Në vallen e “Shotës”, apo në Bolero’n shqiptare, Sami sjell një kryevepër… Ai sjell dritën, energjinë dhe ritmin e shpejtë që zgjon peshë emocionet me lëvizjen ritmike të notave, fijeve akustike dhe ngjyrave vibrante.
Krahët e hapura të vallëzimit, me dy krerë të çiftit, sikur nxjerrin në pah shqiponjën dykrerëshe, duke reflektuar krenari e dinjitet.
Ashtu siç përdoret me përkëdhelje fjala “shotë” për vajzat e reja, të shkathëta e të pashme, ashtu edhe piktori i ka dhënë vëmendjen vajzës, duke e nxjerr në sfond e duke e përkëdhelur dhe trajtuar me ngjyra të cilat sikur ndajnë errësirën e të kaluarës dhe i japin dritë e jetë të ardhmes.
Përballë të gjitha vështirësive, vallëzimi i tyre na e kujton jetën me vështirësi, na e kujton se lisat rriten të fortë nga erërat e kundërta dhe diamantet bëhen nën presion. Vështirësitë nuk janë veçse guxim i fatit, pengesa për t’i sprovuar aftësitë tona, humbje të më të dashurve e dhimbje të hidhura… E të cilat medoemos se sjellin forcën për gjeneratat e reja.
Tek ‘’Shota’’ Sami paraqet vallëzimin e çiftit i cili sikur ndjen duke u hedhur e ngritur lart, sikurse vullkani brenda shpirtit që të bënë të dukesh më i madh pas çdo përballjeje me fatkeqësitë e jetës të paraqitura me ngjyra dhe vija të cilat mundohen t’i frenojnë ata dy në çdo hapë…
Është një kryevepër, duhet përsëritur… Kjo na e kujton të kaluarën në formën më artistike të mundshme. Andaj, kjo magji kaq e bukur e ngërthyer në veti me kaq dhimbje e krenari, padyshim se na i mbushë sytë me lot… Por, edhe na mbushë plotë jetë e shpresë për të ardhmen e ndritur të gjeneratave të reja që do të vijnë pas!
SHOTA & CUCA E MALEVE
Për ti dhënë krahë shotës në fluturimin e saj me tingujt magjik, kjo galeri për herë të parë, e pas 20 vitesh, e sjell edhe pikturën origjinale “Cuca e Maleve”, pikturë kjo e cila është shpërblyer me vlerësimet më eminente ndërkombëtare, e në veçanti ato në Amerikë/USA.
E ku ka ndjenjë më të bukur se sa kur bashkohen ‘Shota’ dhe ‘Cuca e Maleve’ në stinën më të bukur të Pranverës, kur gjithçka ringjallet e lulëzon!… Bukuria, krenaria dhe dashuria afër tyre, nuk kanë kufi!
Sami me këto vepra kaq madhështore, na bënë të kuptojmë se të fluturosh mbi tokë, do të thotë që ke nevojë të jesh i/e lirë dhe autonom. Ke nevojë të lirohesh nga pengesat dhe limitet që nuk të lejojnë t’i realizosh ëndrrat dhe dëshirat e tua!/KultPlus.com
Fshatra piktoreske në majë të kodrave, vende të jashtëzakonshme antike, plazhe parajsore dhe male spektakolare… Këto janë 10 vendet më të bukura që duhen vizituar gjatë një udhëtimi në Shqipëri, shkruan Cyrielle Didier në MSN.
Berati, qyteti i bukur i një mbi një dritareve
Rreth 100 kilometra larg Tiranës, qyteti i njohur si “qyteti i një mijë dritareve” ka një bukuri të parezistueshme.
I strehuar midis dy kodrave dhe lumit Osum, ai shfaq me krenari shtëpitë e tij osmane buzë shkëmbit dhe labirintin e rrugëve të shtruara, disa prej të cilave datojnë në shekullin e XV.
Pamja më e paharrueshme? Kalaja mahnitëse e Beratit, një kështjellë e shekullit të XIII me pamje nga qyteti në një lartësi prej 187 metrash, duke ofruar një panoramë të këndshme të gjithë luginës.
Është një mjedis shqiptar i përsosur, të cilin nuk do të dëshironit ta humbisnit.
Butrinti, një vend i jashtëzakonshëm arkeologjik
I vendosur në skajin jugor të Shqipërisë, zona arkeologjike e Butrintit është shtëpia e disa mbetjeve të shumëllojshme.
Vendi ishte fillimisht një vendbanim grek, përpara se të bëhej një qytet romak, më pas një dioqezë, përpara se të pushtohej nga Bizanti dhe më pas Venediku.
Në disa qindra hektarë një mjedis natyror të bukur që të lënë pa frymë, mund të zbuloni muret mesjetare, një teatër grek, një kullë veneciane, një bazilikë bizantine dhe rrënoja romake.
Dhërmiu, bukuria e Rivierës Shqiptare
Me shtëpitë e tij të bardha të ngritura lart mbi det, resorti i vogël bregdetar i Dhërmiut, në bregun e Jonit, është një vend me të vërtetë i bukur.
Rrethinat e tij, për më tepër, zotërojnë një bukuri të rrallë: i kufizuar nga malet Cerauniane dhe i rrethuar nga plazhet parajsore, gjiri ofron shtigje të paharrueshme ecjeje si kanioni i Gjipesë, me shkëmbinjtë e tij spektakolar me pamje nga një gji me rërë të rrethuar nga ujërat bruz.
Sheshi ”Skënderbej”, zemra historike e Tiranës
Kjo hapësirë e pamasë, kushtuar Skënderbeut – heroit kombëtar të Shqipërisë që udhëhoqi rezistencën kundër Perandorisë Osmane në shekullin e XV – është zemra historike dhe e gjallë e Tiranës.
Krejtësisht i pedonalizuar, sheshi është i mbushur me restorante dhe përbën një pikënisje të shkëlqyer për të eksploruar historinë dhe kulturën shqiptare.
Arkitektura e ndërtesave ngjall disa periudha pushtimi në historinë shqiptare (pushtimi osman, italian, fashist dhe sovjetik).
Në mënyrë të ngjashme, ju mund të vizitoni Muzeun Historik Kombëtar i cili gjurmon dy mijëvjeçarët e historisë së rajonit.
Gjirokastra, qyteti i bukur osman
I famshëm për qendrën dhe fortesën e tij të bukur historike, qyteti jugor i Gjirokastrës është listuar si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s për ndërtesat e tij të ruajtura të epokës osmane.
Qyteti përfshin një seri të jashtëzakonshme shtëpish dykatëshe të shekullit të XVII, një pazar osman, dy kisha dhe një xhami të shekullit XVIII.
Gjithashtu, do të zbuloni një mjedis historik në sfondin e bukur të luginës së lumit Drin.
Kruja, qyteti i mrekullueshëm mesjetar në periferi të Tiranës
Rreth 30 kilometra larg Tiranës, qyteti i vogël mesjetar i Krujës është i famshëm për kështjellën e tij në majë të kodrës, ku ndodhet Muzeu Kombëtar i Gjergj Kastrioti Skënderbeut, kushtuar heroit shqiptar.
Mes një peizazhi të mrekullueshëm malesh të mbuluara me pisha, qyteti i vjetër ka mjaft karakter, me rrugët e tij me kalldrëm, shtëpitë e vjetra me mure të bardha, një sërë monumentesh osmane dhe pazarin e vjetër (Pazari i Vjetër), plot me suvenire tradicionale artizanale.
Ishulli i vogël i Zvërnecit, laguna e tij dhe manastiri bizantin
Në bregdetin qendror të Shqipërisë, përballë rajonit të Pulias në Itali, në pjesën veriore të rajonit të Vlorës ndodhet Zvërneci.
Në zemër të saj, laguna e qetë e Nartës është shtëpia e ishullit të vogël të Zvernecit, të cilin mund ta arrini nëpërmjet një ure gjarpëruese 270 metra të gjatë.
Kjo tokë e mbuluar me pisha është shtëpia e manastirit bizantin të shekullit të XIII të Shën Marisë të ruajtur mirë.
Në fund të ditës, ka të ngjarë të dalloni disa flamingo rozë.
Parku Kombëtar dhe Lugina e Thethit, në Alpet Shqiptare
Në veri të vendit, kjo luginë e mrekullueshme në Alpet Shqiptare ka qenë prej kohësh një nga vendet më të izoluara në Ballkan.
Rruga e ndërtuar në vitin 2010 dhe strukturat e Parkut Kombëtar të Thethit të krijuara në vitin 2022 e bëjnë këtë vend të mrekullueshëm të arritshëm për të gjithë.
Ndërtesa të vjetra prej guri të rrethuara nga pyje, shpella dhe lumenj të dominuar nga malet, shkëmbinjtë shkëmborë nga të cilët bien përrenjtë dhe ujëvarat.
Peizazhi është magjepsës. I rrethuar nga një cirk marramendës malesh, fshati i vogël i Thethit me siguri do t’ju mahnisë me hijeshinë e tij. /atsh/KultPlus.com
Samuel Langhorne Clemens (30 nëntor 1835 – 21 prill 1910) njihet me emrin Mark Twain (Mark Tuejn), ishte një autor dhe humorist amerikan. Ai shquhet për novelat e tij, The Adventures of Tom Sawyer (Aventurat e Tom Sojerit, 1876), si dhe për (Adventures of Huckleberry Finn) (Aventurat e Hakëllberri Finit), e cila me vone njihej si “Great American Novel” (Novela e famshme Amerikane). Twain u rrit në Hannibal, Missouri, ku shkroi Huckleberry Finn dhe Tom Sawyer, te cilat i shkroi me makine shtypi.
Ai gjithashtu punoi si daktilograf, duke kontribuar kështu në gazetën e vëllait te vjetër Orionit. Derisa ai punoi si daktilograf dhe reporter ai shkroi storien humoristike “The Celebrated Jumping Frog of Calaveras Country”, e cila u be aq e popullarizuar saqë e tërheqi vëmendjen e publikut mbarkombetar. Ai arriti sukses mjafte te madh si një shkrimtar dhe spiker. Mençuria dhe satira e tij ishin te vlerësuara prej shume kritikeve dhe letrareve, dhe ai ishte shok me presidente, artiste, industrialiste te ndryshëm si dhe me Mbretërinë Evropiane. Gjendja e tij financiare ishte e dobët, megjithëse ai fitoi mjaft para nga shkrimet dhe ligjëratat e tij. Ai ishte i njohur si humoristi me i famshëm amerikan i moshës se tij, dhe William Faulkner e quajti Twain “babai i literaturës amerikane”.
Jeta e hershme Mark Twain lindi në Florida, Missouri, me 30 nëntor, 1834 Ai ishte i biri i Janë, një shtetas i Kentucky dhe John Marchal Clemens nga Virginia. Prindërit e tij u takuan kur babai i tij u shpërngul në Missouri dhe u martuan disa vite me vone, me 1823. Ai ishte femiu i gjashte nga 7 fëmijët ishin gjithsej, prej te cilëve vetëm 3 mbijetuan. Vëllau i tij Orion (1825-1897), Henry dhe Pamela (1827-1904) vdiqën në një shpërthim në anije. Motra e tij e quajtur Margaret (1833-1836) vdiq kur ishte 3 vjeç, dhe vëllai i tij Benjamin (1832-1842) që vdiq 6 vite me vone. Kur Twain ishte 4 vjeç, familja e tij u shpërngul për në Hanibbal, Missouri, një port detar në qytetin e Missisipit, i cili ishte një inspirim për shkrimin e librit “The Adventures of Tom Sawyer and Adventures of Huckleberry Finn”. Kur Twain ishte 11 vjeq, me 1847, i vdiq babai nga pneumonia. Një vit me vone ai u be daktilograf. Në vitin 1851 ai filloi te punonte si daktilograf dhe kontribuoi në artikujt dhe skeçet humoristike për gazetën Hannibal, një gazete që posedohej nga vëllau i tij. Kur ishte 18 vjeçar, ai e leshoi Hannibalin dhe punoi si shtypes në New York City, Philadelphia, St. Luis, Cincinnati. Ai iu bashkëngjit Bashkimit Ndërkombëtar Tiografik te posaformuar, bashkimit te shtypësve dhe gjate mbrëmjeve u edukua në bibliotekat publike, duke gjetur kështu informata me te gjera sesa në shkollën tradicionale. Clemmens kane ardh St. Louis në Keokuk me 1854, dhe jetuan në Muscatine gjate periudhës se verës te vitit 1855. Gazeta Muscatine publikoi 8 storie te cilat kishin pothuajse 6000 fjale.
Martesa dhe fëmijët Përgjatë vitit 1868, Twain dhe Olivia Langdon u fejuan, ndërsa në shkurt te vitit 1870 u martuan në Elmira, New York. Langdon vinte nga një familje e pasur dhe liberale dhe nëpërmjet saj Twain takoi shume aboltioniste, socialiste dhe aktiviste për te drejtat e grave dhe barazi shoqërore. Ai gjithashtu takoi edhe shkrimtarin dhe socialistin Eutopian, William Dean Howels, me te cilin pati shoqëri për një periudhe te gjate. Ata kishin 3 vajza : Susy (1872-1896), Clara (1874-1962), Jean (1880-1909), dhe një djalë i cili vdiq kur ishte 19 muajsh nga sëmundja e difterisë. Martesa e Twain dhe Olivias zgjati 34 vite, deri me 1904 kur Olivia vdiq. Te gjithë anëtaret e familjes Clemens janë varrosur në varrezat e Woodlawn në Elmira.
Dashuria për shkencën dhe teknologjinë Twain ka qene i fascinuar pas shkencës dhe hetimeve shkencore. Ai pati një shoqëri te afërt dhe te gjate me Nikola Tesla. Ata kalonin shumë kohe sebashku në laboratorin e Tesles. Ai zotëroi 3 zbulime duke përfshire një përmirësim në rregullimin rripave (shiritave) për ndarjen e rrogave (për te zëvendësuar rripat llastik) Libri i tij A Connecticut Yankee in King Arthur’s Court karakterizon një udhëtues te kohës nga Amerika bashkohore duke përdorur dijen e tij për shkencën për te prezantuar teknologjinë moderne Arturianit te Anglisë. Ky lloj i linjës se storieve me vone do te kthehej në një karakteristike te përbashkët te fanta-shkencës nen-zhanër, historisë alternative. Në vitin 1909 Tomas Edisoni vizitoi Twain në shtëpinë e tij në Redding, Connecticut, dhe e filmoi atë. Një pjesë e filmit u përdor në “Prince and the Pauper“ (1909), i cili ishte një film i shkurte.
Jeta e mëvonshme dhe vdekja Twain kaloi në një periudhe te depresionit te thelle, e cila filloi me 1896 kur vajza e tij Susy vdiq nga Meningjit. Vdekja e Olivias me 1904 dhe e Janë me 1909 e thelluan errësirën e tij. Me 20 maj te vitit 1909 miku i tij i ngushte Henry Rogers vdiq papritmas. Në vitin 1906, Twain filloi autobiografinë e tij në North Amerikan Review. Në prill Twain dëgjoi që mikesha e tij Ina Coolbrith humbi te gjitha pronen e saj në San Francisko nga tërmeti. Twain e formoi në vitin 1906 një klub për vajzat që ai i shihte si mbesat zëvendësuese, the Angle Fish dhe Aquarium Club. Shumica e anëtareve ishin te moshës 10-16vjet. Twain shkëmbente letra me vajzat e klubit “Angel Fish” dhe i ftonte ato në koncerte dhe teatre si dhe për te luajtur lojëra. Universiteti i Oksfordit e nderoi Twain me një doktorate nderi për shkrimet e tij, me 1907. Në vitin 1909 është cituar për thënien e tij : ”Unë erdha në ketë bote me Halley’s Comet me 1835. Kjo do te vije prape vitin tjetër dhe un pres që te shkoj me te. Do te ishte zhgënjimi me i madh i jetës sime në rast se unë nuk shkoj me Halley’s Comet. Almighty ka thëne, padyshim : “Tani këtu janë këto dy kapriqe te pa numërueshme ; ato kane ardhur sebashku dhe duhet te shkojnë sebashku.” Parashikimet e tij ishin te sakta- Twain vdiq nga një sulm në zeme me 21 prill 1910 në Redding Connecticut, një dite pas qasjes me te afërt te kometës në Toke. Kur presidenti William Howard Taft dëgjoi për vdekjen e Twain tha: “ Mark Twain dhuroi kënaqësi-gëzim te vërtet intelektual për miliona njerëz, dhe puna e tij do te vazhdoj te dhuroje kënaqësi për miliona njerëz që do te vijnë… Humori ishte Amerikan, por ai ishte njësoj i vlerësuar nga njerëzit e Anglisë dhe njerëzit e vendeve tjera si dhe njerëzit e vendit te tij. Ai ka dhuruar një pjesë te pavdekshme te literaturës Amerikane“. Funerali i Twain ishte në “Old Brick”, Press Byterian në kishën e New Yorkut. Ai u varos me familjes e tij në varrezat Woodlawn në Elmira-New York.
Vepra E gjithë vepra e Mark Twain inspirohet nga ngjarje dhe vende ku jetoi apo vizitoi, ndaj konsiderohen si autobiografike. Vepra e tij ndahet përgjithësisht : Përshtypjet e udhëtimit ; Kujtimet e fëmijërisë dhe rinise se hershme Narracionet satirike te ambientuara në Mesjete dhe Rilindje. Mark Twain, në maksimumin e famës se tij, ishte një celibritet në Amerike, për kohen e tij.
Veprat :
The Celebrated Jumping Frog of Calaveras County, 1867, novele Innocents Abroad, 1869, novele udhëtimi Roughing It, 1872, udhëtim nga Mississipi në Las Vegas The Gilded Age: A Tale of Today, 1873, novele The Adventures of Tom Sawyer, 1876, novele A Tramp Abroad, 1880, kujtime udhëtimi |1601: Conversation, as it was by the Social Fireside, in the Time of the Tudors, 1880, novele The Prince and the Pauper, 1881, novele Life on the Mississippi, 1883, tregim autobiografik The Adventures of Huckleberry Finn, 1884, novele Tom Sawyer Abroad, 1894, novele Pudd’n’head Wilson (Wilson lo Zuccone), 1894, novele Tom Sawyer Detective, 1896, novele A Connecticut Yankee in King Arthur’s Court, 1889, novele Following the Equator, 1897, tregime udhëtimi The Man That Corrupted Hadleyburg, 1900, novele King Leopold’s Soliloquy, 1905, satire politike The War Prayer, 1905, novele * The Eva-s diary, 1906, novele The $30,000 Bequest and Other Stories, 1906, novele What Is Man ?, 1906 A Horse’s Tale, 1907 Captain Stormfield’s Visit to Heaven, 1909, tregim i gjate Letters from the Earth, 1909, novele e botuar pas vdekjes The Mysterious Stranger, 1916, novele e botuar pas vdekjes /KultPlus.com
Sot në katër komunat veriore po mbahet votimi për shkarkimin ose jo të kryetarëve aktualë.
Qendrat e votimit në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok dhe Zveçan është e paraparë të hapen në orën 07:00 dhe të mbyllen në 19:00.
Që votimi të jetë i suksesshëm duhet që të votojnë, minimalisht, 50% + 1 qytetar. Nëse përmbushet ky kusht, atëherë brenda afateve ligjore mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Në rast se pjesëmarrja është më e ulët se 50%+1, atëherë votimi konsiderohet i dështuar dhe një iniciativë tjetër nuk mund të merret pa kaluar 12 muaj.
Lista Serbe ka thënë se nuk do të marrin pjesë në këtë votim dhe të njëjtën gjë kanë kërkuar edhe nga qytetarët serbë të asaj zone.
Kryetarët e vjetër serbë patën dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022 pas vendimit të Qeverisë për targat. Pas disa muajsh, më 23 prill 2023, zgjedhje të reja u mbajtën në Veri, por të njëjtat u bojkotuan nga Lista Serbe dhe qytetarët serbë të asaj zone. Kjo ndikoi që të ketë dalje të ulët të qytetarëve në votime dhe rezultatet nxorën fitues kandidatët shqiptarë të PDK’së e VV’së. Më pas, me kërkesë të ndërkombëtarëve, MAPL hartoi një udhëzim administrativ, i cili parasheh procedurat se si duhet të shkohet në zgjedhje përmes peticionit. /GazetaExpress/ KultPlus.com
“Vdekja nuk është gjë. Unë thjesht kalova në anën tjetër: është njësoj si të isha fshehur në dhomën ngjitur. Gjithçka është njësoj, unë jam gjithmonë unë dhe ti je gjithmonë ti.” – Henry Scott Hollan
Mes jetës dhe vdekjes, zhgënjimit, dëshpërimit, me shpresën e humbur e të ringjallur, me të mirat e të këqijat e kësaj bote, mbrëmë është dhënë premiera e shfaqjes “Një ditë e gjatë udhë drejt natës (Eugene O’Neill)”, realizuar nga regjisori Skender Podvorica, në ambientin e Lapidariumit të Muzeut të Kosovës. Një nga të vetmet arsye që shfaqja frymoi nëpër të gjitha emocionet e imagjinueshme, qe pjesëmarrja e një nga aktorëve të kastës; Yzeir Meha, i cili varrosi të ëmën e ndjerë herët në mëngjes, ndërsa në mbrëmje varrosi vuajtjen e tij përbrenda vetes, për të realizuar amanetin e fundit që ia kishte premtuar së ëmës; diplomimin.
“Një ditë e gjatë udhë drejt natës” konsiderohet si kryevepra e dramaturgut O’Neill. E krijuar në vitet 1941-1942, por e publikuar vetëm në 1956, kjo vepër mbahet si një gjysmëautobiografi e vetë dramaturgut. Vepra trajton temën e shkatërrimit të familjes, mirëpo ajo se çfarë “shkatërroi” atmosferën mbrëmë në premierë, ishin lotët e audiencës që përshkonin në fytyrat e tyre. Para tyre, paraqitej një dalosh i thjeshtë, i ri në dukje, i cili po jepte artin e tij nëpërmjet syve, duarve, këmbëve, lëvizjeve brenda katër mureve, e shikimeve depërtuese, por ajo se çfarë dhuronte emocion të papërshkrueshëm, ishte shpirti i tij që dilte në pah, hap pas hapi, fjalë pas fjale.
Vepra dhe krijimtaria në dramë e O’Neill-it, e bëri botën që të kthente sytë drejt skenës, ndërsa fuqia, rezistenca, guximi e trimëria e paimagjinueshme e shfaqur nga aktori Yzeir Meha, na shtyri që ne t’i kthejmë sytë nga kuptimi i vërtetë i të qenurit një artist; një që lind dhe frymon për dërrasat e skenës, një që rritet në dhe së bashku me ambientet teatrore, një që paqen shpirtërore e gjen me lëvizjen e qetë të pluhurit të prapaskenave, djersitjes së vazhdueshme gjatë provave, lodhjes fizike dhe mentale të rolit bartës e procesimit të tij.
Të qenurit aktor nënkupton që duhet të rilindësh me secilën duartrokitje të dhënë nga publiku, me secilën buzëqeshje nga dashamirët e artit, me secilin kompliment e kritikë nga njohësit e fushës dhe me dashurinë e pambarueshme të dhuruar nga të afërmit që janë përherë krenarë. I tillë është edhe Meha, pasioni i të cilit, përherë ka mundur çdo dhimbje, për të triumfuar çdo herë, në secilën kohë, përfshirë edhe atë të vdekjes.
Vdekja e së ëmës i trokiti herët në mëngjes, megjithatë, ai e “mposhti” atë natën vonë.
* Aktorët: Vjosa Abazi, Shpetim Kastrati, Yzeir Meha dhe Mikel Markaj arritën që mbrëmë të bëhen një me esencën e shfaqjes, duke ngjallur në publik emocione sa dramatike e emocionale, aq edhe të fuqishme e mbresëlënëse.
Vepra e shkrimtarit irlandezo-amerikan e vlerësuar me çmimin “Pulitzer” është një dramë me katër akte. Eugene O’Neill i konsideruar si një nga dramaturgët më të mirë amerikanë këtë herë me dramën e tij “Udhëtimi i gjatë drejt natës” sjell në vëmendje historinë e një familje, por kjo drejt rrënimit të saj. Një kryetar familjeje, koprac i cili nuk paguan as paratë për spitalin, pasi djali ishte i sëmurë. Duke parë kopracinë e kryetarit të familjes, gruaja, djali i madh dhe ai i vogël, shkojnë drejt rrënimit. Gjithçka në veprën, e cila i vendos ngjarjet në Amerikë, tregohet historia e një familjeje, e cila nga mëngjesi deri në mbrëmje përjeton dramën e saj./ KultPlus.com
Koçi Petriti poeti dhe studiuesi i njohur që me krijimtarinë e tij zuri një vend të veçantë në letërsinë shqipe është përkujtuar në 10 vjetorin e ndarjes nga jeta.
Lirika e tij e vlerësuar për thjeshtësinë dhe finesën mbetet e veçantë ndaj familjarë, miq dhe lexues të tij së bashku rikthyen mes interpretimeve emocionuese pak nga shpirti i veçantë i Koçi Petriti.
Me një krijimtari të vyer ai spikati që në botimin e tij të parë të titulluar Lirikat e Majit, që u pasua nga botime të tjera të cilat bënë që Koçi Petriti të njihet nga kritika si mjeshtër i lirikë dhe baladave. Në këtë 10 vjetor të ndarjes nga jeta djali i tij Ergysi mes emocionesh ndan disa momente e vargje të njeriut modest por me vlera të mëdha.
Për organizatorin Erget Cenolli, Koçi Petriti mbetet një ndër poetët dhe studiuesit e spikatur të Shqipërisë vepra e të cilit edhe pse nuk zë vend ne kurrikulat e arsimit parauniversitar studiohet në auditorët e arsimit të lartë.
Për gati gjysmë shekulli Koçi Petriti ju përkushtua mësimdhënies letrare por si studiues ai arriti të sjellë botime thelbësore për zbërthimin e krijimtarisë letrare të.disa autorëve shqiptarë ndërsa me vargjet e tij përmbushë paktin e tij me lexuesit, atë të përjetësisë./TopChannel/KultPlus.com
Muzikë popullore dhe moderne, projeksione të veprave të ndryshme të artistëve vendas dhe të huaj në fasadat e pallateve gjatë mbrëmjeve, janë parashikuar ta kthejnë Pazarin e Ri në skenë feste, në kuadër të ”Pazari n’fest”.
Kryebashkiaku i natës Rezart Cenaj, duke folur për “Pazari n’fest” tha sot se “nuk do të mungojnë edhe lojërat për fëmijë dhe panairet. “Panairin e Vespave, “Vespa Show”, pastaj vazhdojmë me piktura ku do të përfshihen qytetarët, kalimtarët, si dhe poçeria. Nesër pritet të ketë grupe kërcimtarësh të ndryshëm”.
“Vitin tjetër jemi Kryeqyteti Europian i Kulturës edhe i Artit dhe kemi filluar një si ta themi para përgatitje. Kemi një plan vjetor aktivitetesh, do të ketë shumë aktivitete interesante ku i përfshin sërish të gjitha shijet dhe grupmoshat”, shprehet Cenaj.
“Aktivitete të tilla do të ketë gjatë të gjithë vitit në sheshe të ndryshme të kryeqytetit. Ngjarje të tilla kulturore e gjithëpërfshirëse, synojnë t’u japin një tjetër mundësi vendasve dhe të huajve të kalojnë disa ditë të këndshme në kryeqytet dhe ti ndryshojnë pamjen zonave të ndryshme të Tiranës”, përfundon ai.
Më herët Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj publikoi një fotogaleri nga “Pazari n’fest”, që po zhvillohet tek zona e Pazarit të ri në Tiranë. “Atmosferë, muzikë dhe plot energji na dhuori “Funkys Days and Nights” te Pazari i ri”, shkruan Veliaj në postimin e tij./KultPlus.com
Panairi “Art dhe Zeje”, që u çel këtë fundjavë në Malësin e Madhe, me mbështetjen e autoriteteve vendore të kësaj zone, është një mundësi e mirë për promovimin dhe kultivimin e talenteve të së ardhmes.
Bashkia e Malësisë së Madhe, ndau në rrjete sociale momente nga organizimi i këtij eventi, teksa njoftoi se, “Arte dhe Zeje” është një projekt i rëndësishëm, ku nxënësit kanë mundësinë të shfaqin talentet e tyre në arte, zeje dhe të promovojnë traditën e kulturën e zonës.
“Prej kohësh shkolla është kthyer në një qendër ku nxënësit, jo vetëm mësojnë, por edhe zhvillojnë aktivitete të ndryshme artistike kulturore e sportive dhe aktivizimi i qytetarëve vullnetarë, ku mësojnë praktika dhe aftësi, që iu shërbejnë gjatë jetës së përditshme”, lexohet në postimin e publikuar në rrjetet sociale.
Në këtë panair nxënësit, ekspozuan veshje tradicionale të zonës, punime artizanale me motive karakteristike të Malësisë së Madhe, si dhe shumë punime dore me shtiza e grep, ndërsa nuk mungoi atmosfera festive me këngë e valle popullore.
Panairi u organizua në kuadër të Programi Kombëtar “Art, Zeje, Sport” që ka për qëllim inkurajimin e mësimit të punimeve të artit dhe atyre artizanale përmes veprimtarive praktike, nxitjen e aftësive sipërmarrëse të nxënësve në perspektivën e ruajtjes dhe të promovimit të vlerave të komunitetit ku jetojnë, si dhe të trashëgimisë sonë kulturore.
Programi kombëtar “Art Zeje dhe Sport” ka nisur zbatimin në shkollat e vendit, duke i kthyer ato në qendra më të dashura për nxënësit, ku zhvillojnë vlerat e traditat.
“Edukimi i brezave me punë dhe dije është mënyra më e mirë për të zhvilluar një shoqëri dhe një komb”, citon në njoftimin e saj, bashkia e Malësisë së Madhe./KultPlus.com
” E ke dashtë, apo jo ? Ai mori frymë thellë, “Si me tu përgjigjë? Ajo ishte e çmendun”. Kaloi dorën ndër flokë. “Një Zot e di sa e çmendun ishte, çdo ditë ishte grue tjetër. Herë ishte iniciatore e herë zvarritëse, herë jepej e tana e tjera herë ishte e turpshme. E pasigurtë dhe e vendosun. E amël dhe arrogante. Ishte njëmijë gra , por parfumi i saj ishte gjithmonë i njëjti, i pangatërrueshëm. Ajo ishte e vjetmja siguri e jemja, më buzëqeshte, e dite që ma hidhte me atë buzëqeshje. kur më buzëqeshte nuk kuptoja ma asgja. Nuk dija as me folë as me mendu ma, asgja, zero. Papritë ishte veç ajo. Ishte e çmendun krejt e çmendun. Nganjiherë qante. Thonë se në ato çaste gratë duen veç një përqafim. Ajo, jo. Ajo nervozohej. Nuk e di ku gjindet tash, por vë bast që asht ende në kërkim të andrrave. Ishte e marrë, krejt e marrë. Por unë e kam dashtë si i çmendun./ KultPlus.com
Artistët e huaj, queer dhe indigjenë po marrin një platformë të vonuar në ekspozitën e 60-të të artit bashkëkohor të Bienales së Venecias që u hap të shtunën.
Vizitorët në dy ambientet kryesore, Giardini dhe Arsenale, do të priten me një tabelë neoni nga kooperativa konceptuale e artit Claire Fontaine me titullin e ekspozitës: “Stranieri Ovunque – Të huajt kudo”. Gjithsej 60 në gjuhë të ndryshme varen nëpër ambiente, shkruan euronews, transmeton Klankosova.tv.
Kur merret në kontekstin e konflikteve globale dhe forcimit të kufijve, titulli duket një provokim kundër qeverive të papajtueshme – të paktën një nxitje për të marrë parasysh njerëzimin tonë të përbashkët. Nëpërmjet artistëve me perspektiva të nënpërfaqësuara, ekspozita trajton temat e migrimit dhe natyrës së diasporës, si dhe indigjenitetin dhe rolin e artizanatit./KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo do ta përfaqësojë vendin në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në seancën e cila do të mbahet të hënën.
“Në seancën e KSKB-së, Presidentja Osmani pritet të flasë për progresin, zbatimin e reformave, të drejtat e njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit si dhe fusha të tjera me rëndësi për Kosovën. Presidentja poashtu do të flasë për domosdoshmërinë për drejtësi për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë”, njofton Presidenca e Kosovës.
Përgjatë qëndrimit në New York, Presidentja Osmani pritet të takohet e koordinohet me disa nga përfaqësuesit e përhershëm të shteteve mike në Kombe të Bashkuara.
Takimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën do të mbahet të hënën në ora 16:00, sipas kohës lokale të Kosovës. /KultPlus.com
”Në bankat shkollore moj mike”, është një këngë që i këndon dashurisë së parë, asaj që fillon në moshën e adoloshencës, shkruan KultPlus.
Mirëpo, pak e dijnë se këtë këngë për herë të parë e këndoi këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Anita Take, ndërkaq kënga titullohej ”Kujtimet e studentit” dhe u realizua në vitin 1958.
”Në bankat shkollore moj mike”, vazhdon të dëgjohet edhe sot e kësaj dite, duke përcjellur çdoherë emocione të mëdha tek dëgjuesit.
Një ditë në bankë o mike dy emra i gdhëndëm dikur po ti nuk e di si më ike ndaj vura në zëmër një gur
dashuria e parë nuk harrohet degjoje këtë fjalë që trondit veç mali me mal nuk takohet por njerëzit takohen një ditë
ne u ndamë në errësirë jeta ndarje ka por si zëmra lamtumirë zëmrës nuk i tha
u ndamë nga shkolla, mban mënd por ne nuk u ndamë përjetë ndaj tjetër se zu vëndin tënd të dytë dashuri s’mund të ketë. / KultPlus.com
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve të Kulturës, në Torrën Veneciane të Durrësit u zhvillua një takim mbi rrugëtimin e xhubletës shqiptare drejt njohjes si vlerë e trashëgimisë botërore përmes përfshirjes së saj në listën e objekteve të mbrojtura nga UNESCO.
“Jo vetëm xhubleta dhe çfarë përmban universi i saj, por rruga e gjatë me shumë aktivitete dhe ngjarje derisa mbërritëm në këtë realitet që ajo u bë pjesë e listës së monumenteve të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe që në të ardhmen shpresojmë të marrë statusin e plotë të marrjes në mbrojtje nga UNESCO sepse ky është vetëm një fillim”- Luljeta Dano, Drejtore e Qendrës Antropologjike Xhubleta.
Nismëtarja Luljeta Dano rrëfeu përvojën e jashtëzakonshme se si xhubleta u kthye në kauzën e jetës së saj, po dhe të individëve e mbi të gjitha institucioneve të shtetit për ta rijëtësuar këtë vlerë. Dije bërja e saj është drejt zhdukjes ndaj duhen mekanizma nxitës dhe mbështetës për ta kthyer traditën dhe gjithçka vjen përmes saj si një vlerë e shtuar për turizmin e qëndrueshëm.
“Kemi shpresë që ministri i ri i Kulturës të kapë kohën e humbur dhe të kemi informacion se ccfarë po bëhet që Shqipëria të mos e humbasë shansin. Është një kohë prove për t’u krijuar struktura që xhubleta të prodhohet me po atë teknologji artizanale që ka qenë prodhuar.”
I organizuar nga Qendra Muzeore Durrës, ky takim u konsiderua si një model udhërrëfyes për të inkurajuar aktivizmin drejt një aplikimi të suksesshëm edhe Durrësin dhe vlerat e tij.
“Pasuria jonë arkeologjike është unikale, po duke hulumtuar mund të gjejmë dhe vlera të tjera të trashëgimisë jo materiale që mund t’i kurorëzojmë me një pjesëmarrje në listën e UNESCOs e cila përkthehet më pas në vlerë ekonomike dhe turizëm kulturor. Duhet shfrytëzuar ky moment”- shprehet Antigoni Suli Gjergji, Qendra Muzeore Durrës.
Me vlerat e jashtëzakonshme historike dhe kulturore të tij, prej vitesh autoritetet e ministrisë së kulturës kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për ta përfshirë Amfiteatrin Antik të Durrësit në listën e mbrojtjes nga ana e UNESCO-s, po pa rezultat deri më tani për shkak dhe të ndërhyrjeve pa kriter rreth e qark tij./TopChannel/ KultPlus.com
Nga supet Pushkën e gjatë s’e hoqe kurrë, Nga supet e tua plot plagë, Nga supet kockë e lëkurë.
Bukën e ngjyeje me shëllirë, Shëllirë dhe misër përnatë, E ruaje atë pak yndyrë, Oh, atë yndyrë të paktë, Për mikun dhe pushkën e gjatë, Për të lyer pushkën e gjatë!
Se gruaja lindte fëmijë, Por pushka lindte krisma, Dhe për shqiptarin ishin Po aq të shtrenjta të dyja: Dhe krisma dhe fëmija.
Fëmija do lëronte nesër me parmendë Dhe do ta mbronte netëve krisma. Mbi supet e Shqipërisë kohërat krisma hidhnin, Ashtu si mbi supet e nuses orizin.
5
Në këmbët e maleve shtriheshin fushat, Të urta si gratë, si gratë kokulura. Ç’të gatuanin fushat për gjigantët e uritur? Mbi fushë era vërshëllente “u”, Shtriheshin duajt e rrallë sipër tyre Si të vrarë, përmbysur aty-këtu. Ndaj malet bubulonin e lëshonin tatëpjetë Gurë e përrenj plot sherr e poterë. Ato, kokulurat, gjithçka duronin Duke ëndërruar tjetrën verë.
6
Ta tretën trupin rrebeshet, ethet, malarja; Të shurdhuan veshët Priftërinjtë dhe hoxhallarët, Dhe, si Saturni, Bijtë e tu i haje me gjakmarrje Dhe bekonin gjakmarrjen Minaret dhe kambanaret.
7
Kontaktet e tua të para me shpikjet, Me të rejat teknike të qytetërimit, Ishin markat dhe kalibrat e rinj të armëve, Që provoheshin në gjoksin e rreshkur plot brima.
Dhe pas luftërave mbeteshin varre malësorësh të vetmuar; Murana të trishtuara. Emra njërrokësh, Gjer vonë Një grumbull gurësh Dhe, në vend të luleve, Te koka një këngë monotone. Ngritur nga fisi i tij Një këngë monotone. Dhe tretej pranë gjymtyrëve të gjata Pushka, pushka e gjatë. Dhe pas gjymtyrëve të gjata Tretej emri i shkurtër, I binin rrokjet, Si boçet e pishës në shi, Dhe, pas të gjithave, E fundit tretej kënga, Kënga monotone e fisit të tij.
8
Dhe Shqipëria prapë strukej në kasolle, Në netët e saj të zeza mitologjike; Në ca tela lahute kërkonte të thoshte diçka Nga shpirti i pakuptueshëm i saj. Nga zërat e brendshëm, Që buçisnin shurdhër thellë tokës epike.
Kërkonte të thosh diçka, Po ç’mund të thoshin vallë Tre tela nën pesë gishta, që dridheshin prej urisë?
Duheshin qindra kilometra tela Dhe miliona gishta Për të thënë shpirtin e Shqipërisë!
9
Po ta vrisje në një breg, Në tjetrin dilte, Sikur mbinte nga toka, Shqiptari i thatë Dhe, përmbi trup, Si shtesë e hekurt, I rritej e zezë Pushka e gjatë.
Me të në krah, Në male e fusha Endej ai në këto vende. Më të gjatë shtatin ia bënte pushka, Megjithëse shpesh jetën më të shkurtër ia bënte.
10
Netët pillnin mëngjeset, Të turbullta, të hirta; Ditët mallkonin netët, Netët ditët. Shqipëria, nga ashpërsi e saj, Pillte fëmijë të bukur, Duke vënë në çdo fëmijë Një ëndërr, një shpresë, Gjinjtë e saj të shteruar duke ndukur; Pillte Shqipëria, Pillte ushtarë, Që vdisnin pastaj rërave të Saharës, Duke kënduar këngën e Urës së Qabesë.
11
Bijtë që dërgove qyteteve të Europës, Që njohën gëzimet e huaja, Erdhën një nga një, Duke gjetur n’atdhe trishtime, Re të ngarkuara me shi të verdhë. Monarkia si gurëthyese u thyente ëndërrimet Erdhën. Me valixhe plot iluzione Nën hije të minareve, të manastireve, U endën në vjeshtra deziluzionesh, Gjersa në gji toka i mori prapë, I kalbi nën këmbët monotone të shirave.
Frutat e hershme e kanë çmimin të shtrenjtë, Por frutat e hershme i rrëzon shpesh ngrica, Ato Shqipëria i futi prapë në gji. “Është herët”, tha, Duke vështruar agimin e zymtë. Dhe prapë u përkul mbi parmendë të lërojë, Duke mbjellë në brazda të gjata lotët e saj të athët, Nën një qiell të zi e të pafund injorance Mbillte lotët e saj Për furtunat dhe rrebeshet e ardhshme.
12
Himnizonin poetët zanat dhe shtojzovallet, Por ato qëronin morra ndanë ujërave, Zanave, shtojzovalleve u dilnin kokallat, Shtriheshin për lekë prapa shkurreve.
Ndonjëherë qëllonte që i braktisnin Zanat e shtojzovallet bjeshkët epike, Në lokalitete Një nga një zbrisnin E një nga një futeshin Në shtëpitë publike. Në shtëpitë publike, që u qepeshin maleve Mbi shpinat e lodhura Si plagë, Si tallje.
13
Në pallat mbreti Zog jepte ballo përnatë Buzëqeshnin princeshat, Vallëzonin çengitë; Në qelitë e qeta të manastireve të ftohta Bënin studime për sufikset priftërinjtë.
Në kafe “Kursal” Orkestrat binin, Lyheshin me pudër damat e plakura, Ndërsa Shqipëria lehonë Dështonte ditët Në pelena resh të përgjakura.
14
Pati njerëz që deshën t’i tërheqin malet Si kuaj të bindur për kapistalli, Dhe i tërhoqën një copë udhë, Porse në terr e humbën udhën. Vinin vargmalet e tmerrshme vërdallë Nëpër natë e mjegull, Të verbra, Të frikshme.
Si të trembura me klithma të lashta, tragjike, Hingëllinin nëpër ëndërr malet kreshnike.
15
Përse mendohen këto male të larta, Këto enigma me kurriz që zgjaten jug-veri? Vazhdoj udhën time Nën hijen e pushkës së gjatë; Kjo pushkë e gjatë: Leva e Arkimedit për ty, Shqipëri.
Nëpërmjet shënjestrës së pushkës së tij, Shqiptari vështronte horizontet dhe kohët, Vërshëllima e vetmuar e maliherit të tij I detyronte shekujt të ulnin kryet.
Kjo tyta e pushkës Mbi shpinë të shqiptarit Si një eshtër e gjatë, e mprehtë ka mbirë, Mbi kurriz e ngulur nga fati i vështirë, Vazhdim i shtyllës së tij vertebrale, Kjo e hekurt, e tmerrshme gjymtyrë, Atavizëm krenare e kohëve të para.
Me këtë fat mbi shpinë të tij Mes shekujve ka lëvizur i patrembur shqiptari, Duke shkelur me opingën e lashtë të tij Këtë tokë të stërlashtë me të gjyshërve varre.
Këtë tokë që më shumë heroizma sesa grurë Ka prodhuar gjatë shekujve, Këtë dhé… Ja përse mendohen këto male të larta, Ndërsa muzgu po bie tutje në xhade.
Leonardo DiCaprio thuhet se ka marrë rolin e Frank Sinatra në filmin e ri të Martin Scorsese, raporton Variety.
Roli i Ava Gardner shkoi për Jennifer Lawrence, me të cilën DiCaprio bashkëpunoi në filmin “Don’t Look Up”.
Nga ana tjetër, DiCaprio dhe Scorsese kanë punuar disa herë bashkë.
Kjo dyshe është një nga çiftet më pjellore aktor-regjisor, pas tyre janë filmat si “Gangs of New York”, “The Aviator”, “The Departed”, “Shutter Island” dhe “The Wolf of Wall Street”. Filmi i tyre i fundit, “Killers of the Flower Moon”, u nominua për 10 Oscar./KultPlus.com
Kasti i “Pulp Fiction” u mblodh në fillim të kësaj jave për të festuar tre dekadat e shfaqjes së parë të filmit klasik të Quentin Tarantinos të vitit 1994, sipas BBC.
Por, ndërsa John Travolta, Uma Thurman, Samuel L Jackson dhe Harvey Keitel po pozonin për një foto në Los Anxhelos, po qarkullonin lajme për një film tjetër të Tarantinos.
Media e Hollivudit raportoi se regjisori kishte pezulluar planet për filmin e tij të 10-të të ardhshëm.
“The Movie Critic” ishte vendosur të ndiqej nga një shkrimtar, por i gjithë plani tani do të ndryshojë.
Interesi për filmin e radhës të Tarantinos është veçanërisht i lartë – sepse do të ishte puna e tij e fundit.
Tarantino ka folur shumë herë gjatë viteve për dëshirën e tij për të drejtuar vetëm 10 filma në karrierën e tij, duke përfshirë një intervistë të vitit 2022 në CNN.
“Unë kam 30 vjet që drejtoj filma dhe tani është koha për të përfunduar shfaqjen”, tha ai.
Shumë adhurues të filmit e respektojnë vendimin e tij për t’u tërhequr para se “të digjet”, por jo të gjithë pajtohen me mendimin se puna e tij mund të bjerë nëse ai vazhdon karrierën.
Një përdorues i Twitter-it komentoi këtë javë se shqetësimet për rënien e cilësisë nuk ishin një justifikim kur vetëm në vitin 2023 Martin Scorsese, Hayao Miyazaki, Michael Mann dhe Ridley Scott treguan pse ata janë ende disa nga kineastët më të mirë që punojnë sot… dhe mbi të 80-at.
Të tjerë e kanë pranuar vendimin e Tarantinos – dhe të presin me padurim filmin e tij të fundit.
Deri më tani, Tarantino ka drejtuar nëntë nga 10 filmat e tij.
“Kill Bill” (Vëllimi i parë dhe i dytë) u shfaqën në ekran si dy filma të veçantë, dhe nëse do t’i numëronit të dy, atëherë Tarantino ka drejtuar tashmë të 10-tin e tij.
Por ai thotë se i numëron si një film, sepse kështu ishin menduar fillimisht dhe dy pjesët janë filmuar gjatë një periudhe të kufizuar kohore.
Ai ka bërë më parë filma që përfshinin zhanre të ndryshme, si western, thriller, komedi, dramë dhe arte marciale.
Nëntë filmat e parë të Tarantinos deri më tani sipas renditjes:
Reservoir Dogs (1992)
Pulp Fiction (1994)
Jackie Brown (1997)
Kill Bill Volume 1 (2003) and Volume 2 (2004) – counted as one film
Death Proof (2007)
Inglourious Basterds (2009)
Django Unchained (2012)
The Hateful Eight (2015)
Once Upon a Time in Hollywood (2019)./KultPlus.com
Intel ka krijuar kompjuterin më të madh neuromorfik në botë, i cili është krijuar për të imituar punën e trurit të njeriut.
Pajisja duhet të mundësojë ekzekutimin e modeleve më komplekse të inteligjencës artificiale sesa është e mundur në kompjuterët konvencionalë, por ekspertët paralajmërojnë se ka pengesa inxhinierike për t’u kapërcyer përpara se pajisja të mund të konkurrojë ose të tejkalojë teknologjinë ekzistuese.
Kompjuterët neuromorfikë ndryshojnë nga makinat tradicionale në atë që përdorin neurone artificiale për të ruajtur dhe përpunuar të dhëna, në vend që të lëvizin të dhënat midis komponentëve të ndryshëm, gjë që është një problem i zakonshëm me kompjuterët e sotëm.
Kjo arkitekturë mund të sjellë efikasitet më të madh të energjisë, me Intel që pretendon se kompjuteri i tyre neuromorfik Halla Point i sapo ndërtuar konsumon njëqind herë më pak energji kur zgjidh problemet e optimizimit.
Hala Point përmban 1.15 miliard neurone artificialë të shpërndarë në 1152 çipa Loihi 2 dhe është i aftë për 380 trilion operacione sinaptike në sekondë. Mike Davies i Intel-it thekson se megjithëse është i fuqishëm, ai merr vetëm gjashtë rafte në një server standard, një hapësirë e ngjashme me një furrë me mikrovalë.
“Ne ndërtuam një sistem kaq të madh, sepse një miliard neurone ishte një numër i bukur i rrumbullakët”, thotë Davies.
Megjithatë, kufizimet aktuale qëndrojnë në shtresat e softuerit të kërkuar për të kthyer problemet e botës reale në formate të përshtatshme për përpunim në kompjuterët neuromorfikë.
“Softueri ishte një kufizim kyç”, shton Davies, duke theksuar se nuk ka kuptim të ndërtohet një sistem më i madh derisa këto çështje të zgjidhen./alsatm/KultPlus.com
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, tha sot se, “sfida jonë është për t’i kthyer Cirkut lavdinë dhe shkëlqimin e dikurshëm”.
Ministri Gonxhja, teksa ndau në rrjetet sociale momente nga shfaqja dhe performanca e parë e akrobatëve shqiptarë, tha se Cirku është një hapësirë ku shkëputesh nga realiteti, duke u bërë pjesë e një bote të imagjinatës pa kufij.
“Ky vit shënon 65-vjetorin e Cirkut Kombëtar, i vetmi në Ballkan për llojin e tij, çka na sjell para një sfide të vështirë, për t’i kthyer Cirkut lavdinë dhe shkëlqimin e dikurshëm, në një hapësirë ku fëmijët dhe të rriturit mund të shkëputen nga realiteti dhe të bëhen pjesë e një bote të imagjinatës pa kufij”, shkroi Gonxhja.
Në Ditën Ndërkombëtare të Cirkut, Gonxhja shprehu mirënjohje për artistët e cirkut dhe emocionet magjike që kanë përcjellë përmes performacës tyre.
“Shprehim mirënjohjen tonë për të gjithë artistët e mrekullueshëm, për çdo emocion dhe të qeshurat pafund që ata kanë dhuruar ndër vite, duke e bërë cirkun një nga format e artit më të dashura për të gjithë”, tha Gonxhja./atsh/KultPlus.com
Para dyzet e ca vitesh, në Bizë të Martaneshit u realizuan xhirimet e filmit artistik shqiptar “Në pyjet me borë ka jetë”, ku aktorët kryesorë të saj, Rikard dhe Marjeta Ljarja.
Kështu tregon për “Albanian Free Press”, në rrëfimin e tij të radhës për këtë zonë të vendit, ish-ushtaraku i lartë, Ilirian Ballaj, i cili ka bashkëpunuar atëherë me trupën artistike të filmit në fjalë dhe që sipas tij, dy aktorët në fjalë, u dashuruan përgjatë këtyre xhirimeve. “Rikardit i kishin hyrë ethet e dashurisë për Marjetën, fakt që na e shprehu edhe neve, se ajo ishte vajzë e mirë, një natyrë e pastër. Ne që ne i thamë: “Merre, ç’pret, ku gjen gocë si ajo”. Dhe ai që e mori, jo sepse i thamë ne, apo edhe mbase, por sepse ia tha zemra”, pohon Ballaj. Për të dhënë më tej edhe mendimin e tij lidhur me filmin artistik shqiptar të asaj periudhe. “Të gjithë aktorët e kanë kuptuar se ideologjizimi ka qenë në veprën e tyre si një mish i huaj, si një kulpër parazit veshur pemës për trungu, por ç’t’i bëje? Sidoqoftë, të gjithë filmat tanë që janë xhiruar para 30-40 vitesh, kanë vlera dhe vlera e parë janë aktorët tanë të mëdhenj, pastaj edhe tematikat e larmishme që kanë patur”, – vlerëson ai… Në Bizë, 40 vjet më parë, u xhirua një film artistik i njohur shqiptar, “Në pyjet me borë ka jetë”. A ke qenë aty dhe si është realizuar ai? Po. Në dimrin e vitit 1978, në Bizë të Martaneshit, u xhirua filmi artistik “Në pyjet me borë ka jetë”, me skenar të shkrimtarit Zija Çela dhe regji të Rikard Ljarjes. Filmi kishte një subjekt të zakonshëm, jetësor. Një inxhinier, Luka, me shumë hezitim shkon të jetojë dhe të punojë në një zonë malore, i shoqëruar nga gruaja e tij shumë optimiste për atë ndërmarrje që po bënin. Ata ndalojnë në një stacion malor me borë dhe aty shtjellohet gjithë fabula e filmit. Filmi kishte një sfond dimëror, malor dhe të ngarkuar nga bora. Dhe vendi më i përshtatshëm ishte menduar Biza e Martaneshit, sikurse ishte bërë edhe me të tjerë filma më parë, në zona të tjera malore si në Dardhë të Korçës, në Theth, në Qafë Shtamë, etj. Rikard Ljarja ishte për herë të parë regjisor e në të njëjtën kohë edhe aktor i filmit. Trupa e xhirimit ishte e vendosur në hotelin e turizmit në qytezën e Bizës, që në ditët e para të janarit. Borë kishte rënë shumë dhe Biza ishte zbardhur e zbukuruar si një nuse e re. Mbuloja kulturën dhe propogandën në Shkollën Ushtarake të Kuadrove Rezervistë në Tiranë e duke qenë se isha i asaj fushe, komanda më kishte porositur që të tregoja vëmendje e të kisha kontakte me trupën e xhirimit të filmit dhe të isha si një ndërlidhës për ndonjë nevojë apo shqetësim të tyre. Ne kishim më shumë përvojë me dimrin, por edhe më shumë mundësi mbështetje, apo mbase edhe nga lart ishte vënë ndonjë detyrë që t’u ndodheshim pranë. Dhe unë këtë u mundova ta bëja me shumë kujdes, me shumë merak, sikurse kërkojnë të jenë marrëdhëniet me njerëzit e artit, siç ishin artistët, që ndjejnë shumë e preken shpejt. Por edhe komanda u tregua tejshmërisht e gatshme dhe shumë korrekte me ndihmën që dha.
Së pari, u njoha me ta, ua thashë edhe për ç’më kishin vënë detyrë. Më mirëpritën, më dhanë edhe skenarin e filmit kur mësuan se unë isha edhe mësues letërsie, jo për ndonjë oponencë, por për kënaqësi dhe për të më afruar. “Shikoje njëherë, – më tha Rikard Ljarja, – edhe të njihesh, por edhe të na ndihmosh”. Une e mora dhe qesha. Dhe Rikardi shtoi: “Borën e njihni ju?”. “E njeh Zija Çella, -i thashë,- që ka lindur tek bora”. Dhe pasi e lexova, pashë me vëmendje skenarin, planet, dublat, truket. Aty mësova edhe sekretin e planeve të xhirimeve që ishin parashikuar, njoha subjektin e filmit, aktorët e rolet dhe pashë se truket ishin gjëja më e keqe, të cilat spektatori nuk duhej t’i dijë, sepse kur rrëzohej njëri hidhej manekini, kur binte borë lëshohej pambuk apo polisterol i grirë, kur shqyhej një trup ishte një pikturë, kur ecte makina ajo rrinte në vend dhe njerëzit e lëkundnin, ndërsa kinooperatori kalonte shpejt në xhirim sistemin e kodrave, e plot mashtrime të tjera. Por më bajati ishin planet e xhirimit pa zërin e aktorit, zë i cili inçizohej në laboratorë, në studio dhe të gjitha zhurmat e tjera imitoheshin. Vonë, në bisedën që bëra me Rikardin, me të cilin u miqësova shumë e që natyrisht edhe ai e mban mend, i sugjerova me modesti se titulli ka një EDHE para: “EDHE në pyjet me borë ka jetë”. “Po kush e vë në diskutim këtë, – i thashë, – është fakt që në pyll ka jetë, ka faunë, ka florë, ka ujë, ka edhe njerëz. Mund të thuash fjala vjen se edhe në Hënë paska jetë, kur e kanë ditur se s’ka, ndërsa ne e dimë që në pyje ka jetë”. Ai më pa mirë dhe tha: “ Pa dale, dale. Ore e ke shumë mirë, por do ta bisedoj me Zijain”. Dhe me kaq u mbyll biseda e kur doli filmi, nuk e kishte titullin “Edhe në pyjet me borë ka jetë”, por thjesht “Në pyjet me borë ka jetë”. Kjo më ngazëlleu. Në një rast dërguam ushtarët në Shëngjergj të Tiranës dhe morëm rekuizitën që kishte ardhur nga Tirana. Njëri prej ushtarakëve tanë, Xhevat Koçia, u fut në rol, u bë malësori Gjici që i vinte syrin motit e që tërhoqi slitën në të cilën ishte ulur “gruaja” e inxhinierit në rol, Gulielm Radoja, Liliana Kondakçi, të cilën do ta merrte helikopteri drejt Tiranës për të lindur. Hapnim rrugën në borë për të shkuar trupa tek pjesa më e vështirë e terrenit për xhirim. Shtatë herë e ka ngjitur në krahë të “plagosurin nga drurët” i paharruari Tonin Ujka, derisa i ra të fikët dhe e përmendëm duke i fërkuar fytyrën me borë. Në një rast tjetër “kërkonim” një sharrtar të mbetur natën jashtë në pyll dhe e gdhimë me xhirime e prapësime. U montua një “sondë shpimi” për mineral dhe ne atje me kursantët. Por edhe pasditeve ishim bashkë tek klubi, por edhe në dhomat tona të ushtarakëve ku kishte zjarr dhe telefon. Ata tërë pasditen e kalonin në telefon me eprorët dhe me familjarët.
Cilat ishin aktoret e filmit dhe raporti i Rikardit atëherë me Marjetën? Aktore ishin dy. Ishte Marjeta (Ljarja) nga Pogradeci dhe një vajzë tjetër tiranase, goca e një shokut tim në kontrollin ekonomik të ushtrisë dhe bashkëfshatar I imi, Hysen Askushi, Luljeta, e cila u gëzua shumë kur mori vesh se ishim jo vetëm bashkëfshatarë, por edhe kushërinj të afërt. Rikardit i kishin hyrë ethet e dashurisë për Marjetën, fakt që na e shprehu edhe neve, se ajo ishte vajzë e mirë, një natyrë e pastër. Ne që i thamë: “Merre, ç’pret, ku gjen gocë si ajo”. Dhe ai që e mori jo sepse i thamë ne, apo edhe mbase, por sepse ia tha zemra. Kur e kam takuar Rikardin në vitin 2014 në pushime në Radhimë, pasi iu afrova me kujdes që të mos e bezdisja, i thashë “unë di shumë gjëra për ty” dhe ai u vërejt. Por kur i thashë “jam ai oficeri i kulturës i Bizës kur ti s’dije ç’të bëje me Marjetën”, u ngrit në këmbë, më pushtoi dhe më thirri buzë ujit duke thënë si dikur:”Pa hë? Unë të të kisha kërkuar ty”.
Kështu që atje në Bizën epikë, historike, turistike, lirike, me lodhje, me mundime, me idile mes artistësh, u xhirua filmi, u stërvitëm ne, por lidhëm edhe një miqësi të mirë me tërë ata njerëz e që e mbajtëm deri vonë. Më të mirët ishin dy të paharruarit Ndrekë-t, Prela dhe Shkjezi. Prela kishte gojën, tregonte bukur, të mbërthente, përshkruante bukur mjedisin e asaj që ndodhte, kishte një fantazi të madhe dhe të ndizte imagjinatën, Shkjezi kishte mimikën, lëvizte me këmbë e me duar, mimika e tij ishte një minierë, të hipnotizonte kur tregonte. Më pas tyre nuk qëndronte as Bep Shiroka. Në shoqëri ishte tamam ai polici tek filmi “Koncert në vitin 1936”, po ato improvizime kishte, fliste me gjuhën e trupit. Shpesh përsëriste batutën: “Të godas”, batutë filmi edhe kjo.
Ndonjë episode tjetër interesant mes tyre, a mund të na tregoni? Filmi, pjesën dominuese të subjektit, e kishte në një sfond bore, mes malesh, pemësh, punëtorësh, sondash, ata dilnin në ballkon kur binte borë e shpeshtë, zbrisnin në fushë e loznin me të kur pushonte, por kur vinte koha e punës të gjithë ishin të robëruar pas saj. Regjisori Ljarja thoshte se në Bizë kishin xhiruar rreth 80% të planeve, direkt në borë, natën dhe ditën, pa më të voglin truk bore (hile). Kur u mblodhën me kursantët një darkë në kinemanë e qytezës për një bisedë për artin e që në të erdhën të gjithë aktorët, një shoku im Kostaq Pashko, një korçar, duke e ditur që Rikardi e kishte diçka në zemër për Marjetën, iu drejtua Ndrek Prelës dhe i tha “ti gjysh, (se rolin e gjyshit kishte në film), duhet t’i martosh nipat”. Dhe Ndreka tha fort: “Pooo, atë po bëj”. Rikardi qeshi, kurse Marjeta uli kokën dhe u skuq.
Para disa kohësh, është zhvilluar një debat publik lidhur me vlerat e vërteta të filmave që janë xhiruar gjatë kohës së komunizmit? Ju vetë, ç’mendim keni rreth tyre? Njerëzit e artit janë kultura e kombit, vetë arti është pasqyrim i jetës me mjete të bukura. E kushdo që e shpreh, e nxit, e bën, e zhvillon të bukurën, është vetë e bukura e njerëzimit, është vetë mirësia e tij. Filmat tanë artistikë, pavarësisht se kur janë bërë, pavarësisht se kanë pasur brenda vetes edhe ideolgjizimin, unë do të thosha se e kanë pasur atë nga halli, se ua kërkonin. Ndërsa vetë ata, aktorët, regjisorët, skenaristët, kanë kërkuar të bukurën, të mirën, detajin, karakterin dhe nuk e kanë vrarë shumë mendjen për polititizimin. Atë e kanë shtuar të tjerët, por edhe nëse e kanë , kjo sepse ua kanë kërkuar, sepse po të mos ishte ajo, libri nuk botohej, filmi nuk shfaqej. Të gjithë aktorët e kanë kuptuar se ideologjizimi ka qenë në veprën e tyre si një mish i huaj, si një kulpër parazit veshur pemës për trungu, por ç’t’i bëje? Sidoqoftë, të gjithë filmat tanë që janë xhiruar para 30-40 vitesh, kanë vlera dhe vlera e parë janë aktorët tanë të mëdhenj, pastaj edhe tematikat e larmishme që kanë patur. Sepse në themel të tyre ishte njeriu që luftonte për liri, fshatari që mbillte grurin edhe misrin, edukatorja që edukonte fëmijët, nëna që lodhej për rritjen e fëmijve, mjeku që shëronte, inxhinieri që futej në minierë një lloj si punëtori, dasma që kalonte në alegri, hidhërimi që përballohej bashkë, kënetat që thaheshin, dritat që vinin, spitalet që ndërtoheshin, shkollat që masivizoheshin, zakonet e veshjet e prapambetura që luftoheshin.
E vendosur në Evropën Juglindore, Shqipëria, me 70% të territorit të mbuluar nga një reliev kryesisht malor, ende nuk i ka zbuluar të gjitha sekretet e saj, shkruan Mathilde Rouy në revistën franceze breakingnews.fr.
A e dini se ky vend ka më shumë se 3000 lloje bimësh, 273 lumenj dhe mbi 15 parqe kombëtare?
Male me lartësi 2500 metra mbi nivelin e detit, lugina të paprekura nga asnjë qytetërim, rrugë ujore të pazbuluara… të gjitha këto mrekulli janë grumbulluar në një vend. Jeni gati të zhyteni në këtë arratisje të egër?
Panorama madhështore: Shqipëria është një vend i vendosur mes detit dhe maleve që ofrojnë peizazhe mahnitëse, si vargmalet e Alpeve Shqiptare.
Përvoja e egër: Midis luginave të thella dhe lumenjve të egër, natyra është e egër, duke ofruar një arratisje të vërtetë për udhëtarët që janë të etur për aventura.
Trashëgimia kulturore: Vendet historike dhe trashëgimia kulturore shqiptare, si qyteti i Gjirokastrës i përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s në vitin 2005, sjellin një dimension të pasur kulturor në udhëtimin tuaj.
Një vend pak i njohur me pasuri të jashtëzakonshme natyrore
Shqipëria është një perlë ende e panjohur për publikun e gjerë në aspektin turistik.
Kjo tokë autentike dhe e egër, e vendosur në zemër të Ballkanit, fsheh thesare natyrore mahnitëse që tërheqin gjithnjë e më shumë udhëtarë çdo vit në kërkim të aventurës dhe diversitetit të peizazhit.
Historia e saj e trazuar është shënuar nga gati gjysmë shekulli izolim politik.
Sot, vendi po hapet dalëngadalë duke ofruar një eksperiencë unike për dashamirët e natyrës.
Vjosa, lumi emblematik dhe parku kombëtar shqiptar
Vjosa, krenaria e Shqipërisë, është një lumë i jashtëzakonshëm që gjarpëron përgjatë territorit shqiptar.
Sot ai përbën një simbol dhe një element të trashëgimisë natyrore të vendit, veçanërisht falë statusit të tij si Park Kombëtar.
Lumi Vjosa ofron një mjedis idilik për aktivitete të ndryshme si rafting, peshkim apo not në ujërat e saj të kristalta.
Biodiversiteti i ruajtur dhe hapësira të virgjëra për t’u zbuluar
Shqipëria ka male spektakolare, që strehojnë hapësira të mëdha të paeksploruara.
Luginat e egra dhe rrugët ujore të pazbutura ofrojnë një strehë për specie të shumta kafshësh dhe bimësh, duke dhënë përshtypjen e një peizazhi të paprekur nga njeriu.
Parku Kombëtar i Thethit: i vendosur në veri të vendit, është i përsosur për alpinistët që kërkojnë një eksperiencë unike.
Gjithashtu ky park ofron një panoramë të mrekullueshme të majave përreth.
Parku Natyror i Korab-Koritnikut: kjo zonë malore, e vendosur afër kufirit me Kosovën, është një parajsë e vërtetë për të apasionuarit pas ecjes dhe alpinizmit.
Aty pranë ndodhet mali i Korabit, pika më e lartë në vend, si dhe maja të tjera legjendare si Tropojani dhe Sharri.
Parku Kombëtar i Llogarasë: I famshëm për pyllin e tij shekullor me pisha dhe shkëmbinjtë mbresëlënës që zhyten në detin Adriatik, u ofron vizitorëve një ndërthurje të florës dhe faunës së larmishme, me peizazhe bregdetare që të lënë pa frymë.
Një trashëgimi kulturore e pasur dhe e larmishme
Përveç bukurive natyrore, Shqipëria ka edhe një trashëgimi kulturore të pasur dhe të larmishme.
Kështjellat, manastiret dhe vendet e tjera arkeologjike të panumërta dëshmojnë për një trashëgimi të bollshme mijëravjeçare.
Adhuruesit e gurëve të vjetër nuk do të zhgënjehen nga një vizitë në qytetin e Beratit, të mbiquajtur “qyteti i një mijë dritareve”, i mbushur me ndërtesa osmane dhe bizantine, apo nga zbulimi i mbetjeve antike të qytetit të famshëm të Apolonisë.
Mirëpritja e paharrueshme në një vend në rilindje të plotë
Mirëpritja e ngrohtë dhe bujare e shqiptarëve është gjithashtu një pasuri e pamohueshme për një qëndrim të suksesshëm në vendin mesdhetar.
Vendasit shpesh janë të lumtur të ndajnë me udhëtarët zakonet që përbëjnë thelbin e identitetit të tyre.
Zhvillimi i turizmit në Shqipëri: i qëndrueshëm dhe etik
E përballur me fluksin në rritje të vizitorëve, sfida për Shqipërinë konfirmon dëshirën e saj për të zhvilluar turizmin e përgjegjshëm, në dobi të trashëgimisë natyrore dhe kulturore që zotëron, si dhe të banorëve të saj.
Duke u fokusuar në zhvillimin që respekton ekosistemet, traditat lokale dhe komunitetet e fshatit, vendi shpreson të koordinojë ekoturizmin dhe ruajtjen e karakterit të tij autentik.
Cilat janë malet spektakolare për t’u vizituar në Shqipëri?
Në Shqipëri, ndodhen Alpet Shqiptare, të quajtura ndryshe “Bjeshkët e Nemuna”.
Ato ofrojnë pamje spektakolare dhe shtigje të pafundme ecjeje.
Cilat janë luginat e egra në Shqipëri?
Shqipëria është e famshme për luginat e saj të egra, kryesisht Luginën e Thethit dhe Luginën e Valbonës.
Këto rajone të largëta ofrojnë panorama mahnitëse dhe natyrë të pacënuar.
Cilët janë lumenjtë e egër në Shqipëri?
Lumi Vjosa është një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë, i njohur për ekosistemin e tij të pasur dhe të larmishëm.
Cilat janë vendet më të mira për një arratisje të egër në Shqipëri?
Parku Kombëtar i Thethit, rajoni i Gjirokastrës, mali i Dajtit dhe lumi Osum janë ideale për një arratisje të egër.
Çdo rajon ofron një përvojë unike të zhytjes në natyrë./atsh/ KultPlus.com
Shtëpia e ankandeve “Sotheby’s” ka nxjerr në shitje portretin e ish-kryeministrit të Britanisë së Madhe, Winston Churchill, pikturuar nga një prej artistëve kryesorë britanikë, Graham Sutherland. Skica e mbijetuar pritet të arrijë 996,000 dollarë në ankandin e 6 qershorit.
Skica e portretit të urryer të kryeministrit britanik Winston Churchill i piktorit Graham Sutherland, ka dalë në ankand.
Vepra, pritet të shitet mes 622,000 dhe 996,000 dollarë.
Në muajin shkurt dhëmbët e rremë të tij u shitën në ankand në Cheltenham për rreth 22,000 dollarë.
Ky portret u rikthye në qendër të vëmendjes, pasi u përjetësua në serialin e Netflix “The Crown”, për monarkinë angleze.
“Kjo nuk është një pikturë, është një poshtërim!”- do të deklaronte Winston Churchill, që urdhëroi shkatërrimin e saj vetëm një vit pas realizimit nga Sutherland.
Prestigjiozja “CNN” i ka kushtuar një artikull të gjatë nxjerrjes në ankand të pikturës së risjellë në episodin e parë të “The Crown”.
Përfaqësuesi për artin modern britanik dhe irlandez në shtëpinë e ankandeve “Sotheby’s” Andre Zlatinger tha se Churchill nuk ishte një person i lehtë për t’u pikturuar.
Ndërsa Sutherland ishte i njohur për realizmin e tij të ashpër dhe pikturoi atë që pa në 1954. /Konica.al/KultPlus.com
Doruntina Kastrati dhe instalacioni skulpturor “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” u nderua me “Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror” në ceremoninë e edicionin e 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia.
Kuruar nga Erëmirë Krasniqi, instalacioni prezanton katër objekte skulpturore: dy prej tyre të modeluara sipas lëvozhgave të llojeve të ndryshme të arrave, të përdorura në prodhimin e llokumeve, dhe dy të tjerat sipas formës së protezave të përdorura për implantet kirurgjike në gjunjë. Instalacioni përcillet nga një projekt tingullor kompozuar nga Paul Hauptmeier dhe Martin Recker.
MKRS ka bërë të ditur se Pavijoni i Kosovës në edicionin e 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia është komisionuar nga Hana Halilaj, kuratore pranë Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Në njoftim po ashtu thuhet se Pavijoni i Kosovës si dhe Ekspozita Ndërkombëtare e Artit — La Biennale di Venezia mbesin të hapura deri më 24 nëntor, 2024.
Lokacioni: Museo Storico Navale della Marina Militare Riva S. Biasio, 2148 30122 Venedik VE, Itali (në mes të hapësirave ekspozuese të Arsenales dhe Giardinit)/ KultPlus.com
Pavijoni i Republikës së Kosovës sot ka marrë Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Ekspozitës së 60-të Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venecias, shkruan KultPlus.
Mirëpo, në këtë ngjarje përderisa ekipi i Kosovës është ngjitur në skenë për të marr çmimin “Special Mention for National Presentation”, zëvendëskryeministrja e Serbisë dhe ministrja e Kulturës, Maja Gojkoviq, e ka lëshuar sallën.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku i cili ka thënë sekjo është hera e parë që Kosova ka marr mirënjohje të tillë që nga pjesëmarrja e parë në vitin 2013.
“Një arritje e jashtëzakonshme e artistes Doruntina Kastrati, e cila e vendosi Kosovën në mesin e më të mirëve në konkurrencë me mbi 80 shtete nga e gjithë bota. Instalacioni skulpturor “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” me kuratore Erëmirë Krasniqi dhe komisionere Hana Halilaj, ka rrënjët te përvojat e grave që kanë punuar në një fabrikë llokumesh në Prizren, në vendlindjen e artistes”, ka shkruar Ministri Çeku./KultPlus.com