Konkurs ndërkombëtar për restaurimin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, pika e parë e rendit të ditës ishte projekti për restaurimin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se për projektin do të shpallet një konkurs ndërkombëtar.

Në mbledhje u miratua vendimi për aprovimin e kritereve, kushteve për shpalljen e konkursit si dhe procedurat e aplikimit të përzgjedhjes së projektit.

Kujtojmë që vitin e kaluar MKRS ka ndarë mbi 45 mijë euro për restaurimet emergjente brenda kompleksit të Jasharajve.

Këto ndërhyrje u bënë për të mënjanuar rrezikun e shembjes, së kompleksit. / KultPlus.com

Konkurs Ndërkombëtar për muzeun “Besa”

Ministria e Kulturës ka shpallur konkursin ndërkombëtar për projektide mbi restaurimin dhe muzealizimin e Muzeut “Besa”.

Qëllimi i konkursit është të përftohen koncepte bashkëkohore dhe vizionare për ndërhyrje të karakterit arkitekturor dhe restaurues për rehabilitimin dhe adaptimin e objektit ekzistues me status “Monument Kulture”, kategoria I, si dhe ndërhyrje rijetësuese, të cilat synojnë krijimin e një hapësire të re kulturore të shtuar në kryeqytet.

“Muzeu i Besës” lartëson një nga vlerat më të rëndësishme të trashëgimisë identitare të krijimit të kombit shqiptar.

Ky kod i pashkruar ka orientuar shoqërinë, duke ruajtur ekuilibra moralë dhe shoqërorë. Në cilësinë e fjalës, ajo kornizon sot një popull, i cili orientohet e beson në forcën e fjalës, duke i dhënë asaj një peshë gati hyjnore.

“Besa” nuk është vetëm një muze, ajo do të shërbejë si një pikë takimi, qendër dialogu për shkëmbime kulturore e më tej.

Ndërhyrjet në këtë objekt do të zhvillohen në tre linja: ndërhyrje restauruese, ndërhyrje rijetësuese/funksione të reja si dhe muzealizim.

Konkursi do të zhvillohet në dy faza. Faza e parë ka të bëjë me shprehjen e interesit, në përfundim të së cilës do të shpallen 5 finalistë që do të shpërblehen me çmimin 40,000 euro secili.

Faza e dytë është projektkoncepti, finalisti i së cilës do të lidhë kontratën për hartimin e projektzbatimit. /atsh / KultPlus.com