Bad News Eagles triumfojnë në finale, shkojnë në kualifikimet për “ESL Pro League”

Bad News Eagles e kanë arritur një tjetër sukses mbrëmë.

Ekipi kosovar arriti të fitonte finalen e turneut “RES Adriatic League”, duke mposhtur në finale ekipin Zero Tenacity.

Ishte një ndeshje e dominuar totalisht nga djemtë kosovarë, të cilët fituan lehtësisht në dy hartat, shkruan Gazeta Express.

Kësisoj, BNE shpërblehet me 4567 dollarë dhe sigurojnë biletën për pjesëmarrje në kualifikimet për ligën më të fortë në botë, “ESL Pro League”. / KultPlus.com

“E keqja neve na vjen prej njani-tjetrit, prej shqiptarëve. Na s`kemi dashuni, kemi inate, e mllef” (VIDEO)

At Zef Pllumi është një nga figurat më të ndritura shqiptare, i cili njohu çdo të mirë dhe të keqe të kombit tonë, madje kjo shihet qartë në një intervistë të rrallë televizive të cilën e kishte dhënë në një moshë të shtyrë, por me mendje të kthjellët, shkruan KultPlus.

Në një pjesë të intervistës, gazetarja e pyet se prej nga ju vjen e keqja shqiptarëve, At Zefi përgjigjet me një bindje të plotë dhe me një zhgënjim të thellë në fytyrën e tij.

 “E keqja neve na vjen prej vetvedit, prej njani-tjetrit, prej shqiptarëve. Na s`kemi dashuni njani me tjetrin, kemi inate, e mllef e kurgja tjetër…Kjo asht e keqja e madhe që na vjen…që na ka ardhë historikisht”, shprehet At Zef Pllumi.

Një burrë i urtë dhe një mendimtar, frati françeskan ka qenë publicist e shkrimtar dhe gjithmonë në kërkim të të vërtetës. Ai vdiq në vitin 2007 në Romë të Italisë.

“Kjo është e keqja e madhe që na vje e që na ka ardhë historikisht”, tregon At Zef Pllumi në vazhdimësi të kësaj interviste. / KultPlus.com

Katër arsyet pse duhet të lexoni libra të vjetër klasikë

Me kaq shumë libra të rinj që botohen çdo vit, mund të jetë sfiduese të gjesh kohë për të rilexuar klasikët që kanë zënë pluhur në raftet e bibliotekës tuaj. Megjithatë leximi i librave më të vjetër, sidomos i atyre që quhen si “klasikë”, është një praktikë e vlefshme për të cilën duhet të gjejmë më shumë kohë. Ja cilat janë 4 arsye kryesore pse duhet ta bëni këtë.

Nga Kevin Dikinson

Imagjinoni sikur po kërkoni librin e ardhshëm që do të lexoni. I hidhni një sy raftit të librave, duke kërkuar për titujt ende të palexuar. Midis tyre ka disa libra më të vjetër, dhe ju ndiheni në faj për ata klasikë që keni dashur gjithmonë t’i lexoni, por që nuk i keni lexuar ende. A është sot dita kur më në fund do të zgjidhni të tërhiqni njërin prej tyre nga rafti? Është një dilemë e zakonshme e lexuesit. Por më shpesh ju zgjidhni një libër më të ri, që duket më i rëndësishëm për interesat tuaja dhe botën përreth jush. Dhe është e kuptueshme që do të dëshironit të eksploroni çështjet më urgjente të aktualitetit, të mbani të përditësuara njohuritë tuaja dhe të mbështesni shkrimtarët e gjallë, veprat e të cilëve ju pëlqejnë.

Kjo qasje kërkon leximin e librave modernë. Dhe me kaq shumë libra të rinj që botohen çdo vit, mund të jetë sfiduese të gjesh kohë për të rilexuar klasikët që kanë zënë pluhur në raftet e bibliotekës tuaj. Megjithatë leximi i librave më të vjetër, sidomos i atyre që quhen si “klasikë”, është një praktikë e vlefshme për të cilën duhet të gjejmë më shumë kohë. Ja cilat janë 4 arsye kryesore pse duhet ta bëni këtë:

  1. LEXONI LIBRA TË VJETËR PËR TË KUPTUAR MË MIRË NJERËZIT

Një pengesë për të lexuar libra të vjetër, është mendimi se vepra të tilla janë të vjetruara. Për të jetuar jetën, nuk keni nevojë të kuptoni ndërlikimet e luftës mesjetare kineze, betejat e klasës punëtore në Epokën Viktoriane, apo mitet e njerëzve që mendonin sinqerisht se bota ishte mbështjellë një gjarpër gjigant. Por e vërteta është se librat e vjetër, mund të na ofrojnë ende njohuri të vlefshme për cilësitë universale që na bëjnë njerëz. Edhe pse besimet dhe njohuritë tona kolektive kanë ndryshuar, betejat themelore me të cilat përballemi, pyetjet që bëjmë, dhe vlerat që mbrojmë pasqyrohen që të gjitha në shkrimet e autorëve nga brezat e kaluar.

Aristoteli, Spinoza dhe Dekarti, ishin në mëdyshje rreth problemeve që i mundojnë ende sinqerisht filozofët. Tomas Pein dhe Karl Marks, vazhdojnë të formojnë mënyrën se si ne e shohim politikën, organizimin shoqëror dhe të drejtat e njeriut. Dhe ndërsa shumica prej nesh nuk besojnë se fatet tona janë të shkruara tek yjet, ne ende shikojmë drejt qiellit për përgjigje në lidhje me misteret e mëdha të natyrës.

Në letërsi, tregimet dhe temat që magjepsën lexuesit shekuj më parë, vazhdojnë të kenë jehonë edhe sot. Krenaria e Odiseut, pasioni i personazheve të Shekspirit dhe frika ekzistenciale e Ivan Iliç, mbeten karakteristike edhe në jetën e sotme. Leximi i librave të vjetër, na lejon pra të përfshihemi në këtë kozmopolitanizëm historik, duke eksploruar humanizmin tonë të përbashkët jo vetëm në kulturë, por edhe në kohë.

  1. LEXONI LIBRA TË VJETËR PËR TË RIVLERËSUAR BOTËN MODERNE

Me mendësinë e sotme, mund t’i shohim ende idetë e librave të vjetër si idioteske, fanatike apo thjesht të gabuara. Gjithsesi, është e rëndësishme të mos harroni se autorët e këtyre librave u formuan nga koha, kultura dhe njohuritë kolektive të epokës së tyre. Ata nuk ishin në gjendje të shihnin paragjykimet dhe supozimet e tyre, të cilat tani janë të qarta për ne falë distancës së historisë. Po ashtu, ne duhet të pranojmë se nuk jemi të imunizuar ndaj paragjykimeve dhe supozimeve. Ato e mjegullojnë ende aftësinë tonë për të zgjidhur probleme komplekse, për t’u përfshirë në debate domethënëse, dhe për të zbuluar misteret që na duken të pazgjidhshme.

Brezat e ardhshëm do t’i shohin librat e epokës tonë me të njëjtën ndjenjë mosbesimi. Librat e vjetër mund të na ndihmojnë të ruhemi nga këto kufizime, duke u zhytur në kulturat dhe idetë e epokave të mëparshme. Xhefri Brenzel, pedagog në departamentin e filozofisë Universitetin Jeil, SHBA e quan këtë “vlera e habisë”. Ai e krahason leximin e librave të vjetër me udhëtimin jashtë vendit. Pasi përjetojnë një kulturë tjetër, shumë udhëtarë kthehen në shtëpi dhe e shohin ndryshe kulturën e tyre. Ndaj janë më mendje-hapur ndaj supozimeve që kishin dikur, dhe mësojnë t’i rishqyrtojnë ato në një mënyrë më tërësore. Librat e vjetër na e ofrojnë këtë lloj udhëtimi mendor.

  1. LEXONI LIBRA TË VJETËR PËR T’U BASHKUAR DISKUTIMEVE TË SHKËLQYERA

Filozofi Alfred Uajthed shkroi:”Është e pamundur të studiosh historinë e mendimit perëndimor pa u ‘përplasur’ me Platonin dhe Sokratin në çdo cep”. Shumë njerëz supozojnë se pikëpamjet e krishtera vijnë direkt nga Bibla. Në fakt, ato evoluan nga një traditë intelektuale që shtrihej në shekuj dhe që është sa greko-romake aq edhe ungjillore. Pikëpamjet e Apostullit Pal, u ndikuan shumë nga traditat greke të Platonit dhe Aristotelit. Pali dhe Platoni do të kishin që të dy një ndikim të madh mbi Shën Agustinin. Dhe pikëpamjet e Augustinit do të ndikonin tek Toma Akuni, që nga ana e tij do të ndikonte tek Dante Aligieri, dhe ky i fundit tek Xhon Milton.

  1. LEXONI LIBRA TË VJETËR SEPSE ATA JU “THËRRASIN”

Librat e vjetër mund të jenë frymëzues, shpërblyes, sfidues, emocionues dhe provokues. Ato mund të na rrënjosin jo vetëm njohurinë dhe mençurinë, por edhe gamën e plotë të emocioneve njerëzore. Siç e tha dikur me ironi Mark Tuein:”Një libër klasik është diçka që të gjithë duan ta kenë lexuar, por që askush nuk dëshiron ta lexojë…”.

Për t’u distancuar nga ky mentalitet, mos iu qasni librave më të vjetër ashtu siç kemi bërë në shkollë. Ato nuk janë një barrë që duhet ta mbani për t’u arsimuar, kulturuar apo për të kaluar ndonjë provim të fshehtë të jetës. Nuk do të merrni ndonjë notë për to. Përkundrazi, prisni derisa një klasik i veçantë “t’ju thërrasë”. (Big Think) / KultPlus.com

95 vjet nga lindja e kompozitorit të madh dhe një nga themeluesit e muzikës klasike shqiptare, Çesk Zadeja

Çesk Zadeja lindi më 8 qershor të vitit 1927 në Shkodër, në një familje qytetare, shkruan KultPlus.

Mësimet e para i mori në vendin e lindjes, në shkollën françeskane, ku krahas mësimit të përgjithshëm, merr dhe njohuritë e para të muzikës.

Ka qenë anëtar i korit të Kishës Françeskane që drejtohej nga kompozitori i shquar patër Martin Gjoka dhe më vonë nga Filip Mazreku e Prenk Jakova.

Që në vegjëli, në qytetin e lindjes u angazhua në grupet amatore. Shfaqi që herët talentin e tij dhe si nxënës 14-vjeçar studion në Accademia di Santa Cecilia në Romë, Itali, me kompozitorin Umberto Semproni.

Ai ishte i njohur për kompozimet e tij, sikurse “Suita e Veriut”, “Suitë korale”, “Skica simfonike”, Poema vokale” etj, derisa ishte dekoruar edhe me “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta.

Vdiq në Romë, më 15 gusht 1997. /KultPlus.com

Shkenca tregon arsyen pse disa persona e kanë të vështirë të orientohen në hartë

A jeni ju një nga ato njerëzit që nuk orientoheni dot në hartë? Kjo nuk është një shenjë që po “humbisni mendjen”, por e ka përgjigjen shumë më thellë nga sa e mendoni ju! Pikërisht te e kaluara juaj!

Sipas hulumtimit të fundit nga shkencëtarët britanikë dhe francezë të botuar në Nature, të qenit i rritur në fshat dhe periferi ju ka bërë që të keni një sens orientimi më të mirë në krahasim me qendrat e mëdha urbane ku rrugët formojnë një rrjet që shkojnë në kënde të drejta ndaj njëri-tjetrit dhe me tabela që ju ndihmojnë që të shkoni në destinacion.

Në studim, rreth 400,000 pjesëmarrës nga 38 vende duhej të lundronin varkën e tyre në një mjedis dixhital për të gjetur të gjitha pikat e kontrollit që ishin shënuar në hartë. Bëhet fjalë për Sea Hero Quest, një lojë smartphone e zhvilluar për kërkimin e Alzheimerit.

Performuesit më të këqij ishin njerëzit që u rritën në megaqytete si Çikago dhe Nju Jorku, në krahasim me qytetet si Praga ku rrugët nuk janë të vendosura sipas një modeli rrjetëzuar./ a2cnn / KultPlus.com

TEA, aplikacioni që lehtëson udhëtimet në Shqipëri

Sezoni turistik ka filluar dhe këtë vit do të jetë edhe më e lehtë për të organizuar pushimet apo udhëtimet e shkurtra të fundjavës.

Gjatë një interviste televizive ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se, “për t’i shërbyer sa më shumë mbarëvajtjes së sezonit turistik, sivjet jemi rikthyer fuqishëm me një ofertë që e kemi quajtur kalendari turistik kulturor”.

“Për pak ditë ne hedhim në treg një aplikacion të veçantë që do të jetë i aksesueshëm falas në të gjithë telefonat. Aplikacioni do të ketë një emër shumë të thjeshtë: TEA, që është Tourism Event of Albania, pra Eventet Turistike të Shqipërisë në të cilin mund të gjendet në çdo kohë dhe në çdo vend çfarë po ndodh dhe çfarë do të ndodhë gjatë gjithë sezonit turistik si aktivitete”, informoi Kumbaro.

Ministrja sqaron se mjafton të vendosësh vendndodhjen dhe aplikacioni do të nxjerrë rezultatet ku veprimtaritë do të jenë të dedikuara për të gjitha grupmoshat.

Kumbaro tha se, “për këtë kemi një bashkëpunim të dedikuar me të gjitha bashkitë, me të gjitha organizatat, me ambasadat, ndërkohë ndodhin javët kulturore të cilat organizohen nga ambasada të ndryshme nën koordinimin e Ministrisë së Kulturës, por edhe Ministria e Kulturës dhe Ministria e Turizmit kemi koordinuar eventet tona duke patur edhe një program shumë të mirë nga institucionet tona të kulturës siç është Cirku, siç është Teatri i Kukullave, siç është TKOB, Teatri Kombëtar, evente gjithashtu të organizuara në mënyrë të dedikuar nga Ministria e Turizmit në bashkëpunim me kompani të ndryshme të organizimit të eventeve të cilat do të shtrihen gjatë gjithë sezonit, gjatë gjithë territorit, për të gjitha grupmoshat dhe do të jenë me data, vendndodhje dhe tipologji”.

Kumbaro tha se aplikacioni TEA do të jetë i mundur të aksesohet përgjatë javës së ardhshme./ atsh / KultPlus.com

Veliaj: Jakov Xoxa, ndër figurat më të rëndësishme të letërsisë sonë moderne

 Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha sot se “shkrimtari dhe studiuesi i njohur i letrave shqipe, Jakov Xoxa ishte një  nga figurat më të rëndësishme themeluese të letërsisë moderne shqiptare”.

Veliaj mori pjesë në aktivitetin e zhvilluar sot nga Akademia e Shkencave në përkujtim të 100-vjetorit të lindjes Jakov Xoxës morën pjesë shkrimtarë, akademikë dhe figura të njohura të artit dhe të letërsisë shqipe.

“Shpesh mendojmë si do ishte greqishtja pa Homerin, si do ishte italishtja pa Danten, si do ishte spanjishtja pa Servantesin apo frëngjishtja pa Gi de Mopasan, rusishtja pa Tolstoin e gjuhë të tjera pa Kafkën, pa Kunderën. Gjuhët, patjetër që janë produkt i disa vendimmarrjeve, rregullsive dhe ligjësive që vendosen nëpër Kongreset e Gjuhës, të cilave nuk duhet me i heq asnjë meritë, por pyetja është: kush e lëvron gjuhën, kush i jep formë asaj? Unë besoj fort se për gjuhën shqipe Kadareja, Agolli, Kongoli, Jakov Xoxa, janë padyshim nga figurat më të rëndësishme themeluese të letërsisë moderne shqiptare”, tha Veliaj.

Ai kujtoi po ashtu edhe kontributin e veprës së tij, sidomos në lidhjen mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës.

“E kemi sot fatin të kujtojmë një nga njerëzit që shpëtoi disa nga fjalët e gjuhës shqipe dhe eksploroi, ndoshta për herë të parë, raportin special mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës – të ndarë pa meritë, pa moral, nga historia dhe nga konfliktet e kohës – në romanin “Lumi i vdekur” apo dhe vepra të tjera. Shpeshherë ngurrojmë t’i japim meritën e duhur atyre që e kanë lëvruar, që e kanë punuar Gjuhën Shqipe. Sot jam vërtet mirënjohës për ata që e kanë kujtuar Jakov Xoxën”, tha Veliaj.

Ai shtoi se ndihet krenar që sot në Tiranë ka hapësira ku ruhen vlerat artistike të autorëve të mëdhenj.

“Sot jam vërtet krenar për ç’ka kemi bërë në Tiranë. Tirana nuk është perfekte ka disa gjëra që janë bërë shumë mirë, ka ende shumë punë për të bërë – por një nga gjërat që kemi bërë shumë mirë është rikthimi i disa hapësirave në qytet, si shtëpia “Kadare” apo shtëpia “Agolli”. Sigurisht, është kyç, siç kemi pasur bashkëpunim me familjen Agolli dhe me familjen Kadare, edhe bashkëpunimi i familjarëve, për të pasur ato artefakte. Unë besoj se për Jakov Xoxën, edhe si babai i stërnipit të tij, mund ta kem edhe më të thjeshtë në sigurimin e artefakteve dhe lënien e një kujtese për një gjeneratë tjetër”, tha më tej kryebashkiaku.

Shkrimtarit Jakov Xoxa iu dha edhe titulli Nderi i Akademisë së Shkencave (pas vdekjes)./atsh/KultPlus.com

Shpirti i nji qyteti me shi

Poezi nga Rozafa Shpuza

Mirë se t’gjeta qyteti jem,
me pellgje përmbytun prej ngutit të biçikletave,
strehë t’qindisuna me hej malli,
gjethnaja t’bame zhubël
si teshat e dashnorëve ndër oda hotelesh,
hapa të stërpikun me sekrete rrugicash,
çadra që flirtojnë me ritëm shtrëngatash,
gështenja që gërsasin mbi ethe zgarash
e frymë stërgjyshash t’ngujuem ndër korniza.
Mirë se t’gjeta qyteti jem…
M’gjegjet veç nji bubullimë
që shkapetë dritaret e harrueme çilë,
teksa zigzagu i vetimës arrnon retë e shkyeme.
S’ka vransinë që ia shuen etjen qytetit tem,
anipse shinat s’prajnë tue ia njomë
buzët zhuritun mallit.
Litarë shinash e përkundin prajshëm
e qyteti miklohet si mica afër votrës…
Por askush s’vëren avullin e mbas-shiut
kur ngutet me rrokë gjokset e tjegullave
ku përplasin krahët pëllumbat,
që nisen saora me shpuplue dashni t’bame qullë,
bashkë me mirazhe andrrash
përqafun me tym oxhakësh vetmitarë.

Nata ka me shprazë prore shi
e refreni i qytetit ka me nisë sparit… / KultPlus.com

Thënie të mençura nga Sami Frashëri

Sami Frashëri është një nga persoanlitetet e shquara të botës shqiptare.

Ai përpos që konsiderohet udhëheqës ideologjik, konsiderohet edhe një nga figurat kyqe të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Samiu ishte vëllau i vogël i dy atdhedashësve të mëdhenjë gjithashtu, Naim Frashërit dhe Abyl Frashërit.

Më posht gjeni disa nga thëniet e tij plotë urtësi:

·        Një komb që nuk është në gjendje të dallojë lirinë nga robëria, është një fëmijë që ka nevojë të vazhdojë në shkollën foshnjore.

·        Edukimi nuk është për ta zhveshur njeriun nga natyra, por për të ushqyer moralin e tij brenda natyrës së tij.

·        Edukimi nuk humb te njeriu me mendje dhe zgjuarësi të kufizuar, por mendja dhe zgjuarësia humbin te njeriu i paedukuar.

·        Edukata shumëherë i ngjan velit, i mbulon të metat e njeriut, por nuk i zhduk.

·        Edukata është një petk që do ta veshë njeriun derisa do të jetë gjallë, prandaj duhet pasur kujdes që të jetë sa më e përsosur.

·        Edukimi e mund natyrën, sepse e pastron zemrën e njeriut nga veset e liga, që ka vendosur natyra, dhe e mbush me veti të mira.

·        Edukatë në bashkëbisedim nuk është vetëm të flasësh fjalë të mira, është konditë të mos flasësh fjalë të ligë dhe të mos e lesh tjetrin ta thotë.

·        Ajo që qeveris botën nuk është as forca, as ligji, por është mirësjellja dhe edukata.

·        Dituria dhe shkenca i jep njeriut një armë në dorë, edukata e stërvit në përdorimin e asaj arme. Njeriu që nuk është i zoti të përdorë armën, po t’i jipet në dorë mund të vrasë shokët e vet; edhe një dijetar pa edukatë dhe me vese të liga, me diturinë e tij dëmton veten dhe të tjerët.

·        Edukata është një nevojë ashtu si drita dhe ashtu si bëhet errësirë në atë vend që nuk ka dritë po ashtu aty ku nuk ka edukim nuk ka as edukatë.

·        Përhapja e diturive në popull duhet të bëhet nëpërmjet thjeshtëzimit të shkencës.

·        Mendja e një kombi është arsimi, zemra e tij, morali i përgjithshëm.

·        Arsimi dhe qytetërimi i ngjajnë diellit që kur lind ndriçon vetëm majat e maleve të larta me një dritë të zbetë por pa shkuar gjatë i forcohet drita dhe nga shkëlqimi i tij përfitojnë përrenjtë më të thellë dhe fushat e luginat.

·        Mendimet e larta gjenden në fjalë të shkurtëra.

·        Njeriun e bëjnë të përjetshëm veprat e tij.

·        Detyra jonë kryesore ndaj njerëzisë është të studiojmë dhe të mësojmë (të tjerët) pa u mërzitur.

·        Në vend që të shesësh dituri dhe zotësi, përpiqu t’i fitosh ato.

·        Më parë se për pasurinë, mjeshtërinë dhe tregtinë e një bashkësie (njerëzore), duhet menduar për edukimin e saj, sepse edukata e mirë është baza e bashkësive njerëzore.

·        Njeriu mirret me dituri dhe me shkencë gjatë gjithë jetës së tij. Në fëmijëri i mëson ato, në rini i vë në zbatim e në pleqëri mëson të tjerët.

·        Njerëzit janë të njejtë para natyrës, edukata i bën të dallohen (njëri nga tjetri).

·        Njeriu me sa të rrojë më shumë sheh dhe më shumë mëson.

·        Njeriu në të njëjtën kohë është edhe nxënës edhe mësues.

·        Duhen shumë mend që të mund të shoqërohesh me njerëz pa mend.

·        Sikundër që trupi ka nevojë për pastërti ashtu edhe shpirti për arsim.

·        Si flaka e shkrepsës me kokë poshtë, që është më e fortë, ashtu edhe virtytet e dijetarit të rënë në fatkeqësi duken më qartë.

·        Shërbimin që bën arsimi për përmirësimin e një kombi, ligji s’mund ta bëjë kurrë.

·        Dituria është e gjatë, jeta e shkurtër.

·        Njeriu duhet të përpiqet të mësojë çdo gjë, jo të tregojë veten e tij.

·        Ato çka di njeriu, në krahasim me çka nuk di, janë kurgjë.

·        S’mund të njihet për dijetar askush, pos atij që mposht epshin e vet.

·        Dijetar (filozof) është ai që i përshtatet puna fjalës së tij e fjala opinionit të tij.

·        Zgjuarësia është një dritë hyjnore, ndriçimi i së cilës ndrit jo vetëm sipërfaqen e sendeve, por edhe brendinë e tyre.

·        Babai që neglizhon edukimin e së bijës, përgatit turpin e vet dhe shkatërimin e dhëndrit të tij.

·        Një komb endacak me moral të shëndoshë është një mijë herë më i pëlqyer se një komb i qytetëruar me moral të prishur.

·        Dijetari (filozofi) nuk ndjek çdo zakon të vendit të tij, por përpiqet për zhdukjen e zakoneve të liga të bashkëkombësve të tij.

·        Dajaku e bën të paedukuar njeriun e edukuar; të paedukuarit ia shton edhe më shumë atë.

·        Grada e qytetërisë dhe e moralit të një populli kuptohet nga këngët dhe lojërat e tij.

·        Gjithësecili dëshiron t’i shohë njerëzit e mëdhenj, por më mirë është të shohësh veprat e tyre, d.m.th. të shohësh ata vetë, sepse idetë e tyre s’kuptohen nga fytyrat e tyre, por dallohen nga veprat e tyre.

·        Mos e qorto atë që ka rënë në greminë pse nuk i dëgjoi këshillat tuaja, as mos e këshillo përsëri. Po e nxorre nga gremina që ka rënë, atëherë ai panon këshillat e tua.

·        Mendojmë se njeriu vdes dhe shkon, mirëpo të vdekurit janë ata që edukojnë fëmijët tanë, që na mësojnë dituritë dhe shkencat, kur marrim në dorë një libër dhe e lexojmë në vetmi në një çip dhe, sipas rastit, ata na bëjnë të qeshim apo të qajmë.

·        Biseda lind nga mendimi; biseda pa mendim nuk eshtë bisedë, është grindje.

·        Ai që pranon këshilla, është më i madh se ai që jep, sepse, sa lehtë është të japësh këshilla. aq rëndë është t’i pranosh.

·        Kush nuk dëshiron të humbasë për jetë privilegjet e tij, duhet të lëshojë ca prej tyre me dëshirën e tij, sepse druri rritet më shumë kur krasitet.

·        Ai që nuk është në gjendje të ecë në rrugë të sheshtë, mos e shtrëngo t’i ngjitet malit.

·        Aq sa ka nevojë personi me përvojë, por i paditur, për ndihmën e dijetarit, edhe dijetari i papërvoje ka po aq nevojë për ndihmën e atij që ka përvojë, por që nuk është i ditur.

·        Po të nderoheshin dhe të çmoheshin dijetarët kur janë gjallë ashtu sikundër lartësohen pas vdekjes së tyre, nuk do të mbetej njeri pa u bërë dijetar në botë.

·        Mëson shumë ai që plotëson çka di dhe përpiqet të përvetësojë çka nuk di, ai që le mangut çka di dhe çohet të mësojë gjëra të tjera, nuk mëson kurrëgjë.

·        Njeriu ka nevojë për arsim ashtu si bima për ujë. Ashtu sikundër që thahet pema kur është e njomë, po nuk u vadit, edhe njeriu thahet shpirtërisht po nuk u edukua qysh në fëmijëri (vogëli), sepse nuk i mbetet gjë për t’i shërbyer njerëzimit.

·        Njeriu, para së gjithash, duhet të mësojë shkallën e paditurisë së tij.

·        Konfucio thot: “Njeriu me mendje të përsosur dhe me përvojë s’ngutet kur do të vendosë për një punë; guximtari nuk trembet nga asnjë gjë dhe ai që do t’i shërbejë njerëzimit nuk ndikohet nga mirëqenia apo fatkeqësia e tij.”

·        Në qoftë se ka dy dijetarë të pagabueshëm, njëri është prova.

·        Idetë e mëdha formohen te shpirtërat e mëdhenj.

·        Sa ka frikë kusari nga qeveria, edhe tirani aq trembet nga shkrimtarët, e sidomos nga historianët.

·        Nuk duhet dyshuar për ndershmërinë e atij njeriu që e shajnë dhe e përbuzin lajkatarët.

·        Është trimëri e madhe të heshtësh në tubimin e lajkatarëve.

·        Historia është një procesverbal, i cili ligësitë e shekullit të tanishëm ia përcjell për gjykim gjykatës së opinionit publik të shekujve të ardhshëm.

·        Paanësia është ajo që shkruan historinë, historia që shkruhet nga anësia, nuk është histori, është përrallë.

·        Epokat që përmenden shkurt në histori, janë epokat më të lumtura të njerëzisë.

·        Vetëm opinioni publik është baza e lirisë, forca e edukimit, udhëheqës i qeverive.

·        Merita dhe talenti që qëndrojnë të heshtur dhe të fshehur në periudhën e tiranisë, fillojnë të ndriçojnë porsa lind drejtësia.

·        Kalben njerëzit e ndershëm aty ku lartësohen lajkatarët.

·        Modestia dhe thjeshtësia është një e mirë, të cilën çdo njeri dëshiron ta shikojë te tjetri, por nuk don ta ketë vetë.

·        Qeverisja e racës njerëzore me edukim është shumë më e lehtë se qeverisja me ligj.

·        Zotësia, për të cilën në gjendje të qetë nuk pyet kush, kërkohet në kohën e rrezikut.

·        Nuk mund të gjuash në bulevard; zbulimet e deritashme janë bërë nga ata që shëtisin në rrugët e ngushta të diturisë dhe të shkencës.

·        Njeriu mund të humbë çdo liri të tij, por nëse e ruan lirinë e mendimit, prapëseprapë i lirë është.

·        Fjala e gjatë ka kuptim të shkurtër.

·        Fjalët e gjata të shumtën e herës fliten nga mungesa e aftësisë për të shfaqur qëllimin me pak fjalë; nga fjalët që disa flasin gjatë një ore nuk mund të nxirret as një kuptim që mund të tregohet me dy fjalë të vetme.

·        Po t’i bësh ndonjërit ndonjë padrejtësi dhe të mos shohësh kundërshtim nga ai, mos vazhdo në atë punë duke thënë se e gjeta rastin, sepse kali që bart një peshë prej një kuintali nuk mund të bartë 2 kuintalë.

·        Personat me influencë, që duan të ahmerren kundër dijetarëve, po t’i shtypin ata, u kanë shërbyer qëllimeve të tyre. Për t’u ahmarrë kundër tyre duhet t’u falin gjëra, duke u prishur moralin dhe ulur famën e tyre.

·        Mendimi s’kuptohet nga sasia, por nga pesha; mendimi i një dijetari nuk mund të krahasohet me mendimin e një mijë injorantëve.

·        Sa zor është për njerëzit e mësuar të bëjnë pasuri, aq i vështirë është mësimi për të pasurit.

·        Nënshtetasit e atij sunduesi, të cilit shkopi i drejtësisë i shkëlqen më shumë se shpata e trimërisë, janë të qetë e armiqet të shpartalluar.

·        Shumë rrallë del e mundur dhelpëria në luftë me nderin

·        Ata që i zë gjumi i pakujdesisë me nananinat e lajkatarëve, janë fëmijë në botën e mendjes e të zotësisë.

·        Njeriu i pajisur me edukatë dhe me moral të mirë, në çdo gjendje që të ndodhet, prapëseprapë njeri është; njeriu që është i privuar nga këto dy të mira mund të jetë çdo gjë në botë, por njeri nuk mund të jetë.

·        Mësimi më i madh në këtë botë është vështirësia; s’ka sukses ai që nuk has në vështirësi.

·        Atdhetaria dhe humanizmi bëhet me punë e jo me fjalë; kush tregohet i tillë me fjalë, është nje mashtrues.

·        Thjeshtësia është stolia e atyre që janë të edukuar dhe të mësuar.

·        Të gjithë e duan thjeshtësinë, disa e lavdojnë. pak vetë e zbatojnë, asnjëri nuk e dëshiron.

·        Gjuha është një organ i trupit. Nga ajo mjekët kuptojnë gjendjen shëndetësore të trupit e dijetarët atë të mendjes.

·        Njeriu, që të bëhet edhe më i zoti, nuk duhet të harrojë atë që ka mësuar.

·        Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes, aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë.

·        Ashtu si ka nevojë trupi për ushqim, edhe shpirti ka nevojë për edukim.

·        Të shumtën e herës janë të barabarta prirjet e njeriut ndaj së mirës dhe së keqes; veçse kontakti dhe edukimi dobëson njërën anë e forcon anën tjetër. Është lehtë të zhdukësh ligësitë natyrale të njeriut me anë të edukimit; por është e pamundshme të largosh ligësitë që i ka rrënjosur në zemër të njeriut edukimi i keq dhe kontakti me njerëz të ligj.

·        Ashtu sikundër që gratë të shumtën e herës mbajnë në dorë një pasqyrë për të rregulluar të metat e stolisë së tyre, edhe shoqëria njerëzore nuk duhet ta largojë nga sytë pasqyrën e diturisë e të shkencës dhe të përpiqet që të përmirësojë të metat që sheh.

·        Po të luajë mësuesi ç’ka nuk bëjnë nxënësit.

·        Qëllimi i fjalës është të thuash atë çka duan të mësojnë ata që dëgjojnë, ose të thuash një gjë që duan ta dëgjojnë. Mirëpo, nëntëdhjetë e nëntë për qind e fjalëve që fliten thuhen vetëm pse don të flasë ai që flet.

·        Nuk është për t’u çuditur po nuk u pa patriotizëm prej atyre që shiten si atdhedashës, sepse duke shitur herëpashere, natyrisht, u është sosur.

·        Po deshe të kuptosh se cilin e do një fëmijë, jepi një dhuratë dhe shiko se kujt ia tregon, ai është ai që fëmija e do më shumë; po deshe të provosh se cilin do më shumë gruaja, provo të kundërtën e kësaj.

·        Gratë që kanë marrë një edukim të pakët, nuk i kënaq e mira me punë të vogla; por ato që janë të edukuara me të vërtetë, dinë se kjo është puna kryesore e tyre.

·        Dituria nuk është për të poshtëruar të paditurit e për t’u bërë kryelartë, por është për të pasur dhimbësuri për të paditurit, për t’i stërvitur ata sa të jetë e mundshme, që t’i bësh ata të përfitojnë nga dituria që ke

·        Më i ligu i kopracëve është ai i diturisë, domethënë ai që nuk do të përfitojë njeri nga ato që di ai.

·        Eshtë skllavëri t’i nënshtrohesh dëshirës së një njeriu, por nuk është t’i nënshtrohesh një ligji dhe rregulli. Gjithçka në natyrë, të gjithë yjtë që janë në qiell i nënshtrohen një ligji e një rregulli.

·        Ata që janë bërë të përmendur me anë të veprave të tyre, ndoshta i kanë pasur fqinjtë e tyre më të urtë dhe më të ditur se ata vetë; por pasi ata s’kanë ndonjë vepër, nuk i njeh njeri.

·        Në vend që t’i ai’rohesh një pasaniku, afroju një dijetari; kopracia e pasanikut s’të lë të përfitosh nga të mirat e tij; nga dituria e dijetarit, përveç që do të përfitosh, edhe nuk do të humbësh nderin tënd.

·        Shumë mbrapështi që shihen te njerëzit, u janë futur me përdhunë nga prindërit dhe edukuesit e tyre, duke menduar se po i edukojnë.

·        Elokuencë e vërtetë është të thuash plotësisht atë çka është për t’u thënë dhe të mos thuash gjë tepër saj.

·        Nuk i thuhet frikacak çdo njeriu që nuk është trim; ka shumë shkallë në mes trimërisë e frikës.

·        Turma është armike e arsyes dhe e së drejtës. Po t’i përshtatet një gjë arsyes dhe së vërtetës, tërheq përbuzjen e turmës; gjërat që nuk i mbështeten asnjë arsyeje dhe që janë në kundërshtim me të vërtetën, janë gjithmonë të pëlqyera nga turma.

·        Njeriu që s’ka mundur të edukojë fëmijët e tij, dëshiron të bëhet edukator i fëmijëve të mbretit

·        Gjysma e atyre që mësojnë dituri, mësojnë për të jetuar, gjysma tjetër për t’i treguar botës se janë të ditur, dhe një për qind mëson për të ditur çka s’di.

·        I mençuri tregon shumë gjëra me pak fjalë; i marri flet tërë ditën dhe nuk tregon asgjë.

·        Njeriu i mirë asnjëherë nuk arrin të ahmerret; derisa armiku i tij të jetë i fortë, nuk është në gjendje t’i bëjë gjë, kur do ta gjejë armikun të dobët, e mund mëshira dhe i ikën dëshira për t’u ahmarrë.

·        A mund të dyshohet se ka një dërrasë mangut njeriu që mendon vetëm për veten e tij e jo për një miliard njerëz?

·        A ka të drejtë të quhet njeri ai, që nuk mendon për njerëzimin?

·     Kush mëson të tjerët, mëson më shumë se ata që mësohen; kush shkruan, përfiton më shumë se ata që lexojnë.

·        Lulja rritet me diell, por thahet nga vapa e madhe; njeriu edukohet me arsim, por rëndimi me mësime në fëmijëri jashtë forcës së tij e dërmon. Ashtu sikundër bima që ka nevojë për nxehtësi, ujë e freski, edhe njeriu bashkë me arsim dhe edukim ka nevojë edhe për zbavitje e shëtitje.

·        Kush zotëron veten e tij, nuk zotërohet nga asnjeri; nuk e mund dot asnjeri atë që mund epshet e tij.

·        Dashuria për atdheun lind nga dashuria për familjen.

·        Lumturia e një kombi varet nga edukimi i femrës së tij.

·        Natyra ndikon dhe sundon në zemrën e njerëzve me anën e grave.

·        Gruaja duhet të ketë në dorën e djathtë gjilperën e në të majtën librin.

·        Çka zbavit elitën, nuk zbavit dot turmën; çka zbavit turmën, neverit elitën.

·        Përvoja është një shkollë, mësimet e së cilës kushtojnë shtrenjtë, por për shumë njerëz nuk ka tjetër shkollë për t’u edukuar./KultPlus.com

Sepse të dua

Poezi nga Hermann Hesse

Sepse të dua, i egërsuar,
Po vi tek ti në këto nete.
Me që ti kurrë s’më ke harruar
Dhe shpirtin tënd mora me vete.

Me mua ësht’ e më përket përfare.
Të mira, të liga, këtu do t’i shkojë.
Prej dashuris’ sime përvëlimtare
S’ka engjëll që mund të të çlirojë./ KultPlus.com

Restaurim banesës me dy peristile në Parkun Arkeologjik të Finiqit

Në Parkun Arkeologjik të Finiqit kanë filluar punimet e mirëmbajtjes, restaurimit, konsolidimit në një tjetër monument kulture kategoria I, banesën me dy peristile.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti në një postim në rrjetet sociale ndau momente nga puna në këtë monumet.

“Pas hartimit të projektit nga DRTK Vlorë dhe miratimit nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, nisi puna për restaurimin dhe konsolidimin e strukturës murale; konsolidim i disa seksioneve në këtë linjë; restaurim i elementeve dekorativ në muraturë; sistemimin e terrenit etj”, tha Margariti.

Parku Arkeologjik i Finiqit ndodhet në një kodër 283 m të lartë mbi nivelin e detit, 9 km në lindje të qytetit të Sarandës. Mund të vini në park me çdo mjet transporti, duke ndjekur rrugën kombëtare Sarandë-Gjirokastër dhe duke u kthyer në fshatin e Finiqit. Në qendër të fshatit, do të gjeni një rrugë të asfaltuar e cila do t’ju çojë në kodrën ku ndodhet parku.

Krahas monumenteve në brendësi të mureve fortifikuese, kodra e Finiqit ofron për vizitorët një eksperiencë të jashtëzakonshme, falë pozicionit gjeografik nga ku mund të kundrohet ultësira e Bistricës, liqeni i Butrintit dhe gjithë pellgu i Delvinës./atsh/KultPlus.com

Promovohet libri ‘Demë Dedë Boga’ i shkrimtarit Binak Kelmendi

Në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë, u promovua romani më i ri i shkrimtarit Binak Kelmendit, “Demë Dedë Boga” i botuar nga shtëpia botuese “Koha”, shkruan KultPlus.

Romani “Demë Dedë Boga” trajton periudhën e sundimit të shqiptarëve nga pushtuesit e huaj dhe fillimin e konvertimit të tyre nga krishterizmi në islam në Bogë të Rugovës, në fillim të shekullit 18-të. Tematika dhe shtjellimi i ngjarjeve lidhen me personazhin Demë Dedë Bogën që konsiderohet si shqiptari i parë i muslimanizuar aty. 

Promovimin e romanit e bëri Flaka Surroi së bashku me vetë autorin duke i falenderuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë promovim. 

Surroi tha se romani trajton kohën e gjatë të sundimeve të huaja, sundime të cilat edhe ngulitën zakonet dhe traditat e tyre.

“Vetë romani është kronikë për kohën e gjatë të sundimit të tokave tona nga të huajit dhe ngulitjen e zakoneve dhe traditave të tyre”- ka thënë Surroi.

Autori i librit Binak Kelmendi, i cili fjalimin e tij e filloi me një falënderim drejtuar familjes, shoqërisë dhe të gjithë atyreve që e mbështetën për të botuar një libër të tillë, ndër të tjera tha se tematika e romanit është një përshkrim i jetës të Bogës në atë kohë. 

“Mendoj se është një pasqyrë e jetës në Bogë të Rugovës në kohën e sundimit”, ka thënë Kelmendi.

Përndryshe Binak Kelmendi është autori dhe përkthyes i disa romaneve. Ai ka botuar romane si “Vezët e vdekjes”, “Guri i vashës”, “Portat e Pejës” dhe ka përkthyer nga frëngjishtja vepra si “Mirëdita Pikëllim”, “Dashnori”, “Ilirja” etj. 

Binak Kelmendi është prozator përkthyes dhe publicist, dhe aktualisht është kryetar i PEN Qendrës së Kosovës./KultPlus.com

‘Syni s’e sheh synin matanë hundës, zemra e sheh zemrën matanë bjeshkës’

Tregim nga Anton Pashku

Syni s’e sheh synin matanë hundës,

zemra e sheh zemrën matanë bjeshkës

(Thuhej dikur në Has)

1.

Qetësinë, befas, e zhdavariti rrokullisja e një guri.

2.

Mbasi guri theu qafën teposhtë malit, Dila e Marisë desh të çohej për të parë ku i kishte delet dhe a mos ishin trembur, por therra e murrizit, që iu ngul pardje kur shkoi ta kthejë një qengj që kish mbetur mbrapa grigjës, – e theri në thembër, e cila po i mblidhte qelb. E këputi dhembja e fortë: përsëri u shtri nën qarr. Ballin ia rimuan djersët. U zbeh. Mbylli sytë

Gjëja e fundit që pa Dila, para se t’i lëshonte këlkatëset, ishte qielli i gjerë ding me bashka të reve që, përtueshëm, udhëtonin dikah…

3.

S’i ndahej dhembja. Therra e therte pajada. Iu duk se do të mbetej përgjithmonë aty, nën qarrin plak. Se nuk do të mund të çohej kurrë për t’i prekur kryet në krahoshën e varur në rremin e një dege të qarrit më të moçëm, më krahëhapur, më majëlartë se asnjë qarr tjetër në këto anë.

“O zot”, mendoi, “a e di kush sa asht i vjetër ky qarr – dhetë, njizet, njiqind apo, ndoshta, pesëqind vjet?”

4.

Kur nxente dielli, qarri lëshonte një hije të gjerë e të rrasët që ta flladiste shpirtin. Aty mund të shtrohej sofra për nja, mos i thashin rrenë, njëzet e katër burra, njëzet e katër cuba. Dhe ndoshta përnjëmend, mendoi kjo tashti. janë ulur ndonjëherë aq burra të dheut, aq cuba të malit – ku e di ti se jo! Por, megjithatë, s’kishte parë a dëgjuar kurrë se në hijen e qarrit të saj të dashur të kishin hëngër e pirë njëzet e katër burra, njëzet e katër cuba me mustaqe vesh më vesh – ku e di ti se po!

5.

Të gjithë e quanin Qarri i Dragonit. “Njâ të kemi!” i thoshin gjyshja e nëna. “Mo’ atje, se t’shiton zana!”

6.

Gjyshja e nëna na i k’in pas kallëzuar se moti, aq moti sa askush i gjallë nuk e dinte kur, një Drangua kishte pas rënë në dashuri me Zanën, shtatselvinë e katundit të tyre.

Mirëpo që në djep, në djepin me kaptell të shkruar me brisk për mrekulli.

Drangonin na e ki’n pa’ fejuar me një tjetër. E tjetrën, të cilën kurrë s’e kishte parë, s’ia donte se s’ia donte zemra.

Po dhe Zanën që në djep në djepin që përkundte gjyshja gjithmonë në zi, na e ki’n pa’ fejuar me një tjetër. E tjetrin, të cilin kurrë s’e kishte parë, s’ia donte se s’ia donte zemra.

Kur ki’n pa’ marë vesh, vrer i zi na ish bërë babai i Zanës, mullan plot qelb e gjak të keq na ish bërë babai i Drangonit, kurse një ditë prej ditësh, Zana e Drangoni ki’n pas bërë fjalët për të ikur në mal – tinëz. Dhe ata ki’n ikur – tinëz. Dhe te qarri na i ki’n pas parë pëllumbat e zogjtë krahëshkruar – të lumtur. Pëllumbat e zogjtë, mbasandej, kishin fshikur krahët në ajrin e pastër të qiellit të kthjellët si loti, dhe ki’n fluturuar gjithë ditën e lume përmbi katund për t’u kallëzuar njerëzve se Zana e dashka Drangonin – si ara e shkrumuar shiun. Por, askush s’i dëgj’onte.

Se katër burra, katër rrotela të kërleshur, babai i Zanës, babai i të fejuarit të Zanës, babai i Drangonit, babai i së fejuares së Drangonit haheshin. E kishin shkrehur: përshesh të bëheshin.

Dhe pëllumbat e zogjtë krahëshkruar u trembën nga krisma e martinave, plasja e kobureve, tymi i zi i barotit; tymi i zi i luftës fis me fis flaka përlau shtatë copë katunde.

E u kthyen pëllumbat e zogjtë, e i kallëzuan Zanës e Drangonit për çdo gjë që kishin parë. Zana e Drangoni ishin pikëlluar shumë, dhe ki’n thirrur pëllumbat e zogjtë e ki’n thënë:

“Amanet, o more pëllumba! Amanet, o more zogj! Kur t’na shihni se jemi shtri njani pranë tjetrit, ejani dhe ngjyeni nga nji pupël në gjakun e varrëve tona dhe shkoni e i lëshoni katund m’katund, shtëpi m’shtëpi. .. ”

Një qyqe e ngratë pat kukatur tri herë midis dy degëve të një lisi shumë të thatë.

7.

Vashës që rrinte nën qarr, Dilës së Marisë, iu duk se ishte shtrirë mu në vendin, ku, Zana e Drangoni, kishin ndërruar jetë. Zemrën ia kaploi një nderim fort i thellë. Bile, luajti pakëz vendit, ashtu si luante edhe babai i saj kur përmendej emri i pajtorit të oxhakut të tyre.

8.

Heshtte.

9.

Tinëz, ngadalë, e zuri dëshprimi. Kurrnjëherë s’i ishte dukur vetja më e vetmuar, më e ngratë, se tashti. Çdo kush e kish harruar – iu duk. Iu bë se s’kishte njeri të lemë që mendonte për të. E, pra, aq shumë dëshironte që të mendonte dikush për të.

10.

E mori gjogu i ëndrrave, i cili, si duhia, e çoi në trok drejt njëfarë vendi të panjohur, në një copë toke në midisdisit të detit. Eu, po kjo ishte njajo toka e çuditshme, për të cilën i kish kallëzuar Delia i Ndreut, i Ndre Delisë. Ç’mos i kish kallëzuar:

atje, në atë farë toke të bukur, të cilën e kishte parë kur kish qenë në “ushtrinë e detit”, dielli nxen gjithë ditën e lume

kurse nata, nata s’është natë, si këtu

– hëna, sa një kallamboçe e çerepit, del nga deti dhe zdritë tokën midis ujit të njelmtë, të cilit s’i dihet skaji.

“A kurrë s’bie shi?”

“Bie, por nuk asht si ky i yni, që t’ban gozhdar!”

“Po thue?”

“Jo, për këta dy sy! Tekembrama, do ta shohësh… ”

“Kush … unë?!”

“Ti”.

“Unë?!”

“Unë e ti”.

“Bashkë?!”

“Pojzi”.

“Po a je ti në mend? A s’e ditke hiq se m’kanë dhanë?!”

“Si s’e ditkam, moj Dilë … “

“Ani edhe ty ta kanë zanë nji tjetër!”

Delia i Ndreut, i Ndre Delisë, e kish shikuar drejt në sy, të cilët Dila, prej turpit, i kish paluar. Delia, mbasandej, ia kish kapur krahun dhe ia kish shtrënguar aq fort, sa Dila s’pat duruar pa i thënë:

“Uf, djalë, djalë … ç’je tu’ ba kështu?”

“Mos u tremb, moj Dila e Marisë, mos u tremb!” kish thënë Delia i Ndreut, i Ndre Delisë. “Mos u tremb, ani që deti asht i gjanë e i fellë!, Do të dalim matanë dhe do të mbërrijmë në tokën në midisdisit të tij”.

Dila pa se Delia ish burrë që s’i vetëtonte ashkja e syrit.

11.

Dëgjoi shushurimën e gjetheve, që zuri t’i fërkonte një erë e lehtë, e cila sillte pika shiu të ftohtë. Çeli sytë: qielli ish ndrysur në të katër anët. U çua, mezi u çua: pa delet e tubuara në një rogë – krejt të frikësuara nga murmurimat dhe vetëtimat. I ndolli, dhe ato u nisen mbas Diles së Marisë që ecte duke shqepuar, që mbahej me të vështirë: therra në thembër e therte pajada. Kurse mali ushtonte. Nëpër ushtimën e tij të mnershme iu bë se dëgjoi një zë njeriu, i cili e thërriste. U ndal. Delet ikën para saj dhe, me krye teposhtë, tretën në shtegun e ngushtë dredha-dredha që shpjente në katund. Mbeti vetëm. Pa kur një si tojë e zjarrtë; tojë rrufeje, u rrek për ta zdritur malin. U dëgjua një murmurimë e hatashme; si me dorë, diçka e preku në zemër dhe e lëshoi për dhé. Mbasi u rrëzua, mendoi se e vrau rrufeja.

“E pata!” tha dhe zuri të priste për të vdekur. Priste. Por, ama, nuk vdiste. Bile, si në kllapi, diktoi se dikush po e bante. Ngutshëm.

“Aman, o zot, ty t’kofsha true, a m’kallëzon – kah je tu’ m’çue?”

 “Kah deti. .. Në midisdisit të detit… ”

“Ani me therrë në thembër?”

“S’asht gja therra… Therrën do ta qërojë deti… ”

“Aman, o zot. .. ”

“O, s’jam zoti, s’jam, moj Dila e Marisë, po jam Delia i Ndreut, i Ndre Delisë!”

Një kalë i bardhë, ama më i bardhë se korja e borës, që sall zjarr nuk villte prej gojës, kaptoi Brinjën e Lisit të Gjatë dhe doli e treti në Bjeshkë të Lagamirit…

12.

Bash kur kafexhiu po ia thoshte me zë . të ulët “po bjen shiu sixhim-sixhim, ç’po i qet vegshit bytha tym”, në kafenenë e vogël të katundit – krejt i përlloçur e me shpirt në fyt, – u rras Biba i Lleshit, Llesh Bibajt.

“N’kambë, sokola!” bërtiti. “N’kambë, bre trima me fletë, se për qiell e për dhé na u nxi ftyra për jetë!… A s’pasket ndie?… Nji Drangue, nji thi karathi, na e muer Dilën nëpër shi… “Turr mbas meje!” tha Biba i Lleshit, i Llesh Bibajt dhe turravrap e theu qafën përjasht.

Kurse Leka i Gjonit, i Gjon Gjolekajt, tha:

“Çudë, çudë e madhe!”

“Hë, çka polli?” pyeti Deda i Gjinit, i Gjin Gjidedajt.

“S’e di hiq, bre burrë i dheut, pse njani sy nuk e sheh tjetrin?”

“Dihet, he burrë!” ia kthei Deda i Gjinit, i Gjin Gjidedajt. “Fajin ma të madh e ka hunda!”

“Hunda e ka fajin, pojzi!” ia priti Leka i Gjonit, i Gjon Gjolekajt. “E di, por s’po di ç’duhet t’bajmë me këtë hundë?”

Qershor, 1959./KultPlus.com

Këshillat e Umberto Eco-s që do t’ju bëjnë të reflektoni për jetën tuaj

Shkrimtari i njohur botëror Umberto Eco i la “amanet” nipit të tij para vdekjes disa letra dhe këshilla të cilat juve do t’ju bëjnë të reflektoni shumë për jetën tuaj.

“I dashur nip, nuk do të dëshiroja që kjo letër krishtlindjesh të tingëllonte shumë e sheqerosur (deamicisiana, term sipas librit të autorit De Amicis “Zemra”) dhe të kujtonte ty këshilla për dashurinë ndaj të afërmve tanë, për atdheun, për botën, apo gjëra të ngjashme. Nuk do t’ua vije veshin dhe në momentin e vënies në praktikë (ti i rritur dhe unë i thyer në moshë), sistemi i vlerave do të jetë kaq shumë i ndryshuar sa mundet që rekomandimet e mia të duken jashtë kohe.

Kështu që do të preferoja të ndalesha në një rekomandim të vetëm, të cilin do jesh në gjendje që ta vësh në zbatim edhe tani, teksa je zhytur në iPad-in tënd; por as nuk do të bëj gabimin që mos të ta këshilloj këtë gjë, jo për faktin se do dukesha një gjysh harraq dhe nopran, por sepse atë e bëj edhe unë.

E shumta mund të të rekomandoj, që nëse rastësisht në internet, kalon nëpër ato qindra faqet porno që tregojnë në mijëra mënyra raportin mes dy qenieve njerëzore, apo mes një qenieje njerëzore dhe një kafshe, përpiqu që të mos besosh se ai është seksi, edhe ashtu i shfaqur shumë monoton; kjo sepse bëhet fjalë për një inskenim, i cili synon të të detyrojë të mos dalësh nga shtëpia dhe të shohësh vajzat e vërteta.

Nisem nga parimi se ti je heteroseksual, përndryshe përshtati rekomandimet e mia me rastin tënd. Por shikoji vajzat, në shkollë apo aty ku shkon për të lozur, sepse janë më të mira ato të vërtetat, sesa ato femrat televizive; dhe një ditë do të të japin kënaqësi shumë më të mëdha sesa ato online.
Besoji atij që ka më shumë eksperiencë sesa ty(dhe nëse do të kisha parë vetëm seksin në kompjuter yt atë nuk do kishte lindur kurrë dhe ti kush e di ku do ishe, përkundrazi nuk do ishe fare). Por nuk është kjo, ajo për të cilin doja të të flisja, më tepër sesa për një sëmundje që ka goditur brezin tënd dhe madje edhe atë të djemve më të rritur sesa ty e që ndoshta shkojnë në universitet.

Kjo është humbja e kujtesës. Është e vërtetë se nëse të shkon në mendje të dish se kush ka qenë Karli i Madh apo ku bie Kuala Lumpuri nuk të duhet veçse të shtypësh ndonjë tast dhe menjëherë interneti do të
ta thotë.

Bëje këtë gjë kur duhet, por pasi ta kesh bërë, mundohu të kujtosh çfarë të është thënë për të mos qenë i detyruar që ta kërkosh për herë të dytë nëse do të jetë e domosdoshme, qoftë edhe për një punim në shkollë. Ka rrezik që ndërkohë që ti mendon se kompjuteri mund të ta thotë në çdo moment, ti humbet shijen e të nxënit vetë.

Do të ishte njësoj sikur, duke ditur se për të shkuar nga një rrugë në tjetrën, ka autobusë apo metro që të mundësojnë të zhvendosesh pa u lodhur(që në vetvete është shumë komode dhe bëje sa herë që nxiton) mendon se kështu nuk ke më nevojë të ecësh. Por nëse nuk ecën mjaftueshëm, bëhesh pastaj “i aftë tjetërsoj”, siç thuhet sot për ata që janë të detyruar të lëvizin me karrocë me rrota.

Dakord, e di që merresh me sport dhe kështu vë në lëvizje trupin tënd, por të kthehemi te mendja jote. Kujtesa është një muskul si ata të këmbëve, të cilën nëse nuk e ushtron rrudhet dhe ti transformohesh (nga këndvështrimi mendor) me një tjetër lloj aftësie, pra, që të flasim qartë, një idiot. Për më tepër, sikurse për të gjithë ekziston rreziku që me plakjen vjen edhe Alzheimeri, një nga mënyrat që të shmanget ky incident i pakëndshëm është të ushtrosh memorien.

Dhe ja cila është dieta ime. Çdo mëngjes mëso ndonjë varg, një poezi të shkurtër. Mirë do ishte të bëje ndonjë garë edhe me miqtë e tu për të parë se kush mban mend më shumë. Nëse nuk e pëlqen poezinë atëherë bëje këtë me formacionet e futbollistëve, por kujdes, sepse nuk duhet vetëm të dish se kush janë futbollistët e Romës sot, por edhe ata të skuadrave të tjera, pse jo edhe të skuadrave të së shkuarës(mendo që unë mbaj mend formacionin e Torinos në kohën kur avioni i tyre, me të gjithë lojtarët në bord, u përplas në Superga: Bacigalupo, Ballarin, Maroso etj..). Bëj gara të kujtesës, ndoshta edhe për librat që ke lexuar(kush ishte në bordin e Hispaniolas në kërkim të ishullit të thesarit> Lord Trealëney, kapiteni Smollet, doktor Levesey, Long John Silver, Jim…).

Provo njëherë nëse miqtë e tu do të kujtojnë dot se kush ishin shërbyesit e tre muskëtjerëve dhe të D’Artgnan(Grimaud, Bazin, Mousqueton dhe Planchet)..Dhe nëse nuk do duash të lexosh “Tre muskëtjerët(dhe nuk e merr me mend se çfarë do kesh humbur) atëhëre bëje, ku di unë, me një nga historitë që ke lexuar. Duket një lojë(dhe është e tillë) por do ta shohësh sesi koka jote do të popullohet nga personazhe, histori, kujtime të çdo lloji. Do ta kesh pyetur veten se përse dikur kompjuterët quheshin tru elektronik.

Ndodhte sepse ata konceptoheshin mbi modelin e trurit (tonë) tënd; por truri ynë kë më shumë lidhje sesa një kompjuter. Është një lloj kompjuteri që e mban me vete, që rritet dhe forcohet përmes ushtrimit, kurse kompjuteri që kë mbi tavolinë, sa më shumë e përdor aq më shumë humbet shpejtësinë e veprimeve dhe pas disa vitesh do ndërruar.

Ndërkohë që truri yt mund të zgjasë deri në 90 vjet dhe në këtë moshë(nëse do ta kesh ushtruar) do të kujtojë më shumë gjera nga ato që kujton tani. Dhe falas. Është pastaj kujtesa historike, ajo që nuk ka të bëjë me faktet e jetës tënde apo me gjërat që ke lexuar, por me ato që kanë ndodhur para se ti të lindje. Sot, nëse shkon në kinema, duhet të hysh në një orë fikse, kur filmi fillon dhe sapo fillon dikush të kap si të thuash nga dora dhe të tregon se çfarë ndodh.

Në kohët e mia mund të hyje në kinema në çdo moment, e kam fjalën edhe në mes të spektaklit, arrije aty ndërkohë që po ndodhnin disa gjëra dhe përpiqeshe të kuptoje se çfarë kishte ndodhur më parë(pastaj, kur filmi fillonte nga fillimi, kuptohej nëse ishte kuptuar çdo gjë si duhet-përveç faktit se nëse filmi na kishte pëlqyer mund të rrije ta rishikoje edhe atë pjesë që ishte parë tashmë). Ja pra, jeta është si një film i kohëve të mia.

Ne vijmë në jetë ndërkohë që shumë gjëra kanë ndodhur tashmë, prej qindra e mijëra vjetësh dhe është e rëndësishme të kuptosh atë që ka ndodhur para se ne të lindnim. Kjo për të kuptuar më mirë se përse sot ndodhin shumë gjëra të reja.

Tani, shkolla(përveç leximeve të tua personale) duhet të të mësonte të memorizoje atë që ka ndodhur përpara se ti të lindje, por shihet se ajo nuk ia arrin siç duhet kësaj gjëje, pasi shumë të hulumtime na thonë se të rinjtë e sotshëm, edhe ata të mëdhenjtë që shkojnë në universitet, nëse ta zënë kanë lindur në 1990-ën nuk e dinë(dhe ndoshta nuk duan ta dinë) se çfarë ka ndodhur në vitin 1980(dhe këtu nuk e kam fjalën për ata që ka ndodhur 500 vjet më parë). Statistikat na tregojnë se nëse i pyet disa se kush ishte Aldo Moro të përgjigjen se ishte kapua i Brigadave të Kuqe-në fakt ai u vra prej Brigadave të Kuqe.

Nuk flasim për këto të fundit, që mbeten misterioze për shumëkënd, e megjithatë ishin prezent diçka më pak sesa 30 vjet më parë. Unë kam lindur më 1932, dhjetë vjet pas ngjitjes në pushtet të fashizmit por e dija deri edhe se kush ishte kryeministri në kohën e Marshimit mbi Romë(po ky çfarë është?) Ndoshta shkolla fashiste më kishte bërë ta mësoja emrin e tij, për të më shpjeguar sesa budalla dhe i keq ishte ai ministër(“Faka zemërpula”) të cilin fashistët e kishin zëvendësuar.

Dakord, por të paktën e dija. Pastaj, të heqim shkollën mënjanë, një i ri i sotshëm nuk e di kush ishin aktorët e kinemasë të 20 vjetëve më parë, ndërkohë që unë dija kush ishte Francesca Bertini që luante në filmat pa zë 20 vjet para se unë të lindja. Ndoshta sepse shfletoja revista të vjetra të ngjeshura në dollapin e shtëpisë sonë, por pikërisht, edhe unë të ftoj të shfletosh edhe revista të vjetra sepse është një mënyrë për të mësuar se çfarë ndodhte para se ti të lindje.

Po pse është kaq e rëndësishme të dish se çfarë ka ndodhur më parë? Sepse në shumë raste, ajo që ka ndodhur të jep një shpjegim se përse disa gjëra ndodhin sot dhe në çdo rast, njësoj si për formacionet e futbollistëve, kjo është një mënyrë për për pasuruar kujtesën tonë.

Ki parasysh se këtë nuk mund ta bësh vetëm mbi librat dhe revistat, mund të bëhet shumë mirë edhe në internet. I cili duhet përdorur jo vetëm për të çatuar me miqtë e tu por edhe për të çatuar (nëse mund të shprehemi kështu) me historinë e botës. Kush ishin hititët? Po kamisardët? Dhe si quheshin tri karavelat e Kolombit? Kur u zhdukën dinosaurët? Po arka e Noes a mund të ketë patur një timon? Si quhet paraardhësi i kaut? A kishte më shumë tigra 100 vjet më parë? Çfarë ishte perandoria e Malit? Dhe kush fliste për Perandorinë e të Keqes? Kush ka qenë Papa i dytë në histori? Kur u shfaq Topolino? Mund të vazhdoja në pafundësi dhe do të ishin të gjitha aventura të bukura kërkimi.

Të gjitha këto duhen kujtuar. Do të vijë dita kur do të jesh plak dhe do të ndihesh sikur ke jetuar 1000 vjet, sepse do të jetë sikur ti të kishe qenë i pranishëm në betejën e Vaterlosë, të kesh asistuar në vrasjen e Jul Çezarit, apo të kesh qenë disa hapa larg nga vendi ku Bertoldi i quajtur i Ziu, teksa përziente substanca për të gjetur mënyrën e prodhimit të arit, gabimisht zbuloi barutin dhe hodhi veten në erë(dhe mirë iu bë). Të tjerë miq të tu, që nuk do të kenë kultivuar memorien e tyre, do të kenë jetuar një jetë të vetme, të tyren, që duhet të ketë qenë kush e di sa melankolike dhe e varfër në emocione”. /KultPlus.com

Përmbajtja e ligjit për shtetësinë shqiptare të vitit 1954

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se në 7 qershor 1954, Presidiumi i Kuvendit Popullor miratoi dekretin për shtetësinë shqiptare.

Nevoja për një ligj të ri mbi shtetësinë argumentohej me “përmbajtjen antiparimore” të ligjit në fuqi asokohe, i cili qe një huazim i modelit jugosllav. Po ashtu, në relacionin e Këshillit të Ministrave, arsyetohej se ligji ishte “tepër i ngarkuar”, ndaj lypsej thjeshtimi i tij. Sipas dekretit, shtetas shqiptarë ishin:

  1. Të gjithë ata që kanë qenë shtetas shqiptar më datën 29-11-1944 dhe nuk e kanë humbur në vazhdim;
  2. Fëmijët e lindur nga prindër që janë që të dy shtetas shqiptarë.

Të huajve, pavarësisht nga kombësia dhe raca e tyre, mund t’u jepej shtetësia shqiptare me kërkesën e tyre, me dekret të Presidiumit. Autorizimi i Presidiumit ishte i nevojshëm edhe për rastin e lënies së shtetësisë./atsh/KultPlus.com

Shënohet 100 vjetori i lindjes së shkrimtarit Jakov Xoxa

Albin Shala

Në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë, në një bashkëbisedim mes profesorit Behar Gjoka me profesor Agim Vincën, u shënua 100 vjetori i lindjes të shkrimtarit Jakov Xoxa, shkruan KultPlus.

Jakov Xoxa u lind më 15 prill 1923, në Fieri. Ai ishte profesor, shkrimtar, romancier shumë i shquar i letërsisë shqipe. Ai kishte botuar vepra të ndryshme si vepra teorike “Hyrje në letërsi”, “Teori e letërsisë”, “Metrika”. Dramën “Zemra”.  Romanet “Juga e bardhë”, “Lulja e kripës” dhe kryevepra e tij pa dyshim “Lumi i vdekur”. 

Ai është një nga shkrimtarët shqiptar më të mirë të gjysmës së dytë të shekullit XX, dhe një ndër romancierët më të dalluar.   

Stili dhe parimi i tij krijues individual i bazuar në realen, fati individual, prania gjuhësore dhe letrare, syzheu e kompozicioni do të jene ato që ai i vendos në dritë mbi kontestin tërësor të mjedisit dhe kohës së fokosuar në rrëfime.  

Ai ishte i lidhur me tokën, dashurinë ndaj atdheut por edhe ndaj jetës. I ka trajtuar gjerësisht me një sens universal, gjithë njerëzor në këtë mënyrë duke i shëndërruar veprat e tij letrare të pa harruara për kohën. 

Profesori universitar, Agim Vinca e çmoi shumë kontributin e tij, ku edhe e konsideroi si një ndër romancierët më të dalluar, duke thënë se Xoxa ishte i vetmi që lexuesin shqiptar e bëri të qeshë, të qajë, të mallëngjehet, e të mendojë.

“Jakov Xoxa me anë të kontributit të tij do mund të quhet Kapedani i Myzeqesë në fushën e letrave dhe veçanërisht i prozës shqipe”, ka thënë Profesori Vinca. 

E mira dhe e keqja, e bukura dhe e shëmtuara, lindja dhe vdekja, janë të gjitha këto që sublimohen në krijimtarinë e tij, veçanërisht të “Lumi i vdekur”.

Xoxa përfaqëson një shkrimtar model të letërsisë shqipe, krijuesi i prozës së madhe realiste që nuk e kishte njohur deri tani letërsia shqipe në ato përmasa, në atë gjerësi vrojtimi, në atë thellësi psikologjike, me atë sintezë mendimi e me ato bukuri gjuhe artistike. 

Ndërsa Behar Gjoka, Xoxën e quajti “mjeshtër të fjalës shqipe”,  mjeshtëri kjo që vërehet më së miri të kryevepra “Lumi i vdekur”, i cili është një tregim i shkurtër që tregon se si fshatarët i zëjnë rrugën lumit, që dimër lumi fryhet dhe iu merr gjithçka. 

“Në momentin e vijëmsisë, në momentin e zhvillimit organik, në momentin kur libri që është shkruar, shkruhet përsëri, unë mendoj se letërsia shqipe është në dimensionin e komunikimit real”, ka thënë Gjoka.

Ai pati të botonte edhe një cikël të romanëve por nuk arriti shkaku i vdekjes në moshë të re 56 vjeçare. 

Jakov Xoxa është dhe do mbetet i përjetshëm në letërsinë shqipe dhe në botën e dashamirëve të romanit./KultPlus.com

Këngëtari spanjoll Enrique Iglesias do të performojë në Tiranë

Këngëtari spanjoll Enrique Iglesias do të performojë në Tiranë më 30 qershor.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale foto të këngëtarit, ku bën të ditur se koncerti i tij do të zhvillohet në sheshin “Skënderbej”.

“Bailamos me yllin tjetër Enrique Iglesias më 30 qershor në Tiranë”, shkruan Rama.

Si ambasador i kulturës spanjolle, ai do të performojë më 30 qershor, duke i paraprirë Javës së Kulturës Spanjolle.

E magjishme do të jetë dhe nata që do të sjellë ylli spanjoll i muzikës latine e pop music. Enrique Iglesias është shpallur artisti më i mirë latin i të gjitha kohërave, sipas Billboard Latin Music Awards 2020./atsh/KultPlus.com

‘Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra, t’i përqafoja flokët e dendura’

Poezi nga Ismail Kadare

Ti ishe për mua

Ti ishe për mua e pamposhtur si Troja
Troja që unë dot s’e pushtoja.
Ti ishe për mua e pakuptueshme,
Më e pakuptueshme se mbishkrimet etruske

Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra
T’i përqafoja flokët e dendura.
Gaz më shumë ndjeja tek të pushtoja
Se gjithë grekët kur ra Troja.

Vetëm në ëndrra m’ishe e kuptueshme,
Ti, e shtrenjta ime etruske. / KultPlus.com

 ‘Nderi i Akademisë’ për shkrimtarin Jakov Xoxa

Akademia e Shkencave organizoi nje konferencë në përkujtim të 100-vjetorit te lindjes së shkrimtarit dhe studiuesit Jakov Xoxa, në zbatim të vendimit të Asamblesë së saj, e cila e ka veçuar këtë figurë të letrave shqipe si personalitetin e vitit.

“Vepra e veprimtaria e Jakov Xoxës janë bazale në historinë e letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shek. XX. Triptiku i tij, me romanet Lumi i vdekur, Juga e bardhë e Lulja e kripës, është bërë pjesë e konstitucionit shpirtëror të dhjetëra brezave në Shqipëri e Kosovë, madje dhe për lexuesit në gjuhë të huaj”, tha në fjalën e tij kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi.

Jakov Xoxa i ka dhënë letërsisë shqiptare të parin roman-epope, me nivele që deri atëherë nuk i kishte arritur romani shqiptar, ka vlerësuar me të drejtë Nasho Jorgaqi, shkrimtar e studiues.

“Realist i kulluar në realizmin e madh” e quante shkrimtarin Jakov Xoxa studiuesi Ibrahim Rugova.

Ndërsa albanologu Robert Elsie i konsideronte romanet e Jakov Xoxës vepra të rralla të kohës, me merita artistike.

Duke e cilësuar romanin Lumi i vdekur si ndër romanet më të mirët të letërsisë shqipe deri më sot, akad. Rexhep Qosja shprehej se Jakov Xoxa është shkrimtari i parë shqiptar që tenton të zbulojë njeriun dhe realitetin në tërësinë e tyre. Ndërsa akad. Mehmet Kraja, para më shumë se katër dekadash, çmonte se konceptet letrare të Jakov Xoxës dilnin jashtë formulimeve teorike, jashtë kanonizmave, jashtë kufizimeve të tepruara, duke mbetur dëshmi se vepra të mëdha mund të krijohen edhe pa u mbytur në ujërat e novatorizmit me çdo kusht.

Vepra e Jakov Xoxës ka një rëndësi historike për rolin që pati si përbashkuese e vetvetishme e lexuesit shqiptar kudo që ndodhej.

Ai është i pari që futi në letërsi karakterin shqiptar të muhaxhirit nga Kosova, me fatin, gjuhën, traditën e tij dhe i bëri njerëzit të flasin me gjuhën e tyre autentike duke u dhënë identitet social, krahinor e gjuhësor.

Jakov Xoxa ka dhe një anë padrejtësisht të panjohur e të pavlerësuar, si një nga bashkëthemeluesit e Universitetit të Tiranës dhe profesor për afro dy dekada në aulat e tij; si themelues i dy lëndëve të formimit bazë për studentët e gjuhësisë dhe letërsisë: Hyrje në shkencën e letërsisë dhe Bazat e teorisë së letërsisë, që u botuan e u ribotuan në mijëra kopje për nevoja universitare në Tiranë, në Prishtinë dhe në Tetovë, përveç disa veprave të tjera për metrikën, stilistikën dhe terminologjinë letrare.

Duke vlerësuar këto kontribute origjinale dhe specifike, juria e posaçme që funksionon pranë Akademisë së Shkencave, pasi mori mendimin e komisioneve të përhershme përkatëse dhe të strukturave të tjera, ka vendosur t’i akordojë Jakov Xoxës çmimin e mirënjohjes tonë më të lartë, Nderi i Akademisë, me motivacionin: “Për vendin qendror që ka zënë në historinë e romanit shqiptar; të cilin e zhvilloi dhe e modernizoi si gjini e madhe letrare; e pasuroi me karaktere shenjuese nga gjithë hapësira historike kombëtare; per mjeshtërinë e rrëfimit dhe te ndërthurjes së ligjërimeve që lartësoi në nivelin e shqipes së gjithëmbarshme të folme lokale të rëndësishme për pasurinë e saj; bashkëthemelues i Universitetit të Tiranës dhe profesor për dy dekada; studiues i teorisë dhe stilistikës letrare; hartues i teksteve shkollore dhe universitare të formimit bazë, që u shërbyen disa brezave studentësh e pedagogësh në Shqipëri e në Kosovë”./atsh/KultPlus.com

‘S’rreshta kurrë së menduari për ty, do doja aq shumë të ta them’

Poezi nga Charles Bukowski

S’rreshta kurrë së menduari për ty,
do doja aq shumë të ta them.

Do doja të shkruaja se më pëlqen të kthehem,
Se më mungon dhe të mendoj.
Po s’të kërkoj.
Madje s’të shkruaj as njatjeta.
Nuk di si je.
Dhe më mungon ta di.

Ke projekte?
Buzëqeshe sot?
Ç’ëndërrove?
Do dalësh?
Ku do t’shkosh?
Ke ëndrra?
A hëngre?.

Do t’më pëlqente të mund të kërkoja.
Po s’kam forcë.
Dhe as ti nuk e ke.
Dhe at’herë rrimë e presim më kot”.

“Dhe mendojmë.
Dhe kujtomë.
Kujtohu se të mendoj, se ti nuk e di, por ty të jetoj çdo ditë, që shkruaj për ty.

Dhe kujtohu se të kërkosh e të mendosh, janë dy gjëra të ndryshme.

Dhe unë të mendoj, po s’të kërkoj./ KultPlus.com

Margariti: Masa konkrete kundër trafikimit të pasurive kulturore

Sot në mbledhjen e Qeverisë kaloi edhe një vendim për aderimin e Shqipërisë në Konventën për Veprat penale për Trafikimin e Pasurive Kulturore.

Ministria e Kulturës prej vitesh ka ndërmarrë një kuadër masash që nuk lidhen vetëm me projektakte por edhe me aktivitete konkrete në terren.

“Së bashku me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Institutin e Regjistrim të Pasurive Kulturore, janë marrë masat për ndalimin e trafikimit të pasurive kulturore në territorin shqiptar. Prej kohësh është bërë një marrëveshje bashkëpunimi me Kongresin Amerikan për luftën kundër trafikimit, me marrëveshje konkrete si ajo me Maqedoninë e Veriut për rikthimin e artefakteve të gjetura në territorin shqiptar”, u shpreh ministrja Margariti në përfundim të mbledhjes së Qeverisë.

Pjesë e kësaj konvente të Këshillit të Europës janë një sërë masash jo vetëm për parandalimin por edhe për një bashkëpunim më të gjerë. Aderimi në këtë konventë i krijon Shqipërisë mundësinë e futjes në një rrjet më të gjerë për këtë trafikim.

Ky proces kërkon një bashkëpunim më të gjerë me shumë institucione, ku pikërisht Ministria e Kulturës ka filluar të ketë rolin e liderit, duke pasur bashkëpunimin e Policisë së Shtetit, Interpolit e organeve të tjera.

“Do të vazhdojmë në këtë drejtim. Nëpërmjet kësaj konvente do të kemi një bashkëpunim shumë më të mirë me një sërë muzesh për identifikimin e artefakteve shqiptare që mund të kenë përfunduar në muze jo të nivelit kombëtar”, tha ministrja e Kulturës.

Konventa detyron koleksionistët apo muzetë e vendeve të tjera t’i përgjigjen kërkesave të Shqipërisë për kthimin e artefakteve të saj./atsh/KultPlus.com

Piktura ‘Buste de femme’ e Pikasos shitet për 3.4 milionë euro në ankand

Piktura e Pablo Pikasos “Buste de femme” (”Bust gruaje”), të cilën ai e krijoi dy vjet para vdekjes, në 1971, u shit në ankand në qytetin gjerman të Këlnit të hënën për 3,4 milionë euro (3,64 milionë dollarë).

”Oferta ishte mbi parashikimet”, tha një zëdhënëse e shtëpisë së ankandit ”Van Ham”.

Një ofertues telefonik nga Zvicra paraqiti ofertën më të lartë.

”Kjo ishte hera e parë në të paktën 25 vjet që një pikturë e madhe e artistit spanjoll u shit në ankand në Gjermani”, sipas ”Van Ham”.

Historianët e artit njohën në pikturë bashkëshorten e dytë të Pikasos, Jacqueline Roque (1927-86).

Piktura erdhi nga një koleksion privat gjerman me një vlerë totale prej 10 milionë eurosh.

Gjithashtu në ankand përfshiheshin vepra nga Louise Bourgeois, Paul Klee, Sigmar Polke, Egon Schiele dhe Kurt Schwitters.

Pikaso, i cili vdiq 50 vjet më parë, krijoi gjithsej 400 portrete të Roque, që ishte muza e tij.

Ish-shitësja e qeramikës më vonë i ndaloi fëmijët e tij të merrnin pjesë varrim.

Ajo vetë vdiq në vitin 1986./KultPlus.com

“National Geographic” zbulon Rivierën shqiptare: Parajsa e panjohur e Mesdheut

“National Geographic” zbulon rivierën shqiptare për publikun spanjoll, në një artikull që është një ftesë e parefuzueshme për të kaluar disa ditë në “parajsën e panjohur të Mesdheut”.

Kështu u shpreh sot kryeministri Edi Rama, ndërsa ndau në rrjetet sociale artikullin e gjigantit të medias botërore.

“‘National Geographic’ zbulon Shqipërinë përmes rivierës së saj për publikun spanjoll, në vijën e së cilës shpalosen plazhe spektakolare, fshihen gjire sekrete, ndodhen gjurmë arkeologjike dhe shijohet kuzhina e papërsëritshme, të gjitha në këtë artikull që është një ftesë e parefuzueshme për të kaluar disa ditë në parajsën e panjohur të Mesdheut, siç na quan gjiganti i medias botërore”, shkruan Rama.

Kryeministri informoi se vitin e kaluar, mbi 45 mijë turistët spanjollë që vizituan Shqipërinë ishin “surpriza” e tregjeve të reja turistike që po eksplorojnë vendin tonë.

“Ndërsa për muajt janar-prill 2023, na kanë vizituar 92 % më shumë vizitorë nga Spanja, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, bëri të ditur ai.

“Sido që të jetë, ajo që duket qartë është se Shqipëria ka gjithçka për t’u bërë vendi më i lakmuar me plazhe spektakolare. Riviera shqiptare shtrihet duke vizatuar një vijë bregdetare të mrekullueshme, me rrënoja arkeologjike, histori emocionuese, veçori kulturore dhe gastronomi të pasur, të cilat mund të gjenden në plazhet më të mira të vendit”, shkruan ndër të tjera “National Geographic”./ atsh / KultPlus.com

Borsh beach with beautiful landscape in Albania

Kadare nderohet me urdhrin ‘Hasan Prishtina’: Nuk ka nderim më të madh për një intelektual sesa kjo që po e përjetoj unë sot

Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, është dekoruar sot me urdhrin ‘Hasan Prishtina’ nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përcjell KultPlus.

Në një ceremoni me të ftuar specialë në Presidencën e Kosovës, presidentja Osmani i shprehu mirënjohje shkrimtarit Kadare, veprën e të cilit ajo e cilëson një enciklopedi artistike e jetës së rëndomtë të shqiptarëve.

“I nderuar zotëri Kadare, jam shumë e lumtur për praninë tuaj këtu, aq më tepër që ndodheni këtu atëherë kur Prishtina jonë e dashur, për herë të 23-të, është veshur me petkun e festës së librit, si nikoçire tashmë e dëshmuar e autorëve, lexuesve dhe botuesve të shumtë nga të gjitha trojet shqiptare. Jam po kaq e lumtur që sot mund t’ua shpreh mirënjohjen e thellë të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve të saj për kryeveprat letrare që ju i keni shkruar e të cilat përbëjnë një ndër thesaret më të rëndësishme kulturore tonat, por krahas veprimtarisë letrare, ju keni qenë vazhdimisht një pikë e rëndësishme referimi për shqiptarët kudo në botë”, u shpreh presidentja Osmani, teksa pas fjalimit të saj e ftoi shkrimtarin Kadare për të dekoruar me dekoratën më të lartë shtetërore.

Pas dekorimit, para të ftuarve foli edhe vetë shkrimtari Kadare, i cili shprehet i prekur për një nderim të tillë.

“Çdo shqiptar do ta ëndërronte një gjë të tillë, është një fat i rrallë që një popull të të nderojë, sidomos kur ky popull e ka rrugën e historisë të vështirë. Për fat të keq, Shqipëria ka pasur një rrugë të gjatë historike të shkelur me këmbë nga forca të tjera të huaja, por për fat të mirë ajo gjithashtu i ka kapërcyer gjatë shekujve me mënyra të ndryshme”, u shpreh Kadare.

Më tutje ai u shpreh se vetë grumbullimi i sotëm do të thotë se megjithatë shqiptarët kanë triumfuar.

‘Ne këtu, vetë grumbullimi jonë në këtë sallë nga shqiptarë të të gjitha zonave të Ballkanit tregon këtë triumf të gjatë shekullor, dhe nga një triumf i tillë asnjë komb nuk heq dorë për veten e vetë, për lirinë e vetë, për gëzimin e vetë, për të ardhmen e vetë, pra është një triumf për atë që quhet qytetërim njerëzor, i kësaj bote ku jetojmë’, tha Kadare duke shtuar mes tjerash se nuk ka nderim më të madh për një intelektual shqiptar sesa kjo që e përjetoi ai sot.

Ndërkaq, një prej shkrimtarëve më të mëdhenj shqiptar, Ismail Kadare, ka qëndruar këto dy ditë në Prishtinë ku edhe ishte i pranishëm në hapjen edicionit të 23-të të Panairit të Librit./ KultPlus.com