Dy binjakëve 73-vjeçarë në Suedi nuk u është lejuar për tash e një vit ta vizitojnë njëri-tjetrin në shtëpitë e tyre për shkak të situatës me COVID-19.
Ola dhe Potnus Berglund takohen çdo të shtunë në një urë që lidh Norvegjinë dhe Suedinë, secili në anën e tij të kufirit.
“Nuk na lejohet të kalojmë kufirin. Unë duhet të qëndroj një metër larg në krahun tim dhe ai duhet të qëndrojë një metër në anën e tij,” shpjegon Ola. “Na duhet të kemi dy metra hapësirë mes nesh”, ka thënë ai, duke shtyrë karrigen prapa, shkruan Bankok Post.
Ata takohen çdo të shtunë në urën që lidh Norvegjinë me Suedinë. Përkundër disa ndryshimeve për lehtësim të masave, kufiri ka mbetur i mbyllur.
Ata thonë se janë mësuar të takohen çdo javë, dhe pandemia nuk i ka penguar.
Ata i kanë festuar ditëlindjen e 72 dhe 73-të bashkë./kohanet/ KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare Dua Lipa është padyshim personifikim i fjalës sukses, e cila po shënon rritje të jashtëzakonshme në botën e muzikës.
Arritjet e saj të mëdha i kanë sjellë të ardhura të majme, duke e bërë kështu një ndër artistët e rinj më të pasur.
Sipas mediave të huaja, Dua Lipa është këngëtarja e dytë më e paguar në Mbretërinë e Bashkuar falë pasurisë së saj neto 36 milionë paund, apo 41.8 milionë euro.
Së fundmi, këngëtarja i ka dalë në mbrojtje qytetarëve palestinezë, pas sulmeve të vazhdueshme nga ana e Izraelit. Por këto postime të saj që në thelb kanë si qëllim mbrojtjen e të drejtave të njerëzve nuk janë pritur mirë nga të gjithë, sidomos nga pala izraelite.
Madje këto postime të artistes kanë prekur edhe prestigjiozen “New York Times”, që ka dalë kundër Duas.
Për shkak të këtyre akuzave, Dua Lipa është detyruar të reagojë dhe të sqarojë të vërtetën në lidhje me qëndrimet e saj.
“I hedh poshtë të gjitha pretendimet false që u publikuan sot në New York Times. Ky është çmimi që paguan kur mbron të drejtat e njerëzve në Palestinë kundër qeverisë së Izraelit, që veprimet e tyre në Palestinë, i cilësojnë si persekutim dhe diskriminim. E mbaj këtë qëndrim, sepse unë besoj se të gjithë, hebrenj, myslimanë dhe të krishterë, kanë të drejtën për të jetuar në paqe, si qytetarë të barabartë të një shteti që ata zgjedhin. Rrjeti i Vlerave Botërore po përdor paturpësisht emrin tim për të zhvilluar fushatën e tyre me manipulime dhe keqinterpretime flagrante të asaj që unë jam dhe për çfarë qëndroj. Unë solidarizohem me të gjithë njerëzit e shtypur dhe i refuzoj të gjitha format e racizmit”, shkruan Dua Lipa në një postim./ KultPlus.com
Saoirse Ronan do të debutojë në skenën teatrore të Britanisë në një version “feminist” të Macbeth.
Ajo do t’i bashkohet kolegut të saj James McArdle në teatrin Almeida në Londër, në një produksion që do të paraqesë një “marrëdhënie më ekuivalente” midis Macbeths.
Tragjedia e Makbethit do të vihet në skenë nga Yaël Farber, i cili është përshkruar nga drejtori artistik i Almeida-s Rupert Goold si një “regjisor tokësor, politik, me gjak dhe baltë”. Goold shtoi se shfaqja do të jetë një përvojë e brendshme në hapësirën intime të Almeida.
Prodhimi ishte në proces përpara se teatrot të mbylleshin për shkak të pandemisë, por tani do të hapet në shtator për audiencat e distancuara nga shoqëria, duke zvogëluar kapacitetin e tij nga 325 në rreth 100-120 njerëz.
Performanca e Ronan do të pasojë debutimin në Kanë të The French Dispatch të Ëes Anderson, në të cilin aktorja luan “një grua misterioze”.
Tragjedia e Makbethit do të mbahet në teatrin Almeida nga 25 shtator deri më 20 nëntor./ KultPlus.com
113 vite më parë Fan Noli themeloi katedralen historike të Shën Gjergjit në Boston, katedrale e cila sot është shndërruar në një pikë takimi për komunitetin e ortodoksëve shqiptaro-amerikanë të zonës së Bostonit, por edhe si një urë lidhëse mes themeluesve të saj dhe emigrantëve të rinj.
Në arkivën e pasur të Katedrales ndër shumë materiale interesante gjendet edhe kjo foto e viti 1935 e Fan Nolit së bashku me këngëtaret shqiptarë të korit.
Sipas përshkrimit që shoqëron fton në rreshtine parë ndodhen 1.Annette Kondi (Fortinallis) 2.Tefta Tromara 3.Gloia Tromara 4.Fan Noli 5.Florence Kondi (Mazza) 6. Anna Andon (Gibbs) dhe 7.Louise Pambuku(McCann)
Në rreshtin e mesit: 7.Peter Chani 8.Esther Peterson 9. Margaret Peterson 10. Ellen Chani-Kondel dhe 11. Charles Stavro
Dhe në rreshtin e fundit 13. John Paul Pano, 14. Spiro Metro 15. D. Theodore 16. Leo Joseph dhe 17. Teddy Joseph./ KultPlus.com
Mëngjesin e sotëm në Komunën e Vushtrrisë filloj të rrënohet objekti i ish-gjykatës komunale, për të mundësuar ndërtimin e sheshit të ri. Mirëpo ky rrënim u ndal nga policia e Kosovës sepse Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishte kërkuar nga komuna të mos rrënonte këtë objekt deri në finalizimin e vlerësimit mbi vlerat e trashëgimisë kulturore të këtij objekti, shkruan KultPlus.
Ky rrënim që u bë sot nga kjo komunë ka ngjallur reagime të shumta nga qytetarë dhe përfaqësues të institucioneve, por dhe OJQ-ve të ndryshme. Një ndër ta është edhe Shkëlzen Gashi i cili nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se kryetari i Vushtrrisë pas këtij veprimi do të duhej të arrestohej.
“Sot, e diel, më 23 maj 2021, Kryetari i Vushtrrisë e shpërfillë vendimin e Ministrisë së Kulturës dhe ia futë bagerin kësaj ndërtese. Këtu s’ka shtet se po të kishte, Kryetari i Vushtrrisë do të duhej të arrestohej sot”, ka shkruar ndër të tjera Gashi.
Kujtojmë se MKRS-ja më 20 maj kishte njoftuar se ka filluar me procesin e vlerësimit të ndërtesës së objektit të ish-Gjykatës Themelore në Vushtrri. Në njoftimin e bërë nga Ministria theksohet se komuna e Vushtrisë është informuar për këtë proces dhe çdo veprim që bie në kundërshtim me këtë përbënë shkelje.
“Komuna e Vushtrrisë është informuar mbi fillimin e procesit të vlerësimit nga ekipa profesionale e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore të Mitrovicës më datë 7 maj 2021, dhe që çdo veprim i Komunës në këtë fazë mund të përbëj shkelje”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e MKR-së./ KultPlus.com
Teatri San Materni në Ascona priti pasditen e kësaj të diele këngëtaren zvicerane me origjinë shqiptare, Elina Duni, e vlerësuar si një nga zërat më intersante në skenën e Europës mes folkut dhe xhazit.
Bashkë me Dunin, në koncert ishte dhe Rob Luft, ylli në rritje i skenës bashkëkohore të xhazit në Londër. Me kitarën e tij Luft sjell gjallërinë e Afrikës Perëndimore dhe folkut kelt, duke plotësuar më së miri zërin e Elinës.
Së bashku, të dy artistët na çojnë në një udhëtim përmes këngëve popullore të përjetshme (përfshirë italishten), si dhe përmes këngëve të papublikuara për çështje aktuale. Për shkak të situatës publiku ishte i kufizuar./ KultPlus.com
Me këngën “Tout l’Univers”, Gjon Tears nga Zvicra perëndimore zuri vendin e tretë në Konkursin e 65-të të Këngës Eurovision në Roterdam.
Nga mbrëmë 22-vjeçari me rrënjë nga Shqipëria dhe Kosova është brohoritur nga fansat e tij në rrjetet sociale dhe i janë bërë komplimente si “i talentuar”, “i shkëlqyeshëm” etj, shkruan 20minuten.ch. Po kështu edhe mediat shqiptare të Kosovës e të Shqipërisë nuk kursejnë komplimentet dhe mburrjen me të.
Ndërkohë, mediat serbe janë të tërbuara. Arsyeja: Kur Gjon`s Tears mori dymbëdhjetë pikë nga Shqipëria, ai falënderoi duke bërë me duar shqiponjën dykrenare, transmeton albinfo.ch. Ishte “një provokim”, sipas mediave serbe.
Madje për to ky ishte “një skandal” në ESC. Me këtë gjest ai tërhoqi mbi vete zemërimin e serbëve, shkruan portali kroat i lajmeve “24sata”.
Një stuhi sharjesh ka shpërthyer edhe në Twitter. Fjalitë si “ai nuk duhet ta kishte bërë atë” dhe “ai duhej diskualifikuar për shkak të kësaj” janë ndër komentet më të buta të bëra nga komuniteti serb. Përdorues të shumtë të twitterit kanë ofenduar 22-vjeçarin në mënyrën më të keqe të mundshme, pa u marrë fare me performancën e tij muzikore.
Të kujtojmë: Gjon`s Tears kishte marrë vlerësimin maksimal prej 12 pikësh nga juritë e 8 shteteve pjesëmarrëse dhe kishte merituar kështu vendin e parë, sipas vlerësimit të jurive profesionale, shkruan albinfo.ch. Por, sa i përket pikëve të publikut, ai ka fituar “dymbëdhjetëshen” vetëm nga Zvicra, gjë që e ka ulur atë në vendin e tretë./ KultPlus.com
Prokurorët për krime lufte në Bosnje-Hercegovinë, kanë nisur hetime pas publikimit të një videoje, në të cilën supozohet se një snajperist shihet duke gjuajtur gjatë kohës së rrethimit gati katërvjeçar të Sarajevës në vitet 1990.
Pamjet e publikuara nga gazetari francez Philippe Buffon në YouTube gjatë kësaj jave, besohet se shfaqin luftëtarët serbë të Bosnjës, duke u fshehur në një shtëpi në njërën nga lagjet e Sarajevës.
Njëri prej tyre mund të shihet duke quajtur me pushkë dhe duke thënë se ka qëlluar dikë “në kokë”.
Zyra e Prokurorit të Bosnje-Hercegovinës ka thënë përmes një deklarate se rasti është hapur “menjëherë”, pas paraqitjes së videos në internet.
Kjo zyrë ka thënë se Departamenti Special për Krime Lufte do të analizojë “të gjithë kushtet dhe rolin e të gjithë personave në incizim”.
Kompania lokale e telekomunikimeve Telemach BH ka thënë se ka kontaktuar prokurorët pasi një nga punëtorët e saj është parë në material. Ajo ka thënë se ka larguar nga puna këtë person.
Videoja e publikuar në YouTube më pas nuk ka qenë e qasshme më 21 maj në këtë platformë.
Pamjet, që janë shpërndarë edhe nëpër rrjete sociale dhe televizionin lokal, kanë nxitur zemërim në kryeqytetin e Bosnjës, ku më shumë se 11,000 persona janë vrarë gjatë rrethimit gati katërvjeçar të Sarajevës nga forcat serbe të Bosnjës
Qindra persona janë dënuar për krime të kryera në periudhën 1992-95, në luftën ku kanë mbetur mbi 100,000 persona të vrarë.
Zyrtarët e gjyqësorit kanë thënë se ende janë duke trajtuar 600 raste, ku përfshihen 4,500 të dyshuar.
Konflikti ka përfunduar me një marrëveshje për paqe, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara më 1995.
Sipas saj Bosnja është ndarë në dy entitete – federata e myslimanëve dhe kroatëve dhe Republika Sërpska – të cilat udhëheqin bashkërisht institucionet qendrore./ KultPlus.com
Ndonëse në kushte të vështira dhe me një numër të kufizuar spektarorësh për shkak të pandemisë, një spektakël të vërtetë ka dhuruar mbrëmja finale festivalit europian të këngës që u mbajt në Roterdam të Holandës.
Mediat botërore sjellin përmes fotove disa nga momentet më eksplozive të kësaj ceremonia që shpalli si triumfator grupi italian “Maneskin”, me këngën “Zitti e Buoni”.
Në natën finale të Eurovision mori pjesë dhe Shqipëria që u përfaqësua nga këngëtarja Anxhela Peristeri me këngën “Karma”./a2/ KultPlus.com
Studenti nga Kosova, Besfort Shala është pranuar në Universitetin e Oxford-it për të vijuar studimet e magjistraturës në matematikë, mirëpo për shkak të kosotos së lartë të studimeve atij i duhet ndihmë financiare, shkruan KultPlus.
Për këtë ai së bashku me familjen kanë iniciuar një web faqe për mbledhje fondesh përmes ‘Go Fund Me’, ku secili mund ta ndihmojë Besfortin.
Besfort Shala ka lindur në Prishtinë, ku shkollimin fillor dhe të mesëm e ka përfunduar në po këtë qytet. Ai ka qenë shumë aktiv në garat e matematikës duke fituar tre herë radhazi në garat komunale në Prishtinë, kurse në vitin e fundit të shkollimit të mesëm Shala ka fituar një bursë të plotë studimi në matematikë nga Universiteti i Primorskës në Koper, Slloveni, pas garave të mbajtura në Prishtinë.
Gjatë studimeve në Universiteti i Primorskës në Koper, Besfort Shala ka marrë pjesë në dy gara të rëndësishme ndërkombëtare, përkatësisht garën “Vojtech Jarnik” në Çeki ku ka fituar “çertifikatë të garuesit të suksesshëm”, si dhe në garën “International Mathematics Competition (IMC)” në Bullgari ku ka fituar medalje të argjendtë në vitin 2019 si dhe “përmendje nderi (honorable mention)” në vitin 2020. Pas përfundimit të vitit të parë të studimeve, për këto suksese në gara ndërkombëtare si dhe për shkak të suksesit akademik, ai është shpërblyer nga fakulteti me arsyetimin “arritje të larta akademike dhe suksese në gara ndërkombëtare (outstanding academic achievements and successes in international competitions)”.
Shala tashmë është pranuar në Universitetin e Oxford-it në Angli dhe ai synon që t’i vazhdoj studimet në po këtë universitet, por për këtë i duhet ndihma financiare nga kontribuues dhe donatorë të cilët do të mundësonin mbulimin e pjesshëm të shpenzimeve të shkollimit./ KultPlus.com
“Toka që ujitet me ujë quhet balte, toka që ujitet me gjak quhet atdhe…” Vilson Imamaj
Me kujtohet si sot, 1998 pallati i sportit Asllan Rusi… nuk ishte i mbushur me britma sportistesh, por ishte i mbushur me britma loti… Zoti im sa shumë dhimbje, në kaq pak vend të vogël. Nëna me flokë të shpupuritura që numërojnë fëmijët edhe ata që si morën dot me vete. Nëna me duar në gji, ç’gjamë, nëna me duar në gji. Nëna pa amësi. E unë bijë e vogël që shpërndaja ujë dhe bukë për nëna pa bija e bij. Lëngata tmerr dhe lot. I lëmoja fytyrën dhe lotët se linin nënë Hasimen të shikonte me ditë të tëra. E ushqeja, i prekja dorën dhe ajo godiste kraharorin e çarë nga dhimbja. Godiste vendin ku duhet të ishte zemra. Godiste zgavrën e mbetur bosh. Kthehesha në shtëpi dhe tërë natën ripërsërisja mes lotëve atë dhimbje që shikoja me sy e zemër. Ndjeja dhimbje duke rikujtuar ata lot e vuajtje të papërshkruar. Ishte dhimbje mbijetese, ishte ikja nga toka e gjakut të shekujve. Gjak burrash dhe ikje e dhimbjes së vdekur tashmë. E dhimbjes që i kishte harruar gjallë për të rrëfyer. Më pas diteë në vijim shikoja si dyert tona hapeshin për ata që mbetën jashtë shqipes mëmë. Vëllezër të një gjaku ndarë në dy anë. E siç thotë shprehja “Rrno per me tregue” e at Justin Rrotës, më vjen në shpirti sa herë më kujtohet Lufta e Kosovës. Ato ditë njoha nënë Fatimen. Gruan me fytyrë e shpirt të bardhë, e cila e humbiste shikimin mbi qiej, sikur diçka numëronte apo kërkonte mes gishtërinjsh dhe mbetej aty si një statuje e butë prej mishi dhe mëshire, derisa nganjëherë hapte gojen dhe rrëfente kopshtin me trëndafila, bukën e ngrohte që gatuante nusja e vogël e kërthinjtë nder djepa, deri ditën që ajo harronte se kishte ndodhur…
“A dot vish ti bijo n’trojet e mija me tërfila, n’kullën time bijo, n’Drenic. A ke me ardh me tan fisin tand…”, e mua me rridhnin lot, lot të një shpirti që mësoi ta jetojë dhimbjen e tjetrit. Nënë Fatimes ia kishin shembur kullën me tank e bashkë me të, ç’kishte pasur brenda. “Do vi nënoke, do vi ta haj bukën e kulaçit në shpinë me oborr me lule, bukën e ëmbël të shqiptarit nënoke do vi.”, kisha gënjyer ata sy të qelqtë, e dhimbja ma kalonte qenien si një rrymë ere, si një shpresë e gjallë, si një jetë-hije. Kalonin ditët e muajt, e dalëngadalë lufta mbaroi, shpirtrat u liruan e në rrugët e qiellit, sepse toka tash u bë e lirë. Por jetët që vazhduan, mbanin në deje brengën e ikjeve pa kthim, klithmën e djepave e gjamën e burrave. Mbanin ndër supe jetët e këputura, e të falura për lirinë që e fali Zoti, për tokën që e fali Zoti, për ata që mbetën për të treguar, tmerre që njerëzimi pak herë parë i pati…
Shumën vite më pas të shikoj ty biri i shpirtit, tek nisesh me ekipin e Shkabës për kampionat, bije shqipesh që nisen në Serbi. Në atë Serbi ku s’mund të flitej gjuha e mohuar shqipe. E bashke me djem e vajza krenare dhe me guxim shqiponje nder zemra, flladitën dhe provuan lartësitë e maleve të Fitores, e flamurit i dhatë dallgë e valvi pa ndal. Ti bir je i vogël e ndoshta s’e kupton çdo të thotë atdhe, tokë, gjak, rrënjë, shqipe, patriotizëm i vërtetë, por nëna bashke me qumështin të mësova të jesh krenar e veç të tjerash dhe më kryesorja edhe që je shqiptar. Të jesh shqiptar kudo, edhe në mes të asaj Serbie që rrënjën ia ka kërku t’ia nxjerri vatanit tonë, por që as degët s’ia krasiti dot.
Unë e dua paqen, e dua butësinë, qetësinë, e dua një bote më të mirë, pa konflikte etnike dhe fetare, por nuk mundem të harroj historinë e kombit tim. Nuk e harrojmë dot, se gjaku ka aromën e kujtesës, të krenarisë, andaj ti biri im sot je ndeshur për të vendosur ne vend copëzën tënde të flamurit kuq e zi, të atdheut tënd, të trojeve ku nëna të mësoi se gjaku nuk harrohet kurrë…
Abuzimi seksual me një 15-vjeçare i zbuluar në Mirditë para disa ditësh ka ngjallur reagime të forta në shoqërinë shqiptare. Pas Mirditës dhe Peshkopisë, edhe qytetarët e Tiranës, kryesish të rinj protestuan këtë të diel në kryeqytet kundër abuzimit seksual me të mitur.
Me sloganin “Mos ma vrit fëmijërinë” ata u mblodhën fillimisht në sheshin “Skëndërbej” dhe më pas marshuan drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Me thirrjet “Ne jemi me ty”, “Ti s’je vetëm” ata kërkuan reagimin e institucioneve shtetërore për t’i dhënë dënimin më të madh abuzimit seksual.
Protesta kulmoi kur një nga vajzat pjesëmarrëse në këtë tubim u zhvesh nudo në sheshin “Skënderbej” për të sensibilizuar shoqërinë kundër këtij fenomeni.
Për ngjarjen e Mirditës, policia ka vënë në pranga 5 persona të cilët akuzohen se përdhunuan 15-vjeçaren./tvklan/KultPlus.com
Të hënën, duke filluar nga ora 12:00 në korzonë e qytetit të Pejës, do të mbahet një protestë kundër dhunës seksuale ndaj vajzave dhe grave, si dhe kundër heshtjes institucionale ndaj kësaj dukurie negative.
Organizatorët e protestës “Aktivistët e Pejës” në Facebook kanë bërë të ditur se vetëm gjatë javës së kaluar 18 vajza e gra raportuan se kanë përjetuar ndonjë formë të dhunës seksuale e ngacmimeve në Kosovë.
“Ne e dimë shumë mirë që ngacmimi seksual, sulmet seksuale e përdhunimet janë duke iu ndodhur vajzave e grave çdo kund, qoftë në shkolla, institucione publike e private. Andaj dhe do të ngrihemi në protestë, për t’i bërë ballë këtij fenomeni shqetësues dhe për të kërkuar përgjegjësi institucionale e siguri për vajzat dhe gratë. Të protestojmë dhe të rezistojmë derisa drejtësia për vajzat dhe gratë të vihet në vend dhe ato të jetojnë pa frikë”, thuhet në postim./ KultPlus.com
Violina është gjithçka për Eritan Kamollin , artistin e njohur të qytetit të Pogradecit , i cili njëherazi me shumë vullnet drejton mëndje –hapur, Qëndrën Kulturore në qytetin me bukuri liqeni e me ajër plot oksigjen mbushur.
Nuk di të them në se është dashuria që ka Eritani për violinën, pjesë organike e qënies së tij më të cilën komunikon në momente të gëzuara a të vështira, apo dëshira e tij për punën, që ka sjellë që ky institucion kulturor i qytetit të jetë një mozaik i vërtetë aktivitesh kulturore gjithëpërfshirëse, ndoshta nga më të aktivët në Republikë.
Di të them se violinën, e konsideron mbretëreshën e instrumentave muzikore, plot magji, mbi të gjitha me shpirt dhe se, kimia që ka më këtë instrument që e bën të gjejë kohën që platforma e tij si drejtues i Qendrës Kulturore të jetë e qartë dhe e thjeshtë: Evidentimi dhe promovimi i vlerave kulturore, bazuar mbi një shkallë të qëndrueshme, të mirë menduar dhe afatgjatë.
“Violina ka vetëm katër tela me të cilat mund të bësh mrekulli nëse gjen raportin midis instrumentit dhe shpirtit”, tregon Kamolli në këtë intervistë në prag të një koncerti kushtuar këngës qytetare popullore pogradecare, që ai me durim po organizon me stafin e Qëndrës Kulturore dhe stafin e Albanian Excellence, ideatore e krijimit të një kuinteti qe bashkon artistët shqiptarë të këtej dhe andej kufirit.
Sërish them se, ndoshta është kjo magji, ky diapazaon- shpirti që violina i jep Eritan Kamollit, dhe që më pas e bën kaq të bindur e durimtar për punën, për zhvillimin e organizimin e kulturës dhe artit në këtë qytet ku vëmendjen e marrin problemet ditore, vështirësitë ekonomike, pasiguria për të studiuar muzikë dhe kur prindërit shohin mundësitë e pakta që një artist ka sot.
Duke e njohur mirë qytetin e tij e duke menduar më të mirën pa ngurim Eritani shpreh dëshirën e tij ne kete interviste që në Pogradec të rifillojë shkolla e muzikës, si një mundesi për t’i treguar komunitetit që ka nevojë për art, për artistë dhe për më shumë kulturë .
Pas shumë përvojave me orkestrantë vendas dhe të huaj, Eritan Kamolli e konsideron eksperiencën e tij me kuartetin e Albanian Excellence të një niveli tjetër.
“Së bashku me artistët e tjerë të kuartetit kemi gjetur një emocion të përbashkët duke interpretuar si një person i vetëm, në harmoni shumë të mirë me njëri – tjetrin”, tregon ai në këtë intervistë që e mbyll me një nga qëllimet personale dhe objektivat kryesore të institucionit që drejton : “Dëgjoni sa më shumë muzikë, por muzikë të mirë, muzikë të vërtetë”!
F.N: Cila ishtë shtysa qe ju bëri të vendosni të studioni muzikë?
E.K: Në vitin 1980 në qytetin e Pogradecit në ambientet e shkollës 8- vjecare “Gjokë Shqiptari” për herë të parë po fillonte shkolla e muzikës, në klasat violinë dhe piano. Në qytet u hap lajmi menjëherë dhe u publikuan njoftimet për konkursin e pranimit në këtë shkollë. Si çdo fëmijë, sapo e mora vesh sigurisht që kisha shumë dëshirë të isha pjesë e kësaj shkolle.
F.N: Ishte një dëshirë personale apo edhe një sygjerim nga prindërit?
E.K:Unë kisha vetëm dëshirë. Në aktivitetet që organizoheshin në kopësht dhe në Shtëpinë e Pionierit, (Qendra Kulturore e Fëmijëve), me grupin e këngës të fëmijëve të vegjël, kisha qënë shumë aktiv.
Ndaj dhe prindërit vendosën të vazhdoja këtë shkollë duke zgjedhur si instrumentin tim violinën.
F.N: Sa vjec ishit kur morët violinën e parë në duar?
E.K: Pasi fitova konkursin, u rregjistrova dhe menjëherë filluam nga mësimet e para. Kam qenë 6 vjet kur kam vendosur duart në violinë për herë të parë. Më pas vazhdova studimet në Liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe pas tyre studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura, sot Universiteti i Arteve. Nga ai moment e deri më sot janë të pakta ditet kur unë nuk kaloj kohë me violinën.
F.N: Çfarë është violina për ju?
E.K: Violina është gjithçka për mua. Unë me të qetësohem, argëtohem, flas, e dëgjoj, e pyes dhe ajo më përgjigjet, më ndihmon kur kam momente të mira apo jo të mira, si çdo kush, pra është tashmë një pjesë organike e qënies sime.
F.N: Cili është ndryshimi që ka violina nga instrumentet e tjerë?
E.K: Violina jo më kot është quajtur “Mbretëresha” e instrumentave muzikore. Ajo është e gjallë, e ëmbël, të mbush me energji pozitive,mund të interpretosh lehtësisht çdo melodi, apo këngë që të vjen në mendje.
Është magjike pasi me katër tela mund të bësh mrekulli nëse ke gjetur raportin midis instrumentit dhe shpirtit.
Dhe, a e dini se është i vetmi instrument që ka shpirt? Po, po ka shpirt si ne, prandaj, nëse ti e ndien këtë mund të bëhesh njësh me të dhe pikërisht këtu, nis mrekullia e saj.
F.N: Duke ju rikthyer shkollës, cilët kanë qënë mësuesit apo pedagogët që sot doje t’u thoje: Faleminderit
E.K: Padyshim që do të falenderoj mësuesen time të parë të violinës znj. Mimoza Minxha. Ajo tani jeton në USA bashkë me familjen e saj. Për tetë vite, mësuese Mimoza më ka mësuar, megjithëse unë nuk isha një fëmijë i lehtë pasi jo rrallë kisha më shumë qejf të luaja në oborrin e shkollës. Atëherë mësuesja vinte më merrte për veshësh (qesh), për të zhvilluar mësimin e violinës.
Më pas sigurisht pedagoget e studimeve në Liceun Artistik “Jordan Misja në ”Akademi si: zysh Yllka Mishta, prof. Pirro Gjezi, prof. Roland Xhoxhi, e shumë të tjerë gjatë studimeve akademike të cilët padyshim kanë ndikuar direkt në formimin tim si muzikant.
E.K : Cili është repertori juaj i preferuar të cilit nuk do ti thojë kurrë jo për ta interpretuar në cfarë do lloj situate…?
F.N: Janë materialet e shpejta, virtuoze, më pëlqen gjithmonë të luaj me Violinën, të zbuloj prej saj çdo ditë sekrete, mënyra të reja interpretimi. Mund të përmend Vivaldin, “Katër Stinet” e tij i pëlqej shumë dhe shpesh herë i riorkestroj vetë duke ruajtur bazën për ti sjellë në një variant ndryshe për publikun.
F.N :Po eksperienca juaj më e bukur në karrierën tuaj si violinist…
E.K: Pas shumë përvojave me orkestrantë vendas dhe të huaj, padyshim pjesëmarrja në Orkestrën Albanian Exellence, Kuarteti i Harqeve, e çon eksperiencën time në një nivel tjetër. Së bashku me artistët e tjerë të kuartetit kemi gjetur një emocion të përbashkët duke interpretuar si një person i vetëm, në harmoni shumë të mirë me njëri – tjetrin.
E.K: A është vështirë të bësh muzikë në periferi?
F.N: Për të qenë i vërtetë po. Kjo jo sepse nuk e pëlqejnë muzikën, por sepse në qytetet tona të vogla vëmendjen më të madhe e marrin problemet ditore, vështirësitë ekonomike, pasiguria për të studiuar muzikë pasi prindërit duke parë mundësitë e pakta që një artist ka sot, ju sygjerojnë ose i orientojnë fëmijët të studiojnë për cfarëdo lloj dege vetëm për muzikë jo. Këto sigurisht që nuk e bëjnë të lehtë!
E.K: Çfarë do të doje të ndryshoje?
Do kisha dashur shumë të rifillonte shkolla e muzikës si dikur. Ajo shkollë vërtet ishte e vogël por do të ishte një mundesi shumë e mirë për t’i treguar komunitetit që ne kemi nevojë për art, për artistë, për të qeshur pak në jetën tonë.
F.N:Bëni pjesë në administratën shtetërore si drejtor i Qëndrës Kulturore “Lasgush Poradeci” në Pogradec, ju pengon të studioni violinë …?
E.K: Në fakt jo, pasi gjatë ditës kam kohë mjaftueshëm të përfundoj punët e mia si drejtues institucioni dhe pasditeve të kaloj kohë me violinën. Mendoj është thjesht çështje kimie siç thashë më lart, nëse e gjen shpirtin e përbashkët me violinën e gjen edhe kohën.
F.N: Cila është platforma që keni hartuar për të prezantuar të gjithë spektrin qe parasheh kultura?
E.K: Platforma apo strategjia ime si drejtues në Qendrën Kulturore është shumë e qartë dhe e thjeshtë: Evidentimi dhe Promovimi i vlerave kulturore, bazuar mbi një shkallë të qëndrueshme, të mirë menduar dhe afatgjatë.
Kjo sigurisht që pasohet nga shumë detaje organizative të cilat mbështeten në objektivat për çdo sektor të Qendrës Kulturore.
F.N: Cilat janë disa nga aktivitetet që keni planifikuar për këtë vit?
E.K: Kalendari i aktiviteteve të Qendrës Kulturore është shumë i pasur. Bazuar në kushtet apo mundësitë që do të na japë koha në do të zhvillojmë një sërë aktivitetesh duke filluar me: aktivitete lokale ku në funksion të strategjisë pasi kemi evidentuar artistët vendas, do të promovohen duke ju dhënë hapësirën e nevojshme në prezantimin e tyre, aktivitete kombëtare duke organizuar dhe marrë pjesë në evente kombëtare si p.sh. Festivali i Teatrit të Kukullave “Xinxifillo”, dhe aktivitete ndërkombëtare si “ Konkursi Mbarekombetar Letërsisë Satiriko- Humoristike Niko Nikolla”, Koloni Ndërkombëtare e Artit Figurativ “Pogradeci Art Colony 2021”, Tur Koncertor i Kuintetit i Albanian Exellence “Luleborë” me pjesëmarrje të artistëve nga diaspora etj.
Këto janë disa nga aktivitetet të cilat përmbushin objektivat në funksion të strategjisë të Qendrës Kulturore “Lasgush Poradeci”.
F.N: Ju jeni pjesë e kuintetit Albanian Excellence , e cila parashikon një tur koncertor në qershor… por njëherazi jeni dhe bashkë organizatorë të koncertit që do të organizohet më 6 Qershor ne celjen e sezonit turistik…Cfarë parashikon ky koncert?
E.K: Ky tur koncertor ka qëllim promovimin e vlerave të përbashkëta midis shqiptarëve kudo ndodhen si dhe krijimin e një kulture apo fryme të re muzikore të muzikës sonë qytetare. Nëpërmjet këtij promovimi, ne dëshirojmë të ngrejmë një klimë bashkëpunimi dhe orientimi për të treguar se mundësitë apo talentet tona janë të mëdha por nëse jemi së bashku, mund të bëjmë më mirë.
F.N: A ka qënë një udhë e gjatë për të arritur deri këtu … Sa punë ju është dashur?
E.K: E gjatë dhe e vështirë. Së bashku me stafin e Qendrës Albanian Exellence , prej gati një viti jemi duke planifikuar, menduar, organizuar çdo detaj për mirëfunksionimin e këtij aktiviteti pasi pjesa më e madhe e anëtarëve vijnë nga jashtë Shqipërisë.
F.N: Mendoni se do të ketë një ridimension te ri që do t’i sillet nga ky koncert, këngës qytetare poradecare?
E.K: Ajo që e bën të veçantë këtë koncert, është pikërisht kjo: për herë të parë, këngët qytetare poradecare, korçare dhe nga disa vende të tjera shqipfolëse do të riorkestrohen nga mjeshtri Shpëtim Saraçi dhe do të interpretohen nga kuinteti dhe dy solistët në skenat tona duke krijuar kështu një këndvështrim apo dëgjim tjetër nga ai që jemi mësuar t’i dëgjojmë.Kjo përbën edhe çelësin e suksesit të këtij aktiviteti.
F.N: Keni një mesazh që doni t’i jepni, publikut shqiptar ?
Dëshiroj ta mbyll me një nga qëllimet e mia personale dhe objektivat kryesore të institucionit që unë drejtoj. Shpresoj që të jetë edhe mesazhi i duhur për ju:
Dëgjoni sa më shumë muzikë, por muzikë të mirë, muzikë të vërtetë!/albanianexcellence/ KultPlus.com
Spekulime të shumta janë ngritur që nga nata e mbrëmshme kur njëri prej grupit përfaqësues të Italisë në Eurovision, po akuzohet se ka përdorur drogë.
Pas akuzave ishte vet anëtari i grupit Damiano David nga grupi “Måneskin”, i cili hodhi poshtë akuzat për përdorim droge kur u pyet në konferencë për media pas fitores së Eurovisionit.
“Unë nuk përdor drogë ju lutem mos e thuaj këtë, jo kokainës”, ishte përgjigjur mbrëmë këngëtari italian David në konferencën për media.
Po ashtu sot, ka lëshuar një deklaratë edhe vet Rrjeti i Transmetuesve Evropian (EBU), i cili organizon festivalin evropian, duke thënë se anëtarët e grupit do të testohen për përdorim të droge sapo të kthehen në shtëpi.
EBU ka përsëritur se grupi ka hedhur poshtë akuzat, ndërsa janë deklaruar të gatshëm t’i nënshtrohen testimit.
“Testi i drogës që përmend Måneskin, do të zhvillohet me të vërtetë pasi të kthehen në shtëpi. Ata do të testoheshin në momentin që do të ishte e mundur dhe me të vërtetë e kërkuan natën e kaluar, por EBU nuk mund të organizonte një provë të tillë”, thuhet në deklaratën e EBU-së, të cilët konfirmojnë se kanë gjetur gota të thyera pranë tavolinës, për çka ishin arsyetuar edhe vet grupi Måneskin.
Italia ka fituar mbrëmë festivalin e evropian, ndërsa festivali vitin e ardhshëm do të mbahet në Itali pas 30 viteve, pasi fitorja e fundit e italianëve në Eurovision ishte në vitin 1990. /KultPlus.com
Bette Midler, Sarah Jessica Parker dhe Kathy Najimy pritet të rivijnë në ekran si “Motrat Sanderson” në filmin “Hokus Pokus 2”, vazhdim i filmit klasik të vitit 1993.
Disney ka zgjedhur që filmi të shfaqet premierë vitin e ardhshëm./ KultPlus.com
Zoti ekziston, por nganjëherë flen, makthet e tij janë ekzistenca jonë. Është e çuditshme, por të jetosh do të thotë të krijosh kujtime të së ardhmes; pikërisht tani , këtu përballë detit, di që jam duke përgatitur kujtime të vogla, që ndonjëherë do më sjellin melankolinë dhe zhgënjimin.Jeta është kaq e shkurtë dhe zanati i të jetuarit kaq i vështirë saqë sapo njeriu fillon ta mësojë, i duhet të vdesë.
Mendoj se e vërteta është mirë në matematikë, në kimi , në filozofi. Jo në jetë. Në jetë janë më të rëndësishme iluzioni, imagjinata, dëshira dhe shpresa. Tek mirësia fshihen të gjitha llojet dijes. Me masën që i afrohemi vdekjes, njëkohësisht i afrohemi tokës…copëzës së tokës në të cilën rrodhi fëmijëria jonë, në të cilën kemi luajtur…magjia e parikuperueshme e të parikuperueshmes fëmijëri.
E admirueshme është që njeriu vazhdon të luftojë dhe të krijojë të bukurën në mes të një bote barbare dhe të egër. Çfarë maske vendosim apo çfarë maske ka me na mbetë kur të jemi vetëm, kur të besojmë që askush, askush nuk na sheh, nuk na kontrollon, nuk na dëgjon, nuk na kërkon, nuk na lutet, nuk na detyron, nuk na sulmon? Zoti im, Zoti im. Vdekja as nuk është tipi im, megjithëse shpesh herë më tërheq. Bota s’mund të bëjë asgjë kundër një njeriu që këndon në mjerim.
Unë shkruaj se përndryshe do kisha vdekur, për të gjetur ndjesinë e ekzistencës. E kam thënë edhe më parë dhe e rikonfirmoj: kërkimi i një jete humane duhet të fillojë nga edukimi. Atëherë, të privuar nga afërsia e një përqafimi apo e një tavoline të përbashkët, do na mbeten “mjetet e komunikimit. / KultPlus.com
Gjatë transmetimit të festivalit evropian “Eurovision”, këngëtari italian i grupit “Maneskin” në disa pamje ku dyshohej se po merrte drogë gjatë transmetimit të natës finale.
Pamjet u bënë virale në rrjete sociale, por këngëtari e mohoi këtë gjë, ai tregoi se një nga miqtë e tij të grupit kishte thyer një shishe në ato momente.
“Thomas (kitaristi i grupit) theu një shishe… unë nuk përdor drogë, ju lutem, mos e thoni këtë gjë. Mos e thoni këtë gjë realisht. Jo kokainë ju lutem, mos e thoni këtë gjë”, u shpreh Damiano.
Më pas grupi bëri një postim në rrjetin social “Instagram”, ku u shprehën të gatshëm të bëjnë edhe test për të vërtetuar nëse kanë konsumuar drogë apo jo.
“Jemi të shokuar për disa njerëz që thonë se Damiano ka konsumuar drogë. Ne jemi kundër përdorimit të drogës dhe ne nuk kemi konsumuar kurrë kokainë. Jemi gati të testohemi, sepse nuk kemi asgjë për të fshehur. Jemi këtu për të bërë muzikë dhe jemi shumë të lumtur për fitorn tonë në Eurovision dhe duam t’i vlerësojmë të gjithë që na kanë mbështetur”, shkruan grupi. / KultPlus.com
KultPlus ju risjell një intervistë të realizuar kohë më parë me Gjon’s Tears.
Emri Gjon Muharremaj ka filluar që të bëhet i njohur në vendet frankofolëse. Shqiptari, prindërit e të cilit janë nga Kosova, përmes zërit të tij ka rrëmbyer zemrat edhe të këngëtarëve të njohur francezë si: Julien Clerc, Jenifer Bartoli, Mika dhe Soprano, shkruan KultPlus.
Përmes interpretimit të këngës “Christine” të këngëtarit të njohur francez “Christine and The Queens”, Gjoni dëshmoi se tashmë interpretimi i tij ka kaluar në një fazë tjetër. Derisa luante në piano dhe këndonte atij i është dashur një minutë për të fituar votën e anëtarëve të jurisë në “The Voice” të Francës të cilët kishin mbetur të shtangur. Mika, fituesi i një çmimi Brit Awards dhe nominues për Grammy është ai i cili shfaqet si më i befasuari nga interpretimi i Gjonit të cilit i mbetet akoma shumë punë për të bërë në këtë garë.
“Kur e pash që juria ishte e mahnitur nga interpretimi im isha shumë i gëzuar dhe i lumtur. Sigurisht isha më i lumtur që të gjithë u kthyen dhe unë kisha mundësi që të zgjedh vet se me cilën nga anëtarët e jurisë do të punoj. Tani pas audicionit të fshehur do të marrë pjesë në raundin tjetër që është ‘KO’ dhe nga 18 që jemi përzgjedhur juria do i zgjedh vetëm gjashtë dhe pas kësaj është hapi tjetër i njohur si “Battle”, tregoi Gjon Muharremaj për KultPlus.
I rritur në një familje shqiptare e cila ka emigruar nga Kosova, këshilla që shpesh ka marrë nga prindërit e tij është që të mos e harrojë gjuhën shqipe. “Mos e harro gjuhën pasi që është shumë e rëndësishme për ty, kjo është gjuha e familjes tënde dhe ti duhet që ta dish”, tregon Gjoni për KultPlus derisa me kujdes zgjedh fjalët për të shprehur ato që dëshiron t’i thotë. Madje shpesh herë kërkon sinonime të fjalëve kur mendon se nuk ka zgjedhur fjalën e duhur.
Ndërsa shqiptarët Gjonin mund ta kujtojnë nga pjesëmarrja e tij në Albanian’s Got Talent, një eksperiencë kjo e bukur për këngëtarin e cila ishte njëkohësisht edhe përballja e tij e parë me televizionin. Mirëpo krejtësisht ndryshe nga ajo që ka tani pasi që tashmë nuk është një fëmijë dhe synimet e tij janë akoma më të larta.
“Pjesëmarrja në Albanin’s Got Talent ishte shumë e rëndësishme për mua që ta dinin njerëzit se kush isha dhe nga vija unë dhe familja ime. Të kuptoja se a do të ju pëlqeja apo jo në mënyrë që të vazhdoja. Mirëpo ata më kanë dhënë shumë dashuri dhe shumë fuqi madje edhe për tu bërë pjesë e “The Voice” sot. “The Voice” është një eksperiencë fenomenale dhe që me jep shumë dhe mësoj shumë nga kjo. Për mua ishte një nevojë që të ju tregoja njerëzve që flasin frëngjisht, vendeve frankofone që dua të vazhdoj me muzikë”, ka theksuar ai.
Komente pozitive Gjoni është duke pranuar edhe nga ndjekësit e tij të cilët janë kryesisht nga Zvicra, Franca si dhe Kosova e Shqipëria. Këto komente e bëjnë atë që të fitoj më shumë vetëbesim dhe të bëhet më i guximshëm për të vazhduar këtë aventurë të re të cilën e ka filluar.
“Si një këngëtar që fillon karrierën ajo çka kërkoj nga “The Voice” është që të më shohin njerëzit dhe të gjejë një produksion si dhe ti prek njerëzit, të lë gjurmë tek ata që të më mbajnë në mend. Por fillimisht është shumë e rëndësishme që të vazhdoj me muzikën dhe të gjej njerëz të cilët besojnë në mua dhe që do të më përkrahin në këtë rrugëtimin tim”, tha ai për KultPlus.
E rëndësishme për Gjonin është origjinaliteti, diçka që çdo herë i dallon artistët e vërtetë nga të tjerët. “Unë nuk përpiqem që të jem dikush tjetër. Për mua gjëja me e rëndësishme është që të jem i sinqertë me publikun dhe me vetveten”, theksoi ai edhe pse një gjë e tillë shpesh herë mund të jetë shumë e vështirë dhe sfiduese. Por Gjoni është një nga personat të cilët i kanë në qejf sfidat, një gjë të tillë e ka bërë edhe vite më parë kur realizoi këngën “Babi”, refrenin e të cilës e ka shkruar në gjuhën shqipe.
“Edhe pse është një histori e krijuar dhe jo historia ime kisha nevojë që ta shkruaja shqip sepse për mua gjuha shqipe ka një dimension që është më e sinqertë. Kur shkruaj frëngjisht është një si barrierë. Nuk mundem të jem i sinqertë dhe është e vështirë të ju jap fjalëve franceze seriozitet. Kur i shikoj tekstet e mia në frëngjisht mendoj se nuk janë shumë serioze dhe kam përshtypjen se dalin qesharake. Kështu që është e vështirë që të shkruaj frëngjisht por edhe të shkruarit në shqip ishte një sfidë për mua pasi që unë nuk e flas mirë gjuhën shqipe. Mirëpo ishte e rëndësishme që ta shkruaja ashtu siç e dija edhe pse me gabime në mënyrë që të jem i sinqertë”, tha ai për KutlPlus duke treguar se edhe në të ardhmen ka mundësi që të kompozojë diçka në gjuhën shqipe, kuptohet në momentin që ai do e ndjenë një gjë të tillë./ KultPlus.com
Disa nga mendimet mbi artin dhe jetën që Van Gogh i ndante përmes letrave me vëllaun e tij, Theo.
Për të vepruar në këtë botë, duhet të vdesësh brenda vetes…Njeriu nuk gjendet përmbi tokë vetëm për të qenë i lumtur, as dhe për të qenë thjesht i ndershëm. Gjendet për të realizuar gjëra të mëdha për shoqërinë, për të arritur fisnikërinë e shpirtit e për t’u hedhur përtej vulgaritetit në të cilin hiqet zvarrë ekzistenca e pothuaj të gjithë individëve.
Për çfarë mund të jem i dobishëm, për çfarë duhem? Ka diçka brenda meje, por çfarë është?
Njeriu është i huaj përmbi tokë dhe jeta e tij është një udhëtim i shkundulluar nga stuhitë.
Ç’është të pikturuarit? Si arrihet? Është akti i shpalosjes së një peizazhi, nëpërmjet një muri të padukshëm prej hekuri, që me gjasë gjendet mes asaj që ndjen e asaj që mundesh.
Më pëlqen më shumë të pikturoj sytë e njerëzve se sa katedralet, sepse në sytë e njerëzve egziston diçka që nuk gjendet në katedralet, sado madhështore e hijerënda që të jenë.
Do të doja të pikturoja burra e gra me nuk di se ç’gjë të përjetshme, për të cilën, dikur, simboli ishte aureola që ne e kërkojmë në rrezatimin e brendshëm e në regëtimën e koloritit tonë.
Gjithçka është në të njëjtën kohë, simbol dhe realitet.
Të vuajturit pa u ankuar, është i vetmi mësim që mund të marrësh në këtë jetë.
Ngandonjëherë, ashtu si dallgët e dëshpëruara që thërrmohen ndër shkëmbinj, unë ndjej dëshirën turbulluese për të përqafuar diçka…
Në ethen time trunore apo në çmendurinë, nuk di si ta çuaj, mendimet e mia kanë lundruar në shumë dete.
Është e vështirë të largohesh nga një vend, përpara se të kesh treguar në një farë mënyre se e ke ndjerë dhe e ke dashur.
A e di ti, Theo, këtë shprehje të një poeti holandez: “jam lidhur me tokën me fije më shumë se tokësore”?
Nuk jetoj për veten, po për brezin që do të vijë.
Natyra është mënyra më e mirë për të kuptuar artin; piktorët na mësojnë që të shikojmë.
Nëse do të vlej diçka në të ardhmen, vlej edhe tashti, sepse gruri është grurë, edhe pse qytetarët në fillim e pandehnin bar.
E kështu, për punën time rrezikoj jetën dhe kam humbur gjysmën e arsyes.
Njeriu është i huaj përmbi tokë, dhe jeta e tij është një udhëtim I tronditur nga stuhitë.
Jeta jonë është si çapitja e një pelegrini. Një herë pashë një pikturë të shkëlqyer, paraqiste një peisazh mbrëmësor. Në të djathtë, në largësi, një rresht kodrinash që dukeshin si blu në lagështirën e mbrëmjes. Përmbi këto kodrina, vezullimën e perendimit, retë gri të përvijuara me argjend, me ar e me purpur. Peisazhi është një rrafshinë e mbuluar me bar e me shkurre dhe aty- këtu me lëvoret e bardha të mështeknave, gjethet e së cilave janë të verdha, sepse është vjeshtë. Mespërmes peisazhit gjarpëron një rrugë që të çon kah një mal i lartë, shumë, shumë të largët, e mbi majën e malit, një qytet mbi të cilin dielli që perendon lëshon një dritë lavdie.
Mbi rrugë ecën një pelegrin që në dorë ka një bastun. Ai tashmë është duke ecur që prej shumë kohe dhe është i lodhur. Takon një grua, një figurë krejt në të zeza që të sjell ndërmend fjalët e Shën Palit: “Edhe pse e trishtë, prapëseprapë gjithnjë e hareshme. Ky engjëll i Zotit është vënë aty për t’i dhënë zemër pelegrinit e për t’iu përgjigjur pyetjeve të tij; dhe pelegrini e pyet: “A shkon gjithnjë përpjetë kjo rrugë?”. Dhe përgjigja është: “Po, deri në fund”. E pelegrini pyet sërish: “A do të vazhdojë gjithë ditën udhëtimi?” Dhe përgjigja: “Nga agimi deri në mbrëmje, miku im”. Dhe pelegrini vijon rrugën e tij, i trishtë e prapëseprapë gjithë hare.
Në pranverë, një zog në kafaz e di mirë se ka diçka së cilës mund t’i shërbejë, e ndjen shumë mirë se ka diçka që do mund ta bënte, por nuk mund të bëjë asgjë, e çështë kjo? Nuk i kujtohet mirë, ka ide të vagullta dhe thotë: “Të tjerët bëjnë foletë e tyre, nxjerrin jashtë të vegjëlit e tyre dhe i ushqejnë”, e mandej përplas kokën e tij të vockël në telat e kafazit. Por kafazi nuk tundet dhe zogu çmendet prej dhimbjes. “Shiko çfarë bjerraditësi”, thotë një tjetër zog që kalon aty pranë, “ai është një tip që jeton me të falur”. E megjithatë, i burgosuri vazhdon të mbahet, nuk vdes. Jashtë nuk duket asgjë prej asaj që ai ka brënda. Ka shëndet të mirë e kohë më kohë, ndjehet i gëzuar nën rrezet e diellit. Po mandej vjen koha e dashurive. Dallgë depresioni. “Por, a ka me të vërtetë gjithçka që i nevojitet?”- thonë fëmijët që kujdesen për të e për kafazin e tij. E ai, rri i palëvizur me vështrimin e ndehur kah qielli, ku vërehet kërcënimi i një shtërngate, e brenda vetes ndjen rebelim ndaj fatit të tij. “Rri në kafaz, rri në kafaz, e nuk më mungon asgjë, budallenj! Kam gjithçka që më nevojitet! Por ju lutem, liri, lermëni të jem një zog si të tjerët!”. Kështu, ndonjëherë, një njeri që nuk bën asgjë, i ngjan një zogu që nuk bën asgjë. /albertvataj/ KultPlus.com
Mbrëmë ishte finalja e festivalit më të madh evropian të këngës, ”Eurovision”, në të cilin vendi u parë u fitua nga Italia, shkruan KultPlus.
Bëhet fjalë për ”Måneskin” me këngën ”Zitti E Buoni”, një këngë kjo që arriti të bëjë për vete votuesit, duke i siguruar kështu Italisë vendin e parë në këtë festival.
Mirëpo, tashmë një fotografi e grupit ka filluar të qarkullojë jashtëzakonisht shumë nëpër rrjete sociale, ku shihen këta të fundit tek këndojnë në një rrugë, në kohën kur fama e tyre zinte vend vetëm në atë hapësirë.
Ndërkaq, sot, në Evropë e në gjithë botë, po komentohet kënga e tyre. / KultPlus.com
Kanioni i Holtës në Bashkinë Gramsh mbetet një nga destinacionet më të preferuara të turistëve vendas dhe kryesisht të huaj.
Holta është një zonë turistike që vizitohen në të gjitha stinët e vitit, por kryesisht në pranverë, verë dhe vjeshtë.
Kanioni i Holtës shtrihet përgjatë 3 kilometrave, me shpatet e luginës që arrijnë deri në 100-150 m dhe me thellësi të ujit që shkon deri në 2-3 m. Kanioni ka shpate të thepisura të mbushura me shpella karstike, si dhe gropa me ujëra termale.
Ngjyrat e shumta e bëjnë këtë bukuri natyrore një destinacion të paharrueshëm ofron pamje magjepse me lartësi malesh, thellësi kanionesh, bimësi dhe lule të shumëllojshme por mbi të gjitha ujërat e freskëta që burojnë nga malet.
Në shpatet e thepisura në rrjedhën e këtij lumi, gjenden shumë shpella karstike, që janë të vizitueshme nga natyralistët dhe aventurierët e ngjitjeve sportive. Veç lumit me kanionet befasuese të tij, në shpatet malore të kësaj zone, gjenden pyje me drurë të rrallë panje, bredhi, pisha si dhe mjaft specie të rralla kafshësh dhe shpendësh.
Kanionet e lumit të Holtës vizitohen duke u nisur nga Gramshi-Bardhan-Kabash, një rrugë disi e vështirë për makinat e ulëta dhe ka një gjatësi rreth 18 km./atsh/ KultPlus.com
Zvicra sivjet u përfaqësua nga një shqiptar në festivalin e madh evropian, “Eurovision Song Contest 2021”. Por, Gjon Muharremajt në të kaluarën i kishin thënë se nuk ka vend për të në këtë Festival.
Muharremaj, ka treguar se ishte kontaktuar nga organizatorët e Festivalit në RTSH vitin e kaluar për të marrë pjesë dhe e kishte pritur me padurim pjesëmarrjen, por vetëm disa ditë pas ftesës, Alketa Vejsiu e kishte kontaktuar për t’i thënë se s’ka vend për ty pasi lista prej 20 artistëve ishte mbushur.
Këto i ka treguar vet Gjoni në një bashkëbisedim Live me fansat e tij në Instagram duke shprehur edhe zhgënjimin e tij, transmeton KultPlus.
Me Gjonin, Zvicra zuri vendin e 3-të në “Eurovision Song Contest 2021”, teksa Shqipëria, u përfaqësua nga Anxhela Peristeri me këngën “Karma” u rendit në vendin e 21-të me 57 pikë. / KultPlus.com
Është tepër a gjatë e diela pa ty! S’kam ku ta çoj, s’kam si ta gjysmoj, më mundojnë orët, më rëndojnë orët, dua t’i ndaj dhe s’i ndaj dot, dua t’i fal dhe s’i fal dot!
Janë vetëm të miat orët e të dielës së tretë të marsit, vetëm imja është krejt e diela …
E përqafoj, e përkëdhel, e pushtoj me ajër, bar e gjeth, me zogj e thirrje.
Ah, veç ti mungon, e dashura ime! Dhe është një ditë marsi mahnitëse, si fytyra jote – tmerrësisht tronditëse, një ditë që të pushton si krahët e tu, një ditë që të thërmon si sytë e tu, një ditë që të trishton po të jesh vetëm.
Vetëm, po të jesh vetëm … Me dëshirë do të vdesësh po të jesh vetëm.
Pa ty është tepër e gjatë e diela, s’kam ku ta çoj, s’kam si ta gjysmoj… As për të vdekur nuk vdes dot, o zot! / KultPlus.com