Rekuiem për poetin Ali Podrimja në Paris

Ditën e djeshme, në Paris, me mbështetjen e Ambasadës së Kosovës, Qendrës Kulturore të Kosovës dhe Grupit “Povataj”, një trupë artistike, teatrore, poetike dhe muzikore, e kryesuar nga kompozitori Maxime Perrin dhe poeti Marc Delouze, shfaqën veprën “Rekuiem për Aliun” (“Requiem pour Ali”), kushtuar poetit tonë kombëtar Ali Podrimja, përcjell KultPlus.

Shfaqja u mbajt në Kishën Saint Bernard, para një publiku të shumtë francez, ku kishte dhe shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria, përfshirë edhe personelin e Ambasadës së Kosovës në Paris, në krye me Ambasadorin Halimi, i cili në fjalën e tij të rastit i falënderoi artistët për nderin e madh që i kanë bërë poetit tonë.

Shfaqja filloi me një hyrje përshkruese për gjeografinë, historinë, shoqërinë dhe kulturën kosovare, pastaj filloi leximi dhe këndimi i poezive të Ali Podrimjes, në frëngjisht, shqip dhe italisht, përcjellur me muzikë të komponuar enkas për këtë rast, si: rekuiem, jazz, muzikë bashkëkohore, operistike, përfshirë edhe atë popullore shqiptare, madje edhe tingujt e himnit kosovar.

Padyshim se Rekujemi për Ali Podrimjen do të mbetet gjatë në kujtesë te të gjithë ata që ishin të pranishëm, kurse vitin e ardhshëm, i njëjti pritet të shfaqet edhe në Kosovë, në Prishtinë, por edhe në vendlindjen e poetit, Gjakovë. / KultPlus.com

Në shënim të 25 vjetorit të vdekjes së Nënë Terezës, Filharmonia e Kosovës organizon koncert përkujtimor

Në kuadër të manifestimit “Ditët e Nënë Terezës” të hënën më 5 shtator 2022 prej orës 20:00 në Qendrën “Bogdani Polis” (Katedralja “Shën Nënë Tereza”) në Prishtinë, Filharmonia e Kosovës organizon koncert në shënim të 25 vjetorit të kalimit në amshim të Nënë Terezës, përcjell KultPlus.

Në koncert do të interpretohen fragmente nga “Rekuiem-i” i kompozitorit Wolfgang Amadeus Mozart dhe vepra tematike nga kompozitorët Genc Tukiçi, Valton Beqiri dhe Kreshnik Aliçkaj.

Hyrja në koncert është e hapur mirëpo duhet të bëni rezervimin përmes platformës ‘eventbrite’. / KultPlus.com