Dua Lipa publikon datat e turneut në Australi dhe Zelandë të Re

Ylli i muzikës pop, Dua Lipa, do të realizojë turne muzikor edhe në Australi dhe Zelandë të Re, me ç’rast ka për qëllim promovimin e albumit të saj të fundit, “Future Nostalgia”.

Gjatë muajit nëntor të vitit të ardhshëm, bukuroshja me prejardhje kosovare dhe famë botërore do të mbajë koncerte në qytetet të ndryshme, si Auckland, Brisbane, Sydney, Melbourne, Adelaide dhe Perth. Nuk është konfirmuar ende se kush do të jenë artistët tjerë që do ta shoqërojnë në këto perfomanca, por bëhet e ditur se biletat e koncerteve do të dalin në shitje nga 23 shtatori.

Në fillim të këti muaji, këngëtarja i gëzoi fansat duke e paralajmëruar rikthimin në skenë me turneun e Amerikës Veriore, i cili fillon në shkurt të vitit të ardhshëm, me një koncert në qytetin bregdetar Miami, kurse do të përmbyllet më 1 prill në Vancouver. Në disa prej këtyre koncerteve, ylli i hitit “Levitating” në skenë do të shoqërohet nga yjet tjerë të muzikës, si Megan Thee Stallion, Caroline Polachek dhe Lolo Zouaï.

“Jam shumë e lumtur që do të realizoj sërish turne dhe do t’i takojë personalisht engjëjt e mi! Është e mahnitshme që të gjithë do të kemi mundësi të vallëzojmë dhe festojmë së bashku. Kur po i shkruaja këngët e albumit ‘Future Nostalgia’, e imagjinoja që ato të transmetoheshin në klube të natës kur të gjithë të ishin me shoqëri duke festuar. Prandaj, jam shumë e lumtur që kjo dëshirë më në fund po realizohet. Mezi pres t’i përjetojë këto këngë live, bashkë me ju”, kishte deklaruar këngëtarja në një prononcimin për media.

Dua Lipa e lansoi albumin “Future Nostalgia” në mars të vitit 2020, në kohën kur bota hyri në karantinën e parë dhe të gjitha ngjarjet kulturore u pezulluan për shkak të pandemisë. Kah fundi i atij viti, ylli i hitit “Don’t Start Now” e mbajti një koncert virtual të titulluar “Studio 2054”, ngjarje kjo e cila u përcoll nga një numër rekord i shikuesve.

Albumi i dytë i këngëtares 26-vjeçare i solli asaj suksese të jashtëzakonshme në platformat dhe toplistat muzikore, si dhe ia fitoi disa shpërblime prestigjioze të muzikës, si “Grammy”, “BRIT Award”, “American Music Award”, “MTV Video Music Award” dhe të tjerë. Pothuajse secila këngë e albumit është shndërruar në hit të menjëhershëm, janë transmetuar nëpër televizione dhe radiostacione të njohura anembanë botës dhe u pozicionuan lartë në toplista të ndryshme.

Në lajme të tjera, gjatë fundjavës Lipa ishte në Las Vegas ku perfmroi në kuadër të ngjarjes së përvitshme, “iHeartRadio Music Festival”. Para të pranishmëve në skenë, këngëtarja e solli një performancë energjike dhe argëtuese të hiteve, “Physical”, “Love Again” dhe “Hallucinate”.

“Vegas kjo është një eksperiencë e mahnitshme. Po kthehem në skenë për herë të parë nga fillimi i vitit 2020, prandaj ka kaluar ca kohë pa performuar live para publikut. Shpresoj që po kaloni mirë dhe jeni duke u argëtuar”, citohet të ketë thënë Lipa para të pranishmëve në arenën “T-Mobile”.

Gjatë mbrëmjes së premte, Dua gjithashtu u nderua me çmimin “Titanium Award”, për hitin e saj “Levitating” i cili ka arritur të transmetohet 1 miliard herë nëpër radiostacionet e “iHeartRadio”. Versioni i kësaj kënge i sjell në bashkëpunim me reperin DaBaby, ka arritur të thyej rekorde edhe në “Billboard Hot 100”, duke u bërë kënga e parë e një solo këngëtareje që i kalon 35 javë në dhjetë pozitat e para të kësaj topliste.

Gjatë fundjavës Lipa i ndau disa fotografi nga vizita e saj në Las Vegas, në mesin e së cilave shihej në shoqërinë e reperes së famshme amerikane, Megan Thee Stallion. Kjo e fundit ishte në Vegas me rastin e festivalit të qytetit, “Life Is Beautiful”, dhe siç duket shoqëria mes dy artisteve po shkon duke u bërë edhe më e mirë. Shumë shpejtë ato pritet ta ndajnë skenën së bashku, pasi Megan Thee Stallion do të jetë pjesë e disa koncerteve të turneut të shumëpritur të Dua Lipës, në Amerikën Veriore. / KultPlus.com

‘Mos u zhduk’

 Poezi nga Yevgeny Yevtushenko

Mos u zhduk… Duke u zhdukur nga mua,
e çmishëruar vetvetes ju zhduke.

Vetja jote kështu u tradhëtua
me pandershmëri prostitute.

Mos u zhduk… Të zhdukesh është lehtë,
të ringjallesh për tjetrin s’ka se si.

Vdekja të tërheq shumë thellë,
të vdesësh nuk është mënçuri.

Mos u zhduk. Harro hijen e tretë.
S’ka të tretë. Dy janë dashurive.

Bashkë do shkojmë në gjyqin e shenjtë,
kur gjaku t’na thërrasë për përgjigje.

Mos u zhduk… e kemi shlyer mëkatin,
fajtorë s’jemi ne, as damkosur.

Të denjë jemi unë dhe ti për të falur
në-mos-dashje ç’kemi plagosur.

Mos u zhduk. Të zhdukesh është çast,
por si do takohemi nëpër shekuj?

Ç’sozi kemi në botë, ti fantazmë
dhe unë? – Fëmijët tanë të qeshur.

Mos u zhduk. Jepma dorën tënde,
në të jam shkruar unë – i besoj sekretit.

Dashuria e fundit është e tmerrshme,
S’është dashuri, por frikë e humbjes së tjetrit./KultPlus.com

Reagon Ambasada e SHBA-së: Kosova dhe Serbia t’i ulin tensionet menjëherë, pa vonesë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të përmbahen dhe t’i ulin tensionet menjëherë.

Në një reagim në Twitter, Ambasada amerikane deklaroi se i bashkohet thirrjes që Bashkimi Evropian ia bëri Kosovës dhe Serbisë, pas tollovisë së krijuar në pikat kufitare si pasojë e vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për targa.

“Ne i bashkohemi Bashkimit Evropian në thirrjen ndaj Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet e mëtejshme të njëanshme dhe t’i ulin tensionet –menjëherë, pa vonesë”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.

Më herët, zëdhënësi i BE-së për Politikë dhe Siguri të Jashtme, Peter Stano, në një konferencë për media ka thënë se tensionet duhet t’i ndalin të dyja palët dhe se dialogu duhet shfrytëzuar për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet e tilla.

“Jemi duke e vëzhguar situatën nga afër dhe dua të theksoj se liria e lëvizjës është kusht themelor i BE-së dhe këtë e presim edhe nga Kosova dhe Serbia që ta promovojnë atë. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të përmbahen dhe t’i ulin tensionet. Menjëherë dhe pa ndonjë vonesë”, ka deklaruar Stano.

Stano ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të përdorin dialogun si platformën e vetme për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura që mund t’i kenë këto dy vende, përfshirë edhe lirinë e lëvizjes.

Shumë automjete janë ndalur në pikët kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, ndërsa Policia e Kosovës nuk e ka lejuar asnjë veturë që niset nga Serbia drejt Kosovës të kalojë në pikat kufitare, pa u pajisur me targat e përkohshme të Republikës së Kosovës.

Vendimi për këtë është nënshkruar sot, nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Ndërkaq një pjesë e veturave që po hyjnë nga Serbia në Kosovë nëpër pikat kufitare po iu vendosen tabelat e përkohshme.

Mëngjesin e sotëm, Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosvës janë pozicionuar në pikën kufitare Kosovë – Serbi, në Jarinje. Dhjetëra autoblinda të Policisë së Kosovës kanë shkuar atje për ta siguruar zbatimin e vendimit më të fundit të Qeverisë së Kosovës. /KultPlus.com

Polonia rikuperon mbi 500 vepra arti të humbura gjatë Luftës së Dytë Botërore

Që nga viti 2015, Polonia ka rimarrë mbi 500 vepra arti të humbura gjatë Luftës Botërore në territorin e Polonisë së sotme, deklaroi një zyrtar i Muzeut të Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare.

“Mbi 80 procedura kthimi janë duke u zhvilluar në 11 vende të botës”, tha Tomasz Sliwinski, në një konferencë për veprat e artit të humbura gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Çdo vit, ne arrijmë të gjejmë disa vepra arti”, vazhdoi ai, duke shtuar se procedurat e kthimit ishin shumë të gjata dhe “mund të zgjasin disa javë, 12 apo më shumë vjet”.

Sipas vlerësimeve, Polonia humbi mbi gjysmë milion vepra arti gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Mbi 60 000 prej tyre janë identifikuar dhe përfshirë në Regjistrin e Artit të Grabitur të Ministrisë së Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare.

Polonia ka mbledhur të dhëna për veprat e grabitura dhe të humbura që nga fillimi i viteve 1990./ /ervo/KultPlus.com

50 vjet nga vdekja e poetit nobelist, Giorgos Seferis

Giorgos ose George Seferis, pseudonimi i Georgios Seferiades ishte një poet dhe diplomat grek. Ai ishte një nga poetët më të rëndësishëm grekë të shekullit të 20 -të, dhe fitues i çmimit Nobel.

Seferis ishte një diplomat karriere në Shërbimin e Jashtëm Grek, duke kulmuar me emërimin e tij si Ambasador në Mbretërinë e Bashkuar, një post të cilin e mbajti nga 1957 deri në 1962.

Në vitin 1963, Seferis iu dha Çmimi Nobel për Letërsinë “për shkrimet e tij të shquara lirike, të frymëzuara nga një ndjenjë e thellë për botën helene të kulturës.”

Seferis ishte greku i parë që mori çmimin (i ndjekur më vonë nga Odisea Elytis, i cili u bë nobelist në vitin 1979). Por në fjalimin e tij të pranimit, Seferis zgjodhi më tepër të theksojë filozofinë e tij humaniste, duke përfunduar: “Kur ishte në rrugën e tij drejt Tebës, Edipi takoi Sfinksin, përgjigjja e tij në enigmën e tij ishte:” Njeri “. Ajo fjalë e thjeshtë shkatërroi përbindëshin. Ne kemi shumë përbindësha për të shkatërruar. Le të mendojmë për përgjigjen e Edipit. “

Ndërsa Seferis nganjëherë është konsideruar një poet nacionalist, ‘helenizmi’ i tij kishte të bënte më shumë me identifikimin e tij të një fillesë unifikuese të humanizmit në vazhdimësinë e kulturës greke dhe letërsisë.

Pesë finalistët e tjerë për çmimin atë vit ishin W. H. Auden, Pablo Neruda (fituesi i vitit 1971), Samuel Beckett (fituesi i vitit 1969), Yukio Mishima dhe Aksel Sandemose.

Më poshtë KultPlus ju sjell disa poezi të zgjedhura nga Jorgos Seferis pikërisht në përvjetorin e vdekjes së këtij poeti nobelist:

MYTHISTOREMA

1.
Engjëllin –
tre vjet e pritëm, me vëmendje të fiksuar,
tek vëzhgonim nga pranë
pishat bregun yjet.
Dikush me plor parmende, dikush me kiç t’anijes
rrëmonim të gjenim dhe një herë farën e parë
që drama e kahmotit të mund t’ia niste prapë.

Në shtëpitë tona u kthyem rraskapitur,
gjymtyrëmpirë, buzëplasur
prej shijes së ndryshkut, prej ujit të njelmët.
e kur u zgjuam ecëm drejt veriut, të huaj
mbështjellë në mjegullën e flatrave të panjolla të mjellmave që na kishin plaguar.
Netët e dimrit na marroste e forta erë e lindjes
behareve humbnim n’agoni të ditëve që s’dinin të vdisnin.

Sollëm me vete këto
relieve të gdhendura të një arti modest .

2.
Ja dhe një tjetër pus brenda në shpellë.
Dikur na ish kaq lehtë të pikturonim idhuj edhe ornamente
e të kënaqnim ata pak miq që qëndruan besnikë.

Litarët janë këputur; veç gdhendjet në buzë të pusit
na kujtojnë për lumturitë që kanë shkuar:
gishtat në buzë të pusit, siç do thoshte poeti.
Gishtat ndjejnë për pak çaste ftohtësinë e gurit,
Pastaj ethja trupore ngadhënjen mbi të
e shpella vë në lojë shpirtin e saj dhe e humbet
në çdo moment, me heshtje plot, e ujë asnjë pikë

3.
Mbaji mend banjat ku të kanë vrarë
U zgjova me kët’kokë mermeri në duar;
m’i lodhka bërrylat e s’di se ku ta lëshoj.
Po zhytej në ëndërr bash kur unë po dilja prej saj
kështu që jeta jonë u bë një e vështirë do ta ketë të ndahet sërish.

Shikoj sytë: as të hapur, as të mbyllur
i flas gojës që rreket e rreket të flasë
mbaj faqet që lëkurën tashmë e kanë thyer.
Kaq mundem të bëj.

Duart më zhduken dhe vijnë drejt meje
të gjymtuara.

4.

Argonautë

Dhe një shpirt
në dashtë ta njohë vetveten
duhet të kqyrë
brenda shpirtit të vet:
të huajin dhe armikun, se atë e kemi parë në pasqyrë.

Ata qenë të mirë, shokët, kurrë nuk u qanë
për punën a etjen a ngricën,
ata qenë të qëndrueshëm si pemët a valët
që mbajnë dhe shiun dhe erën
që mbajnë dhe natën dhe diellin
pandryshuar në mes të ndryshimit.
Qenë shumë mirë, për ditë të tëra
djersitën tek rremat me sytë e përulur
frymëmarrje ritmike
dhe gjaku iu përskuqte një lëkurë të nënshtruar.
Ndonjëherë këndonin, me sytë të përulur
ndërsa lundronim ishullin e shkretë plot gjembaçë bregdeti
drejt perëndimit, përtej kepit të qenve
që lehin.
Në dashtë të njohë vetveten, thanë
duhet të shohë në shpirtin e vet, thanë
dhe rremat përplasen me arin e detit
në perëndim.
Ne lamë pas shumë kepe shumë ishuj dete
që çonin në dete të tjera, zgalemë e lundra.
Ndonjëherë gratë e dëshpëruara vajtonin
qanin fëmijët e tyre të humbur
të tjerë të hutuar kërkonin Aleksandrin e Madh
dhe lavditë e varrosura në thellësi të Azisë.

Ankoruam në brigje përplot ndodhi-nate
zogj që këndonin, me ujëra që na lanë nëpër duar
kujtimet prej një lumturie të madhe.
Por udhëtimet nuk mbaruan.
Shpirtrat e tyre u njësuan me rremat e kllapat e rremave
me fytyrën solemne të bashit
me fletën e timonit
me ujin që ua thyente imazhet copë-copë.
Shokët vdiqën një nga një
me sy të përulur. Rremat e tyre
shënojnë vendin ku prehen në brigje.

Askush s’i mban mend. Drejtësi

5.
Ne nuk i njihnim
thellë brenda nesh, neve shpresonim
t’i kishim njohur që kur ishim foshnjë.
I kemi parë një a dy herë, më pastaj ata morën detin:
ngarkesa me qymyr, me grurë edhe miqtë tanë
humbën përgjithnjë matanë oqeanit.
Agu na kap tek rrimë karshi kandilit
tek vizatojmë në letra dhimbshëm edhe panatyrshëm,
anije sirena apo guaska deti;
muzgjeve zbresim poshtë tek lumi
se ai na e rrëfen kah rruga për në det;
e netët i kalojmë bodrumeve, era katran.

Miqtë na kanë lënë
ndoshta s’i kemi parë kurrë, ndoshta
i kemi pjekur veç atëherë kur gjumi
ende na çonte drejt valës që merr frymë
ndoshta ne deshëm miq sepse kërkonim një jetë tjetër
përtej statujave.

6.
M.R.

Kopshtin me shatërvanë nëpër shi
ke për ta parë veç përtej mjegulltisë së xhamit
të dritares poshtë. Dhoma jote
do të ndriçohet veç prej flakës së oxhakut
dhe ndonjëherë të largmet vetëtima kanë për të nxjerrë në pah
rrudhat në ballin tënd, o Miku im i vjetër.

Kopshti me shatërvanë që në pëllëmbët e tua
ish ritm’i jetës tjetër përtej të plasariturave
statuja e përtej kollonave tragjike
përtej valles në mes oleandrave
pranë guroreve të reja –
qelqi i avullt tash e ndan prej jetës tënde.
Ti s’do të marrësh frymë; dheu dhe rrëshira e drurëve pranë
do të rrjedhin prej kujtesës tënde e do të godasin
këtë dritare që bota e jashtme
po e godet me shi.

7.
Era e jugës

Kah perëndimi deti bëhet njësh me një vargmal.
Majtas fryn juga që po na marros,
ajo soj ere që dhe ashtin zhvesh prej mishit.
Shtëpia jonë rri mes pishash edhe mes bishtajash.
Dritare të mëdha. Tryeza të mëdha
për të të shkruar letrat që filluam të shkruajmë
tash sa muaj, letra që i hedhim
në honin që zë vend mes nesh, e derisa të mbushet.

Yll i agimit, kur ti i ule sytë teposhtë
orët tona qenë më të ëmbla se vaji
mbi plagë, më të ëndshme se uji i ftohtë
në gjuhë, më paqtuese se flatrat e mjellmës.
Ti mbajte jetën tonë në pëllëmbë të dorës.
Pas bukës së hidhur të syrgjynosjes,
netëve nëse rrimë ballë murit të bardhë
zëri jot qaset si shpresa për një zjarr;
edhe sërish kjo era po na kthehet
e nervat na i pret, njëjtë si me brisk.

Prej nesh secili të shkruan ty të njëjtën gjë,
nga ne secili hesht kur në prani të tjetrit,
duke parë, secili, të njëjtën botë ndaras
dritën dhe terrin mbi maja t’vargmalit
edhe ty.
Kush do t’na i zhveshë zemrat prej dhimbjes që i ka mbuluar?
Mbrëmë ra shi i rrebeshtë, edhe sot sërish
qielli i vranët na brengos. Mendimet tona –
si halat e pishave që soll rrebeshi i djeshëm që
janë bërë kapicë të panevojshme mu në prag të derës –
do të ngritnin një kullë që rrënohet.

Në këto katunde të dhjetuara
në kët’grykë mali, që e rreh fort juga
ndërsa i rrimë karshi vargmalit e të fshihemi,
kush do ta çmojë për ne dënimin me harresë?
Kush e pranon flijimin tonë tash që vjen fundi i vjeshtës?

8.
Çfarë po ndjekin shpirtrat tanë që udhëtojnë
hipur mbi anije të rrëgjuara
stërmbushur me gra çehreverdha e kalamaj që qajnë
që s’mbërrijnë dot t’ia heqin mendjen vetes as me peshqit fluturues
as me yjet drejt të cilëve direkët kanë kthyer majat;
gërvishtur në disqe gramafonesh
përkushtuar pelegrinazheve të paqena, padashje
pëshpëriten copëza mendimesh nga gjuhë të panjohura.

Çfarë po ndjekin shpirtrat tanë që udhëtojnë
mbi dru të kalbur, zhytur n’ujë të njelmët
prej portit – në port?

Duke shmangur shkëmbinjtë e thyer, duke thithur
freskinë e pishave çdo ditë e më vështirë,
duke notuar në ujërat e këtij deti
dhe të atij deti,
pa ndjesinë e prekjes
pa njerëz
në një vend që s’është më i joni
as i yti.

E dinim që ishujt qenë të mahnitshëm
këtu, thuajse diku afër ku ledhatonim
paksa më poshtë a paksa më lart,
një hapësirë të vockël.

9.
Limani është i vjetër, tash s’mundem më të pres
mikun që shkoi prej ishullit plot pisha
mikun që shkoi prej ishullit plot rrape
mikun që shkoi e dol në det të hapur.
Ledhatova topat e ndryshkur, ledhatova rremat
që ta këndell trupin e të marr vendim.
Velat që bien vetëm kundërmim
kripe prej stuhisë që kaloi.

Në zgjodha të rri vetëm, ajo që doja
qe vetmia, e jo ky soj padurimi,
shpirtin grimcuar përmbi horizont,
këto linja, këto ngjyra, kjo heshtje.

Yjet e territ më kthejnë tek Odiseu,
që i priu të vdekurve në fusha t’asfodelit.
Lundruam gjer këtu me shpresën që mes asfodeleve do gjenim
ujin që rrodhi prej plagës s’Adonisit.

10.
Vendi ynë është i mbyllur, gjithandej male
që ditë e natë kanë për tavan qiellin e rëndë.
S’kemi lumenj, s’kemi puse, s’kemi burime,
vetëm ca sterna që ne i adhurojmë – dhe ato bosh – e aty kumbon zëri.
Tingull i ndenjtur e i zgavërt, njëjtë si vetmia jonë
njëjtë si dashuria jonë, njëjtë si trupat tanë.
Duket habi se si dikur qemë në gjendje të ndërtonim
shtëpitë tona, tbana edhe vatha.
Martesat tona, kurorat dhe unazat
u bënë enigma që s’ia shpjegojmë dot shpirtit.
Si lindën fëmijët tanë, si u rritën kaq të fortë?

Vendi ynë është i mbyllur. Dy të zinj Symplegadë
e kanë zënë. Kur zbresim poshtë
te portet ditëve të diela që të marrim frymë lirisht
ne shohim, kur ndriçon agimi,
anije të shkatërruara prej udhëtimesh që kurrë s’mbaruan,
trupa që tash nuk dinë më si dashurohet.

11.
Ndonjëherë gjaku të ngrin siç ngrin hëna
në natën e paanë gjaku yt
shpërhap flatrat e tij të bardha mbi
shkëmbinjtë e zinj, mbi silueta pemësh e shtëpish,
me pakëz dritë prej kohës kur ishim të vegjël.

12.
Shishe në det

Tre shkëmbinj, ca pisha të përzhitura, një këmbanore vetmitare
dhe më përpjetë
e njëjta pamje e përsëritur fillon edhe një herë:
tre shkëmbinj në formën e një shtegu, ngjyrë ndryshku
ca pisha të djegura, zezë dhe verdhë,
dhe një kupolë katrore lyer me gëlqere;
akoma më lart, shumë herë përsëritet
e njëjta pamje rishfaqet shtresë përmbi shtresë
gjer në horizont, gjer në qiellin e agimtë.

Këtu e ankoruam anijen që të riparojmë rremat që u thyen
që të pimë ujë e të flemë.
Deti shijehidhur mbet i thellë e i panjohur
shtjellë paskajshëm në qetësi.
Këtu, mes zajeve gjetëm një monedhë
luajtëm zarat se kush kish për ta marrë.
Më të riut i ra shorti, e menjëherë u zhduk.

Dolëm në det sërish, me rremat tanë të thyer.

13.
Hydra

Delfinë, flamuj dhe topa që gjëmojnë.
Deti, dikur për shpirtin tënd i hidhur shumë
bartte anijet që feksnin ngjyrashumë
i l’kundte, i shkundte e i rrotullonte, i gjithi blu e flatrabardhë
dikur për shpirtin tënd qe kaq i hidhur
e tash plot ngjyra deti shndrit nën diell.

Vela të bardha rreze dielli e direkë të lagur
godasin me ritm tupanash valët që u platitën.

Sytë e tu, po të shihnin dot, do t’ishte bukuri
krahët e tu, po të dilnin dot, do të shkëlqenin drite,
buzët e tua do të ngjalleshin, siç ishin mësuar,
po të shihnin këtë mrekulli:
ti gjithë kërkoje ta shihje kët’ditë
këtë deshe të shohësh kur ke qenë ballë shkrumbit
apo në shi, në mjegull e stuhi
madje edhe kur dritat shkonin drejt venitjes
dhe qyteti po mbytej e në sheshin e gurtë
e Nazareni kur ta rrëfeu zemrën,
çfarë po kërkoje? pse s’vjen? çfarë po kërkoje?

14.
Tre pëllumba të kuq nën diell
shkruajnë fatin tonë nën rreze
me ngjyrat dhe gjestet e njerëzve
që dikur deshëm.

15.
Quid πλατανων opacissimus *

Gjumi të fshtolli me gjethe të gjelbra si pemë
merrje frymë si pemë nën qetësinë e rrezeve
në dritën e pranverës unë ta kundroja f’tyrën:
qepallat e mbyllura, qerpikët që fërkonin ujin.
Në barin e butë gishtërinjtë e mi gjetën gishtat e tu
ta preka pulsin për një çast
e ndjeva që zemra jote tjetërkund dhemb.

Nën rrap, pranë ujit, mes pemëve të dafinës
gjumi të mor me vete edhe të shpërndau
rreth meje, pranë meje, e qenia ime e paaftë të të prekte tërësisht –
një, ashtu si ishe me heshtjen tënde;
të shihte hijen tënde tek rritej e zvogëlohej,
tek humbte në hije të tjera, në tjetrën
botë që të la të shkoje e gjithsesi të mbajti veç për vete.

Jetën që na dhanë të rronim, e jetuam.
Gjynah ca që pritën me kaq shumë durim
humbur në dafina gjethezeza, poshtë rrapesh hijerëndë
dhe ata, vetmitarë, që flasin me sterna e puse
dhe mbyten në rrathë të zërit.
Gjynah shokët që ndamë skamjen dhe djersën
dhe u zhdukën drejt diellit si korbat që shkuan tej gërmadhave
pa shpresën e mbërritjes së shpagimit.

Falna, veç gjumit, qetësinë.

*Si e kam rrapin hijerëndë? (Plini i Ri, Letër Kanin Rufit)

16.
Emri është Orest

Udhëtim, sërish udhëtim, udhëtim,
kush e di sa herë, sa prehër njollosur n’gjak, sa zezona
që radhiten; njerëzit që më shohin,
që më kanë parë asokohe kur prej koçisë
ngrija dorën, fitimtar, e ata brohoritnin triumfalisht.

Më habisin kuajt që nxjerrin shkumë, kur do të lodhen kuajt?
Rrotat kërcasin, rrotat nxehen, kur do të digjen rrotat?
Kur do të këputen frerët, kur do të shkelin thundrat
e kuajve pak më ngadalë mbi dhe
mbi barin e butë, mes lulëkuqeve
aty ku në pranverë ti këpute një luledele
ishin të këndshëm sytë e tu, po ti s’dije ku të vështroje
as unë s’dija ku të vështroja, unë, pa një atdhe,
unë që vazhdoj përleshjet këndejpari, e kushedi sa herë?
i ndjej gjunjtë tek i lëshojnë udhë boshtit të koçisë
dhe rrotave, i hapin udhë pistës
gjunjtë thyhen lehtësisht kur kështu duan zotat,
askush s’shpëton dot, s’të hyn në punë forca, s’i shpëton
dot detit që të ka përkundur foshnje, detit që kërkon
në këto kohë gjykimesh, ndërsa kuajt turfullojnë,
me frerët që tingëllonin vjeshtave nota në shkallë lidiane
detin që nuk e gjen dot, sado që të vraposh e t’endesh
sado të vërtitesh tej Eumenideve të zeza e t’mërzitshme,
i pafalur.

17.
Astyanaks

Tash që po shkon, merre me vete djalin,
birin që dritën e pa përposh rrapit,
atë ditë kur frynin trumbetat dhe armët vizllonin
dhe kuajt e djersitur epoheshin që të preknin me flegrat e njoma
syprinën gjelbëroshe të ujit.

Pemët e ullinjve mbajnë rrudhat e etërve tanë
shkëmbinjtë mbartin urtësinë e tyre
e gjaku i vëllezërve ende i njomë mbi dhe
një gaz jetëdhënës, një udhë kaq e plotë
për shpirtra që e dinë kujt t’i luten.

Tash që po shkon, tash që dita e shpagimit
lind, sot kur askush s’e di
kë do të vrasë a si do të vdesë,
merre me vete djalin që dritën së pari pa
nën gjethet e atij rrapit
edhe mësoje që t’i njohë mirë pemët.

18.
Më vjen keq që mes gishtash lashë një lumë të gjerë të më rridhte
e s’piva as dhe një pikë ujë.
Tash po zhytem në shkëmb.
Një fidan pishe mbjellë në dhe të kuq
e vetmja shoqëri që kam.
Gjithçka desha u zhduk bashkë me shtëpitë
që ishin të reja verën që shkoi
e që u rrënuan nën erëra vjeshte.

19.
Edhe nëse fryn era për ne s’ka freski
e vogël është hija që lëshojnë selvitë
e kodrat rreth e rrotull që ngjiten gjer në male;

barrë mbi shpinë i mbajmë
miqtë që tashmë nuk dinë më si të vdesin.

20.
Prapë m’hapet plaga që kam në krahëror
kur yjet vijnë poshtë e m’i motërzohen trupit
kur heshtja rrëzohet nën hapa njerëzorë.

Këta shkëmbinj që zhyten në kohë më zvarrisin pas tyre – sa larg?
Detin, detin, kush do të mundë ta zbrazë e ta terë?
Shoh duar të shkunden tërhequr nga zhgaba e skifterë
i lidhur siç jam pas shkëmbit që timin e ka bërë vuajtja
shoh pemët, frymëmarrin të zezën qetësi të të vdekurve
e pastaj kaq të ngrirat buzëqeshje të statujave.

21.
Ne q’u nisëm për pelegrinazh
duke parë statujat e thyera
u habitëm dhe thamë se jeta s’përhumbet kaq lehtë
se vdekja ka shtigje të pazbuluara ende
dhe drejtësinë e saj të veçantë;

domethënë që kur ne, teksa ende më këmbë, po vdesim,
të lidhur në shkëmb
bashkuar në ashpërsi e dobësi,
të vdekurit e vjetër dolën prej zinxhirit e tash janë ringritur
buzëqeshin mes heshtjes allasoj.

22.
Kaq shumëçka kaloi para syve tanë
sa asgjë s’na panë sytë veç përtej
dhe përmbas qe kujtesa si një çarçaf i bardhë që mbështjell gjithë një natë
kur na u shfaqën vizione dhe më të çuditshme se ti,
që kalojnë dhe zhduken në gjethnajën e ngrirë të piperit të zi;

meqë e dinim kaq mirë ç’fat na priste
tek endeshim mes thepave të shkëmbinjve për tre a gjashtë mijë vjet
tek kërkonim në rrënoja që dikur ndoshta kanë qenë shtëpitë tona
duke u përpjekur të kujtojmë data e bëma heroike:
a do të mundemi?

teksa na kanë lidhur e na kanë shpërndarë
ndërsa ne luftuam, siç na thanë, me vështirësi të paqena
humbur, pastaj e rigjetëm një udhë plot regjimente të verbra
tek mbytemi në moçalet e liqenet e Marathonës
vallë do jemi në gjendje që të vdesim siç duhet?

23.
Pak m’andej
ne do të shohim lulet e bajames tek çelin
shëndritjen e mermerit përnën diell
detin tek copëtohet nëpër valë

pak m’andej
le të ngrihemi pak më lart.

24.
K’tu mbyllen punët e detit, punët e dashurisë.
Ata që ndonjëherë do jetojnë këtu ku po e mbyllim ne –
në iu errësoftë gjaku e në ua përmbyttë kujtesën –
le të mos i harrojnë shpirtrat tanë të brishtë në mes asfodelesh,
le t’ua kthejnë viktimave kokat drejt Erebit:

Ne që s’patëm hiç do u japim mësim, kështu, qetësisht.

“MËLLENJAT”

O pjellë fluturake e një demoni të lig dhe e një ore të ashpër
pse m’detyron të them çka do t’ish mirë për ty që kurrë mos ta dije.
(Sileni i drejtohet Midës)

A.

SHTËPIA PRANË DETIT

Shtëpitë që kisha m’i morën. Kohët
duket se qenë të papërshtatshme: luftë, shkatërrim, syrgjynosje;
ndonjëherë gjahtari shtje mbi shpezët që shtegtojnë,
ndonjëherë del huq. Gjuetia
shkonte mirë në vaftin tim, shumë i rrokën saçmat;
të tjerë fluturonin nëpër rrathë apo çmendeshin në foletë e tyre.

Mos m’i dëfte mua bilbilin apo laureshat
apo bishttundësin që
me bishtin e tij vizaton figura nëpër dritë;
S’di shumë për shtëpitë
E di që kanë natyrën e tyre, asgjë tjetër.
Në fillim të reja, si foshnjat
që luajnë në kopshtije me xhufkat që lëshon dielli.
ditës ia qëndisin
tenda ngjyrëplota dhe dyer që shëndrisin.
Kur arkitekti mbaron punë, ato ndërrojnë,
vrenjten a qeshin, a bëhen kokëforta
me ata që ndenjtën, me ata që shkuan
me të tjerët që do të ktheheshin po të kishin mundësi
a me ata që u zhdukën, tani që bota është bërë
një hotel i pafundmë.

Nuk di shumë për shtëpitë,
Mbaj mend gazmendet dhe trishtimet e tyre
ndonjëherë kur ndal të mendoj;
sërish
ndonjëherë, pranë detit, në dhoma të zhveshura
veç me një shtrat të hekurt e asgjë që të më përkasë
ndërsa shoh merimangat mbrëmjes, unë imagjinoj
që dikush po bëhet gati e po vjen, e që
po e veshin
me rroba të bardha e të zeza, me xhevahirë shumëngjyrësh,
rreth tij zonja të adhurueshme
flokë të përhime dhe shaje dantellash, që murmurisin zëulët,
se ai po bëhet gati të vijë e të më thotë lamtumirë;
apo se një grua – qepallapërpëlitur, belhollë,
tek kthehet prej limaneve të jugut,
Smirnës Fodit Sirakuzës Aleksandrisë,
prej qyteteve të mbyllura si grilat në kohë dielli,
me aromë frutash të arta dhe barërash –
ngjit shkallët pa vënë re
ata që i zu gjumi përfundi shkallëve.

Shtëpitë, e dini, bëhen lehtë kokëforta kur i zhveshin
cullak.

B.

ELPINORI SENSUAL

E pashë dje ke rrinte aty te dera
poshtë dritares sime; ishte thuajse
ora shtatë; me vete kish një grua.
Dukej bash si Elpinori para se të binte
e të copëtohej, mirëpo s’qe i pirë.
Po fliste shpejt, dhe ajo
shihte e përhumbur andej nga gramafonët;
herë pas here e ndërpriste dhe thoshte ndonjë fjalë
pastaj shihte e padurimtë
andej nga po fërgohej peshku: si macet.
Ai turfullonte me një bisht cigare nëpër buzë:
– “Dëgjo. Kam dhe këtë. Në dritën e hënës
statujat ndonjëherë përkulen si kallinjtë
kur piqet kohë e korrjes – statujat;
dhe flaka mund të shndërrohet në oleandër të bukur
e kam fjalën, flaka që të djeg.”
– “Është thjesht dritë… hijet e natës.”
– “Ndoshta është natë që çahet e hapet, si një shegë blu,
një kraharor i errët që të mbush me yje,
ngjitur pas kohës.
E prapëseprapë statujat
përkulen ndonjëherë, e ndajnë dëshirën në dy pjesë,
si një pjeshkë; dhe flaka
bëhet një puthje në gjymtyrë, një psherëtimë,
pastaj një petal i bukur që tutje e fryn era;
përkulen; bëhen të lehta sa një trup njerëzor.
Mos e harro.”

– “Statujat janë në muze.”

– “Jo, ato po të ndjekin, pse s’mundesh t’i shikosh?
e kam fjalën, me gjymtyrët e tyre të thyera,
me formën prej një kohe të qëkurshme, një formë që ty s’të
kujton gjë
mirëpo dije.
Është sikur
në ditët e fundme të rinisë të kesh dashur
një grua që ish ende e bukur, e të kesh qenë gjithnjë i trembur,
kur lakuriq e përqafoje në mesditë,
e prej kujtimeve që ringjalleshin nga përqafimi jot;
t’zu frika se puthja mund të t’kish tradhtuar
në shtretër të tjerë, që tash kanë shkuar
që gjithsesi mund të t’përndjekin
kaq lehtësisht, kaq lehtësisht, t’i japin jetë
imazheve nëpër pasqyrë, trupa dikur të gjallë:
sensualitetin e tyre.
Është sikur
tek kthehesh në shtëpi prej një vendi të huaj e të ndodh
që të hapësh
një sënduk të vjetër që ka qenë kyçur për një kohë të gjatë
e të gjesh rrobat e rreckosura që ke pas veshur dikur
në raste gëzimesh, në festivale ku drita shumëngjyrëshe
pasqyroheshin, e tash janë zbehur,
dhe gjithçka që mbet është aroma e mungesës
së një forme të re.
Vërtet them, ato statuja nuk janë
fragmente. Vetë ti je relike;
që të përndjekin me një virgjëri të çuditshme
në shtëpi, në zyrë, në pritjet që mbahen për raste celebrimi,
në terrorin e parrëfyer të gjumit;
ata flasin për gjëra që ti do të doje të mos ishin
apo që të ndodhnin shumë vjet pasi të kishe vdekur,
dhe kjo është shumë e vështirë sepse…”

– “Statujat janë në muze
Natën e mirë.”

– “…sepse statujat nuk janë më
fragmente. Ne jemi të tillë. Statujat përkulen lehtësisht… Natën
e mirë”.

Në këtë çast ata u ndanë. Ai mori
rrugën që çonte përpjetë, drejt veriut
e ajo lëvizi drejt plazhit përmbytur me dritë
ku valët janë zhytur në zhurmën e radios:

RADIOJA

– “Si velat që flladi prin
mendimet në tru lëvrijnë.
Aromë pishash, qetësi
melhelm shpirtin përtëri
tash detari në det del
trishtil, trumcak, harabel.
O grua, moj e shastisur
Dëgjo erën që ka nisur”.

“Qyp’i arit është sosur
edhe dielli është rreckosur
që një zonjë e mban gjerdan
e që kolla po e ngan;
ajo qan behar’n e shkuar
vithe e sup flori mbuluar.
Grua moj, dritëshkurtër moj
Këngën të verbrit dëgjoja”.

“Mbylli grilat, dolën yjtë;
prej kallamat e gdhend fyejt
mos ua hap sado trokasin:
s’kanë se ç’thonë sado bërtasin.
Merr çiklamina dhe zambakë,
yje deti për merak;
O grua pa mjaltë në hoje
shpirtin e ujit dëgjoje…”

– “Athinë. Populli e mori vesh
lajmin me alarm; frikësohesh
mos afrohet kriza. Kryeshefi
deklaroi: “Nuk ka kohë sa t’ju dojë qejfi…”
Merr çiklamin… hala pishe
Zambakë… hala pishe…
O grua…
– … është shumë më e fortë
Lufta…”

C.

RRËNOJAT E “MËLLENJËS”

“Kjo erë që më freskon ballin
në orët kur damarët m’i nxeh mesdita
lulëzon në tjera duar. Merre, po ta fal;
shih, është dru i pemës së limonit…”
Ia dëgjova zërin
ndërsa këqyrja detin e rrekesha të përfytyroja
një anije që fundosën vjet më parë;
quhej “Mëllenja”, një rrënojë e vogël; direkët,
e thyer, shpërndarë më kahe të pazakonta thellë nën ujë, si
tentakula,
apo si mbamendje ëndërrore, që shënojnë kiçin:
gojë e mjegullt e kufomës së një bishe detare gjigande
që ka vdekur në ujë. Qetësia shpërndahet ngado.

Dora-dorës i vjen radha zërave të tjerë që erdhën më pas
pëshpërima të holla e të etura
që mbijnë prej anës tjetër të diellit, prej anës së errët;
mund të mendosh se i ka marrë malli për të pirë një pikë gjak;
zëra të njohur, po s’po mundja t’i dalloja njërin prej
tjetrit.
Dhe atëherë zëri i një burri erdh pranë meje; e ndjeva
qetë-qetë tek binte në zemër të ditës,
thuajse i palëvizshëm:
“Dhe në më dënofsh që të pi farmak, të falënderoj.
Ligjet e tua do të jenë ligjet e mia; e si mund të shkoj
e të endem nga një shtet i huaj në tjetrin, një gur
që gremiset.
më mirë të vdes.
Kush ia del më mirë, zoti e merr vesh”.

Vendet e diellit, e prapë përballë s’i dilni diellit
Vendet e njerëzve, e prapë përballë s’i dilni njeriut.

DRITA

Ndërsa viti shkon
gjyqtarët që të dënojnë shtohen në numër;
vitet ikin, e ti bisedon me gjithnjë e më pak zëra,
e sheh diellin me sy të tjerë:
ti e di se ata që ndenjtën pas po të mashtronin
deliri i mishit, vallëzimi i dashur
që përfundon në zhveshje.
Ngjan sikur, ndërsa merr kthesë natën në një autostradë të zbrazur,
sheh befasisht sytë e një kafshe që shëndrijnë,
sy tashmë të shkuara; prandaj ndjen sytë e tu:
sheh diellin, pastaj përhumbesh në terr.
Kitoni dorik
që valëzonte si malet kur e prekje me gishta
statujë mermeri me trupin në dritë, po me kokën n’errësirë.
Dhe ata që e braktisën stadiumin për të kapur armët
qëlluan vrapuesin e maratonës
që e pa pistën tek lundronte mbi gjak,
botën që zbrazej si me qenë hënë,
kopshtijet e fitores largohen
i sheh në diell, përtej diellit.
Dhe djemtë që kridhen nga kiçet e anijeve
si furka që ende spërdridhen,
trupa të zhveshur që zhyten në dritën e zezë
me një monedhë ndër dhëmbë, dhe ende notojnë
ndërsa dielli me gjilpërën e artë qep
vela dhe dërrasa të njoma dhe ngjyrat e detit;
edhe sot ata shkojnë thellë në drejtim të lakuar
shtamba të bardha
drejt zajeve në shtrojën e detit.

Dritë, engjëllore dhe e zezë,
qeshje e valëve në shtigje të detit
qeshje e larë me lot,
lypësi plak po të sheh
ndërsa ecën për të kaluar përtej fushave të padukshme –
drita pasqyrohet në gjakun e tij,
gjaku që i dha jetë Eteoklit dhe Polinikut.
Ditë, engjëllore dhe e zezë;
shija e kripur e gruas që helmon të burgosurin
del përmbi valë një degë interesante zbukuruar me pika.
Këndo Antigonë e vogël, këndo, o këndo…
S’po të rrëfej gjëra që kanë shkuar, po flas
për dashuri;
zbukuroji flokët me gjemba diellorë,
vajzë e errët;
zemra e Akrepit ka lindur
tiranin e nxorën prej trupit të njeriut
dhe gjithë vajzat e detit, Nereidat, Graiat
nxitojnë drejt shkëlqimit të perëndeshës që po lind
ai që s’deshi kurrë do të dashurojë
në dritë:
do ta gjesh veten
në një shtëpi të madhe, me shumë dritare të hapura
tek bredh nga dhoma në dhomë, pa ditur ku të
shohësh më parë
sepse pishat do të zhduken, dhe malet e pas-
qyruara, dhe cicërimat e zogjve
deti do të thahet, qelqe të thyera prej veriut në jug
sytë e tu do të zbrazen dritës së ditës
njësoj si gjinkallat që befasisht, të gjitha bashkë, heshtin.

Përktheu: Arbër Zaimi / KultPlus.com

Rrugëtimi 47-vjeçar i piktorit Zaim Elezi për të njohur “nanën”

Këto portrete që e kanë zanafillën që në vitet 80, modeli i parë për piktorin Zaim Elezi, në fillesa nuk i kishte menduar që të ekspozohen ndonjë herë. Shtrirja në kohë prej 47 vitesh i nxitur nga miqtë artistë dhe e bija , bën që ky koleskison të prezantohet në galerinë  Fab edhe si një premtim për artistin.

“Unë e kam pikturuar nanën time për një arsye të thjeshtë, fillimisht ishte e vetmja që më duronte ta vizatoja dhe më vonë ishte një portret i jashtëzakonshëm për t’u pikturuar,” shprehet ai.

Dashuria për nënën dhe gjendjet e saj mes gëzimit  apo trishtimit vjen me gjuhën e penelave e parë në dimensionin 360 gradë, ç’ka bën që punimet të tejkalojnë personalen

“Në këto mjedise unë i kam pas premtuar vetes se një ditë do të bëhem pikror dhe kam ardhur sot të tragoj jam bërë apo jo,” thotë ai.

Lidhja nënë- fëmijë, është një nga temat më të bukura dhe më tërheqëse në historinë e artit sipas kuratorit Sadik Spahija.

Autori nuk shfaqet asnjëherë me praninë e tij fizike, (përveç një rasti të sjellë enkas), duke e lënë personazhin në përditshmërinë e saj.

Zaim Elezi ka qenë gjithnjë pjesë e përhershme e ekspozitave kombëtare dhe ndërkombëtare, nga fundi i viteve 80-të e në vazhdim, duke përmendur kështu ekspozitë personale, Zvicër, Francë ,Itali, Maqedoni, Mal i Zi, Shqipëri, Kosovë etj. Ekspozita “Nana” qëndron e hapur për publikun deri më 30 shtator në “FAB”. /abcnews.al/KultPlus.com

Hapet qendra e parë kulturore shqiptare në Bronx

Një qendër e re sociale dedikuar plotësisht komunitetit shqiptar ka çelur dyert mbrëmjen e  djeshme në Bronx, New York. Qendra e parë Kulturore në Bronx e financuar në shumë prej 8.7 milionë dollar nga shteti i New Yorkut, me mbështetjen e këshilltarit shqiptar të bashkisë së New Yorkut, Mark Gjonaj.

Në mbrëmjen inauguruese të pranishëm ishin dhjetra pjesëtarë të komunitetit shqiptar, të cilët pas himneve respektive amerikane e shqiptare dhe fjalës së rastit kanë ndjekur një program artistik të përgatitur nga nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life”.

Nxënësit u shprehën mirënjohës ndaj z. Mark Gjonaj për këtë nisëm që do tí afrojë edhe më shumë shqiptarët mes tyre dhe do ti ofrojë mundësi të reja për arsimim. Tashmë mësimi do të zhvillohet në klasa që plotësojnë të gjitha kushtet.

Nxënësit e shkollës prej gjashtë javësh kanë bërë prova për programin e zhvilluar ditën e inaugurimit. Në ambientet e reja do të ketë vend për nxënësit e shkollës shqipe, si dhe për aktivitete të ndryshme të komunitetit shqiptar. / KultPlus.com

‘The Crown’ dhe ‘Ted Lasso’ dominojnë në kategoritë kryesore për çmimet ‘Emmy 2021’

Drama mbretërore e Netflix ‘The Crown’ dhe komedia ‘Ted Lasso’ rrëmbyen më së shumti çmime në ‘Emmy 2021’ që u mbajt mbrëmjen e së dielës, transmeton KultPlus.

Çmimet e ‘The Crown’ përfshijnë serialin më të mirë dramë dhe katër çmime në aktrim – për Gillian Anderson, Olivia Colman, Josh O’Connor dhe Tobias Menzies.

“Çfarë përfundimi i mrekullueshëm i udhëtimit më të jashtëzakonshëm me këtë familje të bukur,” tha Colman e cila luajti rolin e Mbretëreshës Elizabeth II.

Duke u bërë emocionuese, ajo shtoi: “Do të doja që babai im të ishte këtu për ta parë këtë. Unë e humba babanë tim nga Covid, e ai do të ishte shumë i lumtur nëse do të shihte këtë sukses timin’

Çmimet që fitoi ‘The Crown’ në kategorinë e serive më të mira dramë shënon fitoren e parë për Netflix./KultPlus.com

‘Ish shtator kur u panë gjurmët e largimit tan’ t’paprit’

Poezia “Ish shtator” nga Cemal Süreya

Ish shtator.
Prej gjetheve t’rame nga degët
N’ato t’verdhtat ta shkruva emnin
Se ti ke veç nji buzëqeshje e shtirun
Që kurrë s’ndjeu n’dur t’ftoft temin.

Ish shtator.
Rrnum në nji kohë kur e folmja ish e kalume
E edhe hapat vijshin tu zvogëlue
E sytë menushëm tu u dalldue.
Mashtrushëm sa fjalët e tua vesh n’mjalt’,
Sa durt e tua shkret mbet,
Un’ dembelav’ n’pushime si ti
E mërzia jonë fminushëm tret.

Ish shtator.
Kur u panë gjurmët e largimit tan’ t’paprit,
Tash nuk kish kuptim as qet’sia.
Mbeta lakuriq midis heshtjes tane
Mandej eca midis greminave që s’ma kthenin zanin
E ku ma shumë e lypa at za tanin.
Syt’ janë ende aty ku i ke lan’.
Syt’ e tu m’kanë lan’…

Ish shtator. Thashë…
Dridhjet e vetmisë vinin prej ksaj.

Përktheu: Leonora Hajra / KultPlus.com

ARA_005

Mozaiku i Tiranës, Margariti: Datimi shkon deri në fund të shekullit I

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti inspektoi sot gërmimet e reja tek mozaiku i Tiranës.

“Të gjithë e njohim si mozaiku i Tiranës, por ai është shumë më shumë se aq. Gërmimet e reja jo vetëm po konturojnë më qartë vilën romake dhe të gjitha hapësirat e saj, por shtyn deri në fund të shek. I datimin e banimit të asaj hapësire”, u shpreh ministrja Margariti.

“Me Olsin dhe Maringlenin (Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Tiranë) ishim sot në territorin ku po gërmojnë bashkë me specialistët edhe studentët e Fakultetit Histori-Filologji, UT, të cilët kanë fatin jo vetëm të specializohen dhe të pajisen me certifikata, por edhe të marrin pjesë një proces me rëndësi për historinë e qytetit”, theksoi ministrja.

“Presim që me përfundimin e gërmimeve dhe dokumentimin e procesit dhe të objekteve, të dalin rezultate mbresëlënëse”, tha ministrja Margariti. /atsh/KultPlus.com

Suksesi i balerinit shqiptar në skenat ndërkombëtare

Xholind Muçi është 21 vjeç, ka lindur në Tiranë dhe prej 9 vitesh, trajnohet, kërcen dhe performon në shfaqje të ndryshme, si në Shqipëri ashtu dhe jashtë vendit, përfshirë Italinë, Spanjën, Turqinë, Kroacinë dhe Britaninë.

Pasioni për baletin ka nisur krejt rastësisht, ashtu siç ndodhin gjërat e bukura në jetë. Nga mosha 5-vjeçare deri në 12 vjeç, Xholindi është trajnuar për artin marcial karate. Por, gjithçka u ndërpre pasi ai pësoi një frakturë në këmbë.

Edhe pse i vogël, 7 vite qenë të mjaftueshme për të që ta dashuronte karatesë, po ndonjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu siç i planifikon dhe do. Por, nëse dikur e quante veten të pafat për atë që i ndodhi, sot Xholindi mendon komplet të kundërtën, pasi ky “incident” e çoi drejt ëndrrrës, që është baleti.

“Me botën e baletit unë nuk kisha asnjë kontakt dëri në moshën 12-vjeçare. Por, aktiviteti fizik nuk mungonte që nga mosha 5-vjeçare ku unë trajnohesha për një tjetër art shumë të ndryshëm nga baleti. Për 7 vite nga mosha 5-vjeçare trajnohesha në artin marcial të karatesë. Por pas një frakture në kockën e fibulës, duke pare fleksibilitetin që kisha arritur të fitoja nëpërmjet karatese, prindërit më regjistruan në një shkollë private baleti”, rrëfen ai.

Pas regjistrimit në në shkollën e baletit, edhe pse nuk e pëlqente aq shumë, pa kuptuar si, Xholindi u dashurua pas asaj që bënte, dhe menjëherë pas mbarimit të mësimit në shkollën e përgjithshme, shkonte të ushtrohej me dy profesionistët Mimoza Bekteshi dhe Andrea Kokeri.

“Në fillim nuk e pëlqeja dhe as që e mendoja që do të bëhesha një balerin, por me kalimin e kohës duke kuptuar më mirë, një princ në “Swan Lake”, një pirat në “Le Corsaire” apo ndonjë gladiator në Colosseum, gjërat ndryshuan.  Gjithashtu lirshmëria për të shprehur ndjenjat dhe impakti që kishte muzika klasike tek unë, e forcoi edhe më shumë lidhjen time me baletin duke krijuar pasionin që me shtyu të zgjidhja këtë karrierë”, tha ai për abcnews.al.

Përkushtimi i madh dhe pasioni, në moshën 17-vjeçare, Resmi Malko, një profesor në Central School of Ballet, pas një ore mësimi në sallën ku ushtrohej në Tiranë, vendosi që ta sugjeronte te bordi i shkollës në Londër.

Një vit më vonë e ftuan në shkollë vere dhe po ashtu i ofruan bursë të plotë studimi. Pas mbarimit të gjimnazit, në moshën 19-vjeçare, Xholindi u largua nga Shqipëria për të nisur një rrugëtim të gjatë të shoqëruar me aventura dhe sfida.

Gjatë periudhës së qëndrimit jashtë vendit, ai ka realizuar performanca të shumta që e kanë ndihmuar të rritet profesionalisht, duke prekur skena të mëdha.

“Performancat e realizuara kanë qenë të shumta duke qenë se në Tiranë me “International Dance Academy Albania” performonim rreth 2-3 herë në vit në koncerte të mëdha në skenën e Teatrit të Operas dhe Pallatit të Kongreseve. Rolet principale kanë qenë të shumta në balet si Giselle, Bayadere, The Sleeping Beauty, Swan Lake, La fille mal gardée, Pharaoh’s Daughter, Le Corsaire dhe gjithashtu role në valle folklorike të karakterit vendas dhe të huaj.

Po ashtu me role principale jam përfaqësuar edhe në Britani me Ballet Central Company gjatë këtij viti në skenat e Queen’s Theatre Hornchurch, The Core at Corby, The Hawth Crawley, Birmingham, Britten Theatre London etj, në rolet e Lakendem në “Le Corsaire” dhe rolin e James ne “Highland Fling” ku kam punuar me stafin e Matthew Bourne’s New Adventures, një nga kompanite më të mëdha dhe të vlerësuara në Mbretërinë e Bashkuar”, tha Xholindi, i cili pavarësisht këtyre arritjeve, sërisht synon më lart.

Ëndrra e tij më e madhe është të bëhet pjesë e kompanisë Matthew Bourne’s New Adventures, pasi kjo kompani ka një stil të veçantë duke i dhënë më shumë përparësi performimit emocional dhe duke krijuar një impakt direkt në ndjenjat dhe emocionet e audiences. Gjithashtu dhe performimi në musicals në teatrot e West End mbetet një ëndërr për të, që me siguri do të realizohet pasi Xholindi është nga ata djem që punojnë pa reshtur dhe me pasion.

Për të qenë i sukseshëm në botën e baletit duhet të kesh pasion që tejkalon çdo gjë dhe kurrë të mos jesh i kënaqur nga punë që bën. Duke pasur këto dy elemente, thotë Xholindi, balerini arrin të ketë progres në teknikë, muzikalitet dhe interpretim.

Xholindi është shembulli i një të riu që të bën të besosh se ëndrrat realizohen. Mbase në botë, por realizohen. Dhe ne duhet t’i tregojmë për të frymëzuar brezin e balerinëve të ardhshëm./abcnews.al / KultPlus.com

‘Harku i Triumfit’ i mbështjellë me pëlhurë shndërrohet në vepër arti

Është përfunduar me sukses “Harku i Triumfit” një vepër arti e përkohshme për Parisin.

Projekti do të mund të ekspozohet për 16 ditë deri më 3 tetor 2021.

Ky projekt i artistit @ChristoJeanneClaude ka qenë projekti i fundit i iniciuar para vdekjes së tij dhe me shumë sukses më në fund është përfunduar.

“Harku i Triumfit” është i mbështjellë me 25,000 metra katrorë pëlhurë të riciklueshme në ngjyrë blu të argjendtë, dhe me 3,000 metra litar të kuq.

Pamjet mbreslënëse të kësaj vepre flasin vetë…/KultPlus.com

Historia e Washoe, shimpanzea që fliste gjuhën njerëzore

Në vitet 1960, psikologu Roger Fouts e rriti shimpanzenë Washoe si një fëmijë njerëzor dhe i mësoi gjuhën e shenjave.

Washoe, e kapur si një kafshë e re në Afrikën Perëndimore dhe e sjellë në Shtetet e Bashkuara, kaloi vitet e para të jetës së saj si një fëmijë njerëzor, në të gjitha aktivitetet: Ndërrimi i pelenave, veshja, ushqimi, leximi ose loja, ku mbikëqyrësi i saj përdorte vetëm shenja.

Sipas raporteve në atë kohë, Washoe mësoi qindra shenja me kalimin e kohës dhe i kombinoi spontanisht ato për të krijuar shprehje të reja, për shembull “ujë, zog” për “mjellmë” ose “hap, ha, pi” për “frigorifer”.

Pika kryesore e referencës e shimpanzesë së re ishte studenti i doktoratës Roger Fouts, i cili fillimisht donte të punonte me fëmijët si psikolog. Një marrëdhënie e ngushtë u zhvillua midis tij dhe Washoe, të cilin Fouts më vonë e shihte marrëdhënien e tyre si vëllazërore, shkruan Deutschlandfunk, përcjell Klankosova.tv

Në librin e tij “Të afërmit tanë më të afërt. Duke mësuar nga shimpanzetë se çfarë do të thotë të jesh njeri”, ai përshkruan përshtypjet e tij në atë kohë.

“U ndjeva sikur kisha shkelur në Hënë me Washoe. Për mijëvjeçarë, në mite dhe përralla, njerëzit kishin ëndërruar të flisnin me kafshët, dhe tani ajo ëndërr është realizuar”, ishte shprehur ai.

Janë botuar studime shkencore në lidhje me Washoe dhe janë shkruar artikuj të shumtë në gazeta. Por kishte edhe studiues që vunë në dyshim aftësinë e shimpanzesë për të folur dhe të cilët në masë të madhe besuan se ishte imitim dhe kushtëzim.

Sa thellë shkuan aftësitë komunikuese të Washoe në të vërtetë është ende e diskutueshme sot. Por një gjë është e qartë: Eksperimenti ka revolucionarizuar mënyrën se si njerëzit i shikojnë aftësitë njohëse të kafshëve, veçanërisht majmunëve të mëdhenj. Washoe, u bë një ambasador për një qasje të re kërkimore që fokusohet në aftësitë komplekse mendore të kafshëve.

Roger Fouts gjithashtu filloi të kishte dyshime me kalimin e kohës. Bota emocionale e Washoe i duket atij gjithnjë e më komplekse dhe më e thellë. Në të njëjtën kohë, shimpanzeja po plakej dhe bëhej më e fortë. Andaj ajo duhej të kalonte në një rrethim të ri në Universitetin e Oklahomas.

Kur takoi për herë të parë shimpanzetë e tjera atje, ajo iu referua atyre si “brumbuj të zinj të pistë”.

Më 30 tetor 2007, zyrtarë nga Instituti i Shimpanzesë dhe Komunikimit Njerëzor në kampusin CWU njoftuan se ajo kishte vdekur në moshën 42 vjeçare.

Fouts ndihej përgjegjës për tjetërsimin e Washoe, andaj sipas tij eksperimenti nuk duhet të kishte ndodhur kurrë. /klankosova/ KultPlus.com

EBC Cosmetics prezanton parfumat më të mirë për vjeshtën 2021

Ndërsa afrohet vjeshta, të gjithë duhet të zgjedhim aroma që janë të ngrohta, veçanërisht për ato ditë dhe netë të freskëta të vjeshtës.

Aromat më të mira për t’u përdorur këtë muaj kanë nota dhe bazë të ngrohta që do të qëndrojnë në rrobat tuaja gjatë.

Këto janë pesë nga aromat kryesore që EBC Cosmetics ju propozon për këtë vjeshtë:

1.My Way Eau de Parfum Intense nga Giorgio Armani

My Way Intense është një ftesë për një udhëtim të zbulimit të vetes, takimeve kuptimplota dhe përvojave të paharruara. Me lule portokalli, tuberozë dhe vanilje – kjo aromë e ndritshme është një kthesë moderne në notat klasike dhe të dashura. I sapolansuar, ky parfum mendohet te jetë trendi i kësaj stine.

2.Oud Wood nga Tom Ford

Parfumi Oud Wood filloi interesimin aktual për këtë përbërës (të shtrenjtë) që buron nga një pemë agari e infektuar me kërpudha. Aromë prej druri dhe pikante me nuanca vanilje, balsamike dhe pluhur.Oud Wood ju mbështjell në ud të rrallë, erëza ekzotike dhe kardomom, pastaj ekspozon përzierjen e tij të pasur dhe të errët të sensualitetit.Ky parfum konsiderohet të jetë një nga kolonjat ideale për vjeshtën e çfarëdo viti.

3. Libre nga Yves Saint Laurent

Parfumi Libre është bërë për ata që luajnë sipas rregullave të tyre. Ajo ngjall ndjenja të besimit dhe sofistikimit duke ruajtur akoma nota të lehta, flirtuese, me lule të livandos..

Aroma e re e lirisë nga Yves Saint Laurent kombinon thelbin e livandës nga Franca me sensualitetin e lulëzimit portokall maroken, për një shkrirje unike lulesh.

Këto shënime janë të balancuara nga misku i cili e bënë këtë aromë ideale për vjeshtë.

4. Uomo Born in Roma nga Valentino

Krijuar në një përzierje violete e lë absolut dhe të tymosur vetiverin. Erëza e xhenxhefilit, kripa minerale janë vetë shkëlqimi i një note moderne drunore.Këto akorde të sofistikuara dhe moderne janë frymëzuar nga vetë romët: qyteti ku eleganca ka qenë gjithmonë e ndërthurur me modernitetin, ku klasicizmi zmadhohet nga jeta e hidhur dhe e gjallë. Një kimi delikate dhe akoma e paharrueshme që është kapur në shishe të mrekullueshme.Shishja është projektuar me zbukurimin ikonik Valentino, frymëzuar nga arkitektura rome, e cila është nënshkrimi i Valentino Couture.

5. Burberry Her Intense Eau de Parfum

Her Intense, një aromë e guximshme që kap energjinë e fuqishme të Londrës – intensive por edhe elegante. Pasi të vendosni këtë parfum vjeshte, do të nuhasni menjëherë notat e freskëta dhe me shije frutash. Prisni rreth një minutë që aroma të vendoset dhe do të mbeteni me një aromë më të ekuilibruar për pjesën tjetër të ditës tuaj. E ngrohtë dhe pak e errët, por notat kryesore të manaferrës dhe qershisë e bëjnë atë të gjallë dhe argëtuese.

EBC Cosmetics operon në tregun tonë që nga viti 1993 si e vetmja kompani në Kosovë e autorizuar për shitjen në 8 pika:

1.      Bregu i Diellit , Rr. Eqrem Çabej

2.      Rr. Nëna Terezë  

3.      Rr. Garibaldi, përballë hotel Grand

4.      ETC Fushë Kosovë       

5.      Royall Mall, Rruga B

6.      Galeria Mall, Prizren

7.      Albi Mall, Veterrnik kati 0

8.      Albi Mall, Veterrnik kati 1

Platforma online EBC SHOP : www.ebc.shop

https://www.instagram.com/ebccosmetics/?hl=en./

(Shkrim i sponsorisuar nga EBC Cosmetics) / KultPlus.com

Pfizer: Vaksina kundër Covid-19 për fëmijët 5 deri në 11 vjeç është e sigurt dhe tregon përgjigje të fuqishme

Vaksina kundër COVID-19 e Pfizer/BioNTech aktualisht është aprovuar për njerëzit e moshës 16 vjeç e lart, dhe e autorizuar për përdorim te personat e moshës 12 deri në 15 vjeç.

Por në një njoftim të shumëpritur, Pfizer tha të hënën se një provë e Fazës 2/3 tregoi se vaksina e saj kundër Covid-19 ishte e sigurt dhe gjeneroi një përgjigje “të fortë” të antitrupave tek fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç, përcjell KultPlus.

“Që nga korriku, rastet pediatrike të COVID-19 janë rritur me rreth 240 për qind në SHBA-duke nënvizuar nevojën e shëndetit publik për vaksinim. Këto rezultate të provës ofrojnë një bazë të fortë për të kërkuar autorizimin e vaksinës sonë për fëmijët 5 deri në 11 vjeç, dhe ne planifikojmë t’i paraqesim ato me urgjencë te FDA dhe rregullatorët e tjerë”, ka thënë Albert Bourla, kryetar dhe shef ekzekutiv i Pfizer, në deklaratë.

Ndërsa Dr. Scott Gottlieb, një ish komisioner i FDA dhe anëtar i bordit aktual të Pfizer, ka thënë se një vaksinë për fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç mund të jetë e disponueshme deri në festën e Halloween, përkatësisht deri më 31 tetor, transmeton tutje KultPlus.

Ndërkohë komisioneri në detyrë i FDA, Dr. Janet Woodcock dhe Dr Peter Marks, drejtor i Qendrës së FDA për Kërkimin dhe Vlerësimin Biologjik, tha në një deklaratë këtë muaj se agjencia do të rishikonte të dhënat për një vaksinë për fëmijët më të vegjël “sa më shpejt që të jetë e mundur, çështje javësh dhe jo muajsh”, pasi u paraqit për autorizim.

“Sidoqoftë, aftësia e agjencisë për të rishikuar këto paraqitje me shpejtësi do të varet pjesërisht nga cilësia dhe afati kohor i paraqitjeve nga prodhuesit”, shkruan ata.

Thirrjet për një vaksinë Covid-19 për fëmijët më të vegjël janë rritur më shumë muajt e fundit pasi rastet u rritën tek fëmijët.

Në këto teste, kishte 2,268 pjesëmarrës të moshës 5 deri në 11 vjeç, të cilët, ndonëse ndiqej akoma një regjim me dy doza, përdornin një dozë më të vogël se sa sasia e dhënë për njerëzit e moshës 12 vjeç e lart, për “sigurinë, tolerancën dhe imunogjenitetin” e fëmijëve më të vegjël.

“Në pjesëmarrësit 5 deri në 11 vjeç, vaksina ishte e sigurt, e ‘toleruar’ mirë dhe tregoi përgjigje të fuqishme neutralizuese të antitrupave”, thanë kompanitë në një njoftim për shtyp.

Kështu, Pfizer dhe BioNTech planifikojnë të ndajnë të dhënat e tyre me Administratën Amerikane të Ushqimit dhe Barnave, Agjencinë Evropiane të Barnave dhe rregullatorë të tjerë së shpejti dhe do të paraqesin një kërkesë për autorizim të përdorimit emergjent në Shtetet e Bashkuara.

Ndryshe, FDA miratoi vaksinën Pfizer, e cila tregtohet si Comirnaty, për njerëzit e moshës 16 vjeç e lart në gusht. Aktualisht ajo është autorizuar për përdorim urgjent tek fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç.

Rezultatet nga dy prova të tjera në vazhdim – një i fëmijëve të moshës 2 deri në 5 vjeç dhe një i fëmijëve nga 6 muaj deri në 2 vjeç – priten së shpejti këtë vit, thanë kompanitë.

Pfizer gjithashtu ka marrë autorizimin e përdorimit urgjent nga FDA për të dhënë një dozë të tretë të vaksinës për ata 12 vjeç e lart. / KultPlus.com

Historia e panjohur e vrasjes së atdhetarit të shquar, Çerçiz Topullit

Çerçiz Topulli mund të ishte edhe simboli i ushtarit të panjohur i rënë në luftë për pavarësi. Nuk ka një të dytë në historinë e Shqipërisë që të mos e ketë hequr armën asnjëherë nga supi, por njëkohësisht të kishte një fund aq të trishtë, i vrarë pabesisht dhe, për më tepër, pa marrë famën dhe vlerësimin që i takonte.

I lidhur kokë e këmbë me zinxhirë nga ushtarët malazezë, mëngjesin e të shtunës së 17 korrikut 1915, ai e humbi betejën e fundit në jetë edhe pse u përlesh me ta si një luan. Ndërkohë që 15 njerëz me uniformë e qëllonin me plumba dhe e shponin me bajoneta në trup, Çerçiz Topulli u bë nga dëshmorët e parë të Shqipërisë. Vetëm pak minuta më parë i kishin vrarë para syve shokun e tij Mustafa Qulli, një gazetar i cili, ndryshe nga Çerçizi që pushkën e kishte simbolin e lirisë, mbante penën.

SKENA E KRIMIT

Çerçiz Topulli kishte bërë dhjetëra manovrime në jetën e vet ndaj atyre që kishin dashur ta kapnin dhe asgjësonin. Por mëngjesin e 17 korrikut 1915, për herë të parë dhe të fundit, ai dështoi.

Një skuadër ushtarësh malazezë u shfaqën në portën e shtëpisë ku qëndronte në Shkodër dhe, pa asnjë urdhër të shkruar e vunë në pranga. Bashkë me të u arrestua edhe miku i tij, Mustafa Qulli, një gazetar me emër në atë kohë në Shkodër.

Pa shumë sqarime ushtarët e huaj i lidhën të dy me zinxhirë në duar e këmbë dhe i dërguan në kazermë. Pas 10 ditësh qëndrimi në një dhomë në kushte skandaloze, ata të dy i hipën në një karrocë dhe u thanë se do t’i dërgonin në Cetinjë.

Sapo karvani bëri disa kilometra në Fushën e Shtoijt, ora shënonte 04.00 dhe sapo nisi të zbardhte, ushtarët i zbritën ata dhe pa një pa dy nisin t’i qëllojnë me armë. Mustafai vdiq në vend, ndërsa Çerçizi, ashtu i lidhur me zinxhirë, përleshet me ushtarët malazezë, por ata, duke qenë në numër të madh, arritën ta qëllonin për vdekje me plumba dhe duke i shpuar trupin me bajoneta.

Kur panë që të dy kishin dhënë shpirt, me shpejtësi hapën dy gropa jo shumë të thella, i futën brenda të dy trupat, i mbuluan me shkurre dhe drurë rrethanorë dhe u larguan.

SI U KRYE VRASJA

Vrasja e pabesë dhe e fshehtë e Çerçiz Topullit është shoqëruar dhe me rregullin se edhe krimi më i sofistikuar lë gjurmë. Edhe pse menduan se i fshinë gjurmët bashkë me varrosjen e kufomave, asnjë nga 15 vrasësit nuk e dinin se prapa shkurreve, një person i ndodhur aty rastësisht kishte parë të gjithë ngjarjen. Quhej Mahmut Golemi dhe rrëfimi tij gjashtë muaj pas ngjarjes është unikal:

“Natën e së premtes, (duke gdhirë e shtuna) natë Ramazani, para se del drita, dola me ngarkue sanë prej livadhit, në freskë, kur prej së largut pashë tuj ardhë dy njerëz të përcjellë prej afro 15 ushtarësh, të cilët kur më panë, më urdhëruan të largohem, dhe unë u fsheha mbrapa qerres. Kur erdhën deri në një vend, atje u ndalën dhe ushtarët morën pozicion me qitë mbi dy personat në fjalë.

Ai që ishte veshë me petka bojëhini që ia kasha dhënë unë pse kishte mbetur pa xhaketë (Muço Qulli) bërtiti në një mënyrë alarmante, e një burrë i gjatë dhe i plotë, i bërtiti shokut tue i thanë: “Mos u tremb se patriotët kështu e kanë”.

Ushtarët qitën; ai me petka bojëhini ra dekun, kurse tjetri, tue sha, me një zë luani e me një shpejtësi të rrufeshme, mësyn ushtarët dhe pa u lanë kohë të qesin të dytën herë, hyn midis tyre dhe erdhi fytyrat me ta për të marrë një pushkë prej tyre. Kjo luftë vazhdoi afro një minutë. Në atë përleshje mbasi gjetën rast i ranë për herë të dytë dhe e vranë”.

Krimi i organizuar u krye, më pas duhej vetëm fshehja e gjurmëve. Një veprim që ushtarët vrasës e bënë me shpejtësi dhe fshehtësi. Të paktën sipas tyre, hapën dy gropa dhe i hodhën brenda dy viktimat. U hodhën shkurre përspër. Dëshmitari Mahmut Golemi vijon rrëfimin:
“Të nesërmen shkova në vendin e ngjarjes, ku i pashë se ishin mbulue krejt cekët e me ferra. Si myslimanë që ishin, për sevap, i mbulova më thellë. Në kontrollimin e gropes gjetëm shumë shenja që i përkisnin Muço Qullit, pasi trupin e Çerçizit që ishte mbuluar më thellë nuk e prekëm”.

GREKËT NË VRASJE

Vrasja e Çerçiz Topullit tregoi edhe një herë aleancat sllavo-greke kundër shqiptarëve.
Sipas të dhënave, dëshmive dhe raporteve të kohës, rezulton se malazezët e vranë Çerçizin për llogari të grekëve. Ishte një hakmarrje për faktin që Çerçizi kishte vrarë peshkopin grek, si kundërpërgjigje ndaj vrasjes së Spiro Kosturit, në Selanik, në vitin 1907. Kishin kohë që qarqet greke e kërkonin me qiri komitin shqiptar, i cili u vra nëpërmjet një intrige.

Po cilët ishin grekët që e porositën vrasjen te malazezët? Tre janë personat që ishin të implikuar në këtë vrasje: Alush Lohja, Spiro Tozhli, Mihalaki Kulumburi, të cilët kishin si qendër konsullatën greke në Shkodër. Tozhli ishte një tregtar në këtë zonë që mendohet se ka vënë në dispozicion paratë për vrasje. Dëshmia dhe deklarata e parë që vërteton këtë është e Kol Bjankut, sekretar i Kadastrës në Shkodër. Në një shkrim të numrit 18 të datës 9 qershor 1919 në gazetën “Kuvendi” ai shkroi:

“Tash, tuj mos mujtun m’u durumun prej varrës randë të zemrës s’eme, po i lajmëroj vllazënve qi në vjetin 1915 Mihalaki Kambuluri me dredhime t’veta bani fli (mbyti) dy ma t’ndershmit atdhetar, shpirtndritçmit Mustafa Qulli dhe Çerçiz Topulli qi sot Shqipnia i vajton”. Kjo dëshmi e tronditi rëndë opinionin. Në numrin e datës 16 korrik në gazetën “Kuvendi”, Mihalaki Kambuluri iu përgjigj Bjankut duke e cilësuar shpifje atë që ai shkruan.

Por shfajësimi të lë me gojë hapur teksa ai implikon Fejzi Alizotin:
“Fejzi Bej Alizoti i njef fort mirë shkaktarët e njimnendshëm t’ asaj vrasje, sikur ai vetë shumë herësh m’a pat diftue ktu në Shkodër, kur shifeshim ditë për ditë e rrinim bashkë…”.

Se sa e vërtetë është që Alizoti të kishte dijeni, kjo nuk është vërtetuar, por pas kaq vjetësh një dëshmi e shkruar vlen sa një mijë prova.
Ndërkohë ndryshonte arsyeja dhe rrethanat për eliminimin e gazetarit Mustafa Qulli. Të dhënat tregojnë se ai u vra si austrofil dhe kjo ndihej hapur në shkrimet e tij në gazetën “Populli” që botohej në Shkodër, në të cilën ai ishte drejtor. Kjo kishte sjellë zemërimin e malazezëve, por sidomos të serbëve dhe, nga situata e krijuar, ishte një rast që, duke e bërë bashkë me Mustafanë Çerçizin, të eliminonin njëherësh dy shqiptarë që luftonin me penë dhe me pushkë.

KATËR VARRIME

Eshtrat e Çerçiz Topullit nuk gjetën prehje kollaj. Katër herë nëntoka shqiptare ka pranuar trupin e tij të vdekur si të ishte një reagim. Varrimi i parë u krye nga malazezët, të cilët pasi e vranë, ende me gjak të ngrohtë e futën në dhe. Varrimi i dytë u krye më 27 nëntor të vitit 1936, në Gjirokastër, në një ceremoni shtetërore, ndërkohë që më 14 shtator 1936 në Shkodër ishte kryer zhvarrimi dhe kjo u shoqërua me një ceremoni përcjelljeje që ka mbetur në histori, sepse kjo ishte edhe dalja e parë publike e Enver Hoxhës me një fjalim që ai mbajti në ballkonin e bashkisë së qytetit.

Në vitin 1945 u krye varrimi i tretë, duke i vendosur eshtrat në Varrezat e Dëshmorëve në Gjirokastër. Në vitet ’70-të eshtrat u vendosën në kodrën e qytetit të Gjirokastrës bashkë me varret e Bajo Topullit, Koto Hoxhit dhe Pandeli Sotirit të shoqëruara me një memorial.

Shkëputur nga libri “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”, me autor Roland Qafokun. / KultPlus.com

AMC Corporation organizon pjesën teknike në koncertin e Ermal Metës

Më 17 shtator të këtij viti, këngëtari me origjinë shqiptare Ermal Meta performoi para publikut shqiptar në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Ermal Meta, i cili jeton dhe ushtron veprimtarinë e tij artistike në Itali, u rikthye pas tri vitesh në turin e tij të ri muzikor në Tiranë, me këtë koncert në Stadiumin “Air Albania”.

Pas shumë muajsh pauze prej pandemisë, Ermali vendosi të kryejë turin e tij të parë muzikor. Një turne i cili i jep fund mungesës së koncerteve, por në të njëjtën kohë ka një rëndësi emocionale për këngëtarin prezenca e tij në Shqipëri.

Ky koncert, njëherit edhe i pari që u organizua në stadiumin e ri të Tiranës, për nga ana teknike ka qenë i mbuluar nga Kompania AMC Corporation.

Pjesa e ndriçimit, skenës dhe zërimit është mbuluar nga AMC ndërsa pjesa e LED ekraneve dhe pjesës tjetër logjistike është mbuluar nga kompania ‘’Prosound’’ në Shqiperi.

Vlen të ceket se koncerti në fjalë është mbështetur nga Bashkia e Tiranës dhe Ambasada e Italisë, ndërkaq Meta ka performuar për rreth 90-të minuta para një audience që numëronte rreth 5000 pjesëmarrës.

AMC Corporation është përkujdesër për organizimin teknik në Festivale të shumta, si: Hardh Fest, Verë n’Dimër, Beer and Ëine Fest, Beer Fest, Ta Zbardhi Ftyrën etj. Po ashtu edhe në koncertet më të mëdha në Kosovë që kanë sjellur figura të njohura ndërkombëtare si DMX, Busta Rhymes etj

(Shkrim i sponsorisuar nga AMC Corporation)

Si arrijnë arkeologët të deshifrojnë gjuhët e vdekura?

Deri 200 vjet më parë, askush në epokën moderne nuk mund t’i kuptonte hieroglifet egjiptiane. Egjiptianishtja e lashtë, ishte në thelb një gjuhë e vdekur. Fakti që historianët mund të lexojnë dhe kuptojnë sot shkrimet hieroglifike, lidhet me një tekst juridik tejet të thjeshtë por të lashtë, që gjendet i gdhendur në një gur me famë botërore.

“Viti i ardhshëm shënon 200-vjetorin e deshifrimit të Gurit të Rozetës, që ishte në fakt një moment i rëndësishëm për degën e Egjiptologjisë. Ai është artefakti i vetëm më i famshëm në fushën e përkthimit të teksteve te lashta”- thotë Roland Enmarsh, pedagog i Egjiptologjisë në Universitetin e Liverpulit në Britaninë e Madhe.

Guri Rozeta,që përmban një deklarate të shkruar në vitin 196 Para Krishtit, rezultoi të ishte me shumë vlerë për deshifrimin e hieroglifëve egjiptianë, pasi dekreti në fjalë përsëritej vetëm3herë. I pari u shkrua me hieroglife, i dyti me shkrimin e stilit demotik, një formë e Egjiptianishtes të lashtë, e ngjashme me stilin me arabishten e shkruar.

Ndërkohë versioni i tretë ishte shkruar në greqishten e vjetër. Meqenëse kjo e fundit kuptohej nga studiuesit, ajo siguroi një mënyrë për të deshifruar egjiptianishten e lashtë. “Nëse keni në dorë një shkrim dygjuhësh, dhe njëra prej tyre është në një gjuhë që ju e kuptoni, atëherë ai është vërtet shumë i dobishëm, për sa kohë që përmbajtja e tekstit përsëritet”- thekson Enmarsh.

Duke përdorur këtë teknikë, studiuesit mund të shohin se ku rishfaqen pjesët, dhe t’i përkthejnë ato. Mjerisht, përkthimi i tekstit të Gurit të Rozetës, nuk zbuloi asgjë shumë të veçantë. Ai ishte thjesht pjesë e një teksti administrativ, për të shënuar përvjetorin e jubileut të një mbreti.

Gjithsesi ai u siguroi studiuesve mjetet për të kuptuar tekste të tjera shumë më interesante.

Mënyra tjetër për të ringjallur një gjuhë të vdekur prej kohësh, është përmes përpunimit bazë i të dhënave. “Disa pllaka argjile që datonin rreth viteve 1450-1200 Para Krishtit u gjetën në Greqi, por për dekada me radhë studiuesit e kishin të vështirë të kuptonin se çfarë shkruhej aty”-thotë Enmarsh.

Gjuha njihet si “linearja B”, dhe i paraprin alfabetin grek. Ndaj shumica e historianëve ranë dakord se ndoshta ishte një gjuhë krejtësisht e veçantë. Sidoqoftë, deshifruesit që kishin punuar në thyerjen e kodit gjerman “Enigma” gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishin në gjendje që ta deshifronin edhe atë gjuhë, duke supozuar se ajo ishte në fakt një paraardhëse e greqishtes.

Ata analizuan modelet e ndryshimeve, për të parë nëse mund të ofronin të dhëna. Sekuenca të caktuara të simboleve u shfaqën vetëm në pllakat që u gjetën në ishullin e Kretës, por jo në ato të zbuluara në pjesën kontinentale të vendit. Kjo bëri që deshifruesit të supozonin se sekuencat ishin emra vendesh në ishull, gjë që rezultoi të ishte e vërtetë.

Nga ai shembull, ata ishin në gjendje të përkthenin të gjithë tekstin.“ Ai është i vetmi shembull i famshëm i suksesit, përmes përdorimit të kësaj metode”-deklaron Enmarsh. Ndërkohë, ka përpjekje për ta shndërruar përkthimin e gjuhëve të lashta, në një profesion më modern.

Studiuesit në Universitetin Mekuajër  në Australi, bashkëpunuan me ekspertë të kompanisë“Google” për të përdorur inteligjencën artificiale, me synim përshpejtimin e procesit të përkthimit në anglisht dhe arabisht të hieroglifëve të lashta egjiptiane”.

“Ajo që bën mirë kjo makineri, është se njeh ku ka dhe ku nuk ka hieroglife. Kjo gjë nuk është e parëndësishme, pasi do të thotë se makina nuk identifikon vetëm gjuhën që nuk ka kuptim”-thotë Kamila Di Biay-Dajzën, pedagoge në Egjiptologji në Universitetin Mekuajër, e cila ishte e përfshirë në projekt.

“Problemi është se ajo nuk përdoret dot mbi një sasi të madhe të dhënash trajnuese. Që të nxjerrë një foto të një muri të një varri egjiptian, dhe ta përkthejë atë me shpejtësi, makineria do të ketë nevojë për shumë më tepër të dhëna”- thekson ajo.

Tani për tani, pajisje të tillë kërkojnë ende shumë kontribute njerëzore, për tu siguruar që rezultati përfundimtar të jetë një përkthim i besueshëm. Por nëse softueri është i ekspozuar ndaj të dhënave të mjaftueshme të shembujve me tekste të ngjashme, ka të ngjarë që në të ardhmen të mos ketë nevojë për ndihmën e njerëzve. /

Nga Benjamin Plackett; Discover Magazine. / KultPlus.com

Dhjetë strategji për të manipuluar shoqëritë

KultPlus sjell dhjetë strategjitë e manipulimit të shoqërisë, sipas filolozofit dhe historianit amerikan, Noam Chomsky

1. Zhvendosja e vëmendjes

Zhvendosja e vëmendjes prej problemeve të rëndësishme te problemet e parëndësishme. Ta bësh opinionin të merret me valën e informatave të parëndësishme, që njerëzit të mos mendojnë dhe të mos fitojnë njohuritë themelore për të kuptuar botën.

2. Shkaktimi i problemit

Kjo metodë quhet edhe «problemi-reagimi-zgjidhja». Duhet krijuar problemin, në mënyrë që një pjesë e opinionit të reagojë ndaj tij. Për shembull: shkakto dhe bart dhunën me qëllim që opinioni më lehtë të pranojë kufizimin e lirisë, krizën ekonomike ose që të arsyetohet shkatërrimi i shtetit social.

3. Gradualizimi i ndryshimeve

Që opinioni të pranojë një masë të papranueshme, zbatoje hap pas hapi, «me lugë të vogël», me muaj e vite. Ndryshimet që mund të ngjallin kryengritje nëse do të zbatoheshin papritmas dhe në afat të shkurtër kohor, do të zbatohen me politikën e hapave të vegjël. Kësisoj, bota ndryshon me kalimin e kohës, por nuk ngjallë ndërgjegjen mbi ndryshimet.

4. Shtyrja

Një mënyrë tjetër për të përgatitur opinionin për ndryshime jopopullore është që të paralajmërohen shumë më herët, paraprakisht. Kështu njerëzit nuk e ndjejnë menjëherë tërë peshën e ndryshimeve, sepse paraprakisht adaptohen me vetë idenë e ndryshimit. Përveç kësaj edhe «shpresa e përbashkët për të ardhmen më të mirë» lehtëson pranimin e ndryshimit.

5. Përdorimi i gjuhës fëmijërore

Kur të rriturve u flasim si fëmijëve, arrijmë dy efekte të dobishme: opinioni frenon vetëdijen kritike dhe mesazhi ka ndikim ndaj njerëzve. Ky mekanizëm sugjestiv në masë të madhe përdoret edhe me rastin e reklamimit.

6. Ngjallja e emocioneve

Keqpërdorimi i emocioneve është teknikë klasike që përdoret për të shmangur analizën racionale dhe gjykimin logjik. Vetëdijen kritike e zëvendësojnë impulset emotive (mllefi, frika etj.). Përveç kësaj fjalimi emocional i hap rrugë ideologjive, nevojave, frikës dhe tensionit, impulseve dhe mënyrave të veçanta të sjelljes në nënvetëdije.

7. Padituria

Masa nuk duhet të lejohet të jetë e aftë për të dalluar metodat dhe teknikat e kontrollit. Arsimi që i afrohet shtresës së ulët shoqërore, duhet të jetë sa më i thjeshtë që të jetë e mundur në mënyrë që dija më e thellë të mos jetë e kuptueshme për këtë shtresë.

8. Lavdërimi i marrëzisë

Opinioni duhet të nxitet të pranojë mesataren. Është e nevojshme të binden njerëzit se është normale dhe bashkëkohore të jesh budalla, vulgar dhe i paditur. Njëkohësisht duhet ngjallur rezistencë kundër kulturës dhe shkencës.

9. Krijimi i ndjenjës së fajit

Duhet bindur çdo individ se ai vetë është përgjegjës për fatkeqësinë e vet, qoftë për shkak të mungesës së inteligjencës, kompetencës apo përpjekjeve. Ky «sistem» frenon rebelimin e popullsisë, duke i sugjeruar qytetarit se ai vetë është fajtor për të gjitha të këqijat dhe duke ia ulur vetëbesimin. Kjo shpie në depresion dhe bllokadë të veprimit. Pa veprim nuk ka revolucion!

10. Keqpërdorimi i dijes

Zhvillimi i shpejtë i shkencës në 50 vitet e fundit ka krijuar një hendek mes dijes, të cilën e kanë në dispozicion masat e gjëra, dhe dijes që është e rezervuar për një elitë të vogël. Falë biologjisë, neurobiologjisë dhe psikologjisë praktike «sistemi» ka qasje në dijen mbi realitetin njerëzor si në planin fizik ashtu edhe psikik. / KultPlus.com

Jeta përrallore e Sophia Loren në revistën ‘Life’ , në vitin 1964 (FOTO)

Autori i fotografive është Alfred Eisenstaedt.

Gjatë miqësisë së tyre, Eisenstaedt i ka bërë fotografi të panumërta aktores fituese të çmimit Oskar, shumica e të cilave nuk ishin të destinuara për publikim. “Eisie duhet të më ketë bërë mijëra foto, të cilat askush nuk i ka parë ­, ka thënë Loren për revistën LIFE, e cila ka publikuar një seri të portreteve më të mira të Loren të shkrepura nga Eisenstaedt, në periudhën më të bukur të famës së saj botërore.

“Kur kam takuar Eisie”, Loren kujton, “ishte me të vërtetë një dashuri me shikim të parë. Ai u bë hija ime. Por ai kurrë nuk u përpoq të ndërhyjë në jetën time. Jo, ai vetëm vazhdoi të shkrepë dhe të qeshë, dhe ishte i lumtur vetëm të ishte me mua – ashtu si dhe unë që isha me të! Më mungon.

Unë nuk mendoj se Sofia Loren merr kredi të mjaftueshme si një ikonë e ekranit të shekullit XX. Suksesi, bukuria dhe fama mund të rivalizoheshin me legjendat Marilyn Monroe dhe Brigitte Bardot. Ndërsa talenti i Monroe & Bardo ishin të diskutueshme, Sofia Loren ka fituar 50 çmime gjatë karrierës së saj, duke përfshirë një Oskar për aktoren më të mirë grua, një çmim Golden Globe, Grammy Award, BAFTA dhe Laurel Award. Ndryshe nga kolegët e saj, aktoret simbol seksi të ditës që shkuan nga një Playboy në një tjetër, Sofia Loren i’u dha jetës bashkëshortore nga mosha 22 vjeç, producentin e famshëm italian të filmit, Carlo Ponti, jo pak, por deri në vdekjen e tij 50 vjet më vonë. Kur u pyetën nëse ajo do të martohej përsëri, si një romantike e vërtetë ajo u përgjigj: “Jo, kurrë përsëri. Do ta kem të pamundur të dua dikën tjetër “.

Fotot e publikuara janë realizuar në verën e vitit 1964 nga fotografi i revistës LIFE, Alfred Eisenstaedt, i cili ka vizituar Sofia Loren në shtëpinë e saj mahnitëse në periferi të Romë, ku ajo jetonte me bashkëshortin. /  KultPlus.com

Pasqyrë

Poezi nga Blerina Rogova Gaxha

kam pasë po andrra shumë
kam pasë qiej në të cilët kam fluturue
një ditë i mbylla sytë e kur u zgjova
engjëjt m’i kishin marrë
m’i morën përgjithmonë mbi krahët e tyne

ditët e mia kalojnë pritja e ka humbë magjepsjen
po rrnoj tuj mendue mbi kalimin
kam pasë po andrra shumë
po s’pata nji thes ku me i ruejtë

kam pasë një dhomë me pasqyra shumë
para të cilave krihja flokët
dhe isha unë
në çdonjërën nga ato

kam pasë një dhomë me pasqyra shumë
para të cilave isha unë
në secilën nga ato kisha nga një andërr
po engjëjt m’i morën përgjithmonë mbi krahët e tyne

kam pasë gjumin tim
dikush më zgjoi
mos me m’lanë me fjetë ma
një ditë një fëmijë më deshi
isha shumë e lumtun
kjo m’u duk e pabesueshme
kam pasë gjumin tim
dikush më zgjoi pas kaq shumë vitesh
mos me m’lanë me fjetë ma

kam pasë një dhomë me pasqyra shumë
një ditë u afrova e kur u kqyra
pash se isha plakë
dhe nuk isha unë në ndonjërën prej tyne

ah, po prit
a mos isha shndërrue unë në pasqyrë
dhe dikush ja bash tash po shikohet në mua
s’e kap dot
ma e bukur me u këqyrë në pasqyrë
a me qenë pasqyrë
të kesh pasqyrën në xhep
a të jesh pasqyrë në xhep
o ti që mundesh me m’mbajt në xhep
këqyru njiherë në mua dhe më thuaj çfarë po sheh

(thasë, 2020) / KultPlus.com

Fotografia: Lea Sada

Përkujtohet në 141-vjetorin e lindjes atdhetari, Çerçiz Topulli

Si sot, 141 vjet më parë lindi atdhetari dhe veprimtari i shquar i Rilindjes Kombëtare, Çerçiz Topulli.

Mësimet e para Topulli i mori në qytetin e lindjes, në Gjirokastër dhe vazhdoi më tej shkollimin në Janinë. Ai mori pjesë në veprimtarinë e Komitetit të Fshehtë ‘‘Për lirinë e Shqipërisë’’.

Në prill 1907 komandoi çetën e armatosur që vepronte në Shqipërinë e Jugut dhe më 1908 anëtarë të çetës së tij vranë komandantin e xhandarmërisë.

Në janar 1907 gazeta ‘‘Shpresa e Shqipërisë’’ boton thirrjen e tij ‘‘Nga malet e Shqipërisë’’, ku dënonte grabitjen e administratës osmane dhe bënte thirrje për shkëputje nga Perandoria me anë të kryengritjes së armatosur.

Pas fitores së revolucionit xhonturk të 1908 punoi për formimin e klubeve shqiptare dhe për hapjen e shkollave shqipe në vise të ndryshme të vendit. Pas Shpalljes së Pavarësisë u vu në shërbim të qeverisë së Vlorës ku luftoi për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit.

Më 15 korrik u pushkatua në Shkodër nga forcat malazeze.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkvave të Shqipërisë përkujton Çerçiz Topullin duke publikuar një foto të tij, si dhe një foto të monumentit kushtuar Topullit që u vendos më 18 mars 1934 në Gjirokastër, i realizuar nga skulptori Odhise Paskali. / KultPlus.com

RuPaul bën histori në ndarjen e çmimeve ‘Emmy Awards’

Në mbrëmjen e djeshme është mbajtur edicioni i 73-të i “Emmy Awards”, në Los Angeles. Ishte figura legjendare e televizionit, RuPaul Charles bëri histori në ndarjen e çmimeve “Emmy Awards”, duke u bërë personi më i shpërblyer me ngjyrë në historinë e shfaqjes me gjithsej 11 fitore, shkruan CNN, përcjell KultPlus.

Çmimi i fundit erdhi për sezonin e 13 -të të “RuPaul’s Drag Race”, i cili mori çmimin për programin më të mirë. Ndërkaq, në një pronocim për “LA Times” para ceremonisë së ndarjes së çmimeve, producenti tha se mundësia për të bërë histori ishte kuptimplotë.

“Unë kam të gjitha plagët për t’ju treguar nga një karrierë në biznesin e shfaqjes. Në fakt, unë u ngjita në skenë, herën e parë për para, në 1982 dhe e kam bërë atë që atëherë. Ka qenë një rrugë e gjatë, e vështirë, por unë kam shijuar çdo minutë të saj”, u shpreh RuPaul, përcjell tutje KultPlus.

Gjashtë nga fitoret e RuPaul ishin si nikoqir për një “Show” ose programe garues, më i fundit prej të cilëve u fitua fundjavën e kaluar në “Creative Arts Emmys”.

Në fjalimin e tij të pranimit të çmimit, RuPaul falënderoi ata që shkojnë në shfaqjen e tyre dhe ndajnë historitë e tyre të guximshme. / KultPlus.com

Prej muzikës në kompleksin e të qenit, shqiptar

Ballsor Hoxha

I

“Igrale se delije!” – gjurma e pashlyeshme e çorodisë serbe, apo shqiptare?

Apo është vetëm Ballkani!

Ballsor Hoxha

Kur flasim për muzikë, shqiptare, apo serbe, e ballkanase, a flasim për muzikë turke në të vërtetë, apo kjo edhe mund të dallohet në kombësi të veçanta? A ka muzikë shqipe? Serbe? Qoftë edhe turke? Në fund, duke kaluar përtej muzikës, çka është kultura? Ndalesë, apo kompleks më i lartë i njeriut?

Në anën tjetër, ne vazhdimisht thirremi në të vërtetën. Si shqiptarët nga Kosova, serbët, e shqiptarët në Shqipëri. Por sa i përket të të vërtetës, është një paradoks, duke qenë se edhe e vërteta, qoftë edhe më e thjeshta, është padrejtësi! Në fund është zgjedhje, dhe qëllim!

Nëse – tash – është jeta jonë, si mund të jetë ajo jashtë të shkuarës. Thënë saktë, nëse ka një tash, apo për të hapur fenomenin në diskutim: nëse ka një Bregoviq sot dhe tash, ku ishim ne? Ku ishte e tashmja jonë në ish – Jugosllavi? Ngjanë edhe banalitet kjo pyetje, por edhe është pak e komplikuar, por ta shohim me një pyetje tjetër: çka ka ndodhur me Bregoviqët tanë nga e shkuara – tash -?

Nëse një herë Bregoviq, dhe miku i tij i ngushtë Kusturica, ishin yje të konsumit tonë kulturor, qoftë të imponuar, të kufizuar, apo edhe të zgjedhur, çka ka ndodhur me po të njëjtit në ne? Nëse – tash – është jeta jonë, ne në këtë të njëjtën jetë bartim edhe Bregoviqët dhe Kusturicat e të kaluarës. Aq më shumë jemi të ndërtuar dhe të formësuar nga shprehjet e tyre! Dhe, për t’u kthyer në fillim, në (padrejtësinë) e të vërtetës sonë, urrejtja, injorimi, dhe në fund edhe pëlqimi i Bregoviq janë zgjedhje e jona, dhe është qëllim i joni!

Tash, apo thënë shumë më saktë prezenca që e ndërtojmë – tash – është degjenerim i të shkuarës, është vetë e shkuara. Është kompleks i të shkuarës, apo thënë më saktë i të shkuarave.

Igrale se delije, na sred zemlje Srbije” (kishin luajtur delitë në mes të vendit të Serbisë!)!

Pra, a jemi tradhtarë, a jemi të depersonalizuar, a jemi patriotë në padrejtësinë e të vërtetës sonë? Apo jemi thjeshtë hipokritë? Mohojmë jo vetëm shijet tona të të shkuarës, apo qoftë edhe imponimet e të shkuarës, e edhe refuzimet (estetike, patriotike) dhe – përkatësinë – tonë.

Para se të shpallet tradhtia këtu, të pyetemi, a janë Korça dhe Organizatorët e saj bashkë me Edi Ramën, tërësisht të depersonalizuar? Apo drejtësia (lexo: padrejtësia) e të vërtetës sonë është e nxënë brenda qëllimeve tona?

“Igrale se delije, na sred zemlje Srbije!”

Për të përfunduar këtë hyrje, le të marrim në konsideratë: çka do të thotë Madhërimi i Enver Hoxhës ndër të shumtën e Kosovarëve? Apo thënë saktë, çka do të thotë kjo për Shqiptarët e Shqipërisë?

Filmi “Underground” dhe Emir Kusturica (zona e shpirtit modern serb)

Përsëritja e problemit të magjepsjes së një mase të shqiptarëve të Shqipërisë me muzikën serbe, dhe aq më shumë mungesa dhe dialogu ndërmjet nesh për këtë, janë fenomen që ka krijuar dhembje nga keqkuptimi, por jo vetëm në elitat dhe në “të informuarit”, aq më shumë kjo ka goditur masat e gjera. Aq më shumë ky fenomen duke qenë kompleks i thellë është shumë vështirë të shpjegohet thjeshtë dhe për të gjithë!

Magjepsja e një mase të shqiptarëve në Shqipëri me Goran Bregoviq dhe me muzikën e tij, është kompleks gjithëkombëtar, dhe aq më shumë fenomen (jo problem) tejet i thellë, jo vetëm i shqiptarëve, si në Kosovë dhe po ashtu edhe në Shqipëri. Është kompleks edhe për serbët (paradoksalisht, dhe në ironi, vetë koncerti i Bregoviq në Shqipëri është problem edhe për serbët, për arsyen banale se një personalitet i madh i kulturës së tyre bën muzikë në Shqipëri!).

Por le të marrim në konsideratë tërë stratan e këtij fenomeni. Muzika e Bregoviq, është thellësisht e ndërlidhur me filmin dhe aq më shumë me shpirtëroren dhe artistiken serbe.

Dhe ka një gjë tejet interesante në këtë mes duke marrë shembull filmin serb. Kur vjen fjala tek serbët dhe filmi i tyre, dhe më ekzakt filmin  e Kusturicës, shqiptarët kosovar e shohin një gjë krejtësisht traumatike. Dhe atë jo vetëm në kuptimin e ngushtë të saj – të luftës që kemi pasur, por aq më shumë në – shthurjen serbe – përtej kulturores! Por përtej apo prapa, në çka? Ose, le ta përgjithësojmë duke pyetur: çka është natyra (lexo: e egra), e çka është kulturorja? Apo ku është dallimi mes tyre?

Është pikërisht këtu ku edhe mëton filmi serb, filmi i Kusturicës, filmi i shthurur! Në këtë dhembje të kësaj ndalese që quhet kulturë. (Dhe kjo bazuar në teorinë e Jacques Derrida, shih Writing and Difference dhe Of Gramatology të tij;  dhe Derrida duke cituar Claude Levi Strauss: se kultura fillon me ndalimin e natyrores! Apo thënë saktë me ndalimin e incestit! Kjo duke krijuar tërë dhembjen, paradoksin, vuajtjen dhe kulturën e njeriut, duke qenë se edhe incesti e edhe e natyrshmja janë universale! Derisa kultura është një Publike, shpikje e njerëzimit!). Dhe, më tutje, çka ka të bëjë kjo me filmin e Kusturicës, filmin Undeground të tij, dhe aq më shumë me Goran Bregoviqin, shqiptarët e Shqipërisë, dhe të Kosovës?

Le të kthehemi edhe një herë tek – shthurja – që mëtohet dhe që kërkohet në filmin e Kusturicës. Ajo në regjinë e tij gjithnjë reprezantohet si dhembje, si ambivalente dhe si konflikt ndërmjet njeriut të kulturuar dhe njeriut sipas natyrës, si – serb. Serbi është i reprezantuar si njeri i nxënë brenda konfliktit të njeriut, ndërmjet instinktit, dhe të kulturores. Kjo është e prerë, aq më shumë, në disa shenja të filmit të Kusturicës: 1. Në reprezantimin e gjithhershëm të – seksit – si urrejtje, si luftë, dhe saktësisht si hakmarrje (shih “Babai në udhëtim zyrtar”; “A të kujtohet Doli Bell”; “Uderground”, etj); 2. Përmes ‘zonimit’ të përmbajtjes së filmit brenda kufirit të të neveritshmes dhe brutales, të “jetës së rëndë – serbe”; 3. Në mënyrë direkte duke reprezantuar vështirësinë e të qenit – serb – përmes “kujdesit” ndaj romëve dhe transferencës dhe kundër transferencës së simbolikës së jetës së tyre në vetë serbët; dhe 4. Muzika e cila më së qarti reprezenton degjenerimin artistik, shthurjen dhe – çarjen – (postmoderniste të nisur nga Derrida, të prezentes – aktuales), në burimoren (origjinaren) e saj. Që do të thotë – çarjen – e masave muzikore në “natyroren” serbe/ballkanase, si burim, dhe aq më shumë si interpretim vetanak.

Idologija i religija se bavi sirotinjama, ja sebi sudim” (ideologjia dhe religjioni merren me të varfrit, unë i gjykoj vetë vetes!)  – thotë aktori Pavle Vuijsiq në filmin e Kusturicës “A të kujtohet Doli Bell”.

Kjo fjali është ekzakt sjellja, kognicioni kombëtar dhe gjykimi serb, jo vetëm ndaj të tjerëve por sidomos ndaj vetes.

Por, nga vjen argumenti, drejtësia dhe gjykimi – serb?

Në filmin “Underground” të Kusturicës, i cili është përpjekje qoftë në dëshpërim e qoftë në të qenit i bindur deri në ekstrem, në të drejtën – serbe –, por edhe në fajin dhe aq më shumë pafajsinë – serbe, argumenti i këtij faji dhe pafajësie serbe është i ndërtuar përkrah Fajtorit të Vetëm – Fashistëve Gjerman. Apo siç thuhet në serbishte të “dezurni krivac” (fajtori kujdestar)! Në këtë film, në të vërtetë e tërë fajësia serbe është një traumë e ardhur nga fashistët! Por, kjo është ekzakt – narcizmi i viktimës. Narcizmi ballkanik i viktimës, dhe narcizmi i viktimës si argument për “t’i gjykuar vetë dhe vetëm, vetes”!

Ky narcizëm i viktimës i shprehur në Serbët dhe në të gjithë Ballkanin është pikërisht e drejta për të qenë ‘ndryshe’, qoftë si shqiptar, e qoftë si serb. E drejta për çdo gjë, në të vërtetë. Dhe atë gjithherë përballë fajtorit kujdestar. Përballë pafajësisë derisa ka një fajtor në të përhershmen. Qoftë Turqia, Fashistët, serbët, apo edhe vetë shqiptarët.

II

Goran Bregovic – përkujtues i sindromit tonë të Stokholmit, apo artist (dhe edhe patriot i kombit të tij)

Çka është muzika e Bregoviq? Serbe? Rome? Apo është paradoksi (aporia) e asaj që reprezanton prezentja? (kjo e fundit duke iu referuar fillimit të këtij punimi rreth të asaj që u cek si – tash -). Ajo është rrënjësisht e dy burimeve tërësisht paradokslale, apo thënë saktë asimilim i muzikës turke në skemën rome, e cila më tutje kalon në asimilim të këtij artisti.

Apo, të shtrojmë këtë problem më ndryshe: a është muzika e popujve të Ballkanit një dhe e vetmja: muzikë me burim në turke? Apo është brikolazh i shprehjes dhe shpirtit Ballkanas në pandashmërinë e kulturores dhe të ndër-kulturores së Ballkanit?

Kolektivi, populli e shoqëria që është pre e narcizmit të viktimës, e që janë prej sllovenëve e deri tek ne shqiptarët (duke përfshirë të gjitha viktimat e ‘pandashmërisë së Ballkanit’, pra edhe bullgarët e grekët), u tha se gjithherë mirëmban një fajtor kujdestarë (siç e thonë vetë serbët), dhe në këtë të drejtën për t’i gjykuar vetë vetes. I tërë shpirti dhe vetëdija e tij/saj është ajo që në psikologji njihet si borderline disorder, e më tutje në psikopati, etj.

Kur viktima, qoftë si kolektiv, apo si individ, nuk arrin të tejkalojë ritualin e sulmuesit (perpetrator nga anglishtja), ajo përbrendëson ritualin e dhunuesit dhe me këtë luan vetë dhunuesin në jetën e saj. Dhe nuk ka shembull më ekzakt i po të njëjtës që u tha se vetë një nga këngët më të rëndësishme serbe, këngë patriotike dhe historike serbe “Igrale se delije”:

Igrale se delije (kishin luajtur delitë!) në mes tokës së Serbisë! Etj

Por ajo që do të thotë në të vërtetë kjo fjali, është se “kishin vallëzuar”, apo që “kishin hedhur valle delitë”. Së pari është e qartë se delitë kanë qenë turma ushtarësh, e që nuk është me rëndësi këtu (gjë që është një prej komplekseve më të thella dhe më të mëdha në vetëdijen dhe kulturën serbe e gjë që edhe ashtu është një prej debateve më të mëdha serbe). Në të vërtetë kjo është gjurma ekzakte (derridiane dhe freudiane), e shpirtërores, apo psikës serbe të ndërtuar bashkë me dhunën e përjetuar, ndër-kulturoren, dhe me ngadhënjimin serb ndaj skllavërisë prej otomanëve. Më tutje, aq është e thjeshtë, sa që duket banale, shprehja “igrale” (kishin luajtur, luan, luaj etj), për shprehjen kishin vallëzuar, që përdoret tek të gjithë popujt e Ballkanit e që vjen pikërisht nga Otomanët. Dhe në fund, konflikti, aporia, e shpalljes së “pavarësisë”, “trimërisë”, dhe të shpirtit/psikës serbe me pikërisht një prej turmave më të liga të ushtrisë otomane (në të vërtetë kjo është edhe më ekzakte në sjelljen e ushtrisë serbe në luftërat e fundit, duke qenë se delitë kanë qenë të njohur për kallje dhe përzënie të popujve e shoqërive në ushtrinë otomane, apo ka qenë urdhri dhe detyra e tyre!).

Prej këtu, le t’i kthehemi muzikës së Goran Bregoviq, për të dalë në konfliktin dhe kompleksin shqiptarë ndaj serbes dhe asaj që reprezanton shpirti serb.

Të gjitha masat dhe dromcat të cilat shprehen në këtë muzikë dhe prej kësaj muzike janë po e njëjta filozofi, teknikë dhe aq më shumë interpretim i kulturës, sikur edhe filmi i Kusturicës. Është degjenerim “artistik” dhe “ e drejtë për t’i gjykuar vetes”, apo thënë thjeshtë asimilim i të jashtmes së kolektivit të tyre në interpretimin e huazuar turk dhe romë, në serben. (Në të vërtetë Kusturica, Bregoviq e personalitete të njohura të ish – Jugosllavisë kanë qenë në të njëjtën shkollë shtetërore!).

Muzika e Bregoviq, në zhanrin dhe profilin e saj është krejtësisht e zakonshme (shih për këtë vetë bashkëpunëtoren e saj turke Sezen Aksu; apo edhe vetë këtë zhanër, përafërsisht, të muzikës shqipe si Kapsamun; Eda Zari; e sigurisht edhe Elina Duni. Apo, për më shumë e për më Underground të vërtetë shih muzikën e kosovarit rom …???)).

Ajo që është e rëndësishme dhe e theksuar në muzikën e Bregoviq është pikërisht ‘spektakli’ i asaj që u nominua si ‘borderline’, vetë degjenerimit, apo edhe më tutje, spektakli i asimilimit të të jashtmes në serben. Asimilimi si degjenerim! Degjenerimi si spektakël!

Dhe, është pikërisht kjo që e përndezë, e atashon, dhe e kapë në ‘zgrip’ dëgjuesin, jo vetëm atë serb, por edhe ata ballkanas në përgjithësi – spektakli i degjenerimit.

Por ky spektakël, në të vërtetë është pikërisht – çarja -, shpërthimi tutje, apo prapa në të – egrën – (natyrën), tej kulturores. Dhe atë në degjenerim. Është sikur shpërthim tej ndalesës së incestit, apo për të qenë më i butë, sikur shpërthim tej ndalesës së kulturës dhe të asaj që tashmë është përkufizuar si – humane -.

Edhe shqiptarët janë – serbë! Apo edhe shqiptarët dinë të ‘degjenerohen’ – Përfundim

Çka do të thotë kjo tradhti?! Thotë, në tërë këtë paradoks, se edhe shqiptarët festojnë! Festojnë pikërisht si duan dhe atë që duan të festojnë. Qoftë këtë – çarje – degjenerim të të shkuarës në të tashmen bregoviqiane; apo këtë shprehje të brikolazhuar (në kuptimin e saj të parë, pra nga Claud Levi Strauss) në një shpirt të uzurpuar nga romët e Ballkanit në serbe.

Ata festojnë, përpos tjerash, pikërisht edhe narcizmin e tyre, narcizmin e tyre të të qenit viktimë. Dhe të viktimizuar. Qoftë në Kosovë dhe qoftë në Shqipëri. Në të parën si urrejtje, dhe në Shqipëri si festë, dhe depersonalizim ndoshta (sigurisht jo në totalitetin e këtyre shoqërive!).

Edhe urrejtja është festë! E këtë e dëshmon Ballkani më së miri. E dëshmon në të ushqyerit e saj, dhe aq më shumë në mirëmbajtjen e saj.

Apo, aq më keq dhembjen. E festojmë dhembjen!

Apo, edhe më keq, e harrojmë atë! Apo turpin e kësaj e hamë me bukë e me birrë! (siç thotë populli!)./ KultPlus.com