Albin Kurti prezanton planin qeveritar për punësim

Kryeministri Albin Kurti, përmes një video-mesazhi, ka paraqitur skemën e re për punësim për të gjithë qytetarët e Kosovës, shkruan KultPlus.

I pari i ekzekutivit synon që çdo familje të ketë së paku një anëtar të punësuar.

Kurti ka thënë se çdo familje që nuk ka së paku një të punësuar, shteti do t’ia subvencionojë deri në 70 për qind të pagës bruto, pra deri në 300 euro për periudhën gjashtë mujore.

“Punësim dhe drejtësi janë prioritetet tona sepse këto janë kërkesat tuaja. Po e nisim skemën e radhës në mbështetje të qytetarëve: Qeveria për familjet. Në kuadër të masave të punësimit, synojmë të garantojmë që çdo familje e Republikës sonë ka së paku një anëtar të punësuar.

Nëpërmjet kësaj skeme, ne do të subvencionojmë deri në 70 për qind të pagës bruto të punëtorit, maksimumi 300 euro për gjashtë muaj me radhë”, ka thënë Kryeministri.

Ai gjithashtu njoftoi se kushti kryesor për të përfituar nga kjo skemë është që punëkërkuesi nuk ka të punësuar asnjë anëtar të familjes.

“Nga e hëna krejt cka duhet të bëni ju që kërkoni punë e që e plotësoni këtë kusht është të dërgoni dokumentet përkatëse në zyrat e punësimit në komunat tuaja. Ministria e Financave të hënën do të ndajë me ju të gjitha informatat e nevojshme”. /KultPlus.com

Më 17 korrik mbahet ceremonia mbyllëse e FISU Kupës Botërore Universitare

Të dielën, me datë 17 korrik 2022, me fillim nga ora 21:30, do të mbahet ceremonia mbyllëse e FISU Kupës Botërore Universitare.

Gjithsej 14 ekipe universitare, për një javë rresht, kanë garuar në Prishtinë për kampionin botëror të hendbollit universitar. 

Me fillim nga ora 21:35, do të bëhet ndarja e medaljeve për femra dhe ndarja e medaljeve për meshkuj. /KultPlus.com

16 korrik 1895: Në Bukuresht botohej gazeta ‘Shqiptari’

Më 16 korrik 1895 u botua numri i parë i gazetës “Shqiptari” në Bukuresht, Rumani, nga Bashkësia Shqiptare. Gazeta “Shqiptari” (Bukuresht, 1888-1903), nën drejtimin e Nikolla Naços, ishte ndër më të rëndësishmet në historinë e shtypit shqiptar.

Nikolla Naço, ka qenë veprimtar dhe atdhetar i Rilindjes Kombëtare. I lindur në qytetin e Korçës, qysh i ri mërgoi në Egjipt e pastaj në Rumani. Ai mbante lidhje me shumë atdhetarë shqiptarë brenda dhe jashtë atdheut, ashtu si edhe me personalitete rumune dhe europiane të kohës.

Në vitin 1888 Nikolla Naçio filloi botimin e gazetës dy-gjuhësore të quajtur “Sqipetari/Albanezul”.

Gjithashtu në Bukuresht, në vitin 1892 u krijua Instituti Kulturor Shqiptaro-Rumun i quajtur “Lumina”. Shkolla kishte pjesëmarrje të vogël dhe mezi qëndronte hapur. Objektivi i saj ishte përgatitja e mësuesve të ardhshëm të gjuhës shqipe, pavarësisht besimit të tyre fetar. Këta mësues do të dërgoheshin në rajonet ku jetonin Shqiptarë (Shqipëri, Austro-Hungari, Bullgari, Greqi, Itali, Maqedoni, Mal të Zi, Rusi, Serbi) dhe do të përpiqeshin të përhapnin gjuhën shqipe dhe krijimin e nacionalizmit shqiptar.

Ja se çfarë shkruante Nikolla Naço, i cili më pas do të bëhej këshilltar i Presidentit të Republikës Shqiptare, Ahmet Zogut, në gazetën “Shqiptari”, numër 16, viti 1888: “Në një kohë që bijtë e Shqipërisë heqin të zitë e ullirit, burra fisnikë, njerëz të mëdhenj të Rumanisë, me një dashuri të vërtetë vllazërore, na rrokin përqafe me ngrohtësi, na japin strehë për shpëtim, na japin zemër në ndërmarrjen tonë, duke na dhuruar, në të njëjtën kohë, edhe të holla, që të mund ta çojmë më tej veprën e filluar” (Në origjinal: “Kur të bijt e Skiparisë langojnëna kata zjar burat, ta ndreçim neras ta mbadhen ta Rumanisë me na ta vertet dasuri vallazariste na perqiafojna, na apan spirt na panan qa kemi zana, na falin holta ta mundim ta mbarojma tamina qa kemi nisur”).

Pothuajse në të gjithë artikujt e Nikolla Naços përsëritet konstatimi se “shqiptaro-rumunët janë si dy vëllezër në një kërcell”, ndërsa lidhur me të drejtat që u takojnë në Gadishullin Ballkanik, i njëjti autor theksonte: “Ne shqiptaro-rumunët kemi të drejtë të themi fjalën tonë përsa u përket Maqedonisë, Shqipërisë dhe Epirit… sepse jeta e elementit shqiptaro-rumun është jeta e Perandorisë Otomane”. KultPlus.com

Dita e tretë e edicionit të 13 të festivalit Anibar vjen me aktivitete të shumta

Edicioni i 13-të i Festivalit të Filmit të Animuar Anibar vjen me një program të bujshëm, i cili përfshin aktivitete të shumta.

Gjatë ditës së tretë të Festivalit u zhvillua punëtoria një-ditore “Scratchatopia” me animatorin e mirënjohur Steven Woloshen. Punëtoria u fokusua mbi krijimin e filmave të animuar dhe eksperimental
në Kinemanë Jusuf Gërvalla dhe ishte e hapur për të gjitha grupmoshat.

Aktivitetet filluan në ora 11:00 me masterklasën: “Të menduarit abstrakt në bërjen e filmave të animuar” me Julia Farkas. Qëllimi i kësaj masterklase ishte t’i udhëzoj pjesëmarrësit se si të dëgjojnë
intuitat e tyre dhe si të zhvillojnë stilin e tyre artistik.

Programi i rregullt i shfaqjes së filmave filloi në ora 12:00 me filmat e garës së metrazhit të gjatë 2, ku u shfaq filmi Bob Spit. Ndërsa, shfaqja e filmave të garës së kategorisë së të drejtave të njeriut 1 filluan nga
ora 14:00 në Kinemanë Jusuf Gërvalla. Adhuruesit e filmave patën mundësinë të ndjekin: Cockroach, La prima cosa, Night, Seven Gram, dhe IT RAINS.

Gjatë tërë Festivalit ne kemi zgjedhur edhe një seri panelesh të ndryshme. Në ora 17:00 u mbajt prezantimi i Manifesta 14 Prishtinë në Galerinë e Arteve. Aty u prezantuan aktivitetet e tyre, duke u fokusuar në përkushtimin e Bienales Evropiane Nomadike për të mbështetur rikthimin e hapësirave publike në kryeqytetin e Kosovës si dhe fokusin e saj në nxitjen e dialogut ndërkulturor.

Në Kino Liqeni nga ora 20:00 audienca pati mundësinë të shoh krijimet e studentëve të rinj në garën e studentëve, me gjithsej 9 filma të jashtëzakonshëm artistik të cilët janë: Sweet Nothing, Eyes and Horns, In case the body exults, White, Black and True Love, To kill the Birds & the Bees, Silvering, Sauna, Mom, what’s up with the dog? dhe Persona.

Mbrëmja vazhdoi me shfaqjen e filmave të garës ndërkombëtare 2 ku në Kino Kubat të pranishmit ndoqën filmat: Sierra, Regular, Pig, Oneluv, Luce and the Rock, dhe The Record.

Bestytndeja ishte e veçantë mbrëmë me performancën e grupit Blla Blla Blla dhe tingujt e muzikës elektronike me artisten nga Ukraina, NFNR e cila të gjitha të ardhurat do ti dërgoj në Ukrainë në
mbështetje të vendit të saj.

Edicioni i 13-të i festivalit me një program të larmishëm me shumë aktivitete të ndryshme do të vazhdoj çdo ditë deri më 19 korrik në qytetin e Pejës. /KultPlus.com

Demolli së shpejti do të hapë ekspozitën e saj, synon promovimin e vlerave dhe trashëgimisë kulturore

Artistja Amire Demolli do të hap ekspozitën e saj personale “e kaluara drejt përjetësisë ARTEFAKTE”, shkruan KultPlus.

Me fillim nga ora 20:00, më 18 korrik do të bëhet edhe hapja e kësaj ekspozite në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës.

Siç thotë Demolli për KultPlus, ajo ka 15 piktura me tematikë të trashëgimisë kulturore (artefakte dhe kështjella).

“Qëllimi im është promovimi i vlerave dhe trashëgimisë kulturore që kemi”, ka thënë Demolli, duke shtuar gjithashtu se synim ka që të dërgojë këtë ekspozitë edhe jashtë kufijve.

“Promovimi i këtyre vlerave në vendet evropiane do të ishte ideale”, përfundoi ajo. Ndërkaq, akoma nuk është bërë e ditur se për sa kohë do të qëndrojë e hapur kjo ekspozitë. /KultPlus.com

‘Jam shqiptar e kosovar, zot e krenar, zot e bujar’

Nga Mitrush Kuteli

Jam shqiptar
e kosovar;
zot e krenar,
zot e bujar
mbi këtë dhé,
q’e kam si fe,
e përmbi fé:
E kam vatan!
E kam atdhe!
Që gjysh stërgjysh,
që brez pas brez,
që gjithëmonë.
Ti shqa thërret,
ti shqa bërtet,
gjer lartë në retë
se jam barbar.
Jo, s’jam
si bërtet ti,
si buçet ti,
ti, Mal i Zi.
Po vendin tim e dua,
lirinë e dua,
e s’dua
zot
mbi mua.
Se jam këtu
kur s’kish njeri,
kur s’kish kufi
as fqinjëri,
as shqa të zi.
Se jam këtu
kur Mal i Zi
ish Iliri;
kur nga një det
në tjetrin det
isha zot vetë!
Unë jam këtu
nga moti
kur vetë Zoti
e bëri fushën
fushë
e malin
mal.
Unë jam këtu
e do të jem
– dem baba dem –
sa mali të bëhet hi
e hiri mal përsëri. /KultPlus.com

Amarildo Ruçi, artisti i parë shqiptar që ekspozon veprat e tij në muzeun e Luvrit

 Artisti shqiptar Amarildo Ruçi do të ekspozojë veprat e tij nga 1-4 shtator në muzeun e Luvrit në Paris.

Ruçi do të jetë pjesë e ekspozitës “Focus Art Fair PARIS 2022’’ në Luvër, ku veprat e tij do të mund të shihen nga mijëra turistë nga e gjithë bota.

Amarildo Ru, ky artisti kontravers, që pikturon me gishta, pa penel, ka arritur që të jetë shqiptari i parë që merr pjesë me veprat e tij në muzeun e Luvrit, duke u bërë kështu një ambasador i Shqipërisë me talentin e tij dhe duke dhënë kështu një shembull të mirë se si të rinjtë shqiptarë kapin majat në çdo fushë./atsh/KultPlus.com

Çeku: “Europa Nostra” e nënshtruar nga Serbia, refuzuan ta fusin Kalanë e Novobërdës në shtatë monumentet më të rrezikuara

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku, ka reaguar ndaj raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cila në një takim me sekretaren gjenerale të organizatës “Europa Nostra”, i kishte futur në një fjali shkatërrimin kulturor në Ukrainë me atë të Manastirit të Deçanit, raporton Ekonomia Online.

Në konferencën e mbajtur të shtunën, Çeku ka thënë se organizata “Europa Nostra”, pa të drejtë e ka përfshirë këtë manastir në shtatë monumentet më të rrezikuara në Kosovë, ndërsa e ka refuzuar ta fusë në këtë listë Kalanë e Novobërdës.  

“Për ne kjo vizitë është e pakumtimtë, e vonuar dhe pa asnjë efekt. Organizata “Europa Nostra” ka humbur kredibilitetin pasi që iu është nënshtruar ndikimit politik të Serbisë. Në të njëjtën kohë ne e kemi parë një hopokrizi të kësaj organizate sepse vitin e kaluar e ka përfshirë Manastirin e Deçanit pa të drejtë në listën e shtatë monumenteve më të rrezikuara prandaj, përveç që është e nënshtruar nga Serbia, kjo organizatë i shkel edhe objektivat e profesionalizimit dhe e refuzon Kalanë e Novobërdës për t’u përfshirë në shtatë monumentet më të rrezikuara”, ka thënë Çeku.

Ministri ka kërkuar përgjigje nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, për postimin e saj lidhur me Manastirin e Deçanit kur ajo i ka përfshirë atë dhe monumentet e shkatërruara nga Rusia në Ukrainë në një fjali. Çeku ka dashur të dijë nëse Cramon ka tërhequr paralele mes Kosovës dhe Rusisë në këtë rast.

“Ditëve të fundit kemi parë një publikim nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, për një takim me zyrtarë të “Europa Nostra”. Në twitterin e zonjës Cramon, Manastiri i Deçanit dhe monumentet e shkatërruara në Ukrainë nga agresioni rus futën në një fjali. Ne duam të besojmë se ajo këtë gabim e ka bërë paqëllimshëm, që nuk i ka informatat e sakta, i ka bërë në mënyrë të ngutshme, megjithatë ajo duhet të na ofrojë një sqarim për këtë gabim që e ka bërë”, ka thënë tutje ai.

“E kemi një pyetje për Cramon, a ka tërhequr ndonjë paralele mes neve dhe Rusisë kur në të njëjtën fjali e ka përfshirë Manastirin e Deçanit dhe monumentet e Ukrainës që po shkatërrohen nga agresioni rus. Ajo duhet të na sqarojë se a tërheq paralele mes Kosovës dhe Rusisë kur i futë në një fjali”, tha ai./ KultPlus.com

Festival kulinarie në Shkodër

Festivali i ushqimeve dhe pijeve e transformoi sheshin para bashkisë së Shkodrës në një markatë të madhe ku servireshin pjatat dhe gatimet më të mira të restoranteve të qytetit si dhe produktet lokale të zonës. Prania e disa prej bizneseve që operojnë në qytet në fushën e gastronomisë solli interesin e qytetarëve për t’u njohur më nga afër me to por edhe për të provuar shijen e gatimeve bio.

Të pranishëm në panairin gastronomik ishin edhe shefat italianë të ardhur enkas për edicionin e parë të festivalit ku në fjalën e tyre përshëndetën iniciativën e organizatorëve.

Kryetari i bashkisë Bardh Spahia u shpreh se ky nuk është një festival që promovon vlerat gastronomike të qytetit, por edhe i resurseve dhe bukurive natyrore të Shkodrës ndërsa theksoi se ai do të shndërrohet në traditë.

“Mendoj se nëpërmjet promovimit të resurseve tëjashtëzakonshme  që ka territori i bashkisë tonë, është mënyra më e mirë për të stimuluar ekonominë. Kjo shihet qartë edhe gjatë këtyre dy ditëve të jashtëzakonshme që shohin të angazhuar një numër shumë të madh të realiteteve ekonomike, e kam fjalën për mëse 20 restorante, njësi prodhuese, fermerë të angazhuar në këtë festival të gastronomisë shkodrane. Besoj se jehona e këtij festivali ka qenë e madhe në vend e përreth,veçanërisht në shtetin fqinj, Itali”.

Në orët e mbrëmjes festës iu shtua edhe muzika duke vijuar me artistët që performuan deri në orët e vona të saj duke bërë që të gjithë ata që kishin mbushur sheshin ta shijonin atmosferën e krijuar./ Klan News/ KultPlus.com

Paratë e koncertit të Ramë Lahaj do të jepen donacion për studentët që nuk ia dalin vetë

Nga data 21 korrik deri më 31 korrik do të mbahet koncerti Ndërkombëtar i Operës “Ramë Lahaj”, shkruan KultPlus.

Disa ditë pa filluar ky koncert, Lahaj ka ndarë fotografi të veçanta në rrjetin social “Facebook”, duke e lavdëruar dhe duke shfaqur dashurinë për Erza Muqollin.

Postimi i plotë:

“E kam marrë në krah dhe e kam përqafu sa herë më asht’ dhanë mundësia, kur kemi qenë në ngjarje të përbashkëta. E kam shtrëngu fort se asht’ vetë dashnia. Për Erzën, kritika botërore thotë se ajo të rrënqethë trupin kur këndon. Nuk ka se si të jetë ndryshe; rrënjët e saj janë nga Drenica, vatra më e vujtun në Kosovë. Në zanin e saj krejt natyrshëm ndjehet krenaria, dhimbja, vuajtja dhe fitorja jonë.

Erza e ka pasë fatin të rritet e të shkollohet në Evropë, në sistemet më të mira edukative, ndërsa ne në Kosovë kemi plot talente që sot nuk e kanë një mundësi të tillë. Po mbledhemi të gjithë së bashku jo veç për ta festu suksesin e Erzës bashkë me mërgatën tonë, por edhe të ndihmojmë me donacione përmes shitjes së biletave për këtë koncert unik, duke mbështetur talentet e reja që nuk kanë mundësi financiare.

Miq, nuk kam dashtë kurrë që ju të paguani për koncertet e mia, andaj edhe festivali është i hapur dhe pa pagesë. Mirëpo, në mbrëmjen gala kemi vendosur të mbledhim fonde përmes shitjes së biletave, për ata studentë të cilët nuk mund t`ja dalin vetë. Me biletën që do ta bleni, jo vetëm do ta përjetoni një koncert krejt unik në sheshin e qytetit, shoqëruar me artistë e yje nga e mbarë bota, si kurrë më parë, por edhe do të mbështesni talentet e Kosovës.

Faleminderit për respektin, dashninë e besimin që ma dhuroni, përherë.

I juaji,
Ramë Lahaj”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com

Pingpongistëve kosovarë u mohohet pjesëmarrja në Kampionatin Evropian të Pingpongut U-21 në Beograd, KOK: Politika serbe përzihet në sport

Pingpongistëve kosovarë u është mohuar pjesëmarrja në Kampionatin Evropian të Pingpongut U-21 që po mbahet në Beograd, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në Facebook, Komiteti Olimpik i Kosovë e ka konsideruar përzierje të politikës serbe në sport duke diskriminuar pjesëmarrësit kosovarë.

Në vijim gjeni postimin e Komitetit Olimpik të Kosovës:

Politika serbe sërish përzihet në sport, pingpongistëve kosovarë iu mohohet pjesëmarrja në Evropian!

Politika serbe vazhdon të përzihet në sport, dhe atë duke diskriminuar sportistët tanë.

Rasti i fundit ndodhi me pingpongistët tanë, të cilëve iu mohua pjesëmarrja me të drejta të barabarta me shtetet tjera në Kampionatin Evropian të Pingpongut U-21, që po mbahet në Beograd të Serbisë.

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Federatën e Pingpongut të Kosovës gjatë procesit të pjesëmarrjes në Evropian, për çka dënojmë veprimin e radhës të përzierjes së politikës serbe në sport, e që nuk është rasti i parë, kur bëhet fjalë për sportistët tanë.

KOK shpreson që Federata Evropiane e Pingpongut (ETTU), të marrë masat e nevojshme ndaj organizatorit të Evropianit, në këtë rast Serbisë, me besimin se diskriminimet e tilla do të marrin fund një herë e përgjithmonë./ KultPlus.com

‘Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi’

Poezi nga Migjeni

Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi,
kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi
kur shef ftyra të zbeta edhe sy t’jeshilta
që t’shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita
edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin
të tan jetën e vet derisa të vdesin.

e mbi ta n’ajri, si në qesendi,
therin qiellën kryqat e minaret e ngurta,
profetënt dhe shejtënt në fushqeta të shumngjyrta
shkëlqejnë. e mjerimi mirfilli ndien tradhti.
mjerimi ka vulën e vet t’shëmtueme,
asht e neveritshme, e keqe, e turpshme,
balli që e ka, syt që e shprehin,
buzët që më kot mundohen ta mshefin –
janë fëmitë e padijes e flitë e përbuzjes,
t’mbetunat e flliqta rreth e përqark tryezës
mbi t’cilën hangri darkën një qen e pamshirshëm
me bark shekulluer, gjithmon i pangishëm.

mjerimi s’ka fat. por ka vetëm zhele,
zhele fund e majë, flamujt e një shprese
t’shkyem dhe të coptuem me t’dalun bese.

mjerimi tërbohet n’dashuni epshore.
nëpër skaje t’errta, bashkë me qej, mij, mica,
mbi pecat e mykta, t’qelbta, t’ndyta, t’lagta
lakuriqen mishnat, si zhangë; t’verdhë e pisa,
kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore,
kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta
edhe shuhet uja, dhe fashitet etja
n’epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja.
dhe aty zajnë fillin t’marrët, shërbtorët dhe lypsat
që nesër do linden me na i mbushë rrugat.

mjerimi në dritzën e synit t’kërthinit
dridhet posi flaka e mekun e qirit
nën tavan t’tymuem dhe plot merimanga,
ku hije njerzish dridhen ndër mure plot danga,
ku foshnja e smume qan si shpirt’ i keq
tu’ ndukë gjitë e shterruna t’zezës amë,
e kjo prap shtazanë, mallkon zot e dreq,
mallkon frytn e vet, mallkon barrn e randë.
foshnj’ e saj nuk qesh, por vetëm lëngon,
e ama s’e don, por vetëm mallkon.
vall sa i trishtueshëm asht djepi i skamit
ku foshnjën përkundin lot edhe të fshamit!

mjerimi rrit fëmin në hijen e shtëpive
të nalta, ku nuk mrrin zani i lypsis,
ku nuk mund t’u prishet qetsia zotnive
kur bashkë me zoja flejnë në shtretënt e lumnis.

mjerimi pjek fëmin para se të burrnohet,
don ta msojë t’i iki grushtit q’i kërcnohet,
atij grusht që n’gjumë e shtërngon për fytit
kur fillojnë kllapitë e etheve prej unit
dhe fetyrën e fëmis e mblon hij’ e vdekjes,
një stoli e kobshme në vend të buzqeshjes.
nji fryt kur s’piqet dihet se ku shkon
qashtu edhe fëmia n’bark t’dheut mbaron.

mjerimi punon, punon dit e natë
tu’ i vlue djersa në gjoks edhe në ballë,
tue u zhigatun deri n’gjujë, n’baltë
e prap zorrët nga uja i bahen palë-palë.
shpërblim qesharak! për qindenjë afsh
në ditë – vetëm: lekë tre-katër dhe “marsh!”.

mjerimi kaiher’ i ka faqet e lustrueme,
buzët e pezmatueme, mollzat e ngjyrueme,
trupin përmendore e një tregtis s’ndytë,
që asht i gjikuem të bijë në shtrat vet i dytë,
dhe për at shërbim ka për të marrë do franga
ndër çarçafë, ndër fëtyra dhe në ndërgjegje danga.

mjerimi gjithashtu len dhe n’trashigim
-jo veç nëpër banka dhe në gja të patundshme,
por eshtnat e shtrembta e n’gjoks ndoj dhimbë,
mund që t’len kujtim ditën e dikurshme
kur pullaz’ i shpis u shemb edhe ra
nga kalbsin’ e kohës, nga pesha e qiellit,
kur mbi gjithçka u ndi një i tmerrshmi za
plot mallkim dhe lutje si nga fund i ferrit,
ish zan’ i njeriut që vdiste nën tra.
kështu nën kambët’randë t’zotit t’egërsuem –
thotë prifti – vdes ai që çon jetë të dhunuem.

dhe me këto kujtime, ksi lloj fatkeqësinash
mbushet got’ e helmit në trashigim brezninash.
mjerimi ka motër ngushulluese gotën.
në pijetore të qelbta, pranë tryezës plot zdrale
të neveritshme, shpirti me etje derdh gotën
n’fyt për me harrue nandhetenand’ halle.
e gota e turbull, gota satanike
tu’ e ledhatue e pickon si gjarpni-
dhe kur bie njeriu, si gruni nga drapni,
nën tryezë qan-qeshet në formë tragjikomike.
tê gjitha hallet skami n’gotë i mbyt
kur njiqind i derdh një nga një në fyt.
mjerimi ndez dëshirat si hyjet errsina
dhe bajnë tym si hejt q’i ban shkrum shkreptima.

mjerimi s’ka gëzim, por ka vetëm dhimba,
dhimba paduruese qe t’bajnë t’çmendesh,
që t’ap in litarin të shkojsh fill’ e t’varesh
ose bahe fli e mjerë e paragrafesh.

mjerimi s’don mshirë. por don vetëm të drejt!
mshirë? bijë bastardhe e etënve dinakë,
t’cilt n’mnyrë pompoze posi farisejt
i bijnë lodërtinës me ndjejt dhelparak
tu’ ia lëshue lypsiti një grosh të holl’ n’shplakë.

mjerimi asht një njollë e pashlyeme
n’ballë të njerzimit që kalon nëpër shekuj.
dhe kët njollë kurr nuk asht e mundshme
ta shlyejnë paçavrat që zunë myk ndër tempuj./ KultPlus.com

Adele do t’ua kompensojë fansave anulimin e koncerteve në Las Vegas me një dokumentar ku do t’i tregojë të gjitha

Adele po vjen me një projekt të madh. Ylli me famë botërore thuhet se po planifikon një dokumentar që tregon gjithçka për karrierën, dashurinë dhe për shfaqjet e anuluara në Las Vegas. Sipas gazetës britanike The Sun, producentët kanë nisur punën për dokumentarin.

“Adele ndjen se ajo i zhgënjeu disi fansat me mënyrën se si kanë kaluar 12 muajt e fundit, veçanërisht shtyrja në minutën e fundit të koncerteve të saj në Las Vegas, dhe e sheh këtë si një mënyrë për të kompensuar këtë”, tha një burim për gazetën britanike.

Adele është duke punuar në një dokumentar intim për karrierën e saj rekorde dhe se si ajo përballet me famën globale

“Edhe pse të gjithë e dinë emrin e saj, Adele është ende mjaft misterioze si person. Jeta e saj tani në krahasim me kohën kur publikoi albumin e saj debutues është e panjohshme.” Burimi tha se projekti intim do të eksplorojë karrierën e këngëtares së “Hello” dhe udhëtimin drejt famës globale./abcnews/ KultPlus.com

‘Vatrani i harruar’, premiera e re në teatrin ‘Andon Zako Çajupi’ në Korçë

“Vatrani i harruar”, është shfaqja më e re që ngjitet në skenën e teatrit “Andon Z. Çajupi”. Vërtetësia historike dhe interpretimi mjeshtëror artistik i aktivitetit dhe veprës madhore të “Vatranit” Thoma Nasi.

Të dielen (10 Korrik 2922) në teaterin “Andon Zako Çajupi” në Korçë u shfaq premiera “Vatrani i Harruar” e shkruar nga Teodor Laço dhe vënë në skenë nga Milto Kutali, e cila është një hymn jo vetëm për Korçën dhe korçarët, por kombin shqiptar.

Diten e djele ne mbremje “kumtin” e kesaj shfaqje e dha me nje “parahyrje” nga shkallet e Teatrit “A.Z. Cajupi” , banda muzikore e qytetit,  e cila zgjoi kersherin e koracarve ne zemer te qytetit. Nderkohe, qe ne nje salle te mbushur plot me artedashesit korcar, mes tyre dhe personalitete te artit, kultures, dhe fushave te tjera te ketij qyteti prisnin per te pare shfaqjen “Vatrani i harruar”.

Korça, e atdhedashurise, qyteti i dashurisë dhe serenatave të përjetshme, solli me kete rast ne qytetin e tyre mbas afro nje shekulli Thoma Nasin, ate atdhetarin dardhar i cili krijoi bandën e parë muzikore  me emrin e madh “Vatra” në Korçë, teksa ai e la Amerikën me familjen e tij për Shqipërinë.

 Më 1925 atij iu ngarkua nga Mbreti Zog pasi ai i dha  nje “torbe” me flori të organizonte krijimin e bandës muzikore, zhvillimin e jetës muzikore dhe sistemimin e edukimit muzikor në vend, duke krijuar kështu edhe te paren bande muzikore mbas shpalljes se pavaresise se Shqiperise.

Naltemadheria e tij, Zogu i I, i tha Thoma Nasit ne ate kohe se: ” Ai komb qe ka hymnin e tij pa Banden muzikore – nuk mund te jet komb”. Andaj po ti jap keto florinje, qe kjo bande te quhet “Banda Presidenciale Shqiptare”

Mirjana Deti, bashkëshortja e Teodor Laços, ishte në Korçë, se bashku me djalin e saj Pandi Laco, dhe ishte narratore e kesaj shfaqje.

Ajo tha se Thoma Nasi mbasi krijoje kete bande muzikore u largua nga Shqipëria më 1926 dhe u vendos sërish në ShBA, ku vazhdoi të punonte si dirigjent i orkestrave frymore të kishave ortodokse shqiptare në Massachusets.

Për këtë ai eshte sot nje nder figurat me markante te artit dhe kultures i cili erdhi ne Shqiperi nga kolonit e para shqiptare ne Amerike, që ishin mbledhur në atē kohë përrreth Federates Pan-Shqiptare Vatra.

Ne shfaqjen e shkelqyer per me shume se nji ore ne qender te saj ishte i vendosur  Thoma Nasi, nderkohe qe per rreth tij levizin nen interpretimin e shkelqyer aktorët, duke luajtur figura te nderuara te kombit tone, si Fan Noli apo Ahmet Zogu. Figura keto qe bene histori, por dhe djem korcare si , Kristaq Antoniu, Papahristo, Mihal Ciko, dhe vlonjati Ali Asllani etj… figura keto qe sakrifikuan gjithcka per emancipimin dhe edukimin kulturor e patriotik jo vetem te Korces , por edhe te kombit shqiptar!

Vepra erdhi në dy mbrëmje mes korriku në skenën e Korçës me interpretimin e aktorëve Kristian Koroveshi, Dasara Xhangolli, Miriana Deti, Guri Koço, Ligoraq Riza, Franc Bregu, Xhuliano Brisku, Mateus Frroku, Barjam Dosti, Kristi Baçe dhe Barius Hoxhalli.

Skenografia në vepër është e Beqo Nanaj.

Dhe me një gërshetim të shkëlqyeshëm me pjesëmarrjen e korit “Lyra” dhe Bandës së Qytetit, të përgatitura dhe drejtuara nga mjeshtri Pandi Bello.

 Artedashesit korcar duartrokiten disa here lojen e shkelqyer te aktorve dhe interpretim  korit te famshem “Lyra” me diregjent mjeshtrin Pandi Bello.

Shfaqja “lundroje” gajtë 90 minutave mes emocioneve te bukura qe sollen nepermjet interpretimit te tyre te mrekullueshme aktoret e talentuar te kesaj trupe : Kristian Koroveshi, Dasara Xhangolli, Miriana Deti, Guri Koco, Ligoraq Riza, Franc Bregu, Xhuliano Brisku, Mateus Frroku, Barjam Dosti, Kristi Baçe, Bario Hoxhalli.

 “Vatrani i harruar”, shkruar nga Teodor Laço dhe vene ne skene me plot mjeshteri nga Milto Kutali, duket se ri-solli kete vere para ketij publiku artedashes korcar edhe nje here veprimtarinë e shquar te disa figurave me eminente  shqiptare te asaj kohe si Fan Noli, Ahmet Zogu, Mihal Ciko, figura të cilët sakrifikuan aq shume për emancipimin dhe zhvillimin kulturor e patriotik të vendit.

Vepra në teatrin Andon Zako Çajupi

Vepra teatrore u shfaq në datat 10 dhe 11 korrik në qytetin e Korçës dhe sipas regjisorit të njohur Milto Kutali edhe vetë autori kishte shprehur dëshirën, që të ishte në skenën e këtij teatri:

“Si regjisor kjo vepër mbyll këtë sezon aktivitetin tim artistik. Vepra është shkruar nga Teodor Laço, që kishte dëshirën ta vinte në skenë teatri “Andon Zako Çajupi” i Korçës”, tregoi regjisori Milto  Kutali.  

Thoma Nasi emigrant në Amerikë mblodhi instrumentistë dhe krijoi më 1917 bandën muzikore shqiptaro-amerikane “Vatra”.

Në ngjarjet e veprës, regjisori Kutali tregon se vite më parë një grup shqiptarësh lanë Amerikën dhe erdhën në Shqipëri dhe iu bashkuan Luftës së Vlorës, ku lindi dhe kënga “Vlora- Vlora” me tekst të Ali Asllanit dhe me muzikë të Thoma Nasit.

“Sigurisht gjithë vepra i kushtohet këtij aktiviteti të bandës dhe shoqërisë së arteve të bukura, që filloi aktivitetin e vet në Korçë edhe me personalitete të tjera artistike si Mihal Ciko, Vangjush Mio, Sokrat Mio. Më pas aktiviteti i tyre u shtri edhe në Tiranë dhe personazhe në këtë vepër janë edhe personalitete të politikës si Fan Noli, Ahmet Zogu”, tregoi ai.

Sakaq, ai qe na solli nepermjet kesaj drame, ate “famemadhen” Vatra nepermjet figurave me te pikasuar te saj si Noli, dhe Konica, regjisori i shfaqjes, Milto Kutali, tha se vepra të tilla duhet të vendosen me shpesh në skenë, për të dëshmuar sakrificat që atdhetaret kanë bërë ndër vite për vatanin.

 “Vij nga Gjirokastra, edhe aty u vu në skenë vepër kombëtare. Dhe, mendoj që ishte momenti i duhur të vihej kjo vepër në skenë, sepse unë mendo je sot me shume se kurrë mjedisi social shqiptar duhet të kthehet në idealizmi”, tha Kutali.

Regjisori Milto Kutali tregoi se me këtë shfaqje  është bërë një vepër, që ka rëndësi dhe për vlerat historike.

 “Ngjarjet e veprës janë 100 vjet më parë, por gjithçka i kushtohet 110- vjetorit të bandës muzikore “Vatra” dhe aktivitetit të Thoma Nasit dhe të tjerëve. “Vatrani i harruar” është një vepër, që ka shumë vlera dokumentare edhe historike, padyshim dhe për të evidentuar dhe për ti dhënë një vlerë të duhur kontributit të artistëve edhe në lëvizje të tilla shumë të rëndësishme siç ishin ato kohëra të vështira për Shqipërinë”, na tha regjisori i njohur Milto Kutali për këtë vepër, që shënoi premierën në skenën teatrore.

Ne qender te kesaj shfaqje eshte vene figura atdhetare e vatranit Thoma Nasit, dardharit i cili krijoi bandën “Vatra” në Korçë dhe la Amerikën për Shqipërinë, nen interetimin e Kristian Koroveshi, i cili ishte aktori kryesor.

“Një vepër historike që është përgjegjësi në të njëjtën kohë jo vetëm e pikëpamjes profesionale por edhe historike dokumentare. Është fat dhe privilegji shtohet, do i kthehem vetes nesër dhe do them” oh kam luajtur Thoma Nasin”, jam përpjekur të shkoj deri në figurë në një qyteti që unë e dua shumë, jam vet nga Korça”, u shpreh ai.

Pandi Laço i biri i shkrimtarit të njohur Teodor Laço tregoi rëndësinë që kjo vepër kishte për babain e tij, ndërkohë nuk fshehu emocionet e marra. “Sigurisht që ardhja e Vatranit Thoma Nasi është subjekt për film në Hollyëood, që të lërë luksin e Amerikës dhe të vijnë luftojë në Vlorë të ngrejë moralin e luftëtarëve në 1920 është subjekt filmi. Është një vepër e tim eti dhe për një arsye gati kapricoze u zbulua”, theksoi Laço.

Jeta kulturore dhe artistike e Korçës u zhvillua rreth viteve 1920 e mori hov për të mos u ndalur me dhjetëra banda muzikore.

Ilir Jano në statusin e tij në fb shënoi:

Mirenjohje zotit Teodor Laço per dramen e tij “Vatrani i Harruar”. Ne menyre kaq koncize, kaq fisnike, kaq artistike vjen jeta dhe vepra e njerit prej korcareve patriote te shekullit te kaluar, qe luftoi e mbrojti dinjitetin shqiptar, jo me arme, po me muzike, me kulture, me mendesi perparimtare, me ideale fisnike, per ta pare vatanin te barabarte me kombet e tjera europiane./ KultPlus.com

Ekzekutimi i poetëve, ekspozita me sendet personale të Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës

Tashmë kanë kaluar 45 vite nga ekzekutimi i poetëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka.

Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit organizon ekspozitën “45 vite nga ekzekutimi i poetëve”.

Ekspozita, sjell përpara publikut të fotografi dhe dokumente mbi jetën dhe veprimtarinë e këtyre poetëve. Ekzekutimi i tyre simbolizon krimin sistematik të diktaturës komuniste mbi fjalën, mendimin dhe artin.

Procesi ndaj dy poetëve nisi në maj të vitit 1975 dhe në të u përfshinë 39 persona. Pas përfundimit të procesit intelektualët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka u dënuan me ekzekutim në vitin 1977.

Gjykata e Lartë nuk e hodhi poshtë këtë vendim dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor nuk e pranoi kërkesën për faljen e jetës së poetëve.

Pas kërkimeve disa vjeçare, vendi i ekzekutimit të tyre u zbulua në pranverën e vitit 1994. Në prill 1994 eshtrat e tyre u varrosën me të gjitha nderimet në varrezat e qytetit të Librazhdit./ KultPlus.com

Një kalimtareje

– Poezi nga Charles Baudelaire

Rruga rreth e rrotull zjente e zhurmonte.
Veshur në të zeza në dhimbje madhështore,
një grua shkoi duke tundur plot salltanet,
kindet e dantellat e fustanit të saj të gjatë

Po pija në mejhane i përhumbur, tapë e ekstravagant
kur ajo kaloi para meje, me kembë prej statuje e fisnike
si shqiponjë. E, thellë në sytë e saj, qiell gri ku lind urugani,
pashë embëlsinë që magjeps e epshin që vret…

Ish një vetëtimë verbuese e pastaj u bë… natë!
O bukuri kalimtare që më bëre të fluturoj me krahë,
vallë, s’do të shoh më, në këtë jete a në eternitet?

Ajo iku e humbi mes turmës! S’do t’a shihja kurrë!
Nuk dija ku vinte e as ajo s’dinte ku shkoja unë.
Por, oh, qeshë i bindur! Po, qeshë i sigurtë!
Ajo do ish gruaja që do të kisha dashuruar…/ KultPlus.com

Qëndrimet e Europa Nostra për Manastirin e Deçanit, sot ministri Çeku mban konferencë për media

Sot (16.07.2022) nga ora 14:00, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, do të mbajë konferencë për media.

Temë do të jetë çështja e qëndrimeve të organizatës Europa Nostra për Manastirin e Deçanit dhe vizita e delegacionit të tyre në Kosovë.

Gjithashtu, ngjarjet aktuale në fushën e kulturës, rinisë e sportit. /KultPlus.com

Letra e lamtumirës nga Gabriel García Márquez

Nëse për një çast Zoti do të harronte se
jam një kukull lecke e
do të më dhurojë paksa jetë, ka gjasa se
nuk do të them gjithçka që mendoj,
por patjetër do ta mendoj çdo gjë që do ta them.

Do t’iu jepja vlerë gjërave, jo për vlerën që kanë,
por për kuptimin që kanë.

Do të flija pak, do të ëndërroja më shumë,

e kuptoj se për çdo minutë që i mbyllim
sytë, humbim gjashtëdhjetë sekonda dritë.

Do të ecja përpara kur të tjerët do të ndaleshin,
do të rrija zgjuar kur të tjerët do të flinin,
do të dëgjoja kur të tjerët flasin dhe
dhe sa do të shijoja një akullore të mirë çokolate!

Nëse Zoti do të më dhuronte paksa jetë,
do të vishesha thjeshtë,
do të shtrihesha në pishë të diellit duke lënë zbuluar jo vetëm
trupin tim por edhe shpirtin tim.

Zoti im, nëse do të kisha një zemër, do ta shkruaja
urrejtjen time në akull dhe
dhe do të prisja që të shkrihej në diell.

Do të pikturoja me një ëndër të Van Gogut
sipër yjeve një poemë të Benedettit
dhe një këngë e Serratit do të ishte serenata
që do t’ia kushtoja hënës.

Do t’i ujitja me lotët e mi trëndafilët,
për ta ndjerë dhimbjen e gjembave të tyre
dhe puthjen e mishtë të petaleve të tyre…

Zoti im, nëse do të kisha paksa jetë…

Nuk do të lija të kalonte qoftë një ditë të vetma
pa iu thënë njerëzve se dua,
se i dua. Do t’i bindja të gjithë burrat e gratë
se janë të parapëlqyerit e mi dhe
do të jetoja i dashuruar nga dashuria.

Njerëzve do t’ua provoja
sa gabojnë tek mendojnë
të heqin dorë së dashuruari
kur plaken, pa e ditur
se plaken kur heqin dorë së dashuruari.

Një fëmije do t’i jepja flatra,
por do ta lija ta merrte fluturimin vetë.

Të moshuarit do t’i mësoja
se vdekja nuk vjen me pleqërinë
por me harresën.

Kaq shumë gjëra kam mësuar nga ju, Njerëzit!

Ka mësuar se e gjithë bota adhuron të jetojë
mbi majën e malit,
pa e ditur se lumturia e vërtetë
është në ngjitjen e shpatit.
Kam mësuar se
kur i sapolinduri shtrëngon me grushtin e tij të vogël,
për herë të parë, gishtin e babait të tij,
e mban shtrënguar për gjithmonë.
Kam mësuar se një njeri
ka të drejtë ta vështrojë një tjetër
nga lart poshtë vetëm
kur duhet ta ndihmojë për t’u ngritur.

Janë aq shumë gjëra
që kam mundur të mësoj nga ju,
por realisht,
nuk do të më shërbejnë shumë,
sepse kur do të m’i vendosin
brenda asaj valixheje,
palumturisht do të jem duke vdekur./ KultPlus.com

Shqipëroi: Elida BUÇPAPAJ

Julianne Moore zgjidhet presidente e jurisë në Festivalin e Filmit të Venecias

Aktorja amerikane, Julianne Moore do të jetë presidente e jurisë në Festivalin e Filmit të Venecias këtë vit, njoftuan sot organizatorët.

Ndër rolet e shumta për të cilat Moore njihet janë “Boogie Nights”, “The Hours”, “A Single Man”, “The Hunger Games” dhe “Still Alice”, për të cilat ajo fitoi një Oscar.

Juria e festivalit të filmit, i cili zgjat nga 31 gushti deri më 10 shtator, përfshin gjithashtu regjisorët Mariano Cohn, Leonardo Di Costanzo, Audrey Diwan dhe Rodrigo Sorogoyen, si dhe aktoren Leila Hatami dhe shkrimtarin dhe laureatin e Nobelit për letërsinë, Kazuo Ishiguro.

Çmimi kryesor i festivalit është Luani i Artë, i fituar vitin e kaluar nga francezja Audrey Diwan, e cila tani është pjesë e jurisë, për dramën e saj të abortit “L’événement”./ KultPlus.com

Më 16 korrik 1895, në Bukuresht u botua numri i parë i gazetës ‘Shqiptari’

Më 16 korrik 1895 u botua numri i parë i gazetës “Shqiptari” në Bukuresht, Rumani, nga Bashkësia Shqiptare. Gazeta “Shqiptari” (Bukuresht, 1888-1903), nën drejtimin e Nikolla Naços, ishte ndër më të rëndësishmet në historinë e shtypit shqiptar.

Nikolla Naço, ka qenë veprimtar dhe atdhetar i Rilindjes Kombëtare. I lindur në qytetin e Korçës, qysh i ri mërgoi në Egjipt e pastaj në Rumani. Ai mbante lidhje me shumë atdhetarë shqiptarë brenda dhe jashtë atdheut, ashtu si edhe me personalitete rumune dhe europiane të kohës.

Në vitin 1888 Nikolla Naçio filloi botimin e gazetës dy-gjuhësore të quajtur “Sqipetari/Albanezul”.

Gjithashtu në Bukuresht, në vitin 1892 u krijua Instituti Kulturor Shqiptaro-Rumun i quajtur “Lumina”. Shkolla kishte pjesëmarrje të vogël dhe mezi qëndronte hapur. Objektivi i saj ishte përgatitja e mësuesve të ardhshëm të gjuhës shqipe, pavarësisht besimit të tyre fetar. Këta mësues do të dërgoheshin në rajonet ku jetonin Shqiptarë (Shqipëri, Austro-Hungari, Bullgari, Greqi, Itali, Maqedoni, Mal të Zi, Rusi, Serbi) dhe do të përpiqeshin të përhapnin gjuhën shqipe dhe krijimin e nacionalizmit shqiptar.

Ja se çfarë shkruante Nikolla Naço, i cili më pas do të bëhej këshilltar i Presidentit të Republikës Shqiptare, Ahmet Zogut, në gazetën “Shqiptari”, numër 16, viti 1888: “Në një kohë që bijtë e Shqipërisë heqin të zitë e ullirit, burra fisnikë, njerëz të mëdhenj të Rumanisë, me një dashuri të vërtetë vllazërore, na rrokin përqafe me ngrohtësi, na japin strehë për shpëtim, na japin zemër në ndërmarrjen tonë, duke na dhuruar, në të njëjtën kohë, edhe të holla, që të mund ta çojmë më tej veprën e filluar” (Në origjinal: “Kur të bijt e Skiparisë langojnëna kata zjar burat, ta ndreçim neras ta mbadhen ta Rumanisë me na ta vertet dasuri vallazariste na perqiafojna, na apan spirt na panan qa kemi zana, na falin holta ta mundim ta mbarojma tamina qa kemi nisur”).

Pothuajse në të gjithë artikujt e Nikolla Naços përsëritet konstatimi se “shqiptaro-rumunët janë si dy vëllezër në një kërcell”, ndërsa lidhur me të drejtat që u takojnë në Gadishullin Ballkanik, i njëjti autor theksonte: “Ne shqiptaro-rumunët kemi të drejtë të themi fjalën tonë përsa u përket Maqedonisë, Shqipërisë dhe Epirit… sepse jeta e elementit shqiptaro-rumun është jeta e Perandorisë Otomane”. /diasporashqiptare/ KultPlus.com

Dashuria e Dijës për Shpendin në romanin ‘Sikur të isha djalë’

Një prej librave të cilin e kujtojmë çdoherë me dashuri dhe me nostalgji është “Sikur të isha djalë” nga Haki Stërmilli.

Ditari i Dijes dhe dashuria e saj për Shpendin na kanë bërë gjithmonë të ndihemi mirë.

Dija, ashtu si qindra e mijëra vajza, vuan nga ligje të egra që nuk pyesin për ndjenjat, për dashurinë e për dinjitetin e saj. Por në dallim nga ato, ajo nuk do të nënshtrohet, nuk do të mbysë gjithçka që për të është e shenjtë dhe nisë të kundërvihet. Kundërvënia ndaj rregullave e ligjeve patriarkale fillon që me dëshirën e saj për të vajtur në shkollë, me përpjekje për të zgjeruar kulturën nëpërmjet librave…

Po e sjellim këtu një pasazh nga romani i Haki Stërmillit, gjithmonë një dashuri letrare për shumë gjenerata shqiptare.

“Fati i lig që na lufton besomë se do të përkulet e do të ndrydhet para vullnetit që buron nga zemrat tona të mbushuna me flakë dashunie. Nji milion herë ma mirë do të ishte përjetësimi i asaj jete, ashtu sikundër ishte, sesa kjo gjendje që nuk na lejon as të shifemi me shoqi-shoqin. Hera-herë mërzitem pa masë dhe më duket sikur do të rroposet krejt bota e andrrave tona lumnuese, ajo botë e bukur që krijuen zemrat tona. Sot jam mjaft i mërzitun, pse mbramë – vetëm mbramë – nuk të pashë në andërr. Fillimi i ambël i këtij mëngjesi, sigurisht do të dojë me t’i sjellë puthjet e nxehta të kësaj zemre që asht plot mall e dashtuni për ty, o engjëlli im.”

Nesër në Ferizaj hapet ekspozita kolektive ‘Monumentet e Trashëgimisë Kulturore në Kosovë përmes Fotografisë’

Nesër me datë 16 Korrik 2022, në Galerinë e Arteve – Ferizaj duke filluar nga ora 19:00 bëhet hapja e ekspozitës kolektive “Monumentet e Trashëgimisë Kulturore në Kosovë përmes Fotografisë”, me kurator Shkelzen Rexha, fotograf i njohur Shqiptar.

Kjo ekspozitë organizohet nga Festivali i Fotografisë “Lens Fest”, ndërsa përkrahet nga MKRS dhe DKRS- Ferizaj./ KultPlus.com

Nesër MKRS mban konferencë për media, temë kryesore qëndrimi i Europa Nostra për Manastirin e Deçanit

Nesër (16.07.2022) nga ora 14:00, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, do të mbajë konferencë për media.

Temë do të jetë çështja e qëndrimeve të organizatës Europa Nostra për Manastirin e Deçanit dhe vizita e delegacionit të tyre në Kosovë.

Gjithashtu, ngjarjet aktuale në fushën e kulturës, rinisë e sportit. /KultPlus.com

Rembrandt, gjeniu që vdiq i varfër

Rembrandti apo me emrin e plotë Rembrandt Harmenszoon van Rijn, i lindur më 15 korrik 1606 në Leiden, Holandë, ishte piktor holandez, i konsideruar si një nga tregimtarët më të mëdhenj në historinë e artit, me aftësi të jashtëzakonshme për t’i paraqitur njerëzit në disponimet e tyre të ndryshme, sipas Enciklopedisë Britanike.

Rembrandt njihet gjithashtu si një piktor i dritës dhe hijes dhe si një artist që favorizonte një realizëm të pakompromis që do t’i shtynte disa kritikë të pretendonin se ai preferonte më shumë të shëmtuarën sesa të bukurën.

Në fillim të karrierës së tij, Rembrandti pikturoi kryesisht portrete. Përafërsisht një e dhjeta e veprës së tij të pikturuar dhe të gdhendur përbëhet nga studime të fytyrës së tij, si dhe autoportrete më formale, një fakt që ka çuar në shumë spekulime.

Thelbi i veprës së Rembrandt-it, megjithatë, përbëhet nga pjesë historie biblike dhe në një masë shumë më të vogël historike, mitologjike dhe alegorike, të cilat ai i pikturoi, gdhendi ose skicoi me laps, bojë ose shkumës.

Ndryshimet në stilin e Rembrandt janë të jashtëzakonshme.

Qasja e tij ndaj kompozicionit dhe përkthimi i tij i hapësirës dhe dritës, formës dhe ngjyrës, penelata dhe trajtimi i vijës dhe tonit i nënshtrohen gradualisht transformimit, qoftë edhe brenda një vepre të vetme.

Gravurat e tij të pazakonta i sollën famë ndërkombëtare gjatë jetës dhe vizatimet, që në fakt u bënë si ushtrime praktike ose si studime për vepra të tjera, u mblodhën gjithashtu nga artdashësit bashkëkohorë.

Sipas mitit që evoluoi pas vdekjes së tij, Rembrandt vdiq i varfër dhe i keqkuptuar.

Është e vërtetë se në fund të jetës së tij realizmi i tij ishte zëvendësuar nga klasicizmi.

Megjithatë, reputacioni i tij ndërkombëtar midis njohësve dhe koleksionistëve vetëm sa vazhdoi të rritet.

Disa artistë në Gjermani dhe Venecia, gjatë shekullit XVIII, adoptuan stilin e tij.

Ai u nderua gjatë epokës romantike dhe u konsiderua si një pararendës i lëvizjes romantike.

Që nga ajo pikë ai u konsiderua si një nga figurat më të mëdha në historinë e artit./KultPlus.com