Festivali Aulona sjell në Vlorë magjinë e folklorit shqiptar dhe europian

Ansambli folklorik “Gojus” i Lituanisë u shpall fitues i edicionit të XIII i Aulona Inter Folk Festival-2021, që u mbajt në qytetin bregdetar të Vlorës nga 12-14 qershor.

Ky ansambël ishte risia e edicionit të këtij viti, pasi befasoi jo vetëm me nivelin e lartë të shpalosjes së folkut të tyre, por edhe me kostumet tradicionale, të cilat sipas historisë datojnë apo vijnë si modele nga hershmëria e trashëguar midis shekujve të pesëmbëdhjetë e gjashtëmbëdhjetë.

Drejtori i Përgjithshëm i këtij festivali, Sejmen Gjokoli, tha për ATSH-në se “në përfundim të natës së tretë të festivalit, në mbyllje të koncertit me numra të zgjedhura, kupa e edicionit të trembëdhjetë shkoi për Ansamblin “Gojus” nga Lituania, grup që shkëlqeu mbi të tjerë me performancë vallëzimi, por edhe me kostumet perandorake, të cilat e kthejnë në një grup folku të magjishëm, sa autentik po aq edhe mjeshtëror në paraqitje e interpretim”.

Sipas tij, në këtë festival morën pjesë rreth 300 artistë të ardhur në qytetin bregdetar nga disa vende të rajonit e Europës, për tri ditë me radhë sollën në Vlorë këngë, valle si dhe ngjyra kostumesh të shumëllojshme, duke e kthyer atë në një skenë të hapur folklori.

“Aulona Inter Folk Festival-2021, ndonëse përmes vështirësish të natyrshme prej gjendjes shëndetësore globale, shënoi një manifestim të vërtetë me vlera të rralla trashëgimie kulturore, ngjizur natyrshëm me dimensionin turistik të qytetit bregdetar përherë në tentim për të mbajtur kurorën mbretërore të turizmit të vendit”, – tha Gjokoli.

Grupet pjesëmarrëse performuan jo vetëm në skenë, përkundrazi në mjedise të ndryshme të hapësirës së qytetit, aje ku janë qytetarët, në trotuare, në sheshe, në lulishte e kudo.

Për të parën herë festivali pati rastin të gjendet në zonën historike e turistike të qytetit, në Vlorën e vjetër rikonstruktuar së fundi, e cila u është kthyer në një atraksion të gjallë sa historik e turistik po aq edhe kulturor.

Performancat e grupeve në hapësirat e gurta të kësaj lagjeje të rikonstruktuar e kthyer në identitet përmes një projekti të posaçëm duken të bëra enkas për të pritur vlera të tilla të trashëgimisë shpirtërore.

U mirëprit e duartrokit gjatë nga të gjithë adhuruesit e folkut edhe grupi i ardhur nga Rumania, nga qyteti i Devas në rajonin e Transilvaninë.

Skenës dhe qytetit të Vlorës i dhanë jo pak shkëlqim edhe grupet e ardhura nga Shkupi e Gjilani, nga Korça e Elbasani, nga shqiptarët e Sllovenisë, nga polifonët zëbukur të grupit të Memaliajt, por edhe nga grupet folklorike të Vlorës.

Festivali Folklorik Ndërkombëtar “Aulona Interfolk”, që është pjesë e aktiviteteve në çelje të sezonit turistik në Vlorë, vlerësohet nga specialistët si një nga aktivitetet më të spikatura në trevat shqiptare dhe më i madhi në Shqipëri në llojin e vet dhe me një gjeografi pjesëmarrjeje që shtrihet në Europë e Azi./atsh/ KultPlus.com

139 vite nga lindja e themeluesit të Katedrës së gjuhës shqipe në Palermo

Më 16 qershor të vitit 1882 lindi Gaetano Petrotta. Ai ishte filolog dhe historian i letërsisë nga Hora e Arbëreshëve, në Siçili.

Në veprën e tij kryesore “Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare”, Gaetano Petrota parashtroi një vështrim të përmbledhur të historisë së letërsisë bashkë me një histori mjaft të pasur të studimeve albanologjike për çështje të alfabetit, gramatikës, dialektologjisë, leksikografisë, historisë së gjuhës, etnografisë, folklorit dhe historisë së kulturës.

Themeloi më 1932 katedrën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe në Universitetin e Palermos dhe e mbajti derisa u nda nga jeta në vitin 1952. Petrota la dorëshkrim një gramatikë shqipe të së folmes së Horës së Arbëreshëve, si edhe një fjalor frazeologjik të arbëreshëve të Sicilisë./ Diaspora shqiptare / KultPlus.com

Ahmet Brahimaj nderohet me titullin “Qytetar Nderi” post mortum në Pejë

Ahmet Brahimaj është shpallur qytetar nderi post mortum në Pejë. Kjo për kontributin e dhënë në fushën e baletit.

Ish-drejtori i Baletit, Ahmet Brahimaj, është titulluar si “Nderi i Qytetit” të Pejës, pas vdekjes së tij.

Brahimaj ishte ndër themeluesit e trupës së Baletit të Kosovës. Ai është një nga kontribuesit më të mëdhenj të zhvillimit të baletit në Kosovë.

Poashtu, në vendimin e komunës për dhënien e titullit qytetar nderit, përmendet se Brahimaj gjatë luftës së fundit në Kosovë ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ish-drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, ka vdekur në moshën 66-vjecare vitin e kaluar. /KultPlus.com

Artinë Ahmeti sjell koleksionin e radhës, krijimet e saj do arrijnë edhe në Paris Fashion Week

Era Berisha

Kurimi deri në perfeksion i çdo detaji, stili ‘’Haute couture’’, takimet vizuale me klientët si dhe vërja në pah e pjesëve më tërheqëse të klientit, konsiderohen si veçantia e disenjatores Artinë Ahmeti, e cila së fundmi ka publikuar koleksionin e veshjeve për vitin 2022 ku ndjeshmëria për idetë unike dhe përshtatja me stilin e tanishëm ka sjell krijime përmes së cilave vihen në pah linjat e bukura dhe të ndryshme trupore ku veshjet japin iluzionin se po përqafojnë trupin e personit si një dorezë e krijuar posaçërisht për ta, shkruan KultPlus.

Pasioni i saj për të krijuar veshje ka nisur qysh në fëmijëri ku dëshira e madhe për krijime të vogla dhe ndryshimi i veshjeve paraprake të saj, ka krijuar lidhjen e ngushtë me profesionin, duke u bërë kështu pjesë e pandashme për të.

Biznesi i saj filloi rrugëtimin në fund të vitit 2019, viti që tronditi botën me situatën pandemike e njëlloj ka goditur rëndë edhe biznesin e saj fillestar. Kjo situatë ka detyruar që puna të ndalohet për disa muaj rresht mirëpo me kalimin e kohës, këtë pauzë disenjatorja e ka zëvendësuar personalisht për të nis krijimet e saj menjëherë pas lirimit të masave.

Përkatësisht në muajin korrik të vitit 2020, Ahmeti ka publikuar koleksionin e parë të saj dhe së bashku me shtatë bashkëpunëtorë, me një punë të palodhshme dhe mund të jashtëzakonshëm, kanë krijuar edhe koleksionin e fundit për vitin 2022.

Koleksioni i fundit ka ardhur si ide eksperimentale e disenjatores, ku ajo ka punuar me disa detaje, forma dhe ngjyra të cilat kanë rezultuar mjaft të dëshiruara nga masa. Objektivi kryesor në krijimet e saj është gjithmonë ‘’Ajo. Femrat’’, dhe jo vetëm që të duken bukur por edhe të ndjehen të fuqishme dhe të jenë vetvetja sepse sipas saj çdo femër është unike në vete, dhe kur ato ndihen rehat e të lumtura në atë që Ahmeti krijon për to, atëherë konsiderohet një arritje tejet e lartë për të.

Në një intervistë për KultPlus, disenjatorja Artinë Ahmeti ka folur rreth koleksionit të saj të fundit që është krijuar për një kohë relativisht të shkurtër por edhe për suksesin e saj që po shkel kufijtë.

“Koleksioni përfshinë 15 veshje, të cilat janë të krijuara për një kohë relativisht të shkurtër duke filluar qysh nga krijimi i temës, inspirimi, skicimi, përzgjedhja e materialeve, pastaj vazhdon me krijimin e patronave, qepjen dhe finalizohet me punën e dorës, gjë që e karakterizon punën tonë. Andaj, edhe procesi zgjat varësisht prej modelit dhe formave që janë për punë”, thotë Ahmeti.

Sipas saj, kur bëhet fjalë për ngjyra dhe llojllojshmërinë e tyre, ajo gjithmonë tenton që t’i përshtatet trendëve të kohës, ndërsa të preferuarat e saj personale mbesin ngjyrat si ajo e zeza dhe nuancat nudo. Kurse, në koleksione dhe krijime ajo punon me cilëndo ngjyrë dhe formë.

“Sa i përket përzgjedhjes, pas pjesës ku zgjedhim temën e inspirimit dhe materialet, unë krijoj një numër relativisht te madh të skicave ku zgjedhen disa prej tyre në mënyrë kolektive. Ndërsa, porositë krijohen zakonisht duke i kombinuar me modelet paraprake të koleksioneve, me disa detaje që klientët dëshirojnë ti ndryshojnë dhe ti personalizojnë”, thotë Ahmeti për KultPlus.

“Secili klientë është i veçantë dhe kërkon një punë e përkushtim maksimal, në mënyrë që të jetë i kënaqur me punën dhe atë që kërkon”, potencon ajo.

Për Ahmetin, sfida më e madhe e hasur ka qenë kjo e fundit që ndodhi në gjithë botën ku si të gjitha bizneset e tjera, është dashur që puna të ndalet duke shtanguar krijimet e disenjatorëve për një kohë të cilën sot duket se është e tejkaluar.

“Besoj që secili në mënyrën e tij e sjell më të mirën në pah përmes krijimeve në frymën, stilin dhe profesionalizmin e personit. Për vete, mendoj që kam studiuar dhe punuar mjaftueshëm që të dal si një dizajnere e kompletuar dhe ti ofroj klientit produktin në mënyrën më profesionale të mundshme, në atë që quhet profesionalizëm”, përfundon Ahmeti për KultPlus.

Disa nga emrat e njohur që bartin emrin e Artinës në veshjet e tyre janë: Miss Alejandra Buitragoc dhe Miss Universe Ecuador 2020, Lejla Espinoza. Kurse, pjesëmarrja më e suksesshme e saj cilësohet ajo e fotosesionit për Miss Universe Colombia 2020, Maria Fernanda, për gazetën më të madhe në Amerikën Latine ‘’Pump Magazine’’, ku Fernanda ka zgjedhur pikërisht firmën e Ahmetit në mesin e shumë disajnerëve të botës.

Synimi i saj për të ardhmen është konsideruar rritja e firmës dhe shtrirja në mbarë botën sepse për momentin bashkëpunimet me tregun ndërkombëtarë si ajo me: Miss Universe Columbio 2020, funksionojnë vetëm online.

Krejt për fund, disenjatorja ka zbuluar se linja e saj do të jetë pjesë e Paris Fashion Week në sezonin e ardhëm të vitit 2022 me një koleksion prej 10 veshjeve.

Artina rrugëtimin e saj në këtë profesion e ka nisur mbarë dhe sukseset në vazhdim duket sikur vetëm po presin ditën e duhur për tu shpalosur. / KultPlus.com

Ministri Çeku priti në takim regjisorin Samir Karahoda që po synon Palmën e Artë në Kanë

Pas filmit debutues që theu akullin dhe arriti të fus filmin e parë të Kosovës në Berlinale, filmi i dytë i regjisorit Samir Karahoda bëhet filmi i parë nga Kosova që përzgjedhet në mesin e 10 filmave të shkurtë që do të garoj për ‘Palmën e Artë’  në garën zyrtare të festivalit më prestigjioz në botë, atë të Kanës, përcjell KultPlus.

Pas këtij lajmi të mrekullueshëm, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku sot priti në takim regjisorin e filmit, Samir Karahoda dhe producentin Erroll Bilibani.

Gjatë këtij takimi u diskutua për fushën e kinematografisë, sukseset e filmave shqiptar dhe nominimin e tyre në festivale prestigjioze botërore.

Ministri Çeku gjatë këtij takimi uroj regjisorin edhe për suksese të mëtutjeshme,

‘Pa Vend’ sjell rrëfimin e klubit më të suksesshëm të ping pongut nga Prizreni ‘Lidhja e Prizrenit’ duke rikrijuar historinë e protagonistëve nga paslufta në kontekstin e situatës së sotme. / KultPlus.com

Gurë të panjohur shfaqen në një fshat, njerëzit përfshihen nga “ethet e diamantëve”

Me mijëra kërkues thesaresh vërshuan në fshatin KëaHlathi në Afrikën e Jugut, të bindur se zona mund të përmbaje diamantë.

E gjitha nisi pasi një burrë atje gjeti një gur që dukej si Kristal në një fushë të hapur dhe i lajmëroi të gjithë për zbulimin e tij. Gurët nuk janë analizuar ende nga ekspertë të gjeologjisë.

Autoritetet i kanë kërkuar njerëzve të largohen nga zona e mësyrë dhe të lejojnë zhvillimin e një verifikimi të duhur nga profesionistë.

Autoritetet lokale ndanë një video në Twitter, ku shprehnin shqetësim lidhur me ato që i quanin “ethe të diamantëve”. Aty shkruhej se po ndiqnin me shqetësim raportet e aktiviteteve të paligjshme të gërrmimit në KwaHlathi. Kjo nuk i ka penguar nejrëzit të vazhdojnë kërkimet.

Dëgjuam fjalë se u gjet një diamant përpara tre apo katër ditësh. Erdha ta shoh me sytë e mi. Ishte ora 7 e pasdites kur mbërrita dhe kam gërrmuar gjithë natën. I gjeta disa gurë. Shkova në shtëpi dhe u ktheva prapë. Që prej mëngjesit të djeshëm nuk janë larguar më, vazhdoj të kërkoj”, thotë banori Bongumusa Msimanga.

Mund të ketë vërtet diamantë sepse ky vend është shumë afër lumit. Kemi gjetur mjaft gurë. Mendoj se ajo që të gjithë po gjejnë tani është kuarc, nuk kemi një ekspert me vete për momentin. Më vonë do ta mësojmë saktësisht”, tregon një tjetër banore, Hlengiwe Mlambo.

Afrika është e pasur me diamantë; prodhuesi më i madh i saj, Botswana renditet i dyti në listën globale me diamantë të cilët janë përgjithësisht më të mëdhenj dhe më cilësorë se sa të vendit të parë në botë për nga vëllimi i prodhimit të këtyre gurëve të çmuar, Rusisë. / KultPlus.com

“Bëj çmos që fëmijët e tu t’i kulturosh në vend që ti pasurosh, sepse shpresat e të kulturuarve janë më mirë se mirëqenia e injorantëve”

Epikteti ishte një filozof grek stoik. Ai lindi një skllav në Hierapolis, Frygia dhe jetoi në Romë deri në dëbimin e tij, kur shkoi në Nicopolis në Greqinë veriperëndimore për pjesën tjetër të jetës së tij. Mësimet e tij u shkruan dhe botuan nga nxënësi i tij Arrian në Discourses and Enchiridion.

KultPlus ju sjell disa nga thëniet e tij më të famshme:

Bëj çmos që fëmijët e tu t’i kulturosh në vend që ti pasurosh, sepse shpresat e të kulturuarve janë më mirë se mirëqenia e injorantëve.

Nuk duhet pasur frikë, as mjerimi, as burgu, as vdekja. Vetëm frika duhet pasur frikë.

Cilido njeri që është i aftë të të xhindosë bëhet padroni yt, por ai arrin të të xhindosë vetëm kur ti ia lejon vetes të shqetësohesh prej tij.

Rregulli i parë për të mësuar është të refuzojmë hamendësimet mbi diturinë. Sepse nuk është e mundur të mësojmë diçka që pandehim se e dimë.

Ka vetëm një rrugë që shpie drejt lumturisë, dhe është të reshtim së shqetësuari për gjëra që janë jashtë kontrollit të vullnetit tonë.

Nëse do të bëhesh i mirë, do të thotë se më parë ishe i lig.

Duhet t’i kërkojmë të mirat tek vetja jonë, përndryshe nuk do t’i gjejmë askund.

Së pari, mëso domethënien e gjërave, e pastaj fol.

Vetëm njerëzit  e kulturuar janë të lirë.

Para së gjithash, thuaji vetes kush dëshiron të jesh, pastaj përpiqu të bëhesh. / KultPlus.com

Mbi 6000 bileta të shitura për super-aksionin Fast and Furious 9 deri tani në Cineplexx

Që nga premiera e filmit më 10 Qershor, për filmin kryesor dhe më të madh të kësaj vere, Fast and Furious 9, janë shitur më shumë se 6000 bileta në Cineplexx.

Fast and Furious 9 mbetet padyshim një nga franqizat më të dashura për filmdashësit në Kosovë, dhe dihej që premiera e saj do të mbledhte shumë shikues të filmit të ri të shumëpritur, i cili më në fund u lansua, pas 5 shtyerjeve të lansimit si pasojë e pandemisë.

Cineplexx njofton se deri më tani, janë shitur më shumë se 6000 bileta për këtë film, kur ende nuk janë bërë një javë që nga lansimi i tij.

Filmi i gjen protagonistët sërish në aksion kur Cipher, personazh i luajtur nga Charlize Theron, e rekruton vëllaun më të ri të Dom në ekipin e saj që të marrë hakmarrje ndaj Dom dhe miqve të tij. Filmi rikthen në regji Justin Lin, ndërsa në rolet kryesore vijnë super-yjet Vin Diesel, Charlize Theron, Tyrese Gibson, Michelle Rodriguez, si dhe kastit të aktorëve do ti bashkangjitet edhe ylli tjetër i filmave aksion, John Cena.

Biletat për këtë film mund t’i blini çdo ditë prej orës 14:30 në Cineplexx, ose edhe online përmes aplikacionit Cineplexx KS. Më shumë informata rreth filmit mund t’i gjeni në webfaqën e Cineplexx.

Adele do t’i eksplorojë përjetimet e vjetëve të fundit në albumin e ri muzikor

Kantautorja e njohur britanike, Adele, ka vendosur që në albumin e saj të ardhshëm, t’i eksplorojë përjetimet e vjetëve të fundit në jetën e saj personale.

33-vjeçarja Adele, nuk ka lansuar album nga viti 2015 kur e publikoi incizimin me titull “25”, dhe pavarësisht faktit se i ka kaluar këta 12 muajt e fundit duke u fokusuar tek vetja, pas shkurorëzimit nga bashkëshorti, Simon Konecki, këngëtarja duket se është e lumtur të rikthehet në qendër të vëmendjes së publikut.

“Adele ka qenë shumë e zënë duke u fokusuar në shëndetin e saj fizik dhe mendor, si dhe ka kaluar muaj të tërë në studio incizuese duke e realizuar albumin e saj të ri”, ka deklaruar një burim i afërt me këngëtaren britanike.

Ylli i muzikës i lindur në Londrës, mezi pret që fansat e saj besnik t’i dëgjojnë këngët e reja. Besohet se albumi do të publikohet së shpejti dhe disa nga këngët e tij, duket se janë inspiruar nga ndarja e Adeles nga bashkëshorti, me të cilin e ka djalin tetë vjeçar, Angelo.

Së fundmi kanë filluar të qarkullojnë thashethemet se ylli i hitit “Hello”, ka filluar të shfaq interesim për aktrimin. Sipas disa burimeve të afërta me kantautoren e shpërblyer me “Grammy”, studioja e incizuese dhe menaxherët e saj kanë qenë mjaft të angazhuar, duke provuar t’i gjejnë role të cilat përshtaten me stilin e saj.

“Studioja incizuese e Adeles është e gatshme të bëjë gjithçka për ta mbajtur atë të lumtur, dhe janë duke e bërë të pamundurën për ta mbështetur interesimin e saj për aktrimin. Por, teksa ata shpresojnë se ajo do të jetë e suksesshme në këtë profesion, pothuajse nuk duan që të jetë shumë e angazhuar me filmin sepse u nevojitet të rikthehet në studio për ta filluar punën rreth albumit të radhës muzikor. Pra pavarësisht se duan ta ndihmojnë të depërtojë në fushën e aktrimit, edhe ata njësoj sikur gjithë adhuruesit e këngëtares, duan që ajo të vazhdojë të realizojë hite”, kishte deklaruar një burim i afërt me këngëtaren.

Adele është një nga artistet më fitimprurëse dhe shquhet për baladat muzikore, të shndërruar në hite anembanë botës./ Koha.net / KultPlus.com

Roald Dahl zbulon sekretin për një libër më të mirë për fëmijë

Roald Dahl, autori i klasikëve për fëmijë si: “James dhe Giant Peach” dhe “Charlie and the Chocolate Factory”, besonte në histori që magjepsin lexuesit e vegjël, duke bërë ata të duan librat për një jetë të tërë, shkruan CNN, transmeton KultPlus.

Ai i vendosi ato mendime në një letër të dërguar më shumë se 30 vjet më parë për një student i cili i kishte shkruar atij me një dëshirë të papritur.

Sipas Hansons Auctioneers, letra e autorit, e shkruar një vit para vdekjes së tij në 1990, u shit në ankand të martën për 2200 paund, pak më shumë se 3,000 dollarë në Mbretërinë e Bashkuar.

“Asnjëherë mos i strehoni fëmijët nga bota,” shkroi Dahl. ‘Përmbajtja’ e çdo libri për fëmijë nuk ka asnjë rëndësi tjetër përveç se entuziazmon fëmijën dhe kështu e mëson ose josh atë që të ‘pëlqejë’ librat dhe të bëhet një lexues i aftë.

“Fëmija që lexon libër do të tejkalojë gjithmonë fëmijën që nuk lexon libër në jetën e mëvonshme,” vazhdoi letra. “Ka shumë pak mesazhe në këto libra të mi. Ata janë thjesht për ta kthyer fëmijën në një lexues të librave.”

Letra mban datën 2 gusht 1989. Dahl vdiq në nëntor të vitit pasues në moshën 74 vjeç.

Christine Ëotton, e cila tani është bibliotekare dhe kujdestare shtëpie në Devon, Angli, tha në një njoftim për shtyp nga shtëpia e ankandit se gjeti adresën e Dahl në pjesën e pasme të një libri të vjetër të bibliotekës dhe ishte befasuar kur nxori një përgjigje kaq pasionante nga ai.

Ëotton tha se po shkruante një disertacion mbi punën e Dahl për diplomën e saj të letërsisë në Portsmouth Polytechnic në atë kohë.

“I bëra pyetje që më intriguan në lidhje me stilin dhe qëndrimin e tij ndaj letërsisë për fëmijë, duke mos ëndërruar kurrë për një përgjigje,” tha ajo.

“Kështu që, u habita kur mora një përgjigje bisedore të dyanshme, të shkruar me dorë … plus një disertacion tjetër që ai më dha hua, me sa duket i shkruar në kopshtin e tij të famshëm, duke diskutuar rëndësinë e leximit për fëmijët dhe referimin e librit të tij të sapo botuar”, i tha Ëotton shtëpisë së ankandit.

Dahl është i njohur më së shumti për librat e tij të shumtë për fëmijë, të cilët përfshijnë gjithashtu: “Matilda”, “Fantastic Mr. Fox”, “The BFG” dhe “Shtrigat”. Por ai ishte gjithashtu një mjeshtër i tregimit makabër të shkurtër. Ai shkroi një autobiografi të fëmijërisë së tij dhe ditëve të fluturimit, dhe madje ndihmoi në shpikjen e një pajisje mjekësore për fëmijët me lëndime të trurit.

Letra është shitur një blerësi në Mbretërinë e Bashkuar. / KultPlus.com

Përmes një video fantastike, festa e rilindur e Karnavaleve në Korçë vjen më afër jush

Në Korçë u zhvillua për të 14-tin vit Festivali Ndërkombëtar i Karnavaleve, që çeli dhe sezonin turistik në këtë qytet mes atmosferës së veçantë të kësaj feste që dhuruan karnavalet.

E njohur për Karnavalet e famshme Korça, e ka shndërruar këtë traditë në një nga festat më të bukura të qytetit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje të kësaj feste të rilindur të Karnavaleve në Korçën turistike.

“Mirëmëngjes dhe me festën e rilindur të Karnavaleve në Korçën turistike, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Ndryshe nga viti i kaluar, që për shkak të pandemisë ky event u organizua në përmasa  minimaliste, këtë vit ai i’u rikthye traditës së festës simbol të qytetit të Korçës, ku morën pjesë 26 grupe. Ndërsa ishin të ftuar pjesëmarrës edhe nga jashtë vendit, dy grupe nga Shkupi i Maqedonisë së Veriut, grupi nga qyteti i Durrësit.

Grupe korçare, por dhe të ardhur nga qytete të tjera e nga jashtë vendit pushtuan bulevardin e Korçës, duke parakaluar me madhështi në një paradë ku çdo pjesëmarrje shoqërohej me nga një fabul.

Karnavalet kanë filluar të festohen në Korçë para viteve 1940, periudhë në të cilën jeta kulturore në këtë qytet ka qenë e larmishme. Karnavalet e Korçës morën një hov të madh pas krijimit të shoqërive kulturore si “Rinia Korçare” etj. Në këtë periudhë karnavalet shoqëroheshin me mandolina, kitara dhe këngë humoristike. Kjo festë u ndërpre rreth viteve 60 për të rinisur pas viteve ‘90.

Korça është një ndër qytetet e para që rizgjoi traditën e karnavaleve duke krijuar në vitin 1992 Shoqatën e Karnavalit si pjesë e Shoqatës Kombëtare të Karnavalit Shqiptar. Në 10 Prill të vitit 1994, në Korçë organizohet Festivali i Parë Ndërkombëtar i Karnavalit në Shqipëri.

Një vit më pas organizohet Festivali i dytë Ndërkombëtar i Karnavalit me përmasa akoma më të mëdha. Që nga ky vit dhe deri më sot grupi i Karnavaleve të Korçës është përfaqësuar në një sërë festivalesh ndërkombëtare të organizuara në vende të ndryshme europiane./ATSH / KultPlus.com

Një pikturë nga David Bowie e blerë për 5 dollarë në një deponi kanadeze tani shitet për mijëra dollarë

Një pikturë nga ikona e zhanrit rock David Bowie, pritet të shitet për mijëra dollarë në një ankand arti në internet pasi dikush e mori atë për disa para në një qendër dhurimesh në një deponi të Ontario, shkruan CNN, transmeton KultPlus.

Portreti, i titulluar “DHead XLVI”, është pjesë e një serie prej afërsisht 47 punimesh që Bowie krijoi midis viteve 1995 dhe 1997, sipas Rob Cowley, president i Cowley Abbott, i cili po administron ankandin.

Pjesa ka nënshkrimin dallues të Bowie në pjesën e pasme të kanavacës së bashku me një etiketë që ka emrin e tij, datën 1997 dhe një përshkrim të pikturës si “akrilik dhe kolazh kompjuteri në pëlhurë”. Ekzistonte gjithashtu një etiketë nga një kompani kornizë në Londër që Cowley tha se punonte për Bowie dhe muzikantë të tjerë të famshëm para se të dilte nga biznesi.

Cowley i ka thënë CNN se shitësi, i cili nuk është identifikuar, pagoi 5 dollarë kanadezë (rreth 4.10 dollarë dollarë) për pikturën verën e kaluar në një qendër dhurimesh në një deponi në South River, e cila është rreth tre orë në veri të Torontos.

Personi nuk është koleksionist i arteve dhe thjesht i pëlqente piktura, por vetë piktura i tërhoqi vëmendjen sepse menduan se ishte një pikturë interesante përpara se ta kthejnë dhe të shohin etiketat në anën e pasme”, ka thënë Cowley.

Cowley tha se shitësi i kontaktoi ata rreth pikturës në nëntor dhe ata filluan të punojnë për të vërtetuar punën.

Përveç hulumtimit në internet, ata kontaktuan ekspertin Andy Peters, i cili ka qenë duke mbledhur autografe të Bowie që nga viti 1978 dhe filloi të vërtetonte nënshkrimin e tij pas vdekjes së këngëtarit në 2016 pasi vuante nga kanceri në një përpjekje për të luftuar përmbytjen e falsifikimeve që ishin në dispozicion për shitje.

“Kur pashë për herë të parë pikturën, e dija se çfarë ishte menjëherë. Unë nuk kisha nevojë të shihja autograf në pjesën e pasme sepse e dija, por padyshim që nënshkrimi vulosi marrëveshjen”, i tha Peters CNN në një email.

“Konfuzioni qëndron në atë që ai e ndryshoi firmën e tij aq shumë gjatë karrierës së tij 55-vjeçare, por ka disa nuanca në çdo autograf të vetëm që falsifikuesit nuk mund ta kopjojnë.”

Cowley tha se Bowie pikturonte miqtë, familjen dhe muzikantë të tjerë për serinë DHead, dhe madje bëri disa autoportrete, por ai nuk i identifikoi subjektet e tij.

“Në këtë rast, edhe gjinia është e vështirë të dallohet sepse nuk ka ndonjë tipar të fytyrës përveç profilit anësor. Është një portret mjaft i mrekullueshëm, por është shumë e vështirë të thuash saktësisht kush mund të jetë”, tha Cowley.

Piktura pritej të arrinte në një vlerësim prej $ 9,000 në 12,000 $ CSD (7,381 $ deri 9,841 $ USD) por ajo kaloi atë çmim në ditën e parë të shitjes. Ankandi përfundon më 24 qershor. / KultPlus.com

Dua Lipa, arsyeja kryesore e fitimeve marramendëse të industrisë muzikore në Britani

Dua Lipa, Coldplay dhe The Beatles kanë ndihmuar industrinë britanike të rekordeve të fitonte 519.7 milion £ jashtë shtetit vitin e kaluar, shifra më e lartë e regjistruar deri më tani, shkuran BBC, transmeton KultPlus.

Të ardhurat nga eksporti për muzikë u rritën për 6% krahasuar me 2019, të ndihmuar nga “rritja shpërthyese e transmetimit të muzikës”, ka thënë shoqata e markave rekord BPI.

Rreth 300 artistë britanikë morën 100 milion transmetime ose më shumë.

Dua Lipa’s ‘’Don’t Start Now’’ ishte hiti më i madh britanik i vitit 2020.

Himni i klubit u transmetua 1.62 miliardë herë në total, ndërsa albumi i saj fitues i çmimit Brit ‘’Future Nostalgia’’, ishte i 10-ti më i shitur i vitit.

Regjistrimi i dytë i Harry Styles, ‘’Fine Line’’, doli edhe më mirë si albumi i pestë më i shitur në botë për vitin 2020.

Pavarësisht nga këto arritje, nuk kishte asnjë artist britanik të renditur në mesin e 10 shitësve më të mirë të vitit në të gjitha formatet, duke ngritur pikëpyetje në lidhje me aftësinë e Mbretërisë së Bashkuar për të krijuar super yje globale në një treg gjithnjë e më konkurrues.

Në vend të kësaj, lista u kryesua nga grupi korean pop BTS, me pjesën tjetër përfshirë: The Weeknd, Billie Eilish dhe Taylor Swift.

Sipas BPI, Mbretëria e Bashkuar është ende eksportuesi më i madh i muzikës në botë, pas SHBA-ve, por vitin e kaluar pjesa e saj në tregun global ka rënë nga 17% në 2015 në 10%.

Sidoqoftë, me përjashtim të albumit të Dua Lipa, 2020 ishte relativisht e qetë për publikimet e reja të mëdha nga artistët britanikë.

Popullariteti global i The Beatles, Queen, Pink Floyd dhe The Rolling Stones gjithashtu ka ndihmuar në mbështetjen e industrisë britanike të muzikës në shërbimet e transmetimit.

Në fillim të këtij viti, BPI njoftoi se të ardhurat totale të regjistruara të muzikës në Mbretërinë e Bashkuar ishin rritur me 3.8% në 2020 për të arritur në 1.118 miliardë £, nxitur kryesisht nga rritja e transmetimit.

Ky është totali më i lartë që nga viti 2006 (1.17 miliardë funte) dhe viti i pestë radhazi i rritjes. / KultPlus.com

Katër ditë pasi Haskuka e përuroi, merr flakë kutia e rrymës në Muzeun e Dëshmorëve

Katër ditë pasi kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka e përuroi, kutia e rrymës në Muzeun e Dëshmorëve në Landovicë ka marrë flakë.

Për rastin në fjalë ka njoftuar sot edhe policia e Kosovës.

Sipas njoftimit të tyre, kutia shpërndarëse e rrymës në Muzeun e Dëshmorëve, në rrethana të panjohura është përfshirë nga zjarri.

Zjarri është lokalizuar nga zjarrfikësit.

“Landovicë, Prizren, 15.06.2021-20:20. Raportohet se në rrethana të panjohura është përfshi nga zjarri kutia shpërndarëse e rrymës në objektin e Muzeut të Dëshmorëve. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse ndërsa ekipi i zjarrfikësve ka lokalizuar zjarrin”, thuhet në njoftimin e policisë.

Përveç kësaj, gabim është bërë edhe në përshkrimin anglisht. Siç shihet në fotografinë e publikuar nga vetë Haskuka, është shkruar “Martys” në vend të “Martyrs”, pra që në gjuhën shqipe përkthehet dëshmorët.

Megjithatë, vetë Haskuka në profilin e tij në Facebook e ka shkruar pa ndonjë gabim këtë togfjalësh, “Muzeu i Dëshmorëve”.

“22 vite pas përfundimit të luftës, Kosova për herë të parë u bë me Muze të Dëshmorëve, ku do të ekspozohen dokumente dhe eksponente të dëshmorëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ditën e Çlirimit të Prizrenit, sot së pari filluam duke bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë. Pastaj, bashkë drejtoreshën e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Sevil Kazaz, deputetët e Kuvendit të Kosovës, familjet e dëshmorëve, shoqatat e dala nga lufta dhe drejtorët komunalë e përuruam Muzeun e Dëshmorëve në Landovicë. Vizitorët e këtij muzeu, nga sot, do të mund t’i shohin të grumbulluara në një vend dokumentet që e dëshmojnë gjenocidin e kriminelëve serbë në Kosovë, ku aktualisht janë duke u ekspozuar mbi 215 biografi individuale të dëshmorëve të rënë, hartat rajonale të operacioneve të UÇK-së, si dhe po ashtu filma dokumentarë kushtuar dëshmorëve. Ne edhe në të ardhmen do të vazhdojmë të punojmë maksimalisht, me të gjithë institucionet e vendit, familjet e dëshmorëve dhe shoqatat e dala nga lufta, për ta pasuruar sa më shumë këtë muze me dokumente të tjera. Serbia, gënjeshtrat e saja për Kosovën i përsëritë çdo ditë, ndërkaq Kosova, të vërtetat e saja për Serbinë, nuk po i përsëritë pothuajse fare. Në këtë drejtim, uroj që kjo muze përveçse të shërbejë për dokumentimin e krimeve të serbe, po ashtu le t’i shërbejë gjeneratave të reja për t’u njohur me historinë e lavdishme të UÇK-së dhe popullit shqiptar”, ka shkruar Haskuka. / Gazeta express / KultPlus.com

De Rada, në mes matematikës dhe poezisë

Nga: Dashnor Kokonozi

Në dosjet e shumta të Jeronim de Radës në Arkivin e Shtetit, që i shfletoja në fillim të viteve 1980 ndërsa përgatitesha për romanin “Shtrati i Prokustit”, bien në sy disa dorëshkrime të rinisë së tij të mbushura anash me formula matematikore.

Askush nuk qe marrë ndonjëherë me to. Kështu ndodhi që pak kërkime të mëtejshme na njohën me një pasion krejt të pazakonshëm të poetit të Makjes.

E vërteta është që në fillimet e tij ai nuk u shqua në asgjë. Madje, në fund të vitit të parë në kolegj (pasi ngeli në klasë), Mikel Belushi, drejtori i Shën Adrianit, e këshilloi të atin ta hiqte fare nga shkolla dhe ta mbante në shtëpi që të merrej me punët e bujqësisë (shkurt, të ruante delet). I ati kërkoi edhe një vit provë, që të bindej për paaftësinë e të birit. Pikërisht, vitin që përsëriti, De Rada pati ecuri mjaft të mirë dhe në përfundim të Kolegjit cilësohej si krenaria e tij. Drejtori, ai që donte ta çonte të ruante delet, e mbante gjithnjë pranë vetes.

Së pari të bie në sy kujtesa dhe aftësia e tij për të kryer veprime të ndërlikuara krejt përmendesh. Bashkëkohësit thonë se poeti ynë i ardhshëm, gjatë viteve të shkollës, ishte në gjendje të shumëzonte përmendësh edhe numra natyralë prej shtatëmbëdhjetë shifrash dhe të nxirrte saktësisht shumën e tyre prej disa milionësh.

Të dhëna të tjera më tregonin se ai kishte fuqi kujtuese ende më fenomenale, për veprime mjaft më të ndërlikuara, siç do të shohim.

Këto zhvillime nuk mund të kuptohen të shkëputura nga ajo vatër dijesh siç ishte seminari i Shën Adrianit. Ndryshe nga shumë shkolla tradicionale të kohës, ku mësimdhënia e matematikës përqendrohej në njohuritë që jepnin kryesisht matematikanët e lashtësisë (sot nuk e kujtoj nga e kam nxjerr këtë përfundim), në Shën Adrian futeshin në programet shkollore mjaft prej koncepteve matematikore moderne që kishin marrë zhvillim të madh, veçanërisht me punimet e Gausit.

Tamam në ato vite De Radës i lindi pasioni i fuqishëm për matematikën që, siç thotë vetë, ishte “jo më pak i zjarrtë se ai për letërsinë”. Dhe, pati mëdyshje të fortë për të zgjedhur midis poetit e matematikanit.

Me sa del nga shënimet e tij autobiografike, dashurinë për matematikën atij do t’ia ketë ngjallur profesor Gaetano Çerri nga Marturano, i cili kishte dhënë lëndën e matematikës në Institutin Nunciatello të Napolit. Duke qenë i ushqyer me idetë e Revolucionit Francez dhe madje si pjesëmarrës në Revolucionin e vitit 1821 (i cili pati si forcë lëvizëse organizatën konspirative të karbonarëve) që dështoi në gjak, Çerri u detyrua t’ia mbathë nga kryeqyteti i Mbretërisë së dy Siçilive dhe të gjejë strehim në Kalabri, ku jepte mësim në Shën Adrian.

Si mêsimdhênës pasionant, ai mbante lidhje me matematikanët më në zë të kohës. Madje, në disa raste ua merrte që në dorëshkrim studimet të cilat ua paraqiste nxënësve të tij të Shën Adrianit. Në një rast, pas gjeometrisë plane të Euklidit dhe gjeometrisë së trupave të ngurtë, ai u shpjegoi nxënësve të tij leksionet konike të Karavelit (mbase duhet të jetë fjala për leksionet sferike të Vito Caravellit), që e kishte pasur mik, siç thuhet.

Nxënësit hasnin vështirësi në të kuptuarit e tyre, sepse nuk kishin njohuri të mëparshme për teoritë e tij. Për këtë ngjarje De Rada shkruan: “Në nëntor 1832, profesor Çerri, thuajse i dëshpëruar më thirri në dërrasë të zezë dhe pasi e shpjegoi lëndën në mënyrë të shkoqur, si mjeshtër që ishte, kërkoi që ta përsërisja edhe unë. Unë e përsërita, por me disa pasaktësi të vogla. Këtë pastaj e hodha në të pastër në sallën e studimit dhe ua kalova shokëve për ta mësuar”.

Është tamam kjo periudhë kur ai vazhdon ta studiojë në mënyrë më të ethshme matematikën dhe nuk ngurron të mbushë anët e fletoreve të tij me figura gjeometrike dhe formula matematike. Këtu përmendim se ai arriti kulme të tilla saqë mund të nxirrte përmendësh rrënjën katrore të një numri me njëzet e katër shifra numër ky që, po të shkruhet, i bie të jetë prej disa biliardësh.

Një rast i tillë mbase nuk është unik në botë, por ama mbetet tejet i rrallë.

Biografi bashkëkohës i de Radës, M. Markianoi (që ishte edhe kushëri i tij), përmend dy tre raste të tilla, gjë që provon se ai kishte me të vërtetë talent të rrallë në këtë fushë.

Thamë në fillim se De Rada dikur ka ndjerë mëdyshje për të zgjedhur midis matematikës dhe poezisë. Por, mbase kontradikta do të ketë qenë vetëm në dukje.

Nuk janë të rrallë ata që shohim mjaft poezi te matematika. / KultPlus.com

Studentja realizon fotot e diplomimit në fushën ku punojnë prindërit e saj

Ajo nisi të punojë në fusha me prindërit e saj kur ishte e vogël në shkollën e mesme. Çdo ditë, pas shkollës ajo punonte duke mbjellë luleshtrydhe.

Një studente e sapodiplomuar në Universitetit e Kalifornisë, në San Diego ka vendosur që të nderojë prindërit e saj duke i realizuar fotot e diplomimit në fushat e fermave ku ata punuan për të mbështetur shkollimin e saj, transmeton lajmi.net.

“Unë doja t’i bëja ato fotografi atje, posaçërisht në terren, sepse ky vend më bëri të shkoj në kolegj. Babi më ka shtyrë gjithmonë duke më thënë, se nëse nuk ndjek një arsim të lartë, do të të duhet të punosh këtu pjesën tjetër të jetës tënde”, tha Jennifer Rocha për “Good Morning America”.

Ajo nisi të punojë në fusha me prindërit e saj kur ishte e vogël në shkollën e mesme. Çdo ditë, pas shkollës ajo punonte duke mbjellë luleshtrydhe.

Rocha, e rritur në Coachella, California, tha se prindërit e saj e inkurajuan atë dhe vëllezërit e motrat e saj për të ndjekur një arsim të lartë. Duke u rritur, ajo i shihte motrat e saj më të mëdha si modele, sepse të dyja kishin mbaruar kolegjin dhe ajo donte të ndiqte hapat e tyre.

“Babai im gjithmonë na thoshte se ëndrra e tij ishte që ne të merrnim një diplomë kolegji. Prindërit e mi kanë punuar si punëtorë migrantë në terren që kur ishin 6 ose 7 vjeç. Unë gjithmonë i shihja ata që na siguronin për ne para tyre”, u shpreh ajo. / KultPlus.com

Italia planifikon të kthejë ishullin e braktisur të burgut në një atraksion turistik

Ishulli vullkanik i braktisur i vendosur në Detin Tirren, ku gjendej një burg funksional 56 vjet më parë, autoritetet italiane planifikojnë të kthehen në një atraksion turistik që do të jetë i hapur për vizitorët deri në vitin 2025.

Në një përpjekje të re për të rritur turizmin në rajonin Ventotene, autoritetet thonë se ata do të rinovojnë dhe rigjallërojnë ishullin duke e kthyer atë në një muze në ajër të hapur, raporton CNN.

Ashtu si Alcatraz, California, Italia do ta bëjë ishullin e shkretë të burgut një atraksion turistik. 

Sipas planit, furra e bukës e burgut do të shndërrohet në një kafene dhe dhoma e zhveshjes së futbollit në një hotel.

Vendi ka në plan të shpenzojë 86 milion dollarë “duke e rimodeluar” atë në një muze të hapur.

Përveç prezantimit të së kaluarës së burgut, muzeu është konceptuar si një qendër akademike që do të organizojë punëtori dhe seminare arti mbi Bashkimin Evropian.

Plani është në një fazë të hershme, zyrtarët aktualisht po sigurojnë ishullin dhe më vonë këtë muaj, autoritetet pritet të lëshojnë një thirrje për propozime për të rindërtuar burgun.

Një raport i CNN sugjeron që disa ndërtesa dhe zona do të rinovohen dhe do të kenë funksionet e tyre origjinale, ndërsa të tjerët do t’i shërbejnë një qëllimi krejtësisht të ri.

IEVP Santo Stefano u përfundua dhe u hap në 1795, sipas Atlas Obscura. Burgu me 99 qeli ishte nën një menaxhim të rreptë të centralizuar, ndërsa dënimet ishin të ashpra dhe sasitë e ushqimit shumë të vogla.

Gjatë sundimit fashist italian nga 1922 deri në 1943, burgu u përdor kryesisht për disidentët politikë si Sandro Pertini, i cili më vonë u bë president italian.

Aktualisht, vizitorët mund të futen në shumë qeliza të hapura, ku lëvoret e bojës nga muret dhe dyert varen në mentesha.

Sipas një raporti të CNN, qëllimi i qeverisë është të rivendosë dhe ruajë ndërtesat dhe pjesët e ishullit me një qasje ekologjike që merr parasysh veçantinë e habitatit natyror.

Autoritetet shpresojnë se rinovimi i Santo Stefano do të rrisë tërheqjen turistike të Ventotene. 

Tashmë një destinacion turistik, është një vend i njohur për udhëtime me anije dhe shikimin e perëndimeve të diellit.

Gjithashtu, në Ventotene, vizitorët tashmë mund të flenë në shtëpitë e ish të burgosurve, tani të pikturuar me të verdhë dhe vjollcë, dhe të hanë në mensat në sheshin e fshatit pranë Kalasë së Bourbon. /Syri.net / KultPlus.com

Miliarderja Scott dhuron 2,74 miliardë dollarë për bamirësi

MacKenzie Scott, ish-bashkëshortja e themeluesit të Amazon dhe personi më i pasur në botë Jeff Bezos, njoftoi sot një donacion prej 2,74 miliardë dollarë për 286 organizata, përfshirë shoqatat artistike dhe grupet që luftojnë kundër diskriminimit racor.

Në krye të një pasurie të vlerësuar nga Forbes me rreth 60 miliardë dollarë, Scott, 51 vjeçe, është angazhuar të dhurojë gjysmën e pasurisë së saj për bamirësi.

Ajo u martua përsëri në mars me Dan Jewett, një mësues i shkencave në shkollën private Lakeside në Seattle (në veriperëndim të SHBA-së).

“Unë, Dan dhe një plejadë e tërë studiuesish, administratorësh dhe këshilltarësh po përpiqemi të dhurojmë një pasuri që është bërë e mundur nga sistemet që duhet të ndryshohen”, shkruan MacKenzie Scott në një artikull të botuar në platformën Medium.

“Ne drejtohemi nga bindja e përulur se do të ishte më mirë që pasuria joproporcionale të mos përqendrohej në duart e pak vetave”, shtoi ajo duke theksuar se paratë mund të përdoren më mirë nga organizatat për të cilat ajo përcakton dhuratat e saj.

Para këtij njoftimi, Scott tashmë kishte bërë donacione publike me vlerë më shumë se gjashtë miliardë dollarë, duke theksuar nevojën për të ndihmuar ata që preken më shumë nga ndikimi ekonomik i pandemisë dhe të zvogëlojë shpërndarjen e pabarabartë të pasurisë./atsh/KultPlus.com

Jusuf Buxhovi me “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” në KultPlus Caffe Gallery

Jusuf Buxhovi me “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” do të prezantohet në KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.

Jusuf Buxhovi, autori i romanit do të bashkëbisedoj me të pranishmit në lidhje me përpunimin e këtij romani që e ka risjell me një version më të plotësuar, dhe i njëjti do të shpërndajë libra falas për të pranishmit, të cilët do ti marrin librat edhe me autografet e autorit.

Ky organizim i cili mbahet të mërkurën me datën 16.06.2021, do të filloj në orën 19:00 dhe pritet të zgjasë deri në orën 22:00. Ngjarja do të jetë e hapur për të gjithë dhe do të mbahet duke respektuar masat mbrojtëse kundër Covid-19./ KultPlus.com

“Bashkimi i dritës”, arti i Helidon Xhixhës ndriçon Rezidencën Italiane dhe qendrën e Tiranës

Rezidenca e Italisë në Tiranë rihapi sot dyert e saj për qytetarët, duke mikpritur ekspozitën e parë antologjike të artistit Helidon Xhixha.

Në ceremoninë e çeljes së ekspozitës ishin të pranishëm kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

“Bashkimi i dritës” është një rrugëtim i cili përvijohet nga vepra e parë e artistit e deri tek vepra e fundit, rrugëtim i nisur me këtë ekspozitë për herë të parë.

Një rrugëtim në jetën, në artin, në materialet dhe në format e artistit, i konceptuar për të përjetuar me historinë e tij, në formë simbolike, atë të atyre mijëra shqiptarëve të cilët, në tridhjetë vitet e fundit, kanë gjetur një shtëpi e re në Itali dhe që sot, gjithmonë e më shpesh, kthehen në vendin e tyre duke kontribuar në një emigracion qarkullues suksesi dhe në përforcimin e një marrëdhënieje miqësie unike midis Italisë e Shqipërisë.

Ambasada e Italisë në Tiranë kremtoi, me veprën e artistit Helidon Xhixha, tridhjetë vite miqësi dhe solidaritet midis Italisë e Shqipërisë, në përkujtim të mbërritjes në Itali të dhjetëra mijëra shqiptarëve, me anije e varka rasti, në brigjet e Puglia-s në vitin 1991.

Eksperienca e jetës së Helidonit, i cili tridhjetë vite më parë mbërriti në Puglia me një nga ato anije për të gjetur të ardhmen në “Vendin përballë”, dhe arti i tij, i aftë të përhapë një energji force, drite e rinovim konstant, janë simboli i një bashkimi kulturor me vlerë të pabesueshme dhe janë dëshmia e gjallë e një prej historive të suksesit që kanë sjellë tridhjetë vite integrim shqiptar në Itali.

Në dhjetëvjeçarët e fundit, Helidon Xhixha (i lindur në Durrës në vitin 1970) u imponua si një personalitet me rëndësi në skenën artistike bashkëkohore, duke u vlerësuar shumë nga kritika në nivel ndërkombëtar.

Vizioni dhe teknika inovative e Xhixhës përkthehen në një art publik monumental që ripërcakton marrëdhënien midis skulpturës dhe mjedisit që e rrethon. Pasi trashëgoi nga i ati pasionin për artet, Helidoni u arsimua në Itali, pranë Akademisë së Arteve të Bukura të Brera-s, ku mundi të zhvillojë teknikën e tij.

Skulpturat e tij tredimensionale prej çeliku inoks nxjerrin në dritë marrëdhënien e brendshme që ekziston midis veprës së artit dhe mjedisit që e rrethon. “Unë nuk i gdhend materialet, i përdor ato për të gdhendur dritën”, ka deklaruar ai vetë.

Në kuadër të nismave të ndryshme kulturore që gjatë verës do të kremtojnë tridhjetë vjetorin e solidaritetit midis Italisë e Shqipërisë në të dyja brigjet e Adriatikut, Ambasada e Italisë në Tiranë, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, përuroi një prej shesheve kryesorë të qendrës së Tiranës, shesh i rinovuar së fundmi, i cili rimori emrin “Sheshi Italia”, me veprën monumentale “Big Bang”, me rastin e Festës së Republikës së Italisë.

Skulptura monumentale e artistit një sferë prej çeliku me elementë të ndritshëm e të shkëlqyer, komunikon në një kontekst sugjestionues që ndërthur elementë arkitektonikë racionalistë të viteve ’30 të shekullit të kaluar, karakteristikë e gjenialitetit të arkitektit italian Gherardo Bosio, me artin bashkëkohor arkitektonik të Marco Casamonti-t, i cili ka projektuar Stadiumin e ri Kombëtar.

“Skulptura është një himn për rilindjen që reflekton mbi nisjen e kohës e hapësirës. Rikrijon një shpërthim të aftë për të lëshuar një energji të pafundme e të pastër, të nevojshme për të rivënë në lëvizje universin tonë, jetët tona. Çdo çast është një fillim i ri”, në këtë përfundim ka arritur skulptori pasi e ka realizuar veprën.

Vepra është prezantuar nga ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci, si “simboli i rilindjes që kemi zgjedhur me rastin e Festës së Italisë në Shqipëri, një ftesë për t’iu rikthyer hapësirave publike e hapësirave tona, historisë dhe kulturës sonë të përbashkët, pas vështirësive dhe vetmisë që na u desh të përjetojmë gjatë pandemisë”, me rastin e një ceremonie në të cilën morën pjesë, përveç artistit dhe kuratorit Anselmo Villata, edhe kryetari i bashkisë Erion Veliaj dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti./atsh/ KultPlus.com

Mbahet në Tiranë Festivali Europian i Filmit të Arkeologjisë

Nga 16 deri më 30 qershor në Tiranë do të mbahet Festivali Europian i Filmit të Arkeologjisë.

Ky aktivitet organizohet për herë të parë si projekt i EUNIC, (EU National Institutes for Culture).

Në këtë event do të prezantohen 13 filma me titra shqip, që janë prodhuar në tetë vende të ndryshme: Shqipëria, Bullgaria, Republika Çeke, Gjermania, Greqia, Italia dhe Spanja.

Eventet do të organizohen në qendrën COD në kryeministri, në amfiteatrin e Durrësit, në Pallatin e Kulturës në Tiranë dhe në Parkun Arkeologjik të Apollonisë në Fier./ KultPlus.com

Një bust për Nënë Terezën në Osijek

Një bust për të vlerësuar figurën e shenjtë të Nënë Terezës do të vendoset në Osijek, Kroaci.

Deputetja shqiptare në parlamentin kroat Ermina Lekaj Prljaskaj së bashku me anëtarët e komunitetit shqiptar të Osijek, qarkut Baranja, kanë vizituar shëtitoren e këtij qyteti ku do të ndërtohet monumenti i Nënë Terezës.

Lajmin e bëri të ditur deputetja Ermina Lekaj Prljaskaj nëpërmjet një postimi në Facebook: “Në Osijek me anëtarët e pakicës kombëtare shqiptare të Osijek – qarkut Baranja, ne vizituam zonën e shëtitjes në Osijek, ku do të ndërtohet monumenti i Shenjtores Terezë”./ KultPlus.com

Nagavci: Nga viti i ardhshëm shkollor hyjnë në përdorim tekstet alternative

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur sot, se nga viti i ardhshëm shkollor do të hyjnë në përdorim edhe tekstet alternative si një element shumë i rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë në arsim.

Nagavci, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ka pasur ankesa të shumta mbi cilësinë e teksteve aktuale mësimore për shkak të gabimeve dhe pasaktësive, andaj nga viti i ardhshëm do të bëhet edhe rishikimi i teksteve mësimore.

“Mësimdhënësit janë ata që do të punojnë me tekste shkollore dhe do të duhej të përdornin ato si një nga burimet për mësimdhënie. Atyre me legjislacionin në fuqi, u njihet e drejta që të zgjedhin tekstet shkollore të cilat pastaj miratohen nga Këshilli i Shkollës. Për këtë arsye, sivjet për herë të parë do të ofrojmë mundësinë që mësimdhënësit të shfrytëzojnë të drejtën e tyre ligjore duke zgjedhur edhe tekste alternative”, ka thënë Nagavci.

Postimi i plotë i Nagavcit:

Nga viti i ardhshëm shkollor, do të hyjnë në përdorim edhe tekstet alternative

Tekstet shkollore janë një element shumë i rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë në arsim. Andaj, në agjendën legjislative e kemi paraparë Ligjin për botimin e teksteve shkollore, mjeteve mësimore, lekturës shkollore dhe dokumentacionit pedagogjik. Ne synojmë që përmes ligjit të ri të kemi tekste më cilësore për nxënësit tanë.

Viteve të kaluara me të drejtë ka pasur ankesa të shumta dhe është kritikuar cilësia e teksteve mësimore. Në to janë evidentuar pasaktësi shkencore, gabime përmbajtësore, gabime metodologjike e drejtshkrimore, andaj dhe nga viti i ardhshëm do të rishikojmë tekstet mësimore.

Mësimdhënësit janë ata që do të punojnë me tekste shkollore dhe do duhej të përdornin ato si një nga burimet për mësimdhënie. Atyre me legjislacionin në fuqi, u njihet e drejta që të zgjedhin tekstet shkollore të cilat pastaj miratohen nga Këshilli i Shkollës.

Për këtë arsye, sivjet për herë të parë do të ofrojmë mundësinë që mësimdhënësit të shfrytëzojnë të drejtën e tyre ligjore duke zgjedhur edhe tekste alternative.

Presim që mësimdhënësit të jenë në nivel të detyrës, të analizojnë të gjitha tekstet dhe të vendosin se cilat janë më të përshtatshme dhe me cilësore për arritjen e rezultateve të synuara sipas kurrikulës.

Ndonëse për çdo vit në shkolla janë ofruar tekstet pa pagesë, kemi pasur shumë raste kur prindërit dhe mësuesit kanë blerë vet tekste dhe kanë përdorë tjera prej atyre që i ka dërguar Ministria, andaj përmes tekstit alternativ, do ta eliminojmë edhe këtë problem”, ka shkruar Nagavci.

Ndryshe, Ministria e Arsimit ka vendosur që të ndryshojë datat për përfundimin e vitit shkollor.

Në vendimin të cilin MASHT-i e ka marrë sot, thuhet se parashkollorët, klasat nga e para e deri në të tetën do të përfundojnë mësimin më 2 korrik. Kurse klasat 9,10 dhe 11 do të përfundojnë mësimin me 21 qershor./ KultPlus.com

Samir Karahoda synon Palmën e Artë në Kanë, filmi “Pa vend”, në konkurrencë zyrtare

 
Pas filmit debutues që theu akullin dhe arriti të fus filmin e parë të Kosovës në Berlinale, filmi i dytë i regjisorit Samir Karahoda bëhet filmi i parë nga Kosova që përzgjedhet në mesin e 10 filmave të shkurtë që do të garoj për ‘Palmën e Artë’  në garën zyrtare të festivalit më prestigjioz në botë, atë të Kanës
, përcjell KultPlus.


Filmi ‘Pa Vend’ që filloi xhirimet në muajin shtator të vitit të kaluar, sjell rrëfimin e klubit më të suksesshëm të ping pongut nga Prizreni ‘Lidhja e Prizrenit’ duke rikrijuar historinë e protagonistëve nga paslufta në kontekstin e situatës së sotme. Filmi i zhanrit docu-fiction përcjell përpjekjet e vazhdueshme të Jetonit dhe Ermeganit të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifati që të mbajnë sportin e ping pongut gjallë duke zhvilluar gjenerata të reja të ping pongistëve.


‘Personalisht i uroj dhe përgëzoj anëtarët e klubit të ping pongut “Lidhja e Prizrenit” në krye me trajnerin Rifat Rifati për sukseset e tyre pavarësisht rrethanave të cilët akoma vazhdojnë stërvitjet në kushte jo normale. Është një histori unike, një rrëfim për dashurinë ndaj sportit dhe një luftë e heshtur ndaj diskriminimit. Vlerësimi nga një festival siç është Cannes na bënë edhe më krenar si ekip dhe dua t’i falenderoj të gjithë  për kontributet e tyre individuale’ theksoi regjisori Karahoda.


Qasja jonë ndaj këtij rrëfimi na jep hapësirë për të shprehur shqetësimin tonë si shoqëri për një ndjenjë të përgjithshme të pashpresës që përshkon jetën tonë dhe me të cilën ballafaqohemi edhe sot. Kjo ngjarje fillon diku në vitin 2005, duke na dërguar në ato ditë kur stërvitjet për zhvillimin e këtij sporti janë mbajtur vetëm falë entuziazmit të patriotëve të vërtetë, siç janë Jetoni, Ermegani, Rifati e shumë të tjerë. Në një rrugëtim të veçantë kinematografik, ky film na sjell në ditët e sotme, duke vënë në pah ngecjen dhe injorimin e institucioneve karshi sporteve të vogla, solidarizimin qytetar dhe këmbënguljen kundrejt dorëzimit.


“Ne arritëm të krijojmë një lidhje të veçantë me gjithë ekipin e ping pongut që ishte pjesë e produksionit. Edhe me gjeneratat e vjetra, edhe me talentët e rinj. Një gjë që na bashkonte ishte dëshira e madhe që të bëjmë më të mirën sipas mundësive tona.” tha producenti Eroll Bilibani, duke vazhduar, “në korrik, në tapetin e kuq të Kanës ekipi ynë i filmit dhe ping pongistët që asnjëherë nuk u ‘dorëzuan’ do të ecin në tapetin ku kanë lënë gjurmë Bekim Fehmiu e Arta Dobroshi. Por, këtë herë është me një film nga Kosova, që është duke i vendos themelet e valës së re të filmit nga një vend i vogël me ëndrra të mëdha”./ KultPlus.com