Ia kërkoi një fans shqiptar, ylli i Bayern Munich shihet duke bërë simbolin e shqipnjës (VIDEO)

Shumë lojtarë shqiptarë kanë bërë festimin me “shqiponjë” gjatë viteve, dhe lirisht mund të themi se është një nga festimet më unike në botën e futbollit.

Një video interesante është duke qarkulluar në rrjetet sociale, me protagonist mbrojtësin e majtë të Bayern, Alphonso Davies.

Ylli i Bayern u ndalu nga një fans shqiptar, i cili duket se i kërkoi të bëjë “shqiponjën”, dhe nuk u dëshprua.

22 vjeçari me një buzëqeshje në fytyrë, ia realizoi dëshirën fansit shqiptar. / Insajderi / KultPlus.com

“Arbeit an Europa” për herë të parë me konferencë në Kosovë, “Kufijtë dhe Evropa” temë e diskutimit

“Arbeit an Europa” organizatë evropiane me seli në Gjermani, për herë të parë po vjen në Kosovë, përkatësisht me konferencën “Kufijtë dhe Evropa”, që do të mbahet në ambientet e Kosova 2.0 në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Debati publik mbi temën e kufijve dhe si ndryshojnë kufijtë në perceptimin tonë, do të mbahet më 16 shtator, prej orës 19:30.

Organizatorët kanë ka njoftuar se pjesëmarrja në këtë debat është e hapur për të gjithë, dhe ky event është ndihmuar edhe nga Kosova 2.0./ KultPlus.com

Buxheti i Prishtinës për vitin 2024, 20 herë më i lartë, Rama: Buxheti i transformimeve të kryeqytetit

Buxheti i Kryeqytetit i cili sapo u votua në Kuvend, për vitin 2024 do të jetë 123 milionë e 699 mijë e 998 euro. Pra, rreth 20 milionë më i lartë se vitin e kaluar, përcjell KultPlus.

Sipas të parit të kryeqytetit, Përparim Rama, buxheti i vitit 2024, është buxhet i projekteve të mëdha kapitale, të cilat kanë qenë premtime, qysh prej ditës së parë të punës së tij në Kryeqytet. Pra, do të jetë një buxhet i transformimit të Kryeqytetit.

“Kemi ndarë 40 milionë e 500 mijë euro vetëm për Investime Kapitale, ku përfshihen:

Ndërtimi i shkollave dhe çerdheve, Spitali i Prishtinës, Ndërtimi i Tunelit “Agim Ramadani”,

Ndërtimi i Unazës Qendër, Salla e Koncerteve, Salla e madhe multifunksionale, Revitalizimi i Tullëtores”, thotë Rama.

Gjithashtu, në buxhetin për vitin e ardhshëm janë ndarë para edhe për shtimin e parqeve, menaxhimin e mbeturinave, transportin publik, ndërtimin e therrtores për kafshë. / KultPlus.com

Qemal Minxhozi lirohet nga detyra, aktori Petrit Malaj ambasador i ri i Shqipërisë në Kosovë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi këtë të enjte lirimet dhe emërimet e Ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë.

Bëhet me dije se Qemal Minxhozi është liruar nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës.

Në vend të tij është emëruar aktori i njohur Petrit Malaj.

Përveç në Kosovë, Begaj ka emëruar edhe shtatë ambasadorë të rinj. / KultPlus.com

Pas PriFest-it, “The Land Within” me premierë në festivalin “Raindance” ku është i nominuar në dy kategori

Pas premierës së tij në Kosovë në PriFest – Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë, “The Land Within” i regjisorit Fisnik Maxville do të ketë premierën edhe në Mbretërinë e Bashkuar në festivalin e kuruar bukur dhe ambicioz Raindance, përcjell KultPlus.

Filmi është nominuar për çmimin Discovery (i parë artistik) si dhe për regjisorin më të mirë!

Në rolet kryesore në këtë film luajnë: Florist Bajgora, Luàna Bajrami, Armend Smajli, Luan Jaha, Arta Mucaj, Irena Aliu, Kumrije Hoxha, Meli Qena dhe Çun Lajçi.

The Land Within është një bashkëprodhim mes Zvicrës dhe Kosovës, përmes Alva Film Productions dhe Ikone Studio, me RTS Radio Télévision Suisse që shërben si bashkëprodhues. / KultPlus.com

“Odiseja e Gëzimit” në sheshxhirim

Filmi i metrazhit të gjatë “Odiseja e Gëzimit” me skenar dhe regji të Zgjim Terziqi, producente Valmira Hyseni, bashkëprodhim i Plan Bee Films nga Kosova dhe Mon Ballon Production nga Franca, subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës ka filluar xhirimet të shtunën me datë 9 shtator.

Në film luajnë: Diar Sadiku, Lucie Fagedet, Frederic Radepont, Iñaki Lartigue, Njomeza Fetiu, Meli Qena, Edon Rizvanolli, Tristan Halilaj, Eli Gashi, Dukë Sllamniku, Ernest Malazogu, Bajram Kafu Kinolli, Imer Kutllovci, etj.

“Odiseja e Gëzimit” është në ditën e 6-të të xhirimeve dhe pritet të zgjasin deri me 10 tetor.

Xhirimet përfshijnë një pjesë të madhe të territorit të Kosoves duke filluar nga Prishtina, Mitrovica, Suhareka, Janjeva, etj. / KultPlus.com

Albumi “Uniformë” transformon Luan Durmishin, nga muzika klasike e sjell në industrinë e muzikës moderne

“Uniformë” është titulli i albumit të Luan Durmishit, album që do të vjen edhe nëpërmjet një koncerti e që artistin e sjell para mikrofonit tek pas tri dekadave, shkruan KultPlus.

Durmishi, që sipas tij i ka dhënë shpirtin këtij albumi, ndryshe nga lansimet e këngëtarëve tjerë, ai promovimin e albumit ka menduar ta sjell në një format tjetër.

Albumi “Uniformë” do të vjen me një koncert live, koncert që pritet të shfaqet para audiencës së Prishtinës.

“Koncerti do të vjen komplet me standarde perëndimore dhe koncept të detajizuar, por edhe me shumë surpriza”, ka thënë Durmishi për KultPlus, i cili ka njoftuar se koncerti që do të mbahet më 1 dhjetor në sallën e AMC tashmë ka nxjerr biletat në shitje.

Durmishi për albumin “Uniformë” ka treguar se janë involvuar edhe profesionistë nga jashtë, dhe se për këtë projekt që ngërthen album dhe koncert është frymëzuar nga qarqet gri, të cilat, sipas tij i neutralizojnë çështjet që kanë të bëjnë me personalen dhe kolektiven.

Por para 1 dhjetorit kur pritet të lansohet i gjithë projekti, Durmishi ka bërë të ditur se do të lansohet njëra nga këngët e albumit, e cila do të lansohet edhe me videoklip, këngë që do ti paraprijë këtij projekti për të cilin, sipas tij ka punuar shumë.

“Të gjitha këngët janë të punuara me shumë përkushtim deri në detajin e fundit dhe secila prej tyre tregon një rrëfim prej personales e deri te kolektivja” ka thënë Durmishi, i cili megjithatë ka një ndjesi më të veçantë për njërën nga këngët e këtij albumi.

“Është kënga “Panteon” që kam një ndjeshmëri më të madhe, është këngë që i dedikohet grave dhe nënave shqiptare”, ka thënë Durmishi, i cili me këtë album shpjegon se po bën edhe kthesë në paraqitjet e tij publike, pasi që deri më tash është prezantuar në muzikën klasike dhe profile të ngjashme artistike, e ky album e sjell Luan Durmishin më afër me industrinë moderne, album që ngërthen muzikën pop, elektro pop, industrial pop, por që kanë edhe elemente të muzikës klasike.

Durmishi ka bërë të ditur se albumi “Uniformë” do të përfundojë më 15 tetor, dhe të gjitha këngët janë duke u punuar në studion e dy producentëve muzikor: Tomor Kuçi dhe Dren Suldashi Suldashi.

Producent muzikor i albumit është Tomor Kuçi dhe asistent producent Dren Suldashi, kurse të gjitha tekstet dhe vijat melodike të vokalit janë të shkruara dhe krijuar nga Luan Durmishi, përveç një kënge e cila është krijuar nga Tomor Kuçi.

Në fund është bërë e ditur se biletat e koncertit “Uniformë” mund të blihen në Rave Travel, dhe biletat për këtë koncert momentalisht janë 10 euro, edhe pse, sipas Durmishit ky çmim do të rritet më vonë.

Pjesë e koncertit në bendin e Luan Durmishit janë: Albin Abazi- oboist dhe tupana, Melos Buza- pianist, Dren Suldashi- Bas Kitarë, kurse pjesa tjetër e muzikës, sipas tij do të jetë Backing Track.

Albumi dhe koncerti i Luan Durmishit vitin e ardhshëm do të filloj turneun edhe jashtë Kosovës./ KultPlus.com

Suedia u thotë jo tabletëve dhe kompjuterëve nëpër shkolla: “Nxënësit kanë nevojë që të mësojnë dhe përmirësojnë shkrimin e dorës”

Disa shkolla në Suedi po kufizojnë përdorimin e kompjuterëve dhe pajisjeve të tjera elektronike nëpër klasa, pasi mësuesit druhen se këto pajisje po dëmtojnë aftësitë e nxënësve për të shkruar dhe lexuar.

Megjithëse Suedia ka një shkallë më të lartë suksesi në arsim në krahasim me fqinjët e saj evropianë, statistikat e qeverisë sugjerojnë një rënie të lehtë.

Me fillimin e vitit të ri shkollor në mbarë botën, për një shkollë suedeze në qendër të Stokholmit kjo nënkupton shumë orë shkrimi me dorë dhe orë të qeta leximi, diçka e pazakontë për Suedinë. Në vitin 2017 Suedia miratoi një strategji për përdorimin e kompjuterëve dhe tabletëve nëpër klasa, madje edhe nëpër kopshte. Nëntëvjeçari, Henrik Trolle Adams, në klasën e tretë të shkollës Djurgardsskolan beson në rëndësinë e shkrimit me dorë.

“Shkrimi në kompjuter dëmton aftësinë për të shkruar mirë me dorë”.

Edhe shoqja e tij e klasës Liveon Palmer preferon që të shkruaj në letër. “Më pëlqen të shkruaj më shumë në fletore, sepse thjesht ndihem më mirë”. / KultPlus.com

Gjetje arkeologjike në Dushkarak të Selenicës, varri antik zbulohet gjatë punimit të tokës

Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, DRTK Vlorë dhe Drejtoria e Shërbimit Arkeologjik (IKTK) realizuan gërmimin arkeologjik të shpëtimit të një varri antik në Dushkarak, të Bashkisë Selenicë.

Varri antik i zbuluar në prill të këtij viti, ka arkitekturë të thjeshtë dhe brenda tij u gjetën eshtrat e një individi. Inventari i zbulimit përbëhej nga objekte qeramike të fragmentuara si dhe objekte metalike, ku vlen të veçohet prania e një maje heshte.

Nga vlerësimet paraprake varri mendohet se daton në shek. IV-III p.Kr. Objektet do të trajtohen nga specialistët e konservimit pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

Sipas DRTK Vlorë, zbulimi u realizua në ullishten e Fetah Derraj, në Dushkarak, ndërsa ai punonte tokën.  Gjatë punimit të tokës freza e traktorit kishte nxjerrë një varr, brenda të cilit kishte dalë një amforë që iu dorëzua specialistëve të DRTK Vlorë.

Gjetje arkeologjike ne Dushkarak. /atsh / KultPlus.com

Në Kuvendin e Kosovës mbahet një minutë heshtje për nobelistin Ferid Muradi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj e kujtoi sot vdekjen e nobelistit me prejardhje shqiptare, Ferit Murad. Në fjalën e tij, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Kokaj ka kërkuar nga deputetët që të mbajnë një minutë heshtje për veprën e nobelistit.

“Deshta të marr një minutë për të kujtuar rastin e vdekjes së Ferid Murad. Vdekja është diçka e frikshme, por kur flasim për vdekjen e nobelistit, vëllait tonë Ferid Murad, është një kënaqësi e veçantë, me të cilin mburremi ne dhe tërë bota”, tha ai. / KultPlus.com

Rikthehet Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit Bashkëkohor, me koreografin e famshëm Angjelin Preljocaj

Në Tiranë rikthehet me edicionin e tij të dytë, Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit Bashkëkohor.

Aktiviteti vjen me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Harabel Contemporary Art Platform dhe bashkëpunimin me D18 Paris dhe Teatrin Kombetar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit Bashkëkohor do të zhvillohet nën drejtimin artistik të koreografit të mirënjohur Angjelin Preljocaj, nga data 26 shtator deri në 22 tetor 2023.

Ky masterclass zhvillohet edhe në kuadër të programit profesional të TKOB-së “Akademia Teatrale”, që synon evidentimin, promovimin dhe zhvillimin e talenteve të reja në disiplinën lirike dhe zhanret e ndryshme të baletit.

“Shfaqje dhe mësim, emra të mëdhenj dhe teknika të reja”, shkroi ministrja Margariti në rrjetet sociale ndërsa njoftoi për këtë masterclass të rëndësishëm. Pak ditë më parë, gjithashtu në kuadër të programit “Akademia Teatrale”, TKOB hapi thirrjen për masterclass bashkëpunues me sopranon ikonike Ermonela Jaho./ atsh / KultPlus.com

Kujtohet kontributi i Mitrush Kutelit në 116 vjetorin e lindjes

Në 116 vjetorin e lindjes së Mitrush Kutelit, një nga prozatorët e rëndësishëm të letrave shqipe, e në vitin e 80-vjetorit të botimit të Poem kosovar dhe Poemi i Shendaumit, një poemë që kërkon herët një ndriçim shpirtëror për Kosovën, kujtuam kontributin e Kutelit në historinë e kulturën e gjuhës shqipe, në një aktivitet që bëri bashkë familjarë, studiues e lexues të veprës së tij.

Aktorët Rajmonda Bulku, Ndriçim Xhepa dhe Kristaq Skrami sollën përmes interpretimit fuqinë e rreshtave të tij, përmes pasazheve nga “E madhe është gjëma e Mëkatit”, “Vjeshta e Xheladin Beut, apo vargje të zgjedhura. / KultPlus.com

Filatelia e Postës së Kosovës, nga sot lëshoi në qarkullim postar emisionin e pullave postare “Fibulat ilire”.

Ndër artefaktet e luajtshme të zbuluara në lokalitete antike arkeologjike në Kosovë, padyshim rëndësi të veçantë kanë edhe fibulat ilire.

Fibulat bëjnë pjesë në objektet më të përdorura të zbukurimit nga të gjitha fiset ilire. Në disa raste përmes stolive është dëshmuar edhe vet përkatësia ilire. Format dhe varietetet ishin të ndryshme: të thjeshta në formë të harkut apo të cilësuara si krijimtari me evolucion të veçantë siç është fibula e spektaklit të dy spiraleve të ngjitura në mes vete. Forma të tjera që shfaqen në epokën e hershme të hekurit përfshijnë ato me hark, karficat në formë kafshe, karficat në formë gjarpri, etj.

Fibulat bëjnë pjesë në trashëgiminë e vlerave  të veçanta për territorin e Kosovës, të cilat ndër të tjera flasin edhe për diferencimin social dhe ekonomik të individëve apo grupeve të shtresave elitare në kohën e neolitit dhe periudhës së vonë të hekurit.

Filatelia e Postës së Kosovës, përmes pamjeve të katër pullave postare prezanton katër forma të zbukurimeve nga kultura e begatshme ilire./ KultPlus.com

Komisionerja thur çorape në Parlamentin Evropian teksa flet Von der Leyen (VIDEO)

Një sjellje tepër e pazakontë brenda Parlamentit Evropian është regjistruar nga kamerat, pikërisht në momentin kur kryetarja e Komisionit, Ursula von der Leyen po mbante një fjalim. Zakonisht pritet që të gjithë përfaqësuesit e organizmit evropian ta ndjekin me interes atë që von der Leyen deklaron.

Mirëpo gjërat rrodhën disi ndryshe dhe diferencën e bëri komisionerja Ylva Johansson e cila brenda pak minutash arriti t’i vjedhë vëmendjen presidentes së Komisionit dhe të bëhet virale.

Ndërkohë që kryetarja e Komisionit dhe drejtuesja e debatit në Parlamentin Europian po fliste, komisionerja e Punëve të Brendshme të BE-së, Ylva Johansson, është “kapur” nga kamera duke thurur çorape rozë.

Megjithatë, kjo nuk ishte hera e parë që komisionerja europiane paraqitet në një takim duke thurur. Në vitin 2021, fotografët e kishin “kapur” atë në një seancë tjetër duke thurur çorape leshi blu.

Ylva Johansson është deklaruar një adhuruese e madhe e thurjes dhe ka treguar çorapet që thur zakonisht për kolegët e saj në Parlamentin Europian./ Express / KultPlus.com

“Idetë e tij janë të çuditshme”, Bill Gates kundër Elon Musk

Gazetari amerikan Walter Isaacson ka publikuar së fundmi një biografi për Elon Musk, ku saktëson se marrëdhëniet mes Musk dhe Bill Gates janë shumë të ndërlikuara.

Ideja e Elon Musk për të lënë Tokën e për të jetuar në Mars nuk është pritur mirë nga Bill Gates. Ai u përpoq ta kuptonte dhe siç mund të lexohet në biografi, ka thënë se “është pak e çuditshme”.

Dallimet mes të dy miliarderëve nuk fokusohen vetëm jashtë Tokës, por ka një çështje tjetër për të cilën ata nuk pajtohen me idetë e njëri-tjetrit: makinat elektrike.

Elon Musk është pronari dhe themeluesi i Tesla, një kompani e makinave elektrike që ka pushtuar tregun. Edhe pse sot automjetet e tij shiten në të gjithë botën, Bill Gates pati një takim me të për të folur për qëndrueshmërinë e gamës së re të kamionëve elektrikë për të cilat Musk po punon.

“Është një aspekt ku ishte e qartë që ai nuk kishte dijeni”, mësohet të ketë thënë Gates.

Ajo që distancoi më shumë dy nga njerëzit më të pasur në botë ishte blerja e aksioneve nga Gates në kompaninë e automjeteve elektrike. / KultPlus.com

“El Pais”: Shqipëria, destinacioni i ri i udhëtimeve, hapet me botën

Gati katër dekada pas vdekjes së Enver Hoxhës, udhëheqësit që e ktheu Shqipërinë në një nga vendet më të izoluara të Europës, turizmi ka përjetuar një rritje shumë të shpejtë në muajt e fundit, shkruan në një artikull gazetari, Francisco de Zarate të botuar në të përdishmen spanjolle “El Pais”.

Numri i vizitorëve të huaj në maj ishte 2,5 herë më shumë se në të njëjtin muaj të 2019.

Vendi i vogël ballkanik ka tejkaluar shifrat e para pandemisë që nga vjeshta e vitit 2021, ndërsa destinacionet kryesore turistike si Franca dhe Italia nuk kanë arritur ende të kthehen në nivelet e mëparshme.

Shqipëria ofron çmime të përballueshme, ujëra të pastër kristal dhe ekzotizëm.

Këto janë themelet e fushatës së marketingut digjital që ka tërhequr mijëra turistë këtë verë, në një vend me një popullsi prej 2,8 milionë banorësh, të cilit i është dashur të rekrutojë më shumë punëtorë nga India, Bangladeshi dhe Pakistani, mes vendeve të tjera, për të përmbushur rritjen e kërkesës.

“Nga pesë hotele ku kemi qëndruar, katër u hapën vitin e kaluar dhe një këtë vit”, tha Marcos Fernández, nga Madridi, Spanjë, i cili vizitoi Shqipërinë në gusht.

“I gjithë vendi është në ndërtim e sipër”, shtoi ai.

Shqipëria regjistroi një rritje prej 45% nga viti në vit, në numrin e lejeve të ndërtimit në vitin 2021, duke reflektuar një tendencë rritëse që, sipas të dhënave të qeverisë, u kryesua në vitin 2022 nga sektori i hotelerisë, i cili regjistroi një rritje prej 55% në biznes.

“Në krye të rritjes së turizmit dhe punimeve ndërtimore që pasuan tërmetin e vitit 2019, bumi i ndërtimeve është edhe për shkak të remitancave të dërguara nga diaspora e konsiderueshme prej 1,2 milionë shqiptarësh jashtë vendit, e cila përbën më shumë se 9% të PBB-së së vendit”, sipas vlerësimet e Bankës Botërore.

Në Shqipëri, bujqësia ka përfaqësuar tradicionalisht burimin kryesor të punësimit, por tashmë është kthyer edhe në një gjenerues të këmbimit valutor.

Megjithëse mikrobujqësia familjare mbizotëron ende në një vend që ishte i vetë-mjaftueshëm në vitet 1980, produktiviteti është rritur me të njëjtin ritëm si eksportet, me 15,6% për shitjet e huaja të pjeprit, shalqinjve, domateve, trangujve dhe agrumeve, ndër kulturat e tjera.

“Të dhënat e eksportit bujqësor kishin filluar të rriteshin para pandemisë, në 2017 dhe 2018. Më pas u rikuperua në vitin 2022 dhe ka ecur kryesisht mirë në vitin 2023”, tha Meleq Hoxhaj, një studiues i pavarur dhe bashkëautor i një pune kërkimore mbi lidhjen midis globalizimit dhe papunësisë në Shqipëri.

“Humbjet e vendeve të punës që mund të kenë ardhur nga mekanizimi i shpejtë i fshatit shqiptar janë kompensuar nga rritja e eksporteve”, tha ai.

Progresi

“Shqipëria ishte në fund të Evropës dhe Azisë Qendrore për sa i përket niveleve të varfërisë dhe në 30 vjet ajo ka arritur një nivel të lartë të mesëm të të ardhurave me pothuajse të gjithë treguesit që lëvizin në drejtimin e duhur”, tha Emanuel Salinas, përfaqësues i Bankës Botërore në Tiranë.

“Varfëria ka qenë në rënie të vazhdueshme dhe PBB-ja është rritur me shpejtësi”, shtoi ai.

Ju nuk keni nevojë të ktheheni në vitet 1990 për të vërtetuar progresin.

“Midis 2010 dhe 2019, PBB-ja për frymë u rrit me një normë mesatare vjetore prej 2,9%”, sipas Bankës Botërore.

Në vetëm shtatë vjet, varfëria është zhvendosur nga 41,5% e popullsisë (2016) në 23,9% (2023).

Eliminimi i kësaj shifre nuk është sfida e vetme e jashtëzakonshme e vendit.

Shqipëria tani përballet me një problem që vende si Argjentina apo Venezuela vetëm mund ta ëndërronin, domethënë presionin rritës mbi monedhën vendase të krijuar nga fluksi masiv i valutës së huaj nëpërmjet investimeve të huaja, remitancave, turizmit dhe eksporteve bujqësore.

Nga 135 lekë që duheshin për të blerë një euro një dekadë më parë, vitet e fundit ajo kishte kaluar në kufirin 120 lekë për euro.

Kjo barrierë u thye sërish në korrik 2023, kur monedha shqiptare u mbiçmua në 101 lekë për euro.

“Për të zbutur këtë presion, Banka e Shqipërisë ka tërhequr euron nga tregu, por kjo nuk ka mjaftuar. Ndonëse mbiçmimi i fortë i lekut është përmbysur pak, sërish është një barrë e madhe për kompanitë eksportuese, të cilat si nxitje kanë marrë disa rimbursime taksash nga qeveria”, tha Hoxhaj.

Qeveria shqiptare është e vetëdijshme se stimujt tatimorë dhe ndërhyrjet në valutë shërbejnë vetëm si një masë ndaluese, dhe ajo ka vendosur të zhvillojë shërbimet digjitale të eksportit dhe të përmirësojë inovacionin dhe konkurrencën në sektorët e bujqësisë dhe turizmit.

Megjithëse strategjia mund të mos japë rezultate të menjëhershme, një gjë është e qartë, një monedhë e rivlerësuar mund të jetë një sfidë. /atsh / KultPlus.com

Tourists visit the redesigned pyramid that was formerly a museum built to honour late Communist dictator Enver Hoxha, in Tirana, Albania, August 18, 2023. REUTERS/Florion Goga

Koncerti magjik që shenoi hapjen e sezonit të ri nga Kori Filharmonisë së Kosovës

Kori i Filharmonisë së Kosovës e hapi sezonin 2023/2024 me një performancë magjike, shkruan KultPlus.

Dirigjenti Memli Kelmendi dha një performancë të jashtëzakonshme, me një përzgjedhje veprash nga Mendi Mengjiqi deri tek John Williams.

Postimi i plotë:

“🌟🎶 Një hapje sezoni për tu mbajtur mend!

Koncerti i hapjes së sezonit 2023/2024 i Korit të Filharmonisë së Kosovës qe vërtetë magjik!

🎼Nën drejtimin e shkëlqyer të Memli Kelmendit, Kori dha një performancë të jashtëzakonshme, me një përzgjedhje veprash nga Mendi Mengjiqi deri tek John Williams. Mbështetja dhe ovacionet e publikut qenë kurorëzimi i suksesshëm i këtij koncerti.

Ajo që bëri këtë mbrëmje edhe më të veçantë ishte fakti që erdhi edhe si dedikim për kolegen tonë të dashtun, Diellza Sylejmani, e cila së voni është prekur nga kanceri i gjirit. Forca dhe durimi i saj na frymëzojnë çdo ditë andaj Diellzën shumë shpejt e presim të na bashkohet në skenë.

Ju falënderojmë që ishit pjesë e këtij udhëtimi të paharrueshëm!

Kori i Filharmonisë do të mbajë nesër mbrëma koncert në Pejë në Kishën Katolike “Shën Katerina” prej orës 20:00, kjo si pjesë e hapjes së konferencës ndërkombëtare “Quo Vadis 2023”, fuqizuar nga Choral Space – Berlin dhe Siparantum Choir – Pejë 🙏🎶”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com

“Tri gjëra kanë mbetur nga parajsa, ato janë yjet, lulet dhe fëmijët”

Një gjë sa më perfekte që është, aq më shumë ajo ndien dhimbje dhe kënaqësi.

Më të mençurit janë ata që mërziten më së shumti kur e humbasin kohën.

Nuk ka dhimbje më të madhe se sa ta rikujtosh lumturinë në kohën e mjerimit.

Nëse e ndiqni prirjen tuaj natyrore, ju definitivisht do të shkoni në Parajsë.

Dashuron pak ai që mund të numërojë dhe ta thotë me fjalë se sa shumë dashuron.

Vendet më të nxehta në Ferr janë të rezervuara për ata që ruajnë neutralitetin e tyre në momente të një krize të madhe morale.

Zoti është Një; Universi është një mendim i Zotit; Universi është pra Një i tillë. Të gjitha gjërat vijnë nga Zoti. Të gjithë marrin pjesë, pak a shumë, në natyrën hyjnore, në varësi të qëllimit për të cilin janë krijuar. Njeriu është më fisnik nga të gjitha gjërat: Zoti ka derdhur më shumë në të nga natyra e tij sesa te të tjerët. Çdo gjë që vjen nga Zoti priret për përkryerjen e saj për të cilën ai është i aftë. Kapaciteti për përmirësim tek njeriu është i papërcaktuar. Njerëzimi është Një. Zoti nuk bëri asgjë të padobishme; dhe duke qenë se ekziston një njerëzim, duhet të ketë një qëllim të vetëm për të gjithë njerëzit, një punë që duhet të realizohet nga të gjithë ata. Njerëzimi, pra, duhet të punojë së bashku në mënyrë që të gjitha forcat intelektuale të shpërndara në të të marrin zhvillimin më të lartë të mundshëm në sferën e mendimit dhe veprimit. Prandaj, ekziston një fe universale e natyrës njerëzore .

Në origjinën e saj, poezia është shkenca e gjërave njerëzore dhe hyjnore, e kthyer në një imazh fantastik dhe harmonik.

Oh krijesa marrëzie sa injorancë ka në fyerje!

Tri gjëra kanë mbetur nga Parajsa: yjet, lulet dhe fëmijët.

Në botën tonë dy yje i kemi, ne nuk i shohim ata, por e ndiejmë mirë fuqinë e tyre të pamasë.

Dashuria që lëviz diellin dhe yjet e tjerë.

– Dante Alighieri / KultPlus.com

Bill Gates, Elon Musk dhe Mark Zuckerberg takohen në Uashington për të diskutuar rregulloret e ardhshme të AI

Disa nga zërat më me ndikim në industrinë e teknologjisë po takohen me ligjvënësit federalë të mërkurën, ndërsa Senati i SHBA përgatitet të hartojë legjislacionin që rregullon industrinë e inteligjencës artificiale.

Midis atyre që marrin pjesë personalisht në ngjarje janë CEO të Anthropic, Google, IBM, Meta, Microsoft, Nvidia, OpenAI, Palantir dhe X, kompania e njohur më parë si Twitter. Lista e të ftuarve përfshin gjithashtu Bill Gates, ish-CEO i Microsoft-it dhe Eric Schmidt, ish-CEO i Google, së bashku me zyrtarë kryesorë nga industria e argëtimit, grupet e të drejtave civile dhe organizatat e punës, përcjell Top Channel.

Takimi i sotëm shënon të parin nga nëntë seancat e organizuara nga udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, i cili është zotuar të krijojë parmakë mbrojtëse gjithëpërfshirëse që rregullojnë sektorin e AI në atë që ai e përshkruan si një përpjekje të paprecedentë të Kongresit.

“Me inteligjencën artificiale ne nuk mund të jemi si strucët që fusin kokën në rërë”, tha Schumer.

Kjo pasqyron ndërgjegjësimin në rritje të politikëbërësve se si inteligjenca artificiale, dhe veçanërisht lloji i AI gjeneruese i popullarizuar nga mjete të tilla si ChatGPT, mund të prishë potencialisht biznesin dhe jetën e përditshme në shumë mënyra – duke filluar nga rritja e produktivitetit komercial deri te vendet kërcënuese të vendeve të punës, sigurisë kombëtare dhe pronës./Katror.info /KultPlus.com

BE: Panel global ekspertësh për rreziqet e inteligjencës artificiale për njerëzimin

 Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen bëri thirrje sot për krijimin e një paneli global ekspertësh për të vlerësuar rreziqet e inteligjencës artificiale për njerëzimin.

”Qindra zhvillues, akademikë dhe ekspertë kryesorë në fushën e IA na kanë alarmuar së fundmi për rrezikun e zhdukjes së njerëzimit”, tha ajo, në një fjalim në Parlamentin Evropian në Strasburg.

”Zvogëlimi i këtij rreziku duhet të jetë një prioritet global, së bashku me rreziqe të tjera që kërcënojnë shoqërinë në tërësi, siç janë pandemitë dhe lufta bërthamore”, theksoi ajo.

”Inteligjenca artificiale po evoluon më shpejt sesa vetë projektuesit e saj e kishin parashikuar. Prandaj na mbetet pak kohë për ta udhëhequr këtë teknologji në një mënyrë të përgjegjshme”, shtoi Der Leyen duke bërë thirrje për krijimin e një kornize të re globale  bazuar në tre shtylla: masa mbrojtëse, qeverisje dhe udhëzime për inovacionin.

“Ne duhet të punojmë së bashku me partnerët tanë që të gjithë të kenë të njëjtin kuptim të ndikimit të IA në shoqëritë tona”, tha ajo.

Shpërndarja në rrjetet sociale e imazheve false, më të mëdha se jeta, të krijuara nga aplikacione si Midjourney, ka alarmuar njerëzit për rreziqet e sistemeve të inteligjencës artificiale për demokracinë.

Potenciali i këtyre teknologjive, të cilat gjithashtu mund të shkruajnë disertacione, të kompozojnë muzikë ose të lehtësojnë diagnozat mjekësore, aq magjeps aq edhe shqetëson.

BE-ja shpreson të përfundojë rregulloren e parë në botë për të rregulluar këto risi përpara fundit të vitit.

Megjithatë, ajo nuk do të hyjë në fuqi para vitit 2026.

Legjislacioni i ardhshëm duhet veçanërisht të ndalojë aplikimet për mbikëqyrje masive të qytetarëve dhe të vendosë standarde në listën e shërbimeve të konsideruara në rrezik.

Aktualisht është objekt negociatash mes 27 vendeve anëtare të BE-së dhe Parlamentit Evropian.

“Legjislacioni ynë i IA është tashmë një model për të gjithë botën. Tani duhet të miratojmë rregullat sa më shpejt të jetë e mundur dhe të kalojmë në zbatimin e tyre”, kërkoi Von der Leyen./KultPlus.com

‘Gjyqi i vetvetes’, poema e jashtëzakonshme e Arthur Rimbaud

Nga Arthur Rimbaud

Ç’jemi ne?

Viktima të njëri-tjetrit.

Ç’jemi ne?

Nxënës të ideve absurde.

Ç’jemi ne?

Vegime të turbullta në pellg.

Ç’jemi ne?

Fëmijë me arsyetime të mbrapsht.

Ç’jemi ne?

Pranga të mbetura jetime.

Ç’jemi ne?

Kometa të rritura në vazo.

Ç’jemi ne?

Polumbarë që zhytemi në tokë.

Ç’jemi ne?

Çelsa më të mëdhenj se dyert.

Ç’jemi ne?

Forma të gjalla të vdekjes.

Ç’jemi ne?

Vullkane të shuar instiktesh.

Ç’jemi ne?

nsekte që koleksionojnë shkencëtarë.

Ç’jemi ne?

Palaço të shfaqjeve ku qeshim e gajasemi vetë.

Ç’jemi ne?

Pula të mallëngjyera nga veza.

Ç’jemi ne?

Asketë të ëndërrave tona.

Ç’jemi ne?

Testamente të lënë pa trashëgimtarë.

Ç’jemi ne?

Plumba me objektiv kokën.

Ç’jemi ne?

Muskuj që urdhërohen nga pesha që mbajnë.

Ç’jemi ne?

Gjak i përgatitur në laborator.

Ç’jemi ne?

Lepuj që adhurojnë qentë.

Ç’jemi ne?

Proteza të ngulura e të mbetura mbi bukë.

Ç’jemi ne?

Ujë i papërfillshëm nga devetë.

Ç’jemi ne?

Aktorë të dështuar tragjikë.

Ç’jemi ne?

Lapsuse memecësh.

Ç’jemi ne?

Herkulë që vetëvaren se nuk i kundërshton njeri.

Ç’jemi ne?

Peshkatarë që i hedhin grepin vetes.

Ç’jemi ne?

Robër që luten për të mos u liruar.

Ç’jemi ne?

Ne jemi ata që bëjnë pyetjen:

E ç‘jemi ne?

Ne jemi:

Ura midis dy humnerave.

Ne jemi:

Dashuria midis dy epsheve.

Ne jemi:

Flakadanë zjarresh që trembin egërsirat.

Ne jemi:

Kështjellarë të rrethuar nga padrejtësia.

Ne jemi:

Lamtumira e fundit e majmunit.

Ne jemi:

Optimizmi i diellit në agim.

Ne jemi:

Kënaqësi e dhimbjes në lindje.

Ne jemi:

Orteqe të shndërruar në barrikada.

Ne jemi:

Shkallare që të çojnë te perënditë.

Ne jemi:

Karvane që vdesin nga etja për të vërtetën.

Ne jemi:

Ata që i bindën oqeanet të heqin dorë.

Ne jemi:

Ata që nga pema prodhuam letrën, ku u vizatua rrënja.

Ne jemi:

Ata që trupin prenë për ta shëruar.

Ne jemi:

Ata që shpikën pasqyrën për të parë të metat.

Ne jemi:

Ata që jetën e shndërruan në qëllim.

Ne jemi:

Ata që me ide e mbushën zbrazëtirën.

Ne jemi:

Ata pa të cilët toka do të ish anonime.

Ne jemi:

Bij të etërve tanë dhe etër të bijve tanë.

Ne jemi:

Njerëz, njerëz dhe ky fakt zhduk çdo dyshim. / KultPlus.com

T’isha një lule

Poezi nga Musine Kokalari

T’isha një lule- lule are, e vogël dhe me erë.

Të çelnja në pranverë

Dhe në vjeshtë të vishkesha në vetminë time.

T’isha një lule vjollce në mes të ferrave.

Të qëndroja e fshehur, e pa dukur

Dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të

dy të rinjëve.

Prej frike,

Të larguar prej njerzisë do t’më këputnin,

Do t’u dhurohesha te njëri-tjetri

Për shenjë kujtimi. / KultPlus.com

“Toka Brenda Meje” si rizbulimi i rrënjëve përmes artit kinematografik, Maxville: E gjeta vendin tim në këtë botë nga ky film

4 kapituj të përmbledhur në një film për të shfaqur madhështinë e kinematografisë shqiptare. Regjisori Fisnik Maxville, me motivin që të gjejë vendin të cilit i përket dhe rrënjët se nga vjen për të “siguruar” një vend në tokë në mënyrë që të mos ndihet pa “identitet”, vjen me filmin The Land Within, ku bën edhe hapjen e festivalit më të rëndësishëm të filmit në Kosovë, PriFest, i cili këtë vit po shënon edicionin e 15-të, duke sjellë emra të ndryshëm nga bota e kinematografisë ndërkombëtare, shkruan KultPlus.

Uranik Emini

Vjosa Berisha – emri që ngriti në piedestalin më të lartë festivalin “PriFest” u kujtua në edicionin e 15-të, me një këngë shumë të dashur të saj “Miss Sarajevo” – U2 & Luciano Pavarotti, të kënduar mjeshtërisht nga dyshja artistike, Alban Nimani dhe Dren Abazi.

“The Wedding”, “The Worm”, “The Guilt” dhe “The Child”, përfshiu në thelb traditat shqiptare, dasmat, rolin e burrit në familje, mungesën e tij, identitetin, të kaluarën, traumat, e në mesin e shumë gjërave tjera edhe detyrimin e gruas që të marr dy role, diskriminimin e personave që kanë ikur nga lufta si azil nga rrethanat e “panjohura” për njerëzit dhe gjykimin e këtyre të fundit.

Ikja nga lufta në rrethana të panjohura shpesh herë cilësohet edhe si akt tradhtie prej shumë njerëzve të cilët luftuan dhe në fund “të gjallë” jetojnë në vendin e tyre me një liri të cektë e me shumë histori mbrapa.  Rikthimi i Remos në fshatin që po mbulohej nga legjenda urbane për rikthimin e ujqërve për të shkatërruar gjëra në fshat e gjen atë në shtëpinë e kushërirës së tij, Unës. Ajo kishte jetuar për vite me radhë në një liri të rrejshme, duke u veshur nën petkun e një burri të familjes.

Remo, i cili ishte larguar nga lufta në rrethana të panjohura për shumë njerëz, konsiderohej si një i huaj në vendin e tij, në tokën e tij, duke lënë shtetin e Zvicrës përgjithmonë, në mënyrë që të kthehet në Kosovë. Ai nuk kishte shumë njohuri dhe ishte rritur pa prindër që nga lindja.
Megjithë këtë, Remo mori vendimin të rikthehet në Kosovë dhe të përballonte përsëri traumat e fëmijërisë dhe ato që “Skenderi” i kishte shkaktuar disa herë në të kaluarën. Skenderi ishte në prag të vdekjes, dhe Remo duhej të ishte aty për të pritur njerëzit që vijnë në varrimin e tij.

Una, e cila po jetonte e vetme me të gjitha përgjegjësitë që një familje i ka në tërësi, kërkoi rikthimin e Remos në vendlindje, për të identifikuar trupat që po zhvarroseshin nga varret masive nga lufta e fundit në Kosovë dhe familjarët e tyre pothuajse kishin vdekur të gjithë.

“Lista e njerëzve” e cila po kërkohej nga shkencëtarët e pranishëm në fshat, i kujtoi Remos dhe Unës t’i shikonin “sekretet e ndaluara” për të përshpejtuar procesin e verifikimit të familjarëve.

Duke jetuar mes sekreteve familjarëve, Remo nuk e dinte se shumë prej fotove që ata po i shikonin, në realitet shfaqnin nënën e tij mes kujtimeve të ndryshme.

Aktorja e re në moshë, Era Balaj në rolin e Fatimes, që u paraqit në një foto si e panjohur për Unën dhe Remon, ishte nëna e djaloshit që mori guximin të përjetoi nga e para me çdo plagë e shenjë brenda vetes, rikthimin 10 vite mbrapa.

Fatimja u vra nga Skenderi, pasi lindi Remon me një të “huaj”, Besimin të luajtur nga Don Shala, dhe Remo që kur peshonte 5 kilogram jetoi duke qenë i urryer nga Skenderi dhe nën kthetrat e së kaluarës, pa parë dritë nga e ardhmja.

Përmes një kinematografia magjike, i gjithë filmi erdhi deri në përfundim dhe solli “lirinë” e Unës në mesin e shumë ngjarjeve intriguese që preken pjesë të caktuara nga shumë prej sferave të jetës. Performancat e Luana Bajramit dhe Florist Bajgorës shfaqen edhe një herë tjetër madhështinë e artit në Kosovë. Emocione, dhimbje, lumturi, liri, vuajtje dhe përballje me ujqër e fantazma nga e kaluara, të gërshetuara në mënyrë maestrale nga dyshja që i dha kuptim gjithë skenarit, të përgatitur mjeshtërisht nga Fisnik Maxville në filmin e tij debutues si regjisor.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u shpreh me shumë krenari në natën hapëse të festivalit, duke treguar se sa i lumtur është me arritjet e PriFestit.

“Me shumë krenari dhe emocion sonte në këtë sallë po e hapim edicionin e 15-të të PriFest. Emocion i madh që e dëgjuam këngën e Albanit dhe Drenit këtu, që ngjallën emocione brenda nesh. Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë që është kthyer në një platformë dinamike për kreativitet dhe bashkëpunim ndërkombëtar në artin e mrekullueshëm të kinematografisë. Teksa qëndroj këtu para jush nuk mundem të kalojë pa shprehur mahninë time në përmasat e jashtëzakonshme që tashmë përfaqëson PriFest, krenar me të gjithë arritjet tuaja ndër vite. Sidomos me lartësinë që ia bëni Prishtinës në majet më të larta të kinematografisë”, thotë ai.

PriFest si një dritare fenomenale për të rinjtë

“Nuk është vetëm një festival, por një dritare fenomenale për të rinjtë që të shprehin talentët e tyre. Përmes PriFestit po ndërtojmë ura lidhëse me shtete të botës PriFest nuk është vetëm një ngjarje kulturore, është një identitet i yni. Lindi si një dritë shprese se shpirti ynë kreativ nuk mposhtet. PriFest eksploron fuqinë, eksploron diveristetin, avokon për të drejtat e njeriut dhe po ashtu shfaq më të mirën tonë në kinematografi në arenën ndërkombëtare. Kur ne vazhdojmë që të përballemi me diskriminimin që të mos mundemi të udhëtojmë”, shton ai.

I pari i Prishtinës thotë se kryeqyteti do të vazhdojë të mbështes këtë festival dhe uron suksesin e tij për vite të tëra.

“Ne mbetemi të përkushtuar që ta ruajmë e ta kultivojmë trashëgiminë e Vjosës. Duke shpresuar që ky festival të rritet e të zhvillohet për dekada më tej, ne si kryeqytet do të vazhdojmë ta mbështesim këtë festival që të bëhet më i madhi i vendit, rajonit dhe më gjerë”, thotë ai.

“PriFest është simbol i krijimtarisë sonë për një të ardhme më të ndritshme. Le të vazhdojmë të shfrytëzojmë potencialin transformues të kinemasë përmes PriFestit. Faleminderit të gjithëve dhe le të fillojmë këtë edicion të ri, duke uruar të gjithë kineastët e rinj dhe mirëseardhje të gjithëve mysafirëve tanë nga vende të ndryshme të botës, sidomos atyre të Izraelit”, përfundon kryetari Rama, duke treguar se një nga temat kryesore të këtij festivali është edhe pjesa ku PriFest ka bashkëpunuar ngushtë me shtetin e Izraelit.

Producenti Valon Bajgora falënderoi të gjithë të pranishmit që gjetën kohë për të parë këtë film.

“Faleminderit shumë të gjithëvë në këtë sallë. Ishte kënaqësi me pas premierën e filmit në Kosovë në PriFest, duke pasur parasysh se sa shumë i ka dhënë ky festival të gjithë neve. Për mu është një nderë që kemi arritë me shfaq filmin këtu dhe shpresoj që ju ka pëlqy shumë të gjithëve”, ka thënë producenti i filmit, Valon Bajgora.

Ndërkaq, personi kryesor pas këtij filmi, regjisori Fisnik Maxville, i cili ka lindur në Kosovë dhe më pas është rritur në Zvicër, shprehet me krenari se ky film i ka ndihmuar t’a gjejë vendin në tokë.

“Me të vërtet është një nder i madh për mua që ta prezantojmë filmin këtu, me gjithë ekipin, pa të cilin një gjë e tillë nuk do të ishte e mundur. Faleminderit të gjithëve që jeni prezent sonte këtu. Ndoshta e keni kuptu që unë kam lindur në Kosovë dhe kam jetuar në Zvicër qe 20 vjet, kështu që për mua ka qenë shumë e vështirë që ta dijë se ku e kam vendin në botë, përmes këtij filmi kam arritur që ta gjejë se ku e kam vendin”, përfundon ai, duke shprehur krenari në sytë e tij përpara gjithë shikuesve të pranishëm.

Florist Bajgora tha për KultPlus se është e vështirë të shpjegohen emocionet që i ka ndjerë gjatë realizimit të këtij filmi, por beson fuqishëm që ato më së miri shihen në film.

“Nuk di me i përshkru saktë ndjenjat dhe emocionet që i kom përjetu gjatë xhirimeve pasi paraqiten më së miri në premierën e sotshme, nuk di shumë mirë t’i shpjegoi por besoj që filmi i shpjegon më mirë se si kam kaluar nëpër këtë periudhë. Filmi mbi të gjitha trajton temën e vendit prej ku jemi, ose ku me të vërtet përkasim. Ndonjëherë ti e ke ndonjë shpi, profesion, dashuri ose diçka tjetër, por vendi ku ti i përket është pjesa kryesore e këtij filmi”.

Bajgora tutje thotë se një skenar i fuqishëm si ky, të frymëzon që të kontriboush në çdo lloj forme në këtë film.

“Skenari i këtij filmi është i jashtëzakonshëm dhe më ka pëlqy që nga momenti i parë, edhe nëse nuk do të isha në rol kryesor, do t’i ndihmoja në çfarë do pozicioni tjetër, qoftë edhe jo si aktor. Filmin ma shumë se shpërthim e ka vizatu një rrugë shumë të sigurt prej fillimit të xhirimeve ose edhe prej skenarit, dhe rruga që e ka përqu filmi dhe filmi rrugën, ka qenë e paevitueshme që të ketë sukses”, përfundon ai.

The Land Within është një bashkëprodhim mes Zvicrës dhe Kosovës, përmes Alva Film Productions dhe Ikone Studio, me RTS Radio Télévision Suisse që shërben si bashkëprodhues. Në rolet kryesore luajnë: Florist Bajgora, Luàna Bajrami, Armend Smajli, Luan Jaha, Arta Mucaj, Irena Aliu, Kumrije Hoxha, Meli Qena dhe Çun Lajçi. /KultPlus.com

Zëvendësministrja e Sportit: Lojërat Mesdhetare 2030 janë meritë e sportistëve të Kosovës

Kosova për herë të parë në histori do t’i organizojë Lojëra Mesdhetare që do të mbahen në vitin 2030.

Kështu u vendos të premten e kaluar Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

E lidhur me përgatitjet që do t’i bëjë Qeveria e Kosovës, ka folur zëvendësministrja e Sportit Daulina Osmani.

Ajo në Info Magazine në Klan Kosova ka thënë se fitorja është meritë e sportistëve.

“Ky rezultat është kurorë e bashkëpunimit të shumë akterëve të udhëhequr nga MKRS dhe Komiteti Olimpik i Kosovës”, tha Osmani. /KultPlus.com