kampit të Razmës mund të praktikohet dhe sporti i skive. Rruga Shkodër – Koplik të shpie në një tjetër fshat me emër të veriut, në Bogë, që njihet jo vetëm për ngjyrat përrallore, por edhe për Shpellën e Pucit. Kjo e fundit është shpella më e madhe në Shqipëri e mbahet si një nga më të mëdhatë e Evropës, e pasur në stalaktike dhe stalagmite. / IntoAlbania/ KultPlus.com

Razëm – Bogë, Shkodër, Burimi: trover.com


Shkencëtari që zbuloi vaksinën tregon se kur do t’i kthehemi jetës normale

Ugur Sahin, drejtori ekzekutiv i ndërmarrjes gjermane BioNTech, e cila të hënën e kaluar njoftoi se ka zhvilluar së bashku me Pfizer një vaksinë kundër koronavirusit me efektivitet 90%, tha për “The Guardian” se kjo vaksinë do të mund të ndalojë pandeminë Covid-19.

Ai tregoi edhe periudhën se kur do t’i kthehemi jetës normale: “Nga mesi i vitit të ardhshëm. Por, para se të ndodhë kjo, na pret një dimër i vështirë. Edhe sikur të nisë shpërndarja e vaksinës në dhjetor, situata nuk do të ndryshojë në mënyrë rrënjësore”.

Shkencëtari shpjegoi edhe se si do të funksionojë vaksina e Pfizer: “Vaksina pengon që Covid-19 të ketë akses në qelizat tona. Por, edhe nëse hyn në qeliza, ato e eliminojnë virusin. Kemi hyrë shumë thellë në sistemin imunitar për të perfeksionuar mbrojtjen e vaksinës”.

Në lidhje me kritikat e Presidentit amerikan Donald Trump, i cili akuzoi se lajmi për vaksinën u dha vetëm pas zgjedhjeve në SHBA, Sahin theksoi: “Hetimi farmaceutik nuk duhet politizuar kurrë. Është çështje integriteti, nuk do të kishte qenë etike që të mbanim të fshehtë informacionin. E rëndësishme është që po merremi me vaksinën dhe nuk bëjmë politikë”./ KultPlus.com

Koha e vazalëve…

Jusuf Buxhovi

(Shkëputje nga romani “Letrat për Kryeprincin”, Prishtinë, 2003)

Princi i shkërmoqur nga vetmia dhe pesha e viteve të trishta të kaluara i mbyllur në Kështjellën e Pashtrikut nga Kryqtarët Perëndimorë, dukej si i pajetë. Të kota ishin fjalët e oborrtarit besnik, Mikelit plak, që po i flise për pritjen me padurim dhe shpresën e madhe në Rekë të Keqe pas gjithë atij rrënimi që kishte ndodhur gjatë kohës sa kundërshtatët e tij – vasalë të Kryqetarëve, vendin e kishin kthyer në plaçkë…

Të menduarit se tashmë shumë prej bashkëpunëtorëve të dikurshëm (shkrimtarë, artistë dhe klerikë të vrarë nga fitimtarët pse nuk ishin pajtuar me rrugën që ata ndiqnin ose që t’u shkruanin apologji), nuk do t’ua gjente as varret, e kthente në një të paqenë, në një kufomë të gjallë që edhe mëtutje u duhej Kryqtarëve.. Madje, nuk e ngushëllonte as ajo që, me rikthimin e tij në fron, qoftë edhe sa për sy e faqe, atyre mund t’u kthehej nderi i humbur bashkë me heqjen e mallkimit të tmerrshëm të të shpallurit “tradhëtarë”!

“Froni po të pre, imzot. Vendi ka nevojë për me e marrë veten pas gjithë atij zullumi…Fjala juaj pritet me padurim…”

Por,ndjenja e hiqit, Princit të ngrysur, iu tumir përgjithmonë kur mbi Urën e Shenjtë, në pirgun e lartë, pa të valonte flamuri i Kryqtarëve. Në atë gjendje, ato që po ia thoshte Mikeli plak se kundërshtatët e tij fillimisht të kremtuar si shpëtimtar e mandej të paditur për vrasësë e çmos, tashmë ishin dërguar në Kështjellën e Pashtrikut dhe thuhej se nuk do të kthehen kurrë, jo vetëm nuk po e ngushëllonin, por po e kthenin në një hije.

“Vazhdon koha e vasalëve”, deshi të thoshte, por heshti, ngaqë nuk dëshironte që para atyre që po e prisnin, të dukej i nënçmuar…/ KultPlus.com

Vdes aktori i njohur indian për shkak të komplikimeve me COVID-19

Aktori legjendar indian, Soumitra Chatterjee ka vdekur për shkak të komplikimeve me COVID-19.

85-vjeçari ishte pranuar në spital në qytetin Kolkata më 6 tetor pasi kishte rezultuar pozitiv.

Chatterjee njohët për punën e tij me regjisorit fitues të çmimit Oskar, Satyajit Ray.

Ai ka qenë pjesë e më shumë se 300 filmave, ashtu si njihej edhe si aktor teatri dhe poet, shkruan BBC.

Aktori kishte rezultuar negativ disa javë më vonë pas pranimit në spital, por gjendja e tij ishte përkeqësuar dhe ishte vënë në ventilator javën e fundit të tetorit.

Një nga kritiket e filmave më me nam në Amerikë, Pauline Kael, ka thënë se Chatterjee aktronte aq mirë në role të ndryshme sa mezi njihej kur ndryshonte personazh.

Ai është shpallur fitues i çmimit Dada Saheb Phalke, çmimi më prestigjioz i kinemasë në Indi, në vitin 2012, ndërsa në 2018 iu dha çmimi më i lartë i Francës, “Legjioni i Nderit”./ KultPlus.com

Vargjet e ndaluara në diktaturë, artistët shqiptar rikthejnë krijimtarinë e autorëve të njohur

Pas më shumë se 72 vitesh, kohë ku regjimi diktatorial ndaloi së lexuari krijimtarinë e shumë autorëve si të At Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Martin Camajt dhe Ali Asllani, artistët e mirënjohur të skenës shqiptare i risollën për publikun në një formë tejet të veçantë.

Germa “R”, ajo që damkoste librat, bashkoi artistët më të njohur si Roza Anagnosti, Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani dhe Kristian Koroveshi tek instalacioni “Reja”, një aktivitet edhe në në kuadër të 100-vjetorit të Bibliotekës Kombëtare. Duke respektuar masat antiCOVID, ata interpretuan vargjet e ndaluara nga regjimi komunist.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e pranishme në këtë aktivitet u shpreh se pas dekadash, këto libra çlirohen nën tingujt e kësaj Reje. Sipas saj, këta libra, kthehen nga të ndalur në një ndalesë.

Drejtori I Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha shprehet se eventi dëshmon ato peripeci që kemi përjetuar shumë prej nesh. Por, tha ai, nuk janë vetëm këta autorë, janë shumë të tjetër të cilët edhe u burgosën. Janë autorë që thjesht për një lidhje familjare me dikë të padëshiruar nga partia e Punës i ndërpritej veprimtaria letrare”, u shpreh  Piro Misha./atsh/ KultPlus.com

https://www.facebook.com/watch/?v=696512044391372&ref=external