O ata t’lumtë, qi dhanë jetën, o ata t’lumtë, qi shkrinë vehten, qi për Mbret e vend të Parëve, qi për erz e nderë t’Shqiptarëve derdhën gjakun tue luftue, porsi t’Parët u pa’n punue! Lehtë u kjoftë mbi vorr ledina, but u kjofshin moti e stina, ak’lli, bora e serotina: e der’ t’ këndojë n’mal ndo’ i Zanë, e der’ t’ ketë n’ detë ujë e ranë, der’ sa t’shndërisin diellë e hanë, ata kurr mos u harrojshin, n’kangë e n’valle por u këndojshin. E njaj gjak, qi kanë dikue, ban, o Zot, qi t’jesë tue velue për m’ia xe zemrën Shqiptarit, për kah vendi e gjuha e t’Parit! /KultPlus.com
Ndërtesa e ish-Burgut të Prishtinës e cila mban brenda vetes histori të shumta të përndjekjes, maltretimit dhe shtypjes së idesë për liri, është shndërruar në muze i cili paraqet narrativën dhe rezistencën popullore të të burgosurve politik në të gjitha burgjet e Kosovës.
Hapja e Muzeut të Burgut të Prishtinës me ekspozitën e përkohshme ”Burgu i Idealit” do të mbahet me 12 korrik me fillim nga ora 17:00.
Nga data 12 korrik, Muzeu do të jetë i hapur për vizitorët në këtë orar: E martë – e diel 10:00 – 19:00
Shfaqja “Ora e Vdekjes” me regji të Ilir Bokshit mbajti për herë të parë një aktivitet në këtë burg, tanimë muze. /KultPlus.com
KultPlus ju sjell këngën “Shfletoj gazetën” nga grupi Minatori.
Kënga veçohet për tekstin dhe tematikën që shpalosë, përmes tingujve që të rrëmbejnë.
Me vendim të prerë një expresso ekzekutoj e shfletoj gazetën, dhe për ty mendoj shëtis nëpër tituj askund nuk është gjetë në Prishtinë, në Kosovë, askund në planet.
Pse shkove ti …
Lexoj deklarata nga disa patriot gazetar, shkrimtar, poet e budallë vuajtjet e tyre për komb janë pandarë kur të folsh me ta të duket vetja shka
Pse shkove ti…
Ndalem te kalendari historik dhe me nga pak droj dhe nga pak frikë asgjë sot për botën nuk është vendos në këtë ditë as Titaniku s’është fundos
Pse shkove ti…
Datë e parëndësishme sot asgjë s’paska ngjarë në këtë ditë as John Kennedy nuk është vra as Neil Armstrongu sot s’ka shkel në hënë e për çudi sot kurrkujt s’ja paskna … atë nanë
Pse shkove ti…
Lexoj prognozën meteorologjike borë, shi, diell, të reshura politike Krejt çka di dhe çka është me rëndësi sot ti nuk je këtu sot shkove ti
Pse shkove ti…
Opsione për Kosovën, sa të duash menjëherë ta mbështjellin, paketojnë si një hamburger zgjidhje për Kosovën sa të duash si në korrent Kosova Republikë, Pavarësi, Kosova Kontinent
Pse shkove ti…
A ka shpërthye ndonjë bombë sot në qendër të Bombajit naj raptish i sert a u përvlu në xhygym të çajit Hitleri a boni sot vetëvrasje në Berlin apo ra bomba atomike n’Hiroshim
Pse shkove ti…
Sot shkove ti athua askush nuk mbet sikur dikush ma vodhi këtë qytet sot dielli lindi dhe do të perëndoj mos mendo se më more në qafë se për ty do të masturboj.
Nuk ka dokument apo vepër historike,gjeografike, etnografike etj, që përpos përshkrimit mbi lashtësinë e Arbërisë dhe të qyteteve kryesore të saj të mos përmendet edhe emri i heroit tonë arbëror Gjergj Kastrioti. Në vepra të tilla mund të shihet se sa i lidhur është emri i Arbërisë me vetë emrin e të madhit dhe mbretit Arbëror Gjergj Kastriotit.
Një dëshmi kjo se një Arbëri pa emrin e Gjergj Kastriotit të madh dhe anasjelltas nuk mund të mendohet e as të njihet e ekzistojë.
Lidhshmëria e Arbërisë ka të bëjë se vetë Gjergj Kastrioti i dha identitet e mbajti në hartën gjeografike aty ku e kishte vendin në kontinentin europian që nga lashtësia edhe përkundër tendencave të armiqëve për ta zhdukur nga harta jo vetëm emrin e Arbërisë ,por,bashkë me të edhe emrin e Gjergj Kastriotit, Harta sikur e kam vendosur bashkëngjitur me përshkrimin shoqërues është botuar në vitin 1596 (I.m.R.G.v,1596,d.b.m).[Gjon Keka] /KultPlus.com
Marsel Prust ka lindur më 10 korrik të vitit 1871 në Paris, dhe ka vdekur në vitin 1922.
Konsiderohet si njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj francez i të gjitha kohëve; puna kryesore që Prusti e zhvilloi gjatë karrierës së tij është vepra “Në kërkim të kohës së humbur”, të cilën e botoi mes viteve 1913-1927.
Me talentin e jashtëzakonshëm, ai arriti të rreshtohet në mesin e të mëdhenjve si Dante, Balzak apo Xhojs – duke arritur të krijoi universin e tij të plotë.
Janë të famshme edhe thëniet e tij, për artin, jetën, dashurinë…
KultPlus, jua sjell njërën prej tyre.
“Duhet t’u jemi mirënjohës njerëzve që na bëjnë të lumtur, ata janë si kopshtarët e mirë që e bëjnë të lulëzojë shpirtin tonë”./ KultPlus.com
Pak dritë! Pak dritë! Pak dritë, o shok, o vlla. Të lutem, pak dritë në kët natë kur shpirti vuen, kur të dhemb e s’di ç’të dhemb, e syni gjum nuk ka, urren nuk din ç’urren, don e s’din se ç’don. Pak dritë! 0 burrë! 0 hero’ ngado që të jesh. …. Burrë që shkatrron edhe që ndërton sërish! Pak dritë vetëm, të lutem, mshirë të kesh, se do çmendem në kët natë pa gjumë dhe pa pishë. Oh! ta kisha pishën të madhe edhe të ndezun! Me flakën e pishës në qiellin e ksaj nate ta shkruejshe kushtrimin… Ehu Burrë i tretun Do ta shifsha vallen tande në majë të një shpate. Porpishë nuk karn e vetëmjanë burrat, shokët… Dergjem n’errsin pa gjumë dhe pa dritë… Askush s’më ndigjon, çirren kot më kot… Hesht more, hesht! por qindro, o shpirt. Gjeli këndon dhe thotë se asht afër drita – Gjel, rren a s’rren? cila asht fjala ejote? Kur ti këndon thonë se asht afer drita… Por un s’besoj sonte në Çalët e ksaj bote. Hiqmuni qafe, mendimet Ojastëk ty të rroki, të përqafoj si shpëtimin, më fal atë që due: gjumin dhe andm’min e dy buzve që pëshpërisin ngushllimin./ KultPlus.com
Kitaristi i njohur Carlos Santana ka njoftuar se do të shtyjë gjashtë koncertet e ardhshme të turneut të tij veror.
Muzikanti 74-vjeçar u rrëzua në skenë këtë javë në Michigan për shkak të lodhjes nga nxehtësia dhe dehidrimit.
“Carlos është mirë dhe është në ankth të kthehet në skenë së shpejti. Ai ka nevojë vetëm për pushim”, tha Michael Vrionis, president i Universal Tone Managment, përcjell Klankosova.tv
“Santanas i vjen thellësisht keq për këto shtyrje të shfaqjeve të tij të ardhshme, por shëndeti i tij është shqetësimi ynë numër një. Ai mezi pret të shohë të gjithë fansat e tij shumë shpejt”, tha ai./ KultPlus.com
Përmbi çdo maje mali Ka qetësi: Mbi asnjë maje mali Asgjë s’lëviz, As pipëtin; Në pyllin zoqt’ e vegjël po pushojnë: Prit pak, se shpejt a vone Gjen qetesi dhe ti./ KultPlus.com
Dita e Modës, që festohet më 9 korrik, i ofron kujtdo mundësinë që të veshë atë që i pëlqen, qoftë serioze apo lozonjare, dhe të shprehet sido që të zgjedhë.
Mbajtja në hap me trendet e modës mund të jetë një sfidë për disa njerëz dhe një hobi (ose edhe një obsesion) për të tjerët. Por edhe ata që nuk kanë shumë para për të shpenzuar ndoshta mund të përditësojnë veshjet e tyre çdo sezon duke shtuar një pjesë të modës ose disa aksesorë.
Dita e Modës është një kohë e shkëlqyeshme për t’u drejtuar në disa dyqane lokale, apo edhe disa dyqane të cilësisë së mirë, për të provuar më të mirën në xhinse me këmbë të gjera, fustane, mini funde ose bluza, në varësi të tendencave në këtë moment. Shijoni atë që ju duket e drejtë dhe ndjehuni të lirë të jetoni stilin tuaj dhe të bëni deklaratën tuaj të modës sipas dëshirës tuaj.
Ata që kanë miq ose anëtarë të familjes që janë të dashuruar pas modës, mund të konsiderojnë organizimin e një feste ose një ngjarjeje për nder të Ditës së Modës. Jepuni mysafirëve një mundësi të vishen në çfarëdo stili të modës që u pëlqen.
Argëtimi mund të përfshijë një shfaqje të vogël mode. Ose ndoshta edhe sillni një mik që është stilist për të mbajtur një fjalim ose leksion për kontributet e tyre në industri dhe për të treguar se cili është frymëzimi i tyre për modën sot.
Ideja e stilit dhe modës ka ekzistuar prej shekujsh. Ndoshta edhe kur njerëzit filluan të vishnin rroba për herë të parë. Nga Roma e lashtë në Egjiptin e lashtë, nga Mesjeta e deri në Rilindje, moda dhe veshja kanë qenë një pjesë jetike e shoqërisë së lartë.
Sigurisht, oborret mbretërore në Evropë ishin të njohura për ndikimet e tyre të modës së lartë, ku njerëzit shumë të pasur dhe të rëndësishëm mund të shfaqnin veshjet e tyre të bëra nga pëlhura luksoze, shpesh të zbukuruara me dantella të shkëlqyera apo edhe bizhuteri.
Kur u shpik makina e parë qepëse në 1790, kjo ndryshoi mënyrën se si u krijua moda. Ajo e bëri modën më të përballueshme dhe të arritshme për personin e zakonshëm.
Roshi jetonte me prindërit, dy motrat dhe vëllanë e vogël, në një fshat në një të tretën e rrugës nga Kabuli për në Bagram. Një të premte, muajin e shkuar, xhaxhai i saj, vëlla i madh i të atit, kishte shkuar për vizitë.
Për gati një vit i ati i Roshit dhe xhaxhai ishin zënë për shtëpinë ku jetonte Roshi me familjen e vet, që xhaxhai mendonte se i takonte atij, meqë ishte vëllai më i madh. Por gjyshi i saj ia kishte lënë shtëpinë djalit më të vogël, babait të saj, që ishte dhe fëmija më i dashur për të. Ai i kishte thënë se donte t’u jepte fund zënkave.
Prandaj nëna e Roshit kishte therur e rrjepur dy pula. Kishte pregatitur një tenxhere të madhe me pilaf dhe kishte blerë shegë të freskëta në treg. Kur kishte ardhur xhaxhai, ai dhe babai i Roshit ishin përqafuar e puthur. I ati i Roshit e kishte përqafuar aq fort, sa këtij i ishin shkëputur këmbët nga tapeti. Nëna e Roshit kishte qarë nga lehtësimi. Familja ishte ulur për të ngrënë. Të gjith kishin ngrënë edhe pjatën e dytë, edhe një të tretë. Dhe pastaj shegët. Pas kësaj nëna kishte shërbyer çajin jeshil me ca çokollata. Dhe xhaxhai kishte kërkuar ndjesë, pasi i duhej të shkonte në banjën jasht shtëpisë.
Kur ishte përsëri brënda, mbante një sëpatë në dorë. Nga ato që përdoren për të prerë pemët.
Të parin qëlloi babanë e Roshit, i cili as që e mori vesh se çfarë i ndodhi. Nuk arriti të shihte asgjë. Një goditje e vetme në qafë, nga pas shpine. Gati ia preu kokën.
E dyta ishte nëna e Roshit, teksa mundohej të luftonte, por ai i lëshoi ca goditje në fytyrë e në kraharor, kështu që heshti edhe ajo.
Fëmijët tani po ulërinin e po ia mbathnin nga katër anët. Xhaxhai nisi t’i ndiqte. Roshi pa njërën nga motrat që po vraponte në korridor, por xhaxhai e kapi për flokësh e shtriu për tokë. Motra tjetër arriti të largohej nga korridori. Xhaxhai e ndoqi nga pas dhe Roshi e dëgjoi teksa shqyente derën e dhomës, pastaj klithma e pastaj asgjë.
Dhe kështu Roshi vendosi të ikte bashkë me të vëllanë e vogël. Vrapuan të dilnin jashtë shtëpisë, por dera ishte e mbyllur. E kishte mbyllur xhaxhai, sigurisht.
Ata nisën të vraponin në oborrin e pasëm, gjithë panik e dëshpërim, e mbase edhe harruan që aty nuk kishte derë dhe muret ishin shum të larta e s’mund t’i kapërcenin. Xhaxhai doli nga shtëpia dhe u nis drejt tyre.
Roshi pa të vëllanë, që ishte vetëm pesë vjeç, që u hodh në tandoor-in, ku, vetëm një orë më parë, e ëma kishte pjekur bukën. Ajo e dëgjoi teksa ulërinte e bërtiste mes flakëve, ndërkohë që ajo vetë u pengua dhe ra në tokë. E ktheu kokën tamam në kohën kur pa qiellin blu dhe sëpatën që po i vërsulej. Dhe pastaj asgjë…” /KultPlus.com
Rudolf Stambolla është një këngëtar i njohur dhe muzika ku identifikohet më shumë është ajo e lehtë. Njihet për zërin më melodioz dhe njëri prej pionierve të muzikës së lehtë Shqiptare të fund viteve ’60.
KultPlus ju sjell këngën ”Kur gjethet bien në vjeshtë”, këngë kjo e cila është më e njohura e tij dhe vazhdon të dëgjohet e të këndohet edhe sot e kësaj dite.
Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës:
Kur gjethet bijnë në vjeshtë dhe m’dukesh n’vaj natyrë Për ty s’mundem me heshtë, si gjethja bahem n’ftyrë E zverdhun dhe e ngrime, si barnat në Kallnur Po del kjo kanga ime ankuse thellë n’krahnur.
Ti m’ke braktisë, qofshin haram ndjenjat e mija Se larg dashnisë, të lindi n’zemër pabesia Ke me u pendue, por at’herë ka me qen’ von dhe tuj lotue do t’vij nermen dashnia jonë.
T’kujtohen ty pranverat ah puthjet me pasion Dhe fjalët e tua nga hera kjo zemër si harron Nëqoftse gjethet ranë të vyshkuna mbi dhe At’her kam me besue se sa e pabesë je.
Ti m’ke braktis, qofshin haram ndjenjat e mija Se larg dashnisë, të lindi n’zemër pabesia Ke me u pendue, por at’her ka me qen’ von dhe tuj lotue do t’vij nermen dashnia jon.
Për mua lulet e verës nuk kanë ma bukuri, Jan vyshk n’qoshe t’pinxheres, të mjerat në saksi As lot nuk kanë t’i ngjallin, janë shterrur lot e rinisë Veç kur më merr mu malli, i knoj un dashurisë.
Ti m’ke braktisë, qofshin haram ndjenjat e mija Se larg dashnisë, të lindi n’zemër pabesia Ke me u pendue, por at’her ka me qen’ von dhe tuj lotue do t’vij nermen dashnia jonë. /KultPlus.com
I shoh të munduar me kryet në hi Luftojnë të jetojnë s’jetojnë dot pa luftë Rrëzohen dhe ngrihen dërrmohen prapë çohen Batakut i ikin të venë në batak Po gjakun s’e prishin se prapë do luftojnë Me thonj e me dhëmbë të kapen pas jetës Me kryet në hi ta gjejnë një copë bukë Dhe qeshen e qeshen Mes baltës ngërdheshen Shpëtomë, o Zot, aman nga shqiptarët.
Jetojnë në mes plehut dhe thonë “s’ka problem” Po nga ta kthejnë kokën do gjejnë veç probleme Telashe dhe halle një mal me probleme U ikin me vrap, i ndeshin përballë U mbyllin një portë, u hyjnë në oxhak I djegin me flakë, u ngjiten në kokë Po s’jepen ata dhe kokën e ngrenë Dhe gjejnë pakëz zë për të thënë “s’ka problem” Ngrihen shulaten Cfiliten rropaten Shpëtomë, o Zot, aman nga shqiptarët.
Ia hedhin kujtdo të gjithëve “ua hedhin” Ligjit ia hedhin kulturës dhe punës Me shtetin tallen se shteti janë vetë Dhe shkresat fallco diplomat e blera Liçensa patenta dëshmi me dy duart Shiko si fshijnë ngjyrat shiko si ndrrojnë vulat S’lënë send pa ia hedhur ia futur dhe dredhur Ia hedhin Shqipërisë, fëmijëve të tyre Ia hedhin dhe hidhen Përcëllohen përhidhen Shpëtomë, o Zot, aman nga shqiptarët
Harbutë me miletin të urtë me pushtetin Zënë dridhen nga frika kur shohin polic Se s’falen me ligjin i falen kërbaçit Ndaj gjithë qeveritë me ta “s’kanë problem” Bëjnë kokrrën e qejfit rrëmbejnë me dy duart Shalojnë kokteje aviona putana Se kanë të mjelin shyqyr prej nështetasve U jep dhe Evropa Stambolli e Meka Jo s’merr gjë shqiptari I merr ofiqari Shpëtomë, o Zot, aman nga shqiptarët
Dhe shajnë e ankohen si s’lënë gjë pa sharë E shajnë këtë vend me rrënjë e me degë E zhvasin, përmjerrin dhe prapë e mallkojnë “Nuk bohemi ne, nuk bohemi jo kurrë Nuk bohet ky vend ne vuajmë për mend Shiko pak Evropën shiko Amerikën” Pa shajnë qeverinë pa shajnë presidentin (Që i kanë zgjedhur t’u hipin mbi qafë) Dhe ai që shan Vetë faj nuk mban Shpëtomë, o Zot, aman nga shqiptarët
Dhe gratë e tyre nuk ngrenë kurrë zë Gatuajnë shpëlajnë kërrusen qerasin Që burrat të pijnë raki dhe të shajnë Sa mbeten pak vetëm shkojnë gjejnë gra të tjera Dhe zënë molloisin me llafe kërdisin E shkojnë gjithë botën dhe lagjen në gjuhë Sapo që mbarojnë fillojnë nga e para Kur derdhet kusia e lënë muhabetin O gra shqiptare Të shtypura për fare Shpëtomë, o Zot, aman nga shqiptarët
Kur lënë atdhenë e gjejnë pak rahat Përshtaten si ujët në enën e vet Pa flasin të gjithë italisht si majmuna Dhe kurrë italianit shqip s’i mësojnë Buongiorno cari siamo benissimo (Gënjejnë si djalli se kaq mirë nuk janë) Fëmijët e tyre i dinë ca fjalë shqip Fëmijtë e fëmijve nuk dinë hiçmëgjë Dhe ndrrojnë emrat Dhe ndrrojnë zemrat Shpëtomë, o Zot, aman nga shqiptarët
Si rendën të gjithë kur kishat u hapën! U falën dhe ranë të përshpirtshëm në gjunjë Dhe morën uratën nga prifti nga Papa Po nisën pastaj prapë nga e para Të vjedhin altaret misionet muzetë Ç’t’i duam më kishat tani kemi kioske Ç’t’i bëjmë xhamijat kur hapëm mejhane? Jo jo s’shohin kisha nuk shohin xhamija Feja e shqyptarit ashtë paf/besia Dhe s’merr dot masa As Pashko Vasa Shpëtomë, o Zot, aman nga shqiptarët
Më dalin në gjumë më shtijnë tmerrin Të frikshëm të trembur parruar munduar Më heqin tullat më vjedhin korentin./ KultPlus.com
Shqiptarët dhe Shqipëria, në sytë e një fotografeje gjermane, erdhën në Fototekën Kombëtare “Marubi” përmes një ekspozite të Jutta Benzenberg dhe nën kujdesin e kuratores Kim Knoppers.
Imazhet dhe historitë e rrëfyera, krijojnë një lloj biografie të vendit tonë që nga viti 1991 kur fotografja u takua për hërë të parë me Shqipërinë e deri në ditët e sotme.
“Në ekspozitën time do të gjeni karaktere nga më të ndryshmet të cilat janë tashmë pjesë e personalitetit tim. Pse fotografoj kaq shumë në Shqipëri ? Sepse këtu njerëzit janë të hapur të tregojnë emocionet e tyre dhe unë dua të jem afër tyre, kjo më plotëson. Unë vij nga Gjermania dhe atje jam mësuar që të mos I tregoj emocionet e mia, gjë që është e gabuar sipas meje dhe prandaj zgjodha Shqipërinë, që të ngjall dhe t’i shfaq emocionet e mia sërish. Njerëzit më pyesin mua se pse pas 30 vitesh unë jam në Shqipëri ? E pyes edhe veten. Një grua e mencur shqiptare më tha: ti nuk mund të largohesh, ke 30 vite që fotografon shqiptarët dhe tashmë zemra dhe mendja jote janë ketu.”
Benzenberg, vecon momentin e fotografimit të një prej burrneshave të fundit në vendin tonë.
“Kur gazetarët e huaj vijnë në Shqipëri dhe takohen me burrneshat duan të nxjerrin në pah pjesën mashkullore të tyre, por unë i thashë vetes JO. Doja të tregoja diçka tjetër, por as vetë nuk e dija se si ta realizoja. Ia lash gjithcka rastësisë. Kur realizoj portrete dua të nxjerr pjesën shpirtërore të njerëzve. Fillova të bisedoj me të, provova t’i ndryshoj pak modelin e flokëve dhe dalëngadalë u clirua, ishte më e qetë, nxorri në pah feminilitetin e saj. U kthye sërish në një femër, por sapo e shkrepa foton dhe e përfundova, menjëherë u rikthye ai burri që takova në fillim. Kjo ishte më e veçanta.”
Ekspozita “Shqipëria në fokus: tani, prej vitit 1991… ” e cila u cel falë mbeshtetjes se ambasades Gjermane dhe asaj Hollandeze do të qendroje e hapur për të gjithë artdashesit deri në muajin Nëntor./ KultPlus.com
Kombet e Bashkuara thonë se forcat e armatosura të Ukrainës mbajnë një pjesë të madhe – dhe ndoshta të barabartë – të fajit për një sulm që ndodhi në një shtëpi pleqsh në Luhansk, ku dhjetëra të moshuar dhe pacientë me aftësi të kufizuara u bllokuan brenda pa ujë dhe energji elektrike, dy javë pas Rusia filloi pushtimin e saj.
Sipas AP, autoritetet ukrainase fajësuan forcat ruse, duke i akuzuar për vrasjen e më shumë se 50 civilëve në një sulm të paprovokuar. Të paktën 22 nga 71 pacientët i mbijetuan sulmit, por numri i saktë i njerëzve të vrarë mbetet i panjohur, sipas Kombeve të Bashkuara.
Megjithatë, tani Kombet e Bashkuara thonë se forcat e armatosura të Ukrainës mbajnë një pjesë të madhe të fajit për atë që ndodhi në fshatin Stara Krasnyanka, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Raporti i Zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut nuk përfundon se asnjëra palë ka kryer krime lufte, por tha se beteja në shtëpinë e të moshuarve është një shembull i shqetësimeve mbi përdorimin e mundshëm të “mburojave njerëzore” për të parandaluar ushtrinë dhe operacionet në zona të caktuara./ KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit ka kujtuar në ditën e saj të lindjes, dirigjenten e parë shqiptare, Rozmari Jorganxhi, e cila ishte njëkohësisht një mezzosoprano dhe nga emrat më me peshë në historinë e artit dhe kulturës shqiptare. Mjeshtrja e Madhe, Rozmari Jorganxhi, sot do të ishte 85 vjeç. Ajo u nda nga jeta 2 vjet më parë.
Rozmari Jorganxhi e nisi karrierën e saj që në vitin 1959 si soliste lirike në TKOB, pas studimeve të larta në Moskë. Ndërsa gjatë viteve 1967-1984 ka dirigjuar korin e TKOB, duke qenë femra e parë dirigjente e këtij institucioni unik të kulturës shqiptare. Si soliste lirike ka realizuar më shumë sukses një galeri të madhe personazhesh nga operat shqiptare dhe të huaja, ndër të cilat TKOB vecon rolet në operat: “Jollanta”; “Nusja e shitur”; “Evgjeni Onjegin”; “Cavalleria Rusticana”; “Mrika”; “Madama Butterfly”; “Lulja e kujtimit”; “Princesha e Çardashit”; “Rigoletto”; “Skënderbeu”, etj.
Si dirigjente e korit, Jorganxhi ka përgatitur dhe vënë në skenë dhjetëra vepra shqiptare dhe të huaja. Profesionalizmin e saj si këngëtare profesioniste e tregoi dhe përtej kufijve të vendit, në Teatrin “Giuseppe Verdi” të Triestes, ku këndoi për 10 vite rresht. Një kontribut të veçantë ka dhënë edhe në fushën e pedagogjisë, ku nën drejtimin e saj janë diplomuar shumë studentë, që sot vazhdojnë aktivitetin e tyre brenda e jashtë vendit. Për aktivitetin e saj artistik, Rozmari Jorganxhi është nderuar me çmime, medalje dhe tituj të shumtë dhe në vitin 2017, u nderua me titullin “Mjeshtre e Madhe”./atsh/ KultPlus.com
Johnny Depp ka publikuar një këngë të re të quajtur ‘The Death And Resurrection Show’. Lajmi u bë i ditur përmes Instagramit të aktorit, ku kënga e re e Depp ishte një kopertinë e këngës me të njëjtin emër të vitit 2003 nga grupi anglez rock Killing Joke. Nëpërmjet këngës, Depp ribashkohet me bashkëpunëtorin dhe kitaristin e vjetër Jeff Beck.
Ndërsa, lajmi për albumin e përbashkët u përfol për herë të parë në vitin 2021 dhe u konfirmua zyrtarisht më 15 korrik muajin e kaluar. Përveç “The Death And Resurrection Show”, lista e këngëve të albumit do të përfshijë kopertinat e dyshes “Caroline, No” të The Beach Boys dhe “Venus In Furs” të The Velvet Underground.
Publikimi i albumit filloi në maj, kur Depp u shfaq si i ftuar në dy nga koncertet e Beck, përkatësisht në Sheffield dhe Londër. Dalja e Depp-it në shfaqje u bë kryefjalë pasi ato u zhvilluan vetëm disa ditë para vendimit përfundimtar në padinë e tij për shpifje kundër ish-bashkëshortes Amber Heard. Më 1 qershor, gjykata vendosi në favor të Depp dhe i dha atij 10 milionë dollarë dëmshpërblim si dhe 5 milionë dollarë dëmshpërblim./abcnews.al/ KultPlus.com
Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi i akordoi Dhimitër Paskos “Nderi i Akademisë”.
Diplomën ia dorëzoi së bijës Atalanta Paskos në konferencën shkencore “Mitrush Kuteli, shkrimtari, studiuesi, përkthyesi” që u mbajt sot më 8 korrik 2022.
Në vlerësim të kontributit të madh të Mitrush Kutelit në fushën e letrave, juria e posaçme, e përbërë nga Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe kryetarët e komisioneve të përhershme, bazuar në propozimin e njëzëshëm të Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, vendosi t’i akordojë Dhimitër Paskos mirënjohjen publike më të lartë që jepet nga ky institucion, “Nderi i Akademisë”, me motivacionin: Shkrimtar me veprimtari krijuese origjinale në prozë dhe poezi; një ndër themeluesit kryesorë të prozës moderne shqiptare; mjeshtër i ligjërimit e rrëfimit, fantazisë dhe së magjishmes; krijues e rikrijues virtuoz mbi bazën e motiveve tradicionale të botës shqiptare; shqipërues i kryeveprave botërore dhe pasurues i gjuhës shqipe; publicist e mendimtar kritik; studiues me vepra të suksesshme në disa fusha të dijes; veprimtar gjurmëlënës në rrugën e përparimit shoqëror e qytetar të vendit.
“Nuk kanë të numëruar e të përshkruar veprat që Mitrush Kuteli i la trashëgim qytetërimit shqiptar, madje, disa prej tyre nuk njihen ende as nga vetë studiuesit. Kjo jo vetëm për shkak të karakterit shumë-përmasor të krijimtarisë së tij, por edhe për shkak të një të vërtete tjetër: sepse shoqëria shqiptare, institucionet e saj, midis tyre edhe Akademia jonë e Shkencave, Kutelit e krijimtarisë së tij i janë kushtuar pak, shumë herë më pak se e meritonte, për të ndriçuar si figurë e si vepër, duke i mbetur ende borxhlinj”, deklaroi Gjinushi.
Vajza e Dhimitër Paskos, Atalanta Pasko, falënderoi Kryetarin e Akademisë së Shkencave. Gjinushin dhe tha se ky është një vlerësim i merituar dhe që ka qenë i munguar, sepse Akademia e Shkencave ka një dimension tjetër, ky është dimensioni i mendjes.
Gjithashtu, Akademia e Shkencave i dhuroi familjes së Mitrush Kutelit dorëshkrimin “Diario di Banca Nazionale Albanese” (Ditari i Bankës Kombëtare Shqiptare).
Ditarin ia dorëzoi Pandeli Paskos, të birit të Dhimitër Paskos, akademiku Anastas Angjeli në konferencën shkencore “Mitrush Kuteli, shkrimtari, studiuesi, përkthyesi” që u mbajt në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Ditari hedh dritë në profilin e Dhimitër Paskos si bankier me kontribut të lartë në një periudhë shumë të vështirë, kur sapo kishte kapitulluar Italia fashiste, forcat naziste nuk kishin akoma nën kontroll territorin dhe forcat nacionaliste përpiqeshin të kishin kontroll mbi territore të caktuara.
Angjeli që mbajti kumtesën “Kuteli jo vetëm shkrimtar, por edhe ekonomist-bankier të dhëna të reja nga Diario di Banca Nazionale” tha se Ditari i Bankës Kombëtare Shqiptare, shtator 1943-tetor 1944, është një vepër shumë pak e njohur për opinionin publik dhe shkencor ekonomik.
Përveç arritjeve dhe vlerave të shkëlqyera në fushën e letërsisë dhe kritikës letrare; Kuteli ka shkëlqyer edhe në një fushë tjetër të paeksploruar shumë, si bankier-ekonomist.
Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli) u diplomua më 1931 dhe në shkurt 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare, me vlerësimin më të lartë “Diplomam Magnam cum Laudæ”.
Angjeli tha se ditari i Direzione Centrale, në mënyrë skrupuloze sjell shënime dokumentative të periudhës, sjell opinione të drejtuesve të saj mbi situatat monetare, sjell qëndrimet e qeverisë së Rexhep Mitrovicës në lidhje me bankën dhe situatat monetare të kohës.
“Roli dhe kontributi i dr. Dhimitër Paskos, është i qartë dhe i admirueshëm në lidhje me politikat monetare që duhet të ndiqen, duke iu rezistuar presioneve të shumta që vinin nga gjithë aktorët ushtarakë, politikë, diplomatikë. Ruajtja e pavarësisë së Bankës Nacionale, nga këto ndikime shpesh dukej një mision i pamundur, duke vënë në provë edhe qëndrimin apo jo në detyre të drejtuesve të saj për të mos marrë vendime në dëm të interesave të Bankës dhe të Shtetit të brishtë Shqiptar. Në një kohë kur ishte në tavolinë dhe shtetëzimi i Bankës Kombëtare dhe kalimi në duart e shtetit shqiptar, është pothuajse gjenial kujdesi që ka Dhimitër Pasko për të ruajtur ekuilibrat financiarë, jo të një periudhe të shkurtër, por në një plan afatgjatë, duke dëshmuar dhe njëherë njohuritë e tij të thelluara, koherencën, largpamësinë”, tha ai.
Ndërsa portreti i Mitrush Kutelit (Dhimitër Paskos), i punuar nga piktorja e njohur Meri File iu dhurua Akademisë së Shkencave nga Ilir Xhakolli, Kryetar i Bashkisë së Pogradecit .
Dorëshkrimi i veprës së Mitrush Kutelit “E madhe është gjëma e mëkatit” iu dhurua nga familja, Akademisë së Shkencave të Shqipërisë./ KultPlus.com
Universiteti i Harvardit do të ofrojë mësimin e gjuhës shqipe në gjashtë nivele, për vitin akademik 2022-2023.
Harvardi është njëri ndër universitetet më prestigjioze në botë.
Aty kanë studiuar njerëz me ndikim, duke filluar nga presidentë të ShBA-së si: John Adams, Franklin Roosevelt, John F. Kennedy, George Bush e Barack Obama, e deri te pronarët e kompanive që sollën digjitalizimin, si pronari i Microsfot Bill Gates dhe ai i Facebook-ut, Mark Zuckerberg.
Në këtë universitet kanë studiuar edhe shkrimtarët shqiptarë Faik Konica e Fan S. Noli.
Naim Krasniqi, fytyra e njohur për publikun shqiptar, është një këngëtar dhe kantautor mjaft i njohur, shkruan KultPlus.
Një nga këngët e tij më të njohura është ajo që ka të bëjë me shiun “Shiu i Verws”.
Teksti:
Dyzet gërsheta ti numrova dhe te ngroha n’gjirin tim kur si pëllumba nga shiu i verës u strehuam nën çati
shiu i verës floktë mi lagu vetëm buzët mi lage ti sa shumë të doja vetëm kur thoshe t’lutem mos u ndal o shi
shiu i verës, shi i ngrohtë i dashurisë ma kujton atë puthjen nën çati ooo lutjen tënde aq të ëmbël e dëgjoj t’lutem bjerë e mos u ndal o shi. /KultPlus.com
“Të vërtetën e së vërtetës, as unë s’di t’ju them sa breza kanë shkuar që kur u prish e u shkretua Katjeli i Mokrës.
Mbaj mënt vetëm se kam dëgjuar nga pleqtë e lashtë, e këta nga pleqtë e tyre, se ky Katjeli i Mokrës paska patur qënë dikur – ndofta pesë-a-gjashtë breza përpara nesh – një fshat i math e i begaçmë fort. Vëndësit e tija paskëshin qënë trima të ndjerë e paskëshin lëftuar me të vërtet si burra në ballën e burrave për të mbruar vendin e nderë nga turku.
Nga ky shkak turqit kur e muarr e paskan shkretuar që nga themeli.
Sot, në gjithë grykën ku pat qënë njëherë katundi janë përhapur pyje gështenjash, driza e dëllinja. Viset sheshe të pllajavet janë bërë luadhe e ara ku thekri na rritet dy bojë njeriu. Në vise-vise duken edhe sot, afron një me dhenë, themelet e murevet të vjetër, si krëhërë të dalë nga lëndina. Në vjeshtë a në prenverë kur damalugu hap brazdat e dheut që dërmohet si bukëvale, andej-këndej dalin copa plloça të gëdhendura me dorë e tulla të kuqe mun si flaka e zjarrit. Në dimbër zbresin gjer këtu poshtë bishat e malit.
Vetëm kjo kodra e Shën e Djelës ku pat qënë dikur kisha e fshatit, ka mbetur edhe sot e pacënosur prej dorës së njeriut. Vendi i saj as lërohet, as mbillet, as korret. Këtu njihen edhe sot murishtat e vjetra të kishës e rrasat e rënda të themelit të pa blojtura prej kohës. Rreth-e-rrotull, nëpër plisa e fjer, duken gurë varresh me çipe të mbuluar me myshk. Në mes të Kishës së Shën e Djelës që i përngjan njëj anije së fundosur nër ujra, dheu është pak si i batisur dhe çapet e njeriut godasin më bosh.
Një pëlhurë fshehtësije, që të bën të bjesh në mendime, mbulon të gjitha këto vise e gërmadhat e lashta. Fshatarët që ngjiten të korrin thekrat a të mbledhin gështenjat edhe barinjtë e bagëtive rrëfejnë se shumë herë, e më fort në netët me hënë, dalin e shëtisën nëpër murishta e lëndina njerës të mbëdhenj të veshur me mëngore e fustane të bardha, edhe treten pastaj, rishtas, më të thyerët të natës.
Vraga që nis nga an’ e djathtë e Shën e Djelës zbret në fshat buzë-liqerit, kur se ajo që nis nga an’ e mëngjër, ndrethon nëpër pyllin e dendur të gështenjave duke ngjitur e dyke zbritur kurrizet e çukave, e del mi Gurin e Kol Branës, një rrasë e lartër dy-tre hostene që qëndron vëngër mi greminat e bregut.
Rrëfejnë gojë-pas-goje pleqët e lashtë se këtu pat qënë në kohërat e vjetra, një qytezë e vogël, qyteza e Zotit Kol Branë Katjelit.
Edhe thonë se këtij Kolë Branës i paskan humbur në luftërat e përgjakëshme të asaj kohe, kur hyri turku në Shqipëri, të pesë djemtë e gjithë nipërija. Edhe si u sosnë këta të gjithë edhe turqit iu afruan Katjelit, Kol Brana ngjiti shkallët e gurta të qytezës, mbylli dyerët edhe priti të afrohet rrebeshi. E atëhere kur ardhi armiku as dora as këmba nuk iu droth nga pleqërija. Shumë kohë gryka buçiti si buçet kur lëftojnë trimat e ballit. Lëftonte Zoti Kol Brana vetë…
Më von, kur kështjella ra, nuk u gjend brenda përveç se një plak i thinjur me gjoksin e mbushur plot plagë. Zoti Kol Brana i Katjelit të Mokrës nuk ishte mê në jetë.
Që asaj kohe muret e kështjellës u gremisnë e mbretërija e dëllinjave i mori vëndin. Vetëm guri i Kol Branës, si i thonë edhe sot, ka mbetur i patundur prej valëvet të kohës e prej valëvet të turkut.
II
Vëndin ku pat qënë dikur Katjeli i Mokrës edhe kisha e Shën e Djelës e kam shkelur dendur vetë me këmbët e mija.
Në vogëli ne djemuria e fshatit ngjiteshim gjer atje për të mbledhur, si pas zakonit të vjetër, poleska e manushaqe për llazoret e vashave. Kjo ngjante në Mars a në Prill kur gjelbëronin pllajat e korijevet e kur të velte era e luleve. Vinim pastaj më von për të marrë shëndet, kur lulëzonin gështenjat dyke u ngarkuar me xhigerë të bardhë e të verdhë. Kur sbriste tatëpjetë era e malit, sillte gjer brenda në fshat fije nga lulet e tyre.
Shëmbitrit e Listopathit, gjer sa afroheshe dëbora, ngjiteshim dendur për të mbledhur ndonjë gështenjë nga drutë e Gjergollinjve.
Po e vërteta është se në atë kohë vinja në Katjel ditën e këthehesha më të ngrysur. Rasti për të ndenjur një natë të tërë m’utfaq më von, sot e disa vjet.
E ja se qysh:
Atij moti kisha ardhur së largu, nga vënd’ i huaj, për të shkuar pushimet e verës. Kisha dëgjuar se dy miq të mirë të derës s’onë, e mbase far’ e fis, mirreshin me kërkimin e haznave nëpër male. E prandaj, sa mbante vera e gjer afrohej Shëmbitri, shëtisnin viset e Mokrës mal-më-mal e breg-më-breg të tërhequr prej ndriçimit magjistar të florinjve që i thërrisnin ndënëdhe.
E drejta është se bota e fshatit qeshnin me ‘ta po kjo nuku i ndalonte asfare të shëkojnë punën si u thesh shpirti.
Një natë njërit prej tyre iu paskej fanitur në ëndër një vashë e re, e veshur në të bardha, si vishen grarija e Mokrës, edhe i paskej thënë:
-Jam ne Shën e Djela e Katjelit, njëzet e pesë pash nga kisha, andej nga e djathta, as eja e më nxir.
Kjo i paskej ngjarë më dy javë të Gushtit, më të gëdhirë të Shëmërisë. Edhe ky si paskej pritur disa ditë gjer të përtëritet hëna, e pastaj në një ndajnatë, me shoknë tjatër e me mua bashkë, ngjiti grykën e Katjelit.
Ishim në Shën e Djelë kur hënëza e re filloj të ngrihet që përtej Malit të Thatë. E kuqe si prushi në fillim, kjo hën’ e Gushtit na u bë më von si e larë me ergjënd. E gjithë malet e gjithë brigjet edhe gjith liqeri u mbuluan me një linjë të bardhë…
Miqtë e mij që s’kishin kohë të vështrojnë as hënë e as çudit e kësaj nate Gushti, nxuar nga torba një litar e disa kazma, shënuan vëndin njëzet e pesë pashe nga an’ e djathtë e mezit të kishës edhe nisnë të rëmojnë. Në fillim rëmuan që të dy e më pastaj, kur gropa u fellua, radhë pas radhe njëri punonte kazmën dhe tjetri lopatën. Toka ish e ngjeshur fort dhe pa e lidhur me fije rënje gështenje.
Puna mbajti afron dy orë, gjer sa hëna u ngjit gjer në mezin e kubes së qellit.
E në qetësinë e fellë të kësaj nate vere goditjet e kazmës sikur ishin rënkime të mbytura që dilnin nga bota tjatër.
Nga do-një shpes pa fole dilte dendur prej pylli e si hithte hijen e vet mi murishtat e Shën e Djelës, humbiste rishtas në pyll.
E kazma rëmonte-rëmonte e rënkimet e botës tjatër madhoheshin-madhoheshin…
Tanithi në gropë na u shfaq një lloj shtrati i hirtë porsi gur shurishte dhe midis tij disa drudheza të bardha që ngjanin me disa iskra eshtrash.
Kazma pushoj.
-Këtu paska qënë një varr, pëshpëriti njëri nga miqtë që ish brenda në gropë.
Tjatri u unj, mori pak dhe në dorë e thërmoj midis gishtërinjvet pa foli pakëz më von:
-Varr paska qënë, vërtet…
Dhe shtoj:
-Jemi në varret e Katjelit të moçmë.
U unja edhe unë pranë gropës së hapur dyke gjunjëzuar në tokën e nxjerë jashtë. Atëhere një dorë u sgjat së brëndëshmi, dora e mikut pa fjalë, e më la në pëllëmbë një aspër të bardhë, – një lloj kostandinari me shkronja të blojtura. Pas pak dora dolli së rish me një kryqëz të artë e me një send të çudiçmë që i përngjante njëj vëthi. Të paktën kësilloj gjykuam e vendosmë ne të tre. Dhe me qënë se vendosmë kësilloj, shokët vëzhguan me vërrejtje të himët të gjejnë edhe tjatrin. Po vëzhgimi na dolli i kotë se vëthi tjatër duket se u pat përzjerë me tokën në rëmitje e sipër dhe në vënd të vëthit gjetmë një lloj rënje që mbante erë temjani.
Ky pat qënë thesari që nxuarmë në Shën e Djelë në atë mesnate Gushti me hënën pesëmbëdhjetë mi krye.
Shokët e mij nuk ishin as fort të gëzuar as fort të dëshpëruar. Si pas gjuhës së tyre në këtë gjah të thesarëve nuk lispet të dëshpërohesh lehtë se vjen nata e lumtur kur njëherë e njëherë… E më fort se këtë radhë kishin gjyrmën e thesarit i cili mundet të gjindej ose pesë pash më lart ose pesë pash më poshtë.
Mua kjo ngjarje më vuri në mendime. E kur miqtë e mij hithnin prapë gropë në dherin e nxjerë që të mos lenë as një gjyrmë, unë rashë të çlodhem nër barishta. Që brenda nga gjiri i pyllit ndjenja tani shkoqitur rëgëtimet e mburimeve. Përtej midis malesh dukej një çip i liqerit i iskrosur prej do-një ere që sbriste nga gryka.
-Vallë ç’mall e ç’dëshirë e pat shtyrë vashën e varrit t’i shtihet në ëndër njëj gjahtori thesarësh? Mos e shrëngonte, vallë, fort ky zëndani i varrit a mos dëshëronte të vështrojë hënën e plotë e të ndjejë erën e lulevet dhe të barit që sbriste nga malet? A mos e kish marrë malli për tingëllimin e zilevet e për rëgëtimën e krojt?
E sikur më vinte keq se nuk u paskesha lindur në një kohë tjatër disa breza përpara.
E kur mendohesha kësilloj gropa u pat mbuluar e sheshuar e mi ‘të ish ndezur tani një zjarr me shkorreta për të humbur gjyrmën e kërkimevet. E mua ky zjarri më dukej sikur ish nuri që digjej mi varrin e një vashe që pat vdekur e re.
Me qënë se kjo natë ish e bukur po si një natë pralle si s’rrëfehet dot me gojë, gjumin e parë vendosmë t’a bëjmë në një padinë të vogël me bar të njomë, përmi krua.
-Nuk është mirë të flemë pranë krojt, foli njëri nga shokët, se natën vozitën hije.
-Ky vënd është i shkelur nga të bardhat, vazhdoi gjith ay me një lloj dridhje të fshehtë në zemër.
Po sepse ne s’i vumë veshin, fjalët e tij i mori era edhe ay ra pas vragës s’onë.
Shtruam disa shtrate fjer në padinë edhe ramë të flemë. Mbulesë kishim qellin e sbardhëllyer prej pahut të hënës. Fjeri e gjethet na mbytnin me erën e tyre. E sa të nëmërosh gjer më pesë, miqtë e mij i zuri gjumi.
Vetëm mua harroj të më zerë. Rinja në shtratin e njomë me duart nënë krye: vështronja qellin e dëgjonja rëgëtimet e krojt dhe rënkimet e mbytura të pyllit. Që të largoj mendimet e pyetjet e vetë-vetes fillova të nëmëroj yjet. E ndava kuben që sipër meje në tri pjesë me vija preçarthe edhe nisa që nga pjesa që mi Rrëzhan. Vura më nj’anë tridhjet e tre yj më të ndriçmë, dyzet e pesë më të shuar dhe nuk di sa yjeze të tretura. Këto të fudnit lëvrinin pa pushuar e dukeshin e çdukeshin rishtas sa që syt e mij nuk kishin se qysh t’u dalin zot. Pastaj, s’di se qysh, vijat e mija u fshinë dhe yjtë u ngatëruan po si mendimi im.
M’u kujtua befas pralla e Bir’ të Mbret, dhe e vashës së kopshtarit që i ngjante nga bukurija së Bukurës së Dheut:
-Vashë, o moj vashë, sa yjez ka qelli?
-O i Bir’ i Mbret, o i Bir’ i Mbret, sa lule ka fusha?
Pa dalngadal-e-dalngadal pyetjet e përgjigjiet ç’u bënë ujem me yjt e Rrëzhanit e me rëgëtimet e mburimit. E m’u duk befas sikur nga hija e gështenjave dolli një linj e bardhë e shkiti si një erë gjer ne padina jonë e nga mezi i saj ç’u fanit një vashë.
– Flenë që të tre? – pyeti një zë i njomë.
– Flenë, iu përgjigj një tjatër. Edhe ndjeva pastaj sikur një dorë e bryllët, pa fjalë dora e vashës linjë-madhe, m’i preku e m’i magjepsi qëpallat…
Atëhere fjeta me të vërtet.
III
…Dalngadal-e-dalngadal sikur prej qënies të sotme filloj të ngrihet një lloj mbulese e himët e hendur prej valëvet të kohës. Kjo na i ngjante një pëlhure të ngjyrë hiri që u hepua, u tret e firos në mugëtirë. Atëhere palët e dheut e të lëndinavet, të derdhura mi mure e gurë, se ç’u tërhoqnë më nj’anë si pas një urdhërate, edhe, sa të mbyllësh e të hapësh sytë, të gjitha ndërtesat e moçme u rritnë sikush në vendin e parë. Tani Katjeli i Mokrës, ky fshat i bukur i Zotit Nikoll Branës, m’u faneps ashtu sikundër se pat qënë katër-a-pesë breza njeriu më parë.
Në fillim thashë se jam në ëndër a më pat magjepsur dora e bryllët e vashës që dolli nga fletët e gështenjavet e prandaj rraha të gjej fillin e vërtetë të qënies së vërtetë. Sepse unë ndjenja në shpirt njëlloj përzjerje midis dy shekuj të ndryshmë. Katjeli ish, pa fjalë, Katjel, me kopshte e shtëpi të gurta sindozot që pat qënë qëmoti, po mëndja ime kish mbetur në një mot tjatër më të ri. Ndjenja sikur gjendesha midis dy botë të ngatëruara njëra me tjatrën: bota sotme dhe bota e perënduar. Disa grima m’u duk edhe sikur gjendesha në dy vise të ndryshme: në gërmadhat afron pa gjyrmë të Katjelit dhe në Katjelin e moçmë të pa cënosur prej tallazevet të kohës.
Po, për fatin t’im, kjo gjendje nuk u sgjat fort sepse mëndja m’u kthjelltësua shpejt e shpejt edhe ja se ç’u gjenda krejt, me trup e shpirt, në Katjelin e Mokrës në kohën e Zotit të Shqipërisë Gjergj Kastrioti.
Shtëpitë e fshatit ishin të gurta e të mbuluara me plloça të gëdhëndura mir e bukur dhe rruga e shtruar me gurë shpinte ne kisha e Zonjës Shën e Djelë.
E ç’u pikasa se unë qënkësha Rodovani, Rodovani i Vllastar Katjelit, djalë i ri i veshur me mëngore liri, me kallca e me fustane kinda-kinda. Pa m’u kujtua se atëhere, në vitin e Tënëzot një mijë e katër qint e gjashtëdhjet e tre, mbretëronte në zemrën t’ime Engjëllina, Engjëllina e motra e Kostandinit. Kjo Engjëllina na ish nga bukurija mi gjithë shoqet e fshatit e ky Kostandini na ish trimthi më i ndjerë e vëllajthi im m’i dhemshur. Edhe sepse më kish marrë malli fort për këtë të fejuarën e spirtit t’im pata sbritur asaj dite ne Kroj ku vinin për ujë vashat e Katjelit. Po se atë ditë ne Kroj nuk u patnë ndodhur përveç se dy vasha të tjera. E njëra prej tyre, që m’a dinte brengën e tetëmbëdhjetë vjeteve, më pat folur kësilloj:
-Rodovan, o Rodovan, Engjëllina vasha jote së bashku me Kostandinin po të pret ne Zonja Shën e Djelë ku do fillojë vallja e Ristozit Tënëzot.
Atëhere m’u kujtua se, me të vërtet, ish dit e tretë e Pashkës së Madhe kur vashat e fshatit heqin vallen e Ristozit ne Sheshi i Shën e Djelës.
Atje ç’e pashë, me të vërtet, Engjëllinën t’ime të bukur si ftoj i bardhë, të bryllët si er’ e malit.
Disa nga vashat e fshatit t’ënë këndonin këngën e Ristozit me një zë që të lavoste shpirtin dhe të tjerat hiqnin vallen dyke dredhur e përdredhur bel e hollë si mënjolla. Engjëllina ime se ç’më ish në kryen e valles dhe gjithë syt e botës se ç’i ndiqnin me çudi mjeshtërinë plot magji të valles. Pa se kur m’a hasi vështrimin fytyra se ç’iu ndes si prushi edhe unji kryet tatëpjetë. Atëhere, që t’iu them të drejtën e Zotit, nga malli e gazi shpirti m’u pat dredhur sindozot se dridhet flet e plepit kur fryn era e ndajnatës.
Po se asohere një grimë vetëm, një grimë të errët, kur i pashë kryqëthin e gushës edhe vëthëzat e veshit m’u pat kujtuar kjo jet’ e sotme, ëndra e mikut t’im me vashën q’e pat thirrur në Shën e Djelë, gropa e hapur në një natë me hënë pikërisht në vëndin ku më buzëqeshte aqe ëmbël Engjëllina ime, dhe jeta e bot’ e tërë m’u patnë dukur të murrme e pa shije si uji pas një lëngate.
Pikërisht atëças ndjeva mi sup dorën e Kostandinit edhe fytyra e tij që më nxirte mallin e Engjëllinës s’ime më solli rishtas në ujrat e para të lume.
-Rodovan, vëllajthi im, përse të shoh të errësuar?
E atëhere pushoj vallja e vashave e Engjëllina na ardhi pranë. E kur më ardhi Engjëllina pranë m’u sikur një djellë m’u pat lindur në shpirt…
U gjenda pastaj në një tjatër shesh, ne sheshi i burravet, ku trimat e fshatit me Kostandinë në krye, tregonin mjeshtërinë e shigjetës e të shpatës. E ish asaj dite në Katjelin e Mokrës një brithmë e një gas si nuk pat qënë asnjëherë.
…Pastaj, s’di se qysh, filli i jetës së parë sikur u këput pre dore njeriu.
Unë Rodovani i Vllastarit sikur isha gjith në Katjelin e Mokrës po se tanithi ky fshati ynë sikur paskëshe humbur brithmën e gazin e parë. Një ushtëtar kaluar paskej sjellë brenda në fshat lajmin e zi se qeni turk po vintej në viset t’ona dyke vrarë e prerë ç’do gjë të gjallë.
Ndjeva asohere se që nga kodra e Shën e Djelës sbriste tatëpjetë tingëllimi i dredhur i kambanës që hepohej e tretej në grykën e lumit sindëkur sbriste në një tjatër botë. Djemt e fshatit me shtijza në dorë e shpata për brezi ngjiteshin në nxitim e sipër në kodrën e kishës ku do mblidhej pleqërija. Pa m’u duk sikur burrat e fshatit t’ënë paskëshin shkuar në luftë e dhogat e zeza që mbyllnin dritaret tregonin se shumë nga shtëpitë e Katjelit kishin mbetur të shkreta e pa zot.
Nxitova çapet që të arrij shokët. U gjendmë befas ne Sheshi i Shën e Djelës ku ish mbledhur gjithë fshati për kuvend e bisedim. Tingëlli i kambanës ish shojtur dhe një pushim i rëndë kish rënë mi gjithë botën.
Që brenda, nga Kisha e Zonjës Shën e Djelë vinin pëshpëritje të mbytura.
Pleqtë e të parët, të gjithë veshur me floke të bardha, nxuar kësulat e hynë dyke u krusur në derën e unjtër të faltores.
Sbrita edhe unë shkallët e gurta edhe u gjenda në Shën e Djelë.
Erë temjani e qirinjsh.
Flagë të arta kandilesh.
Zëri i ngadalshmë i uratës.
-T’i lutemi Tënëzotit…
Pleqtë qëndronin kryeunjur e dëgjonin me bindje të kënduarat e lutjet që vinin nga alltari. Plakat e gratë u luteshin koravet.
-Ynëzot! Ynëzot!… na mbaj në hijen T’ënde!
-Ynëzot! Ynëzot!… na mbruaj nga armiku!
-Ynëzot! Ynëzot!… na mbruaj foshnjat e të miturit!
-Ynëzot! Ynëzot! Ynëzot!…
Ç’u gjenda pastaj sërish në Shesh.
Pleqtë kishin ndenjur në lëndinë, pranë varrevet, e bisedonin.
Ne të rinjtë qëndronim më këmbë, pakëz më tej.
Burrat midis moshës s’onë e midis pleqvet ishin të paktë. Këta kishin zënë grykat e viset ku do shkonte qeni turk.
Qetësi e rëndë si plumbi.
Pleqtë e ndjerë mbaruan kuvendin edhe u ngritnë në këmbë. Ne të rinjtë, që ishim si do-nja një qint veta, u afruam. Disa gra të thyera nga mosha e nga brengat bënë dy-tre çape.
Pa midis pleqvet se ç’dolli një plak bujar i lashtë e shpatull-gjërë, si ishin burrat e asaj kohe, e na vështroj me një vështrim shqiponje.
Ky qënke vetë Zoti Nikoll Brana i Katjelit.
Dikush më pëshpëriti:
-Ligjëron ynë-Zot Nikoll Brana.
E me të vërtet pas dy-tri grimave dëgjova kuvëndin e Zotit Nikoll Branë Katjelit.
Na foli mi të këqijat që punonte turku që linte kudo shkelte hi e varre, mi luftat e pareshtura të arbërvet e mi trimëritë e tyre.
Pastaj, e këtu ç’iu paskej errur balli si nata, kuvëndoj mi një armik nga gjaku arbër me emrin Ballaban që vinte në ballën e turkut për të prishur vëllezërit e vendin e tij.
-Mallkuar qoftë për jetën e jetës, foli urata i Shën e Djelës.
-Mallkuar qoftë bres-pas-bresi! Mallkuar qoftë! – folë pleqërija.
-Prej shpate arbëri iu derthtë gjaku, mbylli Zoti Nikoll Brana.
E pastaj ç’u bë disa grime qetësije që të përmbushet mallkimi. Tingëllimi i kambanës, i dalë vet-vetiu, e shpuri përtej, mbase vetë ne Zot i math e i vërtetë.
Ky Zoti Kol Brana ç’na u drejtua pastaj neve të rinjve e na ligjëroj kuvendin që kish dërguar Gjergj Kastrioti, Prengu i Krujës e Kryezoti i arbërit: t’i bjemë befas turkut nga malet e t’i japëm gjëmën e zezë.
Djemtë ngritnë lart shpatat dyke u lidhur për besën e arbërit e për Tënëzotin.
Urata na bekoj, mëmat na pushtuan me lotë nër sy.
Mua më rrihte zemra si zogu në leqe se ndjehesha si i ndarë midis dy botë të ndryshme…
Befas m’u pat fanitur përpara Gjoni i Prendit i veshur me fustane kinda-kinda, me helme në krye, me pafta ergjëndi në gjoks e me shtijëzë në dorë. Ish nga trupi i kalorisë.
-Eja, Rodovan, për Tënëzotin…
Atëhere u ndjeva rishtas i gjith asaj bote dhe hyra midis shokëvet. Zoti Nikoll Brana që ish në kryet t’ënë, nipër e stërnipër, i ngjante njëj Shëndëlliu-plak me shpatë në dorë…
Hodha vështrimin përtej e m’u duk sikur një vashë, që i përngjante kësaj Engjëllinës s’ime, më vështronte me mall e brengë e ndofta dyke lotuar.
Këtu filli i ëndrës së katjelit m’u këput befas.
U zgjova i lodhur.
Era shushëlliste midis fletëvet të gështenjavet. Hije të rënda lëngonin mi murishtat e Katjelit.
Hëna po zhdukej përtej Rrëzhanit të Mokrës edhe liqeri hynte në t’errët”. /KultPlus.com
Ushtarë ukrainas, të trajnuar nga forcat britanike për t’i ndihmuar ata në luftën e tyre kundër Rusisë, kanë mbërritur në BM.
”Grupi i parë në programin ushtarak të udhëhequr nga BM u takua me ministrin e Mbrojtjes, Ben Wallace teksa ata filluan stërvitjen e tyre disajavore”, tha Ministria e Mbrojtjes.
Programi do të trajnojë deri në 10 000 ukrainas gjatë muajve të ardhshëm.
Wallace tha se “ky program i ri trajnimi ambicioz është faza tjetër në mbështetjen e BM për forcat e armatosura të ukrainës në luftën e tyre kundër agresionit rus”.
“Duke përdorur ekspertizën e klasit botëror të ushtrisë britanike, ne do të ndihmojmë Ukrainën të rindërtojë forcat e saj dhe të rrisë rezistencën e saj ndërsa mbrojnë sovranitetin e vendit të tyre dhe të drejtën e tyre për të zgjedhur të ardhmen e tyre”, theksoi ai.
Trajnimi do t’u japë rekrutëve vullnetarë me pak ose aspak përvojë ushtarake aftësitë për të qenë efektivë në luftimet e vijës së parë.
BM ka dhuruar gjithashtu veshje dhe pajisje për të mbështetur ushtarët ukrainas në trajnimin dhe vendosjen e tyre në Ukrainë. /KultPlus.com