“Paraja nuk mund të blejë dashurinë as jetën”

Më datën 6 shkurt të vitit 1945 ka lindur kantautori i famshëm Bob Marley, shkruan KultPlus.

Bob Marley ishte këngëtar i muzikës reggae të cilën arriti ta bëj po ashtu të njohur kudo.

Shkroi qindra tekste unike, këngët e tij u kënduan e rikënduan. Sot me rastin e ditëlindjes së tij, po i sjellim disa nga shprehjet e Bob Marleyt për dashurinë:

Nëse ajo është e shkëlqyeshme, ajo nuk do të jetë e lehtë. Nëse ajo është e lehtë, ajo nuk do të jetë e shkëlqyeshme. Nëse ajo nuk është e rëndësishme, ju nuk do të dorzoheni. Nëse dorzoheni, ju nuk do të jeni të rëndësishëm…. E vërteta është se të gjithë do të të lëndojnë; ju duhet vetëm të gjeni atë e cila është aq e rëndësishme për të sakrifikuar.”

“Era e cila do të na merr atë të cilën e duam, është ajo e njejta e cilat do të na sjellin neve diçka për të dashuruar. Prandaj nuk duhet të qajmë për gjërat të cilat kan ikur, sepse ajo që na përket neve me të vërtetë nuk largohet asnjëherë.”

“Ju thuani se e doni shiun, por ju e përdorni një çadër për të ecur përfundi saj. Ju thuani se e doni diellin, por ju kërkoni shtrehim kur shkëlqen. Ju thoni se e doni erën, por kur vjen ju i mbyllni dritaret. Prandaj friksohem kur më thua se më do.”

“Dashuria asnjëherë nuk do të na lë vetëm”

“Frikacaku më i madh i një njeriut është që të zgjojë dashurinë e një gruaje, pa qëllim për të dashur atë.”

“Kurrë nuk do të ketë dashuri në të gjitha.”

“Ajo nuk mund të jetë njëra ndër vajzat më të njohura ose më e bukura por nëse ju e doni atë dhe ajo të bën të buzëqeshë….ç’rëndësi ka tjetër?”

“Një dashuri, një zemër”

“Paraja nuk mund të blejë dashurinë as jetën.”

“Me të vërtetë besoj se vetëm njëherë në jetë ju do të gjeni dikë e cila do të rrotullojë tërë botën përreth jush.”

“Dashuro fortë kur ka dashuri për të pasur. Sepse djem perfekt nuk ekzistojnë, por gjithmonë do të jetë një djalë i cili do të jetë perfekt për ju.”

“Bukuria e dashurisë. Dashuria e bukurisë.” /KultPlus.com

Liza Laska, artistja që gdhendi në teatër dhe kinematografi, figurën e nënës labe

Liza Laska lindi më 6 shkurt të vitit 1926 në Vlorë, Shqipëri, aktore shqiptare që mban titullin “Artiste e merituar”.

Filmat e luajtur prej saj janë të shumtë “Një ditë e mrekullueshme” (2002), “Vdekja e burrit”, (1991), “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, (1989), “Familja ime”, (1987) “Teta Kalina”, “Dhe vjen një ditë”, (1986) “Nena e Llano Bletes”, “Gurët e shtëpisë sime” (1985) etj..

Shkollimin e parë e mori në qytetin e lindjes. Ajo filloi jetën artistike si aktore e Teatrit të Vlorës dhe më pas luajti për herë të parë në filmin “Malet me blerim mbuluar” në 1971 dhe që hapi rrugën e saj për shumë interpretime të tjera në ekran.

Aktorja ndërroi jetë më 31 gusht 2014. Gjatë viteve të fundit “Artistja” e Merituar ka hedhur në letër kujtimet e saj, për t’i lënë pas për brezat që vijnë. Në një intervistë për median, aktorja është shprehur se ‘Kënaqësia më e madhe e aktorit është respekti dhe dashuria e publikut, ai nuk barazohet me asgjë. Kur eci rrugës, më thonë: O labja jonë, o nëna e Vlorës”./diapsorashqiptare/ KultPlus.com

‘Lulet e Manchesterit’, 64 vjet nga fatkeqësia ajrore e Mynihut

Më 6 shkurt 1958, një aeorplan u rrëzua pasi u mbush me karburant në Mynih, aksident i cili i mori jetën 23 personave, përfshirë tetë lojtarë të Manchester United, shkruan KultPlus.

Data e 6 shkurtit do të jetë përgjithmonë e rrethuar në kalendarët e të gjithë atyre që janë të lidhur me Manchester United.

Skuadra po kthehej nga një ndeshje e Kupës Evropiane kundër Yllit të Kuq të Beogradit, kur avioni i tyre ndaloi në Gjermani për të furnizuar me karburant.

Dy përpjekjet e para për t’u ngritur nga aeroporti i Mynihut u ndërprenë; pas një tentative të tretë, avioni u rrëzua.

Tetë lojtarët që humbën jetën ishin Geoff Bent (25 vjeç), Roger Byrne (28), Eddie Colman (21), Duncan Edwards (21), Mark Jones (24), David Pegg (22), Tommy Taylor (26) dhe Liam. Whelan (22). Edwards, i konsideruar nga shumë si lojtari më i mirë i gjeneratës së tij, vdiq 15 ditë pas aksidentit.

Tre zyrtarët e klubit që u vranë ishin sekretari Walter Crickmer, trajneri Tom Curry dhe trajneri Bert Whaley. /KultPlus.com

23 vite nga Konferenca e Rambujesë

Para 23 viteve, më 6 shkurt të vitit 1999 i filloi punimet Konferenca e Rambujesë. Ky takim, i cili u mbajt në afërsi të Parisit të Francës, synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë. Iniciues të konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt, ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Kristofer Hill nga SHBA-të, Boris Majorski nga Rusia dhe Volfang Petrich, përfaqësues i shteteve të BE-së.

Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit. Delegacioni serb, sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

Edhe rrethi i dytë i bisedimeve që filloi më 15 mars në Paris përfundoi pa sukses.

Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projektmarrëveshjen politike-marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë. As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i të dërguarit special të SHBA-ve, Richard Hollbruk nuk ishte i suksesshëm. Ai nuk ia doli ta bind presidentin e atëhershëm të Jugosllavisë Sllobodan Millosheviq, që ta pranojë marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.

Më 24 mars 1999, aeroplanët e NATO-s filluan  bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë. Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare. Më pas, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën 1244 me të cilën u vendos protektorati, prania ndërkombëtare në Kosovë, UNMIK si mision civil dhe KFOR si mision ushtarak. Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë. / KultPlus.com

‘Beso n’mua se unë besoj n’ty, shiqo rrufenë drejt në sy’ (VIDEO)

Grupi “Oda”, një prej bendeve më të pëlqyera kosovare, është formuar në vitin 1994 në Londër dhe është një rock band shqiptar i viteve ’90. Që nga viti 1998 kur edhe u publikua albumi i fundit, i titulluar po me këtë emër “1998”, grupi u shpërnda në të katër anët e botës, duke lënë pas vete hitet e pavdekshme të cilat i shoqëruan adhuruesit e tyre deri më sot.

Një ndër këngët e tyre të pavdekshme, është kënga “Beso në diell” e cila edhe sot dëgjohet me shumë nostalgji.

Anëtarët e Grupit “Oda” kanë qenë pothuajse të gjithë ish-anëtar të grupeve të njohura gjatë viteve të 80-ta në rock skenën kosovare si: Dukagjin Lipa, Labinot Krasniqi, Besim Hajdini, Asdren Rrahmani, Petrit Riza, Florent Boshnjaku, Besim Gashi-Babuka, Valon Gashi, Marcus McIrneney.

Në vitin 1995, Oda publikojnë albumin “Rrugë E Mbarë”. Ndërsa në vitin 1998, ata publikuan albumin “1998”.

Grupi Oda kanë qenë edhe pjesë e Top Fest 3 dhe 4

Në vitin 2010, 12 vite më vonë, formacioni i dikurshëm bashkon përsëri forcat, duke iu rikthyer skenës me këngën më të dëgjuar dhe më e kërkuar në radiot kosovare ‘Era’.

KultPlus më poshtë ju sjell tekstin dhe videon e këngës “Beso në diell”

Kur shtrëngata mbulon qytetin tonë
Mos u frikëso natën ti
Beso n’mua se unë besoj n’ty
Shiqo rrufenë drejt në sy

Pas çdo shiu, dielli do të nxej
Unë dhe ti të lirë do t’shiqojm lart
Dhe e dimë se nuk është, nuk është tmerr
Nuk është tmerr, por është shtrëngatë

Më beso se nuk je vetëm jo
Më beso të lutem ti
Më beso se do t’shkrij jetën

Dhe nuk do të jem larg nga ti

Beso në diell… (8 herë)

Shiu i ftohtë kur fytyrën ta mbulon
Vazhdo drejt ti, rrugë mos ndrro
Ngrite kokën dhe shiqo lart
Se nuk është tmerr, por është shtrëngatë

Pas çdo shiu, dielli do të nxej
Unë dhe ti të lirë do t’shiqojm lart
Dhe e dimë se nuk është, nuk është tmerr
Nuk është tmerr, por është shtrëngatë

Më beso se nuk je vetëm jo
Më beso të lutem ti
Më beso se do t’shkrij jetën
Dhe nuk do të jem larg nga ti

Beso në diell… (8 herë)./ KultPlus.com

‘Vera Andrron Detin’ fiton çmimin për Debutimin Ndërkombëtar në ‘Göteborg Film Festival’

Filmi kosovar ‘Vera Andrron Detin’ me regji të Kaltrina Krasniqit dhe skenar të Doruntina Bashës ka fituar çminin për Debutimin Ndërkombëtar në ‘Göteborg Film Festival’, përcjell KultPlus.

“Çmimi për Debutimin Ndërkombëtar të Ingmar Bergman sivjet iu dha Vera Dreams of the Sea nga Kaltrina Krasniqi. Çmimi konsiston në një qëndrim në Bergmangårdarna në Fårö dhe një vizitë personale në Arkivin Bergman në Stokholm.” – thuhet në njoftimin e faqes zyrtare të këtij festivali.

Ky film ka si personazh kryesor Verën, përditshmëria e qetë e e së cilës, çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hap rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat. Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe të cilat duket se do ta fundosin atë. Frika dhe mosbesimi, shtyjnë Verën të marrë fatin e familjes në duart e saj.

Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi./KultPlus.com

Foto: Diego Pereira

Shoqata ‘Trojet e Arbrit’ organizon sesion shkencor për veprimtarinë e Zef Oroshit

Më 12 qershor 2022, shoqata “Trojet e Arbrit” organizon sesionin e veçantë shkencor për veprimtarinë luftarake, misionare dhe shkencore të Zef Oroshit, përcjell KultPlus.

Shoqata “Trojet e Arbrit” në kuadër të ndriçimit të figurave historike të pandriçuara dhe të sulmuara nga regjimi komunist në Shqipëri ka marrë obligim kombëtar dhe  shkencor që të gjitha figurat kombëtare antikomuniste ti vendos në dritën e diellit, veprimtaritë e tyre të shkëlqyera që dhanë gjatë gjithë jetës në shërbim të kombit shqiptar.

Në mesin e shumë atdhetarëve hyn edhe prifti i pendës dhe i pushkës Monsinior.dr.Zef Oroshi.

Për t´iu lehtësuar studiuesve marrjen e temave kjo shoqatë ka shkruar  disa teza të veçanta ku studiuesit mund të orientohen dhe në bazë të materialeve që kanë të marrin një temë të caktuar, siç vijon me poshtë:

•       Rinia dhe shkollimi i  Monsinor dr Zef Oroshit nga mësuesi don Ndre Mjeda;

•       Studimet e mons. Zef Oroshit në Romë 1937-1940  në Universitetin Papnor “Urbanian”;

•       Kthimi dhe  sherbimi  meshtar në kishat e Shqipërisë në vitin 1940;

•       Bashkimi i Monsinior dr.Zef Oroshit luftëtarëve antikomunistë në Mirditë;

•       Emërimi i Monsinior dr.Zef Oroshit Komandant i Komitetit të Maleve të Shqipërisë pas vrasjes se Kapidan dr.Mark Gjonmarkut e Kapidan Llesh Gjomarkut;

•       Bashkpunimi i Monsinior dr.Zef Oroshit me parashutistët antikomunistë për ta çliruar Shqipërinë nga komunizmi;

•       Kalimi i Imzot Zef Oroshit në Itali dhe ndhima që ju bënte mërgimtarëve shqiptar në Itali;

•       Vazhdimi i studimeve të doktoraturës në Itali dhe marrja e titullit doktor i shkencës;

•       Migrimi në Amerikë në vitin 1961 ku e themeloj kishën “Zoja e Kёshillit tё Mirё” sot me emër të ri (“Zoja e Shkodrës”)  në New York;

•       Puna shkencore dhe kulturore e Monsinior dr.Zef Oroshit në Amerikë;

•       Përkrahja e Monsinior dr.Zef Oroshit partive dhe organizatave atdhetare  antikomuniste në Amerikë në rrezimin e komunizmit në Shqipëri;

•       Vdekja e Monsinior dr.Zef Oroshit më,15 mars 1989  dhe varrimi madhështor i ti;

•       Katër veprat e botuara pas vdekjës se Monsinior dr.Zef Oroshit nga studiuesi dhe publicisti Tomë Mrijaj;

•       Persekutimi i familjes se Monsinior dr.Zef Oroshit – Mbytja në torturë e vëllait të vogël Ndue Preni (Çoku)

•       Burgosjet dhe internimet e familjes se Mons.dr.Zef Oroshit në Shqipëri- dënimet dhe internimet e vëllait, motrës dhe familjarëve të tjerë të ngushtë;

•       Dështimi i krimineleve komunist Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu për kapjen dhe pushkatimin e Monsinior dr.Zef Oroshit dhe përcjellja këmba- këmbes nga sigurimi i tyre në Amerikë dhe

•       Ngadhënjimi i idealit të Monsinior dr.Zef Oroshit dhe shokëve të ti për një Shqipëri Demokratike dhe Evropiane. / KultPlus.com

Letra që Mihal Grameno ia drejtoi atdhetarëve idealistë në vitin 1909

Në një letër drejtuar bashkëkombave të vet në 1909, Mihal Grameno, një nacionalistë nga më aktivët dhe patriot i flaktë i Shqipërisë në vend shpreh domosdoshmërinë e njerëzve të shquar për të vepruar dhe organizuar brenda vendit veprime, krahas fjalëve nga jashtë dhe planeve të tyre. Si njeri i sprovuar si me publicizmin dhe me luftën në terren ai kërkonte mbështetje anembanë shqiptarizmit për idealet e tij dhe të të gjithë shqiptarëve që ishin të rrezikuar ato vite.

“Detyra”

Dy letra të botuara, njëra në gazetën ‘’Dielli’’, e hapur për mi mua, edhe tjatra në këtë gazetë, më bënë të shkruanj këto pak fjalë me shpresje që mëmëdhetarët e vërtetë edhe aqë më shumë të mërgimit do të mos gjykojnë mëmëdhetarët e këtushmë si njerës të shitur. Zoti botonjës i letrës te ‘’Dielli’’ ka shumë arësye të qahet nga shkaku i krizës (qesat) që mbajti në Amerikë dhe s’mundnë të ndihmojnë Mëmëdhenë, po kurrë nuku munt të thotë që do të punojmë me çemietin që i ndalon të ndihin kllubet e Shqipërisë.

Këjo nyje ishte e nevojshme, se çemieti ishte Liridashës, edhe të gjithë u betuan që bashkërisht do të vdesëm për të mbrojtur lirinë e konstitucionë sikundër edhe kombësinë e veçantë të cilitdo komp, kur shqiptarët të ishin lidhur ose kishin nevojë të fillojnë kllube të veçantë e të apen ato lufta më të repta kundrë cilitdo që ka kërkuar t’u ngjasë kombësinë.

Luftrat e shqiptarëve të brëndëshme janë vepra të nalta, të cilat një ditë do të mbeten pasqyrë në trashëgimtarët. Është shumë lehtë njeriu të këshillonjë e të udhëtregonjë që për së largu, po a nevojë t’i praktikonjë. Jemi gati kurdoherë që të gjurmojmë tjatër program kombiar më të mirë, kur të vështrojmë këshillonjësit edhe bajraktarët në krye këtu në Shqipëri, po jo që në Amerikë.

Zoti Morava që shkruan nga Romania, duket që i di mirë nevojat e Shqipërisë, andaj duhet gjithë mëmëdhetarët e mërgimit të ndihmojnë kllubet e Shqipërisë që të mundin të ndritojnë e të përhapen ndjenjat kombire.

Qysh do të mundet të vijet në praktikë një program i gatuar përjashta, kur brenda në Shqipëri s’kanë harirë të pakën në atë shkallë që të quhen shqiptarë e të kenë djenja kombiare? Programet të jashtme janë fort të mira për ata që i kupëtojnë, po këto janë ëndëra të bukura.

Duhet punë brënda në Shqipëri, edhe pë këtë duhet të mbushin detyrën gjithë mëmëdhetarët të jashtmë-me sa t’u mundet- meqënëqë janë ritur në tjatër atmosferë, gjersa të harinjë ajo ditë kur të kupëtojnë, edhe brënda shijën e kombësisë.

Me gjithë këto është për tu habitur-siç edhe habiten bota-që është një komp i gjallë e që do të ronjë midis botësë me gjithë pengimet e armikëve, pa patur as nonjë ndihmësi të tjerëtë, po vetvetiu –edhe pa i mësuar-ka lëftuar me qesen e tij. Kllubi tonë mundet, ka patur luftrat më të mëdha, meqënëqë lufta në Korçë është më e reptë, edhe me gjithë këto ka mbatur flamur’e kembësisë përpjetë vetëm me ndihmat e të brëndëshmëve.

Po nevojat anë të mëdha, edhe t’u përgjigjet, duhet edhe ndihma e mëmëdhetarëve të mërgimit, andaj bënj thirje të mos vërejnë kanonizmat e të thënat pa nonë rëndësi, po të vrapojnë edhe aqë më shumë korçarët t’i ndihin kllubit për të përparuar edhe më të nderuar Korça, e le të jenë sigur që veprat e kllubit do të mbeten istorike.”

“Korça”, nr, 10. 22 prill 1909 Mihal Grameno/ KultPlus.com

Albin Tahiri debuton nesër në Lojërat Olimpike Dimërore ‘Pekini 2022’

Albin Tahiri do të debutojë nesër në Lojërat Olimpike Dimërore ‘Pekini 2022’, përcjell KultPlus.

Skitari kosovar do të garojë nga ora 04:00 me numrin rendor 43.

“Bartja e flamurit në ceremoninë hapëse më ka bërë të ndihem krenar si gjithmonë. Ishte moment i veçantë për mua, isha shumë i emocionuar. Tani jam duke menduar për garën e nesërme në lëshim, për të cilën jam gati” – ka thënë ai pas parakalimit në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore./ KultPlus.com

Teatri ODA hap thirrje për audicion për shfaqjen “Pas’humbja” me regji të Florent Mehmetit

Teatri Oda ka hapur thirrje për audicion për shfaqjen “Pas’humbja” me regji të Florent Mehmetit,  që planifikohet të inskenohet gjatë muajve shkurt dhe mars 2022, përcjell KultPlus.

“Pas’humbja” është një shfaqje që shtjellon artistikisht përjetimet pas humbjeve të njerëzve të afërt e të dashur. Shfaqja është një shfaqje autoriale dhe e bazuar në koncepte vizuele dhe fizike.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të Teatrit Oda:

THIRRJE PËR AUDICION

Teatri ODA hap thirrje për audicion për shfaqjen “Pas’humbja” në regji të Florent Mehmetit,  që planifikohet të inskenohet gjatë muajve shkurt dhe mars 2022.

“Pas’humbja” është një shfaqje që shtjellon artistikisht përjetimet pas humbjeve të njerëzve të afërt e të dashur. Shfaqja është një shfaqje autoriale dhe e bazuar në koncepte vizuele dhe fizike.

Audicioni do të mbahet në Teatrin ODA dhe mund të aplikojnë aktorë të moshave dhe profileve të ndryshme e që i plotësojnë këto kritere:

• Te ketë përgatitje profesionale në fushën e aktrimit/teatrit apo të jetë në përfundim të studimeve

• Të jetë i/e lirë për punë gjatë periudhës së  provave

Të interesuarit mund të aplikojnë duke e mbushur formën në këtë link:

https://forms.gle/Yrre4CbkC9AEqjX37

Afati i aplikimit: 12 shkurt 2022.

*Vetëm të përzgjedhurit e rrethit te ngushtë do të ftohen në audicion që do të jetë në formë të punëtorisë kolektive.

Ju falemnderit!./ KultPlus.com

Letra që Saranda Bogujevci ia dërgoi gjyshes më 20 gusht 2002 nga Mançesteri

Uniformat e lezetshme të shkollës, ditët e ngrohta të Mançesterit dhe salla e refugjatëve, formojnë impresionet e hershme të një jetimeje të shpëtuar nga Kosova. Fragmente këto të shkëputura nga letrat që ajo dërgoi në shtëpi.

Saranda Bogujevci, 22 vjeçare, gëzoi ikjen më të mrekullueshme nga paramilitarët serb, të cilët shpuan trupin e saj me 16 plumba, në masakrën që ndodhi në kopshtin e shtëpisë së saj, në një fshat në Podujevë, më 28 Mars të vitit 1999. Gjashtë anëtarë të familjes së saj u vranë, përfshirë këtu nënën dhe vëllain e saj.

Saranda la gjakderdhjet prapa saj në Prishtinë dhe u vendos në Mançester, ku u shërua nga plagët që kishte marrë. Por tmerri i vrasjes së familjes së saj ende e ndjek atë dhe pas disa vitesh kur ajo u kthye prapë në rajon për të dëshmuar kundër vrasësve.

Më poshtë janë fragmente nga letrat që ajo i shkroi gjyshes së saj, ndërsa po mësohej me ambientin e ri në veri-lindje të Anglisë.

20 GUSHT 2002

E dashura gjyshe. Sapo isha duke menduar për ty. Tashmë e kam sistemin e muzikës dhe kënga e kushëririt tonë Ismetit ishte duke kënduar. E di cila, ajo kënga e dasmave. Po që se mbylli sytë, e shoh veten në kopshtin tonë në Podujevë, në një ditë me diell. Sot është nxehtë edhe këtu. Kjo nuk ndodh shumë shpeshë, por në Mançester ndonjëherë bëhet mjaft ngrohtë, por jo si tek ne.

Sidoqoftë, kam ca lajme të mira. Sot kam marrë rezultatet e GCSE-së (ato janë si provime që i kryen në fund të shkollës fillore). Kam marrë notën më të lartë në lëndën e artit!

Unë mendoj se pata mësues të mirë, por prapë se prapë ndjehem paksa çuditshëm, sepse nuk i pata kryer detyrat ashtu siç duhet. Nuk isha e sigurt se a do t’i kaloja provimet apo jo. Kalova vitin me nota të larta dhe kjo ishte gjëja e fundit që prisja.

Meqë ra fjala, kohën fundit kam më shumë besim kur flas me njerëz në gjuhën angleze. Tashmë, unë me të vërtetë mund të them atë çka mendoj. Gjatë viteve të kaluara, jam ndjerë e tejdukshme dhe më vjen mirë që dikush tjetër nuk flet në vendin tim. Mendoj që të studioj artin në kolegj sepse pata notën më të lartë. Shkolla e artit ku kam vendosur të shkoj është shumë e mirë.

A të kujtohet kur mendoja të bëhem farmaciste? Se si ndryshojnë gjërat. Të them të drejtën, mendoj se nuk do të isha bërë shumë farmaciste e zonja, mbase është edhe për të mirën e shëndetit të tjerëve. Shpresoj të të shoh së shpejti. Me dashuri, Saranda./ KultPlus.com

Kiana Kryeziu “pushton” mediat japoneze: Lojërat Olimpike ishin ëndrra ime

Skitarja nga Kosova, Kiana Kryeziu, ka shkruar histori për Kosovën duke arritur të bëhet vajza e parë që arrin kualifikim në Lojërat Olimpike Dimërore, shkruan KultPlus.

Njëra ndër agjencitë më të njohura të lajmeve në Tokio, Kyodo News, ka shkruar për arritjet e Kryeziut.

Kyodo News është një agjenci lajmesh bashkëpunuese jofitimprurëse me qendër në Minato, Tokio. Ajo u themelua në nëntor 1945 dhe shpërndan lajme pothuajse në të gjitha gazetat dhe rrjetet e radios dhe televizionit në Japoni. Gazetat që përdorin lajmet e saj kanë rreth 50 milionë abonentë.

“Një gjimnaziste nga Kosova ka rrëmbyer një biletë për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit. Kjo është hera e parë që një sportiste nga Kosova do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike. Kjo ka qenë ëndrra ime. “Unë do të bëj çmos për të arritur rezultate të mira”, u shpreh e entuziazmuar skiatorja Kiana Kreziu.

“Fillova të merrem me sikjimin në moshën katër ose pesë vjeçare dhe më pëlqeu aq shumë sa mezi prisja të bëja një gjë të tillë, ku gjatë gjithë vitit prisja dimrin. Një nga motivimet e synimit për Olimpiadën ishte suksesi i Majlinda Kelmendit (30), e cila fitoi medaljen e parë të artë në Kosovë në Olimpiadën e Rio de Zhaneiros 2016 në Xhudo për vajza në kateogrinë52 kg. “Isha ende fëmijë, por u ndikova shumë”, tha ajo.

Ky artikull është shkruar nëpër disa prej gazetave më të famshme në Japoni, të cilat KultPlus i ndan me ju.

Gazeta Kanagawa (gazeta me ndikim në kantonin, komunën e Kanagawa)
Okinawa Times (një nga gazetat më të mëdha në kantoninOkinawa)
Gazeta Asahi (një nga gazetat më të mëdha në Japoni)
Gazeta Tokio (një nga gazetat më të mëdha në Japoni)
Niigata Nippo (gazeta më e madhe në kantonin Niigata)
Gazeta Kochi (gazeta më e madhe në kantonin e Koçit)
Gazeta Kumamoto Nichinichi (gazeta më e madhe në kantonin Kumamoto)
Gazeta Ryukyu Shinpo (një nga gazetat më të mëdha në kantonin Okinawa)
Gazeta Chunichi (gazeta më e madhe në kantonin Aichi)
Gazeta Fukushima Minpo (një nga gazetat më të mëdha në kantonin e Fukushimës)
Gazeta e përditshme sportive “Daily Newspaper” (një nga gazetat më të mëdha sportive në Japoni)
Gazeta Hokkaido (gazeta më e madhe në Hokkaido). /KultPlus.com

‘Sekreti’ i Ronela Hajatit në mesin e tri këngëve më të dëgjuara të ‘Eurovision’

Kënga ‘sekreti’ e këngëtares Ronela Hajati e cila do ta përfaqësojë Shqipërinë në ‘Eurovision’ ka hyrë në mesin e tri këngëve më të dëgjuara që garojnë në këtë konkurs, përcjell KultPlus.

“Për herë të parë Shqipëria është në vendin e tretë për shikueshmërinë më të lartë në faqen zyrtare të Eurovision në YouTube. Urime!” ka shkruar këngëtarja në një postim në Instagram.

Konkursi Evropian i Këngës këtë vit do të mbahet në Torino të Italisë./ KultPlus.com

Kopshti i të marrëve

Poezi nga Rainer Maria Rilke

Kjo që dikur na ishte një murgatë,
Po ngjeshet rreth oborrit me mundim,
Sikur kërkon të mbyllë ndonjë plagë…
Të tjerë njerëz vijnë për strehim.
Të qetë rrojnë, larg zhurmës botë.
Nëpër këto udhë enden me ngadalë.
Takohen, ndahen, risht ndodhen përballë,
Sikur parajsës bredhin, ku s´bën ftohtë.
Për lulet përkujdesen nëpër lehe,
Të varfër e të gjunjëzuar.
Dhe kur s´i sheh ndonjë, kanë një shprehje
Të përmalluar, të hutuar,
Për këtë njomështi e këtë bar,
Një ledhatim të ndrojtur e të ngrohtë.
E kuqja e trëndafilit kërcellhollë,
Sikur thërret me zë kërcënimtar,
Sikur kudo të shtrijë do sundimin,
Dhe mbi këta që ngrihen që pa gdhirë,
Po nuk arrin të shfaqë si për mendimin:
Sa i mirë bari i njomë që ka mbirë!/ KultPlus.com

Një tjetër arritje madhështore, Krasniqi e argjendtë në Paris

Kampionia olimpike, Distria Krasniqi, me një tjetër sukses madhështor, fiton medaljen e argjendtë në Grand Slam të Parisit, shkruan KultPlus.

Amandine Buchar arriti që me shumë vështirësi të fitojë në përballje ndaj xhudistes nga Kosova, Distria Krasniqi.

Komentatorët e kësaj ndeshje e vlerësuan meçin si diçka të jashtëzakonshme, dhe ndoshta më të mirin në këtë garë.

Disi u tregua mjaftë e suksesshme në disa përpjekje të cilat i bëri, mirëpo në “Golden Score”, Buchar tregoi fuqinë e saj duke fituar medaljen e artë.

MASHTI po punon për avancimin e arsimit të nxënësve me dëmtime në dëgjim

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në kuadër të angazhimeve për krijimin e kushteve për nxënësit me dëmtime në dëgjim, ka lansuar dy iniciativa për personat me nevoja të veçanta.

Punësimi i tre asistenteve të gjuhës së shenjave në Qendrën Burimore “Nënë Tereza” në Prizren dhe i instruktorëve të gjuhës së shenjave, ka hapë mundësinë që gjuha e shenjave të marrë vendin e merituar për komunitetin që nuk dëgjojnë, por edhe për të gjithë qytetarët që duan të mësojnë gjuhën e shenjave kosovare.

Gjuha shenjave është gjuha më e re e standardizuar në Kosovë dhe pas një rruge të gjatë, tashmë po institucionalizohet përmes programeve të akredituara.

MASHTI në bashkëpunim me Shoqatën Kosovare të Shurdhërve dhe ekspertë nga Finlanda po punojnë në ketë nismë, e cila për herë të parë do të krijojë kushte të mësohet dhe të promovohet gjuha standarde e shenjave, e cila ju mundëson personave që nuk dëgjojnë arsimim bilingual./ KultPlus.com

Koreografi Nuha njofton se është duke punuar në një projekt artistik për Italinë

Koreografi, Robert Nuha, ka njoftuar se është duke punuar për të sjellur diçka të re shumë shpejt, shkruan KultPlus.

“Mekanike” Vallëzoni dhe improvizoni derisa të gjeni një gjuhë të re trupi, diçka të ndryshme, diçka origjinale që duhet ta kërkoni thellë për të… më pas, sa herë që do të prodhoni diçka të re!”, shkroi ai në “Facebook”.

Nuha për KultPlus konfirmoi se ky është një projekt artistik për Italinë dhe do të vijë shumë shpejt.

Vallëzimi teatral ‘Totem and Taboo’ me koreografi të koreografit, Robert Nuha ka qenë pjesë e disa festivaleve viteve të fundit. /KultPlus.com

Për mëmëdhenë

Poezi nga Mihal Grameno

Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë
Vraponi burra, se s’ka me pritë.
Të vdesim sot me besa-besë
Pranë flamurit të kuq q’u ngrit.

Pranë flamurit, pranë flamurit
Me shpatë zhveshur shqipëtarisht,
Për dhen’ e babës edhe të burrit
Kemi me vdekur sot burrërisht.

E Drini plak me oshëtima
Mbi Shqipërinë valet po derdh;
Tosk’ edhe Gegë si vetëtima
Armikut bini, se dita erdh.

Ejani burra malit përpjetë
Duke u betuar vdekj’a liri.
Se s’ka më ëmbël në këtë jetë,
kur vdes shqiptari për Shqipëri! /KultPlus.com

Mbretëresha Elizabeth shënon 70 vjetorin e saj në fronin britanik

Mbretëresha Elizabeth shënon të dielën 70 vjet në fronin britanik, një moment historik që asnjë prej paraardhësve të saj nuk e ka arritur kurrë gjatë 1000 viteve të fundit dhe që vetëm disa monarkë anembanë globit e kanë arritur ndonjëherë, transmeton KultPlus.

Elizabeth u bë mbretëresha e Britanisë dhe më shumë se një duzinë mbretërish të tjera duke përfshirë Kanadanë, Australinë dhe Zelandën e Re pas vdekjes së babait të saj Mbretit George VI më 6 shkurt 1952, ndërsa ajo ishte në Kenia në një turne ndërkombëtar.

Lajmin ia dha bashkëshorti i saj Princi Philip, i cili vdiq vitin e kaluar në moshën 99-vjeçare pas më shumë se shtatë dekadash pranë saj.

Elizabeth do të shënojë “Ditën e Anëtarësimit” në mënyrë private siç është zakon, duke mos e parë atë si diçka për të festuar. Por do të ketë katër ditë ngjarje kombëtare për të shënuar jubileun e saj Platinum në qershor.

“Ndërsa është një moment për festë kombëtare, do të jetë një ditë emocionesh të përziera për Madhërinë e Saj, pasi dita shënon gjithashtu 70 vjet nga vdekja e babait të saj të dashur George VI”, tha kryeministri Boris Johnson në parlament të mërkurën, duke falënderuar monarke për “shërbimin e saj të palodhur”.

Elizabeth ka vazhduar të kryejë detyra zyrtare deri në të 90-at e saj, por është parë pak në publik që kur kaloi një natë në spital tetorin e kaluar për një sëmundje të paspecifikuar dhe më pas u udhëzua nga mjekët të pushonte.

Megjithatë, Pallati Buckingham të premten publikoi pamjet përpara festës historike të së dielës, duke treguar atë duke parë sende nga jubiletë e mëparshëm mbretërorë, të tillë si një fanse që i është dhënë stërgjyshes së saj Mbretëreshës Victoria për të shënuar 50-vjetorin e saj në fron në 1887, të nënshkruar nga familja. , miq dhe politikanë./ KultPlus.com

La Revue d’Orient: Kur paria e Shkodrës i kërkonte Portës së Lartë ndriçimin e liqenit

Nga Aurenc Bebja, Francë – 5 Shkurt 2022

“La Revue d’Orient” ka botuar, me 10 maj 1899, në faqen n°5, një shkrim në lidhje me kërkesën e veçantë asokohe të parisë së Shkodrës drejtuar Portës së Lartë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

“Energjia elektrike në Shqipëri – Sipas asaj që na thonë nga Kostandinopoja, disa të njohur në Shkodër të Shqipërisë i kanë kërkuar Portës së Lartë autorizimin për ndriçimin e liqenit të Shkodrës dhe brigjeve të tij me dritë elektrike, për të bërë të mundur lundrimin gjatë natës, ashtu siç është bërë me Kanalin e Suezit. /KultPlus.com

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Kosova siguron medalje në Paris, Distria Krasniqi arrin në finale

Distria Krasniqi ka arritur të kualifikohet në finale të Grand Slamit në Paris, duke mposhtur zviceranen Fabienne Kocher me IPPON, shkruan KultPlus.

Krasniqi u tregua shumë e suksesshme në përballjet e saj dhe rrjedhimisht ka arritur kualifikimin në finale.

Chelsie Giles dhe Khorloodoi Bishtrelt janë kundërshtaret e mundshme të Krasniqit në finale.

Në Grand Prix të Portugalisë, Distria fitoi medaljen e artë dhe të njëjtën gjë po synon edhe tani. /KultPlus.com

Kur ti fle

Shkruan: Jacques Prévert
Përktheu nga frengjishtja: Ag Apolloni

Kur ti fle

Ti fle natën,
po unë nuk muj.
Të shoh si flen
e kjo m’ban t’vuj.

Ti i mbyll sytë sapo bie n’shtrat
e unë rri e shoh trupin tand të gjatë.
Asht qesharake, po mue m’ban me qajtë
kur shoh se papritun ti nis e qesh.
Ti qesh ndërsa fle.
A thue tash ku je?
Vërtet ku ike që m’le?
Në nji vend tjetër
ndoshta me nji tjetër grue.
Tash ti je me të dhe po qesh me mue.

Ti fle natën,
po unë nuk muj.
Të shoh si flen
e kjo m’ban t’vuj.

Kur ti fle
unë s’e di a m’do përnjimend.
Të kam afër, por jo në këtë moment.
Edhe pse jam zhveshë e për trupi t’u kam mbështetë,
më duket sikur kemi dikend ndërmjet.
E prapë unë rrahjet e zemrës muj me t’i ndëgjue,
edhe pse nuk e di nëse rrahin për mue.
Nuk di asgjâ, jo nuk di mâ.
Uroj që zemra jote të pushojë
atë ditë kur të mos më dojë.

Natën ti andërron,
po unë çka me ba?
Të shoh si andërron
dhe m’vjen me qa’.

Kështu kalon nata e ti zgjohesh në mëngjes
dhe jam unë ajo së cilës ti tash i buzëqesh.
Ti i buzëqesh rrezes, ditës me diell,
e unë due ta harroj atë që e mendoja n’terr.
Ti më drejtohesh si përherë,
duke u shtriqë n’shtrat:
“A ke flejtë mirë?”
E unë ta kthej pa e zgjatë:
-“Po, shpirt, shumë mirë.”
-“Kurse unë të kam pa andërr si çdo natë.” /KultPlus.com

Distria Krasniqi në ‘gjueti’ për medalje, siguron gjysmëfinalen në Paris

Xhudistja nga Kosova, Distria Krasniqi, pas një meçi shumë të vështirë ndaj kundërshtares Chelsie Giles, në fund ka arritur edhe ta fitojë përballjen, shkruan KultPlus.

Në Grand Slamin e Parisit, Krasniqi me shkronja të arta në shpinë si një kampione olimpike, ka siguruar gjysëmfinalen.

Në kategorinë 52 kilogramë, Krasniqi në gjysëmfinale do të përballet ndaj zviceranës Fabienne Kocher.

Kosova në këtë Grand Slam po përfaqësohet nga katër xhudistë. /KultPlus.com