Cineplexx Prizren sjell një super-ofertë për Valentine’s Day me filmin Marry Me

Cineplexx Prizren sjellë eventin Valentine’s Day për të gjithë të dashuruarit me romancën/komedinë Marry Me ku vetëm për 10€ mund të merrni dy bileta për filmin Marry Me, 2 pije dhe një pako të madhe me Popcorn.

Eventi fillon nga ora 18:00 ku filmi i shumë pritur nga aktorja dhe këngëtarja Jennifer Lopez, “Marry Me” do të shfaqet në 8 orare dhe përveç super-ofertës ku përfshihen biletat dhe një meny për çift, do të ketë edhe photobooth me foto të printuara FALAS për të gjithë të pranishmit.

Ngjarja e filmit zhvillohet rreth yllit të muzikës, Kat Valdez (J.LO) e cila bashkë me Bastian (Maluma) do të martoheshin drejtpërdrejtë përpara një audience botërore fansash. Por kur Kat mëson shumë pak sekonda para premtimeve të saj, se Bastian e ka tradhëtuar, ajo vendos të martohet me Charlien (Owen Wilson), një të panjohur prej publikut. Ndërsa rrethanat komplikohen për çiftin e porsamartuar, ata duhet te vendosin nëse dy njerëz nga bota kaq të ndryshme mund ta gjejnë dashurinë e vërtetë së bashku.

Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx, ndërsa biletat mund t’i bleni përmes aplikacionit Cineplexx KS apo direkt në kinema prej orës 15:00. /KultPlus.com

Dramaturgia serbe përplaset me Vuçiqin: Kosova është shtet i pavarur dhe Serbia duhet ta njohë (VIDEO)

Dramaturgia Biljana Srbljanoviq ia ka thënë Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq se Kosova është shtet i pavarur që Serbia duhet ta njohë.

Srbljanoviq dhe Vuçiq janë përplasur në një emision televiziv për gjenocidin e Srebrenicës dhe Pavarësinë e Kosovës.

Si rëndom, Vuçiq tha edhe në këtë emision se Serbia nuk duhet ta njohë Pavarësinë e Kosovës.

Aty është folur edhe për Srebrenicën, teksa dramaturgia është shprehur se gjenocidi në Srebrenicë ishte një plagë e pashëruar në Serbi.

Gjithashtu është shprehur se ndjen keqardhje që filmi “Quo Vadis, Aida?” nuk shfaqet në këtë vend.

Video është shpërndarë në rrjetin social Tik Tok: /KultPlus.com

https://www.tiktok.com/@lulzimasllani2/video/7064282870717631749?is_copy_url=1&is_from_webapp=v1&refer=embed&referer_video_id=7064282870717631749

Dy artistët Faruk Begolli dhe Bekim Fehmiu lanë gjurmë për të mos u harruar kurrë

Faruk Begolli dhe Bekim Fehmiu edhe pas kaq vitesh vazhdojnë të jenë figura të vlefshme në artin skenik shqiptar dhe jo vetëm, shkruan KultPlus.

Bota e artit me këta dy artistë mori kthesë të madhe, duke i bërë kështu gjurmët e tyre të pashlyeshmë në këtë botë aq të veçantë.

Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë.

Është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit që ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ndër rolet më të njohura janë “Prova speciale”, “Odissea”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, të cilat përmenden si kryevepra.

Fehmiu ka bashkëpunuar me emra të njohur të kinematografisë botërore si John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Shou, Dirk Bogart, Irene Papas e të tjerë. Në rolet e tij, Fehmiu ka interpretuar në disa gjuhë.

Ndërkaq, si një ndër aktorët më të famshëm shqiptar nga Kosova në Jugosllavi, Begolli studioi në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd ku diplomoi në vitin 1966.

Ai është bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës. Në vitet e 90-ta ka bashkëthemeluar Teatrin “Dodona” në Prishtinë.

Faruk Begolli ka luajtur në më shumë se 60 filma, duke filluar me ‘Pogled u Zenicu Sunca’ (1966), për të bashkëpunuar pastaj me regjisorin Purisa Dordevic në filmat e tij ‘Podne’ (Mesditë), ‘Jutro’ (Mëngjesi) dhe ‘San’ (Ëndrra).

Rolet e tij të spikatura përfshijnë ‘Bitka na Neretvi’, ‘Cuvar plaze u zimskom periodu’ dhe Dervis i Smrt (Dervishi dhe Vdekja), si dhe rrolet në filmat e njohur Kosovar të viteve të 70ta dhe 80ta si ‘Kur pranvera vonohet’ (1980), ‘Era dhe Lisi’ (1979), ‘Të Ngujuarit’ (1972), ‘Si të vdiset’ (1972), ‘Proka’ (1984) etj.

KultPlus ju sjell një video kur Bekim Fehmiu e intervistonte Faruk Begollin, një intervistë kjo që e emocionon shumë këtë të fundit, teksa shprehet: Isha i përgatitur për këtë intervistë, por jam shumë i emocionuar që po intervistohem nga një artist siç është Bekimi, thotë ndër të tjera Begolli. / KultPlus.com

Ambasada amerikane bën thirrje për vaksinim: Në këtë ditë të Shën Valentinit, tregohuni se jeni të kujdesshëm për familjet tuaja

Ambasada e Amerikës në Kosovë u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, për t’u mbrojtur nga virusi COVID-19, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Ambasada Amerikane ka thënë në këtë festë të Shën Valentinit, tregojuni familjes tuaj se jeni të kujdesshëm.

“Javën e kaluar SHBA-të dhuruan edhe mbi 500 mijë vaksina për të mbrojtur kosovarët. Tani ka mënyra të reja, të përshtatshme për të marrë vaksinën tuaj. Këtë festë të Shën Valentinit, tregojuni familjes tuaj se jeni të kujdesshëm duke iu drejtuar klinikës mobile në sheshin Zahir Pajaziti. Kjo mënyrë e re e përshtatshme dhe e lehtë për të marrë vaksinën është falë USAID-it në Kosovë, Programit të Unicef-it në Kosovë në partneritet me Ministrinë e Shëndetësisë”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti po vazhdojnë të bëjnë apel te qytetarët për t’u vaksinuar, derisa kanë falënderuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për doancionin e tyre të fundit. /KultPlus.com

Histori e veçantë dashurie, kaluan 71 vite të martuar dhe vdiqën në të njëjtën ditë

Bashkëshortët Herbert dhe Marilyn Frances DeLaigle, të cilët së bashku i kaluan 71 vjet të martuar, vdiqën në të njëjtën ditë, në një hapësirë kohore prej 12 orësh.

Herbert dhe Marilyn u martuan gjatë të dyzetave dhe e kaluan shumicën e jetës së tyre me gjashtë fëmijët e tyre në Georgia të Shteteve të Bashkuara.

Siç tha familja e tyre, Herberti 94-vjeçar vdiq i pari rreth dy orë pas mesnate, ndërsa bashkëshortja e tij, 88-vjeçarja Marilyn vdiq 12 orë më vonë.

Image

Historia e tyre e dashurisë filloi në një kafene në Waynesboro të Virginias. Marilyn atëherë ishte 16 vjeç dhe punonte si kameriere, ndërsa Herbert ishte 22-vjeçar dhe nuk mund t’i largonte sytë prej saj.

“E shikoja vazhdimisht se si hynte dhe dilte prej kafenesë. Nuk i largoja dot sytë prej saj. M’u desh shumë kohë që ta mblidhja guximin dhe ta pyesja nëse donte të dilte ndonjëherë me mua”, tha Herbert vitin e kaluar me rastin e përvjetorit të tyre të 70-të të martesës, shkruan KOHA Ditore.

Herën e parë, siç thanë ata, shkuan në kinema, ndërsa një vit më vonë u martuan.

Image

“Ai ishte gjithmonë i qetë, i durueshëm dhe plot me dashuri”, tha Marlyn.

Çifti ka jetuar gjashtë vjet në Gjermani derisa Herbert shërbente në ushtri atje, dhe pastaj shpesh i ndryshuan adresat gjatë shërbimit të tij 20-vjeçar, thuhet në njoftimin e vdekjes.

Marilyn ishte udhëheqëse e skautëve, pronare e një lulishteje dhe adhuruese e madhe e kafshëve. Fëmijët e saj e përshkruajnë atë si një nënë jashtëzakonisht të përkushtuar, e cila e dha maksimumin kur babai i tyre mungonte madje edhe për disa muaj.

Nga ana tjetër, Herbert i adhuronte peshkimin, zdrukthëtarinë dhe punën në fermë.

Ata lanë pas vetes gjashtë fëmijë, 16 nipër e mbesa, 25 stërnipër e stërmbesa dhe tre stër-stërnipër e stër-stërmbesa. / KultPlus.com

Premiera e filmit ”Rockumentary 90” shfaqet sonte në Kinemanë Armata

Sonte në Kinemanë Armata do të shfaqet premiera e filmit dokumentar ”Rockumentary 90”, shkruan KultPlus.

Dokumentari me regji të Ismet Sijarinës, trajton zhvillimet socio-kulturore përgjatë viteve të 90-ta, përmes Rok muzikës. Respektivisht, bendit të famshëm prishtinas “Purgatory”.

Purgatori u themelua në vitin 1992, me iniciativë të kitaristit të bendit, Valon Gashi dhe Veton Nushit. Në fillet e vëta, Purgatori përbëhëj nga: Valon Gashi – kitarë, Veton Nushi – keyboard, Faton Kika  – vokal, Faton Lahaj – bas kitarë dhe Visar Rexha – bateri.

Kino Armata ka njoftuar se hyrja do të jetë falas, mirëpo kapaciteti i lejuar i personave është 150. /KultPlus.com

Edicioni i 12-të i orës letrare ‘Pavarësia’ mbahet më 16 shkurt, ndahen edhe çmimet vjetore

Unioni i shkrimtarëve dhe i kritikëve shqiptarë organizion edicionin e 12-të të Orës letrare “Pavarësia” në Prishtinë, me ç’rast do të bëhet edhe ndarja e çmimeve vjetore më 16 shkurt 2022 në ora 14:00 në bibliotekën kombëtare “Pjetër Bogdani”, shkruan KultPlus.

Unioni i Shkrimtarëve për të dymbëdhjetën herë me radhë e organizon orën letrare Pavarësia dhe ndarjën e çmimeve vjetore për veprën më të mirë si dhe të personalitetëve që kontribuan në fushën e kulturës.

Në këtë ngjarje kulturore janë të ftuar poetë/e shkrimtarë/re nga: Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe nga diaspora.

Krijuesit janë bartësit e tërë peshës kombëtare, të cilët permes vargjeve i kanë shprehur sentimentet e tyre politike kundër çdo okupatori dhe çdo padrejtësie qoftë nga sistemi , qoftë nga klanet e ndryshme të sistemit. Krijuesit janë pjesa më e zgjuar e vetëdijes kombëtare.

Krijuesit gjithnjë ishin në shënjestër të sunduesve. Krijuesit janë predikues të së ardhmës së fatit të popullit dhe udhërrefues të lirisë. /KultPlus.com

Faruk Begolli, një ndër figurat më të ndritura të kinematografisë

Me talentin e tij ai shkriu role të mëdha për të mbetur kështu një ndër figurat më të ndritura të kinematografisë shqiptare. Figura e tij prej një djali tërheqës dhe plot sharm, ka bërë që ai ende të mbetet një ndër figurat më të dashura të artit shqiptar.

Shumë nga fotografitë e tij, qoftë ato të ndara nga rolet e tij të shumta, apo fotografi të rastit, janë ende shumë të pëlqyera nga publiku që e deshi fort.

Faruk Begolli (1944-2007). Aktor, regjisor, pedagog. Lindi ne Peje, me 14 shkurt, nga nje familje bejleresh te pasur dhe me emer ne Kosove (i ati, Sefedini, ishte nga njerezit me te kamur te Pejes, antikomunist, ndersa e ema ishte bija e Jashar Pashes, mbesa e patriotit te njohur Haxhi Zeka).

Pas kryerjes se dy viteve per ekonomi ne Universitetin e Beogradit, ishte aktori Istref Begolli*, i afermi i tij, qe e rekomandoi te konkurronte per aktrim ne Akademine e Arteve po ne Beograd, me 1962, ku fitoi nder 1.000 aplikante. U martua me Zoja Bokoviqin, balerine profesioniste ne teatrin Narodno Pozoriste dhe bashkejetoi me te 17 vjet. Edhe pas ndarjes, ajo mbajti mbiemrin Begolli, ne respekt te ish-bashkeshortit.

F. Begolli eshte nder aktoret me me emer ne ish-Jugosllavi, duke u kthyer ne nje embleme te filmave te kohes, posacerisht ne krijimin e portretit te adhuruar te luftetarit dhe heroit vetemohues gjate Luftes II Boterore.

E nisi udhen si aktor filmi qysh student me rolin e nje te semuri me tifo ne filmin Shikimi ne bebezen e syrit, 1966. Filmi qe do t’i sillte popullaritet ne tere Jugosllavine ishte Dashuria e pare. Me pas luajti role kryesore ne filmat Proka, I3 Korrik, Perroi vershues, E dashura Irene, Dashuria e pare, Buka, FatetRuajtesi i plazhit ne kohe dimri, Pavle Pavlovic, Valteri mbron Sarejeven, Beteja e NervetesUka i Bjeshkeve te Nemuna, Sulmi i kuq, Vite te veshtiraGjurmetEra dhe lisi, Kur pranvera vonohet, Etjet e Kosoves.

Roli i fundit qe luajti ne kinematografi ishte ai te filmi Etjet e Kosoves (2006), me te cilin u nderua edhe me cmimin e “Aktorit me te mire” ne Festivalin e Filmit ne Tirane.

Ka luajtur ne mbi 70 filma e drama televizive, me metrazhe e ne zhanre te ndryshme, rendom ne rolet kryesore, duke u bere nje nder aktoret me te popullarizuar ne ish-Jugosllavi, ikone adhurimi per fansat e shumte, per te cilin derdheshin lot ne fund te filmit, kur zakonisht edhe heroi qe luante vritej heroikisht.

Nje jete prej artisti dhe bohemi, me nje portret terheqes, me sharme dhe sy te bukur, fotozhenik, spontan, i brishte e plot hir, ai krijoi modelin romantik te heroit, rendom edhe te njeriut qe luante e sillej lirisht ne peripecite e jetes prej aventurieri. Per nje kohe F. Begolli ka drejtuar edhe shoqaten e Artisteve te Filmit ne Jugosllavi.

Eshte radhitur nder 100 personalitetet me te shquara te artit ne Serbi. Ka fituar cmimet e “Aktorit me te mire” per rolet ne filmat Si te vdiset, 1972, Dashuria e Bjeshkeve te Nemuna, 1998, Etjet e Kosoves, 2007.

Per gati 10 vjet ka qene drejtor i teatrit “Dodona”* ne Prishtine, ku ka bere regjine e mbi 20 shfaqjeve. Eshte themelues i deges se Aktrimit ne Fakultetin e Arteve te Universitetit te Prishtines me 1989, duke dhene nje ndihmese te pazevendesueshme ne rritjen dhe ecurine e ketij fakulteti. Me aftesite e tij pedagogjike u be nder profesoret e aktrimit qe implemetoi metodologji universitare te frytshme e bashkekohore.

F. Begolli ishte po ashtu nje aktor imponues ne teater. E nisi udhen qysh me shfaqjen e komedise Makaronat e shejtanit, dhe gjate viteve te studimit ne Beograd do te luante, nder te tjera, Rozenkracin te Hamleti e Shekspirit. Ndersa ne Kosove spikati ne kino-shfaqjen Ah Xho e Beketit, regjisor Isa Qosja*, Nje varr per Boris Davidovicin (1985) e Danilo Kish me regji te Agim Sopit*, Confiteor (1985) te Slobodan Shnajderit me regji te Vladimir Milcinit, Dervishi dhe vdekja (1986) e Mesha Selimovicit, Bregu i pikellimit (1987) e Teki Dervishit*.

Ne teatrin “Dodona” do te inicionte si regjisor shfaqjen Profesor… jam talent se jo mahi, ne 8 premiera, gjate fundviteve ’90 dhe fill pas clirimit te Kosoves nga forcat e Nato-s me 1999.

E konceptuar brenda nje strukture unike, ky serial teatror ishte nje nga arritjet me te spikatura te skenes kosovare per kohen, me numrin me te madh te shfaqjeve ne te gjithe teatrot e Kosoves. Me ironi, satire, shpoti, por here-here edhe me dramacitet, ndpermjet kesaj serie shfaqjesh F. Begoli beri prerje interesante dhe me shume guxim e sfide ndaj dukurive e tipave te kohes, shogeruar nga nje kritike e forte, por ne thelb sheruese.

Permbi 10 vjet, ne vitet e veshtira te pushtimit serb, e shnderroi teatrin “Dodona* te Prishtines ne nje vater artistike eksperimentale dhe universitare, duke bere regjine e disa shfagjeve, kryesisht me studentet e tij, si: Tregimi zoologiik e Eduard Albi, Kengetaria tullace e Eugjen Joneskos, Heronjte e kombit e Y. Shkrelit, Dashurite e Xhorxhi Uashingtonit e Mirko Gavranit, Hajnat nuk vijne gjithmone per te keq e Dario Fo-se, si dhe komedite Stjuardesat, Zoti kryetar, nje gote ex per sex, Mbytma burrin! etj.

Ne vitin 2006, pas gati 15 vjet mungese ne skene, luajti Lirin te tragjedia Mbreti Lir e Shekspirit ne Teatrin Kombetar te Prishtines*, regjisor Fadil Hysaj*. Ky rol eshte nje nga emblemat e aktrimit te tij. F. Begolli risolli nje loje te shkelqyer, mbushur me emocione dhe spontaneitet, duke i dhene fryme dimensionit te trifishte te Lirit si mbret-baba-njeri, ne vertikalen e renies nga luksi dhe pushteti abuziv autoritar ne mjerimin e njeriut te braktisur qe vuan dhe vajton mosperfilljen e vajzave tinezare.

Me kete figure, ai i dha forme anes sublime te aktrimit te vet, i cili bie ne sy kryeherit per sinqeritet te thella e carmatoses, por edhe per vrullime pasionesh rrembyese, ekstaza dhe deliriume te perndezura, deri te skajta; ishte rol qe i pershtatej se vete jetes dhe karakterit te tij, i fundit rol dhe sigurisht me i madhi ne karrieren teatrore. Mban titullin Profesor. Vdiq ne Prishtine, me 23 gusht 2007.

Burimi: Aktoret Shqiptare / KultPlus.com

Jeta artistike e Faruk Begollit përmes 15 fotografive (FOTO)

Artistët e vërtetë nuk vdesin kurrë. I tillë është aktori Faruk Begolli.

Me talentin e tij ai shkriu role të mëdha për të mbetur kështu një ndër figurat më të ndritura të kinematografisë shqiptare.

Figura e tij prej një djali tërheqës dhe plot sharm, ka bërë që ai ende të mbetet një ndër figurat më të dashura të artit shqiptar. Shumë nga fotografitë e tij, qoftë ato të ndara nga rolet e tij të shumta, apo fotografi të rastit, janë ende shumë të pëlqyera nga publiku që e deshi fort.

KultPlus, i ka përzgjedhur disa fotografi të Begollit ku ai shfaqet në momente të ndryshe gjatë karrierës së tij, qysh nga rinia e hershme e deri në ditët e fundit.

Faruk Begolli lindi më 14 shkurt të vitit 1944 në Pejë, Kosovë, dhe vdiq më 23 gusht të vitit 2007, ishte një nga aktorët e mirënjohur në ish Jogosllavi duke arritur një famë shumë të madhe në mbarë Ballkanin dhe me gjerë. Ai studioi në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd dhe diplomoi në vitin 1966.

Faruk Begolli ishte gjithashtu një figurë e rëndësishme e Teatrit dhe Kinematografisë Kosovare. Ishte bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, ku edhe punoi si pedagog i lëndës së Aktrimit. / KultPlus.com

Në vitet e 90-ta ai së bashku me Enver Petrovcin themeluan Teatrin “Dodona” në Prishtinë, në këtë Teatër ai angazhonte studentët e tij dhe aktorë të tjerë duke inskenuar shfaqje të ndryshme teatrale. Teatri “Dodona” u bë Teatri më i njohur në Kosovë gjatë këtyre viteve duke vazhduar deri më tani.

Faruk Begoli u filmu Purise Djordjevica “Podne”

Ekzistojnë disa histori se si filloi të festohej Shën Valentini

Sot shumë e festojnë këtë ditë por me shumë mundësi nuk e dini pse? Pse festohet Shën Valentini? Pse sot? Pse ka kaq shumë rëndësi?

Le të nisim me Shën Valentinin – ose Valentinët. Në fakt ka disa Valentinë, të gjithë martirë, që lidhen me festën. Sidoqoftë, Shën Valentini i Ternit është më i famshmi.

Nën sundimin e Klaudit II, ushtria romake përbëhej thuajse vetëm nga burra beqarë. Për t’u shpëtuar jetët, Valentini, i cili ishte peshkopi i Ternit asokohe, martonte çifte që t’i mbante burrat larg luftës.

Për fat të keq, perandorit s’i pëlqeu ky romanticizëm dhe i preu kokën peshkopit në periferi të Romës.

Ekziston dhe një histori tjetër më pak e dhunshme se kjo. Një burrë i quajtur Valentin, i burgosur nga romakët, i dërgoi një letër gruas që dashuronte me nënshkrimin, ‘Nga Valentini yt.” Dhe siç thuhet, ajo letër nxiti kartolinat e Shën Valentinit.

Kjo shpjegon pse emri lidhet me dashurinë, por s’shpjegon festën?

Meritat i takojnë Lupercalia, festës pagano-romake për fertilitetin. Gjatë festivalit, sakrifikoheshin një dhi dhe një qen. Gëzofët zhyteshin në gjak dhe gratë lyheshin me lëkurët e kafshëve të vdekura. Nuk e dimë si, por kjo supozohej t’i bënte më fertile.

Për sa i përket finales së Lupercalia – që e ka marrë emrin nga Lupa, ulkonja që rriti Remin dhe Romulin. Gratë vendosnin emrat në një shportë dhe burrat i zgjidhnin. Çiftet e formuara rastësisht qëndronin bashkë deri në fund të festivalit. Zakonisht, martoheshin.

Në fund të shekullit të 5-të, Lupercalia u ndalua nga Papa Gelasius, i cili e shpalli 14 shkurtin Ditën e Shën Valentinit. Shumë kohë më vonë, kjo ditë filloi të lidhej me dashurinë. Në Angli dhe Francë besohej se në mes të shkurtit, ngaqë zogjtë nisin çiftëzohen, duhet kremtuar dashurinë.

Kupidi është simbol i Shën Valentinti sepse sipas poetëve të vjetër grek, ai ishte një i pavdekshëm i pashëm që luante me emocionet e Zotave dhe njerëzve përmes shigjetave të arta që ngjallnin dashuri. Gjatë periudhës helenistike, ai nisi të imagjinohej si një fëmijë i shëndoshë dhe i praptë.

Ana komerciale e Shën Valentinit, me kartolinat dhe dhuratat, e pati zanafillën në shekullin e 19 me Esther Allen Howland.

Sipas një artikulli të vitit 2017 nga Time, Howland konsiderohet si Nëna e Valentinit Amerikan. Gjatë viteve 1850, kartolinat e Shën Valentinit ishin shumë të shtrenjta dhe importoheshin nga Europa.

Howland vendosi t’i bënte vetë dhe t’i shiste me një çmim të arsyeshëm. Në majën e karrierës, ajo fitonte 100 mijë dollarë në vit, që me standardet e sotme kap vlerën e miliardave./ KultPlus.com

78 vjet nga lindja e aktorit të shquar, Faruk Begolli

Si një ndër aktorët më të famshëm shqiptar nga Kosova në Jugosllavi, Faruk Begolli studioi në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd ku diplomoi në vitin 1966.

Ai është bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës. Në vitet e 90-ta ka bashkëthemeluar Teatrin “Dodona” në Prishtinë.

Faruk Begolli ka luajtur në më shumë se 60 filma, duke filluar me ‘Pogled u Zenicu Sunca’ (1966), për të bashkëpunuar pastaj me regjisorin Purisa Dordevic në filmat e tij ‘Podne’ (Mesditë), ‘Jutro’ (Mëngjesi) dhe ‘San’ (Ëndrra).

Rolet e tij të spikatura përfshijnë ‘Bitka na Neretvi’, ‘Cuvar plaze u zimskom periodu’ dhe Dervis i Smrt (Dervishi dhe Vdekja), si dhe rrolet në filmat e njohur Kosovar të viteve të 70ta dhe 80ta si ‘Kur pranvera vonohet’ (1980), ‘Era dhe Lisi’ (1979), ‘Të Ngujuarit’ (1972), ‘Si të vdiset’ (1972), ‘Proka’ (1984) etj./ KultPlus.com

‘Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët’

Faik Konica është një poet dhe autor/publicist shumë i njohur. Faik Konica mori mësimet e para në Konicë dhe i vijoi për pakë kohë te Jezuitët në veri, në Shkodër. Më pas u shkollua në shkollat franceze në Lindje, në Stamboll. Në Dizhon dhe në Paris, ndoqi studimet për filozofi.

Ai fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonshme. U diplomua për letërsi në Universitetin e Harvardit të SHBA. Ai mësoi gjithnjë dhe thoshte vetë se ishte një student i perjetshëm.

Njëra ndër thëniet e tij më të njohura është ajo për Shqipërinë, e cila lidhet me politikën.

“Në qoftë se Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj duhet të shkruhet: “Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”, – Faik Konica. /KultPlus.com

Sa kushton paqja?

Shkruan: Fitim Majkovci

Sa kushton paqja?
kur thyhesh në copa e s’ngjitesh
në malet që i vetëm ngjit
teposhtëzeve që lëshohesh
kur të lëshon pija
sa kushton paqja?
për akullin që se thyen dot
detin që se përshkon me not
ditëve që kujtimet ja falin të djeshmes
e nuk gjejnë kohë për sot
sa kushton paqja?
çfarë vlere e blen?
a shitet? a nuk tregtohet hiç?
zemra a mbushet mend?
a në thatësi rri kyç, kiç?
sa kushton paqja?
a bërtitet për të ? 

pse dreqin s’kuptohet pa za
e fryma që merret, zanin që s’ma kthen
zemrën then e telat mi këputë
sa kushton paqja? 

e pa çmim është
pyetjet rreshtohen, gatitu rrijnë
lamshi bahet edhe ma i madh
fjalitë s’kryhen me pikë!
sa kushton paqja?
kur thyhesh në copa e s’ngjitesh
në malet që i vetëm ngjit
teposhtëzeve që lëshohesh
kur të lëshon pija?
sa kushton paqja?
a vjen, nëse po kur?
e nëse jo, pse?
a blihet paqja?
sot ku të rri, s’dua t’jetoj në dje… /KultPlus.com

Ushtarët e FSK-së stërviten nga ekipi për kërkim-shpëtim i Mbretërisë së Bashkuar

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se ekipi britanik ka stërvitur ushtarët e Kosovës për kërkim-shpëtim dhe reagim ndaj fatkeqësive, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Mehaj ka bërë të ditur se ekipi për kërkim-shpëtim i Mbretërisë së Bashkuar, i cili vlerësohet si njëri nga më të mirët në botë, ka stërvitur ushtarët e FSK-së.

“Ekipi nga Kërkimi dhe Shpëtimi Ndërkombëtar i Mbretërisë së Bashkuar (UKISAR) realizoi trajnime në mot të ftohtë dhe reagim ndaj fatkeqësive së bashku me stafin e Qendrës Trajnuese Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit të FSK-së në Pomozatin (SARTC – QNTKSH).Ata simuluan shumë skenarë të reagimit ndaj fatkeqësive. Këto përfshinin përdorimin e objekteve stërvitore në SARTC – QNTKSH për të kryer kërkime në rrënoja pas një tërmeti, trajtimin e viktimave dhe evakuimin pas një përplasjeje të madhe të trafikut rrugor dhe në terren”, shkroi Mehaj.

Ai ka njoftuar se udhëheqësit e ekipit britanik e vlerësuan Qendrën e Kosovës në Pomozatin si qendër trajnimi e klasit botëror. /KultPlus.com

‘Ne kemi kohë që nuk flasim, por s’jemi ndarë përgjithmonë’

Poezi e shkruar nga Aleksander Pushkin.

Ne kemi kohë që nuk flasim,
Por s’jemi ndarë përgjithmonë.
Ne që të dy kërkojmë çastin,
Që të harrojmë zënkën tonë.

Ky zemërim prej fëmije,
Nuk më le një çast të qetë.
Nga malli i madh i dashurisë,
Ti lozonjare më vjen vetë.

Kur zemërohesh ti me mua,
Edhe më shume unë të dua.
Se dhe më tepër nga shikimi,
Te paska hije zemërimi. /KultPlus.com

Një vit nga vdekja e aktorit dhe regjisorit, Andon Qesari

Si sot një vit më parë vdiq aktori dhe regjisori i mirënjohur Andon Qesari.

Aktor, regjisor, pedagog, lindi në fshatin Qeparo, Himarë, më 27 qershor. Kreu shkollën e mesme, “Politeknikumin 7 Nëntori”, në Tiranë, më 1959. Nga viti 1962-1966 vazhdoi studimet në shkollën e lartë për aktore “Aleksandër Moisisu”*.

Fill më pas u emërua aktor dhe regjisor në Teatrin e Vlorës*, ku luajti disa role. Vuri në skenë aty dramën Shtëpia në bulevard të Fadil Paçramit* dhe komedinë Revizori të N. Gogolit. Në vitin akademik 1971-1972 mbaroi kursin e lartë për regjisurë pranë Institutit të Lartë të Arteve*.

U emërua pedagog i aktrimit në këtë Institut, më pas edhe i regjisurës, punë të cilën e kreu vijimisht, 1972-2004. Nga viti 1976 e deri sa doli në pension, më 2002, ishte aktor dhe regjisor në Teatrin Kombëtar. Në dramën Shënomëni dhe mua të Hamza Minarollit*, edhe pse personazhi që interpretoi, Besniku, kishte ngarkesa fjalësore të kahut politik shoqëror nga patoset propagandistike, gjatë lojës së tij ai mundësoi, përkundrazi, një fjalë dhe një gjest konkret e të besueshëm, brënda logjikës letrare. Me këtë rol fitoi çmimin e parë në Festivalin e Teatrove, 1974.

Një tjetër figurë e realizuar me mjeshtëri ishte ajo e kinezit Fen në dramën Furrnalta të Ruzhdi Pulahës, ku kësaj here provoi në fushën e vështirë të satirës politike, duke ruajtur masën dhe vërtetësinë e figurës. Edhe me këtë rol fitoi çmimin e parë, 1976, sikundër çmimin “Aleksandër Moisiu” si regjisor me shfaqjen Nën dritat e skenës (1977, bashkëregjisor me Pirro Manin). Një figurë ekspresive, ku gërshetohen elementë të simbolit, alegoria e gjesteve me prerje të një ole realiste, ishte Vrumi në dramën Luiza Miler (Intrige e dashuri) të F. Shilerit, 1979.Pamje komike, më së shumti të një grotesku me theksa shpotitës e përtallës, paraqiti me dy role të tjera, në një distancë kohore prej dhjetë vjetësh: Ksantin te drama Dhelpra dhe rrushtë e G. Figueredos (1989), regjisor Dh. Pecani dhe Anton Antanoviçin te komedia Inspektori (Revizori) e N. Gogolit (1999), regjisor Ferdinand Radi dhe A. Radi. Te ky i fundit ndoqi udhën e një paraqitjeje groteske, ku tallja dhe përqeshja nuk bëhen nëpërmjet ruajtjes së një formati të “kamufluar” ndaj Hlestakovit dhe të tjereve, çka do të duhej të afrohej me një paraqitje realiste, të përmbajtur, si prej zyrtari të lartë provincial.

Përkundrazi, ato bëhen enkas në mënyrë të hapur, me vijëzime të trasha, që shkojnë deri te parapelqimet ndaj elementeve të farsës e bufonadës. Si aktor A. Qesari ka të dukshme lojën energjike; zotëron një zë të fortë, është i qartë; i jep ton, timbër të thuket e shtysë fjalës dhe veprimit; karakterizohet nga shpërthimet e befta e të ashpra, ndonjëherë të tepërta. Si regjisor është prirur nga komedia. Së bashku me Alfred Bualotin ndërtoi spektaklin e mirënjohur Pallati 176 e Adelina Balashit, 1986, ku krijoi një atmosferë të këndshme, duke shfrytëzuar mirë situatat e keqkuptimeve, kundërshtitë në sjelljet ambiguide të personazheve, posaçërisht krijimin e një galerie tipash, ndër të cilat spikatën figurat e Jovan Bregut (luan Roland Trebicka), e Ritës, e tezes etj.Te komedia Valsi i Titanikut e T. Mushateskut (1990), ku ngulmoi te një lojë e tipit psikologjik, me karaktere të mëvetësishme si dhe një humor që rridhte, më së pari, prej komicitetit të tyre.

Ka provuar me sukses edhe vënie regjisoriale në rrafshe mirëfilli groteske e burleske, si Tetë persona plus e F. Radit*. Si përherë tok me A. Bualotin, do të vinte në skenë komedinë Dua burrë në kompaninë “Publimedia”, përshtatje nga A. Saqellaris (Zonjusha 39 vjeç), e cila pati një ndjekje të gjerë nga publiku. Ketu ranë në sy format burleske dhe fareske në vizatimin e karaktereve, tejzmadhimet dhe prania agresive e elementeve argëtuese, bufonada, ekzagjerimet e qëllimta në gjeste, në mënyrën e të folurit dhe në plastikë.Në vitin 2007 me dramën Kambanat e muzgut të Teodor Laços, krijuan imazhin dramatik të kohëve të dhunshme të fillimviteve pas vendosjes së pushtetit komunist në Shqipëri, me ankthin, tmerrin, burgimet, vrazhdësinë, frikën dhe tjetërsimet, të gërshetuara këto me lindjen e një dashurie tragjike midis dy të rinjve nga klasa armike, që i sfidojnë përkatësitë e tyre politike.

A. Qesari ka shkruar edhe mjaft artikuj kritikë dhe të natyrës estetike mbi problemet e teatrit shqiptar, posaçërisht te aktrimit, të regjisurës, portrete artistësh; ka dramatizuar për skenë dhe radio disa novela e romane etj. Mban titullin “Artist i merituar”, si dhe titullin shkencor “Profesor”. /KultPlus.com

Ismail Kadare mbi dëmin që perandoria osmane i ka bërë gjuhës shqipe

Shqipja është një nga gjuhët më të zhvilluara flektive (me nyja e parafjalë). Falë kësaj cilësie e, padyshim, gjithë mekanizmave të tjerë të saj, ajo përballoi lehtë, shumë më lehtë se ushtritë e princave shqiptarë, sulmin osman.

Sulmi i turqishtes, që ishte gjuhë aglutinative (që manovron me prapashtesa), ishte një lloj sulmi i një mamuthi të ngathët që lufton kryesisht me bisht kundër një luani që përdor më shumë dhëmbët dhe kthetrat. Asnjë gjuhë tjetër dhe asnjë shkollim në Europë nuk kanë pasur një martirizim të tillë: pesë shekuj dënim.

Për të mos u zgjatur, mjafton një statistikë tmerruese nxjerrë nga “Historia e shqiptarëve”, e francezit Serge Metais, botuar në vitin 2006, Paris. Tabloja e shkollimit është e pabesueshme. Më 1887, në Shqipëri kishte tre mijë shkolla, prej të cilave një mijë e dyqind shkolla publike turke, po aq shkolla private greke, treqind shkolla bullgare, serbe dhe vllahe, shkollë shqipe vetëm një, me drejtor Pandeli Sotirin!

Pra, gati çdo gjuhë lejohej të mësohej në “perandorinë tolerante”, përveç njërës: gjuhës shqipe! Dhe historia s‘mbaron me kaq. Katër vite më pas, Pandeli Sotiri vritet, shkolla shqipe mbyllet! Kjo është e vërteta, që ende nuk është shpalosur qartë përpara popullit shqiptar. Por rimohuesit nuk e duan këtë të vërtetë. Në vend të saj, ata duan të vendosin një tjetër histori.

Siç u pa më lart, për ata pushtimi, pra, sundimi osman nuk ka qenë i keq. E keqe dhe kundërproduktive ka qenë qëndresa e Gjergj Kastriotit. Duke e sulmuar Kastriotin, më shumë se njeriun e shpatës, ata sulmojnë vizionarin e madh, princin, që, ndryshe nga të tjerët, e ktheu vështrimin drejt Europës. Në këtë mënyrë, bashkë me doktrinën e lirisë, ai nismëtoi programin më europianist shqiptar, më modernin program të këtij populli.

Është e qartë tani përse rimohuesit shqiptarë janë kundër testamentit të tij. Teza e tyre se sundimi osman s‘ka qenë i keq, e keqe ka qenë qëndresa, mund të përkthehet fare saktë: e mirë për Shqipërinë nuk është Europa, por Azia. Andej, pra, të kthehemi!. / KultPlus.com

‘Gratë me krahë’ – Newborn këtë vit i dedikohet gruas (FOTO)

Monumenti në Prishtinë “Newborn” këtë vit i dedikohet gruas, i kushtohet çikave në sport, në muzikë e në çdo fushë që po e zbardhin fytyrën e Kosovës, por mbi të gjitha, i kushtohet grave që akoma sot abuzohen e vriten në shtëpi të tyne, para familjeve të tyne, shkruan KultPlus.

“Winged Women – Gratë me Krahë, është tema sivjet, ku monumenti NEWBORN, bashkë me krejt juve, kemi me i jepë grave krahë. Me i trajtue barabartë edhe me iu ndihmue me u ngritë çdo moment”, ka thënë krijuesi i këtij monumenti, Fisnik Ismaili.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Ismaili ka paraqitur përmes një fotografie se si do të duket ky monument, derisa ka kërkuar edhe ndihmë nga njerëzit vullnetarë.

“Për me e ngjyrosë kështu deri të enjten, me fytyra të plot grave, na duhet ndihmë prej njerëzve që e përkrahin këtë kauzë, dijnë me vizatue edhe kanë sy për detaj”, ka shkruar ai mes tjerash.

Newborn këtë vit do të marrë këtë pamje: /KultPlus.com

Vdekja e gjyshes

Poezi nga Fatos Arapi

Vdekja e Gjyshes

Ja, edhe gjyshja në arkëz,
kukull e vogël në kartëz,
Është… dhe prapë s’është e tëra,
sikur nuk është si përhera.
Gjithë karfica, gjilpëra
kapur satenet në kokë,
lidhur këpuckat përposh,
shami e lule në gjoks.

Mbyllur kapakët e syve
ç’ndjej u shua brenda tyre?).
E sheh… dhe të duket heshtja
pe gjasme e pe gjasme vdekja.
Gjyshja e vogël, e bukur,
e pastër…
Në arkëz kukull.

Gjithë karfica, gjilpëra,
qepur vite të tëra,
lidhur kujtime e malle,
dhembje, që duken si përrallë.
E sheh… dhe të duket heshtja. /KultPlus.com

IKSHPK apelon qytetarët: Bartni maskat në çdo vend, Omicron po vazhdon të përhapet

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka apeluar qytetarët që të bartin maskat në çdo vend, për aryse se varianti Omicron po vazhdon të përhapet, shkruan KultPlus.

IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështërsi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen.

“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë”, thuhet në njoftimin e tyre.

Tutje, IKSHPK njofton se Omicron është tejet ngjitës, andaj mbani maskat në çdo vend, mbani distancën mbi dy metra edhe në mjedise të hapura edhe po qe se të gjithë bartin maska.

“Të gjithë pa dallim dhe domosdoshmërisht duhet të vazhdojmë të zbatojmë masat parandaluese kundër COVID-19 dhe rekomandimet e profesionistëve shëndetësor”, shkruan në fund IKSHPK.

Kosova ka pranuar së fundmi mbi 500 mijë doza të vaksinës Pfizer nga SHBA. /KultPlus.com

Osmani uron Stenmeier për rizgjedhjen si president i Gjermanisë: Pres me padurim punën tonë të përbashkët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar presidentin gjerman, Frank-Walter Steinmeier, për rizgjedhjen në këtë pozitë, shkruan KultPlus.

Osmani me një postim në llogarinë zyrtare në “Twitter”, platformë e cila konsiderohet si një mjetë komunikimi me shtete të ndryshme të botës, ka thënë se mezi pret që të shtojë edhe më thellë bashkëpunimin e tyre.

“Urime për rizgjedhjen tuaj si President Federal i #Gjermanisë! Pres me padurim punën tonë të përbashkët për thellimin e marrëdhënieve të bazuara në vlerat e përbashkëta evropiane nga të cilat do të përfitojnë njerëzit dhe vendet tona”, shkruan presidentja.

Frank-Walter Steinmeier u zgjodh për një mandat të dytë si president i Gjermanisë të dielën. /KultPlus.com

Driton Kuka krenar me Loriana Kukën: Rikthim i suksesshëm pas pauzës së gjatë

Xhudistja nga Kosova, Loriana Kuka, së fundmi është shpallur kampione në European Open Sarajevë, duke fituar medaljen e artë në finale, shkruan KultPlus.

Për këtë sukses, trajneri më i sukesshëm në histori të Kosovës, Driton Kuka, ka thënë se ishte një rikthim i suksesshëm pas pauzës së gjatë.

“European Open Sarajevë!
Kupë Botërore …
Loriana Kuka e artë!
Comeback i suksesshëm pas pauzês së gjatë!
Shënoj 4 fitore në finale mposhti Italianen Politi dhe kështu nisi rrugëtimin e saj drejt Paris 2024!
Shpati Zekaj vendi 7 plasman solid jam i sigurt që do avancoj tutje!
Fatjona e Fisniku shenuan nga një fitore mandej pësuan u plasuan 09-16 në kategoritë e tyre!
Pa plasman mbeti Arbër Kullashi”, shkroi trajneri në “Facebook”.

Distria Krasniqi në këtë muaj fitojë medaljen e argjendtë në Grand Slam të Parisit. /KultPlus.com

Ëndrro, Dashuno

Shkruan: Ndre Mjeda

Ëndrro, Dashuno

Ëndrro. Njeri, sot ma Shum se kurrë
Vepro. E len prova t’prekshme
Fol. E t’nihet zani deri n’skaje
Jeto. At’ jet’ tanën, Jo tjerve
Ngihu. Me gjanat Si t’mushin zemren
Pi. Bukurinë e deteve e oqeaneve
Meso. E burimi dijes mos tdij me shterru
Puno. Kopshtin e mendjes gjithmon
Lexo. Poemat e shpirtit tan
Kupto. Vuejtjen njerzore tpakufi
Ndimo. At T’paudhin tkthehet
Ndriqo. Fike terrin
Urreji. Vetem padrejtsit
Duej. Duej e vetem duej
Dashuno. Po mos jep arsye… /KultPlus.com

Kosova me tjetër sukses në xhudo, Loriana Kuka e artë në Sarajevë

Xhudistet nga Kosova janë duke shënuar suksese të mëdha nëpër kampionate të ndryshme të xhudos.

Së fundmi Loriana Kuka ka arritur të fitojë medaljen e artë në European Open në Sarajevë, shkruan KultPlus.

Kuka, e cila merr pjesë në kategorinë -78 kilogramë, e ka mposhtur në finale italianen Linda Politi.

Ky është suksesi i radhës nga xhudistet e Kosovës, ku së fundmi edhe Distria Krasniqi ka arritur të fitojë një medalje në Grand Slam të Parisit. /KultPlus.com