Stërvitja më e madhe ushtarake, për herë të parë në Kosovë, Kurti shprehet krenar me FSK-në

Me rastin e zhvillimit të ‘’Defender Europe 21’’, që njihet si stërvitja më e madhe ushtarake pas Luftës së Dytë Botërore, edhe njësitë e veçanta të Forcës së Sigurisë së Kosovës me rreth 300 ushtarë janë bërë pjesë e kësaj stërvitje së bashku me 28 mijë ushtarë nga 27 vende pjesëmarrëse, shkruan KultPlus.

Pas këtij lajmi, edhe kryeministri Albin Kurti ka reaguar pozitivisht dhe është shprehur se ushtarët e FSK-së kanë treguar përkushtim dhe profesionalizëm në aktivitetet stërvitëse të ‘Defender Europe 21’, në Kosovë, Shqipëri dhe Kroaci.

Tutje ai ka folur edhe rreth stërvitjeve të përbashkëta mes trupave të vendit tonë dhe atyre të aleatëve, me ç’rast kanë ngritur aftësinë dhe gatishmërinë e ushtarëve të FSK-së.

KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Nga Baltiku në Detin e Zi dhe deri në Mesdhe, nën drejtimin e ushtrisë amerikane, po zhvillohet “Defender Europe 21”, stërvitja më e madhe ushtarake pas Luftës së Dytë Botërore. Mes 28 mijë ushtarëve nga 27 vende të përfshirë në këtë stërvitje, janë edhe njësite të veçanta të Forcës së Sigurisë së Kosovës, me mbi 300 ushtarë. Kjo e ka bërë Kosovën për herë të parë vend pritës të një ushtrimi kaq të madh, që drejtohet nga Ushtria e ShBA-së për Evropë dhe Afrikë. Ushtarët e FSK-së po tregojnë përkushtim dhe profesionalizëm në aktivitetet stërvitëse të “Defender Europe 21”, në Kosovë, Shqipëri dhe Kroaci. Pritja e trupave amerikane në vendin tonë dhe stërvitjet e përbashkëta me trupat e vendeve aleate, po ngritin aftësinë dhe gatishmërinë e ushtarëve të FSK-së si dhe ndërveprueshmërinë e tyre me partnerët tanë strategjikë. / KultPlus.com

Në Kizhevak gjenden mbi 10 mbetje mortore, dyshohet se u përkasin familjarëve të zhdukur nga Rezalla

Në Kizhevak të Serbisë, janë gjetur mbi 10 mbetje mortore të cilat dyshohet se u përkasin civilëve shqiptare të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kryetari i Këshilli koordinues për të zhdukurit dhe krimet e luftës, Ahmeti Grajqevci në një konferencë për medie tha se tashmë procesi në Kizhevak po përmbyllet dhe dyshimet janë se mbetjet mortore i takojnë familjarëve të zhdukur nga Rezalla.

Grajqefci ka kërkuar nga Serbia që të tregojë vendndodhjen e personave të zhdukur gjatë luftës.

“Ai proces që po përmbyllet aty si po duket se është komplet i familjarëve të Rezallës edhe 6 trupa iu mungojnë dhe për trupat tjerë mbetet që Serbia të tregojë se ku janë. Ne nga Serbia kërkojmë rrugëtimin e njerëzve të gjallë që i ka marr nga Kosova, vendndodhjen e tyre dhe përfundimin e tyre. Serbia çdo gjë e di fort mirë dhe e ka të shkruar dhe të filmuar dhe institucionet kryesore të shtetit e dinë përfundimin e familjarëve tanë se ku janë. Serbia shpresoj që një ditë do t’i tregojë qytetarët veçse kanë filluar t’i tregojnë, madje edhe njerëzit më eminentë të Serbisë që të tregojnë se është diskutuar për varrezat masive në Serbi”, tha ai.

Haki Kasumi ish-koordinator i Këshillit Koordinues i Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës i cili e kishte kryesuar këtë vizitë tha se deri më tani dyshohet për mbi 10 mbetje mortore ADN-ja e të cilëve pritet të dërgohet për verifikim në laboratorët e Komisionit Ndërkombëtar të Personave të Zhdukur.

“(Dyshohet) Deri më tani diku mbi 10 mbetje mortore të trupave të shqiptarëve ekskluzivisht civilë të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë…09\26 Në bazë të gjurmëve rreth mbetjeve trupore të viktimave në vendin Kizhevak aludohej edhe nga ekspertët se lidhen me masakrën e Rezallës. Trupat janë trajtuar në mënyrë profesionale ishin vënë në vendin e planifikuar dhe aty vazhdon proces i përpunimit, nxjerrjes së ADN-së nga pjesët kockore të gjetura të cilat në mënyrë profesionale dhe të duhur do të përcillen në laboratorët e Komisionit Ndërkombëtar të Personave të Zhdukur, i cili komision bazën e ka dhe është organizatë profesionale dhe ka bërë analizën e AND-së të 70 për qind të mbetjeve mortore të identifikuara deri më tash nga të pagjeturve tanë…Procesi është në vazhdim por shpresa dhe gjurmët e gjetura, gjësendet, letërnjoftimet pastaj orët e rrobat korrespondojnë me ato të gjeturat më parë dhe korrespondojnë me masakrën e 5 majit 1999 në Rezallë“, tha Kasumi.

Gërmimet në Kizhevak të Rashkës në Serbi kanë nisur në fund të vitit të kaluar dhe më pas u ndërprenë për shkak të kushteve atmosferike ku tani më 5 maj kanë rifilluar gërmimet.

Më shumë 1.640 njerëz nga Kosova, shumica shqiptarë, ende konsiderohen si të zhdukur. / Gazeta Express / KultPlus.com

Sot për Ditën e Kinemasë në Cineplexx, çmimet e biletave duke filluar nga 2,80€

Në Cineplexx dita e martë shënon Ditën e Kinemasë, e cila është ditë e rezervuar për çmime më të ulëta të biletave, ku çmimet e tyre fillojnë nga 2,80€.

Dita e martë është dita që kinemaja më e madhe në vend, Cineplexx, ka rezervuar për filmdashësit, duke ofruar çmime më të lira të biletave, duke filluar nga 2,80€ për filmat 2D, dhe 3,60€ për filmat 3D. Me zbritje në të dy kinematë, në Prizren dhe Prishtinë, sot mund t’i shikoni 7 filma të ndryshëm, të cilët shfaqen në orare të ndryshme nga ora 15:00 deri në ora 20:00 në kinemë në Prishtinë dhe në Prizren. Top 3 filmat të cilët mund t’i shikoni sot me çmime të zbritura në Cineplexx janë:

1) Wrath of Man H, një personazh i ftohtë dhe misterioz duke punuar në një kompani kamionësh me para, përgjegjës për lëvizjen e qindra miliona dollarëve rreth Los Anxhelosit çdo javë.

2) Those Who Wish Me Dead Një adoleshent, dëshmitar i një vrasje e gjen veten të ndjekur nga vrasësist binjakë në shkretëtirën e Montanës me një eksperte mbijetese me detyrë ta mbrojë djaloshin – dhe një zjarr në pyll që kërcënon t’i konsumojë të gjithë.

3) Promising Young Woman Një grua e re, e traumatizuar nga një ngjarje tragjike në të kaluarën e saj, kërkon hakmarrje kundër atyre që kaluan rrugën e saj.

Përveç këtyre tre filmave, në të dy kinematë po shfaqen filmat The Mauritanian dhe Way Down, si dhe filmat e animuar Raya and the last Dragon dhe Tom and Jerry.

Kinemaja në Prishtinë dhe Prizren, nis punën nga ora 15:00, ndërsa për të gjithë filmat që po shfaqen dhe oraret e shfaqjeve mund t’i gjeni në linkun këtu (fjalen këtu e lidhni me këtë link: https://www.cineplexx-ks.eu/filma/programi-i-filmave/)

Nesër hapet ekspozita ‘’Frymë’’, prezantohen punime të veçanta

‘Frymë’, një ekspozitë multidisiplinare vjen nesër në sheshin ‘Zahir Pajaziti’. Kjo ekspozitë mbledh rreth vetes tre autorë si: Sali Shkupolli, Ilirjana Luzha dhe Flutra Hyseni, me ç’rast do të prezantojnë punime dhe teknika të veçanta ku të pranishmit do ta kenë mundësinë ti shohin ato, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë do të mbahet pikërisht tek Amfiteatri në sheshin Zahir Pajaziti në orën 18:00, ndërsa është rekomanduar që të mbahet distanca dhe maska gjatë kësaj vizite për të respektuar rregullat anti-covid19. / KultPlus.com

Bruno Mars e ka shitur një pjesë të këngëve nga katalogu i tij muzikor

Vetëm një ditë pasi Bruno Mars u bë artisti i parë në histori që ka arritur certifikim diamanti për pesë këngë, revista “Bilboard” raporton se pop ylli 35-vjeçar ia ka shitur një pjesë të katalogut të këngëve të tij, kompanisë botuese muzikore “Warner Chappell”.

Besohet se ngjarja ka ndodhur para më shumë se gjashtë muajve.

Sipas revistës “Billboard”, Mars, i cili e posedon një katalog prej 232 këngësh, e ka mbajtur një përqindje të vogël të ‘aksioneve’ të këngëve të shitura. Derisa kushtet e kësaj marrëveshjeje nuk janë bërë publike, burime të afërta me këngëtarin thonë se avokati i këngëtarit, Scott Felcher, është kujdesur për procesin e blerjes.

“Bruno është një gjeni kreativ dhe është një nderë i madh për ne që po e thellojmë bashkëpunimin me të. Në zemër të talenteve që ai i posedon, e që janë të shumta, përfshihet edhe aftësia e tij e jashtëzakonshme si tekstshkrues dhe të cilën ai e kishte përsosur me vite të tëra, para se të bëhej një superyll i muzikës. Ashtu siç mund të bëjnë vetëm yjet e mëdhenj, ai ka zotëruar dhe tejkaluar zhanre të shumta muzikore me origjinalitet dhe shkathtësi të jashtëzakonshme. Bota do të vazhdojë të dashurohet me këngët e tij, edhe në brezat e ardhshëm”, ka deklaruar Guy Moot, kryeshefi ekzekutiv i kompanisë “Warner Chappell”.

Kurse Mars në një intervistë për revistën “Billboard”, duke folur për këtë marrëveshje të re tha: “E kam filluar karrierën në studion incizuese ‘Atlantic’ dhe kishte kuptim ta mbaja biznesin tim në familje, me ekipin që më ka përkrahur gjëra gjithë karrierës dhe është rritur bashkë me mua në këtë industri. Me këtë marrëveshje të re, unë po e vazhdojë bashkëpunimin me njerëz të cilëve u besoj. Jemi vetëm në fillimet e rrugëtimit tonë, dhe shumë gjëra të reja pritet të vijnë në vazhdim”.

Pra siç u potencua edhe më herët, lajmi për shitjen e këngëve nga katalogu i tij muzikor vjen vetëm një ditë pasi Mars bëri histori, duke u bërë artisti i parë që ka arritur certifikim diamanti për pesë këngët e tij, “Just the Way You Are”, “Grenade”, “When I Was Your Man”, “Uptown Funk!” dhe “That’s What I Like”.

Në muajin mars, Bruno Mars e lansoi bashkëpunimin e tij të ri me artistin, Anderson .Paak dhe dyshen e muzikës, “Silk Sonic”. Kënga me titull “Leave the Door Open” debutoi suksesshëm në toplistat muzikore, duke u bërë projekti i tetë muzikor i Marsit i pozicionuar në vendin e parë të toplistës “Billboard Hot 100”. Kënga gjithashtu do të përfshihet në albumin e ardhshëm bashkëpunues të këtyre artistëve./ Koha.net / KultPlus.com

Nis peticioni për pranimin e Kosovës në Eurovision, kërkohet mbështetja e qytetarëve

Ka vite që Transmetuesi Publik i Kosovës tenton të bëhet pjesë e organizatës evropiane të transmetuesve, shkruan KultPlus.

RTK për vite me radhë e zhvilloi betejën e vetme me shtetin e Serbisë dhe Rusisë. Pas shumë viteve të përpjekjeve të vazhdueshme së paku ata kanë arritur ta fusim në agjendë ndryshimin e statutit ku do t’i mundësohej RTK-së të ishte pjesë e kësaj organizate dhe me këtë edhe Kosova mund të përfaqësohej në Festivalin të Eurosongut, por gjithçka ka mbetur pezull pasi që në luftën kundër kësaj kërkese nga Kosova u angazhua direkt Qeveria e Serbisë dhe ajo e Rusisë.

Tashmë është marr hapi i radhës dhe këtë e ka bërë Albert Limani. Duke e parë ndikimin pozitiv të peticioneve, Limani ka nisur një të tillë përmes të cilit kërkon pranimin e Kosovës në Eurovision.

Nismëtari i këtij peticioni kërkon mbështetjen e qytetarëve të cilët duke nënshkruar këtë peticion ndihmojnë në arritjen e qëllimit, dërgimit të Kosovës në Eurovision 2022.

“Eurovisioni mbaroi për këtë vit, por jo edhe angazhimi jonë për ta quar Kosovën vitin e ardhshëm në Itali.

Duke vlerësuar rëndësinë e zërit të qytetarëve, kërkojmë nga ju që të na mbështesni duke nënshkruar këtë peticion i cili ka për qëllim ta dërgojë Kosovën në Eurovision 2022.

Kosova tashmë është pjesë e organizatave të mëdha dhe është koha që edhe Rrjeti i Transmetuesve Evropian (EBU) t’i hapë dyert për Kosovën (RTK)”, thuhet në njoftim.

Klikoni KETU për të nënshkruar peticionin. / KultPlus.com

Gjon’s Tears këndon “Karma” të Anxhela Peristerit (VIDEO)

Këtë vit ishin dy shqiptarë që morën pjesë në Eurovision, Anxhela Peristeri që përfaqësoi Shqipërinë dhe Gjon’s Tears që përfaqësoi Zvicrën.

Gjoni u rendit i treti në këtë kompeticion me këngën “Tout l’Univers” e që mori pikët maksimale nga Shqipëria. Këtë Gjon Muharremaj e shoqëroi me simbolin e shqiponjës me duar.

Por së fundmi një video po qarkullon në rrjetet sociale, ku ai këndon këngën e bashkëatdhetares së tij, Anxhela Peristeri. “Karma” ishte kënga me të cilën Anxhela shkëlqeu por nuk arriti të sigurojë një pozicion të mirë në finale. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

https://twitter.com/F1Emz/status/1395106719966146565?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1395106719966146565%7Ctwgr%5E%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fdiasporashqiptare.al%2F2021%2F05%2F25%2Fgjons-tears-kendon-karma-te-anxhela-peristeri-video%2F

Sot, 175 vjetori i lindjes së Naim Frashërit

Sot, përkujtojmë 175-vjetorin e lindjes të Naim Frashërit.

Naim Frashëri lindi në Frashër të Dangëllisë së Përmetit më 25 maj 1846. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane. Më 1865 familja e tij u shpërngul në Janinë, ku ndoqi gjimnazin “Zosimea”. Mbas kthimit në vendlindje, ai bëri provat e para të vjershërimit shqip nën ndikimin e bejtexhinjve, por edhe persisht, në përmbledhjen “Tehajylat” (Ëndërrime) që e botoi në vitit 1885.

Naim Frashëri mori pjesë në ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në mbledhjen e degëve të Jugut të Lidhjes Shqiptare në Frashër (1878). Ai iu kushtua punës për zgjimin kombëtar përmes lëvrimit të gjuhës shqipe e të letërsisë kombëtare dhe për ngritjen e shkollës shqipe e pajisjen e saj me tekste mësimore në gjuhën amtare. Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll. Me përkushtimin dhe veprimtarinë e tij të dendur atdhetare e kulturore Naim Frashëri u bë figura qendrore e Rilindjes Kombëtare dhe u pagëzua për së gjalli si “Apostull i Shqiptarizmës”.

Për më pak se 20 vjet botoi një krijimtari të gjerë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera, poema, përmbledhje lirikash, prozë artistike, si dhe vjersha e tekste për shkollat dhe përkthime. Veprat e tij më të shquara janë “Bagëti e Bujqësija” (1886), përmbledhja me lirika atdhetare e filozofike “Luletë e verësë” (1890), poema epike “Istori e Skënderbeut” (1898), lirikat në persisht “Ëndërrime” si dhe poemat në gjuhën greke “O alithis pothos ton Skyperaton” (Dëshira e vërtetë e shqiptarëve, 1886), etj..

Vepra e Naim Frashërit është botuar dhe vazhdon të botohet gjerësisht dhe është bërë objekt studimesh shkencore. Naim Frashëri vdiq në Stamboll më 20 tetor 1900. Eshtrat e tij u sollën në atdhe më 1937 dhe prehen në Memorialin e Rilindësve në Tiranë. / KultPlus.com

Osmani gatuan bashkë me fëmijë në Presidencë

Fotografitë nga Reenor Ramadani

Në Presidencën e Kosovës kanë qëndruar mbi 15 fëmijë, të cilët bashkë me Presidenten Osmani dhe pasionantin e kuzhinës, Jusuf Islamin, përgatitën smoothie të shijshme e të shëndetshme, shkruan KultPlus.

Për këtë aktivitet me fëmijët, ka njoftuar vetë Osmani, përmes postimeve në rrjetet sociale.

“Në presidencë, bashkë me Duan e Andën pritëm fëmijë të komuniteteve të ndryshme të cilët si kuzhinierë të vegjël, me ndihmën e Jusuf Islamit, përgatitën smoothie të shijshme e të shëndetshme. I falënderoj të gjithë që na e zbukuruan dhe i dhanë kuptim kësaj dite”, ka shkruar Osmani.

Ndërsa, Jusuf Islami në postimin e tij në rrjetin social, facebook, përveç fotografive që ka publikuar është shprehur se ishte nderë dhe kënaqësi që për Ditën e Presidentit, bashkë me fëmijët e komuniteteve të ndryshme, kanë përgatitur smoothie të shijshme.

“Pata nderin dhe kënaqësinë që për Ditën e Presidentit, në Presidencë, me fëmijë të komuniteteve të ndryshme të cilët si kuzhinierë të vegjël, përgatitën smoothie të shijshme e të shëndetshme. I falënderoj të gjithë që na e zbukuruan dhe i dhanë kuptim kësaj dite. Përveç komunitetit nga Balkan Sun Flowers Kosova nga Fushë Kosova, ishin prezent tri nxënëse nga shkolla fillore Meto Bajraktari një nga ISP, dhe një nga shkolla fillore Dardania. Një gjithëpërfshirje e fëmijëve. DASHNI PA FUND”, shkruan Islami. / KultPlus.com

Netflix konfirmon datën kur nis sezoni 5-të i “La Casa de Papel”

Netflix ka konfirmuar transmetimin për sezonin e pestë të serialit të njohur Money Heist, ose siç njihet në gjuhën spanjolle: La Casa de Papel. Sezoni 5 do të ketë dy vëllime të ndara. Vëllimi i parë do të transmetohet më 3 shtator, ndërsa i dyti më 3 dhjetor.

Sezoni katër shkaktoi polemika dhe la në pikëpyetje shikuesit nëse ky ishte fundi, por krijuesit vendosën të mbajnë publikun ‘nën ankth’ deri në konfirmimin e lajmit se PO, do të ketë një sezon të pestë.

Pas xhirimit të sezonit të fundit në disa vende si Spanjë, Danimarkë dhe Portugali – dhe nuk ka qenë aspak e lehtë për shkak të pandemisë së koronavirusit, tashmë është konfirmuar që sezoni i pestë do të ketë 10 episode. Kjo do të thotë që secili vëllim të përmbajë pesë episode.

Money Heist ose Casa de Papel ka pasur një popullaritet të jashtëzakonshëm në Netflix dhe u rendit si seriali i dytë më i popullarizuar në Prill të vitit të kaluar. Duket se njerëz të shumtë janë fiksuar me ngjarjet dhe fatin e personazheve të përfshirë. Siç Alvaro Morte, i cili luan Profesorin, e ka thënë më parë: “Sapo të shihni serinë e parë, do të humbni me të”. / KultPlus.com

Kërkohet lirimi i masave antiCOVID-19, gastronomët protestojnë sot para Qeverisë

Gastronomët do të protestojnë sot në ora 18:00 para Qeverisë së Kosovës në shenjë pakënaqësie për masat kundër parandalimit dhe përhapjes së pandemisë COVID-19.

Marrë parasysh numrin e rënieve të rasteve të vdekjeve por edhe të rasteve pozitive, gastronomët kërkojnë nga Qeveria që të lirohen masat dhe të hapet gastronomia në mënyrë që të mos pësohen edhe më tej humbje në këtë sektorë.

Të hënën nëpërmjet një konference për media, kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi tha se nuk ka më kohë për të humbur pasi që numrat e të infektuarve me COVID kanë rënë dhe vera është afruar.

Ai shtoi se hapja duhet të bëhet tani gjatë verës dhe jo për fushata politike, apo edhe për zgjedhjet lokale.

Nga ana e tij, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia do të mbajë një takim virtual me kryetarëtr e Komunave për të diskutuar rreth masave të reja kundër COVID-19. / KultPlus.com

23 vjet nga masakra e Lybeniqit

Sot mbushen 23 vjet kur më 25 maj 1998, forcat serbe hynë në Lybeniq të Pejës, duke vrarë e masakruan nëntë banorë të Lybeniqit, e më vonë edhe burrat e tjerë të fshatit.

Gjenocidi i kryer në këtë vendbanim ndaj popullsisë se pafajshme shqiptare më 25 maj 1998 dhe më 1 e 7 prill 1999, është njëri nga krimet me të mëdha që kanë kryer forcat policore, ushtarake e para ushtarake serbe në Kosovë.

Drejtuesi i Departamentit të Historisë Bashkëkohore në Institutin e Historisë, Shkodran Imeraj, ka thënë kohë më parë se drejtësia vendore dhe ajo ndërkombëtare kanë dështuar në ndjekjen dhe dënimin e autorëve të masakrave që u kryen në Lybeniq gjatë viteve 1998-1999.

Sipas Imerajt, gjenocidi që kryen forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe kundër banorëve shqiptarë të Lybeniqit, është gjenocidi më i madh që është kryer kundër popullsisë shqiptare në historinë e fshatit Lybeniq. / KultPlus.com

Kafsha e zezë

Nga Azem Shkreli


Heshtja det i lëkundur dhe vetimët
Fshikin terrin trupi i saj përdridhet
Ku janë njerëzit. Nga janë nisur bimët
Një langua leh e s’ik as lidhet

Ulurin përmotshëm mbase së ligës
Ja ndjen erën diku në gjakun tim
Ai rrëmbimit të vet i turret digë
Rreptas pastaj etur merr gufim

Tej durimit dhimshëm. Të trazuara
Ngrihen grevë të pabërat duan dëshmi
Protestojnë. Gjithë gjërat e ndaluara
Bredhin mëllefit të vet me zhauri

Dhe leh kafshë e zezë e s’ik as lidhet
Heshtja det i lëkundur dhe vetimët
Fshikin terrin trupi i saj përdridhet
Ku janë njerëzit. Nga janë nisur bimët

Ja që kështu na qenka kafshë e dehur
Mëtimi. Pastaj vetëm cuklat kur të na mbeten
Do thonë: Ai me fjalë e ajo me të lehur
Të rrojnë se njerëzisht e hëngrën veten
Të pastë ndjesë harrimi hero i herave tjera./ KultPlus.com

Ngjitjet në Everest vazhdojnë pavarësisht rasteve të COVID-19

Qeveria e Nepalit ka njoftuar se nuk do të ndalojë sezonin e ngjitjeve në majën e Everestit edhe pse ka alpinistë që kanë rezultuar pozitivë në kampin bazë.

Në muajin prill një alpinist norvegjez ishte dërguar në shtëpi pas infektimit me virus. Ndërsa është raportuar se dy të huaj që u ngjitën këtë muaj në malin Everest kanë vdekur.

Sipas të dhënave të raportuara nga qeveria e Nepalit ka gjithsej 513,241 raste pozitive në gjithë vendin./ KultPlus.com

Sopranoja Qerkezi e mahnitshme në ‘Circolo Lirico’ të Bolonjës

Sopranoja e mirënjohur kosovare, Marigona Qekrezi natën e mbrëmshme me madhështinë dhe elegancën e saj ka performuar në ambientet e ‘Circolo Lirico’ të Bolonjës, shkruan KultPlus.

Qerkezi në një postim në Facebook ka ndarë me ndjekësit e saj disa momente nga koncerti i mbrëmshëm, ku ajo interpreton një nga ariet e saj të preferuara ‘Casta Diva’ të Vincenzo Bellinit.

“Të dashur miq, po ndaj me ju interpretimin e njërës prej arieve të mia të preferuara, e veçuar nga koncerti i mbrëmshëm këtu ne Bologna.”, ka shkruar sopranoja në Facebook.

Në sekuencën e ndarë nga Qerkezi, performanca e jashtëzakonshme e saj shoqërohet nga duartrokitje të shumta./ KultPlus.com

Zëvendësministri i Arsimit paralajmëron largim nga puna të mësimdhënësve që kanë performancë të dobët

Zëvendësministri i Arsimit Dukagjin Pupovci ka paralajmëruar largim nga puna për mësimdhënësit që do të tregojnë performancë të dobët në punën e tyre.

“Për shkak të përformancës së dobët, jo vetëm mësimdhënësit por çdo punëtorë në Kosovë mund të largohet. Aty parashihet një periudhë njëvjeçare për mësimdhënësit që ka dalë dobët në vlerësim që të përmirësohet, dhe në rast se nuk përmirësohet ai mësimdhënës e humb licencën e punës”, deklaroi ndër të tjera Dukagjin Pupovci në RTV Dukagjini.

Ai ka shpjeguar se testimin mësimdhënësve e kishte përmendur ministri Arsim Bajrami në vitin 2006 e jo Qeveria Kurti.
“Pas reagimeve të SBASHK’ut Bajrami më nuk e kishte përmendur atë gjë”, deklaroi Pupovci.

Pupovcithotë se kjo qeveri parashikon vlerësimin e mësimdhënësve e jo testimin, e që sipas tij është edhe në udhëzimin administrativ.

“Vlerësimin e mësimdhënësve do ta bëjë Inspektorati. Inspektorati mbledh portfolion e mësimdhënësve, i shkon në orë arsimtarit, e gjëra tjera që janë pjesë e sistemit të poentimit të mësimdhënësve. Në fund ky vlerësim e nxjerr mësimdhënësin në njërin nga tri nivelet. Ose i plotëson kriteret në një shkallë më të lartë, ose i plotëson në një shkallë minimale, ose nuk i plotëson kriteret fare”, tha ai./ KultPlus.com

Kostumi arbëresh në Ekspozitën Folkloristike në Napoli më 1896 (FOTO)

Kurioziteti për veçantinë e veshjeve tipike arbëreshe daton shekuj më parë. Në një foto të realizuar në vitin 1896 sjell kostumet popullore kalabreze me punime me shtypje dhe gravura antike (shek. 16 – 19).

Kostumi që mbajnë veshur personazhet në foto njihet si kostumi i San Martino di Finita, një qytet i vogël me origjinë shqiptare në provincën e Kozencës.

Në anën e pasme të fotos është shkruar “Kostumi i San Martino di Finita, prezantuar nga shqiptarët në Ekspozitën Folkloristike dhe të Kostumeve në Napoli në vitin 1896. Në atë kohë kryetari i Bashkisë Cavallo Silvio ishte shoqëruesi i grupit Sammartinese. Foto kotrezi e Alfonso Barone./ KultPlus.com

Afro 1 milionë euro artefakte vidhen nga një kala në Britani

Disa artefakte me vlerë prej afro 1 milionë euro janë vjedhur nga kalaja “Arundel” në Britani të Madhe.

Kjo vjedhje ka ndodhur vetëm pak ditë pasi kalaja u rihap për publikun.

Në mesin e artefakteve të vjedhura ishin edhe disa lloj rruazash ari rusari “të pazëvendësueshme” të para 500 vjetëve.

Një zëdhënës i Kalasë së Arundelit ka thënë se artikujt kishin “rëndësi historike të paçmuar”.

Kalaja u rihap për publikun vetëm të martën./ KultPlus.com

Marrin fund dyshimet, del rezultati i testit të drogës së këngëtarit të grupit “Maneskin”

Vokalisti i grupit “Maneskin”, Damiano David, ka rezultuar negativ në testin e kryer për përdorimin e kokainës.

Pas fitores së tyre në rrjete sociale qarkulloi një video ku Damiano përkulej mbi tavolinë dhe të gjithë dyshuan se ai kishte marrë kokainë.

Mirëpo këto dyshime janë hedhur poshtë një herë e mirë pas rezultateve të sotme.

“Pas akuzave për përdorim droge në Dhomën Jeshile në Eurovision Song Contest në finalen e madhe në 22 maj, EBU, siç u kërkua edhe nga delegacioni italian, ka kryer një rishikim të plotë të fakteve, duke kontrolluar të gjitha pamjet në dispozicion. Gjithashtu këngëtari i grupit Maneskin mori vullnetarisht një test ditën e sotme, që ka rezultuar negativ, i parë dhe nga EBU”, thuhet në deklaratën zyrtare të organizatorëve të festivalit europian.

Në fakt edhe vetë këngëtari e mohoi të kishte pirë kokainë gjatë një konference për shtyp menjëherë pas fitores.

“Thomas (kitaristi i grupit) theu një shishe… unë nuk përdor drogë, ju lutem, mos e thoni këtë gjë. Mos e thoni këtë gjë realisht. Jo kokainë ju lutem, mos e thoni këtë gjë”, u shpreh Damiano, pasi u pyet nga gazetarët në sallë nëse kishte bërë diçka të tillë.

Ndërkohë sot, para dalje së rezultateve, ministri francez për Europën, Clement Beaune, kërkoi transparencë për këtë rast dhe madje skualifikim të grupit.

“Mendoj se nuk ka nevojë për dyshim këtu dhe duhet transparencë e plotë. Nëse ka një problem, ka ndëshkime. Janë bërë masa sanksionuese, përfshirë skualifikimin e mundshëm në rast të problemeve”, u shpreh ministri francez, i cili ishte dhe vetë i pranishëm në “Eurovision”./ KultPlus.com

Shqipëri-Itali, tjetër hap bashkëpunimi në fushën e trashëgimisë kulturore

Shqipëria hodhi sot një tjetër hap të rëndësishëm bashkëpunimi në fushën e trashëgimisë kulturore me vendin fqinj, Italinë.

Kështu u shpreh sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila theksoi se përmes një konference të organizuar nga Ambasada e Italisë në Tiranë, Agjencia ICE, Assorestauro dhe Salloni ndërkombëtar i Restaurimit u prezantua “Salloni i Restaurimit në tour” në Bari dhe “Restoration Week 2021” (Java e Restaurimit 2021), ku Shqipëria mori ftesën zyrtare për pjesëmarrje.

Ministrja Margariti tha se “nuk bëhet fjalë për një pjesëmarrje honorifike, por shkëmbime përvojash dhe vendosje e urave të komunikimit mes kompanive, specialistëve, në fushën e teknikave, materialeve, projekteve të përbashkëta”.

“Së bashku me Fabrizio Bucci ambasadori italian në Tiranë, Michele Emiliano presidenti i Rajonit të Puglia-s, Alessandro Bozzetti presidenti i Assorestauro, Andrea Moretti presidenti i Ferrara Fiere, Alessandro Ambrosi presidenti i Fiera del Levante, Elisa Scelsa drejtoreshë e Zyrës ICE Agjencia – Tirana dhe Andrea Griletto drejtor i Assotestauro diskutuam mbi bashkëpunimet e ardhshme në fushën e trashëgimisë. Italia përbën ekselencën botërore në fushën e konservimit dhe restaurimit dhe ky bashkëpunim do të çojë përpara ambicien tonë për ngritjen e Qendrës së Formimit të vazhdueshëm, shkollave-kantiere, bonusit të rijetëzimit dhe vënien në jetë të Fondit të Trashëgimisë Kulturore”, – theksoi Margariti./atsh/KultPlus.com

Rita Ora shfaqet plot stil në fotosesionin e ri per ‘Prada’ dhe ‘Miu Miu’

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora ka pozuar për fotosesionin e ri të markave  ‘Prada’ dhe ‘Miu Miu’, shkruan KultPlus.

Në fotografitë e postuara në rrjetin social Instagram Ora duket mjaft tërheqëse teksa shfaq dhe rrobat interesante dhe plot stil të këtyre dy markave.

Këngëtarja për momentin gjendet në Australi ku dhe është gjyqtare në ‘The Voice Australia’./ KultPlus.com

Reagon Gjon Muharremaj: Ja përse bëra shqiponjën

Bërja e shqiponjës dykrenare nga Gjon Muharremaj, pas marrjes së vlerësimit maksimal nga Shqipëria për këngën e tij në Eurovizion, kishte shkaktuar reagime negative nga Serbia.

Sipas mediave të atjeshme, ky gjest ishte provokim i qartë që, madje, duhej të çonte në diskualifikim të këngëtarit shqiptar që përfaqësonte Zvicrën.

“Unë nuk e kuptoj shqetësimin”, është shprehur Gjon’s Tears në emisionin televiziv “Glanz & Gloria”.

“Ajo që doja të tregoja ishte thjesht një falënderim për Shqipërinë. Shqiponja dykrenare është simboli i Shqipërisë”.

Dhe këngëtari  ka vazhduar tutje: “Ata gjithmonë kanë qëndruar pas meje. (…) Gjithmonë kanë qenë krenarë për mua. Unë jam shumë i lumtur për këtë dhe kjo ishte mënyra ime e falënderimit”.

Babai i Gjonit është nga Kosova ndërsa nëna e tij nga Shqipëria, dhe kjo ka bërë që ai të gëzojë simpati të madhe në shtetet përkatëse.

Në vlerësimin e jurisë, Gjon`s Tears ka marrë vlerësimin maksimal nga tetë vende pjesëmarrëse me “dymbëdhjetë pikë”. Ndërkaq vetëm një herë këtë vlerësim ja ka dhënë edhe publiku. Dhe, ka qenë publiku nga Shqipëria që ka bërë këtë./ KultPlus.com