Rita Ora ndan fotografi para koncertit në Tiranë: Ky udhëtim ka qenë i jashtëzakonshëm (FOTO)

Këngëtarja shqiptare, Rita Ora, do të mbajë sot koncert në Tiranë, shkruan KultPlus.

Koncerti fillon nga ora 20:00 në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ku pritet që të performojnë vetëm vajza nga Kosova e Shqipëria.

Ora ka ndarë edhe disa fotografi të bukura pak para koncertit që nis sonte në orën 20:00.

“Është ‘SHOW DAY’. Ky udhëtim ka qenë i jashtëzakonshëm dhe mezi po pres sonte! Sigurohuni që të arrini në Sheshin Skënderbej herët për të parë formacionin e artisteve të mrekullueshme që performojnë sonte! Shihemi më vonë”, ka shkruar Ora. / KultPlus.com

Luciano Pavarotti, tenori që magjepsi botën

Ai ishte një zë i fuqishëm, një buzëqeshje shkëlqyese, një shpirt thellësisht lirik, një vullnet i epërm humanizmi, një tenor i rrallë, një emër i rëndësishëm që ka zënë vend të merituar në panteonin e vlerave të trashëgimisë botërore… Ai ishte, Luciano Pavarotti, një tokësor me zë qielli që i’u dorëzua vdekjes fillimshtatorin e vitit 2007, duke lënë pas brengë, dhimbje, por mbi të gjitha një zbrazësi. Por ai në këtë ikje la veprën, një monument të lartësuar në mirënjohje dhe vlerësim.

Rreth orës pesë të mëngjesit të 6 shtatorit 2007, një dekadë më parë, ka mbyllur sytë në shtëpinë e tij në Modena të Italisë, pas një beteje të gjatë me kancerin, legjenda e zërit operistik. Këngëtari i famshëm megjithëse i ishte nënshtruar trajtimeve të specializuara, asnjë deklaratë nuk ishte bërë publike për gjendjen e tij shëndetësore, deri kur vullneti i pamëshirshëm e ndali këtë uragan njerëzor për ta ndarë si nga skena ashtu edhe nga jeta. Asokohe sëmundja e rëndë e kishte detyroi këngëtarin të anulonte të gjitha koncertet që kishin mbetur nga turi i tij i lamtumirës nga opera, por jehona e atij vokali përplaset ende në kreshtat e kohës.

Djali i një bukëpjekësi në Modena, Itali, i cili ishte një këngëtar modest opere, Pavarott-i i ri u rrit duke ëndërruar në vend që të ndiqte një karrierë si futbollist.

Që shumë i vogël i kushtohet botës së lirikës duke studiuar me tenorin Arrigo Pola dhe maestron Etore Campogaliani. Debutoi më 39 prill të vitit 1961 në rolin e Rudolfit në operën “Bohema” në sallën e operës të Rexhio Emilias. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës triumfon në shkurt të vitit 1965, me Xhon Suterlend, në veprën “Luçia” të Lamermurit.

Por shpërthimi i vërtetë mbërriti më 17 shkurt të vitit 1972, në skenën “Metropolitan” të Nju-Jorkut ku në një vepër të Donixetit lë me kuptimin e plotë të fjalës, me gojë hapur të gjithë të pranishmit falë nëntë do-ve të përsosura. I takon atij rekordi i 17 kthimeve për shkak të duartrokitjeve pas uljes së siparit. Që atëherë, emri i tij u bë i njohur edhe për publikun e gjerë falë televizionit.

Gjatë viteve ‘90 Pavaroti u kushton shumë rëndësi koncerteve në ambiente të hapura, të cilat do të transformohen në suksese madhështore. Në “Haid Park” të Londrës u grumbulluan falë tij më shumë se 150 mijë njerëz. Në qershor të vitit 1993, më shumë se 500 mijë admirues të tij u grumbulluan në parkun qendror të Nju- Jorkut, ndërsa ishin miliona ata që e ndiqnin përmes valëve të televizionit. Në shtator të po atij viti, nën hijen e kullës “Eifel”, këndon përpara rreth 300 mijë të pranishmëve. Mes më të famshmëve nuk mund të lihen pa përmendur koncertet e “tri tenorëve”, bashkë me kolegët e tij Plaçido Domingo e Hose Karreras. Po kaq i famshëm është edhe aktiviteti intensiv në rolin e organizuesit në serinë e koncerteve “Pavarotti and friends”, eveniment gjatë të cilit (për motive bamirësie), bashkëpunoi me yjet ndërkombëtare më në zë të muzikës pop.

I adhuruar për aftësinë e të bërit spektakël, Pavarotti ishte i adhuruar më së shumti për mrekullinë që ishte zëri i tij. Placido Domingo, partneri muzikor dhe miku i tij u shpreh pas lajmit të vdekjes së Pavarott-it: “E kam adhuruar gjithnjë madhështinë që Zoti i kishte dhuruar zërit të tij, atë timbër të veçantë e të pagabueshëm që kapte çdo notë që një tenor mund të kapë”.

Ai ishte njëkohësisht perfeksionit dhe “shoëman” i lindur dhe statusi i tij si ikonë kulturore është vulosur nga duetet e tij të padiskutueshme me këngëtarë të muzikës pop dhe rok nga Bono i U2 e deri te Sting e Celine Dion. Disa puritanë të operas nuk do ta falin asnjëherë tenorin për performancat e llojit “Pavarotti and Friends”.

Në disa intervista, para se të operohej Pavarotti u shpreh në disa intervista se ndihej një njeri me fat. “Unë jam dhe kam qenë një njeri me fat. Do të jem optimist deri në vdekje”. Në vitet e fundit, sidomos në Itali, Pavarotti është përfolur më shumë për jetën e tij personale se atë profesionale. Fillimisht ai u përfshi në një skandal taksash në Itali e më pas u kritikua pasi la bashkëshorten e tij prej 30-vitesh për t’u martuar me asistenten e tij të re. Pavarësisht të gjithave, Pavarotti, ka qenë sa ishte gjallë e do të mbetet dhe pas vdekjes, një prej ikonave më të shquara të skenës operistike.

Luciano Pavarotti përbën rekordin më të madh në historinë e muzikës së koncerteve live, plot 1200 duke e klasifikuar atë si një fenomen. /albertvataj/ KultPlus.com

‘Për të qenë i lirë, njeriu duhet të ndjekë rrugën e arsyes dhe t’i mbajë nën kontroll ndjenjat’

Ki guxim t’i shërbesh arsyes tënde! Këtë ka kërkuar Immanuel Kant (1724-1804). Filozofi i famshëm e përkufizoi Iluminizmin si “daljen e njeriut nga papjekuria e vetvetes”. Për të qenë i lirë, njeriu duhet të ndjekë rrugën e arsyes dhe t’i mbajë nën kontroll ndjenjat dhe instiktet.

Gottfried Wilhelm Leibniz

Iluministi i hershëm, Leibniz (1646-1716) konsiderohet shpesh si dijetari i fundit universal. Që para Kantit ai formuloi një maksimë të rëndësishme të iluminizmit: Çdo njeri i ka aftësitë për një jetë dinjitoze. Sipas tij, të gjitha virtytet e njeriut mund të zbeheshin, – vetëm arsyeja jo.

Johann Gottfried Herder

Filozofi dhe shkrimtari studioi në Kënigsberg, ka qenë edhe nxënës i Kantit. Herder (1744-1803) në librin “Ide mbi filozofinë e historisë së njerëzimit” ai e sheh zhvillimin e njeriut si një maturim organik drejt humanizmit. Ai kujton se parimi i tolerancës duhet të vlejë për të gjithë popujt dhe kulturat.

Gotthold Ephraim Lessing

Toleranca, Liria dhe Vetëdija e re e qytetarisë – këto mendime janë filli i kuq në dramat dhe shkrimet teorike të Lesingut (1729-1781). Në shkrimet e tij filozofike ai kritikon dogmatizmin dhe angazhohet për trajtimin e barabartë të besimeve fetare.

Nathan i Urti

Këto ide Lesingu vazhdon t’i shtjellojë edhe në dramën “Nathan, i urti”, në një kohë kur iu ndalua të publikonte teoritë e tij. Kjo pjesë teatrale ende vihet në skenë (në foto me aktorin Klaus Maria Brandauer Vjenë 2004), sepse tema e tolerancës fetare ende sot është aktuale.

Moses Mendelssohn

Drama “Nathan i urti” është njëkohësisht një homazh për mikun e ngushtë të Lesingut, Moses Mendelssohn (1729-1786). Iluministi hebre e frymëzoi Lesingun për figurën e Nathanit, dhe luftoi për tolerancën fetare.

Theodor W. Adorno

Si mundi të ndodhte, që megjithë iluminizimin, “mbiu fara e barbarisë së re” – fashizmi? Me këtë çështje merret Theodor Adorno (1902-1969) në vitet 40-të, në kohën e emigracionit në Amerikë së bashku me Max Horkheimer. Së bashku ata shkruan “Dialektika e zhvillimit.”

Adorno e Horkheimer

Morali, kultura dhe shkenca përcaktohet nga formalizmi i pastër i “arsyes së instrumentalizuar”. Sidomos Horkheimer (1895-1973 majtas) thekson se me këtë individi rrezikon vetveten. Adorno dhe Horkheimer trajtojnë rënien pre të individit ndaj ideologjive totalitare.

Jürgen Habermas

Filozofi dhe sociologu i lindur në Dyseldorf Jürgen Habermas (1929) bën pjesë tek intelektualët më të njohur të së tashmes. Ai e vazhdoi më tej Teorinë Kritike; sipas tij ndërveprimet komunikative krijojnë bazën e shoqërisë. Këto janë të orientuara drejt arsyes. /KultPlus.com

‘This is a man’s world’, nga zëri i jashtëzakonshëm i Luciano Pavarottit (VIDEO)

15 vjet më parë u shua një nga tenorët më të mëdhenj në botë.

Më 12 tetor të vitit 1935 ka lindur tenori me famë botërore, Luciano Pavarotti i cili la gjurmë të mëdha në muzikën klasike, duke u bërë ndër tenorët që mahnitën botën, shkruan KultPlus.

Luciano Pavarotti është tenori më i famshëm italian i tridhjetë viteve të fundit si edhe këngëtari më i famshëm jo vetëm në botën e operas, por ndër të gjitha zhanret.

Pavarotti lindi në Modena, Italinë e veriut, dhe vdiq po aty. I biri i një bukëpjekësi, Pavarotti kishte menduar të bëhej futbollist profesionist, por thoshte se dëshira e tij për të kënduar qëkur ishte katër vjeç kurrë nuk e kishte lënë.

Luciano Pavarotti pati një karrierë dyzetvjeçare në skenën botërore dhe brenda kësaj kohe u bë një prej artistëve më të shitur, krah për krah me artistë si Madona dhe Elton Xhon.

Sot, KultPlus ua sjell një këngë që bëri bujë të madhe në skenën e muzikës ndërkombëtare. Bëhet fjalë për kënëgn e njohur ”This is a man’s world” të interpretuar nga Pavarotti në bashkëpunim me James Brown.

Ai i solli audiencë të re operës, në veçanti me melodinë karakteristike të tij Nesun Dorma nga Turandoti i Puçinit e cila u shndërrua në njërën prej himneve më të adhuruara të futbollit në botë.

Në disa intervista, para se të operohej Pavarotti u shpreh në disa intervista se ndihej një njeri me fat. “Unë jam dhe kam qenë një njeri me fat. Do të jem optimist deri në vdekje”. Në vitet e fundit, sidomos në Itali, Pavarotti është përfolur më shumë për jetën e tij personale se atë profesionale. Fillimisht ai u përfshi në një skandal taksash në Itali e më pas u kritikua pasi la bashkëshorten e tij prej 30-vitesh për t’u martuar me asistenten e tij të re. Pavarësisht të gjithave, Pavarotti, ka qenë sa ishte gjallë e do të mbetet dhe pas vdekjes, një prej ikonave më të shquara të skenës operistike.

Luciano Pavarotti përbën rekordin më të madh në historinë e muzikës së koncerteve live, plot 1200 duke e klasifikuar atë si një fenomen. / KultPlus.com

Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut iu konfirmohet aktakuza për vrasjen e Marigona Osmanit

Gjykata Themelore e Ferizajt e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të cilët akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit.

Më 23 gusht 2022, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se mbrojtësit e të akuzuarve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët ngarkohen për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani në gusht të vitit 2021, kanë kërkuar hudhjen e aktakuzës.

Gjyqtari i çështjes, Sahit Krasniqi më 2 shtator 2022, mori aktvendim në bazë të së cilit i ka refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet e provave, të parashtruara nga mbrojtja e të akuzuarve.

Këtë e kanë konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, nga zyra për informim e kësaj gjykate.

Ndryshe, më 14 korrik 2022, është mbajtur seanca fillestare ku Dardan Krivaqa ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje, kurse Arbër Sejdiu, është deklaruar i pafajshëm.

Krivaqën prokuroria e ngarkon me veprën penale vrasje e rëndë dhe dhunim, kurse Sejdiu po akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit.

Sipas aktakuzës i pandehuri Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar të njëjtën për të kryer marrëdhënie seksuale, e cila siç thuhet në aktakuzë përcillet me tortura.

Gjithnjë sipas aktakuzës, aty thuhet se i pandehuri Krivaqa fillimisht pa dëshirën e tani të ndjerës ka kryer marrëdhënie seksuale në sallon, pas kryerjes së aktit seksual të njëjtën të zhveshur e kishte dërguar në banjo, nga aty me dhunë e kishte dërguar në dhomën e gjumit, mirëpo me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore tani e ndjera Marigona Osmani si pasojë e dhunës së ushtruar kishte humbur aftësinë për të rezistuar, e ku në dy raste në mbrëmje kishin kryer marrëdhënie seksuale, pastaj i pandehuri Dardan të zhveshur e kishte dërguar në banjë, e ku i vërehen edhe lëndimet në trup,

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, par. 4, nënpar 4.1, lidhur me par.1 të Kodit Penal.

Sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, i pandehuri Arbër Sejdiu më 21 gusht 2021, në banesën e të pandehurit të parë në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje i kishte ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa në kryerjen e veprës penale të dhunimit.

Sipas aktit akuzues thuhet se fillimisht dy të pandehurit kishin kontaktuar përmes telefonit dhe ishin takuar në qytet, pastaj së bashku ishin kthyer në banesë, ku i pandehuri Arbër posa kishte arritur, duke qenë në dijeni se i pandehuri Dardan është duke e dhunuar tani të ndjerën Marigona Osmani, me dashje kishte marrë veprime me të cilat lehtësohet kryerja e dhunimit.

Tutje thuhet se dy të pandehurit së bashku kishin hyrë në dhomën ku kryhet dhunimi, e ku e ndjera ishte e zhveshur, e të cilin veprim gjatë qëndrimit në banesë e merr disa herë, po ashtu dhe gjatë asaj kohe kishte përcjellë gjendjen nëse ndonjë nga banorët është duke lëvizur aty pari.

Siç e përshkruan aktakuza, i pandehuri Arbër Sejdiu po ashtu edhe disa herë kishte dalë nga banesa për të blerë gjëra ushqimore, ndërsa gjatë gjithë kohës dy të pandehurit kishin biseduar mes vete, kështu tutje, të pandehurit Dardan Krivaqa i kishte dhënë telefonin për të thirrë kompaninë e cila menaxhon kamerën, që ishte e vendosur në korridorin e banesës me qëllim që të fshihen video-incizimet, gjegjësisht provat e veprës penale.

Me këtë, Sejdiu akuzohet se ka kryer veprën penale “Nihmë në kryerjen e dhunimit” nga neni 227, par 4, nënpar. 4.1, lidhur me par. 1 dhe nenin 33 të Kodit Penal.

Kjo aktakuzë në dispozitivin e III-të, dy të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu i ngarkon për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Aty thuhet se më 22 gusht 2021, në banesën e të pandehurit Dardan Krivaqa, në rrugën “Ramadan “Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje dhe në bashkëkryerje, me qëllim të fshehjes së veprës penale dhunimi e kanë privuar nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën i pandehuri i parë ishte në bashkësi jashtëmartesore.

Tutje, sipas aktakuzës, përshkruhet se në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë kishte marrë një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë kishin hyrë në dhomë dhe kishin filluar ta godasin tani të ndjerën në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i kanë shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike, ku nga goditjet e njëjta ka pësuar politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerja e ashtit të nofullës së poshtme, thyerja e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par. 1, nënpar. 1.3, 1.4 dhe 1.7, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. / KultPlus.com

“Ky është sekreti për zhvillimin e Shqipërisë”, deklarata e ministrit të financave Filip Noga

Nga Aurenc Bebja

“Stamboul” ka botuar, të martën e 28 prillit 1914, në ballinë, deklaratat e ministrit të financave Filip Noga për “La Tribuna”, gjatë vizitës në Kostandinopojë, në lidhje asokohe me zhvillimin e Shqipërisë, të cilat Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar:

Deklaratat e z. Filip Noga

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Romë, 27 prill.

La Tribuna publikon disa deklarata të ministrit të ri shqiptar të financave, z. Filip Noga, gjatë vizitës së tij në Kostandinopojë. Ministri i ri është sinqerisht optimist për të ardhmen e Shqipërisë. Ai beson se si vështirësitë mes Greqisë dhe Shqipërisë, ashtu edhe ato mes Shqipërisë dhe Serbisë, mund të zgjidhen pa shumë vështirësi. Zoti Noga pohoi se popullariteti i Princ Vidit po rritet çdo ditë e më shumë në të gjithë Shqipërinë, e cila dëshiron vetëm paqe dhe punë.

Ai shtoi se një program i tërë i gjerë punimesh për rritjen e principatës së re do të kryhet së shpejti nën kujdesin e princit, i cili është i përfshirë aktivisht në gjithçka që mund të kontribuojë në përparimin dhe mirëqenien e vendit. Ai vuri në dukje se tashmë në Shqipëri kanë filluar të shfaqen shtëpi bankare dhe tregtare të drejtuara nga vetë shqiptarët, gjë që dëshmon besimin e tyre në të ardhmen e atdheut të tyre me mjetin më të mirë : Punën. – (Ag. It.)

https://www.darsiani.com/la-gazette/1914-ky-eshte-sekreti-per-zhvillimin-e-shqiperise-deklarata-e-ministrit-te-financave-filip-noga-per-la-tribuna-gjate-vizites-ne-kostandinopoje/ / KultPlus.com

Filip Noga (1868 – 1917)


Televizioni zviceran me kronikë për shqiptarët e Zvicrës, në fokus: dasmat, makinat e shtrenjta dhe “gjahu” për gjetjen e partnerëve në Kosovë

Televizioni zviceran SRF së fundmi i ka dedikuar një artikull të rinjve kosovarë që jetojnë në Zvicër. Artikulli bazohet në martesat që ndodhin çdo vit mes Zvicrës dhe Kosovës dhe se si familjet e thonë fjalën e fundit në këtë çështje. Takimet e dashurive mes të rinjve duhet të ndodhin krejt natyrshëm, por për prindërit e këtyre të rinjve, kjo nuk vlen. Në një sondazh të rrugës që ka krijuar gazeta, qartazi shihet se shumë të rinj zviceranë kosovarë duan dëshpërimisht dikë me të njëjtin prejardhje, transmeton KultPlus.

Më poshtë KultPlus ua sjell artikullin e plotë:

Gjuetia e thesarit në Kosovë

Ka qindra martesa të reja çdo vit mes Zvicrës dhe Kosovës. Familjet duan të thonë fjalën e fundit – të rinjtë luftojnë.

Vera në Prishtinë, Shacit janë këtu. Kështu quhen kosovarët e vendeve gjermanishtfolëse. Në rrugë qarkullojnë makina me targa zvicerane – Mercedes, Ferrari, Porsche nga Baselland, Cyrih, Aargau – flitet gjermanishtja zvicerane. Shacit janë këtu për vizitën e detyrueshme familjare në shtëpinë e tyre të dytë dhe disa prej tyre shpresojnë të gjejnë një shoqërues për gjithë jetën.

Jeta e natës: Një shfaqje nusesh

Në një mbrëmje, basi i rëndë muzikor po lulëzon në një nga klubet më të mëdha në Kosovë. Drita është e zbehtë, një shfaqje me dritë lazer shfaq një shteg drejt atmosferëz së ndezur. Çdo minutë, gra dhe burra të rinj me stil të përsosur kalojnë nëpër klubet e natës dhe lënë pas aromë të rëndë parfumi dhe deodoranti.

Përshtypjet e para kanë rëndësi, ju e dini këtë. Në fund të fundit, ata mund të takonin dashurinë e tyre të madhe këtu. Është një pamje e mrekullueshme dhe për t’u parë. Në klub atë mbrëmje janë edhe Gabriela Tomes dhe Dorentina Dauti. Ato theksojnë: vetëm për t’u argëtuar, për të festuar e për të kërcyer me Shaci të tjerë.

Balanca midis traditës dhe modernitetit

Gabriela Tomes dhe Dorentina Dauti janë kosovare zvicerane nga Thurgau. Si shumë të rinj kosovarë nga Zvicra, ato përpiqen të mbushin hendekun midis dy kulturave. Takimet e dashurisë janë një çështje private për të dyja, edhe pse e dinë që disa nga familjarët e tyre e shohin ndryshe. Janë 23 vjeç, as të fejuara dhe as të martuara.

Ato janë të vetëdijshme për konfliktin në të cilin gjenden. “Nga njëra anë, dua të bëj familjen time të lumtur, por në të njëjtën kohë nuk dua që prindërit e mi të më largojnë asgjë atje. Është zgjedhja ime me kë do të takohem”, thotë Tomes. Ato kanë refuzuar ofertat e mëparshme për takime. “Kam plane të tjera, dua të shkoj në shkollë. Thjesht kam ide të ndryshme për jetën për momentin”, thotë Dauti. Ato kanë mbështetje të lartë për gjeneratën e re të kosovarëve zviceranë. Një brez në trazira që përpiqet të gjejë rrugën e mesme midis zonave të konfliktit.

Shacit duan njëri-tjetrin

Por jo të gjithë janë kaq të vetëvendosur. Sondazhi i rrugës tregon se shumë të rinj zviceranë kosovarë duan dëshpërimisht dikë me të njëjtin prejardhje. Kështu kërkon familja, por këtë duan për vete. Për ta është më e rëndësishme që tradita të vazhdojë, që gruaja e ardhshme t’i përgjigjet ideve të prindërve, të njohë zakonet kulturore të Kosovës dhe të flasë shqip me gjyshërit.

Për Tomes dhe Dautin, nga ana tjetër, është e qartë se do të vendosin vetë se me kë do të martohen, nuk ka rëndësi nëse prindërit e tyre do të jenë të kënaqur me zgjedhjen. Gjithsesi – kjo pyetje ka kohë. Për momentin gjëra të tjera janë më të rëndësishme, si kërcimi në klub dhe studimi pas verës. / KultPlus.com

Chris Rock tallet me videon e faljes së Will Smith: Dukesh sikur të kanë marrë peng

Chris Rock nuk është i interesuar për videon e faljes publike që Will Smith postoi në rrjetet sociale disa muaj pasi e goditi komedianin në Oscar.

Gjatë një shfaqjeje me Dave Chappelle në O2 Arena të Londrës të shtunën në mbrëmje, Rock,  iu përgjigj faljes së Smith duke thënë “zhduku bashkë me videon tënde sikur të kanë marr peng”, raportoi Deadline.

Rock i referohej videos së publikuar nga Smith në fund të korrikut për të kërkuar falje për shuplakën e Rock-ut gjatë  Çmimeve të Akademisë. Komediani bëri një shaka me flokët e Jada Pinkett Smith, për të cilën thuhet se ai nuk ishte në dijeni se vuan nga alopecia. Si përgjigje, Smith, i cili më vonë do të pranonte Oscarin për aktorin më të mirë atë natë, ofendoi aktorin përpara se ta godiste.

Rock vazhdoi gjatë turneut të tij  duke thënë “Po, kjo më dhemb. Ai luajti Aliun”, duke iu referuar rolit të Smith si boksieri legjendar Muhammad Ali në filmin Ali të vitit 2001. “Unë nuk mund të luaj as Floyd Mayweather”.

Duke bërë shaka me sitautën,  Chappelle iu drejtua gjithashtu incidenti. Ai i tha audiencës  se nëse Willdo ta kishte goditur në skenë gjatë shfaqjes së çmimeve, ai nuk do të kishte “shijuar pjesën tjetër të natës së tij”.

Chappelle shtoi se që nga përvoja e tij personale me të sulmuarit në skenë, ai kurrë nuk e di nëse një turmë është armiqësore.

Ndërkohë, gjatë një tjetër shfaqjeje në Phoenix, Ariz, Chris pretendoi se atij iu kërkua të priste Oscarët e vitit të ardhshëm, por e refuzoi ftesën.

Sipas The Arizona Republic, “Rock e krahasoi kthimin në Oscar si kthimi në skenën e një krimi, duke iu referuar gjyqit të vrasjes së O.J. Simpson, vrasja e ish-gruas së tij e cila pak para ngjarjes harroi një palë syze në një restorant italian. Rock tha se rikthimi në ceremoninë e ndarjes së çmimeve do të ishte sikur t’i kërkonit Nicole Brown Simpson ‘të kthehej në restorant’”./Lapsi.al/ KultPlus.com

Letra e Camus për mësuesin: Pa atë dorë të dashur që ju i ofruat një fëmije të varfër, nuk do të kishte ndodhur asgjë nga gjithë këto

Albert Camus shkroi këtë letër falënderimi për mësuesin e shkollës fillore, Louis Germain, menjëherë pas marrjes së Çmimit Nobel për Letërsi në vitin 1957. Një gjest i rëndësishëm ishte ai i shkrimtarit francez që tregon se si mësuesit e shkollave fillore mund të kenë një rëndësi të madhe për edukimin dhe formimin e individëve

Albert Camus

“I nderuar z. Germain,

Kam pritur të shuhet rrëmuja që më ka rrethuar këto ditë para se të vij t’ju flas me gjithë zemër. Më kanë bërë një nderim shumë të madh (dhënien e Çmimit Nobel për Letërsi N.d.R.) të cilin as nuk e kërkova, as nuk e kujtova. Por, kur më erdhi lajmi, mendimi im i parë, pas mendimit për nënën time, ishte për ju. Pa juve, pa atë dorë të dashur që ju i ofruat një fëmijës së varfër, që ai isha unë, pa mësimin dhe shembullin tuaj, nuk do të kishte ndodhur asgjë nga gjithë këto. Unë nuk e mbivlerësoj këtë lloj nderi, por kjo është, të paktën, një mundësi për t’ju treguar se çfarë ishit dhe vazhdoni të jeni për mua dhe për t’ju siguruar se përpjekjet e juaja, puna juaj dhe bujaria që ju keni mbjellë, janë gjithmonë të gjalla në një nga nxënësit tuaj i cili, pavarësisht prej moshës, nuk ka pushuar së qeni nxënësi juaj mirënjohës.

Ju përqafoj me gjithë forcën time. / KultPlus.com

Nënë

Nga: Luciano Pavarotti
Shqipëroi: Bujar Meholli

Nënë, jam shumë i lumtur
sepse po kthehem tek ti,
përmes tingujve të këngës sime
të tregoj se kjo është
dita më e bukur për mua,
pse duhet të jetojmë ndaras më?

Nënë, vetëm për ty
kënga ime fluturon lartë,
nënë, këtu pranë meje do të rrish
vetëm nuk do të jesh asnjëherë,
oh, sa shumë të dua!
Këto fjalë dashurie
zemra ime po i pëshpërit për ty.

Nënë, vetëm për ty
lartë fluturon kënga ime,
të dua aq shumë.
Do të rrish me mua,
unë s’do të lë më vetëm.

Nënë, kënga ime më e bukur je ti,
gjithë jeta ime ti je,
pjesën e mbetur të jetës sime
pranë teje do ta kaloj,
vetëm nuk do të të lë.

Mund ta ndjej dorën tënde të lodhur
nëpër kaçurrelat e mi të artë teksa kalon,
oh, e dëgjoj, e dëgjoj aq mirë zërin tënd
sikur pëshpëritje në një përgjumje,
dhe koka jote tashmë e bardhë
dua të qëndroj fortë brenda zemrës sime. /KultPlus.com

Vatikani nxjerr monedhën e veçantë me vlerë euro me portretin e Nënë Terezës

Në këtë 25 përvjetor të ndarjes nga jeta e 6 vjet nga Shenjtërimi i saj, Selia e Shenjtë në Vatikan kujton Nënë Terezën dhe me një monedhë të veçantë në vlerën euro e cila do të të mbaj portretin e Shën Terezës.

Portreti është realizuar nga artistja Orieta Rossi e cila ka ditur të sintetizojë figurën e saj ndërsa mban shtrënguar në krah një vogëlush indian, e që përmbledh me tre fjalë veprën hyjnore të shënjtërisë shqiptare; dashurinë, impenjmin e devotshmërinë për t’i shërbyer të tjerëve.

Por Nënë Tereza kujtojet e festohet në Itali e në Vatikan dhe nga komuniteti i madh i shqiptarëve dhe i kosovarëve që jetojnë në këtë vend.

Në San Benedetto del Tronto, në provincën e Ascoli Piceno, në rajonin e Marche, komuniteti i shqiptarëve i ka dhuruar qytetit shtatoren monumentale të Nënë Terezës vepër e skulptorit shqiptar Genti Tavanxhiu.

Nënë Tereza do të kujtohet sot në mesha të shumta që do të mbahet në territorin italian e në aktivitete organizuar nga komuniteti i besimtarëve dhe i devotëve të saj./ KultPlus.com

15 vjet pa gjigantin Luçiano Pavarotti

15 vjet më parë u shua një nga tenorët më të mëdhenj në botë.

Luçiano Pavarotti, ishte i talentuar me zërin më të shquar të shekullit dhe gjatë karrierës së tij dyzetvjeçare, arriti të pushtojë audiencën dhe skenat më prestigjioze të botës, nga Scala e Milanos deri te Metropolitan Opera e New Yorkut.

Kur lindi më 12 tetor 1935, në Modena, ai qau aq fort sa një mjek u tha prindërve të tij muzikantë se Luçiano me siguri do të bëhet një “tenor i madh”. Dhe kështu ndodhi./ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Policia jonë të zhvillohet edhe më tej, duke pasur gjithnjë synim sundimin e ligjit

Në 23 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, presidentja e Reoublikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se ‘Polica e Kosovës është jo vetëm njëra ndër shtyllat më të rëndësishme të Republikës sonë, por edhe një nga shembujt se si mund të themelojmë e të ngremë institucione të qëndrueshme, për t’u shërbyer me zell qytetarëve e atdheut’.

“Në 23-vjetorin e themelimit, ua shpreha mirënjohjen tonë të thellë për angazhimin e tyre përgjatë këtyre 23 vjetëve dhe gatishmërinë tonë të plotë që të mos reshtim së punuari që Policia jonë të zhvillohet edhe më tej, duke pasur gjithnjë synim sundimin e ligjit dhe barazinë e të gjithëve para ligjit. Anëtarësimi në INTERPOL dhe në organizata të tjera ndërkombëtare është vizioni ynë për të ardhmen”, ka deklaruar mes të tjerash presidentja Osmani./ KultPlus.com

A do sjell Rita Ora bashkëpunim me Dua Lipën, Bebe Rexhën dhe Ava Max?

Në konferencën për shtyp me kryebashkiakun Veliaj dhe ambasadorin britanik, Rita Ora i është përgjigjur edhe disa pyetjeve të gazetarëve. Gazetarja e Tv Klan e ka pyetur atë nëse do kishte një bashkëpunim me Dua Lipën, Bebe Rexhen dhe Ava Max dhe përgjigjia e saj la të nënkuptohej se në të ardhmen ndoshta do sjellin një projekt së bashku vetëm se duhet të presin momentin e duhur, pasi të gjitha kanë angazhimet e veta.

Në 2011-2012 kur fillova karrierën time e pashë të nevojshme dhe si një barrë në një farë mënyre dëshirën për ta bërë Shqipërinë të njohur në hartën globale, por tani jam e lumtur dhe me fat që shikoj kaq shumë artistë të përfshirë këtu edhe në fushën e muzikës por edhe në fusha të tjera të cilët e kanë lartësuar artin shqiptar. E kam ëndërr të vijmë të gjithë së bashku dhe të sjellim një bashkëpunim, por për shkak të angazhimeve të shumta që të gjithë kemi mbase nuk është gjithmonë e mundur”./ KultPlus.com  

Nis Mural Fest Tirana, kuratori Haliti zbulon risinë: Do kemi më shumë artiste vajza që do pikturojnë muret e kryeqytetit

Nis Mural Fest Tirana, një prej festivaleve më të veçanta që zhvillohet në Tiranë. Mural Fest, tradita e një arti që nuk vdes kurrë është nismë e Agjencisë së Dekorit nga Bashkia e Tiranës, këtë herë edhe në kuadër të titullit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”.

Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e nisjes së festivalit kuratori i Mural Fest Tirana, Helidon Haliti tha se e veçanta e këtij viti është se do të ketë më shumë pjesëmarrëse gra artiste si dhe do të ketë tre vepra kushtuar rinisë.

“Mural Fest ka nisur prej 5 vitesh, i realizuar nga Dekor Tirana, duke afruar artistë nga e gjithë bota. Risia e Bashkisë së Tiranës është se ka një grup e cila ka artistë brenda, të cilët pikturojnë përditë. Ata i njohin muret e Tiranës dhe pikturojnë gjëra përditë. Dera e Mural Fest është e hapur për të gjithë studentët dhe të pasionuarit pas artit, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën. Workshop-i do të jetë 3 ditë. Është i iniciuar nga Dekor Tirana dhe nga Kongresi Rinor Kombëtar. E përgëzoj Kongresin sepse ka sjellë shumë aktivitete në Shqipëri. Këtë vit kemi dy artistë të shkëlqyer, siç është Noe nga Uruguai. Ne këtë vit kemi katër vajza artiste, me insistimin tim vjen edhe një vajzë nga Kosova, Emona 21 vjeç e cila ka bërë disa mure në Kosovë. Vjen gjithashtu edhe Zana nga Amerika, Pablo nga Spanja, apo Bogdani nga Rumania”, u shpreh muratori Haliti.

Drejtoresha e Kongresit Rinor Kombëtar, Dafina Peci tha se është e lumtur që Kongresi i është bashkuar këtë vit Mural Fest, në kuadër të titullit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” dhe se shpreson që në vitet e ardhshme kjo nismë të zhvillohet edhe në qytete të tjera të Shqipërisë “Ne kemi ardhur me Tirana Art, si një nismë që synon që këtë festival të muraleve ta përçojë edhe te brezat e rinj nëpërmjet ndërtimit të kapaciteteve, por edhe mundësisë që atyre u jepet për ta përfaqësuar punën rreth e përqark qytetit. Unë jam e bindur që do u mundësojmë të rinjve më shumë hapësira dhe mundësi dhe do bëjmë të mundur që edhe vitet e tjera këtë traditë aq të mirë ta ruajmë dhe ta promovojmë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë”, u shpreh Peci.

Ndërsa menaxheri i Programeve të titullit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” Ergys Gezga tha: “Në kuadër të titullit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” festivalit që realizon Dekori i Bashkisë Tiranë, i bashkohet edhe Mural Art, një projekt që vjen në kuadër të vitit të rinisë, një vit special që sjell për të gjithë të rinjtë e Tiranës, shumë aktivitete të ndryshme”, u shpreh Menaxheri i Programeve të titullit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” Ergys Gezga./ KultPlus.com

Rita Ora shpërthen në lot për vajzën e dhunuar në Kosovë: Prindërit dhe komuniteti të punojnë shumë me fëmijët (VIDEO)

Rota Ora po qëndron në Tiranë për koncertin e sotëm që e ka në Sheshin “Skënderbej”, ku Rita Ora është ylli i mbrëmjes, por në këtë koncert do të prezantohen edhe këngëtare të tjera, shkruan KultPlus.

Mes të tjerash, Rita Ora përgjatë konferencës së sotme për medie ka shpërthyer në lot për vajzën 11 vjeçare e cila është dhunuar kohë më parë në Prishtinë. Ajo ka bërë thirrje që familjet dhe komuniteti të kenë më shumë kujdes dhe të punojnë me fëmijët dhe të rinjtë, që mos të përsëriten këto gjëra.

“Ju kërkoj ndjesë, sepse mund të jem emocionale për atë se çfarë ndodhi në Kosovë, na bëri të kuptojmë edhe njëherë që të kem një fokus, që prindërit dhe komuniteti të punojë me fëmijët dhe të rinjtë, në mënyrë që mos të përsëritet situata”, ka thënë Rita Ora mes të tjerash në këtë konferencë. / KultPlus.com

Rama fton qytetarët që të pastrojnë liqenin e Badovcit

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka ftuar qytetarët që në mënyrë vullnetare të bashkohen më 16 shtator në pastrimin e liqenit të Badovcit, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Rama ka thënë se transporti, ushqimi, qeset e mbeturinave, dorezat, bluzat dhe të gjitha gjërat e nevojshme do të ofrohen nga organizatorët.

Postimi i plotë:

“Bashkë për liqene më të pastërta! 🍀 Ftohen vullnetarët që me 16 shtator, t’i bashkohen aktivitetit për pastrimin e liqenit të Badovcit. Transporti, ushqimi, qeset e mbeturinave, dorezat, bluzat dhe të gjitha gjërat e nevojshme do të ofrohen nga organizatorët. ⏰Afati për regjistrim është deri më 7 shtator. Faleminderit GIZ Kosovo, Zyra e BE-së në Kosovë dhe Association for Environmental Protection and Clean-up of Kosova – Pamkospër këtë iniciativë shumë të qëlluar 🙏🏼”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com

Filarmonia e Kosovës përmbyll manifestimin “Ditët e Nënë Terezës”

Në shënim të 25-vjetorit të kalimit në amshim të Nënë Terezës, të hënën mbrëma, Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës përmbyllën manifestimin “Ditët e Nënë Terezës”.

Me program tematik në Qendrën “Bogdani Polis” në Prishtinë, koncerti u hap me ‘Vals Hyjnor – Himn për Nënë Terezën’ të kompozuar nga Genc Tukiçi (mbi një temë të Lorenc Antonit dhe vargje të Nënë Terezës) dhe në interpretim të sopranos Adelina Paloja.

Ky himn qe interpretuar premierë nga Filharmonia e Kosovës në Prishtinë më 4 shtator 2015 në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë dhe në koncertin e organizuar në vigjilje të Shenjtërimit të Nënë Terezës në Bazilikën e Shën Palit (jashtë mureve) në Romë, më 3 shtator të vitit 2016.

Në pjesën e parë të koncertit u interpretuan edhe veprat ‘Nënë Tereza’ nga Kreshnik Aliçkaj në interpretim të sopranos Arta Jashari dhe Mustafë Ramajt në lahutë dhe ‘Rilindjes’ (‘Rrugëtimi’) e kompozitorit Valton Beqiri e nën dirigjimin Edon Ramadanit.

Mbrëmja u përmbyll me fragmente nga ‘Rekuiemi’ i Mozartit me solistët Kaltrina Miftari (soprano), Diellza Sylejmani (mexosoprano), Granit Musliu (tenor) dhe Armando Likaj (bas) e nën dirigjimin e Baki Jasharit. /KultPlus.com

Arrestohet një person në Prishtinë, ngacmon seksualisht dhe godet viktimën

Një tjetër rast i ngacmimit seksual është paraqitur sot në Prishtinë, njofton Policia e Kosovës, shkruan KultPlus.

Sipas raportit të policisë rasti ishte lajmëruar në polici më 19 gusht të këtij viti, ndërkaq tek dje është arrestuar personi i dyshuar.

“Më 05.09.2022 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që ka ngacmuar dhe më pastaj e ka goditur viktimën femër kosovare.

I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /KultPlus.com

Filmi dokumentar “Ferdonije” jepet sot në BKK

Sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës do të shfaqet filmi dokumentar “Ferdonije”, shkruan KultPlus.

Ky film rrëfen përjetimet e zonjës Ferdonije, gruas që ka mbetur pa burrin dhe djemtë e saj, të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.

I xhiruar në një periudhë prej dy vitesh filmi tregon emocionet, mendimet, vështirësitë dhe vuajtjet e Ferdonijes, të reflektuara nga realiteti i zhdukjes me dhunë të gjithë familjes së saj nga forcat serbe.

Filmi është drejtuar dhe prodhuar nga Gazmend Bajri dhe Shkurte Dauti. /KultPlus.com

Vizita e Rita Orës në Shqipëri, lajm në mediat botërore

Rita Ora u kthye në Shqipëri të hënën për të takuar ‘fëmijët më të rrezikuar’ në një qendër komunitare në Tiranë, thuhet në postimin e Daily Mail.

Ambasadorja e UNICEF-it, 31 vjeç, e lindur në Kosovë, vizitoi Shtëpinë e Ngjyrave e cila ofron një gamë të tërë shërbimesh për fëmijët dhe familjet e tyre, duke përfshirë një strehimore emergjente.

Këngëtarja i kënaqi banorët teksa ndau kohë nga programi i saj i ngjeshur – duke treguar aftësitë e saj në pjekje dhe duke i bërë duart me ngjyrë, që të marrë pjesë në arte dhe zanate të tjera, transmeton KultPlus.

Ambasadorja krenare kishte veshur një bluzë të UNICEF-it teksa po bënte një xhiro nëpër rezidencë.

Duke vizituar edhe një strehimore, Rita mori kohë për të folur me banorët dhe më vonë pozoi me vullnetarët.

Krijuesja e shumë hiteve botëror mbajti edhe një leksion në liceun artistik “Jordan Misja” dhe ka takuar disa nga studentët. /KultPlus.com

Në anën tjetër, sonte me fillim nga ora 20:00 do të fillojë edhe koncerti i saj në sheshin “Skënderbej”. /KultPlus.com

Osmani do të vizitojë komunën e Mamushës

Në kuadër të ciklit të vizitave në komunat e vendit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, sot do të vizitojë komunën e Mamushës.

Me këtë rast, Presidentja Osmani do të ketë një varg aktivitetesh, të cilat janë të përfshira më poshtë:

Në orën 13:45, Presidentja Osmani do të pritet në takim nga kryetari i komunës së Mamushës, Abdülhadi Krasniç. Pas këtij takimi, do të ketë prononcim për media.

Në orën 15:20, Presidentja Osmani viziton Qendrën për fuqizimin e grave mbështetur nga UN Women dhe Instituti “Junus Emre”

Në orën 16:10, Presidentja Osmani do ta vizitoj fabrikën e prodhimit të thasëve NTP Birlik. /KultPlus.com

SBASHK nuk dorëzohet, vazhdon grevën përkundër presioneve të vazhdueshme

Këshilli Qendror Grevist i SBASHK-ut, përmes një komunikate për media, ka dhënë informacion për ditën e 13-të të grevës në institucionet arsimore.

Në njoftim thuhet se Këshilli Qendror Grevist ka vërejtur se ditët e fundit ka presione të vazhdueshme ndaj kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, duke u munduar ta shantazhojnë e etiketojnë me postime të rrejshme, pastaj përgatitja e tentim sulmit fizik gjatë vizitës së tij që u bëri grevistëve.

“Presionet janë të vazhdueshme edhe nëpër disa komuna, shkolla dhe çerdhe, si nga ana e Qeverisë – rasti i djeshëm i vizitës së Kryeministrit Kurti në Podujevë, ashtu edhe nga një numër i vogël i prindërve me fëmijët e tyre (nxënësit) që tentojnë ta thyejnë grevën.

Ju bëjmë apel prindërve që edhe përkundër që numri është i vogël që tentuan me nxënës ta thyejnë grevën me presion ndaj grevistëve, që të heqin dorë nga kjo metodë, sepse në këtë formë në asnjë mënyrë greva nuk mund të ndërpritet. Presionin ta orientojnë drejt Qeverisë duke kërkuar zgjidhje për të filluar punën institucionet arsimore”, thuhet në njoftim.

Këshilli Qendror Grevist i SBASHK-ut ka theksuar se është duke i përcjell me vëmendje dezinformatat nga kushdo qoftë, të cilat kanë qëllimin e vetëm përçarjen e anëtarësisë së tyre.

“Të gjitha këto do ti paraqesim pranë organeve të drejtësisë. Apelojmë te organet e rendit dhe organet tjera që me vëmendje ti përcjellin rastet si ai i djeshmi ndaj kryetarit Jasharaj dhe tentuesit e prishjes se rendit ti vejmë para organeve të drejtësisë, po ashtu edhe nxitësit të cilët me dezinformata të ndryshme nxisin këto sulme”, thuhet në njoftim. /KultPlus.com

Dhoma e Tregtisë kërkon përfitim të barabartë nga shteti, e jo kushtëzim për sektorin privat

Dhoma e Tregtisë kërkon nga Qeveria e Kosovës mbështetje të drejtpërdrejtë dhe të pakushtëzuar për punëtorët dhe sektorin privat, shkruan KultPlus.

Mbi 250 mijë punëtorëve të sektorit privat , sipas DTIK-së, u është rënduar gjendja për shkak situatës ekonomike të krijuar në vend.

“Rikujtojmë se janë mbi 250 mijë punëtorë të punësuar në sektorin privat të cilët mbajnë familje dhe jeta i’u është rënduar për shkak të gjendjes ekonomike të krijuar në vend, e të cilët mund të mos përfitojnë nga pako e re e masave e paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës pasi që e vetmja pikë e paraparë për këtë kategori, në kuadër të kësaj pako është kushtëzimi prej 50 për qind të rritjes së pagës deri në 100 euro për tre muajt e pare, ku realizimi i së njëjës do të jetë shumë i vështirë për një pjesë të madhe të bizneseve”, thuhet në reagimin e DTIK-së.

Ata vlerësojnë se kjo rritje do të jetë e vështirë për shumicën e bizneseve, prandaj edhe kërkojnë mbështetje.

“Punëdhënësit e sektorit privat e që janë shumicë, do ta kenë shumë vështirë të bëjnë ngritjen e pagave për punëtorët e tyre, për shkak se të njëjtit kanë probleme me inkasim të mjeteve dhe sigurimin e qëndrueshmërisë financiare për bizneset e tyre, në mënyrë që të njëjtat të mos falimentojnë”, thekson kjo odë.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë gjithashtu kërkon që Qeveria e Kosovës të marrë në konsideratë gjendjen e rënduar financiare të bizneseve në vend dhe të mos kushtëzoj punëtorët e sektorit privat, ashtu siç nuk ka kushtëzuar punëtorët e sektorit publik dhe të njëjtit të përfitojnë në mënyrë të barabartë nga shteti. /KultPlus.com