Rektorati nderon me mirënjohje profesoreshat e UP-së

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Qerim Qerimi ka nderuar me mirënjohje profesoreshat e njësive akademike, me motivacionin për kontribut meritor dhe shërbim për universitetin.

 Profesoreshat kanë dhënë kontribut qenësor në zhvillimin dhe avancimin e UP-së, nga shërbimi shumëvjeçar në ligjërim, angazhim brenda strukturave të njësive akademike, si dhe me punë shkencore në fushat përkatëse.

 “Sot do të ndajmë mirënjohje për ju, për kontributin tuaj meritor dhe për shërbimin për universitetin. Megjithatë, ne kemi zgjedhur këtë datë më tepër për arsye simbolike. Por nuk është që mirënjohjet po i japim për këtë ditë, por për vite e dekada kontribut e shërbim tuajin për këtë institucion, që ne e kemi aq afër zemrës”, u tha Rektori profesoreshave të shpërblyera me mirënjohje.

 Falënderuese për nderimin e pranuar ishin profesoreshat e shpërblyera. Prof. dr. Shpresa Hoxha, nga Fakulteti Ekonomik, shprehu mirënjohjen e saj për njohjen e këtij kontributi nga ana e rektoratit. Ajo theksoi se është pjesë e UP-së për afër gjysmë shekulli, përkatësisht nga viti 1970, fillimisht si studente, e që nga viti 1974 si staf akademik.

 Ndërkaq, në mbyllje të ceremonisë, prorektorja Njomza Llullaku paraqiti edhe në statistika avancimin e pozitës së gruas në universitet. Ajo përmendi Fakultetin e Arkitekturës, në të cilin 90% e stafit janë gra dhe një pjesë dërrmuese e njësive akademike, të cilat kanë mbi 50% të stafit akademik gra, përfshirë: Mjekësinë, Filologjinë, Edukimin, etj.

 Aktualisht, gratë dhe vajzat paraqesin edhe pjesën më të madhe të studentëve të UP-së, ku 66% nga numri i përgjithshëm i takojnë kësaj gjinie.

 UP-ja falënderon shumë stafin akademik për punën, angazhimin dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm në avancimin e shkencës. / KultPlus.com

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në Gjilan është inauguruar skulptura monumentale “Heroina e Qytetit”

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në Gjilan është inauguruar skulptura monumentale “Heroina e Qytetit”, e cila u kushtohet të gjitha grave e nënave të cilat kanë kontribuar me rolin e tyre në shoqëri për mirëqenien dhe zhvillimin e kulturës, sportit e arsimimit të gjeneratave, në ngjarjen ku mori pjesë edhe kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e përfaqësues tjerë institucionalë, përcjell KultPlus.

Kryetari Hyseni, pasi ka falënderuar ministren Haxhiu për vizitën dhe angazhimin e saj në fushën e të drejtave të grave, tha se ky monument i dedikohet gruas, nënës, vajzave për sfidat të cilat kanë kaluar, por është mesazh i fuqishëm që e ardhmja që na pret do të duhej të ishte ndryshe nga ajo që kemi kaluar deri tash.

“Skupltura “Heroina e Qytetit” ka një simbolikë të veçantë. Përveç luftës e ngjarjeve të përditshme, gratë janë heroina. Tek shqiptarët, gratë kanë vuajtje të shumta, por kanë kontribut të veçantë. Përtej vuajtjeve, kanë një trimëri të veçantë e një qëndrueshmëri të gjatë. Kanë kontribuar ndër breza, kanë mirëmbajtur shtëpinë e familjen”.

“Fatkeqësisht, vitet e fundit janë përcjellë me një rritje të madhe të dhunës në familje, në të shumtën e rasteve e drejtuar ndaj gruas. Padrejtësisht privohen edhe nga të drejtat elementare, nga shkollimi e nga shumë të drejta të tjera”, ka nënvizuar kreu i Gjilanit.

Ai tha se kjo skulpturë është nismë e para dhjetë vitesh e dy profesoreshave, Gjylshene Berisha e Sadete Tërnava – Osmani, nëpërmjet mekanizmave institucionalë.

“Është aprovuar si kërkesë më herët, ka kaluar fazën e projektimit dhe të konkursit dhe është jetësuar sot pas pesë vjetësh, pasi si Komunë e kemi gjetur mundësinë e bashkëfinancimit me Ministrinë e Kulturës. Ky monument i dedikohet gruas, nënës, vajzave për sfidat të cilat kanë kaluar, por është mesazh i fuqishëm që e ardhmja që na pret do të duhej të ishte ndryshe nga ajo që kemi kaluar deri tash. Urime 8 marsi të gjitha grave e vajzave”, ka shtuar ai.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka falënderuar të gjitha gratë dhe vajzat të cilat tha se kanë dhënë kontribut me shekuj.

“Ju shpreh zotimet e mia se çdo ditë e imja në Qeveri por edhe kudo tjetër, do të jetë në shërbim të vajzave dhe grave në vendin tonë dhe nuk do të kursehem në asnjë moment. I lutem sot sidomos vajzave të reja që të luftojnë shumë për të drejtat e tyre, që të mos lejojnë që të shkelen e diskriminohen, qoftë në familje, në vendin e punës apo rrethet shoqërore. U jam mirënjohëse të gjithave për rolin që e keni luajtur në shoqërinë tonë”, është shprehur ministrja Haxhiu.

Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, theksoi se gratë kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë ndryshime të mëdha në të gjitha sferat e jetës.

“Megjithatë, vlerësimi dhe mbështetja për gratë në shoqëri ende kërkon përpjekje të mëdha, pasi diskriminimi dhe dhuna ndaj grave janë ende të pranishme. Kjo na bën të ndihemi përgjegjës për të ndihmuar në ngritjen dhe vetëdijësimin e mbrojtjes së të drejtave të grave kudo në botë”, është shprehur ajo.

Në fund, kryetari Hyseni ka ndarë mirënjohje për kontribut të veçantë për Drita Klaiqi, Maxhide Shaqiri, Ismete Kallaba, Hyrije Rexhepi dhe Xhangyle Iljazi (post mortum). / KultPlus.com

Ferdonije Qerkezi: Nënat si unë presin me duar në gji

Dita Ndërkombëtare e Gruas, e njohur gjithashtu si 8 Marsi, është një festë e njohur globalisht që festohet çdo vit më 8 Mars. Festa feston arritjet sociale, ekonomike, kulturore dhe politike të grave dhe bën thirrje për barazi gjinore, shkruan KultPlus.

Në vendin tone, kjo festë më shumë se thirrje për barazi, i dedikohet nënave dhe dashuria, kujdesi e dhuratat për to janë në mënyrë më të veçantë.

Por, ka nga ato nëna që kanë mbetur të vetme dhe në ditë feste si këto, e ndjejnë më shumë se asnjëherë mungesën e përqafimit të fëmijëve të tyre.

Dikush nga fatkeqësitë, dikush na natyra e dikush nga lufta, humbja e qenies së tyre më të dashur është goditja dhe plaga e pashëruar.

E tillë është plaga e Ferdonije Qerkezit, gruas së hekurt nga Gjakova të cilës forcat serbe ja vranë bashkëshortin bashkë me katër djemtë.

Është e lodhur nga vuajtjet e jetës por mirësia në fytyrën e sajë nuk mungon asnjëherë. Ajo vazhdon mbanë dyert e hapura për të gjithë ata që dëshirojnë ta vizitojnë.

Një vizitë të tillë, ndoshta për t’i treguar që ajo ka edhe shumë djem të tjerë në Kosovë që do të vazhdojnë të kujdesen për të, ja ka bërë edhe Arsim Gerxhaliu, mjeku i njohur ligjor Kosovar, i cili i ka dhuruar një lule e i ka uruar festën e 8 Marsit.

Ferdonije Qerkezi ka ndarë fotografi nga ky moment, teksa ka falënderuar Gerxhaliun që nuk e harron asnjë festë festive për ta uruar.

“Faleminderit Arsim Gerxhaliu që nuk më harron në ditët festive!

Veçanërisht sot kur shumë bijë e bija përqafojnë nënat me dashuri

E nënat si unë presin me duar në gji!”, shkruan Qerkezi. /KultPlus.com

Presidentja Osmani uron Ditën e Gruas: Gratë kanë dëshmuar se janë të afta t’i arrijnë majat e suksesit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka uruar sot Ditën Ndërkombëtare të Gruas, duke kujtuar forcën, guximin dhe qëndrueshmërinë e jashtëzakonshme të grave dhe vajzave shqiptare.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, le ta kujtojmë forcën, guximin dhe qëndrueshmërinë e jashtëzakonshme të grave dhe vajzave tona. Në arsim, sport, kulturë, biznes, shkencë ose politikë, gratë kanë dëshmuar se janë të afta t’i arrijnë majat e suksesit. Ato munden, sepse kanë potencial”, shkruan Osmani e cila tutje kërkon që të gjithë të zotohemi që ta bëjmë pjesën tonë të punës për t’u siguruar që zëri i çdo gruaje të dëgjohet,

“Le të zotohemi të gjithë që ta bëjmë secili pjesën tonë të punës për t’u siguruar që zëri i çdo gruaje të dëgjohet, që potenciali i çdo gruaje të vie në shprehje maksimalisht. Së bashku, ne mund të krijojmë një botë ku gratë janë të barabarta e të lira për t’i përmbushur synimet e tyre.

Të gjitha grave dhe vajzave të Republikës, sot e çdo ditë: Mos ndaloni kurrë së ëndërruari, por në veçanti, mos ndaloni kurrë së besuari”, shkruan Osmani. / KultPlus.com

Horrori i frikshëm Scream VI arrin në Cineplexx me eventin Horror Night!  

Cineplexx organizon eventin “Horror Night” me premierën e super-horrorit Scream VI ku nuk do të mungoj edhe vetë vrasësi “Ghostface” në të dy kinematë, në Prishtinë dhe në Prizren.

Njëri prej filmave të shumë pritur horror për këtë vit po arrin në Cineplexx. Me këtë rast kinemaja ka përgatitur një event special për premierën e këtij filmi, eventin Horror Night. Ky event do të mbahet në të dy kinematë, në Prishtinë dhe në Prizren, duke filluar nga ora 18:00. Për një eksperienc sa më reale dhe të argëtueshme për pubilkun, kinemaja do të këtë atmosferë horrori të inspiruar nga ky film së bashku me një Cosplay të “Ghostface”.

Scream VI gjen një mënyrë për të nderuar të kaluarën, duke krijuar një rrugëtim të ri me një brez të ri. Filmi i ri ka kombinimin e duhur të nostalgjisë dhe gjakut të freskët, duke treguar një histori që arrin të ndihet e njohur nga qka kemi parë nga e kaluara mirëpo duke thyer traditën në mënyra emocionuese dhe të reja për këtë seri.

https://www.facebook.com/cineplexxkosovo/videos/948092449960208

Ngjarja e filmit zhvillohet një vit pas filmit të fundit me motrat Sam (Melissa Barrera) dhe Tara (Jenna Ortega) bashkë me dy shokët e tyre ku këta katër të mbijetuar nga vrasjet e Ghostface lënë pas Woodsboro për një fillim të ri në New York City. Megjithatë, ata shpejt e gjejnë veten në një luftë për jetën e tyre kur një vrasës i ri fillon një tërbim të përgjakshëm.

Përveç motrave të cilat janë në rol kryesor, Scream VI sjell edhe disa të preferuar të vjetër. Gale Weathers (Courteney Cox) e cila tani bëhet personazhi i vetëm që shfaqet në të gjashtë filmat e Scream. Në Scream VI gjithashtu rikthehet Kirby Reed (Hayden Panettiere), e cila mbijetoi ngjarjeve të Scream 4, dhe tani është një agjente e FBI-së që ndihmon në kërkimin e Ghostface të ri.

Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx Kosovo, ndërsa biletat mund t’i bleni përmes aplikacionit Cineplexx KS apo direkt në kinema prej orës 15:30.

Fitim Uka me fjalë emocionuese për nënën: Për plot 9 muaj, kam gjetur strehë brenda trupit të saj

Nga Fitim Uka

Për ditën e nanës!

Për plot 9 muaj, kam gjetur strehë brenda trupit të saj.

Sikur të mos mjaftonte fryma që ndante për mua… edhe kur erdha në këtë botë ajo mu bë mburojë me trup e mendje.

Asnjë mosmirënjohje dhe hatërmbetje e imja nuk e zbehu dashurinë e saj të pakushtëzuar.

Ia kam shtuar dhjetëra rrudha ballit me ankesat e mija të pavenda, teket e ushqimit, por për të mbeta përherë i pafajshëm.

Vazhdon e bart mbi supe brenga krejt të pakuptueshme për shëndetin tim, përderisa harron për çdo ditë shëndetin e saj që venitet.

Ma thotë që i kam lënë peng ëndrrat për t’i falur kujdesin, pa e kuptuar që ëndrra ime është bekimi i saj.

Sot, dua ta shpallë secilën ditë, si “Dita e Nanës”, dhe prap kam frikë se kjo nuk mjafton për të paguar sakrificën e saj.

Sot e për çdo ditë, mirënjohës ty nanë!

P.S. Thonë që kujtimet e fëmijërisë së hershme shlyhen , humbasin e harrohen. Megjithatë, unë besoj që dashuria dhe atashimi që krijojmë me nanën, është dëshmi që kujtimet janë aty, veçse nuk e kemi çelësin. Mbase, nanat nuk duan të kujtohen për sakrificat që bëjnë për të na rritur, por për dashurinë që falin për çdo ditë të lume! / KultPlus.com

Ekspozita “Femizmi në Art”  hapet sonte në KultPlus Caffe Gallery

Nëntë artistë do të prezantohen me ekspozitë të përbashkët sonte, më 8 mars, ekspozitë që për kuratore ka artisten Diella Valla, shkruan KultPlus.

Ajo ka njoftuar se në këtë ekspozitë që edhe titullohet “Femizmi në art”, janë përfshirë punime që kanë për bazë gruan, me qëllim që të adresohet edhe me rastin e 8 marsit, ditë kjo që edhe shënon ditën e gruas.

Artistët pjesëmarrës në këtë ekspozitë janë: Drilon Shoshi, Tinka Kelmendi, Eris Havolli, Nderim Bytyci, Debora Hetemi, Albiona Berisha, Dijeta Smajlaj, Gerta Hameli dhe Diella Valla.

Ekspozita hapet sonte në ora 19:00 dhe rri e hapur për dy javë në KultPlus Caffe Gallery./ KultPlus.com

8 Marsi, medaljet e periudhës së pasluftës për nënat me shumë fëmijë

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave solli sot disa fakte historike që lidhen me 8 Marsin, Festën e Gruas.

Në shenjë falënderimi për përkushtimin e grave në familje, Këshilli i Ministrave në vitin 1950 vendosi për krijimin e medaljes së “Nënës”.

Medalja e argjendë u akordohej nënave që kishin lindur dhe edukuar 6 fëmijë “kur fëmija i vogël ka mbushur moshën e 1 viti dhe të tjerët janë të gjallë ose kanë rënë dëshmorë në Luftën Nacionalçlirimtare”. Ndërsa, medalja e bronztë akordohej në të njëjtat kushte për nënat me 5 fëmijë.

Krahas kësaj medaljeje krijohej edhe Urdhri “Lavdi Nënës”, që vizualisht paraqiste një nënë me fëmijën e saj në krahun e majtë, ndërsa me dorën e djathtë mbante flamurin.

Urdhri përshkallëzohej në klasin e I-rë, të II-të dhe të III-të, në varësi të numrit të fëmijëve, përkatësisht për nënat me 9, 8 dhe 7 fëmijë. DPA sjell foto nga eskursioni në malin e Dajtit organizuar me rastin e 8 marsit nga Kryesia e Gruas Rajoni nr.3.

8 marsi është një ditë që karakterizohet nga marshimet e grave për të kërkuar respektimin e të drejtave të tyre. Por, pavarësisht prapavijës historike, kjo ditë shërben edhe si një festë që vë në fokus gruan, nënën, burimin e jetës. / atsh / KultPlus.com

Biletat e finales së Eurovisionit shiten për 36 minuta

Biletat për finalen e madhe të Eurovisionit 2023 në Liverpool, u shitën për pothuajse 30 minuta.

Këtë vit Liverpooli po organizon edicionin e 67-të në emër të Ukrainës, e cila ishte fituese e konkursit të vitit 2022, mirëpo për shkak të konfliktit të vazhdueshëm me Rusinë nuk e vazhdojë traditën.

Biletat për finalen e madhe ishin me çmim nga 160 deri në 380 paund (192-456 dollarë), ndërsa biletat për dy gjysmëfinalet ishin nga 90 deri në 290 paund.

Rreth 3,000 bileta për një total prej nëntë shfaqjesh, duke përfshirë finalen e madhe, do të vihen në dispozicion për ukrainasit.

Eurovision do të mbahet nga 9 deri më 13 maj./ KultPlus.com

Rama me operatorë turistikë në Berlin: Objektivi ynë, Shqipëria kampione e Ballkanit në turizëm

Kryeministri Edi Rama zhvilloi në Berlin një takim me përfaqësues të operatorëve dhe agjencive të njohura turistike në Gjermani, si dhe botues e drejtues të revistave prestigjioze për turizmin, në një diskutim mbi perspektivën e Shqipërisë, në kuadrin e zhvillimit turistik rajonal, si dhe rolin bashkëpunues të Gjermanisë në këtë drejtim, përmes investimeve në këtë sektor, turistëve të saj, si edhe përmes promovimit në tregun gjerman të potencialeve të jashtëzakonshme turistike dhe bukurive natyrore të Shqipërisë.

Në nisje të takimit, mikpritësi i eventit u shpreh se Shqipëria ka zgjuar ndjeshëm interesin e turistëve gjermanë, i cili vitin e kaluar u rrit me 60 %, krahasuar me periudhën e para Covidit, duke theksuar se Shqipëria është qartësisht një rajon i ardhshëm udhëtimi për gjermanët, me plazhet e saj, me kulturën e saj, me jetën e gjallë në qytetin e Tiranës dhe me distancën e shkurtër të fluturimit me Gjermaninë.

“Të nderuar ministra, miq, nuk është hera e parë kjo, që Shqipëria më befason.  Sinqerisht dija shumë pak për vendin tuaj. Kur u takuam për herë të parë më treguat një anekdotë të shkurtër që shpresoj ta kujtoj si duhet, në të kundërt do duhet të më korrigjoni ju më vonë në fjalën tuaj. Në qoftë se dikush troket në derën e shqiptarit do trajtohet si mik dhe i ftuar. Mu duk kjo frymëzuese, mu duk përmbledhja e përsosur për Shqipërinë.

Faktikisht besoja se e kisha zbuluar unë Shqipërinë për gjermanët. Kur kontrolloj shifrat në Holidaycheck mësoj që nuk jam i fundit, por absolutisht as i pari që e kam zbuluar Shqipërinë.

Trafiku në faqen tonë të internetit vitin e kaluar tregoi se interesi për Shqipërinë u rrit me më shumë se 60%, krahasuar me periudhën e para Covidit.

Shqipëria qartësisht është një rajon i ardhshëm udhëtimi për gjermanët, me plazhet e saj, me kulturën e saj, me jetën e gjallë në qytetin e Tiranës dhe me distancën e shkurtër të fluturimit me Gjermaninë.  Besoj që nisja e bashkëpunimit në turizëm midis Shqipërisë dhe Gjermanisë është një përputhje e shkëlqyer”, u shpreh ai.

Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit u dakordësuan se Shqipëria ka një potencial të shkëlqyer në tregun gjerman dhe treguan interes për atë çfarë mund të ofrojë turizmi shqiptar në të ardhmen,

“Unë përfaqësoj operatorët e vegjël turistikë dhe agjencitë e udhëtimit në Gjermani dhe jam shumë i interesuar të dëgjoj më shumë për vendin tuaj” – u shpreh një prej tyre.

“Jam kryeredaktor i Travel Book që është revista më e madhe e udhëtimeve online në Gjermani dhe si çdo gazetar jam shumë, shumë kureshtar për Shqipërinë dhe çfarë vjen më pas për të” – u shpreh një tjetër përfaqësues i një prej revistave më të mirënjohura në fushën e turizmit.

Ndërsa Kryeministri Edi Rama, teksa mori fjalën, u shpreh mes të tjerash se objektivi i qeverisë shqiptare për vitin 2030 është që Shqipëria të jetë kampionia e Ballkanit në turizëm.

“Më lini t’ju them se kurrë, asnjëherë, nuk ma kishte marrë mendja të kisha kënaqësinë edhe të isha me kaq shumë gazetarë që nuk interesohen për politikën, por për jetën. Kjo është e jashtëzakonshme dhe faleminderit për këtë! Së dyti, kurrë nuk do ta kisha imagjinuar të nisesha për të drekuar me 4 vetë dhe aty gjeta 40 vetë. Kjo është shenjë e mirë, Ndoshta Gjermania po ngrohet. Së treti Gjermania po thyen protokollet. Është një shenjë vërtetë e mirë”, tha Rama.

“Sot erdha se më në fund, ne kemi, jo vetëm një prezencë shumë të mirë këtu, por kemi çka të tregojmë dhe çfarë të themi për t’i ftuar njerëzit të vijnë”, vijoi ai.

“Ka qenë një rrugë e gjatë. Na u desh ta nisnim nga një pozitë vërtetë e keqe dhe praktikisht me shumë paragjykime që duhet t’i luftonim. Nuk ka përfunduar. por fakti qe jeni këtu tregon se kemi ecur në drejtimin e duhur”, u shpreh Rama.

“Shqipëria nuk ka vetëm plazhet apo bregdetin e bukur apo malet e jashtëzakonshme, por ka edhe mikpritje e mirëfilltë dhe atmosferën e ngrohtë brenda saj. Ne ia dolëm. Turizmi ynë po rritet. E kemi nisur nga zero e tashmë kemi më shumë se 260 destinacione agroturistike e po përmirësohen më tej”, tha Kryeministri Rama.

Ai shtoi se kur vjen fjala për të huajt, Shqipëria është vendi më i mirë dhe mrekullueshëm sepse ata trajtohen si në shtëpinë e tyre.

“Shifrat e turizmit po rriten gjithandej në çdo vend, nga çdo vend. Aeroporti ynë është i pari në Europë pas pandemisë që është ringritur me 123% vitin e kaluar që janë të dhënat zyrtare të agjencisë euoropiane të transportit ajror. Hotelet po ndërtohen ditë pas dite natyrisht duhet të bëjmë më shumë për turizmin e nivelit të lartë. E kemi nisur, por na udhët të bëjmë më shumë në turizmin luksoz, ndërkohë që kemi punuar shumë për të bërë një analizë të mirë të legjislacionit të vendeve fqinje dhe po bëjmë një ligj që do të jetë shumë më tërheqës për investuesit”, tha Rama.

“Të zhvillosh turizmin është një ambicie shumë, shumë e madhe dhe është po kështu edhe një sfidë e madhe sepse na duhet të jemi të ekuilibruar midis zhvillimit dhe mbrojtjes dhe konservimit. Praktikisht gjatë viteve të fundit kemi  rritur masën e zonave të mbrojtura. Kemi një ngjarje mjaft të madhe në javët që vijnë, që ka të bëjë me deklarimin e lumit tonë Vjosa, Park Kombëtar”, tha Rama.

“Është shumë, shumë i rëndësishëm si lumë për Evropën se thonë që është lumi i fundit i egër në Evropë. Sigurisht që ka mbetur i fundit sepse të tjerët u kthyen nga “tigra” në “mace” për t’i shërbyer ekonomisë europiane, por tani Europa na kërkon ne që ta ruajmë lumin e fundit të egër dhe edhe ne duam që ta ruajmë. Lumi mund të jetë një potencial shumë i madh për turizmin dhe ne do ta ruajmë. Sigurisht kanë thënë që duhet të investojmë, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm për atë çka investojmë në turizëm sepse duhet të shkojmë gjithmonë e më tepër drejt një turizmi  që është luksoz dhe i bazuar në natyrë, jo luksoz sipas stilit të vjetër”, shtoi Rama.

“Nuk është e lehtë, por ne po përpiqemi. Shpresojmë dhe objektivi ynë për 2030-ën është të jemi kampionët e Ballkanit në turizëm. Sigurisht kur themi në Ballkan nuk e kemi fjalën për Greqinë dhe Kroacinë, që të jemi të qartë, as për Turqinë. Por duam shumë që të jemi kampionë dhe të tejkalojmë vende të tjera. Në vitin 2029, ne do të jemi eksportues neto të energjisë, pra do të plotësojmë vetë nevojat tona”, u shpreh Kryeministri Rama./ atsh / KultPlus.com

Hulumtim në Ditën Ndërkombëtare të Gruas: Cilat janë gratë shqiptare më të kërkuara

Një hulumtim i ri tregon se Dua Lipa është gruaja shqiptare më e kërkuar në botë.

Dua Lipa (73 milionë) dominon në listë dhe është më e kërkuar se Rita Ora, Bebe Rexha (12 milionë) dhe Ava Max (9.8 milionë) së bashku.

Ky hulumtim ofron njohuri unike për vajzat dhe gratë më të famshme shqiptare në mbarë botën, me Dua Lipën që dominon në këtë renditje, duke analizuar më shumë se 135 milionë kërkime në Google.

Nënë Tereza mban ende vendin e 4-të (8 milionë), dhe çuditërisht pasohet nga influencerja e re Melissa aka melimtx dhe një nga aktoret më të suksesshme shqiptare Eliza Dushku.

Hulumtimi i fundit i bërë nga dua.com analizoi mbi 135 milionë kërkime në Google në 12 muajt e fundit, për të përcaktuar 150 vajzat dhe gratë më të suksesshme dhe të famshme shqiptare.

Rezultatet e këtij hulumtimi jo vetëm që vijnë në kohën perfekte – më 8 Mars, Ditën Ndërkombëtare të Gruas – por gjithashtu ofrojnë një këndvështrim në interesimin e njerëzve në mbarë botën për suksesin e grave shqiptare. 

Është inkurajuese të shohësh që jo vetëm gratë shqiptare nga diaspora po ndikojnë në botë, por edhe ato nga vendlindja, siç janë Era Istrefi dhe Elvana Gjata.

Në listën e 150 grave më të famshme shqiptare, nuk mungonin dhe emrat si: Diona Fona, Xhemi Shehu, Amanda Lajcaj, Vildane Zeneli, Vlora Çitaku, Anjeza Shahini. 

Renditja TOP 150 femrat shqiptare: LINK / KultPlus.com

Konkurs ndërkombëtar për restaurimin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, pika e parë e rendit të ditës ishte projekti për restaurimin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se për projektin do të shpallet një konkurs ndërkombëtar.

Në mbledhje u miratua vendimi për aprovimin e kritereve, kushteve për shpalljen e konkursit si dhe procedurat e aplikimit të përzgjedhjes së projektit.

Kujtojmë që vitin e kaluar MKRS ka ndarë mbi 45 mijë euro për restaurimet emergjente brenda kompleksit të Jasharajve.

Këto ndërhyrje u bënë për të mënjanuar rrezikun e shembjes, së kompleksit. / KultPlus.com

‘Më shumë se e bukur je’ (VIDEO)

Edona Reshitaj është një prej këngëtareve tona më të dashura. Muzika e Edonës ka influenca të ndryshme, duke përfshirë pop-in, r&b-në, dhe jo vetëm. Ajo gjithashtu ka një zë shumë të veçantë dhe të fortë që e dallon nga artistët e tjerë, shkruan KultPlus.

Përveç karrierës së saj në aktrim e muzikë, Edona është edhe një aktiviste e njohur për të drejtat e grave dhe i dedikohet punës së saj në mbështetje të grave në nevojë.

Në përgjithësi, Edona Reshitaj është një artiste e jashtëzakonshme dhe një nga ikonat e muzikës shqiptare. Ajo ka një talent të jashtëzakonshëm dhe një zë të veçantë, dhe është një burim frymëzimi për shumë njerëz.

“Më shumë se e bukur je” është një ndër këngët më të bukura që Edona ka sjell për publikun. Dedikuar gruas, kjo këngë është si një lloj himni që i këndon fuqisë së gruas.

Me tekst dhe muzikë nga vetë artistja, kënga është e shoqëruar me një videoklip po aq të fuqishëm.

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, e njohur gjithashtu si 8 Marsi, festë e njohur globalisht që feston arritjet sociale, ekonomike, kulturore dhe politike të grave dhe bën thirrje për barazi gjinore, KultPlus po ju sjell këtë këngë si thirrje për fuqi e barazi.

Më shumë se e bukur je

Ti je e bukur, je e mirë
Ti je e fortë, je e lirë
Ti je e ditun, je zojë e randë
Mbaje koken nalt’

Ty nuk të duhet me mundu vetën
Për me tregu sa e bukur je
Ty nuk të duhet me e humb vetën,
për nji botë të re

Ti je një rreze që shëndrit fort
Je një lule me ngjyra plot
Je e ambël, ke plot shije
Rri vetvetja të ka shumë hije

Me xhingla mingla s’hiqet dëshpërimi
S’fshihet zbrastina e shpirtit tand
Maska e bukur s’ta fsheh trishtimin
Sytë e tu tregojnë

Mos beso në çdo gja që sheh
Asgja s’ashtë aq e vërtetë
beso ma shumë në vetën tande
se sa e mirë ti je

Mos beso në çdo gja që sheh
Asgja s’ashtë aq e vërtetë
Çka je strukë? Çka je mshef’?
Hajde çu e kce

Bota ashtë e jotja, ajo ty po t’pret
Ndize dritën edhe shkëlqe
Po t’pret me lanë gjurmë n’histori
Ashtu siç din ti

Ti më shumë se e bukur je.  /KultPlus.com

Rama uron 8 Marsin: Këtë vit nënave të papuna me mbi 3 fëmijë u paguhen sigurimet

Kryeministri Edi Rama uroi sot të gjitha gratë për festën e 8 Marsit, Dita Ndërkombëtare e Gruas, e njohur edhe si Dita e Nënës.

“Gëzuar “8 Marsin” me risinë që këtë vit e në vijim nënave të papuna me tre e më shumë fëmijë, sigurimet shoqërore e shëndetësore u paguhen nga shteti pas Këshillimit Kombëtar, ku shumica dhanë pëlqimin e tyre për këtë risi”, theksoi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Nga 1 janari i këtij viti çdo grua e papunë me 3 apo më shumë fëmijë deri 18 vjeç, me të ardhura familjare deri në 100 mijë lekë/muaj, do të subvencionohen nga shteti për masën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, si një mbështetje direkte për kujdesin në 5 vitet e para të fëmijës.

Ky program planifikon të financohet në vlerën 600 milionë lekë. Kjo është një nismë e iniciuar nga anketimi përmes Këshillimit Kombëtar, për mbështetjen e nënave me tre e më shumë fëmijë.

Sot shënohet 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas, e njohur edhe si Dita e Nënës. /atsh / KultPlus.com

Abetaret e Kosovës të botuara ndër vite

Me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit në Kosovë dje në një ekspozitë në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës janë prezantuar librat “Abetare” të botuara ndër vite. E para Abetare e botuar në Kosovë daton në vitin 1945 dhe ajo e fundit është e vitit 2022. Abetarja është libri i parë për nxënësit në Kosovë ku mësohet shkrimi dhe leximi i gjuhës shqipe.

1 Ekspozita e abetareve të botuara në Kosovë ndër vite e hapur në Universitetin e Prishtinës – Fakulteti i Edukimit.

Abetarja e parë e botuar në Kosovë në vitin 1945 e titulluar ‘Këndimi im i parë’.
2 Abetarja e parë e botuar në Kosovë në vitin 1945 e titulluar ‘Këndimi im i parë’.
“Abetare për të rritur” ishte titulluar ajo e dyta e botuar në Kosovë në vitin 1946 nga një shtypshkronjë në Prizren.
3 “Abetare për të rritur” ishte titulluar ajo e dyta e botuar në Kosovë në vitin 1946 nga një shtypshkronjë në Prizren.
Abetarja e tretë për fëmijë të klasës së parë u botua në vitin 1947 në Beograd.
4 Abetarja e tretë për fëmijë të klasës së parë u botua në vitin 1947 në Beograd.

Bredhi i Hotovës në Përmet, oaz me peizazhe të mrekullueshme

Vëmendja e shtuar ndaj mjedisit ka rritur zonat e mbrojtura që paraqesin peizazhe mahnitëse natyrore dhe janë kthyer në magnet të turizmit të natyrës dhe trashëgimisë.

Një nga këto parqe shtrihet rreth 30 km në verilindje të qytetit të Përmetit ku masivi i bredhave, i njohur ndryshe si Bredhi i Hotovës, përbën një mrekulli natyrore.

Pamja madhështore e Parkut Kombëtar “Bredhi i Hotovës-Dangëlli” shpaloset nga hyrja e luginës së Lomnicës, deri afër malit të Kokojkës. Ky oaz fantastik dhuron peizazhe të mrekullueshme në çdo stinë, ku dominon gjithmonë Bredhi i Maqedonisë, i konsideruar një nga reliktet bimore mesdhetare më të rëndësishme në Shqipëri.

Turizmi malor, alpinizmi, por edhe asetet e trashëgimisë kulturore në zonë përbëjnë bazë të mirë për zhvillim të qëndrueshëm, duke ruajtur vlerat e diversitetit natyror./ atsh / KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare e Gruas: Festimi i arritjeve dhe vazhdimi i luftës për barazi gjinore

Dita Ndërkombëtare e Gruas, e njohur gjithashtu si 8 Marsi, është një festë e njohur globalisht që festohet çdo vit më 8 Mars. Festa feston arritjet sociale, ekonomike, kulturore dhe politike të grave dhe bën thirrje për barazi gjinore, shkruan KultPlus.

Historia e 8 Marsit daton në vitin 1908 kur një grup grash marshuan në qytetin e Nju Jorkut, duke bërë thirrje për paga dhe kushte më të mira pune. Në vitin 1910, Konferenca Ndërkombëtare e Grave Socialiste propozoi një festë vjetore të arritjeve të grave dhe vitin e ardhshëm, Dita e parë Ndërkombëtare e Gruas u festua në disa vende evropiane.

Që atëherë, 8 Marsi është festuar çdo vit në vende të ndryshme të botës. Çdo vit, kjo ditë ka një temë specifike dhe nxjerr në pah një aspekt të ndryshëm të të drejtave të grave dhe barazisë gjinore. Për shembull, në vitin 2021, tema ishte “Zgjidh për të sfiduar”, duke inkurajuar individët të sfidojnë paragjykimet dhe pabarazinë gjinore.

8 Marsi është një mundësi për të njohur progresin e bërë drejt barazisë gjinore dhe sfidat që mbeten. Është një ditë për të festuar arritjet e grave në fusha të ndryshme, duke përfshirë shkencën, politikën, biznesin dhe artin.

Por dita është gjithashtu një kujtesë e pabarazisë së vazhdueshme gjinore që ekziston në shumë pjesë të botës. Gratë ende përballen me barriera në arsim, kujdes shëndetësor dhe mundësi ekonomike. Dhuna ndaj grave mbetet një problem i rëndësishëm dhe gratë janë të nënpërfaqësuara në pozitat udhëheqëse politike.

8 Marsi nuk është vetëm një ditë për gratë; është një ditë për të gjithë për të mbështetur dhe mbrojtur barazinë gjinore. Ne të gjithë mund të ndërmarrim veprime për të avancuar të drejtat e grave dhe për të promovuar barazinë gjinore në komunitetet, vendet e punës dhe shoqëritë tona.

Në këtë ditë, le të festojmë përparimin që kemi bërë dhe të angazhohemi për punën që duhet bërë ende. Le të zgjedhim të sfidojmë paragjykimet dhe pabarazinë gjinore dhe të punojmë drejt një bote ku të gjithë njerëzit kanë të drejta dhe mundësi të barabarta, pavarësisht nga gjinia. / KultPlus.com

Vazhdon depërtimi i “Kosovës” në anglisht në universitetet amerikane

“Kosova” në anglish e autorit Jusuf Buxhovi, botuar nga “Jalifat Publishing” nga Houstoni, bashkë me autorë të njohur botërorë (N. Malkom, L. Philipps, Williams, Abrahams, Bradt, Stalman, Hösch, M. Mortens, Judah,Teodoris e të tjerë), tashmë gjendet në raftet e universiteteve amerikanë në kuadër të literaturës së preferuar si libër historie për shtetin e Kosovës.

Ky statut iu sigurua nga vlerësimi i Shoqatës së Historianëve të SHBA – ve si dhe ISBN e Bibliotekës së Kongresit Amerikan.

Krahas kësaj, “Kosova” në anglisht, në saje të përkushtimit të përhershëm të botuesit amerikan, Ramiz Tafilaj, ka depërtuar edhe në dy rrjetet më të mëdha librare amerikane: Half Prince Books dhe Pinellastuar Publicistike Librari. / KultPlus.com

Gjon Muharremaj: Mësuesi më tha që s’do të arrija asgjë në jetë

Gjon Muharremaj, i njohur ndryshe me emrin e artit Gjon’s Tears, ishte përfaqësuesi i Zvicrës në Eurovision 2021, transmeton KultPlus.

Ai arriti të dilte i pari falë votave të jurive profesioniste, ndërsa në rezultatin përfundimtar, ku përfshihet edhe votimi i publikut u pozicionua i treti.

Këngëtari i talentuar në një rrëfimë më të hershëm ka treguar se nëse nuk do t’i hynte rrugës së muzikës, do dëshironte të bëhej mësues frëngjishte dhe kjo sipas tij, nuk do të ishte aspak një zgjedhje rastësore.

“Kishte një plan B që ishte arsimi. Unë doja që të bëhesha mësues i frëngjishtes, sepse më pëlqen shumë literatura franceze, ose dhe mësues muzike në shkollë, por jo në shkollë muzike. Unë kam patur një mësues shumë të keq dhe i kam thënë atëherë vetes që unë do bëhem mesues dhe do ju tregoj njerëzve që arsimi nuk është i prishur, por ka dhe njerëz të mirë. Ai ishte një mësues i pakuptueshëm. Një gabim të vogël bëja unë matematikë, se isha skandal, ma hidhte të gjithë punën poshtë. Ai më kishte thënë që nuk do isha i arrirë në jetën time, se isha shumë keq në matematikë dhe tani mund ta shikojë që më në fund ia dola edhe pa matematikën”, ka treguar Gjon’s Tears.

Ai ka shtuar se pas suksesit në Eurovizion ka patur shumë mesazhe urimi nga njerëz të ndyrshëm, madje dhe nga të afërt që më herët nuk ishin kujtuar për të./ KultPlus.com

Shqiptarja Kristiana Çela në listën e Forbes si sipërmarrësja më e suksesshme në Europë

Revista prestigjoze amerikane “Forbes” ka publikuar listën e 30 sipërmarrësve më të suksesshëm nën moshën 30 vjeç për Europën dhe në sy bie edhe emri i shqiptares Kristiana Çela.

E reja, e njohur në platformat sociale si Krissy Çela, renditet mes të rinjve me potencial për të transformuar biznesin dhe shoqërinë.

Ajo ka treguar në rrjetin e saj në Instagram, se ka shkuar në Britani bashkë me familjen e saj me kamion dhe sot ka bërë histori. Pasioni për palestrën e ka kthyer atë në një ndër vajzat e reja që influencojnë miliona gra dhe vajza në botë për të ndryshuar jetën e tyre dhe mënyrën e jetesës.

Llogaria në Instagram e Kristiana Çelës numëron sot 3.1 milionë ndjekës dhe videot e saj nga palestra janë tepër virale. Rreth gjashtë vite më parë ajo ka themeluar me mikun e saj të palestrës Jack Bullimore, një aplikacion për ushqimin dhe ushtrimet fitness.

Aplikacioni quhet “EnvolveYou” dhe është një biznes i ndërtuar nga shqiptarja Kristiana Çela dhe miku i saj. Kjo ide e suksesshme biznesi gjeneron të ardhura deri në 34 milionë dollarë në vit dhe ka më shumë se 80,000 anëtarë të abonuar mujor.

Po ashtu, shqiptarja që ka zënë një vend në listën e Forbes, mes 30 të rinjve më të suksesshëm në Europë, ka dhe një linjë të sajën të veshjeve për palestër “Cela Oner Active”.

Kristiana ka shkruar një mesazh falenderimi në llogarinë e saj në Instagram, për të gjithë ndjekësit e saj. Ajo tregon dhe një copëz nga historia, sesi me dy prindërit u nisën në Angli me kamion dhe sot ajo është ndër më të rinjtë më të suksesshëm në Europë.

“Së pari, ju faleminderit, pa dyshim që kjo nuk do të ishte e mundur kurrë pa mbështetjen tuaj. Me mbështetjen tuaj ju më ndihmoni të ndihmoj të tjerët dhe për këtë jam i bekuar që ju kam pranë.

Disa prej jush mund ta dinë dhe të tjerët mund të mos e dinë, por kjo nuk ndodhi brenda natës. Unë jam një refugjate që kam emigruar në Britaninë e Madhe nga Shqipëria në pjesën e pasme të një kamioni me banane me familjen time mbi 20 vjet më parë”, shkruan ndër të tjera Kristiana Çela./ KultPlus.com

Historia e panjohur e Ferid Jegenit, mësuesit patriot që hapi shkollat e para në Dibër

Publikohet historia e panjohur të Ferid Tofik Jegenit me origjinë nga Dibra e Madhe, i cili pasi morri mësimet e para në qytetin e lindjes dhe më pas në Selanik, bashkë me shumë djem dibranë vazhdoi studimet në kryeqëndrën e Perandorisë osmane në Stamboll, duke ndjekur Fakultetin e Shkencave Ekzakte (Dega Matematikë), por u detyrua t‘i ndërpresë ato, pasi në atë kohë filluan trazirat e luftës ballkanike dhe familja u detyrua ta tërhiqte Feridin në Dibër, ku dhe nisi punën si sekretar krahinor në Komunën e Maqellarës, punë të cilën ai e vazhdoi deri në vitin 1915, ku bashkëpunoi ngushtë me këshillat e pleqve dhe popullin e asaj treve dhe me ndihmën e tyre u ndërtuan privatisht e u hapën 7 shkolla shqipe në fshatrat: Trebisht, Ostren i Vogël, Borovë, Klenjë, Stërblevë, Lejcan, Lladomiricë.

Kur Feridi punonte në krahinën e Gollobordës, në zbatim të vendimeve të Konferencës së Londrës të vitit 1913, pas nëntë vitesh po përcaktohej në terren kufiri lindor i vendit tonë me Jugosllavinë, i caktuar që më 1913-ën, nga Traktati famëkeq i Londrës, nga një komision i ngritur për këtë qëllim. Në atë kohë, falë edhe gjuhëve të huaja që zotëronte, Feridi u thërrit si konsulent pranë atij komisioni, ku shërbeu disa muaj. Me punën e tij ai ndikoi shumë në vendimet e atij komisioni për vendosjen e vijës së kufirit, duke vërtetuar se të gjitha fshatrat e asaj zone, flisnin gjuhën shqipe.

Pasi Ferdi shërbeu edhe si drejtor i shkollës dhe i konviktit në fshatin Kastriot në Peshkopi, ai u transferua në Ministrinë e Arsimit në Tiranë, me motivacionin; “Për ide të shkëlqyera në fushën e arsimit dhe për rolin e shkollës në një shoqëri të qytetëruar”. Por edhe pse Ferid Jegeni punoi me një përkushtim të rrallë për disa dekada në përhapjen e arsimit shqip, gjatë viteve të regjimit komunist, puna dhe kontributi i tij u la në harresë, duke mos i’u dhënë vendi që i takonte.

Ferid Jegeni, mësuesi që hapi shkollat e para në Dibër;

Një ndër ata mijëra mësues të armatës së madhe të arsimtarëve shqiptarë, të cilët i’a kushtuan të gjithë jetën e tyre përhapjes së gjuhës shqipe dhe çështjes kombëtare, pa dyshim që mbetet edhe Ferid Jegeni. Një intelektual i njohur me origjinë nga Dibra e Madhe, puna dhe kontributi i të cilit, u la në harresë gjatë viteve të periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës. Nisur nga ky fakt, në shenjë homazhi dhe nderimi, Memorie.al po e kujton këtë misionar të shquar të arsimit shqip, duke sjellë në këtë shkrim një histori të shkurtër të jetës dhe punës së tij, kryesisht në lëmin e arsimit.

Shkollimi në Manastir, Selanik e Stamboll;

Sipas dëshmive dhe kujtimeve të disa prej pinjollëve të familjes së njohur Jegeni nga rrethi i Dibrës dhe të afërmve të tyre, Ferid Jegeni, i cili ishte djali i madh i patriotit të njohur, Tofik Jegeni, u lind në Dibër të Madhe, më 20 shtator të vitit 1893. Ata kujtojnë se Feridi vinte mesatar nga shtati, por kish një trup të lidhur, me sy depërtues dhe që shquhej jo vetëm për edukatën në të sjellur, por edhe për inteligjencën, gjë e cila shumë shpejt tërhoqi vëmendjen e mësuesve dhe shokëve të shkollës. Mësimet e para Feridi, i mori në qytetin e tij të lindjes, në Dibër të Madhe, ku dhe mbaroi me rezultate të larta shkollën qytetare, drejtor i së cilës në atë kohë ishte Abdyl efendi Tirana (Balla).

Nën drejtimin e të atit, Tofikut, bashkë me shumë djem të tjerë dibranë, Feridi mori mësimet e para në gjuhën shqipe me alfabetin e Stambollit. Mësimet e para në qytetin e lindjes, i mbaroi shkëlqyeshëm, duke u shpallur nxënësi më i mirë, dhe si shenjë stimulimi, nga drejtuesit e shkollës atij i dhuruan një orë prej floriri. Pasi mbaroi shkollën qytetëse në Manastir, Feridi, vazhdoi shkollën e mesme në qytetin e Selanikut në Greqi, ku ai u dallua në përvetësimin e gjuhëve të huaja. Si rezultat, në mbarimin e shkollës në Selanik, ai zotëronte shkëlqyeshëm turqishten, frëngjishten, arabishten dhe persishten. Pas kësaj ai ndoqi mësimet në kryeqendrën e Perandorisë Osmane, në Stamboll, duke studiuar për shkencat ekzakte (në matematikë), por u detyrua t‘i ndërpresë ato, pasi në atë kohë filluan trazirat e luftës ballkanike. Si rezultat i atyre ngjarjeve, familja u detyrua ta tërhiqte Feridin në Dibër, ku dhe nisi punën si sekretar krahinor në Komunën e Maqellarës, punë të cilën ai e vazhdoi deri në vitin 1915.

Hap shkollat në Zerqan;

Në atë periudhë kohe që Feridi shërbente si nëpunës në Komunën e Maqellarës, jashtë detyrës shtetërore, në mënyrë vullnetare, ai u mësonte të rinjve gjuhën shqipe. Por gjatë asaj kohe Feridin e brente lënia për gjysmë e shkollës në Stamboll dhe nisur nga ky fakt, ai i’u përvesh punës duke bërë të mundur që në vitin 1920, të jepte provimet dhe të merrte dëshminë e aftësisë për të dhënë mësim në shkollat e mesme të vendit. Pas kësaj, po atë vit, Feridi nisi detyrën e mësuesit në fshatin Patin të nënprefekturës së Matit.

Në dhjetor të vitit 1922, ai u emërua krahinar (kryetar komune), në trevën e Gollobordës. Sipas dëshmive të familjarëve të tij, Feridi, kujtonte shpesh se ajo periudhë kohe, kishte qenë vendimtare në përcaktimin e synimeve të tij, për t‘ju kushtuar përhapjes së gjuhës shqipe dhe mjaft problemeve të tjera që kishin të bënin me ç’ështjen kombëtare. Kjo është dhe periudha kur ai punoi intensivisht, me të gjitha fuqitë fizike e morale, për përhapjen e dijes e të kulturës në trevën e Dibrës. Në janar të vitit 1923, Feridi i bëri një kërkesë Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ku argumenton domosdoshmërinë e hapjes së shkollave shqipe në nënprefekturën e Zerqanit, krahinë e cila historikisht kishte qenë arsimdashëse dhe kishte nxjerrë jo pak figura të shquara, por që në atë kohë ishte lënë në harresë.

Kërkesa e Feridit u pranua menjëherë nga Ministria e Arsimit dhe me miratimin e saj ai nis punën për të realizuar qëllimin që i kishte vënë vetes. Për këtë gjë, Feridi bashkëpunoi ngushtë me këshillat e pleqve dhe popullin e asaj treve. Me ndihmën e tyre u ndërtuan privatisht dhe u hapën 7 shkolla shqipe në fshatrat: Trebisht, Ostren i Vogël, Borovë, Klenjë, Stërblevë, Lejcan, Lladomiricë. Mirëpo, edhe pse u bë e mundur hapja e shkollave në këto fshatra të thellë, Feridi nuk e quante të përfunduar misionin e tij dhe qëllimin që i kishte vënë vetes, pasi mungonin mësuesit që do të jepnin mësim në ato shkolla. Nisur nga ky fakt, Feridi, nis të përgatisë vetë kuadrin mësues, duke udhëtuar fshat më fshat, në një reliev malor dhe kushte klimaterike të ashpra, duke organizuar kurse për përgatitjen e mësuesve të rinj.

Funksionar në Ministrinë e Arsimit;

Në vitin 1924, Feridi krijon familje duke u martuar me një vajzë të re në Dibër të Madhe, e cila quhej Menduka Pustina, e bija e Ali Pustinës, nga familjet më të dëgjuara të Dibrës, mbesa e Nuredin Pustinës, dy personalitete, shoqërore e politike mjaft të njohura të asaj kohe. Ali Pustina ra heroikisht më 1914-ën, në luftë kundër pushtuesit serb, në zonën e Gollobordës. Sipas dokumenteve që ndodhen në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, (kutia nr.2, dosja 28, fleta 323, viti 1923), bëhet e ditur se Ferid Jegeni, ka shërbyer edhe si drejtor i shkollës dhe i konviktit në fshatin Kastriot në Peshkopi, duke qenë kështu i pari drejtor i emëruar i asaj shkolle të famshme, me mjaft emër jo vetëm në Qarkun e Dibrës, por edhe më gjerë.

Gjatë asaj periudhe që ai shërbeu pranë asaj shkolle, nuk mungojnë përpjekjet e jashtëzakonshme të Feridit për ta vënë punën në shkollë mbi baza shkencore dhe për të organizuar e sistemuar konviktin, i cili ishte i pari në atë trevë. Pas pesë viteve që shërbeu ai, në vitin 1928, Feridi transferohet në Ministrinë e Arsimit në Tiranë, me motivacionin; për ide të shkëlqyera në fushën e arsimit dhe për rolin e shkollës në një shoqëri të qytetëruar. Feridi u përpoq dhe punoi me një përkushtim të rrallë, për një zhvillim të arsimit shqiptar mbi baza ligjore, shkencore e pedagogjike.

Largimi nga Ministria e Arsimit, si person “non grata”;

Sipas dëshmive të familjarëve të tij, si një atdhetar dhe nacionalist i vendosur në çështjen kombëtare, në një kohë kur në arsimin dhe kulturën shqiptare kishin hyrë ideologji të huaja (ndikimi i metodave fashiste italiane), të rrezikshme dhe me pasoja për fatet e Shqipërisë, Ferid Jegeni, do të kundërshtonte, madje nuk do të lejonte ndërhyrjet imponuese në punën e arsimit shqiptar. Pikërisht për këtë qëndrim më 1938-ën, kur ishte funksionar në Ministrinë e Arsimit në Tiranë, në moshën 45-vjeçare, e nxjerrin në pension, si person “non grata”.

Pas kësaj, Feridi kthehet në vendlindjen e tij tepër i zhgënjyer, dhe për të mposhtur dhimbjen e njëkohësisht dhe pafuqinë e vet, fillon të merret me mbarështrimin e çifligut të familjes, në Sokolliq të Dibrës së Madhe. Atë punë ai e bënte bashkë me të vëllain, Musa Jegenin.

Ndihmon në shkollimin e të rinjve dibranë;

Gjatë periudhës kur Feridi punonte në Ministrinë e Arsimit, ku ai mbulonte edhe sektorin e bursave, ai bëri një përpjekje të madhe për t‘ju akorduar bursa shtetërore, mjaft fëmijëve dhe nxënësve dibranë dhe atyre të viseve të ndryshme të Kosovës. Kështu, gjatë asaj kohe shumë nxënësve nga trevat e Kosovës e të Dibrës, i’u dhanë bursa për të ndjekur shkollat e mesme dhe të larta, jo vetëm në shkollat, liceun pedagogjik dhe tregtar, apo në gjimnazin ushtarak dhe në shkollën Mbretërore Ushtarake në Tiranë e në qytetet kryesore të vendit, por edhe jashtë shtetit.

Në këtë periudhë, shumë djem dhe vajza dibrane u arsimuan me përkrahjen e Feridit, madje edhe të të vëllait të tij më të vogël, Isa Jegenit, i cili në atë kohë, ishte funksionar në Drejtorinë e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë. Vëllezërit Jegeni, që arsimimin e shihnin si një domosdoshmëri për mëvetësinë dhe përparimin e atdheut të tyre, pa shkelur parimin që t’u jepnin bursa nxënësve me nota shumë të mira dhe që ekonomikisht nuk kishin të ardhura financiare, mundoheshin të përkrahnin këta të fundit, të bindur se të pasurit do të mund t‘i mbanin fëmijët e tyre në shkollë me mundësitë e veta, e në këtë mënyrë rritej numri i të shkolluarve.

Feridi bënte punë agjitative dhe i nxiste familjet e të varfërve që të mos i pengonin fëmijët e tyre për të vazhduar shkollën. Madje, në shumë raste ua shkruante vetë kërkesat nxënësve. Një plejadë e tërë intelektualësh nga treva e Dibrës, jashtë dhe brenda kufirit, mbaruan shkollat e mesme dhe të larta, në sajë të kujdesit e ndihmës së madhe të Ferid dhe Isa Jegenit. Kështu vazhduan liceun e Korçës; Nazmi Uruçi, Akil Sakiqi, Muntaz Kodra e të tjerë djem dibranë, që më vunë u bënë kuadro të larta të shtetit shqiptar.

Në Shkollën Tregtare të Vlorës, studionin Xhevat Pustina, Remzi Verzivolli, Remzi Pustina etj. Në shkollën teknike “Harry Fultz”, Tiranë, studiuan Irfan Tërshana, Dali Ndreu etj. Po kështu, vëllezërit Jegeni kanë ndihmuar për të studiuar jashtë shtetit për shkencat mjekësore edhe Hiqmet Menzelnxhiun (Dibra), Abdulla Pashollin, Urfi Agollin, Shefqet Ndroqin etj., të cilët në specialitetet e tyre u bënë figura të shquara në mbarë vendin.

Kontributi i Jegenit, s‘u vlerësua nga regjimi komunist!

Por edhe pse Ferid Jegeni punoi me një përkushtim të rrallë për disa dekada në përhapjen e arsimit shqip, gjatë viteve të regjimit komunist, puna dhe kontributi i tij u la në harresë, duke mos i’u dhënë vendi që i takonte. Edhe pse në arkivat e shtetit shqiptar gjenden mjaft dokumente me relacionet e bërë kundër tij nga ana e legatës italiane, në periudhën kur Feridi punonte si drejtor drejtorie në Ministrinë e Arsimit në Tiranë, atij nuk i’u dha kurrë pensioni patriotik.

Madje, jo vetëm kaq, por veprimtaria e tij në fushën e arsimit shkollor, ku qe jo vetëm mësues i nderuar e drejtues shkolle, por edhe drejtor drejtorie në Ministrinë e Arsimit deri në vitin 1938, nuk u përmend as nga shkruesit e historisë së arsimit në Shqipëri. Në muajin nëntor të vitit 1963, i harruar krejtësisht nga shteti të cilit ai i shërbeu për dekada me radhë, Ferid Jegeni ndërroi jetë, pa marrë edhe pensionin që i takonte. Vetëm pas viteve ‘90-të, me propozimin e Ministrisë së Arsimit, Presidenti i Republikës, Sali Berisha, me dekretin nr.642, datë 3.9.1993, i dha titullin “Mësues i Merituar”.

Jeta dhe puna e mësues Feridit në kujtimet e nxënësve të tij;

“Ai ishte një misionar i vërtetë i arsimit shqip”

Sipas Vesel Pitarkës dhe Nefail Pustinës, ish-nxënës të shkollës qytetase të Kastriotit, Peshkopi, (shkollë ku kishte dhënë mësim Feridi), të cilët më vonë do të vazhdonin shkollën ushtarake në Tiranë, me ndërhyrjen e vëllezërve Jegeni, ata u dërguan për të studiuar në Itali. Përkatësisht për ‘Roje Finance’ dhe Inxhinieri, ‘Xhenier ushtarak’. Pas studimeve në Itali, Pitarka me Pustinën u kthyen në Shqipëri, ku patën një karrierë të shkëlqyer në fushat e tyre. Këta ish-nxënës të Ferid Jegenit, së bashku me shokët e tyre: Miftar Jegeni, Ahmet Jegeni dhe Hajri Jegeni, vite më vonë do të kujtonin: “Shkolla dhe konvikti “Dibra” në Kastriot të Peshkopisë, qenë ndër më të mirat e shkollave të vendit. Ferid Jegeni në atë kohë ishte drejtor i shkollës dhe i konviktit, i cili i rrinte mbi kokë vetë çdo pune. Flinte apo nuk flinte 4-5 orë gjumë në 24 orë, por ishte energjik dhe i papërtuar. Përveç kujdesit për përparim në mësime të nxënësve, ai u mësonte atyre të bënin një jetë të kulturuar, në çdo aspekt”. Një tjetër ish-nxënës i Feridit, Ruzhdi Shehu, oficer-akademist, kujton: “Ferid Jegeni atdhetarizmin e vet e manifestonte edhe në fushën fetare. Ai na i përkthente lutjet fetare nga arabishtja në shqip, që ne të luteshim në gjuhën tonë të bukur. Ai, kishte një shije të hollë, fjalë pak, por fjala e tij ishte për të gjithë bindëse. Ai, në kuptimin e vërtetë të fjalës, ishte një misionar i arsimit shqiptar, me zemër të madhe, fisnik, mësues i denjë dhe patriot i ndershëm.

Historia e Feridit me Komisionin Ndërkombëtar të Kufijve, që e bindi komisionin që t‘i linte fshatrat shqiptarë këtej kufirit

Ndërkohë që Feridi punonte në krahinën e Gollobordës, në zbatim të vendimeve të Konferencës së Londrës të vitit 1913, pas plot nëntë vitesh po përcaktohej në terren kufiri lindor i vendit tonë me Jugosllavinë, i caktuar që më 1913-ën, nga Traktati famëkeq i Londrës, nga një komision i ngritur për këtë qëllim. Në atë kohë, falë edhe gjuhëve të huaja që zotëronte, Feridi u thërrit si konsulent pranë atij komisioni, ku shërbeu disa muaj me radhë. Me punën e tij ai ndikoi shumë në vendimet e atij komisioni për vendosjen e vijës së kufirit, duke vërtetuar se të gjitha fshatrat e asaj zone, flisnin  gjuhën shqipe.

Jo vetëm familjarët e Ferid Jegenit, por edhe mjaft të moshuar të atyre zonave ku ai bashkëpunoi ngushtë me përfaqësuesit e huaj të kontrollit dhe ndarjes së kufijve, e mbajnë mend dhe tregojnë akoma në bisedat e tyre rreth odave dibrane, një histori të largët të ndodhur në ato anë kur ndahej kufiri. Ata tregojnë se si Feridi arriti të bindë Komisionin Ndërkombëtar të Kufijve, vetëm me anën e një manovrimi: Ai nxori nga xhepi një qese me para të vogla metalike (korona), dhe i’a dha një mësuesi në oborrin e një shkolle, duke e këshilluar t‘ua hidhte fëmijëve kur ata të dilnin në pushim.

Në prani të përfaqësuesve të Komisionit të Kontrollit të Kufijve, mësuesi dibran veproi ashtu si e porositi Feridi dhe menjëherë të gjithë fëmijët u hodhën për të marrë monedhat, duke thërritur: “Mora kaq, mora aq”. Bile nisën edhe të grinden. “Ma more p’i dore”, “Të marrtë drejqi” etj. Në këto çaste, Feridi u kthehet maqedonasve dhe u thotë: “Hë…, si flasin këtu fëmijët”?! Ata ngelën dhe deshën s‘deshën, thanë: “shqip”. Kështu, falë këtij manovrimi të Feridit, disa fshatra, si: Gjinovec, mali i Gjinovecit (1616 m. mbi nivelin e detit), mali i Raducit, fshati Vernica, Trebishti dhe të tjera, mbetën brenda kufirit tonë shtetëror. Madje, po të shikohet me vëmendje vija kufitare e atij sektori, pasi kufiri kalon nëpër kreshtën e masivit malor të Jabllanicës, në zonën që përshkruam më lart, ajo pëson një kurbim pikërisht te fshatrat dhe malet që treguam më sipër.

Për këtë histori kanë dëshmuar para disa vjetësh edhe Rasim Mata dhe i vëllai i tij, të cilët kishin qenë nxënës në shkollën kur ndodhi ajo histori që përshkruam më lart. Po kështu, lidhur me këtë ngjarje, ka dëshmuar edhe Ali Erebara, jurist dhe anëtar i atij komisioni. Kur është pyetur z. Ali Erebara për atë ngjarje, ai është shprehur: “Unë atë gjest që bani Feridi nuk kam me e harrue kurrë, nuk e ka ba njeri deri më sot. Por ai, Feridi ka shumë merita, sidomos në përhapjen e arsimit në atë zonë. Për këtë ka dokumente në arkiv, sepse çdo gjë është shënuar në procesverbalin e përcaktimit të kufijve”./Memorie.al/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Mësuesi Osman, i plagosur e i burgosur, dhe Afërdita, vajza e mësueses Nafije

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti ka takuar dy mësues të vecantë me rastin e ditës së mësuesit, shkruan KultPlus.

Më poshtë keni të plotë njoftimin e kryeministrit Kurti.

Mësuesi Osman, i plagosur e i burgosur, dhe Afërdita, vajza e mësueses Nafije

Me mësuesin Osman Jakupi nga Baksi ishim bashkë në burgjet e Serbisë. Ai ishte i plagosur e i burgosur, i malltretuar edhe në spital përveçse i torturuar në burg. Katër anëtarë të familjes i ka të vrarë gjatë luftës, e vetë mësues me ditar në dorë për 45 vjet e 5 muaj.

Ndërkaq Afërdita është vajza e vetme e mësueses sime Nafije Dobruna-Deva. Kur unë isha nxënës i fillores Afërdita ishte studente e Matematikës, pastaj ajo u bë profesoreshë në Gjimnaz e mandej Asistente në Fakultet të Ndërtimtarisë, në lëndët Matematikë I, II dhe III.

Sot, më 7 Mars, i takova për t’ua uruar Ditën e Mësuesit./ KultPlus.com

“Gabimi i një doktori varroset në tokë, gabimi i një arkitekti bie në tokë, kurse gabimi i një mësuesi ecën nëpër tokë”

Thënie të pavdekshme nga Dritëro Agolli:

“Gabimi i një doktori varroset në tokë. Gabimi i një arkitekti bie në tokë, kurse gabimi i një mësuesi ecën nëpër tokë”.

“Vetëm gjuha e muzikës, verës dhe dashurisë nuk ka nevojë të përkthehet”.

“Nëse njeriu nuk ndjen as kënaqësi, as dhimbje; nëse nuk ndjen as gaz, as hidhërim, as shpresë, një gjë po jua them me ndershmëri dhe bindje, lëreni të vdesë”.

“Ka fjalë që qajnë dhe lotë që flasin”.

“Për të gjetur miqësinë e vërtetë kapërcehet lumi, për të gjetur dashurinë e vërtetë deti”.

“U zumë të dy aq shumë për punën
Dhe s’flasim dhe s’vemë e s’vijmë!
Eh, budalla!
Edhe dhëmbët zihen me gjuhën,
Zihen dhe bashkë rrinë”.

“Dashuria është një libër që e lexojnë të gjithë, por të paktë janë ata që arrijnë deri në faqen e fundit”.

“Duaje gruan edhe me gabime, ashtu siç do një libër të bukur edhe me gabime shtypi”.

“Dashuria nuk i dhuron, por i jep të gjitha. Ndofta kjo mund të mos jetë e përjetshme, por i përjetshëm mbetet çasti”.

“E vërtetë e pabesueshme
E mbajta në krah tërë ditën
Edhe zemër i dhashë:
‘Mbahu!’
Të nesërmen ne fshat kur arritëm,
U tha te tjerëve:
‘Më rrahu!’”

“Jeta është e vështirë . Po vdekja ? Kur do të kthehet ndonjëri të na tregojë?”. / KultPlus.com

Kur mësuesit anglezë u ndaluan në Shqipëri, pasi iu mundësuan studentëve ndëgjimin e Beatles

Nga Aurenc Bebja, Francë – 1 Nëntor 2020

“Paris-presse” ka botuar, të shtunën e 6 majit 1967, në faqen n°8, një shkrim në lidhje me arsyen e zëvendësimit të mësuesve anglezë me ato francezë në kohën e regjimit komunist në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Francezë, mësues të anglishtes në Shqipëri

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Franca i siguron mësues të anglishtes Shqipërisë.

Deri në vitin e kaluar shkollor, ishin anglezët që u mësonin shqiptarëve gjuhën e Shekspirit. Por qeveria e Tiranës nuk rinovoi kontratat e tyre pasi ata u mundësuan studentëve të tyre dëgjimin e disqeve (këngëve) të Beatles-ave.

The Beatles
The Beatles

Shqiptarët më pas iu drejtuan Francës, e cila mban marrëdhëniet më të mira me të vetmin shtet komunist pro-kinez në Evropë.

Frengjishtja është gjithashtu gjuha më e mësuar në Shqipëri pas rusishtes.

Franca gjithashtu furnizon Shqipërinë me grurë që i paguhet drejtpërdrejt në dollarë nga kinezët. / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/paris-presse-1967-pasi-u-mundesuan-studenteve-te-tyre-degjimin-e-kengeve-te-beatles-ave-mesueset-angleze-ndalohen-ne-shqiperi/?fbclid=IwAR17zRufkdNVQhyB9Ca5Y29P1Lga-4I0ImgMcoU9AmuTDXb0wp4KjoYyPhw