Baritoni Shaban Behramaj nga viti i ardhshëm pjesë e ansamblit vokal CHOREOS në Gjermani

Baritoni i Filharmonisë së Kosovës, Shaban Behramaj, nga viti i ardhshëm do të jetë pjesë e ansamblit vokal CHOREOS nga Gjermania, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur baritoni Behramaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Shumë i lumtur që nga viti tjetër do të jem pjesë e ansamblit vokal nga Gjermania, ansambli CHOREOS.

Një rrugëtim ky i ri për mua, me shumë përformanca në Gjermani e shumë vende të tjera të botës”, ka shkruar Behramaj/KultPlus.com

‘Burra pa gra’, komedia italiane në sallën e Universitetit të Arteve

“Burra pa gra”, një komedi e hidhur e tejet cinike, e autorit italian Angelo Longoni, është shfaqur mbrëmë premierë në sallën e vogël të Universitetit të Artit.

Është historia e dy burrave, e dy artistëve të rinj, me pasione e karaktere krejt të ndryshëm, që ndajnë se bashku të njëjtat vështirësi të jetës.

I shkurtri është muzikant, saksofonist, me prirje të fortë drejt alkoolizmit, i çuditshëm në pamje, ndërsa i gjati, është një shkrimtar aspirant, elegant, i kujdesshëm për shëndetin, sportiv. Por të dy janë në sfidë të vazhdueshme përballë pamundësive për të përmbushur jetët e tyre profesionale e atë sentimentale.

Dy artistët ndjejnë keqardhje për veten e tyre por nuk dorëzohen dhe dinë ta shijojnë jetën… aq sa e gjithë kjo histori mbyllet me një shpërthim të qeshurash, që dalin nga shpirti.

“Burra pa gra” me regji të Julian Canameti e me dy personazhet simpatikë të interpretuar nga Valdrin Hasani dhe Andi Begollit, do të vijojë të shfaqet në datat 24- 25- 26 nëntor në sallën e vogël të Universitetit të Arteve./balkanweb/KultPlus.com

85-vjetori i Radio Tiranës, Begaj: Promovuese e Shqipërisë dhe e potencialeve të saj

Në fjalën e tij, Presidenti Begaj vlerësoi zërat që kanë informuar shqiptarët përmes Radio Tiranës dhe figurat e gazetarisë që kontribuan ndër vite në ngritjen e radiofonisë shqiptare.

Presidenti e vlerësoi kontributin e Radio Tiranës për mbajtjen gjallë të lidhjeve me bashkatdhetarët jashtë vendit, të gjuhës shqipe, të patriotizmit dhe njohjes ndërkombëtare të Shqipërisë.

“Radio Tirana me programet e saj për bashkatdhetarët ishte mundësia e vetme e mbajtjes së kontakteve me shqiptarët në trojet e tyre në ish-Jugosllavi. Radio Tirana ishte i vetmi burim informacioni në gjuhën shqipe për ta. Roli i saj në vitet 1980, me fillimin e protestave në Kosovë, ishte shumë i rëndësishëm për informimin e shqiptarëve në ish-Jugosllavi”, tha Begaj.

“Ajo ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në unifikimin e gjuhës shqipe ndër shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, sikurse edhe në ruajtjen e pastërtisë së saj. Ruajtja dhe lëvrimi i gjuhës shqipe ka qenë dhe mbetet thelbësore për identitetin tonë”, u shpreh Begaj.

“Duke qenë një ndër radiot e pakta që transmeton në disa gjuhë të huaja, ajo është,  gjithashtu, një promovuese e Shqipërisë dhe e potencialeve të saj”, theksoi Begaj.

“Ky institucion mediatik e ka nisur transmetimin më 28 nëntor 1938 si radioja e parë në Shqipëri. Përgjatë këtyre viteve, Radio Tirana ka kaluar një seri peripecish, si: pushtimin italian, pushtimin gjerman dhe regjimin diktatorial, deri kur pas viteve ’90 u shndërrua në një media të lirë”, tha Begaj.

Presidenti Begaj u shpreh se, “duke qenë mjeti i vetëm informativ për disa dekada, ajo u përdor nga regjimet e ndryshme si mjet propagande, por kjo nuk ia ul asaj kontributin. Radio Tirana është një pasuri që duhet mbrojtur dhe kultivuar”, dhe inkurajoi punonjësit ta kryejnë këtë mision për të gjithë dëgjuesit shqiptarë e të huaj./atsh/KultPlus.com

‘Shoka’ e nusërisë së vajzave arbëreshe (FOTO)

Në fotografinë e mëposhtme shihet një vajzë arbëreshe, e veshur me kostumin e nusërisë, në komunën e Horës së Arbëreshëve (Piana degli Albanesi).

Kjo veshje, nga banorët njihet si “shoka”. Në vetvete, shoka paraqet një element të rëndësishëm dhe të pandarë të veshjes tradicionale shqiptare. Kjo veshje për femrat paraqet një fustan të qëndisur me dorë, me fije ari dhe plot ngjyra.

Gjithashtu me emrin “shoka” njihet edhe brezi që përdorin burrat, në veshjet tradicionale arbëreshe.

Shoka, ndryshe brezi, punohet prej leshi në vegje, e kombinuar me pet, e ngjyrosur afërsisht me ngjyrat e ylberit, e gjatë sa sillet disa herë rreth mesit dhe e ka origjinën nga rripi ilir.

Këndohet edhe një këngë me këtë emër, e zakonshme për trekëndëshin magjik arbëresh të përfaqësuar nga bashkësitë Carfizzi-Hora, Pallagorio-Puheriu dhe San Nicola dell’Alto-San Koghi në provincën e Crotone, që shoqëron ritualin martesor arbëresh: Shoka.

Sipas shpjegimeve të Gianni Belluscios, teksti është një variant i punuar i rapsodisë së “turkut që rrëmbeu vajzën shqiptare”. E njëjta këngë, por me një tekst më të plotë e më të kuptueshëm, u regjistrua nga Giuseppe Gangale, gjithashtu në Carfizzi (Diskografia Gangale, 1998).

Në materialin e publikuar nga Mario Bellizzi shkruhet:

“Kërce, kërce vajzë vallen-loj loj vasha valle”, që e shohim këtu është marrë nga hulumtimet etnografike dhe regjistrimet e vitit 1954, nga Diego Carpitella dhe Ernesto de Martino, që Antonello Ricci dhe Roberta Tucci, kanë publikuar për shtëpinë botuese “Squilibri” në 2006-ën. / KultPlus.com

Zelanda e Re ndalon telefonat në shkollë për shkak të krizës së shkrim-leximit të fëmijëve

Telefonat celularë do të ndalohen nga shkollat ​​anembanë Zelandës së Re, ka njoftuar kryeministri Christopher Luxon, pasi qeveria e tij e re përpiqet të ndryshojë rënien e vendit të shkrim-leximit.

Shkollat ​​e Zelandës së Re dikur krenoheshin me rezultate të shkëlqyera të shkrim-leximit, por nivelet e leximit dhe shkrimit kanë rënë në vitet e fundit në një masë të tillë sa disa studiues kanë frikë se ka një krizë serioze në klasë.

Studiuesit nga Qendra e Bamirësisë Arsimore e Zelandës së Re paralajmëruan për një krizë të shkrim-leximit që në vitin 2022, kur zbuluan se më shumë se një e treta e 15-vjeçarëve të vendit mezi dinin të lexonin dhe shkruanin.

Kryeministri Luxon ka thënë se do të ndalojë telefonat në shkolla brenda 100 ditëve të para në detyrë, duke miratuar një politikë që tashmë është testuar me rezultate të përziera në SHBA, Britani dhe Francë.

Kjo duhet të ndalojë sjelljen joserioze dhe t’i ndihmojë studentët të përqendrohen më mirë, thotë Luxon./alsatm/KultPlus.com

‘Kam shumë shpresë’

Poezi nga Naim Frashëri

Kam shumë shpresë
Te Perëndija.
Që të mos jesë
Kshu Shqipëria,
Po të ndritohet
Të lulëzohet.

Pa vjen një ditë
Që të na sjellë
Të madhe dritë
P’ajo të pjellë:
Qytetërinë,
Fatbardhësinë.

Vëllazërija
Edhe bashkimi
E njerëzija
Është shpëtimi,
Lum kush t’arrijnë!
Pa do të vijnë.

Që Shqipërija
Do të ndritohet
Dhe ligësija
Do të mërgohet.
Jak’ e vërtetë!
Pse rri e qetë?

Për Shqipërinë
Ditët e mira
Paskëtaj vinë
Shkoj errësira,
Lum kush të rronjë,
T’a shohë zonjë!

Se Shqipëtari
E gjuh’ e tija
Venë së mbari
Dhe Shqipërija,
Lum kush t’a shohë
Për pakë kohë.

Pa dituritë
Dhe mbrothësija
E mirësitë
Dhe njerëzija
Do të burojnë
Nukë mënojnë. /KultPlus.com

Muzeu me identitet të dyfishtë, ndër më të vizituarit këtë sezon në Gjirokastër

Muzeu etnografik në Gjirokastër përfaqëson një atraksion me identitet të dyfishtë.

Ai njihet si një objekt që koleksionon pasuri të rralla të traditës materiale etnografike por njëkohësisht edhe si shtëpia e lindjes së Enver Hoxhës, figurës që u bë fytyra e diktaturës më të egër në Europë. I restauruar dy vite më parë muzeu është risjellë me një qasje të re për vizitorët qasje e orientuar nga teknologjia. Këtë sezon më shumë se 10 mijë vizitorë në 80% të tyre të huaj e vizituan këtë muze.

Kemi sektorin e zonave etnologjike të Gjirokastrës që diferencohen nga njëra-tjetra për shkak të ndryshimeve me karakter etnik dhe janë të ekspozuara apo ilustruara nëpërmjet kostumeve.

Kemi sektorin e simbolizmit fetar brenda të cilit gjenden objekte të importuara nga kisha e Shën Sotirit, objekte që mbajnë motive të ndikimit fetar. Vizitorët e huaj janë shumë të interesuar për pjesën e simbolizmit fetar pasi kjo pjesë ngjall kërshëri për shkak të bashkëjetesës dhe harmonisë fetare në Gjirokastër ku bashkëjetojnë tre besime fetare”- tha Iris Shane, cicerone e muzeut.

Restaurimi i këtij muzeu u parapri nga një diskutim rreth përmbajtjes, nëse do të duhej të kishte një dhomë dedikuar figurës së Enver Hoxhës, nëse do të duhej të ishte muze etnografik apo një muze i diktaturës. Irisi që udhëheq vizitorët në mjediset e banesës tri katëshe tregon se pyetjet për diktatorin nuk mungojnë por dëshmitë materiale për të janë minimale. Vizitorët shqiptarë do të dominojnë periudhën e dimrit dhe janë ata që kanë kuriozitet të lartë për të dy identitetet e muzeut.

Të huajt e konsiderojnë dhe vlerësojnë sepse është pjesë e historikut të kësaj shtëpie. Shqiptarët kanë edhe më shumë interes për shkak të të jetuarit në dy sisteme por edhe lidhjes historike me vendin tonë. Por ekspozitori i Enver Hoxhës është i përqëndruar më shumë tek lidhja e tij me këtë shtëpi. Ai ka lindur këtu më 1908 dhe ka jetuar deri në moshën 8 vjeçare, kohë kur shtëpia u dogj aksidentalisht. Më pas u rikostruktuar në këtë lloj arkitekture fillimisht si muze të Luftës Nacional-Çlirimtare por njëkohësisht e bëri të njohur për popullin edhe si shtëpinë e tij të lindjes– tha Shane.

Në Gjirokastër janë aktualisht aktivë 4 muzeume publikë dhe 2 privatë. Ndërkohë jashtë funksionit janë shtëpitë muze të familjes së Çerçiz Topullit, Musine Kokalarit e Eqrem Çabejt. Fondi material i relikeve të të gjithë muzeumeve ka qenë i jashtëzakonshëm. Me kalimin e viteve shumë ekzemplarë të objekteve etnografike kostumeve, pikturave janë zhbërë ndërsa më shumë se 1000 objekte të shpëtuara kanë ende nevojë për restaurim dhe konservim. Muzetë kryesorë të Gjirokastrës janë vizituar gjatë sezonit veror nga gati 200 mijë vizitorë./topchanel/KultPlus.com

FC Prishtina Futsal organizon turneun memorial ‘Fadil Vokrri’

FC Prishtina Futsal ka njoftuar se do të organizojë turneun memorial kushtuar legjendës së futbollit tonë, Fadil Vokrrit.

“Nga data 23 dhjetor FC Prishtina Futsal organizon turneun memorial “Fadil Vokrri” i cili do të zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Edicioni i pestë është planifikuar që të ketë në program kategori të ndryshme, duke qenë gjithëpërfshirës për të gjitha grupmoshat”, thuhet në njoftimin e FC Prishtina Futsal.

Në këtë turne, sipas këtij njoftimi, do të marrin pjesë: Shkollat e Futbollit të licencuara nga FFK me kategoritë, U13, U15 dhe U17, gjithashtu këtë vit në formë gare do të jenë të pranishme Liga e Veteranëve e licencuar nga FFK si dhe në natën finale mediat kosovare e skuadrat me Syndron Down.

Ndeshjet do të drejtohen nga tre gjyqtarët e FFK-së që kanë stemën e FIFA-së./RTK/KultPlus.com

Restaurohen tri ikona të Dicho Zografit

Përfundoi restaurimi i tri ikonave me autor Dicho Zografin, “Shën Athanasi”-1855, “Shën Harallambi”-1855 dhe “Shën Nikolla”-1859.

Tre ikonat kanë qenë pjesë e ikonostasit dhe interierit në kishën e Shën Kollit në Elbasan (shek. XVII-XVIII) dhe pas prishjes së saj, në vitin 1969, u inventarizuan e transferuan në fondin e Institutit të Monumenteve të Kulturës, ndërsa më pas në vitin 1999 në fondin e Muzeut Historik Kombëtar.

Dicho Zografi ishte piktor ikonograf mjaft i njohur në rrafshin ballkanik, përfaqsues i shkollës artistike të Dibrës gjatë shek. XIX, i cili ka realizuar me ateljenë e tij piktura murale në një sërë kishash dhe rreth 2000 ikona të shpërndara në këtë hapësirë. Autori shquhet për trajtimin e figurave me vizatime reale dhe portrete me shumë plastikë, pikturimit në miniaturë, dekoracionit të pasur floreal, realizimit të incizioneve dhe zbukurimit të aureolave e veshjeve të shenjtorëve me punzonatura (goditje me bulino). Këto tipare të artit ikonografik të kësaj periudhe, me vlera të larta artistike dhe historike, dëshmohen qartë edhe në tre ikonat e restauruara./ atsh / KultPlus.com

Filmi “Sheets”, i regjisores Evi Gjoni, fiton çmimin e parë në Athinë

Filmi “Sheets”, i regjisores shqiptare Evi Gjoni, fiton çmimin si filmi më i mirë i shkurtër në Festivalin prestigjioz të Filmit në Athinë.

Suksesi në “Athens Short Film Festival” vjen pas çmimit të marrë më herët gjatë vitit 2023 në Festivalin e Filmit të Triestes.

“Sheets”, një film që përshkruan një botë utopike, në të cilën karantina e një pandemie të panjohur vazhdon prej shumë vitesh, është mbështetur për realizimin e tij nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Festivali i Filmit të Shkurtër të Athinës është një ngjarje vjetore që shërben si një vitrinë për shumë filma nga e gjitha bota.

Në edicionin e sapopërfunduar pati gjithsej 1.585 aplikime, mes të cilëve u përzgjodhën për t’u shfaqur 35 prej tyre./ atsh / KultPlus.com

U mbajt ceremonia përmbyllëse e Festivalit “Art without Limit”

Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Art without Limit”, i mbështetur nga Ministria e Kulturës, mbrëmë shënoi përmbylljen e edicionit të katërt. Gjatë 3 ditëve të Festivalit u shfaqën filma të jashtëzakonshëm që theksojnë sfidat me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara dhe gjithashtu tregojnë qëndrueshmërinë, arritjet dhe kontributet pozitive të tyre për shoqërinë tonë.

Festivali këtë vit pranoi rreth 1000 aplikime nga regjisorë dhe producentë nga e gjithë bota duke përfshirë dokumentarë të shkurtër, dramë-fiction dhe animacion, teksa ceremonia e çmimeve u mbajt mbrëmë, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara.

Të pranishëm në festival ishin Kryeministri Albin Kurti, ministri Hajrulla Çeku, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, artistë, aktivistë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe artdashës. / KultPlus.com

Një djalë i ri bëri një statujë prej druri të nënës dhe babait të tij (FOTO)

Në një qytet të bukur, të rrethuar nga kodra dhe melodia qetësuese e një lumi aty pranë, jetonte një i ri me emrin Aleks. Alex ishte i njohur për shpirtin e tij krijues dhe një vlerësim të thellë për familjen e tij, veçanërisht nënën dhe babin e tij. Si nderim për dashurinë dhe mbështetjen që i kishin dhënë gjatë gjithë jetës së tij, ai filloi një projekt të përzemërt që do të përjetësonte praninë e tyre në një mënyrë unike dhe të qëndrueshme.

Me një pasion për punimin e drurit të trashëguar nga gjyshi i tij, Alex kaloi javë të tëra duke zgjedhur me kujdes copën e përsosur të lisit nga pylli lokal. Ai parashikoi krijimin e një statuje druri që do të kapte thelbin e prindërve të tij – ngrohtësinë, mençurinë dhe lidhjen e palëkundur që ata ndanë.

Në punëtorinë e tij modeste, i rrethuar nga aroma tokësore e ashklave të drurit, Aleksi filloi procesin e ndërlikuar të gdhendjes së statujës. Duart e tij të afta lëviznin me qëllim, duke sjellë në jetë konturet e njohura të fytyrave të prindërve të tij, linjat e buta që flisnin për një jetë të përjetimeve të përbashkëta dhe shprehjet që pasqyronin dashurinë që lidhte familjen e tyre.

Teksa ditët u kthyen në netë, Aleksi e hodhi zemrën e tij në projekt, duke i kushtuar vëmendje të përpiktë detajeve që do t’i bënin figurat prej druri t’i ngjanin mamasë dhe babit. Punëtoria u bë një vend i shenjtë kujtimesh, me tingujt e veglave të gdhendjes që i bënte jehonë dashurisë dhe mirënjohjes që Aleksi ndjente për prindërit e tij.

Fjala për përpjekjen e përzemërt të Aleksit u përhap në qytet dhe fqinjët, miqtë dhe anëtarët e familjes erdhën për të parë transformimin që po ndodhte në punëtorinë e tij. Çdo vizitë u bë një mundësi për Alex për të ndarë anekdota dhe histori rreth individëve të shquar që frymëzuan përpjekjen e tij krijuese.

Pas përfundimit, statuja prej druri qëndroi e lartë, një dëshmi e dashurisë së qëndrueshme që lidhi familjen e Aleksit. Fytyrat e gdhendura në lis dukej se rrezatonin ngrohtësi dhe familjaritet, duke kapur thelbin e mirësisë së prindërve të tij dhe forcën e lidhjes së tyre.

Në një rast të veçantë, Aleksi zbuloi statujën prej druri për prindërit e tij, të cilët u përlotën nga gjesti i zhytur në mendime. Statuja gjeti një vend të dashur në shtëpinë e tyre, duke u bërë simbol i dashurisë dhe mirënjohjes së ndarë mes anëtarëve të familjes.

Historia e statujës prej druri të Aleksit rezonoi përtej qytetit. Ai u bë një rrëfim i dashurisë së fëmijës për prindërit dhe traditës së përjetshme të shprehjes së mirënjohjes përmes artit. Komuniteti lokal festoi mjeshtërinë dhe ndjenjën pas krijimit, duke e kthyer punëtorinë modeste të Alex në një vend frymëzimi për artistët aspirues dhe një testament për fuqinë e lidhjeve familjare.

Dhe kështu, në atë qytet të rrethuar nga bukuria e natyrës, statuja prej druri e Aleksit u bë një kujtesë e heshtur e dashurisë dhe respektit që ai mbante për prindërit e tij. Ajo qëndroi jo vetëm si një vepër arti, por si një dëshmi e fuqisë së qëndrueshme të lidhjeve familjare dhe ndikimit të thellë që prindërit mund të kenë në formësimin e ëndrrave dhe pasioneve të fëmijëve të tyre. / KultPlus.com

Inaugurohet një mural i veçantë në një shkollë të Skenderajt

Një mural i veçantë është inauguruar në shkollën fillore “Idriz Barani” në Klinë të Epërme të Komunës së Skenderajt.

Murali “Unë nuk jam pronë e askujt. Vetëm edhe një shuplakë është dhunë”, sipas Organizatës “Humanus Vita” synon ndërgjegjësimin e shoqërisë kundër dhunës në familje.

Doruntina Gashi, drejtoreshë e Organizatës “Humanus Vita” tha për KALLXO.com se ky mural i inauguruar gjatë fushatës “16 Ditë të Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, është si një shprehje artistike që synon të ndikoj drejtpërdrejtë në ndërgjegjësimin e shoqërisë për rëndësinë e luftës kundër dhunës në familje dhe veçanërisht, për ndalimin e dhunës ndaj grave.

“Murali, një shprehje artistike synon të ndikoj drejtpërdrejtë në ndërgjegjësimin e shoqërisë ndaj dhunës në familje dhe, në veçanti, dhunës ndaj grave. Andaj është vendosur me qëllim në shkollë, sepse besojmë se arsimi është themel i një shoqërie të ndërgjegjshme”- Gashi.

Muralin artistik “Unë nuk jam pronë e askujt. Vetëm edhe një shuplakë është dhunë” i piktorit nga Suhareka, Nazmi Kyqyku, është mundësuar nga Organizata “Humanus Vita” me mbështetjen e Qendrës për Art dhe Komunitet, “Artpolis”. / KultPlus.com

Përkujtohet akademik Kristo Frashëri, në 103-vjetorin e lindjes

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot, në 103-vjetorin e lindjes, historianin Kristo Frashëri.

Historiani, profesori, akademiku Kristo Frashëri lindi në Stamboll më 4 dhjetor 1920. Në vitin 1927 u riatdhesua familjarisht dhe u vendos në Tiranë. Më 1940 u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Universitetin e Firences. Gjatë vitit 1942 ai u internua nga administrata fashiste e pushtimit dhe më 1943 kaloi në rreshtat partizane. Gjatë periudhës 1945-1952 punoi në Bankën e Shtetit Shqiptar. Studimet e larta i ndoqi në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, në Insitutin e Lartë Pedagogjik, në vitet 1951-1955. Gjatë viteve 1953-1999 ai punoi në disa institucione të rëndësishme, ku shërbeu si punonjës shkencor në Institutin e Shkencave, në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës dhe në vitin 1997 ai u emërua zv.kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku qëndroi deri në vitin 1999.

Kristo Frashëri ka një prodhimtari të pasur shkencore, që shtrihet në të gjitha periudhat e historisë së Shqipërisë, që nga Antikiteti e deri në kohën e sotme. Ai ka botuar me dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dokumentare dhe monografi shkencore, që trajtojnë pa përjashtim ngjarje, personalitete dhe procese të historisë së Shqipërisë. Ndër to janë sprovat për të ndriçuar mjegullnajën shqiptare gjatë Mesjetës së hershme, rendin feudal mesjetar në viset shqiptare, formacionet shtetërore mesjetare, tiparet e regjimit feudal turk në Shqipëri, Rilindjen Kombëtare Shqiptare, Luftën çlirimtare të Vlorës, jetën dhe veprimtarinë e Abdyl Frashërit, Sami Frashërit etj. Pas vitit 1990 ai ka botuar një sërë punimesh shkencore, si: “Lidhja e Prizrenit 1878-1881” (Tiranë, 1997); “Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra” (Tiranë, 2002); “Historia e Tiranës” (Tiranë, 2004); “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri” (Tiranë, 2006); “Skënderbeu në burimet dokumentare shqiptare në shek. XV” (Tiranë, 2005); “Identiteti kombëtar i shqiptarëve” (Tiranë, 2006); “Historiografia shqiptare në tranzicion” (Tiranë, 2006); “Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 1912” (Tiranë, 2008); “Historia e qytetërimit shqiptar” (Tiranë, 2008).

Kristo Frashëri si pedagog i historisë së Shqipërisë në Univeristetin e Tiranës dhe si punonjës shkencor ka një kontribut të veçantë në përgatitjen e historianëve të rinj. Kristo Frashëri u nda nga jeta më 31 janar 2016, në Tiranë./ atsh / KultPlus.com

Sot feston ditëlindjen Rauf Dhomi, kompozitor i operës së parë kosovare “Goca e Kaçanikut”

Rauf Dhomi, kompozitor, profesor e akademik, u lind në qytetin e Gjakovës më 4 dhjetor 1945.
Në Gjakovë e kreu shkollën fillore, kurse shkollën e mesme të muzikës në Prizren më 1965.

Më 1965/66 i regjistroi studimet në Sarajevë në seksionin e Kompozimit dhe Dirigjimit në klasën e prof. M.Shpiler.
Si student i dalluar u punësua si asistent në të njëjtin fakultet në Sarajeve për lëndën e Harmonisë. U diplomua në vitin 1970. Me të diplomuar kthehet në vendlindje dhe u punësohet në gjimnazin “H. Dushi” në Gjakovë. Krahas punës të pedegogut aktivisht punoi me “Korin e Burrave” të Gjakovës, ansambël të cilin e formoi më 1965. Studimet pasuniversitare i kreu më 1972/3 në klasën e prof. M. Spiler në Kompozim. Më 1971 u punësua në SHLP në Degën e Muzikës dhe nga viti 1975, me të hapur të Fakultetit të Arteve e deri me sot, punoi në këtë institucion në thirrjen e prof. ordinar. Në vitin 1992 zgjedhet anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 1996 anëtar i rregullt.

Ka marrë këto mirënjohje, dekorata dhe shpërblime: qytetar nderi i qytetit të Gjakovës (1979); Shpërblimi i Dhjetorit (1980); Dekorata për merita për popull me rreze të artë (1981); Shpërblimi “Muzika më e mire” në Festivalin e Teatrove në Beograd më 1990 (të cilin e kishte refuzuar); Shpërblimi i parë për “Kuarteti për harqe” në konkursin anonim të Rinisë Jugosllave më 1967; Shpërblimi i parë për këngën korale “Pogradeci” në konkursin anonim të Rinisë Jugosllave më 1967; Shpërblimi i dytë për këngën korale “Zemra e Liqerit” në konkursin anonim të Rinisë Jugosllave më 1968.

Rauf Dhomi është kompozitor i operas së parë kosovare “Goca e Kaçanikut”. Në këtë vepër bëhet fjalë për luftën kundër pushtuesve osmanë në anën e Kaçanikut dhe dashurinë e dy të rinjve: Trimorit dhe Pafikës. Këta dy ëndërrojnë për një jetë të lirë dhe të lumtur. Mirëpo tradhtari Rus Bashi i pengon, duke e akuzuar Trimorin për tradhëti. Trimori burgoset, kurse Rus Bashi tenton ta rrëmbejë Pafikën. Në ndërkohë shokët e lirojnë Trimorin. Në momentin kur Rus Bashi e sulmon Pafikën, paraqitet Trimori, ndërsa Pafika arrin ta vrasë tradhtarin. Të gëzuar, të gjithë i këndojnë lirisë e dashurisë. / KultPlus.com

Gjest fantastik nga tifozët francezë, hedhin arinj lodra në fushë për fëmijët në nevojë

Midis pjesës së parë dhe të dytë të ndeshjes midis Lille dhe Metz, qindra lodra pelushi u hodhën në fushë për një fushatë ndërgjegjësimi.

Dhurimi i lodrave pellushi është pjesë e një nisme bamirësie të organizuar nga Lille për të mbështetur fëmijët e sëmurë përpara Krishtlindjeve, shkruan abcnews.

Të gjitha lodrat e mbledhura do t’u dhurohen pacientëve të vegjël në institucionet e kujdesit shëndetësor në Lille dhe zonën përreth. / KultPlus.com

Rona Nishliu, koncert në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit

Rona Nishliu do të realizojë sonte një koncert në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë.

“Këngëtarja që na ka bërë krenarë në skenën e madhe të Eurosongut, ngjitet sot në skenën e Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor”, shkroi mininistrja e Kulturës, Margariti në rrjetet sociale, ku edhe ftoi artdashësit të mos e humbasin koncertin e Rona Nishliut dhe The New Orchestra.

Koncerti do të shfaqet sot në mbrëmje, në ora 20:30 dhe ka mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.

Kohët e fundit, Rona Nishliu ka qenë më aktive në skenën artistike në të dyja anët e kufirit. Këngëtarja nga Mitrovica organizoi në qytetin e saj të lindjes, para disa muajsh, një festival ndërkombëtar xhazi, Mitrovica International Jazz Days”.

Rona Nishliu ka përfaqësuar Shqipërinë në Festivalin Europian të Këngës në 2012, me këngën “Suus”, me të cilën arriti të renditej e 5-ta në natën finale. “Rona do të na rrëmbejë zemrat me koncertin që do të reflektojë ndjesitë e brendisë sonë: dashurinë, rritjen, mallëngjimin, mallin, humbjen e idealin për vendin”, shkruhet në faqen online të TKOB./ atsh / KultPlus.com

Përvjetori i formimit të qeverisë së parë shqiptare

Më 4 dhjetor 1912, u themelua qeveria e parë shqiptare.

Krijimi i saj u vendos nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës që në mbledhjen e tij të parë më 28 nëntor 1912. Në seancën e tij të 5–të, më 04.12.1912, Kuvendi me kërkesë të Ismail Qemal Vlorës e caktoi vetë përbërjen e qeverisë. Ismail Qemali, veç detyrës së kryetarit të qeverisë, mbajti edhe atë të ministrit të Punëve të Jashtme.

Anëtarë të Qeverisë u zgjodhën:

– Dom Nikoll Kaçorri, Zv.Kryeministër (deri më 30 mars 1913);

– Mufid Bej Libohova, Ministër për Punët e Brendshme

– Abdi bej Toptani, Ministër për Financat (Azis Vrioni tetor 1913);

– Mehmet Pashë Deralla, Ministër për Luftën (Mbrojtjen);

– Petro Poga, Ministër për Drejtësinë;

– Luigj Gurakuqi, Ministër për Arsimin,

– Mit’hat bej Frashëri, Ministër për Punët Botore;

– Pandeli Cale, Ministër për Bujqësinë

– Lef Nosi, Ministër i Post-Telegrafit.

10 anëtarët e qeverisë ishin veprimtarë të shquar të lëvizjes patriotike në Shqipëri. Kuvendi Kombëtar i Vlorës zgjodhi edhe pleqësinë që duhej te kryente funksionet e një organi këshillues e mbikqyrës të qeverisë. Kryetari i pleqësisë u zgjodh Vehbi Agolli. Me këto masa Kuvendi iVlorës hodhi themelet e organizimit të Shtetit të ri Shqiptar, duke u mbështetur në forcat kombëtare. Ndonëse në kushte tepër të vështira të vazhdimit të Luftës I Ballkanike shumë prej krahinave u bashkuan me Qeverinë e përkohshme të Vlorës duke e njohur atë si qeveri të gjithë Shqipërisë. Nga pikëpamja e shtrirjes efektive të pushtetit të saj ajo veproi në fillim në një zonë të ngushtë, kryesisht në trekëndëshin Vlorë-Berat-Lushnjë.

Qeveria e përkohshme e Vlorës arriti rezultate të rëndësishme në krijimin e aparatit shtetëror. U ngritën disa njësi të forcave të rendit publik (xhandarmëria) dhe u morën masa organizative paraprake për të mëkëmbur një ushtri kombëtare. U vunë gurët e parë për krijimin e një sistemi gjyqësor sipas modeleve europiane. Gjuha shqipe u shpall si gjuhë zyrtare dhe u vendos hapja e shkollave shqipe prej vjeshtës 1913. Akti më i rëndësishëm juridik që nxori Qeveria e përkohshme e Vlorës ishte”Kanuni i përkohshëm i administratës civile të Shqipërisë”, që u botua në nëntor 1913. Ky akt përmbante një rregullim mjaft të hollësishëm të përbërjes dhe kompetencave të hallkave kryesore të administratës vendore në Shtetin e Ri.

Por, ai nuk kishte vlerën e një kushtetute në kuptimin e plotë, përderisa linte pa prekur probleme themelore, si: forma e qeverisjes (monarki apo republikë), organet më të larta të pushtetit, kompetencat, raportet midis tyre./ atsh / KultPlus.com

Omar Khajam, qëndistari i tamëlt i kuartinave persiane të dashurisë dhe dijes, “kryeluftëtari i mendimit të lirë”

Nga Albert Vataj

Cili nga ne nuk asht magjepsur prej Rubairave të Omar Khajam, atyne strofave katërvargjshe që zdrypën nga qeijt e thellë të mijëvjeçarit si puhizë dehëse e një përjetimi adhurues. Cili ndër ne nuk ka patun mirësinë të jetë i prekur thellë në shpirt prej magjisë së një shpirti, përjetimesh të dlira dhe vezulluese, të ketë kokrruar prej viles së vreshtit persian frutin dehës të një këndimi të mylmyer në idil. Cili, pas kësaj gostie ambrozi, tha, kush e shtoi këtë drek me yje shpirti?! Ndoshta ndonjëri, kishte të drejtë të mjaftohej vetëm më kuartinat e tij dhe të ëndërronte çdo mbrëmje, si ajo mahnitje e poetit, diku atje në një cep të largët të botës, në Persinë e famshme, njëmijë vite më parë. Dhe kishte të drejtë, poezia, poezia të magjeps, të merr në krah aromash e prekje tinzare puthjesh, për të të degdisur atje ku një prehje hyjnie i bëhet prehër.

18 Maj 1048 u lind në Nishapur, asohere kryeqyteti i Khurasanit, qëndistari më i tamëlt i kurtinave arabe, Rubairave, Omar Khajam. E kush nuk i njeh ato vargje, e kush nuk i pëshpërit ato strofa, të cilat në udhëtimin e tyne shekullor kanë mund të vijnë në një shqipe t’kulluet, të tingëllojnë në ambëlsinë e tyne, fal t’pavdekshmit, rilindasit, Fan Noli, mjeshtërisë së përkthimit të tij. Me të drejtën e krejt kandave dhe dritëhijes, ai është tashmë një emblemë e persianëve dhe botës arabe. Paraardhësit e tij rrjedhojnë prej fiset arabe të quajtura Khayyami, të cilët emigruan dhe u vendosën në Persi.

Kultura arabe erdhi nëpërmjet këtij kumtuesi të dritshëm të shpirtit dhe mendjes me një forcë dhe vitalitet të atillë sa kërkoi një vend të privilegjuar në interesimin dhe përjetimin e asaj kthjelltësie që do t’i mëkonte dëshirimeve atë lartësi, prenga nuk do të mund ta zdrypte asnjë pretendues tjetër për afro njëmijë vite.

Omar Khajam, anipse më s’shumti këtë emër e lidhim me kuartinat e famshme të Rubairave, ai mbamendet dhe rrok deri në të tashmen një mirënjohje të qenësishme për kontributin e vyem si matematikan e astronom, filozof dhe fizikant. Kontributi i tij në shkencën e algjebrës, mori vlerësim në të gjithë Evropën. Në Perëndim, ai njihet më së shumti e studiohet gjerësisht për përmbledhjen poetike me titull “Rubaiyat” (që në shqip do të thotë: strofat, kuatrinat persiane), të cilat u përkthyen për të parën herë në një përmbledhje, që besohet se është më e plotë në gjuhën angleze, nga Edward Fitzgerald, në vitin 1859. Khajam, nga arabishtja, do të thotë pak a shumë “bërës tendash”.

Ekstraktë të ndryshëm dhe biografë që i referohen Omar Khajam, e përshkruajnë atë si të jashtëzakonshëm në njohuritë dhe arritjet shkencore gjatë kohës së tij. Shumë e quanin atë me epitetin “Mbreti i të urtit”.

Shahrazuri  në vitin 1300 e vlerëson Omar Khajam më shumë si një matematikan dhe pretendon se ai mund të konsiderohet si “pasardhësi i Avicenës në degët e ndryshme të të mësuarit filozofik”. Al-Qifti (d. 1248) edhe pse nuk pajtohet me pikëpamjet e tij, pranon se ai ishte “i pakrahasueshëm në njohurinë për filozofinë dhe astronominë natyrore”. Megjithëse është i shumëtrajtuar si poet nga një numër biografësh, sipas Richard Nelson Frye “është ende e mundur të argumentohet se statusi i Omar Khajam si poet i rangut të parë është një zhvillim relativisht i vonë”.

Thomas Hyde, ishte i pari evropian që tërhoqi vëmendjen e Omar Khajam. Ai përktheu një nga katër fletët e tij në latinisht. Interesi perëndimor në Persi u rrit me lëvizjen orientaliste në shekullin e 19-të. Joseph von Hammer-Purgstall (1774-1856) përkthyer disa nga poezitë Omar Khajam në gjermanisht më 1818, dhe Gore Ouseley (1770-1844) në anglisht më 1846, por Khajam ka mbetur relativisht i panjohur në Perëndim, deri pas publikimit të Edward Fitzgerald të Rubairave të Omar Khajam më 1859. Puna e Fitzgerald në fillim ishte e pasuksesshme, por u popullarizua nga Whitley Stokes nga vitti 1861 e më tej, dhe qasja erdhi për t’u admiruar në masë të madhe nga Para Raphaelitët. Më 1872 Fitzgerald kishte botuar një libër të tretë, që rriste interesin për punën në Amerikë. Nga vitet 1880, libri ishte shumë i njohur në të gjithë botën anglishtfolëse, deri në shkallën e formimit të shumë klubeve “Omar Khajam” dhe një “kulti”. Poezitë e Khajam janë përkthyer në shumë gjuhë, shumë prej atyre më të fundit janë më literalë, se ajo e Fitzgerald.

Përkthimi i Fitzgeraldit ishte një faktor nxitës në reklamimin e interesit ndaj Khajam si poet edhe në vendin e tij amtar, Iran. Sadegh Hedayat në këngët e tij të Khajam (Taranehha-ye Khayyam, 1934) ripërtëriti trashëgimin poetike të Omarit për Iranin modern.

Omar Khajam, diti të ishte mendjendritur dhe shpirtërisht i blatuar në atë forcë besimi dhe lirie, si në shkencat ekzakte ashtu edhe në poezi. Ai i dha botë një vepër e cila jo vetëm i garanton atij përjetësinë, por i kumton shekujve të mëvonshëm, kulturave dhe traditave, shkollave dhe mënyrave shprehëse, se i përkiste një epoke të lartësuar në përjetim dhe një nevojë ngadhnjyese në dije. Roli i Omar Khajam, ishte dhe mbeti i rëndësishëm si për traditën perse ashtu edhe për gjithë qytetërimet që morën prej diellit të tij ato rreze që ngrohin ende.

Marrë nga libri “Rubairat” i Omar Khajamit. I shqipëroi Rushit Bilbil Gramshi (pseudonim i Fan Nolit). Edicje e dyte, e ndrequr dhe e plotësuar. Bruxelles, 1927.

-1-

Natën kur flinja, më tha shpirti: “Pi!

Në gjumë dhe në Varr s’ka lumëri;

Ngrehu! Sa rron, zbras Kupa dhe puth Çupa;

Ke shekuj që të flesh në qetësi”.

-2-

Në ëndërr, kur agimi zbardhëllonte,

Një zë që nga Taverna po gjëmonte:

“Çohuni, djem, e Verë sillnani,

Se Fati na e tha lëngun sonte.”

-3-

Dhe posa në Tavernë këndoi gjeli,

Besnikët jashtë thirrë “Portat çeli!

E shkurter është Jeta, ja, u mplakmë

Dhe mbetmë si kofini pas së vjeli.”

-4-

A di përse këndesi po këndon

Menatë dhe nga gjumi po të zgjon?

Që shkoi një ditë po të lajmëron,

Dhe ti, çkujdesur, fle dhe ëndërron.

-5-

U gdhi! Me Verë zemrën e zbardhëllonj

Përdhe çdo Fe të Natës e dërmonj:

Në Djall dërgonj Parajsën e përpjetë,

Gërshetin me Llaut’ e lavdëronj.

-6-

Kur Diellin me zjarr kurorëzuar,

E pret me gas Natyra faqeshkruar,

Shoqen me mall po shoh në gjumë shtruar

Dhe foshnjën buzëqeshur më të zgjuar.

-7-

Ja, Kup’ e Qiellit skuqet prej Agimit,

Bilbili nisi këngën e dëfrimit

Me trëndafilin: Eja, Faqepjeshkë,

Natyra qesh; nem Qelqin e Rubinit.

-8-

Zgjohu! Mëngjesi me shigjet’ e grisi

Perden e Natës, Yjt’ i arratisi,

Dhe Dielli gjahtar me rreze kapi

Çdo majë mali, pallati e lisi.

-9-

O Engjëll faqedritë, ja u gdhi,

Shtir Verë dhe këndo me ëmbëlsi!

Xhamshidi e Khosroj qysh lulëzuan,

Qysh dimërojnë sot në Varrvërri.

-10-

Ja, Mars’i ri dëshirat na valon,

Çdo shpirt i mënçur në Gërmadhën shkon

Ku dor’ e Moisiut zbardh nga degët

Dhe frym’ e Krishtit tokën gjelbëron.

-11-

Mbi lulet po pikojnë vesë retë,

Dhe me një zë qiellor, Bilbil’ i shkretë:

Ah, Verë! Verë! Verë! Trëndafilit

I lyp t’i skuqë faqëzën e zbehtë.

-12-

Bilbili nëpër kopshtet në Prënverë

Sheh Lilin Kup’ e Trëndafilin Verë

Dhe thotë: “Puthuni e pihuni!

S’e gjeni këtë ditë tjatër herë.”

-13-

Shiko luadhe, lule, bukuri,

Lumenj kristali, kronj e brohori:

Nga dimri Ferr prënvera Qiell na ndriti,

Gëzo mi Dhé Parajsën me Huri.

-14-

Qesh Trëndafili e thotë: “Lulëzonj

Dhe botës bukurinë po ia shtonj:

Pastaj e hap kuletën e mëndafshtë

Dhe përmbi kopsht thesarin po e shtronj”… / KultPlus.com

Java e të Drejtave të Njeriut po sjell edicionin e 10-të nën sloganin “E Drejta Jem, Jo Mendimi Yt Personal”

Java e të Drejtave të Njeriut po sjell edicionin e 10-të, nën sloganin “E Drejta Jem, Jo Mendimi Yt Personal!”.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS) ka njoftuar se ky edicion do të mbahet përgjatë datave 6 – 10 Dhjetor 2023.

“Këtë vit shënojmë një dekadë të Javës për të Drejtat e Njeriut! Edicioni i Dhjetë jubilar, nën sloganin “E Drejta Jem, Jo Mendimi Yt Personal”, do të fokusohet në gjuhën e urrejtjes që targeton komunitetet e margjinalizuara. Përmes plotë aktiviteteve përgjatë 5 ditëve do të diskutojmë dhe ngrisim vetëdije kundër gjuhës së urrejtjes. Po ashtu do të theksojmë ndikimin e gjuhës së urrjetjes në përforcimin e stigmës, diskriminimit dhe dhunës tek komunitetet e margjinalizuara në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Ky edicion i Javës së të Drejtave të Njeriut sjell vëmendjen tek parimet e të drejtave të njeriut si një tërësi e të drejtave të patjetërsueshme dhe universale. Gjuha e urrejtjes që nxitet nën justifikimin e mendimeve personale bie në kundërshtim direkt me parimet e barazisë dhe mos-diskriminimit për të gjithë personat pavarësisht identiteteve të tyre.

Më poshtë gjeni të bashkangjitur edhe aktivitetet e javës:

🟣6 DHJETOR

10:00 – 13:00 / Hotel Sirius / Konferenca Hapëse – Luftimi i Gjuhës së Urrejtjes: Obligimet e Shtetit

16:00 – 18:00 / Biblioteka Kombëtare / Diskutim: “Nga letra në praktikë: Kosova duhet t’i mbajë zotimet ndaj të mbijetuarave të dhunës në familje” Raporti i Amnesty International

20:00 – 00:00 / Bubble Pub / Nata e Poezisë & Muzikës Rome

🟢7 DHJETOR

11:00 – 13:00 / Qendra për Praktikë Narrative / Bisedë: Aktivizmi në Kohë Krizash – në të Kaluarën dhe të Tashmen

15:00 – 17:00 / Kino Armata / Shfaqja e Dokumentarit: “The Killing of a Journalist” + Panel Diskutimi

17:30 – 19:00 / Muzeu Kombëtar i Kosovës / Ekspozitë: Veç Shiu na ka Pshtu

20:00 – 22:00 / Kino Armata / Shfaqja e Dokumentarit: “20 Days in Mariupol”

🟡8 DHJETOR

10:00 – 12:00 / Ndërtesa e Qeverisë / Tryezë e Rrumbullakët “75-vjetori i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut”

17:00 / Rrjetet sociale të YIHR KS / Gjuha e Urrejtjes në Internet (Maj – Nëntor 2023)

22:00 – 02:00 / Grand Hotel Bodrum / Drag Show: Kërce Kundër Urrejtjes

🟠9 DHJETOR

16:00 – 20:00 / Activism Hub, YIHR KS / Punëtori: Tejkalimi i Lodhjes nga Aktivizmi

20:00 – 10:00 / Bubble Pub / Stand Up Komedi me Veziren

🔵10 DHJETOR

12:00 – 13:00 / Sheshi Zahir Pajaziti / Aksion Rrugor: Gjuha e Urrejtjes nuk është Liri e Shprehjes

20:00 – 00:00 / Menza Ramiz Sadiku / Festë: 10 Vite të Javës së të Drejtave të Njeriut. / KultPlus.com

Rekuiem për poetin Ali Podrimja në Paris

Ditën e djeshme, në Paris, me mbështetjen e Ambasadës së Kosovës, Qendrës Kulturore të Kosovës dhe Grupit “Povataj”, një trupë artistike, teatrore, poetike dhe muzikore, e kryesuar nga kompozitori Maxime Perrin dhe poeti Marc Delouze, shfaqën veprën “Rekuiem për Aliun” (“Requiem pour Ali”), kushtuar poetit tonë kombëtar Ali Podrimja, përcjell KultPlus.

Shfaqja u mbajt në Kishën Saint Bernard, para një publiku të shumtë francez, ku kishte dhe shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria, përfshirë edhe personelin e Ambasadës së Kosovës në Paris, në krye me Ambasadorin Halimi, i cili në fjalën e tij të rastit i falënderoi artistët për nderin e madh që i kanë bërë poetit tonë.

Shfaqja filloi me një hyrje përshkruese për gjeografinë, historinë, shoqërinë dhe kulturën kosovare, pastaj filloi leximi dhe këndimi i poezive të Ali Podrimjes, në frëngjisht, shqip dhe italisht, përcjellur me muzikë të komponuar enkas për këtë rast, si: rekuiem, jazz, muzikë bashkëkohore, operistike, përfshirë edhe atë popullore shqiptare, madje edhe tingujt e himnit kosovar.

Padyshim se Rekujemi për Ali Podrimjen do të mbetet gjatë në kujtesë te të gjithë ata që ishin të pranishëm, kurse vitin e ardhshëm, i njëjti pritet të shfaqet edhe në Kosovë, në Prishtinë, por edhe në vendlindjen e poetit, Gjakovë. / KultPlus.com

Rama publikon foto nga Pogradeci: Pamje e paqtë dhjetori

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një foto nga liqeni i Ohrit në Pogradec, një pamje fantastike teksa bora ka veshur malet përreth.

“Me këtë pamje të paqtë dhjetori”, shkruan Rama, ndërsa uron ndjekësit për një javë të mbarë.

Pogradeci mbetet një atraksion i përhershëm turistik jo vetëm gjatë stinës së verës, por edhe në dimër për natyrën, kulturën dhe historinë.

Pamja piktoreske e liqenit dhe borës, i japin qytetit një sfond të mrekullueshëm./ KultPlus.com

Parlamenti Evropian para 32 vjetësh i ndau Adem Demaçit Çmimin Saharov

Parlamenti Evropian më 4 dhjetor 1991 i ndau Çmimin Saharov, veprimtarit Adem Demaçi, duke e konsideruar si luftëtar të paepur për lirinë e mendimit dhe mbrojtës të lirive dhe të drejtave të njeriut.

Duke e pranuar çmimin si homazh për popullin e Kosovës, Demaçi tha se “liria e fjalës është hapi i parë vendimtar drejt demokracisë. Pa lirinë e fjalës nuk ka dialog, pa dialog e vërteta nuk mund të vendoset dhe pa të vërtetën përparimi është i pamundur.”

Këtë çmim deri më tash e kishin marrë: Saharovi, emrin e të cilit e mban, Dubçeku, Nelson Mandela, Marçenko, Aung Sun, disa nga të cilët (Mandela, Aung Su) u bënë më vonë edhe fitues të çmimit Nobel. Me këtë rast, në Parlamentin Evropian, Demaçi tha se “duke më nderuar mua, keni nderuar popullin tim të shumëvuajtur, por gjithmonë liridashës, paqedashës e krenar”.

Çmimi Saharov për lirinë e mendimit, i pagëzuar sipas disidentit dhe shkencëtarit nga Bashkimi Sovjetik Andrej Saharov (Andrei Sakharov) është themeluar në dhjetor 1988 nga Parlamenti Evropian për të nderuar individët apo organizatat që i kanë kushtuar jetën e tyre mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut. Ai ndahet çdo vit rreth datës 10 dhjetor, ditë në të cilën Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut në vitin 1948, që është e njohur edhe si Dita e të Drejtave të Njeriut.

Më 1993, Klubi i Rektorëve Universitarë në Madrid i dha Çmimin Special për Paqe, kundër racizmit, ksenofobisë, për qëndrim paqësor e tolerant dhe për përpjekje për të ndërtuar një të ardhme të mbështetur në të drejtat e njeriut dhe në shumësi kulturore dhe kjo ndodhi pikërisht në kohën, kur qarqet serbe e akuzonin për luftënxitje.

Në shkurt 1994, pesë anëtarë të Parlamentit të Norvegjisë e kandiduan shkrimtarin Adem Demaçi për çmimin Nobel për letërsi. Në shtator 1994, u kandidua sërish – tani për çmimin Nobel për Paqe, me ç’rast theksoi se “ky është një nder për mua dhe një mirënjohje për popullin shqiptar”. Ndërkaq, më 14 dhjetor 1995 Adem Demaçit iu dorëzua Çmimi për të Drejtat e Njeriut i Universitetit të Oslos.

Demaçi, duke shprehur falënderimin për këtë çmim, tha: Këtë mirënjohje nuk e kuptoj vetëm si mirënjohje të punës dhe të luftës sime për të drejtat e popullit tim, por edhe si dëshirë të qeverisë e të inteligjencës paqedashëse norvegjeze që t’i tërheqë vëmendjen opinionit të gjerë ndërkombëtar për problemin e Kosovës.

Adem Demaçi u lind në Prishtinë, më 26 shkurt të vitit 1936. Me prejardhje ishte nga fshati Lupq i Podujevës.

Është ndër emrat më të rëndësishëm në Kosovë të përpjekjeve paqësore për liri dhe për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës brenda ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Ishte bërë i njohur qysh në fëmijëri si zë revoltues në bankat e shkollës. Demaçi nuk hezitonte asnjëherë të dënonte padrejtësitë e shumta të regjimit serb.

Në vitin 1958 është dënuar me 5 vjet burg për shkak të shkrimeve dhe bindjeve të tij, politike e atdhetare. Në vitin 1963 ka themeluar në Prishtinë organizatën e quajtur “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, me program unik kombëtar të çlirimit dhe bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Kjo Lëvizje kishte arritur të zgjerohej në shumë qendra të Kosovës, por edhe në trojet e tjera shqiptare nën pushtimin Jugosllav. Për shkak të vazhdimit të aktivitetit atdhetar, Adem Demaçi dënohet 15 vjet burg.

Edhe në vitin 1975 regjimi jugosllav e kishte dënuar 15 vjet burg. Demaçi ka mbajtur rreth 28 vjet, disa prej tyre në qeli i vetëm, gjatë kohës së regjimit të egër në RSFJ-së. Pas lirimit nga burgu në vitin 1990 Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut deri në vitin 1995.

Gjatë periudhës 1998-1999 ka qenë zëdhënës politik i UÇK-së, në zyrën e tij, në Prishtinë.

Pas luftës u angazhua për respektimin e të drejtave të pakicave joshqiptare në Kosovë dhe për përmirësimin e gjendjes së tyre. Demaçi nga shqiptarët vlerësohej si simbol i rezistencës kombëtare. Në vitin 2010, ai u dekorua me Urdhrin “Hero i Kosovës”.

Demaçi ishte autor i disa librave: “Fërkime”, “Gjarpijtë e gjakut”, “Libër për Vet Mohimin”, “Heli e Mimoza”, “Nëna Shegë e pesë gocat”, “Shkrumbnajë e dashur”, “Dashuria Kuantike e Filanit”, “Alb Prometeu”, “Politika”, “Pushka” dhe “Tung vargu im”. Demaçi ndërroi jetë më 26 korrik 2018. / KultPlus.com

111-vjetori i Forcave të Armatosura, Begaj: Me sukses mbajnë lart flamurin dhe emrin e Shqipërisë

Presidenti Bajram Begaj ka uruar sot Forcat e Armatosura të Shqipërisë për 111-vjetorin e themelimit.

Në një mesazh në facebook, Begaj shprehet se Forcat e Armatosura janë krenari kombëtare që kanë arritur me sukses të mbajnë lart flamurin dhe emrin e Shqipërisë.

Presidenti vlerësoi angazhimin e tyre në një sërë misionesh dhe operacionesh për paqen dhe sigurinë në vend, rajon dhe në botë, si dhe përmbushjen e detyrave me dinjitet, përkushtim dhe profesionalizëm.

Kreu i shtetit në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura u shpreh gjithashtu se angazhimi i ushtarakëve ndaj Atdheut, Nderit dhe Detyrës mbetet i shenjtë dhe mbështetja e shoqërisë për Forcat e Armatosura do jetë e pakursyer.

“Në këtë ditëlindje të 111-të të tyre ne përulemi, nderojmë dhe jemi mirënjohës për shërbimin, kontributin dhe sakrificat e të gjithë efektivëve që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë në Forcat e Armatosura”, shkruan Presidenti Begaj në këtë përvjetor të themelimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë./ atsh / KultPlus.com