Ekspozitë për Guri Madhin, punimet nisin nga viti 1937 deri në vitin 1988

Një ekspozitë retrospektivë e piktorit Guri Madhi na përcjell këtë personalitet ndryshe. Ashtu siç jemi mëuar asnjëherë më parë ta shohim, si një abstraksionist.

Me vepra që qëndronin fshehur nëpër cepat e studios së tij. Të ruajtura dhe sigurisht asjëherë të shfaqura më herët.

Punimet nisin nga viti 1937 deri në 1988. Kjo ekspozitë u hap me rastin e 7 Marsit dhe në 35-vjetor të largimit nga jeta të piktorit. Punime janë të teknikave të ndryshme, në pikturë, grafikë, pastel, karbon dhe në laps.

Në këtë ekspozitë paraqiten gjithashtu disa vizatime, pastele të realizuara drejtpërdrejt në natyrë, etj. Nuk mungojnë dhe disa skica, vizatime, portrete, të realizuara edhe gjatë qëndrimit në Kosovë, por dhe pas kthimit prej saj.

Në vitet 1960-1968 ka disa vepra në pikturë, që reflektojnë drejtimin e tij drejt abstraksionizmit. Dhe disa nga këto vepra u zbuluan pas ndarjes së tij nga jeta./KultPlus.com

Halimi: Thelbi i të drejtave të grave është vendimarrja autonome dhe e vullnetit të lirë për trupin e tyre

Sot, deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci, u është drejtuar deputetëve që kundërshtuan ligjin për shëndetin riprodhues.

Bogujevci në fjalimin e saj u shpreh se gratë mund të zgjedhin rrugët e shkencës për t’u bërë nënë dhe sipas saj jo gjithmonë e determinon një lidhje apo martesë me një burrë nevojën për të marrë këtë epitet.

E në mbështetje të Bogujevcit ka dalë edhe anëtarja e LDK-së, Sibel Halimi, e cila u shpreh thelbi i të drejtave të grave është vendimmarrja autonome dhe e vullnetit të lirë për trupin e tyre

“Thelbi i të drejtave të grave është vendimmarrja autonome dhe e vullnetit të lirë për trupin e tyre, e në këtë kontekst edhe për amësi. Çdo përpjekje për ta mohuar këtë të vërtetë, do të arsyetojë edhe dhunën në bazë gjinore”, u shpreh Halimi./ KultPlus.com

‘O sa bukur të jenë bashkë zemrat tona prore, këndojnë e dashur për ne melodi rinore’ (VIDEO)

Haki Misini vazhdon të mbetet figura kryesore që solli një frymë të re në historinë e muzikës rok në Kosovë, shkruan KultPlus.

Haki Misini është vrarë nga forcat serbe gjatë vitit 1999, tri orë para se të nënshkruhej marrëveshja për ardhjen e forcave të NATO-së në Kosovë, duke e lënë një zbrazëti të madhe në familjen e tij dhe në artin kosovar.

Këngët e tij më të njohura janë: ‘Fuqia e dashurisë’, ‘Në syrin tënd pashë një lot’, ‘Dashuri e humbur’, ‘Moj e mira te pojata’ etj. Këngë këto që dëgjohen edhe sot e kësaj dite që kanë kaluar më shumë se 20 vite prej publikimit të tyre,

KultPlus ju sjell njërën ndër këngët më të pëlqyera të Haki Misinit. “Dashuri e humbur”, këngë kjo që i këndon dashurisë me emocion e nostalgji. /KultPlus.com

Policia kanadeze zbulon ‘mashtrimin më të madh të artit në historinë botërore’

Më 3 mars, policia provinciale e Ontarios njoftoi se hetimi i saj në një rrjet falsifikimi të veprave të artistit të njohur Ojibwe, Norval Morrisseau, kishte zbuluar “mashtrimin më të madh të artit në historinë botërore”.

Rasti rezultoi në akuza kundër tetë personave – duke përfshirë një anëtar të familjes së piktorit të ndjerë – dhe sekuestrimin e më shumë se 1,000 pikturave, shkruan TAN, transmeton Klan Kosova.

Grupi i falsifikimit mbështetej në punën e detyruar të fëmijëve si dhe në shfrytëzimin e artistëve të rinj të talentuar indigjenë.

Morrisseau – një artist kreativ që i mbijetoi sistemit famëkeq të shkollave rezidenciale të Kanadasë dhe një sëmundje thuajse fatale si adoleshent për të vazhduar suksesin ndërkombëtar pasi u “zbulua” nga ekspresionisti abstrakt Jackson Pollock në 1962 – u bë i vetëdijshëm për praninë e një vepre të falsifikuar të tij në vitet para vdekjes së tij në 2007.

Por ishte një dokumentar i vitit 2019 nga regjisori kanadez Jamie Kastner, There are No Fakes, që e solli këtë çështje në vëmendje më të gjerë të publikut.

Gjithçka nisi me një proces gjyqësor i iniciuar nga muzikanti Kevin Hearn i grupit kanadez Barenaked Ladies kundër Galerisë Maslak McLeod me bazë në Toronto për shitjen e tij një falsifikim të supozuar të një pikture të Morrisseau.

Ai vazhdon të ekspozojë unazën e mashtrimit të artit me bazë në Thunder Bay – ku artisti jetoi dhe punoi për dekada – dhe sugjeron se mund të ketë deri në dhjetë herë më shumë vepra false të Morrisseau në treg sesa vepra autentike.

Filmi u vlerësua me ndihmën e padisë së Hearn, e cila fillimisht u hodh poshtë nga gjykatat me arsyetimin se ai nuk mund të provonte përfundimisht se piktura e tij ishte e rreme. Pasi u publikua filmi, Gjykata e Apelit në Ontario e anuloi vendimin e parë dhe i dha Hearn 60,000 dollarë kanadezë (rreth 44,000 dollarë). Policia e Ontarios gjithashtu e vlerësoi filmin si frymëzues të hetimit.

Ndërsa Kastner thotë se numri i shikimeve në internet të filmit ka qenë i lartë që nga njoftimi i 3 marsit, ai thotë se aktualisht është në një betejë ligjore me policinë e Ontarios, e cila dëshiron të sekuestrojë materiale nga filmi i tij si provë për rast.

Kastner thotë se ka “të paktën 3000 falsifikime të tjera atje” por se “një pjesë e madhe e këtyre veprave janë të diskutueshme”, veçanërisht ato në stilin e serisë së tij të furçave të zeza të thata, “janë të lehta për t’u identifikuar – me një nënshkrim në anën e pasme në anglisht”. Artisti gjithmonë firmoste emrin e tij në Ojibwe si “Copper Thunderbird” në pjesën e përparme të veprave të tij.

Cory Dingle, i cili drejton pasurinë e Morrisseau, thotë se “dëmtimi i trashëgimisë së artit të Morrisseau ka një efekt në të gjithë tregun kanadez të artit”. Të tjerë spekulojnë se skandali i unazave të falsifikimit mund të rrisë në fakt ndërgjegjësimin e publikut dhe vlerën e tregut të punës së artistit.

I konsideruar si themeluesi i Shkollës së Artit të Woodlands, i cili bazohej në kozmologjinë tradicionale vendase, dhe i quajtur “Pikaso i Veriut” nga Marc Chagall, Morrisseau bëri një vepër që fliste për tensionet kulturore dhe politike midis traditave indigjene dhe atyre të kolonëve. Por gjithashtu festoi rrjedhshmërinë, kulturore dhe seksuale. (Morrisseau ishte biseksual dhe pikturoi shumë imazhe erotike.) Puna e mëvonshme e artistit përqafoi idioma bashkëkohore, duke i hapur rrugën piktorëve si Lawrence Paul Yuxweluptun, i cili shkriu kozmologjinë indigjene me surrealizmin.

Vepra e Morrisseau-t Indian Jesus Christ (1974), duke shkrirë simbolikën e devotshmërisë indigjene me ikonografinë me njolla, fitoi njohje të gjerë në dokumentarin e Bordit Kombëtar të Filmit të vitit 1974, The Paradox of Norval Morrisseau./KultPlus.com

‘Gjeniu i turmave’ nga Charles Bukowski

Ka mjaft pabesi, urrejtje, dhunë, absurditet,
në njeriun mesatar,
aq sa të furnizojë çdo ushtri, në çdo ditë të dhënë.

Më të zotët për vrasje, janë ata që predikojnë kundër saj
Më të zotët për urrejtje, janë ata që predikojnë dashuri
Më të zotët për luftë, janë ata që predikojnë paqe.

Ata që predikojnë Zotin, kanë nevojë për Zotin
Ata që predikojnë paqën, nuk kanë paqe
Ata që predikojnë paqe, nuk kanë dashuri.

Kujdes nga predikuesit
Kujdes nga të diturit
Kujdes nga ata që gjithmonë lexojnë libra
Kujdes nga ata që ose e urrejnë varfërinë
ose janë krenarë me të.

Kujdes nga ata që ngutën të thurrin lavde
Sepse kanë nevojë t’ua rikthesh lavdin
Kujdes nga ata që ngutën të cenzurojnë
Ata kanë frikë nga ajo që nuk e dine.

Kujdes nga ata që vazhdimisht kërkojnë turmat
vetëm, ata janë asgjë
Kujdes nga njeriu mesatarë, dhe femra mesatare
Kujdes nga dashuria e tyre, dashuria e tyre është mesatare
mesatarën kerkojnë.

Por, gjeniu gjendet në urrejtjen e tyre
Ka gjenialitet të mjaftueshëm në urrjetjën e tyre që të ju vrasë
Të vrasë këdo.

Duke mos dashur vetminë
Duke mos e kuptuar vetminë
Do jenë të gatshëm të shkatërrojnë çdo gjë
Që është ndryshe nga ata.

Duke mos qenë të aftë të krijojnë art
Nuk do e kuptojnë artin
Dështimin e vet do e konsiderojnë si krijes
Vetëm si dështim të Botës

Duke mos mundur të dashurojnë plotësisht
Do besojnë se dashuria juaj është e pa plotë
Dhe atëherë ata do urrejnë
Dhe urrejtja e tyre do jetë perfekte
Si një diamant vezullues
Si një thikë
Si një mal
Si një tiger
si kukutë*

Arti i tyre më i mirë.

*Kukuta është bimë helmuese.

– Charles Bukowski

Portraits Of Charles Bukowski (Photo by JARNOUX Patrick/Paris Match via Getty Images)

Dashurisë

Poezi nga Ndoc Gjetja

O perëndeshë e gjithëpushtetshme
e universit mashkull-femër!
Bëj ç’të duash me veten time
jam instrumenti yt i verbër.

Në jetë më solle kaq shumë dhimbje
dhe shqetësime pa mbarim
po s’jam ankuar kundër teje
as me gojë e as me shkrim.

Të jam nënshtruar e të nënshtrohem
gjersa në botë të jem i gjallë
ndën pushtetin tënd të përbotshëm
më pëlqen të jem skllav.

Ma ktheve gjuhën në përçartje
më bëre plak me shpirt fëmijë
herë më hodhe qefinin krahëve
herë më ngrite gjer në yje.

Më hidh në zjarr, në det, në ferr!
Më hidh në baltë, më hidh në hon!
Veç të lutem mos më lër…
në atë vend ku ti mungon. / KultPlus.com

Gjendet pas derës së një shtëpie në Francë një vepër e rrallë e piktorit legjendar

Një pikturë e rrallë nga Pieter Bruegel i Riu u gjet e varur pas një dere në një shtëpi në Francë. Puna ‘e shkëlqyer’, siç përshkruhet, ishte në të njëjtën familje që nga viti 1900.

Me përmasa 112 cm të larta, 184 cm të gjera dhe me vlerë deri në 800,000 €, vepra e rrallë është një version i ‘L’Avocat du village’ ( Avokati i fshatit), një temë që Bruegel e riprodhoi deri në 90 herë. Besohet se është pikturuar midis 1615 dhe 1617.

Drejtuesi i Malo de Lussac i shtëpisë së ankandit Daguerre Val de Loire, i cili e gjeti pikturën gjatë një vizite vlerësimi të kërkuar nga familja, që dëshiron të mbetet anonime, tha se nuk mund ta besonte atë që gjeti.

“Është një nga ato zbulimet unike që ndodhin një herë në karrierën tuaj. Është një pikturë shumë e pazakontë për nga përmasat dhe fakti që është në gjendje jashtëzakonisht të mirë ”, tha De Lussac.

Pieter Bruegel i Riu lindi në Bruksel dhe ishte djali i madh i piktorit holandez dhe flamand të Rilindjes së shekullit të 16-të, Pieter Bruegel të Vjetër. Edhe vëllai i vogël i Janit ishte piktor.

Sipas Guardian, vepra unike do të shitet në shtëpinë e ankandit Drouot në Paris, e shoqëruar me një certifikatë origjinaliteti./abcnews.al/ KultPlus.com

‘Muzeu i gruas’ në Tiranë, gjithçka që përshkruan gruan nga antikiteti

Të njohësh gruan shqiptare nga antikiteti deri në ditët e sotme, përmes veshjeve, objekteve dokumenteve dhe historisë.

Ky është misioni i “Muzeut të gruas” në Tiranë që tërheq vëmendjen e shumë të rinjve. Edhe Euronews Albania, vizitoi këtë muze, ku historia flet në çdo objekt.

“Ky është njëlloj shërbimi që përmes artit, kulturës kreativitetit dhe nëpërmjet historisë ne të shkojmë në njohjen më të mirë të rolit të gruas të jetës së gruas shqiptare që për fat të keq ne nuk e njohim. Ky muze ka për qëllim të shkojnë tek të drejtat dhe historinë e gruas por përmes objektit,” – tha gazetarja Elsa Ballauri.

Gruaja në këtë muze udhëton në kohë që prej antikitetit, por periudha që duket se të lë më shumë gjurmë është diktatura.

Teksa kalojmë nga një dhomë në tjetrën, prekim në çdo kënd pak nga realiteti i asaj kohe, kur shohim shishet në radhën e qumështit, apo furnelën me gaz të gatimit në tualetin e shtëpisë.

Çdo objekt, në “Muzeun e gruas” flet, dhe si të tillë zgjojnë kureshtjen e të rinjve, vizitorë të radhës.

“Ne jemi nga organizata “Teesthings” dhe në vazhdën e gjithë aktiviteteve, zgjodhëm të jemi në muzeun e gruas për t’u njohur me historinë e grave shqiptare nga periudha e komunizmit deri në ditët e sotme, Jemi të impresionuar si janë të ekspozuar punimet e grave veshjet, kostumografia sendet nga periudha e komunizmit, përfshirja e grave në luftë,” – u shprehën disa vizitorë.

Në “Muzeun e gruas” u ndeshëm me historinë e panjohur të Praksithe Plumbit, një intelektuale e viteve 30, lindur në Korçë dhe arsimuar në Odesë. Ajo kishte punuar si mësuese në Korfuz, Stamboll, Sofje dhe në shkollën amerikane “Kenedi” në Korçë.

“Më është dhuruar nga i biri, ka qenë mësuese dhe njëkohësisht kryetare e degës gruaja shqiptare. Këtu  ka një pjesë të dokumenteve të saj, po bëjmë një libër shumë interesant, ka artikuj, ka opinione, raportime të shoqatës dhe kupton shumë si funksiononte një shoqatë në atë kohë, një botim i Praksithe Plumbit,” – tha Ballauri.

Ishte kjo histori që kuriozoi dhe Aleksadrën, vizitoren më të vogël.

“Ishte një dokument që ishte për gratë e qytetit të Korçës të cilat ishin mbledhur dhe i kishin drejtuar një letër presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të mos ndaheshin nga Shqipëria dhe të ishin pjesë e saj gjë e cila më duket shumë e bukur, kjo gjë mund të frymëzojë organizatat  e tjera të grave shqiptare në mënyrë që të çojnë më përpara zhvillimin e feminizmit në Shqipëri por edhe të vetë Shqipërisë,” – tregoi Aleksandra.

E teksa, udhëtojmë në kohë me gruan, lind pyetja. Po sot, cili është pozicioni i gruas në shoqëri?

“Ne duhet të merremi shumë me veten, gruaja duhet të zbulojë vetën së pari, cili është pozicioni i saj në shoqëri i cili është akoma i paqartë dhe për atë vetë. Këtë se bën dot e vetme, këtë do e bëj në bashkëpunim me burrin, me shtetin, por njëkohësisht ajo duhet të protestojë për të gjetur këto mënyra, për t’i thënë burrit dëgjomë mua, komuniko me mua, për t’i thënë shtetit më shërbe ashtu siç duhet dhe hajde bashkëpunojmë për të mirën e të gjithëve,” – u shpreh Ballauri.

Muzeu i gruas të ofron përmes dhjetëra objekteve dëshmi se si ka ndryshuar jeta dhe të drejtat e gruas në kohë. Dhe kjo e bën atë një ndër vendet më të frekuentuara nga të rinjtë që duan të prekin pak nga ai realitet që fatmirësisht nuk e jetuan vetë./ KultPlus.com

Charles Bukowski: Ajo ishte totalisht e çmendur, por e kam dashur çmendurisht

Charles Bukowski ka shkruar romane, tregime dhe poezi për një total prej mbi 60 veprash. Përmbajtja e veprave të tij i përket më tepër jetës personale, varësisë me alkoolin dhe marrëdhënieve me personat e tjerë, të shprehura këto në mënyrë tepër realiste dhe pa shumë eufemizma.

Krijimi i mëposhtëm i tij është ndër më të bukurit që mund të jenë shkruar. Bëhet fjalë për përshkrimin e një femre nga një mashkull që e dashuronte atë. Është përshkrimi thuajse i çdo femre të pavendosur, por edhe tepër të fortë në të njëjtën kohë. Është përshkrimi i çdo femre që ekziston, në gjithë dimensionet e saj, ndaj jemi të sigurtë se të gjitha femrat duhet ta lexojnë një krijim të tillë.

“E ke dashur, apo jo?”, – psherëtiu ajo

“Si mund të të përgjigjem? Ajo ishte e çmendur”, – tha ai duke kaluar dorën në flokë, – “Edhe pse ishte e çmendur, çdo ditë ishte një femër ndryshe. Një herë plot guxim, një herë e stepur. Një herë e nxituar dhe herë tjetër e ndrojtur. E pasigurtë dhe e vendosur. E ëmbël dhe arrogante. Ajo ishte mijëra femra të bashkuara në një të vetme, por parfumi i saj ishte përherë i njëjti. Ai nuk mund të ngatërrohej. Parfumi i saj ishte siguria ime e vetme. Më buzëqeshte duke ditur si të luante me mua përmes buzëqeshjes së saj. Kur ajo qeshte, unë nuk kuptoja më asgjë. Nuk dija më si të flisja, apo të mendoja. Asgjë, zero. Në atë moment ishte vetëm ajo. Ishte e çmendur, e gjitha e çmendur. Disa herë qante. Thuhet se në ato çaste femrat duan vetëm një përqafim, ndërsa ajo jo. Ajo nevrikosej, nëse e përqafoje. Nuk e di ku ndodhet tashmë, por vë bast se është në kërkim të ëndrrave.

Ajo ishte e çmendur, totalisht e çmendur, por e kam dashur çmendurisht”. / KultPlus.com

Poeti Ndoc Gjetja në përjetësinë e krijimtarisë

Nga Jak Rrozhani

Poeti i njohur lezhjan Ndoc Gjetja do të mbyllte sytë përgjithmonë më 7 qershor 2010, për t’iu dhënë përjetësisë e për të mbetur i pavdekshëm, por jeton krijimtaria e tij poetike. Poeti Ndoc Gjetja filloi të botojë poezitë e para në vitin 1970, duke qenë autor i disa vëllimeve poetike, si: “Dhjata ime”, etj,.

Ai mbetet njëri prej poetëve më në zë të poezisë së sotme shqipe. Mjaft studiues e kritikë vlerësojnë se Ndoc Gjetja, me talentin e thjeshtësinë e tij, mbetet emblemë e njeriut dhe poet i ndjesive të thella. Në poezitë e tij lëviz jeta, natyra e bukur, ajri i pastër, njerëzit e thjeshtë, dashuria njerëzore dhe dritë-hijet e kohës. Ku poezia ishte shpirtësia e tij, duke mbetur kështu zotërues i një sinqeriteti, modestie e ndershmërie gati hyjnore.

Universi i poezisë Ndocgjetjane ishte aq tokësore është një puthje, një përkëdhelje diku mbi bar, por që ngërthen hapësirat kozmike të të gjitha kohërave qysh në lashtësi. Mbi varrin e njeriut të madh dhe poetit të shquar Ndoc Gjetja, janë shkruar këto vargje , shkëputur nga poezia “Epitaf për veten”, shkruar kur ishte gjallë me dorën e tij:

“Këtu prehet ai që quhet Ndoc Gjetja / I cili pati ardhur gabimisht në këtë botë / Nga vetja e tepruar nxirrte vjersha / Dhe gjithë njerëzit i quante shokë”. /KultPlus.com

Kukulla ikonë ‘Barbie’ mbush 64 vjeç

“Barbie” mbush 64 vjeç dhe në përpjekje për të ecur në një hap me kohën, një seri e re kukullash po prezantohen, përfshirë Barbin në karrierë dhe modelet që frymëzojnë vajzat e vogla.

Një astronaut, një futbollist dhe një spikere lajmesh janë mes kukullave të reja që kompania e lodrave Mattel ka prezantuar.

Një seri femrash të suksesshme po ashtu kanë kukulla barbi me imazhin e tyre në nder të gjashtë dekadave jetë të kukullës më të dashur. Mes tyre janë tenistja Naomi Osaka, aktorja amerikane Jara Shahidi dhe kukulla e parë maore në histori, e modeluar sipas gazetares neozelandeze sportive, Melodie Robinson.

Mattel ka shënuar përvjetorin duke bërë një partneritet me Singapore Flyer, një rrotë e madhe panoramike në qytetin shtet, që përkohësisht është shndërruar në një ambient ku ngado sheh Barbin.

Mattel ka bërë shumë ndryshime gjatë viteve, duke prezantuar lloje të ndryshme kukullash, në përmasa të ndryshme trupore dhe ngjyra të ndryshme lëkure. Më shumë se 1 miliard kukulla Barbi janë shitur që nga debutimi i saj në panairin amerikan të lodrave në New York më 9 mars 1959./ KultPlus.com

Shkencëtarët: Në oqeane ka mbi 171 trilionë mbetje plastike

Shkencëtarët kanë zbuluar se në oqeanet që mbulojnë rreth 70 për qind të botës gjenden mbi 171 trilionë mbetje plastike.

Sipas lajmit të BBC, një grup shkencëtarësh që studiojnë ndotjen plastike në oqeane, analizuan të dhënat rreth mbetjeve nga viti 1979.

Për të arritur një rezultat rreth numrit të mbetjeve plastike në oqeane, të dhënat në këtë analizë iu shtuan një modeli matematikor.

Sipas kësaj, në oqeanet që mbulojnë rreth 70 për qind të botës gjenden mbi 171 trilionë copë plastike.

Shkencëtarët paralajmëruan se nëse nuk merren masa lidhur me dendësinë plastikave në oqeane, deri në vitin 2040 numri i mbetjeve do të rritet trefish.

Dr. Marcus Eriksen nga Instituti “5 Gyres” tha se copët plastike që ndotin oqeanet në vitin 2005 ishin 16 trilionë, ndërsa ky numër për 18 vjet është rritur në rreth 171 trilionë.

Ata nuk kanë mundur të gjejnë një arsye të qartë për rritjen e shënuar pas vitit 2005, por kjo mund të shpjegohet me zbutjen e marrëveshjeve të fuqishme, copëzimin e plastikës apo mungesën e të dhënave të mjaftueshme më parë.

Oqeani Atlantik i Veriut vlerësohet të jetë një nga oqeanet me më shumë mbetje plastike.

Më 5 mars u arrit një marrëveshje për këtë temë në Kombet e Bashkuara (OKB) pas disa vitesh negociatash për mbrojtjen e biodiversitetit në det të hapur. / atsh / KultPlus.com

Feminizmi në qendër të vëmendjes, nëntë studentë artistë përdorin artin për mesazhe të fuqishme

Flonja Haxhaj

Dita Ndërkombëtare e Gruas u shënua mbrëmë në KultPlus Caffe Gallery në një formë tejet të veçantë me hapjen e ekspozitës ‘Feminizmi në art’ nga artistët Drilon Shoshi, Tinka Kelmendi, Eris Havolli, Nderim Bytyci, Debora Hetemi, Albiona Berisha, Dijeta Smajlaj, Gerta Hameli dhe Diella Valla, shkruan KultPlus.

Nëntë piktura të formave e madhësive të ndryshme e që kanë për tematikë figurën e gruas i dhanë një tjetër frymë kësaj galerie duke përçuar një mesazh tejet të fuqishëm e domethënës. Nëntë artistë tejet të talentuar, zgjodhën pikërisht këtë medium jo vetëm për të shënuar këtë ditë, por përmes pikturave të avokojnë për të drejtat e grave, lirisë e shprehjes së lirë.

Në hapjen e kësaj ekspozite që kishte sjellë pas vetes shumë artdashës, e para e mori fjalën piktorja Diella Valla, e cila në këtë ekspozitë vjen për herë të parë në rolin e kuratores. . Ajo në hapje të ekspozitës falënderoi të gjithë të pranishmit dhe u shpreh e lumtur që kjo ekspozitë vjen pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

“Sot shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Gruas në një formë më të veçantë, përmes hapjes së ekspozitës ‘Feminizmi në art‘. Kjo ekspozitë ka të bëjë më avokimin për të drejtat e grave, në të njëjtën kohë jo vetëm me shënimin e ditës së 8 Marsin por edhe me barazinë gjinore, po ashtu edhe me inicimin e të drejtave, lirisë, shprehjes së lirë e cila përçohet përmes mediumit artistik të pikturës”, u shpreh kuratorja Valla.

“Nëntë pikturat e paraqitura iniciojnë figurën e gruas, përkatësisht kemi të bëjmë me figuracione, me paraqitje abstrakte, me portrete të grave e autoportrete e shumë të tjera”,  tha më tutje valla duke i ftuar më pas edhe artistët e tjerë të ekspozitës duke realizuar një fotografi të përbashkët.

Më pas, për KultPlus foli edhe artisti Drilon Shoshi, i cili barrierat me të cilat përballen gratë i ka paraqitur në pikturën e tij të titulluar ‘Freedom’, e që përcjell mesazhe përmes formave abstrakte dhe figurave të koduara.

“Në këtë pikturë kam paraqitur një grua se si përballet me shumë vështirësi dhe në fund ia del mbi të gjitha ato që i ka synuar. Aty kam përdorur edhe forma abstrakte dhe figura të koduara. Jam i lumtur që po e paraqes këtë pikturë domethënëse në këtë ekspozitë që mbahet pikërisht në Ditën Ndërkombëtare te Gruas’, u shpreh Shoshi.

Ndërkaq, artistja Debora Hetemi, vjen në ekspozitën ‘Feminizmi në art’ përmes një pikture tejet të veçantë ku janë të ilustruara një grua dhe një zebër, e kjo lidhje sipas artisteve paraqet edhe mesazhin e saj e që ka të bëjë pikërisht me veçantinë që ka çdo grua në vete.

“Unë kam shumë dëshirë që t’i përfshij gratë në pikturat e mia, figuracioni më pëlqen shumë sidomos figura e gruas. Në këtë pikturë që kam ekspozuar këtu, kam dashur të paraqes gruan, mirëpo në këtë rast edhe me një zebër. Arsyeja që kam paraqitur zebrën është për faktin se e shoh si një kafshë shumë të veçantë, dhe vetë fakti që çdo zebër e ka veçantinë e saj në linjat e trupit, e kam lidhur veçantinë e saj me çdo veçanti që e ka çdo grua në vete”, u shpreh mes tjerash artistja Hetemi.

E në mesin e pikturave të paraqitura në ekspozitën ‘Feminizmi në art’, vëmendje të madhe mori edhe piktura e artistit Eris Havolli, i cili ka paraqitur portretin e Frida Kahlos, gruas që njihet si një artiste që theu shumë tabu dhe la gjurmë të pashlyeshme në fushën e pikturës.

“Zgjodha që ta ekspozoj portretin e Frida Kahlos për shkak që Frida ka qenë një artiste e cila  përmes artit të saj ka prekur shumë çështje të grave duke filluar nga lindja e fëmijëve e deri tek aborti. Gjërat që konsideroheshin tabu, Frida i thyente përmes artit”, tha Havolli, i cili më tutje u shpreh i lumtur për prezencën e tij në këtë ekspozitë.

I pranishëm në publik ishte edhe Esat Valla, piktori dhe profesori i njohur i cili vlerëson lart veprat e paraqitura dhe e sheh si një sukses ekspozimin e tyre pikërisht më 8 Mars.

“Unë e shoh këtë ekspozitë si një ekspozitë tejet të suksesshme ku dominon tema për gruan edhe njëherit është një datë si 8 Marsi dhe përputhet me emancipimin e gruas. Jo vetëm pse është 8 Marsi por kjo temë paraqitet me kuptimet më të gjera për gruan dhe emancipimin e saj ndër vite”, u shpreh Valla, duke përgëzuar më tutje edhe Diella Vallën, për paraqitjen e saj të parë në rolin e kuratores.

Ndërkaq, ju kujtojmë që ekspozita ‘Feminizmi në Art’ është mundësuar nga Komuna e Prishtnës. / KultPlus.com

Bukowski: Do të të duhet të vdesësh disa herë përpara se të jetosh me të vërtetë

Thënie nga Charles Bukowski

• Nuk e di për të tjerët, por kur unë zgjohem në mëngjes dhe vesh këpucët, mendoj: Zot, po tani çfarë?

• Do të të duhet të vdesësh disa herë përpara se të jetosh me të vërtetë.

• Shumë shpesh njerëzit ankohen se ata nuk kanë bërë asgjë me jetën e tyre; dhe pastaj ata presin që dikush t’ju thotë se kjo nuk është kështu.

• Gjenialitet do të thotë të kesh aftësinë për të thënë një gjë mjaft të thellë në mënyrë të thjeshtë.

• Ne të gjithë do të vdesim, të gjithë ne, çfarë cirku. Kjo duhet të na bënte të gjithë të donim njëri-tjetrin por jo. Ne jemi të terrorizuar nga rivaliteti me njëri-tjetrin.

• Pa letërsi, jeta është një ferr

• Disa njerëz nuk bëjnë asnjëherë çmendurira, sa të tmerrshme duhet të jenë jetët e tyre.

• Nëse do ta provosh me të vërtetë, shkoi deri në fund. Ndryshe, as nuk e ke filluar fare. Nuk ekziston një ndjenjë më e mirë se sa ajo. Do të jesh vetëm me Zotat. Një luftë e vërtetë

• Ne jemi këtu për t’i jetuar jetët tona aq mirë, sa që vdekja të trembet për të na marrë.

• Problemi me pijen është ky: mendova teksa pija. Nëse një gjë e keqe ndodh, ti pi për të harruar, por nëse diçka e mirë ndodh, atëherë pi për të festuar, dhe nëse nuk ndodh asgjë, ti pi për të bërë diçka të ndodhë.

• Të pirit është një gjë emocionale. Të nxjerr nga rutina e jetës së përditshme, nga të qenit çdo ditë njësoj. Të vendos me shpatulla pas murit. Kam ndjesinë se të pirit është një formë vetëvrasjeje ku të lejohet të kthehesh në jetë dhe ta fillosh jetën nga fillimi. Është si të vrasësh veten e më pas të ringjallesh. Besoj se deri tani kam jetuar 10-15mijë jetë

• Mbahu për birra. Birra është një gjak i përhershëm; një dashnore e përjetshme…

• Mendoj që kemi nevojë për një pije. Pothuajse të gjithë kanë nevojë, thjesht nuk e dinë.

• Më pëlqen t’i ndryshoj shpesh dyqanet e pijeve sepse nëpunësit fillojnë t’i dinë zakonet e tua nëse ke shkuar çdo natë dhe ke blerë sasi të mëdha alkooli. E ndjej tek mendojnë se si ka mundësi që nuk kam vdekur akoma dhe kjo më bën të mos ndjehem rehat. Mbase ata nuk e mendojnë diçka të tillë, por kjo më është kthyer në paranojë

• Të deheshe ishte diçka e mirë. Vendosa se gjithnjë do më pëlqente të bëhesha tapë.

• Patëm vendosur të çonim ilaçe në Afrikë… por, tek të gjithat shkruhej: pas buke!

• Të shkruash poezi nuk është e vështirë. Të jetosh është e vështirë.

• Secili ka të metat e tij, dihet. Por unë isha tri herë më lart se persekutorët e mi.

• Kaloja para dyqind vetave dhe nuk arrija të shikoja qoftë dhe një qenie njerëzore.

• Mendoni për miliona veta që jetojnë së bashku edhe pse nuk iu pëlqen, e urrejnë punën por kanë frikë ta humbasin, nuk ka pse të çuditësh që e kanë atë fytyrë të cilën e kanë.

• Jam i sigurt që do të më jepet një minutë për t’i menduar të gjitha herët që doja ta ulërija atë që ndjeja, por kam heshtur nga frika se nuk do të kuptohem, dhe do të pendohem për synimet të cilat i kam braktisur ngaqë frika se do të dështoja më ka ndaluar t’i vazhdoja.

• Kjo jetë është një e përdalë. Shkon kështu çakërqejf, sepse ka çaste që të lënë shije të hidhur në gojë, e të tjera çaste aq të bukura sa të bëjnë të harrosh paudhësitë e pafundme të jetës.

• Ndryshimi midis një demokracie dhe një diktature është se në një demokraci ti voton një herë e pastaj i merr urdhrat; në një diktaturë nuk e shpenzon fare kohën duke votuar.

• Nëse një ditë më dëgjoni të flasë për dashuri, e yje… ju lutem, më vrisni!

• Filloni ta shpëtoni botën duke shpëtuar një njeri çdo herë; gjithçka tjetër është romantikë madhështore ose politikë.

• Është e mundur të dashurosh një qenie njerëzore nëse nuk e njeh atë më tepër se duhet.

• Ka gjithmonë diçka që na i rrënon jetët tona. Gjithçka varet se cila prej tyre nga bie hise e para.

• Ne të gjithë jemi pengje dhe jemi të gatshëm të merremi peng./ KultPlus.com

“Dita e Verës”, 5 ditë aktivitete në Elbasan

Në Elbasan gjatë 5 ditëve do të zhvillohen 21 aktivitete, për festën e ardhjes së pranverës në qytetin ku edhe ka lindur kjo festë.

Edhe pse ka marrë përmasa të mëdha në të gjithë vendin, festimet e “Ditës së Verës” e kanë kryeqendrën në Elbasan.

Nën kujdesin e kryetarit të bashkisë së Elbasanit, festimet e Ditës së Verës, do të fillojnë  në 10 mars për t’u finalizuar në datën 14 mars.

Për të shijuar këto larmi aktivitetesh me rastin e festës pagane të “Ditës së Verës” kryebashkiaku Llatja fton të gjithë shqiptarët kudo ku ndodhen brenda dhe jashtë vendit që të bashkohen dhe të shijojnë kënaqësinë e stinës së pranverës në Elbasanin e luleve dhe traditës.

Axhenda e aktiviteteve për Ditën e Verës:

Data 10 mars
Kampionatet Sportive, Pallati i Sportit “ Tomorr Sinani”, nga ora 09.00 deri 20.00

Sofra e Elbasanit: S’vyshket lulja e Elbasanit, s’mehet sofra e bujarisë” Fish Sity Rozafa
ora 17.00
11 Mars

Koleksioni i mjeteve Retro, Sheshi “ Gensher”, ora 11.00

Street Party, Sheshi “ Gensher”, ora 11.00

Koncert “ Dritës tande xhevahir” Edda Zari. Teatri “ Skampa”, ora 18.00
Jazz Festival Sheshi “ Gensher”, ora 20.00

12 mars

“ Elbasan cross tour” Turi i çiklizmit, Stadiumi “ Elbasan Arena”, “ Sheshi Gensher”, ora 11.00

Kampionati i futbollit mes shkollave të mesme të Elbasanit, Komleksi sportiv “ Shefqet Lamçja”, ora 11.00

Defile: Paradë e Asambleve popullore artistike, Stadiumi “ Elbasan Arena”, “ Sheshi Gensher”, ora 16.00
“ Nën, tingujt e folkut vjen pranvera”, Koncert me muzikë popullore, Sheshi “ Gensher” ora 18.00

13 mars

“ Cicërimat e Pranverës”, koncert nga fëmijët e kopshteve, Parku “ Rinia” ora 10.00

“ Këndi i Balonave” Stadiumi “ Elbasan Arena”, ora 12.00

“ Java Olimpike” Finale, Pallati i Sportit “ Tomorr Sinani”

Koncert i madh festiv, “ Eja n’elbasan”, sheshi “ Gensher” ora 20.00

14 mars

Parada e Karnavaleve, Bulevardi “ Aqif Pasha” ora 09.00

Koncert për fëmijë “ Mirëseerdhe pranverë” Sheshi “ Gensher” ora 10.00

Panairi i Zejeve, Lulishtja “ Aqif Pasha” ora 10.00 – 20.00

Ekspozitë : “ Elbasani nën penel”, Sheshi “ Kozma Naska”, ora 10.00 – 12.00

Arena e Sportit, Stadiumi “ Elbasan Arena” ora 11.00 – 12.30

Koncert festiv: Diell n’elbasan”, Sheshi “ Gensher” ora 11.00 – 12.30. / atsh /KultPlus.com

Shqipëria, vend pjesërisht i lirë, “Freedom House”: Problem serioz, polarizimi politik dhe korrupsioni

Në raportin vjetor të “Freedom House” mbi liritë në botë, Shqipëria vijon të klasifikohet mes vendeve pjesërisht të lira, me 67 pikë, po aq sa një vit më parë në shkallën e vlerësimit deri në 100 pikë.

Në këtë kategori përfshihen 54 nga 195 vende, mes tyre ato të Ballkanit Perëndimor. Amy Slipowitz, nga organizata “Freedom House”, tha për Zërin e Amerikës se problemet më serioze për Shqipërinë mbeten polarizimi i partive politike, korrupsioni dhe krimi i organizuar.

“Nga ana pozitive, liria fetare dhe liria e tubimit janë përgjithësisht fusha të respektuara. Ka fusha që mund të përmirësohen. Partitë politike janë shumë të polarizuara dhe korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten ende probleme serioze”, tha Amy Slipowitz, FreedomHouse.

Sipas raportit, Kosova shënoi një përmirësim prej katër pikësh në radhitjen e “Freedom House”, që sipas ekspertëve vlerësohet si një nga përmirësimet më të mëdha në mbarë botën në vitin 2022.

“Ndër arsyet e përmirësimit ishin të drejtat politike. Rrjetet klienteliste kanë më pak ndikim në qeverinë aktuale, dhe gjithashtu ka pasur një rritje të përfaqësimit të grupeve të ndryshme si gratë e përkatësisë kombëtare serbe dhe pjesëtarëve të komunitetit LGBT plus, në institucionet qeveritare, por edhe në jetën politike në përgjithësi. Pastaj sa u përket të drejtave qytetare, liria akademike ka fituar terren në Kosovë. Ka më pak ndikim politik në emërimet e drejtuesve të universitetit”, tha Slipowitz.

Sipas “Freedom House” liria në botë shënoi rënie për të 17-in vit me radhë. / a2cnn / KultPlus.com

Liberalizimi i vizave, Rama: Urime Kosovës, BE hoqi nga vetja njollën e turpit

Kryeministri Edi Rama uroi sot Kosovën për vendimin për liberalizimin e vizave në takimin e Këshillit të Punëve të Brendshme në Bruksel.

“Një hap i vonuar padrejtësisht me vite u hodh sot nga BE-ja, e cila më në fund po e heq nga vetja njollën e turpit të trajtimit të Kosovës si të ishte një vend jashtë Europës! Urime jo vetëm Kosovës, po edhe Bashkimit Europian”, tha Rama në një postim në rrjetet sociale.

Ministrat e Brendshëm të 27 vendeve të Bashkimit Evropian miratuan sot vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën në takimin e Këshillit të Punëve të Brendshme në Bruksel./ atsh / KultPlus.com

Billie Eilish ka fshirë të gjitha mediat sociale nga telefoni për arsyen madhore

Pasi kaloi shumicën e jetës së saj, të nxitur edhe nga karriera, në Internet, Billie Eilish po bën një hap pas shumë të nevojshëm nga mediat sociale.

Ylli i popit zbuloi së fundmi se ajo ka fshirë të gjitha aplikacionet e mediave sociale nga telefoni i saj si një mënyrë që të mbrojë shëndetin e saj mendor. “Unë nuk i shikoj më,” shpjegoi ajo në podcast-in Conan O’Brien Needs a Friend. “I fshiva të gjitha nga telefoni im, gjë që është shumë e madhe për mua. Sepse, ne nuk u rritëm ne Internet.” Eilish vazhdoi të shpjegonte: “Për mua, ishte një pjesë kaq e madhe – jo fëmijëria ime, nuk isha një fëmijë i rritur me iPad, faleminderit Zotit – por sinqerisht, ndihem sikur u rrita në kohën e përsosur kur Internetit nuk kishte aq i përhapur sa të mos kisha një fëmijëri. Kam pasur vërtet një fëmijëri normale dhe kam bërë gjëra gjatë gjithë kohës.”

Por këngëtarja e “Happier Than Ever” tha se marrëdhënia e saj me Internetin filloi të ndryshonte ndërsa ajo u rrit. “Në para-adoleshencë, kisha iPhone dhe ndërsa u rrita pak, kisha gjithçka që ishte shpikur. Por duke qenë një adoleshente dhe një adoleshente në kohën e Internetit, ata ishin njerëzit e mi. Unë isha një prej tyre. Unë isha një nga ata njerëz në Internet. Dhe pastaj, të kem brenda vetes ndjesinë sikur asgjë nuk ka ndryshuar, por befas po bëj atë që kam bërë gjithmonë dhe po shikoj Internetin sepse jam një person Interneti…dhe ngadalë videot që po shikoj dhe gjërat që shoh në internet kanë të bëjnë me mua. Epo, nuk më pëlqen kjo, “tha ajo.

Kjo nuk është hera e parë që Eilish pranon se fama e saj e ka bërë të duhet të rishikojë seriozisht aktivitetet e saj në Internet. Në qershor 2021, ajo pranoi për LA Times se kishte ndaluar plotësisht së lexuari komentet në Instagram. Kur e pyetën pse, ajo shpjegoi, “Sepse përndryshe unë do të dal jashtë kontrollit, dhe kjo është e keqe. Ka disa njerëz, si vëllai im [Finneas], të cilët mund të marrin një mesazh nga dikush që nuk i pëlqen dhe ta fshijnë menjëherë. Ai as nuk do ta lexojë. Unë nuk mund ta bëj këtë. Nëse Satani vetë do të më dërgonte mesazhe, unë do thoja: ‘Çfarë tha ai?’”

Fituesja e Grammy vazhdoi, “Dua të dëgjoj se çfarë kanë për të thënë njerëzit, dhe gjithashtu, sepse jam rritur në Internet, unë kryesisht jam dakord me shumë nga ato që thotë Interneti. Disa nga gjërat për të cilat ata tallen janë qesharake sepse janë disi të vërteta, apo jo? E cila më shqetëson më pas, sepse mendoj: ‘Oh, Zot, a janë gjërat e këqija [për mua] në të vërtetë të vërteta? Dhe çfarë janë ato?’ Dua t’i njoh! Por unë nuk dua t’i njoh ata, sepse çfarë do të bëjë kjo për mua? Asgjë.” / KultPlus.com

Kejsi Tola në studion e Adele dhe Ed Sheeran, këngëtarja duket se po bën një hap të madh

Këngëtarja shqiptare Kejsi Tola ka bërë një hap të madh përpara në karrierën e saj muzikore, duke regjistruar në studion legjendare Abbey Road në Londër. Kjo studio ka qenë “shtëpia” e disa prej regjistrimeve më ikonike në historinë e muzikës, i ka ofruar Tolës hapësirën perfekte për të krijuar kryeveprën e saj më të fundit.

Në një postim të fundit në rrjetet sociale, Tola ndau një foto të saj duke qëndruar jashtë Abbey Road Studios, dukshëm e emocionuar që po regjistronte në një vend kaq ikonik.

Edhe pse Tola ende nuk ka zbuluar saktësisht se për çfarë ka punuar në Abbey Road, fansat mund të presin diçka vërtet të veçantë nga ky sesion regjistrimi. Studioja, e cila ka pritur artistë legjendar si The Beatles, Pink Floyd Adele,  Ed Sheeran është e njohur për akustikën e saj të jashtëzakonshme dhe pajisjet e regjistrimit të nivelit të lartë.

Është e qartë se këngëtarja e hitit “Më ke mua” po e çon karrierën e saj muzikore në një nivel tjetër me këtë sesion regjistrimi dhe fansat po presin me padurim atë që do të vijë.

Nuk e dimë ende nëse ajo është duke regjistruar këngë të reja për një album të ardhshëm ose thjesht duke shfrytëzuar mundësinë për të eksperimentuar me artin e saj, por koha e saj në Abbey Road do të jetë një pikë kthese e madhe në karrierën e këngëtares. / KultPlus.com

Ministrat e BE’së e kalojnë në lexim të parë heqjen e vizave për Kosovën

Këshilli i Ministrave të BE-së sot ka miratuar në lexim të parë lëvizjen pa viza për qytetarët e Kosovës.

Heqja e vizave për Kosovën do të zbatohet që nga data kur Sistemi Europian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) hyn në fuqi ose nga 1 janari 2024, cilado që të vijë e para, raporton Gazeta Express.

Rregullat e reja tani duhet të miratohen nga Parlamenti Europian përpara se të nënshkruhen dhe publikohen në gazetën zyrtare të BE-së. / KultPlus.com

Lady Gaga nuk do të performojë në ceremoninë ‘Oscar’

Këngëtarja e “Stupid Love”, ishte e ftuar në ceremoninë e 95-të të çmimeve Oscar, por iu desh të refuzonte ofertën për shkak të konflikteve të planifikimit me vazhdimin e Joker Folie à Deux, tha të mërkurën producenti i Oscars Glenn Weiss gjatë konferencës për shtyp të Ekipit Kreativ të Oscars.

“Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Lady Gaga dhe ekipin e saj, por ajo është në mes të xhirimeve të një filmi tani, dhe këtu ne po nderojmë industrinë e filmit dhe atë që duhet për të bërë një film,” tha Weiss. “Pas një sërë hapash përpara dhe mbrapa, nuk dukej sikur ajo mund të bënte një performancë të kalibrit që ne jemi mësuar me të, me të cilën është mësuar dhe të gjitha ato gjëra.”

Weiss vazhdoi: “Pra, ajo nuk do të performojë në shfaqje, megjithatë, kjo është e gjitha, nga këndvështrimi ynë, për dikë që bën një film dhe ne e kuptojmë plotësisht se kjo është ajo që është prioriteti në këtë biznes, veçanërisht kur jemi duke nderuar filma.”

Përveç Gagës, kënga e nominuar e së cilës u shfaq në Top Gun: Maverick, të gjithë të nominuarit e këtij viti për këngën më të mirë origjinale janë konfirmuar të performojnë në ceremoni, shkruan People, transmeton KultPlus.

Ajo performoi për herë të fundit në Oscar 2019, ku kënga e saj “Shallow” nga A Star Is Born fitoi këngën më të mirë origjinale. Ajo u nominua gjithashtu atë vit për Aktoren më të Mirë, dhe gjithashtu mori titullin “Kënga më e mirë origjinale” në 2016 për “Til It Happens to You” nga The Hunting Ground. / KultPlus.com

PHOTO: VINCENZO PINTO/AFP

Liria të mendosh me zë

Ibrahim Berisha

Problemi, prandaj mbetet përherë i diskutueshëm pse realitetet e njëjta, të vërtetat e njëjta, shkruhen si realitete të ndryshme, të vërteta të ndryshme.  Mbasi bëhet fjalë për një proces logjik, kuptohet thellësisht subjektiv, apo për një proces të subjektivizmit të objektives, atëherë arsyeja dhe emocionet personale, mund të kenë ndikimin specifik, për të bërë të dallueshëm një lajm nga tjetri, megjithëse bëhet fjalë për të ndodhurën e njëjtë, pra në kohë dhe hapësirë dhe me indikatorë të njëjtë.

Shkrimtarët dhe gazetarët e rinj bashkëjetojnë me dilemën se cili është raporti ndërmjet etikës dhe profesionales. Nëse janë të pajtueshme apo përjashtojnë njëra-tjetrën. Mund, një rrëfim të jetë etik dhe të mos jetë profesional (kjo vlen edhe për shkrimin letrar), dhe e kundërta, mund një rrëfim të jetë profesional po të mos përmbajë standardin minimal etik? Apo, vërtetë është ashtu siç thuhet aq shpesh: të jetë gazetaria bashkëkohore krijimtaria që bashkon etikën dhe profesionalen, në këtë rast, edhe estetiken.

Çfarë në të vërtetë përmban një rrëfim që të mund të vlerësohet me etikë? Publikja, posaçërisht ajo mediale, kërkohet të përmbajë fakte të vërteta, të verifikueshme edhe për një kureshtar. Pra, megjithëse nuk kemi të bëjmë plotësisht me metoda të shkencave ekzakte, për të mundur që përmes provës dhe rrugës së njëjtë të mbërrihet te rezultati i përsëritur saktësisht njësoj, edhe në gazetari, si një “fushë shkencash sociale”, të vërtetat, sa do që janë difuzive, ato do të duhej të provoheshin edhe nga vrojtues dhe shkrues të tjerë, për t’u besuar si të vërteta. Problemi, prandaj mbetet përherë i diskutueshëm pse realitetet e njëjta, të vërtetat e njëjta, shkruhen si realitete të ndryshme, të vërteta të ndryshme.  Mbasi bëhet fjalë për një proces logjik, kuptohet thellësisht subjektiv, apo për një proces të subjektivizmit të objektives, atëherë arsyeja dhe emocionet personale, mund të kenë ndikimin specifik, për të bërë të dallueshëm një lajm nga tjetri, megjithëse bëhet fjalë për të ndodhurën e njëjtë, pra në kohë dhe hapësirë dhe me indikatorë të njëjtë.

Më efektive duket përpjekja e thjeshtësuar e shkruesit për të përcaktuar nëse diç është apo nuk është etike në tregimin e tij. Kjo matje vlerash, pjestohet përmes një procesi matematikor; është e mirë apo e keqe ajo që ka ndodhur, është shumë e mirë apo shumë e keqe; pastaj është e drejtë ajo që ka ndodhur; është e padrejtë kjo që ka ndodhur, është e ndershme kjo që ka ndodhur, është e pandershme, dhe ka plot vlera morale që, në një ndeshje subjektive, do të përcaktojnë standardin etik të një zhanri gazetaresk. Nëse fare ia  vlen që ai të bëhet pjesë e konsumit të përgjithshëm të një publiku të paracaktuar apo edhe papërcaktuar.

Mbasi zakonisht dilemat nuk kanë të përfunduar në qasjet etike në gazetari, prapë një e tillë paraqitet kur diskutohet për një të vërtetë që mund të mos jetë e drejtë, që mund të jetë e dëmshme për publikun. Njëkohësisht një e vërtetë mund të mos jetë e ndershme. Apo një e padrejtë mund të jetë e “ndershme”. Dilemat etike, sikurse dhe vetë vlerat, normat dhe gjykimet, po edhe sanksionet, janë pjesë e përhershme e punës së gazetarit. Prandaj, forca profesionale e një gazetari, është e kushtëzuar edhe nga koherenca e tij psiko-emocionale. Nëse gazetari merr përgjegjësinë plotësisht për atë që krijon, duke mos tentuar, të gjejë alibi për dilemat etike dhe profesionale. Në këtë rast, gazetari që vetë merr përsipër përgjegjësinë për përmbajtjet e krijuara mediale, ndërton identitetin etik dhe profesional, ndryshe, krijon mundësinë të identifikohet me egon e tij personale. Të tillë gazetarë, respektojnë standardet më të larta etike dhe profesionale, duke vuajtur jo rrallë pasojën e qëndrueshmërisë dhe të vetëbesimit. Pa këto dy vlera, gazetari nuk mbërrin të influencojë  në krijimin e besimit tek publiku, që është edhe agjens kryesor i vlerësimit të standardit etik dhe profesional të gazetarit dhe të medies.

Gjuha e urrejtjes është e pranishme, në mënyrë të sistemuar apo rastësisht, jo vetëm në shtetet në tranzicion, në shtetet e botës së tretë, por edhe në vendet e zhvilluara, me demokraci të konsoliduar. Fushatat zgjedhore në vendet evropiane, Austri, Holandë, Francë, Greqi, etj., kanë dhënë mjaft mesazhe dramatike përmes gjuhës së urrejtjes, gjuhë kjo edhe e partive nacionaliste. Liderët e ultra të djathtës në këto vende, kanë kërcënuar hapur emigrantët, po edhe kategori të grupeve apo gjithë grupet sociale të margjinalizuara. Kjo urrejtje përfshin jo pak njerëz nëse shihet më kujdesshëm se ku mund të prek ajo ( raca, nacionalitete dhe etni, religjion, gjini, orientimi seksual,  mendimi politik dhe qëndrime të ndryshme, prejardhje  shoqërore, cilësitë ndryshme personale).

Gjuha dhe mendimi prodhojnë efekte negative, dhe ato janë parë fare mirë në një marrëdhënie interaktive nga shkrimtari George Orvell. Ai shkruante: “Në qoftë se mendimet e prishin gjuhën, gjuha po ashtu mund të prishë mendimet”. Gjuha e urrejtjes, e cila në nëntekst përmban referenca racizmi dhe forma tjera të presionit johuman, përkufizohet përherë si kërcënuese e paqes publike, dhe ikën kundrejt parimeve qytetëruese për të ndërtuar paqen publike. Paqja dhe toleranca të cilat inspirohen nga e vërteta janë agjensë ndikues thelbësor nëse një shoqëri do të funksionojë brenda kufijve të lirisë dhe të sistemit demokratik.  Në demokracitë e zhvilluara, shpjegon Çomski, populli në mënyrë më efektive mund të kontrollohet nëpërmjet kontrollimit të mendimeve. Masmediet, sipas tij, shërbejnë si një sistem për komunikimin e mesazheve dhe simboleve ndaj popullatës së përgjithshme.  Çomski thotë se shteti do të kishte dashur që të kontrollonte mendjet tona, për qëllimet e saj në politikën që zbaton. “Por, në shoqëritë demokratike nuk mund të veprohet në atë mënyrë sepse shteti nuk mund të kontrollojë sjelljen tonë duke përdorur forcën. Mundet deri në njëfarë kufiri, por mundësitë e kontrollit të dhunshëm janë të kufizuara. Prandaj mëton të kontrollojë mendimet tona”.

Për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me interesin publik dhe të cilat qytetari duhet t’i dijë mbasi sjell gjykime për to mbështetur në fakte, duhet të zhvillohen debat publike, artikulime të opinioneve, nisur nga ato artistike, kulturore, publike përgjithësisht. Cila është në këtë kontekst  sfera e interesit publik dhe cila jo është vështirë të përcaktohet dhe më shumë kjo është çështje e krijuesve  që shkruajnë për to se sa i vetë asaj që shkruhet në ligje. Këtu mund të flitet për mundësinë e keqpërdrimit të pozitës së redaktorit, shkrimtarit, gazetarit dhe mosdefinimi i qartë i tij ndërmjet publikes dhe privates. Mund të bëhet fjalë për keqpërdorim nëse preket në jetën private të personit (personalitetit). Për këtë shkak ekzistojnë një varg normash që rregullojnë këtë çështje dhe përcaktojnë se deri në ç’masë mund të jetë interes i botimeve, radios, shtypit etj., jeta private e qytetarit. Po edhe e zyrtarit. Por, këtu duhet ndarë çështjet nga censura, ngase atëherë kemi të bëjmë më kufizimin e lirisë së mendimit. Mund t’i referohemi mendimit të Karl Jaspers kur  shkruan: ”Është e diskutueshme nëse në liri realizohen të vërtetat. Një është e sigurt, në shoqëritë me censurë, e vërteta, do të jetë e shtrembëruar”.

Vetëm në publikun ku funksionon mendimi i lirë, individi i lirë, mund të ketë krijim të lirë të mendimit dhe të shprehjes së opinioneve publike. E provuar është se demokracia dhe liria e mendimit janë dy çështje të të njëjtës medalje. Demokracia për nga natyra e të qenit (qeverisje) jeton dhe ushqehet nga mendimet e ndryshme. Për këtë arsye, kësaj forme të qeverisjes i nevojitet shumë krijimi i një klime të mirë sociale, e cila mundëson që të zhvillohen diskutime publike dhe ato të jenë racionale, të argumentuara dhe prore të mundshme për t’u kritikuar.

Funksioni i kontrollit, pastaj bartet në gjithë publikun në të cilin zhvillohet procesi i krijimit të mendimit, përkatësisht të opinionit publik. Publikja në këtë kontekst do të thotë që secili qytetar mund të marrë pjesë në krijimin e opinionit publik dhe gjithë procesi nuk zhvillohet në ndonjë hapësirë të vogël, të kontrolluar apo edhe të mbyllur.

Konsumuesit lexues apo dëgjues, t ‘i krijohet shansi që mbështetur në dijet dhe informatat që ka të kontribuojë në procesin e krijimit të mendimit publik. Po kështu, koncepti “opinion publik” në vete përmban faktin se mendimi publik ka të bëjë me publiken, dhe jo me gjëra private. Kështu fenomenit publik i përkasin të gjithë qytetarët, të cilët mendojnë dhe flasin për bashkësinë në të cilën jetojnë në mënyrë që mendimet e tyre t’i formësojnë në përmbajtje të kritikës, refuzimit, propozimeve dhe pajtimit. / KultPlus.com

Veshjet popullore të Beratit ekspozohen në Apoloni

Ekspozita “Vishu me trashëgimi”,  një koleksion veshjesh popullore të qytetit të Beratit vazhdoi rrugëtimin duke u ndalur në Apoloni, si bashkëpunim midis Qendrës Muzeore Berat dhe Parkut Arkeologjik të Apolonisë.

Në këtë ekspozitë paraqiten një kolanë fotosh të realizuara në kuadër të programit “Edukimi përmes Kulturës”, në bashkëpunim me shkollën jopublike “Drita e Dijes” e të realizuara mjeshtërisht nga artisti Ardian Fezollari si një celebrim i një pjese të trashëgimisë kulturore të qytetit të Beratit.

Ekspozita “Vishu me trashëgimi” do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit mars në Trapezarinë e Manastirit të “Shën Mërisë” (Muzeu Arkeologjik) në Apoloni. / atsh / KultPlus.com

Doli nga shtypi përmbledhja me tregime të shkurtra nga konkursi rajonal Biber 05

Doli nga shtypi përmbledhja me tregime të përzgjedhura në konkursin e pestë Biber.

Përmbledhjen mund ta shkarkoni në faqen Biber në formatin elektronik.

Çmimi i parë “Ndërrimi i qimeve” i autores Ana Kutlesha nga Zagrebi;
Çmimi i dytë: “Fertik” i autores Lidija Dedush nga Varazhdini;
Çmimi i tretë “Toka e lumturisë” i autorit Ante Storiq nga Shibeniku dhe “Fjalët” i autorit Milosh Perishiq nga Arangjelovaci.

Konkursi i pestë Biber qëndroi i hapur nga data 10.12.2021 deri me datën 1.6.2022. Në konkurs u paraqitën gjithsej 473 tekste anonime. Njëzet e pesë tregimet që u përfshinë në përmbledhje u zgjodhën nga juria e përbërë nga: Lejla Kalamujiq, Kalina Maleska dhe Ola Saviçeviq Ivançeviq. Janë shpërblyer katër tregime. / KultPlus.com